• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Pavarësia, zgjimi kombëtar që nga Arbëreshët, rilindasit dhe shqiptarët e Amerikës

December 3, 2024 by s p

Prof. Dr. Luigj Gjoka/

Dita e Pavarësisë, apo Dita Flamurit, është festa kombëtare më e rëndësishme, të cilën shqiptarët pa dallime ideologjike, fetare apo krahinore , e kremtojnë çdo 28 Nëntor, që nga viti 1912, kur u shpall pavarësia nga Perandoria Osmane dhe lindi shteti i parë shqiptar. Në këtë festë, ne përkujtojmë ne respekt dhe admirim rilindasit e mëdhenj, që me fjalë e shkrime ideuan mëvetësinë e shqiptarëve, gjithë përsonalitetet e elitës intelektuale e patriotike të kohës, me në krye politikanin dhe diplomatin e shquar, plakun e urtë Ismail bej Vlora, që e projektuan dhe realizuan pavarësinë e Shqipërisë si dhe ngriten shtetin e parë shqiptar. Është bërë traditë e bukur që shqiptarët, burra e gra, të rinj e të reja, kudo qofshin, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, apo në Diasporë (nga Europa në Amerikë), me plisa të bardhë në kokë e flamurë kuqezi në dorë,?si dhe me kostumet e traditës së tyre krahinore, mbushin rrugët dhe sheshet e qyteteve, me këngë e valle të zgjedhura nga fondi shqiptar i artit burimor dhe atij të kultivuar ndër vite.

Në këto aktivitete festive, ata shprehin krenarinë e të qenurit shqiptar, dashurinë për Atdheun e tyre ose të parëve, ndjenjën e dashurisë dhe respektit për shenjtërinë e Ditës së Pavarësisë. Njerëzit e çmojnë lirinë e kombit të tyre, por po aq, pas lirisë kombëtare, ata çmojnë demokracinë, sistem i cili u jep qytetarëve dinjitet, liri politike e të drejta civile të barabarta.

Përpos dinjitetit njerëzor të mbrojtur nga një kushtetutë demokratike dhe ligjet që burojnë prej saj, njerëzit çmojnë shumë edhe identitin e tyre kombëtar. Bota në të cilën jetojmë është interesante sepse është e larmishme. Kombet e ndryshme, të cilët dallojnë prej gjuhës, kulturës, trashigimisë historike, gjeografisë fizike dhe ekonomike, rracës apo besimit fetar, janë pasuri e vyer e njerëzinit. Nëse Shqipëria fo të ishte si Amerika, asnjë amerikan nuk do të kishte kuriozitet ta vizitonte Shqipërinë, apo anasjellas, ne që jemi të pranishëm në këtë festë të bukur, fare mirë mund të ishim sot në Shqipëri e jo këtu.

Gjithsesi, vihet re që kudo që shkojnë shqiptarët, nga vendi i tyre në një vend tjetër, përpiqen ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Po jap dy shembuj krejt të qartë dhe bindës për ne shqiptarët. Ka rreth 5 shekuj që arbëreshet e Italisë, të cilët emigruan atje pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skenderbeut, e ruajnë të pashuar mallin për Shqipërinë dhe shqiptarët, ruajnë të pastër gjuhën shqipe dhe zakonet shqiptare, pra, me pak fjalë, ruajnë identitetin e tyre kombëtar, pavarësisht faktit që ata jetojnë në vendin e civilizimit romak, njerit prej civilizimeve më të lashtë e me më shumë ndikim në kulturën europiane dhe atë botërore. Përsonaliteteve të elitës kulturore arbëreshe të Rilindjes sonë Kombëtare duhet tu njohim meritën e madhe që me veprimtarinë e tyre kulturore e patriotike, por edhe politike, ndikuan në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, duke i frymëzuar shqiptarët për projektin e madh të Pavarësisë.

Shembulli i dytë i shkëlqyer në ruajtjen dhe kultivimin e identititit kombëtar janë shqiptarët e Amerikës. Roli i tyre patriotik fillon që me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, vazhdon me aktivitetin e tyre politik e diplomatik për mbrojtjen Shqipërisë nga copëtimi i saj i mëtejshëm pas Luftës I Botërore dhe spikati me ndihmën e madhe e të gjithanshme që i dhanë popullit shqiptar të Kosovës për pavarësinë nga Serbia dhe regjimi genocidist i Millosheviçit; shto këtu edhe demaskimin botërisht dhe pa kompromis të regjimit diktatorial komunist të Tiranës. Mbeten emblematike sot e kësaj dite vargjet e Fan Nolit në poezinë tij “Jepni për Nënën“:

“Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë”,

ku fjala “ Nëno” përsonifikon mëmedheun, fjalë të cilën Noli e kishte shumë për zemër .

Një nga faktorët kryesorë që ndikon në ruajtjen e identitetit kombëtar është gjuha. Është shumë i çmuar angazhimi i komunitetetit shqiptaro- amerikan për hapjen e shkollave shqipe në qytete të ndryshme amerikane. Këto shkolla janë vatra të ruajtjes së identitetit shqiptar. Ndaj, me këtë rast, dua të përgëzoj drejtuesit e “Vatra” për Long Island, NY, në veçanti, z. Paulin Marku, për hapjen e Shkollës Shqipe “Gjergj Fishta”, që është një gurë tjetër i çmuar në mozaikun e qendrave kulturore dhe shkollave shqipe në Sh B A. Rroftë për jetë e mot Pavarësia e Shqipërisë! Zoti e bekoftë shqiotarët kudo që janë!

Filed Under: ESSE

Libri – Jeta e Tij

December 3, 2024 by s p

Me Peter R. Priftin në San Diego – Intervista e vitit 1995, ribotohet me rastin e 100-vjetorit të lindjes

Vehbi Bajrami

Për gazetën “Dielli”, Prifti pohon se ajo përbën regjistrin më të vjetër të jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e saj është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur shkeli këmba e emigrantit të parë, e deri te ata më të fundit. Vetë ky fakt i lidh shqiptarët me “Dielli”-n e “Vatra”-n në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit në familje, apo me shokë e miq të vjetër e të paharruar.

Ndërkohë që bëhesha gati për të biseduar me Peter R. Priftin në San Diego (California), vështrimin ma rrëmbenin raftet e dhomës së tij plot libra. Mu kujtua në çast një aforizëm i Ciceronit: “Librat janë ushqim i djalërisë, zbavitje e pleqërisë, stoli e përparimit, mburojë dhe prehje në mundime, dritë në shtëpinë e errët, shokë ditën, natën, në ndjenja dhe në udhëtim”. Solla ndërmend vizitat dhe takimet e shumta me shqiptarë të Amerikës, një pjesë e të cilëve tepër të pasur, në dhomat e të cilëve s’gjendet një libër. (Ciceroni thoshte: “Shtëpia pa libra si trupi pa shpirt”). Sa shumë libra, përsërita me vete, nuk di për të satën herë, përzier me kënaqësi e dëshpërim të njëkohshëm. Si nuk kemi edhe më shumë shqiptarë të penës këtu në Amerikë si ky që po i kushtoj këto radhë modeste, autor e bashkautor i gjithë atyre veprave, studimeve, kumtesave e artikujve?

Peter R. Prifti, 71 vjeç, prej më shumë se gjysmë shekulli jeton në Amerikë, por, siç thotë ai, “me zemër e shpirt kam ruajtur farën shqiptare, pasi jam brumosur me ajrin e vendlindjes”. Kur Prifti 15 vjeç erdhi në Amerikë nga Rehova e Kolonjës, një fshat rrëzë Gramozit, nuk ishte në një mendje me shumë moshatarë të tij, që, në plan të parë kishin përfitimin material, se si të bëheshin sa më parë të pasur. Qëkur ishte nxënës i fillores në fshat apo në konviktin e Ersekës, tek Prifti hodhi rrënjë dëshira e madhe për të lexuar e shkruar. Qysh në moshën djaloshare bëri hapin e parë duke shënuar në defterin e vogël emra të vendeve, zogjve, të lojërave në fshat e kështu me radhë. Nga ato që pat lexuar kur qe i ri i pëlqenin më tepër poezitë e Asdrenit, sidomos ato të stinëve të vitit. Shumë prej tyre i kishte mësuar përmendësh dhe i recitonte me pasion. Djaloshit të ri i pëlqente më shumë lënda e gjeografisë, sepse ajo e njihte me “botën e madhe e të çuditshme, përtej horizontit të ngushtë të Kolonjës”. Kjo dëshirë e flaktë për të njohur botën ishte si një parandjenjë për të ardhmen e tij, meqë qysh i ri do të merrte rrugën e largët për në kontinentin e ri matanë oqeanit, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës me libër e penë në dorë.

Mësuesi i tij i parë Kostë Cere, sapo ishte kthyer nga Amerika, nga vendi ku Prifti do të emigronte me të kryer shkollën fillore, për të takuar babanë dhe vëllanë. Dy vjet para se të merrte udhën e largët me vapor, ai e pa për herë të parë Korçën, qytetin “me drita elektrike e bulevarde të gjera, me rrugët plot me njerëz, me monumente, me kinemanë, me hotelet ‘e larta’ me 3 – 4 kate”.

– Asnjë qytet në botë, as Bari, as Napoli, as Nju Jork-u nuk më bënë përshtypje aq të madhe, sa Korça,- thotë Prifti, jeta pastorale e të cilit në fshat “kishte dramat e veta, po që në përgjithësi ishte një jetë e thjeshtë dhe e mbyllur”.

Peter R. Prifti erdhi në Filadelfia në mars të vitit 1940, ku banonin babai Rafaili dhe vëllai i madh, Toli. Gjyshja, mëma Parashqevi, vëllai i vogël Naumi dhe motra Elisaveta mbetën në vendlindje.

– Ishte një ndarje e dhimbshme, – pohon Prifti. – Nuk isha entuziast për të ardhur në Amerikë.

Në Korçë është një shesh të cilin e quajnë “Lëndina e Lotëve”, toponim ky që shpreh gjithë tragjedinë njerëzore të asaj treve dhe zonave përreth. Pikërisht aty ndaheshin me lot nga dheu i tyre kurbetçinjtë. Ishte kohë lufte. Shumë rrugë me jashtë u mbyllën. Por edhe kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, qeveria komuniste e Shqipërisë, ndryshe nga shtetet e tjera të botës që po i rihapnin rrugët që mbylli lufta, vuri edhe “një mur të dytë”, perden e hekurt. Shumë njerëz u ndanë për të mos u takuar kurrë më. Këtë fat pati edhe Prifti e familja e tij. Vapori italian me të cilin udhëtoi ishte i parafundit nga Shqipëria që kapërceu Atlantikun gjatë Luftës. Për udhëtimin e tij të parë dhe më të gjatin në jetë me vapor, Prifti thotë se ishte shumë i vështirë, meqë “më zuri deti” dhe mendova se “nuk do të arrija i gjallë në Nju Jork”.

Amerika u shfaq para Peter Priftit si një botë krejt tjetër.

– Merreni me mend: të shpërngulesh nga një vend i prapambetur e të gjendesh papritur në një vend jashtëzakonisht të zhvilluar; të kapërcesh nga jeta provinciale e fshatit tek jeta kozmopolite e një qyteti gjigand si Filadelfia! Doemos që do të hutohesh.

Mënyra e jetës në botën e re mu duk jonormale, e cekët, e kotë dhe, si e tillë, më shqetësoi pa masë. U desh një kohë e gjatë para se ai të “pajtohej” dhe të “miqësohej” me Amerikën. Nga ana tjetër, Amerika për Priftin ishte befasuese me kulturën e përparuar, me veprat klasike të muzikës, të pikturës dhe skulpturës, të letërsisë, teatrit, etj.

– Ajo qe si një aventurë shpirtërore dhe mendore, me vlera të pallogaritshme. A e imagjinoni çdo të thotë që për 2 – 3 vjet të njihesh me muzikën e Puçinit e të Bethovenit, me veprat e Dostojevskit, Tolstoit e Molierit, me pikturat e gjenive Van Gog, Renuar e Tintoretto, – rrëfen ai.

Realiteti i ri për të ishte një përmbushje e etjes së madhe rinore për dituri dhe kulturë. Babai i tij, Rafaili, arsimdashës, duke kuptuar dëshirën e të birit nuk u kursye për të financuar shkollimin e tij. Madje ai ndihej krenar kur shihte pasionin e të birit për dije. “Shqiptari i brezit tim, kur erdhi në Amerikë, ishte “një copë mish me dy sy”, u tha fëmijëve një ditë ai, “për më tepër që s’dinte as anglishten”. Duke qenë se ai s’desh që djemtë e tij të hiqnin si ai, i dërgoi në shkollë.

Babai i Peter Priftit kishte një karakter të rrallë. Ai pat ardhur në Amerikë qysh më 1916. Në fillim, si të gjithë emigrantët e tjerë, bëri punë të rënda në një hekurudhë e më pas në restorante, derisa hapi restorantin e vet.

Prifti shkollën e mesme e kreu më 1944. Pastaj u regjistrua në Pennsylvania State College ku u mor më tepër me “liberal arts”: gjuhësi, letërsi, histori, psikologji, shkenca politike etj. Pas katër vjetësh u diplomua në “Bachelor of Arts”. Kjo shkollë, kujton ai, kishte një peizazh të bukur përreth “që i ngjante natyrës së Kolonjës e që më shuante disi mallin e fshatit ku u rrita”. Studimet i vazhdoi në University of Pennsylvania, një nga universitetet më të njohura në Amerikë, i themeluar më 1740. Qëllimi i tij ishte që të thellonte studimet në filozofi. Më 1955 fitoi diplomën “Master of Arts” në këtë degë.

– Filozofia më pasuroi mendjen dhe shpirtin, – thotë Prifti, – por jo xhepin, sepse nuk e përdora dot për të fituar bukën e gojës. Rrojtjen e bëra me punë të tjera. Mbase kjo është një ironi e jetës sime.

* * *

Dhjetë vjet pasi mori diplomën Master of Arts, Peter Prifti vajti në Paris për të përvetësuar gjuhën frënge në shkollën “L’Alliance Française” ku kishte studentë nga e tërë bota.

– Meqenëse nuk bëra ndonjë karrierë në studimet filozofike, – thotë ai, – mu desh që në fillim të zë çfarëdo pune. Gjatë dy vjetëve, 1955 – 57, punova në zyrën e një shoqërie të hekurudhës në Baltimore, afër Washington-it. “Kjo punë s’është për ty”, më tha një ditë një koleg i punës. “Ti je i aftë për punë më të mira”.

Tri vjet më vonë, ai gjeti një punë më të përshtatshme. Kryetari i Federatës “Vatra”, Kristo Thanasi e ftoi të punonte si redaktor i gazetës “Dielli” bashkë me Qerim Panaritin dhe si Sekretar i Federatës. Prifti, i cili kishte filluar të bashkëpunonte me “Dielli”-n qysh nga dhjetëvjeçari 4-të (1940-ës), e priti këtë ftesë me kënaqësi, sepse “Vatra” dhe “Dielli” kishin një prestigj të madh në komunitet. Kjo edhe për një arsye tjetër: në atë kohë në Boston rronte akoma i madhi Fan Noli.

Duke punuar aty ai do të kishte rastin ta takonte e të bisedonte, ta dëgjonte kur meshonte te Katedralja e Shën Gjergjit, apo kur mbante fjalë në festat dhe darkat që bënin shqiptarët. Por dhe intervista e parë që bëri Prifti për “Dielli”-n ishte pikërisht me imzot Nolin. Kur e pyeti peshkop Nolin se cili ishte aktiviteti i tij më i vlefshëm për kombin, i qe përgjigjur: “Puna që bëra për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1920”. Për pyetjen se “Cila gjë e kish dëshpëruar më shumë në jetë”, Noli kishte thënë “largimi nga Shqipëria, për arsye se ky largim i dha fund punës time brenda në atdhe”. Për ata që mendonin se feja nuk zë vendin e parë në veprimtaritë e peshkopit, ai qe përgjigjur: “Kjo nuk është e vërtetë. E nisa karrierën fetare që kur isha fëmijë dhe e kam vazhduar këtë aktivitet pa ndërprerje. Feja për mua është numri një, pastaj vijnë të tjerat”.

Peter Prifti, ruan një album me fotografi të Nolit.

* * *

Puna në “Vatra” Peter Priftit i dha mundësinë të njihej më mirë me botën shqiptare në Amerikë, si “me mos- marrëveshjet politike dhe fetare që përçanin bashkatdhetarët tanë”, ashtu edhe “me vlerat e çmuara kombëtare dhe kulturore që shqiptarët i ruanin me krenari”. Në gazetën “Dielli”, më 1958, ai shkruante: “Sundimi i gjatë i Turqisë në Shqipëri i kishte dobësuar tepër ndjenjat kombëtare midis shqiptarëve dhe në shumë persona i kishte zhdukur krejt. Shumë nga shqiptarët që erdhën në SHBA, as që pohonin se ishin shqiptarë, por thonin se ishin grekë ose turq. Dihet tashmë se sa e vështirë ishte për peshkop Fan Nolin dhe pionierët e tjerë të lëvizjes kombëtare n’Amerikë që të zgjonin ndjenjat kombëtare në zemrat e bashkatdhetarëve të tyre. Ishin njerëz të thjeshtë, pa shkollë dhe pa mjeshtëri…”.

Përveç Nolit e Konicës, Prifti përmend edhe disa emra të tjerë që mbeten të shënuar në historinë e Diasporës shqiptare të Amerikës, siç janë Kostë Çekrezi, aktivist i zoti që i bëri shërbime me vlerë çështjes kombëtare.

Një emër tjetër i nderuar i Diasporës shqiptare në Amerikë, sipas Priftit është Kristo Dako, publicist dhe dashamirës i arsimit. Ai bashkëpunoi ngushtë me motrat Qiriazi që botonin revistën “Ylli i Mëngjesit”, aq e çmuar në mes shqiptarëve të Amerikës. Nga ata që janë gjallë, ai përmend Anthony Athanasin biznesmenin e suksesshëm, i cili ishte dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë kur qe redaktor e sekretar i “Vatra”-s.

Tek flet për rolin e shqiptarëve të vjetër të Amerikës për Shqipërinë, Prifti shpeshherë pohon se ne duhet të mbajmë atë qëndrim që mbajtën ata për atdheun, të kemi atë dashuri e lidhje e të mos lejojmë plasaritje dhe përçarje fetare e krahinore. Për strumbullarin e bashkimit të Diasporës shqiptare, “Vatra”-n dhe organin e saj “Dielli”,-n ka shkruar disa herë. Ai është kundër atyre që thonë se “Vatra” e “Dielli” e mbaruan qëkur misionin e tyre e se tani po i ngrysin ditët e fundit. “Misteri” i jetëgjatësisë së “Vatra”-s për kaq vjet, lidhet me shërbimin madhështor që i bëri ajo atdheut gjatë 12 vjetëve (1912 – 1924). Me punën që bëri në atë periudhë, “Vatra” rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, aq thellë, sa nuk mund ta harronin as brezi i emigrantëve të parë, që e krijoi atë shoqatë e as brezat që pasuan vite më vonë e deri më sot. Jeta e kësaj federate është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për të, shqiptari, dashur ose pa dashur, e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e lindjes ose të origjinës së tij.

Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë federatë jetëgjatë për më se 90 vjet. Për gazetën “Dielli”, Prifti pohon se ajo përbën regjistrin më të vjetër të jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e saj është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur shkeli këmba e emigrantit të parë, e deri te ata më të fundit. Vetë ky fakt i lidh shqiptarët me “Dielli”-n e “Vatra”-n në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit në familje, apo me shokë e miq të vjetër e të paharruar.

* * *

Shumica e shqiptarëve të Jugut që erdhën në SHBA kanë pasur një brengë të vjetër: disa bashkëkombës nuk u bënë me “Vatra”-n e me Nolin, por me grekët.

– Këta shqiptarë, të quajtur ndryshe, grekomanë, kanë qenë një pakicë, – thotë Prifti. – Pjesa kryesore dhe më e shëndoshë e shqiptarëve ka qenë në përkrahje të Shqipërisë, Federatës “Vatra” dhe Nolit. Ata kanë punuar me zemër për Kishën Ortodokse Autoqefale, e cila u themelua më shumë me motiv kombëtar, se sa fetar. Kisha Autoqefale Shqiptare, e themeluar më 1908 dhe Federata Pan – Shqiptare “Vatra”, e formuar katër vjet më vonë, janë dy shtyllat që i vunë bazat lëvizjes kombëtare shqiptare në Amerikë, – thotë ai. – Por ishin disa shqiptarë që përpiqeshin të hiqnin gurët nga kjo piramidë, e cila po ngritej në një terren të shëndoshë.

Grekomanët e shihnin më me simpati Kishën Ortodokse Greke se atë Shqiptare. Këta njerëz kishin trashëguar idetë e mykura të disa shqiptarëve të kohës së Perandorisë Otomane, të cilët vuanin nga që ishin të krishterë dhe për këtë ata simpatizonin armikun e Turqisë, Greqinë. Një arsye tjetër është se mësuesit e klerikët grekë ishin shumë të pranishëm në Shqipërinë e Jugut në fillimet e këtij shekulli. Ata përhapnin mes shqiptarëve idetë greke dhe mohimin e qenies sonë. Kështu pra, ka ndodhur që edhe sot disa shqiptarë të kenë lidhje emocionale e shpirtërore me grekët dhe u duket se ata që nuk janë të lidhur me Patrikanën e Stambollit, nuk janë ortodoksë të vërtetë.

– Ç’ mendim keni ju për peshkopin Janullatos që drejton sot Kishën Ortodokse në Shqipëri? – e pyes unë.

– E kundërshtova, sapo mora vesh se ai do të jetë në krye të Kishës sonë. Nuk është as në interesin e Kishës, as në interesin e kombit tonë që një i huaj të udhëheqë Kishën Shqiptare Ortodokse, – thotë Prifti duke sjellë shembuj të shumtë nga e kaluara jonë e hidhur historike me Patrikanën e Stambollit.

– Ne e dimë, – shton ai – se Kisha jonë u shkatërrua gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Duhej pritur edhe ca kohë, deri sa të gjendej një peshkop shqiptar. Unë nuk pajtohem me mendimin që Kishën tonë ta drejtojnë të huajt.

* * *

Frymën e shqiptarizmës në Diaporën shqiptare të Amerikës është përpjekur ta mbajë gjallë sidomos shtypi. Që nga viti 1906, kur doli e para gazetë shqipe në Amerikë, e deri në fund të Luftës së Dytë, në SHBA u botuan 52 gazeta e revista shqiptare. Pas Luftës së Dytë, numri i botimeve ishte më i vogël. U botuan (deri më sot) 33 gazeta e revista. Sikurse është rasti tani, edhe në të kaluarën, shtypi shqiptar ka folur më shumë se në një gjuhë. Mbi 30 botime kanë qenë shtypur në shqip dhe në anglisht dhe të paktën katër prej tyre kanë botuar edhe materiale në frëngjisht e italisht.

– Sikundër shtypi i grupeve të tjera etnike në Amerikë, edhe shtypi shqiptar, në përgjithësi aspironte të përmirësonte kushtet sociale, ekonomike, edukative dhe politike të shqiptarëve, – thotë Peter Prifti. Mirëpo, ndryshe nga një pjesë e madhe e shtypit të emigrantëve të tjerë, ai i rezistoi asimilimit nga shoqëria amerikane dhe, në anën tjetër, u tregua i përmbajtur ndaj rrymave radikale dhe revolucionare të kohës. Shkurt, ai i mënjanoi të dy ekstremet. Nëse duhet përdorur një fjalë për të karakterizuar apo përkufizuar shtypin shqiptar në Amerikë, pohon P. Prifti, është fjala nacionalizëm, që nënkupton formimin dhe ruajtjen e kombit shqiptar.

* * *

Nga biografia e pasur e protagonistit të këtij shkrimi shënojmë edhe kohën kur punoi 15 vjet në MIT (Massachusetts Institute of Technology, sektori për studime ndërkombëtare) në Cambridge, institut shumë i njohur në botë. Më të shumtën e kohës ai u muar aty me çështjen shqiptare. Këtu, në një mjedis intelektual të ngritur, ai filloi edhe veprimtarinë e vet të mirëfilltë akademike. Gjatë kësaj kohe ai shkruajti e botoi studime mbi vendlindjen e mbi ngjarjet në Kosovë. Studimet për problemet shqiptare ai i vazhdoi në San Diego të California-s, ku u shpërngul më 1976. Kjo lëvizje e tij lidhej me një projekt të Fakultetit të Gjuhës të Universitetit të California-s në këtë qytet për studimin e gjuhës shqipe. Priftin e ftuan që të punonte aty si specialist i shqipes. Puna që ai bëri bashkë me kolegët amerikanë u kurorëzua me botimin e dy librave “Spoken Albanian” (Shqipja e folur) më 1980 dhe “Standard Albanian” (Shqipja standarde), botuar dy vjet më vonë, që trajton probleme të gramatikës së gjuhës shqipe, sipas parimeve të gjuhës së njësuar.

Të dy librat u pritën shumë mirë nga kritika dhe lexuesi. Peter R. Prifti qysh nga dita kur erdhi në Amerikë, në një mënyrë ose tjetër, pa ndërprerje, mbajti marrëdhënie të ngushta me botën shqiptare. Kur ishte në Filadelfia, ai drejtoi një radio program të përjavshëm në gjuhën shqipe (1949 – 55). Gjatë tërë kësaj kohe ai u muar vazhdimisht me kërkime dhe botime në fushën e studimeve shqiptare. Në listën e botimeve, vendin e parë e zë libri “Socialist Albania Since 1944” (Shqipëria socialiste që nga viti 1944) që u botua më 1978. Duke e parë Shqipërinë në kontekst të zhvillimeve politiko – ekonomike në raport me të kaluarën, ai në atë kohë konstatonte në librin e vet se Shqipëria një ditë do të shkëputet nga bota komuniste, për shkak se ajo historikisht ishte e lidhur me Perëndimin. Një kapitull në këtë libër, studiuesi ynë ia kushtoi Kosovës, për t’i treguar botës anglisht folëse se “ka Shqipëri, por ka edhe Kosovë” dhe se “Shqipëria e Kosova janë një”.

Mjaft libra që janë botuar për Shqipërinë, Kosovën dhe Evropën Lindore në tri dekadat e fundit në Amerikë, përfshijnë edhe kapituj të shkruar nga P. Prifti, për çështje të ndryshme, si: marrëdhëniet ndërkombëtare, konfliktet etnike, ekonomi, ushtri, fe, letërsi e kujtime.

– Unë kam shkruar për Kosovën më shumë se për çdo gjë tjetër. Kam një dosje të ngjeshur, – thotë Prifti dhe shton: – Pavarësisht se cili është opinioni i botës për Kosovën, rruga më e mirë është që ajo të deklarohet haptas për t’u bashkuar me Shqipërinë, sepse është pjesë e saj, është gjysma e tokës shqiptare që padrejtësisht u shkëput nga Fuqitë e Mëdha.

– Ky gabim tragjik duhet të korrigjohet, – konkludon ai. – Shqiptarët duhet të banojnë në një komb të bashkuar. Në këtë kënd duhet ta shohin ata ardhmërinë dhe të punojnë deri në arritjen e qëllimit. Shqipëria, për sa kohë që do të jetë e ndarë me Kosovën, e ka vështirë të ekzistojë. Këtë e tha edhe Ismail Qemali në kohën e vet. Këtë e kanë pohuar edhe shumë të tjerë, – thotë ai.

* * *

Disa nga punimet e Peter Priftit gjenden në enciklopedi të ndryshme të botuara në Amerikë dhe në Evropë. Një nga këto është edhe enciklopedia e famshme “Britannica”, për të cilën ai përgatiti një artikull mbi historinë e Shqipërisë. Ai ka botuar gjithashtu edhe studime, recensione të librave, reportazhe, intervista etj., nëpër revista akademike dhe në shtypin shqiptar dhe sidomos në gazetat “Dielli”, “Liria” në Boston dhe më vonë në “Illyria” në New York. Një pjesë e mirë e veprimtarisë së tij lidhet me përkthimet që ka bërë nga gjuha shqipe në anglisht, me qëllim që letërsia e vendlindjes të bëhet sa më e njohur në botën anglisht folëse. Ndër përkthimet më serioze ai përmend veprat e të vëllait, shkrimtarit, Naum Prifti dhe një libër të Stavre Frashërit “Përmes Mirditës në dimër”.

Përveç përkthimeve dhe studimeve, Peter Prifti ka qenë mjaft aktiv në veprimtaritë e kolonisë shqiptare në Amerikë, si në organizimin e festave kombëtare, në shfaqjen e dramave dhe filmave, në lëvrimin dhe përhapjen e folklorit e kulturës së popullit shqiptar. Ai ka marrë pjesë e ka folur në mjaft konferenca akademike si në simpoziumin për Nolin në “Harvard University” më 1982, në Konferencën për Kosovën në New York, po atë vit, etj.

(Dërgoi për botim: Rafaela Prifti)

Fotot:

Peter Prifti (majtas) në moshën 3 vjeç me gjyshen Dhespina Simon Priftin dhe vëllaun Paul-in, 5 vjeç (Rehovë, 1927)

Peter Prifti me vëllain Paul-in (majtas) dhe babain, Rafailin në Philadelphia më 1940

Peter Prifti, 24 vjeç, vitin që u diplomua në “Penn State College” më 1949

Me prof. Gjon Sinishtën në San Francisco, California më 1986.

Peter Prifti në banesën e tij në San Diego duke iu përgjigjur pyetjeve të autorit të shkrimit, Vehbi Bajrami.

Filed Under: Interviste

Përjetë mirënjohës e falenderues Presidentit historik të Kosovës Doktor Ibrahim Rugova

December 3, 2024 by s p

Elmi Berisha/

Sot më 2 Dhjetor para 80 viteve lindi Presidenti i parë dhe historik i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Personalitet kombëtar ndër më të shquarit e shekullit tonë. Ai ishte ideatori, arkitekti dhe themeluesi i shtetit modern të Kosovës. Intelektual, dijetar urtak, filozof i mendimit politik i cili me vizionin dhe politikën unike na udhëhoqi duke ndriçuar rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. E ndërkombtarizoi çështjen e Kosovës, ndërtoi ura miqësie me shtetet më të fuqishme të planetit, me paqe dhe urtësi, vizion e mençuri, falë largpamësisë së tij, sot Kosova gëzon lirinë dhe shtetësinë.

Përjetësisht mirënjohës President, krenar që punuam me Ju dhe jetuam në epokën e Ibrahim Rugovës.

E pa harruar përjetë, vepra e kujtimi për Doktor Rugovën.

Filed Under: Analiza

Vatra Miami: Krenari dhe falënderime pas përmbylljes së muajit të Flamurit!

December 3, 2024 by s p

Komuniteti Shqiptar i Floridës së Jugut pati dy evente madhështore këtë nëntor: për herë të parë, ngritjen e flamurit shqiptar në Bashkinë e Hollywood dhe gjithë Floridën e Jugut si dhe celebrimin e festës kombëtare së bashku me Ditën e Falënderimeve (Thanksgiving) më 28 Nëntor. Të dyja këto aktivitete ishin organizuar nga Vatra Miami.

Vatra Miami ndihet krenare që arriti këtë ditë historike. Mesazhi i saj është i qartë: Kur duam njëri-tjetrin, duam më shumë Shqipërinë! Asnjë ditë nuk na bashkon më shumë se Festa e Flamurit, dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori.

Siç ka thënë Mit’hat Frashëri:

“Patriotizmi është mbi të gjitha një ndjenjë madhështore që na shtyn të kërkojmë nderin dhe madhërinë e kombit tonë, sepse në atë madhëri do të gjejmë lumturinë dhe nderin tonë si individë.”

I bekuar qoftë çdo shqiptar, brenda dhe jashtë trojeve, që e ka në zemër këtë amanet të Frashëlliut të fundit!

Në emër të Vatra Miami dhe Klubit Flas Shqip, dëshirojmë të shprehim falënderimet tona të përzemërta për të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtyre sukseseve të mëdha:

Falënderime të Veçanta:

Kryetarit të Bashkisë së Hollywood dhe stafit të tij, për mikpritjen e veçantë dhe lejimin që flamuri ynë të valëvitej krenar për herë të parë për tre ditë me radhë në qiellin më jugor të kontinentit Amerikan.

Sponsorit gjeneral të Klubit Flas Shqip, z. Doug Saraci, pronar i kompanisë së suksesshme Alyssa’s, i cili mbështeti financiarisht Klubin Flas Shqip dhe premton ndihmë të mëtejshme për zgjerimin e tij.

Prindërve të përkushtuar, si Ilir dhe Suela Dekaj, Lek dhe Adela Dekaj, Lul dhe Ardela Smailaj, Alban dhe Tika Hoti, familjet Zharku dhe Berisha, Nola Belenek, dhe familjen Jakupi, Troni dhe Shehu, që kanë ndihmuar në rritjen e radhëve të klubit dhe kanë qenë ndër të parët që ofruan mbështetje financiare për eventet e nëntorit.

Skulptorit Artur Bejkollari, banues në Miami, i cili krijoi banerin kryesor të eventit si një dhuratë e veçantë për Vatra Miami.

Televizionit Noli TV dhe gazetarit Nazim Saliu, për mbulimin profesional të eventit dhe promovimin e komunitetit tonë.

Përfaqësuesve të Vatrës, z. Sokol Paja dhe z. Marjan Cubi, që na nderuan me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre në event.

Mësueses Liljana Rrumbullaku për përkushtimin në përgatitjen dhe realizimin e koncertit të fëmijëve si dhe mësuese Ana Liko për ndihmën me orientimin e të ftuarve përgjatë eventit.

Familjes sime, që më mbështeti pa kushte gjatë gjithë kësaj kohe.

Një falenderim i vecante i shkon orkestrës së Maestro Raif Hyseni dhe Bilbilit të këngës së Shqipërisë së mesme Merita Halili që i dhanë mbrëmjes notat e larta festive.

Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip do të vazhdojnë të kontribuojnë për komunitetin shqiptar, duke rritur numrin e anëtarëve dhe nxënësve, duke rrënjosur gjuhën dhe kulturën tonë në brezat e rinj dhe duke promovuar vlerat kombëtare. Por mbi të gjitha, ne do të vazhdojmë të forcojmë frymën e bashkimit, sepse vetëm të bashkuar si komunitet mund të jemi më të fuqishëm.

Zoti e bekoftë çdo shqiptar dhe çdo cep të botës ku ata jetojnë dhe punojnë!

Bekuar qoftë Shqipëria dhe Amerika, të dyja janë tonat, si valvulat e zemrës!

Me respekt,

Vatra Miami

Filed Under: Vatra

Kryetari i VATRËS në Boston z.Mentor Maksutaj takoi kongresmenin amerikan z.Seth Moulton!

December 3, 2024 by s p

Takimi u zhvillua gjatë një darke të organizuar nga “Albanian Boston Community Center” dhe “Çunat e Bostonit” në Peabody MA, ku kongresmeni Moulton për të nderuar ditë e pavarësisë së Shqipërisë ishte bashkuar me shqiptarët!

Gjatë këtij eventi, organizatorët nderuan VATRËN e Bostonit për punën e saj të palodhur në forcimin e bashkëpunimit për çështjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirënjohjen e veçantë për këtë kontribut, kryetarit të VATRËS në Boston, z. Mentor Maksutaj, ia dorëzoi kongresmenit z.Seth Moulton.

Në këtë event morën pjesë mbi 450 shqiptarë nga komuniteti ynë në Boston, të cilët së bashku festuan Ditën e Pavarësisë!

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT