• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

SHQIPTARËT NË CLEVELAND, OHIO DHE PËRPJEKJET E TYRE PËR KOMB, ATDHE DHE KOMUNITET

March 26, 2025 by s p

Safet Hysenaj, kryetar i “Shoqata Shqiptare e Cleveland” rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar te komuniteti shqiptar në Cleveland, Ohio, bashkimin e komunitetit shqiptar, ndihmën ndaj emigranteve të rinj, planet për ndërtimin e një shtëpie si bazë patriotike për çdo shqiptar në inegrimin e tyre dhe ruajtjen gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare përmes aktiviteteve patriotiko- kulturore e hapjen e një shkolle shqipe për të ruajtur gjuhën amtare e identitetin historik e kulturor. Me patriotin Safet Hysenaj, bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHOQATA SHQIPTARE E CLEVELAND-IT

Shoqata Shqiptare e Cleveland-it u themelua në vitin 1998 nga një grup shqiptarësh të përkushtuar, me Hasan Bakia, Arqile Jani Councilwoman Dona Brady, Viktor Thomas, Klejda Spirollari dhe Kujtim Dauti si themelues kryesore. Kjo shoqatë lindi nga nevoja për të bashkuar komunitetin shqiptar të Cleveland-it dhe për të krijuar një strukturë që do të ndihmonte emigrantët shqiptarë në integrimin e tyre, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe kulturën e tyre. Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët në Cleveland luajtën një rol aktiv në organizimin e ndihmave humanitare për Kosovën dhe në ndërgjegjësimin e opinionit publik amerikan mbi çështjen kosovare. Presidenti Clinton zgjodhi Cleveland-in si një nga pesë qytetet që do të pranonin refugjatë për riatdhesim, sepse kishim një shoqatë me bazë të fortë. Sot bordi i shoqatës përbëhet nga këta anëtarë dhe rolet e tyre: Safet Hysenaj- kryetar, Dona Brady – nënkryetare, Vilson Mihaj – president, Juxhin Shazivari – zv.president, Ina Basho – thesari, Ajaz Emini – kultura, Ondi Gusho – it.

HISTORIA E EMIGRACIONIT SHQIPTARË NË CLEVELAND

Shqiptarët e parë që erdhën në Cleveland ishin kryesisht nga Shqipëria e Jugut, veçanërisht nga zona e Korçës dhe Gjirokastrës. Ata ishin kryesisht burra të rinj që udhëtuan në SHBA për arsye ekonomike, duke punuar në industri si ndërtimi, fabrikat dhe sektorët e shërbimeve. Pavarësisht sfidave të mëdha, shumë prej tyre u organizuan dhe krijuan grupe të vogla shoqërore për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të ruajtur identitetin shqiptar.

AKTIVITETET KOMUNITARE

Me një drejtim të ri, Shoqata Shqiptare ka qenë shumë aktive. Kryetari i shoqatës në vitin 2024 organizoi një paradë festive për One World Day në Kopshtin Nënë Tereza në Cleveland. Ky është një monument shqiptar në një tokë shqiptare brenda Kopshtit Kulturor në Cleveland, Ohio. Gjithashtu, kryetari organizoi festën e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 2024, ku shumë shqiptarë u mblodhën së bashku në një gala të mrekullueshme me muzikantë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria. Kryetari i ri i Shoqatës Shqiptare organizoi gjithashtu një darkë të vogël për përkujtimin e Ditës së Pavarësisë se Kosoves në shkurt 2025 dhe synon të jetë edhe më aktiv në të ardhmen, duke festuar festat tona kombëtare me komunitetin shqiptar.

E ARDHMJA E SHOQATËS SHQIPTARE

E ardhmja e Shoqatës Shqiptare synon të ketë mjaft anëtarë të rregullt me pagesë, të cilët do ta mbështesin shoqatën në qëllimet e saj. Prioriteti kryesor është sigurimi i një vendi që mund ta quajmë shtëpi – një ndërtesë me hapësirë të mjaftueshme për të hapur një shkollë shqipe dhe për të zhvilluar aktivitete për fëmijët. Fëmijët tanë duhet të flasin gjuhën tonë, dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse Shoqata hap një shkollë ku të gjithë, si fëmijët ashtu edhe të rriturit, mund të mësojnë shqip. Të gjitha aktivitetet do të fokusohen kryesisht në këtë drejtim në të ardhmen. Kjo ndërtesë do të shërbejë gjithashtu si një zyrë e vogël për të ndihmuar shqiptarët e sapoardhur në Cleveland, duke u ofruar mbështetje për dokumentacionin, përkthimet, punësimin dhe strehimin. Do të ketë gjithmonë dikë aty për të ndihmuar shqiptarët që vijnë në Cleveland dhe kanë nevojë për mbështetje.

BASHKËPUNIMI ME INSTITUCIONET

Qyteti i Clevelandit i cakton komunitetit shqiptar në Cleveland një copë tokë si pjesë e Kopshtit Kulturor në Cleveland, Ohio. Kjo arritje u sponsorizua nga Councilwoman Dona Brady, ku është ngritur monumenti i Nënë Terezës. Ky monument u inaugurua nga presidenti i Shqipërisë në atë kohë, Bujar Nishani, i cili mori pjesë në ceremoninë e përurimit së bashku me delegatët e komunitetit shqiptar.

THIRRJA PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR

Udhëheqja e re e komunitetit shqiptar u bën thirrje të gjithë shqiptarëve në Ohio dhe mbarë botën që të bëhen anëtarë të komunitetit shqiptar në Ohio, për të ndihmuar në krijimin e një ëndrre shqiptare, ku flamuri ynë të valëvitet mbi një ndërtesë që shqiptarët do ta quajnë shtëpi. Përmes regjistrimit dhe kontributit në Shoqatën Shqiptare të Cleveland-it, ne mund të arrijmë objektivin tonë – krijimin e një vendi ku fëmijët tanë të mësojnë alfabetin dhe të flasin gjuhën tonë amtare, e cila është unike në botë dhe e ndryshme nga çdo gjuhë tjetër.

KUSH ËSHTË PATRIOTI SAFET HYSENAJ?

Unë jam Safet Hysenaj, i lindur në fshatin Greshicë, Mallakastër. Në vitin 2000, u shpërngula në Shtetet e Bashkuara me prinderit, motren dhe vëllain kur isha vetëm 14 vjeç. Vendosem të jetoj në Lakewood, Ohio, ku, gjatë viteve si qytetar amerikan dhe me dijet që fitova nga shkollimi në SHBA, kam pasur mundësinë të ndihmoj shumë bashkatdhetarë dhe vazhdoj ta bëj këtë me gjithë mundësitë që kam. Jam një baba krenar i tre fëmijëve, një bashkëshort i përkushtuar, dhe karriera ime pas shkollës së mesme nisi si teknik i optometrisë në një organizatë private. Për 18 vitet e fundit, kam punuar si menaxher rajonal, duke udhëhequr 30 deri në 50 punonjës. Në të njëjtën kohë, jam edhe bashkëpronar i një biznesi ndërtimi, i cili ka qenë shumë i suksesshëm dhe më ka mundësuar të ndihmoj shumë shqiptarë të sapoardhur nga Shqipëria, duke u ofruar atyre punësim dhe mbështetje.

Shtysa ime më e madhe për t’u bërë kryetar i Shoqatës Shqiptare të Cleveland-it erdhi nga mungesa e përfaqësimit dhe vëmendjes ndaj komunitetit tonë para se të merrja këtë rol. Unë besoj fort se komuniteti shqiptar në Cleveland meriton më shumë organizim, mbështetje dhe aktivitete që e forcojnë identitetin tonë kombëtar. Shumë njerëz në Ohio më njohin dhe besojnë se mund të sjell ndryshim për komunitetin tonë, duke krijuar një organizatë të suksesshme dhe shumë të dobishme.

Edhe pse kjo është një organizatë jo fitimprurëse, e bëjmë sepse duam të ndihmojmë njerëzit tanë dhe sepse ndjejmë krenari për gjakun shqiptar që rrjedh në venat tona. Motivimi im më i madh është të vazhdoj dhe të përmirësoj punën e rëndësishme të emigrantëve të hershëm shqiptarë. Nuk do të ndalem derisa objektivat e shoqatës të arrihen dhe të mbahen si një standard i lartë për brezat që do të vijnë, në mënyrë që komuniteti shqiptar në Cleveland të vazhdojë të rritet dhe të lulëzojë ndër vite. Ftoj të gjithë shqiptarët që të na bashkohen. Kontaktoni: albaniansofcleveland1912@gmail.com.

Filed Under: Featured

Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949

March 25, 2025 by s p

Instituti “Lumo Skendo”/

Lindi në Janinë më 25 mars 1880. I ati, Abdyli, ishte në Prizren, në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur lindi Mid’hati. Abdyli, Naimi dhe Samiu u morën direkt me edukimin e tij. Në vitin 1897 themeloi biblotekën “Lumo Skëndo” dhe mori pjesë aktive në botimin e “Kalendarit Kombtar” bashkë me Kristo Luarasin. Shkrimet e para me temë rilindëse i botoi qysh në moshën 16 vjeç, madje puna e parë ishte për Skënderbeun.Pas studimeve, punoi në admistratëm osmane në Stamboll dhe mandej në Selanik, ku themeloi Klubin shqiptar dhe gazetën “Lirija” (1908).

Mid’hati u zgjodh kryetar i Kongesit të Manastirit, (1908) që hartoi një program kombëtar prej 18 pikash dhe vendosi alfabetin krejtësisht latin të gjuhës shqipe.

Ai qe nismëtar i thirrjes së Kongresit arsimor të Elbasanit( 1909) për çeljen dhe administrimin e shkollave shqipe dhe të Normales për mësues.

Botues i revistës kulturore “Dituria”, një enciklopedi ejetës dhe monument i kulturës shqiptare(1897-1929).

Veprimtar i shquar i Pavarësisë. Pjesëmarrës në tubimin e Shkupit( tetor 1912) ku u vendos te shpallej Pavarësia e Shqpërisë.

Delegat i Pejës dhe Gjakovës, Plavës e Gucisë dhe mandej dhe i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës (1912). Firmëtar i Pavarësisë Kombëtare dhe anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit, ministër i Punëve të Përgjithshme.

Në vitin 1914 ministër në qeverinë e Princ Vidit.

Largohet nga Shqipëria, kur nis rebelimi haxhiqamilist, që i dogji edhe shtëpinë me gjithe dokumentet në Elbasan. Emigrant në Zvicër, Sofje, Bukuresht. Në Sofje boton veptat e para: “Letra nga një udhëtim në Zvicër”, “Hidhe shpuzë”, “Popullsia e Epirit”, “Pritmi i Shqipërisë”, si edhe gazetën në gjuhën frengjisht “L’indipendance Albanaise” ku propagandonte dhe mbronte çështjen shqiptare.

Gjatë Luftës së Parë Botërore u internua në Moldavi, në minierat e naftës dhe të vdekjes. Atje shkroi “Ditarin”, kujtimet nga Rumania.

Ministër pa protofol ne qeverinë e Turhan Pashës (1918). Delegat i qeverisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919), njëherësh delegat i “Vatrës” SHBA në atë konferencë, i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës” dhe i shqiptarëve te Turqisë.

Në Lozanë dhe Gjenevë, qendra të propagandës dhe botimeve të kombeve, Mid’hati botoi në vitin 1919-një sërë veprash të rëndësishme historike në gjuhën frëngjisht si “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarë e sllavë”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë atdheut”, “Rivendikimet shqiptare”, “Çështja e Epirit”, si edhe qindra artikuj, promemorie, letra, ese, memorandume drejtuar Konferencës së Paqes, qeverive të Fuqive të Mëdha dhe personaloiteteve politike e kulturore të Europës si edhe shkrime botuar ne gazetat dhe revistat më prestigjioze të Europës.

Gjithashtu, i dërgoi Presidentit Uilson të SHBA një mesazh për ta njohur me çështjen shqiptare dhe nje aneks-promemorie të shoqëruar me gjashtë harta etnografike, që ndikuan tek Presidenti Uilson për mbrojtjen e çështjes së rrezikuar shqiptare, në prag të coptimit.

Kryetari delegacionit shqiptar në Konferemncën e Paqes në Paris (1920-1922) dhe në Lidhjen e kombeve, ku mbrojti si askush tjetër çështjen shqipare.

Në vitin 1923 emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku u shqua për regullimin e marëdhenieve shtetërore me Greqinë, mbylljen e Sillogjeve antishqiptare dhe mbrojtjen e çëshjes çame, ndalimin e shkëmbimit të shqiptarëve si turq në Turqi(1923-1925) dhe kundërshtimin e kolonizomit të Çamërisë me kolonë grekë.

Dha dorëheqjen si ambasador në vitin 1925, kur politika e shtetit shqiptar nuk përputhej më me parimet e tij, pikërisht kur Shën Naumi dhe Vermoshi iu dhanë Jugosllavisë nga Zogu, me protestën “Asgjë të japim nga trupi i mëmëdheut tonë”.

Në vitet 1925-1939 u mor me punë kulturore dhe studimore, themeloi librarinë “Lumo Skendo në Tiranë” dhe botoi një sërë veprash të rëndësishme si “Plagët tona”, “Gruaja”, “Udhëtarët e huajnë Shqipëri”, “Liga e Prizrenit”, “Përshtypjet e udhëtimit””, “Bibliografitë” etj

Më 8 prill 1939 hodhi themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” si një alternativë antifashiste me program “Nacionalizma shqiptare, 1939. Në vitin 1942 publikoi progamin e Ballit Kombëtar “Dekalogu”, një program nacionalist për një Shqipëri etnike dhe demokratike dhe socialdemokrat nga pikpamja sociale.

Gjatë Luftës së Parë Botërore udhëhoqi luften e nacionalisteve kunder pushtuesve nazifashistë dhe paqen ndermjet shqiptarëve. Ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Mukjes (3-4 gusht 1943) dhe i Marrëveshjes së Mukjes per një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve të mëdhej Antifashistë. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët dhe emisarët jugosllavë, ai u përpoq të ndalte Luften civile (1943-1945) dhe u përball me terrorizmin komunist.

Emigroi nga Shqipëria pas pushtimit komunist te saj (nëntor 1944) për ta vazhduar luftën kundër regjimit komunist me mjete demoktatike me ndihmen e vendeve Perëndimore. Në emigracion organizoi qëndresën, por edhe edukimin e shkollimin emigrantëve politikë shqiptarë (në kampet Gramo, Santa Fara, Regio Emilia, etj) me konferencat, kurset, shkollën “Besnik Çano”, mësimin e gjuhëve të huaja dhe botimin e revistës”Flamuri”).

Ne vitin 1949 Mid’hat Frashëri në bashkepunim me Aleatët aglo-amerikanë themeloi ne Francë më 26 gusht 1949 Komitetin “Shqipëria e Lirë”, qeveria shqiptare ne emigracion. Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisënga diktarura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratiksipas modeleve më të përparuara perëndimore. Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetar i komitetit dhe nga BBC në Londër shpalli programin e Komitetit, 6.09.1949. Komiteti Shqipëria e Lire” u vendos me seli në Nju York, ku nisi veprimtarinë.

Për fat të keq, vdiq paprirur më 3 tetor 1949. Vdekja e tij mbetet e dyshimtë, ndonëse u njoftua një atak kardiak. Mendohet se vdekja e M.Frasherit u shkaktua nga një ndërhyrje e Sigurimit Rus, nëpërmjet agjentit Kim Filbi, sipas vendit te qeverisë shqiptare për ta zhdukur Mid’hat Frashëtin (dok. arkivi i Ministrisë së Brendshme).

Vdekja e Mid’hat Frasherit ishte një humbje e madhe per Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe më gjerë. Ai ishte figura më e madhe e Kombit tonë, njëherësh edhe nje nga personalitetet më të shquar të Europës në atë kohë.

Filed Under: Kulture

ROMANI “LIVIA” MESAZH I PERTEJ KOHËS PËR DASHURINË, FAMILJEN DHE UNIN NJERËZOR QË GJAKON ENDRRËN SIZIFIANE

March 25, 2025 by s p

Mhill Velaj/

Romani “Livia” i Mark Pashkut është roman për dashurinë, i kundruar artistikisht nga një kënd krejt tjetër psikologjik. Intuita e autorit Pashku na zhyt në një diskurs e univers tjetër të lirisë e dashurisë, ku në epiqendër mbetet një femër, por edhe në unin e një burri peng, i cili çdo ditë është në kërkim të asaj dashurie pa adresë. Dhe siç thekson shkrimtari Vilson Culaj në analizën e tij “Romani në fjalë është një zbërthim eskatologjik i lidhur me shpirtin e lirinë njerëzore, por edhe diskurs i thellë filozofiko-letrar për dualizmin, kurthet e jetës në bashkëshortësi, karakteret njerëzore, orientimin seksual, indiferentizmin, karrierizmin, harresën kolektive dhe pasojat që sjell bota postmoderne’’.

Rrëfimi letrare zë fill në ambientet e qytetit mesjetar të Shasit, si një mjeshtri e autorit për t’i zhvendosur personazhet në kohë e hapësirë, ku ëndrra e kujtesa dhe një Platonizëm i zjarrtë zë vend në këtë rrëfim mbresëlënës, duke reflektuar për humbjet e mëdha të ndjenjave në kohë e hapësirë, në mënyrë që ta ridimensionojë dhe orientojë më pas rrëfimin të familja gjegjësisht te dy kryepersonazhet, Lekë Bardhi dhe Livia. Ata bartin në vete tërë barrën e rrëfimit dhe dramës në dashuri, dilemat dhe të papriturat, por edhe hijet e traditës, duke mos arrirë asnjëherë ta kapin orën e çastin e bekimeve në dashuri.

Autori Pashku me letërsinë e tij, krejtësisht unike, i ka dhënë vetës profilin e një romancieri të dalluar, ku rrëfimi postmodern e plotëson rrëfimin klasik, ndërsa temat me taban real marrin dimension universal.

Në romanin “Livia” gufon situata familjare, sa dramatike aq edhe groteske, ku si pasojë e një funksioni shtetëror, indoktrinimit dhe pasioneve të saj iluzioniste Livia investon verbërisht në disharmoninë e familjes. Ky cen jetësor kishte krijuar pasoja edhe për Luanin, birin e saj dhe të Lekë Bardhit, i cili vragën psikologjike e kishte bartur me vete. Punë e re, pasion i ri , e ëndërr e re e kishte pushtuar gruan e re prej se fuqia e pushtetit e parasë kishte filluar t’ia robëronte lirinë dhe përkushtimin familjar.

Është kulti i pengut në dashuri i përshkruar mjeshtërisht në këtë roman nga autori Mark Pashku, i cili, falë talentit te tij – planit të tij ideo artistik mbarështon dhe rrëfen letrarisht për vakumet e kujtesës në dashurinë e dy protagonisteve, e cila kërcënohet keq nga superegoja njerëzore dhe lakmitë verbuese. Është pra ky roman një lloj drame shpirtërore e dy të rinjve si një lloj pararoje ndaj hipokrizisë dhe kufizimeve njerëzore, zhytur në maskën e sistemit dhe ideologjisë së regjimit të dikurshëm.

Rrëfimi është i ngrohtë, nxitës, plot dilema e udhëkryqe që kërkon lexuesin për ta shqyrtuar dhe zbërthyer misterin e dramës romanore.

Në këtë strukturë të rrëfimit, shkak dhe pasojë e kësaj gjendjeje na del Livia ëndërrimtare. Protagonisti i këtij romani dikur kishte pikëtuar shumë vajza të bukura në atë ambient të zymtë shpirtëror, por ëndërr që ia vriste ëndrrën ishte Livia, jo si një vajzë që ushqente idealet në dashuri, por si një femër që kuptonte esencën e ikjeve të bardha në dashuri.

Ajo ushqehej me iluzionin e pasionin e saj ”unë dua të jem e lirë” dhe “jam rritur në karrierë”. Këtu zë vend theksi e mesazhi i këtij romani. Rrezikimi i familjes me mjete postmoderne siç janë materializmi, hedonizmi, poligamia, indiferentizmi etj. Këtu zë fill edhe drama shpirtërore e një burri fisnik, por pasionant i Lekë Bardhit, i cili merr mbi supe barrën e vuajtjes, kujtesës e dëshirës për ta mbajtur dashurinë gjallë.

Figura e Lekë Bardhit në këtë roman na del figura e një burrë të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm, në aspektin familjar, por edhe melankolik, shpresëvrarë dhee i lodhur në brendinë e tij, përballë situatës dramatike në dashuri. Përdorimi i figuracionit të theksuar dhe të duhur, shpërfaq unin dhe universin origjinal letrar dhe të njohjes së autorit Mark Pashku.

Kjo strukturë komplekse narrative e ngre në nivel të lartë autorin prozën e Mark Pashkut, një karakteristikë e mendjeve të pjekura dhe intuitive letrare. Krijuesi Mark Pashku, edhe pse i ri në moshë ai i triumfalisht po hyn në radhën e shkrimtarëve më të shquar të letëesisë sonë më të re. “Livia” është romani trokitjeve të mëdha në ndërgjegjen e shumë brezave, me premisa të një romani psikologjik ku lexuesi dhe krijuesi përjetojnë të njëjtin akt shijimi e receptimi, por edhe të empatizmit në dashuri dhe dramat e mistershme që di t’i sjell ajo.

Këta përbërës letrar janë uji, dielli dhe mendimi; Optimizmi, fjala, shpresa, dashuria dhe kujtesa që dhemb. Autori është i aftë që të mbajë peshoren më delikate në sferën e kuptimit estetik, andaj vëmendja letrare ndaj tij është nderë për letërsinë shqiptare.

Romani “Livia” është një endëzim sa tokësor po aq qiellor e ideor, sepse ai nuk erdhi si krijesë nga dhimbja e emocionet spontane, por nga gjendja e kërkimit ideor dhe e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, nga e kaluara në të tanishmen dhe nga etja e zjarri për monolog në një kohë dialogu të pamundur, të cilin autori nuk mund ta ripërtërijë e rikthejë të kaluarën në shijim të së tanishmes.

Bota e tij e hapur, përvoja letrare dhe përvetësimi i shijeve artistike janë një dimension i hapur kulturor që i hap çdo lexuesi horizonte të reja udhëtimesh novatore, nëpërmjet metaforave, simboleve e sentencave të dendura, madje deri tek ato me mesazhe drithëruese. Mark Pashku nxjerr në pah aftësinë e tij për ta vënë lexuesin në rolin e protagonistit, duke e bërë atë të ndihet sa metaforik, po ashtu edhe real në materien e dukshme dhe të padukshme të universit emocional të përjetuar e të fisnikëruar, njëkohësisht.

Ai mediton për mollën e ndaluar dhe të kafshuar dhe realitetin virtual, kohën dhe plagët që sjell mendja e kujtesa. Rrënimtari është i farkëtuar e gravuar në sytë e dikujt, por edhe i lartësuar në dijet e tij. Krijuesi Mark Pashku – LucGjonaj është i rrethuar me detin e njohjeve e përjetimeve dhe Evës që tundon, por edhe me vetnjohjen e principet fisnike që nuk e zhysin në ujëra iluzionesh asnjëherë. Rrëfimet e tij letrare janë eklipse e harpë e Saulit, janë tinguj të ëmbël, por edhe horizonte të pamasa në sytë e veshët e lexuesve.

Brenda kësaj harmonie e valleje mistike që bart brenda vetes ky roman, lexuesi ndjen botën sentimentale në kontekste e dimensione të reja, ku fryma lirike vjen përmes tingujve shpirtërorë të violonçelit të të dashuruarve që ndjejnë bukurinë e jetës, në heshtje por duke e fisnikëruar jetën e dashurinë në të njëjtën kohë.

Shkrimtari Mark Pashku, duke qenë njohës i mirë i të shkruarit letërsi, ai di të “këndojë” kur ka elegji, di ta shijojë jetën, paqen, harmoninë dhe dashurisë. Mu në magjinë e kësaj përmase krijuese ai gjakon momentin e përjetuar e jo atë të nihilizmit dhe asaj që ndoshta nuk do të vij më kurrë.

Po e përmbylli këtë reflektim timin me thëne të Luis Brilante se “Estetika është e qartë, po aq e drejtpërdrejtë dhe e papërcaktuar, si dashuria, si shija e një fryti, si uji. Poezinë e ndiejmë njësoj siç e ndiejmë afërsinë e gruas apo aromën e maleve apo të thellësive të detit”. Kjo ndërlidhet edhe me metaforën letrare që bart e tërë proza e Mark Psshkut në romanin “Livia”.

Filed Under: ESSE

Prof. Dr. Selman Sheme – një nga figurat qendrore të studimeve gjeografike në Shqipëri

March 25, 2025 by s p

Prof.dr. Perikli Qiriazi -Prof.dr. Skender Sala – Prof.dr. Pal Nikolli/

Mes portreteve të spikatura të pedagogëve, që, me punën e tyre studimore dhe kërkimin shkencor bënë historinë dhe lartësuan emrin e Universitetit të Shkodrës, të Tiranës e më gjerë, është pa diskutim edhe ai i Prof. Dr. Selman Shemes.

Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, profesor Selmani u bë pjesë që në vitin 1969, një vit pasi ai kreu studimet universitare në degën Histori-Gjeografi, pranë Fakultetit Histori-Filologji të UT-së.

Gjatë viteve 1969-1997, ai ka qenë pedagog i lëndëve Gjeografi Ekonomike e Përgjithshme, Gjeografi Ekonomike e Shteteve dhe Gjeografi Ekonomike e Shqipërisë, kohë kur përgatiti breza të tërë mësuesish tek të cilët, me modelin që ai përfaqësonte, u mundua të injektonte etikën e punës, korrektësinë në çdo lloj raporti dhe dashurinë për profesionin.

Vitet e punës në Universitetin e Shkodrës do të ishin për profesor Selmanin vitet gjatë të cilave ai do të ngjiste shkallët e karrierës shkencore. Zotërimi i disa gjuhëve të huaja, si: frëngjishtes, italishtes e rusishtes, përvoja e fituar tashmë si pedagog dhe puna sistematike kërkimore -shkencore i dhanë sigurinë për të fituar gradat shkencore njëra pas tjetrës. Kështu, në vitin 1987 profesor Selmani fitoi gradën “Kandidat i Shkencave Gjeografike”. Ky hap i parë u pasua nga një tjetër hap akoma më i madh. Ishte viti 1991 kur pas një pune disavjeçare përfundoi disertacionin me titull: “Dinamika, struktura dhe shpërndarja gjeografike e Industrisë së Energjitikës” dhe në vitin 1993 fitoi gradën “Doktor i Shkencave”. Shumë shpejt, në vitin 1995, do të fitonte edhe titullin “Profesor i asociuar”.

Njeri ambicioz dhe me dëshirë për të përqafuar risitë në fushën e gjeografisë, sidomos në drejtim të Gjeografisë Humane, në vitin 1992 do të përfshihej në një kurs kualifikimi për makro e mikro ekonomi, organizuar nga Universiteti i Nebraskës (SHBA) në Universitetin e Shkodrës. Një vit më pas, do të kryente një kurs kualifikimi pranë Universitetit të Bolonjës. Në po këtë vit, 1993, do të ishte pjesëmarrës në një kurs tjetër kualifikimi, në kuadër të programit “Tempus” organizuar pranë Universitetit të Triestes në Itali.

Përgatitja e lartë shkencore i mundësoi profesor Selmanit edhe një veprimtari botuese të shumtë dhe të larmishme. Një sërë botimesh, si: monografi,  tekste universitare dhe parauniversitare, artikuj shkencorë, referate dhe kumtesa, brenda dhe jashtë vendit i përkasin pikërisht kësaj periudhe të gjatë të punës së tij pranë Universitetit të Shkodrës. Kësaj periudhe i përkasin gjithashtu edhe shumë pjesëmarrje në projekte, udhëheqje, oponenca dhe juri për mbrojtjen e “Magjistraturave dhe Doktoratave” si dhe në veprimtari të tjera me karakter pedagogjik dhe shkencor.

Dimensioni i lartë shkencor dhe intelektual, si dhe përgjegjshmëria e lartë që e karakterizon në çdo nivel marrëdhëniesh kanë qenë imponuese për ngarkimin e detyrave të ndryshme. Kështu, nga viti 1993, ai është Anëtar i Komitetit Internacional të Fondacionit “Emanuel” për  Jugun e Botës, Lece, Itali; 1994-1997 Përgjegjës i Seksionit të Gjeografisë Humane në Departamentin e  Gjeografisë të Universitetit të Shkodrës; Sekretar shkencor i Revistës “Buletini i Shkencave Shoqërore”, botim i  USH-së si dhe Nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Gjeografisë, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave.

Pikërisht në momentin më të arrirë të karrierës së tij në Universitetin e Shkodrës, në vitin 1997, kur konteksti ekonomik dhe shoqëror tashmë ishte përmbysur, profesor Selman Sheme zhvendoset në Tiranë. Falë vlerave të tij si një pedagog i përmasave të larta intelektuale, ai bëhet pjesë e Departamentit të Gjeografisë së Universitetit të Tiranës.

Profesor Selman Sheme, një prodhimtar i lartë shkencor edhe në UT

Me të njëjtin pasion dhe përkushtim në mësimdhënie ai punoi nga viti 1997 deri në vitin 2013 si pedagog i brendshëm pranë këtij departamenti si titullar në lëndë kryesisht të drejtimit human, si: Hyrje në Gjeografinë Regjionale, Gjeografi e Industrisë, Gjeografi e Bashkimit Europian në programin Bachelor si dhe Gjeografi e Problemeve Globale, Vlerësimi dhe menaxhimi i resurseve,  dhe Gjeografia e sektorit dytësor në programin e studimit Master i Shkencave. Paralelisht ai ka qenë i angazhuar edhe si pedagog i jashtëm pranë Universitetit të Shkodrës, Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit të Tetovës në Maqedoni.

Angazhimi i madh në mësimdhënie nuk e pengoi profesorin në realizimin e synimeve të veprimtarisë shkencore, përkundrazi ajo u shtua akoma më shumë nxitur nga mundësitë më të shumta që ofronte Universiteti i Tiranës dhe ambicia e tij e pandalshme për punën. Tetë nga nëntë monografitë që ka botuar, si autor dhe bashkautor, janë realizuar nga viti 1998 e në vazhdim. Po kështu, katër nga shtatë tekstet universitare janë botuar në këtë periudhë, 8 nga 11 tekstet për shkollat e mesme dhe 9-vjeçare si dhe pjesa më e madhe e artikujve dhe kumtesave shkencore botuar dhe mbajtur brenda dhe jashtë vendit, udhëheqje studimesh “Master” dhe “Doktoratë” janë realizuar nga viti 1997 e në vazhdim.

Me pasionin e tij për gjeografinë dhe punën si pedagog, me ambicien e një kërkuesi shkencor të palodhur, profesor Selmani nuk e pati të vështirë të arrinte një tjetër titull të nderuar në hierarkinë e karrierës shkencore, “Profesor Doktor”, titull të cilin e fitoi në vitin 2010.

Realizimi shumëdimensional i Profesor Doktor Selman Shemes është vlerësuar vazhdimisht edhe nga kolegët dhe rrethet intelektuale në vend dhe jashtë vendit. Detyra si Përgjegjës i Seksionit të Gjeografisë Regjionale në Departamentin e Gjeografisë të UT-së (1997-1998); Kryetar i Shoqatës Shkencore Didaktike të Gjeografisë me qendër në Shkodër (1996-2004);  Përgjegjës i redaksisë së Gjeografisë Humane pranë Drejtorisë së Enciklopedisë ( Qendra e Studimeve Albanologjike) nga viti 2010 e në vazhdim; si dhe nga 2013 e në vijim Anëtar themelues i Këshillit Kombëtar pranë Federates së Paqes Universale, Prizren 17 nëntor 2013, shprehin qartë këtë vlerësim.

Edhe pas vitit 2013, vit kur  arriti moshën e pensionit, profesor Selmani ka qenë përsëri i pranishëm në auditoret e Fakultetit të Histori-Filologjisë, tashmë si pedagog i jashtëm. Respektimi i kufijve ligjorë mbi ngarkesën mësimore ia kufizoi mësimdhënien vetëm në programin “Master i Shkencave” me lëndët “Gjeografi e Problemeve Globale” dhe “Hyrje ne Gjeografine Regjionale”, por ai vazhdon të japë kontributin e tij nëpërmjet udhëheqjeve të magjistraturave dhe doktoratave në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Tetovës, nëpërmjet botimit të artikujve me vlerë për problematika aktuale të shoqërisë shqiptare, nëpërmjet hartimit të teksteve shkollore dhe studimeve monografike, sidomos për krahinën e Çamërisë.

Çamëria – Tema e preferuar

Si bir i një atdhetari të përzënë me dhunë nga trojet e vendlindjes së tij, fshatit Spatar, në Filat të Çamërisë, profesor Selmani, nuk i pati të rastësishme studimet rreth kësaj krahine. Menjëherë, sapo sistemi komunist ra, ai pati mundësinë të vizitonte truallin e stërgjyshërve të tij, vizitë që ndikoi edhe më shumë veprimtarinë e tij shkencore. Formimi i lartë shkencor dhe intelektual, së bashku me përfshirjen emocionale prodhuan një numër shumë të madh artikujsh dhe kumtesash me karakter historiko-gjeografik rreth kësaj krahine, botuar dhe mbajtur brenda dhe jashtë vendit. Thirrja që i vinte nga brenda për ta “bërtitur” me gjithë potencialin e tij shkencor historinë e Çamërisë martire i dhanë rrugën studimeve të njëpasnjëshme. Duke filluar nga viti 2005 e deri më sot, profesor Selman Sheme mban autorësinë e 6 monografive dedikuar kësaj krahine. Vepra  të tilla, si: “Çamëria-vendi, popullsia dhe jeta ekonomike”, “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, “Gjeohapësira e Konispolit”, studim regjional, “Epiri i Jugut, Çamëria”, “Çamëria – vështrim  gjeopopullativ dhe etnokulturor” dhe “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë”, janë jo vetëm një vlerë e shtuar në fondin e studimeve gjeografike, por evokojnë dhe mbajnë gjallë kujtesën dhe vetëdijen kombëtare për brezat e ardhshëm.

Me 44 vite pune të devotshme në mësimdhënie dhe me një veprimtari të shumtë e të larmishme me vlera didaktike dhe shkencore të karakterit teorik dhe aplikativ, Profesor Doktor Selman Sheme, përfaqëson, sot, një personalitet të shquar shkencor dhe një ndër figurat shqiptare më të spikatura në fushën e gjeografisë.

Është ndarë më (23.03.2025) nga jeta në moshën 79- vjeçare akademiku Prof. Dr. Selman Sheme, bir i Çamërisë.  I shprehim ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe te njohurve, per ndarjen nga jeta te prof. Selman Shemes, i cili do te mbetet gjithmone personifikimi i nje profesori të nderuar, modeli te dijes pa kufi dhe mesimdhënies plot përkushtim! Do ta kujtojmë gjithmonë me respektin më të madh, si mikun, profesorin, kolegun, studiuesin e patriotin e madh, i cili me perkushtim mbrojti e lartesoi çeshtjen çame me dije e argumente te pakundershtueshme!

Filed Under: Sociale

Dr. Elmi Berisha, President i VATRA-s, ligjëron mbi sigurinë ndërkombëtare me studentët e Sigurisë në UBT

March 25, 2025 by s p

UBTNews/

Dr. Elmi Berisha, presidenti i Federatës Panshqiptare VATRA në Amerikë, mbajti një ligjëratë tematike online për studentët e Sigurisë në UBT, duke u ofruar atyre një pasqyrë të thelluar mbi pikëpamjet amerikane për sfidat e reja në sigurinë ndërkombëtare.

Në ligjëratën e tij, Berisha theksoi rëndësinë e politikave dhe strategjive të sigurisë që Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë për t’u përballur me kërcënime të reja globale, duke përfshirë mundësitë dhe rreziqet që paraqiten nga tensionet ndërkombëtare, armët bërthamore, dhe shtrirjen e ndikimit të fuqive të tjera si Kina dhe Rusia. Ai diskutoi gjithashtu ndikimin e teknologjisë në fushën e sigurisë, duke përfshirë kërcënimet kibernetike dhe rritjen e nevojës për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm në një botë gjithnjë e më të lidhur digjitalisht.

Studentët e Sigurisë në UBT kishin mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga Berisha, i cili u përgjigj me detaje dhe saktësi për çështjet e ngritura. Ai u shpreh se këto biseda janë të rëndësishme për të ndihmuar brezat e rinj të kuptojnë më mirë politikat ndërkombëtare dhe mënyrat se si mund të kontribuojnë në forcimin e sigurisë globale.

Ligjërata e Berishës ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët që të merrnin njohuri dhe perspektiva të vlefshme nga një ekspert i njohur, dhe pati një impakt të dukshëm në zhvillimin e mendimit kritik dhe të kuptuarit e sfidave të sigurisë ndërkombëtare. Kjo ngjarje është një tjetër hap në forcimin e lidhjeve midis institucioneve akademike shqiptare dhe diasporës, si dhe një mundësi për studentët të përfitojnë nga eksperienca e profesionistëve të njohur në fushën e sigurisë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT