• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

STATUSI I RI I FEDERATËS VATRA KA PËRGJEGJËSI TË REJA

September 2, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Thanas L. Gjika/

(KOMENT PAS TAKIMEVE TË KRYESISË SË VATRËS NË UASHINGTON MË 29 E 30 GUSHT 2024)

Rikonfirmimi i partneritetit midis Departamentit te Shtetit Amerikan dhe Federates Pan-shqiptare Vatra te Amerikes gjatë takimit qe u zhvillua më 29 gusht midis anetareve te Kryesisë së Vatres dhe Z. Alexander Kasanov, si dhe takimi i djeshëm i 29 gushtit 2024, tek Wite House midis anetareve te po kësaj kryesie me Ms. Kathlin Larkin, Drejtor i Sigurisë Kombëtare dhe të Ballkanit dhe Europës Qendrore; dëshmojnë se Federata Vatra si institucion ka fitura një status të ri, të cilin nuk e kishte pasur më parë.

Për këtë hap të ri shumë të rëndësishëm pa tjetër unë, si gjithë vatranët dhe simpatizantët, dua ta përgëzoj kryesinë e re të Feredatës sonë Vatra, të drejtuar me maturi prej politikanit Dr. Elmi Berisha. Por gjithashttu dua tu tërheq vëmendjen Kryetarit të Federatës Vatra dhe gjithë anëtarëve të kryesisë, si dhe editorit të gazetës Dielli, se mbas sodit i pret nje impenjim / luftë edhe më e fortë se më parë për realizimin e synimit të rilindasve tanë, symin për të cilin u krijua kjo federatë në prill të vitit 1912: krijimi i shtetit kombëtar shqiptar, ku të bashkohen gjithë trojet tona amëtare.

Ky stad i ri i Federatës Vatra kërkon zgjuarsi dhe guxim më të madh edhe në kryerjen e detyrës së saj si partnere me qeveritë shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës. Pra kjo federatë duhet të japë ndihmesën e vet diplomatike për të sqaruar e bindur udhëqësit tekanjozë apo kokëfortë të Shqipërisë dhe Kosovës që të ndjekin me maturi realizimin e synimit kryesor kombëtar shqiptar duke u mbështetut tek politika dashamirëse e e aleatëve tanë të mëdhenj ShBA e BE.

Filed Under: Rajon

EKSKLUZIVE/ INTERVISTA E FUNDIT E ISMAIL QEMALIT DHE PARTNERITETI SHQIPTARO-AMERIKAN

September 2, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri/

“Nuk mundem t’u them se si më digjet zemra kur shoh gjithë armiqtë tanë të punojnë kundra Shqipërisë e cila po rri me gojë mbyllur, është e tepër t’u them se si jam gati të jap edhe shpirtin që më ka mbetur për Shqipërinë.” – Ismail Qemal bej Vlora

Gazeta spanjolle “El Dia” në Madrid, më 9 tetor 1918, ka botuar një intervistë me Ismail Qemal Vlorën. Ajo është realizuar nga gazetari spanjoll me pseudonimin “Hispanus” dhe është intervista e fundit e Ismail Qemalit për mediat ndërkombëtare. Intervista është zhvilluar përgjatë periudhës kur ai jetoi në Spanjë dhe publikohet për herë të parë në Shqipëri. Vetëm pak muaj më pas Ismail Qemali do të mbyllte sytë në Peruxhia. Gazetari e përshkruan Ismail Qemalin si njeriun që e shpëtoi Shqipërinë nga katastrofa e përgjithshme në nëntor të vitit 1912, në Vlorë. Ai konsiderohet si një mik i shquar, me sy të vegjël, inteligjent dhe plotë shkëlqim. Në këtë intervistë të dhënë gjatë qëndrimit të tij në Spanjë, kur ai po bashkëpunonte më së shumti me shqiptarët e Amerikës, Ismail Qemali flet për vendin e tij legjendar dhe piktoresk. Aty ai përmend vështirësitë me të cilat po përballej vendi, pas copëtimit të padrejtë nga Konferenca e Londrës në vitin 1913. Ismail Qemali shpjegon se shqiptarët janë populli më i vjetër, të cilët shtriheshin në gjithë Ballkanin. Dhe të cilët më vonë për shkak të epidemive dhe luftrave e brakistën pjesën lindore të gadishullit dhe u vendosën në bregdetin Adriatik mes maleve. Sipas tij, Shqipëria që do të rilind pas Luftës së Parë Botërore, duhet të jetë më e madhe se ajo e vitit 1913. Ajo duhet të ketë brenda saj Pejën, Gjakovën, Prizrenin dhe Ohrin. Kosova, Dibra dhe Epiri duhet ti përkasin Shqipërisë. Të ardhmen e Shqipërisë, ai e shikon sërish të organizuar nën mbretërimin e një princi evropian.

Kryesore për Ismail Qemalin ishte pasja e një qeveri kombëtare dhe liberale, që ti përshtatej zakoneve dhe karakterit të popullit shqiptarë. Qeveria duhet që të jetë e aftë për të garantuar integritetit territorial dhe lirinë e plotë të vendit. Kërkojmë para së gjithash rilindjen e vendit dhe rikthimin e tij në gjirin e popujve të qytetëruar, – thekson ndër të tjera Ismail Qemali. Gazetari nënvizon në fund të intervistës se, në sytë e liderit shqiptar shquhet flaka e patriotizmit më të kulluar…

Sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar mbi çështjen kombëtare shqiptare, në një moment tejet delikat sikurse ishte zhvillimi i Konferencës së Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ishte një ndër shtylla kryesore të bashkëpunimit midis Ismail Qemal Vlorës dhe Partisë Politike Kombëtare të shqiptarëve të Amerikës. Ismail Qemal Vlora i shfrytëzoi të gjitha kontaktet diplomatike për mbrojtjen e interesit kombëtar. Deri në ditët e fundit të jetës së tij të jashtëzakonshme, Ismail Qemali punoi me të gjithë forcën e shpirtit të tij fisnik për çështjen shqiptare…

Pas qëndrimit për disa vite në Francë, në maj 1918, Ismail Qemali u nis nga Parisi për në Barcelonë. Në këtë periudhë, qeveria italiane nuk e lejonte që të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar. Kështu që ai u lejua nga francezët që të shkonte në një vend neutral si Spanja. Qëndrimin në Spanjë Ismail Qemali e shfrytëzoi për të komunikuar më me lehtësi me shqiptarët e Amerikës, nëpërmjet ambasadës së SHBA-ve në Madrid. Kolonia e shqiptarëve të Amerikës e kishte caktuar ndërkohë si përfaqësues në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris.

Në një artikull të gazetës “Koha”, që botohej në SHBA, më 13 shtator 1917, Ismail Qemali përshkruhej si “plaku dhe burri më i madh i Shqipërisë”. Ai konsiderohej si “më i njohuri në qarqet diplomatike të Europës, më i dëgjuari në Shqipëri dhe më i zoti i gjithë politikanëve shqiptarë…”.

“Sot, – vazhdonte artikulli, – Ismail Qemali numërohet një nga më të mëdhenjtë diplomatë të Europës dhe nderohet kudo.”.

Ismail Qemali ishte i shqetësuar për fatin e Shqipërisë pas përfundimit të luftës dhe u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim. Ai hartoi edhe një program të gjerë politik për t’i bërë jehonë problemit kryesor që lidhej me sigurimin e tërësisë territoriale dhe të pavarësisë kombëtare shqiptare.

Në korrespondencën e pasur që ai ka me atdhetarët shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, Ismail Qemali flet për rrezikun e copëtimit që i kanoset Shqipërisë. Si një lider përbashkues, ai flet për punën që duhet bërë me qëllim bashkimin e faktorit shqiptar dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare pranë Konferencës së Paqes në Paris.

Nga Parisi në një letër të 10 marsit 1918, Ismail Qemali kërkonte që ata të linin mënjanë zemërimin dhe mosmarrëveshjet: “Mjerisht neve që kemi atë më të madhen detyrë e dëftejmë atë më të madhe lidhje, përkundrazi jemi të përçarë dhe të kundërshtuar njeri me tjetrin për zemërime vetiake, të cilët as në kohët e shtruara s’lipsej t’i kishim se nuk do të na nderonin aspak. Kjo më bën të helmonem, po me gjithë, ka shpresë se rreziku i madh në të cilin ndodhet atdheu, rrezik i cili na bën të dridhemi, do të japi fuqi në patriotët e vërtetë, kështu që gjithë Shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke pasur ndër mend shpëtimin e Shqipërisë, do të dëgjojnë këtë porosi.”.

Nga Madridi ku ai ishte duke punuar për çështjen shqiptare në qarqet diplomatike spanjolle, Ismail Qemali, i shkruan Mihal Gramenos. Në letër ai kërkonte sërish bashkimin e gjithë shqiptarëve kudo që ata gjendeshin, me qëllim rimëkëmbjen e Shqipërisë. Ismail Qemali e shikonte veten e tij si një shërbëtor të kombit shqiptar, dhe i tillë ai mbeti deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ai i shkruante në frëngjisht dhe e sqaronte se letrën po e dërgonte nëpërmjet korrierit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Spanjë, për të qenë më i sigurt dhe më i shpejtë. Dhe i thoshte se edhe ata mund të vepronin po ashtu, duke ia dërguar letrat ambasadës amerikane në Madrid.

Në një tjetër letër dërguar patriotes Sevasti Qirazi nga Madridi, më 17 nëntor të vitit 1918, Ismail Qemali thotë se: “Sot është dita e fundit për Shqipërinë do të ngjallmë a do të vdesmë.”. Ai kërkonte që shqiptarët të gjendeshin të përgatitur për ta mbrojtur me këmbëngulje dhe argumente bindëse çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris.

Ismail Qemali është i gatshëm për të kryesuar shqiptarët edhe në këtë sfidë vendimtare për fatin e kombit. “… Po e dini, – thotë Ismail Qemali, – që mungimi për të mbrojtur të drejtat tona do të jetë vdekje për gjithmonë. Lipset të fitojmë me ça do mënyre Kosovën, Manastirin, Janinën me gjithë Çamërinë. U lutem gjithë atdhetarëve të mos flenë të mos kursejnë as gjësendi për shpëtimin e Shqipërisë nga duart e armikut.”.

Më 20 dhjetor 1918, Ismail Qemali vjen nga Barcelona në Xhenova dhe niset drejt Peruxhias, për të koordinuar me qeverinë italiane strategjinë e mbrojtjes së çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit. Në Peruxhia, ai do të gjendej i izoluar dhe aty do të mbyllte sytë me brengën e madhe për të ardhmen e Shqipërisë…Por fjalët e tij të shkruara në një letër të 10 marsit 1918, tingëllojnë profetike: “Pa tërësinë tokësore të Shqipërisë, Gadishulli i Ballkanit nuk do të jetë kurrë i qetë…”

Interesant është fakti që edhe “Kujtimet” e Ismail Qemalit, u botuan pas vdekjes së tij në vitin 1920, në Londër, me këmbënguljen e dy gazetarëve të njohur amerikan Somerville Story dhe William Morton Fullerton. Madje ky i fundit shkroi edhe parathënien. Publicisti amerikan William Morton Fullerton, shkruan se Ismail Qemali “ishte politikan mendjemprehtë dhe kurrë nuk qe cinik. Ai kishte syrin kureshtar për të parë larg, nga ku ‘kthehej’ me fare pak iluzione.”.

Fullerton dëshmon edhe admirimin që Ismail Qemali kishte për Amerikën: “Mbaj mend kënaqësinë e Ismail Qemalit, kur në shkurt të vitit 1918 më tregoi një pergamenë të hollë, të dërguar nga një asamble e ‘Partisë Kombëtare të Shqipërisë’, që ishte bërë dy muaj më parë në Uorçester të Masaçusets”.

Me anë të saj atij i jepeshin kredencialet për të përfaqësuar koloninë shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me mandatin për ‘të siguruar dhe garantuar pavarësinë politike dhe ekonomike të Shqipërisë’. Ismail Qemali ngarkohej për të realizuar ndryshimet e nevojshme të kufijve shqiptarë, me qëllim që të futeshin brenda kufijve ato toka dhe krahina të banuara krejtësisht nga shqiptarët dhe që Konferenca e Ambasadorëve të Londrës i kishte shkëputur më 1912 dhe 1913, në mospërfillje dhe padrejtësisht, duke ia dorëzuar Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Shumë domethënës është edhe një artikull me titullin “Ismail Qemali N’Amerikë” i shkruar një vit para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shkrimi mban datën 9 nëntor 1911, dhe është publikuar në Boston, nga gazeta më e vjetër shqiptare “Dielli”, e cila botohej nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas shkrimit Ismail Qemali pritej të bënte një vizitë në Amerikë. Artikulli përshkruan personalitetin dhe autoritetin e Ismail Qemalit, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai bën një përmbledhje të aktivitetit patriotik dhe karrierës së tij, duke nxjerrë në pah karizmën dhe aftësitë e veçanta komunikuese të Ismail Qemalit. Po sjellim këtu vetëm një pjesë të artikullit, i cili është një nga shkrimet më të bukura për figurën e tij:

“Ardhja e Ismail Qemalit këtu është një gjë mjaft për të vënë re. Është një politikan nga më të mbëdhenjtë edhe një diplomat nga të paktit që ka Turqia, po edhe i vetëmi Shqipëtar që e di dhe e njeh thellësisht çështjen shqiptare, s’ka fjalë. Shqiptarët mund të gjejnë në Ismail Qemalin të vetëmin shtyllë dhe udhëheqës të Kombit, porsa që ka vërtet qëllim edhe dëshirë të përpiqet kthiellësisht e të bënjë çeç për kombin t’onë.

Në kohë të Sulltan Hamidit u ndoth i vetëmi politikan që s’e shtiu dot në dorë Sulltani ta dërgonte atje ku dërgoj të tjerët, po i shpëtoj nga duartë ditë më drekë, dyke u mbrojtur nga ambasadori i Englisë në Stamboll.

Në Vlorë quhet Perëndi, në Berat Spriha Politikane, [shpirti i politikës], në Shqipëri i vetëmi diplomat, në Greqi o ijetis ton Alvanon qe opadhos tis Ellino-Alvaniqis simprakseos. [i vetmi udhëheqës shqiptar, kundërshtar i marrëveshjes shqiptaro-greke] në Europë, The Albania leader Qemal Bey, [Udhëheqësi shqiptar Qemal Beu] në Stamboll, dilqi [dhelpër], etj…

Mase s’është pritur kurrë Shqiptarë në Shqipëri si u prit Ismail Qemali në Vlorë. Vlonjakët zbërthenin kuajtë e qeres tij dyke mbërthyer këta vetë në vënt të kuajve, edhe dyke hequr t’adhuruarin e tyre në Vlorë me dandana e bujë që edhe Sulltan Selimi III po të kish ardhur nukë do t’i bëheshin këto! Për të parën herë pamë në Vlorë njeriun logjik e mëndarak të vinjë në shkallë të kafshës që të nderonjë një njeri të shënuar. Po tham edhe të kishin të drejtë Vlonjakët, se për ata s’ish njeri i shënuar, por Perëndi.”.

Ismail Qemali ushqente shpresa të mëdha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta përkrahnin çështjen shqiptare. Deklarata e presidentit amerikan Uilson se nuk do të njihte traktatet e fshehta, si ai i Londrës, më 26 prill 1915, i cili e zhdukte Shqipërinë nga harta e Evropës, ishte shpresëdhënëse. Njëkohësisht Shpallja e Programit të Paqes nga Presidenti Uilson, më 8 janar 1918, e mbushi me shpresë Ismail Qemalin se qeveria amerikane do t’i shihte “me mirëdashje kërkimet e shqiptarëve, të cilat hynin në kufirin e programit të paqes së zotit Uilson”. Veçanërisht, Ismail Qemali kërkonte t’i tërhiqte vëmendjen qeverisë amerikane duke kundërshtuar pikën 11 të këtij programi, në të cilën kërkohej rivendosja e të drejtave të vendeve të Ballkanit, por nuk përmendej shprehimisht Shqipëria, të drejtat e së cilës ishin dhunuar brutalisht nga dy blloqet ndërluftuese.

Ismail Qemali në raportin që i dërgoi “Partisë Politike”, shprehej se fusha më e pëlqyer për zgjidhjen e çështjes shqiptare do të ishin Shtetet e Bashkuara. Deklarata e Presidentit Uilson “për pavarësinë politike, e tërësinë tokësore njëlloj, si për shtetet e mëdha ashtu edhe për shtetet e vogla”, si dhe mospasja e synimeve territoriale të drejtpërdrejta të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë ishin dy nga faktorët kryesorë që i mbushnin me shpresë shqiptarët. Dhe këto shpresa do të ktheheshin në realitet në mbrojtjen që presidenti Uilson i bëri çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris.

Me intuitën e tij të mprehtë politike, Ismail Qemal Vlora ishte ndër të parët që e kuptoi se në skenën botërore kishte hyrë tashmë një fuqi e re, tek e cila shqiptarët mund të gjenin mbështetjen e munguar dhe të shumëdëshiruar. Vizioni i tij do të bëhej realitet pas afro njëqind vitesh, në lidhjen e partneritetit strategjik më të madh që kombi shqiptar ka njohur ndonjëherë dhe në themelimin e shtetit të dytë shqiptar mu në zemër të Evropës…

Filed Under: Interviste

KOMISIA LETRARE SHQIPE NË SHKODËR

September 2, 2024 by s p

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë/

Këshilli i parë që hartoi rregulla mbi ortografinë e gjuhës shqipe

🗓Më datë 1 shtator 1916, në Shkodër u themelua dhe filloi veprimtarinë e saj Komisia Letrare Shqipe.

I konsideruar si institucioni i parë në rrafshin albanologjik, Komisia Letrare Shqipe, u krijua me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës, 8 vjet pas njësimit të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe, më 1908, në Manastir, dhe ishte një tjetër hap i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës, si dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për kulturën shqiptare, në përgjithësi, e të gjuhësisë, në veçanti.

Komisia ishte një këshill i formuar nga intelektualët më në zë të kohës mbi çështjen e gjuhës shqipe dhe nga albanologë të huaj. Pjesëmarrës të saj ishin intelektualë të njohur brenda dhe jashtë vendit, personalitete të kulturës kombëtare, ekspertë të të gjitha fushave, njohës të të gjitha gjuhëve klasike dhe moderne të kontinentit europian, si dhe të zhvillimit arsimor e kulturor të vendeve të përparuara. Me një përfaqësi të tillë synohej bashkimi i një elite intelektuale të fuqishme dhe gjetja e zgjidhjes së problemeve më të mprehta dhe të ngutshme të gjuhës,të letërsisë, të arsimit dhe të kulturës kombëtare. Ndër ta përmendim: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, At Ambroz Marlaskaj, Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Imzot Vinçens Prenushi etj.

📚Pas vitit të parë të themelimit, rezultat i veprimtarisë së Komisisë Letrare ishte botimi “Rregulla mbi orthografín e gjuhës shqipe të shkrueme : të vendosuna prej Komisís Letrare”, botuar në Shkodër, më 1917, nga Shtypshkronja “Françeskane”, sot pasuri e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Filed Under: Kulture

Papë Klementi XI për trajtimin e gjuhës shqipe si një faktor i rëndësishëm identitar

September 2, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Nacionalizmi në Europë, ndër të tjera lindi në kushtet kur filloi përdorimi i gjuhëve kombëtare në liturgjinë kishtare. Si një proces i gjatë historik, në fillim shfaqet në mënyrë të pjesshme dhe të papjekur. Në fazën e tij të parë, të quajtur protonacionaliste, krijohet një bashkëjetesë e treguesve tradicionalë të komunitetit si: gjuha, përkatësia etnike dhe besimi fetar me kushtet e reja të zhvillimeve shoqërore(Flemming, 2002: 78), ku formohen elitat e etnive të ndryshme dhe gjuha e këtyre etnive hyn në përdorim për qëllime fetare dhe laike. Krahasuar me vendet e tjera, formimi i kombit shqiptar dhe zhvillimi i ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët mori një periudhë më të gjatë kohe, për shkak të pushtimit osman(Pollo, 1979: 119). Brenda kësaj periudhe të zhvillimeve vetëdijësuese ndër shqiptarë, si mjaft i rëndësishëm konsiderohet Pontifikati i Klementit XI.

Arsimimi në gjuhën shqipe i pati fillesat në kohën e lindjes së gjuhëve popullore në Evropë. Vatikani i lejoi priftërinjtë që ta zhvillonin veprimtarinë e tyre në gjuhët e popujve, me kusht që rituali kishtar të zhvillohej në latinisht. Në ato rrethana filloi jetën e vet arsimi shqip. Ishin klerikët shqiptarë që përdorën të parët gjuhën shqipe dhe ngritën shkollat e para shqipe në trojet tona. Por për shkak të pushtimit turk, ky proces eci ngadalë dhe përmes vështirësishë të shumta.

Fillimisht mësuesit e shqipes i gjejmë kryesisht në mes të misionarëve që e mësuan gjuhën shqipe, por edhe klerikëve të paktë shqiptarë që kishin mbaruar studimet jashtë vendit. Për përgatitjen e klerikëve të aftë që do të punonin si misionarë, në vitin 1571 u themelua një kolegj në Romë, të cilin e ndoqën studentë që u bënë klerikë të njohur për kohën. Klerikët arbëreshë, që u formuan këtu, do të punonin si misionarë dhe mësues të shqipes. Disa prej tyre erdhën në Shqipëri si misionarë jezuitë, që në në çerekun e fundit të shekullit XVI. Tre vjet më vonë u ngrit Kolegji Ilirik i Loretos, ku mësuan edhe studentë shqiptarë, disa prej të cilëve u bënë personalitete të kulturës sonë kombëtare si: Pjetër Budi, Frang Bardhi, Andrea Bogdani, Pjetër Bogdani, Pjetër Mazrreku, etj.

Pas dy shekujsh të lënies në mëshirën e fatit, me ardhjën në krye të Kishës katolike të Gjon Françesk Albanit, interesimi për Shqipërinë shtohet. Klementi XI ishte i interesuar për jetën shpirtërore të bashkatdhetarëvectë tij, për rezistencën ndaj islamizmit, që mund të pengohej duke shtuar numrin e klerikëve të shkolluar vendës, të cilët do të ishin jo vetëm predikues, por edhe mësues. Kisha nga një institucion i fesë mori dhe atributet e institucionit të ruajtjes së gjuhës dhe zhvillimit të kulturës kombëtare.

Klementi XI e pa gjuhën shqipe si karakteristikë thelbësore të identitetit shqiptar në kushtet e reja të realitetit shumëfetar në trevat shqiptare. Ai punoi shumë për zhvillimin e arsimit shqip dhe angazhimin më të madh të klerikëve shqiptar në këtë mision. Pra Papa Klementi XI punoi për shqiptarizimin e klerit shqiptar dhe të kishës shqiptare, prej nga do të dilnin elitat kulturore që do t’u paraprinin zhvillimeve kombëtare.

Për të organizuar më mirë punën e klerit katolik në Shqipëri dhe për zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare, me nismën e Klementi XI u mbajt Kuvendi i Arbnit, ku shqiptarët krijuan një Shqipëri shpirtërore të pavarur, parashtetërore, sikur të mos kishte ndodhur fare pushtimi osman. Kuvendi iu kushtua sa çështjeve fetare aq edhe shkollimit si dhe ngritjes së kultures fetare të besimtarëve që do të vinte përmes dijes. Ndër vendimet kryesore të Kuvendit të Arbnit ishin: Vazhdimi i veprimtarisë së shkollave në gjuhën shqipe; kultivimi i gjuhës shqipe dhe traditave të mira vendase; botimi i librave në gjuhën shqipe, të cilat e vendosin shkollimin shqip në qendër të zhvillimeve të ardhëshme të kishës shqiptare.

Gjatë Pontifikatit të Klementit XI u shtuan shkollat shqipe në atdhe dhe jashtë tij, kryesisht në Itali. Kuvendi i Arbnit i vendos klerikët shqiptarë para detyrimit për realizimin e vendimeve të tij, duke caktuar detyrën e kriimit në trevat shqiptare të elitës intelektuale klerikale, të organizuar rreth një projekti që kishte në bazë dijen që vinte përmes gjuhës amtare. Kjo dëshmohet nga vendime të tilla si: Nxënësit shqiptarë, të cilët i mbarojnë studimet në Kolegjin e Propagandës Fide janë të detyruar të kthejnë sa më parë që të jetë e mundur në atdhe për të dhënë ndimesën e tyre aq të nevojshme baritore për besimtarët. Gjithashtu, lutën të gjithë klerikët shqiptarë që gjendën jashtë vendit të kthehen në atdhe, si dhe arqipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë në dioqezat e të cilëve ndodhën nxënësit shqiptarë, t’i dërgojnë në Shqipëri. Nxënësit e Propagandës e kanë për detyrë t’i binden urdhërit të Ordinarit të vet për të shkuar, sipas nevojës, në çdo famulli të Dioqezit”.

Papa shqiptar kërkoi ta ringrinte kishën katolike shqiptare; ta bënte më dinamike dhe vepruese, të aftë për ti përballuar sfidat e reja që kërkonte masivizimi i arsimit shqip dhe kthimi i gjuhës sonë në gjuhë të dijes. Vetë botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbnit eshte vleresuar si një dëshmi e rëndësishme historike e shkrimit të shqipes dhe, krahas Mesharit, një margaritar i çmuar në përpjekjet që u bënë për kalimin në shqipen e shkruar. Varianti shqip i vendimeve të Kuvendit të Arbnit u përdor si tekst mësimor në shkollat e para shqipe.

Duke u interesuar për gjuhën, historinë, por edhe për traditat e zakonet e mira, siç u fol në Kuvendin e Arbnit, Papa Klementi XI luajti rol të rëndësishëm në procesin e formimit të vetëdijes së shqiptarëve se janë një etni, një popull, vetëdije që ishte formuar te popujt e tjerë.

Foto: vaticannews.va

Filed Under: Politike

PËR SHKAK TË HEMINGUEJT…

September 2, 2024 by s p

Faruk Myrtaj/

Trokita në derë, dëgjova nga brenda “hyni, ju lutem” dhe ashtu bëra. Zonjë e shtëpisë, rreth të gjashtëdhjetave, fliste në telefon. Me gjest, bëra t’i përcillja idenë se edhe mund të prisja për pak atje jashtë por, lëvizja qetësuese e dorës së saj më siguroi se isha në rregull që kisha hyrë në apartament. Duke pritur, megjithatë, që ajo t’i jepte fund telefonatës, e pata të pashmangshme të mos kapja momente të bisedës. Përmes aftësisë relative në të kuptuarin e anglishtes së saj, dija se ajo sapo kishte botuar një libër, të parë, dhe po shkruante një libër të dytë.

Ok, but…mbase pak vonë për ty, zonjë, shtova pa zë.

Për të mos parë tek ajo, më mbeti t’i hidhja një sy tërë banesës. S’mund të mos shihja edhe në atë faqe muri ku ishte vendosur një foto thuajse nudo, femër. Pranë nudos, një tjetër foto…”Heminguej?!” pëshpërita pa dashur, zë-mekur, në momentin që ajo përfundoi telefonatën.

“Jo, është burri!” u përgjigj ajo.

Për fat, s’lashë të kuptohej që kisha parë nudon në krahë të tij. S’do guxoja, por edhe sikur… s’do dija të thosha për atë zonjë, aq më pak në një anglishte të folur të vobektë. Pata rast të vështroja sërish nga fotot në mur. Thuajse nudo, elegante, bionde, me këmbët si mbi rërë të bardhë shkretëtire, pasi shihje fytyrën e saj, arrije në bindjen se në atë foto nuk ishte zonja e kësaj shtëpie sic zor të mos mbeteshe pa pyetur për zotërinë në krahë që shëmbëllente aq shumë me shkrimtarin e shquar të brezit të humbur.

Aq më kureshtar, teksa vëreje në rafte, kudo, shumë libra nga Ernest Heminguej.

“Jeni shkrimtare?” e pyeta.

“Po sigurisht!” u përgjigj ajo.

“E mendova…kur pashë Heminguejn!”

“Të thashë, nuk është Heminguej…”

“Kam parasysh librat, jo foton.”

Përse u ndje nervoze, të dy herët kur përmenda emrin e Heminguejt?! Duhej t’i merrja me mend ca gjëra, s’kisha të drejtë të pyesja. E çfarë se shëmbëllente fotoja e burrit me Ernestin?! Asgjë nuk ndryshonte prania e librave të Ernest Heminguejt. Ato ishin kudo!

Kisha hyrë në këtë banesë si super-intendent, të fiksoja xhamat, sipas shërbimit të kërkuar me shkrim. “Ç’të duhet ty Heminguej, pyeta veten. Ai vrau veten në fund të një jete plotë aventura por, nëse kjo zonjë ankohet nesër te punëdhënësi yt, ti mund të humbasësh punën!”

Pas pak, kërceva përpjetë nga zëri i saj bërtitës.

“Hej, hyr! A më dëgjon?” Ktheva kryet, për t’u siguruar nëse ashtu po më drejtohej mua. Në të vërtetë ishte tjetërkush. Kur u shfaq çastin tjetër te pragu i dhomës, pashë njeriun që shëmbëllente me Heminguejn. Po, duhej të ishte burri i saj.

“Të thashë, merri gjërat që ke në ballkon! Do më duhet të dal të shkruaj atje.”

Burri, si unë krye-ulur dhe pa fjalë, si një nëpunës para eprorit arrogant dhe të dehur. Priti që zëri i saj reshti, erdhi pranë meje dhe më luti zë ulët:

“A mund të më ndihmoni pak?”

“Sigurisht, kush s’do donte të ndihmonte Heminguejn!”

Fola edhe unë si ai, si i trembur. Zonja s’duhej të më dëgjonte që përmenda sërish Ernestin.

Siç e prisja, edhe zotëria qeshi mbyturazi, mbase për mirësjellje, dhe priu për nga ballkoni.

Një kuti e madhe e mbyllur dhe një pirg i madh gazetash e revistash. Në të gjitha ballinat e tyre, fotografitë e atij, Heminguejt.

“Më ndihmoni dot t’i çojmë në dhomën time?”

Sado që sërish me zë të ulët, nuk i shpëtoi veshëve të saj.

“Jo në dhomën tënde. Jashtë…!”

“Ndiqmë mua, të lutem”, tha zotëria.

Po më vinte keq, për të. Një Heminguej më shumë, një burrë i pashëm si Ernesti, në marrëdhënie të ndryshme me femrat? Nuk e kundërshtoi fjalën e saj, por tërë sa ishte në ballkonin e tyre e vendosëm në dhomën e tij. Më duhej të dilja nga aty, dhe të kaloja në sy të saj, më në fund.

“Ti je vërtet si Ernesti!” i thashë, sikur pikërisht kjo t’i duhej atij ato momente.

“Për këtë ngjashmëri u martuam!”, bëri me gisht të fshehur për nga gruaja e tij.

Fjalë që tingëllonin fajtore, duke u thënë në këtë mënyrë.

“Ajo ka pasur të drejtë: Je si Heminguej…”

“Jo më! Ajo s’mund të bëhej shkrimtare duke u martuar me mua që ngjaja me Heminguejn!”

S’kisha asnjë të drejtë të qeshja pasi kuptova se ai s’bënte shaka.

“Sorry…Ndoshta ishte faji im që përmenda ngjashmërinë me Heminguejn…”

“Mos u shqetëso. E kaluara, për të gjithë është më e bukur. Shkoja çdo vit në takimin e atyre që ngjanin me Heminguejn, por pastaj jo më…”

“Ngaqë gruaja juaj nervozohet?”

“Jo! Ngaqë gruaja e fundit e Heminguejt vendosi një rregull: askush nuk lejohej të zinte ngoje vetë-vrasjen e Tij. Një budallallëk me brirë, idiotësi kjo! U bë atmosferë e tmerrshme, irrituese…”

Brenda syve të këtij burri, pashë një lloj trishtimi që tashmë besoj se vihet re edhe në fotot e shkrimtarit, para se t’i jepte fund jetës. Ndoshta ngjashmëria, udhëtimi çdo vit në shtëpinë e fundit të Heminguejt, takimet me të tjerë që mbaheshin si ai, u jepnin të tërëve këtë lloj pikëllimi.

Dola nga ai apartament në frikë mos përballja sërish sytë e asaj gruaje. E dëgjova që ende fliste në telefon, kush e di me kë. Çfarë po thoshte ishin po ato. “Po shkruaj librin e dytë. Kam shumë subjekte, ide, projekte. Tamam si të Heminguejt, në mos më interesante!”

Pak hapa duheshin për të dalë, thuajse te dera, kur e dëgjova të më pyeste: “A do të më bënit edhe një nder?!”

“Po zonjë!”

“A mund të m’i nxirrni jashtë tërë librat e mi të Heminguejt?”

“Çfarë? Nuk ju kuptova.”

“Të m’i largoni librat e Heminguejt nga dhoma ime, thashë. Merrini për vete, hidhini si mbeturina, ç’të doni bëni. Nuk i duroj dot më këtu…”

“Me kënaqësi, zonjë, por…”

Ktheva kokën nga dhoma e të shoqit. Mbase do duhej marrë një lloj leje edhe prej tij?

“Mos e llogarit atë! Një copë arkivol!”

Nisi ajo vet, të veçonte nga raftet tërë librat e Heminguejt dhe i hidhte në dysheme. Aty i merrja unë, i vendosa me kujdes në disa qeska plastmase, të cilat i nxirrja një nga një matanë derës.

Ajo po lehtësohej, teksa unë po i gëzohesha faktit që librat e Heminguejt, të tërë me kushtime, do më përkisnin mua.

Për një moment të vetëm, e pashë edhe një herë të shoqin. U shfaq te dera e tij, për pak sekonda. Në momentin tjetër, u mbyllë, me ngut. Fytyra, megjithatë, mu duk e qetë, asnjë lloj proteste në të dhe jo më të kërkohej ndonjë zemërim a rebelim.

Mbase të dy, në të njëjtën kohë, nuk u gëzoheshin më gjërave apo shëmbëllimeve me Heminguej, që dikur i lidhnin si dashuri me njëri-tjetrin.

Një muaj më vonë do të dëgjoja se ai kishte vrarë veten. Nuk arrij të arsyetoj që ndodhi prej ngjashmërisë me Heminguejn. As që kjo ngjashmëri ishte arsyeja pse gruaja e kishte pëlqyer, dikur.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT