• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Agim Musta, ish i burgosuri politik që sfidoi diktaturën komuniste në Shqipëri

January 16, 2025 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

5 vite më parë, në moshën 89 vjeçare ndërroi jetë ish i burgosuri politik që i mbijetoi torturave të burgut famëkeq të Spaçit, Agim Musta. Njëherësh babai i gazetares dhe mikes sime të mirë Suela Musta.

Qysh pas rënies së perdes së hekurt në Shqipëri së bashku me Fondacionin “Musine Kokalari” themeluar nga historiani dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Agim Musta kemi mbajtur në Tiranë një sërë kumtesash, simpoziume, tubime për të përkujtuar dhe vlerësuar disidentët shqiptarë që u përballën me diktaturën më të egër në Europë.

Me ish të burgosurin politik dhe mikun tonë Agim Musta, personalisht mua dhe anëtaret e “Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike” të Shqipërisë na lidhin kujtime e veprimtari të shumta. Flas për kohën kur unë jetoja ne Shqipëri.

Çdo vit me Fondacionin “Musine Kokalari” dhe “Shoqatën e Grave ish të Persekutuara Politike të Shqipërisë” mbanim ceremoni përkujtimore dhe homazhe për gratë që dhanë jetën, u dënuan e internuan nga gijotina komuniste, si dhe vlerësonim personalitete të ndritura të kombit që sfiduan diktaturën siç ishte edhe vetë figura brilante e shumë dimensionale e Agim Mustës.

Agim Musta me intelektin, kurajon e guximin e tij të frymëzonte për të ndërmarrë nisma të fuqishme, për të nxjerrë në dritë vuajtjet e popullit tonë në komunizëm. Autor i shumë veprave, ku në çdo faqe të krijmitarisë së tij shpaloset me gërma të mëdha gjenocidi dhe persekucioni komunist i përbindëshit Hoxha dhe kriminelëve të tij që masakruan padrejtësisht një popull të tërë, izoluan Shqipërinë nga bota e qytetëruar, vranë, burgosën dhe internuan njerëz të pafajshëm deri tek fëmijët e vegjël që vdiqën burgjeve, kampeve të përqëndrimit nga torturat, mos ushqyerja e malarja…

Si veprimtarë të palodhur të kauzës së të drejtave të ish të persekutuavre politikë të Shqipërisë, ku me modesti do të përfshij edhe emrin tim, sëbashku me shkrimtarin disident Agim Musta, si bashkëpunëtorë të jashtëm, ftuar nga “Qendra e të Mbijtuarve të Torturës” në Tiranë, kemi dhënë idetë tona për të venë në zbatim disa projekte të rëndësishme të Qeverisë Daneze, të cilat pasqyronin qartë pasojat që linte tortura jo vetëm tek i burgosuri, por edhe tek familja, gruaja, fëmijët dhe roli suportues që duhet të luajë shoqëria ndaj viktimave të torturës.

Edhe në New York, pata rast të takohem me Agim Mustën, Simon Mirakën, ku për herë të parë në Kishën Zoja e Shkodrës shpalosën “Ekspozitën fotografike” me pamje nga burgjet, kampet e përqëndrimit shqiptar, si dhe foto nga viktimat e komunizmit, heronjve të kombit, ku më ftuan edhe mua për të dhënë kontributiin tim në hapjen e asaj ekspozite.

Gjithashtu ftuar nga Federata Pan Shqiptare “Vatra” në New York dhe ish Kryetari i saj i ndjeri Ing. Agim Karagjozi mora pjesë në një darkë shtruar për nder të mysafirëve ardhur nga Shqipëria Agim Musta dhe Simon Mirakaj.

Agim Musta lindi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1930. Pasi kreu studimet e larta në Fakultetin Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës ai punoi si arsimtar në shkolla të ndryshme tetëvjeçare dhe të mesme të vendit. Në vitin 1962 është dënuar me 13 vjet burg nga Gjykata Ushtarake e Tiranës për veprimtari antikomuniste. Agim Musta në shumë nga veprat e tij ka shkruar kundër komunizmit, sistemin e burgjeve dhe persekutimet politike në kohën e diktaturës.

Kanë kaluar disa vite, lajmin për ndarjen nga jeta të Agim Mustës e mësova nga dy vajzat e tij të shkëlqyera Elisabetës dhe Suelës, të cilat edhe ato janë atdhetare të flakta e antikomuniste, të cilat i çmoj dhe i vlerësoj shumë.

Agim Musta është një nga heronjtë që me vitalitetin e tij arriti t’i mbijetoi torturave të xhelatëve të kuq duke lenë pas shumë kujtime e vepra, si dëshmi e gjallë e së kaluarës së hidhur që kaloi vendi ynë për afro gjysëm shekulli.

Disa nga veprat e tij janë;

“Mandelat e Shqipërisë”, 1992

“Dosjet e gjalla”

“Kush ishte Enver Hoxha” (bashkautor), 1996

“Burgjet e shtetit burg”, 1998

“Mjerim pafund”, 1999

“Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, 2001

“Dëshmoj për të vërtetën”, 2004

“Antologjia e plagëve nën terrorin komunist” (bashkautor), 2 vëllime 2006

“Album i burgjeve të diktaturës komuniste”, 2006

“Libri i zi i komunizmit”, 2007, etj.

Duke u njohur me veprimtarinë e gjerë e të pasur të ish të burgosurit politik Agim Musta mbetemi me shpresë që edhe banesa e Tij në Tiranë do të kthehet në “Shtëpi Muze” ku sigurisht edhe mbështetja qytetare është e domosdoshme.

Filed Under: Emigracion

NJË PËRKUJTIM PERSONAL ME RASTIN E 50-VJETORIT TË SHKUARJES NË AMSHIM TË ERNEST KOLIQIT

January 16, 2025 by s p

Lidhjet e tij me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mërgatën në përgjithësi.

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

50-vjet më parë, me 15 Janar 1975 ka ndërruar jetë shkrimtari dhe poeti dhe ndër të tjera edhe ministër i arsimit (1941-42) gjatë të cilës periudhë dërgon në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Me atë rast u hapën një numër i madh shkollash fillore dhe të disa të mesme, anë e mbanë trojeve shqiptare. “Ishin këto shkolla që do bëheshin baza me rëndësi për zhvillimin e përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi”, do shkruante më vonë Dr Rexhep Krasniqi, Kryetari i “Komitetit Shqipnia e Lirë” në Nju Jork, njëri ndër mësuesit që shkoi në Kosovë dhe njëri prej bashkpuntorëve të Koliqit.  Frank Shkreli: Thirrje për njohjen e rolit të Ernest Koliqit në përhapjen e arsimimit kombëtar (1941-1944) anë e mbanë trojeve të robëruara shqiptare | Gazeta Telegraf

“Qe pishtari kryesor dhe frymëzuesi i vendosur i mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë. Në atë krahinë deri në 1941, shkrimi i gjuhës shqipe ishte privilegj i një pakice mikroskopike”, ka shkruar Dr Hamdi Oruçi për kontributin e Koliqit në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare nën Jugosllavinë asaj kohe. “Ai rekrutoi miqë e dashamirë të gjuhës shqipe dhe i dërgoi në Kosovë. Sot kjo krahinë është bërë prap një shesh përparimesh e studimesh letrare, është ringjallë fryma e poetënve dhe e shkrimtarëve, fryma e Imzotve Mazrreku, Bogdani e Kazazi, e të tjerë aapostuj të gjuhës shqipe. E si konsekuencë e asaj aradhe mësuesish të Ministrisë së Arsimit në Tiranë me 1941, sot nderohet Shtëpia  ku u mblodh Lidhja e prizrenit dhe sot kuptohet rendësia e Kongresit të Manastirit që caktoi alfabetin e sotëm shqqip në ato krahina shqiptare”, do të kujtonte doktori i nderuar shqiptaro-amerikan, Dr Hamdi Oruçi me rastin e kalimit në amshim të bashkvendasit të tij Shkodran, Ernest Koliqit, me 15 Janar, 1975.

Duke marrë parasysh përjashtimin e tij nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i akuzuar si “bashkpuntor i fashizmit”, i anashkaluar dhe zyrtarisht, i kritikuar madje edhe në periudhën post-komuniste të “demokracisë” shqiptare,  Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf.  Me kënaqësi vura re se një ent zyrtar më rendësi, siç është Biblioteka Kombëtare në Tiranë, njoftoi një, “Ekspozitë me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit shqiptar Ernest Koliqi. Në këtë 50-vjetor të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, studiuesit, kritikut e përkthyesit Ernest Koliqi, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çel një ekspozitë e cila risjell në vëmendje krijimtarinë artistike, publicistike dhe përkthimet më të mira të Koliqit, për të përkujtuar kështu një figurë që jo vetëm i dha letërsisë dhe kulturës shqipe, por arriti të shndërrohej në një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të zenitit të shkrimtarëve të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar. 

Ekspozita ka në fokus botimet e para të shkrimtarit, përkthime, ese, publicistikë, përzgjedhje poetike, si dhe shkrime nga revista periodike “Shêjzat”.

                 “T’rrzuemin due t’a çoj nga balta;

                 due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta

                 me shtegtar’ qi kërkojn’ Dritën…”*

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Katin I të BKSH-së, thuhet mëtej në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare.  Është ky një lajm inkurajues që tregon se ndoshta diçka po ndryshon në Shqipëri, 35-vjet pas shembjes së komunizmit zrytar në atë vend – trajtimi pra më i drejtë i të figurave të Kombit dhe kontributit të tyre historik, siç është Ernest Koliqi.

Një shënim personal përkujtimor nga ana ime, në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të Ernest Koliqit. Në atë kohë, unë kisha filluar punën në Zërin e Amerikës.  Më kujtohet si të ishe dje, kur i përndershmi Dom Prenk Ndrevashaj më ka telefonuar nga Detroiti ku i shërbente komunitetit katolik shqiptar atje dhe më dha lajmin e keq se miku i ynë i përbashkët, por edhe i mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjerë, shkrimtari dhe poeti i njohur Profesor Ernest Koliqi, kishte ndërruar jetë në Romë, në mërgimin e pa dëshiruar, siç thonte shpesh ai vet. Më kujtohet se humbja e Profesor Koliqit dhe zbrazëtia që ai la pas — si shkrimtar, poet e politikan — por mbi të gjitha si një atdhetar dhe njeri i thjesht dhe i ndershëm për të gjithë ata me të cilët ai erdhi në kontakt, u ndie për së tepërmi në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai la pas një mungesë e boshllëk të madh në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin ai e vizitonte, nga hera në here, nga Roma ku ishte vendosur që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ernest Koliqi kishte vizituar disa Shtetet e Bashkuara. Komuniteti shqiptaro-amerikan e kujton ende Ernest Koliqin, sidomos, për rolin e tij në shënimin e dy përvjetorëve me rëndësi për historinë e shqiptarëve në shekullin e kaluar: 500-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit (në vitin 1968) dhe 60-vjetori i gazetës Dielli (1969).  Profesor Koliqi si kryeorganizatori i festimeve kastriotiane të 500-vjetorit të Fatosit të Madh Kombëtar, ishte kujdesur që festimet në Romë me atë rast të ishin gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, për aq sa ishte mundësia dhe mesa lejonin rrethanat politike të kohës. Ishin të ftuar Arbëreshët dhe shqiptarët nga të gjitha trevat. Por për arsye që dihen, ishin të pranishëm vetëm shqiptarët nga diaspora, përfshirë edhe një grup nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të përfaqësuar nga organizata Vatra dhe krerët e saj. Në një artikull në revistën Shëjzat (4-6, 1968), pjesëmarrjen mbarëshqiptare në ato festime, Profesor Koliqi shkruan me entuziazëm për “pushtimin” e Romës dhe të Vatikanit nga shqiptarët mërgimtarë: “Kujt nuk i gufoi gjaku hov krenarie tue pa kah valviteshin me 24 prill në Sheshin e Sh’Pjterit gjithë ata flamuj kuq e zi? Shqipja kumbonte në atë Shesh madhnuer, përziheshin ligjirimet e sotëshme të Shqipnisë me ato të motshëme t’Arbërit, t’asaj cope t’Atdheut që lëshoi rrajë e lulzon në tokën italiane si degë e trungut të Kombit. Arbëreshët jo vetëm mbajtën mbrekullisht gjuhën tonë – për ma tepër – e banë me lulzue në vepra letrare dore së parë, tue dishmue se palci fisnuer i kombit të Skënderbegut levizë jetsues kudo në botë, dhe rreth nji votre arbnore mbahen doket e të Parvet”.  Duke përshkruar festimet madhështore të atij përvjetori, Profesor Ernest Koliqi shkruante se për herë të parë në kryeqytetin Italian, “Emni i Shqipnisë e i Kastriotit tingulloi si za burije…tue u përmend an’e kand emni i Shqipënisë”, duke shtuar se, “Nji të përqethun mallëngjimi e krenarije na rrëshqiti shtatit e shpirtit kur Ati Shejt (Papa Pali I VI) përdori në ligjiratën italishte fjalët shqipe, ‘besë’, e ‘burrni’. Këto vetina dalluese të kombit dhe shprehjen ‘gjaku i shprishur’, që skalitë shpërndamjen e gjindes s’onë në rrokullinë tokësore”. 

Duke shkruar për një pjesë të këtij “gjaku të shprishur”, i shpërndarë anë e mbanë botës, Profesor Ernest Koliqi përshkruante kështu pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në Amerikë, në festimet në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit:  “Prania e vatranëve, ardhë nergut nga Shtetet e Bashkueme, ia shtoi shkëlqimin kremtimeve. Nji tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhun përfaqsoi në rrethe arbëreshe e shqiptare, shoqatën e mirënjohun Vatrën, që dikur aqë hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut dhe sot mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme të Nolit e të Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjesht tonë kryesinë e vatranëve, që në këto kohna të turbullta të sotëme, orvatet me ndjekë gjurmat e mëdhaja të atyne dy Patriotave të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës. Kishim përshtypjen se drita e agimeve të Rilindjes, atë ditë po rreshte mbi Bashkimin e Arbreshve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë, shëndriste edhe rrezja e bekimit të Perendisë”, shkruan Ernest Koliqi në revistën Shëjzat, për praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit të Skënderbeut në kryeqytetin Italian dhe në Vatikan ku u pritën edhe nga Papa Pali i VI, në vitin 1968.

Një vit më vonë, më 1969 Vatra shënon 60-vjetorin e themelimit të organit të saj Dielli dhe për të marrë pjesë në këto festime në Amerikë, ftohet ndër të tjerë, edhe Ernest Koliqi dhe një delegacion përfaqësues arbëresh, gjithsej nja 60 veta nga Italia. Duke shkruar mbi përshtypjet e tija dhe pritjen madhështore që vatranët i bënë atij dhe grupit arbëresh në Boston dhe në Nju Jork, Profesor Koliqi e cilëson takimin e dy diasporave shqiptare si një rast me rëndësi të madhe simbolike, duke theksuar: “Shqiptarët e Italisë dhe Shqiptarët e Amerikës përtrinë vulosjen e vëllaznimit shqiptar, pohuen gjallninë e rrajve ethnike të zanafillës dhe u besatuen heshtazi me pasë përhera në kujdes fatet e dheut të të Parvet. Arbreshët e Italisë, stërnipa të luftëtarvet që rreth Skënderbegut, në nji varg përleshjesh titanike, shkruen me gjak në faqet e historisë s’Evropës, se Shqipnia ashtë e Shqiptarëve, mbas pesë shekujsh, gjatë të cilave ruejtën gjallë gjuhë e doke. Arbëreshët erdhën në Amerikë me sigurue Vatranët se në veprën e tyne, të djeshme e të sotëme, njohin vazhdimin e përpjekjes ideale të Jeronim de Radës”. 

Profesor Koliqi vazhdon me përshtypjet nga pritja që vatranët dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i bënë atij dhe grupit të Arbëreshëve në Amerikë, duke komentuar se, “Sot dy gjymtyrët kryesore të diasporës, ende plot fuqi e vrull veprues, u bashkuen e shkrinë deshirë e qëllime, me u përpjekë për naltësimin e kombit prej të cilit rrjedhin”, shkruante profesor Koliqi në Shëjzat, (10-12, 1969).

Në mbresat e tij gjatë asaj vizite në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, “Në atë Falëtore orëmirë, ku meshoi dhe predikoi Fan Noli, lutën Perendinë për Shqipni e bijt e saj,  shqiptarët e Bostonit dhe Këshilltarët e Kishës Orthodokse shqiptaro-amerikane… e me ta në shumicë të madhe Shqiptarë besimesh të tjera. Zemrat mbarë të pranishmëve u shkrinë në thirrje mëshire që i naltohej Perendisë, i cili ashtë nji për të gjithë…Shpirtnat vëllaznoheshin në nji flakërim të pastër atdhetarie, mesa fytyrimi i Nanës Shqipni vizatohej i shëjtë në avullime të thimjanës, që valvitej erandshëm nepër kishë”.

Për festimet e këtyre dy përvjetorëve, që shqiptarët e Amerikës dhe Arbëreshët e Italisë bënë së bashku me nismën e Koliqit, Profesor Ernest Koliqi shkruante me entuziazëm aso kohe se, “Gjaku arbnuer njofti nji triumf të papritun ato ditë — Shqiptarë e Arbëreshë — tue u përqafue ndienë e kuptuen veten se me një marrveshje vëllaznore mund u plotësonte porosia që na la Skënderbegu”.

Në shënim personal përkujtimor: 

Po të më lejohet në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të këij gjigandi, një moment kujtimi personal të Profesor Koliqit. Unë e njoha Profesorin në Romë gjatë qëndrimit tim si refugjat në Itali, nëpërmjet Dom Prenk Ndrevashajt, i cili kujdesej për refugjatët shqiptarë. Si rrjedhim, vazhdova të isha në kontakt me Profesor Koliqin, duke shkëmbyer letra edhe pasi erdha në Amerikë.  Në fillim të 1970-ve, unë kisha filluar një nismë tepër modeste për botimin e periodikut, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, për të cilën ai më dha kurajo dhe këshilla dhe për të cilën pat shënuar në revistën e tij, (Shëjzat 1-4 1972) për sa vijon: “Më kanë ra në dorë dy numrat e parë të periodikut, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, që del në Nju Jork. Ashtë një përpjekje për t’u trimnue e përkrahë. Të rijtë që qenë të shtërnguem me lanë atdhenë, të kenë nji palestër të veten ku të munden të shprehin mendime e ndiesi dhe t’ushtrojnë gjuhën e atdheut në shkrim. Natyrisht, këtyne nisjativave botuese që tregojnë vullnet të mirë dhe shkas idealistik, do t’u kushtohet kujdes i madh si në zgjedhje të landës ashtu në përpunim të stilit. Na jemi të sigurtë se botuesat e këtij perjodiku, tue kërkue e ndjekë këshillat e atyne që kanë përvojë ma të gjatë shtypi, do t’a përmbushin nevojën e nji pranie të masës së re mërgimtare në jetën mendore të diasporës. Na, prej anës s’onë u urojmë redaktuesvet të Rinisë Shqiptare në Mërgim”, veprimtari të mbarë dhe sukses”.  Profesor Koliqi edhe nëpërmjet korrespondencës derisa ndërroi jetë, vazhdonte të interesohej për periodikun, “Rinia Shqiptare në Mërgim” dhe më jepte zemër e këshilla që të vazhdoja studimet dhe duke përcjellur një porosi: Në një prej letrave Koliqi më shkruante:  

“I dashtun Fran,

Më ra në dorë si letra ashtu edhe periodiku Rinia Shqiptare në Mërgim. Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që pëpiqesh të ndjekish studimet, e në fund për botimin kushtue masës së re që larg atdheut ka shumë nevojë të ushqehet me shkrime të shëndosha shqipe. Të lumtë! 

“Ashtë një fillesë plotë premtime. Mbaj mend veç fjalën e moçme: ‘Trimi i mirë, me shokë shumë’! Afro moshatarë sa ma shumë që të mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i Tiranës ka përjashtue nga historija e letërsisë shqipe”.

Ky ishte amaneti i tij, ky ishte Ernest Koliqi që njoha unë, i gatshëm për të ndihmuar, i gatshëm për të ndarë përvojën e tij të gjatë e të frytshme me letrat shqipe dhe në gazetari, megjithëse, fatkeqësisht, e njoha për një kohë tepër të shkurtër, por ama ajo njohuri më la mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme për këtë burrë të madhe të Kombit.  Ky ishte Ernest Koliqi që njohu komuniteti shqiptaro-amerikan, ky ishte Ernest Koliqi, këshillat e mësipërme të të cilit i kujtoj gjithmonë me mall dhe të cilat me mundësinë time jam përpjekur, modestsisht, t’i përcjellë gjithë jetën time sipas mundësive.  Ky, pra ishte Ernest Koliqi, për mua dhe për të gjithë shqiptarët, sidomos mërgimtarët. Ishte njëri ndër interpretuesit më të spikatur të shpirtit të fisit arbëror dhe të trashëgimisë stërgjyshore, si dhe mbrojtës i vlerave të shpirtit arbëror dhe të prirjeve natyrore të tij, gjithmonë si pjesë e thesarit të vlerave kulturore dhe shpirtërore të njerëzimit, sidomos të vlerave perëndimore.

Në këtë 50-vjetor të kalimit të tij në amshim, me nderim e mall përkujtojmë Profesor Ernest Koliqin. Ka ndërruar jetë, papritmas në banesën e tij në Romë me 15 janar, 1975 – ku edhe u varros tre ditë më vonë. Në Romë janë varrosur gjithashtu edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit 50-vjet më parë, kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme, kolegë, Shqiptarë e Arbëreshë. Mërgimtarë të ardhur nga Amerika dhe nga shumë vende të Evropës Perendimore, përfshir nga shumë qytete të Italisë. 

Frank Shkreli

                        May be an illustration of textNjoftim i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për ekspozitën me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, studiuesit, kritikut e përkthyesit Ernest Koliqi

Filed Under: Histori

“Kjo nuk është lojë!”

January 16, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Rama : “Do hysh në burg, se më shave nga vëllai”

Iluzioni se SPAK ishte një organ i pavarur nga qeveria, sidomos nga ndikimi magjik i Edi Ramës, po shfaqet si një komedi e zezë që i ka rrënjët te tragjikomedia politike shqiptare.

Skenari? Një kryeministër si Edi Rama që i shkruan me mjeshtëri kapitujt e “drejtësisë së re”, ndërsa SPAK-u mban rolin e protagonistit që vepron siç duhet, por vetëm për skenën dhe kamerat. Dhe në këtë shfaqje, Gazment Bardhi, një nga kritikët më të zëshëm të qeverisë, rrezikon të shndërrohet nga opozitari i guximshëm në “kokë turku” të drejtësisë.

Edi Rama, në monologun e gjatë të një të diele, nuk ka pushuar mbi gjysmë ore duke folur për persekutim imagjinar politik nga kundërshtari. Teksa monologu i Ramës në rolin e viktimës, heroit dhe të inkriminuarit rrjedh si një lumë fjalësh që nuk e njeh as bregun, as burimin, një pyetje qëndron pezull: a është ky monolog një pikturë surrealiste që vetëm ai mund ta kuptojë, apo një pasqyrë ku kërkon të shohë veten si shpëtimtar i një kombi që nuk e kërkoi kurrë?

Në teatrin politik shqiptar, Rama duket se luan njëkohësisht të gjitha rolet – viktima që përndiqet nga “Saliu”, heroi që lufton me gjuhën e tij të artë dhe i inkriminuari që ka zgjedhur vetë bashkëpunëtorët, por që befas na thotë se nuk ka pasur kurrë faj. Në këtë kaleidoskop fjalësh, ndjekësit mbeten të magjepsur, ndërsa skeptikët qeshin duke menduar se gjithçka është një pjesë cirku ku klouni është edhe regjisori, edhe trapezisti.

Por, nëse ndalemi te logjika e kësaj “shfaqjeje”, ajo çalon aq shumë sa as Rama vetë nuk arrin ta mbulojë me fjalët e tij të stërholluara. Ai pretendon të jetë persekutuar nga një opozitë që ndodhet prej më shumë se një dekade jashtë pushtetit, ndërkohë që vetë ka mbajtur frerët për një çerek shekulli. Logjika e tij e çuditshme mund të përmblidhet në një fjali të vetme: “Fajin e ka gjithmonë dikush tjetër, edhe kur gjithçka është në duart e mia.”

Në stilin e një narcizi të vetëngopur, ai projekton një imazh të përkryer në pasqyrën e popullit, ndërsa në sfond të gjithë shohin anëtarët e larguar nga kabineti i tij si viktima të skenarëve politikë. A mund të jetë një hero që shpëton të gjithë, ndërkohë që pranon se “zgjedh bashkëpunëtorët më të këqij”? Apo ndoshta heroi ynë ka një koncept të ri të moralit: “Të gjithë janë të fajshëm, përveç meje, që jam aq i mirë sa nuk i shkarkoj derisa të më detyrojnë.”

Në fund të fundit, Rama i njeh mirë të gjitha rregullat e lojës. Me një dorë lëshon “koka turku”, me tjetrën kërkon duartrokitje për vendosmërinë e tij. Dhe kur vjen puna te bashkëpunimi me të dyshuarit për krim, ai ka një qasje gati poetike: “Jam unë që zgjedh, jo ata që më zgjedhin.” Një frazë e mrekullueshme për në librat e shkencës politike, por një thikë me dy presa në realitet. 

Kur Edi Rama kritikohet për bashkëpunëtorët, ai mban një qëndrim të prerë: “Çdo njeri mban përgjegjësinë e vet!” Kjo frazë tingëllon si një moto spartane e një lideri që distancohet nga çdokush që mund t’i dëmtojë imazhin. Por, kur vjen fjala te vëllai i tij, Olsi Rama, logjika e “çdo njeriut me përgjegjësinë e vet” shpërbëhet si një kartë letrash përballë erës.

Në skenën e akuzave për përfshirjen e dyshuar të Olsit në afera të errëta – nga lojërat e fatit te lidhjet e dyshimta me individë problematikë – Rama nuk distancohet, as nuk kërkon sqarime të mëtejshme. Përkundrazi, ai kthehet në një avokat të zjarrtë të familjes. Në këtë moment, filozofia e përgjegjësisë individuale shndërrohet në një fjalor emocional: “Olsi është vëllai im, ai nuk ka lidhje me këtë dhe pikë.” A nuk është interesante se si përgjegjësia individuale shndërrohet në një kështjellë të paprekshme kur bëhet fjalë për gjakun tënd?

Kur është fjala për Dakon, Roshin apo Kajmakun, Rama heq dorë prej tyre me një thikë politike të mprehtë, duke thënë: “Ata janë zgjedhjet e mia, por gabimet e tyre janë të tyret.” Por Olsi? Jo, jo, Olsi nuk gabon. Olsi është i mbrojtur nga një mur i pakalueshëm i lidhjes vëllazërore. Kritikat? Thjesht shpifje. Provat? Një komplot. Si mund të jetë një njeri i zakonshëm përgjegjës për çdo hap që hedh, kur Olsi, një figurë kaq e afërt, është përjashtimi i madh?

Dhe në fund, kushdo që dëgjon monologun e tij mbetet me dyshimin: a është vëllai i tij një qytetar si të gjithë të tjerët, apo Rama mbron vetëm ata që i zgjedh vetë? Sepse kur bëhet fjalë për Olsin, loja duket e qartë: përgjegjësia? Vetëm për të tjerët. Familja? E shenjtë, e paprekshme dhe mbi të gjitha – jashtë çdo akuze.

Mesazhi kërcënues i Ramës për Bardhin tingëllon si një SMS që vjen direkt nga Departamenti i Regjisë: “Shiko, Gaz, mos harro që SPAK është si një lojë shahu. Ushtarët bien të parët, por mbreti mbetet gjithmonë në këmbë.”

Në këtë skemë të stisur, prokurorët e SPAK-ut kanë luajtur rolin e Sherlock Holmes-it, por me një lupë të manipuluar që sheh vetëm çfarë i intereson kryeministrit. Hetimet për Ols Ramën dhe lidhjet e tij të supozuara me grupin e Xibrakës përfunduan si një përrallë ku as fantazia më e egër nuk arriti të gjente “prova”. Kështu, në mungesë të një “hajduti” në anën e pushtetit, SPAK zbuloi një “kriminel” në opozitë.

Dhe ndërkohë që kërcënimet për burgime bëhen pjesë e retorikës së përditshme, duket se drejtësia shqiptare po na kthen në një epokë ku Kafka dhe Orwell do të ishin të mahnitur nga kreativiteti ynë politik. Sepse në Shqipëri, drejtësia është e pavarur… derisa të vijë një telefonatë nga kati i tretë i Kryeministrisë.

Satira këtu qëndron në kontradiktat e tij: Rama flet për pastrimin e skenës politike, ndërsa zë vend në një fron të ndërtuar mbi lidhje dhe pazarllëqe. Dhe kur thotë se “faji është i tjetrit”, populli qesh, jo sepse e beson, por sepse gjithçka tingëllon si një shaka e stërzgjatur, një monolog pa fund i një aktori që ka harruar skenarin.

Satira këtu është e thjeshtë: për- Ramën, ligji moral është elastik – shtrihet dhe ngushtohet sipas nevojës. Ai bëhet një moralist kur flet për të tjerët, por një vëlla kur flitet për Olsin. Njëlloj si në një tavolinë pokeri, ku ai hedh gjithçka në lojë me letrat e të tjerëve, por kur është fjala për familjen e tij, mban kartat nën mëngë dhe deklaron: 

“Kjo nuk është lojë!”

Filed Under: Analiza

“Maj-2025, betejë me demokracinë fasadë dhe pushtetin elektoral”

January 16, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Paraprakisht falënderoj përzemërisht mediat në RSh, Kosovë, Rajon, USA, etj, për publikimin (vetëm nga kapaciteti i ekspertit të sigurisë kombëtare, rajonit dhe USA/NATO-s, pra pa asnjë funksion zyrtar apo politik), të disa dhjetra kontributeve strategjike, përfshi edhe mesazhet e fundvitit 2024 nga Washingtoni mbi 5 kërcënimet thelbësore: “demokracia burokratike, përpjekjet dëshpëruese të Putinit për të hapur një front të ri lufte; riciklimi i frikshëm i garës së armatimeve; axhenda bolshevike e përjetësisë së pushtetit të politikanëve/Dodik-ëve të korruptuar, si dhe pritshmërite nga Trump-2 për paqen dhe ardhmërinë Euroatlantike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi R.Sh dhe Kosovën”. 

Në vijim po ndaj një përmbledhje të dedikuar rreth: “krizës më të rëndë të pluralizmit dhe demokracisë prej 1990; shtetit të kapur nga korrupsioni i politikanëve të lartë; privatizimi i pluralizmit; fuqia elektorale/kriminale e mbipushtetit” si dhe misioni jetik i Shqiptarëve në zgjedhjet 11 Majit-2025:

Së pari, në vënd të përgjegjësive kushtetuese, Parlamentit i ka mbetur vetëm protagonizmi delirant i Kryetares së radhës (jo-legjitim, pasi K.K nuk është Pushtet por vetëm speaker/moderatore) për të rehatuar kalërimin e “Skënderbeut të Madhërishëm” në mandatin e 4-ërt, 5-të, pse jo të përjetshëm! 

Thënë shkurt, Kuvendit i ka mbetur ZERO peshë dhe vlerë (përveç borderosë së pagave për të emëruarit e radhës në Kuvend), pasi në 12 vitet që lamë, ASNJË resolutë, marrëveshje dhe Ligj (përveç ligjit për listat e mbyllur…), nuk është miratuar me konsensus. Ndërsa si dëshmitar teknik i proçesit të integrimit në NATO, mund të përmend se me 10-ra, në mos qindra ligje, rezoluta dhe marrëveshje konsensuale si dhe delegacione të përbashkëta në Samite, Bruksel, Washington, etj përgjatë 1999 – 2013. 

Pra, përtej fjalimeve (d)elekuente, djegjes së karrigeve, sharmit të profileve burokratike dhe bejteve folklorike, praktikisht kanë rënë misioni kushtetues i Kuvendit, balancat demokratike të pushteteve (Check & Balance), bashkë me këto ka rënë Republika Parlamentare e RSh! Gjithësesi, problemi Nr.1 i “kësaj terexheje mbetet heshtja cinike e elitës intelektuale, tallavaja e të gjithëditurve nëpër studio ose port-hale si dhe duartrokitjet e socialistëve me “kockë”, kontribute dhe integritet të spikatur” !?

Patjetër që nuk është vetëm fenomen Shqiptar. Prandaj po citoj Foreign Policy: “përveç pritshmërive nga Trump-2, viti 2025 do të dominohet nga beteja globale midis demokracisë burokratike dhe autokracisë”! Besoj që as kolegu/miku im (AC), Fred Kempe, as Foreign Policy, nuk u referohen Rusisë, Iranit, Kinës, Kim-Jongut, etj por: “një liste shtetesh me demokraci të dështuar, të kapura nga korrupsioni dhe me qeverisje autokratike”, ku fatëkeqësishtë është rreshtuar edhe Republika e Shqipërisë. 

Së dyti, më duhet ta theksoj që në fillim që sigurisht nuk jam gjykatës të shpall “kush e ka fajin apo kush është i pafajshëm”; por as pronar dhe as profet i të vërtetës shteruese se: “kush është djalli kush engjëlli”.  Por ngaqë kam vite që kam vetë-vendosur për të mos heshtur, po ndaj këtë shqetësim ulëritës për pluralizmin/demokracinë fasadë (shumë më qesharak se bashkimet profesionale që ofroi Ramiz Alia në 1990), çka në gjykimin tim mbetet qëndra e gravitetit të krizës politike, pra e shtetit të dështuar si dhe besimit të shqiptarëve te vlerat e demokracisë funksionale dhe ardhmëria Euroatlantike e vendit. 

Veçanërisht pas 2008, Kryetarët e gjithë-pushtetshëm dhe shtetarët/emëruarit e radhës, kanë provuar (tashmë edhe nga SPAK) se, pasi kanë privatizuar të ashtuquajturat Parti Politike dhe pluralizmin; bashkë me krimin e organizuar kanë vjedhur votat/mandatet (rasti flagrant i deputetit të bandave të Shijakut); pronat e qytetarëve dhe pasuritë publike, por sot me shumë se kurrë me parë (nga 1990), kërcënojnë seriozisht shpresat e  shqiptarëve  te rotacioni politik, vlerat dhe balancat demokratike të pushteteve.    

Së treti, në vijim gjeni konkretisht aktorët dhe faktorët krizës se pluralizmit dhe demokracisë:

  1. Skuadra e pushtetit (në 12 vjet), për të cilën nuk gjej në asnjë definicion si Parti Politike (as si ideologji, as si strukturë, as si program, kurrësesi në vendimarrje) pasi përveç Kryetarit të pagabueshëm, personazhet e radhës (shumica e skalionit të parë, në Burg ose në SPAK), u duhet të duartrokasin me ngazëllim për emërimet/ç’emërimin e Presidentit, Ministrave, listës së Deputetëve,  si dhe në çdo rast u duhet të demostrojnë përgjërim përpara Udhëheqësit të Madh, ose pronarit të kompanisë që mbart emërtimin Partia Socialiste e Shqipërisë. Sigurisht ka patur ndoshta 100-ra probleme, por kurrë s’ka qënë kështu para 2013! Këtë e pohojnë “nën Zë” edhe disa ish-personalitete në PS, të cila/ët e kujtojnë me nostralgji, kohën kur p.sh KM-Nano, lobonte deri për votat e anëtarëve të kryesisë, etj!   

Për sa pasqyrën e shtetit të dështuar/kapur nga korrupsioni  i politikanëve dhe shtetarëve të lartë, besoj do të mjaftonin MEME-t me premtimet e vetë (sy) Madhit dhe skuadrës së Tij (p.sh socialistit të fundit/ndershëm z.Braçe) në 2013: “për të ndalur braktisjen e vendit dhe për punësimin e 300 mijë të rinjve; shëndetësinë falas dhe ZERO korrupsion; zero toleranc krimit të organizuar dhe drogës; ZERO taksa për naftën, bukën, qumështin, vezët; ZERO influence politike mbi koston për kilometër të rrugëve, ndërtimin e inceneratorëve ambientalist, konçesionet alla-sulltanatë, etj”. 

Ndërsa, këtë listë dështimesh poshtëruese për skuadrën e pushtetit, e gjej aq ngjashme sa batutën kriminale të Enverit: “aty ku ska naftë/sukses ka me siguri armiq”. Dhe kështu ndodhi, vetë Zëvëndësi i parajsës ekonomike dhe taksave-ZERO, arratiset nga vendi si banditët e Xhibudit dhe jo Shtetari nr.2 i një vendi të NATO-s (!); kur Ministri Shëndetësisë Falas fare, Ministri Rendit, njëherësh krye-Komisari Politik i betejës së Stalingradit/Lazaratit si dhe një listë Deputetësh, Kryebashkiakësh, etj  që erdhën në 2013 si “skuadra e qiejve të pastër”, ose flenë pas hekurave, ose gdhihen në dyert e SPAK-ut … !  

Në këtë realitet me shtet të korruptuar deri në palcë, riciklohet tallavaja bollshevike: “fajin për të gjitha dështimet dhe korrupsionin në 12 vitet e fundit e ka armiku brendshëm, pra Gogol-Saliu”, ndërsa dalldija vijon: “jo vetëm mandati 4, që është i sigurt, po të 6-in e ka në xhep PS”. Kjo pasi fuqia e (mbi) Pushtetit e ka gjunjëzuar shtetin dhe administratën shtetërore në një ushtri të pathyeshme elektorale (200 mijë patronazhiste si dhe bonuse/sheqerka për 740 mijë pensionistë), sikur RSh të ishte në Afrikë.

Thënë sa më lartë, shpërdorimin e fuqisë, Institucioneve, parave publike dhe administratës burokratike, si makineri elektorale për mbajtjen e Pushtetit e gjej si krim të rëndë shtetëror (për tu hetuar nga SPAK) mbi demokracinë funksionale, balancat e pushteteve si dhe ardhmërinë Euro-atlantike të Shqipërisë!  

  1. Opozitën zyrtare (me vulë) e gjej po ashtu bashkëpërgjegjëse (nga koka te këmbët) për të gjitha humbjet në 12 vjet si dhe këtë degradim të pluralizmit, demokracisë fasadë dhe shtetit të dështuar !

Ndërsa, ka zero vlerë të merremi me “lule-Kryetarin vulë-humbur”, i cili edhe me 7 donkishot-ministra/e pësoi humbje diskretituese në 2017 (me 43 deputetë); 52 në 2021 dhe 3 palë zgjedhje lokale, ndërsa në vend të dorëheqes, me pa-përgjegjeshmëri perverse i bëri “funeral poshtërues PD-së në 8 Janar 2022”, si dhe “vijon të delirojë me kalërimin mbi max.7x7 egocentrikë të sëmurë të vetëquajtur Euroatlantik-as”! 

Gjithësesi: “mjaft është mjaft”! Kërkush nuk mundet të bëje triumfalin dhe të krenohet për këtë degradim të opozitarizmit.  Kështu për të djathtën, ulëret edhe më fortë mesazhi Atëror i Mit’hat Bej Frashërit: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftrat, sapo të kenë përfunduar betejat mes vedit”! 

Duke e gjetur aktual këtë mesazh, i bëj thirrje arsyeve fisnike, të ndalin luftën për krye-listën e humbjes turpëruese të radhës, por t’u përulemi jo vetëm demokratë/eve qëndrestarë por edhe mbarëshqiptarëve për emergjencën kombëtare që ka rikthimi i pluralizmit, demokracisë funksionale, balancat kushtetuese si dhe rotacioni demokratik i pushteteve në RSh në Maj 2025.  

  1. Do të lutesha dhe uroja shumë të isha shumë gabim, por përpjekjet për të krijuar një pol/mundësi të tretë, fatëkeqësisht “do të mbetet në tentative”, me zero ose një numur pa peshë për të realizuar rotacionin e elitave (pronarëve) politike si dhe të tranzicionit tejzagjatur, për sa kohë që bashkimi mbetet një mision i pamundur i idealistëve, egocentrikëve, delireve dhe mllefeve primitive.

Nga ana tjetër, mbas 34 vitesh (1990-2024), Kryetarët e pavdekshëm të mbi 80 të ashtuquajtura Parti Politike, përfshi p.sh të vetëshpallurit e boshtit Krye-Euroatlantikas z. Basha, z. Gjuzi, z. Gjela, z. Qorri, etj “bëjnë sikur kanë anëtarë, Forume, Ide-gjeniale, Programe-shpetimi, etj”, praktikisht kanë vetëm një grusht njerëzish që fi(lt)rojnë ditën e zgjedhjeve, pra ZERO peshë për të sfiduar regjimin autoritar të Tiranës zyrtare. 

Në shtesë, falënderoj dhjetra mijëra kolegë/ushtarak (brënda dhe jashtë vendit), intelektualë të shqetësuar, patriot të përkushtuar si dhe qytetarë të zakonshëm në të gjithë hapësirën mbarë-kombëtare, për  konsideratat, inkurajimin si dhe mbështetjen që më keni frymëzuar për përkushtimin tim politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.  

Duke ri-konfirmuar këtë, që në krye të herës më duhet të garantoj se, nuk kam dalë në këtë betejë për tu punësuar, as për tu emëruar, as si barrë elektorale, por për të luftuar fortë dhe kontribuar me Përgjegjeshmëri, Përulësi, Integritet dhe vota shtesë, në këtë betejë jetike për rikthimin e pluralizmit, demokracisë funksionale si dhe shpresës për ardhmërinë Euroatlantike të kombit tonë të Bekuar.   

Me këtë rast, j’u i bej thirrje vllazërore bashkë-qytetarëve (sigurisht edhe emigrantëve), që aspiratat e 1990 për Shqipërinë demokratike si gjithë Europa të mos e lëmë më në dorë të riciklimit të politikanëve kusarë dhe sekserëve të gjithë-pushteteve që kanë privatizuar partitë politike, pluralizmin dhe pronat publike; që kanë përmjerë mbi balancat kushtetuese si dhe sundojnë Shqiptarët edhe në 35 vitet e fundit. 

Autori: * Gjeneral ® Piro AHMETAJ: 

Ekspert për SK, Rajonin dhe USA/NATO, 

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; si dhe ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

KADRI ZEKA DHE KOHA JONË

January 16, 2025 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Janë disa momente historike që të kthejnë mbrapa për të menduar zgjidhjen e një problemi të shafqur rastësisht apo që shfaqet një për kohë më të gjatë. Historia kombëtare, pavarësisht prej dobësive të cilat e kanë përcjellur përbëhet prej disa momenteve të shndritshme tek të cilat detyrohemi të kthehemi ashtu sikur kthehet lexuesi tek veprat klasike të artit e të letërsisë, sahere që këto fusha të dijes materiale dhe shpirtërore përjetojnë kriza të caktuara. Krizat nëpër të cilat po kalon jeta jonë materiale dhe shpirtërore njëkohësisht, përkatësisht kriza intelektuale, kulturore dhe politike, në të cilen po kalin shoqëria shqiptare në këtë udhëkryq të historiesë kombëtare, jo njëherë na kthejnë tek ngjarjet historike, veprat programatike dhe konceptet politike të dijes kombëtare, të shkruara sidomos dy shekujt e fundit.

Jeta dhe vepra e Kadri Zekës, aktiviteti dhe konceptet politike të tij, i takojnë historisë së re të Lëvizjes Kombëtare, të cilës i kthehemi për shumë arsye. Ajo shënon një prej nyjeve të rëndësishme të historisë kombëtare, një prej ndërlidhjeve komplekse, e cila e vlen të konsultohet sa here gjendemi para sprovave politike, sociale dhe koluturore. Një sprovë e ndërlikuar, para të cilës jemi gjetur tri vitet e fundit e vlenë të vlerësohet edhe në këtë shkrim në kontekst të jetës veprimtarisë atdhetare dhe sidomos në kontekst të koncepteve politike të tij.

(Para se të shkruaj për Kadri Zekën kam pasur shumë dilema se si do të mund të shtroja këtë temë. Të shkruaj një jetëshkrim të tij, më dukej temë e tejkaluar, pavarësisht prej aspektit dhe modelit origjinal me të cilin do të mund ta shtroja. Të shkruaja për aktivitetin e tij historik, më dukej një përsëritje e zakonshme, pavarësisht prej anëve të reja që mund t’i sillja. Dëshiroja të shkruaj ashtu sikur do të shkruante Kadri Zeka në rrethana të sotme, nëse jo me konceptet ideologjike të tij, së paku me konceptet morale të tij).

Duke njohur aktivitetin e tij politik dhe sidomos atdhetar të shkruar e të treguar nga brezi i tij, kisha kuptuar se Kadri Zeka, ashtu sikur edhe brezi i tij i atdhetarve nuk punonin për të hyrë në histori, por për të ndryshuar historinë, respektivisht për të bërë historinë e re. Në të vërtetë kështu edhe ndodhi, ata e bënë historinë jo duke u ngritur mbi te, por duke hyrë brenda saj, si bartës moral dhe historik të saj.

Mbi këtë aspekt mund të formulohen edhe konceptet e brezit të “nacionalizmes” që e bënte Lëvizja nacionaliste e dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe konceptet e brezit të “nacionalizmes” ilegale të organizuar në grupet ilegale duke nisur me Grupin e Adem Demaçit e këndej. Pse mund të thuhet kështu?

Nacionalenverizmi pragmatist

Brezi i nacionalistëve të dalë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, së pari e kishte humbur një luftë, duke i takuar krahut botëror që gjithashtu e kishte humbur këtë luftë, dhe duke qenë i shpërndarë e i papërkrahuar nga bashkësia ndërkombëtare, tash luftën për Shqipërinë e bënin në mënyrë vetijake, duke bërë llogaritë e gabuara të së kaluarës dhe mundësitë vetjake të kohës. Ndryshe nga këta, brezi i ri i ilegales që filloi aktivitetin atdhetar me grupin e Adem Demaçit e këndej, kishte të tjera koncepte: kishte një të kaluar të pastër dhe në histori mbështeteshin si iluministë. Ndonëse nuk ishin të njohur me konceptet politike dhe as nuk ishin të shtrënguar ideologjikisht pas koncepteve filozofike të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, ata pa përjashtim ishin pozitivist dhe revolucionar të konceptit enverist, që e njihnin vetëm punën, veprimin, aktivitetin revolucionar të lëvizjeve ndërkombëtare dhe vepronin si luftëtar besnik të atdheut deri në vdekje.

Kadri Zeka

Mbi këto parime ndërtohej edhe mendimi i Kadri Zekës. Ai nuk thotë se për të qenë atdhetar duhet t’i takosh kësaj apo asaj partie, duhet t’i takosh këtij apo atij grupi, duhet të jesh i mbështetur në këtë apo atë individ dhe në këtë apo atë ideologjie. Kadri Zeka, si luftëtar i denjë dhe i pandalshëm i lëvizjes këmbëtare shkruante: “Siç thotë patrioti dhe dijetari ynë i madh, Sami Frashëri, Atdheu nuk duhet t’i jap as varr atij që nuk ka dhënë për atdhe pikën e djersës apo gjakut kur ka qenë nevoja”.

Pra, Kadri Zeka duke u mbështetur në rrethanat e krijuara të vendit e të kohës në të cilën vepronte, i ndërlidhte këto veprime, në shenjë të praktikës revolucionare të veprimit.

“Çastet e vështira që po kalon atdheu ynë dhe rreziqet që po i thurren atij e bënë edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriot. Pra, vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike, mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqëve. T’i bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë. Të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, s’e trathtojmë dot gjakun dhe porosinë e patriotëve tanë të shquar që nuk kursyen as pikën e fundit të gjakut për lirinë e truallit arbëror”. (69)

A mund të tingëllonte sot ndryshe dhe më pak e fuqishme thirrja e tij?

Jo!!!

Rruga jonë për Evropë kalon nëpër Tiranë

Megjithatë, sot për fatin tonë të keq ky zë nuk po dëgjohet. Atdheu ynë dhe çështja shqiptare nuk është më pak e rrezikuar. Udhëkryqi në të cilin gjendemi nuk është më pak i komplikuar se ç’ishte dje. Por, zërat janë më të mbyrur, më të shterrur, madje më të çoroditur. Zëri që dëgjohet sot në emër të zgjidhjes së çështjes kombëtare shpesh është zë antihistorik. Ai është jo vetëm në kundërshtim me thirrjen që bënte dje Kadri Zeka dhe brezi i tij, por edhe në kundërshtim me brezin që sot punon me sakrificë për ardhëmrinë tonë, si domosdoshmëri historike. “Për ne zëri i Shqipërisë nënë, ka qenë dhe mbetet zëri i fuqishëm i vendit tonë amë…“ (7).

Çdo të thoshte sot Kadri Zeka?

A do të thoshte se rrethanat e reja kërojnë qëndrim tjetër ndaj Shqipërisë. A do të ngrente sot konceptet e Akadmisë Serbe të Shkencave, të vitit 1986, për bazen historike të identitetit shqiptar të Dardanisë përkatësisht Kosovës, të ndryshme nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë.

Jo.

Sigurisht as Ai nuk do të ishte anaronik me botën e sotme. Do të punonte dhe do të luftonte nga ana kombëtare edhe ai për Evropën e Bashkuar dhe praninë tonë në te, e megjithatë për një gjë do të ishte këmbëngulës: Rruga jonë për Evropë kalon nëpër Tiranë.

Sot, për fatin tonë të keq, ende nuk thuhet kështu. Sot zërat e tillë quhen zëra të vonuar, ndërsa thirrësit e tillë quhen romantik, anakronik etj. Sot në modë, janë konceptet “bashkëkohore dhe modorne njëkohësisht”, janë zërat e klaneve, sot janë në modë mendimet, konceptet dhe flamujt e ngritur mbi interesat e përgjithëshme nacionale, nga ish-titistë, që me shumicë dhe me bujë i kanë sjellë duke i nxjerrë edhe prej gijotine dhe i kanë vënë në krye të institucioneve kulturore dhe politike.

E pa besueshme. Kemi besuar se ata dhe mendimet e tyre janë vjetruar për shkak të moshës, për shkak të kohës dhe për shkak të moralit të ri kombëtar. E kemi ditur se kanë qenë shumë, por që paskan mbetur kaq shumë zor të besohet edhe sot.

Mbi mardhëniet shqiptaro-serbe

Kadri Zeka ka shkruar dhe i ka trajtuar një varg çështjesh të rëndësishme për kohën e tij, por me peshë edhe për kohën tonë. Duke qenë i përcaktuar për veprime konkrete ai as me historinë as me bashkëkohësinë nuk është marrë për të ndërtuar biografinë e tij. Me historinë është marrë për të konkretizuar nyjet e mardhënieve shqiptaro-serbe dhe ai këto i ka gjetur në Programin e Çubriloviqit, të cilin e patë botuar jo vetëm si kontribut të tij dhënë Lëvizjes, por edhe si sprovë për të komunikuar me lëvizjen dhe politikën ndërkombëtare përgjithësisht. Sot, në rrethana të reja të njohjes së mardhënieve shqiptaro-serbe këto nyje zgjerohen nga një program në disa programe të njohura të shkollës serbe dhe nga programet individuale, grupore dhe institucionale në konceptet politike antishqiptare të shteti, të institucioneve më të larta shkencore dhe të kishes autoqefale serbe. Mund të shkohet madje edhe më tej, tek një ndërdije antishqiptare- tek serbët, të shoqëruar me përbuzje ndaj gjithë asaj që është shqiptare, dhe tek një ndrëdije dhune – te shqiptarët, të shoqëruar nga frika dhe tmerri i krijuar historikisht nga dhuna shtetërore, kulturore dhe fetare që kanë bërë serbët mbi ta.

Duke qenë njohës i mirë i këtyre mardhënive, nga aspekti tradicional (jetoi në kofi një kohë të gjatë, familjarisht i kujtonte shumë të freskëta pasojat e përndjekjes dhe dhunës së politikes gjenocidale serbe në qerekun e fundit të shekullit XIX dhe shekullin XX. Gjyshja e tij ishte njëra prej fëmijëve të gjetur në djepin e mbuluar me dëborë gjatë përndjekjeve serbe në fund të shekullit XIX etj. Ndjente gjithnjë një rrezik të përhershëm të përsëritjes së krimit serb mbi shqiptarët, prandaj edhe nuk do të befasohej nga përsëritja e krimit serb që do të ndodhë mbi shqiptarët edhe në fund të shekullit XX, por do të punonte me ngulm që ajo të mos ndodhte.

Si do të vepronte Kadri Zeka pas gjithë kësaj?

Pavarësisht nga kjo Kadri Zeka, këtu nuk do ta gjente edhe pamundësinë e bashkëjetesës së serbëve dhe shqiptarëve. Ai ishte luftëtar i lirisë së popullit të vet dhe humanist i internacionalizmes proletare, prandaj edhe shoqërinë shqiptare kurrë nuk do të mund ta shihte ashtu të pastër, pa botën tjetër kulturore, shpirtërore dhe fetare.

Për Kadri Zekën mardhëniet shqiptaro-serbe nuk do të shtroheshin si mardhënie të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, por si mardhënie të Kosovës dhe Serbisë. Për më shumë se një shekull Serbia ka përgatitur shpirtërisht, politikisht dhe madje moralisht, ka ushqyer dhe ka ndërsyer serbët e Kosovës dhe kolonët serb të sjellur nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi e Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës. Urrejtja e madhe, apo muri i gjakut ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nuk është krijuar në fund të shekullit XX gjatë Luftës së Kosovës. Jo. Gjatë është punuar për ndrtimin e tij. Për të është investuar gjatë, shumë dhe shumë kohë. Në ndërtimin e këtij muri teorikisht dhe historikisht është investuar pothujase pa ndërprerë më shumë se një shekull e gjysmë. Dhe nuk është investuar as nga një brez e as një bartës politik. Për ndërtimin e madh të murit të gjakut ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve kanë invesatuar kryeministrat e ministrat serbë, politikanët e partive që janë quajtuar radikale dhe partive që janë quajtur paqësore, akademikët, shkencëtarët e të gjitha profileve, poetët dhe këngëtarët, priftët, etj., konceptet e të cilëve i kanë aprovuar, i kanë instrumentalizuar dhe i kanë vënë në jetë institucionet shtetërore (qeverëtë e të gjitha kohëve, Ushtritë, policitë, sigurimet e brendshme); institucionte shkencore (Akademia Serbe, Universiteti); dhe institucionet fetare (Kisha Ortodokse Pravosllave).

Për shkak të këtij investimi të gjatë dhe të madh teorik dhe praktik muri i madh i gjakut ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve është vështirë të tejkalohet, dhe vështirë të tejkalohet sidomos nëse kjo kërkohet të kalohet nga ana shqiptare, sikur kërkojnë miqtë tanë, nëse në ngritjen e tij vazhdojnë të investojnë edhe më tej institucionet shtetërore, shkencore dhe fetare serbe, pa e ndjerë fajin për krimet e bëra mbi shqiptarët dhe popujt tjerë fqinje.

Për të gjitha këto dhe për shumë arsye të tjera, Kadri Zeka do të punonte në krijimin dhe ndërtimin e raporteve të reja ndërmjet serbëve, që nuk do të ishin raporte ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve, sikur përpiqeshin t’i ndërtonin bartësit e politikës serbe gjatë shekullit të fundit, as si raporte ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sikur pretendohet t’i ndërtojnë sot disa qarqe shqiptare pa koncepte historike për çështjen shqiptare dhe ballkanike; dhe më nund as si raporte ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, sikur përpiqen t’i krijojnë disa qarçe ndërkombëtare të tezës së multietnicitetit të Kosovës, por si raporte ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, që në të vërtetë janë raporte historike ndërmjet këtyre shteteve dhe popujve fqinje.

Evropa dhe arrivizmi ynë politik

Po ta jetonte kohën tonë, Kadri Zeka gjendjen tonë të rëndë ekonomike, sociale dhe politike nuk do ta shpjegonte thjesht me parolla politike dhe me arrivizëm politik, sikur do të shprehej Jusuf Gërvalla. Duke shkruar për gjendjen ekonomike, sociale dhe politike të Kosovës së fillimit të viteve tetëdhjetë ai theksonte: “Kosova jo vetëm që nuk është e varfër, por me fushat dhe nëntokën e saj të pasur, ajo është krahina më e pasur në Jugosllavi. Ajo disponon me 64 % të rezervave të thëngjill-linjitit në Jugosllavi, 67 % të mineraleve të plumbit e të zinkut, 24% të hekurnikelit. Ajo prodhon miliarda kilovat energji elektrike e miliona ton xehe të ndryshme. Kosova prodhon 93% të të gjithë argjendit në Jugosllavi, e të mos flasim për fushat e gjëra, për lumenjtë e mallet e pasura të Kosovës”(60). Të dhënat e tij dhe të njohura sot edhe më gjerësisht tragojnë se Kosova nuk është viktimë e mendësisë së ultë politik, kulturore dhe arsimore. Ajo nuk është viktimë e një vendi që nuk mund të jetoj prej pasurisë natyrore dhe mendore të atij vendi dhe të atij populli. Kosova është viktimë e mosmarrëveshtjeve politiko-ushtarake të sferave ndërkombëtare të interesit. Kosova mund të jetoj edhe vetëm prej pasurive nëntokësore të saj edhe prej pasurisë mbitoksore të saj. Ajo mund të jetoj më në find edhe vetëm prej pasurisë së natalitetit dhe fuqisë rinore që ka.

Çka do të bënte Kadri Zeka sot tri vjet pas krijimit të rrethanave të reja në Kosovë. Do ta bënte jetën dhe politiken e arrivistit, sikur po bëjnë sot pasardhësit e tij politik, apo do të vazhdonte të punonte me konceptet dhe idealet, me të cilat punonte atëherë. Sigurisht nuk kishte pse t’i ndryshonte ato. Humanisti i radhëve të para, sot do të ngritej kundër gjendjes së mjerë sociale të popullit, që ishte bartës i luftës në Kosovë, por do të ngritej edhe kundër arrivizmit dhe politikës që përfaqëson sot brezi i ri i politikanëve të Kosovës. Do të ngritej kundër sjelljes së bashkësisë ndërkombëtare, që sikur shkruante atëher “flet shumë dhe nuk thotë asgjë”, ndërsa sot do të mund të thuhej “punon shumë e nuk bënë asgjë”. Nuk dua të them se ai do të ngrente çështjen e statusit politik të Kosovës. Për këtë do të punonte sot sikur ka punuar dje, pa anime, pa improvizime dhe pa u lodhur. Le të kujtojmë se ai ishte humanist dhe konceptet e tij ishin sociale, prandaj për asnjë kusht dhe në emër të çfardo trysnie e posti kurr nuk do të lejonte që të mbyllë sytë dhe veshët para gjendjes së rënd sociale të banorëve të Kosovës, sidomos të zonave të luftës. Zor të besohet se Kadri Zeka dhe shokët e idealeve të tij do të flenin të qetë, pas paraqitjes së çdonatshme të familjeve të dëshmorëve nën tenda, nën dyer të fqinjëve, në ahuret e përshtatura për të kaluar dimrin etj.

Zor të besohet se Kadri Zeka dhe brezi i idealistëve të tij do të pajtoheshin të duronin një mjerim të tillë, nëpër të cilion po kalojmë, në emër të pritjes së marrveshtjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e statutit të Kosovës, në emër të të cilës profiter dhe matrapaz të të gjitha ngjyrave dhe idelogjive përfitojnë e stërpërfitojnë edhe me djersën tonë. Kosovës i duhet liria dhe mundësia për të punuar. Kosova nuk ka nevojë për dhurta, Kosova ka nevojë për ndihma dhe përkrahje që si dje, si sot ju jepen madje edhe rajoneve të varfëra të shteteve të pasura të Evropës, Çoftë edhe për shkak të një vere të thatë apo dimri të ftohetë. E në Kosovë ka ndodhur termet, ka ndodhë përmbytje biblike nga dora e njeriut.

Prej “dhuratave” të tilla nuk përfitojnë qytetarët e Kosovës, prej dhuratave të tilla përfitojnë individët e të gjitha ngjyrave dhe shumë shumë përfitojnë klanet, grupet dhe krijesat që organizohen brenda natës, që përfitojnë brenda natës si me shkopin magjik, që janë bartëse të interesave të caktuara klanore e mafioze dhe politike e ideologjike. Prej “dhuratave” të tilla përfitojnë përfitojnë individët që me gjunjë dhe brryla janë aty ku kanë synuar gjithmonë për të shërbyer: aparatqik, pothador, mashtrues dhe denoncues.

A do të heshte Kadri Zeka sot dhe çka do të thoshte ai sot. Prej njerëzve të tillë, -reagonte ai, – prej klaneve dhe grupeve të tilla, më shumë se prej askujt tjetër, i vjen rreziku Kosovës dhe i mbyllen rrugët për synimet e saj historike. Ata që janë mësuar të përvidhen deri dje në politikën e Beogradit dhe shkollën e saj përvidhen sot dhe shfrytëzojnë për për interesa individuale dhe klanore edhe dhuratat që na i jep bota. Për shkas se ne i dime pajojat tragjike në të cilat na kanë quar mashtruesit, pithadorët dhe përfituesit e tillë, nuk kemi se si të mos dëshprohemi dhe të mës shqetësohemi sot për të ardhmen tone.

Gjatë, tepër gjatë të tillët e kanë mashtruar Beogradin për ndërtimin e bashkim-vllazërimit ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve të jugut, por më në fund, mashtrimet, gënjeshtrat, demagogjinë dhe përfitimet e tyre persoanale, familjare dhe klanore i kemi paguar si popullm e gjak deri në gju dhe me përndjekje biblike. Me të njëjtën demagogjike sillen e përvidhemi sot shumë individ të kësaj shkolle, dhe të njëjtat premtime i jepen bashkësisë ndërkombëtare. Është e kuptueshme prandaj pse shqetësimet tona rriten. Kemi të drejtë. Demagogjinë e tyre si individ dhe si grupe, si popull do ta paguajmë më shtrenjtë se çe kemi paguar dje.

Dëshprimi dhe vendosmëria e madhe

Në këtë rrjedhë, ai sigurisht do të dëshprohej shumë, për mungesen e guximit qytetar përgjithësisht të inteligjwencies për të përkrahur Lëvizjen Ushtarake në Kosovë gjatë luftës, por do të dëshprohej edhe më shumë për shkak të mungesës së guximit intelektual të kësaj inteligjencie për të përkrahur rezultatet e luftës. Në këtë situat ai do të zgjedhte rrugën e punës dhe të aktivitetit të pandalshëm, dhe nuk do të dorëzohej para përndjekjes së përndjekësve të ri të mendimit politik, nuk do të dëshprohej prej përndjekësve të përditëshëm, sikur janë dëshpruar intelektualët e paktë që viteve të fundit kanë guxuar ta artikulojnë drejt dhe guximshëm mendimin e tyre politik dhe kulturor.

Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Metush Krasniqi Isa Kastrati, Avdi Xhaqku

Në vend të dëshprimit ai do ta ftonte muzen letrare të Jusuf Gërvallës, si dhe filozofinë e këmbëngultësisë të Rexhep Males, për t’i bërë kritikën shoqërisë shqiptare të kohës sonë. Besojmë se njëra prej kritikave më të rendësishme do të ishte kritika e shoqërisë kosovare të kurseve. Në Kosovës ka shumë vjetë që jetohet prej arsimimit të improvizuar. Në Kosovë, ndryshe nga ç’pritej që të ndërtohej shkolla e vërtetë kombëtare e nivelit evropian, është ndërtuar shkolla të nivelit më të ulët. Vetëdija kulturore, shoqërore dhe sidomos ekonomike e politike po krijohet me kurse dite e nate. Kurset e tilla, të cilat përgjithësisht quhen trajnime, të kujtonë atë shoqëri që u krijua me të njëjtat përmasat dhe metodat, pas Luftës së Dytë Botërore, e ne i dimë rezultatet e saj sot. Në të vërtetë ne i dimi pasojat tragjike nëpër të cilat kemi kaluar dhe sidomos pasojat me të cilat kemi përfunduar. Tashmë ne i dime pasojat e kursistëve të kësaj shkolle dhe të shkollave të tilla, s’kemi si të mos jemi të dëshpruar prej kurseve dhe kursistëve të rinjë, të cilët brenda natës marrin fatin e shoqërisë së sotme në duart e tyre, duke lënë mënjanë dhe në rrugë, individët e arsimuar me vite të tëra në Kosovë apo jashtë saj.

Çdo të bënte Kadri Zeka në këtë rast?

Do të punonte shumë që të ndërtohet vetëdija politike e brezit të ri, por nuk do të pranonte kurrë që lëvizja e re kombëtare të bëhej pa praninë e studentëve, sikur bëhet sot. Do të ishte rinia, përkatësisht studentët, ajo që do të vendoste për fatin e tokave të shkëputura të Kosovës, do të ishte rinia ajo që do të ndërprente gjykimet e drejtuesve të luftës, përkatësisht gjykimin simbolik të Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Do të ishte ai në krye të klasës punëtore të Kosovës që do të vendoste për fatin e pasurisë nëntoksore dhe mbitokësore të Kosovës, do të ngrihej kundër gjendjes së mjerë të rreth 70% të popullit të Kosovës, standardi i të cilës bie edhe për shkak të ngritjes pa mbulesë të standardi të një përqindjejeje të vogël vendasish, të cilët punojnë me të huajt pa pasur përgjegjësi për Kosovën dhe standardin e saj të përgjithshëm etj. Më pare se sa të ishte në krye të Partive politike, më pare se sa të ishte në krye të institucioneve shtetërore, më pare se sa të barrikadohej në ndonjë shërbim në drejtoratet të cilat në të vërtetë i drejtojnë kryesisht të haujt, ai do të ishte në krye të aktiviteteve të kalsës punëtore, në krye të organizatave që mbrojnë vlerat e luftës dhe fitoren e saj, në krye të organizatave që organizatave që përcjellin dhe mbrojnë materialisht dhe moralisht familjet e dëshmorëve etj.

Gruaja e Kadriut dhe nana e vellezerve Gervalla ne Stuttgart

Në të vërtetë, Kadri Zeka në kohën tonë, do të ishte aty ku ka buruar dhe buron lëvizja morale dhe pragmatike e çështjes shqiptare.

Lavdi jetes dhe vepres se deshmorit Kadri Zeka, lavdi shokeve te idealit te tij, lavdi te gjithe deshmoreve te kombit.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT