• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

NJË TRIPTIK I PAAUTORIZUAR NGA KADAREJA

February 10, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

(Romanet “Shkaba”, “Spiritus” dhe “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”)

Vepra e Kadaresë është një kompleks i madh ndërtimor, me artere dhe kapilarë të shumtë që i lidhin romanet me njëri-tjetrin si pallatet e një blloku apo si dhomat e një labirinthi. Këto artere mund të jenë tematike dhe këtu mund të grupojmë romanet me “çati” osmane, ose me “kolona” nga antikiteti grek, mund të jenë me rimarrje karakteresh siç ndodh te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Nëntori i një kryeqyeti”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit”, etj. Edhe tre romanet e mëposhtme kanë disa kapilarë lidhës, si: periudha e njëjtë kohore e diktaturës komuniste, lufta e klasëve me mekanizmin e biografive, përpjekjet e dëshpëruara individuale për të dalë matanë klonit të kufirit, etj.

Romani “Shkaba” (1996)

Nga që ka vetëm 100 faqe me një shkrim më të madh nga i zakonshmi, romanin “Shkaba” mund të lexohet me një frymë. Autori kishte paralajmëruar diçka që te përmbledhja “Ftesë në studio” duke u ndalur te përralla e Qerozit që ngjitet nga bota e poshtme mbi shpinën e një shkabe dhe kërkon mish pas çdo kra-kraje. Vjen kjo gjetje domethënëse për një dukuri të rëndomtë në vitet e diktaturës: largimi nga  kryeqyteti i të padëshiruarve dhe degdisja në qytete provincialë, ose internimi nëpër fshatra. 

Romani ka mjaft elementë surealistë, por do të qëndroj te realizmi, pasi gjatë atyre orëve që zgjati rileximi, më mbërtheu një ndjesi e trishtë ngaqë rrugëtimi im profesional ka disa ngjashmëri me Maksin e “Shkabës”. Ai përfundoi te ai qytet i vogël dhe u strehua në hotel se nuk kishte pranuar të bënte konformistin. Bashkë me Tiranën, humbi edhe Anën; Ana tjetër që njohu, ishte gjithashtu e dëbuar, prandaj shpresat për t’u ngjitur atje lart ishin zero. Kishte dy mundësi për të dalë nga humbella ku kishte rënë: ose të fillonte të shkruante letra pendestare derisa të prekte zemrat e qeveritarëve të lartë, ose të arratisej. E para dukej e pamundur, pasi rëniet vazhdonin: përveç Anës, aty përfundon edhe Gazmend Hila, aty qëndron për një kohë edhe shkrimtari Skënder Bermema; pas ca kohësh aty vijnë edhe disa nga ata që kanë qenë ekzektutorë të të dëbuarve të mëparshëm. Ja pse Maksi kërkon zgjidhjen e dytë, të niset drejt liqenit prej të cilit ishin larguar shumë njerëz të tjerë që nuk e gjenin më veten të dëshirueshëm në shoqërinë ekzistuese. Ishte ajo zgjidhja e përrallës me Qerosin, po duke qenë përrallore, rezulton fatale, donkishoteske. Në një gjendje të turbullt mendore, duke shfrytëzuar mungesën e rojeve te kopshti zoologjik, hap kafazin e shkabës dhe…

Kjo tregon se sistemi i diferencimit të njerëzve në diktaturën e proletariatit kishte hyrë në një udhë pa krye dhe nuk ofronte asnjë zgjidhje. Mjerisht, edhe sot vazhdon të ndodhë e njëjta gjë, lufta për pushtet dhe babëzia për të gllabëruar sa më shumë të ardhura nga pasuria publike, po mban peng sistemin e vlerave.

Romani “Spiritus” (1996)

“Shqipëria e braktisur, pa gojë, e padëgjuar nga kurrkush, kaq të fortë e pati ahtin që donte të nxirrte, saqë një natë tetori ai aht e bëri baltën të fliste sikur të kishte shpirt.” (f. 256)

E sjell këtë citim nga kjo vepër e pazakontë “…jo vetëm për nga tharmi, por nga gjithçka: nga brumi, mënyra e ngjizjes, ndërtimi”, (f. 237) pasi, si rrallëkund, autori ka dhënë shpjegime për veprën në pjesën e fundit të saj. Konkluzioni: “Një transplantim i variantit kinez të përgjimit nga romani “Koncert në fund të dimrit” që kulmon me një përkitje zhvarrimi.” Në pjesën e tretë dhe të fundit të veprës “Çmërs”, autori jo vetëm e pohon këtë, por të befason: E kundërta kishte ndodhur – një “zëth”  ishte marrë nga Shqipëria dhe ishte kinezëruar “çjentiçia”, në pritje për t’u sjellë në vendin e origjinës; Shpend Guraziu ishte quajtur Van Mei, Arian Vogli ishte bërë shefi Çzhan, dobësimi i vështrimit të diktatorit këtu përthehet si sëmundje e Maos atje. Kjo zhvendosje e largët te “Koncerti” mban brenda blasfemi që mund të kapen vetëm sot. Kinezi Van Mei thotë: “Jeta e tyre (shqiptarëve – K.N.) ka për t’u tharë si jona. Atëherë do ta vënë re llahtarën, por ç’e do, do të jetë vonë.” (Koncert në fund të dimrit, 1988, f. 470) Në leximin tim të parë para njëzet e ca vjetësh nuk e kisha vënë re këtë lidhje mes dy veprave, madje nuk më ishte fiksuar përdorimi i kahershëm i “çimkave” të sotme.

Pas romanit “Shkaba” me 100 faqe prisja që libri i radhës të ishte sintetizuar në 150 faqe. Ngjarjet janë lokalizuar në qytetin B. në vitet 1980-83. Shfaqja e dramës “Pulëbardha” të Çehovit trand jetën e banorëve dhe kthehet në test për syçelësinë e diktaturës në kushtet kur teposhtja ekonomike po kërciste gjithnjë e më shumë. Për të ruajtur klimën e terrorit në popull, në funksion të mbajtjes së pushtetit, krahas spiunëve të zakonshëm, fillon përdorimi i teknikave të regjistrimit. Shumë prej njerëzve, duke më përfshirë edhe mua, nuk e dinin se ekzistonte një kontroll i tillë, përgjuesit ishin armë ekskluzive e sigurimit të shtetit. Aksioni ngrihet në grotesk kur Xhelo Vranishti, veterani i përkëdhelur i partisë, kërkon një zëth për t’ia vënë shemrit të vet, Arif Dukës, i cili, “pasi merrte vrull nga rakia, s’linte rast pa ngritur veten e pa ulur vlerat e Xhelos në luftë.” Krejt ndryshe ndodh me ata që e ndejnin se ishin objekt i survejimit: e shfrynin zemërimin mbi rrobat ku mund të futej përgjuesi duke i futur në makinat larëse me temperaturë të lartë, i hekurosnin egërsisht, prisnin që duke i shtypur, të kërcisnin si morrat. Si mjeshtër i selitjes së gjuhës, autori krijon edhe një familje kuptimore fjalësh posaçërisht për ta: zëtha, princër, insekte të shtetit, veshët e vdekjes, sakrofagth, të gjorthit, të vogëlthit, zëthiana, zëthavënës, zëthaheqës, etj.

Ky angazhim policor i sigurimit të shtetit, nuk është një nismë nga poshtë, siç ndodhte me trumbetimin që u bëhej nismave revolucionare të masave punonjëse, por një porosi nga maja e piramidës, shoqëruar me marrëveshje për importimin e pajisjeve nga Kina. Për herë të parë Enver Hoxha vështrohet përmes një qelqi me të cilin vëzhgohet eklipsi diellor: nuk përmendet asnjëherë me emër, por vetëm si diktatori, udhëheqësi, Ai. Për herë të parë në një vepër të Kadaresë del edhe gruaja e diktatorit për t’i dhënë mjaft hapësirë në kapitullin XIII me komisionin e dhuratave për udhëheqësin me rastin e 75-vjetorit të lindjes. Vepra kulmon pikërisht këtu, kur Arian Vogli, shefi i sigurimit të qytetit, do t’i bëjë dhuratë ‘Princin 017B’, nxjerrë nga varri i inxhinierit elektrik Shpend Guraziu, ku gjendet jo vetëm prova e seancës së spiritizmit, por edhe një copëzë kumt për Perëndimin, çka përbën zbulesë të përpjekjeve të armiqve të jashtëm kundër pushtetit popullor, kundër Shqipërisë socialiste. Po aty ka dhe një qoshkëzë për dytsin (sozinë) e udhëheqësit.

Personazhe si Edlira Gjikondi, Suzana Kraja, Skënder Morina, ndihmës Naumi, mjeku H. janë thjesht garniturë e veprës; venitja e seksit të grave, përçudnimi i gjuhës, dhjetëra njerëz që përfunduan në internim ose në burgje janë pasojat e tmerrshme të situatës së nderë deri në trokitjen e demokracisë. 

Romani “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” (2002)

Te romani “Spiritus” ka një detaj të vogël, në dukje të parëndësishëm: “Një aktor e vranë me armë gjahu mu në mes të rrugës” (f. 18), kurse në faqet 20 dhe 21 jepen edhe të dhëna të tjera, pa u përmendur emri. Pikërisht ky aktor i vrarë është personazhi kryesor i romanit “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” që merr shtysë nga vrasjet në kufi në fund të viteve ’80 të shekullit të shkuar. Me siguri autori, përveç mbështetjes mbi ndonjë ngjarje të vërtetë, ka patur në dorë edhe materiale të tjera, çka mund të kuptohet nga dëshmitë në prokurori në fund të disa kapitujve, madje më duket sikur emrat e të vrarëve që jepen në fund të veprës, janë realë.

Shqipëria e atyre viteve ishte futur në një qerthull rrënimi ekonomik që mbulohej me një propogandë agresive, saqë shumë njerëz rrugëdaljen filluan ta kërkojnë përtej kufirit duke e paguar shpesh me çmimin e jetës. Lul Mazreku nga qyteti B. nuk ia del të vazhdojë Institutin e Arteve dhe i duhet të shkojë ushtar në Sarandë. Ende pa u nisur, një nga shokët e vet, Nik Balliu, ia fut xanxat e arratisë. Paralelisht, Vjollca Morina, vajzë nga kryeqyteti, stazhiere në Bankën Kombëtare, duke shfrytëzuar një njollë në jetën e saj, rekrutohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dërgohet në Sarandë në sezonin e plazhit për të zbuluar ata që kishin në mend të arratiseshin. Rritja e numrit të të arratisurve ka alarmuar majën e piramidës shtetërore dhe partiake dhe një prej komandantëve të kufirit jep idenë e rritjes së terrorit ndaj banorëve duke ekspozuar të vrarët në kufi. Në mungesë të një kufome, Lul Mazreku pranon të luajë rolin e parë dhe të fundit në jetën e tij duke u shtirur si i vdekur në një varkë, në këmbim të liridaljes për të takuar Vjollcën.

Rrënimi ekonomik ka sjellë edhe një degradim të gjuhës së komunikimit mes të rinjve, ushtarëve dhe femrave të rekrutuara duke krijuar një vathë fjalori vulgar të pazakontë në veprat e Kadaresë: “qytet i pjerdhur, atë plaçkën e ka si llokum,  të lëroj nënën, i preku herdhet, ca pordhacë, lugu që sajohej midis kofshëve… mbyllja e rrumbullaktë pak më poshtë i ngjante një kopse ngjyrë kafe me ca rrudha e qepje anash… po ti qenke trap fare, na çave bythën me këtë, mos të dukem gjë si byths? unë të shkërdhej nënën! mos hodha ndonjë pordhë? t’i ruajnë bythën, fol, shkërdhatë, mos kakarisni, moj lavire.” 

Në antitezë me këtë fjalor agresiv, gjithçka ndryshon rrënjësisht kur flitet për Butrintin dhe lidhjet e tij me antikitetin, një urë lidhëse me Trojës dhe Romës, me pandehmat se këtu mund të ketë ndaluar vetë Enea. Duke vënë historinë e këtij vendbanimi të lashtë si libër në duart e Vjollca Morinës, Kadare gjen rastin për t’u rikthyer në Trojë nga ku është ndezur zjarri që i ka dhënë jetë jo vetëm letërsisë greke, por edhe asaj botërore.

Përfundimi më i rëndësishëm pas këtij rikthimi në universin kadarejan është më i qartë se çdo herë: vepra e Kadaresë duhet rilexuar.

Filed Under: LETERSI

REVISTA FINLANDEZE (1935) / IRJA SPIRA : “TAKIMI IM NË TIRANË ME IKBAL ÇIKËN, GAZETAREN E PARË DHE TË VETME NË SHQIPËRI.”

February 10, 2025 by s p


Irbal Çika (Ikbal Çika), gazetarja e vetme femër në Shqipëri — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10
Irbal Çika (Ikbal Çika), gazetarja e vetme femër në Shqipëri — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Shkurt 2025

Revista finlandeze “EEVA” ka botuar, me 1 dhjetor 1935, në faqet n°10 – 11, shkrimin e gazetares Irja Spira për Ikbal Çikën dhe rolin e gruas shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Motrat tona në Shqipëri

Për Evën, Irja Spira

Irbal Çika (Ikbal Çika), gazetarja e vetme femër në Shqipëri — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10
Irbal Çika (Ikbal Çika), gazetarja e vetme femër në Shqipëri — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10

Para disa vitesh ishte një telegram i shkurtër që më tërhoqi vëmendjen për ekzistencën e femrave shqiptare. Ky tregonte se si këto motrat tona të largëta kishin ngritur një kundërshtim kaq të fortë ndaj zyrtarëve shqiptarë dhe zotërinjve të “shoqërisë” në përgjithësi që kërkonin të martoheshin me gra të huaja, sa që parlamenti kishte ndërhyrë dhe kishte miratuar një ligj që ndalonte këtë stratagjem për çdo zyrtar, ligj që mbreti, i cili përndryshe ishte i angazhuar kronikisht në planet e martesës, dhe që për këtë arsye nuk hyri kurrë në fuqi.

Zot i shenjtë, mendova me vete, atje ka vetëm gra ! Dhe verën e kaluar, kur më duhej të shkelja nëpër fshatrat shqiptare, detyra ime e parë ishte t’i fusja në dylbi.

Por nëse meshkujt shqiptarë, e kam fjalën sigurisht për njerëzit e zakonshëm, që janë shumicë në çdo vend, nuk jetojnë jashtë, ose të paktën nuk e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në udhëtim dhe rrugëve, atëherë seksi i bukur i këtij vendi ka një aftësi të mrekullueshme për të mbetur i padukshëm. Makina me të cilën unë dhe diplomati i ri shkuam me shpejtësi nga porti për në kryeqytet kalonte herë pas here pranë një krijese të mjerë me vello (ferexhe), por shoqëruesi im i ri kishte aq shumë gjëra interesante për të folur në atë moment sa as që vura re se krijesa që po kalonim ishte gruaja shqiptare që kërkoja.

Vetëm kur ishim në Tiranën e kuqërremtë, një diplomat më kapi për dore, duke më treguar me gisht një kafene parku që ndodhej në mes të qytetit, pranë bashkisë, ku një kamariere e re, e veshur me rroba të lehta lëvizte nga tavolina në tavolinë.

— Shiko, aty mund të shohësh një shqiptare. Gruaja ishte e mrekullueshme dhe qëndrimi i saj ishte princëror.

Lëvizjet e saj ishin fluide dhe të qeta. Fustani, i cili mbante shenjat e një gërshëre të mirë rrobaqepësi, i mbërrinte deri te kyçet e këmbës. Gjithashtu nuk kam parë kurrë një kamariere të mbante një tabaka kaq lart : në lartësinë e shpatullave, në pëllëmbën e dorës së djathtë, si një vazo.

Po atë mbrëmje u ula në atë kafene dhe së shpejti bisedova me këtë kamariere të bukur, e cila, sinqerisht, ishte si një devijim i kohës në mes të Tiranës mesjetare me xhamitë, pazaret, plisat dhe ferexhet e saj.

— Ah, zonja e hirshme flet gjermanisht !

Pasthirrma erdhi nga thellësia e zemrës sa nuk do të kisha nevojë për ndonjë shpjegim tjetër për të kuptuar se kamarierja e bukur e tipit grek në Tiranë ishte gjermane.

Ishte vetëm një hap i shkurtër për të arritur në përfundimin se në Shqipëri nuk kishte femra “fallxhore”. Edhe pse të gjithë me të cilët kontaktova gjatë gjithë ditës bënë çmos për të më shpjeguar se shqiptaret nuk kanë asnjë arsye për t’i pasur zili motrat e tjera evropiane në asnjë mënyrë : kur janë të pamartuara, asgjë nuk i detyron të bëjnë jetën morale, të vyshkur të një shërbëtoreje të vjetër; kur janë të martuara, kanë të drejtë t’u buzëqeshin pak të tjerëve sesa të dashurit të tyre dhe si një shenjë shumë e veçantë kulture, përmendej se në Shqipëri është një vajzë e re që është vërtet vajzë, në prag të zhdukjes.

Por pavarësisht gjithë këtyre historive, askush nuk dukej i gatshëm të më prezantonte me gruan, vajzat, motrat apo të afërmit e tjerë femra, për të cilat thuhej se të gjitha kishin udhëtuar në një vend të largët në atë kohë.

Nëse nuk do të kisha pasur mundësi të njihja Ikbal Çikën, gruaja shqiptare do të kishte mbetur një mister i përjetshëm për mua. Ikbal Çika është gazetarja e parë dhe e vetme në Shqipëri dhe gjithashtu gruaja e parë myslimane në vend që refuzon të mbajë ferexhenë. Ajo është një vajzë e vogël brune, plot energji, e cila në shikim të parë shihet se është shumë më e aftë me stilolaps sesa, le të themi, me gjilpërën.

S’kaloi shumë kohë, Ikbal Çika më shpjegoi se të gjitha gjërat që nuk më kishin thënë për gratë shqiptare ishin marrëzira. Megjithëse ligjet moderne shqiptare hapin dyert e pothuajse të gjithë sektorëve për gratë, ato nuk kanë të drejta politike – vendi po përjeton një regres të ngjashëm me atë të Turqisë dekada më parë, gjë që e bën të pamundur emancipimin e grave. Përveç mësueses dhe infermieres, në Shqipëri janë edhe disa nëpunëse civile, një mjeke, e cila noton në flori, sepse një mysliman paragjykues nuk lejon që gruaja apo vajza e tij të kontrollohen nga një mjek mashkull dhe më pas, Ikbal Çika. Këto femra shqiptare zakonisht janë rritur jashtë vendit, prandaj nuk janë “objekte” si femrat shqiptare në përgjithësi. Por ato nuk janë të mjaftueshme dhe as të pavarura sa për të krijuar një lëvizje të grave shqiptare. Disa burra, si Nebil Çika, vëllai i gazetares së vetme femër në Shqipëri, janë përpjekur t’i ndihmojnë për këtë, por edhe kështu lëvizja e grave shqiptare u mbyt që në fillimet e saj.

Nebil Çika, i cili u përpoq të krijonte një lëvizje të grave shqiptare, lexon Evën. — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10
Nebil Çika, i cili u përpoq të krijonte një lëvizje të grave shqiptare, lexon Evën. — Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°10

Nga i njëjti burim kam dëgjuar – e dija edhe më parë – se shqiptari është mendjemadh dhe nga mëndjemadhësia është i lumtur të martohet me një grua që ka studiuar. Por pas martesës, ai dëshiron që gruaja e tij të bëhet një “objekt” që nuk tregon shumë pavarësi në rrugëtimin e jetës së tyre së bashku.

Çfarë bën atëherë një shqiptare në shtëpi, pasi nuk shihet kurrë jashtë ? Jo të gjithë kanë fëmijë të vegjël për t’u kujdesur ose punë bujqësore – ju siguroj se një shqiptar mund t’i bëjë ato gjëra me duart e veta, pavarësisht nga vjetërsia e tij e devotshme. Në përrallat popullore shqiptare thuhet se dredhin cigare. Duhani shqiptar është i këndshëm për t’u pirë dhe i lirë për t’u blerë. Për tre marka finlandeze ju merrni njëzet cigare të ambalazhuara bukur dhe me aromë. Gratë e familjes kalojnë ditë dhe mbrëmje të gjata duke përgatitur këto cigare, plotësisht të pavetëdijshme se sa faktor i rëndësishëm janë ato në industrinë shqiptare të duhanit. Ndërkohë, kryefamiljari i së njëjtës familje ulet në pragun e derës, duke nxjerrë shtëllunga tymi nga llulla e tij besnike. Dhe, sigurisht, duke bekuar faktin që ai ka Kuranin për ta mbështetur, në emër të të cilit mund të endesh me dembelizëm në 1935 dhe të kalosh ditë vërtet parajsore…

Jeta e përulur e një gruaje shqiptare mund të mos jetë aq e patëmetë sa i duket një nordiku, por po, të dashur miq, gjëra të mrekullueshme duhet të ndodhin në tokë përpara se ëndrra jonë më e madhe të jetë të jemi shpëtimtarja e një burri shqiptar.

 Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°11
Burimi : EEVA, 1 dhjetor 1935, faqe n°11

Filed Under: Histori

Jo njëmendësi dhe totalitarizëm në demokraci: Rirreshtimi i Kosovës me Aleatët Ndërkombëtarë – SHBA dhe BE, një domosdoshmëri për të shmangur izolimin dhe konfliktin e ngrirë

February 10, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

Rreziku i Njëmendësisë dhe Totalitarizmit në Demokraci

Në një demokraci funksionale, pluralizmi politik, liria e mendimit dhe angazhimi aktiv me aleatët ndërkombëtarë janë shtyllat kryesore të stabilitetit dhe progresit. Njëmendësia dhe tendencat totalitare përbëjnë një kërcënim serioz për një shtet të ri si Kosova, i cili ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga aleatët perëndimorë për të forcuar sovranitetin dhe zhvillimin e tij demokratik.

Në kontekstin e sotëm,rirreshtimi i Kosovës me SHBA-në dhe BE-në nuk është një çështje opsionale, por një domosdoshmëri strategjike për të shmangur izolimin ndërkombëtar dhe për të siguruar stabilitetin politik dhe ekonomik. Ky rirreshtim është veçanërisht i rëndësishëm për të parandaluar skenarët e konflikteve të ngrira dhe për të garantuar njohje të plotë ndërkombëtare.

Ky studim analizon rrezikun e njëmendësisë dhe qasjes totalitare në politikën kosovare, duke e krahasuar atë me raste konkrete ndërkombëtare, si dhe duke treguar pse angazhimi me aleatët perëndimorë është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.

Njëmendësia dhe Totalitarizmi si Kërcënim për Demokracinë e Kosovës

Njëmendësia politike përfaqëson një rrymë ideologjike që përjashton mendimet e ndryshme dhe e sheh pushtetin si monopol të një grupi apo partie të vetme. Kur kjo shndërrohet në praktikë qeverisëse, ajo mund të çojë në një formë të totalitarizmit të butë, ku liria e mendimit dhe debati politik shtypen përmes propagandës, kapjes së institucioneve dhe delegjitimimit të opozitës.

Shembuj të Njëmendësisë dhe Pasojat e Tyre

1. Hungaria: Rrëshqitja drejt Autoritarizmit në një Shtet të BE-së

       Nën udhëheqjen e Viktor Orbán, Hungaria ka kaluar nga një demokraci e hapur në një sistem gjithnjë e më autoritar, ku qeveria ka kapur mediat, gjyqësorin dhe institucionet shtetërore.

       BE ka reaguar me sanksione dhe ulje të financimeve, duke e izoluar Hungarinë brenda bllokut evropian.

       Mësimi për Kosovën: Largimi nga parimet demokratike mund të çojë në izolim ndërkombëtar dhe dëmtim të marrëdhënieve me aleatët strategjikë

2. Turqia: Nga Demokracia në Sundim të Një Lideri të Vetëm

       Pas tentativës për grusht shteti në 2016, qeveria e Erdoganit ka shtypur mediat e lira, ka burgosur kundërshtarët politikë dhe ka kufizuar të drejtat e opozitës.

       Për pasojë, marrëdhëniet e Turqisë me BE-në dhe SHBA-në janë përkeqësuar, duke dëmtuar ekonominë dhe stabilitetin e vendit.

       Mësimi për Kosovën: Ndjekja e një modeli qeverisës që përjashton opozitën dhe kufizon liritë demokratike rrezikon marrëdhëniet me aleatët dhe mund të çojë në sanksione ose izolim.

Rëndësia e Rirreshtimit të Kosovës me Aleatët Perëndimorë

1. SHBA si Partneri Kryesor i Kosovës

       SHBA ka qenë sponsori kryesor i pavarësisë së Kosovës dhe garantuesi kryesor i sigurisë përmes pranisë së NATO-s.

       Çdo lëvizje politike që distancon Kosovën nga SHBA mund të çojë në dobësim të mbështetjes ndërkombëtare dhe në pasoja të rënda gjeopolitike.

Rasti i Gjeorgjisë: Kur Qeveria Devijon nga Perëndimi

       Në vitet e fundit, Gjeorgjia ka treguar shenja të një devijimi nga rruga pro-perëndimore, duke pasur një qasje më të butë ndaj Rusisë.

       Kjo ka shkaktuar tensione me BE-në dhe SHBA-në, duke e lënë vendin në një situatë të pasigurt diplomatike.

       Mësimi për Kosovën: Ruajtja e një kursi të qartë pro-perëndimor është e domosdoshme për të shmangur izolimin dhe për të siguruar mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare.

2. Roli i BE-së në Njohjen dhe Integrimin e Kosovës

       BE është aktori kryesor në dialogun Kosovë-Serbi dhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

       Pa mbështetjen e BE-së, Kosova rrezikon të mbetet në statusin e pasigurt të një shteti të njohur vetëm pjesërisht.

Rasti i Bosnje-Hercegovinës: Një Paralajmërim për Kosovën

       Bosnja është shembulli më i mirë i një vendi të ngecur në një konflikt të ngrirë për shkak të mungesës së një kursi të qartë politik dhe rreshtimit të saj me faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë.

       Mësimi për Kosovën: Një politikë e paqëndrueshme ndaj BE-së mund ta lërë Kosovën në një gjendje të përhershme pasigurie dhe izolimi.

Konfliktet e Ngrira dhe Rreziku për Kosovën

Nëse Kosova devijon nga linja e saj pro-perëndimore, ajo rrezikon të hyjë në një cikël të konflikteve të ngrira, siç ka ndodhur me:

       Transnistrinë në Moldavi

       Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë në Gjeorgji

       Nagorno-Karabakhun mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Këto rajone kanë mbetur në një status të paqartë, pa njohje të plotë ndërkombëtare dhe pa mundësi për zhvillim ekonomik.

Rruga e Vetme është Rirreshtimi me SHBA dhe BE

Kosova nuk mund të përballojë luksin e eksperimentimit politik apo të flirtimit me tendenca totalitare dhe njëmendësi ideologjike.

       Demokracia funksionale kërkon pluralizëm dhe respekt për mendimet e ndryshme.

   Ruajtja e aleancave me SHBA-në dhe BE-në është vendimtare për sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.

   Çdo devijim nga kursi pro-perëndimor rrezikon ta kthejë Kosovën në një rast të dështuar, të izoluar dhe të pasigurt.

Në këtë kontekst, politika e jashtme e Kosovës duhet të mbetet e orientuar qartë drejt Perëndimit, duke shmangur çdo tendencë që mund ta çojë vendin në izolim ose konflikt të ngrirë. Vetëm përmes rirreshtimit të fortë me aleatët strategjikë mund të garantohet një e ardhme e sigurt dhe e qëndrueshme për shtetin e Kosovës.

Filed Under: Analiza

Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë, Vetvendosja forcë e parë, rritet ndjeshëm Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhje model. Qytetari dhe lidership. Kosova shembull për gjithë Ballkanin

February 10, 2025 by s p

Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë, Vetvendosja forcë e parë, rritet ndjeshëm Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhje model. Qytetari dhe lidership. Kosova shembull për gjithë Ballkanin.

Filed Under: Opinion

VATRA PRITI DEPUTETËT E PARTISË DEMOKRATIKE GAZMEND BARDHI, JORIDA TABAKU DHE BLEDJON NALLBATI

February 10, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 8 Shkurt 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra priti në një vizitë patriotike deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë z.Gazmend Bardhi nënkryetar i PD, dhe deputetët zonja Jorida Tabaku e z. Bledjon Nallbati. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në fjalën e mirëseardhjes theksoi punën institucionale të Vatrës në dobi të çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës, partneritetin e vazhdueshëm të Federatës Vatra me institucionet shtetërore amerikane dhe punën voluminoze për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr. Camaj uroj suksese dhe mbarësi për deputetët e opozitës dhe ngulmoi se zgjedhjet demokratike janë themel i një shoqërie të zhvilluar dhe të një demokracie të qëndrueshme. Dr. Camaj theksoi gjithashtu se vota është forca dhe fuqia e qytetarëve shqiptarë, ndaj pjesëmarrja në votime e diasporës është përgjegjshmëri e lartë qytetare. Vatra qëndron mbi partitë politike dhe mbështet interesin kombëtar e përparimin e Shqipërisë demokratike dhe euroatlantike, theksoi sekretari i Vatrës Dr. Camaj. Deputetja Jorida Tabaku i shprehu mirënjohje Vatrës për mikpritjen. Ajo theksoi se Vatra ka qenë bazë e shembull shqiptarie. Respekte maksimale për patriotët që kanë shërbyer te Vatra. Jemi të impresionuar tha zonja Tabaku nga puna e shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Në mërgatë na bashkon shqiptaria, tha ndër të tjera deputetja Jorida Tabaku. Nënkryetari i Partisë Demokratike z.Gazmend Bardhi deklaroi se: “Jemi këtu për të ngritur zërin tuaj sidomos për të mbështetur shkollat shqipe dhe punën e mësuesve për të ruajtur gjuhën e kulturën kombëtare në diasporë”. Gjatë takimit diskutuan aktivistët e komunitetit shqiptar në New York z.Luigj Rakaj, z.Mehdi Hoxha dhe zonja Firzileta Gjika rreth situatës politike në Shqipëri, procesin e regjistrimit të diasporës dhe kauza të ndryshme kombëtare që shqetësojnë shqiptarët në Shqipëri dhe diasporë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT