• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Baza qelizore e kujtesës dhe të menduarit

January 4, 2025 by s p

Nga Dr. Nelson R. Cabej

Pjesa e dytë

Engrama si bazë e proceseve njohëse dhe e të menduarit

Vërtetimi eksperimental i ekzistencës së engramës së kujtesës

Njohja shkencore e engramës është një nga detyrat themelore të së sotme. Biologët sot besojnë se engrama është njësia elementare e ruajtjes së informacionit  rreth përvojave individuale dhe kompjutacionit3. Ndryshimet specifike që pësojnë neuronet engramë-mbajtëse janë: forcimi i lidhjeve sinaptike midis neuroneve, shtimi i kreshtave të dendriteve dhe shtimi i ndjeshmërisë së atyre neuroneve. Me rëndësi thelbësore për konsolidimin e engramës së kujtesës është sinteza e proteinës, siç provohet nga fakti që ndalimi eksperimental i sintezës së proteinës e fut engramën në një gjendje “të fjetur” (inaktive).  

Eksperimentet gjatë dekadës së parë të këtij shekulli kanë konfirmuar se një përvojë e të mësuarit (stërvitja e minjve për të hyrë e dalë nga një labirinth, të mësuarit e diçkaje të re, krijimi i një refleksi të kondicionuar, etj.), kodohet në formën e një informacioni neurogjenik në një grup neuronesh specifikë, që përbëjnë engramën, dhe kur kafsha ose njeriu stimulohet të kujtojë atë që ka mësuar reaktivohet po ajo engramë, po ato neurone. Reaktivimi i neuroneve engram-mbajtëse provonte ekzistencën e engramës por për të vërtetuar bindshëm se engrama ishte përgjegjëse për kujtesën duhej të shkatërroheshin neuronet që bënin pjesë në engramë dhe të shihej në se kujtesa ruhej ende. Për studimin eksperimental të engramave të kujtesës në këto dy dekadat e fundit janë përdorur fshirja e engramës, riaktivimi optogjenetik (me rreze drite) i engramës dhe krijimi i engramave artificiale. 

Fshirja e engramave

Verifikimi i funksionit të engramës si baza qelizore e kujtesës mund të provohej duke eliminuar neuronet që marrin pjesë në formimin dhe/ose në reaktivimin e saj. Në qoftë se pas këtij operacioni kujtesa të zhdukej, kjo do të tregonte se engrama ishte me të vërtetë mbajtëse e kujtesës. Kjo u arrit të bëhej për herë të parë në vitin 2009 nga një grup biologësh në laboratorin e Sheena Josselyn në Toronto, Kanada. Duke shfrytëzuar një engramë të identifikuar që kodonte në amigdalë (një pjesë e trurit në formën e bajames) frikën që shkaktonte një tingull në trurin e minjve, ata shkatërruan neuronet që merrnin pjesë në atë engramë dhe vunë re se minjtë nuk reagonin, gjw qw tregonte se kishin humbur kujtesën ndaj atij tingulli; kur ata shkatërruan një numër të njëjtë neuronesh që nuk bënin pjesë në engramë minjtë e ruanin kujtesën.

Riaktivimi i engramave me metoda optogjenetike 

Rruga normale e riaktivimit të engramës është ekspozimi i kafshës ndaj stimulit që shpuri në formimin e saj. Por kohët e fundit biologët kanë arritur të “zgjojnë” ose aktivojnë engrama “të fjetura” edhe në mungesë të stimulit që bëri të mundur formimin e tyre, vetëm nëpërmjet metodave optogjenetike, duke përdorur dritën e lëshuar me precision vetëm mbi neuronet engramë-mbajtëse. Ky rrezatim stimulonte aktivimin e neuroneve të engramës dhe “zgjimin” e kujtesës përkatëse. Në këto eksperimente u provua se drita e fokusuar me precision në neuronet engram-mbajtëse mund të zëvendësojë stimulin e kondicionuar.  

Kur minjve u shkaktohej eksperimentalisht sëmundja e Alzheimer-it, vihej re se engramat e heshtura të minjve kujtesë-humbur nuk mund të riaktivoheshin as në prani të stimuluesve natyrorë të tyre, por mund të aktivoheshin artificialisht, në mënyrë optogjenetike (me rezatim të përqëndruar në neuronet e engramës), i cili, duke nxitur shtimin e dëndësisë së kreshtave në dendritet (zgjatime në njerin pol të neuroneve) dhe forcimin e lidhjeve midis neuroneve, riaktivon engramën e heshtur të kujtesës4. Thuajse një dekadë më parë një grup studiuesish të Howard Hughes Institute në MIT (Boston, MA) mundën të krijojnë engrama artificiale.

Nga engrama te të menduarit

Njohja e mekanizmave të formimit të engramës na ndihmon për të kuptuar shkallët e mëtejshme të evolucionit të aftësive njohëse, instinkteve, aftësive përgjithësuese, arsyetimit logjik, deri te të menduarit e njeriut.

Pasi përshkruam mekanizmat e krijimit, rinxjerrjes, heshtjes dhe humbjes së engramave si mbartëse të informacionit neurogjen mbi gjërat, ngjarjet dhe dukuritë e rrethinës në të cilën jetojnë kafshët, le të shohim shkurtimisht lidhjen e mundshme të tyre me aftësitë njohëse dhe të menduarit.  

Dihet përgjithësisht se kafshët mendojnë. Mjafton të kujtojmë një shëmbull të thjeshtë, kërcimin e sigurtë të ketrit nga një degë në tjetrën. Fakti që ai e bën këtë pa u rëzuar tregon se ai, duke u mbështetur në përvojën e vet (pas dështimeve të mëparshme), para se ta kryejë kërcimin ka llogaritur largësinë e vet nga dega në të cilën do të kërcejë, largësinë që mund të kërcejë ai nga lart-poshtë, nga posht-lartë dhe horizontalisht, pa rezikuar që të bjerë, madhësinë e degës më të vogël që mund ta mbajë peshën e tij në rënie, duke përfshirë vlerësimin e rezikut të rënies aksidentale. Tani besohet se të gjitha këto përvoja janë regjistruar në engrama të veçanta në trurin e tij. Para se të marrë vendimin për të kërcyer, në trurin e ketrit ndodh edhe lidhja e tërë engramave të mësipërme, por edhe të tjerave, të cilat procesohen dhe integrohen kryesisht në koren frontale të trurit dhe/ose në hipotalamus ku edhe merret vendimi. Kërcimi i suksesshëm i ketrit tregon bindshëm se ai ka integruar dhe kalkuluar të tërë parametrat e mësipërme para se të mirrte vendimin per të kërcyer në degën tjetër. 

Evolucioni i botës së kafshëve bëri të mundur edhe kalimin në një formë më të lartë të aftësive njohëse të disa gjitarëve deri te ndërgjegjësimi për ekzistencëen e vetes si një individ i grupit. Kështu kur një qeni i vihet ushqimi para pasqyrës që i lejon të shohë fytyrën dhe kokën e tij, brenda fare pak ditësh ai kupton se në pasqyrë është duke parë veten sepse sapo t’i vihet në kokë pak pluhur i bardhë ose i zi, ai përpiqet ta heqë me këmbë pluhurin nga koka.

Një shimpanze mëson të përdorë gurin për të çarë arrët, të qëroje frutat, të përdorë shkopin për të rrëzuar frutat nga pema, etj. ose deri të krijojë “vegla” primitive guri, por një formë më e lartë cilësisht e ndryshme e aftësis njohëse u arrit me daljen e njeriut në skenën e historisë natyrore.   

Jetesa në grup dhe sidomos gjuha e folur dhe të shkruarit ndihmuan shumë në atë kërcim të madh që bëri njeriu në zhvillimin e aftësive njohëse deri në atë që sot njihet si “të menduarit e ri”, të menduarit logjik, gjatë evolucionit relativisht të shkurtër të tij dhe bënë të mundur zhvillimin e jashtëzakonshëm të shkencës dhe kulturës njerëzore, si dhe transformimin kolosal që i bëri njeriu natyrës për të përmirësuar jetën e tij.

Në fund të fundit, lidhja e engramave të ndryshme në indin nervor qëndron në bazën e zhvillimit të njohjes njerëzore, krijimit të koncepteve dhe përgjithësimeve shkencore. Nga kjo pikëpamje edhe idetë dhe zbulimet e reja, duke përfshirë ato më gjenialet, janë rezultat i lidhjeve të reja ose të kombinimeve të reja të engramave të ndryshme në trurin e njeriut. 

Filed Under: Analiza

Hapja e parlamentit të parë shqiptar pasqyruar në “Chicago Daily News”

January 3, 2025 by s p

Ilir Ikonomi/

Hapja e parlamentit të parë shqiptar në Tiranë më 21 prill 1921, tërhoqi vemendjen e korrespondentit të gazetës Chicago Daily News, i cili na jep një përshkrim të rrallë në numrin e datës 26 prill, si dëshmitar i ngjarjes. Kuvendi u mblodh në shtëpinë e Zija Toptanit, ku sot ndodhet Akademia e Shkencave. Dritaret e sipërme të ndërtesës në foto, që shohin nga Rruga e Elbasanit, janë të sallës ku u mblodhën deputetët, e cila sipas korrespondentit i ngjante një klase shkolle.

Ja përkthimi i plotë:

SHQIPËRIA E RE PO LIND THUAJSE SI AMERIKA

“Asnjanësia e rreptë dhe e sinqertë me fqinjët”, shpallet si synim i vendit.

Nga EDGAR ANSELM MOWRER

Tiranë, Shqipëri, 22 prill – Për herë të parë në jetën time jam i pranishëm në lindjen e një shteti. Në prani të përfaqësuesve të Italisë dhe Britanisë së Madhe dhe anëtarëve të Kryqit të Kuq Amerikan u zhvillua sot seanca e dytë e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa shikoja punimet, mu kujtuan rrëfimet historike për seancat e gjata që mbaheshin dikur në Filadelfia, nga të cilat dalëngadalë lindi kushtetuta amerikane. Të huajt që janë të prirur të qeshin me shqiptarët – me varfërinë e tyre, mungesën e përvojës, mentalitetin turk dhe grindjet personale apo fetare, duhet të kujtojnë se si u formuan Shtetet e Bashkuara.

Organet qeverisëse, të dala prej kuvendit të patriotëve, përbëhen nga një lloj regjence prej katër anëtarësh, me një kabinet dhe një dhomë deputetësh, por vetëm tani përfaqësuesit e parlamentit, i pari i zgjedhur ligjërisht dhe me votën e popullit, mblidhen si individë të lirë. Duke përshëndetur anëtarët e organit ligjvënës, Dr. (Mihal) Turtulli i regjencës tha se politika shqiptare bazohet në “asnjanësinë e rreptë dhe të sinqertë me fqinjët” dhe se shpresonte që negociatat e pritshme për zbrazjen e trojeve shqiptare të mbajtura në mënyrë të paligjshme nga vendet e tjera do të përfundonin me sukses.

“Që Shqipëria është në gjendje të shkëlqyer, – tha ai, – këtë e tregon legjitimiteti i zgjedhjeve dhe qetësia që mbretëron në të gjithë vendin”.

VENDI NDESHET ME VËSHTIRËSI.

Megjithatë, Shqipëria po përjeton disa vështirësi. Rivaliteti fetar ka penguar zgjedhjet në Shkodër; zgjedhjet e Dibrës po kontestohen, ndërsa qarku i Himarës, ku grekët janë të fortë, ndodhet në një lloj revolte. Në Gjirokastër dhe Korçë elementi shqiptar ka mbizotëruar plotësisht.

Anëtarët e parlamentit të ri janë jashtëzakonisht demokratikë. Sot në mëngjes, me miratim të njëzëshëm, u hoqën titujt “bej” dhe “pasha” me origjinë turke dhe një nga aktet e para të asamblesë së re do të jetë miratimi i ligjit për heqjen e të gjithë titujve. Tani e tutje të gjithë njerëzit do të quhen “zoti” ose “z.”. Parlamenti i ri ndoshta do të jetë republikan edhe në frymë dhe, ndonëse mendohet se një formë monarkike e qeverisjes ka disa avantazhe, vendi mund të shpallet Republika e Shqipërisë.

Disa nga dallimet fetare u zgjidhën pjesërisht sot në mëngjes, kur Imzot Fan Noli dhe kleriku mysliman Hoxha Kadri, bashkëpunuan si pjesë e një komisioni. Asambleja e re është shumë nacionaliste. Procedurat janë solemne dhe seancat po zhvillohen në një sallë që duket si klasë shkolle në shtëpinë e dikurshme të familjes së Esat Pashës. Gjithçka është tepër e thjeshtë. Anëtarët e asamblesë janë të tipeve nga më të ndryshmit, nga evropiani kozmopolit e deri te kryeplaku i fshatit. Anëtari më i vjetër, që është kryetari i përkohshëm, ka moshën nën 60 vjeç dhe Asambleja është ndoshta më e reja në botë si moshë. Shumë prej deputetëve mbajnë feste shqiptare të zeza ose të bardha, ndërsa të tjerë nuk kanë asgjë në kokë. Hoxha Kadri mban një çallmë të bardhë mbi fesin e kuq.

NJË KUVEND PIKTORESK DHE SOLEMN.

Asambleja është sa piktoreske aq edhe solemne. Përbërja e saj duhet t’i bindë pesimistët se e kanë gabim kur deklarojnë se luftërat fetare do ta përçajnë Shqipërinë dhe kur flasin me përbuzje, duke e quajtur këtë vend një “Turqi të vogël”. Sigurisht që vështirësitë janë të mëdha, por vullneti për t’i tejkaluar ato dhe patriotizmi i madh i anëtarëve, për mendimin tim, janë në nivelin e vështirësive.

Vendi ka nevojë për ndihmën e huaj. Dështimi i fuqive për ta njohur Shqipërinë mund ta vonojë, por nuk mund të pengojë përgjithmonë formimin e këtij shteti të ri, ideali i të cilit janë Shtetet e Bashkuara. Sot shqiptarët po kryejnë me vetëbesim punën për shndërrimin e fshatit të Tiranës në kryeqytetin e një shteti të vogël, por aktiv dhe modern.

Filed Under: Histori

AFTËSITË PËR SUKSES NË 2025

January 3, 2025 by s p

ERION MUÇA

Pedagog, Studiues Karriere dhe Punësimi/

Institucionet më prestigjoze studimore aplikative, hulumtuese dhe shkencore si Revista Forbes, Organizata Ndërkombëtare e Punës(ILO) dhe Forumi Ekonomik Botëror kanë dalë në përfundimin se 10 aftësitë e mëposhtme janë përcaktuese për suksesin e një punonjësi në 2025:

1. Mendimi kritik dhe inovacioni

Te vesh ne diskutim ceshtje te rendesishme dhe te paturit nje mendim alternativ per to ne menyre te argumentuar mbi zgjidhje dhe permiresime te mundshme eshte nje vlere.

Perditesimi i njohurive dhe aftesive me kohen dhe integrimi ne proceset e zgjidhjeve te komponenteve innovativ dhe modern eshte qasje qe duhet të krijohet kur nuk eshte dhe focohet nese eshte.

2. Te mesuarit ne menyre aktive dhe strategjike

Shmangja e te mesuarit qe ste vlen apo te intereson dhe bazimi marrjes se njohurive dhe pervetesimit te aftesive ne perputhje me planet dhe objektivat e punes dhe karrieres eshte orientimi i duhur per sukses. Bazimi i te mesuarit ne krijimin apo realizimit e nje produkti apo projekti konkret te matshem dhe te arritshem rrit mundesine per rezultate te mira.

3. Zgjidhja e problemeve komplekse

Kapaciteti per te zgjidhur probleme te komplikuara, me shume procese, njerez, pajisje, afate te kufizuara, rrisqe te medha eshte nje sfide te cilen duhet ta ndermarrim kur mundemi dhe stimulojme artificialisht kur smundemi, me qellim qe te fitojme eksperiencen e nevojshme lidhur me zgjidhjen e ketyre problemeve.

4. Aftesia per analiza dhe arsyetim të thelluar logjik

Diferenca ne aspektin profesional dhe prezantimi dinjitoz i nje profesionisti perqendrohet totalisht ne aftesine e analizave te thelluara te cilat prodhojne dhe rezultate te kenaqshme. Zgjidhjet praktike per shume prej problemeve te jetës se perditshme jane te pamatura dhe rrjedhimisht te perkohshme, me predispozicion te larte per tu perseritur, pa arsyetimin e thelluar pas te cilit qendrojne te gjitha zgjidhjet perfundimtare.

5. Kreativiteti, origjinaliteti dhe marrja e iniciativave

Te krijosh do te thote te japesh gjithnje nje model te ndryshem nga tradita dhe te prezantohesh i perditesuar duke konkuruar ne menyre kreative ne treg. Kopjet e shemtuara dhe mania per ti ngjare dikujt duhet të zevendesohem me pasqyrimin e origjinalitetit dhe unicitetit ne anen profesionale por edhe ne ate njerezore, per te shquar me lehte si vlerat e spikatura ashtu dhe njohurite dhe aftesite e zhvilluara. Te ndermarresh hapin i pari ne te berit te gjerave eshte pasqyre e deshires per pune dhe ambicies per me shume dhe secili ne proceset e punes duhet ta kete si nje moto drejt drejtimit te te tjereve dhe prezantimit te vetes si profesionist.

6. Lidershipi, drejtimi, menaxhimi dhe kapaciteti për ndikim social

Aftesite e lidershipit i ndajne njerezit ne 2 grupe ne ata qe presin rradhen dhe ne ata qe e krijojne vete ate si teknike per te qene vete te paret qe mbarojne pune. Pra te drejtosh te tjerat eshte me mire se te drejtohesh prej tyre dhe nen kete deshire te shumices aftesite e lidershipit duhet të zhvillohen nga cilido qe do te beje diferencen nga te tjeret. Zakonisht njerezit qe kane aftesi lidershipi zoterojne dhe karizem dhe e sigurisht duhet të kene aftesi te mira si komunikimi ashtu dhe nderveprimi social apo kapacitet per te folur ne publik qe te kene sukses. Pikerisht per keto qellime dhe keto aftesi jane shume te rendesishme per promovimin profesional.

7. Përdorimi, monitorimi dhe kontrolli i teknologjisë së zhvilluar

Zoterimi i aftesise per ta perdorur teknologjine si nje mjet si per nevojat e perditshmerise ashtu dhe punes per nje performance te larte dhe me shume eficence ne relalizimin e detyrave eshte nje domosdoshmeri qe duhet të mesohet dhe perqafohet nga te gjithe. Permes ketyre aftesive ecim me shpejt ne rezultate dhe produktivitetin ne pune dhe rrjedhimisht i paraprijme suksesit si ne pune ashtu dhe në karriere.

8. Programimi dhe zgjedhja/konceptimi i teknologjisë së përshtatshme

Te realizosh nje program, aplikacion, sistem, apo projekt teknologjik duhet të njohesh si nevojen e domosdoshmerine ashtu dhe arritjet teknologjikë per ti integruar ne realizim. Pa kete aftesi konkurenca do jete e larte dhe mosperditesimi apo mos pershtatja teknike e nje aplikacioni si me nevojat e nje sipermarrje apo me përdorimin dhe operimin e konkurences dhe arritjes konkrete teknologjike te nxjerr shume shpejt jashte loje.

9. Qendrueshmeria, fleksibiliteti, pershtatja dhe menaxhimi i stresit

Stabiliteti ne pune eshte nje aftesi e spikatur dhe shpesh arrihet me pune, perkushtim dhe perpjekje por dhe me marrjen me pergjegjesi te detyrave dhe realizimit të tyre. Punonjësit e qendrueshem ne pune kane me shpejt mundesine te behen profesioniste dhe ta pervetesojne shpejt profesionin por edhe jane me te preferueshem edhe ne rast se levizin nga nje pune ne tjetren. Aftesia per tu pershtatur ne tregje te pasistemuara si Shqiperia apo kompani te pastandartizuara i jep mundesine punonjësit të stervitet e pergatitet shume mire sesi te veproje dhe reagoje ne shume raste si dhe ndikon ne te punuarin gjate ne nje sipermarrje ndonese ne disa raste zhvlereson aftesite duke cenuar identitetin profesional duke bere edhe pune qe ste takojne apo shume nen formimin qe ke. Menaxhimi i stresit dhe marrja me sportivitet e situates apo rremujes se funksionimit te shume gjerave eshte nje perpjekje zbutese drejt te parit te aspekteve positive lidhur me interesat personale te punonjësit të punes qe ben duke menduar dhe vepruar ne menyre me praktike lidhur me frikerat e humbjes se punes qe shkaktojne ne te shumten e rasteve stresin ne pune.

10.Aftesite per te dhene ide te reja bazuar me argumente dhe fokusuar ne prioritete

Njerezit qe jane burim i pashtershem idesh te cilat i shoqerojne me argumente sesi mund te zhvillohet dhe permiresohet nje proces pune apo qe perbejne modele dhe ide alternative qe mund te sjellin me shume rezultate do te jene shume me te preferueshem ne 2025.

Po ashtu menaxhimi dhe orientimi duke u fokusuar drejt prioriteteve ne pune i ben disa punonjes te kene perqendrim te larte ne pune dhe te veprojne ne kohe reale duke u perqendruar me shume ne punet me te rendesishme dhe me benefite me te medha ne fillim dhe ne menyre progresive tek ato me pak te rendesishme ne vijim duke bere qe produktiviteti te jete me i larte pasi fokusi eshte i kufizuar ne punet dhe proceset me te leverdisshme.

Ata punonjes qe punojne ti fitojme dhe ata qe punojne ti forcojne keto aftesi dhe fillojne ti perdorin dhe i promovojne se i zoterojne ne kerkimin dhe gjetjen e punes, do ta kene me te thjeshte dhe te lehte si gjetjen e nje pune, mbajtjen e punes qe kane apo dhe promovimin ne karriere ne 2025.

Filed Under: Ekonomi

Pjesëmarrja e gruas në politikë

January 3, 2025 by s p

Nga Mimoza Dajçi

A group of women posing for a photo

Description automatically generated

Si në Shqipëri edhe në Kosovë priten të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Shpresojmë që në të dy institucionet shtetërore rol të rëndësishëm të marrë edhe përfaqësimi i grave dhe vajzave shqiptare.

Referuar Institutit të Demokracisë në Kosovë mbi fuqizimin e gruas në politikë dhe vendimmarrje Kosova ka arritur që legjislacionin e saj ta ndërtojë bazuar në standardet e barazisë dhe diversitetit, si vlera për të respektuar dhe promovuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Megjithatë, përqindja e ulët e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje nuk përkon me përqindjen e grave në shoqëri. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën. Ky vendim erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së Avokatit të Popullit, i cili kishte ngritur pretendime për cënim të barazisë gjinore dhe të drejtave zgjedhore.

Ndërkohë qeveria shqiptare ka hedhur idenë e një ligji të ri për barazinë gjinore, ku në organet vendimmarrëse, sektorin privat deri në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësimi i femrës të jetë në kuotën 50%. Por drafti i këtij ligji është akoma i papërfunduar pasi ekspertët e ligjeve dhe përfaqësues të OJQ ndërkombëtare janë akoma duke punuar sipas rekomandimeve të OKB-se. Gjithashtu ky ligji pritet të kërkojnë barazi gjinore edhe në këshillat bashkiakë.

Theksoj me këtë rast se gratë aktiviste në SHBA, kanë kërkuar që përfaqësimi në politikë dhe vendimmarrje i gruas në Shqipëri të arrijë kuotën 50 me 50, gjë që është pasqyruar shpesh herë edhe në mediat shqiptare.

Por kodi i ri zgjedhor, me listat pjesërisht të mbyllura nuk e lehtëson përfaqësimin e grave as në kuotën 30% veçanërisht në qarqet e vogla, aq më tepër kur flitet për barazinë gjinore. Nëse vetë gratë synojnë të arrijnë pozicione të larta partiake politike, duhet të angazhohen edhe në jeten shoqerore e sociale, pasi kështu do të kemi fuqizimin e grave dhe vajzave në të gjitha sferat e jetës. Vetë gratë duhet të mbështesin gratë edhe në proçesin elektoral.

Për të pasur barazi gjinore në jetën politike dhe ekonomike të vendit duhet të fokusohemi edhe tek emancipimi i gruas, por mos të harrojmë se edhe sot, si në Shqipëri edhe në Kosovë nëse gruaja nuk ka mbështetjen e përkrahjen e bashkëshortit, si e vetme në “detyrimet” familjare i mbetet shumë pak kohë ose aspak për angazhimin e saj edhe në jetën politike.

Në një konferencë ndërkombëtare mbajtur për gratë në New Jork, shije të hidhur la mos prezantimi i lëvizjes feministe në Kinë nga një femër, por nga një përfaqësues i diplomacisë kineze në SHBA.

Mes të tjerave ai tha se, gratë e vajzat në Kinë kanë një sferë më të lartë zhvillimi krahasuar me meshkujt, dhe arritjet e tyre janë më të suksesshme se sa burrat. Por mënyra se si paraqiti aspektin femëror në atë takim na çuditi, pasi kur po flitej pikërisht për gratë e të drejtat e tyre, aty mungoi zëri e prania e gruas kineze. Fakte këto që flasin qartë mbi diferencimin e madh gjinor që ndodh në Kinë midis gruas dhe burrit.  

Gjithashtu në konferencë u fol edhe për rolin dhe fuqizimin e gruas në botë, pasi gratë luajnë një rol kyç, jo vetëm në familje dhe edukimin e fëmijëve, por janë edhe një zë i fuqishëm për paqen e demokracinë në botë. 

Por edhe në Shqipërinë post komuniste, nëse në familjet shqiptare nuk ndalet dhuna ndaj grave, nëse meshkujt nuk ndajnë përgjegjësitë bashkëshortore dhe nuk shkëputen nga tiparet patriarkale, roli i saj si lidere në politikë dhe vendimmarrje do të jetë tepër i vështirë. 

Megjithëse Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar arritje të rëndësishme të përfaqësimit të grave në politikë përsëri vazhdojmë të kemi njëanshmëri të barazisë gjinore.

Filed Under: Sociale

Fan Noli, një emblemë e kombit shqiptar që lindi, jetoi dhe sakrifikoi për bashkimin kombëtar

January 3, 2025 by s p

Processed with VSCO with g7 preset

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Fan Noli: Një Meteor i Kombit Shqiptar

Fan Noli është një nga personalitetet më të spikatura në historinë dhe kulturën shqiptare. Me një angazhim të gjithanshëm, ai luajti një rol të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes kombëtare. Nga lobimi për pavarësinë e Shqipërisë deri te përpjekjet për reformimin e shtetit dhe mbrojtjen e shqiptarëve jashtë kufijve, Noli mbetet një simbol i përjetshëm i përkushtimit dhe sakrificës për kombin shqiptar.

Fan Noli lindi, jetoi dhe sakrifikoi për një ideal të lartë: Shqipëria të jetë e lirë, e bashkuar dhe në harmoni me të drejtën natyrore. Për të, ky ishte një mision që duhej arritur përmes përpjekjeve politike, diplomatike, kulturore dhe shpirtërore. Ai e konsideronte bashkimin kombëtar si një të drejtë të patjetërsueshme që buronte nga përbashkësia etnike, gjuha, historia dhe vuajtjet shekullore të popullit shqiptar.

1. Përpjekjet për Bashkimin e Trojeve Shqiptare pas Pavarësisë

Kongresi i Triestes (1913)

Pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, fuqitë e mëdha, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), përcaktuan kufij që lanë jashtë Shqipërisë territore të rëndësishme si Kosova, Çamëria, Tetova dhe Ulqini. Kjo padrejtësi e madhe nxiti Fan Nolin të angazhohej fuqimisht në Kongresin e Triestes, organizuar nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra”.

Ai kërkoi përfshirjen e këtyre territoreve brenda kufijve të shtetit të pavarur shqiptar, duke paraqitur memorandume për fuqitë e mëdha. Noli argumentoi se këto territore ishin pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe meritonin të ishin brenda kufijve të Shqipërisë së lirë.

Protestat në SHBA (1913)

Në SHBA, Noli mobilizoi diasporën shqiptare për të protestuar kundër vendimeve të padrejta të fuqive të mëdha. Në një fjalim në Boston, ai deklaroi:

“Kosova, Çamëria dhe trojet e tjera shqiptare janë toka të larë me gjakun e shqiptarëve. Këto janë pjesë e pandashme e Shqipërisë. Nuk mund të pranojmë copëtimin e kombit tonë.”

2. Angazhimi në Lidhjen e Kombeve për Kosovën

Në vitin 1921, Fan Noli, si përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, mbajti një fjalim historik ku denoncoi dhunën ndaj shqiptarëve jashtë kufijve, veçanërisht në Kosovë. Ai theksoi: “Padrejtësia e copëtimit të trojeve shqiptare është një plagë e hapur jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për drejtësinë dhe paqen ndërkombëtare.” Edhe pse kufijtë nuk ndryshuan, këto përpjekje ngritën çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke përforcuar zërin për të drejtat e shqiptarëve.

3. Kontributet për Diasporën Shqiptare dhe Solidaritetin Kombëtar

Mobilizimi i Federatës “Vatra”

Si lider i Federatës “Vatra” në SHBA, Noli organizoi fushata ndihmash për shqiptarët e dëmtuar nga masakrat dhe shpërnguljet masive. Në vitet 1920, ai mblodhi fonde për të ndihmuar viktimat e dhunës serbe në Kosovë dhe shqiptarët e Çamërisë.

Frymëzimi për Diasporën Moderne

Puna e tij për organizimin e diasporës shqiptare shërbeu si model për brezat e ardhshëm. Diaspora shqiptare në SHBA mobilizoi ndihma gjatë krizës kosovare (1998-1999), duke ndjekur shembullin e Nolit.

4. Përpjekjet për Reformimin e Shqipërisë dhe Bashkimin Kombëtar

Revolucioni i Qershorit (1924)

Fan Noli, si udhëheqës i Revolucionit të Qershorit, pa reformimin e Shqipërisë si një hap drejt një shteti të fortë dhe të bashkuar. Ai nisi reforma për drejtësi sociale dhe për ndërtimin e një administrate të drejtë.

Konferenca e Lozanës (1923)

Në këtë konferencë, Noli mbrojti të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare për të ndaluar dhunën dhe diskriminimin ndaj tyre.

5. Kontributi Kulturor për Kombin dhe Bashkimin

Themelimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1908)

Fan Noli themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke e shkëputur atë nga ndikimi grek. Ky akt forcoi identitetin kombëtar dhe shpirtëror të shqiptarëve, duke vënë në qendër gjuhën shqipe në praktikën fetare.

Përkthimi i Veprave Madhore

Fan Noli përktheu disa kryevepra të letërsisë botërore, si veprat e Shekspirit, duke pasuruar kulturën dhe edukimin kombëtar.

Fan Noli mbetet një figurë madhore në historinë shqiptare. Përpjekjet e tij për bashkimin kombëtar, përmes angazhimeve politike, diplomatike dhe kulturore, pasqyrojnë një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj çështjes shqiptare. Idealet dhe sakrificat e tij frymëzojnë brezat e ardhshëm në rrugën drejt një Shqipërie të bashkuar dhe të drejtë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT