• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

PARADIGMA E GJUHËS SHQIPE NË VEPRËN E MID’HAT FRASHËRIT

December 14, 2024 by s p

Akad. prof. dr. Valter MEMISHA/

Mid’hat Frashëri ka bërë punë e jashtëzakonshme për fjalën shqipe, për terminologjinë, për pastrimin e gjuhës nga fjalët e huaja etj. Ai e ktheu revistën “Diturija” në tribun të kulturës e emancipimit gjuhësor, të mbrojtjes së shqipes e të pasurive të saj. Gati në çdo numër të kësaj reviste zinte vend rubrika “Fjalëtore e vogëlë / Fjalëtoretë shqip”, ku gjejmë lëndë leksikografike, terminologjike e etj. Kjo përbën një fushë me interes të madh studimi për të rinjtë e pasionuar për kërkime e studime në lëmë të shqipes. 

Madje ai është marrë dhe me interpretime përmes kundrimeve psikologjike. Nga artikulli “Vërejtje psikologjike mbi fjalorin e Marko Boçarit”, shkëputim:

“Fjalori i vogël që na ka ruajtur trimi suljot përfytyron jo vetëm një rëndësi gjuhësore për të folmen e Çamërisë, po edhe një interes psikologjik nga disa mësime që dalin sish, mësime të dhëna prej mbledhjes dhe kombinimit të fjalëve e të mënyrës me të cilën jepet kuptimi i frazave. Vetë këto fraza, thotë njeriu, kanë dalë prej një farë ndjenje, një mendimi të fshehtë që manifestohet befas, i lindur prej individualitetit të luftëtarit ose më mirë akoma, prej shpirtit të një race. 

Agon (faqe 27), fjalë greqisht, që do të thotë luftë, luftim, përpjekje; është përkthyer me kuptimin punë, sikur të punuaritështë më e madhja luftë për shqiptarin, rreziku që duhet t’i druhemi, kanosja e varur mbi kryet tonë.

Gajdharos dhio fores (f. 32), gomar dy herë. Padyshim, ky epitetkaq “i butë” nuk drejtohet për kafshën e urtë, që na shërben aq besnikërisht, pa u ankuar kurrë.

Varvaros (f. 35), kokëtrashë. Nuk mund të gjendet përkthimmetaforik më i bukur: njeriu të hollojë mendjen dhe ndjenjat, që të bëhet dhe i qytetëruar.

Pié krasi kallo (f. 36), pi verë të mirë. Por, kur të jetë e mirë, njeriu mund të pijë sa të dojë, pa ndonjë ndrojtje, lumturi që vetëm perënditë mund ta shijojnë.

Voli megallon (f. 37), plumb i madh. Sa të jetë e mundur më imadh, që të mos dalë dot i gjallë armiku, preokupim i çdo dite, i çdo ore! 

Dhimios, ehthros (po atje), xhelat, hasëm. Armik i tmerrshëm:armiku është i pamëshirë, smiri i tij vete gjer sa të të rrjepë lëkurën.

Vuci megallo (f. 38), but i madh. Ëndërr, poezi: buti plot verëapo i mbushur me vaj, pasuri e shtëpisë, rrojtje e siguruar. Është një pamje, një mirazh, një serab e një farë beduini, banues i një vendi, i një mali jopjellor. Por dëshirë e pashprehur, e ndjerë dhe më fort akoma në theks të zërit një psherëtimë e hollë, shpresa që ky but, më i madh se ajo e kështjellës së Heidelbergut, të mbushet vetvetiu, mrekullisht dhe jo një herë si shoqe e saj në atë breg, buzë Neckarit, por kurdoherë, në qoftë e mundur prej engjëjve, si në kuzhinë të Murillojt, pa u lodhur ne, pa marrë as më të paktin mundim. Lumturi e vërtetë, kaq vështirë për ta realizuar.

Parthemos (f. 41),…. Fjalën që përdor Markoja për të dhënë kuptimin shqip, s’pata guxuar ta jap në editën tim, as edhe këtu s’do të mund ta shkruaj. Fjalë e ashpër, më realiste dhe “barbare” se një shprehje latine, pa hollësi ndjenje dhe gjuhe, pa respekt për krijesën e butë dhe të këndshme, që me aq dashuri e quajmë vajzë, grua.

Simvuli timion (f. 48), simvuleps me nder, sikur ka pasur nevojëtë caktojë se këshilla që jep s’është për të keqe, për një shpagë ose nakar, për të shkretuar një shtëpi ose zhdukjen e një njeriu; por përjashtim i rrallë, një këshillë e mirë, e ndershme. Leksikografi s’ka guxuar të shtojë dhe e dobishme, si e ndaluar mbase prej ndërgjegjes së tij.

Korfuz hora (f. 50), Korfuz kasabá, qytet. Se jashtë atij s’ka veçsekatunde pa një dukje qytetërimi, pa një zbukurim edilërie, pa një aktivitet tregtar. Tekdo marazi, frika e jetës, shpata e tiranisë; vetëm atje, në atë çip nisije ku ka shkuar veneciani, francezi, anglezi, vetëm atje gjendet ëmbëlsia e një begatie, lumturia e një sigurie, shija e një butësie jete që e bën njeriun t’i pëlqejë të rrojturit, të mos shohë këtë botë një skëterrë, duke pritur vdekjen.

Qira timia (f. 52), zonjë timisurë, e nderuar. Ky kujdes për tëvënë pranë fjalës “zonjë” mbiemrin “timisur” (e nderuar), a nuk ju jep mendime të pikëllueshme, i dashur këndonjës, sikur ideja e një gruaje natyrisht duhet të jetë e ndarë prej respektit, prej nderimit? Apo është një shenjë galanterie e hollë e një njeriu me ndjenja të lëmuara, për të cilin e shoqja, bashkudhëtarja e jetës, mbretëresha e shtëpisë dhe mëma e fëmijës, nuk mund të jetë veçse e nderuar? Më pëlqen kjo hipotezë e dytë, ky besim se gruaja me njomësinë e ndjenjave, me dashurinë që ka në zemër, me tërheqjen fizike të bukurisë, është një element qytetëronjës dhe zbutës, një objekt kulti, e respektuar dhe e nderuar. Nuk më pëlqen, as dua të sjell në mendje, që krijesa e mëshirshme dhe delikate, dora e adhurueshme e së cilës është bërë për të shëruar plagët tona, të jetë viktimë, një martire në duart e më të fortit, një “femër” e tiranizuar, e mirë si kafshë ngarkese, si një shërbëtore, si një plaçkë, që duke folur për të, duhet të themi më parë “me nder z. sate!). Të kërkoj ndjesë, e dashur këndonjëse, prej këtij paraleli dhe të ftoj të mendohesh, të meditosh.”

Ai është marrë me çështje të fjalëformimit e të semantikës morfologjike. Në faqetv e revistës “Diturija” gjejmë emrat e dijetarëve më të shquar të Shqipërisë së viteve 1909-1929, si Mati Logoreci, K. Gurakuqi, Gj. Pekmezi, P. Ikonomi, Gj. Haxhi Mihali, A. Xhuvani, P. Nilo Borggia, prof. Mihal Sherko etj. Aty gjejmë informacion të pandërprershëm për botimet në fushën e gjuhës shqipe etj., si Një gramatikë e vogël e gjuhës shqipe, më 1710; informacion për botimin prej 46 faqe të Fjalorit të M. Boçarit (lexique de Marc Botzari), 1926; 

Në shumë nurmra gjejmë rubrikën “Tribunë Gramatike e Gjuhësije”.

Në numrin 3 të “Diturisë”, të muajit gusht 1916, gjejmë punimin “Fundoretë në emrat shqipe”, ku trajtohen rreth 48 prapashtesa fjalëformuese (si disa variante të disa prej tyre). Është një punim me interes, sepse ai përbën gur shënues në historikun e fjalëformimit ndajshtesor të shqipes. Në lëndën e sjellë kemi ilustrime të formimit të fjalëve me brumë të shqipes dhe në shumicën dërrmuese jepet dhe një informacion semantik, duke parë gjurmët e para të një koncepti bashkëkohor të specializimit të ndajshtesave fjalëformuese. Po përmendim këtu disa nga këto ndajshtesa: -ac, -ak, -an, -ar, -as, -ash, -azi, -cak, -cuk, -e, -er, -esë, -eshë, -ës, -icë, -ik / -nik, -je, -im, -isht / -risht, -o, -ok, -or, -osh, -onjë, -tar, -tor, -uke, -ush, -veç, -zë.

14. M. Frashëri është dhe fjalëkrijues e gjuhëlëvrues i rrallë. Po japim vetëm tri pjesë (të marra nga Mid’hat Frashëri, Vepra të zgjedhura, 3, Tiranë, 2028), për të parë bukurinë të shprehurit, vlerën e fjalës shqipe në gojën e tij, sintaksën aq të bukur dhe aq të thjeshtë, që lehtësisht duhet të merret si gjedhe pune sot në fushën e letrave: 

Ejani, o kujtime!

Ejani, ejani o kujtime, se kam nevojë për ju! Zemra sot ka pikëllim. Ejani, se ju dua!

T’ëmbël a të hidhur, gjithnjë ju kam dashur, o miqt’ e mi! Të ngroht’ a të ftohtë, sido që kini qenë, zemra ju ka pritur me dashuri.

Jini miq të vjetër: m’arrin të mbyll sytë, që t’ju shoh këtu pranë meje. Ejani, pra, o kujtime!

Kur shpirti më ndjen të ftohtë, kur zemra ndjen veten e saj jetime, ju dua, o kujtime, si i varfëri që trazon hin’e vatrës, për të gjetur pak shpuzë. Sa t’ëmbëla t’i duken ato shkëndijat e vogla!

Po edhe në kohë të gazit dhe të shpresës, ahere kur një e sotm’ e qeshur më bën të dua gjithë kohën e shkuar dhe të shoh t’ëmbël dhe të bukur udhën që kam përpara, edhe ahere, o miqt’ e mi, dua të trazoj këtë hi të jetës që të shoh shpuzën, ta shoh, të gëzohem e të qesh duke e flakur n’erë!

Ineboll, 18/31 korrik 1912

N’është vërtet se zemra jote s’rreh kurrë për mua – ashtu si ke dashur të më duash, – në është vërtet se fytyra ime nuk zë asnjë vend në ëndërrimet e tua, pse, o e bukura ime, kur më sheh ngadalson çapnë, pse më lëshon vështrimn’ e atij syri tënd të shkruar?

Nuk e di ti si më buçet dhe më zjen gjaknë ay vështrimi yt kaq i qetë dhe i ftohtë? Nuk e di ti si më çpon zemrën ay vështrimi ngjyrë qielli?

Vështrimi yt është si një shtizë në dorë të një djali që lot me një zog; vuajtjet e shpesit i heq dhe zemëra ime. Të lutem pusho, pushoje këtë lodër të gjakme!

Po ç’them unë! shtjemë, shtjemë syt’ e tu, se vështrimi yt, o e bukura ime, m’i thjeshtë se frymë e Jehovajt, i jep gjëllim shpirtit tim.

Prill, 1906

Më pyet sa ësht’ e thellë dhe a është e përjetshme dashuria ime.

Ahere syt’ e tu, ata sy të zez q’i dua kaq, marrin një shkëlqim, një vështrim të ri, edhe buza jote ka një të qeshur të hidhur.

Pse, o e dashura ime, pse lë të hyjnë të tillë mendime të hidhur n’atë kokë të bukur?

Nuk’ e di ti që çdo gjë në këtë jet’ është e vdirshme? Nuk e di ti që çdo gjë mbi këtë dhé ka një fund?

Prapsi, prapsi, këto mendime. Mos i përsërit këto pyetje.

Të dua me gjithë shpirt, me dashuri të thellë; sot të dua sa për një jetë të tërë. Mos prish gaz’ e sotmë, duke menduar të nesërmen e errët.

Mos më pyet më sa ësht’ e thellë dhe sa ësht’ e përjetshme dashuria ime!

1908

Duke i mbyllur, këto skicime për disa sytha që trupëzojnë pamjen e përgjithshme të Paradigmës së gjuhës shqipe në veprën e Mid’hat Frashërit, theksojmë se dhe me kaq pak lëndë që sollëm, duket qartë ndihmesa e këtij personaliteti dhe në këtë fushë. E ardhmja e afërt do të na bëjë t’i afrohem gjithë veprës së tij dhe për ta parë të plotë këtë paradigmë. 

(Pjesa e katërt…)

Filed Under: Politike

MUSTAFA MERLIKA KRUJA DHE PROJEKTI I TIJ PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE

December 14, 2024 by s p

Qerim LITA – Shkup/

Me nismën e një grupi të intelektualëve shqiptarë të kohës, siç ishin: Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Eqerem bej Vlora, Mati Llogoreci, Eqerm Çabej, Lasgush Poradeci, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Berati, Namik Resuli, Ndue Paluci, Ahmet Gashi etj., në vitin 1940 në Tiranë, formohet “Instituti Mbretnuer të Studimevet Shqiptare”, i cili nga vjeshta e vitit 1943, mori emrin “Instituti Shqiptar për Studime e Arte”.  Drejtor i parë i këtij instituti u zgjodh Mustafa Merlika Kruja, të cilin (pasi në dhjetor të vitit 1941 emërohet kryeministër i Shqipërisë) atë e zëvendësoi, Ernest Koliqi, një intelektual dhe atdhetar tjetër i shquar, i cili ndryshe njihet edhe si nismëtari, organizatori dhe themeluesi i shkollave shqipe në Tokat e Liruara.

Brenda katër viteve sa funksionoi Instituti për Studime Shqiptare, botoi një numër të madh të studimeve albanologjike, që me këtë rast po i veçoj vetëm disa prej tyre: “Konferenca e Londrës mbi çështjen shqiptare”, “Studime historike mbi qytetin e Dibrës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e Vilajetit të Janinës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e prefekturës së Kosovës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e Vilajetit të Manastirit”, “Studime historike mbi qytetin e Prizrenit”, “Studime historike mbi Shqipërinë”, “Studime përmbledhëse mbi Shqipërinë” të shkruar nga autorit Ahmet Hamdi në vitin 1920, “Studime historike mbi origjinën e shqiptarëve”, “Studime historike mbi disfatën e ushtrisë turke në luftën ballkanike”, “Roli i intelektualëve për ta çuar Shqipërinë përpara”, “Studime historike mbi figurat e njohura të Rilindjes Kombëtare: Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini etj.”, “Studime historike mbi shqiptarët e Italisë”, “Studime historike mbi shqiptarët e Egjiptit”, “Studime historike mbi shqiptarët e Rumanisë”, “Studime historike mbi shqiptarët e Kaukazit” e shumë studime tjera, të cilat ruhen në dorëshkrim në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, Fondi Instituti i Studime Shqiptare (200). 

Mustafa Merlika Kruja, i brengosur thellë për fatin e shqiptarëve në përgjithësi, e të Shqipërisë në veçanti, më 3 shtator 1943, hartoi një projekt, i cili ndër të tjerave parashihte që në kuadër të Institutit për Studime Shqiptare, të krijohej një trup i përbashkët i intelektualëve shqiptarë, të cilët do të angazhoheshin në grumbullimin e të gjitha veprave të shkruara për shqiptarët dhe Shqipërinë nga autorët e huaj, dhe pasi të lexoheshin e të daktilografoheshin të gjitha ato pjesë që bënin fjalë për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, të seleksionoheshin, klasifikoheshin dhe botoheshin. Këtë detyrë të shenjtë kombëtare, sipas Krujës, mund ta kryente vetëm Instituti për Studime Shqiptare, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me intelektualët shqiptarë kudo që ato ndodheshin, sepse, siç do të shprehet ai: “...Diplomatët qi do të mblidhen rreth tryezës së gjelbër për të dá fatin e kombevet në konferencën e ardhëshme nuk janë gjyqtar objektivë qi shikojnë vetëm të drejtën, por janë avoketët t’interesave të vêndeve të veta e të miqve dhe t’aljatve të tyne….”. Mirëpo, sipas Krujës, edhe pse nuk mund të shpresohej shumë se në atë “kuvend diplomatësh” do të gjendeshin “miq të vërtetë të Shqipnis”, ata, pra diplomatët botëror, nuk do të kishin mundësi as me i mohuar “kryekëput të drejtat e nji kombi të vogël” të provuara “me argumente të qartë e të forta” përpara tyre e përpara opinionit të popujve që përfaqësojnë…”. Prandaj, për ta bindur botën rreth të drejtave të kombit shqiptar, Kruja propozonte që nga ana e Institutit të ndërmerreshin këto çështje:

“I. Të hartohet një bibliografí e cila do t’i përfshinte të gjitha veprat që flasin për Shqipërinë e shqiptarët në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë, në të gjitha gjuhët e botës; 

II. Të gjitha ato vepra të lexohen me kujdes e të daktilografohen në gjuhë origjinale të gjitha pjesët e tyre që pohojnë për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, sidomos ato etnike. 

III. Ato pjesë të zgjedhura me kujdes prej veprash të studiuara mirë, të seleksionohen, të klasifikohen e të botohen me indekse racionale, në mënyrë që të mundet me u gjetur automatikisht se ç’far dhe nga cili autor është folur për kombin shqiptar.  

IV. Që tërë kjo punë të kryhet në një kohë sa më të shpejtë, nevojitet bashkëpunimi i të gjithë intelektualëve shqiptar të cilët e njohin mirë një gjuhë të huaj (anglisht, gjermanisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbo-kroatisht, bullgarisht, rumanisht, turqisht) e të cilët kanë vullnet për të hulumtuar e lexuar. Të gjithë ata duhet të rekrutohen vullnetarisht për një kohë të caktuar në Institutin Mbretëror të Studimeve Shqiptare; 

V. Pasi të jetë i përgatitur katalogu i veprave për t’u studiuar (libra, statistika, karta etnografike, rivista, etj.), të ndahet puna duke i caktuar secilit bashkëpunëtor pjesën e vet sipas kompetencës (gjuhës që din) e sipas kohës që ka në dispozicion; 

VI. Bashkëpunëtorëve duhet t’u caktohet një kohë brenda së cilës do t’i paraqesin Institutit përfundimin e punës që u është dhënë për ta kryer;

VII. Instituti do të formojë një komision prej bashkëpunëtorëve kompetent që banojnë në Tiranë apo që mund të vijnë për të banuar përkohësisht aty për ta bërë seleksionimin e përpilimin e veprës definitive. 

VIII. Fondet e nevojshme për kryerjen e kësaj pune t’i mbuloj Instituti, nëse i posedon, ose nga ndihmat që do të mund të grumbullohen shumë lehtë për këtë qëllim”.

Për fatin tonë të keq, me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha dhe klika e tij komuniste (të cilët miqtë e Shqipërisë e të shqiptarëve i shpallën për “armiq”, ndërsa armiqtë për “miq”, jo vetëm se e hodhën poshtë Projektin e hartuar nga Mustafa Merlika Kruja, por njëkohësisht e shuan edhe Institutin Shqiptar për Studime dhe Arte, me pretekst se i njëjti na qenka formuar nga “reaksioni shqiptaro-madh”. Rrjedhimisht, numër i madh i punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të këtij instituti u pushkatuan, një numër tjetër në pamundësi për të qëndruar në atdheun e tyre, u detyrua të emigroj në Greqi, Itali, Turqi, Egjipt, SHBA, Australi dhe në vende tjera demokratike perëndimore, një pjesë tjetër u burgos apo u internua, ndërsa vetëm një numër i vogël arriti të mbijetoj, i cili, edhe në kushtet e një regjimi enveriano-stalinist, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën albanologjike në përgjithësi. 

Fund

Filed Under: Histori

Profesor Emeritus Nicholas C. Pano dhuroi 1 mijë dollarë për gazetën Dielli

December 14, 2024 by s p

Profesor Emeritus Nicholas C. Pano dhuroi 1 mijë dollarë për gazetën Dielli. Ai iu përgjigj me bujarinë e fisnikërinë e tij fushatës së Vatrës për të mbështetur Diellin e Pavarësisë, një akt patriotik për jetëgjatësinë e gazetës më të vjetër që vazhdon të botohet në botën shqiptare. Personaliteti i shquar i mërgatës shqiptare të Amerikës, Profesor Emeritus Nicholas C. Pano ka kontribuar në çdo fushatë të Vatrës me dekada. Ka kontribuar në çdo konferencë shkencore, simpozium apo takim atdhetar, komunitar e kulturor me Vatrën e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vatra e Dielli i shprehin falenderim e mirënjohje të përjetshme për mbështetjen.

Profesor Nicholas Pano e trashëgoi lidhjen me Federatën VATRA nga babai i tij Vasil Vangjel Pano, i cili ishte një nga anëtarët themelues të Degës # 4 Manchester, në shtetin New Hampshire të krijuar më 2 qershor 1912 nga Faik Konica. Siç tregon Profesor Pano, kur babai i tij u shpërngul në Boston në vitin 1922, u anëtarësua në Degën #1 dhe qysh atëherë e mbajti me besnikëri lidhjen me të deri në fund të jetës së tij. Gjatë viteve të shkollës tetëvjeçare dhe gjimnazit, Profesori Pano e shoqëronte babanë në takimet që organizonte VATRA ku rastiste të takohej me disa nga drejtuesit si edhe me editorët e Diellit në vitet 1940 – 1950 si Peter Tyko dhe Qerim Panariti. Profesor Pano e vazhdoi pa ndërprerje anëtarësinë në Vatër duke pasur karakteristikën e rrallë që është bir i një Vatrani i lidhur me Vatrën prej 112 vjetësh, qysh prej themelimit te saj. Në vitin 2000 Profesor Nicholas Pano u pensionua nga Universiteti Western Illinois ku ishte pedagog për thuajse katër dekada. Në pjesën më të madhe të karrierës akademike, ai ka qenë Profesor i Historisë dhe ekspert për Rusinë e Periudhës perandorake dhe atë sovjetike si edhe për Evropën Qendrore dhe Lindore. Edhe pas daljes në pension, Nik (siç e thërrasin të afërmit dhe miqtë) mban prezantime e kumtesa dhe leksione si i ftuar nderi. Është autor i disa botimeve e studimeve shkencore të fushës së historisë dhe një historian shumë i respektuar në rrethet akademike. Profesor Emeritus Nicholas C. Pano është nder dhe krenari për Vatrën, Diellin dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

*Në mesazhin e urimit për mbarësi dhe sukses të Vatrës e Diellit, Prof.Pano këtë dhuratë shprehet se e bën në nder të Sami Repishtit.

Filed Under: Opinion

“13” Premierë në Teatrin Profesional të qytetit Ferizaj

December 13, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Sonte në teatrin e qytetit Ferizaj shfaqet premiera e dramës “13”. Dramaturgu dhe regjisori i saj Sulejman Rushiti e ka konceptuar atë “si një reflektim të thellë mbi ciklin historik të shqiptarëve, ndërtuar mbi fabulat e shkrimtarëve dhe poetëve që kanë ndikuar në formësimin e identitetit tonë kulturor. Frymëzuar nga Viti i Mbrapshtë i Ismail Kadaresë, Qerthulli Politik i Kristo Floqit, ABC-ja e Kreshnikëve e Mitrush Kutelit dhe poezi të Gjergj Fishtës, shfaqja zhytet në pasigurinë dhe tragjedinë që ka shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.”

Në strukturën e pjesës teatrale ndërthuren elemente të dramës, tragjedisë, farsës dhe komedisë. Trupa profesionale e teatrit Adriana, e afirmuar për repertorin e larmishëm, është angazhuar në prova gjatë dy muajve të fundit për ta sjell shfaqjen te publiku.

Sulejman Rushiti thotë se “Si dramaturg dhe regjisor, qëllimi është të hap një dialog mes të kaluarës dhe të tashmes, për të eksploruar mënyrën se si historia, me dhimbjet dhe triumfet e saj, vazhdon të ndikojë në të ardhmen tonë. Në këtë shfaqje, heronjtë, martirët, trimat, tradhtarët, mitologjia dhe realiteti ndërthurren për të krijuar një pasqyrë të asaj që kemi qenë dhe të asaj që mund të bëhemi. Përmes humorit dhe absurditetit, përpiqemi të përballojmë peshën e historisë dhe ta shohim atë si një mundësi për reflektim dhe ndryshim.”

Në historinë shqiptare viti 1913 shënon një moment kyç i cili mbetet i ngulitur në kujtesën kolektive si simbol i ndarjes, dështimit, shpresës dhe pasigurisë. Më 13 dhejtor premiera e dramës “13” fton publikun të përjetojë artistikisht shumëkuptimësinë që mbartet në histori ku humbjet, fitoret apo përpjekjet paraqiten në formë të pandarë të absurdit dhe shpresës.

Teatri i Ferizajt mban emrin e aktores Adriana Abdullahu, e cila ishte nxënëse e ikonave të teatrit shqiptar Enver Petrovci dhe Fadil Hysaj, dhe i takonte gjeneratës së artistëve si Armond Morina, Xhevdet Doda, Luan Jahës etj.

Filed Under: Sofra Poetike

NË KUJTIM TË 45 VJETORIT TË MARRJES ÇMIMIT “NOBEL” NGA SHËN NËNË TEREZA

December 13, 2024 by s p

45 VJET – 10 DHJETOR 1979 – 10 DHJETOR 2024

Hysen S.Dizdari /

Më 10 dhjetor të vitit 1979, e Shën  Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqe në Oslo të Norvegjisë. Vetëm me 10 Dhjetor të  vitin 1979, kur mori çmimin “Nobel” për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Me çastin e marrjes së çmimit “Nobel” ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Në një letër dërguar nga Oslo kur mori çmimin “Nobel” shkruante: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë i lutem zotit që Paqja e Tij të vijë në zemrat tona, në gjithë familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarenjtë e mi, për motrat e mija. Unë lutem për juve.”

Në qershor të vitit 2002 Bill Klintoni është shprehur: “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Ja si përshkruan në kujtimet e tij biografi i Nënë Terezës, Don Lush GJERGJI, pjasmarrës në ceromoninë e dhënjës çmimit Nobel, Nënë Terezes me 10 dhjetor 1979: “Me 8 dhjetor 1979, Imzot Nikë Prela dhe unë e pritëm te shkallët e aeroplanit në Oslo. Fjala e parë e Nënës Tereze ishte kjo: “Jam këtu në emër të Zotit, Kishës dhe të varfërve për ta pranuar Shpërblimin Nobel për Paqe!”

Gjatë atyre ditëve Nëna Tereze kurrë nuk kishte thënë asnjë herë: Çmimi Nobel për Paqe i imi, por i të varfërve, me bindje se tash e tutje bota do t’i njehte dhe ndihmonte të varfëritë, si dhe paqja në botë do të vijë nëpërmjet të tyre. Figura e tretë, deri diku “neutrale” ishte Nëna Tereze. Këshilli i Komitetit Nobel për Paqe për një javë për së afërmi në Kalkutë dhe në rrethinë e kishte vëzhguar dhe hulumtuar jetën, sidomos veprën e Nënës Tereze dhe Misionareve të Dashurisë. Vendimi i tyre tashmë ishte i sigurtë, ajo vërtet këtë e meriton ma shumë se askush tjetër.Dr. John Sannes i tha Nënës Tereze: “Juve iu kemi zgjedhur sivjet për Çmimin Nobel për Paqe.“Nëna Tereze, ndoshta edhe e befasuar nga ky lajm, sidomos e lodhur dhe e mërzitur prej shumë shpërblimeve, tha:“Është një vështirësi e vogël… Më jepni së paku pak kohë  që të mendoj dhe të lutem.”

Ashtu edhe ndodhi. Nëna Tereze personalisht ishte këshilluar me Papën Gjon Pali II, Ajo ndër të tjera i kishte thënë kështu: “Shenjtëri, jam e lodhur dhe e mërzitur nga gjitha këto shpërblime… Shpërblimi im i vetëm është Jezusi dhe të varfëritë…”

Papa Gjon Pali II e kishte dëgjuar me vëmendje dhe i kishte thënë: “Nëna Tereze, pranojeni këtë Shpërblim në emër të Zotit, Kishës dhe të varfërve! Aty për aty ajo e kishte pranuar këshillin dhe dëshirën e Papës, pasi që “Fjala e Papës është vullnesa e Zotit!” Në përcjellje të Nënës Tereze në aeroportin e Oslos ishte edhe Dr. John Sannes, Kryetari i Komiteti Nobel për Paqe. Ai ndër të tjera i tha Nënës Tereze kështu: “Ju na keni nderuar më shumë neve, se ne Juve, meqë e keni pranuar Shpërblimin tonë. Kjo dukshëm ia rritë çmimin  dhe  vlerën Çmimit Nobel për Paqe, pasi që mbarë bota na ka përgëzuar dhe uruar: Së fundi ky Shpërblim ka ardhur në duar të sakta dhe të vërteta… Për këtë përzemërsisht Ju falënderojmë….”

Nënë Tereza në fjalen e saj në ceremoninë e marrjes çmimit Nobel theksoi: 

 “Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për ti shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.

Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!

Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit….”

Këto porosi dhe këshilla të Shën Nënë Terezës ,duhet të ruajtur e kujtuar  me respekt dhe dashuri nga gjithë shqiptarët kudo nëpër botë dhe në mënyrë të veçantë nga brezi i ri.

NË KËTË PËRVJETORIT TË RËNDËSISHËM I PËRSHENDETI SHQIPTARËT DHE  LEXUESIT, KUDO NË BOTË, ME NJË POEZI TË SHKRUAR NGA SHËN NËNË TEREZA ME TITULLË:

GJEJ KOHË :

Gjej kohë të mendosh – është burimi i fuqisë.

Gjej kohë të lutesh – është fuqi dhe kjo, më e madhja në botë.

Gjej kohë të qeshësh – është muzikë shpirtërore brenda teje.

Gjej kohë të luash – është vazhdim i fëminisë.

Gjej kohë të duash është dhuratë e Hynjive.

Gjej kohë të jepesh është triumfi i dashurisë.

Gjej kohë të lexosh – është trualli i mençurisë.

Gjej kohë të shoqërosh – është rrugë lumturie.

Gjej kohë të punosh prapë – ke blerë ardhëmërinë.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT