Arben Iliazi/
Edhe shkrimtarët çamë ishin në fokus të organeve policore dhe Sigurimit të Shtetit, si persona të dyshuar kundër regjimit dhe për rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi llogariteshin se mendonin ndryshe. Ishte pasojë e një fobie nga kasta qeverisëse ndaj komunitetit çam në tërësi.
Ishte diçka paradoksale, e pabesueshme dhe e rëndë.
Pesë vjet burg për Mitrush Kutelin, vetëm e vetëm sepse në biografinë e tij kishte pasur deviacione të bindjeve politike. Ky është “shpërblimi për merita” që i rezervoi në vitin 1948 pushteti komunist Dhimitër Paskos, të njohur ndryshe edhe me pseudonimin Mitrush Kuteli, me origjinë nga Arta, vlerësuar si një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë të shekullit të shkuar, apo më saktë si themelues të prozës moderne shqipe.
Në kohën e diktaturës Lidhja e Shkrimtarëve ka qenë vendi ku është bërë presioni më i madh.
Të gjithë e keni dëgjuar emrin e shkrimtarit tonë të shquar të humorit e satirës Qamil Buxheli.
Shkollimin fillor e kreu në konviktin Çamëria në qytetin e Sarandës. Në fund të viteve `50-të, përfundon studimet e larta në Moskë, pranë Institutit të njohur Letrar Gorki.
Megjithëse një shkrimtar tepër i njohur dhe themelues i humorit modern, filluan t’i bllokonin librat dhe t’ia hiqnin nga qarkullimi, t’i ndalonin edhe dramat dhe komeditë, duke i bërë “gjyq popullor” para punëtorëve. Madje Qamilin dy herë e degdisën në fermën e Sukthit dhe në Elbasan, ku punoi për shumë vite si i internuar.
Qamil Buxheli ishte shkrimtari që i ka botuar për herë të parë krijimet e Bilalit, dhe pse me cen në biografi, sic thuhej atëhere.
Ndaj shkrimtarit Bilal Xhaferri, Qamili kishte treguar një kujdes të posaçëm prej botuesi e miku, duke botuar për herë të parë krijimet e tij.
Por siç rezulton nga dokumentet e arkivit, laku për humoristin kishte shkuar gjer në zgrip dhe atë e mbante në dorë vet kryeministri i kohës, Mehmet Shehu.
Shehu i shkruante drejtpërdrejt diktatorit, duke theksuar se pas Bilal Xhaferrit, duhet të ishte doemos Qamil Buxheli, i cili, ka punuar shumë kohë me të në qytezën e Sukthit, ku ishte ishte caktuar me masë dënimi, duke e vënë foljen ka punuar në thonjëza, për t`i dhënë gjithë kuptimin e një pune gjasme instruktuese dhe bashkëpunuese armiqësore me të arratisurin. Sigurisht, afiniteti dhe vlerësimi i Qamilit për Bilalin, kishte të bënte para së gjithash me bindjen e tij se ai ishte mjaft i talentuar dhe shpresë e mbarë për letërsinë. Por vinte doemos edhe si përkrahje njerëzore për mikun dhe për patriotin që e kishte nga anët e veta.
Nuk po ndalem shumë te Bilal Xhaferi, pasi dihen tashmë vuajtjet dhe gjithë kalvari i shkrimtarit të talentuar, i cili është ndjekur gjatë gjithë jetës së tij nga sigurimsat, që e ruanin dhe e spiunonin se çfarë bënte.
Por duhet të themi se në rastin e Bilal Xhaferit dhe shkrimtarëve të tjerë çamë ka një tejkalim të ligësisë.
Më duket si skenari ndaj Hilmi Seitit, ndaj Taho dhe Teme Sejkos, Tahir Demit dhe pjesëtarëve të tjerë çamë, me të të ashtuquajturit “grup armiqësor”.
Namik Mane u shfaq si një poet i talentuar në fillim të viteve 60-të. Në vitin 1967 u anëtarësua në Lidhjen e Shkrimtarëve. Por ia pezulluan librat për shkaqe politike, i hoqën dhe të drejtën e botimit nga të gjitha organet letrare.
Në vitin 1968 e internuan në Hamallaj të Durrësit, së bashku me Bilal Xhaferrin. Ekziston një dokumentit ku udhëheqësi komunist Rita Marko e sulmonte si armik dhe shok të Bilal xhaferit.
Një tjetër shkrimtar i njohur që vuajti 6 vjet burgim ishte Bedri Myftari, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, edhe ky shok i afërt i Bilal Xhaferit. Autor i disa librave në prozë dhe poezi, ku spikatin krijimet me motive nga Çamëria.
Më 1971 u arrestua si kryetar i të ashtuquajturit «grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi» dhe, si shumica e anëtarëve, u dënua për agjitacion e propagandë. Për 20 vjet iu hoq e drejta e botimit.
Nuk mund të rrimë pa përmendur këtu folkloristin e shquar Fatos Mero Rrapaj, autorin e librit testament “Këngë popullore nga Çamëria”, që na bëri krenar të gjithëve në vitet ’80, kur u botua me parathënie të Ismail Kadaresë.
Fatosi u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit grek e sllav. Gjithë jetëm mbeti i varfër dhe i nëpërkëmbur, pa asnjë përkrahje nga shteti, vetëm se iu përkushtua folklorit të Çamërisë.
I njëjti fat ndoqi edhe Ibrahim Hoxhën, historianin dhe folkloristin e shquar, i provokuar dhe i survejuar gjithë jetën, me lloj-lloj mënyrash, nga informatorë të fshehtë apo oficerë të sigurimit të shtetit. E akuzuan për agjitacion propagandë dhe u dergj për disa kohë në burgjet skëterrë. Duke i shkatërruar arkivin e dorëshkrimet për Çamërinë.
Në vitet e regjimit komunist u dënuan për agjitacion e propaganda dhe kundër vijës së partisë në art dhe letërsi edhe disa shkrimtarë të tjerë me origjinë çame, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve si Agim Mato, me izolim dhe heqjen e të drejtës së krijimtarisë, Tanush Kaso me 13 vjet burgim, Rasim Bebo me internim dhe izolim të plotë, etj.
Shkrimtarët çamë bëjnë pjesë te ajo kategori e vogël intelektualësh, që guxuan dhe nuk u pajtuan me cënimin e lirisë. Në atë kohë, ata bënë diçka kurajoze për të mos degraduar artin e tyre, duke zhvilluar talentin dhe fantazinë në një terren plot kurthe.
Mitrush Kuteli
Qamil Buxheli
Bilal Xhaferi
Bedri Myftari
Agim Mato
Rasim Bebo
]
Namik Mane
Tanush Kaso