• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Mustafa Merlika – Kruja, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare

January 21, 2025 by s p

Prof.Dr. Nevila Nika/

Kur përpara disa muajsh z. Eugjen më foli për vendosjen e bustit të gjyshit të tij Mustafa Merlikës në qytetin e tij të lindjes natyrisht e urova, por njëkohësisht e vlerësova si një gjest patriotik e qytetar të banorëve të këtij qyteti emërmadh. E vlerësova si të tillë pasi që të gjithë jemi dëshmitarë se ende shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e ndarë në llogoret e përcaktuara duke nisur qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore filimisht nga Partia Komuniste dhe e vazhduar më pas nga qeverisja e saj, Diktatura e Proletariatit. Kërkesës së Eugjenit për të thënë dy fjalë në këtë ditë të shënuar për familjen Merlika, vendlindjen e Mutafait, por gjykoj për mbarëshqiptarët kudo që janë ju përgjigja pa mëdyshje pozitivisht. Ishin dy arsyet që më shtynë të pranoja ftesën.

E para se gjyshi i Eugjenit dhe gjyshi im Hoxha Kadri Prishtina kanë qenë miq e kundërshtarë në mendime, por që të dy punuan, me gjithçka mundën për të realizuar bashkimin e trojeve amtare e për të sjellë përparimin e begatinë atdheut. Dhe e dyta lidhet me profesionin tim, atë të arkivistit. Sipas Kodit Deontologjik të Arkivistit, një arkivist është i detyruar të ndajë me publikun atë ç’ka për shkak të detyrës ai ka mundësinë të njohë.
Njohja ime me këtë personalitet të historisë tonë kombëtare ka qenë e hershme, fillimisht nga familjet e prindërve të mij e më pas natyrisht edhe gjatë viteve të shkollimit. Kontrasti me atë që dëgjoja në mjedisin familjar me atë çka mësoja në shkollë ishte dukshëm kundërshtues, i turbullt dhe kuptoje menjëherë që ishte shtrëmbëruar me dashje e vërteta historike nga historiografia zyrtare. E kjo në ato vite ishte një normë, të cilës nuk i shpëtonte askush, e veçanërisht për historianët.

Por fillimi i punës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në sektorin e dokumenteve të para vitit 1912, më njohu për herë të parë nëpërmjet dokumenteve të kohës të riun Mustafa Asim. Në letërkëmbimin e kohës ai nënshkruan kështu. Nga ky letërkëmbim u njoha me veprimtarinë e tij atdhetare. Është mjaft aktiv në Lëvizjen mbarë kombëtare për Pavarësi si pjesë e forcave kryengritësve, por mbi të gjitha ai është i pranishëm në ditën e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, si përfaqësues i krahinës së vet. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe pjesë e administratës së Qeverisë së Përkohëshme të Ismail Qemalit. Por njohja me kontributin e Musafait nuk u ndal me ngritjen e flamurit në Vlorë.

Trashëgimia dokumentare e tij është e shumëllojshme dhe si e tillë na lejon të gjykojmë për veprimtarinë e tij të gjithanëshme në dobi të çështjes kombëtare, si shtetar, politikan, studjues e pa harruar atë si bashkëshort e prind.
Vlerësimi për të apo thënë ndryshe perceptimi se kush ishte, cila ka qenë veprimtaria e roli i tij në botën shqiptare gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar me kalimin e viteve të punës në Arkiv, si arkivste e historiane po arrija të krijoja në gjithë përmasat që i përkisnin kësaj figure aq shumë të përfolur, të përbuzur, të nëpërkëmbur deri edhe të harruar. Gjithçka kishte ndodhur para vitit 1990 në fushën e njohjes të së kaluarës historike tonë, ishte shtrëmbëruar, fshehur ose thënë ndryshe ishte trajtuar sipas udhëzimeve partiake e jo bazuar mbi dokumentet origjinale.
Duke lënë mënjëanë për pak atë çfarë shkruhet në dokumentet origjnale, që fatmirësisht ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, takimi me dy zonja në derën e Drejtorisë së Përgjithsme të Arkivave në vitin 1993, do të më shtyjë edhe më shumë të njihem me familjen Merlika. Zonjat ishin të veshura thjesht, të dyja kishin lidhur kokën me shall dhe në qafë ju dallohej qartë varëse me kryq. Ishin zonjat Klara e Elena Merlika. Ka qenë një takim, që nuk do ta harroj kurrë. Dallohej qartë se vuajtjet fizike e ato shpirtërore kishin qenë të pandërprera prej 45 vjetësh në jetët e tyre. Foli e para znj. Klara Mirakaj-Merlika e cila u prezantua se kush ishin dhe çfarë kërkonin. Për mua ishte me të vërtetë befasi, po i jepja dorën e po flisja me dy nuset e familjes Merlika.

Fisnikëria e tyre të linte pa fjalë. Vinin nga dekada vuajtjesh të papërfytyrueshme, por asgjë nuk kishte mundur t’jua fshinte qytetarinë e fisnikërinë. E vetmja gja që mund të bëja për to, e plot të tjerë si to, ishte ti ndihmoja sa mundja për të plotësuar kërkesat e tyre sa më shpejt e sa më mirë. Prej atij viti jam me fat që konsiderohem mike prej krejt familjes.
Jeta e Mustafa Asim Merlika-Kruja ka disa etapa të rëndësishme, por në të gjitha ajo që është në themel të gjithçkaje ishin e mbetën deri në fund familja e atdheu. Dha gjithçka pati, të gjitha energjitë e tij sa jetoi ishin në dobi të atdheut, u sakrifikua pa asnjë mëdyshje për arritjen e bashkimit kombëtar dhe rreshtimin e atdheut krah familjes të cilës i takojmë historikisht, Evropës e jo Lindjes sllavo-koministe, për përparimin e kombit duke ndërmarë një nga nismat më domethënëse, atë të ngritjes së të parit institucion shkencor në Shqipëri, Institutit të Studimeve Shqiptare.

Veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, që kulmoi me Shpalljen e Pavarësisë, firmëtar i Aktit Themeltat të shtetit shqiptar; nëpunës në Qeverinë Ismail bej Vlorës; pjesë e delegacionit në Konferencën e Paqes të Parisit; deputet; antizogist; politikan në mërgim; pjesë aktive e mërgatës politike të viteve 1925-39; si shumë të tjerë bashkëkohës të tij në mbështetje të bashkimit të kurorës mbretërore shqiptare me atë të Savojës; refuzues i ashpër i italianizmit të vendit e sidomos të simboleve tona kombëtare; përkrahës i rikthimit të Mbretit Zog, e në fund në krye të Institutit të Studimeve shqiptare, veprimtaria e të cilit ishte kryesisht e drejtuar ndaj çështjes së bashkimit kombëtar. E bash veprimtaria e ethshme e këtij Instituti për ti bërë të njohur mbarë botës të vërtetat e hidhura për coptimin e trojeve amtare, të dhuruara vendeve fqinje nga Konferenca e Paqes e Parisit, vendimet e të cilës kishin sjellë Luftën e Dytë, me anë të botimeve me karakter historik, etnografik, gjuhësor, hartografik, në ndihmë të Komisionit të rivendikimeve shqiptare etj., ishin në qendër të veprimtarisë së Mustafait gjatë atyre viteve.

Ky angazhim tij i fundit tregon më së mirë arsyen që e kishte shtyrë atë, si edhe shumë të tjerë, të përkrahnin në fillim Italinë fashiste, që për qëllimet e saj kishte realizuar në një farë mënyre bashkimin e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar të para Luftës.
Mustafai u largua nga atdheu për shkak të djalit të tij të sëmurë. I shtruar në një spital në Austri sëmundja kishte përparuar, dhe babai Mustafa nuk mund të braktiste të birin vetëm në shtratin e vdekjes. Ashtu bëri, ju gjend pranë tij në gusht 1943. U largua me zemër të thyer për atë që e priste në Austri, e vetëm pak muaj më vonë e pati të pamundur të përqafonte e përkëdhelte bijtë e tij e sidomos nipin, Eugjenin. Ky largim, të cilin nuk e kishte menduar kurrë që do të ishte pakthim, pati edhe një pasojë tjetër, ai la në atdhe edhe punën e tij shkencore që e kishte aq për zemër, Fjalorin e Gjuhës Shqipe që ende s’kishte parë dritën e botimit. U përpoq me sa mundi në mërgim, por vetëm gërmat A e B mundi ti rishkruante përsëri.
Ai nuk mundi më të kthehej në Atdhe, regjimi komunist, që ai e shumë të tjerë e kishin parë e gjykuar që do të ishte fatkeqësi në se do të vendosej në Shqipëri, izoloi vendin për gati 45 vjet vendin nga bota e qytetëruar.

Pushteti i ri, që vetëquhej “popullor”, e që asgjë nuk kishte të bënte me popullin. U eliminuan fizikisht kontribues të jetës politike, ekonomike, shoqërore, të dijes e kulturës, u ushtrua që në ditët e para dhunë e terror mbi familjet e të afërmit e kundërshtarëve të hapur, por edhe ndaj atyre që hamëndësohej se mund të ishin të tillë. Nuk u kursyen as edhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë. U rrëmbyen e u shkatëruan biblioteka e arkiva, objekte arkeologjike e etnografike, relike të shenjta e vepra arti, prona të familjeve të mëdha shqiptare e të komuniteteve fetare, e në fund arritën të përdhosnin edhe varre.
Duke qenë se tashmë prej pjesës dërmuese të studjuesve e natyrisht edhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi është pranuar fakti se, rrëfimi i gjymtuar, i shtrëmbëruar apo edhe i trilluar i jetës dhe veprimtarisë së personaliteteve që kontribuan aq shumë për Atdheun, ka qenë një normë e rregjimit të kaluar, sot kemi një detyrë përpara nesh. Atë të ç’bërjes me çdo mjet e mënyrë këtë normë partiake që aq shumë na ka dëmtuar.

Duke marrë shkas pikërisht nga z. Mustafa Merlika, kemi detyrimin moral si qytetarë e studjues të rishikojmë me më gjakftohtësi , paanëshmëri e profesionalizëm bazuar në dokumente origjinale të kohës jetën e veprën e kujtdo që morri përsipër të ishte në rreshtin e atyre që sakrifikuan gjithçka patën për atdheun. Mustafa Merlika i takon atij grupi personalitetesh të historisë tonë kombëtare që me shumë burrëri e ndershmëri i kanë bërë analizë të thellë qëndrimeve e veprimeve të tyre ndër vite, duke mos lënë asnjë shteg për hamëndësime të rrejshme.
Në fund të fjalës time do të përmendja disa prej “mëkateve” të Mustafa Merlika Kruja për të cilat edhe u anatemua nga rregjimi i kaluar. E deshi pa masë Atdheun e bashkëatdhetarët e vet, punoi pa rreshtur për bashkimin e trojeve shqiptare, dëshmoi respekt të admirueshëm për familjen, si themeli i një shoqërie të shëndetshme, punoi me përkushtim të veçantë për gjuhën amtare, punoi për ndriçimin historisë të kaluarës tonë si popull, ishte shëmbëlltyrë e patriotit fisnik e të ndershëm dhe mbi të gjitha ai ishte kundër komunizmit si ideologji e realitet pasi e gjykonte si zgjidhjen më të keqe e të dëmshme për vendin. E ky ishte pa asnjë dyshim edhe “mëkati” i tij më i madh në sytë e komunistëve.
Krujë, 24 nëndor 2024

Filed Under: Histori

SINOPSE PËR SKËNDERBEUN SHKRUAR NGA Dr.MOIKOM ZEQO BOTOHET NGA SHTËPIA BOTUESE  “ERIK” NË TIRANË

January 21, 2025 by s p

Nga Hysen S.Dizdari 

Studiues i Historisë e Filatelisë/

581 vjet – 28 NENTOR 1443 – 28 NENTOR 2024

Moikom Zeqo (1949-2020) ishte shkrimtar, historian, arkelog, studjues, akademik, eurodit, lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit, dhe vdiq në Tiranë më 15 qershor 2020. Familja e tij është me origjinë nga Libohova.Përfundoi Fakultetin Histori- Filologji, dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Gjatë jetës  kreu mjaft detyra të rëndësishme:

Në vitin1991 u emrua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Në vitet 1992 – 1996 u zgjodh  deputet i Parlamentit Shqiptar.

Në vitet 1997-2005, ka qenë drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Dr. Moikom Zeqo është  autori i mbi 75 libra shkencorë, letrarë, prozë e poezi; libra historikë e arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijimet e Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët : anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht etj. Dr.Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e  shquara të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe erudit, dhe vlerësohet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe. Ai mban Urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Poeti i madh shqiptar ,Dritëro Agolli ka thënë: “ Moikom Zeqo ishte një enciklopedi e gjallë , një njeri që e shikonte botën me sy poetik dhe arkeologjik. Me te flisje për çdo gjë dhe çdo fjalë e tij ishte një thes me dije”

Dr.Moikom Zeqo një pjesë të jetës tij ia ka kushtuar  studimit të jetës dhe veprës   të Heroit tonë Kombëtar ,Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai është autor i dhjetra artukujve e librave kushtuar jetës dhe veprës të Skënderbeut .Librat e tij me të rëndësishëm, kushtuar Skënderbeut janë:

-Vdekja e Gjergj Kastriotit, botim i shtëpisë botuese: “Zenit”, 2018

-Ëndrrat e Gjergj Kastriotit (tregime) ,botim i shtëpisë botuese : “Erik”,2018.

– Beteja e Albulenes (Legjenda-1) ,botim i shtëpisë botuese : “Erik”,2018.

– Fjala e dhënë (Legjenda-2) ,botim i shtëpisë botuese : “Erik”,2018.

-Njëqin jetët e kryetrimit (Legjenda -3) ,botim i shtëpisë botuese : “Erik”,2018.

Por kryevepra i tij kushtuar Skënderbeut është “ SINOPSE PËR  SKËNDERBEUN”  për të cilin Moikomi kishte punuar prej shumë vite, dhe me ndarjen e tij të parakohshme nga jeta, ky libër ngeli si dorëshkrim. Dr.Moikom Zeqo është  mbështetur gjatë punës tij krijuese nga ana, morale dhe financiare  nga pronarët e Shtëpia Botuese “Erik” bashkëshortët , Dëshira Shehu-Jezexhiu dhe Geni Shehu, ku veprat e tij janë botuar nga kjo shtëpi botuese  prej shumë vitesh me radhe. Por në  vitin 2024,  me rastin e 581 vjetorit të ngritjes të Flamurit Kombtar Shqiptar nga Skënderbeu në kalanë e Krujës, amanetin e Dr.Moikom Zeqo , merakun e tij të fundit e plotësuan përsëri, pronarët e shtëpisë botuesë “ERIK”, duke botuar vepren e tij të lënë si dorëshkrim: Sinopse për Skënderbeun.

Kjo vepër Madhore,vjen pra lexuesit shqiptarë me parathënien “Meraku i fundit” të Josif Papagjoni dhe ndahet në tetë kapituj:

Kapitulli I –Skënderbeologjia shqiptare

Kapitulli II – Situata Paraskenderbejane

Kapitulli III – Dueli i Letrave

Kapitulli IV– Gravura e hershme e Skënderbeut dhe simbolika e saj

Kapitulli V – Arbërit dhe shenjëtërimi i eshtrave të Skënderbeut.

Kapitulli VI – Figura e Skënderbeut në arte

Kapitulli VII – Bibloteka e Skënderbeut

Kapitulli VIII – Codex Scanderbeg (Libri i Skënderbeut)

Kjo vepër analizon e trajton në mënyrë shkencore , veprat kryesore të autorëve shqiptarë dhe të huaj, kushtuar Skënderbeut duke filluar me Dhimitër Frangu, Marin Barleti, Frang Bardhi dhe deri tek  vepra Anathas Gegaj, Fan Nolit e Aleks Buda, dhe autorët e huaj, Pjerr Ronsar, Margarita Sarroki, Stefan Zanovic e tjerë, kushtuar Skënderbeut.Në kapitujtë e tjerë trajtone ,figurën e Skënderbeut në arte , Biblotekën e Skëndebeut e deri tek Codex i Skënderbeut ( Libri i Skënderbeut).

Me rastin e nxjerrjes në drtitë e botimin të veprës Dr.Moikom Zeqo: “Sionopse për Skënderbeun” i shprehim mirënjohjen dhe e falenderojmë pronarët e Shtëpisë Botuese: “ERIK”, Tiranë, Znj.Dëshira Shehu Jazexhiu e  Geni Shehu për  botimin e kësaj vepre të rëndësishme kushtuar Heriot tonë Kombëtare Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në vitin jubilarë të 556 vjetorit vdekjes të Skënderbeut.

Libri mund tw porisitet direkt tek web.i shtëpia botuese  ‘ERIK” // www.erik.al // Por gjendet në Librarit kryesore në Tiranw, Durrës, Elbasan, Shkodër ,Vlorë por deri me daten 17 Nëntor gjendet në panairin e librit, në pavionin e Shtëpisë botuese: “ERIK”, Kati i Dytë i Pallatit Kongreseve, Tiranë.









Filed Under: Emigracion

Komiteti për lirinë e Shqipërisë

January 21, 2025 by s p

Mr.sc.Rezehana Hysa/

Në vigjilje të 120 vjetorit të themelimit të “Komitetit për lirinë e Shqipërisë”                                                                 

Rrethanat politiko-shoqërore që u krijuan në Shqipëri sidomos pas shtypjes së Lidhjes së Pejës ku Porta e Lartë dhe autoritetet osmane i dhanë  goditje të rëndë Lëvizjes arsimore e kulturore të shqiptarëve gjegjësisht me  mbylljen e shkollave shqipe duke përfshirë këtu edhe Mësonjëtoren  shqipe të Korçës më 1902 dhe njëkohësisht  arrestimin  dhe persekutimin e  mësimdhënësve të gjuhës shqipe, mos lejimin e librave shqip,rritjen e taksave etj.krijuan rrethana të reja shoqërore politike për organizim më të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  dhe nevojën për zgjerimin e lëvizjes së armatosur që do ti bënte ballë situatës së krijuar.Andaj  në nëntor të vitit  1905 me nismën  e Bajo Topullit që në atë kohë ishte pedagog dhe nën drejtor i gjimnazit turk në Manastir u formua në Manastir,”Komiteti për lirinë e Shqipërisë”.Krahas tij  bënin   pjesë edhe  Halit Bërzeshta,Gjergj Qiriazi,Feim Zavalani,Nuçi Naçi etj. 

  “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” ishte  organizatë politiko-patriotike që kishte për synim ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të  popullit shqiptarë për luftë të  armatosur   kundër pushtuesve osman dhe qarqeve shoveniste fqinje me  të ,me idenë absolute se “liria nuk mund të pritej, por të kërkohej”.Bajo Topulli dhe bashkë atdhetarët e tjerë tashmë kishin  gjykuar  se ka ardhur momenti që Perandoria Osmane të detyrohej që edhe me forcën e armëve të pranonte vullnetin e popullit shqiptar. 

Duke synuar një përfshirje më  të gjërë të “Komitetit për lirinë e Shqipërisë” gjegjësisht përfshirjen e saj në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm,ky Komitet me në krye Bajo Topullin  dërgoi atdhetarë shqiptarë në krahinat e ndryshme të vendit me synimin e qartë  ngritjen e degëve të saj në qendrat më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm me të njëjtin emër. 

  Kështu për një  kohë të shkurtër në shumë krahina të Shqipërisë u formuan komitete të fshehta të cilët kishin lidhje me njëra tjetrën dhe vepronin nën drejtimin e Komitetit të Manastirit .Qëllimi  ishte i qartë  “organizimi i lëvizjes çlirimtare dhe i luftës kundër ndërhyrjeve të huaja”.Për arritjen e qëllimeve kombëtare ata i vinin rëndësi të veçantë bashkimit të shqiptarëve,pavarësisht nga feja dhe krahina,përhapjes së diturisë,agjitacionin patriotik si dhe organizimin e çetave të armatosura.

“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” pati edhe statutin(kanonizmën)  që botohej në Sofje dhe programin e saj ku si pik referimi kishte  njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në shkolla,emërimin  e vetëm të nëpunësve shqiptarë në viset shqiptare,mos dërgimin e ushtarëve shqiptarë në provincat jashtë Europës etj.,ndërsa si mjet kryesor konsideronte luftën e armatosur të çetave shqiptare kundër pushtuesve të huaj në Shqipërinë e kohës.

Në  kanonizëm, thuhej: “qëllimi i këtij komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime… për mbrothësinë e kombit dhe të shpëtuarin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.

“Komiteti qëndror për lirinë e Shqipërisë”,duke  synuar luftën e armatosur të popullit shqiptarë kundër pushtuesve të huaj dhe  krijimin e një ushtrie kombëtare pati edhe Rregulloren e çetave ose siç e quanin ndryshe “Udhërrëfenjësi i trimave”, ku krahas programit politik kombëtar, përcaktoheshin  edhe rregullat e organizimit, të trupave të armatosura. Sipas “Udhërrëfenjësit”, çetat do të përhapeshin në malet e Shqipërisë,me synim të qartë që të formohej një ushtri kombëtare e shtrirë në gjithë vendin. 

Vendimin për krijimin e  çetave të para,Komiteti i Manastirit e mori në janar të vitit 1906. Mirëpo për mungesë të mjeteve financiare,nuk arriti të armatos qysh në fillim, siç e kishte parashikuar, gjegjësisht 500 luftëtarë në radhët e çetave,por formoi një varg çetash, që vepronin në vise të ndryshme të vendit,e sidomos në Shqipërinë e jugut e të mesme. Çeta e parë u krijua në prillin e   vitit 1906 në Kolonjë të Korçës, me 20 luftëtarë  e cila ishte e  komanduar nga Bajo Topulli. 

Bajo Topulli me bashkëluftëtar

  Në këtë çetë, Çerçiz Topulli, vëllai i tij, ishte luftëtari më i shquar dhe më aktiv. Për të përçuar këtë frymë, çeta patriotike e Bajo Topullit fillojë të lëvizte pothuajse në gjithë territorin e jugut të Shqipërisë. 

Veprimet e së cilës u shtrinë edhe në Gorë, Starovë, Bërzeshtë, Gramsh, Opar e më pas edhe në rrethet e vilajetit të Janinës.
  Në ndërkohë dolën në skenë edhe çetat patriotike të Sali Butkës, Qamil Panaritit, Spiro Ballkamenit,Themistokli Germenjit, Muharrem Rushitit, Demo Eminit etj.,duke përfshirë këtu edhe çetën e Fehmi Zavalanit në Kolonjë si dhe disa çeta të tjera të armatosura, që  ishin më  të vogla por që vepruan fuqishëm sidomos në vitet 1906-1908 në vise të ndryshme të vendit. 

Çeta shqiptare e Sali Butkës

  Sipas një letre të Bajo Topullit  në maj të vitit 1906 ndikimi i Komitetit dhe i lëvizjes së udhëhequr prej tij ishte i gjerë dhe  shtrihej në Janinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Mallakastër, Myzeqe, Kolonjë, Korçë, Tiranë, Elbasan, Ohër, Dibër dhe në vende të tjera.
Qëllimi i çetave ishte të luftonin kundër bandave të andartëve grekë, që persekutonin atdhetarët shqiptarë dhe përgatisnin truallin për helenizimin dhe aneksimin e Shqipërisë së jugut.

 “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” u lidh edhe me shoqëritë patriotike jashtë atdheut sidomos me ato të Bukureshtit,Sofjes që e përkrahnin plotësisht programin dhe veprimtarinë e saj.

Si rezultat i Komiteteve të fshehta në pranverë të vitit 1906 gjegjësisht me vendim të “Komitetit për lirinë e Shqpërisë”u realizua  një aksion i rëndësishëm i çetave gjegjësisht  vrasja më 22 shtator të vitit 1906 e mitropolit grek të Korçës Fotit,klerik reaksionar i vënë në shërbim të shovenizmit grek në shtator të vitit 1906 që kish organizuar vrasjen e pabesë të atdhetarit shqiptar Papa Kristo Negovani.

 Populli për këtë ngjarje  thuri këto vargje :

“Për tërë natën ç’u dinë (u gdhinë)

në Korçë e zunë pusinë

vranë dhespot mjekërzinë” 

 Luftën e çetave  e përkrahën dhe  propaganduan në mënyrë të veçantë  organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Drita” e Sofjes,“Kombi”(Boston),“Shpresa e Shqypnisë” (Raguzë-Trieste-Romë) etj. 

ndërsa   për hir  të lidhjes së Komitetit   me redaktorin e gazetës “Drita”,  Shahin Kolonjës,gazeta “Drita” e Sofjes u kthye në organ të këtij Komiteti. Në mars të vitit 1906 atdhetarët shqiptarë të kolonisë së Sofjes organizuan një çetë tjetër, nën komandën e Çerçiz Topullit, me të cilin u bashkua shkrimtari atdhetar Mihal Grameno dhe Idriz Gjakova. Çeta kishte si mision të përhapte “ndjenjat kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë”. Andaj në dhjetor të vitit 1906 në  gazetën”Drita” u botua artikulli i Çerçiz Topullit “Ndjenjat e një mëmëdhetari”, në të cilin u bëhej thirrje shqiptarëve “… të bashkoheshin gegë e toskë, të krishterë e muhamedanë, e të luftojmë nga Preveza e gjer në kufijtë e Serbisë e të Malit të Zi”. 

Qeveria turke ra shpejt në gjurmët e Komitetit të Manastirit. Në urdhrin që i dërgoi në fillim të prillit komandës ushtarake të Manastirit kërkonte informata për Komitetin Shqiptar, i formuar në pjesën perëndimore të Shqipërisë,gjegjësisht për veprimtarinë e saj.Madje ndërmori masa të rrepta kundër anëtarëve dhe përkrahësve të Komitetit të Manastirit. Midis tyre pati të  arrestuar edhe shumë oficerë të garnizonit ushtarak të Manastirit dhe nëpunës të aparatit shtetëror, që ishin bashkuar me “Komitetin për lirinë e Shqipërisë”. Me urdhër të vetë sulltanit, në fund të korrikut u arrestua Nafiz Beu nga Ohri, kolonel (lejtnant) i kavalerisë osmane, që pati shkuar fshehurazi në Korçë,Shkup e në Tetovë,për qëllimet e Komitetit të Manastir.

Andaj ndjekjet e autoriteteve turke e vështirësuan veprimtarinë e komitetit si një organ qëndror dhe i detyruan udhëheqësit e saj të shpërngulen në Bukuresht duke lënë në Manastir vetëm një komitet lokal.Formimi dhe veprimtaria e “Komitetit për lirinë e Shqipërisë” ishte dëshmi e ngritjes së nivelit të organizimit më të artikuluar të Lidhjes Kombëtare Shqiptare në këtë periudhe kohore.

  Kur në janar të vitit 1907 u shpallën në gazetën zyrtare të Vilajetit të Manastirit emrat e atdhetarëve, që duhej të dorëzoheshin e të arrestoheshin sa më parë,si Bajo e Çerçiz Topulli, Beqir Sali Butka, Islam Arifi, Ahmet Zylfiqari, Dervish Ismaili, Fejzo Beu nga Dëshnica, Mersin Abdyli etj. u vështirësua veprimtaria e Komitetit të Manastirit si organ qendror,andaj udhëheqësit e saj u  detyruan që të shpërnguleshin në Bukuresht dhe të linin në Manastir një komitet lokal, që mbante lidhje me Bukureshtin.Kështu  vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli në nëntor të vitit 1906   të përkrahur nga shoqëritë atdhetare shqiptare e sidomos nga Shahin Kolonja e Kristo Luarasi në Sofje, nga Pandeli Evangjeli, Rafael Dako, vëllezërit Zografi në Bukuresht dhe dr. Ibrahim Temoja në Kostancë u detyruan të largohen nga atdheu për në Sofje e Bukuresht  ku atje  realizuan  një varg aktivitesh  dhe morën masa për sigurimin e ndihmave financiare për luftën e armatosur të çetave në Shqipëri.Në ndërkohë po  për këtë qëllim Bajo Topulli  shkoi në Paris e SHBA ku me ndihmën e Fan Nolit dhe të atdhetarëve të tjerë të kolonisë shqiptare të Bostonit mblodhi ndihma për “Komitetin e  lirisë së  Shqipërisë”,si dhe organizuan një sërë mitingjesh ,protestash  kundër terrorit osman dhe dhunës së bandave të andartëve grekë në Shqipëri.

Ndërkaq, veprimtaria e çetave nuk u ndërpre por u formuan edhe  çeta të tjera që vepruan në vise të ndryshme të Shqipërisë.

Veprimtaria e klubeve dhe komiteteve shqiptare që vepronin në Shqipëri dhe jashtë saj,kishte kohë që ishin në  qendër të vëmendjes në shtypin e huaj dhe të konzujve të huaj. Në pranverën e vitit 1907 Bajo Topulli, për të qetësuar Vjenën, e cila nuk ishte e prirur të përkrahte veprimet që do të cenonin status quo-në në Ballkan, u deklaroi përfaqësuesve të saj konsullorë se “situata në Shqipëri ende nuk ishte pjekur për një kryengritje të përgjithshme”, por për ta përgatitur atë, “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” do të vazhdonte të organizonte çeta të armatosura, të cilat, do të merreshin me përhapjen e ideve kombëtare të shqiptarëve.

“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” realizoi edhe një sërë aksionesh të tjera në qytete të ndryshme të vendit,madje ishte ai që urdhëroi  vrasjen e  Bymbashit turk të Gjirokastrës , Halil Musa më 25 shkurt 1908.

 Pas vrasjes së Bymbashit disa ditë më vonë gjegjësisht   më 18 mars 1908,u zhvillua beteja, e cila në histografinë shqiptare  njihet si Lufta e Mashkullorës. Pavarësisht numrit shumë herë më të madh të ushtarëve osmanë, çeta e Çerçiz Topullit mundi të çante rrethimin edhe pas  gati 15 orë rezistence, duke përfituar edhe nga errësira e mbrëmjes dhe mjegulla e marsit.

 Mihal Grameno në kujtimet e tij shkruan: “Vrasja e bimbashit në Gjirokastër,si dhe fama e luftës së Mashkullores ishin përhapur në Europë, duke u  bërë bujë  në gazetat e mëdha të kohës  andaj   qarqet e larta të Stambollit zunë t’i japin një rëndësi të madhe lëvizjes kryengritëse shqiptare”. 

  Më 1 shkurt 1908 po në gazetën “Drita” u botua shkrimi “Letër nga malet e Shqipërisë”, hartuar nga Çerçiz Topulli si komandant dhe Mihal Grameno  sekretar i çetës, ku theksohej se ushtria e luftëtarëve të lirisë po shtohej dita-ditës dhe se ishte detyrë e çdo atdhetari të ndihmonte “Komitetin për lirinë e Shqipërisë” “në qëllimin e tij të shenjtë ndaj atdheut”.

Në ndërkohë shumë shoqëri dhe komitete të tjera që bashkëvepronin me “Komitetin për lirinë e Shqipërisë”,  i grishnin shqiptarët që të përgatiteshin për kryengritjen e armatosur, e cila parashikohej të shpërthente në pranverën e vitit 1908 me moton:”Një luftë e vërtetë  për lirinë dhe bashkimin e atdheut tonë të dashur”.
Çetat e lidhura me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë” në maj të vitit 1908 e përbërë prej 63 luftëtarësh, hyri në Sarandë, sulmoi godinat e administratës shtetërore lokale,andaj si rrjedhojë  për të ndjekur çetën, autoritetet osmane dërguan nga Preveza në rrethin e Sarandës forca të tjera të xhandarmërisë, që bënë arrestime të shumta nga popullsia. Më shumë se 70 veta, myslimanë e të krishterë, u dërguan të lidhur në Prevezë e prej andej në Janinë. Ngjarjeve të Sarandës u bëri jehonë edhe shtypi i huaj evropian.

     Zgjerimi i luftës së armatosur të çetave, në Shqipërinë e jugut, të organizuar nga “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” dhe të shumë komiteteve,shoqërive  të tjera   që vepronin si një trup i vetëm si  brenda ashtu edhe jashtë vendit  ishin alibi  se në prag të  Revolucionit xhonturk të korrikut të vitit 1908 Shqipëria ndodhej para një kryengritjeje të përgjithshme.

Filed Under: Analiza

“Heroikja”, kryevepra simfonike që Ludwig van Beethoven shkroi për Napoleonin, por refuzoi që ajo t’i përkiste atij

January 21, 2025 by s p

Bethoven fillimisht ia kushtoi simfoninë e tretë Napoleon Bonapartit, për të cilin ai besonte se mishëronte idealet demokratike dhe antimonarkike të Revolucionit Francez. Por kjo vepër kaq unike kaloi nëpër disa pështjellime që kishin të bënin me dedikimin, ose më saktë me dinjitetin krijues të kompozitorit të madh, i cili ishte në kohë për t’u penduar për kushtimin e bërë dhe për të reflektuar në lidhje me përgjigjen e kompozitorit ndaj Napoleonit, që e shpalli veten Perandor të Francezëve (14 maj 1804), sekretari i Beethoven, Ferdinand Ries tha se:

Në shkrimin e kësaj simfonie, Bethoveni kishte menduar për Bonapartin, por Bonapartin kur ishte Konsulli i Parë. Në atë kohë Beethoven kishte vlerësimin më të lartë për të dhe e krahasoi atë me konsujt më të mëdhenj të Romës së Lashtë.

Jo vetëm unë, por shumë nga miqtë më të ngushtë të Beethoven-it, e pamë këtë simfoni në tryezën e tij, të kopjuar bukur në dorëshkrim, me fjalën “Bonaparte” të shkruar në krye të faqes së titullit dhe “Ludwig van Beethoven” në fund…

Unë isha i pari që i thashë atij lajmin se Bonaparti ishte shpallur Perandor, me ç’rast ai shpërtheu në tërbim dhe thirri: “Pra, ai nuk është më shumë se një i vdekshëm i zakonshëm! Edhe tani, ai do të shkelë të gjitha të drejtat e njeriut, kënaq vetëm ambicien e tij. Tani ai do ta mendojë veten më të lartë se të gjithë njerëzit, do të bëhet tiran!”

Bethoveni shkoi në tryezë, kapi pjesën e sipërme të faqes së titullit, e grisi përgjysmë dhe e hodhi në dysheme. Faqja duhej të rikopjohej dhe vetëm tani simfonia mori titullin “Sinfonia Eroica”.

Një kopje ekzistuese e partiturës përmban dy titra të gërvishtura, të shkruara me dorë; fillimisht, fraza italiane Intitolata Bonaparte (“Titulluar Bonaparte”), së dyti, fraza gjermane Geschriben auf Bonaparte (“Shkruar për Bonapartin”), katër rreshta poshtë nëntitullit italisht.

Tre muaj pasi tërhoqi përkushtimin e tij fillestar nga Napoleoni për simfoninë, Beethoven informoi botuesin e tij të muzikës se “Titulli i simfonisë është me të vërtetë Bonaparte”. Në vitin 1806, partitura u botua nën titullin italian “Sinfonia Eroica”… composta per festeggiare il sovvenire di un grande Uomo (“Simfonia heroike, e kompozuar për të kremtuar kujtimin e një njeriu të madh”).

Një nga veprat më të njohura të Beethoven, Simfonia “Heroikja” është një kompozim në shkallë të gjerë që shënoi fillimin e “periudhës së mesme” novatore të kompozitorit.

E kompozuar kryesisht në vitet 1803-1804, vepra theu kufijtë në formën simfonike, gjatësinë, harmoninë, përmbajtjen emocionale dhe kulturore. Konsiderohet gjerësisht një pikë referimi në tranzicionin midis epokës klasike dhe romantike. Gjithashtu shpesh konsiderohet si simfonia e parë romantike. Beethoven fillimisht drejtoi një shfaqje private më 9 qershor 1804, dhe më vonë performancën e parë publike më 7 prill 1805.

“Heroikja” është dyqind vjeç, por ende ka qasje moderne. Në këtë simfoni Beethoven filloi të përdorte goditje të gjera tingulli për të na treguar se si ndihej dhe çfarë do të thoshte për të, të qenit i gjallë. Pjesa shkaktoi një sensacion dhe ndryshoi idenë se çfarë mund të ishte një simfoni.

Kur Beethoven e quajti këtë pjesë “heroike”, ai nuk po tallej. Është më e madhe, më e gjatë se sa kishte qenë ndonjëherë një simfoni. Është rrëfimtare, madje edhe konfrontuese.

Vetëm shkalla e tij ishte e madhe, e paprecedentë – dhe e frikshme për dëgjuesit e saj të parë. Ajo paralajmëroi botën që Wagner, dhe në fund të fundit, Sigmund Freud, do të eksploronin – sferën e të pavetëdijshmes. Kjo ishte ajo që e bëri atë kaq revolucionare.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: ESSE

Me rastin e Inaugurimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump

January 21, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

Foto: Reuters/

Inaugurimi i Presidentit Donald Trump më 20 janar 2025, në Capitol Hill, është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për SHBA, por edhe për shumë shtete, përfshirë Kosovën. Ky moment shënon kalimin e pushtetit dhe hap mundësi të reja për përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe për mbështetje në çështje të brendshme dhe të jashtme, përfshirë ato që prekin Kosovën. Ky shkrim analizon ndikimin e mundshëm të politikave të Trump në zhvillimet politike dhe ekonomike të Kosovës.

Riti i Inaugurimit dhe Pritshmëritë për Administratën Trump

Inaugurimi është një moment simbolik dhe praktik, i cili përcakton drejtimet që do të marrë politika e jashtme dhe e brendshme e SHBA-së për katër vitet e ardhshme. Ky është një ngjarje ku Presidenti bën betimin dhe paraqet fjalimin e tij, ku zakonisht thekson qëllimet dhe prioritetet për mandatet e tij të ardhshëm. Pritshmëritë për administratën Trump në vitin 2025 janë që ai të vazhdojë me politikën “Amerika e Parë” (America First), e cila synon mbrojtjen e interesave kombëtare dhe forcimin e pozicionit të SHBA-së në botë.

Fjalimi i Trump dhe Pritshmëritë për Kosovën

Një nga aspektet më të rëndësishme të administratës Trump për Kosovën ka qenë mbështetja për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe përpjekjet për të siguruar mbështetje për integrimin e saj në organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Bashkimi Evropian (BE). Po ashtu, Trump ka pasur një angazhim të vazhdueshëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces është prioritet dhe mund të theksohet në fjalimin e tij si një hap i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.

Marrëdhëniet SHBA-Kosovë gjatë Administratës Trump

Mbështetje për Pavarësinë e Kosovës: Pavarësia e Kosovës ka qenë një çështje thelbësore për SHBA-të dhe është mbështetur fuqimisht nga administrata Trump, e cila ka inkurajuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Dialogu Kosovë-Serbi dhe Roli i SHBA-së: Administrata Trump ka luajtur një rol aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, duke ndërmjetësuar marrëveshje ekonomike që kanë hapur mundësi për zhvillim dhe bashkëpunim rajonal. Ky proces ka pasur ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe ka krijuar mundësi për investime të huaja.

Marrëveshje të tjera dhe mbështetje për zhvillimin: SHBA ka ofruar mbështetje për forcimin e institucioneve të Kosovës dhe ka kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës, duke përfshirë ndihmën për ndërtimin e rrugëve dhe projekte të tjera që ndihmojnë integrimin e Kosovës në rajon.

Diaspora Shqiptare dhe Roli i saj në Inaugurimin e 2025

Diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në mbështetje të marrëdhënieve SHBA-Kosovë. Në vitet e kaluara, diaspora ka lobuar fuqishëm për njohjen e Kosovës dhe mbështetje për zhvillimin e saj. Pritet që, gjatë inaugurimit të Trump në 2025, diaspora shqiptare në SHBA të vazhdojë të shprehë mbështetje për administratën dhe të lobojë për politikat që ndihmojnë zhvillimin e Kosovës.

Inaugurimi i Donald Trump më 20 janar 2025 është një ngjarje që ka ndikim të thellë jo vetëm për SHBA, por edhe për Kosovën dhe rajonin. Politikat që administrata Trump do të zbatojë do të ndikojnë në marrëdhëniet bilaterale, forcimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, dhe përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të vendit. Ky moment historik është një mundësi për t’u angazhuar më tej në forcimin e institucioneve të Kosovës dhe promovimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtësisë për të ardhmen e vendit.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT