• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

VEPËR E RËNDËSISHME NGA NJË AREAL I VEÇANTË I SHQIPES

December 30, 2024 by s p

Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu/

(Gjovalin Shkurtaj, Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe, Tiranë, 2021)

Atje, në viset e thella malore, ku jeton ende fjala e pashkruar e gjuhës sonë të bukur.

Deri aty ku ka arritur asfalti nuk gjejmë gjë, duhet të futemi më thellë – thoshte

Prof. dr. Abdullah Zymberi

Që nga botimi i veprës “Fjalor latinisht-shqip” (1635) i Frang Bardhit, e sidomos nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe në dy dhjetë-vjetëshat e këtij shekulli, dy akademitë tona dhe institucionet shkencore, deri më sot kanë sjellë në dritë me dhjetëra fjalorë shqip, fushash të ndryshme. Në vitin 2020 ASH e Shqipërisë botoi veprën madhore të prof. dr. Ali Jasharit “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe”, me 814 faqe, kurse nga 31 mars 2022, këtij vargani fjalorësh iu bashkua edhe vepra “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolin-guistik i Malësisë së Madhe”, i akademikut Gjovalin Shkurtaj, studiues i madh i shqipes, në fushën e gramatikës, drejtshkrimit, dialektologjisë, socio-linguistikës, entnolingu-istikës, onomastikës, po edhe të leksikografisë, të disa teksteve universitare etj.; autor e bashkautor i afro 40 veprave të botuara e ndonjë të ribotuar. Për të hartuar këtë Fjalor, akademik Gjovalin Shkurtaj, vuri në veprim tërë potencialin e tij krijues-shkencor për të vjelë këtë pasuri të heshtur për sa kohë e për t’i dhënë zë e fuqi një thesari të pasur leksikor, nga një areal aq burimor me fjalë e shprehje të gjakut e të mishit të shqipes, e të cilin Fjalor tashti e kemi në duar.

Nga Parashtresa e veprës së akademik Gjovalinit mësojmë që ai të ketë thënë: “Këtë fjalor leksikor dhe frazeo-logjik e kam ideuar e nisur ta hartoj qysh në fillesat e punës sime si dialektolog në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, e pikërisht në janar të vitit 1969”, pra, nga më se gjysmë shekulli kohë të kaluar, deri me rastin e botimit të këtij fjalori tani. Se kishte bërë një punë shumë të madhe deri me rastin e daljes në dritë të kësaj vepre me mbi 1000 faqe, autori i fjalorit në fjalë na e kujton këtë në Fjalën paraprijëse, ku thotë: “…kam bërë hartim e rivështrime të pjesëve të tij gati çdo ditë “me kohë të pjesshme”, gjithnjë duke gjetur fjalë e frazeologjizma që duheshin përfshirë në të. Por, kur ia behu e padëshi-rueshmja pandemi e Covid-19, mbylljes së detyrueshme e ngujimit në shtëpi, më në fund, i dhashë një motivim duke iu kthyer plotësimit e redaktimit përfundimtar të “Fjalorit”, tashmë “me kohë të plotë”, qysh nga ora gjashtë e mëngjesit e deri në mbrëmje vonë”. Se ç’mund e djersë ka derdhur në punën e vet, në një fushë mjaft komplekse e të mundimshme, akademiku ynë e dëshmon edhe me fjalët e dijetarit e filologut të shquar, J. C. Scaliger (1484-1558), cili ka shkruar: “Nëse kërkon që ta torturosh dikë, mos e urdhëro të rrahë metalin në farkëtari, as mos e dërgo në punë të rënda në miniera, por jepi më mirë të bëjë fjalorë; kjo punë është më e rëndë se të gjitha llojet e mundimeve të tjera”.

“Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” është një vepër që ka mbështetje në hulumtimet dhe studimet paraprake të akademik Shkurtajt, nga ajo trevë për të cilën i biri i asaj ane ka dashuri e mall të pashuar edhe sot, duke e pasuruar këtë vepër me fjalë e shpre-hje të reja gjatë rrjedhës së moteve. Siç shihet edhe nga inventari i eksploruar në terren, akademikut tonë, krahë e inspirim për të botuar këtë fjalor i dhanë, padyshim, monografia e tij e parë për të folmen e Kastratit, një skicë për të folmen e malësorëve të Bregut të Matës, të Ishullit të Lezhës e të Ishullit të Shëngjinit, si dhe monogra-fitë për Hotin, Kelmendin, Rranxat e Mbishkodrës, etj. Është kjo lëndë e eksploruar, me ngadalë, kujdes e sens prej një eksperti të rrallë të dialektologjisë shqiptare. Me fjalë të tjera, është ky një korpus fjalësh prej mbi 12300 leksemash, nga ato të folme rurale, ku shqipja flitet bash shqip. Sado që këto të folme, me gjithë shtrirjen e gjerë tokësore, me afritë që kanë e që përbëjnë thuaja një tërësi territoriale e gjuhësore gati unike, secila trevë ka edhe të veçantat e veta, “disa dallime e luhatje brenda-përbrenda”, andaj edhe studimet dialektologjike të bëra nga akademik Shkurtaj janë bërë për secilën tërthore veç e veç.

Leksemat e paraqitura në fjalor, me pak përjashtime, janë fjalë me burim të shqipes, shumicën nga të cilat fjalorët e shqipes nuk i kanë, e që një numër syresh mund të futen, si prurje të reja, në Fjalorin e madh të shqipes, i cili sapo ka nisur hapat e parë të tij, në botim të ASH të Shqipërisë, me në krye të grupit punues, leksikografin tonë të madh, akademik Jani Thomain, ndihmuar edhe nga 10 ekspertë të tjerë, ndër të cilët edhe autori i kësaj vepre, akademik Govalin Shkurtaj, prof. dr. Valter Memisha dhe leksikologë, dialektologë, etimologë, semantologë, e leksikografë të tjerë, si dhe disa studiues të shqipes nga Shqipëria, Kosova, Maqe-donia e Veriut, Mali i Zi, arbëreshët e Italisë etj.

Në fjalor është përfshirë një korpus i përfillshëm me mbi 12300 fjalë, siç theksuam më sipër, që shprehin realie të ndryshme: emërtime njerëzish, frymorësh të botës shtazore, insekte, fjalë nga flora, fjalë që shprehin veprime të ndryshme, emra farefisnie, frazeologjizma, emra gjeografikë që shënojnë: ara, livadhe, përrenj, kroje, mrize, lëndina, kodra, lugje, roga, udhë, shkëmbinj, shpella, kala, troje të moçme ose çfarëdo vendi tjetër që ruan më vete gjurmë lashtësie, pasuri kjo e cila po të mos gjurmohet e faktohet do të “bdarrej” – siç do të thoshte autori i Fjalorit të parë shqip, Dom Gjoni i biri i Bdek Buzukut.

Edhe në fjalorin e akademik Gjovalinit, ashtu si edhe në studimet e tija analitike-sintetike dialektologjike, janë shpërfaqur njësitë e përbashkëta “dhe larmit dialektore të shqipes si në hapësirat dhe trevat shqiptare”, të cilat akademiku ynë i ka specifikuar, si:

1. Fjalë që kanë kudo të njëjtën formë fonetike dhe të njëjtin kuptim, të cilat edhe përbëjnë sasinë më të madhe të fjalëve të shqipes së sotme dhe të shqipes së moçme, siç janë foljet ose emërtimet e shumicës së veprimeve e gjendjeve;

2. Fjalë me të njëjtin kuptim, por me forma fonetike të ndryshme; (siç janë format morfologjike dhe sintaksore, bashkë me mjetet fjalëformuese, që dallojnë pikat kryesore ndërmjet dy dualekteve tona);

3. Fjalë nga Malësia e Madhe që dallohen prerazi nga të folmet e tjera të grupit veriperëndimor dhe të mbarë gegërishtes (për arsye të ruajtjes së togjeve uo dhe ua);

4. Fjalë nga Malësia e Madhe që dallojnë nga të folmet e tjera të gegërishtes veriperëndimore, sa i përket disa dukurive fonetike (alternimi i grupit bashkëtingëllor nd > ll: ndeze – lleze; dukuria e rotacizmit: asnjani – asnjari; alternimi i v > b: avull – abull; folja kesh – për kisha) etj.;

5. Fjalë ose leksema të ndryshme për të emërtuar objekte ose veprime të njëjta (fjalë kryesisht të moçme e që nuk ndeshen më as në të folmet e gegërishtes veriperëndimore, si gërrçak, -u “enë për të pirë verë”, puçik, -u “gropë e vogël nëpër rrasa e shkëmbinj të mëdhenj që mbushte me ujë nga shiu”) etj.

Një dorë mikrotoponimesh, të sjella në këtë fjalor, të cilat janë formuar sipas një paradigme kultu-rore (legjenda, ndodhi historike etj.), të kujtojnë një përkufizim emblematik të profesor Eqrem Çabejt: “një njësi leksikore paraqet një njësi kulturore”, e kjo do të thotë edhe një njësi gjuhësore, etnografike dhe historike. Një përkufizim shumë saktësues. Në kor¬pu¬sin e këtij vëllimi ka shumë njësi leksikore, përkatësisht (mikro)-toponimike, të cilat janë referenca të rëndësishme etnike (shqiptare, serbe, turke etj.), dhe shumë (mikro)toponime, natyrisht pos atyre shqipe, të cilat besohej se i takojnë fondit gjuhësor të slldovi-shtes apo turqishtes. Studimet e mëtejme të këtij korpusi do të dëshmojnë se këto njësi, – sikur është shprehur profesor Mahir Domi – nuk hynë në fjalorin e shqipes si njësi toponimike, por si njësi leksikore, ndërsa u toponi-mizuan më vonë nga vetë shqiptarët, prandaj jo rastësisht ato na dalin të zhvilluara brenda struk-turës fonetike dhe morfolo-gjike të fonetikës dhe gra-matikës historike të shqipes.

Gjatë analizës së veprës na ranë në sy edhe disa fjalë të ashtuquajtura fjalëshpejta, që përdoren edhe sot për ushtrime të foluri për të vegjlit, e që përbëhen nga një pyetje dhe përgjigjet e thëna shpejt: ”A lafiq era, s’lafiqera, s’lalisera e jo lafiqera?!” – A la fiq era, s’la fiq era, s’la lis era, e jo la fiq era. Të tilla janë, ndër të tjera, edhe këto lojna fjalësh, I ra: plûmi plakut te pragu. E shes thesin, s’e shes thesin, thesin s’e shes tha:t. Në Kastrat, të vegjëlve u pëlqente shumë edhe kjo fjalëshpejtë: A kjie? Po i kjeç. A j thæ? Po j thaç. Si m’ thæ i thaç, as s’ëm lla, as s’i llaç, si e gjeta, ashtu e laç; Plepi plak ka pa:lc pak, etj., me të cilat fjalë, pos nevojës për ushtrim gjuhe, të vegjlit edhe sot zbaviten, por jo më sa e si me lojërat që i shikojnë në televizorët e sidomos në celularët e tyre.

I prirë nga dëshira për ta stërholluar dhe krahasuar mendimin e vjelë nga malësorët e “Nderit të Kombit”, e arealit të legjendës së misrit, apo për t’ia nxjerrë tharmin problemit të shtruar, siç më pati “tërhequr vërejtjen” para më se 20 vjetësh, në një studim timin, akademiku ynë, në këtë fjalor, nuk ka lënë pa përmendur edhe ndonjë gjëegjëzë që e ka dëgjuar dikur në atë anë, ose që “gjëllin” edhe sot në gojët e mendjet e malësorëve të atij krahu, sikundër është rasti me shembujt: Ara e ba:rdh, fara e ze:z, e mjell me do:r, e ko:rr me go:j. (Gjëegjëzë: letra e shkruar). Dy zoja t’lyeme, n’i o:d t’ nry:me, motra jâ:n e shoqashoqen nuk e shohin (gjëegjëzë për eshket-veshkat e njeriut). Pê:s t’bi:t e dorakut, e kapin t’bi:n e hunakut e qiesin jasht prakut. (Gjëegjëzë: të bijt e dorakut (gishtërinjtë e dorës), të bi:n e hûnakut (të bijën e hundës=qurrat) i qesin jashtë prakut (I nxjerrin jashtë pragut të derës). Kallaj mrê:n e kallaj ja:sht, zerdeli e pilaf ba:shk. E bija delë n’paza:r, e âma rrin kacavar:r. (Gjëegjëzë për rrushin: vilja del në pazar, kurse e ama (hardhia) mbetet në vend). Se me çfarë përkushtimi iu ka rrekur studimit të të folmeve të popullatës së atyre fshatrave e qytezave, kodrave e maleve, akademik Gjovalini e justifikon me një fjali në përmbyllje të Fjalës paraprijëse, kur thotë se këtë vepër “Ia kushtoj, pra, me shumë përvujtëni e nderim Malësisë dhe malësorëve të mi”.

Krahas një fondi aq të pasur dhe të mëvetësishëm fjalësh, njësish leksikore e frazeologjizma, sintagma e shprehje të ngurtësuara fjalësh, fjalë të urta, si: (Çka âsht i he:r nuk âsht përhe:r, N’ kjo:ft se nuk mu:jm si duom, na do t’ bâjm si mu:jm. …); përshëndetje (A jie bu:rr! A jie burrne:sh! A jie fisnike! Lamtumi:r, miq e kuma:r, lamtumi:r male e qeta, lamtumi:r për sa t’jiet jeta – Nga një vajtim burrash në Kastrat); mallkime (T’hâgërt dreqi eshtnit!, Ia falsha dreqit!, T’ra:ft molldraga! T’shitoft zana e malit!…); urime (Mos i pa:t syni i keq!, Kush t’ pa:t me ne:r ta g-jatt!, Ta njesha zânin e mi:r!…); zbunime të shumta (si objekt të etnolinguistikës), si dhe etnonime, patronime (disa nga të cilat janë paraqitur më poshtë), të vjela e “të kokërruara” nga akademiku Shkurtaj, me aq përkushtim e dije, në fjalorin e tij, ka dalluar edhe shumë fjalë të huaja, që po i quajmë huazime, e që nuk i kthyem kurrë si të tilla, nga atje ku janë marr, si p.sh.:

– Fjalë nga turqishtja: ba:b-baba, baklla:v-bakllava, da:j-daja, kafe- kafja, nalet, Qabe, penxhère-penxhèrja, tenèqe-tenèqja, káurr-káurri, qoshe-qoshja, xhade-xhadja e shumë fjalë të tjera të cilat në toskërisht kanë theksin kryesisht në rrokjen fundore ose parafindore.

– Fjalë me prejardhje na sllavishtja: Lubo, Nashkeja, Pero; pobratin/probatin, kukat; vrâç (kalë i zi); boronicë-a (qershizë); folja ivikas (nga vikat) ; ojkonimet: Dushiq-i, Kamicë (buzë liqenit të Shkodrës); Gradec-i (lagje e Kastratit) etj.

– Fjalë të krijuara nën ndikimin e italishtes, ku hynë, kryesisht, emrat me prapashtesën –in/ë (Angjelin, Gjovalin, Pavlin, Pjerin etj.), Tonin Kaçaj (Bajzë-Kastrat), Tonin Marina (Koplik), Tonin Palok Luketa

(Grishaj-Shkrel), Palinë , Gjystinë, Gjyzepinë, Jozefinë, Zefinë etj.

– Nga latinishtja, me shndërrimin e c > th; acer > (i, e) athët, c > q: cedrum > qitër, s > sh: asper > ashpër, angustus > (i, e) ngushtë, k > q: caelum > qiell, x në fsh e sh: coxa > kofsha e kosha etj.

Numri aq i madh i fjalëve në këtë fjalor, që flinin të qeta ndër shekuj në atë areal të shqipes, tani të (ri)trazuara dhe pasuruara nga pena e hollë e akademik Gjovalinit, do të jenë të mirëseardhura për pasurimin e fjalësit të shkollarëve, mësuesve, gazetarëve, shkrimtarëve, gjuhëtarëve e dashamirëve të tjerë të gjuhës shqipe, ngase një mori fjalësh të huaja të përdorura edhe tani nga këto shtresa intelektualësh dhe të tjerë, mbështetur në këtë fjalës të hartuar me akribi të rrallë nga akademiku ynë, do të mund të zëvendësojnë shumë fjalë të huaja të panevojshme për shqipen. Këtë bindje tonën e mbështesim edhe në një thënie të studiuesit e leksikografit të shquar, Miço Samara, i cili ka pohuar se “Trualli ynë amtar fsheh një thesar të tërë fjalësh të bukura shqipe, të cilat mund të zëvendësojnë lehtësisht disa nga fjalët e huaja, që përdoren pa nevojë e disa herë edhe nga mania për t’u dukur ose për të folur me “fjalë të mëdha” të pakuptueshme për një masë të gjerë të popullit”. E se duhet vjelë këtë lëndë aq të rëndësishme, po përmendim edhe një testament të akademik Idriz Ajetit, i cili porosit: “Regjistrimi i leksikut ndër dialekte e të folme,vjelja e tij nga literatura e botuar janë një ndër punë të mëdha për t’u kryer”.

Njësitë leksiko-gramatikore, janë materializuar e faktuar nga të gjitha anët studimore të tyre, me shumë shembuj të përzgjedhur, siç shihet edhe nga shembëllzimet e paraqitur në fjalor.

Do t’i hynim në hak, mbase, sikur të mos përmendnim edhe dy vlerësime shumë serioze e të thuktë të dy recensuesve të fjalorit, të dy studiuesve të dalluar në fusha të ndryshme të albanologjisë e në veçanti të leksikografisë. Derisa prof. dr. Valter Memisha, duke vlerësuar fjalorin në fjalë, jep një mesazh shumë domethënës se “Fjalori krijon mundësi të shumta për sipërmarrje studimore më të gjerë e më të plota (madje dhe në nivel doktoraturash) në fushën e fonetikes e të gramatikës dialektore, për studime sinkronike dhe ato diakronike, për studime etnolinguistike e etno-kulturore, si një burim i rëndësishëm për Fjalorin e madh normativ të shqipes, por edhe për fjalorin e saj të ardhshëm “tesaurus”; recensuesi tjetëe, prof. dr. Tefë Topalli, për këtë vepër veçon se “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe”, si për nga vlerat mirëfilli studimore, ashtu edhe nga prurjet konkrete nga hulumtime të bëra në vendbanime të ndryshme të Malësisë, dhe në vendet e tjera ku janë shpërngulur malësorë … përbën një ndihmesë me vlerë për kërkimet në lëmin e dialektologjisë dhe të sociolinguistikës shqiptare“, me vlerësimet e të cilëve studiues, nuk di se kush nuk do të pajtohej.

Nga analiza dhe vlerësimi i këtij korpusi të begatë fjalësh, kemi hartuar një pasqyrë, me fjalë klasash të ndryshme: emra, mbiemra, më pak numëror e përemra; folje, ndajfolje, e po ashtu edhe ato pjesë të ligjëratës që ishin më pak të shprehura në fjalor, si: parafjalë, lidhëza, pjesëza, pasthirrma; onomatope etj. Të dhënat e paraqitura në pasqyrë, pos llojeve të pjesëve të ligjëratës, shprehin edhe dendurinë (frekuencën) e fjalëve të gjetura në pjesën e Shqipërisë së Veriut, përkatësisht në atë të Malësisë së Madhe dhe në disa tërthore anësore, përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në Mal të Zi (Gruda, Trieshi, Rapsha e Traboini i Hotit). (Pasqyra, për shkaqe teknike, nuk do të paraqitet në këtë postim). E bëmë këtë punë, jo dhe aq të lehtë, për të shpërfaqur më detajisht përfaqësimin e çdo klase të njësive leksikore në makrostrukturën e këtij fjalori.

Nga të dhënat e paraqitura të fjalëve në këtë pasqyrë, të nxjerra nga fjalori, del se më së shumti ka emra: 3747 të gjinisë mashkullore dhe 3582 të gjinisë femërore, gjithsej = 7329 (59,53%); folje = 1774 (14,40%); mbiemra = 1639 (13,31); ndajfolje = 896 (7,27), sakaq, me denduri më të madhe paraqiten fjalët që fillojnë me shkronjat: K = 1187 (9,640%), P = 1122 (9,11%), B = 10,33 (10,8,39%)…, e më së paku denduri (frekuencë) kanë ato fjalë, që fillojnë me nistoret: Ë = 10 (0,08%) , Y = 15 (0,12%), X = 18 (0,15%), e kështu me radhë, nga një korpus prej 12311 njësish leksikore, edhe pse fonema ë, në fjalët e gjuhës shqipe, bashkë me fonemat a, e dhe bashkëtingëlloret n, r, t, kanë dendurinë më të madhe.

Fjalët në këtë fjalor, për nga struktura e tyre fjalëformuese, janë kryesisht fjalë të parme: byk, d:itë, allti:, gardh, habi, ledh (lell), mjel etj., por të shumta janë edhe leksemat e prejardhura (me parashtesa e prapashtesa), fjalët e përbëra (kompozitat) dhe diçka më pak fjalët e përngjitura, siç shihet edhe nga shembujt e dhënë:

– Fjalë me parashtesa: pici-: pcig-jate “e stërgjatur”, picigul /picingul “kokëposhtë, kokëtatëpjetë”; me parashtesën lara-, kryesisht mbiemra që tregojnë ngjyrën e larme si laracik boret “zog i larmë”, laramân, -e “për lopë a qe të larmë”; me parashtesën nar- (ndër-), në formimet e emrave narsjetull, -a, narbarke, narbishte, si dhe në emërvende te mikrotoponimet: Narmegja, Nardrûme,-t, Narvorret, po edhe te toponimet, si: Narshkodër, si edhe etnonimet narshkodrak,-u e narshkodrake, -ja.; me parashtesën dë-: forma e foljes dëboj; me parashtesën ka-: kaçu:b (flokë të gjatë të meshkujve në pjesën e përparme të ballit), dhe te kabisht,-i “gërshërëz”; me parashtesën pa- dhe nyjën e përparme: i paęrz, e paęrze; me parashtesat deiktike: je- jekaq, qekaq (në brezin e vjetër), jejekhâ, si te shembulli: Ku e ke martua vajzën? Paj, jekhâ n’Shkrel; jeksajt; me parashtesën nër- (ndër-) në formimin e ndajfoljeve: nërmjet, nërdyzash, nërgishte; me parashtesa stër-: stërnip, -i, stërgjysh, stërmbesë; me parashtesën pa- me të cilën formohen mbiemra të nyjshëm, si: pa:mir (i, e), pa:burr (i, e), pa:emën (i ,e) etj.

– Fjalë me prapashtesa, si: -acak-e: frigacak-e; -ac-e: tollac-e; -a:çe: luvda:ç-e, -ak-e: curak –e; -aloç: bregaloç; -an: galan-i, -a:s-e: doras-e; -ash, me të cilën në të folmet e Malësisë formohen forma të dyta të emrave vetjakë, kryesisht zbunime a nofka, si: Lulash, Mirash; -aza: g-jûjaza (gjunjazi); -esh(ë): sokole:sh, dasmore:sh, rrogtare:sh; -im; bashkim-i; -i:sh/ë: balish; -shim: hieshim; -ne:sh: burrne:sh, trimne:sh; -u:j: gërmusu:j (< gërmus “e kërrusur”); disa zbunime a nofka me prapashtesa të tjera: aç: Pjetraç; -ash: Lulash, Marash; -inë: Jozefinë; -ush: Hajrush; -oc: Bardhoc; -ul/ë: Hanulë; -ot: Malot; -uk: Hiluk; disa patronime e etnonime, me –ja: Gjeloshja, Martinja; -aj: Camaj; me kuptim zvogëlues: -i:cë: budalli:cë; -th: qokth-i, etj. etj., si dhe

– Fjalë të përbëra (me kompozim), me dy a më shumë gjymtyrë: babagjysh, bablok, bishtcubel-e, çehermadh “serioz, i rreptë”, emënharruom -e, faqerreshkun, flok-kaçurrel-e, gjakze:t, hûnshpatuk, skjepshpatuke, kryebabûne “kokëmadh”, kryepre:m, lkurtra:sh, trû:tra:sh, mjekërsjap, syzi, syrrush-e, nânba:be-ja; eufemizmi gjofterrfeja; patronimet: Lulgjuraj (Traboin-Hot), Gjuravçaj, Shabalukaj (Kushe-Hot), ; etnonimet: Bajrokurtaj, Ҫeskdedaj (Shkrel); Gegvata, Gegisen; Gjekmarkaj, Gjekmuçaj; Gjetodedaj, Uldedaj (Kastrat), Marlekaj, Leknikaj, Lekbibaj, Lekdush, -i; toponimet: Qafdashi (në Dedaj – Shkrel), Markatomaj (fshat në Lezhë); patronimi: Dyldoshaj-t ; ndajfoljet: kamkî:z, pardje, tepardje etj.

– Fjalë të përngjitura: ferrgomare, mbiemri kâmbajmak–e, shtatselvi:; etnonimet: Dedgjonaj, Lucgjonaj, Margjonaj (në pjesën e Malësisë në Mal të Zi), Marlekaj, Vuksalekaj (Hot), Leknikaj (Shkrel); patronimet: Markola, Marleka,Margjekaj, Marvukaj, Selgjiekaj (Koplik), Selhâni (Shkodër); toponimet: Nërshelivad/e-ja, Përtesadet (ara në Pjetroshan), Përterrugja (arë në Pjetroshan), Pibrrake, Pidrume; pasthirrmat: makeq-e-mâ, zi:-e-mazi: etj.

Në fjalor janë përfshirë edhe një numër i konsiderueshëm togfjalësha: me tërrnuo çehre “ndërron faqe, zbehet a zverdhet”, konil (kandil) bishtuk, e ka zanad ”e ka ves, e ka traditë”, a:rr zhigël “arrë pa bukë” etj., si dhe frazeologjizma të shprehur me një tërësi togjesh dhe thënie a shprehje të qëndrueshme, të pandashme nga ana leksikore, të njësishme, të mëvetësishme e gjithnjë të figurshme, si, p.sh.: Barku â i vllau i detit “barku është si deti”. E mushi/ bushi barkun. Ia bâj shpinën ma t’bu:t se barkun. Pëlhurës (stofit) shikoji anën, vajzës shikoji nanën. Mos u zêni si Na:rkajt për ullî t’ qiells! e të tjera si këto. Po përmendim këtu edhe nja 5 fjalë të palakueshme, siç i ka quajtur autori fjalët: pardan (pardon – me kuptimin kërkoj falje, kërkoj ndjesë), zbeh (gjë e papritur, surprizë e madhe: Jekjo punë në zbeh m’ka ra), razi (kandisem, pranoj, jap pëlqimin: Syni i zi: me razi:), telef (lodhem shumë, sfilitem), zap (e pengoj të veprojë e të kryejë punë të këqija: Ky kryetari i ri i ka bâ zap demelat).

Mbi 12300 zëra, të shtrirë në 1014 faqe të formatit 17 x 21 cm., të përmbledhur në fjalor, janë shënuar sipas shqiptimit në të folmet përkatëse, me shenjat diakritike që i njeh dialektologjia e shqipes dhe janë radhitur sipas alfabetit të gjuhës shqipe, pjesën dërrmuese nga të cilat e përbëjnë, siç kemi theksuar edhe më sipër: emrat, mbiemrat, foljet, ndajfoljet, pastaj pjesëzat dhe pasthirrmat, pa përjashtuar edhe ndonjë tip fjale tjetër më të rrallë.

Për hartimin e këtij fjalësi dhe nxjerrjen e shembujve për përdorim në ligjërimin e lidhur (të shkruar a të folur) janë shfrytëzuar një numër i madh burimesh, mbi 240 vepra shkencore, letrare, publicistike etj., dhe mbi 90 autorë anas nga Malësia dhe shkrime kryesore për të, të dhëna këto të cilat janë pasqyruar në bibliografinë përkatëse të fjalorit. Ndërkaq, si burime gojore (nga informatorët), autori i fjalorit përmend 58 vetë, “nga të cilët janë regjistruar tekste relativisht të gjata ose që kanë dhënë përgjigje në anketimet e kryera për mbledhjen e materialeve për studimet e të folmeve të Malësisë së Madhe” dhe 20 informatorë të tjerë “prej të cilëve kemi shënuar emra vendesh dhe emra njerëzish” thotë akademiku Gjovalin Shkurtaj.

Njësitë leksikore në këtë fjalor, janë paraqitur me 4 lloje shkronjash. Me shkronja të mëdha të kuqe (bold – fjalëve përfaqësuese); me të pjerrëta (italik-e, të pa nxira – akronimet ), për gjininë e emrit dhe për të treguar se ç’pjesë ligjërate janë ato fjalë, si dhe fjalët origjinale të shënuara si shembuj nga burime të caktuara; me shkronjë të vogël e të zezë (bold) është pikasur fjala që gjendet mes shembujsh, e me shkronja normale janë dhënë shpjegimet – domethënia e fjalës. Numri arab është vënë, pas pak fjalësh, kur fjala ka pasur më shumë se një kuptim, duke treguar se sa herë është përsëritur fjala e tillë, si njësi homonimike. Në fund të disa fjalëve të vjela është treguar edhe burimi i vendit të leksemës, por jo gjithnjë, sigurisht që të mos stërngarkohet fjalori me aq shumë emra fshatrash e qytezash, kurse autorët e vjetër dhe të tjerët, si dhe literatura nga është vjelë fjala, janë shënuar drejt dhe me saktësi të plotë. Po theksojmë edhe këtë se autori, në këtë fjalor, me theksin hundor ˆ mbi shkronjë, ka dalluar zanoret hundore (nazale), kurse ato të gjatat i ka shënuar me dy pika: pas zanores së gjatë, siç praktikohet zakonisht në studimet dialektologjike ose edhe te fjalorët e tjerë shpjegues të gjuhës shqipe dhe fjalorë të huaj.

Me këtë korpus voluminoz leksemash, shprehjesh, frazeologjizmash… që ka fjalori, të përzgjedhura e të trajtuara me sens nga autori, një punë titanike që edhe një ekip ekspertësh do t’ia kishte zili, na obligon të falënderojmë e përgëzojmë akademik Shkurtajn, me shpresë se do të na gëzojë edhe me ndonjë vepër tjetër nga fushat albanologjike që ai u del zot si rrallëkush tjetër. Edhe ne, e sigurisht se edhe Shkurtaj, e di se asnjë fjalor, sado i vëllimshëm që të jetë, nuk mund të përfshijë gjithë fjalësin e një areali a të një gjuhe, aq më parë kur dihet se njësi të tilla leksikore shtohen përherë, ngase gjuha nuk është një proces i përfunduar (një ergon), por (një energeia), strukturë e hapur në kuptimin modern sipas konceptit të Humboldit.

Në fund, na mbetet ta përgëzojmë dhe njëherë autorin për këtë kontribut të ri e shumë të rëndësishëm, i cili, jo vetëm veten, por e nderon edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, duke i shtuar varganit të veprave të saj e të tij edhe një vepër të madhe, një fjalor me mbi 12 300 leksema, që rrokin përmasat e mbi 1000 faqeve.

Në përmbyllje të këtij shkrimi modest, po shpërfaqim një amanet (paksa nostalgjik) të autorit, i cili Pasthënien e fjalorit të tij e përfundon “me një varg të këngës malësorçe, që thotë: “Kaq e dita, kaq e thaç, merrnje ju tie:rt, se jua laç“, e me të cilin varg e mendim ne nuk do të pajtoheshim kurrë. Unë do t’i thosha profesorit e mikut tim me plot gojë e zemër: Jo, profesor, jo! Ju na duheni ende neve e i duheni edhe më shumë gjuhës shqipe. Ju dhe profesor Emili do ta ndiqni rrugëtimin – jetëgjatësinë e akademik Ajetit, të cilin e keni dashur dhe për të cilin keni shkruar aq shumë, andaj, dashtë Zoti, jetofshi sa Ai e më shumë se102 vjetët e Tij! Ashtu qoftë!

Referencat kryesore:

1. Jashari, Prof. dr. Ali, Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe, ASHSH, Tiranë, 2020.

2. Shkurtaj, Gjovalin, Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe, Tiranë, 2021.

3. Shkurtaj, Gjovalin, E folmja e Kastratit, Studime filologjike, nr. 2, 3, Tiranë, 1967.

4. Shkurtaj, Gjovalin, Vëzhgime rreth të folmeve të malësorëve të Bregut të Matës, të Ishullit të Lezhës dhe të Ishullit të Shëngjinit, së pari, te Lissus I, f. 152, 172 dhe në formë më të gjerë te SF, nr. 4, Tiranë, 1972.

5. Shkurtaj, Gjovalin, E folmja e Hotit, DSH, II, Tiranë, 1974.

6. Shkurtaj, Gjovalin, E folmja e Kelmendit, DSH, IV, Tiranë, 1982.

7. Gjovalin Shkurtaj, E folmja e Rranxave të Mbishkodrës, DSH, IV, Tiranë, 1982.

8. Murati, Qemal, Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës, IA, Prishtinë, 2018.

9. Memishi, Prof.dr.Valter, Fjalë përurimi në Universitetin “F. S. Noli” për veprën “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe, ASHSH, Tiranë, 2020, të prof. dr. Ali Jasharit, Korçë, 19 prill 2021.

Fjalë e përgatitur për Seminarin “Shkodra në shekuj”, organizuar në Shkodër, më 12-13 dhjetor 2024, por që për shkaqe personale nuk isha i pranishëm.

Filed Under: Sociale

Pse Arthur Schopenhauer ishte i ashpër me njerëzit?!

December 30, 2024 by s p

Albert Vataj/

Arthur Schopenhauer, një nga filozofët më të njohur të pesimizmit, kishte një qëndrim të ashpër dhe shpeshherë mizantrop ndaj njerëzimit. Ai nuk “urrente” njerëzit në kuptimin emocional të fjalës, por i përçmonte për disa arsye filozofike dhe personale që buronin nga botëkuptimi i tij. Në vitet e fundit të jetës ai kishte për shoqëri vetëm qenin e tij, të cilin e kishte quajtur “Atma”, d.m.th. fjala sanskritisht (atman) ose brahmin (atma) që do të thotë “frymë jetike”, “thelb jetik” … domethënë gjithçka. që shumica e urrente dhe kundër të cilëve kishte shkruar «Bota si vullnet dhe përfaqësim». Mendoj se ishte ironike. Vajza e tij e vogël ishte mjaft agresive dhe ndaj bashkëqytetarët e quanin…Shopenhauer i ri! Thuhet se ai darkonte në Englischer Hof, një restorant i frekuentuar nga oficerë anglezë.

Para se të hante vendoste një monedhë floriri në tryezën përpara tij. Dhe e futi përsëri në xhep kur mbaroi. Një kamerier më në fund e pyeti kuptimin e asaj skene dhe ai u përgjigj se ishte një bast i heshtur me veten e tij. Pavarësisht se ishte ateist, ai do ta kishte lënë monedhën e arit në kutinë e dhurimeve të kishës më të afërt…Dhe do ta bënte këtë…ditën e parë që oficerët anglezë duke darkuar atje do të flisnin për çdo gjë tjetër përveç kuajve, grave dhe qenve.

Epo, shoh që pas 150 vitesh situata është e njëjtë: futbolli, femrat dhe makinat. “Ne heqim dorë nga tre të katërtat e vetvetes,” shtoi ai, “për t’u ngjajtur të tjerëve.

Një burrë mund të jetë vetvetja vetëm kur është vetëm.

Dhe nëse nuk i pëlqen vetmia do të thotë se nuk e do lirinë. Sepse ai është me të vërtetë i lirë vetëm kur është vetëm.”

Schopenhauer e konsideronte natyrën njerëzore si thellësisht egoiste dhe të pandryshueshme. Sipas tij, njerëzit janë të shtyrë nga “vullneti për të jetuar”, një forcë irracionale dhe e pandalshme që i bën ata të ndjekin interesat e tyre personale, shpesh në dëm të të tjerëve, por jo më pak edhe të vetes. Ai mendonte se jeta njerëzore është kryesisht vuajtje. Njerëzit kalojnë nga një dëshirë në tjetrën, duke mos qenë kurrë të kënaqur. Për më tepër, përpjekjet për lumturi shpesh përfundojnë në zhgënjim. Kjo i bëri Schopenhauer-in të besonte se njerëzit janë të paaftë për të ndërtuar një ekzistencë të lumtur dhe kuptimplotë.

Schopenhauer shpesh kritikon hipokrizinë, marrëzinë dhe sipërfaqësinë e shoqërisë njerëzore. Ai ndiente se shumica e njerëzve janë të interesuar vetëm për çështje triviale, si pasuria, fama dhe fuqia, duke lënë pas dore të vërtetat më të thella të ekzistencës.

Shkaku i mizantropisë së tij nuk është vetëm filozofik, por edhe personal. Marrëdhëniet e tij sociale ishin shpesh problematike. Ai pati konflikte të ashpra me nënën e tij dhe një jetë të vetmuar, duke ndikuar në qëndrimin e tij të përgjithshëm ndaj njerëzve. Schopenhauer u ndikua nga filozofitë lindore, të cilat theksojnë vuajtjen si një pjesë të pashmangshme të ekzistencës. Ai ndante idenë se largimi nga dëshirat dhe kontaktet njerëzore mund të çonte në një formë çlirimi nga vuajtja.

Mizantropia e Schopenhauer-it është një pasqyrim i filozofisë së tij pesimiste, që fokusohet në vuajtjen dhe absurditetin e jetës njerëzore. Megjithatë, ai gjithashtu e pranoi se ndjenja e dhembshurisë (çka ai quajti “baza e moralit”) është një nga rrugët e pakta për të kapërcyer natyrën egoiste të njerëzve.

Filed Under: Kulture

BE të heqë sa më parë sanksionet ndaj Kosovës dhe të kërkojë nga Serbia dorëzimin e Radojqiqit autoriteteve të Kosovës

December 30, 2024 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Për të përshkruar më gjerësisht këtë çështje dhe ilustruar me raste konkrete, është e rëndësishme të shqyrtojmë disa elemente kyçe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe situatën aktuale të Kosovës dhe Serbisë, duke i lidhur ato me sanksionet dhe dorëzimin e kriminelëve.

1. Sanksionet ndaj Kosovës:

Kosova është një shtet që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, dhe edhe pse është njohur nga mbi 100 shtete, shumë shtete, përfshirë disa vende të Bashkimit Evropian (BE), ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sanksionet dhe masat e tjera kundër Kosovës, si ato të vendosura nga disa shtete të BE-së, shpesh janë një reflektim i presioneve politike dhe diplomatike që vijnë nga Serbia dhe aleatët e saj, si dhe një pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në lidhje me statusin e Kosovës.

Një shembull i njohur i kësaj situate është mospajtimi i disa shteteve të BE-së, si Spanja, Greqia, Rumunia dhe Sllovakia, të cilat nuk kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, duke kontribuar në krijimin e një situate ku sanksionet ndaj Kosovës mbeten të njëanshme dhe të papajtueshme me politikën e BE-së për integrimin dhe stabilizimin e rajonit. Këto masat shpesh kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe diplomatik të Kosovës, duke e izoluar atë në arenën ndërkombëtare.

Ja disa nga shembujt:

• Mospajtime për njohjen e Kosovës nga disa shtete të BE-së dhe vonesat në hapjen e mundësive të integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si Komuniteti i Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Interpol etj.

• Sanksionet ekonomike dhe tregtare, të cilat janë shpesh pjesë e përgjigjeve ndaj vendimeve të Kosovës për të zhvilluar politika të caktuara, si p.sh. taksat për importet nga Serbia.

2. Rëndësia e dorëzimit të kriminelëve të luftës, si Milan Radojqiqi:

Milan Radojqiqi është një nga individët që është akuzuar për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë, dhe ai është një prej personave të kërkuar nga autoritetet kosovare për periudhën e periudhës së pasluftës. Serbia ka ofruar strehim për Radojqiqin dhe ka refuzuar ta dorëzojë atë për gjykim në Kosovë, duke e konsideruar atë si një “hero” të Serbisë. Ky lloj qëndrimi është një dëshmi tjetër e përpjekjeve të Serbisë për të mbrojtur individët që janë akuzuar për krime të rënda, që minojnë proceset e pajtimit dhe drejtësisë në rajon.

Një rast konkret është “Rumble in the Jungle” i zhvilluar në vitin 2014 në Serbi, ku ishte vënë re një përpjekje për të glorifikuar individë të përfshirë në krime, duke i paraqitur ata si viktima të një agresioni të huaj, ndërkohë që ata kishin kryer krime të rënda në Kosovë. Kjo është një formë e dëmshme e revisionizmit të historisë që nuk ndihmon as në zhvillimin e Serbisë si një shtet demokratik dhe as në krijimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

3. Përgjegjësia e Bashkimit Evropian:

Bashkimi Evropian, si një aktor kryesor në rajon, ka një përgjegjësi të madhe për të garantuar stabilitetin dhe për të siguruar që drejtësia të zbatohet. Deri më tani, ka pasur një qasje të ndarë dhe të paqartë nga BE në lidhje me trajtimin e Serbisë dhe Kosovës, duke shpesh toleruar politikën e Serbisë për të strehur individë të kërkuar për krime lufte, si Radojqiqi, pa marrë masa konkrete.

Evropa duhet të përballet me disa sfida të mëdha:

• Kthimi në një pozicion të qartë ndaj të drejtave të njeriut dhe drejtësisë ndërkombëtare. Sanksionet ndaj Kosovës dhe tolerimi i Serbisë për mbrojtjen e individëve të akuzuar për krime të luftës krijojnë një dëm të madh për procesin e pajtimit dhe integrimit evropian.

• Përmbushja e detyrave për Serbinë, e cila ka bërë premtime të qarta për të dorëzuar të kërkuarit, por vazhdon të hezitojë ta bëjë këtë, duke u përpjekur të ruajë ndikimin e saj në politikën ndërkombëtare. Çdo vonesë për të dorëzuar individët e kërkuar për krime lufte duhet të përballet me sanksione të forta.

Në këtë kontekst, është thelbësore që Bashkimi Evropian të heqë sanksionet ndaj Kosovës dhe të kërkojë nga Serbia dorëzimin e kriminelëve të luftës, si Milan Radojqiqi. Ky hap është i domosdoshëm për të avancuar paqen dhe për të siguruar drejtësinë për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë. Po ashtu, BE duhet të ndalë “shihjen nga larg” dhe të ndërmarrë veprime konkrete, duke e detyruar Serbinë të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe të mbështesë proceset e pajtimit dhe të drejtësisë në rajon.

Ky është një moment kritik për stabilitetin dhe integrimin e rajonit, dhe Evropa nuk mund të lejojë që heshtja e saj të përjetësojë padrejtësitë që vazhdojnë të ndikojnë negativisht në Ballkanin Perëndimor.

Filed Under: Opinion

REVISTA LETRARE “PENA” NË NUMRIN E SAJ TË 12-TË

December 30, 2024 by s p

Arjeta Kotrri

Dhjetor, 2024/

Revista letrare “Pena”, organ i “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, del para lexuesit në numrin e saj të 12-të në vitin 2024 me një përmbajtje të pasur. Kryredaktor i këtij numri është z. Adnan Mehmeti dhe redaktorë janë dr. Yllka Filipi, dr. Bexhet Asani dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri.

Siç tashmë jemi mësuar, revista vjen me një strukturë të konsoliduar, nga ku rubrikat: kritikë, poezi, prozë, intervistë, ese, kronikat e shoqatës etj., janë thuajse të gjitha pjesë e përmbajtjes së “Penës” pasi i gjejmë edhe në numra të tjerë të saj.

Në këtë numër, rubrika e kritikës hapet me shkrimin e ish-kryetarit të SHSHSHA-së, z. Mhill Velaj me titull “Parajsa shpirtërore e dashurisë e shndërruar në art poetik”, një recension mbi vëllimin poetik “Paradigma e parajsës” i shkrimtarit të mirënjohur shqiptaro-amerikan, Gjekë Marinaj.

Në të njëjtën rubrikë është përfshirë një fjalë rasti e shkurtër, e përgatitur nga studiuesja dhe shkrimtarja, dr. Yllka Fillipi me rastin e promovimit të librave: “Fuqia e fjalës së Adnan Mehmetit” me autor Namik Selmani dhe “Poezia e Adnan Mehmetit” me autorësi të dr. Besim Muhadrit, promovim i cili u zhvillua në janar të këtij viti në Stamford.

Në këtë numër të “Penës”, poezia si zhanër na vjen përmes krijimeve të Premisa Kërthit, me poezitë: “Të panjohurën e bëra mike”, “Unë me bindje do të fitoj”, “Kush tha!”, “Mos prit gjë”; të Aurel Naqit me poezitë: “Sytë”, “Më thua shpesh”, “Fotografia”, “Pres të zgjohesh”, “Fanitje”, “Më duaj këtë mbrëmje”, “Ti botën time s’e kupton”, “Sa gjëra mban fshehur një grua”; të Nexhmedin Sylës me poezitë: “Vdis para se të të lërë ajo”, “Kafe pa ty”, “Atë ditë”, “Dhe prap të dua”, “Emocion lirik”; si dhe të Azgan Berbatit me poezitë: “Dehje”, “Tektonika e shpirtit”, “Mungoj”, “Kohë vetmish”, “Është një zog”. Vlen të përmendet që, e gjithë rubrika e poezisë në këtë numër të “Penës” vjen e plotësuar nga krijimet e shkrimtarëve që sapo janë anëtarësuar në “Shoqatën e Shkrimtarevë Shqiptaro-Amerikanë”, prandja ju urojmë atyre suksese të mëtejshme në krijimtari.

Ndërsa, proza na vjen në këtë numër të 12-të të revistës vetëm me një autor: Sami Mulaj me tregimin “Një tortë, dy puthje”, i cili flet për përplasjen mes të shkuarës dhe të tashmes dhe triumfin e dashurisë në fund.

Publicistja dhe shkrimtarja Raimonda Moisiu-Sade vjen tek lexuesi i “Penës” përmes një interviste që ajo ka dhënë për zonjën Marjana Zeneli Bulku, krijuese dhe publiciste. Në këtë bashkëbisedim, kemi mundësi të njihemi edhe më shumë me qasjen e znj. Moisiu-Sade ndaj letërsisë, procesit krijues dhe kritikës si dhe sfidave të reja me të cilat ndeshet arti sot në përgjithësi. Kjo intervistë është dhënë në janar të vitit 2024 dhe është marrë nga libri “Një jetë, disa histori”, me autore Marjana Zeneli Bulku.

Rubrika e esesë në këtë numër përfaqësohet nga studiuesi dhe shkrimtari dr. Bexhet Asani me shkrimin e tij me titull “Mitrush Kuteli i Pogradecit dhe Mitrush Kuteli i Strugës”, si dhe me nën titullin “Gjuha shëruese e liqenit”.

Në faqet 47 dhe 48 të revistës, lexuesi ka mundësi të informohet dhe të mësojë pak më shumë mbi profilin e fitueses së çmimit “Nobel” në letërsi, e cila është pikërisht Han Kang, një shkrimtare koreano-jugore.

Pavarësisht arritjeve dhe hapave të suksesit që SHSHSHA-ja dhe anëtarët e saj kanë arritur gjatë 2024-ës, po këtë vit patën edhe momente të trishtueshme nga humbje të mëdha. Kryesia e SHSHSHA-së njofton për ndarjen nga jeta të shkrimtarit më të njohur shqiptar Ismail Kadare, si dhe dy anëtarëve të shoqatës, profesor Sami Repishtit dhe Agim Dëshnicës. Presidenti i shoqatës, z. Adnan Mehmeti udhëtoi nga SHBA për në Shqipëri për të bërë homazhe në lamtumirën e fundit organizuar në Tiranë për Kadarenë.

Po për këtë ngjarje, znj. Keze Kozeta Zylo vjen me shkrimin-homazh dedikuar Kadaresë: “Iku në përjetësi shkrimtari i shquar botëror Ismail Kadare”.

Për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Agim Dëshnica, shkrimtari Visar Zhiti na jep ndjesinë e tij me pak fjalë dhe zgjedh ta kujtojë atë përmes vetë poezisë së Dëshnicës, atë me titull “Dëgjoj, një zë sjell oqeani”. Për humbjen e profesor Repishtit, Visar Zhiti shkruan se “ikja e tij është dhe ardhje” dhe e quan Sami Repishtin “një president moral të shqiptarëve”.

Me kënaqësi konstatojmë se rubrika e kronikës në numrin e 12-të të revistës “Pena” është goxha e pasur por edhe e larmishme. E quajmë mjaft të rëndësishme këtë rubrike dhe tejet funksionale, sidomos për anëtarët e rinj të Shoqatës apo për një lexues me interesa më të thelluara sa i takon krijimtarisë që zhvillohet në diasporë apo për ‘ndërtimin’ e një historiku për “Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”.

Në janar të këtij viti u bë promovimi i librit “Paradigma e Parajsës”, me autor Gjekë Marinaj. Dr. Sadik Elshani sjell një kronikë të kësaj ngjarjeje letrare të zhvilluar në Philadelphia në selinë e shoqatës “Bijtë e Shqipes” duke e titulluar: “Poeti Gjekë Marinaj solli magjinë e poezisë te ‘Bijtë e Shqipes’”.

Po në janar, por këtë herë në Stamford, CT u bë promovimi i dy librave kushtuar krijimtarisë së Adnan Mehmetit, pikërisht: “Poezia e Adnan Mehmetit” me autor dr. Besim Muhadri si dhe “Fuqia e fjalës e Adnan Mehmetit” me autor Namik Selmani. Për këtë aktivitet, Kastriot Fetahu sjell kronikën dhe kumtesën me titull “Shoqata e Shkrimtarëve promovon botimet për Adnan Mehmetin”.

Janarit të pasur me aktivitete për vitin 2024, i shtohet edhe promovimi i krijimtarisë së shkrimtares Sabije Dervishi Veseli, promovim i cili u zhvillua në selinë e “Vatrës” në Bronx NY, organizuar nga “Vatra” dhe pasqyruar si aktivitet nga editori i gazetës “Dielli”, Sokol Paja.

Në prill të vitit 2024 u zhvillua panairi i tretë i librit shqip në SHBA. Një kronikë për këtë ngjarje të rëndësishme letrare e sjell Arjeta Kotrri, e cila për titull ka vendosur një fjali të shkrimtarit Visar Zhiti, artikuluar gjatë fjalës së tij të rastit në këtë ngjarje kulturore: “Gjuha është atdheu i shkrimtarit”. Lexuesi i “Penës” ka mundësi ta lexoje fjalimin e plotë të shkrimtarit Visar Zhiti, mbajtur në këtë panair, të cilin e ka titulluar “Në panairin e librit-shtëpia, në shtëpi-panairi i librit” dhe e hap me këtë togfjalësh: “Të dashur libra!” Për lexuesin e interesuar të njihet me kumtesat e plota që janë mbajtur gjatë panairit të librit, Shtëpia Botuese “Adriatic Press” ka mundësuar publikimin e një suplementi të revistës “Pena” kushtuar vetëm këtij panairi, shoqëruar edhe me një album fotografik.

Në mbarim të panairit të librit, u zhvilluan edhe zgjedhjet për kryesinë e re të “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”. Presidenti i SHSHSHA-së, z. Adnan Mehmeti vjen me një kronikë të shkurtër për këtë ngjarje, shoqëruar me biografinë e kryetares më të re të përzgjedhur, dr. Yllka Filipi. Me rastin e zgjedhjes si kryetare e shoqatës, poetja dhe studiuesja dr. Yllka Filipi mbajti një fjalim që e kishte titulluar: “Libri shëron, afron lutjet dhe përqafon dritën” dhe vjen i plotë në revistën “Pena”.

Për anëtarësimet e reja në SHSHSHA na njeh z. Mhill Velaj me shkrimin “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë pasurohet me prurje të reja e personalitete të shquara të artit e kulturës”, ku prezanton anëtarët më të rinj me nga një biografi dhe foto të secilit. Bëjmë me dije se anëtarët më të rinj të SHSHSHA-së janë: Nexhmedin Syla, Gjon Frani Ivezaj, Eva Dori, Aurel Naqi, Sami Mulaj, Nosh Mernacaj dhe Azgan Berbati.

Në faqet në vijim të revistës “Pena”, lexuesi njihet me aktivitetin e zhvilluar në Prizren për librin “Në rrënjët hasjanë të shkrimit shqip”, botuar në SHBA nga “Adriatic Press”, me autor Mëhill Velajn, libër ky kushtuar studiuesit Besim Muhadri. Hyrë Tejeci sjell një kronikë të detajuar të këtij promovimi dhe përmend që ky libër është botuar pikërisht me rastin e 60-vjetorit të lindjes se profesorit Besim Muhadri dhe 30-vjetorit të botimit të librit të tij të parë.

“Libri në gjuhën shqipe edhe në bibliotekën e Garfieldit”, përgatitur nga dr. Yllka Filipi, është një kronikë e pasur ku pasqyron detajet dhe rëndësinë e këtij aktiviteti për librin në gjuhën shqipe. Ky organizim për mbledhjen dhe dhurimin e librave shqip bibliotekës së Garfield-it u bë i mundur nga “Albanian Alliance of New Jersey” (“Aleanca Shqiptare e New Jersey-t”), nën kujdesin e drejtuesve të saj të palodhur Alban Gaba dhe Arjana Fetahu Gaba.

“Letërsia e pranguar e Sami Repishtit” me autore Emrije Krosi u promovua në “Vatër”, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Adriatic Press”. Fjala e rastit e presidentit të SHSHSHA-së, z. Adnan Mehmeti për këtë aktivitet publikohet e plotë në këtë numër të revistës “Pena”.

Për promovimin e dy veprave të autores Age Gjokaj Ivezaj, konkretisht romanin “Kush na mallkoi?!” dhe përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe shpresë”, na sjell një kronikë nga Tuzi i Malit të Zi, dr. Bexhet Asani.

Në shtator të vitit 2024 u zhvillua një simpozium historik me rastin e 100-vjetorit të kryerjes së misionit diplomatik të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1920-1924). Në këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën shqiptare, morën pjesë me kumtesat e tyre kryetarja dhe nënkryetarja e SHSHSHA-së, përkatësisht, dr. Yllka Filipi me shkrimin “Fan Noli mes Shqipërisë dhe Amerikës. Maratona publicistike, simbol i vetësakrifikimit për hir të interesave kombëtare” si dhe Arjeta Kotrri me shkrimin “Prania e ‘Albumit’ tek lexuesi shqiptar”. Lexuesit e “Penës” do të kenë mundësi të lexojnë edhe kronikën e këtij simpoziumi të përgatitur nga editori i gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja: “Diplomacia e Imzot Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve u përkujtua në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York”.

Nga atmosfera e përurimit të dy librave më të fundit të shkrimtarit dhe studiuesit dr. Bexhet Asani në Strugë (“Motra e diellit. Prozë popullore nga rajoni i Strugës” si dhe “Grimca letrare. Studime, recensione, skica, portrete”), na sjell përjetime të sajat znj.Mimoza Elezi ndërsa një kumtesë për librin “Motra e diellit” vjen nga z. Kristaq F. Shabani.

Shkrimtari Vlashi Fili u nderua me çmimin për letërsinë “Artium Mundus Prize 2024”. Laver Niku na sjell një kronikë të detajuar mbi këtë ngjarje kulturore dhe një vështrim mbi jetën dhe veprimtarinë e Vlashi Filit. Në këtë numër të “Penës” lexuesi ka mundësi të lexojë të plotë fjalën e rastit të shkrimtarit Gjekë Marinaj për dorëzimin e çmimit “Artium Mundus” shkrimtarit Vlashi Fili.

Në këtë numër të revistës, lexuesi ka mundësi të lexojë edhe një kronikë për vitin 2024 të shkrimtarit Visar Zhiti, nga takimet e organizuara për të, promovimet, çmimet e marra, etj.

“Veprimtari dinjitoze te “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia”, përgatitur nga dr. Sadik Elshani është kronika që mbyll numrin e 12-të të revistës “Pena”. Në këtë kronikë, z. Elshani na informon më në detaje për promovimin e veprave të autorit Hys Hasa botuar në harkun kohor 2022-2024.

Ndërsa jemi në fund, le të kujtojmë moton e SHSHSHA-së:

“Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.

Filed Under: LETERSI

TRIPTIKU KADAREJAN PËR KOSOVËN

December 30, 2024 by s p

Kosta Nake/

Novela “Krushqit janë të ngrirë”, Tiranë 1981 – 1983

Pas romanit “Dasma”, kjo është vepra e dytë e Ismail Kadaresë që gjithçka e vendos në një segment kohor prej dy – tre ditësh dhe synon të hedhë dritë mbi dhunën e egër të ushtruar nga forcat policore serbe mbi studentët që kërkonin Kosovën republikë, të demaskojë përpjekjet e organizmave politike që donin të shfokusonin vëmendjen e opinionit publik brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë. Në fillim të viteve ’80 Kosova për shumicën e shqiptarëve brenda Shqipërisë ngjante me një planet të largët.

Natën e 31 marsit 1981 në spitalin e Prishtinës i jepet ndihmë studentëve të plagosur, por zhduket libri i tyre. Ky është shkaku që të lajmërohen mbledhje të njëpasnjëshme diferencimi dhe akuzat e serbit Kostiç bien mbi kirurgen Teuta Shkreli e cila është njëkohësisht shefe pavioni. Kjo ka bërë që Kadare ta organizojë materialin në trajtën e një polemike, pastaj e plotëson me ringjalljen e monstrave të Rankoviçit – Dobrilla, Vlladani dhe Jovica, që jo vetëm janë kundër zbutjes së klimës me shqiptarët, por dhe mezi presin hapjen e dosjeve. Ka dhe një pozicion luftarak nga angjencia TANJUG dhe ngjarjet kulmojnë me hedhjen e një bombe në ambasadën jugosllave në Tiranë.

Ngrirja shekullore e krushiqve mes dy popujve që këqyret nga studiuesi Martin Shkreli – bashkëshort i Teutës, dukej sikur po zbutej simbolikisht me dashurinë mes Shpend Brezftohtit dhe Mladenka Markoviçit, por ajo akullohet sërish nga kjo përplasje dhe po simbolikisht konkludohet si e pamundur me vrasjen pas shpine të tij; siluetat e dy të rinjve në një mbrëmje pas trungjeve të pemëve mbeten thjesht një iluzion i gabuar i Martinit. E shkruar më shumë se 40 vjet më parë, novela e kthyer tashmë në roman, ruan vlera edhe për të sotmen.

Libri “Tri këngë zie për Kosovën”, Tiranë 1998

Kadare na kthen gjashtë shekuj pas, më 28 qershor 1389, kur një aleancë ballkanike e krishterë e përbërë nga serbë, boshnjakë, shqiptarë e vllehë u thye prej ushtrisë otomane të Sulltan Muradit në një kasaphanë njerëzore që vazhdoi për dhjetë orë. Janë tri novela me një ekonomizim të jashtëzakonshëm të fjalëve, siç mund ta bëjë vetëm Kadareja. Dy popuj që jetojnë në armiqësi prej qindra vitesh, bashkohen kundër një rreziku më të madh në betejën e Fushë Kosovës, por atë që arrin ta bëjë turku, nuk e përtyp dot urrejtja e bluar aq gjatë. Rapsodët shqiptarë dhe serbë vazhdojnë refrenin e lashtë:

“O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët”,

“Ngrehuni burra, se po ia behin shkjetë!”

Gjetja më e bukur, sa artistike aq edhe ideore, është udhëtimi i detyruar pas disfatës i lahutarit shqiptar Gjorg Shpendi me rapsodin serb Vladan drejt kancelarive europiane, demonstrimi i folkut ballkanik dhe vazhdimi i avazit të vjetër.

Gjetja e dytë është monologu i gjakut të Sulltan Muradit derdhur dhe mbetur në Fushë Kosovë. Shkojnë vite, ai ndjehet i shpërfillur dhe, çuditërisht, kur dëgjon zhurmën e afrimit të forcave ushtarake, ato nuk janë turke, por ballkanase në një kacafytje të re. Sulltanin e ka zëvendësuar Sllobodani me thirrjet histerike për genocid ndaj shqiptarëve. Tri mijë vjet më pas qytetërimi ballkanik rinxori thonjtë e barbarisë me një milion shqiptarë të dëbuar nga trojet e tyre, me pesëmbëdhjetë mijë viktima, me dy mijë e katërqind luftëtarë të vrarë, me pesë mijë njerëz të zhdukur.

Sot, si gjashtëqind më parë, si njëzet vjet më parë, Gjorgu dhe Vladani janë të detyruar të përshkojnë të njëjtën udhë. Do ta rikujtojnë refrenin me kushtrimin e rrezikut? Do këndojnë sërish:

“O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët”,

“Ngrehuni burra, se po ia behin shkjetë!”

Libri “Mbi krimin në Ballkan – Letërkëmbim i zymtë” Tiranë 2011

Jo vetëm gratë, por edhe perandorët shikohen në pasqyrë. Kur rruhen, kur kontrollojnë kravatën e qendërzuar, kur ndonjë tufë flokësh ka dalë jashtë rreshtit, kur provojnë syzet e reja optike. Por këtë herë është fjala për të hedhur një sy te pasqyra e veprave se mos ka ndonjë hapësirë që ka shpëtuar në morinë e angazhimeve. Dhe pa e hequr pardesynë e shkrimtarit, i kthehet çështjes kombëtare duke u futur në tregun e rrëmujshëm të politikës. “Mbi krimin në Ballkan” është një përzgjedhje e fokusuar te fati i Kosovës para dhe pas genocidit serb. Vetë autori e ka ndarë në tri pjesë që paraprihen nga një hyrje analitike.

Te hyrja Kadare nënvizon se diplomacia shqiptare duhet të jetë përherë aktive, pasi diplomacia dhe media serbe janë duke prodhuar një kundër-rrymë antishqiptare që peshën e fajit ta ndajnë, ose ca më mirë t’ua hedhin shqiptarëve që heshtin. Si në Shqipëri dhe në Kosovë politikëbërësit janë prekur ka tre lloje korona virusesh: etja për pushtet, etja për para, etja për lavdi. Përplasja me serbët nuk siguron asnjë nga këto të trija. Pastaj përdhunimi në masë i grave shqiptare ka mbetur një kafshatë e hidhur nga ato të Migjenit.

Në pjesën e parë janë letrat që u dërgohen disa prej personaliteteve më të larta të botës Xhorxh Bush, Fransua Miteran, Vacslav Havel, Papa Gjon Pali II, Zhak Shirak si dhe përfaqësuesve shqiptarë në Rambuje; kjo jo vetëm i bën nder Kadaresë, por tregon edhe përmasat e personalitetit të tij.

Në pjesën e dytë është intervista që Kadare i ka dhënë gazetarit Aleksandër Çipa. Ideja më e guximshme e tij është mundësia e pajtimit të shqiptarëve dhe serbëve, një largpamësi që e provoi koha. Bën një shpjegim për librin e vet “Krushqit janë të ngrirë” si dëshmia e parë dhe e vetme artistike e një masakre të papërfytyrueshme në zemër të Europës. Ai tund sërish kambanat e alarmit se në Shqipëri janë shtuar të lajthiturit që shesin mend dhe dalin shesheve mediatike me pallën e kritikës, se “marrëzia po përparon çdo ditë duke ia zënë vendin normalitetit”, se “Shqipëria është kthyer sot në vendin më të çoroditur të Europës.” (f.85)

Në pjesën e tretë autori citon faqe nga ditari i vet ndërkohë që zhvilloheshin bisedimet e Rambujesë. Me guxim ka bërë çmitizimin e figurës së Adem Demaçit dhe tendencave për të ngritur në piedestalin e heronjve kombëtarë Mandelat e Europës. Jo vetëm për këtë rast, heronjtë duhet të përcaktohen nga mbrojtja e interesave të atdheut nga të huajt dhe jo nga përplajset e dyshimet politike mes shqiptarëve.

Duke iu kthyer figurave të sotme politike në Shqipëri e Kosovë, Kadare analizon krekosjen e tyre (dhi e zgjebur bisht përpjetë – e përkufizon populli ynë) me maturinë dhe përulësinë që kanë treguar figurat kryesore historike të popullit shqiptar.

Edhe pse Shqipëria e mori ftesën për anëtarësim në BE duke i dhënë fund mëdyshjes “Ku do shkojë Shqipëria, po e braktisi Europa dhe SHBA?” përsëri libri ka interes jo vetëm për të portretizuar në mënyrë më të plotë Kadarenë, por edhe për të kuptuar disa qasje antishqiptare jashtë dhe brenda Shqipërisë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT