• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Hirësia e Tij Mitropoliti i Korçës Imzot Joani, zgjidhet Kryepiskopi i ri i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë

March 16, 2025 by s p

Sot, më 16 mars 2025, të dielën e dytë të Kreshmës, kushtuar Shën Grigor Palamait, pas Liturgjisë Hyjnore dhe në përputhje me Traditën e Shenjtë dhe Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u mbajt në Qendrën Sinodike në Tiranë mbledhja e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me qëllim zgjedhjen e Kryepiskopit të ri.

Pas lutjes, anëtarët e Sinodit të Shenjtë, nën kryesinë e Mbikëqyrësit të Fronit Kryepiskopal, Hirësisë së tij Mitropolitit të Korçës Imzot Joanit, me vota kanonike në mënyrë unanime zgjodhën njëzëri pasuesin e të ndjerit Kryepiskopit Anastas.

Hirësia e tij Mitropoliti i Korçës Imzot Joani u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dhe Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Më pas, në Katedralen e “Ngjalljes së Krishtit”, u zhvillua ceremonia e Mesazhit të Madh, ku Sinodi i Shenjtë njoftoi zyrtarisht rezultatin e zgjedhjes të nënshkruar nga të gjithë Kryepriftërinjtë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Mitropolitët e Korçës, Gjirokastrës, Apolonisë, Elbasanit, Beratit, Amantias dhe Episkopi i Krujës. Besimtarët orthodhoks që kishin mbushur katedralen dhe oborrin e saj, në një atmosferë gëzimi dhe lavdërimi ndaj Zotit, thirrën “Aksios” (I Denjë) për Primatin e ri të Kishës së Shqipërisë. Në vijim Kryepiskopi i ri Imzot Joani lexoi Mesazhin e Madh dhe e nënshkroi atë në Tryezën e Shenjtë, duke konfirmuar zyrtarisht pranimin e detyrës së lartë.

Kryepiskopi i porsazgjedhur Imzot Joani ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepiskop Anastas për 32 vjet, nga të cilat 27 vite si Mitropolit i Korçës. Ai është dalluar për veprën e tij baritore dhe kontributin në rindërtimin e Kishës, zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës.

I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në studimet teologjike në SHBA, ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepiskopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë. Që nga viti 1993 ka shërbyer si profesor në Akademinë Teologjike të Durrësit, përkthyes i shumë teksteve teologjike dhe autor i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe. Ai themeloi revistën “Tempulli”, përfaqësoi Kishën në takime ndërortodokse dhe ndërkristiane dhe është nderuar me tituj të spikatur për kontributin e tij në kulturë, arsim dhe dialog ndërfetar.

/rtsh.al/

Filed Under: Kronike

“Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”

March 16, 2025 by s p

Fotaq Andrea*/

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të ndodhem sot mes jush në këtë veprimtari të ndritur përkujtimore të 150 vjetotrit të lindjes së Faik Konicës, i cilësuar nga vetë vatranët “Kampion i indipendences së Shqipërisë dhe Princ i gjuhës shqipe”, të themeluasit bashkë me Fan Nolin të Federatës së ndritur PanShqiptare “Vatra”, e mbi të gjitha të këtij vizionari të së ardhmes europiane të Kombit shqiptar, Shqipërisë e Kosovës.

Është një nismë e nderuar që sot, ditën e lindjes së Faik Konicës, Dega e Vatrës në Boston, në bashkëpunim me degën e Worcesterit organizojnë këtë veprimtari për promovimin e librit “Faik Konica – për një Shqipëri Europiane”, pikërisht këtu në Boston, “kryeqyteti historik i “Vatrës”, “kryeqytet i lëvizjes nacionaliste shqiptare”, siç e ka cilësuar vetë Faik Konica, i cili është shprehur: “Shoh Bostonin të shkëlqejë me dritë të menjëhershme”. Dhe unë, nga ana ime, më lejoni të shprehem: “Shoh Bostonin të shkëlqejë me vatranë të ndritur si ju”.

Më lejoni, nga ana tjetër, të shpreh falënderimin tim në radhë të parë për Kryetarin Elmi Berisha dhe për prof. Thanas Gjikën, të cilët, me shumë dashuri e vlerësim morën drejtpërdrejt nismën për botimin e kësaj antologjie titulluar me shumë domethënie “Për një Shqipëri Europiane”, duke e konsideruar këtë vepër si një vlerë më shumë në botimet koniciane, si një dekoratë të re që shfaq në shumë përmasa Jetën dhe Veprën e Faik Konicës, me shkrimet më të mira të tij, që përbëjnë në vetvete monumente të mendimit të tij të fuqishëm për ardhmërinë e kombit shqiptar.

Një falënderim nga zemra dhe një mirënjohje të thellë, shpreh gjithashtu për tërë vatranët këtu të pranishëm që plot fisnikëri e bujari ndihmuan financiarisht e materialisht për këtë ceremoni kremtuese.

Dhe po ashtu, mendja më shkon tek tërë ata vatranë e autorë që – me pendë në dorë – kanë lënë historikisht vepra e punime të lëvdueshme për Faik Konicën. Këta janë të shumtë në numër, që nga bashkëpatriotët e ngushtë të Konicës që punuan me të për revistën “Albania’ dhe gazetën “Dielli”, tërë ajo Plejadë e Rilindjes shqiptare, e deri te autorë të njohur bashkëkohorë, që kanë ngritur në piedestal lavdinë koniciane, si erudit, gjeni, themelues i mjaft fushave të shkencave albanologjike, “Atë i kombit modern shqiptar”, apo siç e ka cilësuar me të drejtë poeti kombëtar francez Gijom Apoliner, Faik Konica, “kjo Enciklopedi e gjallë lëvizëse”, ky “Argus e Briare”, duke përdorur kështu figurat mitologjike të një qenie me 100 koka, 100 sy, nga te cilat 50 mbeteshin përherë hapur, apo ky gjigand me 100 krahë, “i frikshëm” në erudicion e njohje të gjuhëve”.

Është një fakt mëse domethënës: Faik Konica dhe Fan Noli – ky binom historik si themeluesit e “Vatrës” – kanë qenë, janë dhe do mbeten në epiqendër të studimeve albanologjike dhe, ashtu sdikurse janë shprehur mjaft sudiues del tanimë si e domosdoshme të botohet krejt korpusi i veprave të tyre të plota, gjë që do të kërkonte mbi të gjitha një ndermarrje të fuqishme institucionale.

Për të qenë më konkret, apo për t’u kthyer, siç thotë shprehja frënge “Te delet tona”, pra në thelb të çështjes, dëshiroj të theksoj para së gjithash se nuk ishte e lehtë përgatitja e kësaj antologjie, që unë do ta cilësoja si sumumin, apo shkallën më të lartë të mendimit dhe të estetikës koniciane, drejt lavdisë së tij të përjetshme.

Historikisht, kontakti im i parë me figurën e Faik Konicës daton që në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kur punoja si përkthyes në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” dhe njoha redaktor Dhimiter Fullanin që më fliste herë pas here për figurën e Faik Konicës, dhe që kishte përgatitur madje edhe një studim për të, por “me frymën kritike të kohës”, siç më shprehej ai me njëfarë rezerve për “Beun erudit të Konicës që njihte shumë gjuhë ”.

Vite më vonë, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, në vitet 90, i intriguar pa masë për lidhjen epistolare Konica-Apoliner, shfaqur në librin e Luan Starovës “Një miqësi europiane”, fillova unë vetë të mbledh dokumente e materiale për t’i botuar te antologjia “Pena të arta franceze për shqiptarët” dhe u entuziazova edhe më shumë kur u takova drejtpërdrejt me akademik Starovën në Shkup.

Më 2005, përktheva dhe botova romanin historik “Hasan Jeniçeri – historia e nje shqiptari në vitin 1516”. Personazhi kryesor 20 vjeçar i këtij romani të orientalistit të shquar Leon Cahun është Thrank Spirobeg, emri i të cilit do të bëhej shumë shpejt pseudonimi kryesor i Faik Konicës te shkrimet e “Albanias” së tij.

Po hap një parantzë këtu për të theksuar se në vitet 1895-1897, në Paris, Faik Konica 20 vjeç dhe Leon Cahun, zv. Konservatori i Bibliotekës “Mazarine” rreth të 60-ave, do të lidhnin miqësi të ngushtë, dhe Konica do të njihte krejt familjen e Cahun-it, sidomos nipin e tij Marcel Schwob, simbolistin e shquar. Cahun ndihmoi drejtpërdrejt Konicën të botonte artikullin e tij të parë “Shqipëria dhe Turqit” me pseudonimin Tepeleni në gazetën parisiane “La libre Parole”, më 26 dhjetor 1895.

Thelbi i këtij romani historik me simbolikë të fuqishme: Hasan Jeniçeri që të merrte gjak në vetull – sipas shprehjes së bukur shqipe – lëron nga skllavëria një vashe të bukur venedikase, e cila e tradhëton poshtërisht – është i njëjti qëndrim tradhtar që ka mbajtur Republika venedikase ndaj luftërave të Skënderbeut që mbronin drejtpërdrejt Republikën e Laguneve.

Në vitet 2010-2012, intensifikova punën hulumtuese e studimore per Faik Konicën, fillova tanimë të qëmtoj dokumente nëpër arkiva, sidomos ato të Parisit, kur rashë drejtpërdrejt në gjurmë të lidhjeve Konica-Apoliner, dhe sidomos të dy romaneve të panjohura të Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “ Sotiri e Mitka”.

Po në atë kohë, mbarova së përkthyeri krejt korpusin në frëngjisht të revistës “Albania” . Por, ishte e pamundur ta botoja sepse më lindën probleme me të drejtën e autorit, kopiright, që e kishte në posedim një mbesë e Faik Konicës. Tërë ky korpus shkrimesh të përkthyera nga “Albania” më 2012 mbeti në sirtare deri me sot, dhe ja tani i botuar në këtë libër, që përbën kockën e fortë të antologjisë “Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”.

Viti 2016, i shpallur nga “Vatra” “Viti Konica”, bëri të mundur që unë të përktheja e botoja me ndihmën po të “Vatrës” dy romanet e tij të panjohura dhe librin tim studimor “Faik Konica – Përlindësi modern”. Më pas, do botoja libërthin “Ju flet Konica” (2016) , si dhe dy libra të rëndësishëm të Konicës “Ese për gjuhët e natyrale e artificiale” (2019) dhe Letërkëmbimin e Konicës me baronin austriak Zwiedinek (2020). Dhe sot, ja ku jemi falë ndihmës suaj bujare te Antologjia “Për një Shqipëri Europiane”.

Siç dihet, në prill 2019, me rastin e 110 Vjetorit të gazetës “Dielli’, u shpall Konkurs i posaçëm organizuar nga “Vatra” dhe redaksia e “Diellit” për veprat më të mira me ese, artikuj, reportazhe e libra. Çmimin Gazetës “Dielli” e fitoi, nbdër të tjera edhe libri “Faik Konica – për një Shqipëri Europiane” . Veçse me një dallim esencial midis atij libri të konkursit me të njjtin titull dhe këtij të sotmit.

Në fakt, me sugjerimin konstruktiv të prof. Gjikës, pjesa e dytë dhe e tretë e antologjisë së konkursit, që përbëhej fillimisht nga përkthime drejtpërdrejt nga origjinali frëngjisht i Konicës, u zëvendësuan në pjesën më të madhe të tyre me shkrime dhe letra që përbënin, të themi, ajkën e e krejt shkrimeve të Faik Konicës, duke reflektuar më në thellësi mendimin e tij përparimtar për një Shqipëri të pavarur, properëndimore e europiane, drejt progresit.

Në këtë mënyrë, ndryshimi i lëndës në masën mbi 50 përqind të vëllimit të mëparshëm, ishte në fakt për mua si të nisja një punë nga e para, sepse ky ndryshim i lëndës paraqiste mbi të gjitha një punë të vështirë qëmtuese e selektive.

Në ethet e kësaj pune intensive prej gati 4 muajsh nuk do ngurroja “t’i protestoja” Thanasit , duke i thënë madje se nga lodhja e tepërt më dukej sikur “po ia falja shpirtin shejtanit”, dhe kur Thanasi me qetësi ma kthente “shpirtin mos e fal , por falju Konicës”. Kësisoj, këmbëngulja, dashuria për Veprën e shkruar të Konicës, kur i thoja në fakt prof. Thanasit se të gjitha shkrimet e Konicës janë monumente më vete, bënë që puna drejtuese, plot kujdes e prof. Gjikës për këtë vepër të jepte frytet e veta, të jepte pikërisht këtë vëllim që kemi sot në duar.

Në themel të kësaj vepre, që e shfaq Faik Konicën me madhështinë e një gjeniu rilindës, vendosëm pikërisht këtë thënie profetike të tij te “Albania” e vitit 1898:

“Parandjej, në agimin e së nesërmes, një Shqipëri të lulëzuar dhe intelektuale, ku do vibrojë një rini kureshtare, e dhënë pas artit, bukurisë, punës. Ata shqiptarë të rinj do dinë t’i gjykojnë

me drejtësi e zemërgjerësi përpjekjet tona. Do të shqyrtojnë me krejt burimet e dokumentacionit dhe të kritikës çka ishte gjuha jonë dje dhe çka do të jetë gjuha e tyre nesër, gjuha ku do përmbledhin mendimet apo ëndrrat e tyre; dhe asaj gjuhe – sa muskuloze aq edhe të brishtë – do t’i kërkojnë datën e lindjes dhe do dinë ta përcaktojnë.” Faik Konica, Albania, viti II, 1898.
Është pikërisht citimi i famshëm vendosur në kopertinë të pasme të librit që po promovojmë.

Në mbyllje, dëshiroj të vë në dukje, në rrafsh ndërkombëtar, tre momente kyçe të jetës së Faikut – krahas përkushtimit të tij të pandalshëm, për 47 vite me radhë për ringjalljen dhe fuqizimin e Kombit Shqiptar të lirë e të pavarur:

1. Është Faik Konica i cili, që në moshë të re, si njohës i 16 gjuhëve të huaja, nxiti i pari në rrafsh europian e botëror debatin shkencor mbi gjuhët e gjalla natyrale dhe gjuhët artificiale (më 1904) dhe që parashikoi se anglishtja do të jetë në të ardhmen gjuhë botërore komunikuese.

2. Është Faik Konica i cili, që në moshë të re, (1898) shkroi Esenë mbi Edukimin, me rëndësi europiane e tej europiane, duke mbushur një boshllëk të kohës për edukimin e fëmijës dhe duke i çelur udhën edukimlit të lirë të fëmijës, që do të përbënte bazën e Summerhill School më 1921 në Londër.

3. Është Faik Konica i cili që, në vitet 1910-1911, në vitet e tij të Harvardit, do të ishte ndër pionerët e parë të lidhjeve artistike, letrare e kulturore të dy kontinenteve Europë-Amerikë. I lidhur ngushtë me shkrimtarin amerikano-hebre Denjamin Decasseres dhe me Apolinerin me shoke, Faik Konica do të ishte kështu ndër përçuesit e parë të vlerave të përparuara artistiko-letrare të Europës drejt Amerikës konservatore të kohës.

Të tre këta kapituj të jetës dhe veprës së tij e vendosin shqiptarin erudit Faik Konica mes intelektualitetit më të përparuar europian të kohës së tij.

Më në fund, më lejoni t’i drejtoj falënderim bashkëpunëtorëve të mi të drejtpërdrejtë Ilir Ikonomi e Bejtullah Destani, si dhe botuesve Krenar Zejno, Jahir Ahmeti e Aurel Kaçulini.

Po ashtu, shpreh mirënjohje për studjues me emër që kanë ngritur lart figurën e Faik Konicës me punimet e tyre shkencore, si Frank Shkreli, Rafael Floqi, Idriz Lamaj, Anton Çefa, Jup Kastrati, Agron Alibali, Lefter Dilo, Safet Kryemadhi, dhe shumë e shumë të tjerë, si dhe për të ndjerët Nasho Jorgaqi, Ismail Kadare, Robert Elsie, Dalip Greca, Astrit Lulushi, etj. që kanë lënë gjurmë me punimet e tyre shkencore për Konicën.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Faik Konicës, vizionarit të Shqipërisë europiane.

*Fjala në ceremoninë e promovimit të Antologjisë “Faik Konica – Për një Shqiopëri Europiane” – Boston, 15 Mars 2025.

Filed Under: LETERSI

VATRA PËRKUJTOI 150 VJETORIN E LINDJES SË FAIK KONICËS

March 16, 2025 by s p

Sokol Paja/

Boston, Massachusetts, 15 Mars 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nën organizimin e degës Boston dhe Worcester dhe me pjesëmarrjen e studiuesve të shquar të diasporës së Amerikës, shoqatave e organizatave patriotike në Boston e më gjerë, përkujtuan me nderim të lartë 150-vjetorin e lindjes së Faik Konicës, një prej mendimtarëve dhe figurave më të ndritura të kombit shqiptar. Faik Konica ishte një nga shtyllat kryesore të mendimit shqiptar, themelues i gazetës “Albania”, editor i “Dielli”-t dhe një nga arkitektët e Federatës “Vatra”. Përmes publicistikës dhe diplomacisë, ai mbrojti me pasion çështjen kombëtare dhe vizionin e një Shqipërie të lirë dhe të përparuar. Nën prezantimin mjeshtëror të Jorid Çelajt, kryetari i degës së Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj në fjalën e mirëseardhjes u shpreh rreth rëndësisë së përkujtimit të Faik Konicës, kontributin e tij gjuhësor, letrar e atdhetar dhe lexoi një poezi emocionuese të Namik Selmanit. Aidan Dilo, kryetari i shoqatës së studentëve shqiptarë në Bentley University falenderoi Vatrën për bashkëpunimin dhe afrimin e studentëve me Vatrën.

Andrea Pani, trashëgimtari i familjes së shquar patriotike e vatrane Pani theksoi lidhjet shpirtërore të familjes Pani, miqësinë e ngushtë të Vasil e Josif Pani me Faik Konicën, kontributin në shoqërinë atdhetare Besa Besën, Federatën Vatra e komunitetin shqiptar në Boston. Z. Pani në fjalën e tij u bëri thirrje studiuesve e historianëve që të hulumtojnë arkivat e Diellit e Vatrës me qëllim që të ndriçojnë e pasurojnë historinë kombëtare.

Studiuesi Fotaq Andrea në prezantimin e antologjisë: “Faik Konica – Për një Shqipëri Evropiane” theksoi se Kjo antologji, me mbi 900 faqe, e ilustruar edhe me rreth 50 foto e dokumente nga jeta dhe vepra e Faik Konicës, përfshin krejt korpusin e shkrimeve në frëngjisht të përlindësit shqiptar hartuar gjatë viteve 1897-1909 dhe botuar në revistën Albania. Pasuar nga artikuj, recensa, ese, promemorie, prozë, etj., si dhe mori letrash të nxjerra nga epistolari i gjerë i tij, këto shkrime përbëjnë një vëllim më vete dhe, përgjithësisht, janë prurje të reja, ose pak të njohura nga lexuesi. Shfaqet në to gjithçka e bukur, e fuqishme dhe patriotike nën penën koniciane, ku del në pah forca e mendimit dhe e stilit të tij sintetik, me atë karakteristikë të veçantë që shkrimet i drejtohen plot kulturë, dije e dinjitet rilindësve shqiptarë, publikut të gjerë që ndiqte Albania-n, si dhe personaliteteve të shquara me të cilët ai mbante letërkëmbim. Shqipëri europiane, Shqipëri moderne, Shqipëri e përparuar – ja ideali i Konicës me përkushtim rilindës kombëtar, që e nisi dhe e vazhdoi me Albania-n në Bruksel e Londër, për dymbëdhjetë vjet rresht, në moshën më të bukur rinore 20-30 vjeçare, për ta përfunduar, gjithnjë në rolin e kryeredaktorit, me Diellin e “Vatrës” shqiptare në Amerikë, ku shpërthyen, me rrezatim të fuqishëm patriotik, erudicioni dhe mendimi i tij proteiformë, që i rezervuan edhe një vend të nderuar mes intelektualitetit të kohës, tha ndër të tjera studiuesi Fotaq Andrea.

Prof. Thanas L. Gjika në kumtesën “Kritikat dhe mësimet e Faik Konicës janë aktuale edhe sot” u shpreh se Faik Konicës nuk i është dhënë ende vendi që meriton në historinë e popullit shqiptar si një nga ideologët e Rilindjes; si i pari krijues i alfabetit latin të shqipes; si krijuesi i prozës letrare realiste dhe i kritikës letrare; dhe as si një nga themeluesit e gjuhës letrare shqipe, që përdorim sot. Ky nënvlerësim i Faik Konicës ka pasur disa arsye kryesore sipas Prof. Thanas Gjikës: Së pari, shumë mendime dhe veprime të tij ishin të parakohëshme, prandaj nuk u kuptuan prej shumicës së bashkatdhetarëve të kohës, madje ngjallën zili, dhe e kritikuan; Së dyti, Faik Konica i botoi shkrimet e tij tek revista “Albania” e nëpër gazeta e libra që u shtypën me tirazh të ulët, prandaj ato u lexuan / u njohën prej pak lexuesve; Së treti, Faik Konica në kritikat e veta përdorte shpesh epitete fyese, dhe kjo i acaronte të kritikuarit. Kjo dobësi u shfrytëzua edhe prej kuzhinave të huaja antishqiptare për të shpifur kundër tij, tha ndër të tjera studiuesi Gjika.

Peshkop Theophan Koja në kumtesën “Djaloshi Faik Konica, vizionar” paraqiti jetëshkrimin dhe formimin e Faik Konicës dhe theksoi se studimet e deritanishme për jetën e veprën e këtij personaliteti të shquar të botës shqiptare dhe në studimet e historisë së popullit tonë nuk është kuptuar dhe as është vlerësuar si duhet ky akt botkuptimor i këtij djaloshi vizionar. Me kalimin e viteve ky veprim i tij merr gjithnjë e më shumë rëndësi mbasi është një piketë që shënoi lindjen e një epoke të re në mendësinë e popullit shqiptar.

Kryetarja e degës së Vatrës në Worcester znj.Efi Qeleshi në fjalën e saj deklaroi se diplomati, gazetari, publicisti dhe atdhetari Faik Konica ishte ndër penat më të mprehta e mendjet më të zgjuara shqiptare të shekullit të kaluar. Tradita që krijoi Konica, kontributi i tij madhështor dhe trashëgimia që na la pas si kryetar i Vatrës dhe editor i Diellit, e bëjnë të paharrueshëm dhe të lavdishëm. Faik Konica përbën frymëzim dhe krenari kombëtare për çdo shqiptar. Njeriu i letrave, patriarku i diplomacisë shqiptare në perëndim, Faik Konica përbën në thelb një vazhdimësi të traditës së Rilindjes Kombëtare me veprat dhe kontributin e tij kulturor.

Frank Shkreli në kumtesën “Faik Konica në 150-vjetorin e lindjes – aktualiteti i fjalëve të tij përballë realitetit të sotëm politik ndër shqiptarë” të lexuar nga Fatmir Konja, thekson se Faik Konica ishte vërtetë i jashtëzakonshëm, jo vetëm si diplomat, por edhe si figurë politike, publicist e kritik, ndër të tjera – i cili ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe sot, nepërmjet shkrimeve dhe publicistikës së tij në përgjithësi– një ndikim në jetën politike, letrare dhe kulturore të shqiptarëve. Është e vërtetë se komentet sarkastike dhe polemikat e nxehta të Konicës në Shqipëri dhe gjetkë, si dhe zemërimi dhe arroganca e tij nuk e kanë bërë atë gjithmonë një figurë popullore.

Dr. Paulin Marku në kumtesën “Roli i Faik Konicës në themelimin e Federatës Vatra” deklaroi se intelektuali i madh shqiptar, Faik Konica luajti një rol të rëndësishëm në Komisionin e Bashkimit, dha kontribut të çmuar në përpilimin e kanunores provizore të “Vatrës” si dhe për organizimin e degëve nëpër Amerikë. Ndër udhëheqësit më të shquar të themelimit të “Vatrës” ishin Noli dhe Konica që shumë shpejt bashkë me gazetën “Dielli” krijuan dhe mbajtën një profil të lartë brenda komunitetit dhe shumë shpejt u shndërrua nder organizatat më me ndikim si në Amerikë ashtu edhe në Shqipëri. Konica botoi shumë artikuj, brenda dhe jashtë Amerikës, ku nuk munguan edhe polemikat, publicistikë, histori e korrespondenca me intelektual shqiptar nëpër botë si dhe shumë shkrime në mbrojtje të Shqipërisë e çështjes shqiptare në tërësi.

Editori i Diellit Sokol Paja në kumtesën “Korrespondenca e Faik Konicës 1920-1925” theksoi se korrespondenca historike e Konicës na njeh me qëndrimet e tij politike, opinionet, këndvështrimet, qëndrimet e pikëpamjet karshi ngjarjeve e çështjeve kombëtare e ndërkombëtare, shqetësimet prej patrioti, merakun prej gjuhëtari, talentin prej publicisti e gazetari, sarkazmën si formë e reagimit e talljes e humorit kundrejt fenomeneve politike e shoqërore të kohës. Korrespondenca e Konicës përveç se shpalos figurën e tij shumëdimensionale, arti i tij i të shkruarit, thellësia e mprehtësia e mendimit dhe gjykimit politik e eseistik, përbëjnë një shkollë më vete të diplomacisë, patriotizmës dhe publicistikës shqiptare.

Rafael Floqi në kumtesën “Raportet e Konicës me Nolin në dritën e Diellit” të lexuar nga Klajdi Haruni shprehet se realiteti i divergjencave dhe i ndarjes të Nolit dhe Konicës, të Vatrës dhe Nolit, del përtej qëndrimeve të ndryshme antagoniste politike, del përtej para- gjykimeve individualiste, dhe ka si strumbullar qëndrimin, që duhet të mbante “Vatra” dhe diaspora e Amerikës, për Shqipërinë. Qëndrimet politike dhe divergjencat mes Nolit dhe Konicës, pushtuan dhe shkaktuan për më shumë se një dekadë përçarje edhe brenda Vatrës, duke zgjatur qysh nga viti 1924 deri në vitin 1937. Forma dhe shkalla e armiqësisë mes Nolit e Konicës merrte shtysa nga një dëlir narcizist dhe një raport zilie dhe xhelozie mes tyre, thuhet ndër të tjera në kumtesën e Floqit.

Studiuesja Valdete Dida Cenalia në kumtesën “Konica mes Nolit dhe Zogut” lexuar nga Lindita Meçe, shprehet se edhe pse kishin ndarje të mëdha, pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste bëri bashkë Faik Konicën, Fan Nolin e Ahmet Zogun për të mbrojtur Shqipërinë dhe shqiptarët që të mbështesnin Zogun për t’u rikthyer në pushtet.

Prof. as. dr. Besim Muhadri në kumtesën “Konica, publicist dhe kritik letrar” lexuar nga Artian Rreza shprehet se Publicistika e Konicës, veçanërisht ajo e realizuar për 12 vjet rresht në revistën “Albania”, por edhe në gazetën “Dielli”, shquhet për nivelin e lartë mjeshtëror, argumentimin e fuqishëm, frymën e thellë satirike dhe kritikën e pamëshirshme ndaj prapambetjes, injorancës dhe fenomeneve negative shoqërore. Konica përdori publicistikën për të trajtuar tema kombëtare, historike, politike e kulturore, duke kërkuar rrugëdalje drejt një Shqipërie të lirë dhe moderne. Ai luftoi gjithashtu për krijimin e një gjuhe letrare të njësuar, një çështje që mbeti e pazgjidhur për shumë kohë.

Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në fjalën përmbyllëse u shpreh se trashëgimia e Konicës lë gjurmë dhe lë shenjë të pashlyeshme në historinë kombëtare.

Përgjatë aktivitetit atdhetar e kulturor në sallë u ekspozuan artifakte origjinale të Faik Konicës të sjella nga familja Pani dhe pas ceremonisë pjesëmarrësit kryen homazhe në shenjë nderimi te varri memorial i Faik Konicës dhe Fan Nolit.

Filed Under: Featured

SOT JU MIRËPRESIM NË BOSTON

March 15, 2025 by s p

Me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Faik Konicës, një prej mendimtarëve dhe figurave më të ndritura të kombit shqiptar, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dega Boston dhe Worcester organizojnë promovimin e antologjisë së studiuesit Fotaq Andrea, “Faik Konica – Për një Shqipëri Evropiane”.

Faik Konica ishte një nga shtyllat kryesore të mendimit shqiptar, themelues i gazetës Albania, editor i Diellit dhe një nga arkitektët e Federatës VATRA. Përmes publicistikës dhe diplomacisë, ai mbrojti me pasion çështjen kombëtare dhe vizionin e një Shqipërie të lirë dhe të përparuar.

Detajet e aktivitetit:

Organizatorë: VATRA Boston & Worcester

🎤 Moderator: Jorid Çelaj

📅 Data: 15 Mars 2025

⏰ Ora: 12:00 PM – 3:00 PM

📍 Vendndodhja:

Bentley University
Student Center, 175 Forest St, Waltham, MA 02452
Ndërtesa B56 – Adamian Academic Center (Parkimi falas)

Programi:

Dr. Elmi Berisha – Fjala përshëndetëse

Mentor Maksutaj – Fjalë mirëseardhjeje

Efi Qeleshi – Përshëndetje për të pranishmit

Andrea Pani – Përshëndetje dhe lidhjet e familjes Pani me Konicën.

Fotaq Andrea – Prezantimi i antologjisë: “Faik Konica – Për një Shqipëri Evropiane”

Prof. Thanas L. Gjika – “Kritikat dhe mësimet e Faik Konicës janë aktuale edhe sot”

Peshkop Theophan Koja – “Djaloshi Faik Konica, vizionar”

Frank Shkreli – “Faik Konica në 150-vjetorin e lindjes – aktualiteti i fjalëve të tij përballë realitetit të sotëm politik ndër shqiptarë”

Dr. Paulin Marku – “Roli i Faik Konicës në themelimin e Federatës VATRA”

Sokol Paja – “Korrespondenca e Faik Konicës 1920-1925”

Rafael Floqi – “Raportet e Konicës me Nolin në dritën e Diellit”

Valdete Dida Cenalia – “Konica mes Nolit dhe Zogut”

Prof. as. dr. Besim Muhadri – “Konica, publicist dhe kritik letrar”

Dr. Pashko Camaj – Fjala përmbyllëse

Pjesë e veçantë e aktivitetit:

Në sallë do të ekspozohen artifakte origjinale të Faik Konicës të sjella nga familja Pani. Pas përfundimit të ceremonisë, do të zhvillohet një vizitë në varrin memorial të Faik Konicës.

Ju mirëpresim të nderojmë së bashku këtë figurë madhore të kombit shqiptar!

Filed Under: Opinion

KRITIKAT E MENDIMET E FAIK KONICËS JANË AKTUALE SOT

March 15, 2025 by s p

Prof. Assoc. Dr. Thanas L. Gjika/

(Me rastin e 150-vjetorit të lindjes së F. Konicës)

Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të periudhës së Pavarësisë. Ai, para Andon Zako Çajupit dhe Atë Gjergj Fishtës, me shkrime të shumllojshme ndihmoi dukshëm për krijimin e vetëdijes kritike të popullit shqiptar, vetëdije që është një nga nivelet më të larta të të menduarit njerëzor.

Mirëpo vepra e tij deri sot nuk ka qenë e njohur dhe e studiuar plotësisht, prandaj F. Konicës nuk i është dhënë ende vendi që meriton në historinë e popullit shqiptar si një nga ideologët e Rilindjes; si i pari krijues i alfabetit latin të shqipes; si krijuesi i prozës letrare realiste dhe i kritikës letrare; dhe as si një nga themeluesit e gjuhës letrare shqipe, që përdorim sot. Ky nënvlerësim i Faik Konicës ka pasur disa arsye kryesore:

Së pari, shumë mendime dhe veprime të tij ishin të parakohëshme, prandaj nuk u kuptuan prej shumicës së bashkatdhetarëve të kohës, madje ngjallën zili, dhe e kritikuan;

së dyti, F. Konica i botoi shkrimet e tij tek revista “Albania” e nëpër gazeta e libra që u shtypën me tirazh të ulët, prandaj ato u lexuan / u njohën prej pak lexuesve;

së treti, F. Konica në kritikat e veta përdorte shpesh epitete fyese, dhe kjo i acaronte të kritikuarit. Kjo dobësi u shfrytëzua edhe prej kuzhinave të huaja antishqiptare për të shpifur kundër tij.

F. Konicën e kanë nënvlerësuar në fillim disa atdhetarë të shquar si Sami Frashëri, Mit’hat Frashëri, Ismail Qemali, Fan Noli, dhe simpatiznatët e tyre. Për të edhe sot përsëritet opinioni i gabuar sikur ai ishte “dembel dhe nuk kishte lënë asnjë vepër të përfunduar, dhe se ishte kontradiktor në shkrimet e tij”. Këtë opinion të gabuar e përforcoi më tej diktatura komuniste.

Vetëm Federata Panshqiptare Vatra e Amerikës ka bërë përpjekje të vijueshme për ta studiuar sa më thellë e për ta botuar sa më të plotë veprën e F. Konicës duke filluar që nga viti 1975, kur ajo organizoi seminarin shkencor ndërkombëta për 100-vjetorin e lindje së tij. Ajo ka sponsorizuar gjithnjë studiuesit, si është dhe rasti i studiuesit Fotaq Andreas për përkthimin e botimin e dy ramaneve të panjohur të F. Konicës më 1916, dhe sot më 15 mars 2025 për botimin dhe promovimin e antologjisë madhore mbi 900 faqe “Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”.

Kumtesat shkencore që janë mbajtur në këto seminare shkencore dhe botimet e studiuesit F. Andrea hedhin poshtë opinionin e gabuar dhe vërtetojnë se F. Konica nuk ka qenë “dembel”, por ka qenë krijues shumë prodhimtar. Vetëm tek koleksioni 12-vëllimsh i rev. “Albania”, ai botoi mijëra faqe me artikuj, kryeartikuj, ese, skica, poezi, botoi dhe vepra të plot. Gjithashtu ai nuk ka qenë kontradiktor në mendimet dhe qëndrimet e tij.

Tipari dallues i F. Konicës, tipar të cilit ai i qëndroi besnik gjatë gjithë jetës, ka qenë orientimi europian. Ky orientim, që përbënte thelbin e botëkuptimit të F. Konicës, ka qenë kultivuar tek ai që në fëmijëri prej nënës së tij, Lejla Delvina, e cila i mësoi atij frëngjishten që e kishte mësuar në liceun francez “Gallata Sarai” të Stambollit. Më tej ai vijoi edukimin europian në “Seminarin Katolik të Jeziutëve” në Shkodër, në liceun “Gallata Sarai”s, në Dizhon e Paris dhe së fundi në Universitetin Harvard, Boston, MA. Formimi dhe orientimi europian ka qenë shkaku që ai fitoi simpatinë e mjaft bashkatdhetarëve elitarë si Atë Gjergj Fishta, Atë Fan Noli, Andon Z. Çajupi, Ernest Koliqi, Namik Resuli, Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, etj, por edhe mërrinë e disa të tjerëve. Orientimi europian i F. Konicës ka qenë dhe vijon të jetë edhe sot një orientim i drejtë, kurse orientimi lindor (prorus, proturk, progrek, proserb, e probullgar), që ai i luftoi me të drejtë, kanë qenë të gabuar.

Si politikan atdhetar dhe si sociolog i mprehtë ai zbuloi disa nga plagët e popullit tonë, prej të cilave po sjell këtu njërën: “shqiptarët kapen pas individëve dhe jo pas ideve”, (“Albania Nr. 16,15-30 korrik 1898). Nga ky mentalitet vuajmë edhe sot shumë prej nesh, sidomos nostalgjikët e diktatorit e të diktaturës komuniste dhe puthadorët e politikanëve të tranzicionit. Duke i qëndruar besnik ideve / idealeve të veta demokratike e patriotike F. Konica u detyrua të kritikonte dhe miqtë e tij të ngushtë, kur këta u larguan nga ato ideale.

Si historian i mirëformuar F. Konica në shkrimin vlerësues për Ali Pashë Tepelenën, formuloi qartë parimin themelor për vlerësimin e personaliteteve historike të çdo kohe, parim që ka rëndësi për të gjithë histoianët tanë e të huaj, të djeshëm e të sotëm: “Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e rojti… Fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre” (Albania, Fruer / shkurt, 1902).

Kritikat dhe mendimet e F. Konicës që vlejnë edhe sot janë me qindra, prandaj nuk po zgjatem këtu. Për të kuptuar më mirë pse ky mendimtar i shquar u kritikua dhe u nënvlerësua prej disa bashkatdhetarëve të tij, po përmend disa raste.

Sami Frashëri: Pagëzimi katolik i F. Konicës në verë të vitit 1895 dhe botimi i revistës “Albania” me alfabet krejt latin, nuk u pëlqyen prej shumë atdhetarëve. As një prej atdhetarëve myslimanë nuk u konvertua në i krishter. Kurse krijuesit e alfabetit të Stambollit, të cilët krahas shkronjave latine shtuan dhe 10 shkronja greke për tingujt “ë,ç,dh,ll,gj,rr,sh,th,xh,zh”, nuke pranuan alfabetin e F. Konicës.

Sami Frashëri, ndonëse ishte dhe vetë mendimtar i shquar, pasi lexoi shumë numra të revistës “Albania”, ku F. Konica trajtonte probleme të rëndësishme me stil elegant e konciz dhe me gjuhë të pastër, nuk e vlerësoi, por i shkroi Murat Toptanit, dhëndrit të Naimit: “I dashur biri ynë Murat, mos e dëgjo Faik Konivën. … nuk bëjnë të gjithë mizat mjaltë.” (AQSh, Fondi: S. FRASHERI, Dosja: Korrespondenca).

Mit’hat Frashëri. Biri i Abdyl Frashërit, ishte një atdhetar e intelektual enciklopedist, mirëpo dhe ai mbronte me fanatizëm alfabetin e Stambollit. Në tetor-nëntor të vitit 1908 Mit’hati Frashëri punoi për të organizuar Kongrsin e Alfabetit në qytetin Manastir. Ai donte që të përjetësonte përdorimin e alfabetit të Stambollit, prandaj e ftoi me shumë vonesë F. Konicën, që ky të mos mundëte të merrte pjesë. Dhe vërtet F. Konica nuk mundi të merrte pjesë.

Vëllezërit Dom Ndre Mjeda dhe Dom Lazër Mjeda më 1899, duke ndjekur rrugën e F. Konicës, krijuan një alfabet me shkronja krejt latine, të cilin e përdori “Shoqëria Bashkimi”. Ky alfabet i ri kishte tri shkronja më të mira se alfabeti i F. Konicës dhe ky reflektoi dhe e përmirësoi alfabetin e vet. Kurse Sami Frashëri dhe anëtarët e komisionit që krijuan alfabetin e Stambollit nuk pranuan ta përmirësonin alfabetin e tyre, madje Mit’hat Frashëri nguli këmbë në Kongresin e Manastirit që të përdorej vetëm alfabeti i Stambollit. Kurse Atë Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Sotir Peci e disa të tjerë, votuan për alfabetin e “Shoqërisë Bashkimi”. Komisioni organizues u detyrua të vendoste, që për ca kohë të përdoreshin të dy alfabetet dhe mbas dy vjetësh, Kongresi i Dytë i Manastirit, vendosi që gjuha shqipe të përdorte vetëm alfabetin latin të “Shoqërisë Bashkimi”. Ky vendim mund të ishte marrë 11 vjet më parë, kur “Shoqëria Bashkimi” krijoi këtë alfabet dhe F. Konica e miratoi atë.

Ismail Qemali. Në vitin 1900 F. Konica e vlerësoi shumë Ismail Qemalin kur ky e braktisi parlamentin turk dhe shkoi në Paris e Bruksel. U lidhën ngushtë dhe vendosën të bashkëpunonin së bashku. Mirëpo midis tyre erdhi shpejt ftohja, sepse I. Qemali hartoi një artikull dhe e dorëzoi për ta botuar. Faiku e botoi duke i hequr dy paragrafë ku autori shprehte vlerësim pozitiv për politikën greke, të cilën “Albania” e kishte luftuar si politikë “hileqare”. F. Konica i hoqi dy pjesët sepse i qëndronte besnik mendimit që kishte shprehur më parë për politikën greke: “Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të qenë miq me grekët, ata [kupto: qarqet sunduese – Th. Gj.], përkundrazi, nuk kanë bërë gjë tjatër veçse na kanë sharë, përçarë, shtypur”.

Pavarësisht nga kjo ftohje me I. Qemalin, F. Konica shkroi disa herë për të duke e vlerësuar lart. Mirëpo më 8 korrik të vitit 1913, kur F. Konica, pasi kryesoi Kongresin e Triestes për të mbrojtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar, shkoi në Vlorë. Kryetati i Qeverisë së Vlorës nuk shkoi vetë dhe as dërgoi ndonjë ministër për ta pritur. F. Konica u largua brenda ditës dhe shkoi në Durrës. Po ta kishte pritur dhe ta kishte emëruar I. Qemali F. Konicën Minstër të Arsimit, ose Drejtor të gazetës qeveritare “Përlindj’ e Shqipëniës”, ky intelektual i shquar, do të kishte dhënë një kontribut të ndjeshëm. Shkrimtari i famshëm frances Apoliner e kishte vlerësuar F. Konicën që më 1904 “Enciklopedi e gjallë, … i denjë për kryeministër të Shqipërisë”,

Fan Noli. Miku më i afërt i F. Konicës ka qenë F. Noli. Ai e vlerësoi enciklopedizmin e tij, prandaj shkroi: “F. Konica më mësoi gjithçka”, pasi lexoi koleksionin e revistës “Albania” e shpalli disa herë veten “nxënës të Faik Konicës”. Mirëpo edhe këta dy miq u grindën midis tyre. Kur F. Noli për të luftuar Ahmet Zogun, u lidh me lëvizjen komuniste, ndërgjegja e F. Konicës nuk mund ta falte kalimin e mikut të tij nga pozitat e një demokrati në pozitat e një përkrahësi e popullarizuesi të ideve revolucionare komuniste. Kjo kthesë e F. Nolit nisi në pranverë të vitit 1925, kur ai dërgoi në Moskë grupin e të rinjve me Sejfulla Malëshovën, Zai Fundon, Koço Tashkon etj, që të kualifikoheshin e të krijonin më tej partinë komuniste shqiptare. Simpatia e F. Nolit për qeverinë komuniste të Rusisë Sovjetike u thellua në nëntor të vitit 1927, kur ai shkoi në Moskë, ku mori pjesë në ceremonitë e festës së 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Pas kthimit në Gjermani ai shkroi poezitë revolucionare “Anës Lumenjve” dhe “Rrent o Marathonomak”, dhe mori pjesë në Kongresin e Internacionales Komuniste…

Në vitin 1932, kur Noli shpalli se nuk do të merrej më me politikë, F. Konica, Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, i shkroi Ministrisë së Jashtme të ShBA-ve që ta lejonte F. Nolin të vinte në Amerikë. Noli u kthye në Boston, ku vijoi punën si Peshkop i Kishës Shqiptare të Amerikës. Faiku edhe pse më i madh në moshë bëri hapin e parë për bashkim; shkoi në Boston dhe mori pjesë në meshën e Peshkop Nolit. Miqësia u vendos sërisht, por grindja e tyre shkaktoi përçarje midis mërgimtarëve të kolonisë shqiptare, në simpatizantë të Nolit, ose të Konicës. Deri më sot miqësinë dhe grindjen e dy kolosëve, Konica-Noli, nuk e kanë sqaruar drejt të gjithë studiuesit e tyre, me përjashtim të studiuesit Rafael Floqi, në “Dielli”, 5 mars 2025, dhe unë në Hyrja e kësaj antologjie.

Ndonëse u pajtuan dhe bashkëpunuan deri në vdekjen e F. Konicës, në ndërgjegjen e Nolit kishte mbetur shija e hidhur e kritikave që i kishte bërë dikur “mentorii” i tij. Në prill të vitit 1962 në ceremoninë e 50-vjetorit të krijimit të Federatës Vatra, Peshkop Noli mbasi e vlerësoi F. Konicën si “Kryelëronjës të gjuhës shqipe, zbulues të flamurit”, “një nga themeluesit e Federatës Vatra”, etj, e mbylli vlerësimin me fjalët: “por Faiku ishte dembel, nuk na la asnjë vepër të mbaruar”. Një karakterizim i tillë për F. Konicën nuk kishte pse të thuhej prej Peshkop Nolit, i cili kishte lexuar koleksionin e plotë 12-vjeçar të revistës brilante “Albania”, të cilin e kishte vlerësuar shumë lart. Në këtë koleksion ai kishte lexuar shumë shkrime të mjeshtrit Konica, që përbëjnë vëllime me ese, artikuj, polemika, vëzhgime, skica, tregime e poezi.

Po ashtu Peshkop Noli kishte njohuri se Konica sa ishte gjallë kishte shkruar e botuar disa libra të plota si studimet frëngjisht “Ese mbi edukimin” Bruxelles 1898, 20 f.; “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, Bruxelles 1904, 147 f., analizën “Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare” (1899, 84 f.); përkthimin e përrallave arabe libër më vete “Një mijë e një netë“ botim i Federatës Vatra, si dhe broshurën juridike “Kanunorja e Vatrës”, vepër e shkruar prej Kristo Floqit dhe F. Konicës, botuar prej Federatës Vatra më 1912.

Pas vdekjes së F. Konicës, në janar të vitit 1943, Peshkop Nolit iu dorëzuan për t’i ruajtur 32 arka me libra të bibliotekës së eruditi Konica, dhe një arkë me dorëshkrime origjinale të tij. Tek kjo arka e fundit ishin jo vetëm dorëshkrimi anglisht i studimit “Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës Jug-Lindore”, të cilin e botoi më 1955 Qerim Panariti, por dhe dorëshkrimi i plotë i romanit satirik “Doktor Gjëlpëra…”, dorëshkrim që autori ia kishte dorëzuar të plotë Bahri Omarit, redaktorit të gezetës “Diellit” në korrik 1924, roman që nuk u botua i plotë sepse u ndërpre në fund të dhjetorit 1924 me kthimin e Ahmet Zogut në fuqi. Në atë arkë kanë qenë shumë letra të F. Konicës me personalitete të ndryshme, si dhe dorëshkrimet e plota të dramës “Mustaqet”, dhe të përmbledhjes me tregime “Kandili i kuq”, etj, për të cilat F. Konica i kishte kërkuar ndihmë Federatës Vatra më 1923 për t’i botuar, por për mungesë fondesh nuk u botuan.

Diktatori Enver Hoxha: Nënvlerësimin më të madh F. Konicës, ia bëri diktatori Enver Hoxha. Së pari ky nuk pranoi kërkesën e F. Nolit për të varrosur në atdhe trupin e F. Konicës. Më tej ai dha urdhër që të mos shkruhej asnjë fjalë vlerësuese për të, por vetëm kritika e sharje, sepse sipas tij F. Konica ishte “armik i popullit”, “mbrojtës i bejlerëve”. Mirëpo dihej botërisht se F. Konica ia kushtoi gjithë jetën çlirimit dhe demokratizimit të Shqipërisë, se ishte i vetmi intelektual aristokrat që e kishte tradhëtuar klasën e vet. Ai i vlerësonte njerëzit jo sipas ndarjes klasore, ose fetare, por sipas përkushtimit ndaj atdheut. Diktatori komunist e luftoi F. Konicën sepse ky e kishte kritikuar hapur komunizmin në vitet 1923-1930 si sistem që “nuk mund të jepte frute në Shqipërinë e vogël e të varfër”.

Intelektualët shqiptarë, që u formuan në Shqipëri gjatë viteve 1945-1990, duke mos e njohur veprën e F. Konicës dhe duke iu bindur vijës së partisë shtet, shkruan kritika ndaj tij.

Edhe unë e kam kritikuar Faik Konicën. Kur punoja në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave më ngarkuan të shkruaja për “Enciklopedinë e Popullit Shqiptar” botim i vitit 1985, zërin për F. Konicën. E kritikova jetën dhe veprën e këtij kolosi, kurse shefat e mij kur e redaktuan shkrimin e nxinë edhe më shumë.

Ismail Kadare. Për fat të keq edhe shkrimtari më i talentuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, intelektuali me famë botërore, Ismail Kadareja, përsëriti me fjalë të tjera mendimin e gabuar se Konica “ka qenë kontradiktor në mendimet e veta”. I Kadareja në esenë e tij që u botua në vëllimin “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë” ONUFRI, 1998, theksoi se Faik Konica “kishte optikë kundërthënëse”.

Kuzhinat e huaja antishiptare, ose shqiptarë të paguar prej tyre. Në vitin 1990, kur u kuptua se kapitullimi i sistemit komunist do t’i sillte mundësi të reja zhvillimi popullit shqiptar, kuzhinat e huaja antishqiptare, për të ngjallur urrejtje tek populli shqiptar ndaj dy kolosëve: F. Konicës dhe F. Nolit, hodhën në qarkullim dy shpifje. 1. Sikur F. Konica kishte thënë: “Shqipëri të kam dhjerë, s’më kuptove asnjëh”, dhe 2. Sikur F. Noli kishte shkruar: “Po të duash t’i vësh botës zjarrë, merr me vete tre a katër kosovarë”. Këto dy thënie nuk janë gjetur në asnjë shkrim të botuar prej këtyre autorëve, as prej Ilir Ikonomit dhe asprej F. Andreas, të cilët janë studiuesve më të mirë të jetës dhe të veprën së tyre. Këto thënie nuk janë përmendur as prej miqve e bashkëpunëtorëve të tyre, që kanë jetuar me ta. F. Konica në shkrimet e tij ka kritikuar disa dobësi të popullit shqiptar, por i nisur nga qëllimi që ta ndihmonte t’i korrigjonte dobësitë e tij dhe jo jo që ta mohonte si popull. Ai i kushtoi jetën clirimit, emancipimit dhe demokratizimit të popullit dhe atdheut të vet.

Po ashtu dhe F. Noli deri më 1912 shkroi disa herë për trimëritë e luftëtarëve shqiptarë të Kosovës, dhe më vonë shkroi për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit shtypës serb. Prandaj them me bindje se këto dy thënie nuk janë krijuar prej F. Konicës e F. Nolit, por prej kuzhinave antishqiptare, ose prej ndonjë shqiptari të paguar prej tyre.

Të gjitha nënvlerësimet, kritikat dhe shpifjet që i janë bërë F. Konicës do të bien poshtë pasi të lexohen shkrimet e tij të përmbledhura në antologjinë ”Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”, vepër madhore, që hap një epokë të re në studimet koniciane.

Kritikat që ka bërë F. Konica ndaj atdhetarëve të kohës, ndonëse të ashpra, kanë qenë të drejta e të moralshme, dhe ishin shkruar të shtyra prej atdhedashurisë.

Sot, kur po përpiqemi të hyjmë në Bashkimin Europian, na duhet të mënjanojmë epitetet fyese në kritikat tona, të zhdukim zilinë ndaj kolegëve që janë po aq të aftë, ose më të aftë se ne, dhe të mos shprehim mendime për vepra e personalitete, që nuk i kemi njohur vetë.

Ky shkrim do të lexohet në promovimin e librit “Faik Konica – për një Shqipëri europiane”, që do të organizohet nga Federata Panshqiptare Vatra e Amerikës më 15 mars 2025 me rastin e 150-vjetorit të lindjes së F. Konicës tek Bentley University Waltham, MA. Varianti i plotë është botuar brenda librit (HYRJE f. XV – XXV).

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT