• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

Kadri Roshi, in memoriam…

February 7, 2025 by s p

“Kur populli ngritët në këmbë, artisti duhet të bije në gjunjë para Tij” Kadri Roshi/

Ismail Gashi Sllovia

Kështu u shpreh “Nderi i Kombit”, Kadri Roshi, artisti i madh i skenës dhe filmit shqiptar, në ditët dhe kohët, kur shqiptarët e Kosovës luftonin për jetë a vdekje, kur shqiptarët ishin përballur me veprime ushtarake, në pozicion jo të barabartë, me lubinë serbe në Kosovë dhe ashpër ishin përplasur politikisht për ruajtjen e qenies kombëtare dhe tërësinë e trojeve etnike në kullën e lashtë të Luigjit të 14-të në Rambuje të Francës, kështu veprohej politikisht në kohën kur luftohej në hapësirën kosovare dhe veprohej në mënyrën diplomatike në Shqipërinë e matanë Drinit. Kështu foli “Artisti i Popullit’ Kadri Roshi, kur bota mendonte, fliste dhe vepronte shqip.

Kadri Roshi është ndër artistët më emblematik që ka pasur populloi shqiptar. Ai bashkë me Sandër Prosin, Bekim Fehmiun, Tinka Kurtin, Reshat Arbana, Margarita Xhepa,Viktor Gjikën e shumë bashkohanik të tij, me bashkombasitë para ardhës Aleksandër Mojsiun, Rexhep Mitrovicën e shumë bashkohës e para ardhës të Tij, ka mbajtur timonin e lëvizje skenike në teatrin kombëtar shqiptar që nga fillmi i parë shqiptar “Tana” 1958 e deri në filmin “Mirupafshim” 1995 të realizuar në Greqi.

Kadri Roshi u lind në Mallakastër e kush thotë në Ballsh në vitin 1924. Që në moshën dy vjeçare i vdes e ëma, nga shpirtërisht e materialisht nuk kishte të përmbushura nevojat dhe kërkesat fëmijërore. Që i ri për nevoja materiale u shtërgu të vije në Tiranë dhe të punon hamall, pastrues e çirak dhe krejt rastësisht në moshën 21 vjeçare punësohet suflerë Teatrin Kombëtar në Tiranë ku në një rast mori rolin e Gogolit që i dha shtytje profesionale për të vazhduar shkollimin në Zagreb dhe përfunduar ë Pragë. Për herë të parë u paraqit në skenën profesionale në shfaqjen e parë zyrtare 30 maj 1945 dhe nga atëherë Kadri Roshi nuk ju nda skenës dhe filmit. Ai që nga filmi i parë shqiptar “Tana” 1958 luajti 170 role të mëdha skenike e filmore. Por disa nga ato personazhe e role u rikrijuan dhe u formësua nga vet Kadri Roshi, si Halili e Hajria” “Revizori”, “Familja e Peshkatarit”,”Tokë e çmendur”, “Dhelpra dhe rrusht”, ku luajti rolin e Ezopit dhe mori epitetin “Ezopi shqiptar”. Nga shumë role filmi ”Plaku Mere”në filmin “Njeriu me Top” sipas veprës së Dritëro Agollit praktikisht definoi urtinë filozofike e atdhetare të mentalitetit kombëtar shqiptar, në regji të Viktor Gjikës zënë kulmin artistik jo vetëm për Kadri Roshin por kulmin artistik në kinematografinë shqiptare përgjithësi. Apo ngjashëm formoi dhe e bëri të ndjehet me ngjarje e kohë personaliteti historik e kombëtar pas më shumë se një shekull Abdyl Frashërin në dramën e Ekrem Kryeziut “Epoka para gjyqit”. Personaliteti i Kadri Roshi sa ishte i gjallë në jetë ishte “Nderi i Kombit” gradim që iu nda më 1998 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë si edhe më herët shpërblimin avancues “Artist i Popullit” çmim i madh i nderit.

Kadri Roshi vdiq pas një sëmundje të rëndë e të gjatë më 5 shkurt 2007 në Tiranë.

Filed Under: Kulture

E ardhmja është në të kaluarën…

February 6, 2025 by s p

Artan Nati/

Ne përdorim rrëfimet magjepsëse të së kaluarës për t’i dhënë kuptim botës së sotme. Pse ka rëndësi historia? Sa herë që diskutohet rëndësia e historisë, përshkrimi, zgjedhja e fakteve si dhe gjuha e përdorur, i japin asaj një kuptim dhe emocion të ndryshëm. Si mund ta kuptojmë të tashmen tonë ose të shohim të ardhmen tonë nëse nuk mund ta kuptojmë të kaluarën tonë? Si mund ta dimë se kush jemi nëse nuk e dimë se kush ishim? A mundet historia të përcjellë një ndjenjë dhe t’i bëjë njerëzit dhe popujt të reflektojnë mbi gabimet e të kaluarës e t’i korrigjojnë ato që të mos përsërisin historinë? Natyrisht që po. Historia ka të bëjë me zbulimin “çfarë ndodhi në të vërtetë”, ndersa letersia na tregon sesi kane menduar njerezit ne ate kohë.

E kaluara mund të jetë e vdekur, por historia është e gjallë dhe është ndërtuar në të tashmen. Në fund të fundit, a ekziston një gjë e tillë si rrëfimtari apo ka vetëm histori? Me gjithë çuditë e disa kërkimeve shkencore misterioze, ne të gjithë e dimë se shkenca përfundimisht çon në funksionimin e llambave elektrike, motorët e makinave ndizen dhe zemrat e pushuara pompojnë gjak përsëri. A mund ta testojmë vlerën e historisë në të njëjtën mënyrë? A mund të vërtetojmë se një politikan, një individ apo një popull, një financier apo një mësues është më i mirë, më i lumtur apo më i plotësuar duke pasur një ndjenjë për historinë?

M.gj.s ka kaluar shumë kohë e breza nga periudha e mbretit Zog dhe ngjarjet e luftës së dytë botërore, përsëri emocionet triumfojnë mbi arësyen dhe ne kemi dy pamje të kundërta për historinë tonë. Historianët janë të ndarë në vërtetësinë e ngjarjeve, po ashtu edhe publicistët e shkrimtarët, duke përcjellë mesazhe negative dhe përçarë më tej njerëzit. Fakti që shumë nga shkrimtarët apo edhe historianët tanë e ndajnë historinë, ngjarjet dhe personazhet, në të mirë apo të keq, në ëngjëllor apo djallëzor, në se njerëzit do të shkojnë në parajsë ose ferr, harrojnë faktin se njerëzit janë të prirur të kryejnë vepra hyjnore apo djallëzore në varësi të rrethanave dhe zgjedhjeve që ata bëjnë. Kjo dinamikë shihet shpesh si një cikël i vazhdueshëm ku asnjëra palë nuk triumfon përgjithmonë mbi tjetrën. e mira dhe e keqja nuk janë absolute, por më tepër konstrukte sociale të pasqyruara në sisteme të ndryshme morale dhe siç e ka thënë nobelisti rus Solzhenicin “Vija që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon nëpër shtete, as midis klasave, as ndërmjet partive politike — por drejt e në zemër të çdo njeriu.”

Funksioni kryesor i librave trillues është të përshkruajë se çfare mendonin, evolucionin dhe transformimin e personazheve, duke i lejuar lexuesit të “përtypë” rritjen dhe zhvillimin e tyre të brendshëm, ndërsa lundrojnë në sfidat dhe rrethanat e paraqitura brenda historisë, duke krijuar në thelb një ndjenjë udhëtimi personal dhe emocional. Per kete arsye Kadareja ndoshta është i vetmi që e bën lexuesin të jetë pjesë e historisë apo rrëfimit të tij. Në romanin “Dosja H”, Kadare, e bën lexuesin të ndihet si pjesë e ngjarjes e të ndez emocionet se patriotizmi nuk është një term abstrakt, apo një medalje në gjoksin e burracakëve. Atje tregohet se si të huajt shfrytëzojnë injorancën e qeverisë dhe naivitetin e protagonistëve për të shkatërruar vlerat tona dhe e bën lexuesin të revoltohet dhe të ndërgjegjësohet për realitetin e hidhur. Po ashtu te “Prilli i thyer” lexuesi bashkëjeton me shqetësimet dhe mungesën e shtetit ligjor duke e bërë atë të transformohet dhe të revoltohet ndaj gjendjes tragjike. Këto kërkohen nga shkrimtarët dhe historianët 35 vjet pas përmbysjes së komunizmit dhe 45 vjet komunizmi.

Duhet të largohemi nga mitizimi i dëshmorëve të lirisë dhe të persekutuarëve politikë, sepse të gjithë jemi njerëz që gabojmë dhe duhet të hymë thellë në shpirtin njerëzor për të kuptuar realitetin dhe historinë. Ata duhet te na jepen me te gjithe spektrin e ngjyrave te natyrës njerëzore. Shkrimtarët dhe historianët më me zë të kohës sonë nuk kanë arritur të shkëputen nga urrejtja, duke mbajtur shpirtin e tyre të prangosur dhe duke injektuar tek ne idenë se egziston vetëm e mira dhe e keqja dhe harrojnë se çdo gjë transformohet dhe udhëtimi më i vështirë, por çlirues, është udhëtimi në nënndërgjegjien njerëzore. Sfida më e madhe me të cilën përballen shkrimtarët, mësuesit dhe komunikuesit e mëdhenj të historisë nuk është të rrëfejnë vetë historinë, madje as mësimet e historisë, por pse historia dhe interpretimi i saktë i saj ka rëndësi. Si të ndizet shkëndija e parë e vullnetit të që ndodhi me lëvizjet e mëdha në historinë tonë apo edhe asaj botërore. Në fund, supozoj se historia ka të bëjë me imagjinatën dhe jo me faktet. Nëse nuk mund ta imagjinoni veten të dëshironi të kryeni trazira kundër korrupsionit galopant në ditët e sotme, apo kultit të individit dhe mungesës së demokracisë në partitë politike, sidomos PS dhe PD, atëhere shkrimtarët dhe historianët, nuk e kanë kryer rrolin e tyre.

Nqs nuk mund të mendojmë veten apo kombin tonë të kryejmë ato trazira që me parrullën “Liri – demokraci”, mobilizoi studentët e gjithë vendin për përmbysjen e komunizmit, apo sakrificat e pafund që sollën shpalljen e pavarësisë, atëhere historia dhe ata që e përçojnë atë kanë dështuar. Nqs ne nuk mësojmë nga historia se lufta heroike dhe sakrificat tona, të cilat u kurorëzuan me sukses në luftën nacional-çlirimtare, nuk u mbrojtën nga uzurpatorët komunistë, apo fitorja e demokracisë pas viteve 90, nuk u mbrojt nga uzurpatorët ish-komunistë dhe individë karrieristë, atëhere ne nuk kemi mësuar asgjë nga historia. Historia na mëson se jeta është një lojë për ata që mendojnë si të shfrytëzojnë sistemin dhe një tragjedi për njerëzit e thjeshtë të mbetur pa mundësi financiare për edukim dhe pamundëso biznesi. Kjo ka ndodhur si në kohën e Zogut, gjatë pushtimit të Italisë fashiste, kur shtresat e pasura, nën petkun e patriotizmit, mbanin popullin e thjeshtë në injorancë dhe skamje thjesht për interesat e tyre por nën maskën e patriotizmit që në fakt ishte tradhëti kombëtare. Kjo lojë vazhdon më tej në komunizëm, por shumë më çnjerëzore dhe reaksionare. Në ditët e sotme “patriotët” politikanë e biznesmenë nuk kanë fare ndryshim nga e kaluara. Kjo është një nga arësyet kryesore që shpesh thuhet se “Ne mësojmë nga historia që ne nuk mësojmë asgjë nga historia” Historia nuk është histori e të huajve, alienëve nga një mbretëri tjetër, por është historia që ne të imagjinojmë veten në atë kohë dhe situata. Historia është kujtesa që ne duhet të kujtojmë se si është të jesh mbrojtës i kristianizmit në kohën e Skënderbeut, si të jesh luftëtar i pavarësisë në 1912 apo si të sakrifikosh jetën e studimet e tua siç bënë studentët e dhjetorit apo edhe si të jesht i burgosur politik dhe ndoshta edhe komunist në kohën e diktaturës. Historia nuk është abstraksion, është armiku i abstraksionit.

Historia është studimi se si gjërat ndryshojnë. Provat janë gjithmonë të pjesshme. Faktet nuk janë të vërteta, megjithëse janë pjesë e saj dhe informacioni nuk është njohuri. Dhe historia nuk është e kaluara, por është metoda që ne kemi evoluar për të organizuar injorancën tonë për të kaluarën.

Çdo njeri në botë mban një barrë të rëndë. Kur u mësojmë histori të rinjve, ndonjëherë e bëjmë atë për të zhvendosur një pjesë të barrës sonë mbi supet e brezit të ardhshëm. Ne duam që të rinjtë të vazhdojnë të mbajnë në vete besimet, kujtimet, identitetet dhe konfliktet që na kanë rënduar gjatë gjithë jetës sonë.

Kjo është e padrejtë. Një arsye shumë më e mirë për të mësuar historinë është të ndihmosh fëmijët të çlirohen nga të paktën disi prej frikës, iluzioneve dhe urrejtjeve të tyre. “I shikon këto gjëra, fëmijë? Kam ngecur me to për vite me radhë dhe më kanë bërë të mjerë.”

Shpresoj që historia të bëhet një mjet për të liruar njerëzit dhe jo për t’i lidhur ata. Një mjet për të krijuar marrëveshje të reja në vend që të përjetësojnë konfliktet e vjetra. Në fund të fundit, qëllimi i mësimit të historisë nuk është të kujtosh të kaluarën, por të çlirohesh prej saj.

Filed Under: ESSE

Presidentja Osmani takoi Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Louis Bono

February 6, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Washington D.C., takoi Ndihmës Sekretartin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono.

Takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e Administratës së Presidentit Trump, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon.

Në mes tjerash, Presidentja Osmani foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO, gjë që përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale. Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO.

Tutje, Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme.

Louis Bono është emëruar nga Administrata e Presidentit Trump si ushtrues detyre në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit me datë 20 janar 2025.

Filed Under: Kronike

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË KOSOVË NË FAVOR TË STABILITETIT E SOVRANITETIT TË KOSOVËS

February 6, 2025 by s p

Në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen në Kosovë me 9 shkurt do të marrin pjesë 27 subjekte politike e 1232 kandidatë për deputetë për të siguruar një nga 120 vendet e Kuvendit, ndërsa risi e tyre zgjedhjeve është në rritjen e numrit të kandidatëve për deputet nga pesë në dhjetë për të cilët qytetarët do të votojnë sipas preferencave të tyre duke rritur cilësinë e përfaqësimit politik.

Nail Draga

Ndonëse në Kosovë fushata elektorale ka filluar ma herët ajo zyrtarisht ka filluar më 11 janar, ku partitë politike për katër javë kanë shpalosur programin para votuesve të tyre. Subjektet politike nuk kanë heshtur sepse ata kanë organizuar tubime me qytetarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke dëshmuar për përparësitë e tyre në zgjedhje si nga pozita dhe opozita. Por, ajo qe bie në sy gjatë kësaj fushate del se kemi pasur një gjuhë polarizuese, ku nuk janë kursyer jo vetëm individët e as partitë politike, ku ma e arsyeshme ka qenë qe partitë politike të fokusohen në programet ekonomike në katër vitet e ardhshme si kudo në vendet demokratike.

Votimet e para të rregullta

Votimet e shkurtit janë të parat të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë dhe do të zhvillohen bazuar në Ligjin e ri të Zgjedhjeve, i cili sjell ndryshime në proces. I miratuar në verën e 2023-s, Ligji parasheh ndryshime në mënyrën e votimit, në numërimin e votave, në votimin e diasporës dhe në menaxhimin e fushatës.Ndërsa risi është në rritjen e numrit të kandidatëve për deputetë, për të cilët qytetarët mund të votojnë.

Qytetari mund të votojë për dhjetë deputet

Një prej ndryshimeve kryesore që i parasheh Ligji për Zgjedhje është se çdo votues do të mund të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë, të një parti politike, ndryshe prej pesë sa ishin në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Në lidhje me këtë çështje analist të ndryshëm vlerësojnë se kjo mënyrë e votimit hap mundësi për manipulim të elektorati votues. Fjala është se mund të ndodhë që nga pakujdesi votuesi mos të rrumbullakojë të dhjetë kandidatët, duke lenë mundësi qe ne rast të tillë anëtaret e komisionerëve të intervenojnë sipas shijes së tyre.

Nga ana tjetër votuesit i mundësohet të zgjedhë më shumë kandidatë për deputetë sipas preferencave të tyre profesionale duke rritur cilësinë e përfaqësimit politik.

Votohet edhe në diasporë

Të drejtën për t’i zgjedhur kandidatët për deputetë do ta kenë edhe qytetarët në diasporë. Deri më 24 dhjetor, KQZ-ja pranoi rreth 70 mijë kërkesa nga diaspora për regjistrim si votues. Por ndryshe nga zgjedhësit në Kosovë, ata para kutive të votimit do të dalin më 8 shkurt.

Mërgata e Kosovës ka mundësi të votojë me prani fizike apo votën e përcjellë me postë nëpër përfaqësi diplomatike(ambasada e konsullata) në 22 vende të botës, ndryshe prej më herët kur u është dashur të udhëtojnë në Kosovë apo që votën ta dërgojnë me postë. Një veprim i tillë nuk do të thot se eliminon mundësinë e ardhjës së mërgimtarëve për të votuar drejtpërdrejt në vendbanimet dhe vendvotimet e tyre në Kosovë. Madje, praktika e zgjedhjeve të fundit dëshmon për gadishmërinë e tyre për të qenë pjesëmarrës si votues në vendlindje, çështje e cila është ekskluzive personale.

Dy procese numërimi

Teksa vota e mërgimtarëve do të numërohet pas mbërritjes së saj në Kosovë, ndryshe do të veprohet me atë të qytetarëve rezidentë. Për ta, numërimi do të ndahet në dy procese. Në ditën e zgjedhjeve, nëpër vendvotime do të kalkulohet fillimisht vota për subjektin politik e një ditë më vonë dhe në qendra komunale të numërimit, ajo për deputetë.

Mundësia që numërimi i kandidatëve nëpër qendra komunale nuk ka dilemë se do ta përshpejtojë certifikimin përfundimtar të votave, që është në favor të transparencës, sepse kandidati për deputet do të mund ta mësojë rezultatin që të nesërmen e ditës së zgjedhjeve. Behët me dije se në favor të transparencës do të jetë i hapur portali i KQZ-së, ku do të plasohen të gjitha rezultatet, formularët e po ashtu edhe rezultatet që numërohen në qendra komunale të numërimit.

Ndryshime në procesin e votimit

Njoftohet se ndryshime ka edhe në procesin e votimit me kusht, i cili do të lejohet veç në një vendvotim në secilën prej komunave. E për votimin e asistuar do të kërkohet arsyetim i bazuar mirë. Po ashtu zgjedhjet e përgjithshme do të monitorohen për herë të parë edhe nga kamerat, xhirimet e të cilave do të vihen në dispozicion të institucioneve me qëllim të zbardhjes së keqpërdorimit.

Mbi 2 milionë votues

Nga ana e KQZ kanë njoftuar se janë gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa numri i të rinjve që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për Kuvend është llogaritur të jetë afro 210 mijë.Në zgjedhje do të marrin pjesë 27 subjekte politike e 1232 kandidatë për deputet në Kuvend. Bëhet me dije se KQZ ka akredituar 18 mijë e 163 vëzhgues të 21 subjekteve të ndryshme politike të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Sondazhet favorizojnë Vetvendosjën

Si më parë por edhe gjatë fushatës zgjedhore nuk kanë munguar publikimi i sondazheve të ndryshme për partite politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Të gjithë sondazhet e publikuara nuk e vejnë në dyshim se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e para, por çështja është se sa do të jetë në përqindje ajo mbeshtetje nga qytetarët. Kështu një sondazh i publikuar me 31 janar 2025 nga PolitPro del se për LVV do të votojnë 52% e votuesve, ndërsa për PDK 19%, LDK 15% AAK-NISMA 8%, ndërsa subjektët e tjera nga 1 deri në 3%. Ndërsa nëse këto të dhëna i krahasojmë me votimet e mbajtura me 14.02.2021 këto subjekte politike kanë rritje: LVV +1.7%, PDK +2%, LDK +2.3% dhe AAK +1.0%.

Theksojmë se në këto sondazhe nuk është llogaritur votimi nga ana e diasporës, që do të ndikojë ndjeshëm në rezultatin përfundimtar të subjektëve politike.

Çështja e Veriut favorizon LVV

Një mbeshtetje e tillë për LVV përkatësisht Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti në vitin 2024 vlerësohet se ka vendosur sovranitetin edhe në Veri të Kosovës mbi bazën e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjeve të saj demokratike, sepse e ndaloi korrupsionin, e legjitimoi euron valutë shtetërore të Kosovës dhe e ndaloi dinarin serb, i zëvëndësoi targat e automjeteve të serbëve me targa RKS, konvertoj patentet e shoferëve në RKS, e ndaloi kontrabandën serbe në Veri të Kosovës, e zbrapsi agresionin terrorist serb të Manastiri Ortodoks Serb në Banjskë në Zveçan të udhëhequr nga kryeterroristi M.Rqadojçiq, e konfiskoi tërë atë arsenal të madh të armëve, ia konfiskoi pasuritë e patundshme të M.Radojçiqit, i mbylli institucionet e strukturave paralele ilegale serbe, i mbylli filialet bankare ilegale serbe, i dëboi terroristët dhe kontrabandistët ilegalë serbë nga Veriu i Kosovës dhe miratoi Ligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshme, riktheu nën kontroll liqenin e Ujmanit, filloi ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Veri, rikthimi i pronave të shqiptarëve në Veri etj.

Zgjedhjet si referendum

Të dhënat e mësipërme janë transparente dhe të njohura për qytetarët e Kosovës, ndërsa çdo minimizim apo politizim i tyre nga opozita aktuale apo individë të ndryshëm e vlerësojmë si pjesë e retorikës së fushatës zgjedhore. Pavarësisht prej sondazheve dhe disponimit të qytetarëve në fushatën zgjedhore, fitohet përshtypja se kemi të bëjmë me referendum e jo zgjedhje të rregullta parlamentare, ku fjala e fundit iu takon qytetarëve të cilët do të marrin pjesë në votimet e 9 shkurtit, sepse do të votohet për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Filed Under: Rajon

SHQIPTARË, ÇLIROHUNI NGA VARGONJTË!

February 6, 2025 by s p

Dr. Erion Dasho/

Më 5 nëntor 2024, Donald Trump arrinte fitoren historike. Një nga premtimet e rëndësishme të fushatës ishte shkurtimi i shpenzimeve qeveritare që do të arrihej ndër të tjera edhe nëpërmjet shkurtimit të numrit të të punësuarve në administratën federale.

Me ardhjen në pushtet, Trump ka nisur të realizojë planin që pritet të çojë në shkurtimin e plot 200 mijë vendeve të punës, çka përkthehet në dhjetëra miliardë dollarë të kursyer çdo vit.

Në filozofinë konservatore, kjo masë quhet “shteti i vogël” dhe nënkupton jo vetëm numër të vogël nëpunësish, por, në radhë të parë, një shtet që ndërhyn sa më pak në jetën e qytetarit, taksim më të ulët, liri ekonomike dhe sociale, përgjegjësi personale, etj.

***

E kundërta ndodh në Shqipëri. Këtu boratët dhe rilindësit kanë krijuar një sektor publik të përbindshëm. Para çdo fushate zgjedhore janë me dhjetëra mijë të punësuar të rinj që i shtohen radhëve të shtetit të kthyer tashmë në një konsumator abuziv të taksave të shqiptarëve. Kjo në rastin më të mirë, pasi në rastin më të keq, midis parazitëve gëlojnë patronazhistët, hajdutët e tenderave, gjobëvënësit dhe 5D-të, të cilët rrjepin jo vetëm pagën, por edhe rryshfetet e majme.

Kur bëhen llogaritë e zgjedhjeve, analistët e Boratit e llogaritin taborin e nëpunësve midis votave të sigurta për rilindjen, madje e shumëzojnë atë me dy ose me tre, duke e bërë fakt të kryer se në sajë të tyre, Borati do të sigurojë edhe mandatin e katërt në 11 maj.

Nuk mungojnë analistët që votën e të punësuarve në shtet e shohin si “votë të pahirit” ose “votë të bukës së gojës”. Pra, një mësues, infermier, polic, punonjës bashkie, ministrie, etj., e voton rilindjen jo për bindje, por nën kërcënimin e pushtetit dhe nën frikën e flakjes në rrugë.

Përfundimi është i qartë. Afërsisht 200 mijë të punësuarit në shtet, sipas sondazheve të analistëve dhe raportimeve të patronazhistëve, i llogariten Boratit duke ngjallur edhe ndjenjën e fatalizmit se çdo përpjekje për ndryshim është e kotë dhe se Borati po ecën i sigurt drejt shpalljes mbret. Hajdut, por ama mbret…

***

Ka ardhur koha që kjo situatë e poshtër dhe poshtëruese në të njëjtën kohë të ndryshojë kryekëput.

》Së pari, qytetarët shqiptarë, sikundër ata amerikanë duhet të ndërgjegjësohen se nuk mund të paguajnë më taksa për patronazhistët, parazitët dhe hajdutët. Me ato pare duhet të paguhen pensionet e të moshuarve, ilaçet e të sëmurëve dhe shkollat e fëmijëve.

》Së dyti, rilindësit duhet të marrin mesazhin se batërdia e punësimeve nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Koha e llogaridhënies ka ardhur prej kohësh dhe, përveç djegësve, koncesioneve në shëndetësi, grabitjeve me rrugët, e shumë zullumeve tjera, do të mbahet përgjegjësi edhe për dhjetëra mijë parazitët e taksave të shqiptarëve.

》Së treti, parazitëve duhet të nisë t’u vijë turp nga vetja. Këtu sigurisht nuk e kam fjalën për hajdutët, kusarët dhe kriminelët e buxheteve, por për hallexhinjtë e ashtuquajtur të “bukës së gojës”. Në Shqipërinë e shkretuar nga rilindja nuk është e vështirë të gjesh një punë në sektorin privat, ku me dinjitet mund të fitosh shumë më tepër krahasuar me lëmoshat depersonalizuese të boratëve.

》Së fundi, opozita e cila prej kohësh e ka bërë konservatorizmin kalë beteje, duhet të shpalosë para shqiptarëve konceptin e shtetit të vogël. Punonjësve të ndershëm dhe të dobishëm t’u dërgohet mesazhi se shteti do të ketë gjithmonë nevojë për dijet, njohuritë dhe aftësitë e tyre. Sikundër do të ketë nevojë për ndershmëri dhe dinjitet. Nga ana tjetër, parazitëve duhet t’u tregohet dera duke nisur nga java e parë në detyrë e qeverisë së re. Jo për t’i ndëshkuar, por për t’u dhënë mundësinë e një jete profesionale dinjitoze, larg parazitizmit.

***

11 maji duhet të hyjë në histori si dita e çlirimit të shtetit dhe shoqërisë nga parazitët. Si dita kur shqiptarët do të çlirohen nga shteti shushunjë për të nisur kapitullin e një shteti të vogël, që krijon premisat për një individ të lirë dhe një shoqëri të drejtë!

11 maji duhet të hyjë në histori si dita kur shqiptarët do të çlirohen nga vargonjtë…

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT