• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

NËNTORËT SHQIPTARË – SHTYLLAT HISTORIKE TË LIRISË DHE PAVARËSISË KOMBËTARE

November 28, 2024 by s p

Nëntori, muaj historikisht simbolik për shqiptarët, bart ngjarje që përfaqësojnë përpjekjet më të rëndësishme për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar. Ky muaj përfshin tri momente të papërsëritshme në historinë e kombit shqiptar: ngritjen e Flamurit në Krujë nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 28 Nëntor 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor 1997. Këto ngjarje, të lidhura përmes një periudhe pesë-shekullore, përbëjnë themelet e qëndresës kombëtare dhe të ndërtimit të identitetit shqiptar.

Nëntorët shqiptarë – 1443, 1912 dhe 1997 – përfaqësojnë një lidhje të pandashme të përpjekjeve kombëtare për liri dhe pavarësi. Kjo festë është e pakrahasueshme dhe pazëvendësueshme për shqiptarët, duke mbetur një simbol i përbashkët që lidh Krujën, Vlorën dhe Drenicën.

Më 28 Nëntor 1443, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin shqiptar mbi kalanë e Krujës, duke shpallur çlirimin e saj nga sundimi osman. Ky akt nuk ishte vetëm një fitore ushtarake, por një simbol i fuqishëm i rezistencës kombëtare kundër pushtuesve. Skënderbeu, një strateg dhe udhëheqës vizionar, u bë simbol i unitetit shqiptar dhe frymëzues për brezat e ardhshëm. Rezistenca e Skënderbeut nuk ishte thjesht një luftë për tokë, por një përpjekje për të ruajtur identitetin, kulturën dhe fenë në një kohë të rrezikut të asimilimit. Flamuri i tij, që bart simbolin e shqiponjës dykrenare, vazhdon të jetë simbol i krenarisë kombëtare dhe shprehje e aspiratave për liri dhe pavarësi.

Plot 469 vite pas çlirimit të Krujës, shqiptarët shënuan një tjetër moment historik të madh më 28 Nëntor 1912. Në Vlorë, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, u shpall Pavarësia e Shqipërisë, duke vendosur themelet e shtetit të parë të pavarur shqiptar. Ky akt përfaqësonte kulmin e një lëvizjeje shekullore për çlirim nga Perandoria Osmane dhe përbënte një kthesë vendimtare në historinë kombëtare. Shpallja e Pavarësisë u realizua në një kohë sfidash të mëdha. Gjatë periudhës që pasoi, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912/13) vendosi kufij që lanë jashtë Shqipërisë më shumë se 60% të territoreve shqiptare, duke përfshirë Kosovën, që iu aneksua Serbisë. Megjithatë, shpallja e Pavarësisë shënoi një fitore morale dhe juridike për kombin shqiptar, duke vendosur themelet për zhvillimet e ardhshme. Vlora, si epiqendra e këtij akti madhor, mbetet një simbol i rezistencës politike dhe shprehim i vullnetit të popullit për të pasur një shtet të pavarur. Kuvendi i Vlorës përfshiu përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, duke treguar unitetin kombëtar dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare.

Fundi i shekullit XX shënoi një tjetër kulm historik për shqiptarët. Më 28 Nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) doli publikisht në Llaushë të Skenderajt, duke shpallur vendosmërinë e popullit shqiptar për t’u çliruar nga sundimi serb. Kjo ngjarje përfaqësonte vazhdimësinë e qëndresës kombëtare, duke lidhur përpjekjet e UÇK-së me traditën historike të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Dalja publike e UÇK-së ishte një akt guximi dhe frymëzimi, duke shënuar fillimin e fundit të represionit serb në Kosovë. Pas dekadash të persekutimit dhe spastrimit etnik, lufta e UÇK-së mishëroi aspiratat e popullit për liri, drejtësi dhe pavarësi. Drenica, si epiqendra e kësaj lëvizjeje, u bë simbol i sakrificës dhe qëndresës për lirinë e Kosovës.

Po më 28 Nëntor, në vitin 1955, lindi komandanti legjendar Adem Jashari, i cili mishëron heroizmin dhe sakrificën për çlirimin e Kosovës. Jashari u bë një ikonë e luftës për liri, duke i dhënë kësaj date një dimension të ri simbolik. Familja Jashari dhe veçanërisht akti i tij heroik në Prekaz janë dëshmi e sakrificës sublime që shqiptarët bënë për liri.

Këto momente – çlirimi i Krujës më 1443, Pavarësia e Shqipërisë më 1912 dhe dalja publike e UÇK-së më 1997 – nuk janë thjesht ngjarje të veçuara historike, por hallka të pandashme të përpjekjeve të hqiptarëv për liri dhe pavarësi. Nëntori i bashkon këto ngjarje, duke i kthyer ato në simbole frymëzuese për të gjithë kombin shqiptar.

Kruja, Vlora dhe Drenica përfaqësojnë tri shtylla të rezistencës kombëtare, ndërsa 28 Nëntori mbetet një ditë ku historia, krenaria dhe aspiratat kombëtare ndërthuren për të përkujtuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen. Kjo datë, që mbart në vete sakrificën, qëndresën dhe triumfin, frymëzon brezat e ardhshëm për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin kombëtar dhe lirinë e fituar me sakrificë.

Haxhi Ademi, Doktor i Shkencave të Historisë

Filed Under: Emigracion

Flamuri Kuqezi valëvitet në qytetin e lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

November 28, 2024 by s p

Shqiptarët e ngritën flamurin tonë kombëtar në Bashkinë e Philadelphias.

Nga Dr. Sadik Elshani

Ka vitë që në Philadelphia është krijuar një traditë e bukur, ngritja e Flamurit Kuqezi në sheshin e bashkisë. Kështu ndodhi edhe sot kur u zhvillua ceremonia madhështore e ngritjes së flamurit në Bashki. Për komunitetin shqiptaro – amerikan të Philadelphias me rrethinë kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbolet tona kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphias. Ngritja e flamurit kuqezi në bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve është nder për Shqipërinë e gjithë shqiptarët, posaçërisht për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias. Por, edhe flamuri ynë hijerënd e zbukuron qiellin e Philadelphias, sepse ai është flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale, dinjitetin e kombit tonë. Atë nuk e shëmtojnë njollat e pushtimit të tokave të huaja, robërimit të popujve të tjerë. Flamuri ynë është vetëm flamuri i lirisë. E ku më bukur shfaqet ai shpirti i lirisë sesa në qytetin e Philadelphias, vendlindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës?!

Këtë ceremony madhështore e hapi kryetari i shoqatës “Bijtë e shqipes”, z. Dritan Matraku, i cili përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit. Merrnin pjesë edhe përfaqësues të Bashkisë e Këshillit Bashkiak: këshilltari, Michael Driscol, Deputy City Representative, zonjusha Kyra Harris, zonjusha Ngan Tran, nga Office of Immigrant Affairs, si dhe ca konsuj të nderit të akredituar në Philadelphia. Pastaj z. Matraku uroi 112 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe porositi që të jemi të bashkuar, sepse së bashku mund të bëjmë më shumë. Ai u rikujtoi të pranishmëve se kjo veprimtari është një vazhdim i veprimtarive të suksesshme që shoqata jonë ka zhvilluar kohëve të fundit: hapja e godinës së re më 13 tetor, emërimi i një pjese të rrugës ëillits me emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut më 17 nëntor dhe më 24 nëntor, Mbrëmja e Madhe e Flamurit – festë madhështore me darkë e muzikë.

Fjalën e rastit e mbajti z. Sami Zeka, anëtar i Këshillit Drejtues të shoqatës. Zoti Zeka foli për rëndësin e 28 Nëntorit në historinë e popullit tonë, përpjekjet e të parëve tanë gjatë historisë, por edhe për përpjekjet e shqiptarëve në Philadelphia e Amerikë për një jetë më të mirë. Zoti Zeka vuri në pah vlerat e popullit tonë: qëndresën, përpjekjet ndër shekuj për liri e pavarësi. “është një ndjenjë e posaçme kur festohet në Philadelphia” – u shpreh ai. Pastaj ai falenderoi qytetin e Philadelphias që na ka pranuar në mesin e vet dhe na mundëson të rrisim fëmijët tanë, ta ndërtojmë jetën tonë.

Këshilltari i Këshillit Bashkiak dhe miku i madh i komunitetit shqiptaro – amerikan të Philadelphias, z. Michael Driscol, të pranishmëve u uroi mirëseardhjen në Bashki (City Hall), simbolin e lirisë jo vetëm për Amerikën, por për tërë botën. Kujtoi historinë e Skënderbeut dhe veprimtaritë e shoqatës që u cekën më lart, pjesëmarrës i së cilave ishte edhe vetë ai. Si gjithmonë kur është në mesin tonë edhe në këtë rast ai na porositi që ta ruajmë gjuhën, trashëgiminë dhe traditat tona kombëtare, sepse edhe ai është pasardhës i mërgimtarëve të mëhershëm.

Zonjusha Ngan Tran falenderoi për ftesën për këtë veprimtari madhështore, duke uruar: Gëzuar festën! Ajo ftoi komunitetin tonë për bashkëpunim dhe ofroi ndihmën për emigrantët shqiptarë. Zonjusha Kyra Harris gjithashtu uroi për festën dhe shprehu kënaqësinë e saj që ndodhet në këtë ceremoni mbresëlënëse. Ajo foli me fjalë dashamirësie për shqiptarët të cilët tani janë bërë pjesë e jetës së qytetit të Philadelphias. Zonjusha Harris ia dorëzoi zotit Matraku Proklamatën me të cilën Kryebashkiakja, Sheryl Parker, e shpallte 26 nëntorin 2024 si Ditën e Shqipërisë në Philadelphia. Pastaj ajo lexoi pjesë nga kjo Proklamatë ku përshkruhej rrugëtimi i popullit tonë nga periudha e ndritur e Skënderbeut, nga 28 nëntori i vitit 1443 deri të 28 nëntori i vitit 1912, miqësinë e Shqipërisë me Amerikën, kontributin e shqiptaro – amerikanëve në të gjitha fushat e zhvillimit të SHBA-ve, si dhe përpjekjet e tyre për të shërbyer si urë bashkimi e bashkëpunimi në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan.

Pastaj në sallën ku u zhvillua ceremonia jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Veprimtaria e sotme kishte edhe diçka të veçantë që nuk kishte ndodhur më parë: merrnin pjesë pjesëtarët e Philadelphia City Trooper Colony, një grup ceremonial të veshur me uniforma tradicionale ceremoniale. Ata me lëvizjet e demonstrimet e tyre ushtarake e bën edhe më të bukur këtë veprimtari. E falenderojmë zotin Shpëtim Daku, i cili kishte siguruar pjesëmarrjen e tyre. Ngritjen e flamurit këtë vit e bën mësueset e nderuara të shkollës shqipe, “Gjuha jonë”, zonjat Afërdita Muzaqi e Mimoza Sotiri. është ky një nderim që shoqata jonë u bën anëtarëve të dalluar.

Eldion Pajollari një biznesmen i njohur në komunitetin tonë dhe një kontribues i madh i shkollës shqipe e ka bërë traditë duke sjellë kafe dhe ëmbëlsira për pjesëmarrësit në këtë ceremoni.

Por, kjo veprimtari nuk mbaroi me kaq. Zoti Enver Parllaku, një veprimtar i dalluar i komunitetit tonë na kishte ftuar për një kafe/drekë në restorantin e tij, “Capri”, të hapur vetëm disa javë më parë. Tani kjo është bërë një traditë e bukur pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, sepse Enveri na ka ftuar edhe viteve të tjera kur drejtonte një restorant tjetër. Dreka në këtë mjedis të mrekullueshëm kaloi për bukuri, atmosferë vëllazërore, biseda të ngrohta të shoqëruara me pije e ushqime të shijshme – sofër tipike shqiptare. Falenderojmë vëllezërit Parllaku për mikpritjen, bujarinë dhe atdhetarizmin e tyre, duke u dëshiruar suksese e punë të mbarë në restorantin e tyre të rregulluar për bukuri.

Të gjithë motra e vëllezërve shqiptarë kudo që ndodhen në botë: Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, Festën tonë Kombëtare!

Philadelphia, më 26 nëntor 2024

Filed Under: Ekonomi

Lamtumirë Profesor Sami Repishti!

November 28, 2024 by s p

Dhimbshëm e morëm lajmin e ndarjes nga kjo botë për njeriun dhe profesorin e ndritur Sami Repishti. Të privilegjuar që e kemi takuar bashkë me Qemalin, intervistuar, ka shkruar parathënien për librin tim dhe më ka dorëzuar cmimin e mirënjohjes nga Forumi për Demokraci. Kjo elitë intelektuale par excellence në Diasporë që punoi aq fort për Kombin do të ngelet në Panteonin e kulturës kombëtare. Si homazh po sjell intervisten me prof. Sami Repishtin, një intervistë që është histori, kulturë dhe dëshmi kombëtare.

Dritë paci! Vepra që latë pas u perjetësoftë!

Ngushëllime familjes dhe Kombit!

Profesor Sami Repishti njeriu që dëshmon për ferrin komunist

Bisedoi Këze Kozeta Zylo

Profesor Sami Repishti është figurë e ndritur e Kombit shqiptar, ai është dëshmitar okular i ferrit komunist, ku për pasojë u burgos me vite të tëra, në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe Jugosllavinë komuniste (1959-60). Këtë kalvar vuajtje e hoqën mbi shpinën e tyre dhe familja e tij e shumëvuajtur. Si një intelektual erudit, ai me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të vyer në publicistikë, letërsi dhe politikë. Mesazhet që përcjell herë pas here per Shqiperine dhe Kosoven, janë të qarta, si para auditorit amerikan e deri në shtepinë e Bardhë, ai shpreson, se një ditë do të vijë demokracia e vërtetë dhe Liria e plotë në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur dhe për të gjithë familjen njerëzore…një dhe e pandarë!

Profesor Repishti, ju jeni një prej viktimave të terrorit komunist, si ish i burgosur i atij regjimi c’mund t’ju thoni lexuesve të shumtë, për vitet tuaja në burgjet famëkeqe të Shqipërisë?

Kam qenë viktimë koshiente e terrorit komunist në Shqipëni. Kam kundërshtuar me bindje regjimin komunist që në ditët e para, sepse që në fillim “Shteti” filloi shtypjen dhe ushtroi terrorin. Kam dëshmuar arrestime, burgosje, ekzekutime publike pa gjyq, dhe atmosferën e frikës që krijon cdo terror, pavarësisht nga ngjyra. Jam nji deshmitar okular. Arsyeja e dytë e revoltimit dhe e veprimtarisë anti-qeveritare ishte atmosfera thellësisht kundërshtare e popullsisë së Shkodrës, qytet dhe fshatra. Kjo atmosferë u acarua akoma më shumë në muajtë e parë të vitit 1945, me persekutimet sistematike të klerit katolik shqiptar, me qendër në Shkodër. Shpresa e qeverisë komuniste se me persekutimin e klerit katolik do të fitonte “simpatinë” e pjesës myslimane u shua me shpejtësi, dhe u zëvendsua me nji frymë solidariteti qytetar shkodran që u revelue ma vonë gjatë gjyqeve të vazhdueshme, ku të akuzuarit ishin myslimanë e katolikë. Kjo atmosferë ka orientuar edhe veprimtarinë time. Arsyeja e tretë ka nji dozë naiviteti djaloshar. Shpresonim se “Aleatët e mëdhenj” anglo-amerikanë do të ndërhynin diplomatikisht për të dënuar regjimin e posavendosur, dhe te krijonin kondita për nje zhvillim demokratik të vendit, e të shoqënisë shqiptare. Kjo nuk ngjau! Europa ishte e lodhur nga Lufta e dytë Botërore, dhe kishte nevojë për rindërtim të vendeve të shkatërruara nga lufta, Shqipëria hyri nën tutelën jugosllave të shokut Tito, i cili ishte nje satelit i B.S. dhe Stalinit. Shqipëria ishte kështu sub-satelit i kampit socialist. Në këtë pozitë nënshtrimi të plotë, Shqipëria nuk kishte konditat e nevojshme për të vepruar lirisht. Ajo u bind verbërisht instruksioneve të Beogradit, i cili kishte planet e tia “imperialiste” ndaj Shqipërisë: kolonizimin e vendit politikisht, ekonomikisht, dhe sllavizimin e shoqënisë shqiptare, si dhe zgjidhjen e përhershme të problemit të Kosovës, mundësisht me inkorporimin e Shqipërisë në Jugosllavi në formën e nji republike të shtatë jugosllave. Nji skenar i këtillë i tmerrshëm, natyrisht lehtësonte punën tonë propagandistike “kundër pushtetit”, dhe gjente jehonë të madhe në popullsinë e Shkodrës, një qytet me histori shekullore konfliktesh kundër sulmeve sllave (serbe e malazeze). Por “MOMENTI” politik ishte kundër nesh. Pika kulmore e pakënaqësisë së përgjithshme u arrit më 9 shtator 1946, kur fshatarët e Postribes (në rrethe të Shkodrës) sulmuan me armë qytetin, luftuan nëpër rrugët e qytetit, por u thyen me humbje të mëdha. Si rrjedhim, filloi vala e ekzekutimeve pa gjyq, dhe e arrestimeve masive në qytet e rrethe. Viktimat e pushkatuara ishin më shumë se 100, ndërsa numri i të arrestuemve, sidomos në qytet, kaloi shifrën 1.200 të ndryme në 11 burgjet e Shkodrës. Në këtë valë terrori u përfshiva edhe unë, së bashku me një grup studentësh aktivë. Torturat e përdoruna kundër “armiqve të popullit” nuk mund të përshkruhen. Disa të arrestuar kryen vetëvrasje duke mos duruar dhimbjet. Shume të tjerë u sakatuen për jetë. Pjesa tjetër, përfshi edhe mua, kaluan 14 muaj në hetuesi, para se të dilnin në gjyqe -të hapura dhe të fshehta- ku dënimet jepeshin simbas udhëzimeve të organeve partiake. Kjo shkelje kaq flagrante e ligjit ishte “norma” e vendosur nga “diktatura e proletariatit”. Unë u dënova, më 27 nëntor 1947, me 15 vjet burgim të rëndë e punë të detyrueshme. Nga ky dënim kam vuajtur 10 vjet në burgun e Shkodrës, dhe kampet e shfarosjes së Bedenit e Maliqit, dhe në kënetat e Myzeqesë, aerodromin e Beratit dhe të Rinasit(Tiranë) nga ku jam liruar (1956). Trajtimi ynë nga rojet në burgje ka qenë thjesht shtazarak. Asnji ligj nuk mbronte të burgosurit që ishin lanë në mëshirën e oficerëve kriminelë dhe rojeve të kuqe të indoktrinueme, e të egërsuar nga “edukimi i propagandës ditore” të dhënë nga komisarët politikë, dhe njekohesisht viktimë e nivelit tyre shumë të ulët arsimor (shumë ishin analfabetë). Ata urrenin me gjithë shpirt “shkollarët armiq të popullit e të partisë”. Deri në vitin 1951 kemi pasë vetëm nji racion bukë për 24 orë. Mbas viti 1951 na kanë ushqyer me supë fasulesh pa asnji ndryshim me muaj të gjatë. Në kampe kishin patate, fasule dhe lakra të ziera me ujë e kripë, dhe pothuajse pa vaj. Ky ushqim vrau dhe sëmuri shumë të burgosur, sidomos pleqtë. Terrori i kampit është vështirë të spjegohet: i përditshëm, që në mëngjes deri në darkë. Nga një herë, edhe nata kalohej jashtë, të lidhur për peme ose shtylla druri. Puna ishte e rëndë, norma e lartë, konditat shumë të vështira, dhe nën frikën e kamxhikut të rojeve që e përdornin pa mëshirë. Ne punonim në uje të moçaleve deri në brez, me shushunja që na pinin gjakun. Një trajtim më të egër se të tjerët kishin “shkollarët armiq të popullit e të partisë” që kishin “helmuar mendjet e fshatarëve të varfër”. Çdo mbrëmje, rreshtat e gjatë të sëmurëve, pleqve dhe atyre që nuk kishin fuqi të mjaftueshme për punë e që nuk plotësonin “normën“ nuk lejoheshin për të marrë racionin e bukës as për të shkuar në krevat deri në mesnatë. Të nesërmen, të këputur nga uria e nga pagjumësia ktheheshin në kanal me këmbënguljen e atij që kërkon plotësimin e “normës“ për të siguruar bukën e gojës. Ka mjaft libra të botuar në Shqiperi që tregojnë me hollësi këtë regjim tmerri në burgje dhe kampe, disa herë në përpjestime të pabesueshme, por të shumtën e rasteve të paaftë për të përshkruar si duhet monstruozitetin e diktaturës. Më kujtohet një tregim i kampeve naziste. Nji i burgosur i lutej rojes naziste ta vrasë se nuk duronte torturat. Roja qeshte dhe thoshte: Jo! ”Duhet të jetosh e të tregosh atë që ke parë,” vazhdonte roja,” dhe jam i sigurt se bota nuk do të besoj tregimin tënd. Atëhere, do të jete vdekja e vërtetë për ty”. E pabesueshme!

Ç’ju detyroi ju në atë udhëkryq ku ndodhej Shqipëria, të ktheheshit në Atdhe, kur ju mund të bënit një jetë shumë më komode, në Itali?

U ktheva në Shqipëri për të ndihmuar rezistencën kundër okupatorit. Si çdo i ri (në moshën 18-19 vjecare) sidomos një i ri me arsim të lartë, isha i bindur se atje në malet e Shqipërisë ishte vendi im. Qëndrimi në Itali u bë moralisht i padurueshëm. Njëkohësisht, mosnjohja e realitetit shqiptar ndihmoi në formimin e nji bindje të këtillë. Personalisht, isha i ndarë në mes bindjes sime, se Shqipëria kishte nevojë për kuadro të arsimuar në Europë që të ndihmohej zhvillimi ekonomik e shoqëror i saj; nga ana tjeter, Italia ishte një shtet okupator i vendit tim, dhe ishte detyra e të gjithëve ta luftojmë pa kompromis. Qëndrimi im në Itali, në fakt, ishte nji formë kompromisi që nuk mund ta pranoja më gjatë. Kështu që vendosa të kthehem posa kalova provimet e vitit të parë, qershor 1943.

Ju në botën çnjerëzore të burgut u takuat dhe me dashurinë, me viktimat e atij sistemi, por që me botën e tyre të pasur shpirtërore, ju e mundët kërcënimin e vdekjes, si ndiheni për këtë?

Në “boten çnjerëzore të burgut”aty ku fshihet tortura dhe ku sundon pa ndërprerje kërcënimi i vdekjes, të gjithë ndihen të dënuar me vdekje. Një ndjenjë njerëzore që dashuron jetën, e përbuzë vdekjen, është dominante në situata të këtilla. Kjo ndjenjë e përbashkët e rrezikut iminent nxitë mëshirën dhe dashurinë për njeri tjetrin, dhe të të gjithëve për çdonjerin individ që vuan: viktimën. Kjo ndjenjë njihet me emrin solidaritet.: solidariteti i të dënuareve me vdekje, i të torturuarëve, i të përbuzurve, i të përndjekurve, i të gjithë atyre që keqtrajtohen ose e ndjejnë veten “më pak se njeri”, inferior, qytetar të dorës së dytë, të nxjerrur jashtë kufijve të shoqërisë njerëzore. Solidariteti i të burgosurve është ilaçi i mbijetesës. Jo vetëm sepse në shoqëri me të tjerët bashkëvuajtës, solidariteti largon mjerimin e vetmisë mbytëse, por solidariteti ofron mundësine për të ndihmuar tjetrin, vllaun në vuajtje, dhe ky akt lartëson sedrën personale të të burgosurit, ai jep si të thuash, nje dimension të ri arsyes për të mbijetuar me nje sens krenarie të pakrahasueshme.

Persekutoret akoma nuk e kanë pranuar fajin publikisht, për toturat që u bënin të dënuarve, internuarve, syrgjynosurve, a ju frikëson kjo gjendje fluide dhe pse?

Po, frikësohem. Mosnjohja e mospranimi i krimit-fajit nga fajtori nuk ndihmon procesin e “catharsis” që ngjet në situata të këtilla. Nji zhvillim fatkeq lejon HARRESEN, që në këto raste për mua, është vdekja e dytë e viktimës. Aty ku mbretëron errësira, aty kultivohet krimi. Breznitë e reja po rriten pa njohë të vërtetën mbi sistemet totalitare, mendimet dhe aktet e tyre, e sidomos shkatërrimin e pariparueshëm të pëlhurës shoqërore të vendit. Diktatura komuniste në Shqipëri ka vrarë elitën, ka toleruar mediokritetin, dhe ka lartësuar fundrritë e shoqërisë. Fibra morale e kësaj shoqërie është dëmtuar aq rëndë sa që sot mendohet për së mbrapshti, dhe punohet pa asnji skrupull moral. Nje brezni e tërë eshtë humbur, dhe kam frikë se edhe nje tjeter e dytë do të sakrifikohet në llumin që mbuloi vendin për nje gjysme shekulli.

A mendonit në burg se një ditë do të vinte “Dita e Lirisë”, dhe a kishit plane për këtë Ditë të madhe në mendjen tuaj në fshehtësi, me bashkëvuajtësit tuaj?

Po! Shpresa për lirim nga burgu është e përhershme tek cdo i burgosur. Ajo na mbante të gjallë. “Ditën e lirisë” e prisnim të vinte me lëkundje sismike në vendin tonë. Ndërtesa komuniste dukej e fortë në sipërfaqe, por ajo përmbante nji seri kontradiktash të paevitueshme, karakteristike për çdo diktaturë. Njeriu i shtypur lufton për liri, dhe kurdo herë që i jepet rasti ai, ose ajo, shpërthen. Në shumë raste elemente të diktaturës kanë brejtje ndërgjegje, humbin enthusiasmin fillestar “revolucionar’, pendohen dhe kërkojnë per te reparuar dëmin e shkaktuar për të ndihmuar viktimat. Kjo është një karakteristikë universale. Këtë proces e kemi parë edhe në Shqipëri- edhe në burg. “Planet për të ardhmen e vendit tonë” kanë qenë subjekti kryesor i çdo bisedimi në burg. Ka pasë mjaft ndasi në opinionet e të burgosurve të edukuar, sidomos tek ata që kishin “bagazhe” të së kaluares në kurriz. Por të rinjtë idealistë e pa “bagazhe’ ishin entuziastë se do të vinte dita kur mendja dhe aftësia e tyre do të viheshin në shërbim të atdheut. Unë kam ëndërruar gjithëherë nje Shqipëri të lirë, të pavarur, demokratike, të bashkuar dhe perëndimore (tani europiane). Përgatitja ime arsimore dhe edukimi politik para, dhe gjatë burgut më kanë kondicionue për nje qëndrim të këtille. Akoma sot, mendoj si më parë. Idealizëm djaloshar? Ndoshta! Por nuk mund të heq dorë nga ai qëndrim, sepse për mue do të ishte vdekja ime morale. Kjo ndoshta shkakton edhe pesimizmin tim sot me klasën politike shqiptare e gjendjen në Shqipëri.

Në ato skuta të errta nëntokësore a kishte ndonjë ushtarak, që dhe pse mbante kërbaçin në dore së jashtmi, shpirti dhe sytë i flisnin diçka tjetër?

Po! Ka pasë “qënie njerëzore” në burgjet komuniste. Më kujtohet “Reshter Jonuzi nga Berati” dhe nji kapter nga Vlora (emni nuk më kujtohet) që kanë rrezikuar shumë për të na ndihmuar në ditë të vështira. Është e papërshkrueshme ndjenja e lehtësimit që mbush zemrën e të burgosurit kur “polici’, ose “oficeri” nuk zbaton urdhërat e superiorit për torturë. Aty duket sikur ushqehet shpresa se ka akoma zemër-bardhë në këtë botë të së keqes, ku ata “që i ka zënë rreziku” e në kondita të vështira rrezikojnë jetën e tyre për të lehtësuar vuajtjet e të tjerëve. Elementë të këtillë ngjallin besimin në mirësinë e natyrës njerëzore…edhe në konditat më anti-njerëzore.

Ju keni qenë direkt punëtor krahu në tharjen e Kënetës së Maliqit, në ç’kushte punonit atje?

Është e vështirë të përshkruhet Maliqi. Është shkruar diçka për këtë “njollë të zezë” të historisë sonë. Maliqi ka qenë nji kamp punë cfarosje, ku shqiptari vritej nga shqiptari me urdhër nga “shoku Tito” në Beograd – e vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me urim, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me çveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhun për shtylle etj. Perveç kësaj, komanda e kampit, nxiste të burgosurit ordinerë, një ushtri e vërtetë elementësh të degjeneruar, si dhe ish komunistë të penduar, për të spiunuar, provokuar, dhe rrahur të burgosunit politikë. Kjo na detyroi të mbrohemi kolektivisht dhe të frikësojmë me hakmarrje sulmuesit.

Si i shpëtuat atij regjimi, dhe si e realizuat ëndrrën tuaj për të shkelur tokën e bekuar Amerikën?

Që nga dita e lirimit nga burgu (korrik 1956) deri në ditën e largimit pa entuziasëm nga toka-nënë (gusht 1959), kam qenë i përbuzur e i përndjekur nga Sigurimi (kam zbuluar dy agjentët që më kanë survejuar). Tre ditë para largimit, një shok që punonte në Polici me njoftoi se isha në listë për arrestim. Kontaktova nji ish shok burgu që kishte shtepinë afër kufirit dhe vendosëm datën e mënyrën e arratisjes. Ai më ndihmoj në udhëtim deri sa kalova kufirin pa asnjë incident. (Ma vonë, ai u vra në tentativë arratisje). Një experiencë të këtillë e kam pasë edhe në tetor 1956, gjatë revolucionit hungarez. Ai më njoftoi se isha njeri nga të 400 personat e caktuar për ekzekutim në rast se fillonte revolucioni në Shqipëri. Në Jugosllavi jam mbajtur një vjet në burg i akuzuar si “pro-perëndimor”. Më vonë në kampe refugjatesh në Jugosllavi dhe Itali, ku kam aplikuar për azil politik dhe të drejtën për emigrim në SHBA. Për fat kërkesa ime është aprovuar brenda 24 orëve. Kam arritur në New York më 9 prill 1962. Kam marr nënshtetësinë amerikane në janar 1969.

Gjatë qëndrimit në Amerikë, kishit kontakte me familjen?

Vetëm deri në vitin 1967. Më vonë jo. Edhe kjo gjendje ka qenë nji torturë e vërtetë, sidomos për arsye të nanës plakë që vdiq pa e parë përsëri. Gjithashtu u këput edhe ndihma financiare që dërgoja cdo muaj-për bukën e gojës!

Dhe tani një pyetje intime, në kohën që ishit student në Itali, kishit ndonjë të dashur atje, dhe cili ishte premtimi juaj kur u ndatë nga ajo?

Gjatë jetës studenteske kam qenë “miu i librave”. Nuk kam përballuar situata emocionalisht të vështira…

Ju keni dëshmuar herë pas here për krimet monstruoze të diktaturës komuniste para auditorit amerikan, ashtu edhe në qarqet zyrtare federale, deri në Shtëpi të Bardhë, keni hasur ndonjë reagim negativ nga politikanët amerikanë?

Jo! Përkundrazi. Administrata amerikane e ka njohë mirë gjendjen në Shqipëri, sidomos nga raportet e ambasadave franceze dhe italiane në Tiranë. Unë kam bashkëpunuar ngushtë me Amnesty International për të drejtat e njeriut, dhe kam ndjekur për së afërmi zhvillimin e gjendjes në Shqipëri.

Cilat kanë qenë disa nga takimet tuaja me elitën e Diasporës, ku ju keni debutuar për vite të tëra si President i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, për çështjen Kombëtare, dhe cilat janë simpoziumet e organizuara nga ju për Kosovën para Pavarësisë së saj?

Kontaktet për Kosovën me “elitën” shqiptare në SHBA kanë filluar sidomos mbas demonstratave të 1968-s në Prishtinë, problemi i Kosovës ka zënë vendin e parë në veprimtarinë time. Une kam dëshmuar në Kongres që në prill 1965, dhe besoj të jem i pari shqiptar. Ka dy arsye që Kosova ka zanë vendin e parë:

E para, Shqipëria komuniste ishte shtet i pavarur dhe anëtare e OKB.-s. Pavarësia dhe integriteti tokësor ishin të siguruara nga Bashkësia ndërkombëtare. Po të binte komunizmi, Shqipëria do të bëhej edhe e lirë, dhe natyrisht e pavarur si një shtet i njohur ndërkombëtarisht. Kosova kishte dy “armiq”: kommunizmin dhe serbin. Po të binte komunizmi, Kosova do të mbetej nën Serbinë. Prandej, ne duhej të përqëndroheshim në Kosovë, me qëllim që ta ndihmojmë në rast të përmbysjes së komunizmit në Jugosllavi. Kjo diagnozë politike doli me vend, dhe puna jonë për Kosovën vazhdoi deri në Pavarësi, dhe tani me përkrahje për forcimin e shtetit të ri. E dyta, ka qenë arsye personale. Familja ime ka qenë e internuar në Berat dhe Veliqot të Tepelenës. Ka ekzistuar nji legjislacion komunist që nuk lejonte amnesti për ata që dergohen në kamp për të dytën herë. Kjo don të thonte se çdo aktivitet i imi i hapët kundër komunistëve shqiptarë do të dërgonte familjen në kamp. Nji konsekuencë e këtill nuk justifikohej me aksionin tim, dhe për mua ishte imorale të sakrifikoja familijen për aktet e mia. Për këtë edhe sot jam i bindur se vlerësimi im i situatës në atë kohë ka qenë korrekt. Arsyeja dhe ndërgjegja ime më imponuan orientimin e veprimtarisë sime. Simpoziume e konferenca për Kosovën kemi bërë pothuajse çdo vit. Ajo më e rëndësishmja ka qenë Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, 2 nëntor 1982, ne Graduate Center of the C.U.N.Y. e organizuar nga Prof. Arshi Pipa dhe unë. Morën pjesë 14 profesorë europianë e amerikanë, të cilët folën, pa përjashtim në mbrojtje të Kosovës. Studimet e tyne u botuan në Studies on Kosova (Col.Univ.Press:1984) Po aq me rëndesi janë edhe dëshmitë para Kongresit dhe raportet për Departmentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë. Në ato vite, ne “perfaqsonim” Kosovën në botën e jashtme.

Ju jeni takuar personalisht me Presidentin Rugova, cilat janë disa nga momentet më të rëndësishme që kini fiksuar në memorjen tuaj për këtë Kalorës të Lirisë?

Herën e parë jam takuar me Dr.Ibrahim Rugoven në prill 1990, në Washington,D.C. Nga Kosova erdhën dy grupe:shqiptare dhe serbe me paraqitë pikëpamjet e tyre. Më vonë kontaktet tona kanë qenë të vazhdueshme, dhe kemi pasë bashkëpunim të ngushtë. Në shtator 1986 unë kërkova hapjen e nji Zyre Informative Amerikane në Prishtinë. Kërkesa u refuzua “për mungesë fondesh”. Ajo u hap në 1996, dhe më vonë u bë Ambasada Amerikane në Kosovë. Kërkesa ime u kundërshtue egërsisht nga Qeveria komuniste e Shqipërisë, e cila përpiqej të mbante nën kontroll cdo inisiative që kishte të bënte me Kosovën. Me këtë rast mora nji letër falënderimi nga Dr. Rugova, dhe në 2005 :“Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”. E ndjej shumë mungesën e tij.

Si profesor i doktoruar për letërsinë franceze ç’mendim keni në lidhje me kontributin e Kadaresë për Kombin dhe Letërsinë?

Z. Ismail Kadare ashtë padyshim shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe e që jeton. Uroj që vlera e tij të njihet dhe të çmohet edhe më shumë në botën e jashtme, dhe nga institucionet ndërkombëtare prestigjioze. Në Francë ai adhurohet.

Ju keni punuar një kohë të gjatë si professor në disa shkolla të mesme dhe universitete të Amerikës, çfarë ndryshimi keni vënë re midis edukimit europian, pra universitetit në Itali ku ju studjuat dhe sistemit arsimor amerikan?

Kjo është nje pyetje që kërkon spjegime të gjëra. Shkurtimisht, arsimi në Amerikë, ka një karakteristikë të vetën. Nxënësit e shkollave fillore e të mesme nuk janë nën trysninë e familjeve për të studjuar vazhdimisht, siç është rasti në Europë, e sidomos në Lindjen e Largët. Puna e vërtetë fillon në universitet. Këtu theksohet nevoja e zhvillimit emocional e shoqëror të të rinjve, të cilëve “nuk u grabitet rinia” me punë të rëndë në shkollë. Karakteristika e arsimit amerikan është fryma e lirë në klasë ku mësuesi e nxënësi shkëmbejnë lirisht mendimet e tyne. Ekziston nji tendencë me orientue nxënësin drejt “kërkimit”, pyetjeve të vazhdueshme, dhe për gjithçka, për të kënaqur kurreshtjen jo vetëm për dije formale, por edhe për aspekte të jetës së përditshme. Në mbarim të gjimnazit, nxënesit europianë kanë akumuluar një sasi më të madhe faktesh; por, nxënesit amerikanë kanë nji horizont më të gjerë, mendojnë më sistematikisht, dhe shprehen më lirisht për problemet që ballafaqojnë. Në universitet studimi bëhet rigoroz, më sistematik dhe ofron të rejat e fundit të shkencës artit e letërsisë. Këu në Amerikë ekziston edhe sistemi i “shkollave të zgjedhura” si të mesme ashtu edhe universitete për studentë të dalluar. Shumica e elitës amerikane përgatitet në këto “shkolla” dhe janë të aftë për udhëheqje.

Ju keni qenë vazhdimisht për hapjen e dosjeve, a mendoni se hapja e tyre do të bëhet në rrugë të ndershme nga Partia në Pushtet?

Procesi i hapjes së dosjeve të komunizmit është i nevojshëm dhe i paevitueshëm. Duhet të ndezim dritën mbi dhomat e errëta të diktaturës. Duhet të dalë në shesh e vërteta. Duhet të njohim historinë tonë. Duhet të dimë qëndrimin e shoqënise sonë. Dhe, duhet të peshojmë aktet barbare që u bënë në kurriz të popullit tonë, të dimë thellësine e masën e krimit, të reflektojmë sa poshtë ka ra shoqëria shqiptare, dhe si rrjedhim të mësojmë sa poshtë mund të bjerë shoqeria shqiptare në disa kondita të caktuara. E gjithë kjo nuk ka farë të bëjë me dënime e hakmarrje. Hakmarrja është nji kancer që shkatërron ata që e ushqejnë. Por ne duhet të informohemi mbi të gjitha, të mësojmë nga pësimet e së kaluarës, të dënojmë pa kushte, pa hezitim, pa rezerva “të keqen” që vret, që çnjerëzon, dhe që shkatërron lirinë e dinjitetin e çdo qënie njerëzore, pavarësisht nga bindja politike, gjinia, shtresa shoqënore, cilësitë fizike etj. Hapja e dosjeve na ndihmon në këtë proces informimi të së ardhmes sonë. Përsa kohë që ekzistojnë “hije të zeza” që qëndrojnë mbi kokat tona, shoqëria shqiptare do të lëngojë nga sëmundja e frikës dhe mania e persekutimit. Nuk besoj se klasa politike në Shqipëri ka vullnetin, aftësinë dhe gatishmerinë për nje proces të këtillë.

Cila është familja juaj dhe si u njohët me bashkëshorten tuaj fisnike, znj.Diana Chipi?

Jam kryetar i nje familje të lumtur. Bashkëshortja ime, Diana, ka lindur në Amerikë nga prind gjirokastritë, e flet shqip. Jemi njohur me ndërmjetësinë e të ndjerit Prof.Nexhat Peshkëpia, intelektual me karakter, dhe mik i të dyve. Jemi martuar në gusht 1964 dhe kemi dy femijë: Daren, mjek i martuar me tre femijë; dhe Ava (mban emrin e nënës) avokate, e martuar me dy fëmijë. Si gjysh dhe gjyshe jemi nji çift i lumtur me shtëpinë plot.

Së fundi a shpresoni se tragjedia juaj kolektive siç e cilësoni në librin tuaj: “Në hijen e Rozafës”, do të jetë më së fundmi një frymëzim për një kryqëzatë kundër torturës?

Nuk jam i sigurtë në se shoqëria shqiptare ka mësuar nga e kaluara. Ajo që më inkurajon është se Shqipëria po ecen drejt qytetërimit perëndimor, që sot është Europë e bashkuar. Dokumentet ndërkombëtare që ka firmosur shteti shqiptar përjashtojnë me përbuzje torturën. Vetëm nje situatë e papritur e paimagjinueshme mund të sjellë torturën e zyrtarizuar. Individualisht? Nuk jam i sigurt. Jemi akoma të paedukuar.

Forumi mbarëkombëtar “Alb-Shkenca” ju vlerësoi me titullin më të lartë, si anëtar nderi i Alb-Shkencës, aty ju jeni dhe një anëtar aktiv i saj, si e çmoni këtë forum?

Instituti Alb-shkenca është nje grup shkollarësh shqiptarë, shumica të edukuar në universitete perëndimore dhe tani me shërbime në institucione universitare, ose qendra kërkimesh nëpër botë. Qëllimi i tyre është të bashkohen në nji “tryezë të rrumbullakët” dhe me anë të Internetit të hetojnë, të diskutojnë, dhe mundësisht të keshillojnë autoritet shqiptare në Shqipëri e Kosovo mbi rrugën më të përshtatshme për të zgjidhur problemet që paraqiten sot në hapësinën shqiptare në Ballkan. Qëllimi është i mire, dedikimi është për të lavdëruar dhe puna që bëhet është në nivel të kënaqshëm. Sigurisht, ka të metat e fillimit, por ka gjithashtu edhe premtimin e një të ardhme më të ndritur. Une jam kryelartë që kolegët e Institutit më kanë dhënë titullin “Anëtar Nderi” dhe do të përpiqem ta meritoj.

Ju faleminderit për intervistën, prof.Repishti!

Ishte kënaqësia ime zonja Zylo, për këtë intervistë!

NY, 2009

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

44

Filed Under: Ekonomi

Vehbi Dibra, kleriku dhe patrioti i shquar, shtetar dhe udhëheqës shpirtëror i shqiptareve

November 28, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Mjaftime Dushallari/

Eshtë e njohur tanimë praktika e gabuar e lënies në harresë, e mosvlerësimit, apo e mohimit të shumë figurave të spikatura apo personaliteteve historike të së kaluarës nga sistemi diktatorial dhe si pasojë, edhe nga historiografia shqiptare. Në këto kushte, kurioziteti të shtyn të mësosh për të panjohurën më shumë se për ato që kemi lexuar e dëgjuar në vite. Me kohë më kishte tërhequr vëmendjen pamja e burrit me callmë, që në cdo foto të ngjarjeve të Pavarësisë qëndron në krah të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin kuq e zi dhe krijoi qeverinë e parë të shtetit të pavarur shqiptar. Është fjala për Vehbi Dibrën, kryetar i delegacionit të Dibrës në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë, i cili ishte i treti në radhë që firmosi dokumentin e Pavarësisë.

Fatmirësisht, pas ndryshimit të sistemit ne Shqiperi, janë bërë përpjekje për të hedhur dritë në njohjen dhe studimin e kësaj figure shumëdimensionale. Ismail Qemali, që kishte besim të madh tek personi i tij, e thërriste Vehbi Efendiu. E quanin edhe Myfti Vehbiu, edhe Haxhi Vehbi Dibra. Njihej si Vehbi Dibra sipas traditës se ishte bir i Dibrës, të cilën e nderoi dhe ia lartësoi emrin. Emrat e tjerë i gëzonte si shërbimtar i fesë. Emri i tij i vërtetë ishte Vehbi Agolli. Më befasoi emri, se, këtu në New York ne njohim një shqiptar me emrin Vehbi Agolli, i cili gjithashtu e ka origjinën nga Dibra. Miqësinë me familjen e Vehbiut e kemi falë nipërve e mbesave tona që u njohën në parqe e kënde lojnash, në ditëlindjet e tyre dhe festime të tjera. Ndaj dhe miqësia jonë është e pastër, e sinqertë si vetë natyra ëngjëllore e fëmijëve. Vehbiu, miku ynë i moshuar, por plot energji, reflekton gjithmonë optimizëm dhe pozitivitet. Pasi kisha lexuar e dija dicka për Vehbi Dibrën, luftëtarin e paepur për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, intelektualin me kulturë të gjerë dhe dibranin me reputacion, mendova ta pyes mikun tonë në se kishte lidhje më të apo njohje për të.

“Vehbi Dibra është gjyshi im, babai i babait tim Ahmet Agolli”, pohoi Vehbiu me kënaqësi, por me modestinë e zakonshme. Pra, unë dhe bashkëshorti im po bisedonim me nipin dhë trashëgimtarin e parë të emrit të birit të Dibrës, Vehbi Dibrës (Agollit).

Vehbiu nuk e kishte njohur gjyshin e tij, por dinte për të nga prindrit dhe të tjerë bashkëkohës të tij. Biseda jonë fillimisht u zhvillua rreth jetës së tij familjare, fëmijëve dhe shtëpisë së tij dykatëshe pranë pazarit të ri ne Tirane. Mësuam rastësisht edhe një kuriozitet. Vehbi Dibra Agolli e kishte emëruar djalin e tij të parë pas emrit të babait të tij Ahmet Agolli. Të njëjtën gjë bëri dhe i biri kur u gëzua me djalë. Ai e emëroi djalin me emrin e të atit, Vehbi Agolli (i dytë), bashkëbiseduesi ynë. Ajo që theksoi dhe përsëriti Vehbiu midis të tjerash, ishte fakti që gjyshi i tij, edhe pse predikues i përkushtuar i fesë, ishte shumë tolerant. Ai asnjëherë nuk i nxiti ose detyroi familjarët e tij të frekuentonin institucionet fetare apo të kryenin rite fetare jashtë dëshirës së tyre. Pas këtij pohimi, më lindi kurioziteti ta pyes dhe të dija mendimin e tij për arsyen pse ishte lene në hije figura e shquar e Vehbi Dibrës, njeriut të mencur që në Kuvendin e Vlorës u zgjodh kryetar i Pleqësisë apo Senatit të parë shqiptar dhe me fjalën e tij në 28 Nëntor 1912, i dha bekimin shpalljes së Pavarësisë duke bërë thirrje për bashkimin e popullit pa dallim feje. Përse është parë e trajtuar më shumë si teolog, kur ai në cdo moment të historisë e përdori fenë në shërbim të bashkimit e cështjës kombëtare?

Biseda jonë rrodhi lirshëm për jetën dhe aktivitetin e tij politik e fetar. Vehbi Dibra u rrit në familje me tradita të pasura kulturore e patriotike. Ai kishte mbaruar studimet e larta në Stamboll ku studjoi për teologji, shkenca juridike dhe gjuhë të huaja. Njihte shumë mirë gjuhën turke, persisht dhe arabisht. Kur shkoi në Vlorë, ai nuk doli nga hici. Vehbi Dibra u frymëzua dhe u bë një pjesëmarrës aktiv që në periudhën e Lidhjës së Prizrenit, gjë që i krijoi mundësinë që të njihte dhe bashkëpunonte me patriotë që u përfshinë në përpjekjet për shpalljen e Pavarësisë. Me që po i shkruaj këto rreshta në prag të Ditës së Alfabetit, ia vlen të theksohët se, në Kongresin e Manastirit ai mbështeti idenë për një alfabet të ri të gjuhës shqipe dhe për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e vendit tonë. Më vonë zgjidhet kryetar i Kongresit të Dibrës ku shfaqet si një intelektual i formuar dhe luftëtar i paepur i cështjes shqiptare. Si fetar, Vehbi Dibra Agolli, i urtë e fisnik, vlerësonte të vërtetën, ndershmërinë. Si shumë nga bashkëkohësit e tij Rilindas, ai vinte shqiptarizmën mbi cdo lloj besimi e feje. Ai u përpoq gjithmonë të bashkonte komunitetin mysliman me interesat e kombit. Respektonte dhe fetë e tjera duke menduar se myslimane e të krishterë janë vëllezër shqiptarë. Myslimani Vehbi Dibra, me mendje të hapur, mbështeti menjëherë shpalljen e Autoqefalisë së kishës orthodokse shqiptare.

Pas shpalljes së Pavarësisë ishte krah Ismail Qemalit në punën për forcimin e shtetit të ri shqiptar. Ai punoi me shpirt për organizimin dhe demokratizimin e tij sepse ishte për një shtet me ligje e rregulla. Ndaj dhe cmoi më vonë Revolucionin e Qershorit dhe qeverine e Fan Nolit. Gjithashtu duhet përmendur se më vonë Vehbi Dibra, si kryemyfti i përgjithshëm i Shqipërisë luftoi për bashkimin e trevave shqiptare pas copëtimit nga shtatë fuqitë e mëdha në Londër. A nuk është i mjaftueshëm qoftë dhe ky informacion i shkurtër për ta njohur dhe radhitur Vehbi Dibrën në plejadën e luftëtarëve të orëve të para për cështjen e lirisë dhe të Pavarësisë së Shqipërisë? Apo ka dhe arsye të tjera si fakti që ai, pas copëtimit të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha europiane, shprehu hapur orientimin e tij perëndimor, mendimin se shpresa për bashkimin e trojeve shqiptare ishte vetëm Amerika. Me këtë qëllim, më 1919 organizoi një miting të gjerë ku bëri thirrje për bashkimin me Kosovën dhe Camërinë duke i kthyer sytë nga Amerika.

Pas vitit 1925 Vehbi Dibra u tërhoq nga veprimtaria politike dhe iu përkushtua punës si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë kohë ai shpalosi dukshëm aftësitë e tij si udhëheqës shpirtëror i popullit shqiptar krahas aftësive drejtuese politike. Në këtë drejtim u njoh dhe u vlerësua jo vetëm nga bashkëkombasit e tij, por edhe nga drejtues të komuniteteve të njohura myslimane në botë. E si mund të vlerësohej një figurë e tillë nga një sistem që i shpalli luftë të hapur fesë dhe shkatërroi në mënyrë brutale institucionet fetare në vend. Shtojmë se Vehbi Dibra nuk ishte një teolog i zakonshëm. Pikërisht në këtë kohë, kur ushtronte me devotshmëri detyrën si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ai u bë një emër i njohur në shtypin e kohës, sidomos me shkrimet e tij në revistën “Zani i Naltë”. Ai ishte studiues, analist dhe përkthyes me kulturë të gjerë. Zgjuarsia natyrale dhe prirja për të vlerësuar dijen dhe shkencën, e shtynë të urtin Vehbi Dibra, të studionte në themel Kuranin, të seleksiononte dhe të interpretonte vlerat më të qenësishme të tij, që janë vlera universale të cdo feje dhe gjithë shoqërisë njerëzore në tërësi. Ligjëratat e tij në interpretimin e Kuranit për tolerancën, humanizmin, optimizmin, edukimin në përgjithësi, familjen etj, tipare që ai i zotëronte si person, i dëshironte dhe i predikonte për gjithë shqiptarët. Edhe në këtë rast, si gjatë gjithë jetës së tij, ai bënte thirrje që krahas Kuranit, shqiptarët duhet të mësonin gjuhën shqipe.

I tillë mbeti Vehbi Dibra në zemrat e gjithë shqiptarëve që e njohën deri në fund të jetës së tij. Me nderimet më të larta u përcoll për në botën e paqtë nga gjithë shqiptarët pa dallim feje. Kështu duhet dhe meriton të kujtohet përjetësisht.

Filed Under: Analiza

VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT GEZUAR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 112 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 28, 2024 by s p

Në emër të Federatës Panshqiptare e Amerikës VATRA, të familjes sime, të të gjithë vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve ju uroj nga zemra: Gëzuar 28 Nëntorin – festën Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.

Kjo ditë është e shenjtë dhe e shtrenjtë për të gjithë kombin shqiptar. Është një ditë lavdie, historie, krenarie, gëzimi e galdimi për historinë tonë të lavdishme, sukseset dhe arritjet tona në 112 vite shtet.

Kjo ditë na gjen dhe më afër arritjes së aspiratave tona kombëtare: Shqipëria ka hapur kapitujt e parë të anëtarësimit në BE, Kosova lëviz e lirë në BE dhe ka shënuar progres mbresëlënës në proceset integruese dhe euroatlantike. Shqiptarët në viset etnike janë më të fortë e më të përfaqësuar se kurrë në institucionet vendimmarrëse shtetërore.

Sot përulemi me nderimin e respektin më të thellë para firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë, burrështetasve, heronjve e dëshmorëve të Atdheut për trashëgiminë shekullore kombëtare që na kanë lënë pas.

Akti sublim i pavarësisë kombëtare i udhëhequr nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mid’hat Frashëri, Dom Nikoll Kaçorri, Lef Nosi, Iljaz Vrioni, Pandeli Cale, Vehbi Dibra, Abdi Toptani, Dhimitër Berati, Thanas Floqi e shumë personalitete të kombit tonë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është dita më e shënuar në historinë moderne të shtetit shqiptar, ditë që na fton të punojmë fort për ta bërë atdheun tonë të bukur e të begatë.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të jetë përjetë e mot në shërbim komunitetit shqiptar, kombit shqiptar e çështjes sonë kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën, miqtë e aleatët e kombit shqiptarë.

Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.

Me gëzim e zemërplotë

Kryetari i VATRËS

Dr. Elmi BERISHA

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT