• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Përdorimi i Forcës Ushtarake RFJ (Serbi-Mali i Zi) mbi popullatën e Kosovës (1998-1999): Një Shkelje e Parimeve të Kartës së OKB-së

December 16, 2024 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Lufta e Kosovës (1998-1999) dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s përbëjnë një nga rastet më të debatuara në të drejtën ndërkombëtare sa i përket përdorimit të forcës pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky rast është konsideruar një shembull unik ku konflikti midis legalitetit dhe legjitimitetit të përdorimit të forcës është trajtuar gjerësisht në jurisprudencën ndërkombëtare.

1. Parimet e Kartës së OKB-së për Përdorimin e Forcës

Sipas Nenit 2(4) të Kartës së OKB-së, përdorimi i forcës nga shtetet kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të një shteti tjetër ndalohet. Përjashtimet e vetme janë:

       -Vetëmbrojtja (Neni 51): Kur një shtet(kolektivitet-popull) përballet me një sulm të armatosur.

       -Autorizimi nga Këshilli i Sigurimit (Kreu VII): Kur Këshilli i Sigurimit përcakton se një situatë kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk u miratua nga Këshilli i Sigurimit për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës, dy anëtare të përhershme me të drejtë vetoje,por përkundër kësaj,për herë të parë NATO-jetësoj kreu të VII të Kartës së OKB-së.

2. Situata në Kosovë: Shkeljet e Rënda të të Drejtave të Njeriut

Gjatë viteve 1998-1999, regjimi i Sllobodan Millosheviqit kreu një fushatë brutale të spastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës. Ky konflikt përfshiu:

      -Masakra e Reçakut (janar 1999): 45 civilë shqiptarë të Kosovës u vranë nga forcat serbe, një akt i dokumentuar nga OSBE dhe shtetet perëndimore, i cili shërbeu si një nga katalizatorët kryesorë për ndërhyrjen e NATO-s.

      -Masakrat e Mejës, Krushës së Madhe dhe shumë fshatrave të tjera: Me mijëra civilë u vranë dhe u zhdukën në mënyrë sistematike.

      -Më shumë se 800,000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni.

      -Tortura, përdhunime masive dhe ekzekutime të organizuara.

3. Ndërhyrja e NATO-s: Legaliteti dhe Legjitimiteti

Në mars 1999, NATO nisi një fushatë ajrore 78-ditore kundër Serbisë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Edhe pse mungonte autorizimi i Këshillit të Sigurimit, NATO e justifikoi ndërhyrjen si një veprim humanitar emergjent.

Argumentet për Legalitetin dhe Legjitimitetin:

a) Justifikimi i NATO-s:

   -Ndërhyrja Humanitare: Ndërhyrja u justifikua për të ndalur krimet kundër njerëzimit dhe për të parandaluar një gjenocid të mundshëm ndaj shqiptarëve të Kosovës.

   -Precedentet Historike: Mësimet nga dështimi për të ndërhyrë në gjenocidin e Ruandës (1994) dhe Bosnjës (1995) ndikuan fuqishëm në vendimin për të vepruar.

b) Kundërshtimet nga Rusia dhe Kina:

   -Shkelje e Sovranitetit: Kët mundohët të argumentoi Serbia se gjëja  se ndërhyrja e NATO-s përbënte një shkelje flagrante të sovranitetit të saj dhe një akt agresioni ndërkombëtar.

   -Pa Mandat të OKB-së: Rusia dhe Kina e konsideruan këtë veprim të paligjshëm për shkak të mungesës së një autorizimi zyrtar nga OKB-ja.

4. Precedente të Ngjashme në të Drejtën Ndërkombëtare

a) Ndërhyrja në Somali (1992):

   -OKB autorizoi ndërhyrjen për të parandaluar një katastrofë humanitare gjatë luftës civile dhe urisë masive.

b) Dështimi në Ruandë (1994):

   -Dështimi i komunitetit ndërkombëtar për të ndalur gjenocidin që vrau mbi 800,000 njerëz u përdor si një mësim për ndërhyrjen në Kosovë.

c) Ndërhyrja në Bosnjë dhe Hercegovinë (1995):

   -Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur masakrat dhe rrethimin e Sarajevës u autorizua nga OKB-ja dhe shërbeu si një precedent për veprimin në Kosovë.

5. Pasojat Ndërkombëtare të Ndërhyrjes në Kosovë

a) Pasojat Politike:

   -Rënia e Millosheviqit: Ndërhyrja çoi në humbjen e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën dhe në rrëzimin e regjimit të Millosheviqit.

    -Administrata e OKB-së (UNMIK): Pas luftës, OKB krijoi një administratë ndërkombëtare në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

b) Pasojat Juridike:

    -Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND): Në vitin 2010, GJND-ja vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare.

    -Tribunali i Hagës: Shumë liderë serbë, përfshirë Millosheviqin, u akuzuan për krime lufte.

c) Zhvillimi i Doktrinës “Përgjegjësia për të Mbrojtur” (R2P):

    -Ndërhyrja në Kosovë ndihmoi në krijimin e doktrinës “Përgjegjësia për të Mbrojtur” (R2P), të miratuar në Samitin Botëror të OKB-së në 2005, e cila përcakton detyrën ndërkombëtare për të ndërhyrë në rastet e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mbetet një nga çështjet më të debatueshme në të drejtën ndërkombëtare. Edhe pse juridikisht ajo nuk kishte autorizimin e Këshillit të Sigurimit dhe për këtë arsye u jetësua kreu VII dhe parimet e Kartës së OKB-së, legjitimiteti i ndërhyrjes mbështetej në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e një katastrofe humanitare. Rasti i Kosovës ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare dhe në konceptin e ndërhyrjes humanitare.

Filed Under: Analiza

Jeta shkruan romane…

December 16, 2024 by s p

Skender Karaqica/

Këngëtarja Parashqevi Simaku ka mbetur në rrugë dhe pa kulm mbi kokë në Nju Jork! Këngëtarja Parashqevi Simaku erdhi në Amerikë dhe në ëndrrat e saj kishte të bëhet pjesë e skenës në Hollivud. Kjo ëndërr mbeti në dhomat e gjumit e ajo e vazhdoi jetën në metropolet e Amerikës, ku u martua me një amerikan. Huqet e jetës e bën të vetën kur e reja shqiptare u divorcua nga burri i saj amerikan, duke lënë një djalë të lindur në këtë martesë. Udhët e jetës për Parashqevi Simaku morën kahje tjetër, ku vetmia dhe fryma urbane moderne amerikane e bën të përgjumur dhe humbja e shpesës për jetë. Në dritat e qytetit milionësh të Nju Jorkut, këngëtarja shqiptare humbi themelet e shtëpisë, të familjes dhe
ana tjetër e pentagramit të këngës së lehtë-popullore në këtë errësisë nuk ishte më vetvetja.

Këtu ndalet pentagrami i këngës shqiptare!

Çfarë po ndodh me jetën e trishtë të Parashqevi Simaku në Nju Jork, ku, siç vë në spikamë në lajmin e tij përmes kamarës së televizionit Klan në Tiranë, gazetarei Blendi Favziu, jeta e saj është bër e trishtë, pa shtëpi, pa familje e vetme, ku, siç thuhet me zhargonin amerikan (homles) të rrugëve në Nju Jork…! Huqet e jetës nganjëherë shembin shpirtëra njerëzish, humbin dikah e mbrapa u shkojnë hijet e gjurmët që kanë lënë për të tjerët. Për jetën e këngëtarës shqiptare, pentagrami i këngës së bukur dhe vokali i saj u bë një klithmë në udhët e Nju Jorkut: Nuk kam më zë vokal e as pentagram për këngën shqiptare, sikur u thotë shqiptarëve Parshqevi Simaku, tashti e vetmuara në jetë…!

Në paraqitjen e tij Blendi Fevziu, hedh dritë për fatin e Parashqevi Simaku me shpirt të trazuar e gjendje të trishtë, që më nuk kanë vlerë fjala e përkrahjes nga shqiptarët për ta marrë në shtëpitë e veta, ku ajo ka kundërshtuar dhe është nisur dikah me vetminë…!Ajo tashti nuk ka shtëpi, nuk ka kulm mbi kokë dhe nuk dihet se çfarë do të jetë e nesërmja në udhët e Nju Jorkut. Për katrahurën e dhimbjes për këngëtarën tonë nuk janë në dijeni familja e saj në Tiranë, thotë Blendi Fevziu.

Jeta shkruan romane, Pararshqevi Simaku, bëhet përsonazh i dhimbjes shqiptare dhe i bëjmë thirrje diasporës shqiptare në Amerikë dhe Ambasadës së Shqipërisë në Washington, që për këngëtarën të nisin aksionin e ndihmës për të shpëtuar nga jeta pa adresë e pa shpresë, duke ia krijuar kushtet për kthimin në Shqipëri dhe akordimin e një pensioni të artistit të këngës shqiptare.

Kemi dhimbje për artistën e këngës! Kjo është jeta do të thoshin francezët! Vokali i bukur dhe pentagrami i Parshqevi Simaku ka mbetur veçse koncertët muzikore, festivalet në Tiranë dhe kujtimet tona pa duartroktije frenetike…!

Jeta shkruan romane për Parshqevi Simaku në Nju Jork!

(Çikago, dhjetor, 2024)

Filed Under: Fejton

PIEDESTAL PËR MONUMENTIN E EPOSIT SHQIPTAR

December 16, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Erik Faje tregon se si lindi romani në vitin 1979, një takim rastësor, i barasvlefshëm me një eshtër të një kafshe prehistorike prej së cilës rindërtohet krejt skeleti i saj; për kalimin në heshtje të romanit kur u botua së pari në revistën “Nëntori” në vitin 1981. 

Ardhja në Shqipëri e dy studiuesve irlandezë, Maks Roth dhe Vili Norton përbën pikën e lidhjes nga ku shtresohen katër marrëdhënie të ndryshme: administrata shtetërore dyshon dhe sillet sikur të ishin agjentë; Dezi – gruaja e nënprefektit, mendon se është një mundësi romance në atë humbëtirë; malësorët bëhen kureshtarë nga magnetofoni që përpin dhe tjetërson zërat e rapsodëve;  murgu Dushan nuk mund të pranojë që studimet për eposin t’u shërbejnë shqiptarëve në dëm të serbëve.

Në varësi të këtyre raporteve, ngjarjet shpalosen në katër rrafshe: Nënprefekti dërgon pas studiuesve përgjuesit Dullë Baxhaja dhe Pjetër Prenushin dhe kulmon me dërgimin nga Tirana të përgjuesit të anglishtes; Dezi mundohet të tërheqë vëmendjen e Vili Nortonit; bujtinari Shtjefni kujdeset për studiuesit jo vetëm për akomodim, por edhe për t’u krijuar kontakte me rapsodët; murgu Dushan nxit eremitin Frrok të sulmojë studiuesit dhe t’ua shkatërrojë magnetofonin dhe shiritat e regjistrimeve, duke bërë të pariparueshëm studimin e tyre intrigues.

Gjithë kjo ngrehinë katërkatëshe shërben vetëm si piedestal për të vendosur monumentin e eposit shqiptar me tërë madhështinë dhe rrezëllitjen e tij. Kadare, që më se një herë ka dëshmuar me veprat e veta vëmendjen e shtuar dhe vlerësimin e lartë për foklorin shqiptar, e shfrytëzon këtë mjet artistik për të shkuar edhe më larg. “Studiuesve nuk u interesonte eposi shqiptar në vetvete, por teknologjia e prodhimit të tij.” (perifrazim nga f.59) Ata kapin dukurinë e harresës dhe shtesave për të kuptuar ç’ka ndodhur me eposin homerik. Thelbin e vërtetë të veprës e përbën përplasja shqiptaro-serbe për autorësinë e eposit. (f.101 – 102) 

Kadare, me cilësinë e vëzhguesit të vëmendshëm dhe studjuesit të mprehtë, konstaton se elementët mitologjikë në motërzimin sllav të eposit janë tejet të varfra. Në fund Kadare heq dorashkat dhe, duke cituar një gazetë me gojën e Maksit deklaron: “S’është hera e parë që shovinistët sllavë goditin  shkencëtarët që janë marrë me studimin e lashtësisë së etnisë dhe të kulturës shqiptare. Një egërsi dhe zili barbare, nga ato që shkaktohen, veç të tjerash, prej kompleksit të inferioritetit, i kap ata sa herë që dëgjojnë të bëhet fjalë për prejardhjen e shqiptarëve prej ilirëve. Çdo shkencëtar që merret drejtpërdrejt apo tërthorazi me këtë, shpallet armik i tyre.” (f.226)

Kadare vazhdon t’i rikthehet pafundësisht antikitetit grek, duke hedhur ide të reja, në një kohë kur shumë studiues të tjerë të mirëfilltë mund ta konsiderojnë këtë një çështje të mbyllur. Sa e pabesueshme shfaqet fjala shqipe në vargun e parë të Iliadës “Menin aeide thes Peleiadeos Ahilaios!” (Mërinë këndo hyjneshë të Akil Peleut.) Sa interesant është krahasimi i Ajkunës së eposit të kreshnikëve me Helenën e Trojës! Po finesa e pyetjes se ç’ka qenë Homeri! “Poet gjenial apo redaktor gjenial, zyrtar, kontestator apo ideolog? Ishte një lloj publishers i asaj kohe, kronist mondan i Olimpit, zëdhënës zyrtar, apo shef si çdo shef kishte ndihmësit e tij të shumtë. Apo s’ishte asnjë nga këto, madje s’ishte fare person, por një institucion, dhe  emri i tij, i përbërë prej inicalesh, duhej shkruar jo Homer, por H.O.M.E.R.” (f.160) Perla të tilla mund të dalin vetëm nga pena kadarejane! 

Përplasja shqiptaro-serbe vjen në bashkëkohësi si problem politik mes Serbisë e Kosovës, ose si çështje historike që lidhet me ardhjen e sllavëve në Ballkan, për të kulmuar me vlerësimin për qeverisjen: “… si është e mundur që një popull me përmasa të tilla të administrohet në kohën e sotme nga një regjim qesharak, madje është pak ta quash kështu…(f.132) … pas përpjekjesh titanike për të fituar lirinë, të përfundosh në një regjim të tillë, një shtet të tillë të pabesë dhe idiot; kjo është një hata.” (f.133) Pas kësaj sot dëshiroj të shtoj thënien popullore “Bjeri pragut, të dëgjojë dera.” Ja pse në marrëdhënien studiues i huaj – administratë shqiptare vepra vesh kostum karnavalesh. Përkundër kësaj administrate mjerane, duke rrëfyer herë pas here në trajtën e ditarit të mbajtur nga Vili Norton, autori gjen shtegun për të vlerësuar Konicën, këtë figurë të madhe të letrave shqipe që atëherë ishte nëpunës i atij aparati shtetëror dhe u bë i padëshirueshëm për regjímin komunist që erdhi më pas. 

(Romani “Dosja H.” i Ismail Kadaresë, Tiranë 1981)

Filed Under: ESSE

VATRA në Boston riktheu pas shumë vitesh traditën e festimeve të përvjetorit të saj

December 16, 2024 by s p

Flamur VEZAJ/

VATRA në Boston festoi njëvjetorin e ringritjes, duke rikthyer kështu traditën e festimeve të përvjetorëve mes vatranëve dhe miqve të VATRËS! Brenda ambientit të ngrohtë dhe me shije të restorantit “Scutari” në Hanover të Massachusetts, të dekoruar me simbolet kombëtare, fotot e Fan Nolit dhe Konicës, si dhe logon e VATRËS, u mblodhën shumë shqiptarë të komunitetit të Bostonit për të festuar së bashku këtë ditë të shënuar të riaktivizimit të VATRËS. Kështu u rikthyen kujtimet e vatranëve më të vjetër, të cilët kujtuan me emocion kohën kur ishin të vegjël dhe prindërit e tyre, po pjesë e VATRËS, mblidheshin në festa të veçanta në restorantin e filantropit të njohur shqiptar në Boston, Anthony Athanas!

Salla ishte e mbushur me vatranë të rinj e të vjetër, ku në sfond dëgjoheshin tingujt e muzikës tradicionale shqiptare, të luajtura nga DJ Rei, i cili, si në çdo event, e filloi hapjen e kësaj feste duke intonuar himnin amerikan dhe atë shqiptar.

Moderatori i kësaj mbrëmjeje, Jorid Çelaj, njëherazi arkëtari i VATRËS në Boston, pasi falënderoi të pranishmit që ishin bashkuar kësaj feste, kujtoi se sot, më 15 dhjetor, koincidoi edhe si data e kalimit në amshim të dijetarit të madh Faik Konica. Për të nderuar këtë figurë të lartë të kombit shqiptar dhe patriotët e tjerë, u mbajt një minutë heshtje.

Festa më pas filloi me fjalën e kryetarit të VATRËS në Boston, z. Mentor Makustaj, i cili renditi në mënyrë kronologjike 31 aktivitetet e organizuara nga VATRA në Boston brenda një viti! “Së bashku, brenda këtij viti që po lëmë pas, kemi bërë shumë organizime, bashkëpunime me organizata të tjera shqiptare, aktivitete dhe takime të rëndësishme për komunitetin tonë dhe kjo frymë do të vazhdojë jo vetëm në 2025 por edhe në vazhdim. E për të realizuar të gjitha këto aktivitete, unë falënderoj nënkryetarin Theofan Koja, sekretarin Flamur Vezaj, arkëtarin Jorid Çelaj, si dhe anëtarët e kryesisë Andrea Pani, Lindita Meçe, Ervis Dhima, Petrit Alibeaj, Subi Çako, Isa Bytyqi dhe Edlira Çako, pa të cilët e gjithë kjo punë nuk do të ishte bërë! Gjithashtu falënderoj të gjithë anëtarët e VATRËS që na kanë besuar, mbështetur dhe ndjekur në gjithë këto aktivitete, në veçanti Klajdi Harunin, Ardi Boçovën, Artian Rrezën, Azem Avdulin, Agron Bejën, Sylejman Bytyqin, Gëzim Meçen, Freskim Nallbanin, Altin Brarin e shumë të tjerë,” tha kryetari Maksutaj, duke kërkuar ndjesë që nuk mund të përmendte të gjithë anëtarët! Gjithashtu, ai falënderoi organizatat shqiptare dhe individët e ndryshëm me të cilët janë realizuar të gjitha këto projekte/aktivitete, duke theksuar se kemi shumë punë për të bërë dhe viti 2025 na pret me sfida edhe më të mëdha.

Të pranishmit në këtë event madhështor i përshëndeti edhe kryetari i VATRËS, z. Elmi Berisha, i cili kishte ardhur nga Nju Jorku së bashku me arkëtarin Besim Malota. Z. Berisha, mes të tjerash, përgëzoi Vatrën në Boston për punën e shkëlqyer patriotike gjatë këtij viti! “Jam krenar për Bostonin dhe shpreh respekt e vlerësim për afrimin e patriotëve, intelektualëve dhe gjeneratave të reja në VATËR si garanci për jetëgjatësinë e VATRËS dhe transmetimin e vlerave më të çmuara kombëtare në brezat e ardhshëm,” tha z. Berisha, duke premtuar se mbështetja e qendrës do të jetë e pakursyer për vatranët në Boston!

Në emër të kryetarit të Këshillit Drejtues të VATRËS, z. Kolec Ndoja, foli zv/kryetari i këshillit, Theofan Koja, i cili transmetoi për vatranët dhe të pranishmit mesazhin se VATRA në Boston tashmë është bërë një pikë referimi për degët e reja që po hapen në gjithë SHBA-në! Ndërsa editori i gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja, në pamundësi për të qenë i pranishëm, dërgoi një telegram urimi, të cilin e lexoi vatran i Bostonit, Klajdi Haruni! ““Jeni model frymëzues që keni kultivuar atdhedashuri dhe patriotizëm në Boston e më gjerë, nëpërmjet veprimtarive tuaja mbresëlënëse për kombin, atdheun dhe komunitetin.

Gazeta Dielli mburret me kontributin tuaj për Vatrën dhe Diellin në këtë rrugëtim emocionues dhe plot sfida. Ju keni krijuar një bashkësi patriotike që rrezaton energji kombëtare dhe bashkon vlerat më të larta njerëzore, intelektuale, atdhetare dhe qytetare, duke i vënë në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Boston, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” – thuhet në mesazhin përshëndetës të editorit të Diellit, z. Paja.

Një mesazh urimi dhe përshëndetje për vatranët kishte edhe kryetari i VATRËS, dega në Jacksonville të Floridës, z. Adriatik Spahiu! Ai uroi suksese për degën e VATRËS në Boston, duke shprehur mirënjohjen dhe respektin për punën njëvjeçare të saj dhe vlerësoi vizionin e bashkëpunimit me degët e tjera, duke rikthyer traditën e vatranëve të vjetër që i bashkonte ideali i çështjes kombëtare. Gjithashtu, i pranishëm ishte edhe kryetari i sapozgjedhur i VATRËS në Hartford, z. Ilir Gjomarkaj!

Më pas, aktiviteti vazhdoi me dhënien e mirënjohjes për familjen Pani, e cila për tre breza ka kontribuar në VATËR, që nga themelimi i kësaj organizate gjithëshqiptare të Amerikës. “Në vlerësim për kontributet e veçanta për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare në degën e VATRËS në Boston” çertifikatë mirënjohje i jepet familjes Pani, lexoi kryetari z. Elmi Berisha, i cili ia dorëzoi vatranit Andrea Pani, njëherazi anëtar i kryesisë së VATRËS në Boston! Ky i fundit, me emocion, falënderoi VATRËN për vlerësimin, duke premtuar se do të vazhdojë të kontribuojë në VATËR si gjyshi dhe babai i tij!

Një vlerësim i tillë iu nda pas vdekjes edhe vatranit Agim Dishnica, i cili ndërroi jetë vetëm pak kohë më parë në Boston! Gjithashtu, një mirënjohje të tillë iu nda edhe znj. Neka Doko, personit që prej shumë vitesh kujdeset për bibliotekën e Fan Nolit pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston!

Me mirënjohje të veçantë, “Në vlerësim për bashkëpunimin në evenimente të ndryshme dhe ndihmesën për realizimin e projekteve të ndërmarra në degën e VATRËS së Bostonit,” u vlerësuan nga VATRA organizata “Albanian Boston Community Center”, “Çunat e Bostonit” ku ishte i pranishëm Endri Kume, organizata “MaasBesa” me përfaqësuesin e saj z.Eduard Lazri, Albanian Fighting Cancer,” z. Faton Limani nga Universiteti Harvard, Shoqata “Labëria” ku morì vlerësimin Zv/kryetari Nevjol Shukulli, Shoqata “Kosova,” Robert Tochka nga Qendra Kulturore Fan S. Noli, Nikolin Gaçe, Aldi Myteberi dhe Ardit Dervishi!

Nga ana tjetër, VATRA në Boston ndau edhe vlerësime për bizneset që kanë ndihmuar e kontribuar gjatë vitit 2024, duke mundësuar realizimin e projekteve e aktiviteteve të ndryshme. Me motivacionin “Në vlerësim për sponsorizimin e evenimenteve të ndryshme të organizuara nga dega e VATRËS në Boston” u nderuan: Restoranti “Scutari” në Hanover, MA, me pronar Leo Keka; Shoqëria Atdhetare “Besa-Besë”; kompania “Salem BP”; restoranti “Gallo Nero” në Peabody me tre pronarë shqiptarë; kompania “OTR Limo” e Artur Maçorrit; “BoxFord House of Pizza” me pronar Neviol Shukulli; “Ellie’s Pizza Beverly” me pronarë Xhulio Bleta dhe Albion Beqiri; “Peabody House of Pizza” me pronar Andi Biqiku; “Giovanni’s Roast Beef & Pizza” me pronar Edison Shahini; “Ipswich House of Pizza” me pronar Guisedio Vasiu; kompania e transportit SHBA-Shqipëri dhe anasjelltas “Henry Jasmin,” me pronar Ervin Çifliku; si dhe gazetari Nazim Salihu nga “Noli TV.”

Pas dhënies së vlerësimeve, festa vazhdoi me darkën e ofruar me zemër nga VATRA, dega në Boston, e shijuar nën tingujt e muzikës së vjetër dhe të re shqiptare tradicionale, ku nuk munguan as vallet!

Fotot nga S.Çako dhe N.Salihu

Filed Under: Opinion

DR. ELMI BERISHA – KRYETARI I VATRËS, VIZITOI KISHËN SHQIPTARE “FJETJA E SHËN MËRISË”, WORCESTER MA.

December 16, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

Dje, ditën e dielë, 15 Dhjetor Z. Elmi Berisha, Kryetari i Federatës Vatra të Amerikës bashkë me Z. Besim Malota, Sekretarin e Financave të Federatës, u nisën që në mëngjes prej NY për të bërë dy vizita pune në shtetin e Massachussetts-it. Së pari ata ndalën tek kisha shqiptare Fjetja e Shën Mërisë, Worcester MA, ku u ndalën të bënin një vizitë respekti ndaj anëtarëve të kësaj dege, të cilët brenda muajit nëntor kishin paguar kuotat për periudhën Dhjetor 2024 – Nëntor 2025.

Ata mbrritën tek hyrja e kishës në ora 11:00 AM, ku i prita unë, sekretari i degës së Worcester MA.

Fr. Mark Doku, prifti i kishës, ishte njoftuar një ditë më parë për këtë vizitë prej Z-njës Effi Qeleshi, Kryetare e degës së Vatrës, prandaj ai në fund të meshë përshëndeti mysafirët me emra dhe njoftoi gjithë të pranishmit se pas meshës mund t’i takonin miqtë tek salla e ngrënies, ku do të shërbeheshin të ndara për familjarët John, Bessie, James and Helen Spiro.

Tek salla poshtë u bashkuan rreth miqve Dr. Elmi Berisha dhe Besim Malota në dy tavolina të mëdha anëtarët e degës së Vatrës, midis të cilëve po përmend Z-onjat Effi Qeleshi e Adelajda Tego dhe vëllezërit Ndoc e Geg Delia, Tom Christo (Nënkryetar i degës së Vatrës), Beni Çika me zonjën, Milo Treko me zonjën, unë me Julian, Ilir Mihallari me zonjën, etj.

Në këto tavolina erdhi dhe Fr. Marku i cili u tregoi mysafirëve disa momente nga jeta e kishës sonë, kurse Z. Elmi shprehu kënaqësinë e veçantë që ndjeu gjatë vizitën te salla e madhe lart, e cila është e zbukuruar me piktura murale shumë të bukura prej piktorit të talentuar Dhimitër Çika. Ai e uroi Fr. Markun për faktin që ky e mban një pjesë të meshës shqip.

Më tej ai tregoi se Federata Vatra po përpiqet që me ndihmën e Ministrive të Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të arrihet që mësimi i gjuhës shqipe të dixhitalizohet, dmth që çdo fëmijë shqiptar i diasporës mund të mësojë gjuhën amëtare në kompjuter nga shtëpia e vet, sipas nivelit që ka nevojë.

Z. Elmi njoftoi se në vijim ata do të shkonin në Boston për të marrë pjesë tek ceremonia e njëvjetorit të krijimit të degës së Vatrës Boston MA.

Para largimit u bënë disa foto, prej të cilave po sjell këtu dy prej tyre. Gjatë largimit i uruam rrugë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në krijimin e degëve të reja.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT