

Zef Ujkaj/
Millutin Llazareviqi, një autor serb, ofron një vlerësim kompleks dhe kontradiktor për luftëtarët shqiptarë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913. Ai, në katër vëllimet e tij, i portretizon shqiptarët si luftëtarë të shkathtë, guximtarë dhe të adaptueshëm duke theksuar aftësinë e tyre për të luftuar në terrene malore dhe për të sulmuar me shpejtësi në grupe të vogla. Përveç kësaj, ai i cilëson shqiptarët si gjuajtës të shkëlqyer dhe vë në dukje aftësinë e tyre për t’u përshtatur me situatën, duke përdorur mashtrime taktike, duke simuluar dorëzimin dhe pastaj duke sulmuar papritur e në befasi. Ai gjithashtu pretendon se shqiptarët nuk kishin frikën më të vogël nga çfarëdo lloj arme, përveç se nga topi, i cili i bën për t’ia mbathur.
Megjithatë, Llazareviqi shprehet kritikisht ndaj disa aspekteve të luftës, duke përfshirë pretendimin se shqiptarët, përkundër traditës së tyre, kryenin aktet e gjymtimit të kufomave. Kjo për ne paraqet një gënjeshtër nga autori, pasi në traditën dhe zakonet e shqiptarëve, nuk janë bërë veprime të tilla, qoftë edhe ndaj armikut më të egër. Po ashtu, ai akuzon shqiptarët për djegien e fshatrave të popullsisë së krishterë (kupto asaj ortodokse brenda Perandorisë Osmane, kryesisht në Vilajetet e Kosovës dhe Manastirit), duke mbjedhur frikë e terror. Kjo është një tjetër e pavërtetë e madhe, por duhet kuptuar edhe alibia e shteteve ballkanike për të krijuar fakte të paqëna si mjet për të ndezur luftën kundër Perandorisë Osmane.
Ky vlerësim për luftëtarët shqiptarë ka një nuancë të dyfishtë, ndërsa i njeh ata për aftësitë e tyre ushtarake, ai i përshkruan edhe si brutalë dhe të pamëshirshëm në taktikat e tyre, duke i bërë përgjegjës për akte të dhunshme dhe shkatërruese. Kjo tregon për një perceptim shumë negativ për shqiptarët nga perspektiva serbe, të cilët i shikojnë jo vetëm si armiq të rrezikshëm, por edhe si një popull i cili përdor metoda të dhunës e terrorit mbi popujt tjerë për të arritur objektivat e tyre kombëtare.











