• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

Radiotelevizioni Shqiptar, si shihej në ish-Jugosllavi?

February 8, 2025 by s p

Bexhet Asani/

Në ish Jugosllavi ishte e ndaluar të shikohej RT SHQIPTAR, sidomos pas vitit 1981. Valët e TV Shqiptar depërtonin gjer në Prishtinë. Më 1978 ndiqnim programet e TVSH -së te Konviktet e Studentëve në Prishtinë, miza – miza dhe me zhurma po neve na dukej se e shikonim “pastër”. Në zonat kufitare shihej më pastër me më pak miza dhe me më pak zhurma. Pas vitit 1981 ndryshoi gjendja. TVSH-ja ndiqej fshehur me perde të mbyllura. Programet e TVSH-së i ndiqnin të gjithë shqiptarët e Komunës së Strugës. Antenat e TVSH-së gjendeshin në Qafë Thanë. Po aty gjendeshin edhe kundër antenat e Jugosllavisë!

Disa katunde të rrjedhës së majtë të Drinit të Zi, e zinin më pastër TVSH-në. Fshatrat e rrjedhës së majtë të Drinit të Zi e zinin më dobët dhe me vështirësi i ndiqnin valët me antenat herë në ballkon, herë mbi çati, herë në mullar, herë nëpër pemë… e ku nuk i kërkonim valët e Televizionit Shqiptar?!

Shpesh ndodhte që ndonjë anëtar i familjes të ishte “viktimë” apo “hero” ose altruist që mbante antenën në duar në majë të mullarit apo në majë të çatisë ose në majë të qershisë, në drejtim të Qafë Thanës, derisa të përfundonte programi që e shikonin anëtarët e familjes! Antenat përforcoheshin edhe me legenë alumini me qëllim që të përmirësoheshin valët e ekrani të mos kishte “miza”!

Shkonim nga një kushëri te tjetri nga një komshi te tjetri, nga një mik te tjetri të shikonim programet e TVSh-së, programet e mëmës Shqipëri.

Vitet tetëdhjetë të shekullit të njëzetë lindi pyetja: “A e zë Tateshin?” Për: A e zë Televizioni Shqiptar? Si lindi kjo pyetje nuk arrita ta gjej as sot e kësa dite!

Tateshi është një katund shqiptar në rrethin e Strugës. Tateshi gjendet në veri të Qafë Thanës.

Po, pse pikërisht Tateshin?! Pse jo ndonjë katund tjetër? Pyetje këto që vështirë t’ u jepen përgjigje!

A e zë Tateshin? (A e zë Televizionin Shqiptar?)

Po unë e zë.

Në Ohër e zënë më pastër Tateshin!

Valët e TVSH-së që kalonin mbi Liqenin e Ohrit kaltërosh, nuk i pengonte asgjë. Në fshatrat e rrjedhës së djathtë të Drinit të Zi aty – këtu i pengonin kodrat e Malit Jabllanicë. Viktimë e këtyre kodave ishte katundi Ladorisht. Vetëm shtëpitë poshtë Vakçares kishin privilegjin të shikonin programet e Tateshit? (Programet e Televizionit Shqiptar)

Struganët kënaqeshin duke parë programet, dramat, emisionet dokumentarë dhe filmat e Televizionit Shqiptar.

Unë herë e zija Tateshin , herë humbnin valët!

Ika unë tani te kushëriri im, ta shikoj Tateshin se sonte shfaqet drama “Gjaku i arbërit”!

Antenat e televizorëve struganë të gjitha ishin të kthyera nga Qafë Thana pa marrë parasysh pengesat nga UDB-ëja jugosllave.

Programet e TELEVIZIONIT SHQIPTAR ishin ushqim shpirtëror, ishin jetë për ne!

Filed Under: Fejton

Zhyl Vern, ai që me romanet e tij befasoi shkenctarët, magjepsi lexuesit dhe u rëndit me Agatha Christie dhe William Shakespeare

February 8, 2025 by s p

Nga Albert Vataj/

Me legjimitetin e gjithkohshmërisë dhe kapërthimit të çdo limiti të mundësisë së njeriut për të sunduar botën, ai është quajtur “babai i fantashkencës”. Por, kohëpaskojet, tejpërçimi i dijes dhe ç’kodimi i mistereve dhe sekreteve nga njeriu, vërtetuan se ishte shumë më shumë se aq. Ai ishte një mëndje e ndritur, një forcë e tranformimit të përfytyrimeve në fakte shkencore të pakontestueshme. Ai nuk vinte nga qielli, por gjithçka që endi me kaq pasion dhe mendjebegati, e ngriti famën e tij lart në qiell, në një shkrepëtimë shndritëse ylli. Është fjala për poetin, dramaturgun dhe romancierin e zhanrit fikshën shkencor, Jules Verne, (Zhyl Vern) (8 shkurt 1828 – 24 mars 1905). Ai ishte një ndër shkrimtarët i njohur dhe më të lexuar francez në botë.

Reputacioni i tij ishte dukshëm i ndryshëm në rajone anglishtfolëse, ku ai nuk ka qenë shumë i mirëpritur sepse është etiketuar si një shkrimtar i zhanrit fikshën ose shkrimtar për fëmijë. Megjithatë kjo nuk shterroi interesimin e gjithë shtresave dhe grupmoshave, gjë që shtyu botuesin e tij të ribotojë disa herë romanet e Jules Vern.

Grupmoshat që lexuan, ëndërruan dhe jetuan me aventurat e tij janë pa dallim. Siç ka mrekulluar të rriturit, ka megjepsur fëmijët. Mendimtarët, shkencëtarët, zbuluesit dhe studiuesit, i ka shokuar me faktet dhe përfytyrimet, saktësia e të cilave do të ishte befasuese me ballafaqimin e fakteve përmes sprovave dhe sfidave shkencore në periudhat e mëvonshme. Deri para disa kohësh ka qenë autori më i përkthyer dhe më i admiruar, por do të mbetet përgjithmonë një shembull i pashembullt i letërsisë fantashkencës. Vepra e Zhyl Vern që nga viti 1979, u rendit me të njëjtën pritshmëri dhe interesim me kolanën krijuese të Agatha Christie dhe William Shakespeare.

Shpikjet e përshkruara në shumë prej librave të tij më të famshëm tashmë janë bërë realitet dhe veprat e tij kanë frymëzuar breza të terë krijuesish e shpikesish.

Biografia Zhyl Verni lindi në qytetin e Nantes, në Francën Perendimore. Ai ndoqi hapat e babait të tij dhe filloi studimet për drejtësi në Paris, por i ndërpreu ato për të filluar karrierën e si shkrimtar. Ai filloi të bashkëpunonte me botuesin Pierre-Jules Hetzel, i cili e ndihmoi Vernin të publikonte por edhe duke e këshilluar për këshilluar për fushën e letërsisë. Jeta e tij është e mbarsyer me aventura dhe befasi, të cilat ngjizën thellë realitete imagjinative dhe zgjuan ato botë, ato larmi fantastike përfytyrimesh, të cilat kanë mbetur përgjithmonë si vlerat më të vlefta të leximit.

Pas suksesit të librave të tij, Zhyl Verni fitoi popullaritet në gjithë botën duke u shndërruar nga emrat më të lakuar. Ai u tërhoq nga jeta publike dhe bleu një shtëpi në Amien, një qytet i qetë bregdetar. Këtu ai filloi të rregullonte marrëdhëniet me disa nga anëtaret e familjes me të cilët s`kishte marrëdhënie të mira (përfshire dhe djalin e tij) si dhe u frymëzua për disa nga kryeveprat e tij. Zhyl Vern vdiq në Amien më 24 mars 1905 dhe u varros në këtë qytet.

Vepra e tij është sa interesante aq dhe bujare. Zhyl Vern ka shkruar 58 romane, por midis veprave të tij më të njohura përmenden: Aventurat e tri anglezëve dhe tri rusëve në Afrikën Jugore, Gjarpëri i detit, “Pesë javë në balonë”, “Ishulli misterioz”, Rreth botës për 80 ditë, “20 milje nën det”, “Nga Toka në Hënë”, “Udhëtim në qendër të Tokës”, “Aventurat e kapitenit Hateras”, “Fari në fund të botës”, “Sfinksi i akujve”, “Bijtë e kapitenit Grant”, “Kapiteni pesëmbëdhjetëvjeçar”, “Dy vjet pushime”, “Aventurat e çuditshme të kapiten Antiferit”, “Mateo Sandorf”, “Mikel Strog”, “Piloti i anijeve të Danubit”, “Fshati ajror”, “Ndodhitë e një kinezi”, “Rrezja e gjelbert”, “Ylli jugor”, “Doktor Oksi”, “Kështjella në Karpate”, “Përplasja e anijes Xhonatan”, “Nje qytet lundrues”, “Vullkani i artë”, “Aventura e jashtëzakonshme e ekspeditës Barsak”, “Arkipelagu në flake”, “Mësymja e detit”, “Rrëmbimi i shpikësit”, “Dramë në Livoni”, “Udhëtaret e rinj”, “Shkolla e Robinsoneve”, “Dimërim në akull”, ” 2 vite me pushime “. Kolana e tij krijuese pushtoi me mrekullimin përfytyrues gjithë botën dhe foli me gjuhët e gjithë rruzullit për të vijuar të mbetet në shkallën më të lartë të interesimit në gjininë e fantashkencës.

Filed Under: LETERSI

Presidentja Osmani në takim me kongresmenë amerikanë diskutoi për sigurinë, investimet dhe partneritetin strategjik

February 8, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Washington D.C, takoi Kongresistin Brian Mast, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme, Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe Kongresistin Mike Lawler.

Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në sigurinë, investimet dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë takimit me Kongresistin Brian Mast, Presidentja Osmani ka theksuar se me administratën e Presidentit Trump, synohet thellimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, investimet strategjike dhe vazhdimin e punës së përbashkët për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Në takimin me Kongresistin Keith Self, Presidentja Osmani theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme nga SHBA-të për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ajo potencoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në përmbushjen e synimeve euroatlantike të Kosovës dhe përballjen me sfidat rajonale të sigurisë.

Ndërkaq në takimin me Kongresistin Mike Lawler, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik, me qëllim të përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimit të projekteve të përbashkëta.

Filed Under: Politike

SHKURTI I ZI I VITIT 1967 – KUR SHQIPËRIA KOMUNISTE I SHPALLI LUFTË ZOTIT

February 8, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Para disa ditësh në mjediset e Fondacionit të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Washington u zhvillua një dsikutim shumë i nevojshëm për martirët e komunizmit dhe për lirinë e fesë në përgjithësi, përfshir edhe viktimat fetare të komunizmit sllavo-aziatik në Shqipëri. Në të vërtetë, konferenca u hap me historinë e Kardinalit shqiptar Ernest Troshani- simbolit të gjallë të rezistencës etare kundër komunizmit – i cili mbijetoi mundimet dhe persekutimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Frank Shkreli: Ndërsa në Washington kujtohen martirët e komunizmit, politikani britanik Andrew Rosindell jep mesazhin e tij në “vendin e dëshmisë dhe kujtesës” në Shkodër | Gazeta Telegraf

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Virxhinia kontribuan në këtë takim të rëndësishëm të pëkujtimit edhe të viktimave të komunizmit në Shqipëri duke informuar të pranishmit mbi fatin e keq të martirëve shqiptarë të tre feve nën komunizëm. Nuk jam i sigurt nëse ky diskutim në Washington u organizua në kuadër të përvjetorit famëkeq të 6 shkurtit të vitit 1967 kur Enver Hoxha mbajti fjalimin:”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit” — fjalim ky me të cilin ai kishte njoftuar shqiptarët dhe botën se Shqipëria komuniste i shpallte luftë Zotit, ”ideologjisë fetare” dhe ”zakoneve prapanike”, duke e shpallur Shqipërinë, me ligj, kundër Zotit, vendi i parë dhe i vetëm ateist, në historinë botërore. Ky lajm i regjimit komunist të Enver Hoxhës u trajtua në atë kohë në median botërore të kohës gati si tragjikomik. Megjithse bota i kuptonte mirë pasojat e një vendimi të tillë, Tirana zyrtare as sot e kësaj dite nuk është e vetdijshme për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar — pothuaj 60-vjet më parë — pati mbi shoqërinë shqiptare atëherë e as për pasojat që shihen edhe sot në fusha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë shqiptare, megjithse kanë kaluar 35 vjet nga shembja “zyrtare” e komunizmit.

Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin filluar ç’prej vitit 1945, sidomos kalvari i Kishës Katolike dhe udhëheqësve të saj kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Shumë prej klerikëve katolikë shqiptarë, por edhe të feve të tjera, myslimanë, bektashi dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të paimagjinueshme nëpër burgjet dhe kampet komuniste të regjimit hoxhist, nga viti 1945-1960. Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nëpër burgje e kampe përqendrimi – bektashi, myslimanë, katolikë, dhe ortodoksë, nën torturat më çnjerëzore gjatë asaj periudhe — ndoshta nuk do të dihet kurrë. Deri më 1950-komunitetet fetare në Shqipëri ishin dobësuar aq shumë nga përndjekjet dhe vrasjet e klerikëve sa që nuk mund të flitej më për ndonjë veprimtari normale të atyre komuniteteve. Lidhjet me Vatikanin për udhëheqësit e Kishës katolike ishin shpallur kundër ligjit. E gjithë kjo ndërsa, në të njëjtën kohë, Kushtetuta e Shqipërisë garantonte lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Kështu që në Shkurt të vitit 1967, kur diktatori Hoxha mbajti fjalimin kundër “influencave fetare” dhe “zakoneve prapanike”, influenca e feve në shoqërinë shqiptare pothuajse ishte zhdukur.

Si rrejdhim, pas fjalimit të diktatorit Enver Hoxha më 6 Shkurt, në Maj të vitit 1967, të gjitha kishat, xhamitë e teqetë që ishin ende të hapura, u mbyllën ose u shembën, ndërkohë që në Nëntor të të njëjtit vit, revista ”Nëntori”, kishte njoftuar se, gjithsej në Shqipëri u mbyllën 2,169 objekte fetare dhe bëri njoftimin absurd se Shqipëria tani ishte, zyrtarisht, “shteti i parë ateist në botë.” Gjatë kësaj kohe, shumica e këtyre objekteve fetare, siç dihet, u shëndrruan në qendra sportive dhe kulturore për edukimin ideologjik të rinisë. Revista “Nëntori” mburrej në atë kohë duke shkruar për këtë fushatë anti-fetare se partia dhe shoku Enver ia kanë caktuar “rinisë revolucionare” detyrën e zbatimit të këtij “misioni të madh e historic” dhe se nën udhëheqjen e ndritur të partisë dhe shokut Enver, Shqipëria është shteti i parë ateist në botë, shkruante në atë kohë, revista “Nëntori”. Fjalimi i diktatorit Hoxha me 6 Shkurt 1967 ishte vaj në zjarrin e fushatës së dhunshme anti-fetare që regjimi enverist po zhvillonte ç’prej arddhjes në fuqi në Shqipëri.

Se si dikush, sot, në nivele zyrtare, politike e akademike, të shoqërisë shqiptare ende tregohen nostalgjikë për regjimin e Enver Hoxhës dhe të deklarohen krenarë për këtë histori të tmershme, ose që, zyrtarisht, të anashkalohen në heshtje këto krime të regjimit komunist të Enver Hoxhës — unë e kam të pamundur ta kuptoj. Nuk kuptoj se si klasa politike shqiptare e 30-viteve tranzicion deri më sot nuk ka gjetur ende forcën morale dhe politike për tu përballur me historinë komuniste dhe për të dënuar krimet e komunizmit, përfshir ato kundër tri feve kryesore të shqiptarëve dhe klerikëve të tyre dhe shkatërrimin fizik të shumë xhamive, teqeve dhe kishave, në të gjithë Shqipërinë. E që nostalgjikët e komunizmit të kujtojnë data të tilla, si 6 Shkurti 1967, jo se jo!

Më posht mund të lexoni deklaratën e “Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër — “i pari vend kujtese i ngritur në Shqipëri, i cili trajton periudhën e së kaluarës komuniste të vendit tonë”. Ja postimi i plotë i deklaratës në fjalë nga “Vendi I Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër, me rastin e fjalimit të Enver Hoxhës me 6 Shkurt 1967, kur premtoi shkatërrimin e faltoreve dhe zhdukjen e klerikëve fetarë të Shqipërisë: të, “djegim në zjarr dhe t’i zhdukim ato nga faqja e dheut”.

————————————————————

Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory

[…] pse, ligjet tona do të na ndalojnë neve që të djegim në zjarr dhe t’i zhdukim ato nga faqja e dheut?» Enver Hoxha, 6 shkurt 1967.

Shembja dhe shkatërrimi i “gurëve të besimit”.

Në fillimet e veta, diktatura komuniste edhe pse sekuestroi shumë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme nga komunitetet fetare, një pjesë të objekteve të kultit ua la në përdorim, për të kryer të gjitha shërbesat fetare. Deri në vitin 1967 shumë kisha, xhami dhe teqe vazhdonin funksionin e tyre rregullisht edhe pse presioni diktatorial ishte i lartë dhe frika për t’i frekuentuar ata nga ana e popullsisë ishte e madhe. Fjalimi “programatik” i mbajtur nga Enver Hoxha me 6 Shkurt 1967 “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, vuri në lëvizje “masat e gjera popullore, nxënës, punëtorë e kooperativistë” që të finalizonin luftën kundër klerit me aksionin e mbylljes dhe shkatërrimit të objekteve të kultit. Me 15 shkurt nisi vendosja e fletë rrufeve në dyert e institucioneve fetare. Me 27 shkurt një urdhër sekret, i cili mbante firmën e diktatorit i dha hovin shkatërrimit në masë të objekteve të kultit. Objekti i parë i cili u shkatërrua ishte Manastiri i Shën Vlashit në Durrës. Me rradhë filluan të shkatërroheshin shumë xhami, teqe dhe kisha në të gjithë Shqipërinë. Shumë objekte të tjera u kthyen në stalla, klube rinie, reparte ushtarake, depo ose magazina. Në bazë të raportit informativ “Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj”, të datës 30 gusht 1967, në Shqipëri ishin shkatërruar apo tjetërsuar gjithsej 2169 objekte kulti, prej të cilave 740 xhami, 609 kisha orthodhokse, 158 kisha katolike e 530 teqe. Bashkë me institucionet fetare u mor në dorëzim pasuria e tyre. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 4263 të vitit 1967 pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare i kaluan në pronë shtetit, ose iu dorëzuan kooperativave. Kishat, xhamitë, teqetë etj., të cilat ndodheshin në qytete i kaluan komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra i kaluan kooperativave bujqësore. Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të atij viti ishte 19.593.070 lekë. Të gjitha këto të dhëna paraqiteshin si një sukses i arritur nga shteti komunist, në një kohë fare të shkurtër.

Më poshtë po shfaqim disa postera propagandues kundër fesë, të cilët ishin të ekspozuar në Muzeun Ateist të Shkodrës”, përfundon deklarata e “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory”, në kujtim të 6 Shkurtit – Ditës së zezë të vitit 1967 – kur Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës i shpalli luftë Perendisë – duke u bërë zyrtarisht shteti i parë ateist në botë!

Filed Under: Histori

Vota e diasporës 2025

February 8, 2025 by s p

Vota e diasporës 2025

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT