• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Shpirti publik dhe llogaridhënia e atyre që na drejtojnë

December 28, 2024 by s p

Agim Baçi/

A mund të bëjë gjithçka një qeveri, nisur vetëm nga fakti se është votuar nga shumica? Politologu dhe esteti britanik Roger Scruton ishte i idesë se përveç rezultatit zgjedhor, një qeveri duhet ta qëndrojë si e pranueshme për publikun duke funksionuar përmes një shpirti publik dhe një komunikimi me qytetarët – një komunikim ku të mos synohet që ndaj tyre të krijohet vetëm bindja apo që ndaj tyre të funksionojë vetëm marrëdhënia demagogjike. Sipas Scruton, qeveria duhet të rrëfehet jo vetëm për atë që dëshiron, por sidomos për atë ç’ka bën bazuar në ligje në punën e saj.

Por idetë politike të Scrutonit për një qeverisje me shpirt publik, që jep llogari për atë që bën, janë të kërcënuara sot fuqimisht nga makiavelistët në pushtet dhe ata që aspirojnë të marrin pushtetin, të cilët, në vend të llogaridhënies aplikojnë vetëm frikësimin, shpifjen dhe bindjen.

Po të shohim më vëmendje, ngado pushteti ka fokusuar llogaridhënien dhe mbajtjen e përgjegjësisë me frikësimin apo ndëshkimin e kujtdo që mendon ndryshe, duke kërcënuar kështu jetën në mënyrë të dinjitetshme. Madje, gati në mënyrë të hapur, politika sot, në vend të paraqitjes së alternativave është munduar t’i zhdukë ato. Për të arritur zhdukjen e alternativave është përdorur zëvendësimi i informacionit me bindjen, duke e bërë të vërtetën gjithnjë e më të pavend në debat. Për pasojë, në vend të përpjekjes për ndryshim, shumica e qytetarëve mbeten peng vetëm i gjendjes së pakënaqësisë pa provuar se mund të ndryshojnë.

Në Shqipëri, fatkeqësisht të parët që ngurojnë për të kundërshtuar një politikë të ushtrimit të frikës dhe bindjes, një politikë pa llogaridhënie dhe alternativa, janë ato pjestarë të shoqërisë që njihen me emrin intelektualë, të cilët më së shumti njihen vetëm për frazat demotivuese- “Ne nuk bëhemi”, “ne nuk dimë”, “ne jemi të paaftë”, “ne nuk ndryshojmë”.

Kështu, nën pushtetin e kulturës së frikës, intelektualët kanë shmangur përgjegjësitë individuale për të kërkuar rrugëzgjidhje më të mirë politike dhe sociale, duke nisur nga kurajo e tyre personale që duhej të kishin treguar për të ngritur zërin mbi gjendjen në shoqëri dhe qeverisje. Madje edhe më keq, intelektualët prej kohësh janë kthyer në një skelet ideologjik të pushteteve, duke shtuar edhe më shumë frikën se shoqëria shqiptare nuk ka arritur të shkëputet nga amullia njerëzore e dehumanizimit nën diktaturë, ku për mbijetesë askush nuk e kishte problem t’i thoshte të bardhës të zezë e të zezës të bardhë.

Ky kompromis i vazhdueshëm i qytetarëve më kulturën e frikës dhe të bindjes ka zhdukur prej kohësh guximin për t’u kërkur llogari atyre që i votojmë, atyre që u japim pushtet.

…Ne kemi nevojë për shpirtin publik dhe llogaridhënien e atyre që na drejtojnë. Por për të kërkuar një gjë të tillë nevojitet që, më së pari, të mos ja hapim krahët frikës, por ta refuzojmë atë, nëse ende dëshirojmë që të rrisim fëmijët me dashurinë për këtë vend.

Filed Under: ESSE

ROMANI I NJË BALADE, BALADA E NJË ROMANI QË ERDHI NGA RUMANIA

December 28, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti/

Tani së voni doli në shqip romani “Balada”, – një titull për një titull, që kumbon sërish madhërishëm dhe në këtë vepër, – botim i “Onufrit”, i shkrimtarit rumun Adrian Lesenciuc, i cili erdhi dhe në Tiranë në përurimin e veprës në shtëpinë muze “Kadare”, që u zgjodh me qëllim.

Që në kopertinë të botimit lexojet “Një roman biografik për kompozitorin e madh rumun Ciprian Porumbescu – Kompozitori i himnit tonë kombëtar”.

Gjithsesi nga që “Balada” është për një kompozitor, ndjen se ajo harmoni dhe rendja ritmike, përftojnë një muzikë të brendshme dhe e kupton se e ka në trupin e vet si pema limfën.

Muzikë ballkanike, konkretisht rumune, e lidhur më shumë me Europën Qendrore, Vienën Perandorake, por gjithsesi me shpirtin e popullit të vet.

Dhe fjalët e mia do të doja t’u ngjanin akordeve muzikore, të përcillnin emocion, jo analyze kritike…

Akordi 1

Pikërisht ky shënim i shkurtër në krye: …Kompozitori i himnit tonë kombëtar… do të shërbente si një thirrje dhe për lexuesin shqiptar, veçan:erisht, që edhe pse nuk bën pjesë në intrigën romanore himni ynë, kërshëria për të ditur për këtë kompozitur, për jetën dhe vendin e tij në kohën e tij, mbeten joshëse, pse ky himb doli aty, ndërkaq vepra e përplotëson prishmërinë ndryshe, bukur dhe me informacion letrar,

Nuk është një monografi, është një roman, monografi shpirtërore, mund të themi, që shpalos histori dhe një hapësirë kulturore, që janë të një të kaluare, që jehojnë si e tashme, ku rrëfimi në vetë të parë i jep një çiltërsi besimi.

Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një shkrimtar të seriozes, me dije si Lesenciuc, poet dhe eseist dhe profesor universitar, me shumë çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërkaq dhe njohës i letrave shqipe në rumanisht, ku herë pas here i ka shoqëruar me artikuj kritikë të ndjeshëm.

Akordi 2

Koha e ngjarjeve është dhe nuk është e kufizuar nga historia e vet, aq sa duket sikur kufijtë midis kohës reale dhe asaj mitike janë të zbehtë. Historia zhytet në një Rumani rurale, ku traditat, këngët dhe legjendat përcillen brez pas brezi, një përzierje antropologjike, ku elementët folklorikë ndërthuren me sfidat për të afruar të tashmen urbane, moderne, duke ngulmuar në nevojën e rikthimit ndryshe.

Kjo qasje bën që romani të qëndrojë si një urë mes traditës si një ëndërr dhe botës bashkëkohore si një vizion.

Akordi 3

“…Baladë për Piano dhe Violinë, op.29, kompozim të cilin e ndjeja në vena. Ka diçka që duket të jetë gjenetikisht e trashëguar. Teksa mblidhja të dhëna, – i thotë shkrimtari Adrian Lesenciuc si një kolegu Andreas Dushit në intervistën e tij, – zbulova se çfarë personaliteti i madh kishte qenë i ati i Çipirian Porumbesc-ut dhe vendosa të shkruaja rreth tij [,,,], që kontribuoi në ringritjen e shpirtit rumun gjatë revolucionit të 1848. Kam mbledhur informacione për diku dhjetë vjet […] e përfundova. Për mua, ishte si një çlirim.”

Pikërisht çlirimi është një terminal, që autori të vazhdojë te lexuesi si një tjetër terminal apo kohë muzikore.

“…Muzika e Çipirian Porumbescut është një mjet i tillë transmetimi kulturor dhe jam i lumtur që, nëpërmjet Asdrenit, një nga kompozimet e periudhës kur Porumbescu ishte student në Vienë, është bërë himni kombëtar i Shqipërisë.” Ja, pra poeti ynë i padukshëm në roman, as fantazmë, por është ai ajër dhe fryma që na çojnë atje. Romani “Balada” rrëfen një histori shumëdimensionale, ku ngjarjet duan të ngjajnë me mitet dhe baladat popullore të Rumanisë. Në qendër mbetet kërkimi për kuptimin e jetës dhe identitetin, që formëzohen nëpër rrugë të përshkuara nga figura simbolike dhe situata jo pa enigma. Përmes narrativës, shkrimtari eksploron fuqinë e artit dhe traditës si mekanizma të ruajtjes së identitetit kombëtar, po aq dhe njerëzor. Edhe kjo nëpërmjet artit me art.

Akordi 4

Romani i ngjan një udhëtim në kohë dhe hapësirë dhe të një dimesioni tjetër, atë shpirtëror, për të dhënë prani nëpërmjet së ikurës. Gjatë këtij udhëtimi ndeshesh me vetvete të tjera.

Figura e gruas është dhe mbartëse, ashtu si e dashurisë, dhe e baladave, që ruajnë sekretet e trashëgimisë së lashtë, ndërsa figura e të moshuarit-persoanzh ka urtësinë e popullit dhe lidhjen e ngushtë me natyrën. Së pari asaj njerëzore.

Dilemat morale, mëdyshjet e brendshme, tërheqja nga një zë mistik – kënga e një balade të harruar, që ngjan se mban të gjitha përgjigjet që kërkohen te ky roman.

.

Akordi 5

Personazhet e romanit aq sa janë vetvete, përfaqësojnë koncepte të veçanta dhe arketipe universale. Protagonisti, i cili shpesh duket si alterego e autorit, por dhe e lexuesit gjatë leximit, kalon një proces zhndërrimesh të brendshme, nga përjetime reale me dimensione fërgëlluese metafizike.

Figura të tjera përforcojnë karakterin alegorik të romanit.

Adrian Lesenciuc tërhiqet nga rëndesa e trashëgimisë kulturore dhe forca e saj që vërshon vetvetiu në përballjen me krizat e kohës moderne apo me zhvillimet normale, qofshin dhe të bujshme. Se edhe normalja mund të jetë e tillë.

Romani duket se është vepër e q;ellimshme kujtesës, do të thosha, e asaj kujtese që mbetet dhe në ajër si muzika e baladat, e karakterit dhe e lidhjes me rrënjët. Kërkimi për kuptimet ekzistenciale duket se ka si çelës përgjigjen e pyetja thelbësore: A mundet tradita të ndihmojë njeriun të kuptojë vetveten dhe botën?

Ashtu siç thoshte poeti i madh europian Mario Luzi, ne jemi ajo që kujtojmë.

Akordi 6

Vlerat dhe Stili. “Balada” ka një rrjedhë poetike, prej nga vjen dhe muzika e saj, me natyrshëri që e shndërrojnë leximin një përvojë estetike dhe ideore veçmas.

Titujet e krerëve janë si vargje baladeske. Adrian Lesenciuc ndërthur një gjuhë të kultivuar, që falë përkthimit nga rumanishtja nga Spriu Fuchi dhe Altin Vasillaq Kaso me thjeshtësi dhe lëng përcjellin një figuracion dhe simbole që pasqyrojnë një botë emocionale dhe ndodhish, të lidhura pandashëm me themelet, që kulmohet me vlerat pannjerëzore dhe artin.

“Balada” do të thosha se është një himn për traditat dhe një thirrje për të ruajtur kujtesën kulturore, e theksoj: kujtesën kulturore, në kohëra të trazirave shpirtërore. Kënga, ajo që është brenda nesh, edhe e papërfunduar apo e pakënduar, mbetet shtyllë e qëndrueshmërisë njerëzore.

Akordi i mbramë:

Në veprën e shkrimtarit rumun Adrian Lesenciuc gjej kishat si institucione, aq sa jashtë, edhe brenda njeriut, pra më shumë si konstrukte shpirtërore, i besimit të thellë.

Ndërkaq dhe romani i tij më i fundit, i botuat këtë vit në Rumani prandja dhe është “Gjuha e Jezusit”. pjesën e parë të të cilit na e solli në shqip në “ExLibris” përkthyesi, studiuesi dhe kritiku i artit Dr. Luan Topçiu

“- Paqja është për të dobëtit! Bëra kryq, sepse zavalli njeri, në padijen e tij, nuk mund të kuptonte që nga të gjitha viset nga vijmë, ne përshëndetemi duke i uruar paqe njëri-tjetrit, jo sepse jemi të dobët, por sepse dëshirojmë për njëri-tjetrin forcën e vërtetë.” Ja, matrikulla e veprës Lesenciuc – paqja. Përmes konflikteve që sjellin paqe. Jo luftës. Çuditërisht në veprën e tij sikur parandillet ajo që po ndodh tani në Siri: “Sapo kisha filluar të pija kafenë kur pashë ushtarët sirianë tek hyrja të cilët, papritur, u ngritën në qëndrim gatitu. Pas disa çastesh, një makinë e njohur u afrua… Mund të isha gabuar, sepse të gjitha makinat e zyrtarëve të zonës ishin Toyote të zeza, ose makina 4X4 nga General Motors. Nuk dija kurrë se kush ishte brenda tyre – klanet e fuqishme qarkullonin pa targa, shpesh me një kolonë të tërë Toyotash ose GMC, dhe çdo herë që një Toyota e zezë hynte në zonën e kontrolluar nga patrulla siriane, mornica rrëqethjeje më përshkonin gjithë shtyllën kurrizore […] – Paqja qoftë me ty, – më përshëndeti dhe u ul pranë meje. – U trembe? – Jo, – i thashë, ndonëse e dija mirë se ai e kishte kuptuar që po gënjeja dhe që dridhja ime ishte e dukshme”. Letërsia, ajo e njerëzve dhe e lirisë së tyre, jo ajo e sundimtarve, i paralajmëron ata dhe diktaturat e tyre, madje i përmbys sundimet e padrejta si sistem apo ideologji më parë se përballja si dëshirë sizmike, ëndërr dhe thirrje, ndërkaq jep atë kurajo, që bën të guxojmë për mirë. Në fund të fundit dëshmon me emocionin si me muzikë në ajër, që është kujtesë e së ardhmes ose le ta themi me fjalinë e fundit të romanit “Balada”: “nuk është ajo që më përcakton. Unë nuk jam gjë tjetër veçse kohë.” Letërsia e vyer nuk na merr, por na jep kohë. Të duhurën…

Filed Under: LETERSI

TASIM MEÇE PERSONALITET I DETARISË SHQIPTARE

December 28, 2024 by s p

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/

Të flasësh për komandantët e detit, ata që bënin “zap” edhe shtrëngatat e detit nuk është e thjeshtë. Ata janë si një gjëmim i thellë deti dhe zemra e tyre është e lidhur përjetësisht me detin. Detarët e Marinës Luftarake Detare si komandant Tasim Meçe gjithë qënien e tyre shpirtërore e kanë trupëzuar me atë masë gjigande uji, që miqësinë e kanë vetëm me ata që dinë të sillen dhe ta trajtojnë detin si shtëpinë e tyre. Komandantët e detit ja njohin huqet detit, e dinë dhe e duan fort detin sepse jetën e kanë lidhur përjetësisht me të. Hallet dhe dertet i kanë pazgjidhshmërisht me uturimën e valëve të detit, ata që zhyten me trup e shpirt dhe dinë të dalin dhe t’ja dalin një prej zanateve më të vjetra të njerëzimit, atë të detarit, që tokën e kanë përkohshmëri dhe detin e kanë në shpirt, por edhe shpirtin e zemrën e kanë sa deti. Anijet luftarake që drejtuan ishin dhe ngelën jo vetëm kujtime, por një jetë e gjallë në kaltërsitë e detit Jon dhe Adriatik, në përmbushje të misionit të paprekshmërtisë së kufijve detarë shqiptarë.

*

Rrënjët familjare të Tasim Bido Meçe i lindur në Rusan të Delvinës

Familja e Tasim Meçes sikurse gjithë shqiptarët kishin jetuar shekujve me një shpirt të lirë dhe që nuk e duronin dot shtypjen e shfrytëzimin, i urrenin pushtimet e perandorive që shkelën e shtypën lirinë e shqiptarëve në të gjitha epokat. Fisi i oxhakut familjar “Meçe” është me prejardhje nga Mavrova e Vlorës, që kishte zbaritur në Delvinë që rreth shekullit të XVIII. Por fakt është se stërgjyshi (Jaho) dhe gjyshi (Hysni) i Tasim Meçes kanë lindur në Delvinë. i pari që ka mbritur në Delvinë nga Mavrova ka qenë Muhamet meçe (pra para 5 brezash). Tasimi është brezi i pestë i familjes Meçe. Babai i tij, Bido Meçe me profesion bujk, fshatar i mesëm, nëna Sadika Meçe shtëpijake,vajzë nga Mazo Bazaiti nga lagjia “Xhermëhallë”, ose lagjia “Lala Malo” (e motra e Javer Malo) dhe mbesë në Zejnataj në Lagjen Kasapaj. Gjyshja nga babai i Tasimit ka qënë nga Xhermëhalla, kushërirë e parë me dëshmoren Lala Malon. Familja Meçe ka qënë e lidhur ngushtë me LANÇ-in, edhe pse babai i tij nuk ka marrë pjesë me armë në dorë në luftë, por e ka ndihmuar formacionet luftarake partizane. Në vitin 1946 në shtëpinë tonë eshtë krijuar Këshilli Nacionalçlirimtar i fshatit dhe kryetar këshilli u emërua Bido Meçe. Vëllai i tij më i madh Qemal Meçe para çlirimit ishte kryeplak i fshatit dhe pas çlirimit shkoi në Tiranë, ku është marrë me tregëti. Xhaxhai tjetër Hamdi Meçe së bashku ma dajon tim, Galip Bazaiti ishin partizanë të Br19S, që ishte krijuar në Theollogo të Sarandës më 30 gusht 1944. Që të dy kanë shkuar me luftime deri në Vishegrad në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë dhe të dy kanë qenë invalid të luftës nacionalçlirimtare. Një nip i babait të Tasim Meçes, Kabo Kabi nga Borshi është dëshmor i luftës, i cili ka rënë në Libohovë. Babai i tij Xhevat Kabo ka qemë shoqërues i parë i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit modern shqiptar më 28.11.1912.

Tasim Bido Meçe është lindur në Rusan të Delvinës më 14 maj 1940, në një ambient atdhetar e patriotik, nga prindër të nderuar dhe respektuar jo vetëm në Rusan por në mbarë trevën përreth Delvinës. Shkollën fillore e kreu në Gizdarat, ndësa 7 vjeçaren në Shkollën “10 Korriku” në Delvinë dhe e përfundoi në vitin 1953. Në vitin 1954 shkon për studime në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundoi në vitin 1958 me rezultate shumë të mira. Për këtë arsye në shtator 1958 u përzgjodh dhe u dërgua për studime në në ish-Bashkimin Sovjetik, në Shkollën e Lartë të Detarisë në Baku Azerbajxhan.

Me qënë se në 17 Shtator 1958 u krijua Brigada e Nëndetseve në Pashaliman dhe duheshin kuadro për Nëndetëse për këtë arsye 12 studentë të vitit të parë u përzgjodhën për të shërbyer në Nëndetëse. Pas 6 muaj shkollë në Baku transferohen në Shollën e Lartë të detarisë në Riga të Letonisë. Në Riga zhvilluan gjashtë muaj program mësimor dhe më tej i transferojnë në Shkollën e Lartë të Nënujsave në qytetin e Leningradit, ku edhe filluam studimet në vitin e dytë. Në përfundim të këtij vitit mësimor në korrik 1960 shkuan për një muaj praktikë mësimore në Brigadën e Nëndetseve. Pas praktikës u kthyen sërish në shkollë. Në pranverën e vitit 1961 përfunduan proçesin mësimor duke dhënë edhe provimet e vitit të tretë. Është fakt se studentët shqiptarë të marinës në këtë periudhë i kryenin studimet në qytetet bregdetare si në Leningrad (Rusi), Baku (Azerbaxhan) Odesa (Ukrainë), Riga (Letoni), por largimi i studentëve shqiptarë nga ish-BS-ja ishte përgjigjia flakë përflakë veprimeve arrogante e agresive të rusëve në Pashaliman, të cilët edhe tentuan të rrëmbenin, apo dhe të sabotonin teknikën e nëndetseve, ku nga 12 nëndetëse që ishin aty katër u ngelën shqiptarëve. Por në vitin 1961 me prishjen e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik u kthyen në Atdhe dhe ashtu siç u premtoi Atasheu Ushtarak në Moskë Halim Ramohito, ishin marrë të gjitha masat që mësimet do t’i vijonin në Shqipëri atje ku i keni lënë. Rifillimin e studimeve e konfirmoi dhe i dërguari i posaçëm ushtaraku i lartë shqiptar Gjeneral Dilaver Poçi pasi Gjeneral Halim Ramohito ishte shpallur “non grata” nga Rusët. Në Shtator 1961 u çel Shkolla e Lartë e Detarisë fillimisht në Pashaliman, ku filluan mësimin tre kurse. Kursi ku bënte pjesë Tasim Meçe filloi mësimin në vitn e katërt. Pas një viti studimesh në Pashaliman më 1 Korrik 1962 emërohen oficera të FLD-së. Në provimet e diplomimit, kryetar i komisionit ishte Komandanti i FLD Admiral Abdi Mati. Kuadrot që mbaruan shkollën shkëlqyeshëm u graduan togera, ndërsa të tjerët nëntogera. Tasim Meçe merr për herë të parë gradën ushtarake toger, për përfundim shkëlqyeshëm të shkollës si dhe e emërojnë navigator në Nëndetëse. Ndërkohë që vendi ku duhej të ndërtohej Akademia e Marinës shqiptare ishte planifikuar të ngrihej që në kohën e Rilindjes Shqiptare: “Shkolla e anijerisë duhet të jetë mbanë detit, tek të jenë edhe anijet e luftës, në Durrës a në Ujt’ të Ftohtë, ndan Vlorës”. (Sami Frashëri/Shemsedin Sami, “Shqipëria çka qenë çështë e çdo të bënetë”). Akademia e Marinës u ngrit më 4.9.1961, në një kohë të “infarkti historik” dhe u shkri nga “infarkti politik”. Viti 1962 ishte viti i fillimit të karrierës ushtarake. Më tej në vijimësi ka kryer edhe detyrën e Zv/Komandantit të Nëndetëses, ndërsa në vitin 1969 emrohet Komandant të Nëndetëses (N/D-4). Që prej vitit 1967 ishin hequr gradat dhe për gati 24 vjet ka shërbyer në Forcat Luftarake Detare (FLD) pa grada. Në vitin 1974 emërohet Shefi i Shtabit të Brigadës së Nëndetëseve, ndërsa në vitin 1975 emërohet Komandant i Bazës Ushtarake Detare (BUD) në Vlorë. Në fund të vitit 1975, me vendim të Këshillit të Mbrojtjes, u krijua Grupimi Operativ i Mbrojtjes të Ishullit të Sazanit, me Komandant Grupimi Neim Muho dhe komisar Ibrahim Gaxholli; në këtë rast caktohet me detyrën e zvendëskomandantit për Flotën. Në përbërje të gupimit ishin Brigada e Këmbësorisë së Ishullit, Rregjimenti i ABD-së, Arileria tokësore, bateritë e AKA, repartet e BUD-it të disllokuar në Sazan me emërtim të ri, Regjmenti i anijeve dhe anekset përkatëse të prapavijës (logjistikës). Në vartësi të grupimit ishin, të gjitha objektet social kulturale, ekonomia ndihmëse, robaqepësia, Shkolla 8 vjeçare “22 Tetori”, kopshti, çerdhja për fëmijët e ushtarakëve. Në Shtator 1976 deri në Korrik 1978 vijoi studimet në Akademin e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, për “shtabnik” të cilën e përfundoi me rezultate shumë të mira dhe pas saj emërohet Komandant i Grupimit Operativ të I-rë Sazan, detyrë që e ka kryer deri në vitin 1983. Ishte pikërisht kjo periudhë kur Tasim Meçe ishte autoriteti më i lartë i ishullit të Sazanit nga ku komandonte tërë rrjetin e vëzhgimit detar dhe nuk lejonte jo vetëm shkeljet detare por as kontrabandën e mundshme që edhe në Shqipëri nuk mungonte, por me “bekimin” e shtetit. Në vitin 1983 grupimi u shpërbë dhe Tasim Meçe kaloi përsësi Komandant i BUD-it në Vlorë detyrë që e ka kryer deri në vitin 1988. Në vitin 1988 deri fund të vitit 1990 ka kryer detyrën e Shef Operativ në Shtabin e FLD. Emërimi në këtë detyrë të lartë është bërë me vendim të Sekretariatit të Komitetit Qendror nr.79 datë 20.7.1987). Sikurse gjithë armët dhe shërbimet edhe Marina kishte shkollën e saj. Shkolla shqiptare e detarisë përgatiste kuadro për marinën luftarake, për marinën tregëtare dhe për marinën e peshkimit. Kuadrot e shkollës së Marinës drejtonin edhe anijet e flotës tregtare që çanin oqeanet dhe bënin lundrime të gjata prej Paqësorit, në Atllantik, në Oqean e në detin e Veriut, madje dhe në Amerikën Latine, në Kinë përgjatë shumë vendeve afrikane në Poloni e deri në Holandë edhe me anije 12-15 mije tonshe duke lëvruar mallra në shumë vende të botës. Që në fakt marina jonë kishte filluar që më 25.12.1925 me dy anije 190 tonëshe, të ardhura nga Italia, të cilat mbanin emrat sinjifikativë “Shqipëria” dhe “Skënderbeg” dhe që kryen vetëm detyra policie/roje bregdetare kundër kontrabandës. Në gjysëmshekullin e kaluar ne kishim 42 katera-silurues vetëm me një mision të goditnin me 84 silura sikurse dhe me katër nëndetset tona mund të jepnim goditje të befasishme dhe në det të hapur me nga 12 silura sejcila. Pra në total vetëm me një mision do të lëshonim nga anijet tona luftarake gati 130 silura. Fakt është gjithashtu se italianët, grekët e jugosllavët e njihnin fuqinë e flotës tonë të njohur dhe në arenën ndërkombëtare. Dalja nga “Traktati i Varshavës” për marinarët dhe oficerët tanë dhanë një shëmbull të shkëlqyer me kryerjen e detyrave të zbulimit sikurse bëri një nga nëndetëset tona më 1957-n, e cila doli në Mesdhe dhe që luftëanijet dhe avionë e NATO-s u alarmuan, sepse në rajonin ku bënte zbulim ajo, ndodhej në një anije luftarake të NATO-s vetë Presidenti Amerikan, Ajzenahuer, që dikur gjatë LIIB, kish qenë edhe kryekomandant i forcave aleate në Evropë. Tasim Meçe duke folur për shërbimin në ishullin e Sazanit shprehet: “Nuk mund të harroj kurrë Sazanin. Si mund të harroj 20 vjetori më gjeti në Pashaliman, 40 vjetorin e festova në Sazan, nga këto 13 vjet në nëndetëse. Gjithë rininë time, si dhe shumë shokë të tjerë e sakrifikuam duke punuar e shërbyer në kushte e vende të vështira, jo vetëm ne, por dhe familjet tona. Një gjë nuk e harojmë kur shoqërinë e mrekullueshme që patëm, në Pashaliman, ashtu dhe në Sazan. Ajo na mbajti gjallë, dhe e ruajmë si gjënë më të shtrenjtë, edhe sot e kësaj dite…”. Nga historia jetësore e FLD-së, ndër të tjerash Komandant Tasim Meçe tregon edhe për atë që ndodhte në të vërtetë në përballje me ruajtjen e hapësirës detare shqiptare. Ja një shembull që flet më shumë se njëmijë fjalë. Faqe nga arkivat shqiptare të AQFA-së: Procesverbal “Mbi kapjen e një motoskafi me flamurin italian”: “Sot, në datën 25.07.1982, në orën 19:25, anija e kufirit me nr.512, duke qenë në shërbim roje kufitare në rajonin GramëPirg, prej pikës së ndodhjes me koordinata gjerësi gjeografike 40 gradë, 14 min. 7 dhe gjatësi gjeografike 19 gradë, 25 min. 2, diktoi në perëndim të Gramës, në distancën rreth 200 milje nga bregu, një motoskaf që vinte nga juglindja për në veriperëndim me tendencë duke iu afruar bregut. Menjëherë, anija e kufirit iu drejtua motoskafit për ta ndaluar atë, megjithëse ishte brenda zonës kufitare të ndaluar për lundrimin e anijeve të huaja. Rreth një minutë pasi e diktuam motoskafin, na njoftuan edhe nga pika e Gramës, se në drejtimin tuaj vjen një motoskaf dhe duhet të ndalohet patjetër. Kur anija u afrua në distancën 300 deri 400 m me motoskafin, ky i fundit e kthen kursin për t’u larguar në drejtim të perëndimit. Kur ne konstatuam këtë, dhamë sinjalin me një raketë të kuqe për ta ndaluar. Ai nuk ndaloi, por mori kursin nga jugperëndimi. Përsëri hodhën raketë të kuqe dhe bëmë manovrën për ta ndaluar. Ai përsëri nuk ndaloi dhe vazhdoi kursin me drejtim perëndimin. Ne përsëritëm hedhjen e raketës së kuqe dhe vazhduam manovrën për ta ndaluar. Duke parë se ai nuk ndalonte, ne shtimë breshëri në ajër me mitraloz, po përsëri motoskafi nuk ndaloi. Të tilla veprime dhe breshëri armësh i përsëritëm disa herë, por ai nuk ndalonte. Paralajmërimi me të shtime në ajër iu bënë motoskafit edhe dy herë të tjera me automatik. Gjatë kohës së manovrimit, ne konstatuam se ekuipazhi i motoskafit përbëhej prej dy vetash, njëri nga të cilët manovronte, ndërsa tjetri bisedonte me radio. Duke parë se motoskafi nuk pranonte të ndalonte, u detyruam ta paralajmërojmë me një breshëri të shtimesh me automatik në pjesën e pasme të motoskafit, për të mos dëmtuar njerëzit, motoskafi përsëri nuk ndaloi dhe tentonte me çdo kusht për t’u larguar. Të tilla manovra janë bërë deri në distancën 2,6 milje larg bregut. Duke e parë se motoskafi nuk zbatonte urdhrat për të ndaluar, por tentonte me çdo kusht për t’u larguar, atëherë komandanti i anijes, Aleko Kamberi, shtiu në drejtim të postit të komandimit të motoskafit me automatik. Si pasojë, një nga dy anëtarët e ekuipazhit që drejtonte në timon u godit dhe u rrëzua, ora 19:37. Personi tjetër mori drejtimin e motoskafit dhe përsëri tentoi të manovronte për t’u larguar. Kur pa se atij i drejtuam armët për ta paralajmëruar, ai u detyrua të ndalonte motoskafin. Me qëllim që të evitonim ndonjë tentativë tjetër për t’u larguar, personin e dytë e kaluam në anijen e kufirit, zbritëm në motoskaf komandantin e anijes, Aleko Kamberi, dhe sanitarin Pëllumb Joni për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore të dëmtuarit, por u konstatua se ai kishte vdekur. Mbas kësaj, motoskafin e rimorquam dhe e sollëm në portin e Vlorës”. Kjo vërteton katërcipërisht përgjegjësinë e madhe për kryerjen e detyrës, në çdo lloj kushti e situate.

*

Në piramidën e drejtimit të FLD-së së Shqipërisë

Ndërsa në vitin 1991 – 1992 ka kryer detyrën e Komandantit të FLD-së (18.3.1991 deri 20.7.1992 del në Rezervë sipas VKM nr.225 dt.29.5.1992), një detyrë me mjaft përgjegjësi kjo që ishte edhe maja e piramidës së detyrave që mund të kryejë një oficer i Flotës Luftarake Detare. Detyra kryesore gjatë këtyre viteve ishte sigurimi i anijeve dhe vendbazimeve nga rrëmbimet dhe grabitjet e mundshme, pasi ishte një periudhë tranzitore e kalesës nga socializmi në demokraci, periudhë mjaft komplekse që në fakt arriti kulmin në vitin e praptë të 1997-tës, me shkatërrimit të të gjithë ushtrisë, uzinave e fabrikave nën moton e çekut të bardhë se çdo gjë duhet ta fillonim nga e para. Disa nga përparësit e aritjeve gjatë periudhës së drejtimit të oficerit madhor Tasim Meçe gjatë viteve 1991-1992, vlen të përmenden ato që kanë të bëjnë me vizitën në venddislokimin e Operacionit “Pelikan” me ministrin e Mbrojtjes, Perikli Teta, për të organizuar sigurimin e transportit e ndihmave, jo vetëm nga toka, por edhe nga deti me anijet tona dhe ato të Grupin Naval Italian, në përbërje të 6 motovedetave të dislokuara, tre në Durrës e tre në Vlorë; përcaktimi i detyra konkrete të grupeve navale; kalimi i Kapitenerive të porteve nga Ministria e Transporteve në vartësi të Komandës së FLD-së ishte një tjetër detyrë kryeesore, për kontrillin e pritjes së anijeve në porte, e daljes së tyre në det. Riorganizimi i kapitenerive të porteve dhe kompletimi i tyre, me kuadro dhe dokumentacionin e rregulloret përkatë të shërbimit. Pritje të ndryshme me Atashet e vendeve mike amerikanë, italianë e turq. Pritja e delegacionit të parë ka qenë ajo e kapitenit të kapitenerive të porteve italiane më 26.8.1991 në Bashkinë Durrës, me kryetar Bashkim Koplikun. Pritje dhe vizitë në kryqëzorin italian “Andra Doria” në Durrës me Ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali, pritja në BUD-in e Shëngjinit e Shefit të Shtabit të Ushtrisë Turke Gjeneral Dogan Gyresh, i cili vlerësoi shumë strehimin e të gjitha anijeve, depot e rezervave materiale, ofiçinës të riparimit, Komandën dhe shtabin e Bazës, brenda në tunelin kundëratomik. Dogan Guresh, kur hyri brenda në tunel në bazën e Shëngjinit më 1992, deklaroi: “Këtë mrekulli që kam parë në Shëngjin, nuk e kam parë në asnjë vend të botës, as në Japoni dhe as në Suedi”. Me ftesë të Shefit të Shtabit të Ushtrisë Turke, edhe ne shkuam për vizitë në Turqi, ku delegacionin e kryesonte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Kostaq Karoli, ku në përbërje të këtij delegacioni ishin: Komandanti i Aviacionit Klement Aliko, Komandanti i FLD-së Tasim Meçe, Drejtori i Xhenjos, Ndërlidhjes dhe i Prapavijës. Delegacioni shqiptar vizitën e parë e bëmë në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe në darkën që shtroi Gjenerali me katër yjë Dogan Gyresh për nder të delegacionit tone na ftoi për vizitë edhe në shtëpinë e tij. Gjatë vizitës në Turqi u takuam edhe me Presidentin e Republikës së Turqisë Sulejman Demirel; ndërkohë që sipas drejtimeve delegacioni ynë takoi dhe bisedoi me homologët respektive të komandave të forcave turke. Kështu u realizua edhe një vizitë e veçantë edhe me Komandantin e Flotës Luftarake Turke me Admiral Irfan. Ndërkohë që vizitën tjetër e realizuan në Bazën Detare të Golçukut, më e madhja në Turqi, ku delegacioni shqiptar u prit nga Komandanti i Bazës Admirali Vural Bajazit. Delegacioni shqiptar parashtroi edhe një kërkesë për mbështetje me ndihma materiale shumë të domosdoshme për nevojat e FLD-së shqiptare, ku pala turke e mirëpriti dhe me dashamirësi u përgjigj pozitivisht, gjitha kërkesave shqiptare, materiale që i sollën me një anije ushtarake në Shqipëri. Gjatë vizitës si komandant flote por dhe delegacioni që e shoqëronte pa nga afër kantierin e ndërtimit dhe riparimit të anijeve, dhe një Nëndetëse. Në nëndetëse u zhvillua edhe një stërvitje, ku supozohej një nëndetëse e mbytur dhe efektivi do dilte në sipërfaqen e ujit me paisje polombari. Një stërvitje të tillë shqiptarët e kishin parë 30 vjet më parë në Shkollën e Marinës në Leningrad, gjatë vitit të tretë mësimor. Gjatë kësaj kësaj vizite delegacioni shqiptar u njoh nga afër me Shkollën e lartë të Detarisë në Golçuk, muzeun e Flotës Luftarake Detare Turke, Uzinën e ndërtimit të avionëve supersonik, xhaminë Blu dhe mjaft muzeume e qendra muzeale të Turqisë. Në Shtator të vitit 1992 në kulmin e karrirës Tasim Meçe e nxjerrin në lirim me reformë, kur vishte në moshën 49 vjeçare, me një asistencë dy vjeçare prej 2400 lekë në muaj. Nxjerrja në lirim ishte ndërprerje e karrierës ushtarake të detyruar nga politika. Përgjatë karrierës ushtarake Tasim Meçe është vlerësuar me disa medalje e dekorata sikurse janë: Urdhëri i shërbimit ushtarak të klasit të tretë (1969); Urdhëri për trimëri civile (1981); Medalje “Nderi ushtarakut”, Medalja e Mirënjohjes” (1974). Urdhëri i Yllit të Kuq klasi tretë (24.3.1990). Fakt është se Tasim Meçe ka qenë nën uniformë në shërbim të vendit nga momenti kur u rreshtua si kursant në shkollën “Skënderbej” më 1.9.1954 deri më 20.7.1992, pra 38 vite nën uniformë. Bazuar në dosjen personale që gjendet në QPR gradën toger e ka marrë më 1 gusht 1962 me urdhër nr. 1798 datë 31.7.1962; ndërsa gradën “kapiten lejtnant” e ka marrë më 1 gusht 1965 me urdhër nr. 0378 datë 11.9.1965; ndërsa grada ushtarake Kapiten i Rangut të parë është vendosur më datën 28.11.1991”.

Kush kanë drejtuar FLD në Shqipëri?

Shqipëria duke qenë në një pozicion të favorshëm gjeostrategjik e ka pasur, e ka dhe do ta ketë të nevojshme mbrojtjen dhe sigurinë edhe nga drejtimi detar. Për këtë në 112 vite të egzistencës së shtetit shqiptar janë marrë masa për mbrojtje detare, ose është menduar rreth saj nga lidershipi politik dhe ushtarak, por mbrojtja e hapësirës detare kërkon resurse të mëdha për ta bërë plotësisht të garantuar sigurinë shqiptare. Për këtë nuk mjaftojnë planet, programet, doktrinat e strategjitë, ligjet e vendimet e pambështetura realisht me mjete e forca detare. Por është gjithashtu fakt se mbrojtje detare solide vendi ynë ka pasur në gjysëmshekullin e shkuar. Por kush e ka drejtuar lidershipin ushtarak shqiptar në drejtimin detar. Nga viti 1928 e deri më sot vendi në drejtimin e mbrojtjes dhe sigurisë detare është udhëhequr nga njëzetë komandantë të forcave detare që kanë qenë sipas viteve të drejtimit: Kapidan Ahmet Kapidani (1928 – 1939); Kundëradmiral Abdi Mati (1945 – 1957, shtator 1961 – shtator 1973); Kundëradmiral Teme Seiko (1958 – gusht 1960); Kundëradmiral Hito Çako (shtator 1960 – shtator 1961); Pa gradë Qamil Poda (shtator 1973 – korrik 1981); Pa gradë Ndue Jaku (1981 – 1991); Kapiten i Rangut të I-rë Tasim Meçe (28.11.1991 – shtator 1992); Kapiten i Rangut të I-rë Fitim Halili (1992 – 1993); Kundëradmiral Edmond Zhupani (1993 – 1994, 1996 – 1997); Kundëradmiral Muharrem Kuçana (1994 – 1996); Kapiten i Rangut të I-rë Vladimir Beja (mars – shtator 1997); Kapiten i Rangut të I-rë Robert Bali (shtator 1997 – tetor 1998); Kundëradmiral Kudret Çela (nëntor 1998 – mars 2005); Kapiten i Rangut të I-rë Kristaq Gërveni (mars 2005 – shtator 2009); Kundëradmiral Kudret Çela (shtator 2009 – janar 2012); Kapiten i Rangut të I-rë Ferdinand Kreshpani (janar 2012-gusht 2012). Në vijimësi për dhjetë vite drejtuesit e Forcave detare nuk kanë qenë detarë, por një zgjidhje e lidershipit politik e ushtarak të vendit, ndërkohë që forcave detare ju është rikthyer legjimiteti vetëm pas dhjetë vitesh më 2022 me emërimin në detyrën e drejtuesit të forcës detare një detar të mirëfilltë. Në vijimësi forcat detare janë drejtuar nga Gjeneral brigade Qemal Shkurti (15 gusht 2012 – maj 2015); Gjeneralmajor Ylber Dogjani (16 tetor 2015 – 16 shtator 2019); Gjeneral brigade Ilir Xhebexhia (tetor 2020-janar 2022); Kundëradmiral Adnand Agastra nga janari 2022 e në vijim. Duhet pranuar se Komandantëve që kanë drejtuar anije luftarake të periudhës gjysëmshekullore ka në vijimësi se çfarë të tregojnë në aspektin teorik dhe praktik të mbrojtjes së hapësirës detare, pasi ata e njohin detin më mirë se tokën. Prandaj edhe merotojnë nderimin dhe respektimin e të gjithë brezave të detarëve pasi vlerësimi për ta është vlerësim për mbrojtjen e vendit dhe hapësirës së shenjtë detare. Detarët dhe jo vetëm gjithë ata që i shërbyen dhe i shërbejnë Atdheut denjësisht me zemër e shpirt meritojnë nderimin ushtarak dhe qytetar, të vendlindjes dhe të kombit. Nuk është e rastit që shumë Bashki në vendin tonë kanë nderuar njerëz me kontribute të shumta për vendin për sigurinë dhe mbrojtjen dhe një nga këta është padyshim edhe Tasim Meçe që i ka qëndruar stoik idealeve të tij të mbrojtjes së vendit dhe zhvillimit e përparimit të tij. Forcat luftarake detare ku shërbeu Tasim Meçe gjatë Luftës së Ftohtë, Forcat e Armatosura numerikisht arritën 61000 forca aktive, dhe 380.000 forca rezerviste e vullnetare; të cilat u riorganizuan disa herë. Efektivi i FLD-së arriti në rreth 5000 vetë me një potencial mjetesh detare luftarake të konsiderueshme, por mbi të gjitha plotësisht të afta për kryerjen e misionit. Tasim Meçe është konkret kur shprehet se, “Në vitin 1945 Shqipëria e filloi nga “hiçi” dhe të mendosh se në fund të viteve 90’-të të shekullit të kaluar kishim gati 150 anije luftarake dhe ndihmuese me dy destinacione kryesore, atë të kohës së paqes dhe të kohës së luftës. Në kohë paqeje, ne siguronim paprekshmërinë e Atdheut dhe ruajtjen e ujërave tona territoriale, ndërsa në kohë lufte, Flota kryente detyra të shkallës operative që do të thoshte me anijet tona luftarake në situata kërcënuese, por edhe në luftë, pengonim karvanet e anijeve armike në bashkëpunim të ngushtë me aviacionin tonë dhe artilerinë bregdetare duke dhënë goditje me silura si nga katerat silurues ashtu dhe nëndetset tona për të prishur dhe penguar formacionet e armikut. Kjo pengesë do t’i jepte kohë popullit që të armatosej dhe të ish i gatshëm për të përballuar agresionin. Në raport me shtrirjen tonë gjeografike, sasinë e popullatës dhe hapsirën detare ne kishim flotë të fuqishme, një popull me 3,5 milionë banorë kishte 150 anije, ndërkohë që Italia, Greqia e Jugosllavia përllogaritur për numër popullsie, ne shqiptarët ishim tërësisht të mirëpërgatitur dhe mirëorganizuar në përballimin e të gjitha situatave në tokë, në det dhe në ajër”.

Sazani ky ishull i shpresës, dhe 10000 banorët që militarizuan atë në gjysëmshekulli

Tasim Meçe shërbeu edhe në Sazan, në ishullin më të madh dhe të vetëm të vendit tonë, ku maja e tij më e lartë është 342 m, me një siperfaqe 5,7 km², vijë bregdetare të thyer në rreth 15 km. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Në ishull gjendet edhe plazhi i njohur zallor i Admiralit. Sipas autorit të vjetër romak Sklymi, në antikitet Sazani thërritej me emrin Sasan, që do të thotë “ishulli i Shpresës” ose i Gurit, një ishull plot thesare dhe çudira historike. Nga shek IV quhej “sason”, në mesjetë u zotërua nga venecianët, në kohët e reja bashkë me ishujt jonianë u zotërua nga britanikët. Ishulli zotëron pikat më strategjike të Adriatikut. Mbreti Ferdinand i Napolit më 1481 e ka përdorur Sazanin si bazë ushtarake. Në shekullin e XV-të u pushtua nga osmanët. Në fillimin e shekullit të XIX-të, Sazani së bashku me disa ishuj të tjerë jonianë u pushtua nga Britania, e cila në vitin 1864 ia kaloi Greqisë. Gjatë luftërave Ballkanike, në vitin 1912, për të bllokuar daljen në det të qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit, grekët vendosën trupa në Sazan. Më 30 dhjetor 1914, Sazani u pushtua nga Italia. Më 1920 italianët u përzunë nga Vlora, por jo nga Sazani dhe ai u kthye në një vend internimi, më saktë në “burg natyror” për ata që kundërshtonin fashizmin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë LIB ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende në Sazan deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë. Më 22 tetor 1944 ishulli u çlirua nga formacioni luftarak i UNÇSH, nga partizanët e Br12S, dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pashalimanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në LIIB në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura. Sazani gjatë periudhës 1944 e deri më 2014 ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasuluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Ushtarakisht nga Sazani kontrollohet i gjithë bregdeti shqiptar dhe kanalin e Otrantos. Për këtë arsye Enver Hoxha e quante ishullin e Sazanit si një nga pikat me nevralgjike jo vetëm të Shqipërisë dhe të Ballkanit, por dhe të gjithë Evropës, duke thënë shprehjen e famshme se “çelësat e Otrantos i kemi ne shqiptarët”. Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë Popullore në rast lufte. Për këtë arsyje njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë. Nga viti 1997 në ishull u vendosën disa motovedeta dhe anije të forcave detare Italiane të cilat asistonin ne luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare Shqipëtare. Në vitin 2009 forcat detare Italiane largohen nga ishulli dhe planet e Ministrisë së Mbrojtjes përi bazë detare po zbehen përballë planeve madhore të turizmit elitar, si potencial turistik. Që nga viti 2014, ujërat që rrethojnë gadishullin e Karaburunit dhe ishullit të Sazanit janë kthyer në një park kombëtar detar.

Rusani fshati që kishte dhëndërr Ali Pashë Tepelenën

Tasim Meçe tregon me pasion për fshatin e tij të lindjes, Rusanin lagjen e Delvinës, vetëm një çerek ore larg me këmbë, ndërkohë që fshati ka qenë “i privilegjuar”, pasi kishte për dhëndërr pashain e famshëm të Janinës. Historikisht është e njohur se Ali pashë Tepelenjoti (1743 -5.2.1822) ishte sundimtar i fuqishëm fisnik shqiptar në kohën e sundimit Osman me tendenca autonomiste që shndërroi Janinën në Pashallëk. Ai ka qenë pinjoll i derës së fisme të Hysove, ku gjyshi i tij Myftar beu ishte dizdar (kështjellar) i Tepelenës, që më pas ra rob rob dhe u var në litar gjatë rrethimit të dytë të Korfuzit. Një nga tre djemtë e Myftar beut, Veliu mori për grua Esmiha hanëmin (Hankua)nga dera e bejlerëve të Konicës që më pas do të njiheshin si Zenelbejllinjtë, çifti pati një djalë dhe një vajzë, Aliun dhe Shahnisanë. Aliu iu dha jetës së komitit me trimat e vet deri kur më 1763 i kërkoi dorën Hanko pashës (e shoqja e pashës), e bija e Ahmet pashë Ngurzës. Por Hankoja nuk e pranoi kërkesën e tij dhe më 1766 u martua me Ibrahim pashë Vlorën. Më 1768, Aliu 25 vjeçar u martua me të bijën e Sanxhakbeut të Delvinës, Kapllan Asllanpashalliut, Emine (Ymi) Gylsym hanëmin. Pas varjes së vjehrrit dhe ngadhënjimit si i tretë në rivalitetin e dyerve të Kokajve dhe Selimaj-Hajdaragaj-Dostëve, iu dha posti i kajmekamit të bejlerbeut të Rumelisë dhe mori titullin e pashait me një tujë në krye të Sanxhakut të Delvinës. Pas luftës së Perandorisë Osmane me Rusinë më 1787, ku mori pjesë me pasuesit e vet nën komandën e Vezirit të Madh, Jusuf Pashës, Ali Pasha u shqua në luftime. Arsye për të cilën, pas traktatit të paqes u emërua sanxhakbej i Tërhallës dhe derbahat naziri (kryembikëqyrës i qafëmaleve dhe rrugëve të Rumelisë); u fuqizua dhe pasurua gjithnjë e më tepër. Ndër qindra libra të shkruara për dhëndërrin e Rusanit flitet natyrshëm edhe për gratë e Aliut, për trungun e rrethin familjar në prozë, tregime, romane e novela por edhe në vargje sikurse është e famshmja poemë epike “Alipashaida” me 10 mijë vargje e delvinjotit Haxhi Shehtreti poet dhe diplomat i shquar. Rusan është fshati i dashur i Tasim Meçes, fare pranë Delvinës, që historia e tij është gati gjashtë shekullore. Nga veriu fshati Rusan kufizohet me fshatin Lefterhor dhe Kakodhiq, nga jugu me Vllahatin dhe nga lindja me qytetin Delvinë. Rusan ka këto lagje: Bigor ose lagja e fisit të njohur “Kallapodhëve” dhe Rusani. Toponimet të fshatit Rusan janë: “Baçeja Aguridhe”, “Balta e Kuqe”, “Batina”, “Bregu i Shebeke, i Thanës”, “Brigjet e Koke”, “Burim i Kallapodhe”, “Çollaka”, “Dimërori”, “Guri i Lalos”, “Kroi i Babure”, “Mulliri i Bardhë”, “Prroi i Kallapodhe”, “Ura e Beqir Efendiut”, “Ura e Kallapodhate”, “Xhamia e Gjinaleksit” e cila ka qenë ndërtuar nga vëlIëzerit Gjini dhe Aleksi më 1230, e kthyer në xhami (duke ju shtuar minareja) më 1700. Familjet, fiset dhe oxhaqet e fshatit Rusan janë të njohura si: “Baburi (të ardhur nga fshati Babur i Çamërisë), Dizdari, Fteranj, Jupaj, Koka, Meçaj (të ardhur nga Mavrova), Mustaj, Shkrepa, Pupurenj (nga Fterra), Rugjaj (nga Golemi), Rushitaj, Vajaj, Kallapodhaj dhe të tjerë. Sipas Fjalorit Onomastik i Epirit, të Fatos Merorrapaj, por dhe tregimeve të Avdul Veli Kallapodhi e Besnik Veli Kallapodhi, një nga varjantet e shpjegimit të prejardhjes së fisit “Kallapodhi” qarkullon në formë legjende se: “dikur herët i pari i këtij fisi pati shkuar për vizitë tek një miku i tij në Athinë. Takoi që ajo ditë kur ky i shkoi mikut në shtëpi të ishte ditë e vitit të ri, dhe qe i pari ky “që bëri këmbë”. Kjo i solli një mbarësi të madhe asaj shtëpie dhe miku nga Athina, kur i kthente vizitën këtij në Delvinë, e thërriste me mbiemrin “Kallapodhi” që në gjuhën e fqinjëve do të thotë “këmbëmbarë”. Kështu filloi t’i thërriste edhe populli dhe ky emër i ka mbetur gjer më sot”, edhe pse historikisht është një fis i njohur edhe për trimëri, për prijës e kapedanë që kanë hirë në histori dhe në këngët e popullit. Por historia njeh edhe kapedanin dhe prijësin Sulo Kallapodhin nga Rusani i Delvinës që u shqua si luftëtar trim në periudhën e luftës kundër Tanzimatit, bashkë me shumë trima të tjerë. Mendohet se faqet e kodrave këtu në Rusan kanë qenë të mbushura me rrush dhe fshati para sllavëve quhej rrush, ndërsa më pas u quajt “Rusan”, edhe pse këtu nuk mungojnë dhe objektet e kultit dhe rrënojat e një Manastiri më shumë se 1500 vjeçar. Më pas u bë gërshetim mes xhamisë dhe teqesë”. Dikur quhej xhamia e Gjin Aleksit ose xhamia e Abanoz Beut. Sot Rusani bën pjesë në listën e 100 fshatrave turistikë, pret në çdo kohë vizitorë për treguar më shumë për historinë e saj të lashtë dhe të re.

Filed Under: Analiza

Idriz Gjilani – hero i Shqipërisë së bashkuar

December 27, 2024 by s p

Fitim RIFATI/

Anamorava ka qëndruar gjithnjë në ballë të detyrës kombëtare për liri nga robëria shekullore dhe për bashkim të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Në panteonin e këtij ideali, në historinë e shqiptarëve gjatë shekullit XX, pa dyshim, bënë pjesë edhe Idriz Gjilani.

Idriz Hajrullahu, i njohur në histori dhe historiografi si Mulla Idriz Gjilani, u lind më 4 qershor të vitit 1901, në një familje me traditë atdhetare shqiptare nga Velekinca antike e Gjilanit. Në mungesë të shkollave shqipe, sikurse fëmijët e brezit të tij, ndoqi mësimet fetare në shkollën fillore të Cernicës dhe atë të mesme të Gjilanit, ku u dallua për zgjuarsi e shkathtësi. Më 1924-1925 u detyrua të kryente për 2 vite rresht shërbimin ushtarak në armatën serbo-kroato-sllovene. Ndërkohë, në vitin 1926 u diplomua për shkencat teologjike, ç’ka i mundësoi të predikonte mësime fetare dhe të kryente funksionin e imamit, nën uniformën e të cilit diti të maskohej me mjeshtëri, për të kryer aktivitete të ngjeshura politike, kombëtare, religjioze e arsimore dhe për t’u mishëruar me politikën gjenocidare serbo-jugosllave që rëndonte mbi supet e shqiptarëve.
Gruaja e parë dhe e dytë i vdiqën, kurse në martesën e tretë me Hatixhen nga Gjilani pati 3 fëmijë. Ndërmjet dy luftërave botërore, si i ri mbajti kontakte me struktura të Organizatës “Xhemijeti”, me “Komitetin e Kosovës” e me Ferhat Dragën dhe në vazhdimësi kundërshtoi e pengoi shpërnguljen masive të shqiptarëve drejt Turqisë.

Njohja e gjuhëve orientale dhe asaj serbo-kroate i mundësoi shfrytëzimin e literaturës mbi shkenca të ndryshme të natyrës dhe të shoqërisë, duke i formësuar atij një kulturë të gjerë të dijes, që e afirmoi si intelektual dhe në zgjedhjen si kryepredikues në Kuvendin fetar e arsimor të Shkupit, më 1938.
Sakaq hartoi dhe publikoi disa shkrime në organe të kohës me përmbajtje religjioze e dha ndihmesë të pakursyer për arsimimin e rinisë shqiptare. Njëherazi, në Shkup realizoi kontakte me agjencitë e akredituara diplomatike evropiane dhe krijoi e mbajti lidhje sekrete me personelin e zyrës së konsullatës shqiptare, nga e cila u furnizua me libra në gjuhën shqipe. Ishte pjesë e Organizatës së Rinisë Përparimtare “Drita”, e formuar në klandestinitet në prill të vitit 1937, në Arllat të Drenicës. Mbajti fjalime fetare e patriotike në institucione të kultit e oda, zgjidhi shumë ngatërresa e pajtoi gjaqe, duke përdorur dijet në funksion të bashkimit, atdhedashurisë dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Për të, uniteti mes shqiptarëve nuk arrihej në rrugë të përkatësisë së njëtrajtshme konfesionale. Ai i konsideronte vëllezër të gjithë shqiptarët myslimanë e të krishterë. Prandaj kultivoi marrëdhënie të shkëlqyeshme me ta, por tërhiqte vërejtjen se ndërveprimi i çfarëdoshëm i shqiptarëve me armiqtë shekullorë, nuk u sillte lirinë dhe bashkimin.

Kësisoj, kjo veprimtari dinamike ndikoi në ngritjen patriotike të Idriz Gjilanit në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1941, kur Lufta Botërore përfshiu Kosovën, krahas funksionit të nënmyftiut, iu përkushtua në masë aktivitetit politik, sepse pjesa më e madhe e trojeve shqiptare, përfshi Gjilanin dhe anën e majtë të lumit Morava, u bashkuan me Shqipërinë në kushtet e okupimit dhe administrimit italian. Mirëpo, ultimatumet dhe synimet e Partisë Komuniste të Jugosllavisë gjoja “për çlirimin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit”, binin ndesh me interesat kombëtarë të shqiptarëve. Në Kuvendin e Gjilanit, të 2 gushtit të vitit 1943, Idriz Gjilani mbajti një fjalim vizionar e historik. Në mes tjerash, deklaroi: “… Partizanët e Titos po i afrohen kufijve të Shqipërisë etnike… Kosova jonë, edhe ashtu e copëtuar, nesër ka për t’u bërë kasaphanë e komunistëve jugosllavë dhe e çetnikëve serbë e malazezë…”.

Pas kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1943, në Prizren u krijua Lidhja e Dytë e Prizrenit. Komiteti i saj formoi edhe Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të Shqipërisë etnike në anën lindore të Kosovës, ndërsa Idriz Gjilani u emërua komandant i forcave të armatosura vullnetare, kundër depërtimit të njësiteve e brigadave partizano-çetnike.

Kësisoj, i përkushtuar plotësisht ndaj atdheut dhe idealeve të popullit shqiptar, ai u bë njëri nga figurat më të shquara të udhëheqësve fetarë të Kosovës, të angazhuar në qëndresën kombëtare dhe për realizimin e aspiratave politike. Në Epopenë e Gjilanit, nga qershori deri në dhjetor të vitit 1944, Idriz Gjilani luftoi dhe udhëhoqi me dinjitet qindra e mijëra vullnetarë për mbrojtjen e Kosovës Lindore, në një vijë frontale të shtrirë në distancë prej 170 kilometrash nga Llapi në Karadak. Ai, me bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë, e shndërruan nënprefekturën e Gjilanit në digë mbrojtëse dhe pararojë të Shqipërisë etnike.

Në Luftën e Velegllavës dhe të Kikës, në qershor dhe korrik, forcat e armatosura të komanduara prej tij, i thyen forcat agresore të armikut dhe iu shkaktuan atyre dëme katastrofale në njerëz dhe arsenal lufte. Po ashtu, jehonë të madhe bënë edhe fitoret e shtatorit në luftën për Preshevën e Bujanocin dhe fitorja e tetorit në luftën e Breznicës, që u arritën në saje të komandimit të tij strategjik. “Vigjilenca është kusht për fitore”, proklamonte ai para vullnetarëve të armatosur në mbrojtje të kufirit.
Megjithëkëtë, depërtimi me dinakëri i brigadave partizano-çetnike në Gjilan, më 16 nëntor 1944, nuk sprapsi a nënshtroi krerët e forcave vullnetare. Më 1 dhjetor të atij viti, Idriz Gjilani mori pjesë në Kuvendin e Tërpezës, në të cilin u formua Shtabi Suprem i Kosovës dhe u vendos të vazhdohej rezistenca shqiptare. Fitorja e madhe e Desivojcës kundër Brigadës XVII Maqedonase, në gjysmën e dytë të muajit dhjetor, i dha hov ndërmarrjes për çlirimin e përkohshëm të Gjilanit. Mirëpo, masakra e Gjilanit në të cilën humbën jetën mijëra civilë shqiptarë, tronditi popullsinë e kësaj treve dhe gjithë Kosovës.

Ndërsa rreth 8.000 të varë e të masakruar në Anamoravë e Karadak nga njësitë dhe brigadat partizano-çetnike, alarmuan Idriz Gjilanin për rrezikun e shkatërrimit të tërësishëm të popullit shqiptar. Rrjedhimisht, me kërkesë të tij u shpërnda Shtabi Drejtues i Rezistencës për Kosovën Lindore, duke porositur për vazhdimin e qëndresës në forma të ndryshme. Rasti i fundit kur ai ndau momente me publikun ishte 29 dhjetori i vitit 1944, për të kaluar në klandestinitet të thellë dhe për t’u strehuar në shtëpinë e Sali Sadik Gjyrishecit të Gollakut, ku qëndroi i izoluar nga masa për afër 5 vite, duke humbur mistershëm gjurmët ndaj pushtetit jugosllav, që me frikë, shqetësim e padurim po e kërkonte për ta dënuar.
Për rrjedhojë, u sakrifikua edhe familja e tij. Në janar të vitit 1945 i vranë e pushkatuan babanë, Hajrullahun, të vëllain, Bajramin, të afërm të familjes, miq etj. I bastisën shtëpinë, i konfiskuan pasurinë, ndërsa familjen e dënuan me burg shtëpiak, rrethim ushtarak e zhvendosje të dhunshme nga shtëpia. Veç burgosjes dhe torturave ndaj të vëllait, Mehmetit, edhe bashkëshortja e Idrizit, Hatixheja, u persekutua mizorisht dhe u burgos në Gjilan e Ferizaj nga hetuesit dhe organet e OZN-s, rrjedhimisht UDB-s famëkeqe, por ajo nuk pranoi përuljen, kallëzimin a dorëzimin e bashkëshortit. Paralelisht me këtë, në sarkofagun që u strehua, Idriz Gjilani në mijëra faqe shkroi kujtimet për luftën e tij dhe të bashkëluftëtarëve në mbrojtje të tokave shqiptare.

Njëkohësisht, mbajti lidhje të fshehta me përfaqësues të rezistencës kombëtare, me Organizatën Nacional-Demokratike Shqiptare të Halim Oranës dhe me Besën Kombëtare të profesor Ymer Berishës. Mirëpo, organet e UDB-s dhe agjentët e saj dekonspiruan vendqëndrimin e Idrizit dhe, më 22 nëntor të vitit 1949, e burgosën në Gjilan. E torturuan dhe e keqtrajtuan në mënyra të ndryshme, madje duke përdorur edhe zjarrin nën kokën e tij, por ai nuk ua dha efektin që kërkonin. Betimi i tij se nuk do të tradhtonte atdheun e kombin dhe se do të luftonte deri në fund të jetës për lirinë e Shqipërisë së bashkuar, arriti kulmin e vetëmohimit personal. Më 2 dhjetor të vitit 1949, organet e UDB-s e nxorën nga qelia dhe në periferi të Gjilanit, me ndihmën e lëndëve djegëse të derdhura mbi trupin e tij, e ekzekutuan me metodën e zjarrit, sikurse inkuizicioni që kishte likuiduar Gjordano Brunon në vitin 1600.
Jetëshkrimi vëllimor i Idriz Gjilanit, na lejon të nxjerrim tri konstatime universale:

Së pari, portreti i tij poliedrik shtrihet në dimensione të ndryshme si: atdhetar, arsimdashës, fetar, poliglot, intelektual, orator, i njerëzishëm, human, tolerant, demokrat, me autoritet e karakter të fortë, parimor, liridashës e idealist, luftëtar i guximshëm e strateg luftarak, iluminist dhe vizionar.
Së dyti, njohja me 10 pushtete e regjime okupuese të Gjilanit e Kosovës gjatë gjithë jetës së tij, i shërbeu për formimin e personalitetit dhe karakterit në radhë të parë patriotik shqiptar.
Dhe, së treti, jeta dhe veprimtaria e tij si atdhetar e si fetar, është vlerë e pazakonshme e relikt i pathyeshëm i një figureje të rrallë që binomin atdhe e fe, fe e atdhe, ka arritur paralelisht ta gërshetojë dhe përfundimisht ta shkrijë në shërbim e shkallë të përgjegjësisë historike, për lirinë dhe bashkimin e Shqipërisë. Profili i tij prej lideri fetar, është shembulli më brilant i një personaliteti fetar, hoxhe a prifti, që ka vënë jetën vetjake e familjare në altarin e lirisë dhe bashkimit të kombit të vet. Mulla Idriz Gjilani dinjitetshëm radhitet në plejadën e klerikëve të martirizuar për ruajtjen e qenësisë shqiptare, si: Pjetër Bogdani, Haxhi Zeka, Papa Kristo Negovani, Luigj Palaj e shumë të tjerë.

Marrë për konsideratë konstatimet e mësipërme, mund të konkludojmë se Idriz Gjilani është apostull i shqiptarizmit dhe emblemë e Shqipërisë etnike. Ai ka lënë trashëgimi të përjetshme simbolin e heroit, për edukimin dhe arsimimin e brezave pasardhës në frymë atdhetare dhe për organizimin e mëtejshëm të luftës çlirimtare. Veç kësaj, ka tejkaluar përmasat e gjeografisë shqiptare dhe ka impresionuar qarqe të ndryshme të botës, duke zënë vend të rëndësishëm në anale të mendimit shkencor, atdhetar e religjioz. Për qëndresën dhe orientimin e tij euroatlantik, shkruan organe shtetërore e publicistike të perëndimit. Institucione shkencore e fetare, kombëtare dhe ndërkombëtare, e kanë radhitur ndër 100 personalitetet më të shquara të botës myslimane dhe të kulturës islame tek shqiptarët gjatë shekullit XX. Krahas kësaj, ndonëse për dekada të tëra mbeti i anatemuar dhe i pastudiuar, të arriturat enciklopedike e të historiografisë shqiptare janë të çmueshme dhe vazhdojnë më tej ndriçimin dhe pasqyrimin e këtij personaliteti të rrallë. Në nderim të jetës dhe veprës së tij heroike i janë ndarë dekorata presidenciale e mirënjohje, u emëruan rrugë, institucione shkollore e të besimit, u ngritën buste dhe u hap një muze në familjen e tij. Ai u bë frymëzim edhe në artin letrar, muzikor dhe në atë pamor.

Filed Under: Histori

AL QAEDA NE SIRI (HTS), RREZIQET, KERCENIMET DHE E ARDHMJA E SIRISE PA ASADIN

December 27, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

10 ditët e fundit të gjitha kancelaritë dhe lajmet e botës, po analizojnë suksesin e militantëve të opozitës siriane të drejtuar nga Hayat Tahrir al-Shami (HTS) dhe drejtuesi i saj Abu Mohammed al-Julani. Por nuk duhet nënvletësuar fakti se HTS-ja bashkëpunon ngushtë edhe me disa grupime të tjera opozitare turko-siriane të mbështetura nga shërbimi sekret turk ‘MIT’ dhe komanda e Forcave Speciale Turke.

Rënia e regjimit të Asadit është një ngjarje historike që do të ketë pasoja të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Pyetja kryesore është se a do ta përmbushin rebelët premtimin e tyre për të qenë gjithëpërfshirës dhe për të hequr popullin sirian nga varfëria dhe çfarë mund të bëjnë BE-ja, SHBA, Turqia, Izraeli dhe vendet arabe për të ndihmuar në formimin e një qeverisje të re.

Ajo që ndodh brenda Sirisë do të prekë fuqitë e huaja veçanërisht Turqinë, Iranin dhe Rusinë, të cilat kanë pasur interesa gjeostrategjike në Siri. Mënyra se si liderët rebelë veprojnë midis këtyre fuqive rivale, do të ketë pasoja të rëndësishme për Sirinë në një rajon të paqëndrueshëm të ngarkuar me konflikte dhe konkurrencë për një ndikim më të madh me liderët e rinj në Damask.

Mendoj se është e rëndësishme që BE, SHBA-ja dhe Izraeli të ndërmarrin disa veprime për të inkurajuar udhëheqjen e re siriane të ndjekë atë që kanë premtuar publikisht dhe të ruajë hapat fillestarë socialë, ekonomikë dhe politikë. SHBA-të mund të demonstrojnë përkushtimin e saj për të mbështetur aspiratën e popullit sirian për demokraci, perspektivën e prosperitetit duke adresuar shqetësimet e SHBA-ve për stabilitetin rajonal.

Duke qënë se gjithmonë kam qënë disa hapa para botuesve dhe ‘analistëve’ të gjeopolitikës (përtej modestisë), për shkak të rëndësisë të studimit dhe analizës të përplasjeve të mëdha gjeopolitike të fuqive botërore dhe rajonale në Siri, gjatë viteve të fundit kam botuar një kolanë me 12 libra për grupin më të rrezikshëm terrorist në botë ‘Al-Qaeda’, duke analizuar në të gjitha dimensionet e 10 komandave të saj strategjike në të gjitha rajonet ku ata veprojnë dhe janë aktive (1988-2024).

Në librin ‘Al-Qaeda në Siri’ (AQS) (volumi i katërt në kolanën e al-Qaedës), kam analizuar në detajet më të vogla përgjatë 672 faqeve të gjitha grupet xhihadiste, aktivitetet e tyre, strukturat e komandim-kontrollit, taktikat operacionale dhe terroriste, etj të përfshira në konfliktin në Siri (2011-2024).

‘Fronti al-Nusra’, ‘Jabhat al-Nusra’, ‘Jabhat Fatah al-Sham’ shpesh i paraqitur si “JN” ose ‘al-Qaeda në Siri apo në Levant (AQS), është një grup militant Islamik Suni me ideologji Salafisto-Wahabiste që luftoi dhe më në fund fitoi kundër forcave qeveritare siriane gjatë luftës civile në Siri (2011-2024), me synim krijimin e një Shteti Islamik. Për 5 vite ajo ishte dega siriane e al-Qaedës, e cila operonte edhe në territoret e Libanit.

Në fillim të vitit 2015, grupi përbëhej nga komponentët kryesorë të njësive të përbashkëta, të quajtura “Ushtria Pushtuese” të cilat morën kontrollin e një pjese të madhe të territorit në veri-perëndim të Sirisë (Idlib dhe Alepo). Sot për çdo njeri që studion marëdhëniet ndërkombëtare, çështjet e sigurisë dhe të terrorizmit, nuk ka dyshim që në 13 vitet e fundit (2011-2024) Siria përfaqëson qëndrën e xhihadit militant ndërkombëtar.

Në muajin shtator të vitit 2015, në konfliktin e Sirisë u përfshinë më shumë se 30.000 luftëtarë të huaj xhihadistë (përfshirë këtu dhe luftëtarët e huaj nga Ballkani Perëndimor). Numri i madh i fluksit të luftëtarëve të huaj xhihadistë, e rritën shumë profilin e xhihadit në Siri. Vetëkuptohet shumë ngjarje dhe analiza janë publikuar deri tani për “Kalifatin” e Shtetit Islamik, por ishte media e saj, rrjetet sociale, dhuna, sulmet brutale të përdorura kundër kundërshtarëve të tyre, përdorimi efektiv e ektremizmit fanatik Islamik, kaluan imagjinatën e gjithë botës.

Që në fillim të vitit 2015, të paktën 150.000 persona u përfshinë në luftime përmes gjithë territorit të Sirisë, ku rreth 450.000 civilë kanë gjetur vdekjen (2011-2024). Disa grupe kanë luftuar kundër ushtrisë Siriane, të tjerët kanë operuar si luftëtarë të pavarur. Fillimisht Ushtria e Lirë Siriane (FSA) ishte e dobët në fillimet e saj. Por në muajin qershor 2011, një numër shumë i madh fraksionesh Islamike po bashkoheshin dhe ndërtonin baza operacionale jashtë Damaskut, në qytetin Homs, në veri të Sirisë në Alepo dhe Idlib. Këto grupe ishin: ‘Ahrar al-Shami’, i cili më vonë do të bëhej grupi më i madh dhe më i fuqishëm në Siri, grupi ‘Suqor al-Shami’, ‘Liwa al-Islami’ dhe ‘Jabhat al-Nusra’ të cilët ishin bashkëpunëtorë të al-Qaedës (AQ).

Në këtë mjedis operacional dhe sigurie, nuk ishte vetëm opozita siriane që përfaqësonte një perspektivë xhihadiste. Midis grupeve të para që arritën në teatrin e Sirisë, ishin çeçenët të cilët filluan të organizohen mirë dhe të krijojnë grupime të ndryshme të fuqishme ushtarake. Këta nuk ishin çeçenë që erdhën vetëm nga Kaukazi Verior apo nga Rusia, por kishte shumë individë të tjerë të cilët jetonin në diasporë në Turqi dhe Europë. Numri i shtetasve me origjinë nga ish vendet Sovjetike, të cilët u përfshinë në konfliktin sirian ka qënë rreth 6000 luftëtarë të huaj me origjinë nga Republikat Ruse të Kaukazit.

Më pas grupet xhihadiste evoluan sipas mbështetjes së tyre nga vendet e huaja si: Turqia, SHBA, Izraeli, Katari, Arabia Saudite, Emiratet, etj. Konkretisht:

Në datën 25 korrik 2014: ‘Harakat Sham al-Islam’, ‘Harakat Fajr Ash-Sham al-Islamiya’, ‘Jaish al-Muhajireen wal-Ansar’ dhe ‘Batalioni i Gjelbër’ deklaruan bashkimin e katër grupeve duke krijuar ‘Jabhat Ansar al-Din’.

Në datën 3 tetor 2014: ‘Batalioni i Gjelbër’ u bashkua me ‘Jaish al-Muhajireen wal-Ansar’.

Në datën 23 shtator 2015: ‘Joist al-Muhajireen wal-Ansar’ e largua nga aleanca me katër grupet dhe u bashkua me ‘Frontin al-Nusra’.

Në datën 10 dhjetor 2016: Dy fraksionet e mbetura në aleancë ‘Harakat Sham al-Islam’ e udhëhequr nga Abu Mohamed al-Baydawi dhe ‘Harakat Fajr Ash-Sham al-Islamiya’ e udhëhequr nga Abu Abdullah al-Shami u bashkuan duke krijuar ‘Jabhat Ansar al-Din’ me udhëheqës Abu Abdullah al-Shamin.

Në datën 28 janar 2017: ‘Jabhat Ansar al-Din’ u shkri dhe u bashkua me ‘Tahrir al-Shamin’.

Në datën 1 shkurt 2018: ‘Harakat Fajr esh-Sham al-Islamiya’ u largua nga ‘Tahrir al-Shami’ dhe rifilloi të veprojë si grup i pavarur me emrin ‘Ansar al-Din Front’ bashkë me ‘Harakat Fajr al-Sham al-Islamiya’.

Në datën 12 maj të vitit 2018: ‘Hay’at Tahrir al-Shami’ (HTS) ka bashkëpunuar edhe grupi xhihadist ‘Tanẓīm Ḥurrās ad-Dīn’ (HAD) i lidhur me al-Qaedën dhe vazhdon të jetë aktiv në konfliktin sirian.

Grupi xhihadist ‘Tanẓīm Ḥurrās ad-Dīn’ (HAD) ka në përbërjen e saj 16 grupime si më poshtë vijon:

1. Jaish al-Malahim.

2. Jaish al-Sahil.

3. Jaish al-Badiyah.

4. Saraya Kabul.

5. Saraya al-Ghutah.

6. Katibat Abu Bakr al-Sadiq.

7. Katibat Abu Ubaydah bin al-Jarah.

8. Saraya al-Ghuraba.

9. Katibat al-Batar.

10. Saraya al-Sahil.

11. Saraya Abd al-Rahman bin Awf.

12. Kataib Jund al-Sham.

13. Kataib Fursan al-Iman.

14. Quwat al-Nukhbah.

15. Majmuah ‘Abd Allah Azzam’.

16. Katibat Usud al-Tawhid.

HTS-ja bashkëpunon edhe me grupin xhihadist ‘Ansar al-Tawhid’ i lidhur me al-Qaedën, i cili përbëhet nga ish-anëtarë të grupit xhihadist ‘Jund al-Aksa’ dhe ka në përbërjen e tij 1000 xhihadistë. Ky grup drejtohet nga Abu Diyab Sarmin Khamza Al-Shishani. Grupi ‘Harakat Sham al-Islami’ një grup xhihadist i përbërë kryesisht nga xhihadistë marokenë, bashkë me grupin ‘Harakat Fajr ash-Sham al-Islamiya’, Batalionin “al-Murabitin”, Batalionin “Osama”, Batalionet “Abu Jemeni”, “Abu Hilal Zitan”, Batalionin “la Tahrir al-Sham”, lëvizjen “Agimi Islamik i Levantit”, grupet “Ansar al-Haqq”, “Abna Sharia”, Jaysh al-Badiya (Ushtria e Badiyas) dhe al-Malahim kanë qënë në aleancë me HTS-në.

Sa i përket rolit të Turqisë në Siri, duhet të përmendim përfshirjen në konflikt të Brigadave Turko-siriane, të ashtuquajtura ushtria turko-siriane, një strukturë e armatosur e opozitës turko-siriane dhe e Asamblesë Turko-Siriane. Ata kanë luftuar kryesisht kundër forcave të armatosura të Sirisë dhe ISIS-it. Struktura e Turkmenëve konsiston në disa Brigada të përbashkëta, të cilat operojnë në rrethinat e Provincave të Latakias, Alepos, Homsit, al-Raqasë, Damaskut, Idlibit, Hamasë dhe Tartuzit. Këto Brigada militantësh Islamikë janë të lidhura me Asamblenë Turkmeno-siriane dhe qëllimi i tyre është rrëzimi nga pushteti i al-Asadit dhe krijimi i një shteti demokratik sirian, gjë e cila u realizuan gjatë dy javëve të fundit së bashku me HTS-në.

Forcat turko-siriane janë aktive nga viti 2012 dhe vazhdojnë të operojnë në rajonin e Idlibit, Alepos dhe në Damask. Ideologjia e tyre është nacionaliteti turk. Ata kanë një fuqi ushtarake që përbëhet nga rreth 15.000-20.000 luftëtarë dhe mbështeten nga qeveria turke, MIT-i dhe Komanda e Forcave Speciale Turke, e cila drejton mbështetjen logjistike dhe stërvitjen e tyre në terren.

Trupat turkmene në provincën e Latakias quhen Brigadat Malore Turkmene. Ato kanë operuar në zonën e përgjegjësisë në fshatrat turkmene midis kufijve të provincave Hatay dhe Latakias. Trupat turkmene kanë luftuar në frontin e fshatrave Alawite dhe komandoheshin nga kolonel Muhammad Awadi.

Në total ka rreth 12 njësi të armatosura turko-siriane, të cilat kanë luftuar në këtë rajon. Këto brigada quhen brigada “Nurettin Zengi”, brigada “Zahir Baybars”, brigada “al-Huva Billa”, brigada “Yavuz Sultan Selim”, brigada “Sultan Mehmet Fitimtari”, brigada “Memduh Colha”, brigada “Bin Tamime”, brigada “Katip al-Mustafa”, brigada “Firsan Tevhid” dhe brigada “Sukur ul-Turkmen”.

Si përfundim, mund të themi se largimi i rregjimit 53 vjecar të Asadit nga pushteti eshte nje ngjarje e madhe per popullin sirian. Por pavarësisht shumë premtimeve pozitive për shumicën e popullit sirian, per rindertimin e vendit, per nje tranzicion te qete te pushtetit per te punuar me zyrtare me pervoje, per hartimin e nje kushtetute te re dhe mbajtjen e zgjedhjeve, do te duhet kohe per te pare rezultate dhe krijuar mundësi për një jetë më të mirë për pakicat etnike siriane. Do të duhet të presim deri në krijimin e institucioneve shtetërore dhe implementimin e politikave të tyre në të gjitha reformat dhe fushat kryesore sociale, ekonomike, politike dhe bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare. Ajo që është shqetësuese, është garancia e sigurisë për vendet fqinje si: Izraeli, Libani, Jordania, Turqia, Arabia Saudite, Iraku por edhe vendet perëndimore, për shkak se teatri sirian për momentin përfaqëson qëndrën e xhihadit ndërkombëtar dhe situata mund të evoluojë papritur.

Për këdo që ka interes për më shumë informacione rreth librit ‘Al-Qaeda në Siri’ (AQS) osé per te gjithe kolanen e Al-Qaedës mund ta porosisni në email: mbbotime@gmail.com, tek Shtëpia Botuese M&B ose tek z. Bujar Karoshi me nr-tel: 0035569 20 68 603.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT