• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Atë Shtjefën Gjeçovi: Një trashëgimi frymëzuese për kombin

March 18, 2025 by s p

Arian Galdini/

Në mozaikun e historisë dhe kulturës shqiptare, një figurë ngrihet si një gur themeli që bashkon traditën, drejtësinë dhe identitetin kombëtar. Atë Shtjefën Gjeçovi, meshtari, shkrimtari, folkloristi dhe mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme që i jep frymë dhe formë doktrinës së Neoshqiptarizmit. Kontributi i tij i veçantë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar, përmes kulturës dhe drejtësisë zakonore, është një udhërrëfyes i vyer për çdo përpjekje për rilindjen kombëtare dhe shoqërore në kohët moderne.
Neoshqiptarizmi, si një doktrinë që përpiqet të ndërtojë një të ardhme të bazuar mbi vlerat autentike shqiptare, përfshin në zemër të saj frymën e trashëgimisë së Atë Gjeçovit. Siç e përshkruan filozofi britanik Edmund Burke, “Traditat janë pasqyrimi i mençurisë së brezave të shkuar dhe një udhërrëfyes për të ardhmen.” Pikërisht kjo është ajo që Gjeçovi bëri me Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke e shndërruar në një simbol të drejtësisë shqiptare dhe një dokument që mishëronte etikën, dinjitetin dhe komunitarizmin e shqiptarëve.
Kanuni, i mbledhur dhe kodifikuar nga Gjeçovi, nuk ishte vetëm një manual i të drejtës zakonore, por edhe një pasqyrë e një shoqërie që vlerësonte nderin, drejtësinë dhe barazinë.

Këto parime janë në harmoni të plotë me thelbin e Neo shqiptarizmit, që synon rikthimin e vlerave të përhershme si bazë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe humane. Në çdo rresht të Kanunit dhe në çdo përpjekje të Gjeçovit për të mbledhur folklorin dhe historinë shqiptare, nderi zë vendin e parë.
Siç thotë Faik Konica, “Nderi është ai që ngre një komb, sepse ai përfaqëson shpirtin e tij.”
Nën këtë prizëm, Gjeçovi na mëson se shqiptarët mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre vetëm duke ruajtur dhe kultivuar atë që është thelbësore për ta: nderin dhe dinjitetin.
Në këtë frymë, Neoshqiptarizmi nuk është një kthim prapa në një të kaluar të lavdishme, por një përpjekje për të ndërtuar një të ardhme që pasqyron vlerat më të mira të kësaj të kaluare.
Ashtu siç Atë Gjeçovi e pa të nevojshme të ruajë ligjet zakonore për të mbrojtur identitetin kombëtar, sot na kërkohet të ndër tojmë një identitet të bazuar mbi vlera që i tejkalojnë kufijtë e kohës dhe të politikës.

Gjeçovi dhe edukimi kombëtar

Një nga shtyllat kryesore të veprës së Gjeçovit ishte përpjekja për edukimin kombëtar. Ai e kuptoi se një komb i ndarë dhe i paarsimuar nuk mund të mbijetojë. Siç thoshte Sami Frashëri, “Dija është drita që ndriçon një komb.” Veprat e tij në mbledhjen dhe ruajtjen e folklorit shqiptar, si dhe përkushtimi i tij ndaj edukimit të brezave të rinj, përbëjnë një shembull të gjallë të asaj që Neoshqiptarizmi synon të arrijë: një shoqëri të ndërgjegjshme për vlerat e saj, të arsimuar dhe të aftë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur.

Kanuni: Një bazament për vlerat shoqërore dhe politike

Një tjetër aspekt ku Neoshqiptarizmi mund të gjejë frymëzim nga Gjeçovi është mënyra se si ai kodifikoi parimet e drejtësisë dhe solidaritetit social në Kanun. Filozofi John Locke shkruante se “Drejtësia dhe ligji janë themeli i çdo shoqërie të qytetëruar.” Kanuni, në këtë kontekst, shërben si një model për mënyrën se si mund të ndërtojmë institucione dhe politika që respektojnë vlerat e drejtësisë, nderit dhe përgjegjësisë kolektive. Neoshqiptarizmi, duke ndjekur shembullin e Gjeçovit, synon të krijojë një sistem shoqëror dhe politik që bazohet në këto parime, duke mbrojtur identitetin kombëtar dhe duke promovuar zhvillimin në një mënyrë që respekton trashëgiminë tonë kulturore. Atë Shtjefën Gjeçovi nuk ishte vetëm një mbledhës i Kanunit; ai ishte një ndriçues i rrugës për një komb që kërkonte të gjente vendin e tij në botë. Trashëgimia e tij na mëson se, si komb, ne nuk mund të ecim përpara duke harruar atë që na bën unikë. Siç thoshte Atë Gjergj Fishta, “Një komb që humb vlerat e tij, humb vetveten.”

Neoshqiptarizmi, duke ndjekur këtë filozofi, është një thirrje për të rilindur kombin tonë mbi bazën e vlerave të përjetshme të drejtësisë, dinjitetit dhe solidaritetit. Është një thirrje për të ndjekur shembullin e Gjeçovit në ruajtjen e trashëgimisë sonë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje që pasqyron më të mirën e asaj që jemi si shqiptarë. Trashëgimia e Atë Shtjefën Gjeçovit është një thirrje për çdo shqiptar që të ruajë dhe të promovojë vlerat e tij kombëtare. Siç thotë Aristoteli, “Qytetërimi fillon kur drejtësia dhe morali ndërthuren me veprimin shoqëror.” Gjeçovi na mësoi këtë të vërtetë përmes veprës së tij, dhe Neoshqiptarizmi e ngre këtë mësim në një filozofi për një të ardhme më të mirë.

Neoshqiptarizmi, si trashëgimtar i ideve të Gjeçovit, është një udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, për të ndërtuar një Shqipëri dhe një komb shqiptar që respekton të kaluarën, nderon të tashmen dhe ndriçon të ardhmen. Ashtu siç Gjeçovi i dha zë drejtësisë dhe kulturës shqiptare, sot na takon ne t’i japim zë Neoshqiptarizmit, si një doktrinë që e ngre shqiptarizmin në lartësinë që meriton në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Filed Under: Politike

Një ndihmë dhe mundësi e shkëlqyer për bashkatdhetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

March 18, 2025 by s p

Një ndihmë dhe mundësi e shkëlqyer për bashkatdhetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Sociale

Fushata elektorale në Shqipëri si ekspozim i mungesës së lidershipit me vizon!

March 18, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Kandidate për Doktoraturë, JMU, SHBA/

Në çdo demokraci të zhvilluar, zgjedhjet konsiderohen si një mekanizëm i rinovimit dhe përparimit.

Ato duhet të jenë momenti ku shoqëria zgjedh mes alternativave të ndryshme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Por në Shqipëri, fushatat elektorale nuk janë hapësira e ideve të reja, programeve vizionare dhe alternativave ndryshe; përkundrazi, ato janë një ritual i riciklimit, një qark i mbyllur i së shkuarës, ku gara zhvillohet mes figurave të njëjta dhe modeleve të dështuara të qeverisjes.

Në zgjedhjet e 11 majit 2025, Edi Rama kërkon mandatin e katërt, duke premtuar integrimin në Bashkimin Evropian si premtimin final të qeverisjes së tij.

Sali Berisha kërkon rikthimin e tretë, duke pretenduar se tashmë ka përvojën e duhur për të qeverisur “më mirë” se herët e tjera. Ndërsa aktorët e tjerë politikë, qofshin të rinj apo të vjetër, kërkojnë “shansin e parë” në një sistem të dominuar nga figura që kanë sunduar skenën politike shqiptare për 30 vitet e fundit.

Një analizë e thjeshtë e këtyre fakteve na vë përballë një pyetje thelbësore: A mund të ndërtohet e ardhmja mbi një të shkuar të konsumuar?

A mund të ketë vizion një politikë e mbërthyer në figura që kanë udhëhequr për dekada dhe që e shohin të ardhmen vetëm përmes perspektivës së dominimit të tyre të vazhdueshëm?

Këto zgjedhje nuk po ofrojnë alternativa reale, por një garë mes të shkuarave.

Shqipëria ka nevojë për një lidership vizionar, një udhëheqje që nuk kërkon pushtetin si një qëllim në vetvete, por si një mjet për të realizuar një projekt madhor kombëtar.

Në filozofinë politike dhe teorinë e lidershipit, një lider i vërtetë nuk matet me kohën që ka kaluar në pushtet, por me transformimin që ka sjellë në shoqëri.

Max Weber, në analizën e tij mbi autoritetin dhe legjitimitetin, dallon tre lloje të autoritetit: tradicional, karizmatik dhe racional-ligjor (Weber, “Politics as a Vocation”, 1919).

Në Shqipëri, kriza e lidershipit vjen nga një kombinim i keq i karizmës së vjetëruar dhe autoritetit tradicional të liderëve që i kanë kaluar dekadat në politikë, pa u zëvendësuar nga një klasë e re e aftë për të sjellë racionalitet dhe inovacion në qeverisje.

Teoria e “qarkullimit të elitave” e Vilfredo Pareto argumenton se përparimi shoqëror vjen përmes ndryshimit të elitave politike dhe ekonomike.

Në Shqipëri, ky qarkullim ka dështuar sepse elitat e vjetra janë bërë të pazëvendësueshme, duke krijuar një oligarki politike.

Edi Rama dhe Sali Berisha nuk janë më thjesht liderë, por institucione të një sistemi që riciklon vetveten.

Asnjëri prej tyre nuk po kërkon të ndërtojë një vizion të ri për vendin por të dy po kërkojnë legjitimimin e së kaluarës së tyre, jo ndërtimin e së ardhmes.

Joseph Schumpeter, në teorinë e tij të “shkatërrimit krijues”, argumenton se çdo ekonomi dhe çdo sistem politik duhet të lejojë hyrjen e ideve të reja dhe largimin e atyre të vjetruara (Schumpeter, “Capitalism, Socialism and Democracy”, 1942).

Shqipëria, përkundrazi, nuk ka ndërtuar asnjë mekanizëm institucional që të lejojë qarkullimin e elitave.

Kur të njëjtët liderë dominojnë politikën për më shumë se 30 vjet, shkatërrimi krijues zëvendësohet me një cikël degradues të stagnimit.

Lidershipi vizionar nuk është thjesht një çështje e ndryshimit të figurave, por mbi të gjitha një çështje morali, drejtimi dhe inovacioni në qeverisje.

James MacGregor Burns, në teorinë e tij mbi lidershipin transformues, thotë se liderët e mëdhenj janë ata që “ngrejnë aspiratat morale të shoqërisë dhe krijojnë kushte për ndryshime afatgjata” (Burns, “Leadership”, 1978).

Liderët e sotëm të Shqipërisë nuk e bëjnë këtë.

Ata nuk ofrojnë një projekt kombëtar, nuk promovojnë virtytet e përbashkëta dhe nuk përpiqen të krijojnë një identitet të fortë demokratik e zhvillimor për vendin.

Një fushatë elektorale nuk është thjesht një betejë për vota, por një hapësirë ku lidershipi duhet të tregojë vizionin e tij për të ardhmen.

Në Shqipëri, fushatat janë kthyer në akte marketingu dhe teatër politik, ku premtimet nuk bazohen në politika të realizueshme, por në propagandë.

Platoni, në “Republika”, na mëson se shteti duhet të udhëhiqet nga njerëz me virtyt dhe dituri, jo nga ata që thjesht e zotërojnë artin e manipulimit (Plato, “Republic”, 375 BC).

Në këtë kontekst, Edi Rama dhe Sali Berisha nuk janë liderë transformues, por mjeshtër të mbijetesës politike.

Ata nuk propozojnë një Shqipëri të re, ata propozojnë vazhdimin e dominimit të tyre mbi Shqipërinë.

Shqipëria nuk ka më nevojë për politikanë që premtojnë “t’ia marrin dorën qeverisjes”, por për liderë që kanë një vizion të qartë për 50 vitet e ardhshme të vendit.

Nëse demokracia është një sistem që lejon përmirësimin e vazhdueshëm, atëherë zgjedhjet duhet të jenë momente ndryshimi dhe rinovimi.

Por në Shqipëri, zgjedhjet janë shndërruar në procesin ritual të ripërsëritjes së të njëjtave figura dhe të njëjtave ide të dështuara.

Jean-Jacques Rousseau, në “Kontratën Sociale”, thotë se “një komb është i lirë vetëm kur ai ka mundësinë të zgjedhë të ardhmen e tij pa u kushtëzuar nga e kaluara” (Rousseau, “The Social Contract”, 1762).

Shqipëria sot nuk është e lirë në këtë kuptim pasi e shkuara vazhdon të dominojë të tashmen dhe të shantazhojë të ardhmen.

Përse Shqipëria nuk ka një fushatë zgjedhore ku garojnë ide të reja?

Përse nuk kemi alternativa të formuluara mbi bazën e programeve reale të zhvillimit?

Përse liderët e rinj nuk arrijnë të dalin përpara dhe të sfidojnë sistemin e riciklimit të së vjetrës?

Përgjigja është e thjeshtë, sepse politika shqiptare nuk është krijuar për të prodhuar liderë vizionarë, por për të ruajtur status quo-në.

Zgjedhjet e 11 majit 2025 janë një tjetër dëshmi e krizës së lidershipit në Shqipëri.

Nuk mund të ketë progres të vërtetë për sa kohë që të shkuarat e konsumuara vazhdojnë të dominojnë skenën politike.

Nëse Shqipëria dëshiron një të ardhme të ndritur, duhet të çlirohet nga riciklimi dhe të përqafojë lidershipin vizionar, moral dhe transformues.

Dhe kjo nuk është vetëm detyrë e politikanëve, por e çdo qytetari shqiptar.

Filed Under: Ekonomi

Dialogu Kosovë-Serbi, rreziku i kompromiseve pa njohje

March 18, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Deklarata e Petar Sorensenit, që sugjeron se “dialogu ka për qëllim pajtimin ndërsa kompromiset u takojnë palëve”, reflekton qasjen tipike të BE-së, një ndërmjetësim që synon ruajtjen e procesit pa përcaktuar qartë drejtësinë dhe të vërtetën historike.

Ajo çka përbën shqetësim për aleatët dhe duhet të përbëj shqetësim edhe për Kosovën, është e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi dhe mundësia e një marrëveshjeje me njohje?

Në kontekstin aktual, dialogu Kosovë-Serbi ndodhet në një ngërç për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjeve nga Serbia dhe presionit të njëanshëm mbi Kosovën. Marrëveshja e Ohrit 2023 dhe plani franko-gjerman imponojnë një normalizim pa njohje të ndërsjellë, duke krijuar një situatë ku Kosova humb pozicione pa siguri reciproke.

Për një marrëveshje që përfshin njohjen de jure të Kosovës nga Serbia, duhen disa parakushte. Së pari, duhet presion i qartë nga aleatët perëndimorë mbi Serbinë, e cila vazhdon të sabotojë procesin dhe të instrumentalizojë serbët e Kosovës.

Së dyti, largimi i ndikimit rus në Beograd mbetet jetik, pasi Rusia e përdor çështjen e Kosovës për leverage gjeopolitik.

Një tjetër faktor kyç është unifikimi i faktorit politik në Kosovë, duke shmangur qasjet servile ndaj propozimeve që nuk garantojnë njohje.

Po aq e rëndësishme është edhe mbrojtja e sovranitetit të plotë të Kosovës, sidomos ndaj presioneve për Asociacionin me kompetenca ekzekutive.

Për të shmangur pasojat e marrëveshjes së Ohrit dhe planit franko-gjerman, Kosova duhet të insistojë në njohjen reciproke si parakusht për çdo implementim të mëtejshëm. Çdo mekanizëm që krijon modelin e Republikës Srpska brenda Kosovës duhet të refuzohet, pasi do të destabilizonte funksionimin shtetëror. Po ashtu, forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në duhet të jetë prioritet, për të shmangur qasjet ambigue të BE-së, e cila shpesh ka lejuar Serbinë të manipulojë procesin në favorin e saj. Nëse Kosova vazhdon të negociojë pa një qasje të qartë strategjike dhe të unifikuar, rrezikon të zbatojë obligime që e dobësojnë pa arritur njohjen që është thelbësore për shtetësinë e saj.

Filed Under: Politike

ROMANI “VAJZA ME VIOLINË” I SHKRIMTARIT FLAMUR BUCPAPAJ, NJË RISI NË LETËRSINË TONË

March 18, 2025 by s p

Nga Skifter Këlliçi, SHBA/

Ajo që të bie menjëherë në sy sapo lexon romanin e shkrimtarit te njohur Flamur Buçpapaj, ‘Donika, vajza me violinë’, është shtjellimi i ngjarjeve me nje stil te zhdërvjellët, herë dramatik, herë meditativ, herë humoristik, herë ironik dhe fshikullues, sidomos kur autori ndalet në biseda të Ardianit, një nga personazhet kryesore të romanit, me personazhe te tjera, veçanërisht me dy përsonazhet e tjera, Donikën dhe Mimozën, të dyja studente në Akademinee Arteve per muzike,(violinë). Në keto biseda autori shpreh indinjatën e thellë për pasojat e rënda që po kalon Shqipëria në fund të viteve të shekullit të kaluar, e sfilitur dhe varfëruar skajësisht nga diktatura komuniste dhe nga Sigurimi i Shtetit, një ndër armët e saj gjakatare.

Zakonisht në skalitjen e personazheve jemi mësuar të njihemi që në fillim më të dhëna biografike të tyre, që bëhen me anë digresionesh, të cilat rastis të ngadalesojnë ecurinë e përmbajtjes. Por autori, për ta mënjanuar këtë ngadalsim, në bisedë e sipër i vë një pjesë të këtyre të dhënave biografike në gojën e vetë përsonazheve. Kështu gjatë bisedave të Ardianit, i cili punon në Shkodër si korrespondent i një gazete që botohet në Tiranë, me Donikën dhe Mimozën, në takimin e tyre të parë në trenin që shkon nga Shkodra në Tiranë, është ai që që u rrëfen atyre për veten,si është rritur jetim, ngaqë babai i tij me origjinë kosovare është arratisur që andej, është martuar në Shqipëri me një vajzë shkodrane,i zgjënjyer realiteti i hidhur socialist, burgoset nga Sigurimi,vdes, pastaj humbet dhe nënën…Gjithashtu po gjatë këtij takimi edhe Donika dhe Mimoza tregojnë për jetën e tyre që përthyhet nga ndërhyrjet e autorit duke lënë që rjedha e ngjarjeve të mos bëhet monotone.

Natyrisht, autori gjen rast që të plotësojë vetë portretet e këtyre përzonazheve të romanit edhe me të dhëna të tjera kështu interesi i lexuesit rritet nga faqja në faqe. Ja një ndërhyrje e tillë:

“Babai i Donikës pati vdekur herët, duke e lënë shumë të vogël atë, ndërsa nëna e rriti dhe e shkolloi. Asaj iu kujtua çdo gjë nga fillimi. Pas vdekjes së babait, ato e lanë Shkodrën dhe u strehuan në Tiranë. Nëna gjeti punë si edukatore kopshti. Morën shtëpinë që u përkiste nga trashëgimia e babait të saj dhe vazhduan jetën në kryeqytet. Pastaj, dhe atë ua mori shteti e u dhanë një dhomë dhe një kuzhinë në “Uzinën e Traktorëve”,në Tiranë”,(faqe 120 e romanit).

Element tjetër i rëndësishëm në roman janë dhe meditimet, kryesisht i Ardianit, të përdorura natyrshëm nga autori, i cili shpalos në të to jo vetëm dhunti, të shoqëruara me figuracion të lartë artistik, por, siç do të shohim më pas, edhe elemente nga fusha të tjera tëj jetës, që i gjejmë vetëm në veprat më të mira të autorëve tanë .

Duke menduar për Donikën, me të cilën tashmë është i dashuruar, autori shkruan kështu:

‘Uji do të shkojë në det, për të çuar mesazhin e dashurisë së tyre. Nga deti në oqean do ta çonte vala e lumit të bardhë në emër të Erzenit. E kështu lajmi do bashkonte gjithë oqeanet e dashurisë botërore. Këtu te ne ka lindur një dashuri,- do thonin valët e lumit. – Dëgjojeni ritmin e zemrës së të dashuruarve. Është tingulli më i bukur tokësor. ..

S’ka tingull ma të bukur! – do thonin edhe yjet, që së shpejti do mbulonin qytetin e Tiranës.

Dona po e shikonte si e habitur nga ritmi i fjalëve të bukura që tha ai në një minutë. Ajo tundi kokën. Ishte e habitur nga magjia e tij dhe përsëriti dhe një herë dhe më fort: ‘Ardian, të dua! Dhe s’dua të ndahem kurrë nga ti. Zoti të ruajtë dhe të mbroftë!’, (faqe 100).

Ky përshkrim, një prozë e vërtetë poetike, e zbut dhe thyen prozaizmin në fragmentin të mëposhtëm, që plotëson ato copëza të përshkrimit të historisë së fëmijërisë së Donikës, të rrëfyera nga autori, që përmenda më sipër.

Por në faqet e këtij romani jo rallë ndeshemi dhe me meditime të karakterit filozofiko-psikologjik, që i japin frymëmarrje më të thellë synimeve që i ka vënë vetes autori, për ta ngritur edhe më shumë artistikisht veprën e tij.

Po e ilustroj këtë me një shëmbull: Jemi në fillim të viteve 1990-të të shekullit të kaluar. Eshtë përmbysur sistemi komunist dhe është vendosur rendi demokratik. Ardiani nuk është vetëm shkrimtar shumë i njohur edhe në botë, por njëkohësisht edhe nënkryetar i Parlamentit Shqiptar, i martuar me Donikën. Por atë e kanë rrëmbyer banditë dhe e kanë dërguar në Itali, për ta shndërruar në prostitutë. I ndodhur në Milano me dy shokë të SHIK-ut, Ardiani i dërmuar psikologjisht së bashku me dy shokët e mësipërm, ndodhet në zyrën një eprori të policisë së këtij qyteti, i cili, për ta qetësuar, nis t’i shpjegojë:

‘- Do t`ju prezantoj një psikologun tim. E kam shok dhe është shumë i aftë. Keni nevojë për të. Jeni i tronditur. E kuptoj. Gruaja juaj ka qenë peng bandash dhe s’ju vë faj, sepse edhe kompleksi ‘i fajit’ ju rëndon, e di. E di që ia keni vënë fajin vetes për çfarë ka ndodhur. E di se është në fushën time i tillë fenomen. E di sepse kam studiuar raste të tilla. Shpeshherë, njëri nga bashkëshortët që jeton, vret veten nga humbja e të dashurit të vet. Edhe këto ndodhin. Ty të është krijuar përshtypja që je vrasës. Janë simptoma normale. Të tjerëve u krijohet përshtypja që ata e vranë të afërmin e tyre me mosveprimet ose veprimet e tyre dhe dënojnë veten. Pra, është psikologjike. Frojdi e përcakton saktë’. (faqe 291).

Kështu në kapitujt e tjerë të romanit njihemi me kryebanditin e quajtur Saimir Kaushi, që me banditë të tjerë kanë rrëmbyer Donikën dhe me gomone e kanë dërguar në Itali dhe e mbajnë skllave në një shtëpi të fshehtë në një lagje të Milanos. Ai e mban atë peng edhe me një kusht: Në rast se ajo nuk do që të martohet me të, do ta detyrojë ta bëjë atë pre të mishit të bardhë.

Pas shumë përpjekjesh policia italiane arrin të zbulojë vendndodhjen e Donikës, shpartallon bandën dhe kap Saimir Kaushin, që, më së fundi, pasi ajo është katandisur në gjendje të mjerueshme, detyrohet të shtrohet në spital dhe pas disa ditësh kurimi më së fundi takohet me Ardianin.

Nuk po zgjatem me tutje, por në vija të përgjithshme kjo është përmbajtja e këtij romani, i cili për mënyrën si autori i ka shtjelluar ngjarjet, me shumë të papritura të përshkruara me ritëm intensiv dhe, veç të tjerash, me dialog shumë të natyrshëm, përbën risi në letërsinë tonë dhe premton se autori ka një të ardhme te sigurtë edhe në lëvrimin e prozës së gjatë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT