• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

VEÇORI GJUHËSORE NË VEPRËN E ERNEST KOLIQIT

September 19, 2024 by s p

Dr. Valbona Sinanaj

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë/

     Në fillim të shek. XX u hodhën themelet e asaj binaje të quejtun Shqipni, siç do të thoshte At Anton Harapi. Specifikë e mendimit intelektual shqiptar në këtë fillimshekulli ishte “vërshimi i ideve të reja të shkallës më të lartë të arsimimit të rregullt të intelektualëve, çka solli hapjen drejt një përparimi kulturor gjatë një dhjetëvjeçari (30-40) të letërsisë dhe të kulturës shqipe, si kurrë më parë, në fillim në Shkodër e më pas në Tiranë dhe në mbarë vendin”.

     Mjaft autorë si  Konica, Koliqi, Kuteli, Noli, Harapi, Merxhani, Lasgushi etj., i bashkon prirja drejt formave të reja studimore, letrare, individuale, gjallëruese dhe lidhja me traditën më të mirë me ngjyrë kombëtare. Bota shqiptare filloi të pasurohej me studime të veçanta cilësore e sasiore albanologjike. Disiplina si letërsia, antropologjia, historia, gjuhësia, filozofia, filologjia etj., fillojnë të flasin shqip. 

     Ernest Koliqi evidenton tiparet që e karakterizuan dhe e afirmuan në këtë periudhë, si prozator, poet e përkthyes. Janë 86 shkrime që mbajnë emrin e tij shumica me karakter letrar, por edhe artikuj analizues, paraqitës apo polemika. Çështje të ndryshme gjuhësore janë trajtuar nga ai edhe brenda shkrimeve me karakter letrar. Koliqi është vlerësuar kryesisht nga bashkëkombësit jashtë Shqipërisë, pasi nga vendlindja ishte larguar për pikëpamjet politike, kryesisht si ministër arsimi në kohën e regjimit fashist në vendin tonë. 

     Individualiteti i një shkrimtari është i vështirë të kuptohet jashtë disa lidhjeve me ndikim kushtëzues si, jeta,  koha, njerëzit, shoqëria, shteti, vepra, lexuesi, ndërgjegjja politike dhe liria.

     Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903. Më 1921 përfundoi shkollën e mesme në Bergamo e në Milano (Itali). Themeloi në Bergamo bashkë me studentë të tjerë të përjavshmen studentore “Noi, giovani”. U kthye në Shqipëri, ku dy vjet më pas (1923) themeloi gazetën “Ora e Maleve” së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin. Më 1924 u bë pjesë e shoqërisë “Bashkimi” të krijuar nga Avni Rustemi. Gjatë viteve 1930-33 ka punuar si mësues në Vlorë e në Shkodër. U diplomua në universitetin e Padovës (Itali) më 1937. Më 1939 emërohet Ministër i Arsimit. Po në këtë vit emërohet drejtues i Katedrës së Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Universitetin Sapienza të Romës e themeluar në vitin 1939, e cila falë tij u bë Instituti i Studimeve Shqiptare, me Dekret të Presidentit të Republikës më 2 shtator 1957. Po këtë vit (1957) nisi të botohej dhe revista letrare e tij “Shêjzat”, revista shkencore albanologjike më e rëndësishme në Perëndim. I mbylli sytë në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975,  i nderuar nga bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.

     Koliqi hapi rrugën për njohjen ndërkombëtare të letërsisë shqiptare. “Letërsia e një populli të vogël që nëse nuk donte të vdiste – thotë E. Miracco – nuk mund të mbyllej në izolim, dhe Koliqi hapi për Shqipërinë dhe shqiptarët e Italisë kufij të rinj të kulturës italiane e europiane, duke u nisur nga “thesaret e kombit”. 

      Në Itali Koliqi vlerësohet si një prej figurave më të rëndësishme si pjesë e traditës letrare shqiptare dhe njëherësh për kontributin e tij në disa fusha. Trajtohet si autor në: Svolgimento storico della kultura e della letteratura albanese, G. Petrotta, 1950; Storia di letteratura albanese, G. Schirò, 1959; L’opera letteraria e culturale di Ernesto Koliqi, G. Gradilone, 1974; “L’opera di Ernest Koliqi: considerazioni linguistiche”, në Miscellanea di Albanistica, P di Giovine, 1997; “L’incidenza delle religioni nella letteratura albanese secondo E. Koliqi”, në Miscellanea di Albanistica, S. Zincone,  1997; “Ernest Koliqi e la tradizione orale” në Miscellanea di Albanistica, E. Miracco, 1997; “L’opera letteraria di Ernest Koliqi ieri e oggi in Albania”, në Miscellanea di Albanistica, B. Dashi, 1997.

     Në shkrimet e tij Koliqi lëvroi me pasion gjuhën e shpirtit pa u shkëputur nga historia personale. Autori kërkon që në gjuhë të gjejë pasqyrim shpirti i kombit dhe duhet vënë në përdorim letrar mbarë pasuria leksikore e frazeologjike e saj, jo një pjesë e vetme dhe të ushqehet prej dialekteve dhe nëndialekteve.  

     “Besoj se njoftja e visarit letrar popullor ka me shërbye si frê. Ka me freskue e njomsue fjalorin, së ka ma na lânë me humbun at frymë të thjeshtë e pak si t’egër qi, mbas mendes s’eme, përbân bukurí e fuqín e gjuhës arbnore”.      

      Koliqi dhe Camaj i përkisnin atij grupi të shkrimtarëve, që në shkrimet e tyre përdornin variantin letrar të Veriut, por i rëndësishëm ishte roli i tyre, jo i vogël në rrugën e konvergjencës së gjuhës së shkruar, e kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit të krijimtarisë së tyre. E donin shqipen dhe vinin në dukje vlerat dhe pasuritë e saj. “Shqipja asht gjuhë e pasun dhe sqimatare, – shkruante Koliqi te romani “Shija e bukës së mbrume” – ka në vetvete gjallni kromatike e hire muzikore ende të pazbulueme, të cilat kur të dalin në shesh nëpër lavrim të palodhur të shkrimtarëve që ushtrojnë me vetëdije të ndritun zejen e tyre, do të jetë kënaqja dhe krenarija e breznive të përtardhuna… idet e thella dhe ngjyrimet e tyne të holla kërkojnë nji  përdorim të gjanë të mjeteve gjuhësore për t’u shprehun në mënyrë të dejë”. 

     Gjuha e tij priret drejt formave të reja për të qenë sa më afër gjuhës letrare që po formohej. Autori kërkon që në gjuhën e përpunuar të gjejë pasqyrim shpirti i kombit, duke vënë në përdorim letrar mbarë pasurinë leksikore e frazeologjike e saj. Ai mbështet rëndësinë dhe domosdoshmërinë e njohjes së traditës kombëtare, duke na këshilluar se: “Pa tharmet e traditës, s’ka përparim qytetërues shqiptar.”, dhe se kjo njohje  fuqizon rrënjët e kombit, pasi: “Një lis pa rrënjë nuk qëndron në këmbë. Një komb që përbuz traditat e veta vendos vetëvrasjen e tij”. 

     Koliqi arriti të lidhë traditën me modernen. Vepra e tij e krijuar në botën perëndimore në rrethet kulturore e shkencore të saj, larg ndikimeve e kufizimeve ideologjike, fitoi jo vetëm lirinë krijuese e shkencore, por, gjithashtu ka përfituar nga metodat e reja shkencore që zbatoheshin në Institutin e Albanistikës në Universitetin “La Sapienza” të Romës, të cilin e drejtoi deri më 1973. 

Si njohës i mirë i traditës përshkruan me mjete të gjetura gjuhësore aspekte të ndryshme të  mendësisë shqiptare, të cilat pasqyrojnë psikologjinë e shqiptarit. Përdorimi i shpeshtë i mbiemrave, i ndajfoljeve, fjalët e prejardhura e të përbëra dhe neologjizmat, dëshmojnë interesin e tij për  një gjuhë të përpunuar e poetike. Koliqi nuk ishte i prirur të përdorte me fanatizëm të folmen e vendlindjes, por mbështetej në gjuhën e popullit dhe përpunimin e pasurimin e saj të mëtejshëm. Ai nuk shkruan një shqipe larg standardit zyrtar, por ka një gjuhë të mesme popullore, përdor një gjuhë mjaft të zbutur, duke parapëlqyer më shumë trajtat e përbashkëta se sa ato dialektore, si në fonetikë, por edhe në sistemet dhe nënsistemet e tjera të gjuhës, përdor fjalë vjetra, duke synuar të bashkojë dialektet në një gjuhë të vetme.

     Nën gjurmën e shqetësuar dhe provokuese të pyetjes së Koliqit, në një trajtesë në vitin 1962 “Në vijën zhvillimore të letërsisë shqiptare, cili âsht qëllimi sundues?”, mund të thuhet se ndër qëllimet e kritikës letrare sot duhet të renditet edhe rivlerësimi i personaliteteve, arsyet e izolimit të një letërsie dialektore, humbja e ngjyrave të të folmeve lokale, cungimi i identitetit gjuhësor në panoramën letrare të përgjithshme dhe mbytja e shpirtit eksperimentues në këtë lëmë.

Bibliografia

Miracco, Elio.“Ernest Koliqi e la tradizione orale”, në Miscellanea di albanistika, Istituto di studi albanesi, Università degli studi di Roma “La Sapienza”, Roma, (1997), f. 23-30.

Koliqi, Ernest. Koliqi, Kritikë dhe Estetikë, Tiranë, (përg. S. Çapaliku,  1999).

Koliqi, Ernest. Vepra 1, Prishtinë, “Faik Konica”, (2003).

Koliqi, Ernest. Vepra 4, Prishtinë, “Faik Konica”, (2003).

Osmani, Tomor. Shejzat për gjuhën shqipe, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Instituti i Studimeve Albanologjike, Shkodër, (2013).

Marteta,  Rafaela. Publicistika e Lazër Shantojës. Paradigmë shqiptare e mendimit modern, Tiranë, (2021).

Sinani, Shaban.“Çështje të stilit në ligjërimin e Martin Camajt”, në Studime Filologjike 1-2, Tiranë, (2007), f. 29-39.

*Përmbledhje e kumtesës referuar në konferencën shkencore “Poliedriku Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes”.

Filed Under: Politike

Persekutimi i Klerit Katolik në Shqipëri në kohën e rregjimit ateisto-komunist 1944-1990

September 18, 2024 by s p

Gjon Frani Ivezaj/

“Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!” – At Pjetër Meshkalla S.J.

“Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë, rezulton se: janë pushkatuar 29 klerikë (13%), mbytur ndër tortura 29 klerikë (13%), burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%), kanë kaluar ndër kriza mendore deri në çmendi 6 klerikë (3%), janë detyruar të arratisën ose s’jane lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%), janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%) dhe kanë vdekur në ankth e dhimbje pjesa e mbetur 15 klerikë (7%).” – Dr. Pjetër Pepa, studiues ish Ambasador i Shqipërisë në Vatikan

Ish i përndjekuri e i burgosuri politik Ipeshkëvi Ndihmës i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës Imzot Zef Simoni, në librin e tij me kujtime: “Ngjarje në Tokë”, shkruan për luftën e pamëshirshme dhe shume brutale, që ndërmori Partia Komuniste dhe diktatori Enver Hoxha në bashkëpunim me Mehmet Shehun, ndër të tjera shkruan:

“Me 16 gusht të vjetit 1944, me rastin e festës së Shën Rrokut që kremtohet posaçërisht në Shirokë, një fshat buzë liqenit të Shkodrës, në proçesionin e kësaj dite, Dom Ndre Zadeja, meshtari i detyrës, gojëtari në za dhe shkrimtari i zgjedhun, i flaktë në zemër, e nder vepra për “Fe e Atdhe”, binom që kishte karakterizuar klerin katolik historikisht e sidomos në kohët e luftave të Gjergj Kastriotit-Skanderbeut, këto fjalë i tha popullit e rinisë: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqiat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.” Këto fjalë i tha tre muej e pak, para se të hynte komunizmi në Shqipni e gati shtatë muej para se të pushkatohej meshtari i zjarrtë, i vlershëm Dom Ndre Zadeja, i pari meshtar i pushkatuem në Shkodër, mbas murit të vorrezave katolike, me datën 25 mars 1945, ditë e dielle, ngjarje kjo që tronditi Shkodrën, rrethet, malësitë dhe mbarë Shqipninë. Komunistët e morën vesh vonë, se Mesha e mesnatës për Krishtlindje, me 24 të dhetorit 1944 në Kishën Katedrale nuk do të thuhej, se mos ngjante ndonjë turbullim. Por regjimi i ri nuk e duronte këte veprim. Prandaj disa nacionalë-çlirimtarë të krishtenë edhe ndonjë komunist i krishtenë, ndonëse vonë, rreth orës dy të mbasdrekes iu drejtuen Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit me lutje të thuhej Mesha e Mesnatës. Mbasi Imzoti u tha se tashti asht tepër vonë me lajmue popullin, këta i premtuen se merrshin përsipër ta lajmojshin. Shkojshin derë në derë tue thanë: “Sonte thuhet mesha e mos kini frikë, pse besimi asht i lirë.” Për ma tepër, po të thonte kush se besimi nuk do të ishte i lirë, kjo do të quhej prej regjimit të ri një shpifje, një parullë e fortë e reaksionit e do të kishte ndeshkime. Shej i sigurtë se nuk do të kishte dredhi u ba të ramët e kumbonëve në mbarë qytetin e një popull i madh mori pjesë qetësisht e me shumë gëzim në Meshen e Mesnatës.”

Në qytetin e Shkodrës, franceskanët e devotshëm (të ardhur në Shqipëri në shekullit XII), hapën një streh për të varfërit në vitin 1861 dhe më vonë Liceun “Illyricum” të “një niveli të naltë, me nxanës nga mbarë Shqipnia e për të krishtenë e muslimanë. Një urdhën që dha figura të shqueme të dijës në të gjitha fushat si gjuhëtarë, shkrimtarë, profesorë të shquem të kulturës klasike greko-romake, historianë si: Mons. Vinçenc Prennushi, Atë Anton Harapi, Atë Gjergj Fishta, Atë Justin Rrota, Atë Marin Sirdani, Atë Pashko Bardhi, Atë Bernardin Pali, Atë Donat Kurti, Atë Gjon Shllaku, me të nipin e vet françeskan, Atë Aleks Baqlin, Atë Frano Kiri, Atë Benedikt Dema, Atë Viktor Volaj, Atë Daniel Gjeçaj e të tjerë, të gjithë të pregatitun në Universitetet e Europës, tue shtî kulturën pozitive të Europës e tue i dhanë një zhvillim të madh kulturës shqiptare.”

Po kështu shkruan shkrimtari i përsekutuar Mons. Simoni, se: “Shoqnia “Jezus”, me fillesën e vet në Shkodër, në vjetin 1841, bante një mision të përmendun për të rranjosë fenë me devocione e lutje që do të mbesin të paharrueshme edhe gjatë përsekutimit në zemrat e buzët e popullit. Një mision, që zbuste zakonet e ashpra e pajtonte gjaqet e shumta që arrijshin në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, deri në numrin 4000 pajtime. Një shoqni që sjell e zhvillon një kulturë të mirë europiane e kulturë kombëtare në Seminarin Papnuer dhe në liceun e Kolegjes Saveriane, tue pasë njerëz të shquem, si: Atë Jak Jungun, Atë Genovizzi-n, Atë Anton Xanonin, Dom Ndré Mjedën, Atë Mark Harapin, Atë Gjon Karmën, Atë Jak Gardin-in, Atë Daniel Dajanin, Atë Giovanni Fausti-n, Atë F. Cordignano-n, Atë Zef Valentini-n, Atë Pjetër Meshkallën, Atë Ndoc Saraçin, Atë Zef Saraçin, etj. Salezianët e salezianet, të përhapun në disa qendra në Shqipni, të cilët simbas drejtuesit e pedagogut të madh Dom Gjon Bosko, merreshin kryesisht me rini tue shtie nder ata shpirtin e uratës e të punës. Orionitët, edhe këta në gjasim të Salezianëve. Kuvendi i motrave Stigmatine, Servite, Vinçenciane, të cilat punojshin aq shumë për edukimin e vajzave në shoqni fetare, në shkolla femnore e Vinçencianët nder spitale. Ishte dhe një numër i madh meshtarësh që shërbejshin në famullitë, o gjindeshin në qytete për të mbajtë shkollat, licetë.“

At Anton Luli S.J., dëshmitar e mbijetues i torturave çnjerëzore. Të gjithë jashtë burgut ferr komunist të Shqipërisë e dinin të vdekur. Për më tepër revista “Albanian Bulletin Catholic”, në një nga numërat e saj botoi foton e meshtarit, duke vendosur shënimin “Martir për fe”, ndërsa një gazetë tjetër italiane “Avvenire” më 2 nëntor 1983, boton një shkrim me titull “Historitë e At Lulit”.

10 vjet më vonë At Çesar Gjiraudo (Cesare Giraundo), në Tiranë për herë të parë mundi të zhvillonte një intervistë të gjatë mbi historitë e At Anton Lulit S.J., i mbijetuari i rregjimit komunist. Thjeshtësia në komunikim dhe zotërimi shkëlqyeshëm i gjuhës italiane, bënë që intervistuesi At Gjiraundo ti botoj kujtimet në librin: “Gia dato Per Martire… I Fioretti di un gesuita albanese” (“Atë Anton Luli S.J. Ne e dinim martir…”), shtypur në Shtëpinë Botuese “At Gjergj Fishta” në Lezhë.

Situata në Shqipëri, në kohën e barbarëve komunistë ishte tepër e nderë. Komunistët, me fjalë të bukura, kishin mundur të mashtronin pjesën e mirë të popullit, që ishte analfabet dhe nuk e dinte se çfarë ishte komunizmi dhe kështu u bënë viktimë e tij.

Kleri katolik, gjithnjë ishte përpjekur ti hapte sytë popullit shqiptar, që të mos gënjehet nga ideologjia mashtruese e komunizmit. Për ketë në shumë revista dhe gazeta të kohës ishin sjellë shembuj negativ, të dhunës së tërbuar që komunizmi kishte ushtruar e vijonte me tërbim ndaj vendeve ku kjo ideologji e hurit dhe litarit ishte berë forcë shkatërruese. Ish-Bashkimi Sovjetik, që drejtohet nga tiranët Lenin-Stalin, ishte shembulli më i mirë i rrezikut që e kërcënonte botën demokratike dhe në veçanti Shqipërinë, që shumë shpejt u bë viktimë e demagogëve marksist të grupeve komuniste, që fillojnë të mbijnë si kërpudhat mbas shiut.

Mbas pushtimit të Shqipërisë nga ideologjia dhe rendi komunist, filluan arrestimet në popull të kundërshtarëve politik të rregjimit. Rradha u erdhi tregtarëve të ndershëm, që me mund e sakrifica kishin arritur në bisnesin e tyre të vogël. Mbi bazën e orientimeve ruse, filloi sulmi frontal kundër institucioneve fetare, ku, në epiqendër të goditjeve staliniste u vu Kisha Katolike dhe hierarkia e lartë në Veri Perëndim të Shqipërisë.

Por nga ana e tjetër edhe rezistenca antikomuniste ishte e fuqishme. Kjo u duk në institucionet fetare dhe prelatët e Kishës. Qëndrimi burrëror i seminaristit Mark Çuni, gjatë gjyqit të zhvilluar kundër eprorëve të tij etërit jezuit At Gjon Fausti S.J. dhe At Daniel Dajani S.J.. Seminaristi i ri student Çuni, mbrojti me dinjitet profesorët e vet…

E njëjta panoramë e zymtë po zhvilloheje dhe tek Kuvendi Francekan, ku etërit At Gjon Shllaku e At Çiprian Nikaj, pushkatohen nga toga e zezë partizane. Këtë fat tragjik e patën pjesa dërmuese e zëvendësrektorëve, rektor e famullitar të thjeshtë në shkollat klerikale dhe famulli ose dioçeza si në qytet e katund.

Gjatë kohës që komunistët kishin fillluar raplezarjet në institucionet klerikale katolike dhe qendrat fetare e kulturore të tyre, At Anton Luli S.J. askohe ishte me detyrën mësimdhënës dhe zv/rektor i Kolegjës Saveriane në Shkodër.

Ai kujton: “Në janar të vitit 1946 i nisën për në atdhe të tyre të gjithë italianët, etër e fratela. Në Shkodër mbeta vetëm unë bashkë më Imzot Frano Gjinin, që ishte delegat Apostolik për Shqipërinë, në mungesë të Imzot Gjon Batista Nigris, të cilit, ia kishin ndaluar të hynte përsëri. Atëherë Imzot Gjini më emëroi rektor të Kolegjit Saverian e të Seminarit Papnor të Shkodrës, detyrë kjo që nuk m’u hoq deri në vitin 1991. Ndoshta kurrkush nuk ka pasur e grumbulluar detyra kaq të rëndësishme gati për 50 vjet rresht!… Kur u pushkatuan At Fausti e At Dajani, më 4 mars 1946, u mbyll seminari e kolegji. Në atë çast ndërhyri një ushtri e vërtetë, e përbërë prej plot 8000 partizanësh komunist. Këta, pasi na kishin ndyrë në sallën e ngrënies së seminarit, bënë një kontroll të imët qoftë në seminar, qoftë në kolegj. Pastaj, pa na lejuar të ngjiteshim në dhomat tona na nxorën jashtë, ne e seminaristët vetëm me tesha, që kishim veshur e kurrgjë tjetër. U sekuestruan gjithçka, duke përfshirë bibliotekën e seminarit me 40.000 vellimet e saja, më e madhja e më e pasura e të gjithë Shqipërisë. Ne pak shqiptarëve që kishim mbetur, na thanë: “Shkoni në shtëpitë tuaja, ose shkoni kah të doni” Ipeshkëvi atëherë më emëroi famullitar në famullinë e Shkrelit, tridhjetë kilometra në veri të Shkodrës”.

Arrestimi dhe burgimi i parë (1947-1954). Gjithnjë At Luli jetonte me ankthin se një ditë ai do të burgosej. Këtij fati të keq i ishin nënshtruar pjesa dërmuese e klerikëve në të gjithë Shqipërinë, por epiqendra e goditjeve antikatolike e antishqiptare ishte përqendruar në Shkodër e malësinë e saj. Për 18 muaj At Anton Luli S.J., ishte famullitar mes malësorëve besimtar dhe bujar, trima dhe përbuzës të rregjimit komunist ateist. Një javë para Krishtlindjeve të vitit 1947, meshtari i katundit arrestohet nga forcat partizane, me arsyen se ka zhvilluar “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Atë e dërguan në komunën e Koplikut dhe e ndrydhen për 8 muaj në një banjo, që kishte shumë kohë që nuk ishte pastruar. Asnjëherë nuk e pa dritën e diellit. Pastaj erdhi procesi gjyqësor. Në gjyq të Shkodrës u dënua me 7 vjet punë të detyrueshme, duke u larguar nga burgu i sigurimit në Koplik, që ishte qendër paraburgimit, për malësorët dhe klerikët katolik të atyre krahinave. Filluan torturat çnjerëzore mbi trupin e tij të brishtë.

Zv/rektori kujton: “Tashti po flasim për tortura. Nga nevojtorja ku isha, më thirrën, një ditë lart në katin e dytë, në zyrën e Sigurimit ose të Shërbimit të Fshehtë. Kishin hyrë katër e pesë policë të Sigurimit, të cilët filluan të luanin me trupin tim si me një top futbolli, dhe më lodhën e dërmuan, saqë u rrëzova për tokë. Atëherë një alamet burri me çizme të mëdha nisi të kërcejë mbi trupin tim deri sa ndjeva se m’u thye një brinjë. Pastaj shefi i policisë u vërsul mbi mua e më shtrengon aq fort në fyt saqë gati më mori frymën. Mbeta ashtu shakull, pa mundë të lëviz. Pastaj, me shqelma e me sharje, me mori një polic e më çoi përsëri në qelinë time plot erë të keqe. Kur më merrnin në pyetje, më duhej nganjëherë të rrija në zyrë me shefin e policisë nga mbrëmja e deri në mëngjez, vazhdimisht me këmbë e duar lidhur mbas shpine.”

Dom Ndre Zadeja (1891-1945), klerik, dramaturg, poet e prozator. Ai studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar nga Jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916, ku bashkë me Sirdanin e Gazullin etjerë u dhanë shumë mbas gjuhësisë. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Ai çoi meshën e parë më 26 prill 1916, në kishën e Zojës së Shkodrës, bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohet edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin si sekretar i Imzot Jak Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak në Bojë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldî.

U arrestua në sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, Dom Lazër Shantojën , edhe ai në fazën dioqezane të lumnimit. Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit.

Më 25 mars 1945, qyteti i lashtë i Shkodrës e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”; “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa” etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist.

Tragjedia e Poetit të Ambëlsisë, kishte fillue ndoshta qysh me 16 gusht 1944 gjatë meshës në Kishën e Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur iu drejtue besimtarëve: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”

Në rrugët e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësiht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: “Kanë grí Dom Ndrenë!”.

Kur u vu në skenë për herë të parë në Sallonin e shfaqjeve të Kolegjes Saveriane, e protagonistët kndônin: Adrijes m’thuej krenare/Vlona asht tokë Shqiptare!”

Spektatorët shpërthyen në duertrokitje të stuhishme: “Rrnoftë Vlona Shqiptare! Rrnoftë Vlona jonë!”. Në shtypin e kohës boton shpesh pjesë publicistike në lamin e pedagogjisë, psikologjisë, folklorit e traditave, sidomos të zonave pak të prekuna nga orientalizmi, – siç edhe ishin Alpet tona, në të cilat shërbeu.

At Donat Kurti O.F.M. (1902- 1983), ishte frat, mësues,etnolog, folkorist, përkthyes shqiptar. Shquhet për mbledhjen e Ciklit të Kreshnikëve e Lojët Kombëtare bashkë me P. Bernardin Palajin dhe rendimin e Prrallave Kombëtare. Ai mbaroi shkëlqyeshëm mësimet e para dhe të mesme në qytetin e Shkodrës, vazhdoi studimet e larta në Romë. Në vitin 1937 nga Universiteti “San’Antonio” i Romës , ku i jepet titulli “Doktor i Shkencave”. Më 1927 u bë prift françeskan dhe po atë vit kthen në qytetin e tij, ku emërohet profesor në “ gjimnazin “Illyricum “ të fretërve. Dha gjuhë shqipe, latinisht dhe histori të natyrës. Nga 1930-1938 qe n/drejtor i shkollës, gjatë kohës kur P. Harapi O.F.M. qe drejtor. Nga viti 1939 e gjer në mbylljen e saj më 1946 qe drejtor. Gjimnaz ku gëlonte një trupë mësimore e përbërë nga P., Gjergji ,Marini , Justini etj.

Më 11 nëntor 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futi armët dhe akuzon Fretërit për këtë akt të ulët që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhirë të datës 17 nëntor 1946, nga vetë ata. Pas 2 vjetësh hetuesi të tmerrshme nga prokurorët komunistë Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj., doli në gjyq, ku mbajti qëndrim burrëror. Në fjalën e fundit lapidar, përpara dhënies së dënimit, iu drejtua kështu prokurorit më 15 janar 1948: “Prej jush unë nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam bâ kurrkuj keq. Mue nuk më bân përshtypj as vdekja as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna pergjysë. Të gjithë jetën teme, të gjithë talentin tem e kam shkrî vetëm për me i sherbye popullit shqiptar, pa marrë parasyshë sakrificat e privacjonet.”

Trupi gjykues mbeti i shtangur e heshti. Kryetari e ndërpreu: “Kur ke luftue ti, çka ke bâ për popullin që po i mburrë ato vepra të cilat na nuk i dijmë?” “Asht e kjartë se ju nuk dini kurrgjâ. Ato armë për të cilat ju mendoni, un nuk i njof as nuk i dij. Arma ime âsht penda me të cilën kam mbledhë e botue kângët mâ të bukura të trimnisë së popullit: Visaret e Kombit. Kam mbledhë e botue dy vllime me Prralla Kombtare. Ato nuk janë thjeshtë përralla, por aty paraqitet tanë urtia, filozofia e zgjuetësia e popullit tonë që t’u mësojë fëmijve mâ lehtë ushtrimin e virtuteve dhe luftimin e veseve. Po të më jepni vdekjen të gjitha punët mbeten përgjysë, ndersa po të më dënoni me burg, un u kërkoj të lejoni vazhdimin e punës sime të deritashme vetëm për të miren e popullit shqiptar.”

Dënimi qe me vdekje, e i kthehet me burgim të përjetshëm; që shkoi në 25 vjet. Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore, nga e cila e ndau vetëm vdekja. Atje ai njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pregatiste “Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe”. Ky fjalor kishte 45,000 fraza. Është i shkruar në dy kopje me dorë, një për Universitetin, dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që është liruar, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, duke i thënë: “Meqë janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë. Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart.” Zgjeroi vëllimin e tretë të “Përrallave popullore”, përfundoi veprën “Thaça ose mënyra të thanunit në gjuhën shqipe”, ku janë përfshirë rreth 12,000 njësi frazeologjike dhe proverba nga e folmja e Shkodrës, shkroi pjesë “Nga kanuni i Skënderbeut”, vëllimet me tregime “Mësimet e nanës”, “Në rrugën e plepave”, “Kah gurrat e jetës”, përmbledhjen me poezi “Lule më lule” etj.

At Donat Kurti, një ditë u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën më të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderuar të spitalit të Tiranës ,e cila nuk e la vetëm deri atë ditë, më 10 nandor 1983, që u bashkua me shokët e vet, eshtrat e të cilëve i kishte nën brinjë. At Donat Kurti O.F.M. ruajti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij duke jetuar fukara, duke vuajtë me fukara, duke punuar të edukujë fukaratë dhe duke vdekë si fukara, i nderuar prej fukarave të mbarë Shqipërisë, të cilëve, në këtë jetë të mjeruar, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: “Visarët e Kombit”.

Si e eliminoi regjimi i Hoxhës klerin katolik

… Më 24 maj (1945), në Shkodër komunistët i vunë zjarrin ndërtesës së delegacionit apostolik. Ishte e pamundur të shpëtohej edhe Sakramenti i Shenjtë. Selia e delegacionit u pushtua nga harbutëria e gërdhaja, të udhëhequra nga një numër i madh punonjësish të policisë.

Agresorët hapën tabernakullin e kapelës, hapërdanë nëpër tokë gjithçka gjetën, shkelën me këmbë kurbanet e shenjta. Delegati apostolik, monsinjor Leone G. Batista Nigris, përfaqësuesi i Selisë Apostolike pranë ipeshkvisë vendore, u shtrëngua të shikojë zjarrin nga dritarja e një shtëpie afër, ku qe ndryrë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje monsinjori Nigris, i cilësuar nga shtypi vendor si një “agjent imperialist i fshehur në gjirin e Kishës”, u dëbua nga Shqipëria, por jo pa pësuar më parë një agresion çetimi komunist gjatë udhëtimit nga Shkodra për në Tiranë.

Mbyllja e çerdheve të fëmijëve të mbajtura nën kujdesin e motrave katolike, zëvendësimi i mësuesve të shkollave private me mësues shtetërorë, rishikimi i programeve shkollore për t’i përshkuar nga boshti i materializmit marksist, sulmet kundër priftërinjve të seminarit në Shkodër shënuan etapat e reja të ndrydhjes së Kishës Katolike Shqiptare.

Në qershor 1945, nxënësit e shkollës fillore katolike u detyruan të kalonin në shkollat shtetërore, në zbatim të një vendimi qeveritar që e kthente administrimin e shkollave fillore në kompetencë të shtetit. Në shkollat e mesme katolike pastaj, të cilat nuk mund të nacionalizoheshin shpejt për mungesë mësuesish, nisën të bëheshin të detyrueshme kurse e konferenca të mbajtura nga funksionarë të partisë komuniste. Një fushatë e kujdesshme e doktrinimit marksist përçohej në tërë vendin, si në qytete, ashtu edhe në fshatra, me një angazhim këmbëngulës për të rrënjosur në trurin e njerëzve parimet marksiste-leniniste.

Po atë muaj të qershorit 1945 u arrestua një prift italian, ati Xhakomo Gardin, për shkakun e vetëm se gjatë një debati politik – të deklaruar të lirë – i kishte lejuar vetes të shprehte mendime të kundërta me konferencierin. U ndërtua kundër tij një proces gjyqësor me akuzën e “propagandës antidemokratike”, në përfundim të të cilit ai u dënua me gjashtë vjet burgim, që ai i kreu pastaj në burgjet e Shkodrës. Në dhjetor, drejtuesja e motrave të Karitasit të Korçës, u godit nga komunistët me një breshëri mitralozi të lehtë, ndërsa ishte duke udhëtuar me një autokorierë të drejtuar për Tiranë: vdiq në spitalin e Korçës, në duart e një motre të kongregacionit të saj që shërbente në këtë spital.

Sulmi komunist shkoi përpara kundër institucioneve katolike që “mbaheshin me parà të huaja”. Në muajt janar e shkurt 1946 u inskenua një proces i madh kundër rektorit të seminarit papnor të Shkodrës, atit Daniele Dajani, kundër nënkrahinorit të jezuitëve, atit Xhovani Fausti dhe kundër priftërinjve shqiptarë të seminarit. Këta të fundit qenë inkurajuar nga popullsia për të shpërndarë disa fletushka në të cilat mbështetej ideja e nxitjes së krijimit të një “partie kristiane”. Në vijim të një perkuizimi disa nga këto fletushka ranë në duart e policisë, e cila procedoi me arrestimin e priftërinjve. Edhe pse përmes torturave ata kishin vazhduar të pohonin se superiorët e tyre qëndronin jashtë këtyre fakteve, edhe superiorët u arrestuan. Seminari u shkatërrua tërësisht.

Procesi u zhvillua në mes të një fushate të dhunshme shtypi dhe demonstrimesh popullore, me frymëzim të dukshëm zyrtar dhe përfundoi me 11 dënime me vdekje e me shumë dënime të tjera me burgim të gjatë. Rektori, nënkrahinori i etërve jezuitë dhe nëntë anëtarët e seminarit, të akuzuar pavarësisht nga gjithë provat e kundërta, për terrorizëm dhe atentat ndaj sigurisë së shtetit, u pushkatuan më 4 mars 1946. Kufomat e tyre metën për një ditë të tërë midis plehrave në buzë të një përroi në periferi të Shkodrës. Dënimet për anëtarët e tjerë të seminarit shkonin nga 15 deri në 30 vjet.

At Xhovani Fausti, figurë e ndershme e priftit dhe e misionarit, kishte shpenzuar vite e vite të gjatë të jetës së tij në shërbim të Shqipërisë. Pak më shumë se një vit më parë, gjatë betejës për çlirimin e Tiranës, kishte vënë në rrezik jetën për të shpëtuar nga reprezalja gjermane një grup civilësh italianë e shqiptarë.

Duhet kujtuar se midis të dënuarve me vite të gjata burgimi ishte edhe ati Jovan Pantalja, shqiptar, vdekur në burg nga keqtrajtimet e torturat e pësuara. I shkreti Pantalja qe akuzuar, mes të tjerash, se kishte ndihmuar aty nga muajt e parë të vitit 1943 atin prof. Xhuzepe Valentini, mësues dhe lëvrues i gjuhës shqiptare, ende drejtues i Kolegjit Saverian të Shkodrës, në punën e tij të “monopolizimit të kulturës shqiptare dhe të spiunazhit në favor të Gestapos dhe të Vatikanit”.

Procesin e Shkodrës e ndoqi më pas rekuizimi i ndërtesave të kultit katolik, me pretekstin e zakonshëm të “nevojave publike”. Ndërkohë që procedohej me zhveshjen e përfaqësuesve të fesë, organet e propagandës së partisë orkestronin një fushatë antikatolike në gazetat dhe në radio. Veçanërisht të urryera ishin shpifjet e lëshuara kundër motrave të kongregacioneve, të akuzuara për akte imorale, me qëllim që të diskreditoheshin misionin e mëshirës kristiane.

Më 18 janar 1946, tetëdhjetë e dy priftërinj e motra të Karitasit u dëbuan nga Shqipëria. Policia u mori atyre gjithçka. I trajtonte përfaqësuesit fetarë njëlloj si kriminelët ordinerë

U ngarkuan në disa automjete dhe u transportuan me një grup njerëzish të armatosur për në Durrës, ku u strehuan në pallatin ipeshkvnor, të braktisur dhe të zhveshur nga çdo orendi, ndërkohë që arqipeshkvi, at Vinçenco Prenushi, ishte i burgosur. Në ndërtesën ku ata ishin të internuar nuk kishin me se të ushqeheshin. Prifti i kishës së krishterë, papa Kristoja, sepse u kishte sjellë atyre fshehurazi ushqime, u zbulua e për këtë u masakrua nën gurin e një mulliri. Edhe kryekirurgu i spitalit të Tiranës, prof. Venancio Loci, i cili shkonte çdo ditë t’i vizitonte, u arrestua. Policia i trajtonte përfaqësuesit fetarë njëlloj si kriminelët ordinerë. Disa prej tyre, si ati Ernesto Kasinari, u transferua madje në burgjet e gjykatës dhe u mbajt aty për një kohë pa një akuzë të saktë. Imbarkimi të dëbuarve për Itali nuk u bë i mundur, veçse pas 37 ditësh të një pritjeje të dhembshme. Në çastin e nisjes të dëbuarit iu nënshtruan një perkuizimi të ri, pa as më të voglin kujdes për dinjitetin e gjendjes së tyre. Gjatë operacionit të imbarkimit në një anije tregtare italiane, në çastin më të fundit, mundi të ngjitej mbi anije edhe ati jezuit Andreini, i cili, i dënuar tashmë me pushkatim, ishte arratisur nga Shkodra, duke marrë me vete ikonën e Madonës së Pompeit.

Persekutimi kundër klerit shqiptar

Pas dëbimit të fetarëve italianë persekutimi vijoi kundër klerit shqiptar. Në dhjetë muaj u vranë 4 peshkopë e 15 priftërinj, ndërkohë që 32 të tjerë u burgosën. Në prill u inskenua një proces i ri kundër disa eksponentëve të klerit katolik shqiptar. Qëllimi i debatit gjyqësor ishte të përligjte, përballë opinionit publik kombëtar e ndërkombëtar, serinë e gjatë të arrestimeve e të shpërdorimeve, të cilave u nënshtroheshin priftërinjtë e kultit katolik. Qe i fundmi i proceseve të ujdisur mbi akuza të kota e të orkestruara me propagandë të shkathët. Nga këtej e në vazhdim akuza e përgjithshme “agjent i Vatikanit” do të mjaftonte për të përligjur vrasjet, arrestimet apo syrgjynosjet në kampet e punës së detyrueshme, pa asnjë lloj procesi.

Me të tilla metoda qeveria e Hoxhës procedoi për eliminimin e peshkopatës katolike vendore. Arqipeshkvi i Durrësit, monsinjor Vinçenc Prenushi, u burgos dhe u dënua me 30 vjet punë të detyrueshme. Egërsirat komuniste u shfrynë barbarisht mbi të pafajshmin, duke e penguar atë të flinte, duke e zhveshur, duke e varur në një ganxhë me një litar të kaluar në unazat e prangave, duke e rrahur deri sa të humbte ndjenjat. Vdiq në burg pas shumë vjet torturash mizore, që xhelatët e tij i ushtronin egërsisht, në mënyrë që ta bënin të vuante sa më gjatë që të ishte e mundur.

Midis viktimave të egërsisë komuniste lipset të numërohen tre ipeshkëv të tjerë: ipeshkvi i Oroshit dhe i Lezhës, monsinjor Françesk Gjini; ipeshkvi Sapës, monsinjor Gjergj Volaj dhe peshkopi ortodoks, monsinjor Kishi, i kthyer në katolik në vitin 1943. Ipeshkvi Gjini, që zëvendësonte delegatin apostolik, monsinjor Nigris, pas dëbimit të tij nga Shqipëria, iu nënshtrua periudhave të stërzgjatura të agjërimit dhe torturave të tilla, sa s’i mbeti vend në trup pa iu bërë plagë. Pas shumë vuajtjeve të përballuara me mundim fjalët e tij të fundit, para se të pushkatohej, ishin fjalë lavdërimi për Zotin dhe për Kishën Katolike.

Nga martirizimi i ipeshkvit Volaj u bë i njohur një episod dramatik që ngjau midis tij dhe së ëmës, kur kjo e fundit, përmes hekurave të burgut, ia doli mbanë ta shohë të birin për herë të fundit para se të pushkatohej. Nëna e gjeti të birin të katandisur aq keq sa nuk e njohu dhe e dëshpëruar dëgjoi fjalët e fundit të tij: “Lutu shumë dhe, nëse do të duash të qash për tët bir, mos e bëj këtë për vdekjen e tij, por për atë çka Kisha ka vuajtur”.

I njëjtë qe edhe fati i peshkopit ortodoks, monsinjor Kishit, i cilësuar si “tradhtar i atdheut dhe spiun i Vatikanit”, nga që kishte kaluar nën urdhrin e kishës katolike. Menjëherë pas pushkatimit të tij, shtypi zyrtar shqiptar botoi një seri artikujsh, në të cilat pohohej se ai “kishte rrëfyer krimet e tij kundër popullit”. Vijonte teksti i “rrëfimit”, të marrë nga policia dhe të firmosur siç duhej nga viktima. Monsinjor Kishi akuzohej se kishte patur kontakte para vitit 1943 me delegatin apostolik italian, të cilin e kishte furnizuar me të dhëna për veprimtarinë e partizanëve; se më pas kishte kaluar në Kishën Katolike Romane me qëllimin e qartë për të ushtruar spiunazhin në dobi të Vatikanit; se kishte synuar të mbillte përçarjen në raportet midis popullit dhe qeverisë, duke përhapur ide reaksionare dhe shpifje ndaj PKSH-së.

Mizoritë e komunistëve shqiptarë i kanë kaluar shpesh tmerret e torturave të martirëve të parë kristianë. Famullitari i katedrales së Tiranës, dom Shtjefën Kurti dhe ai i katedrales së Durrësit, dom Anton Bicaj, u pushkatuan pa proces gjyqësor. Monsinjori Xhuzepe Bonati u vra në burg, ku ishte prej kohësh i dënuar. Ashtu siç pati referuar një prift shqiptar që për një farë kohe jetoi me të në të njëjtën qeli, monsinjor Bonatit i qe ndaluar të lëvizte buzët për t’u lutur dhe çdo thyerje e një ndalimi të tillë dënohej me një numër të caktuar goditjesh me kamzhik në shpinë dhe në këmbë.

Prifti ortodoks, papa Pando nga Fieri, u pushkatua si tradhtar e spiun, duke pas kaluar edhe ky në vitin 1943 në besimin katolik. Papa Petro Isaku i Misionit Katolik të Korçës, që e kishte marrë urdhrin e priftit në kolegjin grek të Romës, u dënua me burgim të përjetshëm. Frati Agustin Spanu u mbajt për shumë muaj në burg, pa ndonjë fajësi tjetër veç pjesëmarrjes në Misionin Katolik të Korçës. Ipeshkvi tetëdhjetë vjeçar i Pulajt, monsinjori Benardino Shllaku, u kufizua të mbyllet në banesën e tij. Monsinjori Laka, vikari kapitullar i Shllakut dhe monsinjori Gurakuqi, vikari kapitullar i Sapës, u arrestuan nën akuzën e krimeve të pakryera ndonjëherë, me qëllim që këto dioqeza të mbeteshin pa një drejtim pastoral. Papa Josifi nga Elbasani u varros për së gjalli, sepse u quajt fajtor për “propagandë fetare të kundërt me partinë”. Papa Pandelejmoni i Misionit Katolik të Pogradecit u vra në një pritë. I thirrur në Fier me një telegram të rremë, u sulmua gjatë udhëtimit dhe u bë copë-copë me një sopatë. Copat e trupit të tij, të mbledhura e të futura në një thes, komunistët i dërguan në Mision. Copa më e madhe ishte koka: në gojë komunistët i vunë një letër ku qe shkruar: “Sepse ishe partizan i Papës”. Shumë priftërinj të tjerë shqiptarë e paguan me jetë besimin e tyre te Kisha Katolike; një pjesë e tyre u zhduk në mënyrë misterioze, sepse regjimi i Tiranës kishte frikë të krijonte martirë.

Filed Under: Sociale

GJON MILI DHE  SKANDALI I WATERGATE

September 18, 2024 by s p

Kristaq BALLI

Një ngjarje tjetër e rëndësishme politike në krijimtarinë e fotografit të famshëm shqiptar, Gjon Milit, që la gjurmë të paharrueshme  në historinë e fotogazetarisë amerikane mbetet  angazhimi i tij si fotoreporter në të ashtuquajturin “Skandal i Uotergejtit” (Watergate Scandal), pasi ai ishte bërë publik dhe e gjithë vëmendja e politikës e opinionit amerikan ishin përqëndruar aty.

I përkushtuar pas subjekteve konspirative e  sensacionale dhe shumë këmbëngulës për të gjurmuar e kërkuar anët dramatike dhe sidomos efektin psikologjik që mund të fiksonin  ato në fotografi, ai duhej të insistonte për të gjetur mundësinë që të bëhej pjesë e pasqyrimit të kësaj ngjarjeje, që bëhej e njohur për të parën herë në publik, por që do të ndryshonte politikën amerikane kah demokratizimit të saj në favor të shoqërisë dhe qytetarëve jo vetëm të SHBA-ve, por  të mbarë botës. Gjatë procesit të dëgjimeve në senat, në Qershor 1973, Gjon Mili jo vetëm që mundi të marrë pjesë në procesin e dëgjimit  të dëshmitarëve, por ai realizoi dhjetra fotografi të mjediseve e korridoreve politike amerikane, personazheve,  të atmosferes eksplozive, të pushimeve midis seancave, të momenteve shantazhuese e konspirative, të çasteve të humorit autentik të drejtuesit të komitetit të dëgjimeve, etj. Të gjitha këto foto përmbajnë vlera të larmishme, shumica nuk u botuan por mbetën në arkivin e LIFE.com dhe po botohen kohë pas kohe në internet. Kjo edhe për një fakt tjetër: sepse ekskluzivitetin publik fotogazetaresk të pasqyrimit të kësaj ngjarjeje e kishte marrë organet “The Washington Post” (dy gazetarët invstigues të së cilës – Carl Bernstein dhe Bob Woodward fituan çmimin “Pulitzer” për raportimet e tyre)   dhe  “TIME”, simotra e “LIFE”, ndërkohë që kjo e fundit, në mbarim të vitit 1972 e ndërpreu botimin e saj çdojavor.  Nga ana tjetër në pasqyrimin  e kësaj  ngjarjeje morën pjesë dhjetra  fotografë nga e gjithë Amerika, midis të cilëve edhe fotografi tjetër me origjinë shqiptare George Tames i “The New York Times” (K.Balli: Fotografi shqiptar i dhjetë presidentëve amerikanë Gazeta “Koha Jonë” 1 Nëntor 2015, f. 16-17 dhe 3 Nëntor, 2015, f. 16-17)

Watergate - Gjon Mili — Google Arts & Culture.pngSidoqoftë midis shumë fotove të Gjon Milit, një prej tyre shënon një kulm dramatik dhe fotografik për nga çdo pikpamje që e lidh atë me fijet e padukshme të përvojës dhe  mjeshtërisë profesionale, aq sa atë do ta gjesh kudo, sa herë bëhet fjalë për këtë ngjarje të errët që ndriçoi me një vibrim optik  të ardhmen e lirive demokratike në politikën  amerikane.

Skandali i Uotergejt-it ishte një ngjarje tronditëse politike e sfondit zgjedhor  të administratës së presidentit të 37-të amerikan Nikson, që filloi, së pari,  me kapjen nga policia vendore në flagrancë të 5 aktivistëve republikanë të njohur si “The White House Plumbers” (Pesë Hidraulikët e Shtëpisë së Bardhë), të cilët tentuan të instalonin pajisje përgjuese natën e 17 Korrikut 1972 në selinë e Shtabit Zgjedhor të Partisë Demokratike (rivale) të vendosur në  kompleksin e zyrave të ndërtesës Watergate në Foggy Bottom, Washington.DC dhe që vazhdoi edhe dy vjet, deri sa u vërtetua edhe  përfshirja e vetë presidentit, kur u zbuluan manipulimet e kasetave të regjistrimeve të fshehta të bisedave dhe telefonatave të tij në Shtëpinë e Bardhë për të mbuluar apo sfumuar jehonën e kësaj ngjarje të pakëndshme.

Në fund të këtij procesi, presidenti Nikson, që kishte humbur mbështetjen, pas një fjalimi direkt në televizion, dha  dorëheqjen më 9 Gusht 1974, pa mbaruar mandatin e  dytë, ndërsa mbi 40 nëpunës të administratës së tij u dënuan me burg.

Ndërmjet situatave dhe ngjarjeve që ndriçuan në detale këtë konspiracion politik, si më të  rëndësishmen dua të veçoj atë që njihet me termin “Dëgjimet e Uotergejt-it” (Watergate Hearings) në Dhomën e Senatit të Kongresit Amerikan, me të cilën ka lidhje jo dhe aq rastësore edhe pjesëmarrja e Gjon Milit në të. Dëgjimet ndiqeshin mbrëmjeve në disa prej televizioneve më të njohur amerikanë. 

John Dean, Gruaja Maureen dhe prapa fotografi George Tames.pngNjë prej dëshmitarëve më të bujshëm para komitetit të posaçëm të Kongresit, të drejtuar nga senatori Sam Ervin, ishte këshilltari i presidentit, juristi Xhon Din (John Dean). Gjatë bisedave të tij me kolegët në presidencë ai u kishte shprehur atyre dyshimin se “…ne kemi mizën nën shapkë…”, ndërkohë që  gjatë këshillimeve  me presidentin  rreth ekzistencës së shiritave të paligjshëm regjistrues të bisedave direkte dhe telefonike  në zyrën ovale, ai u përpoq të ishte  i sinqertë, koherent dhe reflektues ndaj tyre, ndaj i deklaroi atij: “Ne kemi një kancer brenda presidencës, i cili po rritet.”  Presidenti e largoi atë menjëherë. Madje ai u dyshua si një nga informatorët konspiratorë të mundshëm të këtij skandali. Ky konstatim shkaktoi një pështjellim të mjegullt në atmosferën e zhvillimeve të skandalit dhe kudo pritej me padurim dëshmia, apo dëgjimi “misterioz” i tij para komitetit të posaçëm të Senatit. (Në të vërtetë informatori që “furnizonte” dy gazetarët e  “The Washington Post” ishte një zyrtar i lartë i FBI pranë presidencës me pseudonimin “Deep Throat”(Grykëthelli), identiteti i të cilit u mbajt i fshehtë për  30 vjet. Ai ishte nëpunësi epror Mark Felt, i cili, për arsye etike kishte vendosur që identiteti i tij i vërtetë të shpallej pas vdekjes së tij. Por ai e dekonspiroi  veten me dëshirën e vet në vitin 2005. Ai vdiq në vitin 2008 në moshën 91 vjeçare dhe është konsidruar si  burimi më i famshëm anonim  në historinë e Amerikës moderne)

Edhe pse në periudhën e këtij skandali, Gjon Mili ishte rreth 70 vjeç, pra përfshirja e tij si fotoreporter do të ishte një detyrim ngarkesë e madhe për moshën e tij, ai i shpërfilli ato me pasionin, këmbënguljen dhe kureshtjen profesionale e shumë intriguese për të mos e humbur këtë ngjarje madhore dhe, pse jo, për të mëtuar të  realizojë diçka të vlerë.

Ndaj këtij rasti  të veçantë “…Mili i kërkoi  editorit të LIFE Special Reports , John Loengard të mbulonte ‘Watergate hearings’, një kërkesë që Loengard e pranoi duke e  lidhur  me preokupimin e Milit për liritë qytetare dhe demokracinë.’’ ( Qemal  Agaj: 28 Nëntor Ditelindja-Kujtojmë Vatranin, ish Arkëtarin e Vatrës dhe Fotografin e Shquar Gjon Mili, Gazeta  Dielli-numër special, 28 Nëntor, 2019)           

201912780_1_IMG_FIX_700x700.pngJohn Dean  dëshmoi në senat më 25 Qershor 1973. Si rregull, para fillimit të dëshmisë, ai duhej të betohej se do te thoshte të vërtetën. Pikërisht këtë çast ka pritur edhe  Gjon Mili. Ai ishte pozicionuar në një vend jo afër e përballë dëshmuesit, si zakonisht bënë fotoreprterët  e tjerë, por në një pozicion më të largët, më të prirët e nga një lartësi e konsiderueshme nga dyshemeja,   që ndoshta nuk dukej edhe aq i përshtatshëm për të tjerët, por që Mili, sipas të gjitha gjasave e kishte studiuar e  fiksuar qysh më herët. 

Dhe, në momentin e betimit të Xhon Dinit, ai ka shkrepur aparatin. Fotografia e rezultuar ka qëlluar në shenjë. Ajo mund të konsiderohet si  një vepër me parametra gjithëpërfshirëse dhe që sintetizon mjeshtërisht atmosferën e ndërlikuar, dyshuese e plot ankth  se çfarë do të deklaronte Xhon Dini. Fotoja ka fiksuar përmasa madhore, epike e dramatike, aq sa edhe emblematike. Në të vërtetë, ajo përfshin në konturet e saj një kompozim që në pikturën biblike do të ishte e denjë për Da Vinçin, apo Rubens-in,  ajo të lë shijën e tablosë “Darka Mistike”, ku luhet një dramë e nëndheshme komploti politik brenda një superfuqie globale, ku çdo njeri, çdo personazh brenda një arkitekture klasike antike, që ta çon kujtesën tek demokracia e lashtë greke, është i përqëndruar në mënyrën e vet me shikim e mendje  tek personazhi kryesor e enigmatik i kësaj ngjarjeje, John Dean, i cili me dorën e djathtë lart e në mënyrë solemne betohet se do të dëshmojë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Mizansena fotografike dallon  gjithashtu lëvizjen e përgjithshme kaotike, çdo gjë lëviz me ankth, nuk ka qetësi, veç lëvizje  të pakontrolluara në vetvete që intrigojnë një situatë të veçantë psikologjike, rrënqethëse tek çdo i pranishëm,  ashtu si edhe tek e gjithë gjendja. Të lind përshtypja se një regjisor e ka organizuar me detaje  këtë mizansenë të madhe vizive e plot densitet.   Fotografia pasqyron në mënyrë figurative  më së miri të gjithë konotacionin (domethënien, thelbin) e kësaj ngjarjeje të mprehtë për demokracinë dhe të drejtat kushtetuese në ShBA. Fotoja ka gjithashtu një vlerë të lartë profesionale e artistike nga mënyra, situata dhe momenti deçiziv e përgjithësues   se si është fiksuar kjo pamje e mahnitshme.

FOTO GJ MILI.pngJanë këto disa nga arësyet që kjo foto publikohet në shumë medie e libra të shkruara për këtë ngjarje si një tregues përgjithësues e i përpiktë i saj, të cilën nuk mund ta realizonte dot veçse një mjeshtër me talent, përvojë e plot ide krijuese e artistike, siç ishte Gjon Mili. Bazuar mbi të gjitha  dëshmitë, Presidenti Nikson u detyrua të jape dorëheqjen. 

Rreth  këtij subjekti të bujshëm Gjon Mili ka  realizuar edhe shumë foto të tjera interesante me dhe pa ngjyra, ku spikatin ato të  grupeve të senatorëve, komitetit  drejtues të séances, ambassadorëve amerikanë në botë, ish drejtorit të CIA duke u betuar para Kryetarit Sam Ervin,  Richard Helms, senatorit Howard Baker,  shefit të administratës  në Shtëpinë e Bardhë H.R. Haldeman, gazetares  Mery McGregory,  pamje gjatë pushimeve midis seancave dhe nga brendisë antike  të sallës, etj.

Disa foto të zgjedhura të  Gjon Milit nga “Watergate Hearings”, më 24 Tetor – 22 Nëntor 2008 janë vendosur në ekspozitën  “Watergate Selected Works” në Muzeun  Howard Greenberg Gallery.

Filed Under: Kulture

GRENELL: TRUMP DO TA LIROJË THAÇIN NGA BURGU 

September 18, 2024 by s p

Intervistoi Rafael Floqi

Gjatë një mbledhje fushate me një grup bashkatdhetarësh në Michigan, kryeredaktori i ALBTVUSA, Rafael Floqi pati mundësinë të zhvillojë një intervistë me ish- të dërguarin e posacëm të Presidentit Trump, shpesh herë të anatemuar Richard Grenell, pjesë e fushatës të presidentit Trump, për të fituar shtetin e luhatshëm të Michigan-it. Më poshtë po ju sjellim këtë intervistë plot me deklarata që përbëjnë skoop për shqiptarët dhe Kosovën. 

Rafaeli:  Është kënaqësi që ju shoh këtu. Faleminderit që krijuat mundësinë për këtë intervistë. Le të shkojmë në fokus.

PRESIDENTI TRUMP ME KERKOI TE BISEDONIM PER EKONOMI TË MOS BËNIM POLITIKË

Rafaeli -Ju keni qenë i përfshirë si i dërguar për realizimin e mundshëm të paqësimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ky është një argument shumë i rëndësishëm. Pra, çfarë mbani mend nga ato takime? 

Grenell- Epo, shikoni, kur Presidenti Trump më kërkoi të bëhesha i dërguari presidencial për negociatat Kosovë-Serbi, ai kishte një objektiv që të, mos të bënim politikë. Le të bënim zhvillim ekonomik.  Dhe ky ishte mesazhi i Donald Trump, apo jo? Atij i pëlqen të flasë për ekonominë.  Ai dëshiron t’u japë njerëzve punë.  Ai dëshiron t’u japë njerëzve shpresë dhe një të ardhme.

Dhe mendoj se kur shikoni Ballkanin, shqetësimi ynë ishte se kishim kaq shumë të rinj që po largohen nga të gjitha vendet në Ballkan për të shkuar në Gjermani ose Poloni ose në Amerikë ose Londër, dhe ata thjesht po përpiqeshin të gjenin mënyra për të pasur një punë me pagesë më të mirë. Dhe pjesë e kësaj është edhe ky konflikti që kemi mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe ajo që ne u përpoqëm ishte t’u bënim presion të vërtetë mbi krerët nga të dyja anët për t’u thënë, e dini, tani le të shqetësohemi tek rritja e ekonomisë.   Le të mos bëjmë mesazhe politike. Dhe unë do t’ju jap një shembull. Po. Nuk mendoj se është e rëndësishme të ulesh rreth një tavolinë me politikanët dhe të përpiqesh të kërkosh që secila palë të bëjë njohjen reciproke. Kjo nuk mendoj se ndihmon.  Unë nuk mendoj se ju duhet të parapëlqeni anën tjetër. OK, nuk të pëlqen ana tjetër.  Unë mendoj se sapo duhet të rrisni ekonomitë dhe duhet t’u jepni të rinjve tuaj punë me pagesë të mirë. Dhe kjo është ajo që ne duam të shohim në Ballkan.

Dhe sigurisht, unë mendoj se Shqipëria po bën një punë të shkëlqyeshme për këtë, kur shikon bregdetin shqiptar dhe sa shumë turizëm po shpërthen nëpër bregdetin shqiptar. Ky është përqendrimi në ekonomi. 

SHQIPTARET E MICHIGANIT MUND T’A BËJNË DIFERENCËN NE ZGJEDHJET PRESIDENCIALE 

Rafaeli: OK, por a mendoni se do të ribëni të njëjtin takim, nëse zgjidheni në administratën Trump. Epo edhe tani, pas katër vjetësh?  

Grenell :Po. Dua të them, le të shohim. Tani për tani po përqendrohemi në Michigan ku jemi. Ne duhet të fitojmë Miçiganin. Dhe këtu ka shumë shqiptarë. Kështu që shpresoj se shqiptarët do ta kuptojnë se e gjithë puna që administrata Trump bëri për të sjellë paqen në Ballkan dhe për të sjellë zhvillimin ekonomik dhe marrëveshjet tregtare dhe marrëveshjet e paqes, e gjitha kjo është vërtet e mirë për shqiptaro- amerikanët. Pra, ne duam të përqendrohemi në Michigan dhe Pensilvani, që janë dy shtetet kryesore në zgjedhjet e tanishme. Dhe kjo është ajo ku po ku fokusohem tani. 

GRENELL: KURRË NUK KA PASUR NJË BISEDË PËR SHKËMBIM TERRITORESH

Rafaeli: A mendoni se pjesë e marrëveshjes së parë ishte edhe shkëmbimi i territoreve? 

Grenell: Jo, nuk është  kam pasur kurrë një bisedëtë tillë. Jo kurrë?  Kurrë.  Dhe këtë e kam thënë ndoshta nja 10 herë.  Dhe njerëzit me të vërtetë duhet ta kuptojnë këtë, madje unë nuk e di se nga erdhi kjo, por unë kurrë nuk kam folur për këtë gjë me asnjë zyrtar, ndonjëherë? Dhe unë qeshë aty qysh nga fillimi, mes Thaçit dhe Vuçiqit dhe pastaj kryeministrit Hoti dhe Vuçiqit dhe pastaj mes Kurtit dhe Vuçiqit dhe madje edhe Osmanit. Unë kurrë nuk kam biseduar për shkëmbimin e tokave. Para së gjithash, kur i bëja të gjitha këto, isha ambasadori i SHBA-së në Gjermani dhe kancelarja Merkel e bëri shumë të qartë se në Evropë nuk duan të flasin për shkëmbime tokash.

Ajo është një shpat i rrëshqitshëm, siç do të thoshte ajo. Dhe kështu nuk e përmenda kurrë këtë gjë. Dhe unë e di që mediat vazhdimisht thonë se njerëzit të  tjerë e ngritën atë, por Donald Trumpi nuk ka folur kurrë për këtë. Kurrë.  Kurrë! 

Rafaeli: OK Kjo është diçka për t’u sqaruar sepse shqiptarët mendojnë, OK, ne nuk duam të humbasim një pjesë Veriut pasi të gjithat janë tokat tona. 

Epo, kjo sepse mediat vazhdojnë të thonë se kjo është ajo që ka ndodhur. Por unë mendoj se kam thënë 10 herë dhe në procesverbal, se nuk kam pasur kurrë një bisedë të tillë . Nuk e kam pasur kurrë atë në fokus.  E megjithatë ajo vazhdon të dalë nga media. Po.

Ju e dini se nga mendoj se erdhi. Unë mendoj se në një moment, qe John Bolton, i cili vërtet  nuk u përqendrua aq shumë në Ballkan, por mendoj se ai pati ndonjë takim aty-këtu, dhe mund  të ketë thënë diçka për këtë. Por ai kurrë nuk kishte një plan dhe sigurisht që ai kurrë nuk ia tregoi atë Donald Trumpi . Dhe mendoj se këtu doli. Por unë kam qenë në krye të negociatave Kosovë-Serbi, dhe mund t’ju them se kjo ide nuk, është parashtruar kurrë.

EKIPI I BAJDENIT NUK E DI KU BIE BALLKANI

Rafaeli: Kohët e fundit a jeni takuar me lobin serb pas Konventës në Milwaukee ?

Grenell: Jo, Jo së fundmi. E bëra këtë menjëherë pasi u largova si i dërguar në Uashington, D.C. Dhe kishte disa kongresmenë që erdhën së bashku pas një informimi nga ambasada serbe. Dhe unë mora pjesë në atë. 

Rafaeli: Është krijuar një opinion, se ju jeni duke mbajtur anën serbe, si i përgjigjeni këtij  opinioni? 

Grenell: Unë mendoj se kjo është e çuditshme. Unë mendoj se kur shikoni negociatat për të dyja palët, duhet të jeni miq me të dyja palët. Ju duhet të jeni në gjendje t’i bashkoni të dyja palët. Dhe kur mendoj se kur shikoni se çfarë kam bërë për t’i shtyrë serbët në negociata, në fillim  kishte shumë gjëra që atyre nuk u pëlqenin. Kishte shumë gjëra që Kosovës nuk i pëlqenin. Por u përpoqa të përqendrohesha tek ekonomia dhe ju thashë le të rrisim ekonominë. Unë do t’ju jap një shembull. Në marrëveshjen përfundimtare origjinale për të cilën isha shumë krenar, që i shtyva të dyja palët.Unë qeshë në gjendje të shtyja qeverinë serbe dhe vetë Vuçiqin që të bien dakord për të diversifikuar burimet e energjinë së tyre  Tani, ky është një veprim vërtet i rëndësishëm.  M’u desh shumë kohë. Ne duhej të ndërtonim besim sepse kjo i largonte ata nga Rusia, sepse tani ata marrin 100 përqind të energjisë së tyre nga Rusia. Dhe Kina e kështu me radhë. Dhe kështu, kur ata hodhën në letër dhe u zotuan të diversifikonin burimet e tyre të energjisë. Ajo që po përpiqesha ishte t’i detyroja ata të bënin është të thoshin se do të blinin LNG amerikane, apo jo?  Ata nuk mund të shkonin aq larg, por ishin të hapur ndaj asaj. Por ajo për të cilën ata ranë dakord ishte të diversifikoheshin, të kërkoni burime të tjera përreth. Tani, kjo është një fitore e madhe.

Media nuk u përqendrua vërtet në këtë. Dhe sinqerisht, ne nuk patën presion më pas, sepse administrata e Biden hyri dhe ata nuk bënë presion për të përmbushur ato pika në atë marrëveshje. Pra, kjo është ende në tryezë.

Unë ende besoj se ata janë zotuar të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë, se ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë. Dhe administrata tjetër që kujdeset për Ballkanin duhet ta marrë atë dhe të thotë, OK, ne duam që ju të largoheni nga Rusia në lidhje me burimet tuaja të energjisë dhe të filloni me të vërtetë të diversifikoheni ndërsa jeni përkushtuar ta bëni atë. Tani, shikoni, ka një mori gjërash që ne e shtyjmë Kosovën t’i bëjë që ata nuk donin t’i bënte , por ne duhej t’i shtynim ato, duke hapur kufijtë, duke u përpjekur merrni më shumë zhvillim ekonomik.

E gjithë kjo është vërtet e rëndësishme. Më pëlqen ende vizioni për të pasur një fluturim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kjo ishte një marrëveshje që ata e përmbushën. Dhe Lufthansa hyri dhe tha, ju e dini çfarë, ne do të ndihmojmë. Kjo nuk është ndjekur kurrë. Dhe kështu në fund të administratës Trump, ne e morëm këtë marrëveshje dhe ajo , ajo duhej të ishte përmbushur dhe shtyrë nga ekipi Biden.

Por nuk u bë. Dhe kështu thjesht ndjej shumë fort që administrata Trump i tregoi Ballkanit se ne kujdeseshim shumë për zhvillimin ekonomik, tregtinë dhe lidhjet dhe investimet. Dhe ekipi Biden-Harris nuk e ka e ka bërë atë. Ata nuk e dinë se ku është Ballkani.  Ata nuk i kushtojnë vëmendje. Kjo është e vërtetë.

KRYEMINISTRI KURTI ËSHTË PËRFUNDIMISHT ANTIAMERIKAN

Rafaeli :Cili është mendimi juaj për kryeministrin Kurti? 

Grenell: Unë kam punuar me z. Kurti. Problemi im është se ai është vazhdimisht antiamerikan. Ai largohet vazhdimisht nga pozicionet amerikane.   Ai ka kritikuar të gjitha idetë me të cilat ka dalë çdo president demokrat dhe republikan. Dhe ai tani është lideri i Kosovës që është kritikuar nga e gjithë bota nga Departamenti i Shtetit Biden, nga Shtëpia e Bardhë Biden, nga BE, nga francezët, nga gjermanët, nga NATO. Të gjithë e kanë kritikuar.

Dhe nuk më pëlqen kjo për një kryeministër të Kosovës. Kosova duhet të jetë përgjithmonë aleat i ngushtë e Amerikës.  Dhe ne duhet të jemi në gjendje të kemi një marrëdhënie ku ai lider nuk po e shtyn vendin të kritikohet vërtet nga e gjithë bota, sepse të gjithë në komunitetin ndërkombëtar po ekritikojnë Kurthin. 

PO TË VIJË TRUMPI NE PUSHTET, DO TA LIROJË PRESIDENTIN THAÇI NGA BURGU

Rafaeli: Sa për një kuriozitet.  Prokurori i Presidentit Trump, Jack Smith, ka qenë edhe prokurori i Z. Thaçit. A është kjo një rastësi apo ka diçka më shumë?  

Grenell : Epo, shikoni, unë kam bërë shumë intervista për këtë. Mund të bëjmë një intervistë të tërë për këtë. Por ajo që unë besoj është se kur ne po përparonim, Jack Smith, i cili ishte në Hagë në atë kohë, dhe ai hetonte Presidentin Thaçi. Tani, Presidenti Thaçi është ende në burg. Kjo është një shkelje. Për mua, kjo është një fyerje.

Në fakt, nuk ndihem mirë për atë situatë. Më duket sikur i kemi kërkuar të vinte në SHBA për të negociuar dhe ai u penalizua dhe u fut në burg për këtë. Më duket sikur duhet të bëj diçka për ta nxjerrë jashtë. Dhe unë jam përpjekur,  dhe mezi pres që Presidenti Trump ta fitojë sepse ne do ta nxjerrim atë ë jashtë burgut. Është e papranueshme që evropianët ta lenë Presidentin Thaçi në burg, pa gjyq për akuza të rreme, të gjitha të sajuara nga Jack Smith. 

Dhe kështu e di që Jack Smith është shumë politik.  Ai shkon pas njerëzve për politikë, jo për çështje ligjore. E kam parë me Thaçin.  E kam parë me Presidentin Trump. Dhe jam i zemëruar me të.

INVESTIMI I SAZANIT, “JAM I LUMTUR QË AMERIKANËT PO INVESTOJNË NË SHQIPËRI”

Rafaeli:  OK, pyetja e fundit ka të bëjë me investimin e familjes Trump në Shqipëri. Ndoshta, e dini, Jarred Kushner dhe Ivanka Trump duan të investojnë në një ishull në Shqipëri?

Po e di. Pra është investim nga dollarë amerikanë dhe nga fondet amerikane. Dhe kjo është ideja për të investuar në Ballkan.  Ata janë qytetarë të sektorit privat. Unë e inkurajoj këtë ide.  Unë i shtyj  amerikanët për të.  Mendoj se ishte një ide e mirë që të kishte investime të sektorit privat në Ballkan. Ne kemi folur për këtë për një kohë të gjatë për këtë dhe jam i lumtur që shoh që po ndodh.  

Dhe njerëzit e Ballkanit duhet të jenë jashtëzakonisht të kënaqur që paratë po derdhen për investime. Investimi i sektorit privat në dy vende është një ide fantastike. 

Rafaeli: Z Ambasador Richard Grenell, ju falenderoj shumë për intervistën.

Filed Under: Interviste

Si u përndoqën shkrimtarët çamë nga organet e Sigurimit në diktaturë

September 18, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Edhe shkrimtarët çamë ishin në fokus të organeve policore dhe Sigurimit të Shtetit, si persona të dyshuar kundër regjimit dhe për rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi llogariteshin se mendonin ndryshe. Ishte pasojë e një fobie nga kasta qeverisëse ndaj komunitetit çam në tërësi.

Ishte diçka paradoksale, e pabesueshme dhe e rëndë.

Pesë vjet burg për Mitrush Kutelin, vetëm e vetëm sepse në biografinë e tij kishte pasur deviacione të bindjeve politike. Ky është “shpërblimi për merita” që i rezervoi në vitin 1948 pushteti komunist Dhimitër Paskos, të njohur ndryshe edhe me pseudonimin Mitrush Kuteli, me origjinë nga Arta, vlerësuar si një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë të shekullit të shkuar, apo më saktë si themelues të prozës moderne shqipe.

Në kohën e diktaturës Lidhja e Shkrimtarëve ka qenë vendi ku është bërë presioni më i madh. 

Të gjithë e keni dëgjuar emrin e shkrimtarit tonë të shquar të humorit e satirës Qamil Buxheli.

Shkollimin fillor e kreu në konviktin Çamëria në qytetin e Sarandës. Në fund të viteve `50-të, përfundon studimet e larta në Moskë, pranë Institutit të njohur Letrar Gorki.

Megjithëse një shkrimtar tepër i njohur dhe themelues i humorit modern, filluan t’i bllokonin librat dhe t’ia hiqnin nga qarkullimi, t’i ndalonin edhe dramat dhe komeditë, duke i bërë “gjyq popullor” para punëtorëve. Madje Qamilin dy herë e degdisën në fermën e Sukthit dhe në Elbasan, ku punoi për shumë vite si i internuar.

Qamil Buxheli ishte shkrimtari që i ka botuar për herë të parë krijimet e Bilalit, dhe pse me cen në biografi, sic thuhej atëhere.

Ndaj shkrimtarit Bilal Xhaferri, Qamili kishte treguar një kujdes të posaçëm prej botuesi e miku, duke botuar për herë të parë krijimet e tij.

Por siç rezulton nga dokumentet e arkivit, laku për humoristin kishte shkuar gjer në zgrip dhe atë e mbante në dorë vet kryeministri i kohës, Mehmet Shehu. 

Shehu i shkruante drejtpërdrejt diktatorit, duke theksuar se pas Bilal Xhaferrit, duhet të ishte doemos Qamil Buxheli, i cili, ka punuar shumë kohë me të në qytezën e Sukthit, ku ishte ishte caktuar me masë dënimi, duke e vënë foljen ka punuar në thonjëza, për t`i dhënë gjithë kuptimin e një pune gjasme instruktuese dhe bashkëpunuese armiqësore me të arratisurin. Sigurisht, afiniteti dhe vlerësimi i Qamilit për Bilalin, kishte të bënte para së gjithash me bindjen e tij se ai ishte mjaft i talentuar dhe shpresë e mbarë për letërsinë. Por vinte doemos edhe si përkrahje njerëzore për mikun dhe për patriotin që e kishte nga anët e veta.

Nuk po ndalem shumë te Bilal Xhaferi, pasi dihen tashmë vuajtjet dhe gjithë kalvari i shkrimtarit  të talentuar, i cili është ndjekur gjatë gjithë jetës së tij nga sigurimsat, që e ruanin dhe e spiunonin se çfarë bënte. 

Por duhet të themi se në rastin e Bilal Xhaferit dhe shkrimtarëve të tjerë çamë ka një tejkalim të ligësisë. 

Më duket si skenari ndaj Hilmi Seitit, ndaj Taho dhe Teme Sejkos, Tahir Demit dhe pjesëtarëve të tjerë çamë, me të të ashtuquajturit “grup armiqësor”.

Namik Mane u shfaq si një poet i talentuar në fillim të viteve 60-të. Në vitin 1967 u anëtarësua në Lidhjen e Shkrimtarëve. Por ia pezulluan librat për shkaqe politike, i hoqën dhe të drejtën e botimit nga të gjitha organet letrare.

Në vitin 1968 e internuan në Hamallaj të Durrësit, së bashku me Bilal Xhaferrin. Ekziston një dokumentit ku udhëheqësi komunist Rita Marko e sulmonte si armik dhe shok të Bilal xhaferit.

Një tjetër shkrimtar i njohur që vuajti 6 vjet burgim ishte Bedri Myftari, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, edhe ky shok i afërt i Bilal Xhaferit. Autor i disa librave në prozë dhe poezi, ku spikatin krijimet me motive nga Çamëria.

Më 1971 u arrestua si kryetar i të ashtuquajturit «grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi» dhe, si shumica e anëtarëve, u dënua për agjitacion e propagandë. Për 20 vjet iu hoq e drejta e botimit. 

Nuk mund të rrimë pa përmendur këtu folkloristin e shquar Fatos Mero Rrapaj, autorin e librit testament “Këngë popullore nga Çamëria”, që na bëri krenar të gjithëve në vitet ’80, kur u botua me parathënie të Ismail Kadaresë.

Fatosi u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit grek e sllav. Gjithë jetëm mbeti i varfër dhe i nëpërkëmbur, pa asnjë përkrahje nga shteti, vetëm se iu përkushtua folklorit të Çamërisë.

I njëjti fat ndoqi edhe Ibrahim Hoxhën, historianin dhe folkloristin e shquar, i provokuar dhe i survejuar gjithë jetën, me lloj-lloj mënyrash, nga informatorë të fshehtë apo oficerë të sigurimit të shtetit. E akuzuan për agjitacion propagandë dhe u dergj për disa kohë në burgjet skëterrë. Duke i shkatërruar arkivin e dorëshkrimet për Çamërinë.

Në vitet e regjimit komunist u dënuan për agjitacion e propaganda dhe  kundër vijës së partisë në art dhe letërsi edhe disa shkrimtarë të tjerë me origjinë çame, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve si Agim Mato, me izolim dhe heqjen e të drejtës së krijimtarisë, Tanush Kaso me 13 vjet burgim, Rasim Bebo me internim dhe izolim të plotë, etj.

Shkrimtarët çamë bëjnë pjesë te ajo kategori e vogël intelektualësh, që guxuan dhe nuk u pajtuan me cënimin e lirisë. Në atë kohë, ata bënë diçka kurajoze për të mos degraduar artin e tyre, duke zhvilluar talentin dhe fantazinë në një terren plot kurthe.

upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/d/d3/Mitrus...

Mitrush Kuteli

Qamil Buxheli - Libraria Ime

Qamil Buxheli

Ja ku dyshonte Bilal Xhaferri kur i ...

Bilal Xhaferi

Gjergj Dimitrov' Farm ...

Bedri Myftari

Remembering a great Albanian poet Agim Mato

Agim Mato

RASIM BEBO: DY SHTETE SHQIPTARE, ME ...

Rasim Bebo

]

Namik Mane – Legjenda e Gjallë e ...

Namik Mane

Qeveria..Ja Emrat..Nga Tanush Kaso ...

Tanush Kaso

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT