• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

HASAN TAHSINI, SHKENCËTARI DHE DIJEPËRHAPËSI ENCIKLOPEDIST

October 31, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Çdo të bëhej me stërnipat e Skënderbeut, do të shqelmoheshin në errësirën e historisë, apo do të ringriheshin me një forcë të re? Rrotull tyre të tjerët me kohë kishin hartuar planet për t’i gllabëruar? Osirisi egjiptian në pranverën e lulëzuar ringjallej, a do të ecnin ata në gjurmët e tij? Këto ishin pyetjet që koha shtronte atëherë përpara elitës shqiptare. Hasan Tahsini ka meritën e pashlyeshme se në zemrën e Perandorisë turke, ndoshta më parë se të tjerët e kuptoi se një popull përpara se të fitojë pavarësinë, duhet të jetë i pasur me ndërgjegje, pa të cilën asnjë ndjenjë lirie nuk zgjohet dhe pa të cilën nuk ka atdhe. “Tahsini nuk e pranoi kurrë parrullën perandorake romake “Ubi bene, ibi patria”, parrullë sipas së cilës pasuria njehësohet me atdheun. Përkundrazi, dashurinë për atdheun ai e konsideron si dashurinë më të vërtetë, sado i varfër të jetë atdheu”. Si shkencëtar dhe dijepërhapës enciklopedist, Tahsini është një figurë që edhe sot, pas 200 vjetësh nuk është përsëdytur, në përmasa të tilla, në historinë e kulturës shqiptare. I formuar fillimisht si hoxhë, me dije dhe kulturë islame lindore, mbiformohet me dijet dhe shkencat perëndimore europiane, pikërisht, në Universitetin e Sorbonës, në Paris të Francës, një nga universitetet më të përparuar e më të njohur të kohës, duke punuar disa vjet në Observatorin e vëzhgimeve të kozmosit, veprat e tij, «Historia e qenies ose e krijimits, ndër dijet më të vështira, të abstraksioneve më të lartë, «Sekretet e ujit dhe të ajrits apo «Psikologjia», të gjetura, dhe të tjera të humbura, janë përpunime dhe përhapje e dijeve filozofike, shkencave të natyrës, tëmatematikës, astronomies apo psikologjisë, në gjirin lindor të Perandorisë Osmane. «Ndër ne, ka shkruar Sami Frashëri, gjenden dijetarë në lëmin e dijeve antike dhe në lëmin e dijeve të reja, po nuk gjenden njerëz që të zotërojnë së bashku këto dy grupe, janë shumë të paktë. Hoxhë Tahsini është në krye të këtyre dijetarëve të rrallë. Ai, përveçse zotëronte së bashku dijet edhe shkencat e këtyre dy grupeve, po nuk kishte as shembëllim. Prandaj unë besoj se njerëzit tanë të ditur, intelektualët, nuk do të preken kur do të mëtojnë që në atdheun tonë në këtë qindvjeçar titullin «savant», i ditur, nuk e meriton askush tjetër, përveç Hasan Tabsinif.

MES SHKOLLAVE TË LINDJES ME ATO TË PERËNDIMIT

I ndodhur në pikën kohore nyje të afrimit të shkollave të Lindjes me ato të Perëndimit, Hasan Tahsini nisi të gjejë përbërësit plotësues dhe të përpunojë ndërkomunikimin mes tyre, duke i ngritur vlerat e secilës në rrafshin universal. Përpjekjet për t’i afruar dhe ndërfutur, integruar këto dy kultura, e zgjerojnë mjaft përmasënuniversale me një lëndë të thellë humanizmi mbarënjerëzor. Në shtator të vitit 1869, Hasan Tahsini u emërua në detyrën e një nëpunësi të lartë të shtetit osman, si rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Ai që në fillim u përpoq dhe në sajë të një pune të shumanshme e vendosi universitetin mbi themele shkencore. Puna e tij e madhe organizative, ligjëratat shkencore që mbajti, veprat që shkroi, bashkëpunëtorët që afroi në universitet, programet bazë që hartoi për këtë tempull të dijes, si dhe plani i temave që do të mbaheshin gjatë pushimeve në konferenca diturie për studentët dhe qytetarët e thjeshtë, janë dëshmia më e qartë e nivelit dhe thelbit të tij dije-përhapës illuminist. Për këtë arsye, Hasan Tahsini është nga ata heronjtë e mendimit, që ngjan si dy pika uji sa me dijetarët arabë të mesjetës, ashtu dhe me dijetarët dhe filozofët iluministë francezë të shekullit të vet. Aq më tepër që ai ka qenë doktor në jurisprudencën islame, por zotëronte njëherësh edhe dy doktorata të tjera në Paris në shkencat fizike dhe natyrore. Pra, një pinjoll i Lindjes, që priret kah mendësisë së Perëndimit, me qasjen e vet origjinale intelektuale ndaj kësaj kulture. Shekulli XIX në Ballkan është shekulli i kombeve dhe kombi shqiptar kishte nevojë për udhëheqje të virtytshme, për karaktere të fuqishëm. Traditat e vendit, rrethanat ku ai gjendej dhe “dritat” franceze që kishin filluar të depërtonin edhe në perandorinë osmane, mendjes së tij i bënin thirrje për të shqelmuar mendësinë e vjetër. Në Paris, mbi dhjetë vjet me vullnetin e tij të çeliktë, ai u bë përçuesi i vetëdijes së barazisë, lirisë dhe drejtësisë, duke mbetur fare mirë fetar, por aspak fanatik banal. Këtu ai arriti në përfundimin se fetë venë e vijnë, por kombet mbeten. E përsiatur me gjëndjen shqiptare, ky parim, sipas tij, paraqitej si një epërsi e tyre karshi fqinjëve, për të cilët feja ishte edhe kombësi, ndërkohë që për shqiptarët, megjithëse analfabetë, feja kishte mbetur vetjake, kombi i tyre ishte mbi gjithçka. Vetë historia e feve dhe studimi i “Dritave” e kishte bindur rilindasin tonë që të përqafonte Deizmin, botëkuptimin filozofik sipas të cilit Perëndia pasi ka krijuar botën nuk pranon më të ndërhyjë në punët e saj, natyrë apo shoqëri, pasi ajo i ka hartuar njëherë e mirë ligjet themelore, me të tjerat le të merren vetë njerëzit. Kjo rrymë filozofike shigjetat i drejtonte kundër monarkisë absolute, bartësit e të cilit nuk pushonin së thirruri edhe me shkrim se zanafilla e tyre i përkiste hyjnive dhe jo majmunëve, siç ngjiste me njerëzit e djersës, turq, shqiptarë, kaurë heretikë. Deizmi theksonte se shoqëria njerëzore, herë pas here, ka nevojë për ligje, të domosdoshme për shkak të vetë kërkesave objektive të saj, të realizuara me ndihmën e arsyes, e vetmja perëndi mbi tokë. I ndihmuar kështu nga kjo filozofi dhe nga shkenca, Tahsini u shndërrua në tolerant dhe iluminist largpamës. Në këtë pikëpamje, s’do të qe keq të shtojmë edhe idenë e Nolit, që besonte se në lëvizjen kombëtare shqiptare prijësin ideologjik do ta bëjë iluminizmi francez, i cili përqafoi teorinë dhe praktikën e një shteti të bazuar në një kombësi me kulturë dhe gjuhë të përbashkët, jo me një fe dhe mbret absolut. Nisur nga ky përcaktim, Tahsini do të qe i pari prej aradhës së iluministëve shqiptarë që do të ndriçonin Rilindjen. Por ajo çka e dallon mendimin e këtij autori është se ai ishte mëse i vetëdijshëm se vetëm virtyti i kthente Heraklinjtë mitologjikë në historikë. Virtyti e shtyn njeriun që e mëshiron të dëshirojë cka është historikisht e domosdoshme, e ti largohet cdo aventure. Pa virtyt nuk ka veprim moral, virtyti është fuqi, solidaritet, është themeli i bukurisë dhe madhështisë.

VIRTYTI ËSHTË AFTËSIA NJERËZORE PËR TË BËRË TË MIRËN

Po ç’kuptonte ai vallë me virtyt, një nocion aq i debatuar që në lashtësi. Për të virtyti është aftësia njerëzore për të bërë të mirën dhe për të luftuar ligësinë, është trimëria, çiltërsia, burrëria, ndershmëria, dashuria për çështje sublime, siç është ajo e atdheut. “Mehdi Frashëri na tregon se Tahsini ishte i pajisur me të gjitha këto cilësi. Kjo e bindte të mos shqetësohej për tradhëtinë e mendjeve të ulëta, ai mbështetej në kurajën qytetare, morale, një virtyt që e mposht gjithmonë poshtërsinë. Nëpërmjet kulturës që ua transmetonte edhe të tjerëve me jetën plot nivel njerëzor që bënte dhe për moralin që mëshironte Hasan Tahsini u kthye në një ideal shpirtëror për popullin e vet”. (306) Sipas Hegelit, “virtyti qëndron në substancën shpirtërore të një populli, pasuri e veçantë drejt qytetërimit, por edhe të çdo individi që i vë detyrë vetes arritjen e një ideali jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ecur drejt qytetërimit.” (307) Ky aspekt i qytetërimit është kontributi më i madh që mendimi erudit i këtij rilindasi dha në qerthullin iluminist të Rilindjes kombëtare. Vetëm një mendje e shëndoshë humaniste, plot pasion për të parë qytetërimin në vendin e vet mund të sillej kështu në ato kohë të egra për çdo iluminist që shkruante dhe rronte në zemër të osmanizmit. Kjo trajektore mendimi që nis me Tahsinin gjen një pikë tjetër mbështetje në rrethin e klerikëve myslimanë me “Fe rrëfenjësen” e Said Najdenit (Hoxhë Vokës), shkruar në vitin 1900. Nga titulli duket se ky libërth është shkruar vetëm në funksion të fesë, por nga përmbajtja ndihen fort themelet e çështjes kombëtare. Si deist i mirëfilltë, autori nënvizon se pavarësisht se Zoti është i madh, dëshira e tij është që njeriu të mos presë gjithçka prej tij. Shqiptari i vërtetë duhet të djerësitet për atdheun e vet. Njerëzit njihen nga puna me vlerën që kryejnë, ajo i gllabëron dhe i nderon ata. “Pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës Veriore”, pyet ai, “kanë shkuar me shpejtësi kaq përpara? Vetëm se qytetarët e tyre kanë djersitur dhe nuk kanë nderë dorën për të lypur. Ndryshe nuk mund të ktheheshin nga një tokë e egër në pjellorë e të lulëzuar” (308). Ai thekson se atdheu i tij nuk ka nevojë vetëm për fe, por edhe për përparimin e gjithanshëm material të lidhur me diturinë. Të gjitha ata që mendojnë se dituria është kundër fesë janë armiq të këqinj të këtij vendi. Nga dituria vetëm e mira vjen. Një vend i begatë materialisht dhe shpirtërisht u përgjigjet armiqve po me ato armë. “Lëkurëkuqët amerikanë u mundën sepse jetonin në epokën e gurit, ndërsa kundërshtarët e tyre, në atë të armëve të zjarrit e të topave”. Sait Najdeni mendonte se Atdheu dhe njeriu është mbi gjithçka. Si islamın ashtu dhe krishtërimin, ai i shikonte si besime që domosdo i zbusin njerëzit, i bëjnë të ndershëm, modestë e të sjellshëm. Sipas tij, njeriu ka nevojë edhe për një pedagogji morale tjetër, sepse kujdesjet e familjes dhe të shtetit nuk mjaftojnë.

BESIMI I VËRTETË FETAR ÇON NË RINGJALLJE TË THELLË SHPIRTËRORE

Besimi i vërtetë fetar çon në ringjallje të thellë shpirtërore, në të mirë të virtyteve qytetare e kombëtare. Njeriu nuk mund të jetë fetar dhe egoist njëkohësisht. Fanatizmi fetar apo laik përdhos gjithcka. Një komb mund të dalë fitimtar për një kohë, por vetëm virtytet e mbajnë gjallë përgjithnjë. Po të sjellim në vëmendje kohën në të cilën shkruante, vepronte dhe predikonte, ky dibran që jetoi vetëm 39 vjet, do ta vlerësojmë akoma dhe më tepër origjinalitetin e mendimit të tij. Një tjetër përbërës madhor i këtij qerthulli iluminizmi, në mos më i madhi dhe më kontribuesi, ishte Sami Frashëri. E kjo nuk duhet parë vetëm në veprën e tij manifest të vitit 1899, në atë program sintetik, në atë strategji dhe taktikë të lëvizjes kombëtare të kohës, siç është “Shqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhet” por shumë më parë, në “Fjalorin e shkencave” (Kumus al’Alarm) ose ndryshe “Enciklopedia e Gjeografisë dhe historisë”, të botuar midis viteve 1889-1895, një vepër goxha e vëllimshme me 4830 faqe, për të cilën ai punoi intensivisht për plot 12 vite e për të cilën mund të quhet me plot të drejtë “Volteri shqiptar”. Nëse bëjmë një shqyrtim të përshkrimit të termave të këtij fjalori, do të gjejmë se ai është bazuar në kulturën e tij erudite, por edhe se është ndikuar shumë nga iluminizmi francez. Sipas mendjes së Samiut, pavarësisht nga zigzaget dhe regreset, qytetërimi ka ecur pa u ndalur dhe shoqëria që nuk i përshtatet këtij përparimi të përgjithshëm mbetet prapa, ndërkohë që shoqëritë e tjera përparojnë dhe të shkosh përpara do të thotë t’i afrohesh të vërtetës e lumturisë. Ai vëren me forcë se pasuria, idetë morale dhe shpirtërore, mund të realizohen vetëm me arsim. Aludimi për atdheun e vet është i qartë, ndaj ai shton: “Një komb për të shpëtuar nga prapambetja, nuk duhet të kënaqet nga gjendja e tanishme, por duhet të përpiqet gjithmonë të përparojë”. (309) Nga ana tjetër, zhvillimin e qytetërimit dhe të shkencave ai e lidh ngushtë me luftën politike dhe shoqërore të një populli. Fitorja e kësaj lufte i hap më pas rrugë të reja zhvillimit të mëtejshëm të qytetërimit. P.sh. duke trajtuar qytetërimin e lashtë grek, ai shpjegon se për të rëndësi vendimtare pati lufta për demokraci dhe republikë. Ajo e bëri Athinën mesin e botës së qytetëruar të asaj kohe. Në mënyrë të veçantë iluministi shqiptar jep edhe ndryshimin midis qytetërimit grek dhe atij të lashtë lindor. “Filozofët grekë e qëruan diturinë nga pallavrat e besës së asaj kohe… qe i pari Thalesi ai që e shqeu cipën e besës që mbulonte urtësinë, duke e treguar atë ashtu të bukur e lakuriqe siç është në të vërtetë”. (310) Pohim ky krejt i kthjellët, të cilin vetëm një iluminist i madh mund ta shprehte kaq shkoqur. Si kudo, edhe në Greqinë e asaj kohe, forca penguese ishte fanatizmi. Ai e kishte të qartë se fanatizmi, pavarësisht nga format që merr, laike apo fetare, si në lashtësi ashtu dhe në ditët tona, ishte përpjekur të gjykonte për të tashmen me syrin e së kaluarës. Megjithatë, sipas mendimit të prerë të Samiur ” urtësia nuk mbytej, por sa vinte e shtohej”. Ky mendim mbi rolin negative të fanatizmit në zhvillimin e qytetërimit botëror është tepër i ngjashëm me parrullën e Volterit “Ecrasez l’infame”. Këtë problem iluministët e zgjidhën duke qenë të bindur se po bënin një revolucion në mendjet e njerëzve të epokës ku jetonin. Këtë shpresë kishte dhe Sami Frashëri për të ardhmen e popullit të vet.

QYTETËRIMI

Sipas tij, qytetërimi e ka arritur kulmin e vet me filozofinë franceze të shekullit XVIII. “Kjo është qytetëri e vërtetë, e përgjithshme dhe e pavdekur, lum ata kombe që janë ndritur e përparojnë të ngrihen në këtë qytetëri. Ky qytetërim është pa anë e pa fund, ai shtohet çdo orë e çdo ditë, e do të mbulojë gjithë dheun e do të ndricojë gjithë kombet e dheut”. Po kaq i drejtë është koncepti i tij edhe për burimin e qytetërimit, të cilin nuk e gjen kryesisht te klasat e larta, porte punonjësit, te produkti i tyre dhe tek intelektualët krijonjës. “Ai gjeti për të parën herë qysh mbillet e korret gruri, qysh tirret leshi, etj. Punonjësit krijues vunë gurin e parë të qytetërimit, që atëherë e tëhu qytetaria ka vajtur gjithnjë përpara, herë me vrap e herë ngadalë”. (312) Mendim ky identik me atë të Volterit, i cili shkruan: “Janë dashur të ekzistojnë farkëtarët, karpentierët, muratorët, bujqit, para se të ekzistonte një njeri që të kishte kohë për t’u marrë me mendime të thella d.m.th filozofi, shkencë, art, etj.” I goditur është edhe përcaktimi i qytetërimit si një mënyrë jetese e njeriut, dhe kjo jo vetëm në kuptimin shpirtëror, por edhe material. Ai me të drejtë nuk quan kulturë vetëm lëndët shoqërore dhe artistike, por edhe ato teknike. Në artikullin Qytetaria ai përshëndet industrializimin kapitalist si një dukuri që do t’i sjellë të mira njerëzimit. Madje, shpjegon se “rruga e zhvillimit kapitalist evropian dhe amerikan ishte për të shumë më e leverdisshme nga pikëpamja e zhvillimit të pandërprerë të qytetërimit, se sa ajo e feudalizmit ushtarak osman”. (Marrë nga libri i autorit: “Histori e Mendimit Shqiptar”)

Filed Under: Analiza

RUAJTJA E HARMONISË FETARE BRENDASHQIPTARE, GARANTUESE E NJË ARDHMERIE TË NDRITSHME

October 31, 2024 by s p

Prof.dr. Skender ASANI/

Për dallim nga popujt tjerë të Ballkanit, të cilët revolucionet e tyre i mbështetën në doktrina fetare, te shqiptarët ndodhi e kundërta. Nacionalizmi shqiptar, që u formësua kryesisht gjatë Rilindjes Kombëtare, platformën e tij ideologjike e kulturore e vendosi mbi unitetin kombëtar, duke mos u bërë peng i besimeve dhe doktrinave fetare. Prandaj, në historinë shqiptare dominojnë fotografi të ngjarjeve të rëndësishme ku pranë njëri tjetrit qëndrojnë personalitete të shquara me besime të ndryshme fetare – islame e të krishtera. Në Lidhjen e Prizrenit, në Kongresin e Alfabetit, në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë si dhe në ngjarjet e mëvonshme, pati një bashkëpunim të shkëlqyer të krerëve të Lëvizjes kombëtare, të cilët vinin nga besime të ndryshme fetare.

Europa, që nga mesjeta e deri në shekujt e mëvonshëm, njohu lufta të brendshme fetare në mes të popujve dhe te ata, në të shumtën e rasteve, dominoi filozofia e unitetit mbi baza fetare e jo kombëtare. Kështu ndodhi edhe te popujt e Ballkanit, te cilët kisha luante rolin kryesor në mobilizimin e brendshëm, por edhe në luftëra kundër popujve të tjerë. Ky dominim i segmentit fetar në historinë e formimit kombëtar të këtyre popujve, ka lënë pasoja të shumta, si në rrjedhat e brendshme shoqërore, ashtu edhe në marrëdhëniet me popujt e tjerë. Për rrjedhojë, popujt që vetëdijen e tyre kombëtare e shartuan mbi trungun e doktrinave fetare, e kanë më vështirë t’i pranojnë vlerat e atyre që janë të ndryshëm nga ata, sidomos të ndryshëm mbi baza fetare.

Kjo filozofi e të menduarit kishte dominuar sidomos në shek. 19, por në momente të caktuara edhe gjatë shek. 20, atëherë kur kisha, sidomos ajo e proviniencës serbe dhe greke, për interesa të caktuara, bekonte ose mallkonte njerëz. I bekonte ata që marshonin në beteja pushtuese kundër popujve të tjerë dhe i mallkonte ata që bënin përpjekje të arsimoheshin në gjuhën e tyre amtare. Shumë ofenziva të paramilitarëve dhe forcave pushtuese serbe në Kosovë, fillimisht e mernin bekimin e kishës. Prandaj vulën e bashkëfajësisë në shumicën e masakrave ndaj shqiptarëve e mban edhe kisha serbe.

Ndërkaq, mallkimi mbi shkronjat shqipe, bie fjala, ishte kryefjala e liturgjive fetare të priftërnjëve grekë, të cilët e quanin herezi përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe nëpër shkollat e Shqipërisë së jugut, në prag të pavarësisë së saj.

Të liruar nga psikoza e ndikimit dhe indoktrinimit fetar, shqiptarët zhvilluan beteja të pastra identitare pa cenuar interesat e popujve të tjerë dhe pa e glorifikuar historinë e tyre nacionale. Kjo ka bërë që shqiptarët të jenë rast unik në botë që, edhe pse me shumicë islame, kanë për hero kombëtar një figurë të identifikuar me Krishtërimin, siç është Gjergj Kastrioti, ose një simbol të humanitetit ndërkombëtare, me përkatësi fetare katolike, siç është Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereza.

Shqiptarët i bën unik edhe qasja që kanë ndaj atyre që kanë besim tjetër fetar. Janë të shumta rastet kur shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri ua urojnë festat fetare fqinjëve të tyre, me përkatësi tjetër fetare, dhe madje marrin pjesë edhe në ceremoni të përbashkëta festive. Ky sinkretizim fetar në hapësirsën shqiptare, nuk praktikohet te popoujt tjerë, dhe kjo ka bërë që të ruhet bërthama kombëtare nga tendenca e shkërmoqjes dhe dezintegrimit.

Por a mjafton kjo frymë e harmonisë fetare brendashqiptare?

Kjo pyetje bëhet më kupimplote, sidomos në kohën që po e jetojmë aktualisht, kur harta e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve po merr përmasa shqetësuese, kurse roli dhe ndikimi i fesë gjithnjë e më tepër po tregohet si katalizator krizash e keqkuptimesh në mes të popujve e shteteve. Lindja e Mesme, Ukraina, shtetet e ish Bashkimit Sovjetik, dhe pika të tjera neuralgjike , janë vetëm disa nga vatrat e krizës, ku në prapavinë e konflikteve qëndrojnë edhe animozitetet të shtresuara fetare nga e kaluara.

Bashkëjetesa fetare nuk është një përvojë njerëzore që mbetet e ngurtë, e pandryshuar, por përkundrazi, bashkëjetsa fetare duhet të kultivohet në vazhdimësi dhe të ruhet nga ndikimet që prishin harmoninë fetare. Bashkëjetesa fetare duhet të ushehet me frytet më të pastra të mirëkuptimit kombëtar.

Shqiptarët iu takojnë tre besimeve fetare: islame, katolike dhe ortodokse dhe nënvaranteve të ndryshme të këtyre besimeve. Duke qenë të shpërndarë në një hapësirë kaq dispersive fetare, shqiptarët, për dallim nga popujt tjerë, nuk e kultivuan kultin e besimit fetar si një faktor vendimarrës. Përkundrazi, shqiptarët gjatë gjithë rrugëtimit të tyre historik, bashkëudhëtarë më të afërt nuk patën pjesëtarët e të njejtit besim, por bashkëveprimtarët e të njejtit ideal kombëtar. Kjo ndikoi që në etapat e caktuara të zhvillimit të betejave identitatare, te shqiptarët të kultivohet vëllazëria e brendshme mbi baza kombëtare e jo mbi ato fetare.

Një vëllazëri e brendshme kombëtare sot ka nevojë të kalojë nëpër sprova dhe testime të vazhdueshme, në mënyrë që kauzat civilizuese e kombëtare të zhvillohen papengueshëm dhe të pandikuara nga doktrinat e caktuara fetare. Fundja, fenë duhet kuptuar thjeshtë si besim, kurse kombin si gjen, si ADN. Prandaj, sot hasim më dendur ndërrimin e fesë se sa të kombit, sepse besimi është kategori e ndryshueshme, kurse gjeni ose AND-ja – jo.

Duke qenë kështu të definuara çështja e fesë dhe e kombit, shqiptarët duhet të vazhdojnë të bashkëjetojnë në harmoninë e besimeve fetare, si një parakusht për ruajtjen e qenies së tyre kombëtare. Çdo dominim apo mbivendosje e prioriteteve fetare mbi ato kombëtare e rrezikon të ardhmen e shqiptarëve. Arkitektura etnike e kombit shqiptar duhet të ketë si konstruksion pikërisht vertikalen shpirtërore kombëtare, kurse si fasadë mund të përdoren edhe besimet fetare.

Ashtu siç shtetet formohen prej kombeve, edhe kombi formohet prej interesave dhe specifikave të përbashkëta. Shqiptarët si komb u formuan vonë, por te ata ndjenja e përbashkësisë etno-psikologjike datonte shumë më herët, që nga përpjekjet e Gjegj Kastriotit për të formuar shtetin e Arbërit, si derivat i bashkimit të principatave arbërore. Pra, asnjëherë te shqiptarët bashkimi nuk u bë mbi baza fetare, por mbi ato kombëtare dhe kjo ka qenë arsyeja që në organet drejtuese të shtetit, që nga pavarësia e këndej, kanë qenë personalitete me përkatësi të ndryshme fetare që kanë ushtruar funksione të larta zyrtare, duke filluar nga diplomacia, ushtria, e deri te arsimi, ekonomia e bujqësia.

Vazhdimësia iliro-arbërore-shqiptare ka qenë një faktor i rëndësishëm historik që e ka shpëtuar kombin shqiptar nga dezintegrimi dhe asimilimi. Ky shpëtim ka ndodhur edhe në ato momente historike kur shqiptarët me besime të ndryshme fetare arritën të bashkëpunojnë në mes veti për të mbrojtur qenien e tyre kombëtare. Intelektualët shqiptarë që vinin prej besimeve të ndryshme fetare, u bënë ideatorët kryesorë të përhapjes së dritës së diturisë në hapësirat shqiptare.

Në Stamboll, në gjysmën e dytë të shek. 19, ishte një qerthull mjaft aktiv kulturor që tubonte intelektual e ideolog shqiptarë të besimit islam, në krye me vëllezërit Frashëri, të cilët e formuan edhe “Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip”, ose e njohur ndryshe “Shoqëria e Stmabollit”. Ky qerthull kulturor i Stambollit pati bashkëpunim të shkëlqyer me intelektualët e ideologët shqiptarë të besimit katolik e ortodoks, në Korçë, Shkodër, Bukuresht, Sofje, Kalabri, Sicili, Kajro e gjetiu dhe si fryt i këtij bashkëpunimi u organizuan Kongresi i Manastirit, hapja e Shkollës së parë për vasha në Korçë, Kongresi i dytë i Manastirit dhe hapja e Normales së Elbasanit, deri te Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972.

Moscënueshmëria e harmonisë fetare të shqiptarëve nga ndikimet dhe përçarjet e jashtme, është një prej prioriteteve kryesore të elitave politike, intelektuale e fetare të shqiptarëve. Kjo moscenueshmëri arrihet nëse fuqizohet vëllazëria e brendshme kombëtare, pa i dëmtuar ndjenjat fetare të secilit. Sepse një vëllazëri e brendshme kombëtare ngërthen në vetvete diversitete të shumta krahinore, dialektore, zakonore e fetare. Nëse gjithë këto diversitete trajtohen si pasuri kombëtare dhe nëse uniteti ndërtohet mbi dallime të caktuara, atëherë ardhmrëia është e garantuar, kurse gjeneratat pas nesh do ta kenë më lehtë t’i tejkalojnë sfidat që paraqiten si rrjedhoj e këtyre dallimeve.

Filed Under: Ekonomi

AKADEMIK ANDROKLI KOSTALLARI NGA TEORIA LEKSIKOGRAFIKE TE FJALORI

October 30, 2024 by s p

Prof. Dr. Valter Memisha/

Pjesa e parë…

Leksikografia e shqipes është një nga fushat ku ndihmesa e akademikut Androkli Kostallari është përcaktuese, madhore, madje e pashoqe. Për gati 50 vjet akademiku u mor, si askush tjetër, me e për fjalën shqipe, me studimin, si dhe me pasqyrimin e saj në fjalorë. Studimet leksikologjike e semantike të këtij studiuesi janë të shumta e të një niveli shumë të lartë shkencor dhe puna hartuese leksikografike e nismuar saktë e vizionarisht prej tij, e drejtuar me kompetencë e përkushtim dhe e finalizuar me vepra madhore nga ai dhe grupi hartues që ai drejtonte, mbetet trashëgimia më e vyer në leksikografinë bashkëkohore shqipe e në vetë gjuhësinë shqiptare. Ajo është kthyer në gjedhe pune dhe pa të në ditët e sotme nuk mund të mendohet e të kryhet asnjë vepër e kësaj fushe. 

Është pohuar shkencërisht se prof. A. Kostallari është gjuhëtari që formoi, konsolidoi dhe mëvetësoi përfundimisht si shkencë të mirëfilltë leksikografinë e shqipes, si teori e si praktikë të hartimit të veprave, së pari të atyre njëgjuhëshe shpjeguese. Madje, siç thekson studiuesi H. Shehu, “Në fushën e drejtuar nga profesor Androkli Kostallari (leksikologji dhe leksikografi), mund të flitet, në kuptimin e plotë të fjalës, për një shkollë leksikografike shqiptare.” Ky studiues e argumenton hollësishëm këtë përcaktim për akademikun. Ai shkruan se “Do të përmendim vetëm dy teori dhe praktika të kësaj shkolle. E para është teoria dhe praktika leksikografike e pasqyrimit të leksikut popullor (dialektor e krahinor) me vlerë letrare potenciale në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe në fjalorë të tjerë të shqipes a me shqipen. Është një teori dhe praktikë me vlerë të jashtëzakonshme për pasurimin e mëtejshëm të leksikut të gjuhës së përbashkët letrare shqipe, për fjalorët e gjuhës së sotme shqipe e për leksikografinë shqipe, në tërësi, për terminologjitë e shqipes, për letërsinë artistike etj. Nuk e teprojmë aspak, po të themi që këtë teori e këtë praktikë mund ta zbatojnë edhe gjuhë të tjera, me histori zhvillimi si të shqipes a të afërt me shqipen. Themelues i saj është profesor Androkli Kostallari.” 

Studiuesi H. Shehu Vazhdon më tej, “Teoria dhe praktika e dytë leksikografike e profesor Androkli Kostallarit është pasqyrimi sa më shterues i thënieve (bashkëlidhjeve të zakonshme të fjalëve) të shqipes në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), sipas gjykimit që jeta e fjalës dhe në njëfarë mënyre, edhe kuptimi i fjalës, është te bashkëlidhja e saj objektive, reale, sendore-logjike me fjalë të tjera të gjuhës, thënë në mënyrë popullore, ‘më thuaj me kë rri, të të them se çfarë je’, sipas gjykimit që fjalori ka nevojë për ekologjinë e fjalëve, sepse ato janë njësi ndërtimore të ligjërimit.” 

Dhe këtë koncepti teorik për ndihmesën e akademikut, prof. H. Shehu e sheh te kontributi konkret të sendërtuar në vepra. Ai shkruan se “Të gjithë fjalorët (njëgjuhësh a dygjuhësh) japin thënie, pra, i shembullsojnë fjalët. Por Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980), me kryeredaktor profesor Kostallarin mund të përveçohet nga fjalorë të tjerë, madje, edhe të huaj. Ai nuk është vetëm fjalor shpjegues; është mirëfilli edhe një fjalor drejtligjërimor, një fjalor i fjalëpërdorimit. Kjo është arritur duke pasqyruar, siç u tha, shterueshëm (por objektivisht) thënie e modele thëniesh. Një meritë e parimeve dhe e kritereve të hartuara nga profesor Kostallari.” 

Puna për ta formësuar leksikografinë si shkencë të mirëfilltë zë fill që në hapat e parë të punës së tij shkencore, në fillim të viteve ‘50 të shekullit të kaluar kur prof. Kostallari fillon punën në Institutin e Shkencave.

Prurjet e tij shkencore që lidhen drejtpërdrejt me këtë shkencë, janë disadrejtimëshe, së shumti të ndërliqura, gërshetuese njëra me tjetrën, dhe plotësuese ndaj njëra-tjetrës.

A. Studime për fjalën dhe formimin e fjalëve në shqipe.

Akademiku A. Kostallari ka kryer studime të mirëfillta shumë të rëndësishme për fjalën shqipe, sidomos për klasa e grupe paradigmatike fjalësh që paraqisnin e paraqesin vështirësi në përcaktimin kufijve të tyre përmbajtësorë e formësorë. Për shumë grupe të tilla, studimet e tij, duke njohur e ndjekur ligjet e ligjësitë e fjalëformimit në shqipe (përfshirë këtu të gjitha rrafshet, që nga ai fonemor e deri tek ai semantik), akademiku ka dhënë zgjidhje për proceset njëfjalësuese e kufijtë e fjalës në shqipe. Dihet tashmë se nuk mund të merresh me hartimin e një fjalori pa u marrë më parë me vetë fjalën dhe nuk ka fjalor të arrirë pa një koncept të qartë e të saktë për fjalën si njësi leksikore e si zë leksikografik. 

Po përmendim këtu vetëm 5 artikuj:

1. Mbi disa veçori të fjalës së përbërë në gjuhën shqipe, BUSHT (Seria shkencat shoqërore), Tiranë, 1961, nr. 3, f. 3–24

2. Kompozitat ekzocentrike të shqipes si tema fjalëformuese, BUSHT (Seria shkencat shoqërore), Tiranë, 1962, nr. 3, f. 3–48

3. Mbi disa veçori të strukturës semantike të kompozitave pronësore të shqipes, në “Konferenca e parë e studimeve albanologjike”, Tiranë, 1965, f. 161–167.

4. Kompozitat dëshirore dhe urdhërore të shqipes, SF, Tiranë, 1968, nr. 4, f. 370. 

5. Fjalë me strukturë të gjerë kuptimore, Studime filologjike, 1977, nr. 1, f. 147–173.

B. Prurje shkencore në teorinë leksikografike, sepse dihet se nuk mund të ketë fjalorë të arrirë pa një teori leksikografike.

Profesor Emil Lafe thekson se “Është thënë herë pas here se gjuhësia shqiptare nis me një vepër leksikografike, me Fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit (1635), por megjithëkëtë studimet në fushën e leksikografisë e të leksikologjisë së shqipes së sotme nuk përparuan siç pritej. Mjafton të përmendim se i pari fjalor shpjegues i gjuhës shqipe u botua më 1954! Teoria leksikografike e shqipes dhe studimet leksikore nisën të zhvilloheshin te ne nga mesi i viteve ’50, kur u themelua Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë në përbërjen e Institutit të Shkencave.”

Artikulli i prof. Androkli Kostallarit “Në rrugën e hartimit të fjalorit normativ të shqipes së sotme”, botuar në BSHSH, Tiranë, 1955, në vetvete shënon dhe një gjendje të re konceptuale e metodologjike: puna hartuese institucionale për fjalorët nuk mund të kuptohej e të kryhej pa u udhëhequr nga koncepte teorike të konsoliduara shkencore. Këtë e tregoi më së miri fillimi i punës për hartimin e një vepre të tillë në vitin 1963, si vepër me disa vëllime, por që në vitin 1976 u propozua dhe u realizua në vijim si vepër me një vëllim. Studimet dhe shkrimet në fushën e leksikografisë, që prihen nga ato të profesorit, përbëjnë, siç thotë Emil Lafe, “platformën e Institutit të Gjuhësisë për hartimin e fjalorit shpjegues të shqipes, të projektuar në fillim me disa vëllim dhe të realizuar më 1980 në një vëllim (Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, me 41.000 fjalë). Këto studime mbeten edhe sot një baze të shëndoshë teorike e leksikografisë shqiptare e kolauduar në praktikën e hartimit të Fjalorit të vitit 1980 dhe të tjerëve më pas që janë mbështetur kryesisht në lëndën dhe parimet e tij. Njohja e këtyre studimeve leksikografike është nevojë e ditës sot kur detyrat në fushën e leksikografisë, hartimi i një fjalori të ri shpjegues me të paktën dyfishin e fjalëve të fjalorëve ekzistues, janë detyrë parësore e gjuhësisë shqiptare.”

C. Prurjet në shkencën leksikografike të akad. A. Kostallari, shpërfaqen dhe në prerjen teoria leksikografike, sendërtuar si parime për hartimin e Fjalorit normativ të shqipes. Pa u ndalur në punën e profesorit për kodifikimin e gjuhës letrare të njësuar, ritheksojmë se produktin shkencor në leksikografi profesori e lidh domosdoshmërisht, organikisht dhe funksionalisht me këtë variant të gjuhës shqipe. Në artikullin “Në rrugën e hartimit të fjalorit normativ të shqipes së sotme”, 1955, ai, pasi ndalet në një analizë gjithëpërfshirëse shkencore, i mëshon normativitetit të veprës, duke e konceptuar vizionarisht këtë vepër si kodifikuese të pasurisë leksikore, frazeologjike e semantike që ajo do të hedhë në qarkullim.

Njihet tashmë analiza e hollëshme e e shkencore që ai ka bërë për “Fjalorin e gjuhës shqipe”, 1954, i cili si pas tij synonte të ishte një vepër normative, por që nuk ia arriti plotësisht këtij mëtimi. Ndër të tjera, edhe sepse u hartua pa një platformë teorike e pa parime e kritere të miratuara para fillimit të punës hartues. Akademiku shkruan se “Autorët e fjalorit i kanë shtruar vetes detyrën e madhe të hartojnë një fjalor normativ të gjuhës së sotme shqipe. Për karakterin normativ të fjalorit flitet si në parathënien e tij, ashtu edhe në Shënimet për përdorimin e fjalorit. Por kjo dëshirë e mirë e autorëve nuk është vënë në jetë: “Fjalori i gjuhës shqipe është shumë larg detyrave që duhet të kryejë një fjalor normativ i gjuhës shqipe të sotme”.

Dhe më tej ai ndalet drejtpërdrejt në këtë komponent të veprës. Sipas tij, “Kjo e metë e madhe e fjalorit të botuar tregon se problemi i normativitetit në fjalorin e shqipes së sotme është një nga çështjet më të rëndësishme teorike dhe praktike të leksikologjisë e të leksikografisë sonë. 

Artikulli Në rrugën e hartimit të fjalorit normativ të shqipes së sotme sipas kademikut, “është pikërisht një përpjekje për të ndriçuar nga pozitat e kërkesave të sotme disa nga problemet themelore të fjalorit normativ të shqipes në dritën e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar (autori nuk synon të shqyrtojë hollësisht këtë fjalor), me qëllim që kjo të çelë rrugën për diskutime më të gjera që do të ndihmojnë për punën e mëtejshme.”

Në funksion të ftillimit të kësaj çështjeje, po citojmë të plotë: “Normëzimi në fjalor është një nocion mjaft i ndërlikuar. Ai nuk lidhet vetëm me leksikun e semantikën, por edhe me gramatikën e fonetikën, me frazeologjinë, stilistikën, ortografinë e ortoepinë. Në leksikografinë më të përparuar të kohës sonë pranohet përgjithësisht se, për të hartuar një fjalor me karakter normativ, është e nevojshme: 

1. të zgjidhen drejt fjalët që do të shpjegohen në fjalor; 

2. të ndahen, të shpjegohen dhe të përkufizohen drejt kuptimet primare dhe sekondare të fjalëve, duke pasur parasysh që shpjegimi t’i shërbejë lexuesit për të kuptuar drejt përdorimin real të fjalëve; (231)

3. të përcaktohen drejt kufijtë dhe sfera e përdorimit të fjalëve ose të kuptimeve të tyre të ndryshme, duke dhënë karakteristikat e nevojshme stilistike; 

4. të jepen shpjegime gramatikore në bazë të normës gramatikore të sotme; 

5. të tregohet në çfarë lidhjesh dhe kombinimesh përdoret fjala në kuptimet e saj të veçanta, duke dhënë shprehje, citate e shembuj bindës, të nxjerrë nga burime të sigurta e me autoritet, për të mos lejuar në asnjë mënyrë ndërtime e gërshetime që nuk i përgjigjen realitetit objektiv të gjuhës; 

6. të jepet drejt ortografia e çdo fjale ose e variantit të saj letrar; 

7. të jepet mënyra letrare e shqiptimit dhe të tregohet posaçërisht vendi i theksit. 

Pa plotësimin e të gjitha këtyre kërkesave, nuk mund të përcaktohet dhe të tregohet norma letrare, pra, nuk mund të ketë fjalor normativ.”

Në vitin 1968, një vit pas botimit të Rregullave të drejtshkrimit të shqipes (1967), dhe në vitin kur mbahet Konsulta e Prishtinës, akademiku boton një nga punimet shkencore më të arrira në gjuhësinë tonë, Parimet themelore për hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”, një punim që qëndron tërësisht në të gjithë përbërësit e vetë si punim i mirëfilltë monografik, duke qenë sintezë e thukësi shkencore e gjithë diskutimeve mbi 15-vjeçare, si dhe platformë e punës për hartimin e fjalorëve shpjegues normativë të shqipes. “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe që do të hartohej sipas këtyre parimeve, për akademiku, “duhet të bëhet një mjet i rëndësishëm për forcimin e njësisë gjuhësore të popullit tonë”.

Në pjesën e dytë të këtij punimi ai thekson se “Për të plotësuar detyrat që i shtron shoqëria jonë, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe duhet të ndjekë dy synime kryesore: 

a) të jetë një fjalor shpjegues normativ; 

b) të jetë, njëkohësisht, një fjalor informues”

Dhe duke rimarrë përbërësit e normativitet të veprës së ardhshme, thekson se ky arrihet: 

1) nga zgjedhja e fjalëve që do të përfshihen në fjalësin (glosarin) e Fjalorit; 

2) nga zgjedhja e frazeologjisë gjuhësore, semantikisht e sintaktikisht të barasvlershme me fjalën, d.m.th. e bashkëlidhjeve të qëndrueshme të fjalëve, që dallohen nga kompaktësia pak a shumë e madhe e gjymtyrëve të tyre; nga kuptimi i figurshëm dhe nga një shkallë e veçantë shprehësie (ekspresiviteti) e që kanë kuptime unike, të vetme (përngjitjet dhe njësitë frazeologjike) ose e togjeve të fjalëve në të cilat njëra gjymtyrë përdoret në një kuptim të lidhur, jo të lirë (bashkimet ose bashkëlidhjet frazeologjike); 

3) nga zbërthimi dhe përcaktimi i kuptimeve të fjalëve e i ngjyrimeve (nuancave) të tyre, të cilat të tregojnë përdorimin e tyre të drejtë në ligjëratë; 

4) nga shënimet stilistikore, që do të përcaktojnë sferën e kufijtë e përdorimit të një fjale të caktuar, si edhe të këtij ose atij kuptimi të saj; 

5) nga shoqërimi i përkufizimeve, shpjegimeve të kuptimit ose të kuptimeve të fjalëve me një material të pasur ilustrues, të nxjerrë nga burime me autoritet, kryesisht nga autorët kryesorë të letërsisë sonë artistike, nga publicistika, botimet shkencore e shkencore-popullore, nga krijimtaria gojore popullore etj.; 

6) nga dhënia e shënimeve gramatikore, duke u mbështetur në normën e gjallë të sotme gramatikore dhe në prirjet themelore të evolucionit të saj; 

7) nga përcaktimi drejtshkrimit sipas rregullave të drejtshkrimit të sotëm; 

8) nga vendosja e theksit sipas normave të sotme të drejtshqiptimit.”

D. Ndihmesa e akad. A. Kostallari në fushën e leksikografisë së shqipes shihet dhe në kundrimin e marrëdhënieve Leksiku i shqipes dhe leksiku në Fjalorin e gjuhë së sotme shqipe.

Te Parimet themelore për hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”, akademiku shkruan se “…fjalorit shpjegues të shqipes i takon një rol i veçantë për ngulitjen e normës letrare. Për këtë arsye, Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe i shtrohet si kërkesë objektive nga zhvillimi i shoqërisë e i kulturës sonë të jetë në shkallën më të lartë të mundshme një fjalor normativ, duke e marrë normën letrare me tërë veçoritë e sotme historike, konkrete.”

Sipas tij përzgjedhja e fjalësit në veprën normative “do të bëhet sipas parimit udhëheqës më i përgjithshëm në zgjedhjen e fjalëve se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe duhet t’i shohë të gjitha fjalët e fondit leksikor të shqipes së sotme, nga çdo burim i tyre, si pasuri e përbashkët kulturore e popullit shqiptar. Vlerësimi i çdo fjale-leksemë (për ta përfshirë ose jo në Fjalor) duhet të bëhet, në radhë të parë, jo sipas burimit dialektor, as sipas autorit që e përdor; por sidomos sipas vlerës së saj objektive në strukturën leksikore të shqipes së sotme letrare”

Kurse për frazeologjinë thekson se “Në Fjalor do të përfshihen në shkallë sa më të gjerë të gjitha ato bashkëlidhje (togje) të qëndrueshme të fjalëve që përbëjnë njësi gjuhësore të mëvetësishme në fjali, pra, që kanë të përbashkët me fjalën dy tipare kategoriale themelore – kuptimin leksikor dhe kategorinë gramatikore (sintaktike), d.m.th. që kanë me fjalët e tjera në fjali marrëdhënie të një tipi siç kanë edhe vetë fjalët ndërmjet tyre – mund të përkojnë me fjalën me të cilën lidhen, ta drejtojnë atë o të drejtohen prej saj, t’i ndajvihen asaj etj. Parimi themelor i dallimit të këtyre bashkëlidhjeve gjuhësore të qëndrueshme, ose frazeologjizmave, është parimi semantiko-funksional, d.m.th. kuptimi i tyre leksikor si njësi me funksione emërtuese dhe, në lidhje me këtë, funksioni sintaktik.”

E. Një përbërës tjetër në prurjet madhore të akad. A. Kostallari është dhe grupi i artikujve që trajtojnë marrëdhëniet Gjuhë letrare e njësuar (standarde) dhe leksik normativ. Ata jo thjesht kanë zënë vend organikisht në të gjitha studimet e profesorit, por mbeten si pika referimi për gjithë punën për hartimin e veprave leksikografike kodifikuese e normativizuese. Ndër ta veçojmë:

1. Gjuha letrare shqipe në periudhën e ndërtimit të socializmit (referat i mbajtur në Konferencën e studimeve albanologjike më 8 dhjetor 1969), Tiranë, 1969, 78 f. (botim i shaptilografuar). 

2. Rruga e formimit të gjuhës sonë të përbashkët letrare, Gjurmime albanologjike, Prishtinë, 1969, nr. 2, f. 7–36. 

3. Mbi disa veçori strukturore e funksionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë, Studime filologjike, 1970, nr. 2, f. 3–51.

4. Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, 186 f. 

5. Vëzhgime mbi disa grupe fjalësh popullore të trojeve verilindore të shqipes, Studime filologjike, 1982, nr. 1, f. 105–119.

6. Përsosja e sistemit të gjuhës sonë letrare kombëtare dhe tiparet themelore të normës së sotme, në “Probleme aktuale të kulturës së gjuhës shqipe”, Prishtinë, 1983, f. 22–30. 

7. Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, SF, 1984, nr. 4, f. 25–53. 

F. Pasuria leksikore e fjalorit normativ përzgjidhet nga fondi leksikor i shqipes, i cili sipas akademikut “sot ushqehet nga dy burime kryesore: a) nga formimi i fjalëve të reja mbi bazën e atyre ekzistuese dhe b) nga gjuha e folur e popullit, nga leksiku i ashtuquajtur krahinor, dialektor, i cili herë përdoret në të dy dialektet, herë haset vetëm në njërin prej tyre. Nga burimi i dytë hyjnë e do të hyjnë në gjuhën letrare sidomos fjalë me kuptim konkret, të lidhura me natyrën e me jetesën e popullit punonjës, me bujqësinë, blegtorinë e sferat e ndryshme të prodhimit, një sasi jo e vogël leksiku abstrakt, frazeologjia e pasur popullore në kuptimin më të gjerë (duke përfshirë këtu edhe proverbat, thëniet popullore etj.) e sidomos një mori frazeologjizmash që janë ekuivalente fjalësh.” 

Duke i mëshuar burimit të dytë, profesor Androkli Kostallari thekson se “Në mënyrë pak a shumë sistematike, fondin e fjalëve të gjuhës së folur të popullit e pasqyron Kartoteka e leksikut të gjuhës shqipe. Materiali i mbledhur deri më sot tregon se burimi i dytë i pasurimit të leksikut të gjuhës letrare është shumë më i thellë e më i fuqishëm nga sa njihej më parë dhe nga sa njihet edhe sot. Me fjalët e shumta të gurrës popullore dhe me frazeologjinë e pashtershme, ai sjell me vete elemente që gjuha letrare shqipe, për shkak të rrethanave historike të zhvillimit, nuk i ka bërë ende pronë të saj, por që duhet t’i përvetësojë sa më parë për t’u bërë sa më e gjallë, më e zhdërvjellët dhe më shprehëse. Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe i bie barra që, duke e vlerësuar pasurinë leksikore-frazeologjike të burimit të dytë, në dritën e strukturës leksikore dhe të tendencave të zhvillimit të sotëm të gjuhës letrare, ta pasqyrojë atë në mënyrë sa më të plotë e sistematike.”

G. Akad. A. Kostallari është marrë drejtpërdrejt dhe me zhvillimin e hovshëm të shqipe bashkëkohore dhe sidomos me prirjet e zhvillimit në leksik dhe pasqyrimi i prurjeve në fjalorët normativë. Ai shkruan se “Me të drejtë, fjalori i gjuhës është quajtur oqean. Ky nuk është vetëm një oqean fjalësh, por edhe një oqean njësish frazeologjike e lidhjesh të shumëllojshme, që e pasurojnë jetën e fjalës, i shumëfishojnë vlerat e saj. Dhe ky oqean nuk qëndron në vend, por është gjithmonë në lëvizje; sepse në lëvizje është edhe vetë jeta e popullit që pasqyron ai. Dinamizmi i këtij zhvillimi në gjuhën shqipe, e sidomos në leksikun e saj, në kohën tonë, në epokën e socializmit, është ngritur në një shkallë të pashoqe. Gjuhësisë sonë i del detyra që me shumë përgjegjësi të kuptojë drejt prirjet e këtij zhvillimi, të njohë mirë rrymat më të dukshme, ashtu edhe proceset që zhvillohen në thellësi në tërë sistemin e gjuhës dhe të ndihmojë që gjuha jonë letrare kombëtare të nxjerrë prej tyre përfitime sa më të mëdha për t’u bërë më e pasur, më e fuqishme e më e zhdërvjellët.” 

H. Nuk mund të anashkalojmë në këtë skicim prurjesh të akad. A. Kostallari për leksikografinë shqipe dhe punën e tij për Kartotekën leksikore. Një nga parimet kryesore të teorisë e të praktikës së sotme leksikografike është se nuk mund të hartohet asnjë lloji fjalori, i çfarëdo përmase e tipologjie qoftë, në qoftë se nuk mbështetet në një korpus të dhënash ose në një kartotekë leksikore. Studiuesi H. Shehu shkruan se “Nuk mund të hartohej “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe nuk mund të hartohet asnjë fjalor tjetër pa këtë kartotekë, siç nuk mund të bëhet bukë pa miell. Nuk mund të bëheshin e nuk mund të bëhen as studime në fushën e leksikologjisë, të leksikografisë, të fjalëformimit e as në fushën e studimeve etimologjike pa këtë kartotekë, siç nuk mund të bëhet histori pa arkiv.”

Dhe ndihmesa e prof. A. Kostallarit në ngritjen e Kartotekës së leksikut të shqipes, 1955 dhe në pasurimin e saj të vijueshëm me vjelje nga librat, me organizimin e gjurmimit e të grumbullimit të fjalëve nga gjuha e popullit etj., është e pazëvendësueshme. 

Filed Under: Analiza

Ekspozita Vital Signs në Muzeun e Artit Modern

October 30, 2024 by s p

Wind and Water;Suzanne Jackson;1975;Each panel: 97 × 60″ (246.4 × 152.4 cm);Acrylic and pencil on canvas, two panels;Acquired through the generosity of The Modern Women’s Fund, Alice and Tom Tisch, Anne and Joel Ehrenkranz, Marie-Josée and Henry R. Kravis, Michael S. Ovitz, Ronnie F. Heyman, and Pamela J. Joyner and Alfred J. Giuffrida ;© 20YY Suzanne Jackson. Courtesy of the Artist and Ortuzar Projects, New York.

Rafaela Prifti/

“Pas një maske, një maskë tjetër,” shkruante artisti surrealist francez Claude Cahun në vitin 1930. Galeria e re në Muzeun e Artit Modern MoMA e titulluar Vital Signs hapet nga data 31 tetor deri në 2 nëntor ekskluzivisht për anëtarët përpara se të hapë dyert për publikun. 

Në njoftimin për shtyp thuhet se në imagjinatën e artistëve të shekullit të 20 trupi dhe vetja nuk janë konceptuar të ngurta por në transformim të përhershëm. Ekspozita paraqet mbi 100 punime nga artistë të cilët shtrojnë pyetjen se çfarë është individi në raport me shoqërinë – dhe se kategoritë si raca, gjinia janë koncepte të rrënjosura tek abstraktja. Ekspozita sjell këndvështrime të freskëta nga koleksione të Muzeut të artistëve si Frida Kahlo, Louise Bourgeois, Suzanne Jackson dhe Senga Nengudi si edhe punime që vijnë për tu paraqitur për herë të parë.

Foto: Suzanne Jackson Era dhe Uji 1975, dy panele 

Filed Under: Interviste

Një mësimdhënës i shquar si Fatmir Krasniqi

October 30, 2024 by s p

Mësimdhënësi Fatmir Krasniqi shërben si model i dalluar dhe udhëheqës në rrugëtimin e tij shumëvjeçar të punës edukativo-arsimore. Ai mbetet shembull frymëzues për nxënësit dhe kolegët e tij. Ndaj në kemi zhvilluar me të një intervistë për jetën e tij profesionale, aq mbresëlënëse!

Fatmir Krasniqi ishte mësues i shquar në fushën e arsimit në Kosovë. Pasioni i tij mbetet të ndihmojë nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre për të qenë të aftë në profesionet që zgjedhin në fusha të ndryshme të jetës. Me një përvojë të gjatë dhe njohuri të thelluara, Krasniqi është spikatur për njohuritë e tij inovative dhe teknika të reja për të përmirësuar cilësinë e mësimit dhe për të përshtatur metodat e tij në përputhje me kërkesat e ndryshme në mësimdhënie. Krasniqi shërben si model i dalluar dhe udhëheqës në rrugëtimin e tij shumëvjeçar të punës edukativo-arsimore. Ai mbetet shembull frymëzues për nxënësit dhe kolegët e tij. Fatmir Krasniqi është diplomuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe. Krasniqi është përfshirë në projekte dhe hulumtime akademike, duke pasur një ndikim të rëndësishëm në rritjen e standardeve arsimore dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin e tij.Ndaj në kemi zhvilluar me të një intervistë për jetën e tij profesionale, aq mbresëlënëse!  Ju ftojmë ta lexoni më poshtë! 

I nderuar prof.Fatmir Krasniqi, dimë se ju keni punuar në kohë lufte dhe në paqe, keni punuar në “Shtëpitë shkolla”, keni spikatur për gjuhën dashamirëse përballë çdo vështirësie akademike. Ndaj, bazuar në përvojën tuaj të gjatë në mësimdhënie, por edhe si profesionist i devotshëm tanimë, a keni vërejtur ndonjë ndryshim në pranimin dhe përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie nga kolegët dhe nxënësit tuaj? 

Në vitin 1981, në vitin kur filluan Demonstratat e studentëve në Prishtinë, e madje edhe në qytetet tjera të Kosovës, i dhe ngjarjet dramatike të asaj kohe që zhvilloheshin në Kosovë nën regjimin serbo- sllav, fillova të punoj në shkollën e vendlindjes sime, në Shkollën” Hasan Prishtina”, të Tërpezës së Malishevës, në shkollën ku isha nxënës i fillores.

Për mua ishte një ndjenjë e veçantë se me ish arsimtarët e mi u bëra shok e kolegë të profesionit, ku më mirëpritën, më mbështetën e më përkrahën shumë! Përkundër gjendjes dhe situatës së rëndë punonim me shumë dashuri, përkushtim e motiv për profesionin tonë të shenjtë që kishim. Nxënësit në atë kohë jo vetëm që dalloheshin në procesin mësimor, por shquheshin e veçoheshin në veprimtari të lira në kuadër të shkollës, të komunës, (atë botë i përkisnim komunës së Drenasit) e të Kosovës. 

Kishim nxënës shumë të zgjuar e talente në lëndë të caktuar mësimore. Organizonim gara mësimore. Ndërsa me veprimtari të lira nxënësit e shkollës sonë me talentin e vullnetin që kishin dalloheshin si lexues të pasionuar, poetë të vegjël e recitues të dalluar, piktorë, këngëtarë e valltarë që i dridhnin skenat e improvizuara të shkollave, e të sallave të Shtëpive të Kulturës. Këta nxënës të talentuar i sollën shumë mirënjohje shkollës në gara e manifestime të ndryshme në Drenas, Prishtinë e Ohër. Në vitin 1986, për shkak të ngjarjeve që ndodhën si dhe kërkesës për Republikën e Kosovës, atë kohë Kosova ishte krahinë në kuadër federatës jugosllave, ne mësimdhënësit akuzoheshin nga regjimi serbo- jugosllav, se ne te nxënësit po nxisnim nacionalizëm e irredentizëm! Filluan ta sulmonin e mohonin çdo gjë tonën që ishte kombëtare, si gjuhën, historinë e trashëgimin tonë kulturore e kombëtare. Bënin presionin në ndryshimin e përmbajtjeve të teksteve mësimore, si librat e gjuhës shqipe e të historisë, si dhe disa lëndë të tjera mësimore!

Kërkonin që veprat dhe njësitë mësimore të shkrimtarëve nga Shqipëria, e edhe ata nga Kosova që ishin të papërshtatshëm për regjimin, të largoheshin menjëherë! Mirëpo, ne ishim të vendosur përkundër masave që do të merreshin, ne do të vazhdonim me plan-programet tona.

Nga përvoja e asaj kohe te nxënësit u munduam ta kultivojmë ndjenjën e atdhedashurisë, të gjuhës, të fisnikërisë e të humanizmit! Në ato vite përkundër presioneve të ashpra e frikësuese, kërcënimeve e keqtrajtimeve, vrasjeve e burgosjeve masive, te nxënësit e mësimdhënësit ngrihej morali e motivi për të vazhduar, punuar, kontribuar e flijuar për Kosovën! Nuk ndaleshin Programet kulturo-artistike të shkollave, u formuan edhe shumë Shoqëri Kulturo-artistike, ku luajtën një mision të madh kombëtar!

Çuditërisht e mrekullisht lindi e lulëzoi Epoka e Artë e Pagëzimit të fëmijëve me emra shqip mbi bazën e ilirishtes, emra kuptimplotë shqip që tingëllojnë ëmbël, emra gjeografikë të lumenjve, qyteteve e trevave shqiptare. Shqipëria këtë vit me plot të drejtë e ka shpallur Vit të Gjuhës shqipe. Këtë duhet ta bëjë edhe Kosova.

Gjuha shqipe viteve të fundit po shëmtohet e shpërfytyrohet nga njerëz të pandërgjegjshëm. Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të bukura e më të lashta të Kontinentit, bijë e ilirishtes dhe bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane. Dy nga vargjet e Filip Shirokës janë aktuale edhe sot për fatin tonë të hidhur e ironik:

“Dhe kështu gjuha po shëmtohet

Dhe kështu kombi po mjerohet”.

E poeti ynë i madh Gjergj Fishta, në disa nga vargjet e tij shpërthen me shumë mllef:

Edhe atij iu thaftë, po, goja, 

qi përbuzë këtë gjuhë hyjnore, 

qi n’gjuhë t’huej kur s’asht nevoja

flet e t’veten e len mbas dore.”

Pra, gjuhën tonë të shenjtë e të bekuar ta ruajmë si sytë e ballit, ta kultivojmë e pasurojmë me fjalë shqipe e përherë ta mbrojmë.

Situata politike në fillim të viteve të 90-ta filloi të përkeqësohej shumë. Regjimi serb shpërbëri Kuvendin e Kosovës, të gjithë punëtorët shqiptarë dhunshëm i largoi nga puna, mbylli të gjitha institucionet më të larta publike e shtetërore. Nxënësit dhe mësimdhënësit i larguan nga shkollat. Por, shumë shpejt mësimdhënësit u organizuan dhe nuk u dorëzuan e as nuk u frikësuan nga regjimi i egër barbar, por të mbështetur nga prindërit e populli si dhe veprimtarët e vullnetarët e guximshëm organizuan mësimin në shtëpitë shkolla, dhe arsimi shqip mbijetoi.

Kemi përjetuar keqtrajtime e shumë peripeci, ekonomikisht e materialisht të dërmuar, por moralisht, shpirtërisht e emocionalisht të fortë e të pathyeshëm. Në Tërpezë mësimi mbahej në lokalet e shkollës! Unë, gjatë këtyre viteve udhëtoja me shumë vështirësi për çdo ditë mësimi Prishtinë-Tërpezë.

Dhe, në vitin shkollor1995-96, fillova të punoj në Shkollën “Hasan Prishtina”, të Prishtinës, për dy vite në zëvendësim të një arsimtareje! Objekti i shkollës ishte i ndarë me mure. Atë e kishin ndarë serbët meqë në këtë shkollë, si dhe në shumë shkolla të Prishtinës mësonin nxënësit serb. Ata kishin zgjedhur hapësirat më të mirë! Ndërsa, nxënësit e shkollës “Faik Konica i kishin larguar dhunshëm nga shkolla e tyre, e ku ishin të detyruar të shpërndaheshin në shkolla të tjera. Mikpritjen e ngrohtësinë e gjetën në Shkollën “Hasan Prishtina”. Drejtoria e mësimdhënësit e shkollës ua hapën dyert. Paramendojeni, mësimin nxënësit e “Faik Konicës”, mësimin e fillonin pas orës 16.00 deri në orën 20.00. Një vit shkollor pata mbajtur mësim me një klasë të 8-të. 

Më pas, në vitin 1997, kalova në Shkollën “Elena Gjika”, deri në maj të vitit 2022, kur edhe u pensionova. Edhe në shkollën “Elena Gjika”, mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, serbe, e turke! Serbët edhe pse me numër më të vogël nxënësish kishin zgjedhur hapësirat më të mira të shkollës, katin e dytë e të izoluar nga nxënësit shqiptarë.

Ne shfrytëzonim vetë katin e parë me më pak dhoma mësimi e me numër të madh nxënësish, me një sallë shumë të vogël të arsimtarëve, por që ne arsimtarët me vullnetin tonë të çeliktë e të pathyeshëm e me motiv shumë të lartë atdhetar e kombëtar për të mbajtur e për të mos e ndërprerë mësimin për asnjë ditë, e zbukuronim dhe e hijeshonim sallën!

Ndërsa hijeshinë, harenë e dashurinë, buzëqeshjen e krenarinë klasave e korridorit të ngushtë e të errët të shkollës ia jepnin nxënësit me plot shkëlqim e rrezatim, me shpresë e ngadhënjim se agu i lirisë po afrohej e po lind një ditë e re me plot diell e rreze të ngrohta!

Ndërsa, një kënd e hapësirë shumë e ngushtë që shërbente për mjete pune ishte shndërruar në zyre për një Zonjë të rëndë, për drejtoreshën shumë të suksesshme, të dashur shumë për nxënës e mësimdhënës, për një reformatore e largpamëse të arsimit- Greta Kaçinarin, dhe sekretarin e shkollës, të urtin e veprimtarin Sherif Jaha.

Edhe pse punonim në kushte e rrethana të jashtëzakonshme mësimi zhvillohej normalisht. Nxënësit ishin shumë të edukuar e të respektuar, të përkushtuar për mësim e dije dhe veprimtari të lira.

Po, e ndaj edhe një përvojë timen shumëvjeçare në arsim, ku diku rreth mesit të viteve të 80-ta, u provua me Mësimin e Orientuar, Shuvarizmin, e që në fakt pas një kohe doli se nuk pati rezultate, dhe ishte shndërruar në Mësim të ç’orientuar?! Po ashtu edhe pas luftës u provua me Daksnerizmin, ku nga Orari i rregullt mësimor u hoq e u largua Ora e Kujdestarisë, ose më herët ishte e emërtuar si orë e Edukatës morale, që është shumë e vlefshme dhe e domosdoshme në ditët e sotme.

Paramendojeni çfarë prove u bë me klasat e 9-ta, në vend se të përgatiteshin e udhëzoheshin për orientimin e tyre profesional, ata, pra nxënësit u përballën me 22 lëndë mësimore, pa i shikuar e studiuar mirë e me kujdes plan-programet mësimore?!

Madje Klasa e 13-të dëshmoi se nuk pati sukses?!…

Prova të panevojshme që nuk dhanë rezultate, por që e pësuan shumë nxënësit në atë kohë.

Nga eksperienca që ju keni pasur gjatë binjakëzimit të shkollës Shqipëri-Kosovë, cilat veçori do t’i identifikoni si të domosdoshme? Për çfarë shërbejnë këto eksperienca?

Në përvojën time shumëvjeçare në arsim jam munduar të jap një kontribut modest në mbështetje të veprimtarive të lira duke i zbuluar nxënësit e zgjuar e talente, dhe duke ua krijuar mundësinë që dhuntinë e tyre ta shprehin e shfaqin në programet e ndryshme kulturo-artistike në nivel të shkollës, Prishtinës e Kosovës, e sidomos kulminacioni arriti në kohën kur filluam veprimtaritë e përbashkëta mbarëkombëtare. Ky në përvojën time jetësore është dhe do të mbetet kulmi dhe përmbushja e ëndrrës shekullore e bashkimit fizik, shpirtëror e emocional, arsimor e kulturor me Shqipërinë dhe shkollat e Shqipërisë!

Bashkëpunimi me Shqipërinë ishte një rrugëtim i gjatë e me shumë peripeci, por mbi të gjitha ishte një bashkëpunim shumë i frytshëm e i suksesshëm, i pakrahasueshëm e me vlerë të madhe kombëtare.

Për mua, nxënësit e mësimdhënësit që bashkëpunuam me Shqipërinë janë momentet më mbresëlënëse e të paharruara për jetë.

Dhe, për herë të parë nxënësit e ShM “Andon Zako Çajupi”, të Tiranës, së bashku me nxënësit e Shkollës fillore “Elena Gjika” të Prishtinës, si dhe të rinjtë nga Free Youth Club Vidin nga Bullgaria, shfaqën legjendën shqiptare në Teatrin Ballkanik “Kush e solli Doruntinën”, më 30 maj 2006, në Sallën e Kinemasë së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, në Tiranë.

Rolin kryesor të Doruntinës e luajti me një mjeshtri të lartë artistike nxënësja e shkollës sonë që ishte në klasën e 8-të, Fiona Gllavica, ku mori duartrokitje të gjata e frenetike duke e ngritur në këmbë publikun e duke ua rrëmbyer zemrat e tyre. Ishte shfaqja e parë e përbashkët mbarëkombëtare e ndërkombëtare, ku na i hapi rrugët e shtigjet e bardha drejt një bashkëpunimi të çiltër e vëllazëror edhe në shumë veprimtari të tjera. Koordinatorë të këtij projekti madhor ishin Ina Kasimati, profesoreshë e dalluar dhe shumë e respektuar e Gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, veprimtare e koordinatore e palodhshme dhe shumë e suksesshme! Ina, tani është duke u përballë me një sëmundje të rëndë, por që do ta mund edhe kësaj radhe. Lutemi për shërimin e plotë të saj!

Ardita Repishti, ish profesoreshë e Gjimnazit, si dhe drejtoreshë QKK të Fëmijëve të Tiranës, veprimtare e palodhshme që e donte shumë Kosovën. Nga Prishtina, isha unë së bashku me Lindita Loshin, një veprimtare e re, energjike dhe e palodhshme, ish drejtoreshë e Qendrës Rinore të Prishtinës!

Falënderoj për mbështetje të pakursyer e bashkëpunim ish drejtorin e shkollës, Osman Vitia, që ishte i gatshëm kurdoherë që kisha veprimtari të përbashkëta me nxënësit e shkollës sonë me nxënësit e shkollave të Shqipërisë, të më zëvendësojë vet personalisht, meqë ishim të të njëjtit profesion, ish zëvendës drejtoreshën Shpresa Gashin,  mësimdhënësit Arstina Kadiun, Isuf  Pirrakun, Miradije  Qehajën, Lule Llalloshin, Fitore Ahmetin, Florim Gashin, sekretarin Nazif Biçkun, si dhe të gjithë mësimdhënësit tjerë të shkollës, prindërit, kryetarët e Këshillit të Prindërve, përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Prishtinës, e në veçanti nxënësit e mi më të cilët bashkëpunuam, dhe ata janë kurorëzimi i të gjitha sukseseve të përbashkëta mbarëkombëtare!

Falënderojmë Teatrin, “Dodona”, në veçanti Valdet Ramën, si dhe Teatrin Kombëtar. 

Po ashtu falënderim e mirënjohje të thellë për veprimtarinë tonë të përbashkët mbarëkombëtare edhe për të gjithë mësimdhënësit, udhëheqësit e shkollave, profesorët e kompozitorët e mirënjohur të Tiranës, Durrësit e Gjirokastrës.

Liri Shkëmbi, e ndjerë, ish drejtoreshë e suksesshme, veprimtare e atdhetare e shkollës së binjakëzuar “Niket Dardani”, Tiranë.

Liliana Zaimi, një zonjë e rëndë, shumë fisnike e bujare, ish nëndrejtoreshë. Mësimdhënësin Astrit. Ariana Maçin, drejtoreshë e suksesshme në disa shkolla të Tiranës, miken e dashur të shkollës sonë.

Kozeta Noti, e ndjerë, profesoreshë universitare, veprimtare e palodhshme, ish drejtoreshë e Qendrës Evropiane të Edukimit. Kompozitorin e mirënjohur e mikun e dashur të shkollës sonë, Agim Rrezën. Zija Zaimin, Migena Rizën, Jeta Dedën, Gjergj Memën, si dhe Babain e dëshmorit të kombit, luftëtarin e tri luftërave të të gjitha trojeve shqiptare, Skerdilajd Llagami, “Komandant Shpendin”, profesorin, veprimtarin e atdhetarin e shquar, Bardhyll Llagamin. Shkollën Dora D’Istria”. Shkollën e binjakëzuar “Hamza Muça”, Fatmira Mulliqin, drejtoreshën e miken e madhe të shkollës sonë, si dhe shumë personalitete të tjera, e në veçanti nxënësit dhe të rinjtë, ardhmërinë tonë të ndritshme të përbashkët. Për shkak të hapësirës së intervistës, duke ju kërkuar ndjesë për kohën, më duhet shkurtimisht t’i pasqyrojë edhe shumë veprimtari të tjera kombëtare.

Prej datës 18-23 shtator 2006, në vizitë në shkollën tonë ishin 8 nxënës dhe dy profesoresha të ShM “Andon Zako Çajupi, nga Tirana, Ina Kasimati dhe Ardita Repishti. Nxënësit tiranas u sistemuan në familjet mikpritëse e bujare të nxënësve të shkollës sonë.

Më, 23 shtator 2006 në Teatrin Kombëtar u dha shfaqja e përbashkët “Kush e solli Doruntinën”.

Më, 19 mars 2007 në Prishtinë, në bashkëpunim me QKK të Fëmijëve të Tiranës, dhe nxënësve të shkollës sonë u mbajt Festivali i Zërave të Rinj.

Më 27 mars 2007 në Tiranë ndodhi mrekullia.

U bë binjakëzimi i ndërmjet Shkollës “Niket Dardani”, Tiranë dhe Shkollës “Elena Gjika”, Prishtinë. Atmosferë e përzemërt e pritje e paparë ndonjëherë, e që përjetësisht nuk do të harrohet!

Prej datës 23-29 prill 2007, në Tiranë, nxënësit e shkollës sonë së bashku me nxënësit e ShM të Gjimnazit “Abdyl Frashëri”, të Malishevës, përfaqësuam Kosovën në Javën Ndërkombëtare të Sigurisë Rrugore. Fëmijë dhe të rinj të sigurt në rrugë të sigurta.

Nxënësit tanë së bashku me arsimtarët ishin mysafirë të shkollës së binjakëzuar, “Niket Dardani”. Nxënësit tanë qëndruan dhe u vendosën në familjet shumë mikpritëse e bujare të nxënësve të Tiranës, fal organizimit, angazhimit e mikpritjes së përzemërt të Liri Shkëbit, drejtoreshë e shkollës.

Ajo me pritjen e ngrohtë dhe shumë të përzemërt që kishte organizuar për ne, na tha duke m’u drejtuar mua personalisht kështu: “Gjatë këtyre ditëve sa do të qëndroni, nxënësit e ‘Elena Gjikës’, janë tanët, dhe se unë personalisht do të kujdesem për ta”. 

Nxënësit dhe arsimtarët e shkollës sonë prezantuan në orët mësimore dhe në aktivitetet e përbashkëta me nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës “Niket Dardani”.

Më 9 Maj 2007, në Tiranë, me rastin e Ditës së Evropës, nxënësit tanë me shumë sukses u paraqitën me këngë, ese e pikë baleti.

Më 30 shtator 2007, në Prishtinë, nxënësit e ShM “Andon Zako Çajupi”, së bashku me Ina Kasimatin, Gjergj Mema, profesor e regjisor i njohur, së bashku me nxënësit e shkollës sonë bashkërisht dhanë shfaqjen “Mashtrimi”, në Teatrin”Dodona”.

Më 17 nëntor2007, në Prishtinë, organizuar nga shkolla jonë u mbajt Festivali i Zërave të Rinj, Edicioni i Prishtinës, që do ta përfaqësojë Kosovën në Festivalin Mbarëkombëtar të Zërave të Rinj, që do të mbahet në Finalen e madhe në Tiranë.

Ishin përfaqësuesit dhe personalitetet e shquara nga Tirana, si Ardita Repishti, Agim Rrëza, profesor e kompozitor i nderuar, një grup nxënësish nga Tirana, me mësuesen e tyre të Baletit, Fridën.

Më, 25, 26, 27 nëntor 2007, në Tiranë, tri nxënëse të Shkollës sonë përfaqësuan shkollën e Kosovën, në Festivalin Mbarëkombëtar të Zërave të Rinj, ndërsa në finale që u mbajt më 27 Nëntor, në Sallën e Akademisë së Arteve, nxënësja e shkollës sonë Bleranda Çitaku, zuri vendin e dytë.

Po ashtu gjatë vitit 2008, u realizuan edhe shumë aktivitete të nxënësve e të rinjve nga Tirana, Gjirokastra e Prishtina.

Më 2 dhjetor, 2008, në Gjirokastër qëndruam një grup nxënësish të shkollës sonë dhe rë gjimnazit të Malishevës, me rastin e 100 Vjetorit të Gjimnazit të njohur”Asim Zeneli”.

Nxënësja Filloreta Raçi, e njohur si Fifi, u paraqit me monologun e plakës Nicë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, ku ngriti në këmbë publikun gjirokastrit.

Ndërsa, Agur Shala, Genta Deva dhe Fiona Gllavica, me potpuri vallesh popullore e dridhën skenën e Gjirokastrës.

Deri në vitin 2018, kur më 9 nëntor shënuam 12 vjetorin e bashkëpunimit mbarëkombëtar, si dhe 550 Vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, janë mbajtur shumë veprimtari të përbashkëta, si festivale, programe kulturor-artistike, shfaqje, ekspozita e promovime edhe në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë, pjesëmarrje në orët mësimore.

Është një përvojë e madhe dhe shumë e suksesshme. Kuptohet se lypset vullnet, punë, përkushtim, kohë e mund, por kur sheh rezultatet e sukseset, si dhe urat e lidhura të bashkëpunimit vëllazëror, na bën të gjithëve të ndjehemi krenarë. Për nxënësit e dalluar, të zgjuar e talente janë kujtime të paharruara, ndërsa njohja me njëri-tjetrin, miqësia, mikpritja e bujaria shqiptare mbeten përjetësisht!

Ftoj mësimdhënësit dhe nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës që ta vazhdojnë e thellojnë bashkëpunimin e tyre arsimor e kulturor, e veçmas Institucionet, si dhe drejtorët e shkollave, dhe koordinatorët e papërtueshëm.

Pas Pandemisë së mallkuar nuk po vërehet ndonjë vullnet e dëshirë e zjarrtë për të rifilluar me bashkëpunime e veprimtari të përbashkëta vëllazërore?!

Të filloni sa më parë!

Ju priftë e mbara!

Si mund të përdoret më efektivisht teknologjia në mësimdhënie për të përmirësuar përfshirjen dhe angazhimin e nxënësve?

Asnjë teknologji më bashkëkohore dhe më e përsosur nuk mund ta zëvendësojë një mësues të mirë që është shembull dhe profesionin e ka jo vetëm mision, por edhe pasion. Megjithatë disa metoda tradicionale të mësimdhënies për nxënësit e zgjuar e talente nuk kanë qenë fare tërheqëse, si dhe përmbajtja e teksteve në disa lëndë të caktuara mësimore. Pra, nuk kanë zgjuar interesim e as motivim, dëshirë për kërkim e hulumtim.

Puna në grupe një kohë nuk është punuar me përkushtim.

Ka munguar te disa mësimdhënës përkushtimi e qasja profesionale e nxitjes dhe përfshirjes të të gjithë nxënësve. Një pjesë e nxënësve kanë qenë pasiv dhe nuk janë angazhuar sa duhet.

Tani, Teknologjia në mësimdhënie po ua mundëson nxënësve të jenë më të pavarur në mendimin e tyre kritik, në aftësitë komunikuese, në ide, e veçmas në punën me grupe të kenë burime informacionesh të llojllojshme të vlefshme e shumë të suksesshme.

Nxënësve, u krijohet mundësia që në mënyrë të pavarur, por edhe me ndihmën profesionale të mësimdhënësve të bashkëveprojnë e komunikojnë lirshëm e të bashkëpunojnë në grupe me nxënës e shkolla të tjera, me rrethin, por edhe me studiues të kësaj lëmie nga mbarë bota.

A keni eksperimentuar me modele të ndryshme të mësimit, si p.sh. mësimi i personalizuar apo mësimi bazuar në projekte?

Kam provuar me metoda të ndryshme më bashkëkohore të mësimit të personalizuar, por po veçoj një përvojë timen jetësore fal nxënësve, idesë së tyre, përkushtimit e dëshirës për punën e realizimin e rrallë, e të veçantë te një Projekti madhor.

Viti 2018 ishte viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Më, 17 janar 2018, me klasat e 8-ta organizuam veç e veç sipas orarit mësimor të shkojmë te Shtatorja e kryetrimit tonë legjendar, heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit duke e nderuar e shpreh dashurinë e madhe për heroizmin e tij.

Nxënësit patën për detyrë që gjatë tërë javës orën e Gjuhës shqipe t’ia kushtojnë jetës dhe bëmave të tij me veprimtari të ndryshme e me punë të pavarur individuale e në grupe .

Më, 23 maj 2018, në Kryeministrinë e Shqipërisë, nxënësit e klasës së 8-të Elbion Redenica dhe Melos Kuçi prezantuan e promovuan aplikacionin “Scanderbeg”, me rastin e 550 Vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Po ashtu disa nxënës u paraqitën edhe me një program të shkurtër e simpatik kulturo-artistik me një recitim artistik nga Rita Shala, dy ese përmbajtjesore nga Eliza Gjoshi e Lisa Sahatçiu.

Gjithashtu, Elda Osmani, Driola Krasniqi e Shkurta Selmani, Punimin e përgatitur me letra të rrotulluara të portretit të Skënderbeut, ia dhuruan kryeministrit Edi Ramës.

Simbolika: 25 beteja i zhvilloi Gjergj Kastrioti, dhe 25 Vjet veprimtari të bujshme të Shkollës”Elena Gjika”, me Shqipërinë.

Edhe, kjo është një dëshmi e veprimtarive dhe projekteve ideore e madhore të nxënësve.

Si mendoni se mund të përfitojnë nxënësit nga përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie në të ardhmen?

Shumë! Veç të jenë të kujdesshëm në përdorimin e tyre, se u krijon mundësi e hapësirë shumë të madhe hulumtuese, zbuluese e një varg përfitimesh të dijes e të arriturave shkencore në të gjitha fushat e jetës. Ta ruajnë edhe gjuhën e komunikimit kulturor!

Dhe në fund, cila është porosia që u jepni mësuesve të rinj?

Para se të shkelni në pragun e shkollës, harrojeni çdo brengë personale e familjare tuajën. Përkushtim dhe vetëm përkushtim, durim dhe vetëm durim, dashuri dhe pasion për profesionin, se për ju fillon një rrugë e betejë e gjatë e dritës dhe diturisë. 

Rrëmbeni e pushtoni zemrat e nxënësve. 

Dhurojini atyre dashuri e ngrohtësi, buzëqeshje e çiltërsi, kënaqësi e qetësi, mësim e dituri, shkathtësi e lumturi. Ju mësuesit e ardhshëm para se të jeni mësues të mirë e të dalluar, të jeni edukatorë të mirë, të luani rolin e prindit, psikologut, pedagogut, po pse jo nganjëherë edhe të artistit. Të depërtoni thellë në botën shpirtërore e emocionale të nxënësve. Të keni kujdes të mos i lëndoni emocionet e tyre, dhe gjithmonë t’i kontrolloni emocionet tuaja. Në arsimin fillor edukimi e shkollimi duhet të jenë në radhë të parë. Për asnjë çast mos e lëni edukimin duke u mburrur me realizimin e plan-programit mësimor. Gjithmonë të jeni të përgjegjshëm dhe mësoni nxënësit edhe me shkathtësitë e jetës.

Të mos i ngarkojnë nxënësit me shumë detyra, e veçmas të jenë shumë të kujdesshëm në pyetjet e dhëna të ndërlikuara në disa tekste mësimore. Jo, për çdo ditë teste! T’i motivoni e shpërbleni nxënësit që lexojnë sa më shumë libra e lekturë shkollore. Të përqendroheni në zbulimin e mbështetjen e nxënësve të zgjuar e talent.

Intervistoi Ina Dede 

© Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT