• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri ” në Austri organizoi program festiv për nder të “28 Nëntorit – Dita e Flamurit”

December 17, 2024 by s p

Osman Ademi/

Në një ambient të zbukuruar me ngjyra kombëtare kuqezi , në sallën e mbushur me plot prindër , nxënës e bashkatdhetarë, Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri ” në Austri më 07. dhjetor organizoi një manifestim madhështor për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë .

Nën tingujt e këngës ” Po ku ka si ti o Shqipëria ime ” , kënduar nga këngëtarja e njohur Vaçe Zela , nxënësit të veshur me veshje kombëtare dhe flamuj në duar , të shoqëruar nga mësueset dhe mësuesit e tyre u ngjitën në skenën e dekoruar si asnjëherë më parë enkas për këtë festë madhështore , për të interpretuar më pastaj Himnin Kombëtar . Kjo skenë zgjoi emocione të forta tek publiku i pranishëm në sallë .

Këngët patriotike , të cilat u kënduan me shumë emocion nga nxënësit, ngërthyen dhe përcollën ndjenjë krenarie dhe besimi tek të rinjtë duke u kujtuar atyre se Flamuri është simbol i bashkimit dhe forcës së popullit shqiptar .

Programi vazhdoi me valle tradicionale popullore si : Vallja e Shqiponjave , Vallja e Tropojës , Vallja e Bareshës , Vallja e Hamëz Jasharit , Vallja e Drenushës e shumë të tjera , ku nxënësit përmes lëvizjeve dhe ritmit treguan madhështinë , respektin, dashurinë dhe heroizmin e popullit shqiptar për të fituar lirinë e tij . Një tjetër moment i veçantë ishte recitimi i poezive me elemente dramatike . Drama dhe monologje të mbushura me pasion dhe përkushtim pasqyruan ngjarje historike që forcojnë dhe lartësojnë kombin shqiptar .

Programin e moderoi mësuesi Osman Ademi . Ai përveç tjerash falenderoi prindërit për pjesëmarrjen dhe përkrahjen që i japin mësimit në gjuhë shqipe në Austri, por shprehu edhe kritika për mospraninë e përfaqësuesve të ambasadave tona në një festë të tillë siç është Festa e Flamurit !

Mësueset dhe mësuesit që morën pjesë në program me nxënësit e tyre ishin znj. Miradije Berishaj nga Vjena , e cila kishte përgatitur edhe plakatin dekorativ enkas për këtë event , znj. Anjeza Abazi nga Ybbsi, znj.Antigone Elshani nga Traiseni , znj. Ina Arapi nga Vjena , z.Ibrahim Hasanaj nga Gänserndorf , z. Ismet Sinani nga Linzi dhe z. Osman Ademi nga Vjena .

Manifestimin e përkrahën dhe e ndihmuan materialisht Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, BHK- Bau GmbH me pronar z. Hamdi Krasniqi , z. Valdet Arifaj – prind dhe përkrahës i SHMSH ” Naim Frashëri ” . SHKS – “Iliria” dhe znj . Mergita Rexhepi që siguruan hapësira për ushtrime me nxënës . Që ky manifestim të mbetet në kujtesën tonë u kujdes z. Halil Jashari me kamerën e tij , ndërsa mbarëvajtjen teknike e realizuan z. Ajet Shira dhe Besim Abdullahu .

SHMSH ” Naim Frashëri ” falenderon të gjithë prindërit, nxënësit dhe ata që ndihmuan në përgatitjen e këtij manifestimi !

SHMSH ” Naim Frashëri ” Austri

Osman Ademi – Kryetar

Filed Under: Reportazh

Ç’ka ka dhe s’ka të ngatërruar “Xhaçka”

December 17, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Nëse e keni humbur, orientimin mos u shqetësoni – Venecia na ka ofruar një kurs të shpejtë mbi ligjin dhe politikat shqiptare, dhe ne jemi këtu për ta thjeshtuar këtë për ju. Historia fillon me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që kishte të bëjë me një nga personazhet më të njohura të politikës shqiptare, ish-ministren Olta Xhaçka, dhe kaq sa duket, kjo është vetëm pjesa më e vogël e dramës ligjore që po zhvillohet para syve tanë, kur mandate i saj ka veç disa muaj jetë.

Në një kohë kur çdo ditë kalon pa asnjë të re nga e “përhumbura” Gjykatë Kushtetuese, socialistët kanë gjetur një mënyrë brilante për të ndaluar çdo përpjekje që i kërkon të dërgojnë mandatin e Olta Xhaçkës për interpretim. Ata thonë: “Askush nuk na detyron”, duke shtuar me një entuziazëm të papërshkrueshëm që ata janë plotësisht të lirë të bëjnë ligjet sipas këndvështrimit të tyre – jo për të zbatuar ligjet sipas kushtetutës, por për t’i interpretuar ligjet siç u duhet.

Që prej dy vitesh, ky kalvar ligjor ka qenë një prej aktiviteteve më të këndshme për mazhorancën.

Çështja e Olta Xhaçkës është kthyer në një shfaqje të përhershme të zvarritjes së procedurave, me një “fjetje” të thellë të institucioneve që duken sikur kanë rënë në koma. Kur u botua opinioni i juristëve të Komisionit të Venecias, socialistët që nuk e kanë patur shumë merak që të ndiqnin ligjin, po i dhanë një përkufizim të ri shprehjes “interpretim”. Për ta, Komisioni i Venecias mund të ketë thënë gjithçka, por interpretimi është vetëm një sugjerim, jo një urdhër.

Venecia dhe kushtetuesja. Një flirt i pashpjegueshëm

Për ata që kanë humbur lidhjen me realitetin, Venecia ka dhënë mendimin e saj, dhe si gjithmonë, ky mendim është më shumë se një rekomandim – është një lëndë e fortë për diskutim, një dokument të cilin politika shqiptare e ka zgjedhur ta shfrytëzojë sipas dëshirës. Për ata që e kanë ndjekur ngjarjen nga afër, kjo histori ka bërë rreth një vit, që është shndërruar në një “telenovelë” kushtetuese, ku secila pale, mundohet të gjejë paragrafin që i përshtatet më së miri për ta pasur fitoren në dorë.

Nga njëra anë, Spiropali (përfaqësuesja më e shquar e qeverisë), e cilësoi opinionin e Venecias si një “përkrahje për qëndrimet e rilindjes” duke theksuar se deputetët socialistë nuk mund të urdhërohen nga Gjykata Kushtetuese. Dhe kush mund t’i thotë jo një mendimi të tillë, veçse asaj që njihet si Kushtetuta e Shqipërisë, një dokument që për ata që kanë humbur orientimin, është veçse një pengesë në rrugën për të “bërë politikë” sipas qejfit.

Nga ana tjetër, opozita, që në një moment të caktuar të historisë do të jetë gjithmonë e vendosur në anën e drejtësisë, nuk mund të kishte lënë këtë mundësi pa e shfrytëzuar. Gazmend Bardhi ka shpallur fitore, duke pohuar se Komisioni i Venecias e ka mbështetur qëndrimin e opozitës, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen pa ndonjë kompromis me shumicën parlamentare. A ka më ndonjë dyshim për këtë? Po ose jo…?

Gjithçka që duhet të dini për të kuptuar seç tha Venecia

Për ta pasur sa më të thjeshtë, socialistët kanë shpikur një metodë që mund të quhet: “Ne i bëjmë ligjet, ndaj ligjet nuk mund të na bëjnë ne”. Ky është një shqetësim i natyrshëm, sepse, kur ligjet e tjerë kërkojnë të japin një opinion, mazhoranca ka një përgjigje “përgjithmonë të papranueshme”: “Kuvendi është më i fuqishëm se Kushtetuesja”, duke mos lënë vend për ndonjë diskutim të mëtejshëm.

Në opinionin e Venecias është shprehur qartë se Kuvendi duhet t’i bindet Gjykatës Kushtetuese dhe të çojë për interpretim mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Por socialisti i mençur i di më mirë, dhe ka shpallur se: “Kush na detyron ne?” – për të theksuar se nuk janë të detyruar të bëjnë asgjë që nuk e duan, pasi ligjet janë vetëm një sugjerim.

Për më tepër, socialistët mbajnë një interpretim të dyfishtë të çdo situate. Ata lexojnë një paragraf nga opinioni i Venecias që flet për “lirinë e votës së deputetëve” dhe menjëherë e përdorin si flamur. Në këtë mënyrë, ata e konsiderojnë si një mundësi që deputetët mund të votojnë si të duan, duke shmangur çdo përgjegjësi ligjore të detyrueshme për ta çuar çështjen përpara. Dhe kështu, “liberalizimi” i mendjes së deputetëve nuk ndalet kurrë, sepse gjithçka është në emër të lirisë individuale!

Mbi të gjitha, kur një çështje është kaq e ngatërruar dhe e komplikuar, kush mund ta ndalë një grusht deputetësh që vendosin se ligji që është aty për t’u përdorur, por nuk është i domosdoshëm?

Në këtë rast, Komisioni i Venecias ka dhënë një opinion të qartë dhe konkret për rastin e Olta Xhaçkës, duke thënë se Kuvendi duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të çojë mandatin për interpretim. Por, siç mund të pritej, socialistët e lexojnë këtë thjesht si një sugjerim, dhe jo si një detyrim ligjor. Kjo ka qenë një mundësi për t’u mburrur me devizën e famshme: “Ne mund të injorojmë çdo gjë, dhe gjithçka është nën kontroll.”

Komisioni i Venecias është shprehur në mënyrë të pakundërshtueshme, duke thënë që Kuvendi është i detyruar t’i bindet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por, kujdes! Socialistët kanë një interpretim të veçantë të fjalëve “detyrim” dhe “zbatuar”, dhe siç duket, këto fjalë nuk janë pjesë e fjalorit të tyre të zakonshëm.

Venecia: Kush ka të drejtë?

Tani, për të kuptuar se kush ka të drejtë – Spiropali që do ta lexonte Venecian si një përkrahje për autoritetin e saj të pakontestueshëm, apo opozita që do të shfrytëzonte çdo mundësi për të shtuar pikë politike, mund të themi se çështja është e thjeshtë, por e turbullt. Nëse i referohemi paragrafit 22 të Venecias, komenti është më i thjeshtë se ç’duhet: “Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet nga votimi i shumicës parlamentare”. Po, kjo mund të tingëllojë si një fitorja e opozitës, por në të njëjtën kohë është një thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës.

Kjo do të thotë se, ndonëse deputetët nuk mund të urdhërohen se si të votojnë, ata nuk mund të shkelin Kushtetutën dhe të bojkotojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo do të thotë që ata duhet të dërgojnë çështjen e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ashtu qoftë! E thënë ndryshe, përpjekjet e qeverisë për të vonuar këtë proces janë të pakuptimta dhe vetëm sa rrisin suspensën.

Pse Venecia është e rëndësishme?

Çfarë na mëson kjo? Po, politika është një art i madh i manipulimit, por ka disa rregulla që nuk mund të injorohen pa pasur pasoja. Venecia ka lënë një mesazh të qartë: Kuvendi duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përndryshe do të humbasë çdo kuptim të Kushtetutës dhe shtetit ligjor..

Në fund të ditës, edhe pse kemi mundësi të shohim politikën si një lojë ku fitorja vjen nga kush ka mundësinë të bëjë më shumë përpjekje për të interpretuar ligjin në favor të vet, ky verdikt i Venecias është një tërheqje e tërthortë vëmendje për të gjithë ata që duan të manipulojnë me Kushtetutën – sepse ligji nuk është për lojë, dhe as politikanët e Shqipërisë nuk mund ta bëjnë këtë.

Kështu që, ndërkohë që Venecia është duke rrotulluar kokën për të kuptuar ku shkojmë, ne shqiptarët socialistët e kanë gjetur përgjigjen më të thjeshtë: “Kuvendi është ligji, dhe ligji është Kuvendi! Mbi të gjitha, kur një çështje është kaq e ngatërruar dhe e komplikuar, kush mund ta ndalë një grusht deputetësh që vendosin se ligji është aty për t’u përdorur, por nuk është i domosdoshëm për ta?

Filed Under: Fejton

Ballkani midis tensioneve dhe aspiratave – politika amerikane dhe perspektiva e dialogut Kosovë-Serbi

December 17, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Zhvillimet në Kosovë dhe rajon janë një pasqyrë e sfidave të një Ballkani ende të ndarë mes të kaluarës dhe të ardhmes. Situata politike dhe diplomatike në Kosovë dhe rajon po kalon një periudhë të ndjeshme, ku ndikimi i politikës amerikane dhe dinamika e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë luajnë një rol kyç.

Tensionet e fundit, që përfshijnë incidentet në veri të Kosovës, përpjekjet për deeskalim dhe mosmarrëveshjet në procesin e normalizimit, reflektojnë sfidat e vazhdueshme që pengojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

SHBA mbetet aktori më i rëndësishëm ndërkombëtar në Ballkan, veçanërisht në raport me Kosovën.

Përmes mbështetjes së saj historike për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, Uashingtoni ka luajtur një rol kyç në sigurimin e paqes dhe integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike.

Në vitet e fundit, administrata amerikane ka promovuar një qasje pragmatike ndaj dialogut Kosovë-Serbi, duke insistuar në domosdoshmërinë e marrëveshjes së normalizimit të plotë, e cila përfshin njohjen reciproke.

Megjithatë, qëndrimi i SHBA-së është përcjellë me presion mbi të dyja palët, duke kërkuar nga Kosova që të bëjë kompromise mbi marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që ka kaluar procedurat kushtetuese të ratifikimit në kuvend, dhe nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të distancohet nga retorika nacionaliste dhe lidhjet e saj me Rusinë.

Për Kosovën, mbështetja amerikane është jetike, por presioni i shtuar mbi institucionet e Kosovës për të pranuar mekanizma që mund të cenojnë funksionalitetin e shtetit, ka krijuar tensione të brendshme dhe skepticizëm në raport me agjendën ndërkombëtare.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga proceset më të vështira politike në Ballkan.

Pengesat kryesore përfshijnë situatën kur Serbia refuzon njohjen e Kosovës dhe vazhdon të përdorë retorikën e “kompromisit historik”, duke shmangur njohjen e Kosovës, ndërkohë që kërkon autonomi të zgjeruar për serbët e veriut. Ky qëndrim jo vetëm që frenon avancimin e marrëveshjes, por krijon edhe një mjedis të paqëndrueshëm në terren.

Kërkesa për krijimin e Asociacionit sipas marrëveshjeve të vitit 2023, Kurti-Vuçiq, është një pikë e nxehtë. Kosova e sheh këtë mekanizëm si një rrezik për integritetin territorial dhe funksionimin kushtetues të shtetit, ndërsa Serbia dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë e prezantojnë atë si një kusht për paqen.

Roli i Serbisë si partner strategjik i Rusisë dhe Kinës komplikon përpjekjet për normalizim. Mosinteresimi i Serbisë për të distancuar veten nga këto fuqi krijon tensione të vazhdueshme dhe minon përpjekjet për integrimin e rajonit në Perëndim.

Incidentet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë përplasjet me serbët lokalë dhe sfidat ndaj autoritetit të institucioneve kosovare, tregojnë një mungesë të koordinimit dhe të vullnetit për zgjidhje afatgjata.

Duhet vënë në pah edhe roli i BE-së dhe sfida e bashkërendimit ndërkombëtar, ku ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi ka qenë i karakterizuar nga mungesa e kohezionit dhe e ndikimit të mjaftueshëm mbi palët.

Ndryshe nga SHBA-ja, BE-ja shpesh perceptohet si e paqartë në qëllimet e saj, duke lejuar hapësira për Serbinë që të prolongojë procesin dhe të përfitojë nga mbështetja diplomatike e Moskës dhe Pekinit.

Dyshja Borrell dhe Lajçak mbetën sinonim i dështimit diplomatik të BE-së dhe dështimit të dialogut Kosovë-Serbi. Kurse Kurti dhe Vuçiq janë përfituesit e këtij procesi në dëm të Kosovës dhe çështjes shqiptare.

Megjithatë, integrimi evropian i Kosovës dhe Serbisë mbetet një objektiv strategjik, dhe një marrëveshje e qëndrueshme është kusht për avancimin e të dyja vendeve drejt BE-së.

Kosova duhet të vazhdojë ta intensifikojë rolin e vet në rajon duke ofruar perspektivat për rajonin.

Duhet të vazhdojë të konsolidojë shtetësinë e saj përmes forcimit të institucioneve demokratike, avancimit të sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.

Rritja e bashkëpunimit me vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të ndihmojë në krijimin e një fronti të përbashkët për stabilitetin rajonal.

Nëse dialogu nuk prodhon rezultate të prekshme, ekziston rreziku që tensionet në veri të krijojnë një situatë të paqëndrueshme që mund të përhapet në gjithë rajonin.

Një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon angazhim të sinqertë nga të dyja palët dhe presion konstruktiv nga faktori ndërkombëtar.

Politika amerikane mbetet një faktor kyç në përcaktimin e rrjedhës së ngjarjeve, por suksesi i saj varet nga mbajtja e një balance të drejtë mes presionit dhe mbështetjes.

Në këtë kontekst, Kosova duhet të ruajë pozicionin e saj strategjik dhe të insistojë në respektimin e plotë të integritetit dhe sovranitetit të saj, ndërsa Serbia duhet të bëjë zgjedhje të qarta mes lidhjeve të saj tradicionale me Rusinë e Kinën apo BRICS dhe aspiratave evropiane, ku takon si territor të cilin e kanë uzurpuar pas dyndjeve sllave nga Karpatet.

Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe konstruktive mund të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe një rajon më i integruar.

Filed Under: Analiza

Sali Çeka një personalitet i arsimit shqip (1892-1925)

December 17, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Sali Çeka lindi në Filat të Çamërisë, në një familje atdhetarësh, më 20 gusht 1892. Në kushtet e terrorit të egër osman, që në moshë të re, ai mësoi të shkruante e të lexonte shqip. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në gjimnazin e Janinës. Që kur ishte në bankat e shkollës, botoi shkrime në gazeta përparimtare të kohës, si: “Zgjimi i Shqipërisë”, “Korça”, “Bashkimi i Komit”, etj, ku me guxim mbrojti të drejtat e shqiptarëve për liri e progres shoqëror, duke i çjerrë maskën politikës mashtruese të xhonturqve. Ai u bë një ndër veprimtarët kryesorë, në rradhët e nxënësve të Janinës, anëtar i shoqërisë “Toskëria”, që luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve të Idadijes në mbështetje në veprimtarisë atdhetare të klubit “Bashkimi”. I tillë ishte rasti i pjesëmarrjes në lëvizjen mbarëkombëtare për mbrojtjen e alfabetit të njësuar në gjuhën shqipe me shkronja latine. Në atë kohë Sali Çeka botoi një shkrim në gazetën “Korça”, ku iu kundërvu përdorimit të abetareve me shkronja turko-arabe”.

Studimet e larta Çeka i kreu në Institutin Pedagogjik të Besansonit, në Francë. Ishte dërguar atje me bursën që iu dha si nxënës me përfundime të shkëlqyera në mësime. Ai qe nga të parët, që u vu në shërbim të Qeverisë shqiptare të Vlorës, për të shërbyer si mësues. Më 27 shtator 1913, emërohet mësues në Normalen e Elbasanit, ku u shqua për përgatitje të mirë shkencore, aftësi të veçanta si mësimdhënës dhe për ndërgjegje e pasion të lartë në kryerjen e detyrës. Që nga ajo kohë ai kryen detyra të rëndësishme: drejtor dhe inspektor i arsimit në Berat (1916), mësues në Normale (1917), sekretar në kryesi të kabinetit që doli nga Kongresi Kombëtar i Lushnjes (1920), anëtar i Komisisë arsimore (1920), drejtor i shkollës Normale (1921), kryeinspektor i arsimit në Elbasan (1922) dhe inspektor i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit(1922) etj.

Arsimi në Shqipëri në fillim të viteve 1920 u përfshi në përpjekjet për kombëtarizimin, demokratizimin, laicizimin dhe njësimin e strukturës e përmbajtjes së shkollës shqipe. Pjesë e kësaj lëvizjeje u bënë forcat më progresiste të shoqërisë shqiptare. Por rruga e zhvillimit të arsimit u përball me vështirësi dhe pengesa, që lidheshin me faktorë ekonomikë dhe social-psikologjikë. Parimet bazë të ndërtimit të shkollës së re shqiptare Sali Çeka i ka formuluar në “Revistën Pedagogjike”, të cilën e drejtoi vetë që nga numri i saj i parë (shtator 1922 e deri në numrin 11, korrik 1923); në ligjet që ka hartuar e janë miratuar në Këshillin Kombëtar gjatë vitit 1922-1923, kur kryente detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit; në tekstet e gjuhës, aritmetikë e shkencës, që ka hartuar e botuar. Në kongreset arsimore të viteve 1922 e 1924, ka marrë pjesë dhe ka luajtur rol të rëndësishëm, duke u radhitur në krahun e forcave më përparimtare të kohës. Sali Çeka ishte për një shkollë të re me orientim perëndimor e mbështetur në parime demokratike, që të synonte edukimin e brezit të ri me dashuri për atdheun e diturinë. Rëndësi të veçantë ai i jepte arsimimit të femrës shqiptare, gjë të cilën e ka shprehur në disa shkrime dhe në fjalën e tij në Kongresin Arsimor Kombëtar të vitit 1924. Ai e kishte aftësuar bashkëshorten e tij dhe e bëri mësuese të vajzave në Elbasan që në vitin 1916.

Një nga meritat e Sali Cekës për demokratizimin e arsimit është ndihmesa që ai ka dhënë për shkollën laike shqipe. Në vitet 1920-1924, polemika ndërmjet mbrojtësve të idesë së shkollës laike me kundërshtarët e saj, merr forma të mprehta. Gazeta “Ku Vemi?” ,e drejtuar nga vetë ai, u bë tribunë e përparuar e kësaj polemike, ku shprehu pikëpamjet e tij demokratike në mbrojtje të idesë së shkollës laike, duke iu kundërvënë konceptit të klerit, sipas të cilit shkollat duhet të ishin veç për fëmijët e krishterë dhe veç për fëmijët myslimanë. Me veprimtarinë mjaft të pasur, megjithë jetën e shkurtër, si veprimtar për liri e pavarësi, për demokratizimin e jetës së vendit, si përkrahës i laicizmit të shkollës dhe organizator e reformator i shkollës kombëtare, si zbatues i medodave bashkëkohore në mësimdhënie, si hartues i disa teksteve mësimore, Sali Çeka zë një vend të nderuar në radhën e atdhetarëve të shquar të kohës dhe të historisë së arsimit tonë kombëtar. Në vitin 1920, botoi në Elbasan “Këndim i shpejtë e i shpjeguem për rendin III-IV të shkollave fillore”. Në vitin 1921 përshtati e botoi në Tiranë “Libri i parë i njehsimit” për shkollat fillore, rend i parë. Më 1923 botoi në Tiranë “Mësime mbi shkenca fizike e natyrore me zbatime në shëndetësi, bujqësi, në industri”, në dy pjesë. Të dy këta libra u ribotuan në Vlorë më 1927 dhe në Tiranë më 1928. Përveç këtyre botimeve, Sali Çeka ka bërë disa përkthime me karakter pedagogjik.

Edhe në fushën e kulturës spikat kontributi i Sali Çekës në grumbullimin e vlerave të krijimtarisë folklorike, letrare e asaj gjuhësore të popullit, si dhe ngritjen e institucioneve dhe organeve të shtypit për botimet e tyre. Më 1918, në Elbasan ngrihet shtypshkronja e parë, lajmin për themelimin e së cilës e jep Sali Çeka.

Krahas punës arsimore, Sali Çeka ka kryer një veprimtari të gjërë politike, sidomos për demaskimin dhe çrrënjosjen e mbeturinave të feudalizmit. Për këtë arsye, populli i krahinës së Sulovës në Qarkun e Elbasanit e zgjodhi deputet dhe përfaqësues të tij në Kongresin Kombëtar të Lushnjës në vitin 1920, si përfaqësues i Sulovës dhe i Dumresë. U zgjodh sekretar i Këshillit të Ministrave. Në detyrën e zgjedhur u mor me organizim, drejtim e gjithçka që kishte të bënte me programin, zbatimin e tij dhe mbarëvajtjen e punëve, si dhe me dokumentacionin e Kuvendit të Lushnjës. Kultura e tij energjike, vendosmëria për t’i çuar objektivat deri në realizimin e tyre, e ngritën figurën e tij në nivelin më të lartë si pjesë e pandarë e suksesit të kësaj ngjarjeje madhështore të historisë sonë mbarëkombëtare. Ai luajti një rol aktiv gjatë seancave të diskutimeve dhe në komisionet ku u zgjodh pjesëmarrës. Tribunë e pikëpamjeve politike të tij u bë gazeta “Ku vemi?, të cilën ai e drejtonte vetë.

Pikëpamjet politike e shoqërore të Sali Çekës në periudhën 1920-1924, kanë qenë demokratike. Në këtë periudhë, Elbasani, karakterizohet nga një luftë klasore ndërmjet dy grupimeve të rëndësishme politike i “Pleqsorëve”, që përfaqësonte interesat e feudalëve të mëdhenj, si Shefqet Vërlaci etj, dhe grupi i “Popullorëve” që shprehte interesat e borgjezisë së re dhe të intelektualëve atdhetarë. Në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 1923 diferencimi klasor u bë mjaft i mprehtë. Në situatën e ashpër të luftës klasore u krijua në Elbasan grupi politik “As i pashës as i beut”, me kryetar Ahmet Dakli dhe anëtarë të rëndësishëm Sali Çeka, Rrapush Demeti, Hysen Plangarica, Kamber Shabani, Ibrahim Hastopalli, Thanas Floqi.

Ky grup doli me një platformë të pavarur politike, e cila shquhej për tendenca të mprehta demokratike dhe kombëtare. Pjestarët e tij kërkonin përfaqësimin e mendimit të popullit, të vegjëlisë dhe jo të pashës e të beut. Në programin e këtij grupimi politik kërkohej edhe sigurimi i sovranitetit të popullit në Parlamentin kombëtar, zgjedhjet të ishin të drejtpërdrejta dhe të fshehta, të garantohej me ligj liria e fjalës e shtypit, heqja e sistemit të taksave të rënda mbi popullsinë etj. Në këtë frymë përparimtare me karakter demokratik një meritë të veçantë ka dhe Sali Çeka, si një nga anëtarët më aktivë që luftoi kundër synimeve uzurpatore dhe obskurantiste të Shefqet Vërlacit.

Më 1 shkurt 1925, Sali Çeka vritet në fshatin Selvias të krahinës së Sulovës së Elbasanit nga reaksioni feudal dhe forcat obskurantiste të kohës”. Eshtrat e Salih Çekës sot ndodhen në varrezat e dëshmorëve të atdheut në Elbasan. Në shtëpinë ku ai jetoi, është vendosur një pllakë përkujtimore, ndërsa në vendin ku u vra më 1 shkurt 1925, ndodhet lapidari në kujtim të tij.

Sali Çeka është shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe mban titullin “Mësues i Popullit”. Këshilli i Qarkut Elbasan dhe Këshilli i Bashkisë së këtij qyteti i kanë dhënë titujt “Qytetar nderi” i qarkut Elbasan dhe “Qytetar nderi” i Bashkisë Elbasan. Shkolla e mesme industriale në Elbasan mban emrin e tij.

Filed Under: Kulture

Një vështrim esencial mbi romanin jetësor “Porosia e Kullës”, vepër e re letrare e shkruar me dashuri dhe mjeshtëri stilistikore nga shkrimtari dr. Pashko Rr. Camaj

December 17, 2024 by s p

Prof. Gjon Frani Ivezaj/

Kam nderin dhe kënaqsinë që gjendem në promovimin e romanit “Porosia e Kullës”, e shkrimtarit dr. Pashko Rr. Camaj, që në vetvete është biografia dhe historia e familjes së tij.

Edhe unë si bashkëatdhetarë dhe mik i familjes së tij, do të flas disa fjalë të zgjedhura për jetën dhe familjen e Rrok Pjetër Zekut – Camaj, e cila ishte një derë e mirënjohur e fisit Camaj të Hotit dhe të mbarë Malësisë.

Kjo derë ka nxjerrë me shekuj burra, djem dhe trima azganë, që i njohu ndë shekuj malësori, Malësia dhe Shkodra, të cilët lanë gjurmë të thella në historinë e lavdishme të popullit tonë shqiptar. 

Në ditët tona, romanet, novelat e shkurtëra, librat me kujtime ose biografike apo tregimet nga përvoja origjinale personale të shkrimtarit apo shkrimtarëve dihet se janë një formë shumë e mirë e rrëfimit të episodeve të pasura të ngjarjeve të përjetuara natyrshëm, ku përcillet kandshëm mesazhi i komunikimit të autorit tonë me lexuesit shqiptarë kudo ku ato ndodhen.

Vepra e re shkrimore, që kemi sot në duar, autori e ka shkruar në fillim në gjuhën e bukur angleze, të cilën më pas me shumë kujdes dhe frymë të pasur artistike (duke ruajtur origjinalitetin e tij), është shqipëruar me kujdes, kulturë dhe profesionalizëm nga vëllai i tij Nikollë Rrok Camaj, i cili duhet falenderuar shumë për këtë punë të madhe serioze, korrekte dhe shumë fisnike, e pasqyruar kjo në të gjithë faqet e bukura të veprës letrare së autorit.

Ky është një roman historik me plot përjetime personale origjinale. Ai shumë tërheqës, për gjuhën e pastër të dialogut të mbushur me episode interesante, të cilat me një gjuhë shqipe të ëmbël dhe stil të thjeshtë rrëfimi na i ka ofruar përjetimet e tij të gjalla sot penda e autorit dhe bashkëatdhetarit tonë dr. Pashko Rr. Camaj. 

Që në hyrje të veprës, dr. Pashko tregon për përkushtimin e librit të tij, që në këtë rast janë prindërit e dashur, si babai  Rroku, i cili i ka treguar të birit të tij qysh në atë kohë, se si ai duhet të shoh të mirën në cdo gjë, që të gjej dritën edhe në errësirë. 

Po me këtë dashuri dhe mirënjohje të pakufishme, shohim se ai formulon me shumë respekt falenderimin e ngrohtë dhe të përhershëm për nënën e tij të dashur, duke e zgjeruar dhe shtrirë mesazhin e tij edhe për të gjithë nënat trime, sokolesha dhe fisnike të Malësisë, që ndër shekuj kanë qenë ndera dhe krenaria e të gjithë burrneshave të trojeve etnike shqiptare.

Në këtë përmbledhje artistike të pasur me tregime, që natyrshëm lidhen njera pas tjetrës, shkrimtari i talentuar dr. Camaj përshkruan përvojat e reja, që ai ka ndarë gjatë jetës së tij me vëllezërit, motrat dhe të afërmit e tij, në emigracionin e largët këtu në SHBA, duke filluar që nga mosha e tij e fëmijërisë, rinisë dhe deri në ditët tona.

Duke i lexuar me shumë kujdes dhe interes faqet joshëse të romanit historik, shohim se aty na shpalosen dora-dorës rrëfimet e pasura emocionuese me episode dhe histori interesante, të treguar shumë vite më parë nga prindërit e tij mbi historinë e lavdishme të krahinës së Malësisë dje dhe sot.

Ai artistikisht emrat real të jetës së tij, në romanin e ri i ka zëvendësuar me mjeshteri artistike me figura të tjera po shqiptare, që rrëfejnë dhe ndërtojnë me shumë kujdes historitë e tij jetësore. Shkrimtari dr. Camaj, është një tregimtar shumë i mirë dhe i lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë lexuesit e botës shqiptare.  

Përmbatja e romanit apo copëzave me përjetime historike janë reale, dhe të përshkruar hijshëm me mjeshtëri stilistikore artistike, sepse aty pikërisht mes rreshtave dhe faqeve të librit bëhet zbardhja e tregimeve interesante, të cilat janë të ndarë në dy kapituj voluminoz. 

Kështu Kapitulli i Parë ka 11 pjesë, që natyrshëm lidhen me njera-tjetren në mënyrë kronologjike dhe narrative, ndërsa Kreu i Dytë ka 7 pjesë të bukura, të cilat sëbashku konturojnë gradualisht të gjithë fizionominë e plotë të strukturës jetësore të veprës së re letrare. 

Në tregimin e parë “Hyrja në SHBA”, autori me pendën dhe kujtesën e freskët dhe të kujdesshme përshkruan hap pas hapi udhëtimin e tij të parë emocional nga Jugosllavia, pra Podgorica, dhe vazhdimi i udhëtimit në kontinentin tjetër përtej Oqeanit Atlantik, ku ai vendos të shkoj me familje në fillim në Meksikë, për të kaluar dhe mbërritur drejt ëndrrës së tij në tokën e premtuar të SHBA-së.

Shkrimtari dr. Camaj, me penën e tij të këndshme, përshkruan me detaje vorbullën e kujtimeve të tij, që i parakalojnë në mendje, qysh në momentet kur aeroplani shkëputet nga toka dhe merr drejtimin drejt Perëndimit të largët, përtej Oqeanit Atlantik. 

Ai kujton në ato momente gjithcka që lidhet me jetën e tij deri në atë moshë që kishte mbërritur. Përshkrimet e tij, janë në formë dhe përmbatje të ngjashme me qindra dhe mijëra libra me kujtime dhe biografi, që autorë të ndryshëm emigrantë kanë shkruar për jetën dhe familjet e tyre.

Udha e vështirë e emigracionit, sikurse dihet nga nëna histori është një plagë e thellë dhe shumë emocionuese.

Në librin e tij përshkruan shumë bukur kullën e gjyshit të tij Pjetër Zekut, që ishte një burr trim dhe atdhetar, të cilin e pushkatuan serbo-malazezët në vitin 1945. 

Ushtria malazeze, qëndronte gjithkund në malet e Malësisë, Hot dhe Grudë etj. Pjetër Zeku ishte në syrin e ushtrisë serbo-malazeze, sepse ishte një burrë i fjalës, besës dhe kanunit. Ai ishte gjithashtu një burrë i zgjedhur i malësisë sonë. 

Ai ishte kishte ra në sy të ushtrisë malazeze, sepse ishte famulli i heroit kombëtar Ded Gjo Lulit. Ushtria sllave në ditet e zeta në vitin 1945 kishte rrethuar shtepinë dhe oborrin të trimit Rrok Pjeter Zekut Camaj, shtepia ishte dy kateshe e ndertuar prej guri. Nana e autorit Dr.Pashko Camaj ishte e martuar po në atë vjete një bi e nderuar nga mali i Trieshit.  

Ajo po sa u ul prej shkallave te gurit të kullës e duel në oborr për të marrë ujin , pa shtepinë e rrethuar me ushtri ajo u friksua shumë sa që i shiqonte me bishtin e synit. Me një herë komandanti I ushtrisë ju afrua nuses dhe I tha: a e din ti gjuhen slave ajo i tha mirboll. Komandati ju drejtua me këto fjalë:Mi thuaj zotit të shtëpisë që të ulet poshtë. E ju të tjerët rrini mbrënda  dhe të mos dalë askush jashtë.

Familja e tij u ngritën në këmbë dhe morën armët me luftu kundër ushtrisë serbo-malazeze dhe i thanë babës së tyre, se mos prano të dalësh jashtë, se do të vdesim të gjithë këtu sëbashku. 

Trimi Pjetër Zeku u ngrit në këmbë dhe me zë të lartë u tha djemëve të vet: “Mos luani vendit, se nuk dua me vra familjen dhe të gjithë robët e shtëpisë, se me qitjen e një pushke pushkatohet i gjithë katundi, mahalla e Vuksanlekaj, e unë s’du me kene shkaku i kësaj tragjedie, por ma mirë me shkue jeta ime e me shpetue ju dhe e gjithë Vuksanlekajt e Hotit. Unë nuk dua me mbyll kullën dhe me pushkatua Malin e Hotit, se me mashkuj ruhet kulla, katundi Vuksanlekaj (vllaznia) dhe Malësia.” 

Ai në ato momente të vëshira doli jashtë pragut të shtëpisë dhe menjëherë ushtria i vuri prangat dhe e vunë përpara, duke e çuar një kilometër larg shtëpisë së tij. Ata gjatë rrugës i bënë qortime dhe provokime, duke i thënë atij, se ti je animiku i popullit, një antikomunist, je famulli i Ded Gjon Lulit etj. etj. Kështu ai u pushkatua aty nga mizorët sllavë, vetëm pse ishte shqiptar dhe një burrë i shquar e i dalluar i Malësisë sonë.

Shkrimtari i shquar Dr. Pashku me pendën e bukur, përshkruan në faqet e librit të tij fjalët e zgjedhura për Rrok Pjetrin babain e tij të dashur, i cili sikurse të gjithë të tjerët në Malësi ishte një burrë i fjalës, kanunit, besës etj., të cilin e nderonte asokohe malësori dhe Malësia dhe se ai ishte një ndër vajtorët më të mirënjohur në të gjithë Malësinë.

Aty ai tregon bujarinë,guzimin , trimërinë dhe heroizmin e babait të tij. Dy bashkëatdhetarë prej Hotit, që ishin në sheshin e Pazarit të Tuzit, dhe gjatë grindjes së tyre ata nxjerrin armët dhe gjuajnë mbi njeri-tjetrin. Në ato momente kritike Rrok Pjetri ka ndërhyrë në mes të dy burrave të Hotit, për të ndalë gjakderdhjen dhe në ato momente ai merr një plumb në trup. 

Trimi malësor Rrok Pjetri, u thotë dy bashkëatdhetarëve të vet: Për hatër të Zotit , dhe nderen e malësorit ndalni pushkën  o vllaznit  e mi, dhe u kjoftë fal gjaku im. 

Qysh nga ajo ditë babai i Pashkut ishte dhe mbeti një ndër figurat më të ndritura dhe të dashura të Malësisë , dhe Camajve të Vuksanlekajve të Hotit.   

Autori ynë, përshkruan në librin e tij me shumë mall dhe seriozitet, se kishte mbaruar maturën për mjekësi në Podgoricë dhe për shkak mos të mujturit për t’u regjistruar në vitin e parë të Fakultetit në Prishtinë, plus edhe jetës së vështirë ekonomike asokohe, dr. Pashku përshkruan udhën e emigrimit për në Amerikë. E kështu fillon jeta e tij shumë interesante e mbushur plot vuajtje.

Si për cdo shqiptar, që merr rrugën e vështrirë të kurberit edhe për familjen e shkrimtarit dr. Pashko Rr. Camaj, kjo nuk ka qenë asnjëherë e lehtë. Ato kalojnë shumë vështirësi të mëdha, por në të njëjtën kohë si malësorë kreshnikë qëndrojnë të fortë si shkëmbi, për të përballuar dhe sfiduar vështirësitë e jetës së emigracionit edhe në tokën e bekuar të SHBA-së. 

Në kapitullin e dytë me titull: “Ditët e hershme të fëmijërisë dhe të pafajsisë”, kemi përshkrime të detajuara të kujtimeve të autorit të librit narrativ. 

Edhe pse ishte në avion, që notonte i qetë në re, duke lënë pas shtetin e madh të Kalifornisë, ai në ato momente në bord sillte ndër mend kujtime dhe endrra të jetës së fëmijërisë, vendlindjes, njerëzit e tij të dashur, bashkëmosharët, familjen e tij të madhe patriarkale (me shumë antarë), bukuritë e maleve kreshnike dhe fushave tona, reflektimin e sipërfaqes së ujërave të qeta të liqenin të madh dhe të bukur të qytetin antik të Shkodërlocës, fshatin e tij të fëmijërisë në Sukruq (e cila mund të quhej latinisht si Santa Cruz) etj., të cilat së bashku i dhanë atij, pra shkrimtarit dr. Camaj, formës e asaj se kush do të bëhej ai më vonë në jetë edhe pse tashmë është në Atdheun e tij të dytë SHBA.

Asokohe në Malësi të gjithë banorët, dinin të tregonin me detaje përmendesh historitë me fitore dhe humbje të familjeve dhe të afërmeve të tyre, kojshive, lagjeve dhe të gjithë fshatit apo më përtej qytetit të lashtë të Ulqinit dhe në tërësi të gjithë Malësisë dhe trojeve etnike shqiptare. 

Në shtëpitë prej guri të odave të mëdha me frenxhi të kuvendeve të mocme të burrave kreshnik të Malësisë legjendare diskutohej vazhdimisht me pasion, respekt dhe dashuri historia dhe traditat e moçme të krahinës, në të cilat transmeroheshin legjendat e hershme brez pas brezi dhe në formë legjendë gojë më gojë apo fjalë për fjalë e gjithë historia realiste e treguar nga burrat e vjetër serioz dhe të nderuar të Malësisë sonë.

Ai ishte një fëmijë si të gjithë të tjerët në Malësi, me shumë ëndrra për jetën dhe shkollën e diturisë. Dr. Pashko tregon fletë pas flete dhe rresht pas rreshti vitin e bukur 1971, kur ia niset për herë të parë në shkollën e Malësisë, i përcjellë me shumë gëzim dhe dashuri nga nëna e tij. Atij edhe sot e kësaj dite i ka mbetur në kujtesë mësuesi i parë shkollës Gjoka, i cili asokohe i mësoi abc-në në gjuhën shqipe, për t’i hapur më vonë dyert e jetës për më shumë dije dhe kulturë shqiptare dhe të huaj. 

Kreu i tetë i librit në fjalë, është shumë tërheqës dhe mbresëlënës, për faktin, se aty autori dr. Pashko Rr. Camaj, përshkruan me një gjuhë dhe stil të ëmbël “Ditët e lumtura dhe të trishtimit”, një narrativë e goditur dhe e përshkruar mjeshtërisht me një pendë të hollë dhe fjalë shumë të thjeshta e të përzgjedhura me shumë kujdes, që leximi të përjetohet me shumë andje nga të gjithë lexuesit edhe sot.

Në romanin e bukur, shohim se autori sërisht vijon të jetë në bordin e avionit edhe për disa orë të tjera. Aty ai sërisht zhytet thellë në kujtime të së shkuarës dhe ato të kohës, kur vjen në SHBA për herë të parë. 

Ai kishte menduar qysh në vendlindje, se nëse do të shkonte në SHBA, do të vendosej për të filluar jetën në shtetin industrial të Michigan-it, aty ku ndodhen 5 liqenet e mëdha dhe të bukura kufire me shtetin e Kanadasë. 

Personazhi kryesor i librit në fjalë, në çantën e udhëtimit drejt botës së lirë të SHBA-së kishte marrë me vetë edhe një album modest me fotografi bardh e zi të familjes dhe shokëve të tij, të cilin e hapi dhe me nostalgji e shfletoi një nga një dhe fletë për fletë, duke u ndalur shpesh dhe prehur në meditime nostalgjike, para shumë fotove të bukura historike të familjes së tij. 

Në libër mësojmë edhe për antarët e tjerë të familjës së autorit të romanit, të cilat ai i përshkruan shumë bukur, ashtu sikurse ishin në realitet. 

Një portret artistik me pendë të mprehtë, ai bën edhe për babain e tij fisnik dhe bujar, kur martohet motra e tij (shkrimtarit dr. Camaj), i cili kishte dalë tek dera e shtëpisë për të përcjellë krushqit, sipas zakonit dhe traditës së hershme të maleve kreshnike dhe vetë malësorëve tanë, që dinë të nderojnë miqtë dhe dashamirësit (dasmorët), sipas traditës dhe bujarisë fisnike shqiptare.

Për më shumë, për figurën e babait të vet, të cilin si personazh nga Hoti, ai i ka vënë emrin Rrok Pjetri, shkrimtari Camaj flet pak më poshtë më gjerësisht, në Kapitullin me titull sinjifikativ: “Babai im, heroi im”, ku aty i bën një skicë artistike me pendë, tek shpalos adhurimin e pakufi për të parin e familjes dhe shtyllën e fortë të trungut të familjës Camaj. 

Shtatë temat e tjera në brendësi të romanit, janë shumë të bukura për nga mënyra se si i përshkruan shkrimtari ynë malësor. Kështu mund të kundrohen me andje të madhe temat e reja, si: “Vera e fundit”, “Lot në sytë e babait tim”, “Zemra e lënduar e Atit tim”, “Endrrat e paplotësuara”, “Pjekunia – Ditët e ushtrisë”, “Lagimi nga shtëpia e ime” dhe “Në zemrën e Amerikës”, të cilat në tërësi ato janë rrëfime të freskëta dhe shumë të sinqerta, të përshkruara shumë bukur dhe emocionalisht, sa që të bëjnë t’i kundrosh me andje dhe t’i rilexosh me kënaqsi sërisht deri në fund. 

Ata janë të lidhura shumë ngushtë me njera-tjetrën dhe jepen si vazhdim i natyrshëm i rrëfimit të të gjithë historive të pasura të vetë librit plot tregime, të cilat në vetvete përmbidhen me titull shumë kuptimplotë: “Porosia e Kullës”. 

Si bashkatdhetarë dhe si bashkemigrant në këtë vend të bekuar të Amerikës, dua të ndalem pak tek kjo pjesë e fundit e kreut të parë, sepse aty shoh se ka ngjashmëri historike me të gjithë ne emigrantët e tjerë, të cilët në një mënyrë a tjetër kemi lënë me dhimbje dhe keqardhje trojet tona dhe në vecanti Malësinë tonë kreshnike, për një jetë më të mirë në SHBA dhe në vecanti në shtetin e madh metropolitan të New York-ut, ku jeton dhe punon edhe sot prej disa dekadave një komunitet shumë i madh fisnik i bashkatdhatëreve tanë malësorë.

Në rrëfimin hyrës, autori dr. Camaj, tregon mes emocioneve artistike minutat e fundit të zbritjes me avion në aeroportin e qytetit Detroit, brenda shtetit të madh industrial Michigan.  “Mirë se erdhët në zemër të Amerikës, në shtetin e madh të Michiganit” – njoftoi piloti.  

Shkrimtari i talentuar dr.Pashko Rr  Camaj, përshkruan  me emocione e plotë dashuri, udhëtimet e tij të shumta me makinë nëpër qytetin Detroit, apo vizitat e  paharruara dhe mbresëlënese nëpër shtëpitë e miqëve dhe dashamirëve nga Malësia, të cilët kishin shumë vite që ishin vendosur me famlje, për të jetuar dhe punuar në SHBA . 

Pse jo pakë të dhënuna historikisht për  mbi jeten e veprimtarinë e kontributin bashkëatdhetarit tonë.

DR. PASHKO. CAMAJ , është nga  Vuksalekajt (Malësi), I fisit Hoti, i derës së mirënjohur të Malësisë së madhe. Rrok Pjetër Zeku i Camajve, prej kohesh me banim e veprimtarim ne Amerike; ka studiuar per shëkenca mjekesore në Srednja Medicinska Skola në Podgorice (MZ) .

Dr. Pashko Rr. Camaj është Doktor I Shkencave të Shëndetit Publik , dhe drejtor I shëndetit dhe i sigurisë për transportin puplik në Nju Jork të shtetave të bashkuara të Amerikës .

 Pashko Rr. Camaj ishte Shef i Kabinetit të Federates Pan-Shqiptare “Vatra” në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, ka qënë dhe në detyren e Nëkryetarit të “Vatrës” dhe nefunksione, angazhime e misione kombëtare të “Vatres” ndërvite, duke dhënë një kontribut të cmuar Dr. Pashko . Camaj është Profesor i angazhuar në Universitetin Eilliam Paterson të Nju Xhersit dhe në  CUNY lehman College në SHBA, ka mbajtur kumtesa e shumë ligjerata në disa universitete në Shqipëri, e Kosovë dhe në forume të ndryshme  shkencore, ka botuar me dhjetra  artikuj të ndryshëm për shëndetin publik, duke dhënë ndihmë të cmuar në SHBA , në Shqipëri,Kosovë, Mali i Zi etj. veçanërisht në kohën e Pandemisë Kovidiane.

Dr. Pashko Camaj eshtë dekoruar me Titullin e Lartë”Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta (Amerikë, 2022).

Ai merr pjesë në të gjithë shoqatat organizatat shqiptare kudo në SHBA dhe Europë. Ai sot është një ndër figurat më të nderuara të botës shqiptare në emigracion, si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra” (1912) me qendër në New York.  

U ndala dhe fola vetëm pak fjalë zemre, për disa aspekte mbresëlënëse të romanit të ri të autorit, duke u munduar me modesti për të bërë me qëllimin e mirë, një vështrim esencial mbi romanin jetësor “Porosia e Kullës”, vepër e re letrare e shkruar nga autori ynë bashkatdhetarë dr. Pashko Rr. Camaj.

Duke e mbyllur këtë shkrim timin modest, dua të falenderoj edhe një herë nga zemra autorin e veprës letrare, për botimin e këtij romani të bukur historik si dhe të gjithë ju miq dhe dashmirë të letrave shqipe, që keni marrë pjesë në promovimin e këtij libri me tregime letrare, që pasqyrojnë gjerësisht jetën e mbushur me histori të paharruara në krahinën tonë, të dalluar ndër shekuj për luftra dhe mbijetesë kreshnike, kujtime të cilat nuk harron kurrë sot edhe nga brezat e rinj, që do të vijnë si në trojet etnike shqiptare ashtu edhe në diasporën tonë këtu në SHBA.

Ju falenderoj të gjithëve për vëmendjen!

New York, Dhjetor 2024

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT