• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

Roli i ri i Gjermanisë së bashkuar dhe Kosova

October 4, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Ribashkimi 34 vjet më parë e krijoi një Gjermani të fuqishme, nga e cila përfitoi jo vetëm BE-ja, por edhe rajoni si dhe Kosova. Mbyllja e çështjes gjermane e determinoi hapjen e çështjes së Kosovës.

Akti historik i bashkimit të Gjermanisë në një shtet të vetëm, që e realizoi një të drejtë të ligjshme të popullit gjerman për vetëvendosje, është një ngjarje e shënuar me rëndësi jo vetëm për kombin gjerman, por edhe në planin ndërkombëtar, sepse i dha një zgjidhje përfundimtare çështjes gjermane, e cila mbretëroi në skenën politike evropiane për dyzet e pesë vjet.

Shqiptarët e Kosovës, të cilët në ato momente po përballeshin me regjimin represiv dhe hegjemonist të Millosheviqit, e shihnin me simpati realizimin e së drejtës së popullit gjerman dhe kishin shpresë se sikur rënia e Murit të Berlinit, që e shënoi mbylljen e çështjes gjermane, edhe bashkimi i këtij shteti të fuqishëm evropian do të krijonte mundësi për hapjen e çështjes së Kosovës. Nëpërmjet bashkimit të rifituar kombëtar, elita politike gjermane dëshironte t’i shërbente paqes në botë dhe njëkohësisht të çonte përpara idenë e bashkimit të Evropës: “Nga toka gjermane do të dalë në të ardhmen vetëm paqe. Jemi të ndërgjegjshëm për faktin se pacenueshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe të sovranitetit të të gjitha shteteve në Evropë përbëjnë një kusht themelor për paqen”, zotohej Kohli në komunikim me liderët e shteteve evropiane.

Këto zotime të lidershipit gjerman ishin të domosdoshme për të krijuar besimin e vendeve fqinje, të cilat kishin frikë nga “instinktet e vjetra” pas bashkimit të dy shteteve gjermane. Ishin vetëm SHBA-ja me presidentin George H. W. Bush që i dhanë mbështetje të menjëhershme të drejtës së gjermanëve për vetëvendosje dhe ribashkim, përderisa liderët e shteteve evropiane u treguan të rezervuar. Kishte frikë se Gjermania e ribashkuar mund të kërcënonte ekuilibrat dhe sigurinë e Evropës. Mbi të gjitha, ky ishte preokupimi i Francës dhe i Britanisë së Madhe në reflektimet e tyre fillestare të rezervuara ndaj ribashkimit gjerman.

A do të ndryshonte politika e jashtme gjermane pas ribashkimit, ishte pyetja kryesore që preokuponte para së gjithash vendet fqinje të Gjermanisë. Kjo ishte arsyeja përse shteti i bashkuar gjerman hezitonte të merrte drejtues në politikën evropiane edhe pse kjo i kërkohej vazhdimisht nga aleatët evropianë dhe amerikanë, sidomos pas shpërthimit të luftërave në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Jo rastësisht edhe sot Gjermaninë e quajnë “një supremaci të pavendosur”. Në këtë mes edhe sot mbetet i shënuar roli i ministrit të Jashtëm federal, Hans Ditrich Genscher, i cili një vit pas bashkimit e hodhi hapin e madh të veçuar në politikën e jashtme, duke e mbështetur dhe njohur shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë. Një hap që u kritikua si nga OKB-ja ashtu edhe nga vendet e tjera evropiane, pasi që kjo njohje u konsiderua e nxituar dhe që çoi në përshpejtimin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Në Evropë, sidomos në Francë dhe në Britani të Madhe, kishte rezerva të mëdha nëse duhej ta mbështeste Evropa këtë hap.

Në librin e saj “Historia e Jugosllavisë në shekullin e 20-të”, historiania gjermane e Evropës Juglindore Marie-Janine Calic, shkruan: “Gjermania mbështeti aspiratat e pavarura të republikave të Sllovenisë dhe Kroacisë, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, si qeveritë në Londër, Paris dhe Uashington, mbrojti ruajtjen e Jugosllavisë”.

Në kontrast me homologët e tij evropianë, Genscheri mori mendimin “që në pranverën e vitit 1991”, se pavarësia e Sllovenisë dhe Kroacisë ishte një akt ligjor legjitim.

Edhe pas më shumë se tri dekadash, legjenda vazhdon se Gjermania e inicioi ose madje e shkaktoi shpërbërjen e Jugosllavisë përmes njohjes “së parakohshme” ose “të nxituar” të Sllovenisë dhe Kroacisë më 1991.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, kritikat nga pala franceze dhe ajo angleze vazhduan, madje duke e akuzuar qeverinë Kohl-Genscher se ishte e përgjegjshme për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe për luftërat që shpërthyen atje, për shkak të “veprimit të nxituar”. Debati ishte shumë i nxehtë edhe në Gjermani, ku Partia Socialdemokrate (SPD) ishte gjithashtu në mbështetje të “shpëtimit të Jugosllavisë”. Në mesin e ekspertëve gjermanë akoma nuk ishte formësuar saktë çështja e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe të komuniteteve të tjera në Jugosllavi, megjithëse vetëvendosja nuk përjashtohej nëse realizohej me mjete paqësore.

Gjermania dhe Kosova

Me gjithë kritikat nga pala franceze e ajo angleze patën efekt, sepse Qeveria Kohl-Genscher, duke e ndier peshën e akuzave se ishte përgjegjëse për shkatërrimin e Jugosllavisë, madje edhe për luftërat në Jugosllavi, filloi të ndiqte një kurs më të rezervuar në rastin e Kosovës dhe gjatë gjithë viteve të nëntëdhjeta pozicioni i saj u akomodua brenda linjës së BE-së dhe të SHBA-së dhe kërkimi i zgjidhjeve në kontekstin multilateral. Në këtë kontekst Boni e mbështeti iniciativën e Bashkësisë Evropiane për krijimin e kushteve të njohjes së shteteve të reja. Komisioni Badinter, nën drejtimin e konstitucionalistit francez, Robert Badinter, dhe më pas konferencat e Hagës dhe Londrës, forumet multilaterale përmes të cilave diplomacia gjermane bëri përpjekje ta shtynte për zgjidhje edhe çështjen e Kosovës, e cila për shkak të luftërave në Kroaci dhe Bosnjë kishte rrëshqitur në periferi.

Paralelisht me këtë, diplomatët gjermanë, siç dëshmojnë edhe dokumentet e Arkivit Politik të Ministrisë së Jashtme Gjermane në Berlin, e ndiqnin me vëmendje situatën në Kosovë. Sipas një raporti të Ambasadës Gjermane nga Beogradi në dhjetor të vitit 1991, diplomati gjerman dr. Schmitt gjatë një vizite zyrtare në Kosovë kishte zhvilluar një bisedë me Ibrahim Rugovën, asokohe kryetar i LDK-së, por që konsiderohej lider i shqiptarëve të Kosovës. Në raportin e tij diplomati gjerman pohon se Rugova kishte deklaruar se në rast se Jugosllavia vazhdon të ekzistojë, Kosova duhet të bëhet një republikë e barabartë. Por, po ashtu kishte deklaruar se në rast se kufijtë brenda Jugosllavisë ndryshojnë sipas parimeve etnike, Kosova dëshiron një bashkim me pjesët e populluara me shqiptarë në Malin e Zi dhe në Maqedoni. Sipas raportit të Ambasadës Gjermane në Beograd, Rugova kërkonte një shtet të pavarur shqiptar, në rast të shpërbërjes totale të Jugosllavisë. Sipas raportit, ai nuk kishte kundërshtime themelore ndaj ndarjes së Kosovës veriore me Serbinë, por nënvizonte se vetëm një komunë, Leposaviqi, kishte një shumicë serbe. Rugova gjithashtu shprehu se në një Kosovë të pavarur do të jepeshin të drejta për pakicat dhe “eksterritorialitet për manastiret serbe”.

Diplomati vuri re se shumica e bashkëbiseduesve në Prishtinë e konsideronin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë “të dëshirueshëm”, pavarësisht vështirësive ekonomike që kishte Shqipëria në atë kohë. Ai citoi se askush në Jugosllavi nuk mendon në terma ekonomikë, duke theksuar se problemet ekonomike të Shqipërisë ishin të përkohshme.

Në raport diplomati gjithashtu e përshkruan takimin dhe bisedën me publicistin Veton Surroi, i cili kishte theksuar nevojën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, por kishte shprehur mendimin se opsioni paqësor e kishte lënë çështjen shqiptare “jashtë lojës”. Ai gjithashtu sugjeroi se me krijimin e shteteve të reja kombëtare në Evropë, si Ukraina, në fund të këtij procesi do të formohej edhe një Shqipëri e bashkuar.

Pavarësisht këtij interesimi të shtuar të diplomacisë gjermane, lufta në Kroaci dhe në Bosnjë bëri që interesimi për Kosovën të binte gradualisht.

I vetmi angazhim ishte ai i diplomatit të njohur gjerman Geert-Hinrich Ahrens, i cili mbeti për disa vjet negociatori kryesor për Kosovën në konferencat për ish-Jugosllavinë në vitet 90. Nga viti 1991 deri më 1996, Ahrens ishte i vetmi diplomat që po bënte përpjekje për të hapur shtegun për negociata politike për adresimin e statusit, por pa sukses.

“Për bashkësinë ndërkombëtare qëllimet e shqiptarëve atëherë ishin të papranueshme. Një qëllim ishte ‘Shqipëria e Madhe’, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, tjetri ‘Kosova e Madhe’ duke përfshirë aty zonat maqedonase dhe ato serbojugore, dhe qëllimi i tretë pavarësia e Kosovës, ajo çfarë kemi tani. Por të gjitha këto ishin të panegociueshme, sepse ishte një ligj i padiskutueshëm i konferencave, që nuk lejohet të ketë asnjë ndryshim kufijsh. Prandaj u thosha shqiptarëve, që ne mund të negociojmë vetëm mbi bazën e asaj që më lejohet të negocioj”, kujton Ahrens.

Ai po ashtu thekson se Rugova, atëherë udhëheqësi i padiskutueshëm i shqiptarëve, kishte dy parime të patundshme: Kurrë më nën Serbinë, të paktën të arrihej pavarësia dhe tjetra që kjo të arrihej vetëm paqësisht. Mbi këtë bazë mund të negociohej diçka dhe Ahrensi gjatë shumë viteve negociimi përpiloi një plan për qasjen me tri faza. Së pari të bëhej diçka për gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut në Kosovë atëherë. E dyta ishte që të arrihej një lloj normalizimi në disa sektorë, duke filluar me arsimin, pra shkollat, universitetin. Dhe e treta do të ishte statusi, pra cila do të ishte e ardhmja e Kosovës.

Diplomatit gjerman e pranon se ishte shumë e vështirë të negociohej, për më tepër për faktin se brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe vetë në konferencat e Jugosllavisë nuk kishte ndonjë interes për çështjen shqiptare. Dhe kur Grupi i Kontaktit, me Marrëveshjen e Dejtonit arriti të jepte një zgjidhje për Bosnjë-Hercegovinën, vendet anëtare të BE-së nxituan të njihnin Jugosllavinë e mbetur të Millosheviqit, ndërkohë që në Kosovë po mbretëronte një situatë e aparteidit dhe e pastrimit të heshtur etnik. Si rrjedhojë, vetëm në Gjermani konsiderohej se kishin kërkuar strehim politik mbi 160 mijë kosovarë.

Lufta dhe intervenimi i NATO-s

Përjashtimi i Kosovës në Dejton konsiderohet si ora e lindjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe e radikalizimit shkallë-shkallë të situatës në Kosovë. Në këtë situatë erdhi deri te riaktivizimi i Grupit të Kontaktit për Ballkanin dhe te miratimi i një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat megjithatë dështuan të realizoheshin nga Beogradi. Dështimi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, që u vulos me masakrën e Reçakut, e cila në Perëndim solli në kujtesë imazhet e masakrave në Bosnjë, solli angazhimin më të vendosur të NATO-s rreth luftës në Kosovë. Konferenca e Rambujesë (shkurt-mars 1999) ishte përpjekja e fundit për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për Kosovën. Por, Rambujeja erdhi shumë vonë, deri atëherë kishin ndodhur shumë gjëra, shumë njerëz kishin humbur jetën. Për më tepër, Millosheviqi ishte i interesuar vetëm për një zgjidhje finale në Kosovë, që nënkuptonte dëbimin e tyre nga Kosova sipas metodave të përdorura mes dy luftërave botërore. Në këtë kuptim, ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, në memoaret e tij shkruan se “politika e Millosheviqit nga viti 1989, pothuajse deri në detaj ishte identike me dokumentin nacionalist të Vasa Çubrilloviqit, i cili u hartua me 1937 në Beograd… Por, Milosheviqi dukej se kishte harruar se Evropa nuk jetonte më në vitin 1937, porse kishte arritur në vitin 1999 dhe se bazohej në vlera krejtësisht të tjera”. Dështimi i Rambujesë la hapur vetëm një opsion, intervenimin ushtarak të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe.

Thyerja e tabusë

Më 24 mars 1999, intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës u bë realitet. Forcat ajrore të NATO-s goditën pozicionet ushtarake serbe. Në këtë luftë, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, po merrte pjesë edhe ushtria gjermane. Pasi Gjermania e mbante presidencën e radhës të BE-së, kancelari Gerhrad Shreder mbajti një fjalim të shkurtër në televizionin gjerman, ku ai nënvizoi dhe arsyetoi domosdoshmërinë e aksionit ushtarak, se përse ai ishte i pashmangshëm, se Gjermania ishte përfshirë dhe shpjegoi synimet e aksionit ajror të NATO-s. Gerhard Shrederi nuk iu shmang as thyerjes historike të tabusë, e që nënkuptonte pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në këtë fushatë ajrore: “Qeveria federale nuk e ka pasur të lehtë të marrë këtë vendim, së fundi, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore ushtarët gjermanë janë të angazhuar në aktivitet luftarak”, theksoi Shreder.

Fjalimi i kancelarit gjerman përfundoi me fjalët tejet të qarta për përgjegjësinë e Millosheviqit, si për fillimin e ashtu edhe për përfundimin e kësaj lufte.

Pjesëmarrja e Bundesverit gjerman në një operacion ushtarak, në luftën e Kosovës, ishte një komponent qenësor i vetëpërmbajtjes së parimeve të jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë gjatë katër dekadave, respektivisht qëndrimi se ushtarët gjermanë nuk duhet të dërgohen në luftë, më në fund u braktis. Ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, ishte figura kyç në luftën e Kosovës dhe një nga mbrojtësit e zjarrtë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut “edhe me mjete ushtarake, në rast nevoje”, duke e kundërshtuar fundamentalizmin e të gjelbërve se një hap i tillë po “militarizonte politikën e jashtme”.

Po kështu, edhe pas luftës, roli gjerman ishte domethënës në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Ishte Gjermania ajo që vuri në lëvizje Grupin e Kontaktit që të merrej me çështjen e adresimit të statusit final të Kosovës. Dhe ishin parimet e miratuara nga Grupi i Kontaktit në nëntor të vitit 2005, linjat mbi të cilat edhe i dërguari i OKB-së, Martti Ahtsaari, kërkoi zgjidhjen politike mes palës kosovare dhe asaj serbe në bisedimet e Vjenës. Dhe vetëm pas refuzimit rus dhe luhatjes së disa vendeve të BE-së për ta miratuar Planin e Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, bisedimet e ardhshme 120-ditore për statusin e Kosovës do të drejtohen sipas propozimit të Gjermanisë prej një trojke të përbërë prej ndërmjetësuesish të BE-së (Ischinger), të SHBA-së (Wisner) dhe të Rusisë (Harchenko). Pas dështimit edhe të kësaj nisme, çështja e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës duhej të ndodhte brenda propozimit të Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit.

Gjermania, e cila para 17 vjetësh kishte njohur pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, me çka e njohu fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë si realitet politik, ishte ndër shtetet e para evropiane që njohu shtetin e Kosovës, shtetin e shtatë të krijuar nga ish-shteti shumëkombësh jugosllav. Ministri i atëhershëm i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier (SPD), e përshkroi shpalljen e Pavarësisë të dielën si fundin e një procesi të gjatë dhe të vështirë të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Me këtë vendim Gjermania ndjek shembullin e Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë së Madhe dhe shumë vendeve të tjera.

Njohja e Kosovës, po ashtu, ishte një dëshmi e vullnetit dhe e rritjes së rolit të politikës së jashtme gjermane në Evropë.

Pesë momentet e angazhimit gjerman

Pas etablimit të marrëdhënieve dypalëshe në periudhën nga viti 2008, Gjermania, sidomos nga viti 2011 nga MPJ e Kosovës ishte projektuar si partner strategjik dhe adresën e rëndësishme politike në rrugën evropiane, ashtu si edhe për shtetet e tjera të Evropës Juglindore.

Me këtë rast duhet veçuar pesë momente të angazhimit gjerman:

Momenti i parë na kthen në vitin 1999, kur Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore merr pjesë në një aksion ushtarak jashtë kufijve të saj. Madje edhe pa një vendim paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke pasur si objektiv evitimin e katastrofës humanitare dhe ndalimin e dëbimit dhe vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës.

Momenti tjetër përcaktues ishte kur kancelarja Angela Merkel e vizitoi Beogradin në gusht të vitit 2011 dhe Prishtinën në dhjetor të po të njëjtit vit, ku për herë të parë propozoi hapa konkretë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Merkeli, me pozicionin dhe vendosmërinë e saj, ia dha mesazhin e qartë presidentit të atëhershëm serb, Boris Tadiq, se nuk do të tolerohej ndarja e Kosovës dhe se as nuk do të tolerohet rikthimi i rajonit në situatat e ngjashme si të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit XX, dhe se çfarëdo destabilizimi i Kosovës, do të jetë ndëshkues për perspektivën evropiane të Serbisë. Kancelarja gjermane së këndejmi dëshmoi lidership të vërtetë në drejtimin që duhej të merrte BE-ja në përmbylljen e suksesshme të stories kosovare dhe qëndrimit të vendosur në raport me Serbinë.

Momenti i tretë pa dyshim është angazhimi i Qeverisë Federale të Gjermanisë në Kosovë që nga paslufta e këndej. Sipas shënimeve zyrtare, Berlini zyrtar ka mbështetur Kosovën me qindra milionë euro, në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme. Në këtë frymë, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme që në tetor të vitit 2013 ka bërë zotimin e dy milionë eurove për projekte zhvillimore në veri të Kosovës, si dhe përkrahjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Momenti i katërt me rëndësi mbetet një qëndrim i tillë, i cili u demonstrua me vendosmëri edhe gjatë Konferencës së Berlinit (gusht 2014), kur Gjermania jo vetëm që e renditi Kosovën si të barabartë në tryezën e samitit, por përfundimisht dëshmoi se mbetet njëri nga aktorët kyç për integrimin evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Dhe pikërisht për këtë arsye, Konferenca e Berlinit është dëshmi jo vetëm e një roli të ri të diplomacisë gjermane, por edhe një përgjegjësi e re ndërkombëtare e këtij shteti për krijimin e stabilitetit dhe të perspektivës evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Momenti i pestë është po ashtu nisma franko-gjermane e vitit 2022, e cila arriti një lloj finalizimi problematik me Aneksin e Ohrit (mars 2023). Por, duhet pranuar se pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja, simfonia e politikës së BE-së në raport me Kosovën ka pësuar rënie vit pas viti. Ky angazhim gjerman ka marrë goditje vendimtare nga Serbia me rastin e sulmit ushtarak në Banjskë, vetëm pak muaj pas Ohrit dhe deri më tani Berlini dhe Parisi zyrtar nuk kanë arritur të ndërmarrin ndonjë qëndrim konkret ndaj Serbisë. Për më tepër, Beogradit, me letrën e ish-kryeministres Bërnabiq, i është njohur “ekuivalenti gjerman” i viteve 1970, respektivisht e drejta e konstatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Por, pa dyshim, qëndrimi i Gjermanisë për të mos e përkrahur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KiE, edhe pas goditjes që mori në Banjskë, ishte një hap i pabalancuar i diplomacisë gjermane, natyrisht edhe i politikës së BE-së. Ky qëndrim minoi jo vetëm besueshmërinë e të gjitha proceseve evropiane të bazuara në merita, por i dha edhe një goditje të rëndë vetë Marrëveshjes së Ohrit, e cila edhe ashtu po kontestohej nga Serbia. Për më tepër, dështimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës është një amnisti e pajustifikueshme për Serbinë për gjuhën dhe sjelljen agresive që ka manifestuar ndaj Kosovës, e cila kulmoi me rastin terrorist në Banjskë. Dhe kjo qasje asimetrike ndaj Kosovës kulmoi me njohjen e pasaportave paralele dhe ilegale të qendrës koordinuese serbe. Një vend serioz, siç është Gjermania, nuk mund të njohë edhe pasaportat e shtetit të Kosovës dhe pasaportat serbe, ku Kosova konsiderohet si pjesë e Serbisë. Prandaj, Gjermania duhet ta rishikojë këtë vendim të njëanshëm, të paktën për aq koha sa nuk mund t’ia imponojë qëndrimin e saj pesë vendeve anëtare të BE-së, që refuzojnë ta njohin Kosovën.

“Koha.net“

Filed Under: Opinion

Disa nga veprimet që duhet të bëjmë, për të pasur një jetë të suksesshme

October 4, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

1. Nuk ka gjëra ideale në jetën tonë reale. Duhet të mësohemi me idenë se nuk jemi të përkryer, por ta kemi synim përmirësimin e vazhdueshëm.

2. Nuk ka gati asnjë punë që mund ta kryejmë vetëm, prandaj duhet të kultivojmë raporte sa më të mira me njerëzit.

3. Më së shumti dhe në çdo rast na duhet ndihma e Zotit. Zoti u ofron ndihmë atyre që e kërkojnë, por që e kërkojnë sinqerisht dhe në mënyrën qysh Zoti e ka përcaktuar.

4. Familja ngritet me vështirësi, mund të prishet me lehtësi. Prandaj duhet shumë vëmendje, shumë kujdes, shumë durim, shumë dashuri.

5. Këshillat me ata që dijnë për problemet shoqërore janë obligim. Refuzimi i konsultimit ka rrezik që është egoizëm e mendjemadhësi, ndërsa egoizmi e mendjemadhësia shpien në gabime.

6. Vdekja mund të vjen kur nuk e mendojmë, prandaj duhet të jemi gati çdo herë që të dalim nga kjo botë me bilanc sa më pozitiv e duke lënë një emër e kujtim të mirë.

Filed Under: ESSE

Historiku i kërkimeve të fortifikimeve prehistorike në Shqipëri

October 4, 2024 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Deri në mesin e viteve 60’ të shekullit të kaluar, dihej fare pak mbi fortifikimet e periudhës së hershme të hekurit në Shqipëri. Ato pak vendbanime të fortifikuara të kësaj periudhe,që ishin konstatuar nga arkeologët austriak C. Praschniker e A. Schober në vitet e luftës I botërore, kufizoheshin vetëm në Shqipërinë veriore. Mangësitë në njohjen e materialit dhe mungesa e gërmimeve, i çuan ata edhe në ndonjë përfundim të gabuar, si p.sh. datim i fortifikimit me gurë të papunuar të Gajtanit në periudhën antike, kur teknikat e fortifikimit ishin shumë më të avancuara.  Ndërsa në Gajtan ata shohin “përfaqësuesin e parë të një qendre banimi ilire të lashtë, të painfluencuar nga teknika greke e ndërtimit”, fortifikimet antike me blloqe kuadratik izodomik, i konsideronin të ndërtuara nga mjeshtër grekë“ose të paktën nën ndikimin e teknikës greke të ndërtimit”.

Rreth 10 vjet më vonë, M. Shuflay përmblodhi dhe sintetizoi të dhënate deriatëhershme mbi qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë. Në këtë studim ai arrin deri në supozimin se “ilirët e jugut kanë filluar shumë herët ndërtimet me gurë,” ndonëse siç shprehet ai “deri më sot në Shqipëri nuk është gjetur ndonjë gjurmë ndërtimesh të tilla”.

Pikëpamja e gabuar që ua atribuuan ndërtimet ilire mjeshtërve grekë, është ruajtur deri vonë tek ndonjë studiues i huaj, që muret rrethuese të Oshanicit, qytet ilir në territorin daors, ua atribuon“mjeshtërve jo ilirë” .

Gërmimet e suksesshme në Gajtan në vitet 60’ shënuan një kthesë cilësore në studimin e vendbanimeve të këtij tipi. Intensifikimi i kërkimeve në këtë fushë ka sjellë të dhëna të reja arkeologjike dhe kulturore që ndihmojnë për klasifikimin kronologjik, teknik dhe tipologjik të fortifikimeve prehistorike në Shqipëri.

Aktualisht në ndërtimin e këtyre fortifikimeve mund të veçohen tri faza kronologjike.

Faza e parë më e hershme mund t’i referohet fazës së vonë të Bronzit të Hershëm, siç kanë dëshmuar dy shembuj të prezantuar në literaturën tonë arkeologjike. Është fjala për vendbanimin e fortifikuar në qytezën e Ganjollës në Shqipërinë Veriperëndimore dhe atë të Kukumit në Shqipërinë Jugperëndimore. 

Faza e dytë i referohet fazës fundore të Bronzit të Vonë, kur mendohet se ngritja dhe fortifikimi i tyre erdhi si reagim ndaj rrezikut të dyndjes egjeane dhe i nevojës për mbrojtje të banorëve protoilirë të kësaj periudhe.

Faza e tretë lidhet me periudhën e hershme të epokës së Hekurit, kur këto fortifikime bëhen vendbanimi karakteristik për popullsinë ilire. 

Vendbanimet e fortifikuara të këtij tipi në literaturën shqiptare janë njohur si të tipit Gajtan, për faktin se në qytezën eponyme u kryen gërmimet e para sistematike në vitet 1961-1962. Gërmimet treguan se këtu kishim të bënim me një vendbanim ilir shumështresor, dy nga të cilat (Gajtan I-II) iu atribuan Bronzit të vonë dhe Hekurit të hershëm, ndërsa shtresat III-IV, respektivisht shek.IV-III p.Kr. dhe periudhës helenistike – romake. Përsa i përket kronologjisë të mureve mbrojtëse të Gajtanit, sot nuk vihet në dyshim karakteri prehistorik ose pararaantik i tyre. 

Sikurse është vënë në dukje, muret rrethuese të qytezës së Gajtanit, i referohen fazës Gajtan II, që stratigrafikisht qëndrojnë mbi shtresën Gajtan I të Bronzit të Hershëm. Teknikisht muret janë të ndërtuara me blloqe gurësh të papunuar, të renditur në dy këmisha anësore, pa material lidhës, ndërsa bërthama midis tyre është e mbushur me gurë të vegjël. Përveç kritereve tipologjike dhe teknike primitive të ndërtimit të këtyre mureve ato që i përcaktojnë këto si parahistorike, edhe pozicioni stratigrafik i tyre i lidhur me horizontin e furrave, i referohet periudhës kalimtare nga epoka e Bronzit në atë të Hekurit, përkatësisht (shek.XI-X p.Kr).  Këto mure të quajtura “tip Gajtan” kanë shërbyerpër një kohë të gjatë si një pikë e rëndësishme referimi për studimet krahasuese të fortifikimeve parahistorike në Shqipëri.

Vendbanimet e fortifikuara të tipit Gajtan janë të përhapura në të gjithë Shqipërinë dhe njihen me emrat qytezë, gradishtë, gradinë etj. Ato janë të përqendruara në vendet më strategjike dhe formojnë sisteme fortifikimi për zona të veçanta gjeografiko – kulturore, si për zonën e Shkodrës (Gajtan, Marshejë, Ganjollë, Samobor, Drisht, Beltojë, Mokset)  atë të Lezhës (Akrolisi), të Peshkopisë ( gradishta e Peshkopisë), të Shqipërisë së Mesme (qyteza e Lleshanit), të Shqipërisë juglindore (Tren, Ventrok, Trajan, Bilisht, Bellovodë, Lumalas, Hollm, Gjonomadh, Bllacë, Drenovë etj), të Shqipërisë jugperëndimore (Badhër, Karos, Kalivo, Kukum, Kepi i Stillos etj ku janë kryer gërmime arkeologjike si dhe kalaja e Pirgut, kalaja e Gjipesë, ajo e Gjinovlashit, e Borshit, e Gashnjarit etj). 

Vendbanimet e fortifikuara të periudhës së vonë të Bronzit, janë vendosur gati gjithmonë në maja kodrinash strategjike, pranë rrugëve natyrore dhe luginave që përshkojnë territorin tonë, zakonisht në vende të larta që dominojnë mbi fusha pjellore apo kullota të mira. Ata janë ndërtuar mbi kodra me formacione shkëmbore, ku sigurohej guri në vend dhe me mbrojtje të mirë natyrore.

Ngritja e këtyre fortifikimeve gjatë Bronzit të Vonë, përveç zhvillimeve të brendshme ekonomike e sociale në gjirin e bashkësisë fisnore ilire, e cila po shkonte drejt thurjes së marrëdhënieve fisnore, duket se është edhe reflektim i popullsisë vendase për mbrojtje ndaj rrezikut në rritje të dyndjeve egjeane të fazës fundore të kësaj periudhe. Në periudhën e hekurit, diferencimi shoqëror dhe luftërat ndërfisnore të kësaj periudhe bëhet një fenomen i zakonshëm dhe qendrat e fortifikuara të kësaj periudhe një faktor i domosdoshëm mbrojtës. Prandaj nuk është e rastit pse në këtë periudhë kemi një intensifikim të fortifikimeve dhe një përparim të teknikës së ndërtimit të tyre. Vendbanimet e fortifikuara pasqyrojnë jo vetëm nivelin e zhvillimit të forcave prodhuese, por edhe konceptin ndërtimor dhe veçoritë teknike e stilistike të fortifikimeve të kohës. Në zhvillimin e tyre të kushtëzuar nga një kompleks faktorësh ekonomik, historik, topografik e ushtarak mund të ndiqet evolucioni i tyre i brendshëm drejt fuqizimit të sistemit mbrojtës.

Fortifikimet prehistorike janë të përqendruara në rajonet më strategjike të vendit, ku formojnë sisteme të organizuara fortifikuese. Sot në Shqipëri, mund të përvijohen 5 zona kryesore, ku janë përqendruar vendbanimet e fortifikuara:

  • Zona e Shqipërisë veriperëndimore (pellgu i Shkodrës)
  • Zona e Shqipërisë Lindore (lugina e Drinit të Zi)
  • Zona Qendrore (lugina e Shkumbinit)
  • Zona Juglindore (pellgu i Korçës)
  • Zona Jugperëndimore (bregdeti jonian).

Në zonën përreth Ultësirës shkodrane janë fiksuar këto vendbanime të fortifikuara: Gajtani, Marsheja, Mokseti, Ganjolla, Samobori, Drishti, Beltoja, Akrolisi. 

Në zonën e Shqipërisë lindore, si fortifikime të këtij tipi janë: qyteza e Krajkës dhe e Sofraçanit, Skudrinës dhe e Koxhaxhikut(Dibër e Madhe), Peshkopisë, Selishtës, Lurës etj.

Në zonën e Shqipërisë Qëndrore përmendim: fortifikimet eOrenjës, Zdranshit, Lleshanit, fortifikimit të Shkëmbit të qytetit, Drogostunjës, Qukësit, Valshit, Bodinit, Tervolit etj.

Në zonën e Shqipërisë Juglindore përmendim fortifikimet e Trenit, Ventrokut, Trajanit, Shuecit, Bilishtit, Bellovodës, Podgories, Lumalasit, Gjonomadhit, Bllacës, Hollmit, muri i Zvezdës etj.

Në zonën e Shqipërisë Jugperëndimore përmendim: fortifikimet e Badhrës,  Karosit, Kukumit, Kalivosë etj. Gjithashtu në zonën e bregut jonian gjenden edhe vendbanimet e fortifikuara të Gjipesë, Gjinvlashit, Pirgut, Borshit, Gashnjarit etj.

Gërmimet sistematike që janë kryer në disa nga këto vendbanime, si dhe një tok të dhënash me vlerë që janë fituar nga një varg ekspeditash informative të kryera në një pjesë të mirë të territorit tonë, kanë bërë të mundur që të njihet sistemi i fortifikimit të këtyre vendbanimeve e të ndiqet deri diku edhe një farë evolucioni në zhvillimin e tyre. Shembulli më i mirë dhe më i studiuar i vendbanimeve të fortifikuara është qyteza e Gajtanit, në afërsi të Shkodrës, prandaj është bërë zakon që këto vendbanime të quhen të tipit Gajtan. Kufijtë e vendbanimit përcaktohen nga muret e rrethimit, të cilat ndjekin linjën e terrenit, prandaj dhe format planimetrike të tyre nuk janë gjithnjë të njëjta. 

Tipar dallues i ndërtimeve mbrojtëse të kësaj periudhe janë muret e ndërtuara me gurë mesatar e të mëdhenj, pa fasadë të rregullt dhe me lartësi të ulët. Në shumicën e tyre muri formohet nga dy këmishat anësore të ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatar të papunuar, me boshllëqe të konsiderueshme midis tyre, dhe bërthama e murit midis tyre, që mbushej me gurë të vegjël.  

Në këtë sistem të hershëm fortifikimi mungojnë kullat dhe në përgjithësi kthesat me kënde të drejta të mureve për të siguruar një mbrojtje anësore. Hyrjet janë të thjeshta, të formuara nga ndërprerja e murit rrethues. I vetmi kujdes për ruajtjen e tyre është vendosja e tyre në vende me mbrojtje natyrore, ose në shumë raste rruga për në hyrje kalon bri murit rrethues duke qenë kështu nën kontrollin e mbrojtësve. Lartësia e ruajtur e këtyre mureve përgjithësisht është e vogël, gjerësia rreth 2.50 – 3.00m, dhe duket se lartësia fillestarenuk a qenë e madhe. Sipërfaqja e rrethuar e këtyre fortifikimeve është e ndryshme dhe lëviz nga 1 – 2 ha, ndërkohë që ka edhe fortifikime më të më të mëdha si Gajtani 4 – 5ha. Zgjerimet e mëvonshme kanë bërë që brenda mureve rrethuese të përfshihej një sipërfaqe më e madhe, siç është rasti i kalasë së Trajanit(Korçë), që arrin deri në 22 ha. Në këto raste vendbanimet paraqiten me 2 – 3 unaza rrethuese. Më poshtë po paraqesim disa nga format më të zakonshme të këtyre fortifikimeve:

Format më të thjeshta të tyre janë ato kur muri mbrojtës rrethon vetëm pjesën më pak të mbrojtur të kodrës. I tillë është fortifikimi pranë shpellës së Trenit(Korçë) ku murri arin gjatësinë 90m, gjerësinë 3.50 m, është ndërtuar mbi një kodër me lartësi 6-8m mbi nivelin e fushës. I njëjti sistem fortifikimi, por me lartësi më të madhe është krahina të tjera të Shqipërisë siç janë kalaja e Ganjollës(Shkodër), kalaja e Lleshanit(Elbasan), kalaja e Karosit(Qeparo) etj.

Një nga format mbizotëruese të fortifikimeve është ajo me planimetri ovale. Shembulli më tipik është kalaja e Bilishtit, muri mbrojtës i të cilës me planimetri eliptike, rrethon pjesën më të lartë të kodrës së saj. Forma të ngjashme planimetrike paraqesin kalaja e Kakaçit dhe ajo e Gjonomadhit(Korçë), kalaja e Hollmit(Kolonjë) etj.

Në disa raste, pjesa më e mbrojtur e platformës së kodrës së rrethuar me mure, ndahej nga një mur tërthor, që krijonte një farë “akropoli”, që shërbente si vendstrehim i fundit, siç ndodh në kalanë e Bellovodës. Në kalanë e Podgories “akropoli” ndodhet në skajin më të mbrojtur nga natyra të platformës dhe formon një rrethim të pavarur.

Një zgjidhje tjetër planimetrike e fortifikimeve me akropol është ajo kur muret rrethuese formojnë rrathë koncentrikë.Rrethi i parë zë majën e kodrës, ndërsa tjetri më i madh shpatet e saj. Shembuj të këtij tipi janë kalaja e Hadërajt(Vlorë), kalaja e Luarasit(Korçë), kalaja e Bllacës(Pogradec) etj.

Ka edhe fortifikime të ndërtuara në shpatin e një kodre dhe kjo ndodh kur njëra faqe e kodrës bie me pjerrësi të butë dhe krijon shpesh tarraca të përshtatshme për banim, ndërsa anët tjera i besohen mbrojtjes natyrore. Këto fortifikime zakonisht kanë dy a më shumë rrethime. Muret krijojnë gjysmërrathë që pasojnë njeri tjetrin. Këtu përfshihen kalaja e Drishtit(Shkodër) ku ka dy mure rrethuese, prej të cilëve, muri i parë zë majën e kodrës, ndërsa muri tjetër linjën e kontureve të shpatit. Në kalanë e Karosit(Qeparo)fortifikimi përbëhet nga 3 harqe muresh në anën lindore, që komunikojnë me hyrje të thjeshta. 

Kalaja e Trajanit paraqet tipin më të ndërlikuar me shumë rrethime. Fortifikimi me perimetër 3km përfshin brenda mureve 22 ha. Në rast rreziku këtu mund të strehohej e gjithë popullsia e zonës përreth. Kjo është një nga vendbanimet e fortifikuara prehistorike më të mëdha të territorit të Ilirisë. Ajo ngrihet mbi një kodër 400 m të lartë. Faqet e kodrës kanë një pjerrësi të madhe me përjashtim të anës jugperëndimore, ku hapet një tarracë e gjerë natyrore e përshtatshme për banim. 

Në literaturën tonë arkeologjike janë bërë disa herë përpjekje për një klasifikim tipologjik e deri diku edhe kronologjik të vendbanimeve të fortifikuara ilire të periudhës pre e protohistorike të territorit të Shqipërisë.Meqenëse studimet janë nisur nga kritere të ndryshme, edhe përfundimet e arritura ndryshojnë midis tyre. Një vështirësi në lëtë drejtim paraqet edhe fakti se në pjesën më të madhe të këtyre vendbanimeve nuk janë kryer gërmime sistematike gjë që do të mundësonte përcaktimin kohor më të saktë të tyre. 

M. Korkuti, duke patur parasysh të gjithë vendbanimet e fortifikuara ilire të periudhës së hershme të hekurit në territorin e Shqipërisë, duke u nisur nga pozicioni i këtyre vendbanimeve, madhësia e sipërfaqes dhe lloji i fortifikimit, dallon dy faza evolutive në ngritjen e vendbanimeve të fortifikuara, faza Tren dhe faza Gajtan.

S. Islami mendon se këto karakteristike, edhe pse në ndonjë rast mund të jenë të vlefshme, nuk janë të mjaftueshme për një diferencim kronologjik të fazave të përmendura.  Ai mendon se vendbanimet e tipit Gajtan “kanë qenë qendra të fiseve të ndryshme, por akoma jo qytete”

Më vonë, M. Korkuti i është rikthyer këtij problemi, duke gjurmuar dhe studiuar vendbanimet e fortifikuara të Shqipërisë jugperëndimore, ku ka bërë edhe gërmime arkeologjike në kalanë e Badhrës. Pas këtyre gërmimeve ai veçon tri faza zhvillimi të vendbanimeve të fortifikuara në këtë pjesë të Shqipërisë, që përfshijnë kohën nga bronzi i vonë (1500 p.e.s) deri në shek. VI p.e.s, të emërtuara: 

  • Faza Badhër
  • Faza Karros
  • Faza Kalivo

Meqenëse këto faza njihen qoftë edhe të shkëputura edhe në krahina tjera të Shqipërisë, M. Korkuti këtë klasifikim e ka shtrirë për të gjithë territorin e vendit, duke i shtuar klasifikimit të tij të mëparshëm prej dy fazash edhe një fazë të tretë, si më poshtë:

  • Faza Tren(Badhër) i përket periudhës së vonë të bronzit dhe fillimit të asaj të hershme të hekurit(shek. XII-IX pes)
  • Faza Gajtan(Karos) tipike për fazën e zhvilluar të periudhës së hershme të hekurit(Shek. VIII-VII pes)
  • Faza Kalivo ose protourbane, tipike për fazën e vonë të periudhës së hershme të hekurit(shek. VI-V pes).

N. Ceka, duke u marrë me problemin e vendbanimeve të fortifikuara të periudhës së hekurit, dallon dy tipe vendbanimesh :

  • Vendbanime të tipit Trajan-Gajtan, ose preurbane
  • Vendbanime të tipit Kalivo ose protourbane.

K. Zhegu duke u nisur nga kriteri i teknikës së ndërtimit të mureve rrethuese, dallon dy faza në zhvillimin e vendbanimeve të fortifikuara:

  • Faza I më e hershme përfshin vendbanimet e rrethuara me gurë të papunuar të lidhur në të thatë, që ai e emërton”mur i thatë me gurë të papunuar”.
  • Faza II më e vonë dallohet nga përdorimi i gurëve të punuar me çekan në faqen mbështetëse dhe në ato anësore, që ai e quan” mur i thatë me gurë të punuar me çekiç”.

Funksioni i këtyre vendbanimeve është i dyfishtë. Ata kanë shërbyer si vendbanime për një pjesë të banorëve të fisit, kryesisht për aristokracinë fisnore dhe si vendstrehime në raste rreziqesh për të gjithë banorët e zonës. Këto lloj vendbanimesh janë të organizuara në bazë të lidhjeve të gjakut dhe shërbejnë si vendbanime për formacione të ngushta fisnore. Në rastet kur disa prej tyre janë të grupuar në një sistem të vetëm fortifikimi të një zone të caktuar, siç janë vendbanimet rreth Shkodrës, Elbasanit apo Korçës, ato i përgjigjen më mirë organizimit fisnor federativ.

Në fazën II dhe III të periudhës së hershme të hekurit një pjesë e këtyre vendbanimeve kthehen në qendra të prodhimit zejtar dhe fitojnë tipare të reja, që i bëjnë ato të qëndrojnë më afër një qendre urbane se sa një vendbanimi prehistorik, prandaj me të drejtë janë quajtur qendra protourbane.

S. Islami, F. Prendi dhe M. Korkuti kanë shprehur mendimin se vendbanimet e fortifikuara të tipit Gajtan janë vendet ku zhvilloheshin proceset ekonomiko-shoqërore që përgatisnin lindjen e qytetit dhe se ato në një etapë të caktuar të zhvillimit historik shërbyen si baza kryesore e procesit të urbanizimit të vendit. Më qartë se kudo ky fenomen duket në Lis dhe Zgërdhesh, ku ruhen gjurmët e fortifikimeve të banimeve paraqytetare, dhe ku të dhënat stratigrafike dhe tipologjike të mureve dëshmojnë për një vazhdimësi të pandërprerë nga vendbanimi i tipit protourban në atë urban.

Sipas N. Ceka, “mendimi arkeologjik shqiptar bashkohet me pikëpamjen se ishte pikërisht ky tip vendbanimi (vendbanimi i fortifikuar) ku u zhvilluan proceset ekonomiko-shoqërore që  përgatitën klushtet për zhvillimin e jetës qytetare në Iliri”.

Duke u marrëme këtë problem, N. Ceka ka tërhequr vëmendjen mbi ekzistencën e fazës protourbane dhe të qendrave protoqytetare, “ku u vendosën elementët shoqëror të shkëputur nga rendi fisnor, të lidhur me ekonomin  e prodhimit dhe të shkëmbimit të mallrave”. Ai ka sqaruar gjithashtu se “ky proces zhvillohet njëkohësisht si në vendbanimet e fortifikuara ashtu edhe në ato të hapura, që përmbanin premisat për formimin paralel të qytetit dhe të fshatit antik”.

Fortifikimet me mure guri njihen edhe në krahinat qendrore e veriore të Ilirisë. Rrafshnalta e Glasinacit në Bosnje, përveçse ka një mbrojtje të fuqishme natyrore, rrethohet edhe nga një zinxhir fortifikimesh dhe vendbanimesh të fortifikuara, që zënë pikat dominuese, mbyllin vendkalimet dhe grykat e luginave. Deri tani në Glasinac njihen 47 vendbanime të fortifikuara prehistorike. Në pllajën e Durmos(Bosnje) në territorin e banuar nga fisi ilir i dalmatëve, janë konstatuar 37 vendbanime të tilla të fortifikuara.

Vendbanimet e fortifikuara i gjejmë të vendosur në njëmjedis të pasur me toka buke e kullota, që formonin bazën e ekonomisë së tyre. Në disa raste, siç tregojnë të dhënat arkeologjike, në to zhvillohej edhe një veprimtari e kufizuar zejtare. Rreth tyre gjendeshin vendbanimet e hapura fshatare, me të cilat formonin së bashku njësi të caktuara ekonomiko – shoqërore.  

Filed Under: Politike

Pritje madhështore Kryeministrit Albin Kurti nga komuniteti shqiptaro-amerikan “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut, SHBA

October 3, 2024 by s p

Miradije Rizvani Klenja/

Me datë 29-09-2024 në qytetin e Waterbury të Connecticut, komuniteti shqiptaro-amerikan “Hasan Prishtina” priti në vizitë kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Albin Kurti dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla Szhwartz.

Pritja e ngrohtë dhe e përzemërt e aq madhështore u shoqërua me një ceremoni artistike ku grupi i valltarëve të vegjël të veshur me kostume tradicionale shqiptare përforcoi me këngë e valle nga folklori popullor shqiptar. Në sajë të mërgatës shqiptare në Amerikë fjalë rasti mori kryetari i komunitetit z. Agim Ismaili i cili mes tjerash u shpreh duke falenderuar kryeministri përzemërsisht që ndodhej midis nesh.

Më pas fjalë rasti mori znj. Miradije Rizvani Klenja e cila shpalosi themelimin e Komunitetit formuar nga viti 1983 dhe kontributin e kësaj shoqate në ruajtjen e vlerave dhe traditave kombëtare ndër breza për ata fëmijë që lindin dhe rriten në SHBA si dhe kontributin e mërgimtarëve shqiptarë në mbrojtjen e Kosovës dhe financimin e UÇK-së për lirinë e Kosovës. Momenti më frymëzues dhe më i veçantë ishte kur kryetari i qytetit të Waterbury Paul K Pernerewsky Jr. kryeministrit Kurti ia dhuroi çelësin e qytetit në shenjë mirënjohje.

Më pas fjalë mbështetëse për kombin tonë foli edhe senatori amerikan Richard Blumenthal i cili shpalosi mbështetjen e pareshtur të SHBA -ve për pavarësinë e Kosovës nëpërmjet ish ambasadorit dhe mikut të përjetshëm të shqiptarëve Wiliam Walker. Falemenderime të përzemërta në emër të komunitetit tonë dhe gjithë shqiptarëve që jetojnë në Waterbury dhe rrethinë, edhe për zëvendësministren Gërvalla Schwartz, bijen e veprimtarit të shquar Jusuf Grvalla, zëvendësen e saj Liza Gashi, Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York Blerim Reka për vizitën dhe momentet e bukura që kaluam bashkë.

Foto: Geralld Nikoliqi

Filed Under: Emigracion

𝗭𝗴𝗷𝗲𝗱𝗵𝗷𝗲𝘁 𝗽𝗿𝗲𝘀𝗶𝗱𝗲𝗻𝗰𝗶𝗮𝗹𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗛𝗕𝗔: 𝗽𝘀𝗲 𝘀𝗼𝗻𝗱𝗮𝘇𝗵𝗲𝘁 𝗴𝗮𝗯𝗼𝗷𝗻𝗲̈ 𝗱𝗵𝗲 𝗽𝘀𝗲 𝗔𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮 𝗸𝗮 𝘀𝗶𝘀𝘁𝗲𝗺 𝘂𝗻𝗶𝗸 𝘁𝗲̈ 𝘇𝗴𝗷𝗲𝗱𝗵𝗷𝗲𝘀 𝘀𝗲̈ 𝗣𝗿𝗲𝘀𝗶𝗱𝗲𝗻𝘁𝗶𝘁!

October 3, 2024 by s p

𝗗𝗿. 𝗕𝗹𝗲𝗱𝗮𝗿 𝗞𝘂𝗿𝘁𝗶

(𝗔𝗹𝘂𝗺𝗻𝗶 𝗶 𝗗𝗲𝗽𝗮𝗿𝘁𝗮𝗺𝗲𝗻𝘁𝗶𝘁 𝗔𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮𝗻 𝘁𝗲̈ 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁)/

Keni dëgjuar nga media se Trump apo Harris kryeson në sondazhe? Se amerikanët do votojnë më shumë për njërin apo tjetrin? Mos u besoni shumë sondazheve nëse nuk e njihni se si funksionon sistemi i zgjedhjes së Presidentit të SHBA. Nëse nuk e njihni këtë sistem, mos u shqetësoni, mos u ndjeni të paditur sepse shumica e botës nuk e di. E përse? Sepse është unik në glob dhe nuk ka asnjë shtet tjetër që i përafrohet.

Si fillim, amerikanët nuk votojnë drejtpërdrejtë për Presidentin. SHBA përbëhet nga 50 shtete, e secili shtet ka një numër të caktuar delegatësh në varësi të popullatës. Qytetarët votojnë për delegatët e më pas delegatët votojnë për Presidentin. Shteti me delegatët më të shumtë është Kalifornia. Me 54 të tillë. Partia që merr numrin më të madh të votave i merr të gjithë këta delegatë. Humbësi merr zero. Edhe pse mund të ketë marrë me miliona vota të qytetarëve. Kush merr Kaliforninë siguron më shumë kandidatë se sa kundërshtari që mund të fitojë 10 a më shumë shtete të tjera me numra të paktë delegatësh, si Alaska – 3, North Dakota – 3, South Dakota – 3, Delaware – 3, Vermont – 3, Idaho – 4, Hawaii – 4, Maine – 4, Montana – 4, Idaho – 4, New Hampshire – 4, Rhode Island – 4, etj.

Ky quhet Kolegj Zgjedhor. Që do të thotë që edhe nëse një kandidat për President merr më shumë vota në rang kombëtar nuk bëhet President sepse kundërshtari ka siguruar numrat e mjaftueshëm të delegatëve, që është mbi 270. 5 nga 46 presidentë u ulën në Shtëpimë e Bardhë edhe pse nuk fituan votën popullore kombëtare. Ndaj edhe sondazhet kombëtare nuk vlejnë aspak. Përdoren vetëm për të ndikuar te opinioni publik. Sondazhet e sakta që vlen të ndiqen janë brenda shteteve, jo te të gjitha pasi shtetet janë të pozicionuara tashmë në republikanë apo demokratë, por më saktësisht “swing states” ato që lëvizin nga njëra parti te tjetra. Për zgjedhjet e nëntorit 2024, këto shtete lëvizëse të votës konsiderohen Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, North Carolina, Pennsylvania, Wisconsin. Të marra së bashku këto shtete lëvizëse përbëjnë 93 vota të Kolegjit Zgjedhor. Këto janë përcaktueset e Presidentit të ardhshëm.

Konfuz? A po mendon se Kolegji Zgjedhor duhet hequr?

Janë bërë shumë përpjekje ndër dekada për heqjen e Kolegjit Zgjedhor, e madje ka ndodhur që është aprovuar në Dhomën e Përfaqësuesve por është rrëzuar në Senat. Arsyeja është e thjeshtë. Ky sistem ka funksionuar më së miri për afro dy shekuj e gjysmë. Demokratët kërkojnë ta heqin, Republikanët ta ruajnë, por nuk është zhbërë pasi ka funksionuar e mbi të gjitha ruan pavarësinë e çdo shteti të SHBA, ruan moton “E Pluribus Unum” – Nga shumë një. 50 shtete me autonominë e tyre e megjithatë një.

Etërit amerikanë ishin njerëz tejet të zgjuar e vizionarë. Ata ngritën një sistem balancash midis shteteve të SHBA dhe qeverisë federale, dhe krijuan filtra që mbrojnë popullin nga qeveria por edhe qeverinë nga populli. Ata krijuan një shtet Republikë e jo Demokraci ku shumica sundon. Një temë që do e shtjelloj në një shkrim të mëvonshëm.

Por ajo që duhet theksuar është që çdo sistem që siguron balanca të pushtetit funksionon. Çdo sistem që forcon pushtetin e një individi është i destinuar të dështojë.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT