• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

“𝐏𝐮𝐭𝐡𝐣𝐚” 𝐞 𝐆𝐮𝐬𝐭𝐚𝐯 𝐊𝐥𝐢𝐦𝐭

December 11, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Puthja e ka shoqëruar njerëzimin në çdo hap, simbol, kulturë, letërsi, pasion, tradhti si e ajo e Judës, e padyshim në art. E kryejmë këtë akt njerëzor çdo ditë, por kur ndalemi e mendojmë apo flasim për të, menjëherë përfytyrojmë veprën Puthja (1908), nga Gustav Klimt (1862-1918).

Kjo tablo, e titulluar nga autori “Dashnorët” dhe më pas publiku iu referua si “Puthja” në formën e një katrori barazbrinjës prej 1.8 metra, e ndodhur në muzeun Belvedere të Vjenës, është ndër më të njohurat në mbarë botën, dhe e bëri Klimt-in tejet të njohur pas mesit të shekullit të njëzetë. Ashtu si kjo pikturë edhe vetë krijuesi i saj ishte tejet i veçantë.

Në Vjenën aristokrate, në vendin e saloneve të arta, e të atmosferës perandorake, Klimt vishej me sandale, mbulohej me një rrobë murgjish ngjyrë blu, të varë gjer tek këmbët,

Vepra Puthja përban dy figura, një mashkull dhe një femër, të mbështjellë në një përqafim të artë. Të dyja figurat janë të ndërthurura simbolikisht teksa përballen me humnerën e përsosmërisë. Nga rrobat e krijuara artistikisht rrjedh një shi i artë që bekon tokën pjellore poshtë tyre, me bar jeshil e lule shumëngjyrëse.

Vijmë tek sfondi i artë i tablosë. Jo vetëm mbulesa e përqafimit por edhe sfondi është prej ari. Në vitin 1903, Klimt udhëtoi dy herë në Ravena, Itali, ku pa mozaikët e San Vitale, të cilat me elementët e tyre bizantin ndikuan në krijimtarinë e artistit, në atë që njihet si “Periudha e Artë.” Por frymëzimi nga veprat bizantine të rrethuara me ar vinte edhe nga e shkuara e vetë Klimt, i cili vinte nga një familje me baba dhe vëlla argjendarë.

Puthja, prej dekadash të tëra, shkaktoi debate mbi qëllimin e artistit. A ishte ai në të? A është mashkulli në tablo përshkrim i autorit, dhe a është femra në atë pikturë e dashura e tij e përhershme Emilie Flöge? Apo mos ndoshta Klimt e pikturoi këtë vepër si një alegori, një tablo univesale pasioni që shpalos instinktin njerëzor bazik?

Pas shumë spekullimesh, gjatë kohëve të fundit u botuan shënimet e një ish modeleje në salonin Flöge. Sipas saj Emile shihte tek piktura veten e saj dhe Klimt-in. Dhe gjithashtu doli në dritë një bllok vizatimesh e vitit 1917 në të cilin gjendet një skicë e dy të dashuruarve të përqafuar, dhe anash ka emrin “Emilie” të shkruar me gërma të mëdha.

Emilie, një stiliste veshjes, ishte e dashura e artistit për njëzetë e shtatë vjet, por ata nuk u martuan kurrë.

Puthja, është një instinkt primitiv pasioni midis artistit dhe të dashurës së tij, por nuk duhet harruar se nuk mund të arrijmë të gjejmë një ngjashmëri të Emilie në figurën e femrës, dhe aspak ngjashmëri të vetë Klimt-it në figurën e mashkullit, kësisoj kjo vepër mund të merret si një tablo alegorike, një simbol i pasionit të mbarë racës njerëzore. Vetë Klimt, u shpreh kështu:

Nuk ka asnjë autoportret timin. Nuk jam i interesuar në veten time si ‘material për pikturë,’ përkundrazi jam i interesuar te të tjerët, sidomos femrat, e madje më shumë edhe në fenomenet e tjera. Jam i bindur se si person nuk jam aspak interesant. Nuk ka asgjë të veçantë për t’u parë në mua. Unë jam piktor, dikush që pikturon çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje.

Ndaj vepra Puthja duhet parë universalisht. Edhe ne sot, mund të gjejmë veten sipas gjinisë në këtë tablo, dhe ndoshta ky ka qenë qëllimi i Klimt-it, duke pikturuar një pasion të zjarrtë të dy figurave pa fytyra të qarta, pasi ato fytyra mund të jenë tonat.

Filed Under: Kulture

Kontributi i Kryeministrit Mustafa Kruja për Dardaninë

December 11, 2024 by s p

Dr. sc. Besim Morina/

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX ishte një kohë e lige, kohë e tmerreve, kohë e pakohë për popullsinë autoktone shqiptare në hapësirat ku jetonte. Pushtimi shekullor osman, me masat qe kishte ndërmarrë, kishte krijuar një gjendje të mjerueshme te popullsia shqiptare pothuajse në te gjitha aspektet. Situata është përkeqësuar edhe me tepër pas krijimit te shteteve te pavarura të Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë e Greqisë. Shtete këto qe u krijuan ne kurriz te trojeve tona etnike. Dihet se territori i Kosovës së sotme, në të kaluarën ishte pjesë e Dardanisë antike, Dardania  përfshinte gjithë trevën e Kosovës së sotme, Maqedoninë Veriperëndimore, dhe viset periferike në veri, në vijën Novi Pazar-Nish. Kryeqendër e saj ishte Shkupi.  

Periudha e viteve 1912-1944 ishte periudhë e ndryshime të mëdha në politikën globale, ku si rezultat i sajë kemi edhe ndryshime të papritura në trojet etnike shqiptare. Këto ndryshime sollën rryma të ndryshme politike, të cilat ishin te ndërlidhura me interesat e vendeve fqinje në  trojet shqiptare ne përgjithësi, qëllimi i të cilave ishte pushtimi i territoreve shqiptare si dhe shpopullimi i tyre nga popullsia autoktone shqiptare. Për këtë, vendet fqinje me herët kishin përpiluar plane famëkeqe për zhdukjen e popullit shqiptar, plane këto të cilat janë të publikuara.

Vendimet e Konferencës se Londrës (1913), njohën shtetin Shqiptar në kufijtë e sotëm qe ka Shqipëria. Çështja kombëtare, çështja e Kosovës, e Dibrës, e Çamerisë, e trevave shqiptare në Malin e Zi, e qyteteve të Jugut, e Janinës, Prevezës, Artës u bënë guri i provës për atdhetarët shqiptar. Studiuesi i mirënjohur kroat, Branimir Anzulovic,  pohon se “Po mos të ishte intervenimi i Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë, Kosova do ti jepej Shqipërisë”. 

Duhet ditur se problemet e Shqipërisë mbetën të pazgjidhura qe nga traktati i Shën Stefanit e deri te Kongresi i Berlinit. Shqiptari trim e fisnik prape se prape vuajti e gjëmoi ndër gazepe, në varfin e në mjerim.  Në këto çaste të vështira, duhet ripërtërire saga, duhet ndjekur rruga e idealit të një Shqipërie të lirë e të vetë administruar, që synon mirëqenien dhe përparimin e bijve të saj. Elita e popullit shqiptar përbëhej nga kuadro të vjetra të perandorisë dhe nga intelektual të rinj, të shkolluar në Stamboll e vende tjera, qe kishin një horizont të gjerë dhe prirje properëndimore. Pjesë e kësaj elite ishte edhe Mustafa Merlika Kruja. Një personalitet shqiptar i radhës së parë, ashtu sikur edhe e quan Karl Gurakuqi. Shpallja e Pavarësisë e gjen në Vlore, në krah të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, si përfaqësues i qytetit të Krujës, nënshkrues i pavarësisë se atdheut krahas  atdhetarëve ma të  shquar  të  kombit  tonë.  Me  formimin  e  qeverisë është  emëruar si zëvendës prefekt në Vlorë dhe ma vonë sekretar i kryesisë së Këshillit të  Ministrave. 

Në këto rrethana, ku popujt fqinje kishin krijuar shtetet nacionale, kishin kishat e tyre nacionale, gjithashtu ne shërbim te zgjerimit te shteteve te tyre, kuptohet ne trojet etnike shqiptare, ishte domosdoshmëri ndërgjegjësimi i popullit shqiptar. Për te dalë nga kjo gjendje e mjerueshme, shpëtimi i vetëm ishte krijimi i shtetit shqiptar, i cili ishte garantues i vetëm për mos zhdukjen fizike te popullit shqiptar nga faqja e dheut. Këtij kushtrimi, ju përgjigjën bijtë dhe bijat me të devotshëm te kombit shqiptar, të cilët nuk mund të heshtnin para padrejtësive, nuk mund të heshtnin para vrasjeve, nuk mund të heshtnin nga heqja dorë e identitetit kombëtar. 

Por, në realitet, ishte shumë e vështire krijimi i një uniteti kombëtar, sepse sikur e thotë studiuesi Meta “Prej robërisë së gjatë shqiptarët kishin humbur kuptimin e bashkimit. Helmi i propagandës së huaj kishte brejtur dhe paralizuar fijet e nervave të kohezionit kombëtar”.

Edhe pse në mërgim, Mustafa Kruja, hapin qe kishte marr Zogu në formimin e Qeverisë se Mehdi Frashërit, e kishte konsideruar ngjarje të rëndësishme, duke shtuar se çdo regjim është me i mirë se anarkia, dhe se ishte i gatshëm të njihte Zogun për Mbret. Duhet shtuar se kërkesës së Krujës drejtuar prijësve të emigracionit shqiptar, për te lidhur armëpushim me mbretin Zog, një pjesë e tyre e refuzuan, duke menduar se nuk ishte në dobi të Shqipërisë. Disa prej pjesëmarrësve të asaj mbledhje, qe për parimet nuk pranonin të bisedonin me Ahmet Zogun apo me Mehdi Frashërin, mbas disa vitesh shkuan për të biseduar me zëdhënësit e Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, gjithmonë në mbrojtje të “parimeve”. Sikur shihet, parimet e tyre ishin parime demagogjie, kur dihet se si e shihnin çështjen e Kosovës anëtarët e PKSH-së (Partia Komuniste e Shqipërisë). Në mbledhjen themeluese të partisë Komuniste të Shqipërisë, nëntorin e vitit 1941, çështja e Kosovës as që u përmend, ndërsa për këtë çështje pllakosi po ashtu një heshtje e plotë edhe në Konferencën kombëtare të partisë, në marsin e vitit 1943. Studiuesi i mirënjohur Noel Malcom, pohon se “Nacionalistet shqiptar ishin antikomunist se konsideronin se komunistët kërkonin kthimin e sundimit Jugosllave”.

Studiuesi i mirënjohur i kulturës shqiptare, At Valentini kishte vlerësuar virtytet e Krujës duke shtuar: “Megjithatë, nuk është se ai nuk vlerësoi as pasuri të tjera kulturore kombëtare. Ndër të tjera, jam mirënjohës që mund të them se ai, i lindur musliman, kishte të gjithë vlerësimin e vlerave shpirtërore të katolicizmit që mund të themi se është pothuajse tradicionale tek patriotët shqiptarë myslimanë më të mirë dhe më të kulturuar”. Ky vlerësim i At Valentinit, për atdhetaret shqiptar na jepe te kuptojmë, për virtytet e larta qe posedonin, virtyte këto te trashëguara ndere breza.  

Afrimi i Luftës së Dytë Botërore u shoqërua me lëvizje dhe përmbysje të shpejta të situatës gjeopolitike evropiane. Forca e Shqipërisë ishte e atillë që e vetme nuk  mund të garantonte dot as mbrojtjen dhe as integritetin e vet. Në këtë gjendje kaq kritike, Shqipëria kishte vetëm një rrugë shpëtimi: rrugën e bashkimit e të koordinimit të të gjitha forcave e energjive të popullit për t’iu paraqitë politikisht, moralisht dhe ushtarakisht, miqve dhe armiqve, gjithë botës, si një trup i vetëm i pandarë. Një bashkim i tillë mund të realizohej në saje të një vije politike e luftarake thjesht shqiptare. Kryeminstri Mustafa Kruja dhe kabineti i tij qeverisës, ishin mundësia me e mirë e Shqipërisë për ta përfaqësuar denjësisht. 

Ata qe dje nuk i deshën te mirën popullit shqiptar, mundohen qe edhe sot te arsyetojnë servilizmin tyre ndaj popujve sllave. Harrojnë, jo vetëm krimet makabre serbe qe u kryen ndaj popullsisë shqiptare ne trojet e veta etnike, para fillimit të Luftës se Dyte Botërore, por edhe krimet e kryera serbe gjatë Luftës se Dytë Botërore, mbi popullsinë shqiptare, po perëndim masakrën e Bihorit. Planet për vrasjen e popullsisë jo serbe,  çetniket serbe përgatiten jo vetëm ndaj popullsisë shqiptare ne trojet e tyre etnike, por edhe ndaj popullsisë kroate ne Kroaci. Dhe këto plane vrastare ishin ne dijeninë e pushtuesve Italian, madje edhe me lejen e tyre, këtë edhe e pohojnë studiuesit kroat.

Gjatë kohës se Krujës si kryeministër dhe Koliqit si ministër i Arsimit, kishte në Shqipëri një shtyp shumë me i lirë se në periudhën e instalimit komunist në vend. Po në këtë kohë Koliqi  themeloi  “Institutin  e  Studimeve  Shqiptare”,  që u bë  baza  e  universitetit  të ardhshëm,  dërgoi  kuadrat  dhe  përgatiti mësues  nga  Shqipëria  e Kosova,  për  të  plotësuar  nevojat arsimore  të  krahinave  shqiptare  të  bashkuara  me  Atdheun. Kështu Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes se themeleve të arsimit shqiptar. Gjithashtu, falë kontributit të tij kemi hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, hapjen e Liceut në Prizren e Tetovë, hapjen e shkollës Normale në Gjakovë, hapjen e institutit Teknik Bujqësor si dhe Gjimnazit në Pejë. Është e nevojshme te thuhet se periudhën  e heshtjes  a të pushimit të  vërtetë  letrar prodhues  të  Koliqit  gjatë  luftës e  karakterizon  përkujdesa  dhe  përhapja  e  arsimit  kombëtar në trojet  Etnike. 

Vetëm në këtë kohë fëmijët shqiptar në Kosovë e vendet tjera etnike shqiptare, jashtë Shqipërisë londineze, patën rastin të mësonin në gjuhën e nënës. Gjuhë kjo e cila me parë ishte ndaluar me firman nga Sulltani, vazhdoi ndalimi i saj me dhunë edhe nga pushtuesit serbe, qëllimi i vetëm i të cilëve ishte asimilimi i popullsisë autoktone shqiptare. Ministria e Arsimit, nga një organ i tipit vetëm administrativ, u shndërrua në një organ shtytës nxitës i terë kulturës kombëtare, vatër edhe për nisma kulturore private, njëkohësisht duke funksionuar si asnjëherë me parë, edhe si organ largpamës administrativ. Duhet shtuar se një përkushtim i tillë, një unifikim i tillë, çfarë në të vërtetë ishte ne Kohën e Krujës e Koliqit,  për avancimin e shkollës shqipe nuk ekziston as në ditët e sotme.

Duhet shtuar se Kryemistri i Serbisë, Nikolla Pashiqi me herët kishte deklaruar “Vetëm prapambeturia e popullit shqiptar, nuk e rrezikon politikën serbe dhe nuk shpreh ndjenja nacionale”. Por këta mësues nuk ndoqën vijën ideologjike te armiqve sllave, por ndoqën idealet e atdhetareve shqiptar. Po nga këta mësues dolën kuadro qe me gjithë qenien ndihmuan ne emancipimin, përparimin dhe formimin e shtetit të Kosovës. Këto kuadro dhanë një kontribut te pashembullt ne luftimin e analfabetizmit ne Kosove, kontribut te pashembullt ne mos nënshtrimin ndaj pushtuesve serbe, kontribut te pashembullt ne ruajtjen e arsimit ne gjuhen amtare përkundër përndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve te tyre. Misioni i këtyre  pishtarëve te arsimit, ishte  dalja në dritë e se vërtetës, apo sikur edhe thotë profeti: “Drita do të mund errësirën”. Shembulli me i mirë i ngadhënjimit te dritës ndaj errësirës, i ngadhënjimit te lirisë ndaj robërisë, është mësuesi nga Prekazi, heroi i Kosovës, Shaban Murat Jashari. Duhet cekur se baca Shaban, ishte qe mësimet e para si dhe dashurinë për atdheun e mori nga këto kuadro te mësuesve qe Qeveria e Mustafa Krujës i dërgojë ne  viset etnike shqiptare për te shtrire dritën e diturisë. 

Mustafa Kruja se bashku me kabinetin e tij qeveritar, kishin dhënë  shumë  nga  sedra  e  tyre,  por  u  shpërblyen  me bashkimin  e  tokave  amnore  shqiptare  jashtë  kufijve të Shqipërisë londineze, përderisa  komunistet shqiptar e bene të  kundërtën:  për  ambicie personale,  jo  vetëm  qe  falën  tokat  shqiptare  sllaveve,  por  edhe vranë  vëllezërit  e  vetë  pa  pikë  mëshire  duke  dërguar  brigadat e kuqe me gjeneralët Peçi  e Marku  në Kosovë (Drenicë B.M.),  Mal  të  Zi (Malësinë e Mbishkodrës B.M.)  e  Maqedoni (Zajaz B.M.) dhe duke bërë kështu  turpin  e pashembullt  në  historinë  tonë  kombëtare. Duhet shtuar se në një rast, Kruja kishte deklaruar “Po të na shtrëngonte fati me zgjedhë njanjën dysh: a ma mirë me humbun Kosovën apo lirinë, pëlqejmë ma parë të humbasim lirin, mbasi këtë, të bashkuem më Kosovën, jemi të sigurte se mund t’a fitojmë prap”. Si mund të mendonte ndryshe ky atdhetar në plotë kuptimin e fjalës, i cili më 23 prill të vitit 1942 detyroi italianët që të hiqnin fashot e Savojës nga flamuri kombëtar.

Por, qe do qe fati i mjerë e deshi, qe për fatin e popullit shqiptar të vendosin kancelaritë e huaja, nga të cilat dolën elaborate për shfarosjen e popullit shqiptar. Rasti konkret elaborati i Vaso Qubrilloviqit (1937).  Tani ky elaborat po gjente zbatim nga “shtetasit shqiptar” por në një formë me ndryshe. Me krijimin e kampeve të përqendrimit, me ndjekje të intelektualëve, me burgosje e pushkatime ne masë. 

Sot ka ardhur koha, që të rishkruhet historia e jonë e vërtete. Kjo mendoj se duhet bërë jo në kuptimin e rehabilitimit të krimineleve komunistë, por në kuptimin e vlerësimit dhe të nderimit të figurave të mëdha të kombit tonë. Historianët tanë dhe patronët e tyre janë të llojit sikur do të shprehej Tolstoi: “Gjithkund flitet për drejtësinë njerëzore dhe mohohet ajo”. Dokumentet janë dëshmia më e mirë. Në dëshmi bazohen popujt e qytetëruar. Mohuesit e veprimtarisë atdhetare, intelektuale e njerëzore të Mustafa Krujës, janë mohues të mjerë, janë mohues të verbër, janë mohues (lexo: shërbëtor) qe njohin vetëm patronin. 

Filed Under: Histori

Çdo të bëjë Trump në ditën e parë të punës 

December 10, 2024 by s p

Sipas një interviste “Meet the Press” me Kristen Welker – Përgatiti Rafael Floqi.

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump në një intervistë televizive që u transmetua të dielën parashikoi një axhendë gjithëpërfshirëse për ditët e tij të para në detyrë, duke përshkruar se si administrata e tij do t’i japë përparësi deportimit të emigrantëve me rekorde kriminale, duke u zotuar të ndjekë faljet për të pandehurit e 6 janarit që në ditën e tij të parë dhe ngritjen mundësia që ish Rep. Liz Cheney dhe kundërshtarët e tjerë politikë mund të përballen me burg.

Në të njëjtën kohë, Trump tha se është i hapur për të punuar me demokratët për të ruajtur statusin ligjor të “Ëndërruesve” – një term i përdorur shpesh për emigrantët që u sollën në SHBA kur ishin fëmijë – edhe pse ai qëndroi pranë premtimeve të fushatës për dëbime masive dhe duke i dhënë fund shtetësisë së të drejtës së lindjes.

“Duhet të bëjmë diçka për ëndërrimtarët, sepse këta janë njerëz që janë sjellë këtu në moshë shumë të re, dhe shumë prej tyre tani janë njerëz të moshës së mesme. Ata nuk flasin as gjuhën e vendit të tyre. Dhe po, ne do të bëjmë diçka për këtë, “tha Trump në një intervistë “Meet the Press” me Kristen Welker të NBC që u incizua të premten, seanca e tij e parë e transmetimit.

“Unë do të punoj me demokratët për një plan, dhe nëse mund të dalim me një plan – por demokratët e kanë bërë shumë, shumë të vështirë për të bërë diçka. Republikanët janë shumë të hapur ndaj ëndërrimtarëve”, shtoi ai.

Trump kishte shprehur më parë një mbështetje për mbrojtjen e ëndërrimtarëve gjatë mandatit të tij të parë, megjithëse administrata e tij u përpoq t’i jepte fund Veprimit të Shtyrë për Ardhjet e Fëmijëve, programi i kohës së Obamës që i mbron ata nga dëbimi. Kjo përpjekje u bllokua nga Gjykata e Lartë në vitin 2020.

Trump tha se përpjekjet e administratës së tij për dëbim masiv do të synojnë njerëz me histori kriminale, por tregoi se mund të shkojnë përtej deportimit të kriminelëve – pa specifikuar se cilët do të ishin “njerëzit e tjerë jashtë kriminelëve”. Kur u pyet nëse planifikon të dëbojë çdo person që ka hyrë ilegalisht në vend, ai tha: “Unë mendoj se duhet ta bëni”.

“Është një gjë shumë e vështirë për të bërë,” tha ai, duke shtuar, “ju e dini, ju keni rregulla, rregullore, ligje. Ata erdhën ilegalisht.”

I pyetur për familjet me status të përzier të imigracionit – ku prindërit janë në vend ilegalisht, por fëmijët e tyre jo – Trump tha: “Unë nuk dua të ndaj familjet, kështu që e vetmja mënyrë për të mos e prishur familjen është t’i mbajini së bashku dhe duhet t’i ktheni të gjithë mbrapsht.”

Trump gjithashtu dyfishoi premtimin e tij të fushatës për t’i dhënë fund shtetësisë së të drejtës së lindjes, e cila mbrohet nga Amendamenti i 14-të, dhe sugjeroi se ai mund të përpiqet të përmbysë të drejtën përmes veprimeve ekzekutive.

“Ne do të duhet ta ndryshojmë atë, ose ndoshta do të kthehem te njerëzit, por duhet t’i japim fund. Ne jemi i vetmi vend që e kemi atë,” tha ai, duke i bërë jehonë një deklarate që ai ka bërë në të kaluarën. “Nëse mundemi, përmes veprimeve ekzekutive. Unë do ta bëja atë përmes veprimeve ekzekutive, por më pas ne duhej të rregullonim Covid-in fillimisht, për të qenë i sinqertë me ju.”

Hetimet dhe faljet

Trump tha se nuk do të kërkonte “hakmarrje” kundër Presidentit Joe Biden dhe kundër armiqve të tij politikë, por ai vazhdimisht u la hapësirë të emëruarve të tij për të vendosur nëse do të ndjekin njerëz të caktuar. Ai sugjeroi që anëtarët e Kongresit që udhëhoqën hetimet për sjelljen e tij gjatë sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA duhet të futen në burg dhe se ai do të shikojë që në ditën e tij të parë mundësinë e dhënies së faljeve për mbështetësit e përfshirë në trazira.

“Këta njerëz kanë qenë atje, sa kohë ka? Tre apo katër vjet? E dini, meqë ra fjala, ata kanë qenë atje për vite, dhe janë në një vend të ndyrë, të neveritshëm që as nuk duhet lejuar të hapet”, tha ai. Sipas Departamentit të Drejtësisë, gati 1,200 njerëz ose u deklaruan fajtorë ose u shpallën fajtorë në gjyq për krime të lidhura me sulmin e 6 janarit. Më shumë se 645 të pandehur u urdhëruan të vuanin disa kohë burg.

Trump tha se nuk do ta drejtonte Departamentin e tij të Drejtësisë që të hetonte anëtarët e Kongresit dhe zyrtarët e administratës Biden që udhëhoqën hetimet për rolin e tij më 6 janar, por vazhdoi të sugjeronte se DD e tij do të justifikohej në vendosjen për të nisur hetime pa kontributin e tij.

Kur u pyet për mundësinë e hetimit të këshilltarit të posaçëm Jack Smith, i cili ngriti kundër tij dy çështjet federale të pushuara që atëherë, Trump tha se dëshiron t’ja lerë atë zgjedhjes së tij për prokuroren e përgjithshme, Pam Bondi, “të bëjë atë që ajo dëshiron të bëjë”.

“Ajo është shumë me përvojë. Unë dua që ajo të bëjë atë që dëshiron të bëjë. Unë nuk do ta udhëzoj atë ta bëjë këtë”, tha ai.

Trump ishte më i drejtpërdrejtë kur foli për anëtarët e Kongresit që drejtuan komitetin e 6 janarit, duke i thënë Welker se bashkëkryetarët e komitetit – republikania Cheney, i cili që atëherë është larguar nga Kongresi dhe demokrati Bennie Thompson – duhet “të shkojnë në burg”.

“Cheney ishte pas saj. Kështu është edhe Bennie Thompson dhe të gjithë në atë komitet”, tha ai. “Për atë që bënë, sinqerisht, duhet të shkojnë në burg”.

Trump sugjeroi gjithashtu se anëtarët e komitetit mund të bëjnë mirë të marrin falje parandaluese nga Biden për të mbrojtur veten nga ndjekja penale. CNN raportoi javën e kaluar se ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë të Biden, zyrtarët e administratës dhe avokatët e shquar të mbrojtjes në Uashington po diskutonin për faljet e mundshme parandaluese ose ndihmën ligjore për njerëzit që mund të shënjestroheshin nga Trump.

“Biden mund t’u japë atyre një falje nëse dëshiron,” tha Trump. “Dhe ndoshta ai duhet.”

Në një deklaratë më vonë të dielën, Cheney tha: “Sugjerimi i Donald Trump që anëtarët e Kongresit që më vonë hetuan veprimet e tij të paligjshme dhe antikushtetuese duhet të burgosen është një vazhdim i sulmit të tij ndaj shtetit të së drejtës dhe themeleve të republikës sonë”.

Ish deputeti republikan. Adam Kinzinger, i cili shërbeu në komitet, i tha Manu Raju të CNN të dielën se ai “nuk është i shqetësuar” për administratën Trump që e hetonte atë ose anëtarët e tjerë të komitetit.  Klauzola e fjalimit ose debatit të Kushtetutës mbron ligjvënësit nga veprime të caktuara të zbatimit të ligjit që synojnë ligjin e tyre detyrat legjislative. 

I presionuar nëse do të drejtonte Bondi ose Kash Patel, të zgjedhurin e tij për të udhëhequr FBI-në, për t’i dërguar ata në burg, Trump tha: “Jo, aspak”, përpara se të shtonte: “Unë mendoj se ata do të duhet ta shikojnë këtë. “

I pyetur nëse ai ka në plan të ndjekë premtimin e tij të shpeshtë të fushatës për të hetuar Biden – të cilin ai e etiketoi vazhdimisht si “të korruptuar” dhe “kriminel” në gjurmët e fushatës – Trump tha se nuk dëshiron “të kthehet në të kaluarën”.

“Unë me të vërtetë po kërkoj ta bëj vendin tonë të suksesshëm. Nuk po kërkoj të kthehem në të kaluarën”, tha ai, duke shtuar, “Ndëshkimi do të jetë përmes suksesit”.

Kur u pyet se kishte thënë më parë se ai do të drejtonte Departamentin e tij të Drejtësisë që të caktonte një prokuror special për të hetuar Biden, Trump tha se nuk do ta bënte këtë, por e la të hapur derën që zyrtarët e lartë të DD-së të merrnin përcaktimet e tyre.

“Jo, nuk po e bëj këtë nëse nuk gjej diçka që mendoj se është e arsyeshme,” tha ai. “Por ky nuk do të jetë vendimi im. Ky do të jetë vendimi i Pam Bondi-t dhe, në një masë tjetër, i Kash Patel-it, duke supozuar se të dy janë atje dhe mendoj se të dy do të miratohen.” Trump ka zgjedhur Patelin për të udhëhequr FBI-në, pavarësisht se drejtori aktual, i emëruari nga Trump, Christopher Wray, i ka mbetur edhe disa vite në mandatin e tij 10-vjeçar.

Gjatë gjithë intervistës, Trump herë pas here kishte një ton më të moderuar ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe dukej se kishte prioritet bashkimin e vendit në vend të hakmarrjes. Ai tha se planifikon ta bëjë unitetin një temë qendrore të fjalimit të tij të inaugurimit dhe shprehu besimin se administrata e tij do të arrijë një nivel suksesi që do të bashkojë vendin.

Por Trump thirri thirrje të ngjashme për unitet në pika të ndryshme gjatë fushatës së tij – duke përfshirë në vazhdën e atentatit të parë kundër tij – përpara se të kthehej shpesh në retorikë të hidhur, përçarëse dhe sulme personale. Gjatë intervistës në NBC, Trump përsëri refuzoi të pranonte se kishte humbur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Tarifat ‘nuk mund të garantoj’ se nuk do të rrisin çmimet

Në intervistë, Trump parashikoi më tej planin e tij për të vendosur tarifa shtesë për tre nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit – Meksikën, Kanadanë dhe Kinën. Ai përsëri argumentoi se SHBA po “subvencionimin” e këtyre vendeve dhe tha se rritja e tarifave do të krijojë një ekonomi më të barabartë për SHBA-në dhe aleatët e saj. Por Trump tha se ai “nuk mund të garantojë” se tarifat nuk do të çojnë në rritjen e çmimeve të mallrave për amerikanët, siç kanë sugjeruar ekonomistët.

Trump tha gjithashtu se nuk ka ndërmend të zëvendësojë Jerome Powell, kryetarin e Rezervës Federale, kur të marrë detyrën.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve se nisma e tij për të reduktuar shpenzimet qeveritare, e udhëhequr nga sipërmarrësit e teknologjisë Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy, mund të çojë në shkurtime të programeve të të drejtave, Trump premtoi të mos bëjë shkurtime të Sigurimeve Shoqërore ose të rrisë moshën e pensionit për të filluar marrjen e përfitimeve. Por ai tha se administrata e tij do të kërkonte ta bënte programin “më efikas”. 

Ramaswamy ka thënë më parë se iniciativa e tij dhe e Musk, Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, do të kërkonte të eliminonte “mbeturinat, mashtrimin dhe abuzimin” në programet e të drejtave.

Pasi emëroi Robert F. Kennedy Jr., një skeptik kryesor i vaksinave, i cili ka promovuar teori konspirative kundër vaksinave, si zgjedhjen e tij për të udhëhequr Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Trump tha se është i hapur që Kennedy të kërkojë eliminimin e vaksinave të fëmijërisë “nëse ato” e rrezikshme për fëmijët”. Më pas ai sugjeroi në mënyrë të rreme se vaksinat kanë kontribuar në një rritje të diagnozave të autizmit, një pretendim që është hedhur poshtë vazhdimisht. 

Trump vazhdoi të reklamonte axhendën e tij izoluese të politikës së jashtme, duke ngacmuar lëvizjet e mundshme larg aleatëve të SHBA-së në Evropë. Ai refuzoi të angazhohej për të mbajtur SHBA-në në NATO për kohëzgjatjen e mandatit të tij, duke thënë se nëse aleatët e NATO-s nuk rrisin kontributet e tyre për financimin e shpenzimeve të mbrojtjes të organizatës, ai do të konsideronte “absolutisht” tërheqjen. Dhe kur u pyet nëse Ukraina duhet të përgatitet për të marrë më pak ndihmë nga SHBA kur të marrë detyrën, Trump tha “ndoshta, ndoshta, sigurisht”.

Trump, i cili do të jetë personi më i vjetër i betuar si president, përsëri u angazhua për publikimin e të dhënave të tij mjekësore, duke thënë se ai “nuk ka asnjë problem me të” dhe “Unë mendoj se dikush duhet”. Ai ka lëshuar më parë letra nga mjekët e tij personalë që përshkruanin shëndetin e tij, por nuk ka publikuar një llogari të detajuar histori e plotë mjekësore.

Filed Under: Fejton

NDIKIMI AUSTRIAK NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE 

December 10, 2024 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

“I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut” – Fan Stilian Noli 

   Vjenë, 10 dhjetor 2024.   

         Dihet që shekuj më parë u krijuan lidhje mes dy popujve  tanë. Qe nga koha ilire dy popujt ishin fqinjë. Ata morën njëri nga tjetri elemente nga kultura, gjuha e tradita. Shtrirja e elementeve ilire në territorin e sotëm austriak ishte evidente dhe e fuqishme në disa pika gjeografike. Akoma jemi larg studimeve të mirëfillta rreth elementeve gjuhësore e të traditave mes dy popujve, por dihet se gjuhëtarët albanolog më të njohur vijnë nga gjermano-folësit në përgjithësi dhe së fundit austriakëve në veçanti. Prezencën ilire në territoret e sotme austriake e vërtetojnë krahas të tjerave prezenca e kështjellave ilire apo me elemente nga kultura ilire. Dihet se ata ishin projektues e ndërtues të spikatur kështjellash. Njëra nga ato e ruajtur relativisht mirë është kështjella ilire jo larg nga  Vjena.   

    Pas luftës së parë Austro-Turke e vjetëve 1716-1718, ku pëson ushtria turke, ndikimi i Austrisë rritet në tërë Ballkanin. Pas luftës së dytë Ruse-Austro-Turke, Austria shtrihet akoma më në jug, deri në viset e Dalmacisë. Pas rënies së Venedikut dhe Paqes së Vjenës, më 1815, zotërimet venedikase kaluan në zotërimet austriake. Kështu, Austria bëhet fqinja i parë me tokat shqiptare. Austria ishte që atëherë e interesuar për popullsinë katolike e cila nuk kishte asgjë të përbashkët as me sllavët e as me turqit. 

Pas këtyre luftërave Porta e Lartë dobësohet edhe në territoret shqiptare. Disa familje feudale shqiptare u fuqizuan dhe krijuan pashallëqet e mëdha, e të cilat kishin ndikim të fuqishëm në zonat e vendit. Pashallëku i Bushatllinjve  në Shkodër dhe më vonë ai i Janinës.  Ndikimi austriak duke qenë i fuqishëm tani në Evropë, pas reformave të marra nga Maria Theresa dhe Josefi II, shtriu ndikim të fuqishëm edhe në viset  shqiptare.  Tregtia e fuqishme shkodrane duke shfrytëzuar flotën e fuqishme ulqinake , depërton thellë në territoret e zotëruara nga austriakët deri në Trieste. Kështu trevat shqiptar tregtinë e tyre, në vend të parë e kryenin me Austrinë, kurse në vend të dytë me Italinë.  Kjo solli një erë të re në lëvizje dhe ndikimet e kulturave. Austria e fitoi të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike, e shoqëruar kjo me kthimin e Urdhrit Jezuit, i cili ishte prezent më 1842. Kjo mundësoi edhe lejimin e seminarit jezuit, të kolegjit Saverian.

Shkollimi

        Edhe pas shpalljes së pavarësisë roli i intelektualëve që u shkolluan në Austri ishte domethënës. Librat mësimore si, abetare, matematika, libra mbi dituritë natyrore kryesisht ishin të hartuara nga autorë të shkolluar në Austri. I njohur në historinë e hartimit të teksteve shkollore të kohës në fillimet e shtetit shqiptar është Ndue Paluca me Abetaren e tij ndër të parat e vendit dhe të disa teksteve tjera mësimore dhe për mësimin në klasat e larta të shkollës fillore. Mësimi në një pjesë të madhe,  zhvillohej sipas konspekteve dhe metodave didaktike austriake të dhëna nga vet mësuesit.. Qeveria e Ismail Qemalit qe në hapat e parë i kushtoi rëndësi shkollimit. Ajo trashëgoi një gjendje katastrofe në arsim. 

Luigj Gurakuqi kishte arritur mirëkuptimin me austriakët që të shtohet numri i bursistëve shqiptarë që do studiojnë në Austri. Nga Elbasani dërgohet kontingjenti i parë i studentëve në vitet 1917/18, i cili do pasohet edhe në disa vite më vonë. Kontribut në dërgimin e studentë në Austri dhanë Sali Butka dhe Hajdar Kolonja. Këta student pas shkollimit u kthyen në atdhe dhe u dalluan si mësues të devotshëm të Shqipërisë. Deri në Kongresin e Lushnjës sistemi arsimor në Shqipëri është mbështetur tërësisht në sistemin arsimor austro-hungarez. 

       Menjëherë pas hyrjes së trupave  Austor-Hungareze në Shqipëri në vitin 1916, duke e parë gjendjen katastrofe në fushën e shkollimit dhe në kulturë, në bashkëpunim me figura të njohura  kombëtare, organizuan hapjen e shkollave për të luftuar analfabetizmin dhe ngritur kulturën e arsimin. Në ndërkohë, me urdhër të Krye komandës austriake Nr. 1106 me 16 prill të vitit 2017 themelohet Biblioteka e Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka Popullore Shqipe të Lirë. Si bibliotekist zgjidhet Hilë Mosi. Bibilioteka e Komisisë dhe shoqërisë “Vëllaznija” ishin bërthamat e Bibliotekës Kombëtare e  themeluar në vitin 1920 drejtor i së cilës emërohet  Karl Gurakuqi. Karl Gurakuqi ishte redaktor i revistave ,,Atdheu”, “Agimi”, ”Revista Pedagogjike”, “Mësuesi”, “Illyria” dhe “Shkolla Kombëtare”. Përktheu disa vëllime të  “Visarët e  kombit” etj

     Ministër i Arsimit ishte Sotir Peci i pasuar nga Hilë Mosi i cili për shkak të rrethanave nuk e mori këtë detyrë. Më 7 dhjetor 1921 caktohet Kristo Dako i cili  kishte kryer veprimtari patriotike e kulturore në Vjenë në vitet 1906 – 1910. Me ndërrimet e shpeshta të qeverisë ndërrohen edhe ministrat. Kështu Kristo Dako pas një jave zëvendësohet nga Aleksandër Xhuvani i cili pa u mbushur dy javë zëvendësohet nga Rexhep Mitrovica i cili gjatë Luftës së Parë Botërore qëndroi në Vjenë dhe kishte ndihmuar materialisht studentët shqiptarë.  

       Qeveria Shqiptare ndau bursa studentëve shqiptar pas vitit 1920 dhe caktonte përgjegjës  rreth rrjedhës së studimeve nga bursistët. Këtë funksion e kreu Dr. Gjergj Pekmezi deri më 1924 pastaj Dr.Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N.Rrota, dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte Filip Llupi.  Me këto bursa studiuan  në Austri këto personalitete: Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e rrethit të Shkodrës të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e tye kishin vlera përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqip.  Këtu mund të përmendim disa nga figurat më meritore të kohës: Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota, Karl Gurakuqi por edhe mësues e figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin Shqiptar del se në vitin 1924 në Austri studionin 69 student shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë.   

Më 23 mars të vitit 1917 austriakët duke e parë nevojën e madhe për mësues, vendosin hapjen e Shkollës Normale në Shkodër, ku për drejtor emrohet Gasper Baltoja, i cili kishte mbaruar studimet në Shkollën për Mësues në Klagenfurt të Austrisë.  Austri pati një rol pozitiv në fillimet e mësimit shqip në trevat shqiptare i mohuar shekujve nga pushtimi turk. Tradita e përkrahjes vazhdon akoma deri në ditët tona, kur dihet gjendja e rëndë e arsimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.  Austro Hungaria mbështeti interesat kombëtare të shqiptarëve para se gjithash në fushën politike. 

Që në hapat e parë të jetës së Shqipërisë si shtet i pavarur u dërguan të rinj për studime në universitet austriake: Vjenë, Klagenfurt, Graz, Linz, Villah.  (pjesa 1)  Një ndihmë të madhe për kombin shqiptarë dhanë shumë figura të njohura austriake dhe hapësirat gjermano folëse. Shkencëtari i njohur Miklosich (Miklosiç) në veprën “Albanische Forschungen” (Kërkime shqiptare), botuar në Vjenë, më 1870, në faqen 10, shënon një fakt interesant, që tregon vendosjen e shqiptarëve intelektuale, në Austri, 

qysh ne fillim të shekullit XIX. Ai shkruan se “dijetari slloven Kopitar” me 1829, boton një studim mbi marrëdhëniet midis shqipes, rumanishtes e bullgarishtes, brenda të cilit gjendet përkthimi në shqip i Shen Llukas,  “Djali plëngprishës”, hartuar nga te dy veI1ezerit gjirokastrite, Anastas dhe Spiridhon Çelo.

        Në ekzistencën e popullit shqiptar i përballur me gjenocidin e ushtruar kundër tij nga serbet  pas rënies së Perandorisë Osmane, u dallua politikani dhe shkrimtare i njohur i kohës Leo Freundlich. Ai shkroi librin e tij domethënës “Albanische Golgota” (Golgota Shqiptare) duke argumentuar një pjesë të krimit serb, gjenocidin i pa paparë për nga barbari mbi popullsinë shqiptare. Ai mblodhi lajme gazetash nga Shqipëria dhe shtypi i huaj rreth Shqipërisë dhe i shpërndau në adresa të caktuar, para se gjithash në qarqet qeveritare. Ishte kjo koha tragjike e kombit shqiptar. 

Filed Under: Opinion

AFRIKË E JUGUT, 1982 / “LINDJA E PRINC LEKA II, MBRETËRESHA GERALDINË, DASHURIA PËR SHQIPËRINË…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE E MBRETËRESHËS SUZANË ME RASTIN E LINDJES SË PRINC LEKA II

December 10, 2024 by s p


Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  10 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 30 qershorit 1982, në faqen n°16, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Afrikë të Jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një ish-australiane, tani një mbretëreshë që jeton në ekzil…

Susan Cullen-Ward, 41 vjeç, tashmë mbretëresha e Shqipërisë në mërgim, flet për shpresat e saj për Princin e Kurorës Leka në një intervistë ekskluzive.

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16

Pavarësisht se çfarë thonë, mbretëria ka magjinë e vet, edhe nëse je i internuar, duke jetuar në një pronë të vogël modeste në periferi të Johanesburgut, Afrikën e Jugut, me një suitë të vogël dhe pak para. Që nga takimi im i parë me Mbretin Leka të Shqipërisë dhe gruan e tij me origjinë australiane, Mbretëreshën Suzani (ish Susan Cullen Ward të Uellsit të Ri Jugor), ndjeva një atmosferë madhështie që kapërcente këto rrethana të reduktuara.

Kohët kanë qenë vërtet të vështira, duke filluar kur Leka u nxor nga atdheu i tij kur ishte vetëm dy ditësh, pasi Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë të Musolinit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por nga të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin, kishte një problem dërrmues. Nuk kishte asnjë trashëgimtar mbretëror dhe Mbretëresha kishte pasur tashmë katër aborte. Pastaj, marsin e kaluar, ndodhi mrekullia. Pas një shtatzënie të gjatë dhe të vështirë, Princi i Kurorës Leka II lindi në një klinikë të vogël të Johanesburgut. Linja mbretërore mundi të vazhdojë.

Gjëra marramendëse, por realiteti është më pak idilik. Familja mbretërore shqiptare në ekzil jeton në një shtëpi me qira, të mobiluar në stilin e fermës, në fund të një rruge të gjatë dhe me pluhur, e mbuluar me shkurre dhe gjemba. Dy hektarët e tokës janë të çrregullta; pulat, lopët dhe palloi i çuditshëm vërshojnë lirshëm rreth lëndinave të thata, shkurreve të shpërndara dhe shtëpive të shkatërruara.

Teksa po luftoj me copën e telit që mban derën të mbyllur, shfaqet një truprojë me një armë në këllëf. Ai vjen për të më ndihmuar, i gjithi i buzëqeshur dhe me mirësjelljen e dikurshme. Ai është 60 vjeç dhe ende e kujton Shqipërinë e monarkisë.

Na çojnë në një tarracë të shtruar ku një shërbëtore shërben limonë, duke na bërë nderimet mbretërore. Mbreti hyn. Me një gjatësi prej 206 cm, ai është një burrë shtatlartë dhe i thinjur, i cili duket më i vjetër se 43 vjeç. Mbretëresha është e veshur thjesht : fustan leshi ngjyrë blu të kaltër, këpucë blu të kaltër, shall pambuku indian. Flokët e saj janë të gjatë, të krehur mbrapa dhe me vija bionde; grimi i saj është i patëmetë. Ajo nuk mban asnjë bizhuteri përveç unazave të bukura prej diamanti të fejesës  dhe martesës së saj.

Fytyra e saj është klasike, silueta e saj e hollë, prania e saj e qetë dhe serioze. Nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me vajzën e një fermeri të shndërruar në Mbretëreshë. Ajo thjesht i tregon gjërat ashtu siç i duken, duke i artikuluar mendimet me lehtësi, pa u shqetësuar qartë për të lënë ndonjë përshtypje.

Motra Adelaide, dadoja e tyre lokale afrikane, sjell foshnjën mbretërore të mbështjellë me një shall të bardhë me grep dhe ia dorëzon me kujdes nënës së tij. Mbretëresha Suzani pranon se është në një gjendje të lumtur për djalin e saj të porsalindur, duke fjetur i qetë në krahët e saj. “A nuk mendoni se ai i ngjan babait të tij? Ai është kaq i ëmbël, kaq gazmor nganjëherë,” thotë ajo.

Mbretëresha Suzani është e vendosur që Princi i Kurorës të mos relegohet (rritet), sipas stilit viktorian, në çerdhe dhe nga dadot. “Ai nuk është i ndryshëm nga çdo fëmijë tjetër, dhe unë jam thjesht një nënë e zakonshme”, thotë ajo. “Edhe pse ai do të stërvitet për të zënë vendin e tij mbretëror kur të jetë më i madh, unë thjesht dua të shijoj kohën me të ndërsa është i vogël.”

Ajo ka besim të madh në vlerën e shtëpisë dhe familjes. “Unë jam një person shumë familjar. Plus, çdo mbretëror që unë njoh është kujdesur për fëmijët e tij. Kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht që kemi dado që të na ndihmojnë, sepse edhe ne kemi angazhime, por ne jemi vetëm nëna punëtore, si gjithë të tjerët.”

Kishte një pritje të gjatë dhe të mundimshme për këtë fëmijë. Dy muajt e fundit të shtatzënisë mbretëresha 41-vjeçare i kaloi duke pushuar në një klinikë, në prani të nënës së saj. Fëmija Princ i Kurorës, i lindur para kohe me prerje cezariane, peshonte vetëm 2.5 kg dhe u fut në një inkubator. Ai duhej të qëndronte në klinikë, pesha e tij vazhdoi të binte.

“Isha plotësisht e dërrmuar. Kisha aq frikë se mos i ndodhte diçka kësaj krijese të kuqe e me rrudha, saqë do të thyhej ose do të binte nga djepi. Por mësova ta laj. Kjo është diçka që ju mësojnë në spital : si të mbani një fëmijë që përpëlitet. Është pak si të mësosh karate për një fëmijë ! — qeshi ajo, duke lënë të kuptohej se sa e shqetësuar ishte kur foshnja u kthye në shtëpi.

Tani, ai pi biberon, kështu që unë mund të fle për disa orë midis mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit kur e sjell motra Adelaide. Ai ka pasur dhimbje barku dhe ndonjëherë është tmerrësisht nervoz dhe i plogësht. Nuk di si do të bëja pa motrën Adelaide dhe gjyshen e tij.”

Gjyshja është Madhëria e saj Mbretëresha Geraldinë, e veja e mbretit të ndjerë Zog. “Ajo është një person shumë, shumë i bukur dhe i qetë dhe një nënë gjyshe vërtet e përkushtuar,” thotë Mbretëresha Suzani. Foshnja i ndjen këto gjëra. Ai mund të jetë absolutisht një bishë me mua ndonjëherë, por është gjithmonë i qetë me të.”

Prindërit e Mbretëreshës, zoti dhe zonja Alan Cullen-Ward, jetojnë në Drummope, Sydney, që nga shitja e pronës së tyre, pranë Parkes, Uellsin e Ri Jugor. “Ata nuk e kanë parë ende foshnjën, por janë tmerrësisht të emocionuar”, thotë Mbretëresha Suzani.

“Dua ta dërgoj në një grup lojërash apo në një çerdhe. Të mësosh të shoqërohesh me të tjerët është shumë e rëndësishme. Ai do të rritet në besimin mysliman në pritje të ditës që do të ngjitet në fronin e Shqipërisë. Kur të mbushë 18 vjeç, do t’i prezantohet popullit të tij.”

Kush janë njerëzit e tij ? — e pyes me ndrojtje.

“Të gjithë shqiptarët në botën e lirë, sigurisht”, përgjigjet ajo.

Mbretëresha është edukuar (shkolluar) në traditat më të mira : ajo studioi në një shkollë në Orange, Uellsin e Ri Jugor, ndoqi një kurs për dizajnin e brendshëm dhe industrial në Sydney, më pas një jetë profesionale pa presion, e ndërthurur me kalërim dhe ski të shumtë (sporti i saj i preferuar), më pas u nis për në Spanjë për të studiuar pikturën. “Isha e dëshpëruar, vërtet e dëshpëruar,” tha ajo e trishtuar.

Si mbretëreshë, ajo kishte shumë për të mësuar që kur u takua me mbretin Leka në një darkë të dhënë nga një mik i përbashkët në Sydney 13 vjet më parë. Miqësia e tyre ishte e gjatë dhe në vitin 1975 ata u martuan me gjithë shkëlqimin e një dasme mbretërore. Mbretëresha Geraldinë e njohu atë me rregullat e protokollit dhe njohuritë mbretërore (të ngjashme me Nënën Mbretëreshë dhe Princeshën e Uellsit). “Mësova se nuk mund të them atë që dua, të shkoj ku të dua. Dhe më mungon privatësia ime,” — thotë ajo.

Në vitin 1979, mbreti dhe familja e tij u dëbuan nga Spanja pas akuzave për stokim të paligjshëm të armëve. Pas një qëndrimi të shkurtër në një fermë me qira në Rodezi, atyre iu dha strehim i përkohshëm në Afrikën e Jugut.

Pra, lindja e këtij Princi të Kurorës pa fron, për ta ka një domethënie të madhe. Ai përfaqëson një traditë, shpresën e tyre për të ardhmen.

Unë e pyes se cilin vend e konsideron Mbretëresha si shtëpinë e saj. “Shtëpia ime është Shqipëria”, thotë ajo. “Kjo është një nga gjërat shumë të vështira që duhej të vendosja kur u martova me Mbretin. Ndoshta ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. Australia është diçka që e dua, më mungon dhe e ndjej thellë. Rrënjët e mia janë atje, familja ime gjithashtu. Lidhjet janë të forta, por ne nuk mund të jetonim kurrë atje : është shumë e shkëputur për punën politike që bëjmë.”

Ajo flet me zë të ulët, me shumë pasion, për një vend që nuk e ka parë kurrë. “Unë jam angazhuar që një ditë të kthehemi në shtëpi, në shtëpinë tonë në Shqipëri.”

MARGARET GAGANAKIS

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT