• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

VATRA PËRSHËNDET VENDIMIN E GJYQËSORIT SHQIPTAR PËR LIRIMIN NGA ARRESTI TË LIDERIT TË OPOZITËS PROF. DR. SALI BERISHA

November 28, 2024 by s p

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” mirëpret vendimin e gjygjësorit shqiptar për lirimin nga arresti shtëpiak të liderit të opozitës shqiptare Prof. Dr. Sali Berisha.

Ky vendim është lajm i mirë për Shqipërinë, ambientin politik, klimën parlamentare, demokracinë dhe pavarësinë e gjygjësorit në Shqipëri.

Në këtë kohë dinamike kur Shqipëria angazhohet për integrim në BE, një mjedis stabil politik me funksionim të mirëfilltë të institucioneve të drejtësisë dhe raporte brenda normave të konkurencës politike pozitë – opozitë i duhet më shumti Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Duke i dëshiruar shëndet dhe punë të mbarë Dr. Berishës, unë si kryetar dhe “VATRA” si organizata më e vjetër shqiptare në SHBA, besojmë fuqishëm në drejtësinë dhe fuqinë e së drejtës dhe të vërtetës.

Urojmë që të dëgjojmë vetëm lajme të mira nga atdheu i ynë i begatë.

Me shpresën për tu takuar së shpejti në Tiranë dhe Uashington,

Me respekt

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”,

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Komente

Vatra Jacksonville, Florida, festoi festën e Flamurit Kombëtar

November 28, 2024 by s p

Lek Gjoka/

Kur dielli u shtrirë të flere dhe nata sapo trokiti shqiptaret të veshur bukur dhe një pjese edhe kuq e zi dhe ne një buzëqeshje shpirtërore në shpirt hynë një e nga një në sallën e madhe te University of North Florida. Muzika shqiptare sikur e kishte kthyer kete universitet të madh në veri të Floridas (ku qindra e qindra bije e bija të emigranteve shqiptare në Jacksonville janë arsimuar dhe tani kontribojnë të barabarte me bashkë moshataret e tyre të kombësive të ndryshme) në një frymarrjë shqiptare .

Për një çast muzika ndaloi dhe fjalën e mori z. Adriatik Spahiu i cili falënderoi pjesëmarrësit që kishin ardhur për të festuar Festen e Flamurit, të 112 vjetorit Pavarësisë së Shqipërisë si dhe 12 vjetorin e themelimit të degës së Vatrës në Jacksonville. Nder të tjera ai tha: “Kam privilegjin që të mbaj këtë fjalë rasti dhe përshëndetjeje. Sot është një ditë e madhe e rëndësishme dhe e veçantë për çdo shqiptar kudo që jeton. Kjo datë është e vyer për çdo shqiptar që në trupin e tij i pulson gjak shqiptari. Kjo është dita e pavarësisë, lirisë. Është ajo ditë që konfirmoj identitetin e shumë kërkuar, për të cilin u derdh gjak në shekuj. Liria dhe pavarësia e mohuar prej shekuj nga ata që edhe sot e kësaj ditë kërkojnë mesa e si të mundin të na e mohojnë, sidomos Kosovës sonë martire. Kosovës me vëllezërit dhe motrat që e kanë paguar shtrënjtë këtë ditë më gjak, mund dhe sakrificë shekullore. Dita e pavarësisë është jo thjeshtë çertifikimi i Shqipërisë, por është kurorëzimi i sakrificës dhe luftës sonë shekullore. Ne që sot jemi këtu ne diasporën, prej vitesh, madje disa edhe prej dekadash, por asnjë çast nuk e kemi hequr vëmendjen dhe kontributin për vendin tonë Shqipërinë. Për këtë jemi krenar dhe ju falënderoj nga zemra. Por qënësinë tonë të vendin e demokracisë dhe të lirisë, po mbi të gjitha në vendin e njerëzve të mëdhenj që e njohën, përkrahin dhe mbështesin vendin tonë është vlerë e dyfishtë. Jo një herë, por sa herë është dashur nevoja e tyre, ata nuk janë kursyer, nuk kanë përtuar, nuk nguruar, por kanë vendosur me voten e tyre në interesin tonë. Kjo është Amerika. Atdheu ynë i dytë . Kjo është SH.B.A- ja . Ky është vendi I Willsonit, Bushit, Klintonit, së fundi dhe Donald Trumpit e të tjerëve që Shqipërinë si Komb e kan mik ashtu si i kemi edhe ne mik për kokë.

Të nderuar miq dhe vatrane unë nuk dua të bëj politik sidomos sot se e kemi festë, por nuk mund të mos them të paktën një fjali të vetme. Jo thjeshtë për klasën politike shqiptare e cila më shumë po shikon interesat e tyre sesa të kombit, por dhe për ne në diasporë, të cilët duhet të mos lodhemi, kurësehemi për kombin. Nuk duhet të mendojmë për të vetëm në ditën e shënuar, por çdo çast. Jo vetëm se është vendlindja dhe atdheu ynë, por se e ka bekuar zoti dhe se ka vuajtur shumë si nga të huajt dhe nga njerëzit brenda saj.

Të nderuar përfitoj që sot në cilësinë e kryetarit te vatres dega Jacksonville ti bëjë apel cdo shqiptari që është pjesë e klasës politike në Shqipëri, kushdo që ka përgjegjësin dhe detyrimin për ti shërbyer Shqipërisë, ta shikojë jo thjeshtë si mundësi fitimi dhe interes personal e familjar, po si obligim ndaj këtij Kombi me vlera dhe të mbivajtur, i cili ka miq të shumtë kudo në Botë, po mbi të gjitha ka mik Amerikën e madhe. Amerikën e demokracisë. Amerikën e familjes dhe të vlerave. Kjo nuk është pak. Ne në dukje dukemi komb i vogël, por në realitet jemi shumë i madh . Madhështia jonë duket nga vlerat cilësite dhe kontributi që kemi një nga një dhe së gjithë sëbashku. Edhe njëherë më lejoni t’iu them faleminderit që jeni sot këtu në këtë ditë të madhe. Le të festojmë së bashku. Le ti urojmë çdo shqiptari ku do që është dhe Kombit tonë Gëzuar Diten e Flamurit të heroit të kombit tonë Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, gezuar festën e Pavarësisë” tha z.Spahiu. Z. Tasim Ruka ish-kryetari i degës së Vatres në Tampa Florida pas përshëndetjes se festave vlerësoi punën e palodhur të deges se Vatres Jacksonville Florida për organizimin e kësaj festë të madhe. Pas përshendetjeve zoti Adriatik Spahiu ftoi të pranishmit të ngrihen në kombe dhe të këndojmë sebashku me kengetaret dhe orkestrën himnin e flamurit të Shteteve të Bashkuera të Amerikës dhe të Republikës së Shqipërisë. Të gjithë u ngriten në këmbë dhe salla u ndez plot emocione.

Pas respektit të dy himneve dhe një pauze të shkurtër salla gëmezhiu në tingujt e muzikës se Jugut të interpretuar nga këngëtarja Brigena Asa. Minutat kalonin dhe pas saj kengetaraja Elizabeta Marku e elektrizoj sallën me motive këngësh shqiptare të Shqipërisë se veriut. Minutat fluturonin pa u ndjere. Në një moment orgestranti i talentuar Hermes Duci ndaloi muzikën. Kryetari i deges e Vatres Jacksonville mori fjalën përseri dhe dhe dekoroi në emer të degës zotin Agim Karagjozi (pas vdekes) si president dhe kryetar i Vatrës Jacksonville për kontributin e çmuar që dha gjatë gjithë jetës në shërbim të Vatres dhe Diasporës shqiptare të Amerikës.

Zoti Spahiu falënderoi pjesëmarrësit e shumë në festë si zonjën Rajmonda Moisiu, Dr. Ardian Kraja, shkrimtarin dhe publiçistin Lek Gjoka që ka dhene një kontribut të çmuar për Diasporës shqiptare të Amerikën e ne veçanti për degen e vatres Jacksonville Florida.

Ndërsa poeti Lek Gjoka pas marrjes se vlerësimin nga z.Adriatik Spahiu ndër të tjera tha: Falënderoj degen e Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Jacksonville Florida për vlerësimin. Ju përshëndes te gjitheve dhe iu uroj gëzuar festen e flamurit dhe të Pavarsise se Shqipëria.

Deshiroj që kjo klime e ngrohte dhe vëllazërore qoftë gjithmonë në mesin e ne shqiptarëve këtu në Atdheun tonë të dytë Amerikën.

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti e bekoftë Amerikën .

Gjithashtu një falënderim të veçantë zoti Adriatik Spahiu beri edhe për dibranin Maks Puci si një pjesëmarrës i përhershëm në festimet e ditës se flamurit dhe Pavarsise se Shqipërisë ashtu edhe si sponsor i këtij evenimenti të Vatres. Salla përseri filloi të gumëzhintë nën ritmin e këngëtarit të talentuar Ylli Baka. Vallja shqiptare sikur po sillte në kete salle të madhe të University of North Florida një copez arome nga memedheu. Mirënjohje për Kryesinë e Vatrës, Këshillin e Vatrës dhe gazetën Dielli për punën e shkëlqyer patriotike dhe atdhetare.

Filed Under: Interviste

Fatmir Gjeka, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi vizitoi Vatrën

November 28, 2024 by s p

New York, 27 Nëntor 2024 – Fatmir Gjeka, ministër i të drejtave të njeriut dhe pakicave në qeverinë e Malit të Zi njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Demokratike në Mal të Zi vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u shoqërua nga Astrit Hoxha sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Naser Nika kryetar i shoqatës shqiptaro-amerikane në Staten Island, NY. Ata u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, z.Ilir Cubi anëtari i kryesisë më 30 vite kontribut në Vatër dhe z.Mëhill Gjuraj biznesmen dhe aktivist i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës. Dr. Camaj në fjalën e mirëseardhjes shpjegoi historinë e Vatrës dhe Diellit dhe kontributin thelbësor në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në trojet etnike. Ministri Gjeka vlerësoi punën e Vatrës si institucion kombëtar dhe tregoi sukseset qeveritare në kabinetin ku prezenca dhe fuqia e shqiptarëve është gjithnjë në rritje. Dr. Camaj në emër të Vatrës shprehu mirënjohje, falenderim e mbështetje faktorit politik shqiptar në Mal të Zi të cilët janë më të fortë se kurrë në mbrojtje të interesave kombëtare dhe prosperitetit të Malit të Zi në rrugën euroatlantike.

Filed Under: Vatra

LAMTUMIRË KOLEG I DASHUR, PUSHOFSH NË PAQË PROFESOR SAMI REPISHTI

November 28, 2024 by s p

Trashëgimia e tij qoftë kujtimi i tij.

Nga Frank Shkreli

Ndërroi jetë Profesor Sami Repishti në moshën 99-vjeçare. Kalimi i tij në amshim, shënon një boshllëk të madh në familjen e tij të ngusht, në komunitetin shqiptaro- amerikan, pjesëtar i të cilit ishte për shumë dekada. Të drejtat e njeriut – jo vetëm në botën shqiptare – por anë e mbanë botës, me ndërrimin e jetës së Profesor Repishtit, pësuan humbjen e njërit prej mbështetsve më të njohur dhe më të fortë në shumë dekada. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane humbën promovuesin më të zellëshëm. Komunizmi humbi njërin prej kritikëve më të ashpër — dhe si ish- i burgosur i regjimit të Enver Hoxhës, viktimat e komunizmit – të gjallë e të vdekur – kanë humbur sot përkrahsin më të madh të tyre – sidomos klerikët katolikë të martirizuar nga komunizmi. Shkreli: Sami Repishti: “Lotë, Lavdi e Lumnim” | Gazeta Telegraf

Jeta dhe veprimtaria e Profesor Sami Repishtit mbetet një thesar kombëtar. Kontributet ishin të shumta në të gjitha fushat e veëprimtarisë së tij patriotike, akademike dhe humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. Për dekada, Prof. Repishti ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Një pasardhës i denjë i rilindasve të vërtetë të Kombit – njeri prej intelektualëve më të njohur e më të dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerkkës dhe besoj në mbarë botën shqiptare. Besnik ndaj Kombit, besnik ndaj miqëve dhe shokëve, anti-komunist i përbetuar!

Si njëri prej pasardhësve të fundit të brezit të tij të rilindisave të vërtetë të Kombit, Prof. Repishti i ndoqi dhe i zbatoi idealet e tyre të larta në të gjitha veprimtaritë e tij, por mbi të gjitha duhet theksuar se përpjekjet e tij, për të promovuar, për të zhvilluar dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit pa dallim, sidomos për shqiptarët kudo, gjatë gjithë jetës së tij — para dhe pas shembjes së komunizmit, janë të pakrahasueshme me ndonjë tjetër person, në botën shqiptare, por jo vetëm. Në niovel kombëtar dhe botëror, Sami Repishti, meriton nderimte dhe respektin e të gjihtë neve — si një perosnalitete të nderuar, një ikonë shqiptaro-amerikane e të drejtave të njeriut dhe për të celebruar arritjet e tija , si një trashëgimi e një mbështetësi të idealeve të të drejtave të njeriut, si vlera njerëzore për të gjithë ne – vlera këto të cilat Prof. Repishti i ka jetuar, i ka mbështetur dhe i ka zbatuar gjithë jetën e tij, deri në ditët e sotme – por që regjimi enverist ia kishte mohuar duke e burgosur për 10-vjet si kundërshtarë të tij.

I përket një personi të veçantë që t’ia dedikojë jetën mbrojtjes dhe promovimit të drejtave të njeriut. Një person i tillë duhet të jetë një individ vlerash dhe virtytesh! I tillë ishte Samiu! Gjithë jetën e vet, Prof. Repishti ka treguar një forcë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe ka pasqyruar vlerat dhe një besim të fortë, për t’ia pasur gjithkush lakmi, të pakën nga ata që i respektojnë këto vlera. Ai kurrë nuk është dorëzuar përball luftës për të drejtat e njeriut. Madje edhe në moshën e shkuar vjeçare, asgjë dhe askush nuk e ndalonte atë që të shprehej dhe të shkruajnte në mbështetje të të drejtave të njeriut, të vlerave dhe të drejtave universale dhe të integritetit dhe të drejtave të individit. Kjo për arsye se Prof. Repishti nuk ka pasur kurrë frikë të merrte qëndrime të prera dhe të vendosura në mbështetje të parimeve në të cilat ai besonte. Madje edhe në rrethanat më të vështira në burgjet e komunizmit shqiptar dhe jugosllav, ai nuk mund dhe nuk dëshironte të heshtë.Nuk duronte të padrejtësinë! Gjatë gjithë jetës së tij, Prof. Repishti ka besuar se kur kemi të bëjmë me respektin për të drejtat e njeriut, pa marrë parasysh rrethanat, njeriu nuk mund të mbetet asnjanës, sepse siç ka thënë aktivisti i të drejtave të njeriut dhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Wiesel “të jesh asnjanës, vetëm ndihmon shtypësin dhe kurrë viktimën dhe heshtja inkurajon gjithmonë torturuesin dhe asnjëherë të torturuarin”.

Prof. Repishti, pa marrë parasysh rrethanat dhe rreziqet, nuk ka qëndruar kurrë larg interesimit dhe mbështetjes për të drejtat e njeriut. Profesor Repishtin, Perëndia e kishte bekuar me një jetë të gjatë dhe me shëndet për një arsye – dhe ai nuk e ka tradhtuar atë kurrë. Jeta e tij ishte një jetë shërbimi ndaj të tjerëve. Ai punuar gjithë jetën dhe vazhdoi deri në muajt e funditt të jetës të jepte kontributin e vet ndaj njerëzimit, i bindur se misioni i jetës, megjith moshën, nuk ka marrë fund. Ai vazhdoi deri në fund të frymëzonte të tjerët dhe se pa marrë parasysh rreziqet me të cilat mund të përballej, Samiu nukishte kurrë i asnjanës ndaj së keqës as përball shtypjeve e terrorit dhe krimeve, historikisht, nga regjimet komuniste në trojet shqiptare për një gjysëm shekulli ose nga diktatorë të tjerë të ngjyrave të ndryshme, anë e mbanë botës.

Prof. Repishti ishte një dëshmitar i cili ka përjetuar regjimin brutal të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve më totalitare të shekullit 20. Por, ai njëkohësisht ishte edhe dëshmitar i gjallë i heroizmit të atyre shqiptarëve, viktimave të atij regjimi, të cilët së bashku me Profesorin rezistuan forcën brutale të të ashtuquajturit “pushtet popullor”.

Prof. Repishti s’ka pushuar të shkruaj dhe të flasë për vuajtjet e veta dhe të viktimave të tjera të komunizmit, të cilët kundërshtuan komunizmin së bashku me të. Ndërkohë që propaganda dhe terrori i komunizmit shqiptar kishte përfshirë vendin, duke filluar nga viti 1945, ishte e pamundur që Z. Repishti të heshtë për ato që kishte parë. Megjithë rreziqet që i kanoseshin atij dhe familjes së tij, ai vendosi të mbante një qëndrim të prerë kundër diktaturës komuniste dhe të mbronte të drejtat e njerëzve të pafajshëm. Siç ka ndodhur edhe me mbështetës të tjerë të mëdhenj të të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të fundit, Prof. Repishti kishte filluar të interesohej për të drejtat e njeriut, në një periudhë kur po përballej vetë, drejtpërdrejt me të keqen – dmth, me rendin e ri komunist në Shqipëri – regjim i cili e torturoi për 14 muaj dhe e burgosi atë për 10 vjet, vetëm e vetëm se e kundërshtonte atë regjim.

Qëndrestar kundër Komunizmit!

Rezistenca e tij ndaj komunizmit, ka shkruar Prof. Repishti “më ka obliguar moralisht për të ndarë me të tjerët ato që kam parë, sidomos krimet e diktaturës së proletariatit, duke venë në dukje, jo vetëm vuajtjet e popullit tonë, por edhe karakterin e popullit shqiptar, i cili i qëndroi besnik vetvetes, përball kërcënimeve të ndryshme, përfshirë edhe kërcënimet me vdekje”. Kështu që, interesimi i Prof. Repishtit për t’iu dedikuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut nuk kishte filluar në 10-20 ose 30-vitet e fundit. Kauza e të drejtave të njeriut ishte bërë pasion i jetës së tij qysh në fillim.

Angazhimi i tij për të drejtat e njeriut e ka zanafillën atje, në vitet e vuajtjeve të tija në burgjet komuniste, si i burgosur politik në Shqipëri, ku vuajti 10 vjet burgim, së bashku me intelektualët më të dalluar të Shqipërisë së asaj kohe, përfshirë edhe klerikët katolikë ndër shqiptarët më të shquar, ndërkohë që kishte qenë dëshmitarë i tmerreve që ata vuajtën në duar të torturuesve komunistë. Në lidhje me vuajtjet e klerikëve katolikë shqiptarë, Prof. Repishti ka shkruar në vitin 1966, pasi kishte arritur në Amerikë se, “i ndjeja thellë mizoritë e ushtruara mbi ta: masakrat dhe torturat, shpifjet e organizuara dhe trajtimet poshtëruese ndaj tyre ishin aq të rënda, sa që nuk mund të pranoheshin, të harroheshin dhe as të faleshin”. Prof. Repishti ka shkruar se ai është frymëzuar nga, “dashuria e tyre fisnike për bashk-të-burgosurit, për faljen dhe mëshirën që ata treguan ndaj torturuesve të tyre të verbër, nga shpresa e tyre që buronte nga ndjenjat e shëndosha se aspiratat tona, për liri, drejtësi dhe paqe, heret o se vonë, do të realizoheshin.

Pasi mbijetoi vuajtjet në burgjet komuniste të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, ai emigron në SHBA në fillim të 1960-ve. Përvoja e Z. Repishti në ato burgje duket se kishte lëkundur qëndrimin e tij në besimin ndaj mirësisë së njerëzve, por megjithëkëtë, ai kurrë nuk humbi besimin në shpirtin njerëzor.

Në një letër që ai i ka dërguar, Fondacionit Woodrow Wilson në Washington në vitin 1964, në lidhje me këtë, Repishti bën pyetjen: “A është e keqja me të vërtetë aq e thellë e rrënjosur në shpirtin e njeriut, sa që njeriu të identifikohet me të keqen”? Komunizmi, ka shkruar ai, kishte kthyer për së mbrapshti një numër parimesh të jetës sonë, duke na kërkuar që të hiqnim dorë nga individualiteti ynë personal, me qëllim për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, një njeri të ri. Përballë kësaj situate, ka pohuar ai, ne ishim të detyruar të vendosnim nëse të pranonim ose jo këtë drejtim të ri. “Ishim para një alternative të pa evitueshme, për të dëmtuar të tjerët (fizikisht dhe moralisht) ose për të pësuar ne sulmet nga të tjerët. Në lidhje me këtë nuk kishte kompromis”, ka nënvijuar Prof. Repishti, duke shtuar se ai vet kishte vendosur që të mos dëmtonte të tjerët, por të pësonte kritikat dhe sulmet nga të tjerët, dmth. nga kundërshtarët e tij.

Prof. Repishti ka pohuar gjithashtu se përvoja e tij në burgjet komuniste, jo vetëm që e ka bërë atë të identifikohej më mirë me problemet e përditshme të bashkatdhetarve të vet, por njëkohësisht, e kishte detyruar të përballohej me disa pyetje morale, për të mos thënë teologjike, në lidhje me natyrën njerëzore dhe mbi të drejtat e njeriut në këtë botë. “Cila është gjendja shpirtërore në ditët tona? Cili është reagimi ndaj tendencave për ta bërë njeriun si një frymë pa bazë morale, thjeshtë për ta shndërruar atë në një objekt? Si lufton njeriu për sigurinë e vet, përafirmimin e tij, për lirinë dhe pavarësinë personale dhe më në fund për ekzistencën e vet, për një ekzistencë kuptimplotë?” Z. Repishti ka shkruar që nga viti 1964 se “për të zbuluar përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të vështira dhe të ndërlikuara të ditëve tona, unë kam vendosur t’i kushtohem kauzës së të drejtave të njeriut, me qëllim për të kontribuar diçka më të vlefshme dhe më fisnike ndaj fjalës “njeri, sepse kjo kauzë do të bëhej një ideal dhe shpresë për mua”, ka thënë ai.

Mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë

Si rrjedhim, Prof. Repishti ka qenë një mbështetës dhe aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo që ata jetojnë në trojet e veta në Ballkan. Profesori është dalluar gjatë dekadave të kaluara sidomos me aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta autoktone në Kosovë dhe trojeve të tjera në ish-Jugosllavi, por pa harruar gjithashtu as të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Ai e ka zhvilluar luftën në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët me mënyra të ndryshme si individ dhe si anëtar i organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International. Por mbi të gjitha ai është aktivizuar si qytetar i lirë i SHBA, duke ushtruar të drejtën e tij, me shkrime dhe në kontakte personale, gjithmonë me qëllim për të influencuar përfaqësuesit politikë amerikanë që politikisht, diplomatikisht dhe më në fund edhe ushtarakisht me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të ndihmonin shqiptarët dhe të mbronin të drejtat e tyre. Sa herë gjatë viteve, ka udhëtuar Prof. Repishti nga New Yorku në Washington për takime zyrtare me udhëheqësit më të lartë të qeverisë dhe të Kongresit amerikan për t’i sensibilizuar ata mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit. Kontaktet e tij me Washingtonin zyrtar kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme, ndërkohë që ai konsiderohej si një këshilltar i besueshëm dhe i drejtë në marrëdhëniet e tija me Departamentin Amerikan të Shtetit, me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos me udhëheqës të Kongresit amerikan të dy partive kryesore amerikane, republikanë dhe demokratë.

Paraqitja e Profesor Repishtit para Kongresit Amerikan më 1965 ishte vetëm fillimi i kontakteve të Prof. Repishtit me autoritetet amerikane. Ç’prej asaj dite, ai nuk i është ndarë paraqitjes së çështjes shqiptare në qarqet më të larta politike dhe akademike amerikane. Prof. Repishti gjithmonë ka gëzuar respektin më të madh në këto qarqe si njeri i besueshëm dhe i drejtë, por është njohur edhe për angazhimin e tij të fortë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, këshillat e të cilit duhej të merreshin parasysh.

Në një letër që ish-Zv/Presidenti Al Gore i kishte dërguar Prof. Repishtit me rastin e 75-vjetorit të lindjes, duke i dërguar atij “urimet më të përzemërta për ditëlindjen” i shkruante se “jeta jote është një shembull i shkëlqyer, e asaj që është e madhërishme në SHBA… E di se familja dhe komuniteti i juaj, me të drejtë janë krenarë për karrierën tuaj të profesorit prej 25 vjetësh, për guximin tuaj të papërkulshëm dhe për aktivizmin tuaj në fushën e çështjeve shqiptare”. Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik amerikan, Kongresisti republikan nga Long Island i New Yorkut, Peter King në të njëjtin rast shënon në gazetën zyrtare të Kongresit, “Congressional Record”, lavdërime për Repishtin, të cilin ai e cilëson si një “bashkqytetar shëmbullor”, duke theksuar se, “Gjatë gjithë jetës së tij, Dr. Repishti i është dedikuar luftës kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, shkelje të cilat ai vet i kishte përjetuar për një kohë të gjatë”. Kongresisti King ka theksuar rolin që ka luajtur Prof. Repishti në udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), “një organizatë e dedikuar për të luftuar shkeljet e të drejtave të njeriut të shqiptarëve”, ka shkruar ligjvënsi amerikan republikani Peter King

Profesor Repishti — jo vetëm ishte dëshmitar i një historie të tmerrshme, por për më tepër, ju edhe keni vuajtur nga krimet e asaj historie, nga krimet më çnjerëzore që mund të ndërmerrte një regjim kundër qytetarëve të vet. Por ju, megjithë vuajtjet kishit forcën, vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut, si shembull për brezat e ardhshëm.

Profesor Dr Sami Repishti, ky mbështetës i shquar dhe luftëtar për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut – miku i ynë Prof. Sami Repishti, jo vetëm sot në kalimin tuaj në amshim, por me fjalët dhe veprat e tij shembullore, ai gjithmonë na ka ftuar dhe kujtuar duke na bërë thirrje edhe sot që të mos harrojmë krimet e së kaluarës. Por, është e rëndësishme për pajtimin shoqëror dhe kombëtar, ka thënë ai, që ato të korrektohen, me qëllimin dhe shpresën që të mos përsëriten më.

Mendoj se Prof. Repishti na porosit sot që të bëjmë më shumë në mbështetje të drejtave të njeriut – duke thënë se megjithëse anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, shqiptarët kanë shënuar përparim të dukshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë – si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë shumë për të bërë në këtë fushë dhe në fushë të tjera – sidomos në fushën e pajtimit kombëtar e shoqëror – për të siguruar që të drejtat e njeriut, dinjiteti njerëzor për secilin person, barazia para ligjit dhe liria për të gjithë, të nguliten njëherë e mirë në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve dhe përgjithmonë anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky është një objektiv, për realizimin e të cilit ka punuar gjithë jetën e tij Prof. Repishti. Ai na këshillon sot se puna për sigurimin e të drejtave të njeriut nuk kryhet kurrë, por do të thoshte se shqiptarët kanë çdo arsye që të kenë shpresë, se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt se e kaluara e tyre e hidhur dhe më e mirë se e tashmja zhgënjyese.

Të jeni të sigurtë i nderuar Profesor, koleg e mik i nderuar, se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri si edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, falenderojmë Zotin që të patëm — se jemi të gjithë tepër krenarë për arritjet tuaja në fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët në veçanti, dhe për njerëzimin në përgjithësi.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë. Lamtumirë i dashur Profesor i dashtun. E paç bekimin dhe uratën e Perendisë – në atë jetë.

Trashëgimia e tij qoftë kujtimi i tij për të gjithë ne, përgjithmonë. Pushoftë në paqë!

Filed Under: Fejton

U SHUA PROFESORI, ANTIKOMUNISTI, QËNDRESTARI, MBROJTËSI I KOSOVËS SAMI REPISHTI

November 28, 2024 by s p

Në pragun e festës kombëtare të pamvarsisë, mbarë shqiptaria , morëm lajmin e hidhur ndarjen nga jeta të Marting Luterkingut shqiptar Prof. Sami Repishti. Atdhetari, studjuesi dhe mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të njeriut ikona e qëndresës antikomuniste, studenti i universiteteve italiane e franceze ku u doktoruar si student i shkëlqyer, ai që nuk u pajtua me politikën aktuale të 34 viteteve në mbrotje të drejtave dhe lirive të njeriut për të përndjekurit politikë shqiptar Prof. Sami Repishti, rilindasi i shekullit njëzet, edhe vdekjen e priti në një ditë të shënuar në ditën e flamurit. Të ati flamuri që i u kushtua me çënjen e tije në mbrotje të çështjes kombëtare, që çoi zërin e tij në Uashington për mbrotjen e Kosovës.

Prof. Peter Prifti pati shkruar: Prof. Dr. Sami Repishti qendron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta. Ai bashkë me Arshi Pipën e Martin Camajn përbëjnë një treshe elitare shkodranësh, të cilët me jetën dhe veprën e tyre e shpunë më tej misionin atdhetar dhe intelektual të Rilindjes dhe të atdhetarëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të pas saj. Me veprimet konkrete në atdhe dhe në Kosovë për të ndihmuar nga afër proceset e demokratizimit dhe të krijimit të shtetit ligjor, meriton të quhet Institucion i mëvetësishëm. Sami Repishti ka shkruar disa qindra artikuj, mbi njëzet libra (disa me bashkautorësi) dhe dy vepra letrare “Pika Loti (shkruar më 1959 – 1963 dhe botuar më 1997 dhe 2009) dhe Nën hijen Rozafës(2004). Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur letërsia e burgut, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh. Aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar dhe mbajtur në fshehtësi.Suksesi i tije, ma i madh ka qenë, dhe mbetet, fitorja e tije kundër urrejtjes. Asnjiherë nuk i kam lejue vetes me urrye, me gjithë kundërshtimin e fortë që kam tregue kur nuk kam qenë dakord. Kështu, ditën e parë kur mbrriti në Shqipni më 9 gusht 1992, deklaroj para gazetarëve në Rinas: ‘Kthehem në atdhe me dashuni për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri’, thanie jo origjinale, por gur themeli për mendimet e tija , e huazueme nga fjalimi i Presidentit Abraham Lincoln mbajtun në mbarim të Luftës Civile në Getisburg PA gjatë së cilës ishin vra ma shumë se 600.000 amerikanë. Disa përgjithësime të tij për gjendjen e Shqipërisë në tranzicion, janë proverbiale. Të tilla janë thëniet:“Krimi nuk asht dënue, e krimineli asht kthye në pushtet i veshun me rroben e ‘socialistit europian’.Një pushtet i lindun nga gënjeshtra, i mbajtur me grykën e pushkës. Një shoqëri e shkërmoquan nga pesha e randë e krimit të kryem nga xhelatët e indoktrinuem. Gjendja politike vazhdon të jetë kaotike dhe ajo ekonomike e dëshpërueme.”

Elez Biberaj ish Drejtori i Zërit të Amerikës shkruan për Repishtin: “Pas shumë dekadash si udhëheqës në fushën akademike dhe në mendimin e komunitetit, Profesor Repishti vazhdon të frymëzojë brezat e shqiptarëve në kërkim të një shoqërie më demokratike dhe më të drejtë. Ai është një shqiptaro-amerikan i madh, një patriot i vërtetë shqiptar, një dijetar i plotësuar, dhe një njeri i parimeve, i cili nuk e pushoi kurrë luftën në emër të asaj që besonte. Sot ne u ndamë fizikisht me Prof. Repishtin, por atdheu e memorizon në plejadën e dijetarve të mëdhenj, që i dhanë Shqipërisë pamvarsinë, atyre që ndërtuan shtetin e parë shqiptar, atyre që luftuan fashizmin dhe komunizmin, ata që i dhanë pamvarsinë Kosovës, Zëri i tije që kumboi në kongresin amerikan për të drejtat e liritë e shqiptarve nuk do të ndigjohet ma se iku në botën e amshuar , por vepra e tije do të ndrisë në breza për shqiptarët dhe do të jetë një udhërrëfynjës dhe për brezat e ardhshëm për ta ndërtua Shqipërinë , për ta mbrojtur lirinë. Ka qenë nder i madh për mua që kam patur rastin të bashkëpunoj ngushtë me Profesor Repishtin në këtë periudhë postkomuniste dhe i jam shumë mirënjohës mbështetjes dhe miqësisë së tij të vazhdueshme. Përpara veprës dhe kontributit tuaj përunjen me respekt mijëra familje shqiptare që kaluan kalvarin tënd të vuajtes, dhe kan një mesazh “ U ndriçoftë mendja e shqiptarve për të mbrojtur lirinë” pusho i qetë në tokën e lirisë , ku e shkrive jetën për kombe e atdhe. Lamtumire Repishti i madh. Sot ne kemi më shumë nevojë për Ju se sa dje.

Besim NDREGJONI

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT