• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Vatra Chicago organizoi takim të mjekëve Dr. Minella Aleksi dhe Dr. Petrit Ndrio me komunitetin shqiptar në Chicago

January 13, 2025 by s p

Vatra Chicago organizoi eventin bisedë me mjekë nga komuniteti ynë ku të ftuar ishin Dr. Minella Aleksi ( mjek i sëmundjeve të brendshme dhe Dr. Petrit Ndrio ( mjek i sëmundjeve mendore). Biseda mes pjesmarrëse dhe doktorëve të ftuar ishte jo vetëm e ngrohtë e shumë interesante por gjithashtu informative dhe efikase. Fjalën e hapjes e mbajti kryetarja e Vatrës, dega Chicago, Zj. Mirela Kanini ky midis të tjerave tha “Është fat dhe krenari për komunitetin tonë në Chicago të kemi mes nesh personalitete të spikatura që janë gjithashtu të gatshëm të japin kontributin e tyre për bashkëatdhetarët tanë”. Ajo gjithashtu falenderoi përzemërsisht në emër të kryesisë Qëndrën Kulturore Shqiptare për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë vazhdimisht Vatrës Chicago si dhe pjesëmarrësit në këtë event. Të pranishmit u shprehën që aktivitete të tilla janë të domosdoshme dhe të dobishme. Takime të tilla miqësore mes shqiptarëve nga të gjitha trevat janë ato çka e bëjnë më të fortë e më të bashkuar komunitetin shqiptar.

Filed Under: Reportazh

GEORGES D. BORIA DHE  MUZEU I ARTIT ORIENTAL “BRATKO” 

January 13, 2025 by s p

Kristaq BALLI

Prej  disa kohësh, në Korçë, është çelur Muzeu i Artit Oriental “Bratko”. Ndërtimi, koleksioni i objekteve dhe  emri i muzeut janë  dedikim trashëgimie dhe dhuratë simbolike  që Z. George Dimitri Boria (Gaqo Mborja) (1903-1990) i la me testament Korçës, qytetit ë tij të lindjes. Eksponatet e vyera muzeore përbëhen kryesisht prej objektesh historike, artistike, etnologjike, religioze e arkivale të popujve e vendeve të Lindjes – Rusia, Kina, Tibeti, Japonia, India, Indonezia, Tajlanda, Koreja, Etiopia, vendet e Azisë së Vogël, madje edhe  Europa e Amerika, etj., të cilat janë koleksionuar nga vetë Z. Boria përgjatë më se  7 dekadash, falë pasionit të tij prej artisti  koleksionist dhe  mundësive që jeta dhe aktiviteti i tij  i dhanë për të punuar për një kohë të gjatë në këto vende. Qindra objekte nga më të larmishmit e më interesantët për vizitorin, përfshijnë midis tyre piktura tradicionale japoneze të stileve Jamato e Ukiyo në letër e mëndafsh dhe  ikona kristiane, statuja të besimeve e mitologjisë  si Budda, Shiva, Parvati, Vishnu dhe gdhëndje artistike në dru, mobilje të polikromuara, koleksione shpatash e kamash të periudhave Koto, Shinto, Shinshito, Showa dhe veshje e pajime samurai, porcelane të vyer e bizhuteri, maska artistike demonësh e vegla muzikore frymore bambuje apo harqe tipike, sixhade e tapete nga artizanë të famshëm persianë, iranianë, afganë dhe pipa e nargjile drogash e duhani, veshje folku dhe objekte me vlerë të përdorimit ritual e utilitar, koleksione fotosh të personaliteteve të njohura botërore të asaj kohe, të bëra nga vetë Z. Borja, etj. përbëjnë koleksionin e tij.

Realizimi i këtij  muzeu në Korçë është finalizimi i gjestit më human, më mëmëdhetar e më filantropik të një qytetari të denjë  shqiptar, me botkuptim universal, është  shprehja më sintetike e kuptimit dhe e vlerës së jetës, e përjetësisë e ripërtëritjes shpirtërore që ta siguron vepra që i le  shoqërisë njerëzore.

Zaten figura njerëzore si Boria bëhen më të njohur pas ikjes, se sa kur jetojnë. Sepse, gjatë jetës, ata s’kanë kohë për të humbur, për të mbajtur kokën  pas. Ata joshen  të kërkojnë kohën përpara, kohën që ende s’e kanë jetuar. Ky është miti tabu i njerëzve të mëdhenj, i personaliteteve të shquar! 

Kështu ndodh edhe me Z. Boria, sepse i tillë ishte ai, e tillë ishte jeta, i tillë bëhet edhe “Postmortem”-i i tij virtual. 

Por mesazhi  i aktit  madhor të Z. Borja ka edhe një dimension tjetër shpirtëror, mbase më esencialin, më të panjohurin, më interesantin: prirjen absolute artistike. Ishte, ndofta, ky atribut gjenuin motori e busulla e arsyes dhe e zemrës së tij që e inspiruan, e orientuan të kryejë aktin sublim e altruist ndaj vendlindjes, për të mbetur i përjetshëm në kujtesën qytetare. 

Ai ishte një artist poliedrik. Nëse e përfytyrojmë sapak imazhin e jetës së tij, s’ka si të na shpëtojë fakti se  ishin muzat e dhuntive të tij artistike që, më shumë se gjithçka, i tunduan  ambicjen për sprova e peripeci të pafundme aventureske, për të ngadhnjyer mbi vetvrasjen e për të rrahur udhët e Perëndimit të largët, i varfër fillimisht e i   veshur me kostumin e të atit por,  ku skena e jetës i ofronte role e mundësi afirmuese e integruese, të cilat ai i shfaqi plotësisht.

…Aq i talentuar ishte ai në artet figurative, sa me një   gërshërëz  argjendi sugjestiononte publikun me portretet e profilet të prera spontanisht me të nga një letër grafike e zezë. Aq i talentuar ishte ai si piktor, sa sfidonte me artin e tij në Studiot Hollivudiane të Filmave personazhe të njohur fëminorë si Miki Mauz. Në funksion të artit pamor, ai  ka studiuar në Shkollën e Arteve të Bukura të Parisit, në Shkollën e Artit Chenard, Los Anxhelos, në Shkollën e Arteve të Bukura, Detroit, etj. Ka qenë artist i ekipeve të periodikëve Washington Herald, Los Angeles Time, San Francisko Chronicle, New Orleans Item, La Prensa Mexico City, La Prensa Buenos Aires.

Punimet(veprat) e tij janë ekspozuar përgjithmonë në  Smithsonian Institute, Washington D.C. Ndërkohë, shumë nga punimet e tij  janë vendosur në  muze të ndryshme të SHBA-së. 

…Aq i talentuar ishte ai në muzikë sa, me mandolinën Gibson e violinën Stradivarius, zotëronte dhe impononte vëmendjen e admirimin e publikut elitar të anijeve luksoze turistike. …Aq i talentuar ishte ai në fotografi, sa iu besua fotografimi i personaliteteve botërore të politikës apo hapja e të parës studio amerikane me ngjyra në Japoni.

…Aq i talentuar e intuitiv ishte ai në  artin e koleksionimit të relikeve, sa koleksioni i tij  të mahnit me larushaninë, ekzotizmin dhe  pasurinë e vlerave kulturore që ai përfshin.

Si mishërim i një personaliteti të dalluar human e artistik, jeta e tij e gjatë, dinamike, komplekse, enigmatike, misterioze, kaotike, herë-herë  e habitshme  dhe e pabesueshme, që në të shumtën e kohës ndodhej nën tërheqjen magnetike të nënvetëdijes artistike, është ajo e bohemit, e pelegrinit, e shtegtarit të përjetshëm kërkues e eksplorues (ai ka udhëtuar thuajse në gjithë botën), jeta pikareske e aventurierit, e dualizmit kontradiktor, e stuhive e vullkaneve shpirtërore, por edhe  e brishtësisë, dëlirësisë,  fisnikërisë, nostalgjisë dhe e pasionit të zjarrtë të shigjetarit mbi flatrat e Erosit, që godiste  në shenjë me harkun e shigjetat e praruara, duke  shkaktuar plagë gëzimi e lumturie, por edhe vuajtje e tortura të shumta dashurie.

Ndaj, për ta zbuluar e kuptuar më mirë  botën shpirtërore të këtij artisti e filantropi të madh shqiptar po riprodhojmë një prej artikujve të rrallë të botuar në  gazetën amerikane “The Montgomery Journal” pak muaj para vdekjes së Z. Boria.  Intervista, ku ai tregon me gojën e vet episode nga jeta dhe bëmat,  është marrë në shtëpinë e tij mes thesareve të paçmuara të cilat, sot, ndodhen në Muzeun e Artit Oreiental “Bratko”, në qytetin e  Korçës.

   Jayne  BLANCHARD

SHTËPIA  THESAR

 Duket sikur  ka jetuar 10 jetë.

“Çdo ditë unë kam jetuar në  çastet më të mira, në kohrat më të mira, në erën e artë,“ thotë 87 vjeçari, banor në periferinë e Uashingtonit, pa u kapardisur aspak. 

Prej momentit që ai erdhi në Amerikë nga vendlindja e tij, Shqipëria, – ishte viti 1921 dhe ai kishte veshur kostumin e zi të babait, – Boria zotëronte vetinë e lakmueshme të të qënit në vendin e duhur në kohën e duhur.

Boria, ky artist, fotograf dhe muzikant, ka qenë një dëshmitar i vullnetshëm i historisë edhe si magjepsës i  Hollivudit gjatë viteve 1920, apo spektator  i gërmadhave të Luftës së Dytë Botërore, së pari në Itali e ish Jugosllavi, edhe  si fotograf i Kombeve të Bashkuara më 1940, apo  duke u shoqëruar me Perandorin Japonez në vitet 1950.

Shtëpiza e tij e vetmuar dhe e padepërtueshme ruan testamentin e një jete të jetuar me etje. Mbështjellë me savanin pëshpëritës të bambuve, shtëpia është aq e thjeshtë dhe e sheshtë, sa  çatia duket nga jashtë si një kapuç.

Aq i vëmendshëm është Boria në ruajtjen e thesarit të tij të stilit japonez – objektet nga më të rrallët e më të çmuarit, një pamje e shpërfaqur e botës së largme, – sa ai qëndron si rojtar, duke i refuzuar vizitorit të hyjë nëpër derën  e përparme.

Përkundër, ai prin  rrugën nga hajati i prapmë nëpër një sërë kthinash e ndarjesh para se të arrish në dhomën e  ndenjes, dy dhoma gjumi dhe një studio – të gjitha të dëndura deri në tavan me një mori  ekstravagante pikturash, objektesh, armësh dhe statujash fetare orientale.

Midis objekteve  të Lindjes së Largët janë ikonat, medaljonët dhe kryqet nga Car Nikolla i I-rë dhe i II-të të shitura atij prej një kamerieri në Jugosllavi, i cili ishte arratisur nga Rusia vetëm me tri dollarë në xhep, qilimi i paçmueshëm dhe rrugicat Bokaara të lëna rrëmujë në dysheme me qilimat e tjerë të shtrenjtë (gjithsej 85), të mbështjellë e të ngritur mëkëmbë si tuba në qoshe;  dhe një tumbë fotosh të paspaltuara, që Borja u kishte bërë figurave të shquara ushtarake, midis të cilëve gjeneralit  Douglas Mac Arthur dhe marshallit Tito të Jugosllavisë.

“Shumica e tyre janë rrangullina, por unë shikoj bukurinë në to,” thotë ai duke dallgëzuar krahët   rreth dhomave që mbajnë qeramikë të pikturuar, piktura vezulluese japoneze të shek. të 18-të (“Epoka e artë. Ata nuk pikturojnë më kështu“), jorganë martesorë tailandezë të komplikuar, të qepur me dorë dhe shpata të argjendta samurai të shek. të 16-të. 

“Mrekullitë e vërteta,“ thotë ai  “i ruaj në fondet e mia të veçanta.“

Fitoj besimin e kujdesshëm  të tij, ndërkohë ai fillon të hapë dollapët prej dru tiku dhe të nxjerrë prej andej thesaret:

  • Kambanëzat prej floriri 24 karat, që u binin virgjëreshat gjatë mbrëmjes së valleve lutëse kushtuar perëndive në tempullin shogan Nikko, Japoni.
  • Dorëshkrimet e paçmuara në formë rulonesh të mbështjella me thekë mëndafshi, mbështjellëse aq elegante sa edhe  objektet vetë.
  • Librat dhuratë nga perandori që përmbanin stemën krizantemë të Hirohitos stampuar në flori.
  • Dhe çudira të tilla si si dy fragmente të përpunuara lëkurësh njeriu me tatuazhe, të trashëguara nga  artistët tatuazhistë japonezë.

“Është gjithçka e mrekullueshme. Fillimisht unë mendova se arti japonez ishte më i  bukuri por, më pas, unë zbulova edhe artin tajlandez, tibetian, korean, indonezian, etj“,  thotë ai duke i kushtuar vëmendje të veçantë  koleksionit të tij të artit erotik japones dhe  tajlandez.

Miq dhe sundimtarë

Interesi i tij për artin oriental filloi kur ai hapi në Japoni një laborator fotografik, i pari pas Luftës së Dytë Botërore.

Studioja, të cilën Boria e përdori gjatë viteve 1947-1961, shpesh  ishte ndalesa  e parë për plotësimin e dëshirës për një portret dinjitoz. Ai u miqësua me  udhëheqësit e Koresë, Vietnamit, Kamboxhias,  Filipineve, Tailandës dhe Kinës si dhe me perandorin e Etiopisë Haile Selassie.

“Unë  bëra foto publicitare për arkivat e  ushtrisë…historinë e luftës, lavdinë e  forcave të armatosura,“ thotë Boria i cili, këtë vit,  u nderua për punën e tij dokumentuese  si Aleat i Çështjeve të Luftës.

Eleganca, formalizmi  dhe rregullsia e Bories spikatën në mënyrë të theksuar në historitë e trilluara për mendjemprehtësinë artistike dhe fotografike, apo  me historitë tepër origjinale të takimeve me gruan e tij japoneze, kur ajo ishte thuajse 13 vjeç dhe ai po u afrohej  të 50-ave (ata pritën derisa ajo u bë 15 vjeç për t’u martuar).

Ai tregon  për të dashurën e tij Hollivudiane, babai të cilës shpiku  konceptin e Kartave Kredite. Të dy endeshin nga një hotel në tjetrin, duke kënduar gëzueshëm çdo gjë për babushin. “Unë nuk isha  zhigolo (shoqërues me pagesë i një femre)”, shfryn ai. “Ajo ishte e dashura ime. Ne e dashuronim njëri-tjetrin“.

Dhe më pas vijnë historitë e tij për tre zonjat japoneze dhe fotot e shumta të tij në Pacifikun e Jugut rrethuar nga banjat  e mrekullueshme  e mospërfillëse me kurora lulesh.

Vitet Japoneze

Historitë e derdhura rrjedhshëm nga goja e Borias, ndjekin  kronologjinë e  saktë të njera- jetrës. Kishte  një zakon që  i shkruante në një pecetë letre të gjitha ç’ka ai donte të ruante në kujtesë.

Midis tyre janë ato të udhëtimeve të tij me perandorin japonez për të dokumentuar punën rindërtuese të vendit pas dëmeve shkatërrimeve të luftës.

Boria u njoh me Hirohiton dhe familjen perandorake pasi ai iu lut perandorit për t’i bërë një foto. “Unë i thashë atij diçka në japonisht që nënkupton „Njatjeta, ju!“ Asnjeri tjetër nuk ia kishte thënë  atij më parë kësisoj.  Dhe, që atëhere, u  bëmë  miq të mirë“

Për perandorin, Boria fotografoi thesaret e pallatit – jo arin dhe xhevahiret, por kukllat, kimono-të dhe tekstilet e familjes prej më se 3.000 apo 4.000 vitesh. 

Në shenjë  mirënjohjeje, Boria mori mjaft dhurata (e para ishte një panel numuratore, të tjerat ai thotë se nuk i ka hapur akoma), si dhe privilegjin për të  zotëruar fotot e perandorit dhe të familjes së tij të shkrepura në momente të rastësishme e të pakujdesshme.

Ai mësoi për pikturën  dhe mjeshtëritë artistike japoneze nga njeriu që u bë vjehrri i tij. “E takova babanë e gruas sime më 1948. Ai ishte një koleksionist arti dhe unë  bleva prej tij shumë objekte . Në Japoni shumë rrallë  ndodh që njerëzit  t’ju ftojnë në shtëpi. Ata mund t’i zbavitin,  sidomos të huajt, në vende të tjera. Por mua më ftuan  për darkë dhe, ndërkohë që ishim duke pirë raki orizi, më ra në sy vajza e tij 12 vjeçare dhe më shkrepi t’i them atij: 

“ Unë do ta u marr përfare vajzën tuaj dhe ai, çuditërisht,  u përgjigj: miku im, ju mund ta merrni atë qysh tani.“

Kështu, ata  u martuan pas pak më shumë se dy vitesh dhe Boria thosh me krenari: “Që më 1950, ajo nuk e ngriti kurrë zërin ndaj meje. Ajo gjithë kohën këndonte!“

Gruaja e Borias vendosi të mos largohat nga Japonia më 1961, kur ai u transferua në Washington; ajo jeton aty në një shtëpi të blerë prej tij dhe punon për Mitsubish-in. “Herë pas here ajo më viziton, ndërkohë që unë i them të martohet me dikë tjetër, pasi ajo është shumë e re. Por ajo më përgjigjet se më dashuron mua.“

Pasioni për të jetuar

Mania  për  të koleksionuar është shfaqur tek ai  shumë vite përpara se ai të jetonte në Japoni. Më 1928 ai  punonte në Hollivud si një artist në një studio filmash vizatimorë që formonte karakterin e personazhit Toni Çamaroku i projektuar të rivalizonte karakterin e njohur sot si Miki Mauz.

Boria ishte një fotograf autodidakt, por ai ndoqi një shkollë arti në Detroit pas ardhjes në Sh.B.A. “Luftova si i çmendur  të vija në Amerikë. Isha marrosur, vërtet. U kyça në një dhomë thuajse i bindur për vetvrasje, kështu, prindërit u detyruan të më lejojnë të shkoj.

Udhëtova për në Kaliforni me një tren për 35 dollarë (udhëtimi zgjaste 5 ditë). Isha ulur në tren pranë një zonjëze shumë të bukur. Ajo më pyeti  ku po shkoja dhe unë  i thashë ‘Kalifornia’. Nuk e kisha idenë sa i madh ishte ky shtet. Ajo u habit dhe  më propozoi se do të ishte më mirë të shkoja e të jetoja me të në Long Beach.“ 

Dhe ai pranoi. Ajo e regjistroi në Shkollën e Lartë Politeknike në Long Beach, ku ai u diplomua. Qysh atëhere “unë nuk pata nevojë të kërkoja punë. Ato më vinin vetiu gjithmonë.”

Ai dhe e dashura e tij, trashëgimtarja e Kartave-Kredit  kaluan së bashku fundjave të shumta duke kërkuar dyqane antikë dhe tregje vjetërsirash.

Gjatë kohës së Depresionit Boria luante në mandolinë e violinë dhe priste silueta profilesh  udhëtarësh në letër të zezë nëpër anijet lundruese të pasanikëve të mërzitur nga ditët e vështira.

”Udhëtova me shumë e shumë jahte me grupe turistësh, që donin të linin pas kohën e Depresionit Amerikan. Ne lundronim nëpër Paqësor dhe Amerikën e Jugut, madje një here edhe me Presidentin Rusvelt.”

Boria preu siluetën e tij të fundit më 1940. “Lashë gërshërën time të argjendtë dhe kurrë nuk e mora më. Sepse kishte aq shumë gjëra të tjera për të bërë.”

Pasi u largua nga Japonia më 1961, Boria bleu shtëpi në rrethinat e Washingtonit dhe qysh atëhere jeton aty.

“ 28 vite rrjesht jam sorrollatur, apo kujdesur për kopshtin dhe vizitat e njerëzve. Ka shumë qiell këtu. Jeta ime është e përsosur” 

Ai udhëton shumë përreth Amerikës dhe Japonisë dhe, madje  dëshiron t’ia dhurojë thesaret e tij artistike qeverisë shqiptare para se ai të vdesë. Ai nuk është kthyer ndonjëherë në Shqipëri.

Boria kalon ditët duke luajtur muzikë dhe duke medituar para kutizës faltore 300 vjeçare Budiste. Meditimi lindor i përzier me atë ortodoks është besimi  tij.

Në dimër ai mediton në kopësht i veshur me  një kimono të trashë dhe  një ombrellë sipër kokës së tij i bën strehë rënies së dëborës.

“Natën rri në qetësi dhe lutem per vdekjen,”  thotë ai. “Është momenti më i ëmbël në jetën tonë. Unë do të vdes, natyrisht. Ndaj kam zgjedhur muzikën per funeralin tim”

□ □ □

Filed Under: Opinion

 Një komedi tragjike e medias së kapur. Pse Arlind Qori shihte më kthjellët?

January 13, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

Një natë e zakonshme në televizionin kombëtar shqiptar  “Klan”, ku gjithçka shitet si “debat i madh” dhe përfundon si reklamë për padronët mediatikë, u kthye papritmas në një rast të artë për komedi politike. Arlind Qori i partisë të vogël Lëvizja Bashkë, në rolin e Don Kishotit që përpiqet të luftojë mullinjtë e erës të medias të blerë shqiptare, përplasi shpirtin idealist me murin cinik të Blendi Fevziut, i cili ngjan më shumë si rojtari i portës së interesave private të Klanit të Aleksandër Frangajt sesa si moderatori i një emisionin publik “Opinion” që s’pranon asnjë opinion kundër ‘Klanit’.

Debati filloi si një përplasje mes koncepteve të qarta: Qori, i pajisur me një kosh me të vërteta të hidhura, dhe Fevziu, me një lopatë për të groposur çdo ide që ngre kokën kundër status quo-së. Kulmi erdhi kur Fevziu, i fryrë nga vetëbesimi, deklaroi se “askush nuk më thotë kë të ftoj dhe kë jo”. Në atë moment, publiku diku mes rrjetave sociale shpërtheu me të qeshura, ndërsa Arlind Qori ndoshta po mendonte: “A është ky realitet apo një skenar satirik i ‘Portokalli’-së?”

Por, në fakt, satira ishte shumë më e thellë. Fevziu, në përpjekjen e tij për t’u dukur si kampion i gazetarisë së lirë, u shndërrua në avokat të sistemit të kapur. “Media është private,” tha ai, duke harruar se edhe monopoli është privat, por kjo nuk e bën më pak problematik. Pika kulmore e humorit të zi erdhi kur Fevziu përpiqej ta mbulonte diellin me shoshë, duke e quajtur televizionin një arenë ku vlen vetëm audienca, ndërsa pronarët që marrin tendera nga shteti dhe vendosin se kush duhet të flasë, thjesht “kalonin aty rastësisht”.

Arlind Qori, i cili e dinte që po luante në një terren të minuar, nuk u tërhoq. Ai citoi Arian Çanin, që dikur e kishte pranuar publikisht se kishte marrë urdhër të mos e ftonte Qorin. Kjo, për Fevziun, nuk ishte e mjaftueshme për të pranuar që media shqiptare është më shumë një kioskë propagande, sesa një institucion informativ. Në fakt, Fevziu, me një entuziazëm që do ta bënte edhe Lali Erin të skuqej, u pozicionua si kalorësi i fundit që mbron sistemin e vetëshkatërruar.

Dhe kështu, televizioni shqiptar ‘Klan” vijon të bëjë atë që di më mirë: të bëjë sikur debaton, por në fakt reciton. Çdo protestë, çdo zë kritik, çdo denoncim zhduket nga ekranet me një shpejtësi që do t’ia kishin zili edhe magjistarët. Qori e denoncoi këtë realitet me një shembull brilant: pensionistët protestonin në rrugë, por Top Channel transmetonte kryeministrin që i sulmonte ata pa iu dhënë as një sekondë hapësirë për t’u përgjigjur.

Në këtë pikë, satira bëhet edhe vetë ekzistenca e debatit. Nuk është më vetëm një çështje personale mes Fevziut dhe Qorit, por një reflektim i groteskut të mediave shqiptare, që janë kthyer në servilë të përulur të pronarëve dhe kryepushtetarëve. Të njëjtët pronarë që ndërtojnë kulla dhe i përdorin ekranet si fasada për të mbuluar shkatërrimin që lënë pas.

Por ajo që i jep fund kësaj satire është ironia më therëse: një pjesë e të ftuarve në studio, në vend që të diskutojnë për problemin e vërtetë, i thanë Qorit: “Ç’të duhet ty? Media është private.” Kjo është si t’i thuash një pacienti: “Ç’të duhet ty që mjeku yt nuk të kuron? Ai është privat!”

Sistemi mediatik shqiptar nuk ka nevojë për më shumë debate në studio, ku çdo temë përfundon në një batutë të Fevziut dhe një buzëqeshje cinike nga ndonjë tjetër. Ka nevojë për një pastrim rrënjësor, sepse në këtë moment, mediat nuk po e shërbejnë publikun, por një grusht njerëzish që përdorin ekranin për të manipuluar realitetin.

Dhe kështu, Qori mbeti një zë i vetëm në një studio të mbushur me njerëz që, ndonëse të rrethuar nga dritat e kamerave, nuk arrijnë të shohin të vërtetën që kanë përpara syve. Por, siç thoshte dikur dikush: “Në një vend me të verbër, edhe ai që ka një sy është mbret.” Prandaj, të dashur shikues, mendoni vetë: cili nga të dy ishte ai që vërtetë po shihte qartë.

Filed Under: Fejton

“Surgical Decision Making”

January 13, 2025 by s p

Shtëpia botuese prestigjioze “Springer“ ka botuar në gjuhën angleze librin “Surgical Decision Making”, të autorit të njohur nga fusha e kirurgjisë Prof. Dr. Rifat Latifi, i cili me përvojën e tij të pasur dhe me ndikimin e tij profesional dhe akademik, që ka lënë gjurmë të pashlyera në analet e kirurgjisë globale, këtë libër e sjell për të gjithë adhuruesit, ekspertët, studiuesit e shumtë kudo në botë, si një sihariq për këtë fillim vit.

Profesor, Rifat Latifi tashmë konsiderohet si një ekspert me nam në arenën ndërkombëtare dhe çdo prezantim i tij shkencor e studimor, pritet me kënaqësi nga publiku dhe jo vetëm.

Ndryshe lajmin për botimin e librit e ka bërë të ditur vet autori profesor Latifi përmes një postimi në rrjetin social “Linkedin” i cili shprehet si në vijim:

Profesor Rifat Latifi: Me kënaqësi njoftoj se edicioni i ri i një prej librave të mi të preferuar që kam shkruar/redaktuar është publikuar dhe do të jetë i disponueshëm më 24 janar 2025: – Surgical Decision Making ..Marrja e Vendimeve Kirurgjikale“. Ky edicion i rishikuar dhe i zgjeruar trajton vendimmarrjen kirurgjikale në procedura të ndërlikuara kirurgjikale, duke përfshirë marrjen e vendimeve të vështira, ndërgjegjësimin e vazhdueshëm mbi gjendjen fiziologjike të pacientit, profilin biokimik, rikuperimin me parametra përfundimtarë dhe gjendjen fiziologjike të vetë kirurgut.

Diskutohen gjithashtu vendime specifike kirurgjikale, si kur duhet ndërhyrë dhe kur jo, ri-operacionet dhe operacionet në kushte dhe grup mosha të caktuara.

Ky edicion i ri adreson këto dhe elementë të tjerë që janë të rëndësishëm për procesin e vendimmarrjes intraoperative dhe perioperative, duke përfshirë pyetje bazë që nuk janë trajtuar siç duhet në literaturë.

Shumë prej nesh marrim vendime bazuar në prova aktuale, por shpesh ato bazohen në “ndjenjën e brendshme”, “intuitë” apo “efektin e flokëve të thinjur,” ndër teknika të tjera. Në këtë libër, anatomia e këtyre vendimeve eksplorohet nga një këndvështrim teorik si dhe përmes të dhënave objektive që ne si kirurgë përdorim për të marrë vendime kirurgjikale.

Askund tjetër, çështja e si marrim një vendim – shpesh me një sasi shumë të kufizuar të dhënash, vendime që vendosin mes jetës dhe vdekjes së dikujt – nuk është më e dukshme se në kirurgjinë e traumës dhe në operacionet komplekse, përfshirë kthimin e paparashikuar në sallën operatore. Përvoja jonë kolektive si kirurgë tregon se një kombinim faktorësh kontribuojnë në procesin tonë të vendimmarrjes perioperative dhe intraoperative, përfshirë arsimin, njohuritë klinike, mentorimin, si dhe kreativitetin dhe ekselencën që vijnë me praktikën e gjatë dhe disiplinën e rreptë.

Edicioni i dytë i Surgical Decision-Making: Evidence and Beyond ofron një burim të veçantë dhe të vlefshëm në fushën e kirurgjisë për kirurgët që janë aktualisht në trajnim dhe për ata që tashmë ushtrojnë kirurgjinë në nivel akademik apo në komunitet.

Për botën akademike shqiptare në fushën mjekësore – kirurgjikale ky libër ka vlerë të jashtëzakonshme, ndërsa profesor Latifit, i dëshirojmë suksese në rrugëtimin e tij, të ndritur në arenën botërore.

Urojmë të ketë sa më shumë lexues të këtij libri, e autorit suksese të tjera!

Filed Under: Analiza

Comedy “My Women” Delivers Lots of Laughter in its New York Premiere

January 13, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

“Teatri i Diasporës” – The Diaspora Theater – presented its New York premiere of Femrat e Mia (My Women) at the Soho Playhouse, Manhattan, late last night. In her opening remarks, producer Elizabeta Gace said that she and Erand Sojli, playwright, director and actor, founded Teatri i Diasporës in Boston, in July of 2024. “The Theater’s first production Burre e Grua – Mish e Thua was performed at the same Soho venue last year,” she said. Gace thanked the patrons “who have come back to show their support for the troupe’s new production featuring actors from Tirana, Vienna, Boston and New York.”

“Our Theater has established a custom of inviting an artist representative from each state or city where the performance takes place,” said she, calling on stage Andis Gjoni. On behalf of New York’s artistic community, Andis Gjoni, renowned resident set designer, congratulated “the initiative as a revival of the art of theater that is so much needed in our community”.

Sojli’s play is the story of an Albanian immigrant man and a proud Tirana native, Liri (Erand Sojli) who has to navigate the tough situation of introducing his non-Albanian bride-to-be (Kieda Budini) to his very traditional mother (Mariana Kondi). As the go-between communicator, the main character switches between Albanian and English using a lot of Tirana colloquialisms and distorted English words that produced loud laughs and amused the crowd at Soho Playhouse. Included in the comedy are also transitions in and out musical numbers (Did Tezha, Arian Kerliu, Elis Lloshi) and light dance moves (Julia, Lauren and Gabriela Gace).

“Femrat e Mia” – My Women – got a lot of laughter and applause from the New York audience last night. Tonight Teatri i Diasporës performs in Philadelphia.

Foto Autor #theatridiaspores

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT