• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

A Tribute of Gratitude for Father Liolin at first memorial in St. George’s Cathedral, Boston

October 5, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Daughter’s of St. George hoped earnestly that the first In memoriam service of Father Liolin would be a tribute of appreciation and gratitude for their beloved pastor at the St. George Albanian Orthodox Cathedral in Boston last Sunday. He had guided in prayer, had baptized, married and did funeral services for generations of families. It was almost an instinctive reaction that the large communal family of the faithful, who he had served for 50 years, set out to host a luncheon for the immediate family, “especially Margaret, priftëresha, and the children,” said Lisa Sotir from the Daughters of St. George. “Father Liolin was our priest for decades, but he was their father and husband. They gave up so much of him to us. They’ll be in the community, so that our church would thrive,” she explained. As the teachings tell us, gratitude is a simple yet most powerful act we can do for each other.

The liturgy at Church carried special significance, as Father Juxhin (Shkurti), the new priest, delivered his first service on the heels of the ordaination just the previous week. While the timing may feel serendipitous, the decadeslong work by Father Liolin and the diocese are recognized by the community. After the liturgy, over one hundred people went downstairs in the newly renovated hall. David Kosta, Lay Chairman of the St. George Advisory Board, describes it as lovely tribute to Father Liolin.

To help with the narration of his story, the Daughters had brought dahlias, Father’s favorite, that decorated every window and table, they served lakror, another favorite of his, ethnic desserts, fruit, salads and so on. The new priftëresha Livia Shkurti had prepared the traditional grurë for the memorial. Pictures of Father were on display throughout the church halls, a video feed and photo montage with the family ran on two TV screens while, in the Reception Room played a documentary about Fan Noli and Father Liolin.

Evans Liolin, son of the family, speaking on behalf of the Liolin family, gave “a hearty thank you to all who celebrated my father on his one-year memorial at St. George Cathedral. We are equally grateful to have spent quality time with many of you, nearly a year ago. Dad loved his adoptive community as much as his biological children. Collectively, we share our father’s appreciation for the arts, music, scholarship, and excellence in all its forms. So, it is with great honor that we wish, “I përjetshëm Kujtimi” for our father. “

At one particular moment, Evans recalled how at home the Liolins would have to stop what they were doing to join Father Liolin as he led them spontaneously into “Për Shumë vjet” at meals, house gatherings, and holiday guests. At the first memorial of Father’s passing, Evans said he was overcome “by a surprisingly gentle, yet unifying rendition of “Për Shumë Vjet, sung by everyone in attendance. Bravo, St. George…!”

Filed Under: Mergata

Për kë ndërtohen pallatet në Shqipëri?

October 5, 2024 by s p

Mimoza Dajçi/

Të gjithë ne si shqiptarë krenohemi me Nobelisten dhe Shenjtoren Nënë Tereza, e kush më shumë e kush më pak përpiqemi të dukemi paksa si Ajo, përsa i përket humanizmit dhe bamirësive të saj. Mirë deri këtu.

Këtë fenomen do ta lidh si padashur me rritjen e çmimeve të apartamenteve në Shqipëri. Kur pallatet nuk ndërtohen për shqiptarët në Shqipëri, për kë vallë ndërtohen, pasi sipas statistikave shqiptarët janë më të pakët në numër si konsumatorë të tyre. Këtë nuk e shpika unë, por e deklarojnë vetë disa përfaqësues të Real Estate në vend, apo agjentët imobiliarë, që kështu quhen kohëve të fundit edhe në Shqipëri.

Ata deklarojnë gjithashtu, se ata që blejnë më së shumti apartamente në Shqipëri, janë të huaj. Nuk po them t’i japin falë, por me llogjikën e ftohtë, mendoj se në ndërgjegjen e tyre e njohin shumë mirë varfërinë e popullit tonë, ku për afro gjysëm shekulli e la diktatura më e egër në Europë, mos strehimin, dhunën e persekucionin komunist si dhe papunësinë. Atëherë përse këto çmime kaq të lartë për shitjen e apartamenteve në vend.

Vërtetë ndërtuesit së pari shikojnë pasurimin e xhepave të tyre, e nuk i intereson varfëria e njerëzimit, por mos të na japin leksione nëpër studiot televizive duke “justifikuar” veten se çmimet e shitjeve të banesave përqark rajonit janë më të larta se në Shqipëri, kështu që detyrimisht duhet edhe ne (dmth ata) t’i bashkohemi atyre, e në vitet në vijim çmimet për shitjet e apartamenteve do të jenë akoma më të lartë.

Po patriotizmi ku shkoi, ndërkohë që Shqipëria është mbushur me të huaj, apo kush pyet për atë. Sigurisht nuk ka asgjë të keqe që shumë të huaj po jetojnë tashmë në vendin tonë, e janë kurdoherë të mirëpritur. Po shqiptarët; Aha s’keni për ti parë më. Ata po largohen nga varfëria, papunësia, korrupsioni e krimi i organizuar që ka mbuluar vendin. Ndërsa ne të tjerët që kemi vite që jetojmë jashtë sa herë që kthehemi në atdhe e ndjejmë veten të huaj në vendin tonë…

Nëse ju rastis të shikoni websitin e shitjeve të apartamenteve në Tiranë, Durrës, Vlorë e Sarandë, menjëherë të verbohen sytë nga eurot e larta të çmimeve që janë të paarritshme në blerje nga shqiptarët krahasuar me të ardhurat. Siç kemi dëgjuar pas bisedës që të interesuar të ndryshëm zhvillojnë direkt me një apo dy pronarë të këtij biznesi, këta të fundit thonë: “Unë vërtetë e shes 135 mijë euro, por kur të shkojmë tek noteri do të deklaroj që e shes 30 apo 40 mijë euro, aq sa e ka caktuar shteti shitjen e këtij apo atij apartamenti dhe pjesën tjetër duhet të ma jepni para në dorë”.

Këtij i thonë biznes, jo shaka. Çfarë tregon se pronari do që të bëhet apo është bërë milioner brenda dy sekondash me këtë lloj krimi të hapur. Të më falin noterët, por besoj ata nuk kanë informacion se çfarë ka në kokë e mendje pronari. Pse po ndodh kjo, apo që i-mobiliarët të justifikojnë deklarimet e tyre se çmimet e rajonit janë më të larta se sa në Shqipëri.

Dhe neve thonë ata, pasi i paska “zënë turpi” duhet të jemi në të njëjtin nivel me rajonin në këtë lloj biznesi. Kur shteti mor zotëri e përcakton qartë se x – apartament kushton 30 mijë euro, nuk i shikon agjenti i-mobiliar dokumentet për këtë çmim që e vendos në websitin e tij për shitje 135 mijë euro? Vërtetë rajoni përqark i ka çmimet e apartamenteve më të lartë se sa Shqipëria, por ndryshe standarti i jetesës në Shqipëri e ndryshe nëpër botë.

Do të kalojnë vite e Shqipëria nuk do të njihet më si Shqipëri, pra ju “takon” edhe juve ndërtues dhe i-mobiliarë të dashur të lodhni pak trurin për një emërtim të ri të vendit tonë, sepse dashur pa dashur jeni edhe ju shkaktarë të largimit të rinisë e popullit tonë nga toka mëmë.

Filed Under: Ekonomi

(Mos)uniteti i BE-së ndaj Kosovës

October 5, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Pikërisht mungesa e një konsensusi brenda BE-së lidhur me Kosovën e vështirësoi vendosjen e EULEX-it në terren, respektivisht vështirësoi rikonfigurimin e UNMIK-ut, duke e inkurajuar Beogradin që ta pengojë implementimin e Planit të Ahtisaarit edhe në veri të Kosovës. Mosuniteti i BE-së inkurajoi edhe Rusinë që ta refuzonte kalimin e Planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, që nënkuptonte dhe abrogim të Rezolutës 1244, edhe pse sekretari i atëhershëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, kishte dhënë një rekomandim të qartë në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit.

Vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Këshilli i Bashkimit Evropian e mori parasysh këtë fakt dhe theksonte se shtetet anëtare të BE-së do të vendosin marrëdhënie me Kosovën në pajtim me praktikat e tyre dhe të drejtën ndërkombëtare. Këshilli i BE-së po ashtu shprehte qëndrimin se Kosova është një rast i veçantë, sui generis. Por, njëkohësisht në këtë takim, vendet evropiane shpërfaqën një qëndrimin jo unik ndaj Pavarësisë së Kosovës, të adresuar mbi bazën e Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit. Duke dashur të evitonte përçarjen e brendshme, Këshilli i BE-së vendosi të mos pozicionohej lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Këtë mosunitet e kishte hetuar Rusia, kur në samitin e G8 në Heiligendammm 2007 u largua nga parimet e njohura të Grupit të Kontaktit për statusin e Kosovës, edhe pse thuhet se Merkel bëri përpjekje të kota për ta bindur presidentin rus për avantazhet e Planit të Ahtisaarit. Në këtë kontekst, presidenti Sarkozi kishte propozuar asokohe një shtyrje gjashtëmujore të rezolutës së KS-së të OKB-së.

Prandaj, ata që dizajnuan Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, qëllimisht përdorën referencën në Rezolutën 1244 të KB-së. Për këtë arsye, OKB-ja ose UNMIK-u mbetën neutrale. Sidomos pas pozicionimit të qartë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, shumica e vendeve anëtare përfaqësonin pikëpamjen se Pavarësia e Kosovës nuk binte ndesh me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe me të drejtën ndërkombëtare. Si preventivë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, BE-ja bënte thirrje për respektimin e parimeve ndërkombëtare të Helsinkut.

Për dallim nga shtetet e tjera, pesë vendet anëtare: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja e kundërshtuan njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Madje këtë qëndrim nuk e ndryshuan as pas opinionit juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili ngjashëm si dokumenti i Ahtisaarit e përjashtonte mundësinë e ndërlidhjes së Pavarësisë së Kosovës me lëvizjet e ndryshme separatiste në rajone të ndryshme të botës. Megjithëse ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së ranë dakord për ta përcaktuar Kosovën si një rast “sui generis” me qëllim që t’i hapej rrugë procesit të njohjes, qëndrimi i pesë vendeve kundërshtuese nuk ndryshoi deri më sot. Natyrisht, ky qëndrim jounik brenda shteteve anëtare e dobësonte, jo vetëm etablimin e suksesshëm të Perëndimit në Kosovë dhe në rajon, por njëkohësisht e dobëson rolin e politikës së jashtme evropiane në skenën ndërkombëtare.

Fakti që BE-ja nuk flet me një zë, nuk dihet nëse ndonjëherë në Bruksel ka pasur përpjekje serioze për të ndikuar te pesë vendet anëtare, për ta ndryshuar qëndrimin për Kosovën. Më i rëndësishëm se shqetësimi për aspiratat secioniste në vendet e tyre, në Katalonjë, në Baskë, në veriun e Qipros turke, është solidariteti midis vendeve me shumicë krishtere-ortodokse ose ndonjë konsideratë tjetër gjeopolitike me Serbinë. Vetëm Greqia, për dallim nga katër vendet e tjera anëtare ka ndërtuar lidhje të ngushta me Kosovën, por pa njohje.

Dhe pikërisht mungesa e një konsensusi brenda BE-së, lidhur me Kosovën e vështirësoi vendosjen e EULEX-it në terren, respektivisht vështirësoi rikonfigurimin e UNMIK-ut, duke e inkurajuar Beogradin që ta pengojë implementimin e Planit të Ahtisaarit edhe në veri të Kosovës. Mosuniteti i BE-së inkurajoi edhe Rusinë që ta refuzonte kalimin e Planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, që nënkuptonte dhe abrogim të Rezolutës 1244, edhe pse sekretari i atëhershëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, kishte dhënë një rekomandim të qartë në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit.

Sidoqoftë, shefi i OKB-së njoftonte Kosovën dhe Serbinë se zgjidhja e tij ishte praktike dhe neutrale karshi Kosovës, duke njoftuar për qëllimet e tij lidhur me rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në frymën e zhvillimeve të reja në Kosovë. Në këtë kontekst, rikonfigurimi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë ndodhi si kompromis, i cili u arrit mes sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, presidentit të atëhershëm serb dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së, ndërsa duke shpërfillur fare pozicionin e Kosovës. Nga ky moment, EULEX-i u fut nën ombrellën e OKB-së, respektivisht në kuadër të Rezolutës 1244, gjë e cila e limitonte ndjeshëm autonominë dhe funksionalitetin e misionit evropian në Kosovë. Kjo u konfirmua edhe përmes letrës së Ban Ki-Moonit drejtuar Havier Solanës më 13 tetor, përmes saj ai rikujtonte se EULEX-i mund të vendosej në Kosovë vetëm duke iu përmbajtur qasjes së neutralitetit ndaj statusit të Kosovës.

Se a do të bëhet një ditë problematike për Kosovën referenca mbi rezolutën 1244 në deklaratën e pavarësisë të 17 shkurt të vitit 2008, mbetet të shihet. Por, sa më gjatë të mbetet në fuqi dhe sa më gjatë që zgjat procesi i Brukselit, nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të na thuhet, si në rastin e Gjykatës Speciale apo të Asociacionit, përse kundërshtoni tani kur ju vetë në pikën 12 të deklaratës së pavarësisë e keni futur këtë paragraf, në të cilin thuhet decidivisht se Kosova “do të veprojë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999)”.

Ky vendim ishte një zmbrapsje e madhe e BE-së nga mandati fillestar i EULEX-it, i definuar edhe me Planin e Ahtisaarit. Në të njëjtën kohë, ky status i EULEX-it u bë pengesë për vendosjen e rendit dhe ligjit, sidomos në veri të Kosovës, aty ku operonin strukturat ilegale të Serbisë, të cilat në vazhdimësi u mbështetën politikisht dhe financiarisht nga Beogradi dhe u bënë barrierë e integrimit të serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës. Për këtë arsye, shpeshherë pati përplasje mes qeverive të Kosovës dhe misionit EULEX.

Rasti më i rëndë dhe i veçantë ishte ai i 25 korrikut 2011, kur EULEX-i refuzoi aksionin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen nën kontroll të dy pikave kufitare 1 dhe 31 në kufirin verior Kosovë-Serbi, të cilat që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës ndodheshin jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore kosovare dhe ndërkombëtare. Për dallim nga misioni i BE-së, Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) doli në mbështetje të aksionit të ekzekutivit kosovar. Pozicioni i vazhdueshëm i EULEX-it kundër operacioneve të Qeverisë së Kosovës nga atëherë e deri më sot buron pikërisht te mandati i tij gjysmak, te “neutraliteti ndaj statusit”, që nënkupton se misioni evropian, ashtu si edhe organizatat e tjera ndërkombëtare, e trajton Kosovën si një “çështje” të papërfunduar, pozicion ky koincidon me intencën serbe të përkohshmërisë.

Vendimi i GJND-së, Dick Marty dhe bisedimet pa mbarim

Si në procesin negociues të Rambujesë, edhe në procesin e Vjenës për adresimin e statusit final të Kosovës, Rusia ndoqi të njëjtën metodologji. Ajo kërkoi koncesione të njëpasnjëshme, dhe në fund refuzoi krejt procesin negociues. Edhe pse Moska kishte pranuar parimet e përgjithshme të Grupit të Kontaktit për adresimin e statusit final të Kosovës, të cilat u bënë përcaktuese për misionin ndërmjetësues të Martti Ahtisaarit, në fund të procesit, Moska doli kundër propozimit të Ahtisaarit dhe paralajmëroi se do të përdorte veton e saj për ta penguar miratimin e këtij dokumenti në Këshillin e Sigurimit, që në fakt do të nënkuptonte miratim të një rezolute të re, e cila do të ishte ekuivalent me njohjen universale. Meqenëse Kosova u pengua nga Rusia në Këshillin e Sigurimit, ajo u detyrua të kërkojë njohje individuale, veç e veç, nga shtete të ndryshme të botës.

Nga ana tjetër, kërkesa për një opinion ligjor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë, e iniciuar nga Serbia, u prit me shumë interes nga shtete dhe nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare. Kosova është për herë të tretë brenda një periudhe të shkurtër në qendër të shkencës së të drejtës ndërkombëtare. Diskutimi i parë intensiv mes ekspertëve ndodhi pas ndërhyrjes së NATO-s më 1999. Sërish, filluan diskutime intensive mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

“Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare” – ishte kjo përgjigjja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të përgjigjet në pyetjen: “A ishte deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.

Kjo fitore e madhe e Kosovës në GJND u amortizua nga dy ngjarje të papritura vetëm pak muaj më vonë: E para ishte miratimi i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 9 shtator 2010 dhe më pas bërja publike e Raportit të senatorit zviceran Dick Marty, me pretendimin për “trafikim organesh nga pjesëtarët e UÇK-së”.

Si rezultat i raportit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 64/298 të paraqitur nga Serbia dhe e bashkësponsorizuar nga vendet anëtare të BE-së. Serbia fillimisht kishte dashur të dënonte shpalljen e njëanshme të pavarësisë dhe të inkurajonte bisedime të reja për statusin, por më pas ra dakord për një draft të ndryshuar që mbështet negociatat me Kosovën dhe nuk përmban më një dënim të shkëputjes së Kosovës.

Rezoluta e OKB-së ua hap rrugën bisedimeve direkte mes të dyja palëve, të parat që kur Kosova shpalli pavarësinë. Njëkohësisht, ajo njohu opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme. Në pikën 2 të kësaj rezolute me një gjuhë ekstensive dhe burokratike thuhej se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së: “Përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar një proces dialogu midis palëve; procesi i dialogut në vetvete do të ishte një faktor për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon, dhe ky dialog do të synonte promovimin e bashkëpunimit, arritjen e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve”.

Në fakt, kjo nënkuptonte arritjen e tri qëllimeve madhore të dialogut: integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, normalizimin e gjendjes me popullatën serbe që jeton në veri të Kosovës, e cila për shkak të neglizhencës ndërkombëtare dhe të presioneve politike e financiare të Beogradit mbetet e paintegruar në institucionet shtetërore të saj dhe evropianizimin e Serbisë. Për këto trembëdhjetë vjet, nuk ka ndodhur as njëra dhe as tjetra. Ndërsa, pesë vendet e BE-së dhe Rusia, megjithatë, vazhduan si gjatë procesit të GJND-së, ashtu edhe më vonë, të mbanin qëndrimin e tyre të mëparshëm kundërshtues ndaj Kosovës, e që nënkuptonte edhe minimin e përpjekjeve për etablim të Perëndimit në Kosovë dhe rajon. Në këtë mënyrë, pesëshja mosnjohëse e BE-së hap pas hapi ka arritur të ndërtojë unitetin evropian kundër Kosovës. Kishte vite që BE-ja nuk po fliste me një zë për Kosovën, por ky mosunitet gjithashtu ka ndikuar në përpjekjet evropiane për ndërmjetësim në dialogun Kosovë–Serbi, ose siç i pëlqen BE-së, lehtësimi “i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Nga kjo premisë, BE-ja gradualisht ka rrëshqitur në njëanshmëri në procesin e Brukselit dhe, si rrjedhojë, ka vite që procesi i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve të Ballkanit ka ngecur në vend, ose thënë më saktë, ka mbetur te Ura e Mitrovicës.

Çështja e Dick Marty-t me ngjyra raciste

Sa i përket Dick Marty-t, duhet pranuar se Kosova u kap në befasi. Ajo kishte kohë që po qëndronte duarkryq, në kohën kur Serbia, së bashku me aleatët e saj, fare haptas e nisi fushatën e saj për ta përmbysur të vërtetën. Për këtë shpërfillje tonën ndaj akuzave krejtësisht të padrejta, faji nuk është vetëm i elitës politike shqiptare, por edhe i historianëve, akademikëve dhe krijuesve të tjerë, bashkë me institucionet ku punojnë.

Derisa të gjitha agjencitë e specializuara ndërkombëtare që operonin në Kosovë u bënë vazhdimisht si të painformuar për atë se kush qëndronte pas trazirave të marsit 2004, e të cilat Kosovës i kushtuan me imazh dhe çmim të lartë në Procesin e Vjenës, në rastin e pjesëtarëve të UÇK-së kishte një zell të papërmbajtur, shpeshherë edhe nga naiviteti i brendshëm, për ta akuzuar për çdo të keqe dhe vrasje enigmatike. Sigurisht se jo të gjithë ishin engjëj, por këmbëngulja se një pjesë të shqiptarëve i paska vrarë UÇK-ja e krijoi terrenin për raportin e Dick Marty-t.

Shkrimtari Ismail Kadare e kishte thënë qartë: “Çështja Dick Marty nuk kishte pse të krijonte panik në të dy shtetet shqiptare,”, por ai pohon se ky raport kishte ngjyra racizmi, në mënyrën e bujshme dhe jokorrekte, siç u shpall skandali. “U ngjante rrëfenjave me vampirë e me vrasje rituale, tepër të përshtatshme për psikoza raciste, siç kishin bërë racistët gjermanë kundër hebrenjve, në prag të Holokaustit.”

Në këto rrethana dhe sidomos pas miratimit të raportit të tij nga Këshilli i Evropës, më nuk kishte alternativë tjetër, pos të hapej rruga për hetime ndërkombëtare, sepse çdo kundërshtim do të konsiderohej brenda dhe jashtë si një arsye për fshehjen e krimeve të luftës. Përfundimisht, pas shumë presioneve nga brenda dhe jashtë, më në fund, në gusht të vitit 2015 ndodhi edhe miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Të duket pak e pabesueshme kur sheh se sipas nenit 13, qëllimi i tij është që në bazë të së drejtës zakonore ndërkombëtare gjatë juridiksionit kohor të Dhomave të Specializuara, krime kundër njerëzimit janë veprat e paraqitura në vijim, “kur ato kryhen si pjesë e ndonjë sulmi të gjerë ose sistematik, drejtuar kundër popullatës civile, duke qenë në dijeni për sulmin: a. vrasja, b. shfarosja, c. skllavërimi, d. dëbimi, e. burgosja, f. tortura, g. përdhunimi seksual, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyruar, shtatzënia e detyruar dhe çdo formë tjetër e dhunës seksuale, h. përndjekja mbi baza politike, racore, etnike ose fetare, i. zhdukja e detyruar e personave dhe veprimet e tjera çnjerëzore.”

Lajtmotiv i themelimit të Dhomave të Specializuar në Hagë, të cilat u bënë vetëm pas presionit të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga partnerët e Kosovës, ngjashëm si tani për Asociacionin, thuhet se ishte kënaqja e Beogradit. Sidomos që nga viti 2012, kur u riciklua elita neomillosheviqiane, në Serbi, në kuadër të platformës politike të “botës serbe”, është projektuar synimi për ta parë UÇK-në të poshtëruar në nivelin ndërkombëtar si organizatë kriminale. Dhe, në rast se ndodh kjo, domethënë nëse dënohen krerët e saj, atëherë Beogradi do të kalonte në ofensivë agresive diplomatike, sepse dokumentimi eventual nga gjykata se është kryer krim kundër njerëzimit, bëhet dokumentacion i përhershëm historik, çka do ta njolloste Kosovën përgjithmonë.

Me këtë rast, Kosova do të portretizohet në Beograd dhe nga miqtë e saj në botë si një entitet i paligjshëm dhe natyrshëm kjo do të dëmtonte përpjekjet e Kosovë për njohje, anëtarësime të reja dhe integrim në sistemin ndërkombëtar. Në një rast të tillë, Serbia do të dilte me histori më të pastër sesa që është në realitet.

Ndoshta është akoma herët të thuhet, por është e vështirë të besohet se kjo gjykatë u etablua vetëm për drejtësi, pasi në anën tjetër, çështja e krimeve të luftës, e të pagjeturve nuk është adresuar akoma. Për më tepër, Serbia që nga 10 qershori i vitit 1999 ka punuar pa reshtur për të mohuar krimet e kryera nga strukturat shtetërore të sigurisë, duke i mëshuar fort narrativës se nga të gjitha anët kishte viktima dhe kriminelë. Derisa ndërkombëtarët në Kosovë na rrinin mbi llupë, duke na sugjeruar se nuk ishte e nevojshme të përsëritej vazhdimisht e kaluara, Serbia përdori hapësirën kohore 25-vjetëshe për ta shkruar historinë sipas nevojave politike.

Derisa në Serbi glorifikohet e kaluara dhe krimet e regjimit të Millosheviqit, madje punohet për ta vazhduar projektin e papërfunduar të Serbisë së Madhe, njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës në Hagë po gjykohet elita politike, të cilën koincidencë jo të rastit e kishte dënuar edhe regjimi i Millosheviqit. Kjo është gjykata e gjashtë që heton UÇK-në, derisa krimet mbi shqiptarët mbeten akoma të paadresuara, madje edhe për varrezat masive që ndodhen në Batajnicë dhe gjetiu në Serbi. Por, kjo gjykatë njëetnike për Kosovën gjithashtu erdhi në kohën që pati një rënie të ndikimit perëndimor dhe kur në horizonte po shfaqej kriza e Ukrainës, që kishte nisur me agresionin rus ndaj Gjeorgjisë. Dhe kjo ishte koha kur Serbia filloi ta materializonte strategjinë për simetrizimin e krimit, për çka kishte punuar çdo ditë për të krijuar një version të ri të ngjarjeve për Kosovën. Për shtetet si Kosova, në kohën kur historia po rishkruhet me manipulime nga Serbia dhe nga serbët, dënimet eventuale të krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara do të kishin vlerë të pallogaritshme për ta legjitimuar narracionin dhe tendencën serbe për simetrizim.

Në fakt, vetë akti i themelimit të Gjykatës Speciale për gjykimin e protagonistëve të UÇK-së, veç ka krijuar një avantazh politik për Beogradin, jo vetëm për simetrizimin e krimit, por edhe për kultivimin e narrativës historike të vetëviktimizimit të kombit “superior” serb. Ky diskurs, në fakt, ka marrë hov sidomos me rikthim në skenë të klasës neo-millosheviqiane, përkatësisht e mbetjeve të politikës luftënxitëse, e cila, përkundër faktit se në vitet 1999 dhe 2000 ishte në listën sanksionuese të BE-së bashkë me Millosheviçin dhe familjarët e tij, vazhdon të konsiderohet pragmatiste dhe e preferuar nga Perëndimi dhe sidomos nga BE-ja.

Prandaj, nuk është e rastit, që pjesëtarët e kësaj klase politike, si Daçiqi në prill të vitit 2023 të deklaronte publikisht në Këshillin e Sigurimit se Serbia ka një histori të pastër, ndërsa kriminelët janë në radhët e shqiptarëve të Kosovës. “Unë kam nënshkruar marrëveshje me z. Thaçi. Ku është ai tash? Pse s’jam akuzuar unë ose presidenti Vuçiq?”, deklaronte ai plot mburrje dhe krenari. Ky diskurs i ish-vartësit të Millosheviqit, tani bën moralin dhe shfrytëzon aktakuzën e Gjykatës Speciale jo vetëm për të mohuar krimet e kryera nga shteti serb, por provon se ai dhe presidenti serb nuk kanë asnjë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë në të kaluarën. Pikërisht për këtë qëllim, Serbia, ku historia po rishkruhet me manipulime, që tani është e përgatitur për narracionin e saj dhe fushatën diplomatike kundër Kosovës në rast epilogu të Gjykatës Speciale në Hagë, i përgjigjet narracionit të saj historik.

Po të kishim si pikënisje skenarin serb, atëherë i bie që në Gjermaninë e viteve 1970-ta, të mos kishim kancelar Willy Brandt, një luftëtar të vendosur kundër regjimit nazist të Hitlerit, por ndonjë nga ministrat apo zëdhënësit e Qeverisë së Hitlerit. Nëse Brandt më 1970 u gjunjëzua para memorialit të viktimave në Varshavë, kjo nuk ishte se ia kërkoi dikush, por e bëri sepse po përpiqej për pajtim me popullin polak dhe se po angazhohej për një të ardhme evropiane në mes të dy popujve. Në anën tjetër, Serbia dhe elitat e saj politike, jo se nuk kanë bërë ndonjë hap për korrigjimin e qëllimeve hegjemoniste mbi shqiptarët e Kosovës, por duke qenë edhe vetë pjesë e regjimit dhe e Qeverisë së Millosheviqit, nuk kanë hequr dorë nga bërja e projektit të Serbisë së Madhe dhe doktrinën serbe, e cila përherë konsistoi në veprimet shfarosëse, në dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe serbizimin e saj për të arritur një popullsi homogjene, jo ndryshe nga Gjermania hitleriane “Ein Reich, ein Volk, ein Führer.”

Por, për dallim nga Gjermania, në fund të luftës, Serbia nuk u detyrua ta pranonte humbjen dhe as të merrte përgjegjësinë politike dhe financiare për atë çfarë kishte bërë në Kosovë, prandaj ajo nuk pati shansin ta shohë veten në pasqyrë dhe as të shërohej nga megalomania dhe ambicia për sundimin e të tjerëve. Natyrisht, parakusht për “normalizim” dhe shërimi i Serbisë nga megalomania kombëtare dhe dëshira për ta kërkuar lumturinë e saj jashtë kufijve aktualë, do të kishte qenë zbatimi i “ekuivalentit gjerman” në qershor të vitit 1999, respektivisht vendosja nën kontrollin ndërkombëtar sipas modelit të Gjermanisë post-naziste më 1945. Po të ndodhte kjo, Perëndimi do ta ndihmonte Serbinë të çlirohej nga e kaluara kriminale, e cila edhe sot në shoqërinë serbe interpretohet si krenari kombëtare, dhe i gjithë rajoni, bashkë me Serbinë, do të ishte evropianizuar.

Prandaj, nuk është rastësi që gjuha armiqësore e Beogradit kundër shqiptarëve është normalizuar dhe për shumëçka i ngjason asaj të viteve ‘90, kur Millosheviqi nisi realizimin e projektit për bashkimin e popullit “qiellor” në një shtet të madh serb. Kjo sjellje armiqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk ndryshonte nga ajo që shkroi në ditarin e fshehtë Victor Klempererit, “I will bear witness”, një nga dokumentet më të jashtëzakonshme të periudhës naziste, ku ai përshkoi se si, pak nga pak, antisemitizmi u bë një mënyrë normale e të menduarit dhe sjelljes në Gjermaninë e asaj kohe.

Nuk mund të shkosh në Bruksel për të negociuar për paqe dhe normalizim të raporteve dhe në të njëjtën kohë të proklamosh me demagogji paqe, bashkëpunim apo projektin “Ballkani i hapur”, dhe në anën tjetër, të projektosh një agresion ushtarak si në Banjskë apo të bëhesh sikur nuk di gjë për ekzistencën e varrezave masive të shqiptarëve në Serbi. Për më tepër, ky diskurs tregon se Serbia edhe më tej ka pikëpamje koloniale mbi Kosovën dhe shqiptarët. Ajo, ekzistencën e shtetit të Kosovës e sheh si pengesë të projektit serbomadh. Njëzet e pesë vjet pas kryerjes së krimeve të luftës, frika nga e vërteta në Serbi është ende e madhe. Shteti serb është i vendosur ta mohojë atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është indiferent dhe opinioni publik serb hesht. Ka pak shpresë se serbët mund të përballen me të kaluarën e tyre të përgjakshme.

Në kohën kur procesi i Brukselit ka përmbyllur trembëdhjetë vjet, makina propagandistike serbe, veçanërisht televizionet dhe gazetat vazhdojnë demonizimin e armikut, shqiptarëve të Kosovë. Edhe sot, shqiptarët paraqiten si jopopull, njësoj si hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa tentimi i BE-së për të normalizuar raportet Kosovë–Serbi përmes nismave të tilla si ajo franko-gjermane, deri më tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Prandaj, kur paralelisht me një dialog të tillë, Beogradi nuk heziton të ndërmarrë një aksion agresiv ushtarak kundër Kosovës, si ai në fshatin Banjskë, Serbia nuk e merr seriozisht BE-në dhe nuk e ka problem të bisedojë pa limit kohor dhe për këtë arsye, Serbia ka imponuar në Bruksel taktikën e bisedimeve për tema të veçanta, në mënyrë që ta zvarrisë procesin e dialogut.

Nuk mund të ketë zgjidhje për asnjë marrëveshje te veçantë mes Kosovë dhe Serbisë për aq kohë sa mungon një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative. Dhe pikërisht kjo është arsyeja që Marrëveshja e Ohrit ka mbetur pezull, në një lloj status-quo-je, e cila përputhet me strategjinë afatgjate serbe, për krijimin e një situate si konflikt i ngrirë me shpresën se një ditë mund të krijohet një moment i duhur gjeopolitik për t’iu rikthyer realizimit të projektit për një shtet të madh serb. Është pikërisht ajo që e thotë Ivana Stradner, ekspertja e fushës së sigurisë dhe informacionit dhe vëzhguese e gjendjes në Ballkanin Perëndimor, se “ashtu siç Putin akuzoi Perëndimin për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe kaloi jetën e tij duke u përgatitur për hakmarrjen e 2022-tës, Presidenti serb po përgatit hakmarrjen e tij për vitet ’90. Ai po pret vetëm momentin e duhur gjeopolitik”. Një gjë e tillë duket qartë edhe nga trajektorja e veprimeve të Beogradit karshi Kosovës nga Ohri e deri tek agresioni ushtarak në fshatin Banjskë.

Prandaj, pajtimi për Aneksin e Ohrit ishte vetëm një taktizim për të fituar kohë dhe për të krijuar epërsi në dialog. Kjo qasje e diskutimit për tema të veçanta, ku marrëveshja finale dhe njohja as që duken në horizont, duhet të shmangen nga Kosova, natyrisht edhe nga Brukseli, nëse dëshirohet sukses në dialog. Në këtë kuptim, Procesi i Brukselit nuk mund të shihet si një lloj kazantriqeje, ku mund të diskutosh gjithçka, edhe për dinarin, edhe për urën, edhe për targat, edhe tabelat e trafikut, por vetëm për normalizimin dhe njohjen jo. Pra, duhet të vlejë parimi, të cilin katër vjet më parë e kishte afishuar edhe vetë emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, se “nuk do të ketë marrëveshje për asgjë, derisa nuk do të ketë marrëveshje për çdo gjë”.

“Koha.net“

Filed Under: Analiza

VATRA NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE…

October 4, 2024 by s p

Letër e Kostandin Çekrezit, drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme Mehmed Konica, lidhur me veprimtarinë e tij dhe të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar kundër lobit grek në SHBA

Washington, më 19 maj 1920

Shkëlqesës së Tij,
Mehmet Konitza,
Ministër i Punëve të Jashtme
Hotel “Campbell”
Paris

I dashur im – Ministër,

Kam nderin t’ju vërtetonj marrjen e letrës s’uaj nga Londra më datë 14 prill, të kabllogramit t’uaj më datë 7 të këtij muaji, dhe të kabllogramit të fundit më 13 të këtij muaji. Besonj që do të më ndjeni, zoti Ministër, në qoftë se nuk konfirmohem plotësisht me këshillën t’uaj që të shkruanj një letër të veçantë për çdo çështje të veçantë, jo se nuk dua, por se nuk më mbetet kohë që të bënj ashtu. Por për lehtësi, do ta ndanj letrën në copra të veçanta, dhe në krye të letrës do të vë një indeks me tituj dhe faqe. Me gjith’atë, në qoftë se nuk e pëlqeni as këtë mënyrë, do të bënj paskëtaj ashtu siç më drejtoni.

I. Komploti i Esad Pashës

Me të marrë kabllogramin t’uaj më datë 7 të këtij muaji, në të cilin kishit mirësinë të më jepnit informata mbi komplotin e gatuar prej fqinjve t’anë, me Esadin si agjent, vajta që të piqnja Sekretarin e Shtetit, pas instruksjoneve të juaja. Por, për fat, z. Colby s’ish në zyrën e tij atë ditë, duke u ndodhur në New York, dhe kur u kthye ai unë u shtrëngova që të vinja në Boston për punën që do të shënonj më poshtë, paragrafi II. Nga Boston-i u ktheva më 12 të këtij muaji por, për fat të keq, rashë i sëmurë, dhe dje, pasi e ndjeva veten më mirë, vajta përsëri në Departamentin e Shtetit. Por, duke mos mundur që të shikonja z. Colby, më këshilluan që të fjalosnja me asistentin e tij, dr. Albert Shaw, të cilit i shfaqa me gojë punën. Zotëria e Tij, me të cilin u poqa vetëm një javë më parë, tregoj një interes të madh në këtë çështje dhe, pa pritur që të mbaronja mirë, më pyeti n’është frikë se mos përsëritet ai komplot. Kur i thashë se po, dhe se tërë këto ngatërrime vijnë ngaqë qeveria jonë s’është e njohur nga ndonjë anë, dr. më pyeti në kisha ndërmend ndonjë mënyrë përkrahje nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe m’u lut që t’ia shtronja përpara me të shkrojtur. Pastaj i fola për pamfletin që ka botuar z. Morton F. Eden dhe Zotëria e Tij më kërkoj me një herë një kopje.
Si përfundim të këtij bashkëfjalimi, pregatita memorandën, një kopje të së cilës e gjeni këtu brenda, të cilën ia dorëzova dr. Shaw sot. Zotëria e Tij më siguroj që t’ia parashtronjë me njëherë Sekretarit të Shtetit atë memorandë, dhe, që veç asaj, do t’i parashtronjë edhe shënimet e bashkëfjalimit që pata dje më të.
Në kabllogramin t’uaj më 7 të këtij muaji s’munda ta kuptonj mirë se cilët fqinjë keni ndërmend me fjalët “esty et ouest”, duke qenë se edhe Greqia, edhe Serbia janë në “est”. Unë mora me ment q’ish Greqia, duke parë se lajmet e para për komplotin e Esadit erdhën nga Greqia.
Siç do ta shikoni nga kopja e memorandës, unë propononj që qeveria amerikane të dërgonjë në Tiranë një komisar, duke qenë se kjo është gjëja më e lehtë që munt të bënjë me këtë rasë Amerika. Sa për çështjen e z. Townsend dhe të dërgimit të një njeriu t’ushtrisë në Korçë, u mështeta n’informatat e mia të veçanta që mora para një jave nga zyrtarët e Departamentit të Shtetit, të cilët i kisha për darkë. Ata zotërinj më thanë se z. Townsend s’do që të kthehet në Korçë, sepse e quan dërgatën e tij të pamjaftë, mbasi nuk i dhanë fuqinë e duhur që të punonjë. Gjith’ ai z. Townsend rekomandoj që, në vend të tij, të dërgoj një njeri të ushtrisë, se vetëm një njeri i atillë munt t’u bënjë ballë auktorëve ushtarake frënge.

II. Plebishit në Gjirokastër

Nga kabllogrami juaj me datë 13 të këtij muaji, ku thoni “anexe (27 avril) pas conforme instructions”, kuptonj se kundërshtimi është në pikën e plebishitit në Gjinokastër. Besonj që t’a kuptoni lehtë zoti Ministër, se nuk kam pasur asnjë qëllim që të vete kundra instruksjoneve t’uaja. Vetëm fati i lig e desh q’instruksjonet t’uaja m’erdhën me letër më 14 prill, dy ose tre dit pasi ia dorëzova Sekretarit të Shtetit memoranden e 27 prillit. Me vjen keq tepër që të ngjasë një punë e atillë, por, nga ana tjetër, kisha arsye që të vepronja n’atë drejtim. E para, ish që drejtori i Divizionit të Punëve t’Afër Lindjes më kish thënë, ashtu siç ju raportova në letrën t’ime më datë 5 mars, që mënyra e vetme për të shpëtuar atë vend dhe për të hapur përsëri bisedimin për fatin e tij ish proponimi i plebishitit. Veç asaj, z. Faik Konitza më dërgoj nga Roma një kopje të kabllogramit që i kish dërguar Presidentit Wilson prej kryekatundarit të Gjinokastrës, dhe n’atë kryekatundari proponon plebishit.
Me gjithë këto, nuk besonj që të jetë prishur ndonjë punë, se gabimi munt të ndreqet me një letër tjetër, porsa që të dalë një rasë e volitshme, ku do të them që gabimi ish i imi, mbasi s’i kuptova mirë instrukjet telegrafike. Po që të bënj një gjë t’atillë, pres çkoqitje me letër nga juve.

III. Fushata greke kundra nesh

Në këtë muajin e tërë grekët hapnë fushatën më të rreptë kundra nesh, qoftë me anën e tyre drejt për drejt, qoftë me anën e një shoqërie filogreke të quajtur “League of Friends of Greece”, duke përdorur argumentin e zakonshëm e të dorëshme që muhamedanët po therin të krishterët e Shqipërisë së Jugut. Pastaj nxuarr një raport të genjeshtërt që gjoja z. Townsend ka raportuar se, jo vetëm shumica e të krishterëve, por edhe një shumicë e muhamedanëve të Korçës duan bashkim me Greqinë. Këto lajme i përgënjeshtrova me anën e agjencisë Associated Press, me një buletin, përkthimin e të cilit do t’a gjeni në copën e “Diellit”, ashtu siç është marrë nga shtypi amerikan. Po, me qenë se grekët dhe miqtë e tyre s’pushonin s’ulërituri, pashë nevojën që të merrja ofensivën në vend të defensivës, dhe iu dërgova miqve të Greqisë letrën më datë 10 maj, të cilën e dhashë për botim edhe në shtyp. Q’ahere s’është dukur ndonjë lëvizje tjetër greke me anën e shtypit. Kopjen e asaj letre e gjeni këtu brenda.

IV. Rezoluta e Lodge-Moses për Epirin e Veriut

Po n’është se grekët u nemitnë për sa i përket shtypit, për fat tepër të keq na shojtnë neve nga një anë tjetër, dhe kjo mposhtje më ka tronditur edhe trupin, edhe shpirtin. Me zemër të drithëruar ju lajmëronj, se rezoluta Lodge – Moses, që proponon t’i jepet Greqisë “Epiri i Veriut” bashkë me Korçën, u pranua, pa bisedim, prej Senatit t’Amerikës, dy ditë më parë, d.m.th. më 17 të këtij muaji.
Sikundër ju kam shkruar më parë, kur u paraqit në krye ajo rezolutë shpejtova t’i dërgonja një letër protestimi senatorit Lodge dhe, nga ana tjetër, lajmërova shoqëritë shqipëtare që të bëjnë gjith’ashtu e të kërkojnë që të dëgjohen përpara Komisionit të Senatit. Në përgjigjen e tij më datë 17 mars, senatori Lodge më siguronte se do të përfillte kërkimin t’im. Kopjen e letrës së senatorit e gjeni këtu brenda. Veç këtyre, i shkrojta me një herë “Vatrës” që të dërgonte një avokat mik, Ernest Cawcroft, nga Jamestown-i, N.Y, që të punonte në Washington në mes të senatorëve. Për fat të keq, “Vatra” s’është më ajo e para që kurse mori kryesinë z. Kirka, i cili provohet tani që s’ka asnjë zotësi për atë punë. Duke mos marrë asnjë përgjigje me letrën t’ime, i hoqa “Vatrës” një telegram, ku i përgjëroja që të dërgonin me një herë z. Cawcroft.
Pasi shkuan edhe disa dit, zotërinjt’ e Boston-it më pyetnë me telegram se pse jo senatorin Lewis po z. Cawcroft, kurse unë iu kisha shpjeguar që z. Cawcroft është republikan dhe që janë senatorët republikanë ata që ngulin këmbë në rezolutën për të diskretituar Presidentin. Kur isha radhën e fundit në Boston i pyeta se çdo të bëjnë, po më thanë se duhet mbledhur Komisioni që të vendosë një punë të këtillë. Kështu qëndronte puna, kur më 4 të këtij muaji Komisioni i Punëve të Jashtme të Senatit e raportoj favorisht në Senat rezolutën. Më 8 të majit i dërgova një protestim senatorit Lodge, kopjen e të cilit e gjeni këtu brenda me buletinin e shtypit. Zotërinjt e “Vatrës” po flinin edhe, dhe vetëm imzot Noli u kujtua që të protestonte me kohë nga ana e kishës. Pa humbur kohë, i hoqa një tjetër telegram “Vatrës”, ku i rekomandonja përsëri që të dërgonte në Washington me një herë z. Cawcroft, duke i thënë se isha gati që të vinja në Boston për bashkëmejtim po të më hiqnin harxhet, duke qenë se kisha mbetur krejt pa të holla. Pasi shkoj pothuaj një javë, më në fund më ftuan të vinja në Boston, ku arrita më 10 të këtij muaji. Pas bisedimit që patmë, u kandismë më në fund që të porositnin z. Cawcroft të vinte në Washington, por kur iu kërkova një mijë dollarë që të punonja edhe unë nga ana ime më thanë se s’munt të më jepnin. Me gjith’atë, iu shtrova një plan veprimi, duke i këshilluar që të mbajnë një kongres të madh dhe që tërë shoqëritë shqiptare të dërgojnë protestime ndër senatorë. Nuk e di se ç’bënë me protestimet, po kuvendi do të mbahet pasnesër të dielë e të hënë, më 23 e 24 të këtij muaji, pasi iu gjeta unë përsëri një numër folës amerikan. Për fat të keq, duke qenë se ish lidhur me punëra të tjera, z. Cawcroft s’munt të vinte me një herë, po me gjithë’atë nisi të punonte shumë mirë që nga qyteti i tij, pas instruksjoneve të mia, kur pardje, më 17 të këtij muaji, Senati adoptoj pa bisedim rezolutën fatkeqe. Se çdo të bëjmë paskëtaj, as unë s’e di, sepse, nga njëra anë m’është prishur mendja krejt e s’e di se ç’udhë të marr, dhe se, nga ana tjetër, Kongresi mbyllet në dy javë e sipër. Ndonëse kjo e pangjarë më ka prishur gjakun krejt, është e tepërt t’ju siguronj se do të bënj ç’të më shkonjë nga dora.
Ndofta mund të thoni se përse s’punova më tepër nga ana ime. Sinqerisht janë këto: E para, se nuk kam të drejtë të merrem me çështje që i përkasin Senatit, duke qenë përfaqësonjës i një qeverie të huaj. E dyta, se s’kisha të holla që të punonja, indirekt, të paktën. Po të kisha të holla do të kisha pajtuar me një herë z. Cawcroft, me shpresë të plotë për fitim, se nga puna që po bën tani z. Cawcroft duket sheshazi që njeriu do të na kish mbaruar punë. Duke mos mundur, pra, që të punonjë drejt për drejt, dhe duke mos patur të holla që të punonja indirekt, iu drejtova natyrisht “Vatrës” por për fat të keq kryetari i saj s’qe i zoti sa të kuptonte me kohë rëndësin e punës të cilën e kuptoj vetëm kur ishte von. Me gjith’atë, pres nga Shkëlqesa Juaj që të pëlqenjë veprimin t’im në këtë çështje, e cila më ka tronditur shëndetin e trupit dhe paqen e mendjes.

V. Regjistrimi

Këtu brenda do të gjeni një kopje të certifikatës që u jap qytetarëve shqipëtarë që regjistrohen. Gjer më sot kanë arritur këtu 100 aplikata të mbushura, nga të cilat kanë sjellë 80 dollarë tërë-tërë. Aplikatat e tjera janë të mbushura, po gjenden edhe të përndara nëpër degë. Po kam frikë se shumë nuk do të regjistrohen nga shkaku i adoptimit të rezolutës, e cila do të trembë pa dyshim gjysmakët. Për t’i dhënë rëndësi regjistrimit, është nevojë që të lajmëroni qeverinë t’onë që të marrë masa për të dënuar ata që hyjnë në Shqipëri pa pasur certifikatë të regjistrimit dhe, porsa të merret ajo masë, të më lajmëroni me kabllë që t’a bënjë të njohur për shqiptarët e këtushëm. Po veç gjysmakëve, po dëgjonj se z. Dako po kundërshton regjistrimin nëpër kolonitë shqiptare, duke kallëzuar se këto ‘manovra’ përdoren prej Koniztës dhe “Vatrës” për të mbledhur të holla, pa ditur gjë qeveria shqipëtare. Z. Dako do që t’i njoh edhe shoqërisë së tij të drejtën që të vërtetonj nënshkrimet e atyre që regjistrohen, ashtu siç i është njohur “Vatrës”. Për t’i mbyllur gojën pra, dhashë për botim në shtypin shqiptar një lajmërim zyrtar, me anën e të cilit banj të njohur se e drejta e vërtetimit do t’i jipet çdo shoqërie tjetër, arrin që Pleqësia e tërë asaj shoqërie t’i dërgonjë përfaqësonjësit në Washington një shkresë zyrtare, me anën e së cilës të shfaqë besnikërinë dhe bindjen në qeverinë e kombit, si dhe dëshirën që të ndihmonjë për regjistrimin. Po pres tani që z. Dako të dërgonjë një letër t’atillë, po s’më besohet.

VI. 2000 $ nga “Vatra”

Në kabllogramin t’uaj të 13-ës së këtij muaji thoni se i kablluat “Vatrës” që të huanjë 5000 $. Sot mora një çek prej 2000 $ nga ajo, po s’më bën fjalë për të tjerat. Do të paguanj, pra, z. Putney të cilit i kam dhënë vetëm 100 $ gjer sot. Tani do të mundohem të punonj më lirë.

VII. Senati i Shqipërisë dhe Amerika

Nga korrespondencat e “Diellit” mora vesh për mbledhjen e Senatit dhe për votimet që bëri për të falënderuar presidentin dhe Amerikën. Është për t’ardhur keq që mbështjellja e Senatit s’mu bë e njohur me kabllo që të munt të bënja bujë në shtypin e këtushëm, i cili as që e vuri re atë lajm, e gjith’ashtu edhe për falënderjet. Votime të këtilla duhet të transmetohen me anën t’ime që të munt të bënj një vizitë zyrtare në Departamentin e Shtetit për të komunikuar falënderjet. Nga ana tjetër, falënderje t’atilla munt të më hapin edhe udhën për të vizituar Presidentin.

VIII. Nevoja për sekretar

Sikundër munt t’a kuptoni edhe vetë, punërat e mia këtu po shtohen dita me ditën dhe po arrijnë një shkallë t’atillë, saqë është njerëzisht e pamundur që t’u përgjigjem gjithë këtyre nevojave. E dini që këtu ka me mijëra shqiptarë të cilët dërgojnë letra me pyetje të ndryshme, dhe unë e kam bërë rregull që t’u përgjigjem të gjithëve që të fitonj besimin e tyre kundrejt qeverisë e t’iu tregonj se qeveria jonë nuk është qeveri anadollake, që të mos marrë në sy interesat dhe kërkimet e popullit. Tani, pra, ka arritur puna në një shkallë t’atillë që s’munt të mbanj rregull në punërat që janë të shumta. Nga ana tjetër, regjistrimi do vetëm një njeri të veçantë. Prandaj, do të marr lirinë që të pajtonj një njeri si shkronjës porsa të kthehen aplikatat e mbushura bashkë me pagesat, duke u nënkuptuar që nuk do të bënjë një gjë të tillë gjersa shuma e pagesave t’arrinj të paktën 500 $, se ahere mbushja e certifikatave do një njeri të veçantë.

IX. Vula e Zyrës

Jam munduar tepër gjersa të bënj një vulë për zyrën, veçanërisht për sa i përket shkabës me dy krerë. Pasi u këshillova me shumë artistë, arrita në përfundimin që po shikoni këtu. Kjo forma e shkabës do të jetë përbrenda vulës dhe an’e mbanë do të jenë fjalët: The Albanian Commissioner to the United States-Komisari i Shqipërisë, dhe nën shkabën do të jetë Washington D. C. Ndofta vula e tërë do të jetë gati përpara se t’a vë në postë këtë letër, dhe ahere do të shikoni formën e plotë.
I Shkëlqesës S’uaj, shërbëtor i bindur,

C. A. Chekrezi

AQSH, F. 151, V. 1920, D. 31, fl. 116-120.

@followers@top fans

Filed Under: Featured

SA JANË SHQIPTARËT TË (NËN) PËRFAQËSUAR NË ORGANET DHE INSTITUCIONET SHTETËRORE NË MAL TË ZI ?

October 4, 2024 by s p

Në pushtetin aktual në Mal të Zi, shqiptarët janë të përfaqësuar me katër pozita të rëndësishme. Ata ushtrojnë pozitën e nënkryetarit të qeverisë, të nën kryetarit të parlamentit dhe drejtojnë me dy ministri. Ky është një përfaqësim politik i cili erdhi si rezulltat i kualicionit të subjekteve të caktuara politike shqiptare me subjektin politik Lëvizja ‘Europa Tani’ (PES), subjekt ky i cili fitoi mandatin për formimin e qeverisë në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën vitin e kaluar në Mal të Zi.

S’ka dyshim se nga perspektiva e faktorit politik shqiptar, ky përfaqësim i tanishëm politik i shqiptarëve mund të radhitet si ndër arritjet më të mëdha të tyre gjatë periudhës së pluralizmit politik në Mal të Zi.

Por, shtrohet pyetja se si qendron situata e përfaqësimit (punësimit) të përgjithëshëm të shqiptarëve në nivelet e tjera të shërbimit publik, organeve,institucioneve dhe ndërmarrjeve shetërore dhe sa reflektohet ky përfaqësim i lartë pushtetar i tyre në Mal të Zi në ngritjen e të punësuarve të tjerë shqiptarë në këto institucione ?.

Megjithëse viteve të fundit,pra që nga ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi në vitin 2020 nuk kemi ndonjë raport zyrtar i cili tregon numrin apo përqindjen e shqiptarëve në organet e shërbimit publik(shtetëror), dihet mirë se shqiptarët vazhdojnë të jenë të margjinalizuar në këtë aspekt. Pra, edhe përkundër funksioneve të larta që shqiptarët ushtrojnë kohë pas kohe në qeveri, numri i përgjithëshëm i të punësuarve shqiptarë në institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore vazhdon gjithënjë të mbetet simbolik dhe nën nivelin e përfaqësimit të tyre proporcional.

Papunësia në vendbanimet shqiptare është mbi mesataren e papunësisë së përgjithëshme në Mal të Zi.Kohë më parë portali informativ UlqiniOnline publikoj një të dhënë e cila konstatoj se në ‘Ulqin janë ‘26 magjistra të papunë’. Është interesant se ky lajm erdhi përafërsisht në të njëjtën kohë kur u bë edhe rikonstruktimi i qeverisë së Malit të Zi, pra në muajin korrik të këtij viti, lajm ky i cili muar një vëmendje të jashtëzakoshme mediatike, kurse lajmi i ‘magjistarve të papunë’ për çudi nuk nxiti shqetësimin dhe vemendjen e askujt.

Elita politike e privilegjuar, me bazën e vet zgjedhore të diskriminuar ?!

Shqiptarët përbëjnë rreth 5% të numrit të popullsisë së Malit të Zi dhe përfaqësimi (punësimi) i tyre në organet shtetërore dhe ndërmarrjet publike vazhdon të jetë gjithënjë shumë i ultë në krahasim me përqindjen e tyre në numrin e përgjithëshëm të popullsisë në këtë shtet.

Për fat të keq mos përfaqësimi i duhur dhe proporcional i shqiptarëve në institucionet publike dhe shtetërore është një dukuri që është trashiguar nga pushteti 30-të vjeçar të DPS-it ( Partisë Demokratike të Socialistëve).Statistikat zyrtare të kohës së pushtetit të DPS-it tregojnë se shqiptarët në Mal të Zi nuk e kanë kaluar asnjëherë pragun e 1.3% të përfaqësimit të tyre në organet e shërbimeve publike dhe institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore, çka do të thot se për një kohë të gjatë atyre iu është mohuar një e drejtë themelore kushtetuese.

Vlen të theksohet gjithashtu se gjatë shumicës së kohës së pushtetit të DPS-it, drerisa në njërën anë shqiptarët ishin pjesë e atij pushteti dhe mbanin pozita të larta shtetërore, në anën tjetër dhe në mënyrë paradoksale, pjesa tjetër e shqiptarëve nuk ishin të përfaqësuar (punësuar) në mënyrë proporcionale në organet shtetërore dhe administratën publike në Mal të Zi. Pra, e kaluara na mëson se përfaqësimi politik i shqiptarëve përmes posteve dhe funksioneve të larta qeveritare, domosdoshmërisht nuk reflekton dhe nuk ndikon edhe në punësimin e përgjithëshëm të shqiptarëve në nivelet e tjera shtetërore. Kjo ka ndikuar, që në njërën anë të kemi një elitë politike të privilegjuar, kurse në anën tjetër baza e saj zgjedhore e diskriminuar.

Rikujtojmë edhe një herë Kushtetutën e Malit të Zi , (Nenin 79, pikën 10 të saj), ku thuhet se pjesëtarët e popujve pakicë, ku përfshihen edhe shqiptarët, u ‘garantohet e drejta e përfaqësimit proporcional’ në organet e shërbimit publik, në orgnet e qeverisjes shtetërore dhe atyre të vetëqeverisjes lokale. Për 34 vite me radhë shqiptarëve iu është muhuar një e drejtë e tillë dhe kanë pësuar diskriminim të vazhdueshëm në përfaqësimin (punësimin) proporcional të tyre. Asnjë qeveri e Malit të Zi,deri më sot nuk ka arritur që ta plotësojnë apo realizojnë këtë të drejtë të tyre kushtetuese. Përgjegjësi për mos realizmin e përfaqësimit (punësimit) proporcional të shqiptarëve në Mal të Zi, mbajnë edhe ato subjekte politike shqiptare të cilat përmes përfaqësuesve të vet, kanë bashkëqeverisur dhe kanë qenë pjesë e atij pushteti.

Edhe qeveria e tanishme e cila në përbërjen e vet ka katër pjesëtarë të përkatësisë shqiptare me poste të rëndësishme, e ka filluar mandatin e vet me mos përfaqësimin proporcional të shqiptarëve në organet dhe institucionet e tjera të shërbimit publik në Mal të Zi. Kur këto funksione dhe pozita të larta që shqiptarët mbajnë sot në qeverinë aktuale të Malit të Zi nuk pasojnë me rritjen e numrit të punësimeve të shqiptarëve në përgjithësi në nivelet e ndryshme të institucioneve shtetërore dhe publike, atëherë ashtu si në të kaluarën, këto poste shtetërore do të shihen nga të tjerët vetëm si avancim dhe arritje të karrierave të tyre personale dhe jo si një angazhim serioz edhe për punësimin e shqiptarëve në ndërmarrjet dhe institucionet e tjera shtetërore, gjithënjë sipas rregullit të përfaqësimit (punësimit) proporcional të tyre.

Mbetet të shihet në të ardhmen nëse do të ndryshojnë diçka pozitivisht në këtë drejtim por mendoj se egziston një skepticizëm i arsyetuar që kjo do të vazhdojnë të jenë një çështje e pazgjidhur edhe gjatë mandatit të kësaj qeverie.

Xheladin Zeneli

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT