• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

RIKTHIMI I ABAT PREND DOÇIT NË ABACINË E OROSHIT TË  MIRDITËS

September 3, 2024 by s p

Dr. Paulin Marku

Vijon nga numri i kaluar…

Pas shumë përpjekjesh dhe falë ndërhyrjeve të ndryshme ndërkombëtare, Stambolli i heq penalitetin që deri në vitin 1888 i ndalohej e drejta për t’u rikthyer në vendlindje Imzot Prend Doçit. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme për kohën, veçanërisht gëzonte pamasë Imzotin, të afërmit dhe të afërmit e tij të shumtë që e prisnin në vendlindje prej vitesh. Falë insistimit të vazhduar për t’u kthyer në krye të Abacisë dhe mas shumë ndërhyrjeve nga Vatikani ai u vendos në krye të Abacisë së Oroshit në vitin 1888. Nëpërmjet Patrikut Azarian i mundësohet lejimi për t’u kthyer në vendlindje por me kushtin që Patriku i garantonte Sulltanit se Imzot Prend Doçi nuk do të angazhohej në asnjë lëvizje kryengritëse apo në rebelime kundër qeverisë së Stambollit. 

Ati i Shenjtë Papa Leoni XIII, me 25 tetor 1888 e ktheu Abacinë e Mirditës në shkëlqimin e saj të lashtë dhe e bëri të pavarur si dhe e zgjeroi juridiksionin e saj. Gjithashtu dekretoi Imzot Prend Doçin, “Supra, montem Mirditarum” abat nullius. Kështu, ai rikthehet i lirë në vendlindje pas shumë vitesh. Për abatin kishte një shprehje“edhe në Çinimaçin në ç’oshin atë prift, ai nuk jet pa u kthye prap në Shqypni”. Në këto kushte dhe rrethana Abati rifillon misionin religjioz në Mirditë dhe fillimisht angazhohet edhe për ndërtimin e rezidencës në Orosh të Mirditës. Me 31 mars 1894 Vatikani i dekreton Abacisë së Mirditës 16 famulli. Ai ishte një predikues i madh dhe gjatë misionit klerikal predikonte për normat e familjes, kundër martesave të paligjshme, ishte kundra ngatërresave e sherreve të trashëguara dhe shpesh herë thirrej për ndërmjetësimin në shuarjen e konflikteve mes fiseve mirditore. Ai ishte i dhënë mbas dijes dhe arsimimit të shoqërisë shqiptare dhe investoi për zhvillimin e arsimit. Ai arriti të hapte disa shkolla si në Orosh, Spaç, Kashnjet, etj.

AKTIVITETI LETRAR E GJUHËTAR I PREND DOÇIT

Prend Doçi u mor për vite me radhë me sistemin e të shkruarit shqip, duke u marrë shumë me shkrim e këndim të shqipes me germa të zakonshme të alfabetit latin. Ai evitonte përdorimin e shkronjave të tepërta, thekse të ndryshme dhe në shkrimet e tij nuk përdorte fjalë turke. Po ashtu, Abati i Mirditës ishte një ndër nacionalistët shqiptarë që i shkruante vargje vendit me shpresën se një ditë do të lirohet nga sundimi osman. Abati Prend Doçi themeloi Shoqërinë “Bashkimi” dhe arriti të kishte sukses të madh në botimin e disa veprave të rëndësishme të cilat jo vetëm ishin të domosdoshme për kohën kur u botuan por edhe i rezistuan periudhave të ndryshme. U botuan më shumë 30 vepra të personazheve të rëndësishëm të kohës. Mund të përmendim disa prej tyre: “Historja e Shqypnis” D. Ndoc Nikaj; Dy blejt e parë të “Lahutës së Malësisë”, A. Gjergj Fishta; “Vargnini” Luigj Gurakuqi; “Fialuer i ri i Shqypes” D. Dodë Koleci, etj… . 

Në vargjet që i kushtonte atdheut, Prend Doçi shprehej se vendi një ditë do të lirohet nga zgjedha e të huajve. Ndër të tjera shkruante: “Shqyptarë trima, zgjedhën lshoni, kputni prangat e luftoni”.Pra, fryma e tij patriotike përfshinte edhe klerikun katolik në dobi të çështjes kombëtare. Kontributi në gjuhën amtare dhe në shoqnin letrare “Bashkimi” shtoi dëshirën e madhe për gjuhën shqipe dhe ngjalli ndjenja të thella për ruajtje e historisë, kulturës e traditës kombëtare shqiptare. Prend Doçi e shtriu veprimtarinë me botime dhe jashtë vendit, një mënyrë kjo për të bërë të njohur opinionin publik botëror rreth çështjes shqiptare. Bashkëpunoi me autorë shqiptarë dhe arbëreshë të kolonive të Italisë dhe të Greqisë si Zef Jubani, Thimi Mitkoja, Jeronin De Rada, Anton Santori, Zef Serembja etj…, dhe arritën të botojnë “Dora d’Istria-Shqiptarët” në mënyrë që çështja shqiptare të manifestohej në arenën ndërkombëtare dhe përforcimin e lëvizjes letrare kombëtare. Edit Durham në librin e saj “20 vjet ngatërresa Ballkanike” e cilëson Abatin Prend Doçi si një personalitet i lartë me mençuri të madhe dhe një nacionalist i vërtetë.

Me konsideratë fliste edhe Franc Nopca në librin e tij “Fiset e Malësisë së Shqipërisë së Veriore dhe e drejta zakonore e tyre”. Ai e konsideronte njeri shumë të zgjuar, ambicioz, i jashtëzakonshëm që i kishte munguar mirditorëve për një dekadë të tërë. Në kujtimet e diplomatit austriak, në një bisedë me Atë Pashk Bardhin i kishte shprehur se Imzot Doçi ka qenë kundërshtari im, por duhet thënë e vërteta se ai ishte mendjehollë dhe fort i zoti, dhe e konsideronte personalitet i Shqipërisë. Me konsideratë të lartë shprehej edhe Atë Gjergj Fishta, i cili e konsideronte një personalitet i lartë, mendje kthjelltë, me tipare burrërie e bujarie, dhe e cilësonte si një ndër të parët burra të kombit tonë. Prend Doçi, ishte i mendimit se fillimisht duhej fituar autonomia e Shqipërisë, dhe pastaj që të sigurohej autonomia e trojeve shqiptare, shqiptarët t’u kërkojnë njohjen zyrtare Fuqive të Mëdha. Kështu, figura e klerikut katolik është e mbushur me aktivitete në fushën klerikale dhe kombëtare. Abati Prend Doçi qëndroi për 28 vite në krye të Abacisë së Oroshit si një bari i mirë katolik. Veprimtaria e gjerë patriotike dhe intelektuale, lartësojnë vlerat tona kombëtare. Pra, një human i madh e njeri i Zotit me merita të mëdha patriotizmi e brilante për kombin, si një prelat i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.

Bibliografia

  • Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi II, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: “Toena”, 2002,
  • Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantran, Dituria 2004,
  • Shqipëria në Dokumentet Austro-Hungareze, I-VII,  Botime Albanologjike 2012
  • Dokumente Diplomatike Italiane për historinë e Shqiptareve 1912, Botime Albanologjike 2019
  • Pal Doçi, Prend Doçi Abati i Mirditës, jeta dhe vepra. Tiranë, Naim Frashëri 1997,
  • Luigj Martinit, Abati i Mirditës Prend Doçi 1846-1917, Shkodër, MIRGEERALALB 2012,
  • Hyacinthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, 2008,
  • Peter Bartl, Shqipëria nga mesjeta deri sot, Prizren, Drita 1999,
  • Edith Durham, Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Tiranë, Argeta-LMG, 2001,
  • Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Përkth. Mihallaq Zallari, Tiranë, Eneas 2013,
  • Revista “Hylli i Drites” Pashk Bardhi o. f. m. , Emzot Prend Doçi, në Hylli i Dritës, nr. 3-4, mars-prill 1942-XX, Vjeti XVIII, Shkodër,
  • Revista “Studime Historike” Pal Doçi, Tri shkrime të Prend Doçit, në Studime Historike nr. 1-4, Tiranë, 1994, 
  • Kalendari “Afredita” per motin 1910,
  • Flamuri i Arbërit, (La Bandiera dell’Albania, pubblicazione periodica mensile per cura d’un comitato di sinori d’Albania e delle sue Collone),
  • Pontificia università urbaniana” është instituti i studimeve të larta të Kishës Katolike në (Gianicolo) në Romë, i specializuar në formimin e klerit nga vende të ndryshme në misionin e të rinjve të kishës. Nullius- do të thotë që abacia e Oroshit ishte e pavarur nga dioqezat e Lezhës apo të tjera, por kishte lidhje direkt me Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Filed Under: Komente

Zbardhet proçesverbali i sigurimit të shtetit ndaj kritikës që Bilal Xhaferri i bëri romanit Dasma të Kadaresë. Çfarë thanë intelektualët e Durrësit Moikom Zeqo dhe Gjergj Vlashi

September 3, 2024 by s p

Nga Artur Llana

Pak hyrje për atë që ndodhi

Më 1968, Bilal Xhaferri u shpreh në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit, duke e akuzuar Kadarenë për revizionizëm ndaj doktrinës komuniste, një akuzë kjo shumë e rëndë gjatë regjimit komunist që mund ta kishte dëmtuar shumë Kadarenë. Mirëpo meqenëse këtë akuzë e bënte një njeri me “njolla” në biografi, autoritet komuniste nuk e pritën mirë.Fadil Paçrami e qortoi rëndë Xhaferrin duke i kujtuar se ishte biri i një armiku të rendit. Arshi Pipa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cilësonte «nuk është roman i mirë, madje as nuk është roman, por thjesht një vepër përmes të cilit autori kishte nxjerrë vnerin e vet; ishte e kundërta e plotë e asaj që mburrte Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist»; madje duke e quajtur «manifesti shqiptar i anti-realizmit socialist». Ndërsa kritika shqiptare dhe ajo e huaj e ka parë si veprën më real-socialiste të autorit.  Sipas Elsie, romani Dasma, krijim i Revolucionit Kulturor shqiptar të viteve 1966-1969, është vepër me vlera artistike të kufizuara, ndonëse është me interes si dokument i kohës. Për herë të parë Kadareja përçmon një nga librat e vet dhe i jep vetes të drejtën dhe lirinë të thotë të keqen për një roman, që pati pëlqimin e “rojave besnike” të regjimit.

Éric Faye, Shkrimtar, kritik, studiues francez ka shkruar se për herë të parë Kadareja përçmon një nga librat e vet dhe i jep vetes të drejtën dhe lirinë të thotë të keqen për një roman, që pati pëlqimin e “rojave besnike” të regjimit. “Daljen e romanit kritika letrare zyrtare e priti me një entuziazëm të madh, gjë që s’e kishte bërë kurrë më parë dhe as do ta bënte më, në atë masë, për libra të tjerë të Kadaresë. Ajo shihte në të një sukses të fushatës së bërë për riedukimin e shkrimtarëve. I turbulluar nga ky kor elozhesh, shkrimtari e mori zët “Dasmën” dhe e quajti atë librin e tij më të keq”.

Por duket se gjerat do të merrnin një tjetër rrotullimë edhe brenda vetë artistëve dhe shkrimtarëve, nisur sidomos nga qëndrimi i Bilal Xhaferrit për këtë vepër të Kadaresë. Dhe siç ndodhte rëndom në të tilla raste qëndrim mbajti edhe rrethi letrar i shkrimtarëve të Durrësit që drejtohej në atë kohë nga Et’Hem Hysi.

Vetëm pak ditë nga diskutimi që Bilal Xhaferri kishte bërë në Tiranë dhe duke qenë se kritika e kishte pritur mirë romanin, sigurimi i shtetit me përfaqësuesin e tij në rrethin letrar Durrës,  zhvilluan një mbledhje të jashtëzakonshe për të dënuar qëndrimin e Bilalit ndaj veprës së kadaresë. Përfaqësues në rrethin letrar që mori pjesë edhe si i dërguar i sigurimit po edhe si letrar që ishte në këtë rreth, ishte Ramazan Domi, i cili pasi dëgjoi të gjithë të pranishmit ku ashtu siç e thotë edhe në procesverbalin dërguan Kopi Nikos,  të gjithë dënuan me forcë aktin e Bilal Xhaferrit si një akt armiqësor, madje disa prej tyre shkuan edhe më tej duke kërkuar ndjesë që kishin mbajtur në gji një armik që nuk i kishte shërbyer popullit po armikut.

Ajo që të bën përshtypje se në të pestë këto diskutime që janë përbledhur si “esenca” e elitës së shkrimtarëve dhe krijuesve durrsakë, vihet re jo vetëm qëndrimi i përbashkët në veprimtarinë armiqësore të Bilal Xhaferrit, po edhe të veprimtarisë së tij që kishte mundur të depërtonte tek këto intelektualë.

Procesverbali është mbajtur me një kopje me datën 20 maj 1968 ( shënim ky i cituar nga vetë z. Domi)

Intelektualët, diskutimet e të cilëve u përmendën në këtë procesverbal drejtuar Kopi Nikos, drejtor i degës Punëve të Brendshme të Durrësit. Ishin emra të dëgjuar të kohës por që mbeten edhe më pas. Bëhet fjalë për Moikom Zeqon, Gjergj Vlashit, Met Gjergjin,  Pertef Kruja dhe Petrit Cerloi.

Vetë hartuesi i këtij procesverbali thotë se ata u shprehen me gjithë zemër dhe dridheshin nga emocionet duke ju mbajtur edhe goja dhe jo si herë të tjera që diskutonin si bilbila. Pra fakt ky që tregonte sa rëndë kishin gabuar me Bilal Xhaferrin

Sot me datën 18.v.1968, në mbledhjen e rrethit letrar këtu, për të diskutuar veprimtarinë armiqësore të Bilal Xhaferrit që sic dihet , në diskutimin e tij në Tiranë rreth romanit “Dasma të Ismail Kadaresë, ka dalë të thuash hapur kundër së resë sonë socialiste.

Në mbledhjen e datës 18, Bilali nuk ishte, pasi nuk ishte ftuar.  Më poshtë po rendis disa aspekte kryesore që dolën në këtë mbledhje dhe që kanë të bëjnë kryesist me Bilal Xhaferrin.

Në fillim shoku Ethem Hysi si përgjegjës i rrethit letrar tregoi shkurtimisht rreth diskutimit që ka bërë Bilali në Lidhjen e shkrimtarëve dhe bëri autokritikë se si aid he shokët që kishin shkuar atje nuk e kishin kapur që në fillim diskutimin që do të bënte ai në Tiranë, që se demaskuan kur e dëgjuan dhe që nuk e bënë problem menjëherë në rrethin letrar të Durrësit, por që ju desh partisë të ver dorë në këtë problem të rëndësishëm.

Gjatë diskutimit dolën këto gjëra.

Bilal Xhaferri kishte marrë dijeni për diskutimin që do ti bëhej dramës nga shoku Ethem Hysi por datën ekzakte nuk ja kish thënë se nuk e dinte. Një gjë të tillë ethem ia kishte thënë edhe  antërve të tjerë të rrethit letratë si Petrit Cerloi, Met gjergji etj. Në këtë mbledhje diskutuan antarët e rrethit gati në përgjithësi dhe  kritikuan veprimtarinë armiqësore të Bilal Xhaferrit dhe ja disa nga diskutimet më interesante.

Moikom Zeqo tha se e kam njohur Bilalin para dy a tre vjetësh, më kanë pëlqyer shkrimet e tij dhe me thënë të drejtën kam pasur shoqëri të ngushtë me të pasi edhe unë I pëlqeja atij si shkrimtar. Diskutimin që do të bënte Bilali në Tiranë e kishte përgatitur me shkrim, bile unë nga ky diskutim kam lexuar 7-8 faqe. Unë siç dëgjova më parë  edhe sot këtu, unë jam treguar miop, por me thënë të drejtën stili I të shkruajtur i atij më pëlqente. Edhe organet qëndrore ( e kishte fjalën për Lidhjene  Shkrimtarëve  Tiranë) kanë pas respekt për të dhe asnjëherë nuk i kanë kritikuar shkrimet e tij. Si shok të ngushtë Bilali ka pasur edhe Namik Manen, adriatik kallullin  Bedri Myftarin.

Përtef Kruja,  Drejtor i Bibliotekës tha: Qëndrimi që ka mbajtur në Tiranë Bilal Xhaferri ndaj veprës së Ismail kadaresë :Dasma” e konsideroj armiqësor dhe unë mbaj përgjegjësi që këtë njeri të maskuar nuk e kemi zbuluar me kohë.  Unë kur kam qenë professor i letërsisë gjithmonë kam pasur kujdes njerëz të talentuar, dhe si të tillë ashtu si edhe disa të tjerë këtu, kam pëlqyer talentin që kishte Bilal Xhaferri, për këtë kur ai po shkruante për Skëndërbeun , gati për një vit i kam  lëshuar një dhomë në dispozicion, me një fjalë që  e kam përkrahur jashtë mase që më takonte. Unë për atë jam interesuar për ta future në punë, sigurisht me atë kompetencë që kisha unë, por kur rrinte pa punë më vinte keq, por kur shikoj tash veprat konkrete të tija indinjohem dhe nga ana tjetër kjo lent ë kuptohet se jam treguar I papjekur në mardhëniet e mija me të. Prandaj kjo do të jetë një mësim I mirë për mua dhe mendoj se në të ardhmen jo vetëm do të jem më i kujdesshëm, por cdo hap duhet ta shoh në prizmin ideologjik dhe politik.

Petrit Cerloi tha : Unë isha në Tiranë kur bëri diskutimin e poshtër Bilal Xhaferri dhe me thënë të drejtën ne të Durrësit që ishim në Tiranë ( Ethemi, Met Gjergji etj) u indinjuam për qëndrimin armiqësor të Bilalit dhe kjo tregon atë se unë këtë problem se kapa në kohë dhe ta bënim ceshtje në rrethin tonë letrar por u zvarrit deri tash. Ju deshtë partisë të na sinjalizojë. Prat ash unë nxjerr konkluzionet se kemi pas të bëjmë me një element armik. Desha ti mbledhjes së sotme se unë me Bilalin kam pasur një debat para një muaji e gjysëm, i cili më tha se ti je papagall i gazetës, e kishte fjalën se ai merrej me ceshtje të mëdha, kurse veprat e mija kritike spara u vinte rëndësi. Pra ai ishte mendjemadh, si pëlqente të rrinte me ne por me ata të “mëdhenjtë” , “të afirmuarit” dhe kryesisht me ata të Tiranës. Tash me sa na ndodhi me Bilialin ne duhet të jemi më vigjilentë, duhet të studiojmë më mirë studimin e veprave që shkruajnë njerëzit, ti analizojmë e diskutojmë ato ashtu siç na porosit partia.

Met Gjergji tha: Ehe unë mbaj përgjegjësinë time që s’ kam reaguar në kohë në drejtim të veprimtarisë së Bilal Xhaferrit, për faktin ë ai ka pas disa raste që ka qëndrue e bisedue me mua rreth problemëve tona. Tirana ja nxjerri bojën  dhe të them të drejtën ne që ishim atje u indinjuem por fatkeqësisht nuk e kapëm shpejtë këtë çeshtje. Me këtë rast desha me i thanë të pranishmëve në këtë mbledhje  se Bilali 3-4 ditë para se të shkonim në mbledhje në Tiranë për diskutimin e romanit “Dasma” më dorëzoi për botim poezinë e tij “Për ty poemë”, tek e cila konstatova që në fillim se vinte era veprimtari armiqësore, por shumë e hollë. Unë do ta bënja problem këtë  dhe nuk do ta botoja, por meqë shkuan në Tiranë, u la deri më tash edhe për vetë kondidat që na u krijuan rreth këtij personi. Kjo mua nuk më nderoj prandaj në të ardhmen duhet të jem më i kujdeshëm dhe çeshtjet do ti shoh më shumë në prizmin politiko –ideologjik dhe cdo vepër e jona ti shërbejë  popullit.

Xhorxh Vlashi tha: Kjo që na ndodhi me Bilalin është një mësim I madh për ne, sidomos për mua që jam edhe sekretari i Degës Lidhjes shkrimtarëve të Durrësit. Me thanë të drejtën unë dhe Jordani kemi pas simpati për këtë si element me talent si shkrimtar, por ky talent sic doli, I paska shërbyer armikut dhe jo ceshtjes së partisë dhe popullit. Për aftësitë e tija ashtu sic e vlersonim ne më parë , unë dhe Jordani e propozuam si kandidat për lidhjen e  shkrimtarëve të Shqipërisë. Kjo që na ndodhi është një mësim i mirë së pari për mua dhe për të gjithë ne. Duhet të mos nxitohemi në veprimet tona. Ti shohim shkrimet, dramat dhe poezitë me kujdes, duke ju nënshtruar një diskutimi të gjithëanshëm dhe cdo vepër që do të dalë nga duart tona ti shërbejë shoqërisë dhe jo armikut.

Diskutimet e tjera që bënë të pranishmit kritikuan aktin e Bilal Xhaferrit dhe premtuan se në të ardhmen do të ishin vigjilentë, por duhet thënë se Moikom Zeqo, met Gjergji, Gjergj Vlashi, Pertef Kruja nga impresionimi mezi I nxirrnin fjalët dhe I mendonin para se ti nxirrnin ato, e kam fjalën jo si herë të tjera që I nxirrnin si bilbil. Pra këto ishin më të komprementuarit në drejtim të Bilal Xhaferrit.

Përsa më sipër sygjeroj si më poshtë:

Duke marrë parasysh se një pjesë e mirë e elementit që bëjnë pjesë në rrethin letrar dhe teatër, nuk është me përbërje të mirë politike ti relatohet komitetit të partisë për ti patur parasysh, pasi në format e tyre të stërholluara, ushtrojnë influencat e tyre borgjeze, sin ë shkrimet e tyre apo edhe në prishjen e njerëzve të mirë, sic është rasti përshembull i Moikom Zeqos për të cilin do të flas më poshtë.

Mosmarrja pjesë e “Letrarit Ri” në mbledhjene  datës 18.5.1968 nuk ran ë sy, pasi kishte dhe mungesa të tjera. I pranishëm ishte dhe bashkëpuntori “Gjinikasi”, I cili mund të dëshmojë në këtë rast rreth problemit që ndiqet.

Meqenë se  Bilali është me të kaluar të keqe dhe ndiqet nga ana jonë aktivisht për agjitacion dhe propogandë, të bëhet arrestimi i tij duke ju marrë process kallzimi personave të mëposhtëm”

1-Moikom Zeqo. Mesa mësova ky vjen nga një shtresë e varfër dhe me përbërje të mirë politike. Gruaja e shokut Muharrem Vasiarit ( ish efektivi ynë dhe tash drejtor i fermës Gosë, A.P) e ka për djalë vëllai Moikomin. I ati nuk jeton po mesa di ka qenë nip I Avni Rustemit.Moikomin para se ta thërrasim është mirë të jetë edhe Muharremi. Moikomi është me talent, po mendjemadh.

2-Met Gjergji. Ky ka babën të pushkatuar gjatë luftës N.CL, si element armik. Meti vetë në këtë kohë ka qenë në moshë të vogël dhe si I tillë e kanë marrë në kujdestari dajallarët e tij (vëllezërit e nanës) të cilët kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrim të mirë politik, bile njëri që është në fllotën tregtare është A.P. Në rreth paraqitet aktiv në profiling e poezisë.

3-Petrit Cerloji. Me sa di vjen nga shtresa e mesme, nëpunës në ndërtim.Ka qenë officer në ushtriunë tonë dhe i liruar si element I padisiplinuar. Në rrethin letrar tregohet aktiv dhe kritik. Në rast se do na mjaftojnë dy kallzime, Met Gjergjin mendoj ta rekruetojmë pasi është kandidat i përshtatshëm, për të vepruar në ambjentin armik të intelegjencës

Gjithashtu e shikoj të nevojshme të vej në dijeni se në një bisedë që pata me datën 19.5.1968, me shokun Et’hem Hysi, të cilin e takova rastësisht, në mes të tjerave më tha se në orët e para të ditës të  datës 19.5 1968, kish parë duke shëtitur Bilal Xhaferrin me Nami Manen, të cilët tha Et’hemi ecnin krenar. Namik Mania me sa mësova më parë dhe çfarë doli në mbledhje, del lidhja kryesore e Bilal Xhaferrit. Nuk do të jetë keq që Bilali për disa ditë, përveç kontrollit agjenturial , të merret edhe në survejim.

Durrës me 20.5.1968/ Konc.akt Ramazan Domi me një kopje.

/ bulevard news 

Filed Under: Histori

Eksodi i talenteve, një vështrim i thellë në zbrazjen e trurit nga Ballkani Perëndimor

September 3, 2024 by s p

Shaban Zenuni/

Ballkani Perëndimor, një rajon i pasur me trashëgimi kulturore dhe bukuri natyrore, po përballet me një sfidë të rëndësishme: eksodin e të rinjve me Arsim të Lart të cilët po kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit.

Ky trend, shpesh i quajtur “zbrazje e trurit,” është veçanërisht i theksuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore dhe Malin e Zi Jugor. Këto zona po dëshmojnë një largim alarmant të Rinjve të tërhequr nga premtimet për standarde më të larta jetese, dhe avancim në karrierë.

Shqipëria: Një komb në tranzicion

Shqipëria, një vend që ka kaluar nëpër një transformim të rëndësishëm që nga rënia e komunizmit, po përballet me një zbrazje të theksuar të trurit. Të rinjtë shqiptarë, veçanërisht ata me arsim të lartë, po zgjedhin gjithnjë e më shumë të largohen nga vendi.

Sipas studimeve të fundit, një përqindje e konsiderueshme e të diplomuarve të universitetit shprehin dëshirën për të emigruar. Një shembull është rritja e numrit të profesionistëve të mjekësisë që largohen drejt Gjermanisë, ku kërkesa për punonjës të kujdesit shëndetësor është e lartë. Gjermania ofron jo vetëm paga më të larta, por edhe kushte pune të avancuara dhe mundësi zhvillimi profesional.

Për shembull, Spitali Universitar i Tiranës, dikur një qendër për trajnimin e stafit mjekësor, ka parë shumë nga të diplomuarit e tij qe po largohen, duke rezultuar në një mungesë të personelit të kualifikuar në Shqipëri.

Kosova: Një shtet i ri me aspirata të larta

Kosova Shteti më i ri në Evropë, përballet me një nga shkallët më të larta të papunësisë e të rinjve në rajon. Pavarësisht entuziazmit dhe potencialit të popullsisë të saj të re, shumë prej tyre ndihen të zhgënjyer nga mungesa e potencialeve ekonomike dhe stabilitet politik. Shkalla e lartë e papunësisë, e kombinuar me mungesen e perspektivave të kufizuara të karrierës, i shtyn shumë të rinj nga Kosova të largohen. Gjermania dhe Zvicra janë destinacionet kryesore për te rinjet nga Kosova. Komunitetet e vendosura të diasporës ofrojnë një rrjet mbështetjeje për të sapoardhurit. Historija e Leutrimit, një inxhinier softuerik nga Prishtina, ilustron këtë trend. Pavarësisht aftësive dhe arsimit të tij, Leutrimi u përball me vështirësi për të gjetur një punë që përputhej me kualifikimet e tij në Kosovë. Pas zhvendosjes në Mynih, ai siguroi shpejt një pozicion në një firmë të njohur teknologjike. Ai ka theksuar kontrastin e thellë në mundësitë mes Kosovës dhe Evropës Perëndimore.

Maqedonia e Veriut, një luftë për stabilitet Ekonomik

Maqedonia e Veriut, shtëpi e një popullsie të konsiderueshme etnike shqiptare, është një tjetër rajon i prekur rëndë nga emigrimi. Zona prej kohësh është përballur me sfida ekonomike, përfshirë papunësinë e lartë dhe qasjen e kufizuar në arsim dhe shëndetësi.

Si rezultat, shumë të rinj shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, veçanërisht ata me arsim të lartë, po largohen në kërkim të perspektivave më të mira. Italia dhe Austria janë destinacione të njohura për këta emigrantë. Merrni shembullin e Artës, një arkitekte e re nga Tetova. Pas përfundimit të studimeve në Shkup, ajo e kishte të vështirë të siguronte një punë që ofronte një pagë të mirë dhe mundësi për rritje profesionale. Ajo u zhvendos në Milano, ku tani punon për një firmë prestigjioze arkitekture, një pozicion për të cilin ajo mund të ëndërronte vetëm në qytetin e saj.

Mali i Zi Jugor një rajon në periferi

Mali i Zi Jugor, veçanërisht zonat rreth Ulqinit dhe Tivarit nuk kanë shpëtuar nga zbrazja e trurit. Rajoni, kryesisht i banuar nga shqiptarë etnikë, vuan nga një stanjacion ekonomik dhe mungesë e infrastrukturës.

Të rinjtë këtu, veçanërisht ata me diploma universitare, shohin pak të ardhme në qëndrimin e tyre. Shtetet e Bashkuara janë bërë një destinacion i preferuar për shumë të Rinj. Për shembull, Dritani, një i diplomuar në ekonomi nga Tivari dhe Ardijani nga Ulqini u shpërngulen në New York ku gjeten se shpejti nga një punë në financë dhe klinikë medicinale në Bronx.

Vendimi i tyre u shty nga mundësitë e kufizuara të karrierës dhe perceptimi se Mali i Zi nuk mund të ofronte të njëjtin nivel të avancimit profesional si SHBA.

Pasojat e zbrazjes së trurit

Emigrimi i të rinjve me arsim të lartë nga këto rajone ka pasoja serioze. Humbja e kapitalit njerëzor pengon zhvillimin ekonomik, përkeqëson rënien demografike.

Remitancat e dërguara në shtëpi ofrojnë një lehtësim financiar afatshkurtër, ato nuk mund të kompensojnë efektet afatgjata të humbjes së një brezi punëtorësh dhe profesionistësh të kualifikuar. Qeveritë në Ballkanin Perëndimor kanë njohur seriozitetin e zbrazjes së trurit dhe po përpiqen ta adresojnë atë përmes nismave të ndryshme. Këto përfshijnë përmirësimin e cilësisë së arsimit, krijimin e mundësive më të mira të punës dhe përmirësimin e hapsirës se pergjithëshme të biznesit. Megjithatë, këto përpjekje shpesh pengohen nga, korrupsioni dhe zbatimi i ngadaltë. Zbrazja e trurit nga keto Rajone është një çështje komplekse e ndikuar nga një përzierje faktorësh ekonomikë, socialë dhe politikë.

Për sa kohë që këto rajone vazhdojnë të përballen me papunësi, dhe paga të ulëta ,eksodi i talenteve të reja ka të vazhdojë. Adresimi i kësaj sfide kërkon përpjekje të përbashkëta nga qeveritë vendore dhe komuniteti ndërkombëtar për të krijuar mjedise ku të rinjtë mund të shohin një të ardhme në vendet e tyre, në vend që të ndihen të detyruar ta kërkojnë atë diku tjetër nëpër Botë.

Filed Under: ESSE

KONGRESI I ELBASANIT, KONGRESI I SHKOLLËS SHQIPE

September 3, 2024 by s p

https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/09/kongresi.jpg

      Ndertesa ku u mbajt Kongresi i Elbasanit

Prof. dr. Roland Gjini

Një vit pas Kongresit të Manastirit, në Elbasan u mbajt 2 deri 9 shtator, pra në vitin 1909, kongresi mbarëkombtar i cilëuar si “Kongresi i shkollës shqipe” Dita e fundit (9 shtatori) përkon me marrjen e vendimeve dhe mbylljen e Kongresit. Ky kongres u mblodh në një situatë të tillë kur politika xhonturke, e shqetësuar nga Kongresi i Manastirit dhe vendimi i tij për t’u shkruar shqipja me gërma latine,organizoi Kongresin e Dibrës për të penguar shkrimin e gjuhës shqipe sipas alfabetit të Manastirit, madje për këtë Ministria e Arsimit e qeverisë xhonturke urdhëroi shkollat shqipe shtetërore në trojet shqiptare që të përdornin alfabetin arab. Jo rastësisht zgjidhet Elbasani si qyteti i mbajtjes së këtij Kongresi. Traditat patriotike, arsimore e kulturore që në krye të herës të këtij qyteti, me figura të shquara si Dhaskal Todri e Kostandin Kristoforidhi etj., kanë qenë të njohura në të gjitha trevat shqiptare dhe kishin ushtruar një ndikim të fuqishëm në ata intelektualë që vendosën për mbledhjen e këtij Kongresi në këtë qytet. (L. Varoshi, Normalja në traditë, 1995)

Kongresi i Elbasanit mori përmasa mbarëkombtare për dy arësye kryesore:

Së pari, se në të morën pjesë përfaqësues nga pothuaj tërë trevat shqiptare, personalitete të lëvizjes kombëtare në pergjithësi e asaj arsimore ne veçanti, të cilët erdhën, përveç Elbasanit, nga Tirana, Korça, Berati, Durrësi, Gjirokastra, Përmeti, Pogradeci, Dibra, Shkupi, Manastiri, Ohri, Struga, Filati e deri nga Janina e Selaniku. Ndërsa Shkodra në emër të shoqërive, klubeve dhe arsimit shqip të zonës së Veriut, deklaroi se do të ishte dakort me çdo vendim që do të merrte Kongresi i Elbasanit në të mirë të arsimit e lëvizjes kombëtare. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Vlora. Të 35 delegatët, të cilët morën pjesë që ditën e parë të Kongresit, u përzgjodhën nga 28 klube e shoqëri patriotike që vepronin asokohe në mbarë trevat shqiptare e përreth tyre. Një delegat mund të përfaqësonte nja një deri disa klube e degë të tyre. Kështu, për shembull, Mit’hat Frashëri përfaqësonte 6 degë, ose një klub i një zone mund të caktonte delegat nje përfaqsues nga një zonë tjetër, kështu elbasanasi Ahmet Dakli ishte zgjedhur nga Struga, Qemal Karaosmani nga Berati, Selman Blloshmi nga Starova e Pogradecit, etj. Delegatët e tjerë ishin: Dervish Biçaku, që u zgjodh edhe kryetar i Kongresit, Taq Buda, Simon Shuteriqi, Josif Haxhimima, Qamil Haxhifeza, Et’hem Haxhiademi, Orhan Pojani,  Idhomene Kosturi, Gjergj dhe Sevasti Qiriazi, Kristo Dako, Andrea Konomi, Thoma Papapano, hafëz Ibrahim Dalliu, dom Nikoll Kacorri, Mihal Sava, Kareman Vrioni, Hamdi dhe Irfan Ohri, Abdulla Reshiti, Refik Toptani, Grigor Cilka, Osman Joraja, Abdurahim Kavaja, Haxhi Bajrami, Teki Rushiti, Abdullah Koprëncka, Sulejman Leka, Sabri Efendi Beu, Telha Gramshi, Jahja Ballhysa. Ndër pjesëmarrësit e tjerë në Kongres, që morën statusin e delegatit, përmendim edhe disa figura, si Lef Nosin, që ishte edhe organizatori kryesor i Kongresit, Alush Saraçin, që një vit më pas do të zgjidhet kryetar i bashkisë së Elbasanit, e ndonjë tjetër figurë e njohur, që erdhën pak ditë më pas në kongres, të cilët u kooptuan si delegatë me të drejtë vote. Gjithashtu, shumë figura të tjera elbasanase, megjithëse nuk ishin zgjedhur delegatë, u morën gjallërisht me mikpritjen dhe organizimin e punimeve të Kongresit.

Së dyti. Ky kongres mori përmasa mbarë kombëtare nisur nga vendimet e tij. Të shkruara e nënshkruara me 15 pika, vendime të cilat kishin të bënin me masivizimin dhe organizmin e shkollave shqipe, shoqërive dhe klubeve patriotike në mbarë trevat e vendit. Ndër pikat më të rëndësishme të vendimeve të Kongresit përmendim: vijimin e të shkruarit të shqipes me gërma latine, sipas vendimit të Kongresit të Manastirit, unifikimn e një gjuhe zyrtare standarte, ku të merrej për bazë dialekti i Elbasanit. Kongresi vendosi gjithashtu që shkollat shqipe të organizoheshin me programe e të përcaktoheshin lëndët mësimore, në to të përdorej vetëm gjuha shqipe, dhe të përpiqeshin që materialet mësimore dhe të shprehurit t’i përmbaheshin një gjuhe standarte, të qartë si për toskët ashtu edhe për gegët. Mund të themi se vendimet që kishin të bënin me përmbajtjen e shkollës mund të cilësohen si vënia e themelit të krijimit të arsimit e shkollës sonë kombtare. Prandaj ky Kongres mori edhe emërtimin “kongresi i shkollave shqipe”, pasi ai me vendimet e tij konkretizoi krijimin dhe organizimin e sistemit arsimor shqiptar dhe e konsideroi atë mjetin kryesor të përparimit shoqëror. (R. Koburja. Normalja ne tradite, 1995) Pika të veçanta i kushtoheshin financimit e mbështetjes ekonomike të shkollave shqipe, për këtë rolin organizues do ta kryenin klubet e shoqëritë patriotike, që me anë të donacioneve do të krijonin një fond të veçantë e do të kujdeseshin për mirëpërdorimin e tij. Kongresi gjithashtu u bënte thirrje shkollave fetare qe në programet tyre të përfshihej domosdoshmërisht edhe lënda e gjuhës shqipe. Një vendim i veçantë dhe shumë i rëndësishëm ishte edhe ai për hapjen e shkollës Normale në Elbasan, e cila u bë e mundur po atë vit, pak muaj më pas. Hapja e kësaj shkolle do të bënte realitet masivizimin, pasi do të përgatiste kontigjentet e mësuesve për shkollat jo vetëm ekzistuese por edhe për ato që do të hapeshin. Dhe është fakt që Normalja e Elbasani, që nga hapja e saj e deri në vitin 1946, vit kur u hap në Tiranë Instituti 2-vjecar për mësues, do të ishte institucioni i vetëm kombëtar për përgatitjen e kontigjenteve të mësuesve për tërë shkollat e trevave shqiptare.

Pavarësisht se anëtarët e Kongresit deklaruan se nuk do të merren me politikë, në diskutimet dhe në vendimet e marra u vu re një përmbajtje e thellë politike në mbrojtje të alfabetit, shkollës shqipe e lëvizjes sonë kombëtare në tërësi. Me vendimet e tij ky Kongres atakoi hapur politikën antishqiptare të xhonturqve, dhe mund të themi se ky kundërshtim qe një nxitje e rëndësishme për kryegritjet e armatosura antiosmane që do të shpërthenin në mbarë vendin e do të çonin në shpalljen e Pavarësisë.

Kongresi që u mbajt në Elbasan, nuk ishte rastësi. Prej dekadash ky qytet e trevat rreth tij jo vetëm kishin shfaqur dëshirën për shkollën shqipe, por edhe kishin bërë hapa konkretë në këtë drejtim. Me këtë kongres dhe me Normalen që vendosi të hapë ai, Elbasani fitoi tashme de jure, rolin e avangardit në arsimin e shkollën shqipe, duke krijuar një traditë të vyer e duke i shërbyer shkollës shqiptare gjithandej. Le të shërbejë kjo traditë, dhe në rastin tonë përkujtimi i ngjarjeve të tilla si një shtysë për ditët e sotme dhe për ato që do vijnë. Pavarësisht se kohët evoluojnë, e bashkë me kohët evoluojnë edhe qytete e treva të tjera, duhet ta kemi të qartë ne shqiptarët, mësues të vërtetë dhe arsim të vërtetë prodhon Elbasani. Këtë traditë, përvojë dhe vlerë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë më pas duhet jo vetëm ta ruajnë, por edhe ta çojnë më tej.

Filed Under: Politike

Klement Zoraqi artisti edukator dhuron gravuren Fan Noli Vatres dhe Diellit

September 3, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Piktori Klement Zoraqi konfirmon thënien e Aristotelit se “Edukimi i ndihmon njeriut të realizoj qëllimin që ka brenda vetes.” Dhe ai vetë është mishërimi i kësaj filozofie. Jo vetëm se i beson asaj si pedagog arti prej 40 vjetëve, por edhe e ka brendësuar atë sepse është ndihmuar ta jetësoj qëllimin e tij në sajë të edukimit dhe prej andej nuk ka rreshtur së dhëni mundësinë brezave të studentëve të arrijnë të njëjtin vetërealizim.

Lindur në Tiranë më 9 mars, 1960, në një familje të përkushtuar artit, kulturës dhe arsimit, ai u përqendrua te piktura qysh në moshën 14 vjeçare. Pasioni për artin e çoi në studion e piktorit të mirënjohur të peizazheve Aristotel Papa. Më pas kreu Zoraqi kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1980-1984) i specializuar për pikturën monumentale në ateljenë e Prof. Niko Progri dhe Vilson Kilica.

Duke folur për vjetërsinë në punë si pedagog i pikturës në Liceun Jordan Misja nga viti 1984 e deri më sot, Profesor Zoraqi thotë me humor se ai mund të jetë mbajtës i një rekordi të denjë për të hyrë në Guiness Book. Rrugëtimit të karrierës katër dekadash në mësimdhënie, ai i ka kushtuar librin “Liceu ynë, Fletë nga ditari pedagogjik”, Ombra GVG, Tiranë 2013.

Paralelisht me mësuesinë, Klement Zoraqi është nderuar me çmime dhe vlerësime të njohura në botën e artit për katër dekada. Ai është emër shumë i njohur i pikturës shqiptare me aktivitet dhe krijimtari të paraqitur në shumë ekspozita vetjake, kombëtare dhe ndërkombëtare, si në Paris 1996, 1998; London 1996, 1997, 1998; Barcelonë 2001, 2003; New York 2001, etj.

Në portofolin artistik të Zoraqit spikasin natyra dhe peizazhi që janë dallueshëm të tijat si nga peneli e stil edhe nga influenca e klasikëve dhe kontakti nga afër me artin dhe kulturën evropiane veçanërisht atë romane. Ai është përfaqësuar në ekspozitën e 100 piktorëve të Via Margutta, Romë qysh në vitin 1992 dhe është pjesëmarrës aktiv në galeri kolektive arti në Itali, pa e shkëputur kurrë krijimtarinë e tij në Shqipëri. Tek ai dhe vepra e tij manifestohet bashkëjetesa e një artisti shqiptar me kulturën pakrahasimisht të pasur romane me gjurme ne qytetërimin e Romës dhe në mbarë botën. Punimet e Zoraqit në galerinë FAB Gallery (U.A), Tirana 2016 dhe në Galleria Micro-arte visive, Romë 2017 janë vlerësuar shumë nga kritikët e artit. Në tre ekspozita të tjera në Didart Gallery 2006, Muzeu Historik Kombëtar 2007 dhe Kledio Gallery 2010, Zoraqi jep lidhjet shpirtërore me qytetin e tij të lindjes. Kohëve të fundit ai është angazhuar në dizajnin grafik dhe projektimin e veprave të artit në hapësira publike, si tek mozaikët e Teatrit për Fëmijë Pinokio 2022 dhe instalacione të tjera të këtij projekti, ilustrime të botimeve për fëmijë Voskopoja Printing House 2022, si dhe është bashkautor dhe ilustrues i librit “Elogio della Stufa” 2023, në italisht nga shtëpia botuese Strade Bianche, Romë.

Gjatë dekadës së fundit, artisti Zoraqi i jep vend interpretimeve personale të historisë të sjella në punime të peizazheve dhe në portrete, disa prej të cilave i paraqiti në ekspozitën Rrënjët Voskopoja në Muzeun Historik Kombetar 2017.

Gravura Fan Noli, punuar në këtë periudhë, paraqet portretin e figurës shumëdimensionale, frymëzuar nga një foto e vitit 1908, dy vjet pas ardhjes së tij në Amerikë, që përkon me kohën e dorëzimit prift. Në sfondin e gravurës është një bibliotekë me libra dhe një kuadër i shqiponjës dykrenare me një diell – stilizim i logos së gazetës Dielli, që e pati Kombi, ndërsa në plan të parë shihet një fragment i ballinës së Diellit. Piktori Zoraqi ia ka dhuruar gravurën Fan Noli Federatës Vatra dhe redaksisë së gazetës 115 vjeçare – si dy institucione të pazëvendësueshme, të cilat historia t’i jep veçse një herë.

Kolazhi

Foto Klement Zoraqi

Gravura Fan Noli – dhuratë nga piktori Klement Zoraqi për Vatrën dhe Diellin

Korça – nga dritarja e studios se Vangjush Mios,100 x70 cm, vaj mbi kanavace, 2017

Ringjallja – fragment nga “Ikonostasi i Voskopojës” 25 x 60 cm, 2015

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT