• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

Prite, prite Skënderbenë…

November 19, 2024 by s p

Dr. Sadik Elshani

Foto: Edward Sulo/

Atmosferë skënderbegiane në Philadelphia – Një pjesë e rrugës Willits Road e merr emrin e nderit: Gjergj Kastrioti Skenderbeu.

Sot ishte një festë e madhe në Philadelphia, një pjesë e rrugës ku ndodhet godina e shoqatës u emërua me emrin e nderit: Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Është ky kryqëzimi i dy rrugëve të gjëra e me mjaft trafik: Willits Road dhe Academy Road. Kur flitet për Skënderbeun, Heroin tonë Kombëtar, gjithmonë na vjen ndërmend bashkimi kombëtar, përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi. Kështu ndodhi edhe sot në Philadelphia, sheshi përpara godinës së shoqatës dhe hapësirat përreth ishin mbushur plot me bashkatdhetarë të ardhur nga Philadelphia dhe rrethina e saj dhe nga Nju Xhersi e shtete të tjera të Amerikës. Mbretëronte një atmosferë ngazëllyese, jehonte kënga dhe vallja shqiptare. Ka kohë që kishim menduar e biseduar që një rrugë në Philadelphia të emërohej me emrin e kryetrimit tonë dhe ja, me restaurimin e godinës së re të shoqatës sikur u gjend edhe kjo pjesë e rrugës që denjësisht do ta mbante emrin, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

Me angazhimin e Kryesisë së shoqatës “Bijtë e shqipes” dhe posaçërisht sekretaresd së saj, zonjës Julida Cepele dhe zotit Michael Driscol, këshilltar i Këshillit Bashkiak të Philadelphias, kjo ëndërr e kahershme u bë realitet: Këshilli Bashkiak njëzërit e miraton kërkesën tonë.

Emërimi i një rruge me emrin e Skënderbeut në qytetin e Philadelphias, vendlindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një nder i madh për të gjithë shqiptarët, sidomos për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias. Vizioni i Skënderbeut për liri e pavarësi u realizua në Philadelpphia më 4 korrik të vitit 1776 e më vonë, më 28 nëntor të vitit 1912 edhe në vendin e tij, Shqipërinë tonë. Emërimi i kësaj rruge në ditën e sotme është një dhuratë e bukur për të gjthë ne që së shpejti do ta festojmë 28 Nëntorin, Ditën eFlamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Përveç bashkatdhetarëve të shumtë në këtë ceremoni madhështore merrnin pjesë edhe: z. Michael Driscol, këshilltar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Philadelphias, z.Patric Gallagher përfaqësuse i Dhomës së Përfaqësuesve të Shtetit të Pennsylvanias, z. Tom Forkin, kryeshef i zyrës së zotit Driscol, zonja Marjorie Caputo punonjëse e zyrës së z. Driscol, si dhe zonjusha Dzana Badnjeviq, Koordinatore e Eventeve në Zyrën e Përfaqësuesit të Qytetit.

Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i cili pasi i përshëndeti të pranishmit dhe të gjithë mysafirët, ndër të tjera thekësoi se, “sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarinë. Një muaj më parë e përuruam godinën e re, ndërsa sot nderojmë një nga figurat më të mëdha të kombit tonë, Ballkanit dhe Evropës, që u bë simbol i përpjekjeve të popullit tonë për liri e pavarësi”. Ai pastaj falenderoi të gjithë ata që e bëbnë të mundur këtë ditë të madhe, sidomos këshilltarin Driscol, i cili punoi me përkushtim për përmbushjen e këtij projekti madhor.

Pastaj fjalën e mori gazetari, publicist e studiusi Virgjil Kule, autor i veprës serioze studimore, “Gjergj Kastrioti Skendertbeu – kryqtari i fundit”. Ai gjithashtu me plot argumente nguli këmbë se Skenderbeu është Heroi ynë Kobëtar dhe jo i ndonjë përkatësei fetare, siç mundohen ta paraqesin atë disa dashakeqës të popullit tonë. Luftërat dhe Epoka e ndritur e Skenderbeut ishin edhe themeli mbi të cilat u shpallë edhe pavarësia e Shqipërisë, duke u treguar fqinjëve tanë shovinistë se Shqipëria nuk ishte pjesë e Perandorisë Otomane, sepse shqiptarët gjate shekujve, sidomos në atë periudhë 25 vjecare të udhëhequr nga Skënderbeu, kishin luftuar kundër turqëve për liri e pavarësi. Bashkëshortja e z. Kule, zonja Mimoza Feraj e vlerësoi Skënderbeun si një diplomat të shkëlqyer. Ajo, nga përvoja e saj porosit diasporën që të jetë vetëm kombëtare e jo partiake, politike.

Zonja Julida Cepele për të pranishmit dhe sidomos për miqtë tanë amerikanë bëri një paraqitje të shkurtër për jetën dhe veprën e Skënderbeut, jehonën e tij në tërë botën liridashëse. Janë ngritur monumente e janë emëruar rrugë me emrin e Skënderbeut në të gjitha treëvat shqiptare dhe anekënd botës. “Identiteti kombëtar i shqiptarëve është trashëgimia e Skënderbeut”, thekësoi zonja Cepele.

Këshilltari Michel Driscol në fjalën e tij u shpreh: “Sot është një ditë e nrekullueshme për të gjithë ne. Kemi një simbol nga vendlindja juaj. këtë godinë” (godina e re e shoqatës). Pastaj ai tregoi se politikanët shumë rrallë pajtohen me n jëri – tjetrin, por kur ishte puna për emërimin e këtij segmenti të kësaj rruge me emrin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, të gjithë njëzërit e miratuan këtë propozim. Ai theksoi se emri i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj (anglisht Xhorxh) është i njejtë me emrin e themeluesit të shtetit amerikan, Xhorxh (Uoshington). Ai nuk e la pa përmendur se, siç po flitet, edhe nëna e Xhorxh Uoshingtonit është shqiptare. Ai u kujtoi të pranishmëve se si trashëgimtar i emigrantëve të hershëm irlandezë është me rëndësi që ta ruajmë trashëgiminë tonë. “Sa herë që do të kalojë nëpër këtë rrugë, do ta kujtoj Skënderbeun”, e përfundoi fjalën e tij z. Driscol. Shoqata e nderoi zotin Driscol me Certifikatë Mirënjohjeje për angazhimin e tij për emërimin e rrugës me emrin e Skënderbeut si dhe për përkrahjen e tij të vazhdueshme të komunitetit tonë.

Zoti Gallagher e falenderoi z. Driscol për këtë angazhim të rëndësishëm dhe u shpreh se veprimtaria e sotme ia kujton atij fëmijërinë the trashëgiminë irlandeze. Përshëndetën edhe zonja Caputo dhe zoti Ferkin, të cilët shprehën kënaqësinë e tyre që ishin pjesë e kësaj veprimtarie madhështore.

Asnjë veprimtari për Skënderbeun në komunitetin tonë nuk mund të paramendohet pa praninë e aktorit tonë të madh, Xhevat Limani, i cili më mirë se çdo aktor tjetër e mishëron figurën e Skënderbeut, me pamjen, fizikun dhe zërin e tij kumbues. Edhe sot me interpretimin e tij të zjarrtë e me plot mjeshtëri artistike të fjalimit të Skënderbeut përpara shqiptarëve të tubuar në Krujë e entuziazmnoi, elektrizoi publikun – solli të gjallë Skënderbeun në mesin tonë. Jehonin me plot kumbim fjalët: “Kapedanë e ushtarë trima, stërnipër të tjeshtë të një race të vjetër e bujare”… Ky interpretim i tij i shkëlqyer u prit me shumë dashuri e duartrokitje të pandërprera. Shoqata “Bijtë e shqipes” e nderoi Xhevat Limanin më Certifikatë, Anëtar Nderi për ndihmesën e tij në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave tona kombëtare.

Zoti Vlashi Fili, njëri nga themeluesjit e shoqatës dhe skretiri i saj për 20 vite u shpreh se, “jemi të gëzuar, krenaria jonë ndodhet në nivelin më të lartë, pranë shtëpisë me emrin domethënës, “BIjtë e shqipes”, ndodhet rruga me emrin e Skënderbeut. Tani këtu kemi një copë Shqipëri”. Poetja, Ariana Gaba, zotërinjtë Haki Çollaku e Bujar Çela kishin thurur ca vargje për këtë ditë madhështore. Ndërsa voglushja, Sara Çela, këndoi një këngë për gjuhën shqipe dhe krenarinë e të qenit shqiptar.

Tani erdhi edhe çasti i shumëpritur i zbulimit të tabelës me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Skënderbeu (Xhevat Limani) hipur në kal u nis drejt shtyllës ku ishte vënë tabela të cilën e zbuluan z. Driscol dhe z. Iliaz Shehu, anëtar i Këshillit Drejtues. Ishte ky një çast mjaft emocionues për të gjithë të pranishmit. Festa pastaj vazhdoi me programin muzikor për të cilin ishin angazhuar këngëtarët Kristina Marku e Mikel Bego, DJ Primo Pando. Festën e zbukuruan edhe nxënësit e shkollës shqipe, të veshur me veshje kombëtare e bluza kuqezi. Për të gjithë të pranishmit u shtrua një drekë me ushqime e pije të llojllojshme, si në dasmën e Skënderbeut.

Kjo ditë do të mbetet në kujtesën e komunitetit tonë si një ditë e bekuar, dite e shenjtë. Shqiptarët me veprat dhe punën e tyre janë duke lënë gjurmë në jetën dhe historinë e qytetit të Philadelphias. Ata tani gëzojnë një emër të mirë nga bashkëqytetarët e tyre. Tani të bëjmë përpjekje për ta ngritur edhe bustin, shtatoren apo përmendoren e Skënderbeut. Ta kemi gjithmonë pranë nesh Skënderbeun e brënda nesh frymën skënderbegiane. T’i drejtojmë sytë dhe mendjet tona kah Periudha e ndritur e Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit. Dita e 28 Nëntorit po afron, eshtë kjo Ditë e shenjtë që gjithmonë na sjell një porosi të madhe: atë të bashkimit kombëtar.

Skënderbeu është njëri nga shtyllat e forta të identitetit kombëtar, është mbijetesa e kombit tonë ndër shekuj, është Ylli ynë Polar që na tregoi rrugën për liri e pavarësi.

Ta gëzojmë Rrugën e Skënderbeut!

Philadelphia, më 17 nëntor 2024.

Filed Under: Reportazh

VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE NË MËRGATËN SHQIPTARE TË AMERIKËS, Z.EKREM BARDHA DHUROI 1 MIJË DOLLARË PËR GAZETËN DIELLI

November 19, 2024 by s p

Ekrem Bardha, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, patrioti dhe aktivisti i madh i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Konsulli i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Michigan dhuroi 1 mijë dollarë për gazetën Dielli. Një akt bujarie e fisnikërie si kontribut në jetëgjatësinë e Diellit si gazeta më e vjetër e botës shqiptare, si histori, si trashëgimi shpirtërore e materiale, si identitet si krenari dhe lavdi e shqiptarëve të Amerikës. Kontributi për Diellin e Vatrën është kontribut për kombin shqiptar dhe komunitetin.

Familja Bardha mbështet VATRËN që prej vitit 1917 ku babai i tij Sulo Bardha ishte anëtar i Vatrës në Boston, mik e bashkëpunëtor i ngushtë i Faik Konicës.

Në çdo kohë kur kombi dhe komuniteti ka pasur nevojë, familja Bardha ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme, e kudondodhur dhe e pakursyer.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, gazeta Dielli dhe mbarë komuniteti i vatranëve i shpreh mirënjohje të thellë dhe falenderim të përzemërt z.Ekrem Bardha për dhurimin dhe mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë Vatrës në çdo nisëm e fushatë. Sa herë që Dielli ka pasur nevojë, Ekrem Bardha ka qenë në listën e përkrahësve duke ndihmuar në jetëgjatësinë e regjistrit mediatik më të vjetër në të gjitha diasporat shqiptare në botë.

Filed Under: Vatra

Shembuj të rrallë që vijnë nga mjekësia shqiptare

November 18, 2024 by s p

Dy mjekët e shquar të ortopedisë, Selmani dhe Gjonej, të dedikuar me një dashuri gati  hyjnore ndaj fëmijëve me “pes equinovaris”

Arben Iliazi/

Dhjetra fëmijë lindin në Shqipëri me një anomali që quhet “pes equinovaris” (deformim i shputave të këmbëve) dhe njihet që nga lashtësia. Hipokrati, babai i mjeksisë, ishte i pari që përshkroi, teorikisht por edhe mjekoi deformimet e këmbës rreth viteve 300 përpara erës sonë.

Pes-equinovarus congenitalis, apo këmba e lindur e shtrëmbër, është emërtimi për një anomali kongenitale, e cila ende në ditët tona mbetet një shqetësim mjaft serioz për prindërit e fëmijëve që e vuajnë, për personelin mjekësor të kualifikuar të shërbimit ortopedik, që e trajton, sikundër edhe për vetë fëmijët të cilët, në moshën e rritur, do të ndjejnë anët negative të këtij deformimi të lindur. Është pozicionimi rigid i këmbës në pozicion karakteristik si këmba e kalit. Mendohet se janë dëmtimet gjenetike në strukturat e ligamenteve që e shkaktojnë këtë deformim muskulo-skeletor. Nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet herët, personi e ka të pamundur të ecë. Ndonëse patologjia teorikisht është përshkruar nga koha e Hipokratit, natyrisht është bërë një progres i konsiderueshëm në trajtimin e kësaj anomalie. E gjithë jeta e mjekëve të shquar ortopedë, Prof. Edvin Selmani dhe Dr. Arben Gjonej ka qenë një dedikim i plotë ndaj fëmijëve me anomali të tilla, të cilët i kanë trajtuar me një dashuri gati  hyjnore, duke i ngritur në këmbë si me magji, madje duke i bërë edhe sportistë. Këta janë shembuj të rrallë që vijnë nga mjekësia shqiptare. Është privilegj të njohësh dhe të bisedosh nga afër me këta mjekë me mendje dhe duar të arta.

Ka ndodhur shpesh që, kur nënat e mësojnë që në ekon morfologjike, se fëmija e tyre mbart këtë anomali, ato e kanë braktisur foshnjën duke e abortuar. Dy mjekët e ndjejnë për detyrë humane t’u bëjnë apel grave shtatzana të mos tentojnë të bëjnë abort, sepse “pes equinovaris” është një deformim plotësisht i korrigjueshëm. Menjëherë pasi të lindë fëmija duhet të paraqiten menjëherë tek ne për të filluar trajtimin sa më herët.

“Pes equinovarus, sipas mjekëve të spitalit të Traumës, është i shpeshtë.  Metoda “Ponseti” është metoda më superiore ndër metodat konservative.

Profesori me një përvojë të gjatë dhe unike në trajtimin e kësaj patologjie, Edvin Selmani, pedagog në fakultetin e Mjekësisë dhe mjek ortoped në Spitalin Universitar të Traumës, thotë për “Diellin”: “Afërsisht kemi 100 raste në vit me këtë deformim të lindur. Kërkon çdo javë një trajtim me allçi, që zgjat tre muaj, dhe ndonjëherë kërkon edhe ndërhyrje të vogël për zgjatjen e tendinës së Akilit. Teknologjia trajtimit është bashkëkohore dhe rastet janë gjithmonë të suksesshme. Në përgjithësi shkojnë shumë mirë si raste. Është një deformim që për fat të mirë trajtohet shumë mirë dhe nuk lë asnjë pasojë,” siguron Profesor Selmani.

Specializimet dhe trajnimet që Prof. Edvin Selmani ka kryer janë të shumta në qendrat spitalore të njohura në SHBA, Hollandë, Gjermani, Austri, Poloni, etj. Pjesëmarrës në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare Prof. Selmani është autor dhe bashkautor i shumë publikimeve në fushën e ortopedi-traumatologjisë si dhe ka qenë anëtar i bordeve të Editoriale të Revistave Mjekësore si: Journal of European Orthopaedics and Traumatology EOTR (Lialison Editor member 2012 – 2016); International Journal of Orthopaedics (IJO) (Editorial Board member 2012); Open Journal of Orthopaedics (OJO) (revieëer 2013); American Research Journal in Orthopaedics and Traumatology (ARJOT) (Editorial Board member dhe revieëer 2014); Albanian Journal of Trauma and Emergency Surgery (ASTES) Editor in Chief 2017.

Përvojën mbi 20 vjecare dhe sfidat e kaluara gjatë trajtimit të qindra femijëve me këtë sëmundje, duke u konsultuar edhe me literaturën e huaj bashkëkohore, Prof. Edvini e ka paraqitur edhe në  librin “trajtimi kirurgjikal i “Pes Equinovarus”, botuar kohët e fundit.

Trajnimi kirurgjikal i Pes Equinovarus, Dr. Edvin Selmani

Në literaturën mjekësore shqiptare nuk ka ndonjë botim të plotë në këtë fushë dhe kjo e bën këtë libër me vlera të vecanta. Megjithëse është fushë tepër specifike ky libër është ndihmës gjatë praktikës për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, specializantët e ortopedisë. “Vijnë të porsalindur tek ne. I trajtojmë për një periudhë tremujore sipas metodës ‘ponsete’ që ka një rezultat shumë të mirë, thotë Doktori i Shkencave Mjekësore Arben Gjonej, teknik i gjipsimit ortopedik pranë Klinikës së Ortopedisë e Traumatologjisë, Tiranë, i cili ka mbrojtur gradën e lartë “Doktor i Shkencave” (dhe është në prag të marrjes së titullit profesor i asociuar) pikërisht me temën: “Pes Equinovarusi kongenital, eksperienca nëpërmjet trajtimit konservativ nga tekniku i gipsimit ortopedik”. Ponseti, ka një kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e pes equinovarusit dhe një aktivitet të gjatë mjekues të kësaj patologjie invalidizuese, informon Dr. Gjonej për profesorin e shquar, metoda e të cilit është parimi shkencor i së sotmes në trajtimin e kësaj patologjie. Profesor Ponseti ishte kirurg ortoped pediater, lindur në Spanjë në vitin 1915. Gjatë karrierës së tij praktike u bë Profesor i Ortopedisë në Universitetin e Ioua-s, (Spital Ortopedik i Fëmijëve-Shtetet e Bashkuara,) ku punoi si Profesor, më pas Profesor Emeritus dhe së fundi si Presidenti Fondacionit që mban emrin e tij. Gjatë punës së tij, filloi të studiojë, në mesin e shumë sëmundjeve të tjera ortopedike të fëmijërisë, edhe këmbën e shtrembër ( P.E.V.) dhe në vitin 1948, përshkroi metodën e ideuar dhe vënë në zbatim prej tij duke hedhur poshtë të gjitha konceptet e njohura deri në atë kohë. Metoda, është bazuar në trajtimin konservativ të patologjisë. Kjo metodë është bazuar në manipulimin gradual të korrigjimit të elementëve deformativë të strukturave të këmbës e pasuar me një prerje të tendinit të Akilit dhe me plotësim e mjekimit duke mbajtur një shinë të posaçme për të konsoliduar korrigjimin e arritur nëpërmjet redresimeve në gips.

Në Spitalin Universitar të Traumës ka teknika dhe procedura, që realizohen në çdo vend të botës, thotë në vijim të bisedës Dr. Arben Gjonej, Fëmijët kthehen drejt normalitetit. Vajzat për t’i bërë balerina dhe çunat sportistë”, Në rast se sëmundja nuk do të mjekohet në kohë, pasojat invalidizuese janë të përjetëshme, ndaj merr përkushtimin e domosdoshëm mjekësor, me mjeshtëri e profesionalizëm infermieror, sidomos në vlerësimin e etapave të redresimit të elementëve përbërëse të deformimit që njëherësh janë edhe objektiva të trajtimit.

Foshnjat me çrregullime të këmbëve, mjekët: Mos i abortoni është e trajtueshme

Dy mjekët gjatë një procedure trajtimi 

E Vërteta Ime - Edvin Selmani | I ftuari ynë na tregon se si u rrit në kohë  e sfida të ndryshme ku e vërteta i dha dritë dhe hir për çdo

Prof. Edvin Selmani

Arben GJONEJ | Teknik i Gipsimit Ortopedi - Traumatologji ...

Dr. Arben Gjonej

image

Filed Under: Sociale

Mustafa Merlika – Kruja “rikthehet” në Krujë më 24 Nëntor 2024

November 18, 2024 by s p

Mustafa Merlika – Kruja “rikthehet” në Krujë më 24 Nëntor 2024.

Filed Under: Rajon

KUJTOJMË FOTOGRAFIN E SHQUAR DHE  ANËTARIN E VATRËS, GJON MILI, NË 120  VJETORIN E LINDJES

November 18, 2024 by s p

Nga libri në qarkullim, GJON  MILI.

Qemal Agaj/

Fëmija i parë i çiftit , Vasil Mili dhe Viktori Çekani, Mili lindi në Korçë në 28 Nëntor, 1904. Kater vjet më vonë sëbashku me nënën shpërngulen në Bukuresht, ku babai jetonte.

Në pranverën e vitit, 1917, kur Ai ishte vetëm 13 vjeç, babai ndrroi jetë. Mili kujton varrimin e të jatit dhe kur u kthyen në shtëpi e vendosën në krye të dhomës të priste ngushëllimet sipas zakonit në Shqipëri.

Mbaroi shkollën e mesme në, Georghe Lazar National College. Ndërtuar në 1860 dhe i vendosur në qendër të Bukureshtit, është institucioni i edukimit më me prestigj në Rumani.           Ndërkohë ndërroi jetë xhaxhai Kristo, i cili kishte qën ndërmjetës në martesën e prindërve të tij. Në atë vaki erdhi nga Bostoni dajua, Koço Çika. Ishte kjo vizitë e dajos, që i dha drejtim jetës së djaloshit Mili. Ai i ofroi sponsorizimin e udhëtimit për në Amerikë dhe dy vjet më vonë, 1923, u nis drejt Amerikës në kërkim të një kariere.

Mili – në atë kohë një djalosh 19-20 vjeçar – në kujtimet e Tij shkruan, ‘’Jo shumë kohë pas arritjes në Amerikë u prita ngrohtë nga Faik Konica. Një bashkëatdhetar i moshuar , një shkrimtar i shquar , humanist i suksesshëm dhe intelektual i mprehtë, Konica u përpoq të zgjeroj interesimin tim në artet, sidomos kinematografinë , të cilën ai e pëlqente dhe e konsideronte të ishte një formë arti e veçantë. Ai tërhoqi vëmendjen time me një artikull nga G.K. Çhesterton në gazetën London Illustrated News, duke lavdëruar vlerat e filmit… Idetë e Chesterton hapën sytë e mi. Tashmë kisha filluar të merresha me fotografi. Unë shtova optikën dhe ndriçimin në Inxhinierinë Elektrike.

Pasioni i Milit për artet vizuale nuk ishte e vështirë të zbulohej nga Konica, Ai vetë ishte një njohës dhe admirues arti. Por brenda tij nuk fshihej vetëm pasioni për artet pamore. Ishte Akoma student kur për here të pare dëgjoi të inçizuar një concert të violinçelistit të shquar spanjoll, Pablo Kazals (Casals). Aq shumë u mahnit nga interpretimi, sa Mili kujton, ‘’Unë u mbërtheva në inçizimet e Tij dhe i dëgjoja ato për orë të tëra. Preva fotografinë nga gazeta dhe e vara në mur – unë e kam atë akoma.Për mua që atëherë Ai qëndron si një mrekulli.’’ ( LIFE, 11 Nëntor, 1966.) Kjo u bë shkak të abandonoi oboe-n  dhe të ushtrohet në piano.

Pas mbarimit të studimeve, në 1928 fillon punë në Westinginghhouse Electric and Manufaktoring Co. dhe më vonë në, Westinghouse Lamp Division deri në vitin, 1938. Gjatë kësaj periudhe botoi shumë artikuj teknik mbi kërkimet e tij në projeksionin e dritës, optikës dhe fotografinë. Zhvilloi llampën me dopio filament (bipolare), më e ndritshmja llampë atëherë në përdorim. Në vitet 1930- 35, Mili zhvilloi teknikën e ndriçimit, përdorur gjerësisht në fotografinë me ngjyra me intensitet të lartë ndriçimi dhe me Photoflash lamp.

Takimi me bashkëkohësin e tij student në M.I.T., Prof. Harold Exherton (Edgerton) në një simpozium për ndriçimin në fotografi në 1937, ndërroi kursin e jetës së tij. Ky takim përshkruhet  në libër si më poshtë :

‘’ Gjatë Marsit të vitit, 1937, Prof. Exherton dhe Unë ishim folës në një simpozium për ndriçimin në fotografi në M.I.T. Unë fola për burimet e dritës artificiale atëhere në përdorim dhe Prof. Exherton diskutoi zhvillimin e Tij të ri, të electronic flash, me një kohëzgjatje shumë të shkurtër     1/ 100.000 të sekondës. Fotot më tronditën. Për here të pare kuptova që koha në të vërtetë mund të ndalej, tekstura mund të ruhej, me gjithë lëvizjet e furishme të papritura… Kur mbaroi takimiu kthyem në zyrën e Prof. Exherton për një bisedë. Ai më pyeti: ‘’Çfarë mund të bëjmë sipas mendimit Tuaj me këtë burim drite?’’ Unë shpërtheva: Më jepni dhjetë herë më shumë dritë dhe unë do të largohem nga Westinghouse.

Është kurioze të mendosh, vazhdon Mili, si kjo bisedë e paplanifikuar në zyrën e Exherton ndërroi drejtimin tim. Ishte e qartë për mua, që drita e re elektronike  do të revolucionarizonte fotografinë në lëvizje. Dukej si një shpikje e vërtetë. Por nuk ishte e thjeshtë të ndaheshe nga Westinghouse pas dhjetë vjetësh, duke len mbrapa ndjenja dhe sigurinë e jetës. Unë vazhdova të bindja veten se për një periudhë kohe do të isha i vetmi fotograf në gjendje të përdorja këtë burim drite. Fusha e re e fotografisë ishte e gjallë, po zhvillohej shpejt dhe premtonte aventurë, interes dhe mundësinë për të përparuar në diçka tërësisht të re. Unë doja të kontribuoja në të, të isha pjesë e saj.’’       

Pasi siguroi dritat elektronike brenda disa javësh nga Prof. Exherton, filloi eksperimentet në një kishë të abandonuar në Montkler, Nju Xhersi ( Montclear New Jersey). Pas gjashtë muajsh eksperimentesh me paisjet e reja,  me një numur fotografish u paraqit në LIFE, në atë kohë më Spak se gjashtë muaj në qarkullim, po mbizotëronte stendat e gazetave. 

Në 5 Shtator, 1938, fotografitë e kampionit të Tenisit, Bobby Rigs u botuan në LIFE. Ky ishte fillimi i bashkëpunimit të Milit si fotograf pa kontratë ( freelance ) me këtë revistë, që zgjati deri në fund të jetës së Tij, 14 Shkurt, 1984.

E P I L O G.

     Sipas zbulimit  të fundit të stjudjuesit Kristaq Balli në rregjistrat e Kishës Ortodokse, Korçë , Mili është është rregjistruar me emrin, Joan. Emrin Gjon, po sipas studjuesit Balli, Mili e adoptoi nga influenca dhe lidhjet me Faik Konicën, i cili vetë kishte shkruar me këtë pseudonym.

Dalip Greca ( Ish editor i Diellit) në Dielli, 12 Shkurt, 2015 shkruan – “ Gjon Mili ndeshet në kronikat e Diellit, 1927 -1935. Ai herë del si reporter, herë si sekretar i Vatrës i degës, 42 në Pitsburg, PA., herë Chairman, herë sekretar ose fondmbledhës i komisioneve kulturore.

Rasti I Gjon Milit konfirmon edhe një herë faktin se gazeta  Dielli ka qenë një shkollë e vërtetë për t’i edukuar shqiptarët me frymën kombëtare , siç ka qenë mësues i duruar për t’u mësuar emigrantëve shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Një ndër shembujt që tregon se gazeta ishte shkollë për të mësuar shqipen e shkruarështë Gjon Mili. Dielli e prezanton Gjon Milin në nr. botimin e vet të 25 Majit, 1928. Prezantimi e merr shtysën nga një përrallë me titull  ‘’ Ëndërr’’ që Mili ka përkthyer nga Rumanishtja në gjuhën shqipe.

…Është shkruar, vazhdon D. Greca, se,  Gjon Mili shkruante tregime, që i botonte në Dielli dhe në Studenti i Torinos. Nuk ka asnjë tregimtë botuar në Dielli me emrin e Gjon Milit. Është vetëm rasti  botimit të dy përrallave, njerën prej të cilave, “ Ëndërr “  e mori dhe e botoi pa lejen e autorit dhe Diellit revista e Torinos. Madje qëndrimi i Diellit ndaj këtij akti ishte i ashpër. Në nr. E 25 Marsit, 1930, nën titullin ironik, “ Një tjetër sjellje e bukur,”  Dielli shkruante : “ Ca njerëz që i thonë vetes së tyre student botojnë një revistë shqip në Torino. Në një nr. u ribotua një përrallë e bashkëpuntorit tonë, inxh. Gjon Mili. Kjo përrallë u mor nga Dielli nr. 4075, Maj 1928, jo vetëm pa leje të autorit, por pa zënë aspak në gojë Diellin… “

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT