Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë/
Këshilli i parë që hartoi rregulla mbi ortografinë e gjuhës shqipe
Më datë 1 shtator 1916, në Shkodër u themelua dhe filloi veprimtarinë e saj Komisia Letrare Shqipe.
I konsideruar si institucioni i parë në rrafshin albanologjik, Komisia Letrare Shqipe, u krijua me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës, 8 vjet pas njësimit të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe, më 1908, në Manastir, dhe ishte një tjetër hap i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës, si dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për kulturën shqiptare, në përgjithësi, e të gjuhësisë, në veçanti.
Komisia ishte një këshill i formuar nga intelektualët më në zë të kohës mbi çështjen e gjuhës shqipe dhe nga albanologë të huaj. Pjesëmarrës të saj ishin intelektualë të njohur brenda dhe jashtë vendit, personalitete të kulturës kombëtare, ekspertë të të gjitha fushave, njohës të të gjitha gjuhëve klasike dhe moderne të kontinentit europian, si dhe të zhvillimit arsimor e kulturor të vendeve të përparuara. Me një përfaqësi të tillë synohej bashkimi i një elite intelektuale të fuqishme dhe gjetja e zgjidhjes së problemeve më të mprehta dhe të ngutshme të gjuhës,të letërsisë, të arsimit dhe të kulturës kombëtare. Ndër ta përmendim: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, At Ambroz Marlaskaj, Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Imzot Vinçens Prenushi etj.
Pas vitit të parë të themelimit, rezultat i veprimtarisë së Komisisë Letrare ishte botimi “Rregulla mbi orthografín e gjuhës shqipe të shkrueme : të vendosuna prej Komisís Letrare”, botuar në Shkodër, më 1917, nga Shtypshkronja “Françeskane”, sot pasuri e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.