• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Pjetër Budi, poeti i parë i letrave shqipe

January 29, 2025 by s p

Behar Gjoka/

“Si për nga risia e temave dhe gjinive, ashtu për nga aftësia kompozicionale, gjithashtu për nga fuqishmëria e shprehjes Pjetër Budit kurrsesi nuk mund t’i mohohet cilësia jo vetëm e të parit lëvrues frymëgjatë të poezisë letrare shqipe, por njëherazi edhe e të parit poet shqiptar, të pajisur me një ndjeshmëri fetare-kombëtare të pasionuar” Selman Riza

Dija letrare bashkëkohore, e larme si fushëveprimi dhe që vazhdueshëm tenton përhershmërinë e pambarimtë, kodifikuar si shqyrtim tekstologjik, sidomos duke thelluar vatrat stilistike dhe gjuhësore, mundëson detyrimisht edhe rishqyrtimin dhe rivlerësimin e arealit letrar të gjuhës shqipe. Veçse, në rastin e letrave shqipe, që kanë njohur vonesat dhe frenimet jashtë dhe brendaletrare, jo vetëm si nivel ngacmueshmërie, është një detyrim

specifik dhe dobisjellës.

Them kështu, veças sepse periudhat letrare, autorët dhe veprat e tyre, për një kohë relativisht të gjatë, janë lexuar me syze ideologjike të një momenti të caktuar, pra si përkohësi e vetëkufizuar. Shihet qartë që ky lloj leximi, dyfish i mangët, ka më tepër gjasa të jetë konsumuar tanimë. Në realitetin e ofruar, kryesisht, duke u nisur nga leximi jashëtekstor, janë të prekshme treguesit se ky lloj leximi është formatuar si i tillë qysh në zanafillë. Pikërisht, nisur nga përdorimi i këtyre rrafsheve, kjo ka bërë që të mbulohen, enkas, me pluhur harrimor jo pak fakte të mirëqëna letrare. Për të mbërritur gjer në rrethin vicioz, ku papërjashtimisht, s’ka mbetur autor i së kaluarës pa iu gjetur ndonjë “cen”, ose siç formulohej dikur, prania e “kufizimeve ideore”.

Megjithatë, krejt mrekullisht, faktologjia letrare e shqipes, pavarësisht rrudhjes dhe rrezbitjes së herëhershme, tashmë e kundruar edhe nëpër lenten prizmatike të vetëdijes teorike dhe shqyrtimore, prapëseprapë do të nxirrte në dritë vlera të njëmendta letrare. Vetvetiu, kuptohet qartë, se procesi kompleks rivlerësues i periudhave të hershme, veçanërisht i letërsisë së shekujve 16 dhe 17-të, që rëndom emërtohet si letërsi e vjetër ose biblike, do të jap rezultatet e veta.

Bindja e tillë, përveçse në tekstet e trashëguara prej aso kohe, lidhet me nivelin e ngritur të shkencës letrare moderne, që pafundësisht nxit idenë e shqyrtimeve shumëplanore.

Për të tejkëqyrur dhe kapur gjurmët letrare të asaj periudhe, patjetër të krijimtarisë së shkrimtarëve katolikë dhe veriore e më gjerë, që tëhuajtën nga Bibla dhe e vunë në shërbim të krishtërimit, motivet kryesore të shkrimtarisë, do të ndihmonte artikulimi sugjerues i Benedeto Kroçes, se “… ne nuk ngurojmë të shkojmë

për ta vizituar poezinë aty ku gjendet apo aty ku fshihet…” (1998 :48), në librin “Poezia Antike dhe Moderne”.

Formatimi kësodorshëm është i vlertë për të gjithë hartografinë letrare të shqipes, gjithëkohore dhe gjithëhapsinore. Por sa i përket krijimtarisë së kuartetit viriak dhe, sidomos veprës poetike të Budit

dhe Bogdanit do të ishte si një ujdhesë përndritëse, për të kërkuar dhe gjetur spovat e poetikës së pranishme.

PRIJATAR I POEZISË SHQIPE

Lëvruesit e parë të vjershërimit, sipas dokumentave, kryesisht në trajta sporadike, janë Gjon Buzuku dhe Luk Matrenga. Me Budin puna qëndron ndryshe, kryekreje, sepse ai arriti të botonte libra poetikë, të përkthyera ase si përshtatje, por edhe origjinale. Ky fakt ka tërhequr vëmendjen e studiuesve më seriozë, ndonëse po ashtu ka vijuar ndërdyshja formatuese, qysh më herët, se a janë vetjake apo të përkthyera vjershat e tij. Niveli shqyrtimor në trajtimin e poezisë budiane, të përcaktimeve të vlershmërisë së saj, ka njohur ngritje në dhjetevjeçarët e fundit, sidomos me tre akte themelore të sendërgjuara në këtë ndërkohë.

Së pari: Transliterimi i gjithë krijimtarisë së Budit, poezi dhe prozë, përkatësisht i librave “Doktrina e Kërshtenë”, “Pasqyra e të Rrëfyemit”, “Rituali Roman”, si dhe botimi i tyre në vitin 1985 prej studiuesit danez Gunar Svane. Gjithashtu, ky autor, bashkë me tejshkrimin e krijimtarisë së Budit, ka hedhur dhe gjykime të

vlerta sa i përket vlershmërisë së poezisë dhe prozës.

Së dyti: Botimi i poezisë së shtrirë në të tre librat e Budit, në vitin1986 nga studiuesi Rexhep Ismaili. Fytyrëzimi i plotë, patjetër i transliteruar, por njëkohshëm duke ruajtur edhe frontespicin origjinal shkrimor, i Budit si poet është një prurje e paçmuar per kulturën dhe letërsinë shqipe. Mandej, bashkëshoqërimi i poezisë së plotë të Budit edhe me një hyrje të gjatë, në caget e një studimi plotëror për jetën e autorit, mbi natyrën e poezisë së lëvruar apo shenjëzimet letrare, në prozën e tij, pra, si një poetikë budiane.

Së treti: Botimi i një studimi të plotë, në vitin 1995, nga studiuesi dhe pedagogu i letërsisë shqipe në Shkup, Zeqirja Neziri, rreth poezive të DOKTRINËS. Përfundimet e nxjerra prej tij në rrafshet tematike, zhanrore dhe të figurshmërisë, e zbulojnë të freskët parafytyrën poetike budiane. Gjithashtu, po te ky libër, me

vlera identifikuese, janë edhe formulimet autoriale se poezia e Budit i përket barokut religjoz dhe se poezia e tij, rezonon natyrshëm me poezinë mesjetare perëndimore.

Sjellja ngjatë e krijimtarisë poetike budiane, si dhe përcaktimet e shënuara mbi të, nxisin kërshërinë, por jo vetëm atë, për t’iu qasur si tanësi apo edhe në aspekte më të ngushta, specifike, gjithsesi e shoqëruar edhe me formatimet teorike bashkëkohore. Kështu ideja e formuluar prej T. Todorovit, se: “Ekzistojnë disa vlerësime

stereotipe që u vishen veprave letrare të Mesjetës, të cilat janë shumë të ndryshme: disa nga këto vepra janë shkruar me një stil “të zbukuruar”, disa të tjera me një mënyrë “naive” ose “të padjallëzuar”. Veprat letrare të Mesjetës i kanë gjykuar “interesante” jo si të tilla, por për aq sa ajo pasqyron tipare të jetës shoqërore (domëthënë atë e kanë gjykuar në perspektivën e historisë shoqërore, jo të historisë letrare), për aq sa ajo përmban të dhëna…”(2000:54), sugjeruar në librin “Poetika e Prozës”, që e zgjeron ndjeshëm gamën e qëmtimeve dhe të riformulimit të vlershmërisë së letërsisë. Vetëkuptohet që Budi, prapa vellos fetare, trajtoi jo pak motive, natyrisht si alegori e tërthortë, përmes stilemash poetike zgjoi admirimin e shqiptarëve për gjuhën shqipe dhe çeli hullinë e vetëdijes atdhetare.

Mjafton edhe fakti i thjeshtë që prej tij trashëgojmë një pasuri poetike në rreth tre mijë e dyqind vargjesh, gjithsesi të përftuara si kangë biblike (litani), e që padyshim prekin edhe ndjesitë emocionale. Aq më tepër që pjesa dërrmuese është realizuar nëpërmjet kadencave ritmike, konceptimeve poetike të vetëdijshme, si dhe figurshmërisë së lazdruar. Për të krijuar bindjen se ai është i pari poet i letërsisë sonë, me vetëdije artistike të shenjuar, është e nevojshme të thellohet depërtimi nëpër rrafshet tekstore të materies poetike. Ky proces shpeshtjellues kryhet vetëm nëpërmjet leximit të vjershave, të cilat do të duhet të vendosen në kontekst të

rrethanave krijuese, si dhe të atyre rrethanave ekzistenciale si poezi e kënduar për dobi të sakramenteve fetare.

Kryerja e këtij operacioni, përpos tjerash, paraqet vështirësi edhe për atë ç’ka sugjeron, që prej shumë kohësh T. S. Elot-i, tek shprehet: “…një shije të prapë të leximit rreth veprave artistike në vend se tëedukojmë shijen” (1982:36), në librin me Esse të zgjedhura.

Sai përket letërsisë së shekujve XVI dhe XVII dhe, përgjithësisht autorëve të periudhës së parë të letrave shqipe, është pranuar dhe pohuar, sidomos rëndësia e saj si fakt gjuhësor dhe historik. Kështu,lexohen ato, kështu mund të pajisemi me opinion në vendDhimitër Shuteriqi, në të përmuajshmen letrare, artistike,

shoqërore, politike, “Nëntori”, Nr. 12., e formulon qartë këtë aspekt, tek thekson: “Shkenca e ka çmuar atë letërsi kryesisht për vlerat gjuhësore dhe historiko – gjuhësore të saj, duke u ndalur pak në vlerat estetike që ajo ka, dhe në rolin e tyre në artin tonë të fjalës” (1989: 28).

Deri para pak kohësh, po edhe tani, në jo pak mjedise kjo periudhë nistore dhe tepër e vlertë, është heshtur si fakt letrar. Kuptohet vetevetiu se shija e prapë e leximit, sipas Eliotit, pra, duke i bërë verifikim social faktologjisë letrare, ka krijuar vakum dhe hendek përndarës ndërmjet periudhave të artshkrimit. Po ashtu,

po kjo shije e prapë e leximit, ka mënjanuar, pothuajse, si arketip letrar dhe krijimtarinë letrare, prozë dhe poezi, të Pjetër Budit, njërit prej lajmëtarëve të qytetërimit shqiptar. Më shumë sesa debatet, diskurset e stërholluara mbi këtë çeshtje, merr vlerë qasja në këndet tekstologjike të autorit. Rimarrja nëpërmjet leximit real, pra tekstologjik, më teper se borxh i pakthyer shkrimtarit, është një rrekje për të riformuluar panteonin letrar në gjuhën shqipe në kufijtë ndërkohor.

Lajtmotivi shtytës, pothuaj në të gjithë vargënimin e Budit, është nevoja për të kryer shërbesat fetare, patjetër në gjuhën shqipe, veçse të përcjellura me gjuhën e poezisë, herë-herë, tentojnë dhe arrijnë të shkëputen nga prirja utilitare dhe, jo rrallë kapin edhe caqe interesante, gjithnjë duke qëndruar brenda qerthullit të dyzuar,

poezi dhe rit fetar i kënduar, si një frymë motorike që ka ekzistuar në letrat shqipe kryesisht mesjetare, por edhe pas saj, si përfshirëse e shtjellave të kohës. Prandaj, ndriçimi i anëve interesante, gjellojnë nëpër tekstet e Budit, e vlen përpjekjen e sipërmarrë duk etentuar disa pikësynime:

Së pari: Leximi tërësor i krijimtarisë poetike, por edhe asaj në prozë, domethenë i të gjithë lëndës së vjershëruar, që gjendet në të tri librat, posaçërisht në DOKTRINËN, PASQYRËN dhe RITUALIN, tashmë si njësi unike.

Së dyti: Leximi i poezisë budiane, tanimë si fakt letrar, që ngërthen dukuri dhe faktologji konceptimi dhe figurshmërie.

Së treti: Leximi i pranisë së frymës poetike të autorit të parë në letrat shqipe ndërkohore.

Kuptohet që secili prej këtyre pikësynimeve, të parashtruara hapur, është paraparë në kontekst të alternativës së leximit, si një akt me disa rrafshe, që mundësohet nga natyra ndërkomunikuese e teksteve letrare. Poezia e Budit, gjithnjë brenda mbishtresimit fetar, vibrues, në sematikën që përfshin, mbase padashje, mbulon dhe pështjell shqetësimet e kohës së tij, sidomos shqetësimet e krijuesit, e mbi të gjitha poezia autoriale, që figuron ujdhesën e parë rrezëlluese, shenjon dhe paraqet parafytyrën tronditëse të plagëve të pafundme të trojeve arbërore, të përndara për të vuajtur.

Madje, në ndonjë rast, impenjimi shkrimor ngritet gjer në pika kulmore, si nër vargjet:

“Ku janë ata pleq bujarë

qi qenë përpara ne

e ata trima sqimatarë

të çpejtë si rrufe?

Ku janë ata letërorë

turtë e dies të dëgjuom

të bardha posi vdorë

letrat tue kënduom?”

(DOKTRINA.1986:73)

ku krejt qartë dhe shkoqur pyetjet retorike si figurshmëri, toni dhembshurak si ndjesi, nëpërkëmbja e krenarisë së vdarun, zbulohet drama dyfishe:

• e atdheut që lëngon në kthetrat e pushtuesit,

• paksa më e prekshme si ndjenjë, e poetit si njeri.

Mbase dhimbja personale ka shpirtëzuar edhe të parën, natyrisht, si përjetim që ka sjellë këmba e pushtuesit. Prandaj, poeti me “pavetëdije” sublime, i lutet vetes, iu përlutet dhe përgjërohet njerëzve që e rrethojnë, atyre që kanë veshë për të dëgjuar por edhe atyre që kanë sy për me pa. Ai u drejtohet përmes klithmës që rrok tashmërinë e poetit, por që mrekullishëm, statura e vargjeve, mesazhi përtejkohor, mbështjell ardhmërinë këndejkohore. Këtu dhe tjetërkund, në poezi dhe në prozë, Budi u përshpirtet njerëzve që kanë shpirt dhe mendje. Ky rezonim kreativ, moral dhe afektiv, transhendent për adresimin dhe formatimin shprehës, hyn në akord fare natyrshëm me fatin e kombit, të gjuhës dhe të kulturës shqiptare.

Ndërsa, episodet e marra nga Bibla, siç është përshkrimi i vrasjes së Abelit nga Kaini, përveç dramatizimit, dëshmojnë dhe për rravgime poetike, ku, larg retorikës, kemi shprehje të ngjeshura që zbulojnë aktin gjakatar përmes shkallëzimeve të njëpasnjëshme. Fakti se dorasi, ai që kryen veprën makabre, kujton që këtë krim

e kryen në fshehtësinë ma të madhe, kur realisht, pikërisht në ро ato çaste po e vëzhgon mbarë qiella, formëzon kontrastin më të bukur artistik dhe me disa shtresëzime njëherit.

Mbase, veçmas poetin në këto përfundime logjike të paqëllimta, gjithsesi endur nën ombrellën qëllimore, ku adresimi i këtillë, që nëpërmjet fokusimit të pasazhit biblik të aludojë plagën më të egër dhe shumëshekullore, vëllavrasjen, kësaj murtaje nga më të hidhurat, që mbillte vdekjen në trojet tona. Mbillte dhe po mbjell vdekjen,

në jug e veri, si një kukudh i keq, frikëndjellës, fatkob e pa një grimë idealiteti. Këtij makthi dhe kobi të zi, poeti i del krejt ballazi, me thirrje prekëse dhe shpresësjellëse, sidomos në vargjet:

“Shokëtë, fqinjëtë ti doni,

ambëlz tue argëtuom,

Gjanë taj shpenzoni

atyne me u ndihmuom.

Mos vidhni, mos kusëroni,

posi disa janë msuom

po tuajtë pa kujtoni

kush ka me na gëzuom.”

(DOKTRINA,1986:255)

Siç duket këto vargje, në kuptim të drejtëpërdrejtë, përcjellin porosi morale, aq të nevojshme për qenien njerëzore në çdo kohë, por artikulimi shestues dhe tingullor, bën që vetvetiu të kapërcehen kufijtë e një sentence thjeshtë fetare, dhe për më tepër të shpërndajë jehonë edhe përtej kohës shkrimore. Poezia ka si subjekt një episod nga jeta e Arbërisë, që në konceptin e Budit, ashtu si dhe të shkrimtarëve të tjerë të hershmërisë, shënon njësi përfaqësuese unike dhe tërësore.

Ajo, pra Arbëria, njëkohshëm shenjon atdheun, shenjon edhe vetëdijen atdhetare, duke u bazuar tek njësia e gjuhës, si materia e parë dhe themelore unitare. Fakti tjetër, domethënës dhe shenjëzues, që ky pasazh nuk haset në librin e Belerminos, i jep të tjera përmasa vetëdijes tërësore autoriale, padyshim edhe poetikës së realizuar

me vetëdije letrare.

Andaj, me bindje të kthjellët, mund të themi se vargjet e kësaj vjershe janë krejtësisht origjinale, të krijuara prej Budit me nuancime të qarta didaktike, përftuar si një klithmënajë gjithëkohore,përfshirëse dhe qarkuese, për ta rifutur edhe shqiptarin në shtigjet e qytetërimit.

Fjala poetike, përgjithësisht në vjershërimin e tij, si një artefakt letrar simbiozik, sentencë fetare dhe krijim letrar, plazmuar me natyrshmëri dhe organicitet, ide dhe dhimbca trishtuese, përmallim dhe shtysë, si dëshirë e shprehur për ndryshim, duke rrokur kështu disa shtresëzime domethënie:

Në radhë të parë: Ai, pra, poeti dhe prifti, pothuaj në nivel të barabitur, tek predikon me bukurinë e fjalës së gjuhës shqipe, rreket dhe ia arrin të sendërtojë vargënimine vetë, kryesisht si një teksturë sinkrete, poezi dhe këngëtim, çka e paraqet edhe më hyjnor famulltarin tek flet poetikisht.

Në radhë të dytë: Shqipen e bukur, gjuhën plot ngjyra dhe muzikalitet tronditës, me tharm natyral letrar, Budi dhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë së shekujve XVI dhe XVII-të, e shkëputën prej pelenave të mjegullta, duke e bërë mjet komunikimi të kishës, formë kumtuese të kulturës dhe të letërsisë.

Në radhë të tretë: Mesazhet e pranishme, gjithnjë prekëse dhe shkulmuese, drithëruese dhe njerëzore, adresohen hapur në palcën e qenies. Prandaj ato shestime, si mbishtresim i kapshëm, kanë

edhe fuqinë e ngacmimit të shpresave dhe ëndrrave, aspiratave dhe dëshirave flakëruese, aq shumë dobiprurëse për humanitetin si formante komunitare dhe individuale.

Në radhë të katërt: Një gjuhë, në kryeherë, zakonisht shpërfaqet në trajtën e folur, patjetër si forma e parë dhe thelbësore e saj, por artikulimi në nivel shkrimor e, sidomos kur shërben si gjuhë kulture dhe arti, poezi a prozë, asohere ajo gjuhë fiton pavdekësi si dukuri.

Këto shtresëzime, thuajse të pranishme në të gjithë vargëzimin e Budit, madje si një kod, gati i përputhur, ndërmjet artefaktit gjuhësor dhe letrar, janë potencuar, përpos të tjerash, edhe prej adresimit autorial të trefishuar!

Filed Under: LETERSI

Përpjekjet e SHBA-së dhe John Ratcliffe në Ballkan dhe Kosovë

January 29, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

John Ratcliffe dhe ndikimi i tij në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor gjatë administratës Trump

John Ratcliffe, gjatë mandatit të tij si Drejtor i Zbulimit Kombëtar (DNI) në administratën e Donald Trump (maj 2020 – janar 2021), luajti një rol kyç në formësimin e politikave të sigurisë dhe mbështetjes strategjike të SHBA-së në rajone me interes strategjik, si Ballkani Perëndimor dhe Republika e Kosovës. Duke udhëhequr një rrjet të gjerë agjencish inteligjente, përfshirë CIA-n dhe NSA-n, Ratcliffe ofroi informacion dhe analiza të thelluara që ndikuan drejtpërdrejt në vendimmarrjen e politikës së jashtme të administratës Trump.

Mbështetja për sovranitetin e Kosovës dhe njohjet ndërkombëtare

Një nga prioritetet e administratës Trump në Ballkan ishte mbështetja për sovranitetin e Kosovës dhe nxitja e njohjeve ndërkombëtare për të. Ratcliffe dhe agjencitë që mbikëqyrte, përmes analizave dhe aktiviteteve të inteligjencës, ndihmuan në identifikimin e sfidave dhe kërcënimeve që Kosova përballej në këtë drejtim.

Marrëveshja e Uashingtonit (shtator 2020)

Në shtator 2020, Marrëveshja e Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfaqësoi një moment kyç për rajonin. Përpjekjet për arritjen e kësaj marrëveshjeje u mbështetën nga inteligjenca amerikane, e cila ofroi analiza mbi ndikimin e jashtëm dhe sfidat e brendshme që kërcënonin procesin e dialogut. Ratcliffe u sigurua që informacionet mbi përpjekjet destabilizuese nga Rusia dhe Kina, të cilat synonin të pengonin normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të përdoreshin për të krijuar kushte më të mira për suksesin e marrëveshjes.

Kjo marrëveshje përfshinte elementë ekonomikë, si ndërtimi i hekurudhave dhe autostradave që lidhin dy vendet, dhe kishte për qëllim të zvogëlonte varësinë e rajonit nga aktorët e jashtëm destabilizues.

Strategjia për njohjet ndërkombëtare

Inteligjenca amerikane, nën drejtimin e Ratcliffe, monitoroi përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të bllokuar njohjet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në vitin 2020, raportet treguan se Rusia përdorte fushata dezinformuese dhe lobim agresiv në Kombet e Bashkuara për të bindur disa shtete të tërhiqnin njohjet e Kosovës. Përmes ekspozimit publik të këtyre përpjekjeve dhe mbështetjes diplomatike, SHBA ndihmoi në ruajtjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës.

Kundërshtimi i ndikimit rus dhe kinez në rajon

Rusia dhe Kina, si dy nga kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, kanë shfrytëzuar dobësitë politike dhe ekonomike të rajonit për të rritur ndikimin e tyre. Ratcliffe, përmes mbikëqyrjes së tij strategjike mbi inteligjencën amerikane, siguroi që informacionet për këto përpjekje të ndaheshin me aleatët rajonalë dhe të parandalonin veprimet e dëmshme.

Ekspozimi i ndikimit rus

Në fund të vitit 2020, inteligjenca amerikane zbuluoi përpjekje të koordinuara nga Rusia për të përdorur platformat e mediave sociale dhe kanalet diplomatike për të përhapur dezinformata mbi Kosovën dhe për të minuar dialogun me Serbinë. Këto fushata kishin për qëllim të thellonin ndarjet etnike dhe të rrisnin tensionet politike. Raportet nga DNI ndihmuan qeveritë në rajon dhe partnerët ndërkombëtarë të neutralizonin këto aktivitete.

Projekti kinez “Rruga dhe Brezi”

Kina vazhdoi të ofronte projekte infrastrukturore në Ballkan përmes iniciativës së saj globale “Rruga dhe Brezi”, e cila shpesh shihet si një mjet për rritjen e ndikimit ekonomik dhe politik të Pekinit. Nën drejtimin e Ratcliffe, agjencitë amerikane siguruan analiza mbi rreziqet e mundshme të këtyre projekteve për Kosovën dhe rajonin, duke ndihmuar partnerët lokalë të shmangnin varësinë ekonomike nga Kina.

Siguria dhe lufta kundër terrorizmit

Kosova ka qenë një partner i rëndësishëm i SHBA-së në luftën kundër terrorizmit, duke u fokusuar në parandalimin e radikalizimit dhe riintegrimin e shtetasve të kthyer nga zonat e konfliktit.

Riatdhesimi nga Siria (2020)

Në vitin 2020, Kosova realizoi një operacion të madh për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, përfshirë gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e ISIS-it. Ky operacion u mbështet nga inteligjenca amerikane, e cila ofroi informacion mbi sigurinë dhe lokacionet e saktë të personave të kthyer. Ratcliffe luajti një rol të rëndësishëm në sigurimin e analizave të detajuara për të garantuar suksesin e këtij operacioni humanitar dhe të sigurisë.

Neutralizimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë sfida të vazhdueshme për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit. Ratcliffe, përmes mbikëqyrjes së agjencive të inteligjencës, ndihmoi në identifikimin dhe luftimin e rrjeteve kriminale që operonin në rajon.

Operacionet kundër trafikut të drogës

Në vitin 2020, inteligjenca amerikane ndihmoi autoritetet kosovare në çmontimin e disa rrjeteve të trafikut të drogës dhe armëve, të cilat kishin lidhje ndërkombëtare. Këto përpjekje jo vetëm që forcuan sigurinë e brendshme të Kosovës, por edhe rritën besimin e saj si një partner strategjik i SHBA-së.

Gjatë kohës së tij si Drejtor i Zbulimit Kombëtar, John Ratcliffe luajti një rol thelbësor në mbështetjen e interesave amerikane në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Përmes mbikëqyrjes së inteligjencës amerikane, ai ndihmoi në promovimin e sovranitetit të Kosovës, forcimin e sigurisë rajonale dhe kundërshtimin e ndikimit të aktorëve destabilizues si Rusia dhe Kina. Raste konkrete si Marrëveshja e Uashingtonit, riatdhesimi nga Siria dhe lufta kundër krimit të organizuar janë dëshmi e rëndësisë së rolit të tij në formësimin e politikave strategjike të administratës Trump për rajonin.

II.Aktualisht, situata politike dhe diplomatike që lidhet me Kosovën vazhdon të jetë komplekse, me një sërë sfidash dhe mundësish në raport me zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale. Pritjet për hapat që mund të ndërmerren në çështjen e Kosovës varen kryesisht nga tre shtyllat kryesore: dialogu Kosovë-Serbi, dinamika e marrëdhënieve me fuqitë ndërkombëtare (SHBA, BE, Rusia, Kina) dhe funksionalizimi i shtetit brenda kornizës ndërkombëtare.

Dialogu Kosovë-Serbi: Një moment kritik për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur në një fazë të vështirë për shkak të tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës dhe refuzimit të Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Aktualisht, priten hapa konkretë në këto drejtime:

a) Zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë

Një nga çështjet qëndrore është zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë në Bruksel dhe në Uashington, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Bashkimi Evropian po ushtron presion që të arrihet një marrëveshje për implementimin e asociacionit, ndërsa Kosova po insiston që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e saj, duke shmangur krijimin e strukturave që do të minonin sovranitetin e shtetit.

b) Angazhimi i Shteteve të Bashkuara

Me inaugurimin e administratës së re të Donald Trump në janar 2025, pritet që SHBA të ketë një qasje më aktive në procesin e dialogut. Trump dhe ekipet e tij, përfshirë figura si John Ratcliffe, mund të ushtrojnë presion mbi të dyja palët për të arritur një marrëveshje historike. SHBA mund të fokusohet në një marrëveshje që përfshin njohjen reciproke, të mbështetur nga angazhime ekonomike dhe politike, për të ulur ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

c) Zgjidhja e tensioneve në veri të Kosovës

Incidentet e vazhdueshme në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përfshirë barrikadat dhe përleshjet, kanë bërë që ky rajon të jetë një pikë kyçe për sigurinë e përgjithshme. Aktualisht, NATO dhe KFOR po mbajnë një prani të shtuar, dhe pritet një angazhim më i madh për të zbutur tensionet dhe për të garantuar stabilitetin.

Rritja e bashkëpunimit me fuqitë ndërkombëtare

a) Roli i SHBA-së në mbështetje të Kosovës

Administrata Trump e ka theksuar prioritetin e saj për t’u përballur me ndikimin rus dhe kinez në Ballkan. SHBA pritet të rrisë mbështetjen e saj për Kosovën përmes:

Mbështetjes diplomatike për njohje të reja ndërkombëtare.

Kosova ende nuk është njohur nga pesë vende të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia, dhe Rumania). Pritet që SHBA të punojë me këto vende për të garantuar njohjen e Kosovës si pjesë e integrimit evropian.

Forcimi i bashkëpunimit ushtarak.

SHBA mund të thellojë marrëdhëniet e saj ushtarake me Kosovën përmes trajnimeve, furnizimit me pajisje dhe rritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

b) Roli i BE-së dhe pengesat nga brenda

BE mbetet ndërmjetësi kryesor në procesin e dialogut, por mungesa e unitetit brenda vetë unionit ka krijuar sfida. Greqia dhe Spanja po sinjalizojnë mundësinë e një qasjeje më pozitive ndaj Kosovës, gjë që mund të nxisë një përparim në procesin e njohjeve.

c) Kundërshtimi i ndikimit rus dhe kinez

Kosova mbetet një objektiv për ndikimin destabilizues të Rusisë dhe Kinës, veçanërisht përmes Serbisë. Pritet që SHBA dhe BE të punojnë për të ekspozuar dhe parandaluar këto ndikime përmes sanksioneve dhe mbështetjes politike e ekonomike për Kosovën.

Përshpejtimi i integrimit ndërkombëtar të Kosovës

Kosova po kërkon me ngulm anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, INTERPOL dhe UNESCO, por Serbia dhe aleatët e saj vazhdojnë të bllokojnë këto përpjekje. Në 2025 pritet:

a) Nxitja e aplikimeve të reja

Kosova po planifikon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me shpresën se mbështetja e aleatëve evropianë dhe SHBA-së do të mjaftojë për të tejkaluar kundërshtimet e disa shteteve.

b) Lobimi për njohje të reja

Me ndihmën e SHBA-së, Kosova mund të punojë për të rikthyer njohjet që janë tërhequr për shkak të fushatës diplomatike të Serbisë dhe Rusisë. Përpjekjet do të fokusohen kryesisht në Afrikë, Azi dhe Karaibe.

Funksionalizimi i shtetit të Kosovës

Kosova duhet të fokusohet gjithashtu në përmbushjen e standardeve demokratike dhe shtetndërtimit për të forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar. Prioritetet kryesore do të jenë:

Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.

Këto masa janë thelbësore për të bindur BE-në dhe aleatët perëndimorë për përkushtimin e Kosovës ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve.

Pritet që Kosova të forcojë marrëveshjet ekonomike ndërkombëtare, duke përfshirë investimet amerikane në sektorin e energjisë dhe teknologjisë.

Në situatën aktuale, Kosova përballet me një moment të rëndësishëm historik. Aktivizimi i administratës Trump dhe presioni i aleatëve evropianë mund të sjellin përparime në dialogun Kosovë-Serbi dhe në njohjet ndërkombëtare. Megjithatë, suksesi do të varet nga angazhimi i vetë institucioneve të Kosovës për të forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar, duke ruajtur sovranitetin dhe stabilitetin e brendshëm.

Filed Under: Politike

17 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Ambasador Blerim Reka ligjeratë para studentëve të NY Law School në New York

January 29, 2025 by s p

Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ambasador Blerim Reka mbajti një ligjeratë para studentëve të NY Law School në New York për ti njohur me rrugëtimin, sukseset dhe sfidat e shtetit e qytetarëve të Kosovës. Në faqen zyrtare Ambasador Reka shkroi: “Ne vigjile të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot në NY Law School, në ligjeratën e moderuar nga profesoresha e njohur e së drejtes ndërkombëtare Ruti Teitel, u fola studentëve për rrugëtimin e Kosovës, nga lufta çlirimtare në shtet funksional.

Pas një shekulli kolonizim, aparthejd e gjenocid të Serbisë kundër popullit shqiptar, sot Republika e Kosovës është rrëfim i sukseshëm i shtet-ndërtimit demokratik, vendi më pro-amerikan dhe modeli më i avancuar kushtetues për mbrojtjen e pakicave”.

Filed Under: Analiza

Kadare mes ikjes dhe ardhjes!

January 29, 2025 by s p

Agron Gjekmarkaj/

Duket sikur Shqipëria është çliruar nga Patriarku i eperm kulturor i saj Ismail Kadare dhe ditëlindjet e tij shnderrohen në datë rutinore!

Ikjen dhe ardhjen i ndajnë pak muaj !

E para pa kthim e dyta është ngrirë! Mjafton të gervishtesh pak kujtesen për të kuptuar sa banale ja bëmë percjelljen në të pertejmen botë!

Një kontrast i madh me dhimbjen që ndiente kombi, me respektin që shfaqte Franca, me lajmin që percillte Europa dhe Bota!

Kryeministri vuri veten në qënder të ceremonise funebre dhe nga podiumi mortal zihej me të gjithë ata që i kerkonin dy metra dhe të dënja per gjeniun e letrave!

Merzia e tij për këtë “maraz”duhej të merrej në konsideratë më shumë se pershpirtja apo reflektimi per jeten pas vdekjes së Kadaresë!

Askush nuk pat mundesi ta nderonte me një fjale dinjitoze rasti, as Kryeministri i Kosoves as Akademia e Shqiperise as ajo e Frances e Kosoves , as shtepia botuese e as botuesit e “Fajar” e të “Onufrit” asnje nga perkthyesit e tij të gjuheve të medha, as një shkrimtar i shquar shqiptar apo i huaj!

U panë në atë perzierje dhimbje e dukjeje shumë ministresha që kerkonin vemendje, rrol e sqimë në skenen e perkoheshme të vanitetit të tyre meskin!

Ngjanin shume syresh si personazhe që nglumueshem kerkonin të merrnin pakësa nga madheshtia e mjeshtrit !

Ndoshta nga kjo ditëlindje duhet te nisemi për të ndrequr diçka në ndergjegjen tonë jo për Kadarene të cilin Qeveria e çoi dhe po e lë në Tufinë pertej zotimit solemn për ti realizuar atij të merituarin vënd per prehjen e madhe!

Historia jonë shpesh tragjike na bëri të harrojmë per shumë shekuj edhe themeluesin politik të identitetit shqiptar Gjergj Kastriotin -Skenderbeun! E ruajti Europa kujtimin e tij dhe na e ktheu kur na duhej për të bërë shtetin e gjetur shtizen ku te varej Flamuri i Pavarësisë kombetare!

Fatalitetet e kohes dhe komlekset marroke të një vëndi të vogel mund ti rezervojnë një vënd të ngjashem edhe Kadaresë perkufizuesit të identitetit kulturor të shqiptarve në modernitet!

Kadare është një shkrimtar europian dhe rri si i tillë në të ardhmen por të gjithëve ne na duhet per vete dhe femijet tanë edhe si shkrimtar shqiptar si katalizator i kultures se deritanishme dhe themel i ngrehines të së ardhmes!

Ditëlindjet e tij janë shelbese per shpirtin dhe mendjen tonë! E kotë ti themi ministrit rrondokop të kultures që do duhej filluar kjo ditë me themelimin e Institutit Kadare si politike kulturore si nevojë jonë e jona per lavdinë e tij dhe me fjalen publike per dy metrat që ja mohuam se kur e ku do ja japim!

“Top-Channel”.

Filed Under: ESSE

“Porosia e Kullës” u promovua në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”*

January 29, 2025 by s p

Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Departamenti i Letërsisë, nën kujdesin e pedagoges Elindë Dibra, dhe në bashkëpunim me dy klubet studentore “Arshi Pipa” dhe “Ernest Koliqi”, organizoi një takim me z. Pashko Camaj, sekretarin e përgjithshëm të Federatës Panshqiptare Vatra dhe autorin e librit “Porosia e Kullës”. Identiteti, trashëgimia, jeta në shtetin amerikan, emigracioni si dukuri, integrimi dhe rikthimi në atdhe ishin temat kyçe të bashkëbisedimit.

Pedagogia Ledri Kurti, duke analizuar veprën, vuri theksin te elementet sa letrare, aq edhe identitare që e formësojnë atë. I pranishëm në takim ishte edhe përkthyesi i veprës, z. Nikoll Camaj, njëkohësisht nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi. Fragmente nga vepra u sollën nga studenti Marjo Gjini.

Të pranishmit u mirëpritën nga rektori Gjuraj. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësinë e bashkëpunimit mes Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe Federatës Panshqiptare Vatra.

*Marrë nga faqja zyrtare e Universitetit “Luigj Gurakuqi”

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT