




Aktivistja e komunitetit shqiptar në New York zonja Alketa Ktona Veshi rrëfen për gazetën “Dielli” të Vatrës, hapjen e një sipërmarrjeje biznesi “Kostume Popullore Alketa New York” që promovon trashëgiminë kulturore kombëtare. Në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të Diellit Sokol Paja, zonja Alketa Ktona Veshi rrëfen lidhjen e komunitetit shqiptar përmes veshjeve popullore, ruajtjen e kostumeve autentike kombëtare shqiptare dhe traditës popullore e trashëgiminë ndër breza të kësaj pasurie kombëtare. Veshjet kombëtare paraqesin artin e duarve të grave shqiptare, shijen, elegancën, aristokracinë.
SIPËRMARRJE ME BAZË TRASHËGIMINË KULTURORE
Ideja e kësaj sipërmarjeje nuk është rastësi, unë jam lindur dhe rritur në Dardhë të Korçës, një fshat me trashëgimi kulturore, ku një ndër pasuritë më të shenjta që ne kemi dhe për të cilin krenohemi është Kostumi Dardhar, në fakt për të ndihet krenare e gjihtë zona e Korçës. Kushdo që e vesh kostumin dardhar ndihet një mbretëreshë, ai ka ngjyrat e flamurit kombëtar, fustan të kuq dhe xibuni (jeleku) i zi, i cili është dizenjuar për të nxjerrë në pah elegancën e hijeshinë e femrës. Pra, rrethuar nga këto ndjenja dhe e rritur në këtë ambient ku promovohej tradicionalja, kultura dhe e bukura, patjetër që do të linin gjurmë tek unë. Dëshirën për të koleksionuar kostumet popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë e kam pasur që e vogël, sepse realisht Shqipëria ka larmishmëri kostumesh dhe janë njëri më i bukur se tjetri.
Pas ardhjes në emigracion, kjo ndjenjë u forcua akoma dhe më shumë. Dëshira për t’u rrethuar nga simbolet kombëtare bëhet akoma dhe më e fuqishme prej mallit ndaj gjithçkaje që kemi lënë matanë oqeanit.
Nisma u konkretizua në momentin që unë u bëra pjesë aktive e komunitetit shqiptar në New York dhe pashë se sa shumë dëshirë kishte ndër të rinj për të veshur kostume popullore. Ndihet një gëzim i papërshkrueshëm nga të vegjël e të mëdhenj kur veshin kostumet e traditës në aktivitete ose festa kombëtare.
NJË BIZNES QË KA FORCUAR LIDHJET ME SHQIPËRINË
Mrekulli, biznesi për fat të mirë m’i ka forcuar lidhjet me Shqipërinë. Paçka se bashkëpunojmë me disa prodhues në Shqipëri, shpesh lind nevoja për të udhëtuar dhe për t’i zgjedhur vetë kostumet. Është fenomenale të mendosh që një vend i vogël si i yni krahasuar me vende të tjera ka një pasuri të paçmuar të veshjeve kombëtare, kështu që më duhet të shkoj në zona të ndryshme të Shqipërisë për të rritur larmishmërinë dhe plotësuar kërkesat e konsumatorit.
Biznesi po ecën kënaqshëm, tashmë globalizmi me mjetet bashkëkohore të komunikimit, rrjetet sociale, si dhe referencat nga komuniteti kanë bërë që të ketë sukses.
“Kostume Popullore Alketa New York” ofron të gjitha mundësitë për të kënaqur klientin. Ofrojmë shitje të kostumeve popullore të gatshme ose me porosi, si dhe shërbimin e përdorimit të përkohshëm për klientë të cilët duan t’i përdorin veshjet vetëm për evente të caktuara.
NJË MUNDËSI E SHKËLQYER PËR SUDENTËT, SHKOLLAT SHQIPE DHE SHOQATAT PATRIOTIKE
Është një ndjenjë e papërshkruar të shohësh si lumturohen bashkatdhetarët tanë kur provojnë veshjet tradicionale shqiptare. Rastet janë nga më të ndryshmet, me shërbim të përkohshëm kryesisht i përdorin studentët, të cilët zhvillojnë aktivitete në shkollat e tyre, ku pasqyrojnë kulturën e kombeve të origjinës, e ku ka më bukur të shofësh brezin e ri të krenohet dhe shpalosë kulturën e vendit nga kanë rrënjët. Emocionuese është gjithashtu kur çiftet zgjedhin kostumet popullore me të cilat celebrojnë dashurinë e tyre në altar, shpesh paraqitja e çiftit me veshjet popullore sjell më shumë vëmendje, sesa fustani i bardhë i nusërisë. Pa dashur dhe unë bëhem pjesë e gëzimit të tyre.
Lidhja me komunitetin është shumë e ngushtë. Këtu në New York kemi një diasporë mjaft të organizuar, shoqatat shqiptare ushtrojnë aktivitete të ndryshme me qëllim ruajtjen e traditave kombëtare dhe trashëgiminë e tyre te brezat e rinj. Shkollat shqipe gjithashtu promovojnë kulturën e trashëgimninë kulturore. Fëmijët lumturohen të prezantohen në festa të organizuara nga vetë shkollat ose komuniteti shqiptar me ngjyrat dhe veshjet kombëtare dhe kjo gjë përforcon dëshirën time për ta zgjeruar sa më tepër këtë aktivitet që në fakt nuk është vetëm biznes.
TË MBAJMË GJALLË TRADITËN DHE T’U TRASHËGOJMË BREZAVE
Dëshira ime është të shoh sa më shumë fytyra të gëzuara të festojnë e të krenohen me veshjet kombëtare. Të mbajmë gjallë traditën dhe t’u trashëgojmë brezave këtë pasuri të paçmuar për të cilat kemi të drejtë të krenohemi. Pse jo çdo familje të ketë në dollapin e saj këto suvenire të çmuara. Ndërsa ëndrra ime në sirtar është që në një të ardhme të ekspozoj këto perla të trashëgimisë sonë në vitrinat e Time Square në Manhattan.
VESHJET KOMBËTARE PARAQESIN ARTIN E DUARVE TË GRAVE SHQIPTARE, SHIJEN, ELEGANCËN, ARISTOKRACINË
Edhe pse kam një histori lidhjeje shpirtërore me Kostumin Dardhar, i cili më ka magjepsur që kur e kam veshur për herë të parë kur kam qenë shumë e re, sepse e ka mbajtur nëna dhe gjyshja ime, unë nuk mund të bëj dot dallim ndërmjet kostumeve. Ato paraqesin artin e duarve të grave shqiptare, shijen, elegancën, aristokracinë. Kostumet shqiptare kanë një zanafillë shekullore dhe ruajnë vlera të pakrahasueshme që i kanë zili dizenjatorët më të famshëm të kohërave moderne.



EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU










FSH: Në përgjigje të kësaj pyetjeje dua t’i referohem, “Librit të Zi të Komunizmit: Krimet, Terrori dhe Shtypjet”, një vepër kjo e francezit Stephane Courtois dhe akademikëve të tjerë evropianë, një libër që dokumenton krimet politike, përfshir gjenocidin dhe barbarizma të tjera të regjimeve komuniste në botë, përfshirë Shqipërinë. Jam dakort me autorët e atij libri se komunizmi ishte praktikuesi më i egër i “krimeve kundër njerëzimit”, në histori. Një sistem politik që shkaktoi miliona viktimash njerëzore — sipas tyre rreth 100-milion gjithsejt — dhe miliona viktima të tjera që vuajtën në kampe përqendrimi, kampe pune e burgje të ndryshme. Ishte një sistem që në çdo vend ku kishte marrë pushtetin me forcë — i kishte shpallur luftë traditave kombëtare, kulturës, letërsisë, historisë, fesë. Dhe në përgjithësi, sipas autorëve, kishte ndërmarrë një luftë kundër vet qytetërimit botëror, me qëllim të krijimit të ‘’njeriut të ri’’. Ky gjykim i komunizmit në atë libër, nuk bëhet nga anti-komunistë ekstremë, por nga historianë e akademikë të krahut të majtë evropianë, ish-komunistë ose simpatizantë të komunizmit. Kur shkrimtari francez i majtë, Andre Gide pat vizituar parajsën komuniste të Stalinit, pasi u këthye së andejmi, ka deklaruar se ‘’Dyshoj të ketë ndonjë vend në botë, përfshirë edhe Gjermaninë e Hitlerit, ku liria e mendimit të jetë më e pakët dhe më e terrorizuar se sa në Bashkimin Sovjetik’’. Ish-presidenti amerikan Ronald Regan e ka quajtur komunizmin si “një kapitull të dhimbshëm dhe të pakuptueshëm të historisë”, si një sistem që ishte ngritur mbi baza që ishin në kundërshtim me natyrën njerëzore. Ndërkohë që Zbignjev Brzezhinski e ka cilësuar ideologjinë komuniste si një “doktrinë të huaj’’ që iu imponua Evropës Lindore, pro-përendimore. Në referencë të pyetjes tuaj, vërtetë se komunizmi është ende, zyrtarisht, i pranishëm në disa vende, por për fat të keq komunizmi është i pranishëm, jo zyrtarisht, në shumë vende, përfshirë Shqipërinë tonë. Krimet e komunizmit në Shqipëri duhet të na kujtojnë që të mos harrojnë natyrën e vërtetë barbare të atij sistemi. Heshtja zyrtare ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri është e pafalshme, sidomos heshtja intelektualëve, historianëve, por edhe gazetarëve dhe të gjithë atyre të cilët kanë bërë të mundur mbijetesën dhe zgjatjen e jetës së regjimit komunist, duke e mbrojtur me lëvdata dhe me shkrime gënjeshtër. Duke mohuar të vërtetën, atëherë dhe sot. Ata intelektualë që mbrojtën dhe mbështetën, mundësuan dhe legjitimuan komunizmin gjatë dekadave por edhe në ditët e sotëme, me nostlagjinë e tyre për atë regjim – do duhej të konsideroheshin, jo vetëm si konspiratorë e komplotistë por edhe bashkfajtorë për vrasje, internime, burgosje pa faj, e tjera krime kundër njerëzimit.