• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

“5 kërcënimet kritike për ardhmërinë Euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë dhe Kosovën”

December 30, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj, mesazhe nga Washington, USA/

Me statusin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s (pra pa asnjë funksion zyrtar), por më shumë se kurrë më parë i privilegjuar, që isha “i ftuar nderi” nga Instituti i Senatorëve Republikanë McCain & Mark Kirk, Instituti Amerikan për Leadershipin, si dhe Qëndra për Çështjet Globale dhe USA-ICC në Chikago (në datat 15-20 Dhjetor 2024)!

Përveç takimeve me Senatorë dhe Ekspert të Armed Services Committee, përfshi Kryetarin e sapo-nominuar (që merr detyrën në 03/01/2025), Senatorin Republikan Roger Wicker, pata nderin (suprizën e vizitës) të merja pjesë edhe në Sallën e Mbledhjeve të Senatit (Senate Chamber) gjatë diskutimeve për buxhetin e mbrojtjes 2025 (që ështe edhe eksperienca & ekspertiza ime bazë). Gjithashtu zhvillova takime me Z.Paul McCarthy, drejtor i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (sigurisht përfshi R.Sh/Kosovë) si dhe takime me Expert, gjeneral/koleg dhe miq për/me të cilët kam patur privilegjin të punoj ndër vite!

Në takimet e sipër përmendura, pata privilegjin të ndaja përmbledhje mbi: “historinë e përrgjakshme; arritjet, sfidat dhe shpresat nga Trump -2 për paqen, stabilitetin demokratik dhe ardhmërinë euro-atlantike të 6 Ballkanit Perëndimor”. [English = The bloodshed history; straggling achievements, the threats and challenging future of Western Balkan, by taking into consideration at least my hopes from the elected President Trump during his second term”] !

I. Në vijim gjeni përmbledhje të shkurtër mbi: “5 kërcënimet kryesore dhe 5 mesazhet bazë për paqen e qëndurueshme dhe stabilitetin demokratik të 6 vendeve të Ballkanit Perendimor, përfshi Kombin tim me dy shtetet sovrane”, që ndava dhe përcolla në këto takime:

Kërcënimi nr. 1: përtej paranojave bolshevike të përjetësisë së pushtetit, apo që fajin gjithmonë e kanë 100 % armiqtë e jashtëm Moska, Pekini, etj, në koordinim me armiqtë e brendshëm (opozita e radhës), të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë (fatkeqësisht) edhe Kombin tim, në të 2 shtetet (Republika e Shqipërisë dhe Kosovës), i gjej të pushtuara, nga “shtetet e dështuara si dhe demokracia burokratike; privatizimi i partive politike dhe listës së të emëruarve në Kuvend; korrupsioni i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë; interesat e oligarkisë së nënëdheshme dhe krimit të organizuar; axhenda e ekstremistëve dhe e sovranistëve folklorik si dhe mungesa e besimi të qytetarëve te zgjedhjet e lira, demokracia funksionale dhe ardhmëria Euroatlantike”.

Kërcënimi nr. 2: riciklimi burimeve të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore në Ballkanin Perëndimor (RSh, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mal i Zi, Serbi dhe Bosnje – Hercegovina), produkt jo vetëm i “hartës së padrejtësive ndaj kombit tonë” dhe aleancave historike pas 2 luftërave botërore (1918/1945) por edhe shpërdorimit folklorik të arritjeve si dhe oportuniteteve gjeopolitike pas luftës ballkanike si dhe çlirimit të Kosovës (1999);

Kërcënimi Nr. 3: rikthimi i frikshëm te gara e armatimeve (ballkani fuçi bariuti…) si dhe “heshtja e kancelarive si dhe burokracisë diplomatike” për armatosjen (deri në dhëmbë) të Serbisë së Vuçiçit me armatime të gjeneratës së fundit (Mig-29; Rafale, raketa dhe drone vrasës … !!), mbetet kërcënim Nr.1 jo vetëm ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës (njëherësh trupave të KFOR/NATO!) por dhe për bashkëjetesën paqësore, stabilitetin demokratik si dhe ardhmërinë euro-atlantike të qytetarëve të Ballanit Perëndimor, pra për Serbët, Boshnjakët, Malazesët, Maqedonasit dhe Shqiptarët!

Kërcënimi nr. 4: interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan dhe Adriatik si dhe përpjekjet dëshpëruese për të hapur një front lufte në rajon mbas sulmit neo-Nazist ndaj sovranitetit të Ukrainës (shkurt 2022); makthet e z. Vućić (ministrit të Millosheviçit) për t’ju rikthyer opsionit të luftës gjakatare, pra ndryshuar me fuqinë e armëve/ushtarakisht të kufijve ndërshtetërore të Rajonit; krimi organizuar si dhe Dodik-ëve të korruptuar jo vetëm në Banjs Luka, mbeten këmbanë ulëritese jo vetëm për Ballkanin Perëndimor!

Kërcënimi nr. 5: përpjekjet pragmatike për supermaci gjeo-ekonomike të Kinës Popullore, por edhe mungesa e kohezionit mes vendeve të BE për paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme në Ballkan; zgjimi e aleancave historike (rasti Francës që i shet Serbisë 12 avionë Rafale me vlerë 3 miliard Euro etj) si dhe pafuqia e proçedurave burokratike e BE.

II. Në vijim gjeni edhe 5 mesazhe ose këshilla respective që ndava në këto takime:

Mesazhi ose misioni Nr 1: domosdosmëri kritike për t’u përballur dhe mundur këtë “bandë politikanësh me kollare perëndimore” që jo vetëm kanë pushtuar, privatizuar dhe poshtëruar Institucionet politike, shtetërore dhe Kombëtare, por bashkë më këto, kanë vjedhur pronat, votat, integritetin, besimin dhe shpresat te ardhmëria euro-atlantike e rajonit, përfshi dhe në të 2 vendet të kombit tim të bekuar.

Mesaazhi Nr 2: STOP rikthimit te gara e armatimeve vrasëse, por nënshkrimi i një platforme rajonale të shoqëruar me një paketë me zhvillimim e projekteve dhe masave të bashkëjetesës paqësore dhe masave të mirëbësimit reciprok ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor !

Mesazhi Nr. 3: mbetet domosdoshmëri një vlerësim strategjik i rreziqeve rajonale (RSDR) nga USA/NATO si dhe “imponimin” e Beogradit Zyrtar se: “(1) do të ruajë balancat e fuqisë dhe aktiviteve ushtarake sulmuese [ndërsa nuk kërcënohet nga askush], pra me Tanke, Mig -29, Rafale (francez), raketa vrasëse dhe dronë të gjeneratës së fundit (Ruso-Kineze), etj, deri në masën që të mos kërcënojë fqinjët (posaçërisht sovranitetin e Republikës së Kosovës); ndoshta edhe (2) rikthimin e Marrëveshjes së Kumanovës (06/1999), që: “nuk do të lejohen instalime dhe as aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësore), në kufijtë ndërshtetërorë“.

Mesazhi Nr. 4: përkundër dezinformimeve cinike kundër Presidentit Donald Trump si dhe oshilacioneve Staliniste në Kremlin, Beograd, etj, mbetem shpresëplotë që “marrëveshja e Paqes e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nën përkujdesjen e Trump-1” por edhe më e përmirësuar* (pa pandorën e kufijve mes 2 vendeve sovrane, Kosovë-Serbi), do të imponohet nga Presidenca Trump-2, e shoqëruar me një: “investime gjeostrategjike si dhe njohje të reja si rasti i Izraelit në Shtator 2020”, ndërkohë që kujtoj se asnjë njohje e re për Kosovën gjatë Presidencës Biden !?

Mesazhi nr 5: keqardhje në mos neveri për sovranizmat folkloriko – bollshevike, pasi pa mirënjohjen dhe prezencën e çlirimtarëve (USA/NATO) nuk mund të ketë paqe, stabilitet demokratik dhe ardhmëri Euro-atlantike për vendet e Rajonit, përfshi RSh dhe Kosovën!

Mesazhi përmbyllës: duke kujtuar mesazhin ulëritës të Holokausit “falni por mos harroni”, besoj edhe më fort se përtej hijenave të urrejtjes shekullore, zgjimit të oshilacioneve të Kremlinit, rikthimit te gara e armatimeve vrasëse, demokracisë burokratike, krimit të organizuar, axhendës së politikanëve të korruptuar, etj zhvillimi i masave të bashkëjetesës paqësore mes popujve, demokracia funksionale dhe ardhmëria Euro-Atlantike mbetet opsioni dhe misioni i vetëm edhe për 6 vendet e Ballkanit perëndimor !

Në shtesë, duke falënderuar me mirënjohje organizatorët për privilegjin, si dhe 10-ra mijëra kolegë/ushtarakë, intelektualë, patriotë mendjehapur si dhe qytetarë të zakonshëm në të gjithë hapësirën kombëtare për konsideratat inkurajuese përgjatë angazhimit 15 viteve të fundit, më duhet të garantoj, se gjithçka kam bërë përfshi edhe këtë oponencë të detyruar në DC, nuk janë kurrsësi arsye për t’u gjunjëzuar para kësaj elite politike të (vetë) diskredituar por motiv edhe më i fortë për t’u përulur ndaj përgjegjësive dhe për t’u përballur me këtë realitet të pluralizmit fasadë, demokracisë burokratike, si dhe shtetit së kapur nga babëzia për të vjedhur; mungesa balancave demokratike si dhe fuqia e mbipushtetit.

Me këtë rast, konfirmoj publikisht angazhimin tim politik në zgjedhjet e 2025, ndërsa po ashtu mbetem ushtar i së djathtës moderne, ku: “Familja, Atdheu, Zoti, liria, vota, siguria, prona, tregu, dinjiteti, interesat kombëtare, balancat e pushteteve dhe orientimi euroatlantik”, mbeten vlera, shpresa dhe misioni ynë i përbashkët që Shqipëria, të bëhet si gjithë Europa, edhe për inat të leader-ve dështakë, politikanëve zullumqarë, shtetarëve kusarë si dhe sekserëve të gjithëpushteteve që kanë pushtuar, vjedhur dhe sundojnë Shqipërinë edhe në 34 vitet e fundit.

* Gjeneral ® Piro AHMETAJ:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut;

Anetar i Bordit të Izrael House, si dhe ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

Presidentja Vjosa Osmani: Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar

December 30, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar.

Sot nderojmë dhe përulemi me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut.

30 dhjetori është një datë që mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij, të cilët më 30 dhjetor 1991 zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb. Kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt guximi që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtet. Atyre ju bashkuan me mijëra burra e gra, të cilët i dolën zot atdheut në kohët më të rënda, duke u shndërruar kështu në emblemë të shtetit tonë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së!

Filed Under: Histori

Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter, vdes në moshën 100 vjeçare

December 30, 2024 by s p

“Zëri i Amerikës” – 29 dhjetor, 2024

  • Kane Farabaugh

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter vdiq të dielën në moshën 100 vjeçare. Presidenti më jetëgjatë amerikan vdiq në shtëpinë e tij në qytetin e vogël Plains të Xhorxhias, ku ai dhe gruaja e tij, Rosalynn, e cila vdiq në moshën 96 vjeçare në nëntor 2023, kaluan pjesën më të madhe të jetët e tyre, njoftoi Qendra Carter.

“Themeluesi ynë, ish-presidenti i SHBA-së Jimmy Carter, ndërroi jetë këtë pasdite në Plains të Xhorxhias”, tha qendra në një postim në lidhje me vdekjen e tij në platformën e mediave sociale X. Në deklaratë thuhej se ai vdiq i qetë, i rrethuar nga familja e tij.

Pas një mandati në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, u angazhua për kauza të ndryshme nga shëndetësia tek demokracia globale dhe të tjera.

Kur Jimmy Carter bëri betimin më 20 janar të vitit 1977, ai premtoi një “qeverisje të mirë, ashtu si populli amerikan”.

Presidenti Jimmy Carter, Fjalimi inaugurues i vitit 1977

“Nuk mund të ketë detyrë më fisnike dhe më ambicioze për Amerikën, në këtë ditë të një fillimi të ri, sesa të ndihmojë formimin e një bote të drejtë dhe paqësore”, tha ai.

Një bote që ai vazhdoi t’i kontribuojë përtej mandatit të tij të vetëm në Shtëpinë e Bardhë, duke u bërë laureat i Çmimit Nobel për Paqe. Ai është themelues i qendrës Carter, një organizatë globale jofitimprurëse, misioni i së cilës është “përhapja e paqes dhe shpresës, si dhe luftimi i sëmundjeve”.

“Punën e Qendrës Carter e shoh si vazhdimësi të asaj që u mundova të bëja si president”, tha ai më 2007.

Zoti Carter lindi në Plains të Xhorxhias më 1924. Ai u diplomua nga Akademia e Marinës amerikane më 1946, duke shërbyer si oficer nëndetëseje para se të kthehej në Plains më 1953 për të drejtuar fermën e familjes pas vdekjes së babait të tij.

Ish-presidenti hyri në politikë gjatë lëvizjes për të drejtat civile të viteve 1960. Ai shërbeu dy mandate si ligjvënës në Xhorxhia para se të bëhej guvernator i shtetit më 1971.

“U them sinqerisht se koha për diskriminimin racor ka mbaruar”, tha ai në fjalimin gjatë inaugurimit të tij si guvernator i Xhorxhias më 1971.

Ai u bë nga një guvernator jo shumë i njohur i jugut më 1971, në kandidatin fitues të zgjedhjeve presidenciale më 1976, pasi mposhti me rezultat të ngushtë republikanin Gerald Ford.

Ndërmjetësimi i marrëveshjeve në “Camp David” më 1979 dhe traktati përfundimtar i paqes midis Egjiptit dhe Izraelit ishte kulmi i presidencës së tij.

“Gjatë 25 viteve të kaluara kanë ndodhur katër luftra midis arabëve dhe izraelitëve, me egjiptianët në krye, të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik. Egjipti ishte vendi i vetëm që mund ta sfidonte Izraelin ushtarakisht”, tha zoti Carter në një deklaratë më 2009.

Zoti Carter negocioi edhe një traktat që i ktheu Panamasë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe vendosi lidhje të plota diplomatike me Republikën Popullore të Kinës.

Por, revolucioni islamik i vitit 1979 në Iran ndryshoi kursin e presidencës së tij.

Protestat e udhëhequra nga klerikët shiitë rrëzuan udhëheqësin iranian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili u largua nga vendi.

Më vonë militantët sulmuan ambasadën amerikane në Teheran, duke marrë peng 66 amerikanë. Në fund të nëntorit, 13 pengje u liruan.

Në prill të vitit 1980, ish-presidenti autorizoi një operacion ushtarak për të liruar pengjet tjera. Operacioni dështoi dhe tetë pjesëtarë të ushtrisë amerikane vdiqën.

Zoti Carter u përball edhe me sfida të brendshme. Inflacioni dhe shkalla e papunësisë dëmtuan ekonominë, çka ndikoi në humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 1980 ndaj republikanit Ronald Reagan.

Më 20 janar të vitit 1981 – ditën e inaugurimit të Reaganit – Irani liroi gjithë pengjet amerikane.

Zoti Carter, i mposhtur dhe i dëshpëruar, u kthye në vendlindjen e tij për të planifikuar angazhimin e tij pas-presidencial.

“Po mendoja të bëja diçka të vogël, një zyrë pranë disa ndërtesave të bukura në Atlanta”, tha ai më 2007.

Rezultati ishte shumë më i madh.

Një organizatë jofitimprurëse e njohur botërisht, Qendra Carter ka monitoruar mbi 100 procese zgjedhore dhe ka ndërmjetësuar mosmarrëveshje duke filluar nga një bllokadë bërthamore me Korenë e Veriut më 1994 e deri tek një marrëveshje paqeje midis Ugandës dhe Sudanit.

Qendra angazhohet edhe për çështje shëndetësore duke luftuar sëmundjet në pjesët më të varfra të planetit. Çrrënjosja e sëmundjes parazitare ‘dracunculiasis’, e njohur si ‘Krimbi i Guinesë’, ishte qëllimi kryesor. Në vitin 2022 janë raportuar vetëm 13 raste në njerëz, numri më i ulët i të prekurve ndonjëherë me këtë sëmundje.

“Është vetëm një sëmundje në historinë e njerëzimit që është çrrënjosur. Ajo është lija, më shumë se tridhjetë vjet më parë. ‘Krimbi i Guinesë’ së shpejti do të jetë sëmundja e dytë në histori që do të fshihet nga faqja e dheut”, tha ai më 2009.

Angazhimi i zotit Carter për të ndihmuar njerëzimin e çoi atë në Oslo të Norvegjisë më 2002, ku pranoi Çmimin Nobel për Paqe.

“Çmimin Nobel për Paqe e fitova për shkak të punës së Qendrës Carter. Pra, do të isha plotësisht i kënaqur nëse trashëgimia ime do të jetë e bazuar mbi paqen dhe të drejtat e njeriut. Kush nuk e do këtë gjë?”, u shpreh zoti Carter më 2007.

Zoti Carter i mbijetoi kancerit të trurit më 2015 dhe kishte një jetë aktive deri në vitet e 90-a.

Por problemet shëndetësore dhe pandemia e koronavirusit më 2020 e mbylli atë në qytetin e tij të lindjes, ku kaloi vitet e fundit të jetës.

Në një nga paraqitjet e tij të fundit televizive, zoti Carter ndau me Zërin e Amerikës shpresat e tij për të ardhmen.

“Do të doja që në të ardhmen t’i shihja Shtetet e Bashkuara kampion në botë për paqen, të drejtat e njeriut dhe cilësinë e mjedisit dhe do të thosha duke i trajtuar të gjithë si të barabartë. Nëse mund ta bëjmë këtë, do të kishim një superfuqi të vërtetë në vendin, që unë e dua shumë”, tha ai më 2019.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh e ka intervistuar disa herë ish-Presidentin Jimmy Carter për çështje që nga mandati i tij në Shtëpinë e Bardhë deri te karriera e tij post-presidenciale në mbështetje të shëndetit dhe demokracisë globale. Pjesët kryesore të këtyre intervistave janë të përfshira në këtë raportim.

Filed Under: Kronike

Në përkujtim të Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova…

December 30, 2024 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha priti në takim të ngrohtë e vëllazëror, djalin e Presidentit Historik të Republikës së Kosovës Ukë Ibrahim Rugova dhe bashkëshorten e tij Blerta Kllokoqi Rugova. Në takimin e përzemërt u kujtua me nostalgji miqësia e veçantë që Dr. Rugova kishte me kryetarin e Vatrës Dr. Berisha dhe kohët e bukura diplomatike në Uashington përgjatë veprimtarisë lobuese për shtetin e Kosovës. Në përfundim të takimit, familja Rugova shprehu vlerësim, mirënjohje dhe konsideratë të thellë ndaj mikut të familjes Rugova Dr. Elmi Berisha dhe punës së shkëlqyer të tij në afrimin institucional e shpirtëror të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja Rugova shkroi në pas takimit: “Gjithmonë kënaqësi e veçantë të takohemi me këshilltarin e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova tash Kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare Vatra në New York dhe mikun tonë të Familjes z. Elmi Berisha duke evokuar kujtime për Presidentin Rugova dhe miqësinë që e ndërtoi Presidenti Rugova mes Kosovës e ShBA.

Zoti e bekoftë Popullin e Kosovës! Zoti e bekoftë Federatën Pan-Shqiptare Vatra! Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!” përfundon mesazhi i familjes Rugova.

Filed Under: Rajon

FISHTA AKADEMIK, SATIRIK DHE…HOKATAR

December 28, 2024 by s p

Frano Kulli/

Në 84 vjetorin e vdekjes

At Gjergj Fishta, pikë ma së pari ka qenë frat, prift françeskan, qysh se është shugurue  në vitin 1893 , kur ishte 22 vjeç, rrugë në të cilën ishte nisë në fëmininë e tij të herëshme e nuk ju nda mâ deri sa mbylli sytë, duke i provuar të gjitha shkallët e hierarkisë së Urdhërit të cilit i përkiste. Thotë meshën e parë në Troshan prej ku edhe ishte nisë në rrugën e Shejtnisë, masandej Frat në Gomsiqe, në  Kushe të Hotit, në Kishën e Kuvendin françeskan të Lezhës, kishë e cila, sipas një legjende është shenjuar prej vetë Shën Françeskut, diku rreth vitit 1219, kur ai kishte ndërmarrë udhëtimin e tij këndej e ndër Dalmate, për të përhapur Urdhërin. Si dëshmi që përafron gojëdhënën dhe origjinën e Kishës është një pllakë që ruhet edhe sot në derën e saj ku shkruhet: (Hoc templum Fratrum Minorum ædificatum ast anno MCCXL-Ky tempull i Vëllazënve të Vogjël u ndërtue në vjetin 1240) Po të shumtën e viteve të jetës e kaloi në Shkodër, në Kuvendin e françeskanëve të Gjuhadolit, si bashkëvëlla me fretën e si provincial i tyre. Dhe me të njëjtin devocion si në ditën e parë.

1) 

Zotni Lukë Luka, rreth një vit më parë, nga arkivi i familjes së vet postoi në njërin prej rrjeteve sociale foton e kunorëzimit të prindërve të Zojës së tij të ndjerë, Netës.

Shuk Leniqi e Lajde Daija, në ditën e martesës. Fotoja mban datën 17 maj 1936. Është shkrepë prej mjeshtrit Kel Marubi. Vendndodhja është elteri (altari) i Kishës françeskane në Gjuhadol , Shkodër.

Duke pasë edhe lejen e bekimin e poseduesit të kësaj relike (foto), po bëj edhe dy komente të shkurta:

Së pari, vlera qytetse e estetike që fotoja ka. Në foto janë rreth shtatëdhjetë persona, burra e gra, por edhe fëmijë. Të gjithë të veshur bukur e shik, prej te më i madhi e deri te më i vogli. Çifti, me veshje klasike të rastit, nusja me vel e kunorë, të dy të ulun ne gjunj, në momentin e ndërrimit të unazave, duke ia vendosur unazën në gisht njëri-tjetrit, simboli i bashkimit e krijimit të familjes së shejtë, me besim e dashni aty në shtëpinë e Hyjit, si bërthama themelore e shoqnisë. Kumarët, dëshmitarët e martesës, janë zotni Palok Noga (me qirin tradicional në dorë) dhe Kolë Mjeda me të shoqen. Në sfond të fotos kori i kishës. Secili i venduem me vend e me rend, simbas lidhjes e përafrisë që kishin me çiftin protagonist e me rastin e papërsëritshëm të tyre në jetë, siç është kurorëzimi i martesës në kishë për katolikët. Cilësia e fotos është e tillë sa personat që pozojnë aty njihen fytyrë për fytyrë e emër për emër. Edhe pse fotoja është e gati 90 vjetëve më parë. Se, përndryshe, për nga kompozimi dhe elementët e përgjithshëm të saj, por edhe prej paraqitjes së pozantëve nuk kishte se si të dallohej, nëse fotoja ishte bërë në Venecia, Firence, Romë, Vjenë a diku tjetër në Europë.

Së dyti, në foton e një momenti solemn familjar të një familjeje qytetse të Shkodrës janë edhe më së paku tre persona publikë, njeri më me peshë se tjetri. Edhe kjo shejë e një bashkëjetese plot kulturë e sharm, në harmoni të plotë të qytetarëve, me rendet e klasat e shoqërisë që përfaqësojnë. Meshtari i zgjedhur për kunorzimin, françeskani i madh At Gjergj Fishta, Kolë Mjeda (1885-1951) deputeti i Shkodrës për disa legjislatura e zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare, mbajtës edhe i posteve të tjera publike të kohës, kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1924-’25), prefekt i Dibres e deputet i saj, gjithashtu. Po edhe më i riu i tyre, prifti i sapo shuguruem asokohe, dom Ernest Çoba, i cili masandej më vonë, tridhjetë vjet më vonë, kur revolucioni ateist mbyll kishat dhe prelatët e klerikët mbarë (ata që kishin mbetë ende gjallë) i mbyll në burgje, do të ishte Arqipeshkvi i fundit i Shkodrës cili ndrroi jetë në mënyrë enigmatike në spitalin e burgut të Tiranës, në dimrin e vitit 1980 (8 janar).

Nuk është e njohur ndonjë foto tjetër e Fishtës në një rast sakramenti si ky. Deri tani, jo. Edhe zotni Luka, megjith moshën e njohjeve që ka, më thotë gjithashtu se nuk din për ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Dhe ka shumë gjasa të mos ketë. Se sikur të kishte, me siguri mbamendjet qytetëse të Shkodrës do të na e kishin bërë me dije. Ashtu sikurse na vijnë prej asaj kohe nëpërmjet kujtesës së transmetuar kumte si: “Të dielen që meshën te fretnit e thote pader Gjergji, kisha ishte plot e përplot e predku (predikimi) i tij e lête gjindjen me gojë hapë”. Dhe kështu, kërshëria rritet edhe më tepër.

Po pse atëherë dasmën e Shuk Leniqit e shuguron Fishta?! Dhe ndodhte tani (viti 1936), kur Fishta ishte 65 vjeç dhe kur mosha e famës së tij kishte mërrijt në maje. E, kur veprimet e punët sakramentare për té, tashma ishin gjithnji e më të pakta. Me siguri ka qenë një shtysë e empati e fortë. Shuku ishte tipografi i shtypshkronjës së fretënve. Vetmjaftueshëm për pader Gjergjin e Madh, për të bërë edhe punët e fratit të përvujtë …

Kjo ceremoni e veçantë, pati jehonë nga që celebrimin e bani Pater Gjergji (rasti i vetëm i tij, me modesti e fisnikni) e u ndoq prej shumë zojave e zotnive me veshje moderne të kohës, familjarë, miq e shokë të ftuem në darsmë, na ban me dije në diçiturën e fotos së publikuar, zotni Luka.

C:\Users\User\Desktop\fishta3-780x439.jpg

Foto e vitit 1936: Gjergj Fishta duke kurorëzuar martesën e shtypshkruesit të françeskanëve!

2)

Emnimi i At Gjergj Fishtes antar i Akademisë Italiane.

Fishta është propozuar për antar në këtë akademi nga kompozitorët Mascagni e Pelosi dhe psikologu, gjithashtu mjaft i njohur Agostino Gemelli, të cilët…nuk ishin fashistë e as nuk kishin pasë mardhënie të mirë me fashizmin.(Qasje që nxjerr krye herë herë në të rallë edhe sot, me njetin pë ta njësuar akademikun-poet kombëtar të shqiptarëve me bashkëpuntorin fashist !!) Thua ta kenë pëlqyer lahutën si vepër fashiste ata ?!

Ai ishte i vetëdijshëm  dhe e kishte vlersuar ashtu siç qe emrimin e vet në Akademinë e Italisë. Në këtë kuptim s’kish se si ti mungonte kortezia e momentit dhe kjo është e shprehur  e asnjëherë e mohuar prej Fishtës. Një dëshmi autentike e kësaj kortezie na vjen nga bashkëkohësia. Është një telegram që Fishta i dërgon Musolinit, me falënderimin për pranimin e tij antar i Akademisë italiane. 

Padre Fishta al Duce

L’accademico Padre Giorgio Fishta ha inviato al Duce il seguente telegramma:” Grazie Duce dell’alto onore del titolo d’accademico d’Italia che per Vostra benevola disposizione mi é stato attribuito e che io considero quale sicuro indice del generozo Vostra interessamento anche per la stirpe albanese, virtû questa ignota sino ad oggi alla diplomazia europea. Padre Giorgio Fishta

(At Fishta Duçes. Akademiku At Gjergj Fishta i ka dërguar Duçes telegramin e mëposhtëm (vijues): “Faleminderit Duçe për nderimin e lartë me titullin Akademik i Italisë që falë disponimit (vullnetit) Tuaj dashamirës më është atribuar (dhënë) dhe që unë e konsideroj si tregues të sigurt të interesimit Tuaj bujar kundrejt prejardhjes time shqiptare, virtyt që i është njohur deri më sot diplomacisë evropiane. At Gjergj Fishta”)

Dëshmia e Ernest Koliqit

“…Fatkeqsisht, disa prej atyne që hiqen si supernacionalistë, pozitë të cilen fituan tue ndejtë strukun mbas nji patriotizmi fals, e qortojnë poetin për faktin se me 1939 pat pranue me u emnue Akademik i Italisë. Akuzojnë mendjemadhsisht për mungesë patriotizmi mjeshtrin, i cili harxhoi tanë jetën e vet për t’u mesue shqiptarve se si me e dasht atdheun. Dhe akuza, jo veç në Shqipninë e sotme, por mjerisht edhe në ndonji pjesë të Diasporës, ka gjetun nji lloj kodifkimi. Dhe nuk synohet me u denigrue thjeshtë njeriu dhe politika e tij aqsa komuniteti prej të cilit ai rrjedhë, besnikëria ndaj traditave që i japin tharm veprës, e qytetnimi perëndimor që na ushqen me shpirtin e madh. Tue i akordue interpretuesit të shpirtit shqiptar titullin akademik, Italia dishronte me nderue Shqipninë. Qeshë i pranishem në Romë në qeshorin e vitit 1933 kur u muer vendimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më kishin thirrë për tu këshillue rreth çeshtjes në fjalë. Morën pjesë në ketë mbledhje, veç tjerve, Zenone Benini nënsekretar për çështjen shqiptare. Ambasadorët Jakomoni i San Savinios e Karlo Straneo.

U kërkoj ndjesë ndijuesve të nderuem nëse jam i detyruem me përmend ndërhyrjen që bana me ketë rast. Ndjej si detyrë me e zbulue ketë të vërtetë, për me e davaritë hijen me të cilen përpiqen me errsue kujtimin e Poetit, të cilin e pata udhërrëfyes dhe mbështetje në rrugën time letrare.

Benini, që drejtonte mbledhjen, njoftoi se qeveria Italiane, për t’i nderue në mënyrë konkrete vlerat kulturore të kombit shqiptar, propozonte tre shkrimtarë si antarë të Akademisë së Italisë. Emnat që u përmenden ishin: Patër Gjergj Fishta, Torenc Toçi, Ernest Koliqi. Benini e dalloi menjëherë se fytyra qe kontraktue. Kishte shpresue me e pa tue shkëlqye nga krenaria, sepse me pyeti “ Nuk e miraton ketë ide?” U ndieva i detyruem me folë me sinqeritetin ma të thellë. U përgjigja se ideja më dukej shumë e mirë e që nji nderim kaq i naltë për vlerat e kulturës shqiptare do t’i kënaqte e do ti mbushte me krenari tanë shqiptarët, por shtova se Koliqi duhej konsiderue si nji autor, cikli letrar i të cilit vijonte me qenë në zhvillim, kësisoj ende nuk ka mbërrit në atë pikë që i jep kunorzimin e përhershëm një shkrimtari.

  Sa për Toçin, nuk mund të mohoj se asht nji koltivues i vyeshëm i studimeve juridike e nji gazetar i stervitun, por nuk ka botue asnjë vepër letrare a shkencore të tillë, sa me meritue dinjitetitin e Akademikut. E mbylla me fjalët se në të tre këta emna, Fishta asht i vetmi personalitet i pakundërshtueshëm, i denjë për tu pranue në bashkësinë e naltë kulturore italiane, me që ai dhe vetëm ai, përmblidhte në vete dhuntinë ma të shkëqlyeme të krijimtarisë artistike të rracës. 

Benini, tue drejtue kah të pranishmit, vlerësoi konceptin e naltë, që unë kisha për Akademinë e Italisë. Mandej deshti me dijtë nëse ekzistonte në Shqipni ndonji tjetër shkrimtar që meritonte me ndejtë përkrah Fishtës. U përgjigja, simbas pikëshikimit tim modest, se ekzistonin dy shkrimtarë shqiptarë që s’do të kishin ba figurë të keqe në gjinin e Akademisë: zz. Fan Noli e Faik Konitza, por shtova se banonin prej shumë kohësh në Amerikë. Kështu Fishta ishte i vetmi që u emnue akademik i Italisë. Emnimi, tue qenë se nuk ishte paralajmërue gjeti në befasi. Fundja tue njoftë natyrën e tij krenare, qeshë i sigurtë se do ta kishte refuzue me përçmim vlersimin e naltë, nëse do t’ishin përfshi edhe dy shqiptarë të tjerë me merita letrare ma të pakta. Sigurisht se do ta kishte refuzue, e jo për mendjemadhsi, por sepse tue pranue krahas tij dy të tjerë mjaft ma të pakët se ai për nga formimi letrar, emnimi do t’ishte zveshë nga vlera e vërtetë e do të kishte marrë kuptim tjetër.

Kur mbas ceremonisë, e pashë në gjinin e Akademisë së Italisë, më shprehu tanë entuziazëm fjalët që i kishte thanë Papa Piu XII: “Jam i kënaqun për emnimin tand akademik, sepse nëpërmjet teje nderohet Urdhni i Shën Françeskut e kombi shqiptar”

Mandej poeti e la ketë temë dhe nisi të më shprehë brengat e tij për situaten evropiane. Ishim në fillimin e 1940-ës.Nji fat i kobshem po na ndjek!” – thirri renkueshëm, a thue se po fliste me vete – “ E druej fort për të ardhmen e Shqipnisë….”

3) 

Fishta satirik

 Shkrimet e deriatëherëshme satirike të Fishtës, me 1907 qenë përmbledhë e botuar në “Anzat e Parnasit”. Nga “Lahuta…” qenë botuar dy këngë, nga tridhjetë që ajo do të ketë në formën e saj të plotë kur do të pagëzohej edhe si kryevepra e tij dhe e Epikës shqiptare, gjithashtu. Po se çvend zë satira në vetëdijen krijuese të autorit Fishta, le të sjellim një episod nga mbamendja e kohës. Shkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara  ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet[Shkoder] e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesorë e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken”[Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. Atë Fishta e pveti:”Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin… “… Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës, që heret. Madje, njihet deri më tani se publikimi i parë i Fishtës është një vjershë satirike “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë”, e botuar në nëntorin e vitit 1899, në “Albania” të Konicës, që asokohe dilte në Bruksel.

 “Gomari i Babatasit” qe shkruar, inskenuar edhe botuar në 1923. Në kohën kur doli ajo tronditi skenën shkrimore e intelektuale, por atë politike mbi të gjitha, me thellësinë e mendimit e forcën e satirës që fshikullonte dallaveret e shumta të politikës e mbartësve të tyre, kryesisht. Edhe “Visku…” që për “arsye prudence”[maturie], siç autori na pohon, mbeti e pabotuar…

Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku. Mbas ndalimit të tij edhe satira mbeti e transmetuar heshtazi e frikshëm vetëm si…lexim anekdodik. Në vend të satirës së tij, që në bashkëkohësí kishte pasë arrit majat , “lexohej”, transmetohej Fishta hokatar. Pra qarkullonin gojë më gojë anekdotat e tij dhe përreth tij sidomos, herë të thëna bukur e herë jo bukur. 

C:\Users\User\Desktop\Fishta- foto me dekoratat.png

Fishta, foto Marubi; me 4dekoratat: nga Turqia, Austria, Greqia dhe Vatikani

4)

Fishta hokatar (prrallaxhuer, si kishin me i thanë në Zadrimë)

Janë të panumërta shakatë, anekdotat, batutat e “prrallat” e Fishtës . Të tijat , a që i janë mveshur atij, që humorin e kishte gjenetik. Njëra prej disave që një i njohur e dashamir i tij, mësuesi Gjush Sheldija e sjell të shkruar në përmbledhjen e tij “Humor shkodran”, në kapitullin:Pader Gjergj Fishta.Tregon Gjushi: Gjon Shqarri ka qenë njeri qefit dhe jeten e ka kalue “kudo rafsha mos u vrafsha” e madje, shpesh kishte qef me u tallë me të mdhej e gjind të meçëm.Nji ditë ndali pader Gjergjin në rrugë e nisë me e pvetë [pyetë]:

-Si mundet, pader Gjergj, shpirti i njérit [njeriut] me dalë, kur për shembull ta marrin atë njéri qi âsht tuj dekë e ta shtrijnë në nji arkë druni, mandej arken drunit ta fusin në nji tjeter veshë me xink[zink] sipri e ta pshtjellin [mbështjellin] me pafta hekuri ?…

Pader Gjergji e pâ njiherë mandej iu soll:

-M’difto Gjon, ti a ke flokë, lëkurë e rrashtë ?

-Poo.

-Edhe trutë, do ta keshë xanë [mësuar] në shkollë, se janë të mbështjelluna me nji mazë[cipë] të hollë ?

-Si urdhnon.

-Po bâj séri [çudi] pra se si tuj pasë flokë, lëkurë, rrashtë e cipë…mendt kanë mujtë me të dalë ?…

C:\Users\User\Downloads\Kopertina Fishta rileximi simulation.png

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT