• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Kulti i Diellit dhe Hënës në trashigiminë tonë, rrugëtimi etern i komunikimit shpirtëror të shqiptarëve

April 16, 2025 by s p

Albert Vataj/

Kulti i Diellit dhe Hënës në trashigiminë tonë, rrugëtimi etern i komunikimit shpirtëror të shqiptarëve

Që nga agimet më të hershme të qytetërimeve, njeriu ka kërkuar në qiell simbolet e misterit, shpresës dhe jetës. Në mesin e tyre, Dielli dhe Hëna kanë zënë vendin e vet të shenjtë, si forca që udhëheqin ritmin e natyrës dhe kohës. Për shqiptarët, këto dy trupa qiellorë nuk janë vetëm pjesë e peizazhit kozmik, por figura të ngulitura thellë në kujtesën mitike e kulturore të popullit, të trashëguara nga lashtësia e panjohur deri në përditshmërinë më të zakonshme.

Simbolet e Diellit dhe të Hënës jetojnë në fjalën e betuar, në zbukurimet e veshjeve tradicionale, në artin e qëndisur e në ritet e jetës, duke ruajtur gjurmë të një besimi të hershëm pagan, që i shihte këto elemente si hyjni, si burime jete e pjellorie. Ky kult i natyrës, i diellit dhe i dritës, shfaqet si një vijimësi e pandërprerë nga ilirët te shqiptarët e sotëm, duke dëshmuar një trashëgimi shpirtërore që ka kapërcyer shekujt dhe fetë, dhe që vijon të pulsojë në thellësitë e ndërgjegjes popullore.

Ky shkrim përpiqet të ndriçojë këtë linjë të padukshme por të fuqishme që lidh njeriun shqiptar me qiellin e vet të brendshëm — aty ku Dielli nuk është thjesht ylli që lind çdo mëngjes, por një dëshmi e vazhdimësisë, e shpresës, e bekuar prej një të kaluare që rrezaton edhe në terrin më të dendur.

Tradita popullor

Të dy, Dielli dhe Hëna, janë simbole dhe motive të zakonshme në artin popullor shqiptar, si dhe në tatuazhet. Dihet se ilirët, banorët e lashtë të Ballkanit perëndimor, i përdornin simbolet e Diellit në ornamentet e tyre, megjithëse nuk mund të thuhet me siguri nëse kanë qenë pikërisht këto simbole që kanë trashëguar shqiptarët e sotëm. Edhe peonët, të cilët jetonin diku ndërmjet maqedonasve të lashtë dhe dardanëve, e kishin një kult të diellit, të cilin shkrimtari i shekullit II të e. r. Maximus nga Tiri (Philosophoumena, 2.8, 6) e ka përshkruar si diell në qendër të një disku, majë një shtize të gjatë.

Kulti i Diellit tek shqiptarët pasqyrohet edhe në betë e tyre, dmth. kur bëjnë be e betohen për diellin. Madje, betë me diell e rreze dielli, si ‘për atë diell’ e ‘për këtë rreze dielli,’ haseshin dikur më shpesh se betë për Zotin dhe dëgjohen edhe sot e kësaj dite.

Edhe në letërsinë gojore shqiptare bie në sy përmendja e rrezeve të diellit, që u japin dritë guvave të thella malore, etj. Festa e Shën Gjergjit, gjithashtu, mund të lidhet me një festë të lashtë të diellit. Baroni Franc Nopça (1877-1933) thotë se banorët e Shalës dhe Planës (SH) bënin kryq kur u binin rrezet e para të diellit në agim.

Dielli, Hëna, Yjet

Nga mbijetojat e kulteve të lashtësisë është ruajtur kulti i Diellit. Mbeturinat e tij na shfaqen, qoftë edhe në mënyrë të zbehtë, në shumë fusha të jetës e të veprimtarisë së banorëve të vendit tonë: në kulte bujqësore e blegtorale, në kulte të mjeshtërive, në ritet kalendarike, në krijimtarinë gojore të popullit, në artin popullor të aplikuar, në ciklin e jetës familjare, në kultin e zjarrit e të vatrës, të ujit, të maleve e kështu me radhë.

Nga autortë ndryshëm për këtë kult janë nxjerrë në dritë dëshmi jo të pakta e janë dhënë mendime të rëndësishme. Pashko Vasa që më 1879 vë në dukje se Shqiptarët betoheshin për Diell, për hënë, për qiell, për dhe, në gur e për elementë të tjerë të natyrës e jo për perëndi e shenjtorë të krishtërimit e të islamizmit. Ai këto betime i shpjegon si të lashtësisë shqiptare e me burim vendës. (Vaso Pasha Effendi, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”, Tiranë, 1935, f. 42-43)

F. Nopça që nga fillimi i këtij shekulli ka vënë re se Shqiptarët i faleshin Diellit sipas besimit pagan dhe se nderimi i majave të maleve, i disa vendeve të larta në Shqipëri ka të bëjë me kultin e diellit. (F. Nopçe, “Shqipëria. Pikëpamjet fetare”, Arkivi i Institutittë Historisë, f. 46). Në zbukurimet e xhubletës së Malësisë së Madhe, në shtroje e gjëra të tjera të qëndisura në Malësi të Gjakovës, është i pranishëm motivi i diellit në formë kryqi grepç (svastika), dhe kjo duhet konsideruar si trashëgimi e lashtë e popullit tonë.

Sh. Gjeçovi konstaton mbeturina të forta të besimit në diellin të shprehura në të falurit e diellit e në të dhëna të tjera religjioze, duke i lidhur këto me kultin e diellit e elementë të tjerë të mitologjisë në llirë e Trakë. Mbi të gjitha është me vlerë shqyrtimi që M. E. Durhami i bën kultit të diellit të shfaqur në tatuazh në Bosnjë, në Hercegovinë dhe diçka në Shqipërinë Veriore, duke u përpjekur të shpjegojë origjinën ilire e trake të kësaj dukurie.

Nga të dhëna të ndryshme na del se dielli, deri këto kohët e vona ka qenë objekt adhurimi; atij i faleshin në mëngjes në të lindur, në disa raste dhe në perëndim të tij. Dielli adhurohej si burim jetese, burim shëndeti, burim pjellorie dhe si objekt mbrojtës dobiprurës.

Shumë veprime me karakter bujqësor e blegtoral duhej të fillonin me të lindur të diellit e jo më parë, madje veprime bujqësore e blegtorale që fillonin për herë të parë në një ditë të caktuar të pranverës; ajo ditë duhej të ishte me diell( e jo e vrenjtur) se kështu sjell mbarësi e prodhimtari të bollshme. Në Malësi të Gjakovës (Tropojës) kemi hetuar një zakon të lashtë sipas të cilit vajza duhej fejuar në mëngjes në të rënë të diellit e jo në mbrëmje. Dielli i mëngjesit, sipas besimit popullor, është fat për vajzën në lumturinë e ardhshme bashkëshortore, në trashëgimi, në lindje të djemëve.

Një element me shumë rëndësi për kultin e Diellit janë zjarret e vitit që bëheshin në krahina të ndryshme të Shqipërisë në Ditën e Verës (fillimi i marsit), më 22 qershor, diku në korrik apo në gusht në maja malesh, kodrash dhe pranë shtëpive më 24 dhjetor. Këto zjarre rituale në shekullin XX kanë karakter besimi por dhe argëtimi, por dihet se në mitologjinë indoeuropiane këto bëheshin për të ndihmuar diellin, për t’i dhënë fuqi atij, se edhe ai pastaj kishte për t’u dhënë prodhimtari të mbarë e begati në jetën familjare. Pra, besohej dikur se të tilla zjarre rituale e fuqizonin diellin për të prurë më shpejt verën, bimësinë në natyrë e bollëk në prodhimtari.

Në gunën shqiptare, në variantet e saj si veshje gruaje në trevën e Mirditës, Pukë, Malësi e Lezhës, Mat e Krujë, ndeshim dendur simbole të diellit në formë kryqi, në ngjashmëri të svastikës, në rrathë koncentrikë, spirale dyfishe etj. Në xhubletën e Malësisë së Madhe, të Dukagjinit dhe të Malësisë së Gjakovës (Nikaj – Mertur) ndeshim zbukurime me simbole të diellit, të hënës, të gjarpërit, nga më të ndryshmet. Meqënëse këtë petk e kemi me origjinë të lashtë ballkanase e mesdhetare, gjë që na dëshmohet edhe nga zbulimet arkeologjike të trevës ilire e më tej, mendojmë se edhe zbukurimet me karakter mitologjik në të, pa mohuar shtresa të ndryshme e ndikime të mëvonëshme, si origjinë duhet t’i kërkojmë te koha, te një kohë e lashtë ballkanike.

Është kuptimplotë fakti që në ciklin e kreshnikëve dielli e hëna marrin pjesë aktive në drejtimin e ngjarjeve. Në këtë cikël flitet për Bjeshkët e Diellit, si vende ku veprojnë kreshnikët. Në “Martesën e Halilit” (Q. Haxhihasani. vep. cit. f. 75) Dielli e Hëna bashkë me Orë e Zana e zogj të malit ndihmojnë kreshnikun për të realizuar synimet e tij.

Po thot dielli: “A ndorja e eme!”

Ka than hana: “A ndorja e eme!”

Kanë thanë orët: “A ndorja e jonë!”

Zotafletdhijanëmal!

Ça ka qitun e ka thanë?

– Sa të bajë dritë ka ndoren dielli,

T’errmen natë, ka ndoren hana,

Armët e brezit ja rue Zana!

Betimet, mallkimet, urimet e shumta për diellin, që përdoreshin në jetën e përditëshme si “Për atë diell që shndrit token!”, “Për atë diell që vete lodhurl”, “Të thertë rrezja e diellit!”, “Mos pafsh diell me sy!”, “Qofsh i bardhë si drita e diellit!”, “Për atë fytyrë të Diellit”, “Për atë sy diell”, “Për atë diell që vran e kthjell!” e kështu me radhë, konsideroheshin shumë të forta e mendohej se bënin efekt për mirë a të keq në jetën e njerëzve.

Në besimet popullore gjejmë përfytyrimin e Hënës si grua dhe të Diellit si burrë e ku flitet dhe përfëmijët e tyre. Në një këngë legjendare nga Arbëreshët e Italisë vajza takohet me Kuçedrën në Malin e Kuçedrës dhe i thotë se “është e bija e diellit dhe e hënës” (se ka për nënë hënën dhe për babë diellin). Kuçedra donte ta hajë, por kur mori vesh këtë e përshëndeti dhe e la të lirë. (Q. Haxhihasani. “Këngë popullore legjendare”, f. 91). Megjithatë tek ne ka dhe një variant që e gjejmë te popujt e tjerë: Në legjendën popullore tregohet se hëna me diellin kanë qenë motër e vëlla e në ndonjë yariant tjetër: burrë e grua. Hëna dikur paska pasur dritë të madhe porsi dielli. Kallzohet se ndër kohë të vjetra hëna u grind një herë me diellin e ky i ra me një shplakë aq të fortë sa i plasi njërin sy e prandaj tani hëna nuk e ka më dritën e gjallë si dielli. Këtë legjendë e gjejmë në gjithë Labërinë. ( K. Kamsi, “Besime të popullit në Labëri”, “Dituria”, Tiranë, 1928, Nr. 8, f. 309-310). Në Smokthinë besohej dikur, se kurzihej hëna (kur ndodhte eklipsi i hënës) e kishin zënë shkëmbinjtë, lubia ose kauri. Në Kurvelesh tregohej se atë e zinte Kuçedra, qentë e tërbuar ose lugati e nuk e lenin të lëshonte dritë mbi tokë. (K. Kamsi. Art. cit. “Dituria”, 1928, f. 311).

Në Veri, në zbukurime të ndryshme, na paraqitet hëna me rreze ashtu si edhe dielli; kjo të kujton legjendën në fjalë. Në popullin tonë të zënët e hënës a të diellit mbahej si një shenjë shumë e keqe. Deri nga fillimi i shekullit XX, kur zihej hëna ose dielli, qisnin me pushkë ose hidhnin përpjetë urë zjarri, për të frikësuar Kuçedrën a Lubinë, për ta bërëqëtëlargohen.

Në Smokthinë ndër pleq e plaka tregohej se hëna na qenka një grua e shenjtë. Prandaj ditën e hënë nuk preknin punë me dorë, ose po të punonin, besonin se në jetë do t’u ndodhnin fatkeqësira dhe se natën u shfaqej hëna si grua dhe u tregonte të gjitha të këqiat që do t’u çonte atyre që nuk nderuan ditën e saj.

Në legjendën popullore me natyrë mitike ndonjëherë dielli e hëna paraqiten si vëlla e motër e njëkohësisht si burrë e grua ashtu si edhe në popujt e tjerë indoeuropianë.

Në popullin tonë me fazat e ndryshme të hënës lidhej çdo veprimtari bujqësore, blegtorale dhe nga ato që kishin të bënin me zeje e mjeshtri të ndryshme.

Kudo ndër Shqiptarë, në malsi më tepër, kur në të marrë të diellit del hëna e re, fëmijtë dhe vajzat e rritura i drejtoheshin hënës me lutje e formula të veçanta magjike, për fat« mbarësi në jetë. Ja njëra nga këto formula magjike, me të cilën vajzat i drejtoheshin hënës:

“Hënë e re, / vashë e re! / Unë në punë, ti në gjumë, / Unë shëndet e ti gërshet”. (J. Nushi. Mitologji e besime në Myzeqe, “Etnografia Shqiptare”, V. 1974, f. 336).

Mendojmë se hyjnizimi i hënës në popullin tonë në një masë kaq të madhe ka të bëjë me ndonjë hyjni të lashtë ktonike vendëse me atribute të bujqësisë dhe të jetës familjare. Po Hëna na del edhe si e lidhur me Zanën, me natyrën e virgjër, pra si hyjni e natyrës. është ndërkohë edhe mbrojtëse e grave.

Kuptohet qartë se këto mbeturina besimesh në hënën, në diellin e në elementë të tjerë të natyrës ishin shprehje e atij kompleksi të besimeve pagane që lidhej me natyrën.

Me interes është kulti i diellit në lidhje me të vdekurit. Kur vdiste njeriu, kudo në Malësitë shqiptare ai do të vendosej me fytyrë nga lindja e diellit: në shtëpi, në oborr, kur pushonin rrugës për te varrezat dhe në varr; ky ishte një rregull i prerë dhe i lidhur me besime të lashta. Vlen të theksohet këtu se arkeologët tanë në varret e Mesjetës së Hershme të varrosurit i kanë gjetur me fytyrë nga lindja. (H. Spahiu. – Gërmimet e vitit 1961 në varrezën e hershme Mesjetare të kalasë së Dalmacies, “Studime historike” 3.1964, f. 77). Këtë pozicion varrimi e gjemë dhe në disa varre të lashta ilire, ashtu si dhe në popuj të tjerë të Lashtësisë.

Deri në kohë të vona është ruajtur tradita që përjashta varrit të bëhej një rreth gurësh të vegjël të bardhë, p.sh., në Labëri, në Mirditë, në Malësi të Madhe etj. Mendojmë se kjo ka të bëjë me kultin e diellit. dhe kjo është po ajo unaza apo rrethi i gjerë me gurë që gjendet në tumat ilire dhe që ka të bëjë me kultin e diellit. Pra edhe këtu ekziston lidhja logjike nga Lashtësia e deri në Kohën tonë. Këtë dukuri në varrime e ndeshim dhe në popuj të tjerë të Europës. ndoshta kjo ka të bëj me kultin e diellit, por mund të jetë dhe një kontaminim me kujtimin legjendar të të ardhurit të europianëve nga Vendet e Lindjes, pra nga lindja e diellit. Ky kujtim i mjegulluar i prejardhjes, ky skenar mitiko-ritual i drejtimit nga vendi i imigrimit ndeshet dhe në popuj të Oqeanisë e gjetiu. Pra është një kujtim i migrimeve të lashta nga Azia, migrime indoeuropiane e të tjera si këto.

Në kryqet e varreve në Malësi të Madhe, në Nikaj-Mertur, në gjithë Dukagjinin (S. Anamali – Një varrezë e Mesjetës së Hershme në Bukël të Mirditës, “lliria”, 1972, f. 213) dhe në disa vise të tjera malore të Shqipërisë janë të rëndomta motivet e diellit e të hënës të paraqitura bashkarisht në të njëjtat vende. (Në lidhje me motivet pagane: dielli, zogj, hëna e të tjera, në kryqet e varrezave të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit e Nikaj-Merturit, material me rëndësi më kanë dhënë gojarisht, A. Gjergji dhe K. Ulqini). Ekziston dhe mundësia e ndikimit islam, që doemos diku – diku është e dukshme, por për kultin e hënës kemi dhe një traditë të fortë vendëse. Ka të drejtë E. Durham që këto motive të diellit e të hënës në varre i lidh me besimet e lashta në këta trupa qiellorë.

Në lidhje me kultin e Diellit do te përmendim se ka ekzistuar ndër Shqiptarë në malësitë e Jugut e të Veriut, kulti i disa vendeve të larta ose maja malesh që adhuroheshin; njerëzit u faleshin në mëngjes me të lindur dielli. Në shumë raste këto ishin vende ku në data të caktuara të vitit zhvilloheshin ceremoni që kishin të bënin me diellin, po dhe me elementë të tjerë të natyrës.

Kështu vendësit ngjiteshin në majën e malit Rumia (Rumia: mal në 1 perëndim të liqenit të Shkodrës, në trevën e Malit të Zi), me nga një gur në dorë që e hidhnin në vendin e shejtë në majë, ditën e Rushajave pa rënë dielli dhe me të lindur i faleshin atij. Kështu veprohej edhe në Gjallicë të Lumës në një ditë të caktuar të gushtit. Veprime të tilla rituale bënin në Majë të Pashtrikut banorët e Malësisë së Gjakovës e të Rafshit të Dukagjinit. Të tilla rite bëheshin edhe në maja të tjera malesh në Shqipëh. (Majat më të njohura ku bëheshin pelegriazhet e zhvilloheshin ceremoni kushtuar diellit në ditë të caktuara të vitit, në disa vende Ditën e Verës, diku për Shën Gjergj, diku më 20 korrik, diku në gusht a data të tjera të vitit, ishin këto: Mali i Këndravicës në Labëri, Çuka e Tomorrit në Berat, Sarisalltiku të Krujë, Gjallica e Lumës, Rumia afër liqenit të Shkodrës, Pashtriku në Malësi të Gjakovës. Maja të nderimit pagan kemi shumë në Shqipëri. Maja e Shëlbuemit afër Lezhës; në Alpe: Maja e Shkëlzenit, Maja e Hekurave, Maja e Koritnikut. Të tilla ishin edhe Maja e Sukaj në Grudë, Maja e Runës, maja e Dervishës në Macukull (Mat). Në pelegrinazhe rituale në majat e maleve nuk mungonin asnjëherë: të falurit diellit, ndezje zjarresh të mëdhenj (e kjo bëhej më tepër për Shën Gjergj dhe në Shën Mëri të gushtit), kurbane, përveç ceremonish e veprimesh të tjera.

Duhet të shënojmë këtu se kulti i Diellit, duke qenë një fenomen universal, na shfaqet në popuj të ndryshëm të botës dhe mad nganjëherë dhe me të njëjtat tipare si edhe në Shqiptarë. Kështu, p shembull, Persianët e vjetër (para 2000 e ca vjetësh) tempujt e ty kushtuar diellit, hënës, ujit e tokës, i kishin në maja të maleve dhe at bënin flijime kushtuar diellit. (Gerodot, Istorija, Leingrad, 1972, f. 54, 131).

Edhe në Kinë, deri në kohë të vona (rreth shekullit XIX e deri r fillim të shekullit XX) janë ruajtur tempuj kushtuar diellit në vende ngritura e maja malesh. (L.J. Shenberg, vep. cit., f. 508-509). Në lashtë kulti i diellit ka qenë i fortë thuajse në të gjithë vendet e Lindjes së Afë si në Mesopotami, Asiri, Egjipt etj. (Po aty. f. 500-525). Mali Sinai r afërsi të Jeruzalemit, Hebroni, Ararat në Irak, e disa të tjerë ishin r lashtësi vende kulturore e pelegrinazhi, pra maja malesh të shenjta, l njerëzit luteshin si besimtarë e bënin flijime; çonin atje dhurata ndryshme.

Që këto shfaqje të kultit të Diellit tek ne kanë origjinë të lashtë, k s’ka asnjë dyshim. Mund të përmendim me këtë rast ekzistencën këtij riti te Peonët në majën e Malittë Pangjeut. (N. Svoronos, Journ international d’Archeologie Numismatique, dirigë et publië par svoronos, Paris-Athenes, 1919, f. 78-79 dhe 127). Sipas një autori anl (Eskilit), Orfeu ngjitej para agimit në majën e Pangjeut (Po aty. f. 1 78-79, dhe 127) për t’iu falur diellit në dukjen e tij të parë, sepse për dielli ishte perëndia më e adhuruar. Livi (T. Livi., “Urbe Condita”, Libi XL, f. 21-22) na dëshmon se në vitin 181 p.e.sonë në majë të Ma Hem (afër Peonëve) kishte një altar kushtuar diellit e një kushtui Jupiterit, te të cilët bëheshin flijime kushtuar diellit. Edhe Maja Shelbuemit, afër Lezhës, ku arkeologët tanë (F. Prendi, K. Zheku, “Qyfc ilir i Lisit, origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij”. 1971, f. 156 dhe 166 kanë gjetur shenja muresh të kohës së llirëve, në këto kohët e fundit r del si vend i kultit pagan e pikërisht i kultit të diellit nga llirët e deri r kohën tonë, një dukuri e përgjithëshme e lashtësisë Ballkanike.

Duke ditur se në përgjithësi majat e kultit të diellit kanë shërbyer të tilla që nga lashtësia, atëhere duhet menduar se ky kult mund të ruh vetëm nga banorët që jetuan për shekuj të tërë në afërsi të këty majave. Për kultin e majve të diellit te llirët e Trakët kanë shkruar auto të ndryshëm antikë. Edhe arkeologët kanë gjetur materiale të ndryshm altarë, rrenoja, tempuj, monedha, të cilat lidhen me kultin e majave diellit te llirët. Nga Heroditi na dëshmohet se në luginën e Vjosës (Herodot., vep. cit. I., IX-93, f. 444) mbaheshin në një shpellë një tufë dhenësh “të shenjta”, kushtuar diellit. Kjo ndodh pikërisht në një vend siç është Malësia e Labërisë, ku kulti i diellit me maja të larta është shumë i dukshëm. Në të mirë të origjinës ilire të kultit të majave të larta na flasin dhe disa dëshmi arkeologjike.

Arkeologët Z. Milter e V. Shmid kanë zbuluar në Norik, në dy maja, dy tempuj ilirë me altarë flijimesh kushtuardiellit. Svoronos na paraqet disa dëshmi për Pangjeun si “mal i shenjtë” kushtuar kultit të diellit (J. Svoronos, vep. cit., f. 78-79 dhe 126-127) në Peonët. Këtë e vërtetojnë ndër të tjera koleksionet e monedhave (Po aty. Të shihet tabela në fund të veprës së autorit) me motivet e diellit të gjetura në këtë mal dhe altarë kushtuar diellit. Dhe Taloci (Thallooczy, “Historiae motshme…”, “Agimi”, 1919, Nr. 4, f. 528) na thotë se llirët e Trakët, tempujt e tyre kushtuar diellit, i kishin të rrumbullakët e të ndërtuar në vende të larta.

Të shumta janë motivet e diellit e të hënës në ornamentikën popullore. Si elementë shumë të qartë të mbeturinave të kultit të diellit janë svastika, rrathët koncetrikë dhe motive të tjera të diellit në objektet e kulturës lëndore, në zbukurimet e veshjeve popullore, në punime të ndryshme tekstili; në gdhendje në gurë (në dyert e shtëpive, në oxhaqet e vatrës, në kryqe e gurë të varreve), në punime druri nga më të ndryshmet (djepa, hambarë, furka, tryeza, arka, enë ushqimi e vegla muzikore, karrige e tavane shtëpish, në vezë të ngjyera rituale, në tatuazh e kështu me radhë).

Në përgjithësi, mendojmë se në paraqitjen artistike të këtyre motiveve kemi të bëjmë me veçori vendëse për faktin se diellin e rrezatuar, rrathët koncentrikë, vijat e valëzuara, paralele e të thyera, hënën, të gjitha këto të kombinuara, i gjejmë si elementë shumë të dukshëm si tek ilirët, në Kulturën e Arbërit në Mesjetën e Hershme dhe tek Shqiptarët e, aq më tepër në forma të thjeshta e arkaike. Lidhja e kultittëhënës me shumë dukuri sociale ekonomike të traditës vendëse e sqaron më së miri këtë gjë.

Është e vërtetë se motivet e hënës në ornamentikë, në një masë të dukshme të tyre, janë rrjedhim i ndikimeve të islamizmit, por kjo natyrisht e mbështetur në një traditë të fortë vendëse. Këtë e vërteton dhe fakti se të tilla motive të hënës i gjejmë me shumicë në zona që ishin nën ndikimin krishtere ku nuk kanë depërtuarshumë elementëte islamizmit.

Edhe vendet ku janë gdhendur motivet e diellit, si oxhaku i vatrës familjare, gurët e derës së shtëpisë, djepi i fëmijës, tryeza e bukës, gurët e varreve, dëshmojnë për karakterin religjioz, magjik, mbrojtës që kishin dikur këto zbukurime.

Motivet e ndryshme na e paraqesin diellin dhe në pozicione të ndryshme: në lindje, në zenit e në perëndim; në rrugë në vijë eliptike e lineare. Në legjendat e përfytyrimet e vjetra religjioze dielli e hëna në shumë raste paraqiten bashkë me zbukurime veshjesh, në kryqe varresh, në tatuazh etj. Në dëshmitë etnografike këto motive na paraqiten në forma nga më të thjeshtat e deri te më të ndërlikuarat, (forma floreale, zoomorfe dhe antropomorfe etj).

Për origjinën ilire të këtyre motiveve flet fakti se ato i gjejmë në forma më të ndryshme në dëshmitë arkeologjike të Mesjetës së Hershme, pastaj tek llirët e Protoilirët, në objekte që konsiderohen thjesht vendëse. Me rëndësi të veçantë paraqitet një koleksion i tërë monedhash nga Peonia (i shekujve V-IV para Kr.) që na i paraqet motivet e diellit që nga më të thjeshtat e deri tek më të ndërlikuarat. (Svoronos, vep. cit., f. 1 -37 dhe 19 tabela në fund të veprës).

Natyrisht, duke qenë i pranishëm kulti i diellit, me përfytyrimet përkatëse dhe në popujt e tjerë të Ballkanit, të Europës, të Mesdheut e të Lindjes Aziatike, duhet të jemi të matur në zanafillën e tij në një etni të veçantë. Material me vlerë në këtë vështrim japin edhe punimet e arkeologëve e ilirologëve të ndryshëm, për artin ilir e për svastikën tek llirët. (A. Stipëevic, “Svastika”, (crux gammata) kod starih lliria, “Gjurm Alb.”, Prishtinë, 1970, nr. 1 -2, f 109-127). Kurse për Mesjetën e Hershme ata i venë re në mënyrë të veçantë këto dukuri në stolitë prej metali të Kulturës së Komanit.

Një element me rëndësi për kultin e diellit e të hënës është edhe tatuazhi, i cili na dëshmohet pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Midis motivesh të tjera, në të na paraqitet dhe dielli dhe hëna. M. E. Durhami, që ka bërë kërkime të posaçme në lidhje me këtë në Bosnjë, në Hercegovinë e diçka në Shqipërinë Veriore, ka vënë re se në tatuazh, në mënyrë të rëndomtë na paraqiten dielli e hëna bashkë. (M.E. Durham, vep. cit. f. 101 -142). Autorja mendon se këtu kemi të bëjmë me kultin e lashtë të diellit e hënës ndër llirët e se tatuazhi s’ka të bëjë fare me Grekët, as me Romakët e as me Sllavët që erdhën më vonë në këto anë. Ky mendim gjen mbështetje te Herodoti, te Straboni, Ciceroni e Plutarku, të cilët na bëjnë të ditur se tatuazhi ishte një zakon i Japodëve e i gjithë fiseve të tjera ilire e trake të cituar prej saj.

Ballafaqimi i motiveve të ndryshme të diellit e të hënës që na japin dëshmitë etnologjike, me ato që na jep arkeologjia dhe autorë antikë, na lejojnë të mendojmë se këtu kemi të bëjmë me një vazhdimësi të simbolikës së diellit e të hënës që nga llirët, në Mesjetë e deri në ditët tona dhe se kjo simbolikë dikur është përdorur në funksion magjik, mbrojtës, fatsjellës. Po nga ana tjetër kjo duhet parë si një traditë mbarëballkanike e mesdhetare e nga kjo vërejmë një mjegullsi në rrënjët e lashta të kësaj dukurie.

Mitologë të ndryshëm të kohës sonë, duke u mbështetur në dëshmitë e lashta, pohojnë se në Greqi dhe në Romën klasike dielli e hëna nuk kishin ndonjë farë kulti të dukshëm në panteonin e tyre. Platoni pohon, që në kohën e tij, fqinjët e Grekëve, barbarët, e adhuronin diellin, ndërsa Grekët, thotë ai dikur do ta kishin adhuruar, por, nga ana tjetër, shton se në kohë të tij, në Greqi s’kishte ndonjë kult, veçse në ishullin Rodi, ku ndoshta ishte me origjin të huaj (Plato, Cratylua, p. 397, C. cituar: M.P Nilson, The Origin of Belif amog dhe grecke in the Divinity of the Heavenly Bodies. The Harvad Theological Revievv, 1940, f. 1). Mendojmë se këtu është fjala për llirët e Trakët si adhurues të diellit. Maksimi prej Tiri na dëshmon se fisi ilir i Peonëve e kishte diellin perëndinë më të adhuruar dhe e paraqiste në formën e një disku të vendosurmbi një purtekë. (Svoronoe, vep. cit., f. 18).

Herodoti na sjell një legjendë maqedonase sipas së cilës, Perdika (ilirian) i ardhur në Lebias, nga viset e llirisë, e adhuronte diellin si perëndi qendrore dhe kishte besim në fuqinë fatprurëse të tij. Ai i falej diellit dhe e vizatonte në tokë në formë rrethi. (Herodoti, vep. cit. VIII -137, f.413).

Disa mitologë të kohës së sotme mendojnë se Apolloni grek në disa cilësi të perëndisë së diellit dhe si emër ishte me origjinë iliro-trake. Praninë e kultit të diellit në ishujt Liperi të Siçelisë dhe në Majë të Etnës në antikitet. Bonfante e shpjegon si të origjinës ilire.

Dukuritë e kultit të diellit, të hënës, të yjeve, ashtu si dhe të dukurive të tjera mitologjike ndër Ballkanas dhe vazhdimësinë e tyre ndër Shqiptarët, nuk mund t’i marrim të shkëputura e të veçuara nga ndikimet reciproke me botën greke e romake dhe më vonë nga vala e dyndjeve të fiseve barbare që erdhën në Mesjetën e Hershme nga Veriu e nga Lindja e Ballkanit. Në kultin e hënës, mendojmë se, pavarësisht nga shtesat e ndryshimet, fijet e lidhjes së kulteve ilire me ato shqiptare në përgjithësi janë të pashkëputura, e sidomos kur është fjala per diellin. Nga ana tjetër, duhet menduar me arsyetim, shfaqjet e ndryshme të kultit të diellit kanë te thuash natyrë universale.

Faltoret e Diellit

Disa vjet më parë u zbulua n’Austri kryeqyteti i krahinës Noricum që banohej prej Ilirësh. Thirrej Noreia dhe gjëndej në malin Lugenboden. Ndër sa ndërtesa të tjera u zbulua edhe pallati mbretror dhe, jo shumë lark këtij, një tempull i goditur në të tretin shekull p.e.s.. Ky tempull ësht’ i rrumbullakët, me tetë metra diametër dhe i rrethuar me një postrehë, pullazi i së cilës mbahej, si duket, me shtylla të drunjta. Në mes ishte altari, i përbërë prej katër rrasash të të mëdha e të rënda, të latuara e të ngritura mbi tokë. Ndën altar ndodhej vatra e zjarmit për flit që truheshin. Ndonjë statujë Perëndije nuk u gjet në këtë vënt të shënjtë, pse besimi i Ilirvet ishte pa ikona. Por mënyra e ndërtimit të kujton me një herë tempujt e vjetër të Romës ku nderohej dielli.

Në majë të një kodre që gjëndet pranë katundit Igls në malsi të Tirolit, Zonja Miltner ka zbuluar një tempull tjetër ilir, në mes të të cilit u gjet shtrirë një rras’ e madhe që përbënte altarin. Në mëngjes, kur dielli dilte për të parën herë në buzë të malit, rrezet e tij binin mu në mes t’altarit duke-kaluar nëpër një gallustër të hapur, për këtë qëllim, në pullas. Që kjo ndërtesë ësht faltore nuk duhet të kemi asnjë dyshim; varret rreth – e – rrotull sajë vërtetojnë se, një soj si sot, edhe Ilirvet të moçëm i u pëlqente t’i varrosnin të dashurit e tyre afër tokës së bekuar.

Arkeologët Z. Milter e V. Shmid kanë zbuluar në Norik, në dy maja, dy tempuj ilirë me altarë flijimesh kushtuar diellit.

Livi (T. Livi., “Urbe Condita”, Libi XL, f. 21-22) na dëshmon se në vitin 181 p.e.sonë në majë të Malit Hem (afër Peonëve) kishte një altar kushtuar diellit e një kushtuar Jupiterit, te të cilët bëheshin flijime kushtuar diellit.

Mark Tirta (etnolog) – Mitologjia ndër Shqiptare

Filed Under: Ekonomi

QËNDRIMI I AUSTROHUNGARISË NDAJ KRYENGRITJËS SHQIPTARE TË VITIT 1910

April 16, 2025 by s p

Prof. Lush Culaj

Politika e turqve të rinj ndaj kulturës kombëtare shqiptare, ndalimi i veprimtarisë së klubeve, të shkollave shqiptare, i botimit të gazetave dhe librave shqip, i kishte shqetësuar shumë shqiptarët. Ndikimi negativ i pushtetit në çështjen e alfabetit shqiptar ishte vërtet ndërhyrje e hapur në të drejtat e shqiptarëve që ishin të garantuara me kushtetutë. Të vetëdijshëm se zhvillimi i vetëdijes kombëtare të shqiptarët kishte marrë hov, turqit e rinj bënë çmos që ta ndalojnë këtë zhvillim kombëtar të tyre.

Në rrethanat e krijuara, në fund të marsit të vitit 1910 në viset e Kosovës filluan veprimet e para të armatosura. Qendra e kryengritjes u bë Juniku.

Pra pranvera e vitit 1910 i gjeti shqiptarët e Kosovës të organizuar në grupe të armatosura për të filluar luftën kundër regjimit xhonturk.

Të vetëdijshëm se nuk mund të gjenin aleatë të jashtëm në luftën e tyre kundër Perandorisë Osmane, udhëheqësit e kryengritjes së Kosovës bënë përpjekje që të paktën të siguronin krahët nga synimet shoviniste të shteteve fqinje.

Krijimi i shteteve kombëtare do të realizohet me vështirësi dhe përmes një procesi të gjatë rritjeje politike dhe ushtarake, por pikërisht për shkak të zbatimit të një projekti të tillë do të lindin probleme të vështira për përcaktimin e territoreve që i përkisnin secilit nga shtetet të reja kombëtare dhe atyre tashmë të krijuara. Serbia shfaqte interesim për krijimin e një aleance ballkanike për t’iu kundërvënë synimeve të Austro-Hungarisë.

Serbia ishte pothuajse i vetmi shtet sllav i Evropës Juglindore, i cili u deklarua pothuajse haptas që në fillim kundër kryengritjes së re shqiptare. Në përcaktimin e këtij qëndrimi luajtën rol dominues dy momente kryesore: fillimisht raportet me Perandorinë Osmane, Bullgarinë dhe me Austro-Hungarinë; dhe, së dyti, ishte edhe çështja e autonomisë shqiptare. Në anën tjetër, diplomacia bullgare synonte të lidhej me qarqet politike shqiptare për ta përdorur luftën e tyre në favor të qëllimeve të saj. Diplomacia e Beogradit u përpoq ta bindte atë të Sofjes se ishte në interesin e tyre t’i liheshin Turqisë duart e lira për ta shtypur kryengritjen shqiptare. Dyshimi se kryengritja shqiptare mund të shfrytëzohej nga Austro-Hungaria si pretekst për ndërhyrje në Evropën Juglindore përbënte arsye shtesë që Serbia të tregohej e rezervuar ndaj kryengritjes së vitit 1910 në Kosovë.

E preokupuar me interesa të veçanta rajonale, ndonëse e pozicionuar në ketë periudhë kohore për ruajtjen e status quos, Austro-Hungaria i kushtonte vëmendje të veçantë dhe i kundronte me kujdes zhvillimet në trevat shqiptare. Si Austro-Hungaria, ashtu edhe Italia, po i dyfishonin përpjekjet diplomatike që t’i përvetësonin shqiptarët. Ndërsa Rusia këmbëngulte pranë Stambollit për ta çuar deri në fund ekspeditën ushtarake në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme të Vjenës e këshillonte Stambollin që të mos shkonte shumë larg me masat e dhunshme ndaj shqiptarëve. Qëndrim pothuajse të njëjtë mbajti edhe diplomacia gjermane. Përmes rrugëve diplomatike të kontakteve me Stambollin, Vjena dhe Berlini tërhoqën vërejtjen për masat e tepruara shtypëse. Ato i dhanë të kuptonte Stambollit se ndjekja e këshillave ruse për ashpërsimin e skajshëm të konfliktit me shqiptarët do t’i dobësonte të dyja palët dhe do të ishte në favor të shteteve fqinje të shqiptarëve, të cilat kishin pretendime territoriale ndaj trojeve shqiptare, gjë që nuk e dëshironin as Vjena e as Berlini.

Qëndrimi ndaj kryengritjes shqiptare të vitit 1910 qëndrim i përdorimit të forcës, apo qëndrim diplomati e dinak i ndau qeveritarët dhe ushtarët osmanë në dysh. Mbështetësit e dorës së fortë përfaqësoheshin nga ministri i Luftës, Mahmut Shefqet Pasha, ministri i Brendshëm, Talat Pasha dhe grupi i gjeneralëve me Xhavit Pashën në krye, të cilët këmbëngulnin për përdorimin e të gjitha mjeteve për ta asgjësuar kryengritjen brenda një kohe sa më të shkurtër, me çka do t’i jepej fund Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe çështjes shqiptare. Arsyeja për këtë, sipas tyre, ishte shmangja e ndërhyrjes të faktorit të jashtëm, në radhë të parë të Austro-Hungarisë dhe të Italisë, si  fuqitë më të interesuara për çështjen shqiptare.

Siç shihet, në marrëdhëniet brenda trekëndëshit Serbi-Turqi-Bullgari patjetër që implikohej edhe faktori austro-hungarez. Ndonëse në këtë periudhë në marrëdhëniet serbo-austro-hungareze deri diku ishte ulur tensioni, në qarqet qeveritare të Beogradit mbizotëronte mendimi se ekzistonte rreziku nga Austro-Hungaria. Kryengritja shqiptare mund t’i shërbente asaj si casus belli për të ndërhyrë në Evropën Juglindore dhe në këtë mënyrë t’i drejtonte ngjarjet sipas objektivave dhe interesave të veta. Beogradi sikur u çlirua paksa nga ky ankth, kur u bë e ditur se ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë ishte arritur pajtimi i plotë për ruajtjen e mëtejshme të status quos në Evropën Juglindore.

Në fillim të muajit shkurt 1910 edhe diplomacia e Sofjes analizonte dy variante për pajtim pikëpamjesh ndërmjet dy fuqive të blloqeve kundërshtare, Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Sipas variantit të parë, Austro-Hungaria arriti ta bindte Rusinë që çështjet e kontestueshme në Evropën Juglindore  t’i zgjidhnin me marrëveshje të ndërsjella.

Austro-Hungaria e vlerësonte shpërthimin e konfliktit të armatosur në kazanë e Prishtinës si rrjedhojë e masave sistematike shtypëse të qeverisë së Stambollit ndaj kërkesave kombëtare të shqiptarëve. Ajo gjykonte se pengimi i zhvillimit të kombit shqiptar i shkonte për shtati politikës shoviniste të shteteve sllave që pretendonin viset shqiptare. Austro-Hungaria nuk dha, në të vërtetë, kurrfarë shenjash se e mbështeste kryengritjen shqiptare, për çka akuzohej vazhdimisht nga Rusia dhe Serbia, por ajo ishte kundër masave të dhunës të ushtrisë osmane ndaj kryengritjes në Kosovë, për të cilën qeveria osmane duhej të gjente gjuhën e kompromisit me shqiptarët e t’i zgjidhte mosmarrëveshjet me ta me mjete paqësore. 

Beogradi konsideronte se lëvizja shqiptare dhe krijimi i Shqipërisë si shtet mund të arrihej nëpërmjet faktorit të jashtëm, e në veçanti nëpërmjet politikës së Vjenës, e cila kërkonte ta eliminonte ndikimin e Romës si rivale në Evropën Juglindore. Për dallim nga politikanët e tjerë serbë, të cilët te populli shqiptar nuk shihnin kurrfarë ideje kombëtare dhe hidhnin poshtë autonominë e tij, shefi i diplomacisë serbe, Millovanoviqi tek autonomia shqiptare shihte formën e një shteti të ri në truallin e Evropës Juglindore, veçse të mos ishte nën tutelën e Austro-Hungarisë, e cila do ta plandoste Serbinë për tokë. Megjithatë, kryediplomati serb  nuk dëshironte bashkëpunimin dhe mbështetjen  te populli shqiptar, veçse te disa persona, politikanë të pakënaqur e aventurierë, që sorollateshin  nëpër Evropë me kuletën e Fuqive të Mëdha për ta mbrojtur çështjen shqiptare. Pra, diplomacia serbe nuk tregonte gatishmëri që përballë qëllimeve të Vjenës të bashkëpunonte dhe të merrte në konsideratë edhe faktorin shqiptar.

Politika e Romës e kundërshtonte shtrirjen e Austro-Hungarisë në bregdetin shqiptar, por, nga ana tjetër, nuk do të ishte kundër që aty ta vinte këmbën njëri ndër shtetet ballkanike. Nga pikëpamja ekonomike dhe politike për Romën do të ishte më e përshtatshme që ky shtet të ishte Serbia dhe kjo pikërisht për ta penguar Austro-Hungarinë. Pastaj Italia mbase do të pajtohej me propozimin e Austro-Hungarisë për krijimin e Shqipërisë së pavarur, gjë që do të ishte zgjidhje shumë e pakëndshme për Serbinë. Megjithatë, diplomacia serbe mund t’i ofronte diplomacisë italiane teza për paqëndrueshmërinë e Shqipërisë si shtet i pavarur. Për këtë arsye të dy fuqitë aleate doemos duhej ta mbanin atë nën protektorat të vazhdueshëm, që, në të vërtetë, do të ishte një lloj mbikëqyrjeje. Mirëpo, në këtë rast Austro-Hungaria do të ishte gjithnjë e më e fuqishme, kështu që do ta eliminonte Italinë posa t’i vinte rasti i parë.

Italia, duke qenë se ishte e interesuar për ruajtjen e status quos në Shqipëri dhe në pjesën evropiane të perandorisë, ajo angazhohej ta parandalonte përshkallëzimin e kryengritjes në Vilajetin e Kosovës. Rrjedhimisht ajo lejonte mundësinë e shuarjes së shpejtë të saj, por njëherazi ishte kundër përdorimit të dhunës, e cila mund të shkaktonte një kryengritje me përmasa të përgjithshme e do të jepte shkas për intervenimin e Austro-Hungarisë, rivales së saj kryesore në Shqipëri, që realisht mund t’i cenonte interesat e saj strategjike në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Për realizimin e këtyre qëllimeve, konsulli i përgjithshëm italian në Selanik, Primo Levi, pasi mblodhi të dhëna të nevojshme në Shqipërinë Veriore, shkoi në Stamboll për të kërkuar nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha një ndërhyrje kolektive te Porta e Lartë, si masë parandaluese për shmangien e një kryengritjeje gjithëshqiptare në Vilajetin e Kosovës. Meqenëse për këtë hap nuk ishin të një mendjeje përfaqësuesi i Rusisë dhe i Francës, Italia kërkoi nga Petërburgu që të angazhohej për ta penguar Vjenën në ndonjë hap mundshëm të “rrezikshëm” në Shqipëri.

Në maj të vitit 1910, pas përshkallëzimit të mëtejshëm të masave të dhunshme të Shefqet Turgut Pashës, përfaqësuesit e Austro-Hungarisë, të Gjermanisë dhe të Italisë ranë në një mendje të ndërmerrnin një hap të përbashkët te Porta e Lartë për ta bindur atë që të mos e përkeqësonte gjendjen në Shqipëri.

Sukseset e kryengritjes shqiptare në Grykë të Kaçanikut i shqetësuan tej mase qarqet drejtuese të Beogradit dhe të Sofjes, edhe pse ia kishin dhënë pëlqimin e Portës së Lartë për veprim energjik kundër shqiptarëve, për të mbytur në gjak kërkesat “separatiste”shqiptare.

Beogradin, pa dyshim se, e shqetësonte jehona që shtypi vjenez i bënte kryengritjes, po edhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Austro-Hungarisë te Perandoria Osmane për të mbajtur një qëndrim më elastik ndaj shqiptarëve.

Informacionet dhe interesimet austro-hungareze për kryengritjen shtohen në vlugun e kryengritjes në datat 30 prill-1 maj, kur gjenerali osman Shefqet Turgut Pasha, i vendosur në Shkup, që në mes të prillit, filloi ofensivën për t’i shkatërruar kryengritësit shqiptarë te Gryka e Kaçanikut.

Natyrisht që kryengritjen e vitit 1910 në Kosovë do ta përkrahte edhe grupi parlamentar shqiptar në Parlamentin e Stambollit. Për këtë arsye, Ismail Qemali, duke qenë në dijeni për interesimin e Austro-Hungarisë për zhvillimin e ngjarjeve në rajon, ia përcjell ambasadorit austro-hungarez, Pallaviçinit, kërkesën që deputetët shqiptarë e parashtruan në Parlamentin osman, duke i informuar përfaqësuesit e Vjenës në Stamboll se me kërkesat e tyre shqiptarët synonin të siguronin “një ndërtesë më vete”, çka nënkuptonte autonominë e Shqipërisë.

Pikërisht këto përpjekje shqiptare arrinin ta bindnin gjithnjë e më shumë edhe diplomacinë austro-hungareze se nuk kishte dilema rreth rritjes së peshës të faktorit shqiptar në Evropën Juglindore dhe vëmendjes së veçantë që i duhej kushtuar atij. Mbështetur në këtë fakt ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Erental, ia jepte instruksionet e nevojshme, më 21 prill 1910, ambasadorit të vet në Stamboll, Pallaviçinit. Diplomacia vjeneze grumbullonte të dhëna të shumta krahas personaliteteve intelektuale shqiptare të kohës edhe për krerët e kryengritjes në terren.

Vjeshta e vitit 1910 solli ngjarje të reja në arenën ndërkombëtare dhe në Perandorinë Osmane. Pas përtëritjes së traktatit të Lidhjes Trepalëshe, u botua lajmi sensacional mbi arritjen e marrëveshjes ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë për ndarjen e sferave të ndikimit politik dhe ekonomik në Ballkan, sipas së cilës të parës i njihej gjithë Maqedonia deri në Selanik, ndërsa të dytës i njiheshin Mali i Zi dhe Shqipëria.

Ndërkaq, diplomacia vjeneze ndiqte me kujdes politikën e Rusisë ndaj Evropës Juglindore, ku shihej qartazi se ajo po mbështeste shtetet sllave në dëm të interesave shqiptare. 

Kryengritja u shtyp edhe për shkak se shqiptarët u ndodhën përballë një ushtrie të madhe në numër, në armatime e në pajisje luftarake dhe e drejtuar nga oficerë të zgjedhur. Kryengritja nuk e pati mbështetjen e politike të shteteve fqinje, kurse edhe Fuqitë e Mëdha e vazhduan politikën tradicionale të ruajtjes së status quos. Megjithatë, interesi i Fuqive të Mëdha në raport me shqiptarët dhe çështjen shqiptare po shtohej dita-ditës dhe pa dyshim në pozicionin më favorizues shfaqej Austro-Hungaria.

Nga viti 1909 e deri në vitin 1918 Austro-Hungaria gradualisht filloi të ndërhynte dhe kishte si qëllim krijimin e një Shqipërie autonome, e cila do të ishte e varur nga ajo në pikëpamje ekonomike, kulturore dhe politike. Shqipëria autonome, nën influencë të Austro-Hungarisë, duhej të ishte aleati i saj kundër pansllavizmit dhe garancia për lundrimin e lirë nëpër ngushticën e Otrantos. Si legalizim i kësaj politike të diplomacisë vjeneze vepronte kultursprektorati mbi katolikët shqiptarë.

Nga përshkrimi i rrethanave më lart, mund të konstatohet se qëllimi i politikës austro-hungareze, ndonëse kishte interesa të veta në këtë periudhë kohore, nuk ishte pushtimi i territoreve shqiptare, por pengimi i Serbisë për të siguruar dalje në det përmes Bosnjë-Hercegovinës, me çka do të pengohej shtrirja e sferës së ndikimit rus në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Gjykuar nga këto rrethana, diplomacia austro-hungareze ishte e interesuar për një autonomi shqiptare nën ombrellën e Stambollit. Ky qëndrim i kësaj diplomacie ndërlidhej me faktin se krijimi i një shteti shqiptar, por shumë të brishtë, do të ishte pre e synimeve shoviniste të shteteve sllave, e në radhë të parë Serbisë me të cilat udhëhiqte Rusia.

Diplomacia austro-hungareze ishte e vetëdijshme se një hendek i thellë e ndante popullin shqiptar nga fqinjët e tij grabitqarë. Kjo është aq e vërtetë sa një prijës shqiptar në kryengritjen e vitit 1910 do të theksonte se shqiptarët do të pranonin më mirë të shkatërroheshin nga qeveria turke sesa të binin nën sundimin e serbëve.

Pa dyshim se një qëndrim i tillë i diplomacisë vjeneze konsistonte me faktin se duhej ta shmangte, sa ishte e mundur, ndikimin e diplomacisë së Romës te shqiptarët. Mirëpo, ishte gjë e pashmangshme çështja se rivaliteti ndërmjet Vjenës dhe Romës të shtohej, pasi secila palë përpiqej të shtonte ndikimin e vet te shqiptarët.

Në vazhdën e kësaj politike kontributi i Austro-Hungarisë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ishte i veçantë, e gjithashtu të veçanta ishin edhe përpjekjet diplomatike për mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Pra, përderisa interesat ruse dhe sllave ishin për pengimin dhe mosekzistimin e shtetit shqiptar, interesat austro-hungareze ishin për formimin e një shteti etnik shqiptar në Evropën Juglindore, qoftë si shtet i pavarur, qoftë edhe si një shtet nën protektoratin e Austro-Hungarisë.

Filed Under: Histori

A po erodohet legjitimiteti i institucioneve dhe humbet besimi qytetar në përfaqësim politik?

April 16, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Në rrethana të jashtëzakonshme si këto, kur funksionimi institucional i Republikës së Kosovës është vënë nën trysni nga brenda dhe nga jashtë, kërkohet një qasje jashtë formulave standarde politike.

Zvarritja për krijimin e institucioneve, mosfunksionimi i Kuvendit dhe retorika për zgjedhje të reja e kanë futur vendin në një ngërç të ri kushtetues e politik, me pasoja të drejtpërdrejta për rendin demokratik, sigurinë institucionale dhe proceset shtetformuese.

Pas ngërçit që ka krijuar interpretimi dhe praktika e kontestuar e gjuhës kushtetuese në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si dhe mungesës së gatishmërisë politike nga ana e partive parlamentare për të ndërtuar institucione funksionale, është bërë e qartë se nuk ka alternativë tjetër reale përveç ndërhyrjes në kohë të Presidentes së Republikës, me qëllim të shmangies së një vakumi institucional që mund të degradojë në krizë të thellë shtetërore.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka deklaruar se i ka numrat për ndërtimin e qeverisë, por deri më tani nuk e ka formalizuar këtë përmes një propozimi të mandatarit. Ndërkohë, opozita nuk e ka mbështetur konstituimin e Kuvendit, të cilin e konsideron si të bazuar në shkelje të Kushtetutës.

Ajo po ashtu nuk ka shprehur gatishmëri për të përkrahur një qeveri të pakicës, të cilën e konsideron të paqëndrueshme dhe jo legjitime. Shto kësaj dhe hendikepin që i krijon sigurimi i disa votave nga Lista Serbe, të diktuara nga krimineli Radojçiq.

Nëse ndodh dorëheqja e anëtarëve të Qeverisë Kurti – apo abdikimi nga “froni” e cila është një mundësi reale – atëherë krijohet një vakancë e hapur institucionale, dhe e vetmja alternativë që mbetet do të jetë një qeveri provizore ose shkuarja në zgjedhje të reja.

Është evidente se klima politike, tensionet institucionale dhe mosmarrëveshjet mbi procesin e konstituimit nuk ofrojnë kushte të favorshme për zgjedhje të drejta, gjithëpërfshirëse dhe legjitime.

Në këto rrethana, roli i Presidentes bëhet thelbësor për të garantuar vazhdimësinë e institucioneve dhe ruajtjen e funksionalitetit të shtetit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 84, i jep Presidentes kompetencën për të siguruar funksionimin kushtetues të institucioneve.

Meqë dorëheqja e qeverisë ekzistuese do të zhbllokonte edhe konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e një shumice të re parlamentare, zgjidhja më e arsyeshme, funksionale dhe kushtetuese është që Presidentja do të duhej të ndërmarrë iniciativën për konsultime të gjera politike, me qëllim të emërimit të një mandatari konsensual për formimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, me mandat të qartë programor dhe objektiva të qarta reformuese.

Qeveria teknike, ndonëse nuk është një zgjidhje klasike politike, përbën një instrument të përkohshëm dhe efektiv për dalje nga kriza. Ajo mund të ketë përbërje jopartiake ose përfaqësim proporcional të subjekteve kryesore politike duke mos përjashtuar palët e tjera të interesit në kontekstin institucional politik, dhe do të kishte për qëllim përmbylljen e dialogut me Serbinë me një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke; ratifikimin e kufirit me Serbinë, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe interesit shtetëror të Kosovës; reformën në sistemin e drejtësisë, përmes miratimit të ligjit për lustracionin dhe vetingun; reformën zgjedhore dhe rishikimin e dispozitave të kontestuara kushtetuese; dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja me standarde të larta demokratike.

Zbatimi i kësaj formule do të sillte përfitime të shumta afatshkurtra dhe afatgjata për rendin demokratik të vendit, përfshirë krijimin e stabilitetit minimal institucional dhe shmangien e boshllëkut kushtetues; reduktimin e tensioneve politike dhe ndarjeve shoqërore; rritjen e besimit qytetar në institucione dhe në procesin zgjedhor.

Në klimën aktuale, ku diskursi publik dominohet nga përçarja dhe erodimi i legjitimitetit të institucioneve, si dhe humbja e besimit qytetar në përfaqësim politik, është urgjente që elitat politike dhe institucionale të veprojnë me përgjegjësi dhe vizion.

Vetëm përmes kësaj rruge mund të shmanget një krizë më e thellë institucionale dhe të garantohet stabiliteti demokratik, funksionaliteti shtetëror dhe vazhdimësia e proceseve strategjike për Kosovën.

Filed Under: Analiza

Walt Whitman mbi çka bën, që jeta ia vlen të jetohet

April 16, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

“Ulini mjaftueshëm dëshirat dhe shijet tuaja dhe bjerini shumë gjërat negative, me dritën e ditës dhe të qiellit.”

“A keni nevojë për një produkt?” pyet poetja Mary Oliver në meditimin e saj sublim mbi të jetuarit me gjallëri maksimale. “A keni nevojë për pak errësirë për t’ju drejtuar?”

Një goditje paralitike i ra Walt Whitmanit (31 maj 1819–26 mars 1892) në vitin e tij të pesëdhjetë e tretë duke e lënë atë me aftësi të kufizuara të rënda. Është një lloj i veçantë errësire, të mërgosh kaq dhunshëm nga trupi i dikujt – qe një kaskadë mërgimesh, sepse e detyroi Uitmanin të linte shtëpinë e tij në Uashington, ku ishte vendosur pas punës së tij fisnike si infermier vullnetar në Luftën Civile,ku së pari e mësoi për lidhjen midis trupit dhe shpirtit në Nju Xhersi dhe të qëndronte me vëllain e tij. Prapëseprapë, ai vazhdoi të synonte dritën ndërsa dalëngadalë rifitoi lirinë trupore – një rikuperim i pjesshëm që ai ia atribuonte tërësisht të qenit “çdo ditë në ajër të hapur”, mes pemëve dhe nën yje.”

Por ndërsa trupi i tij u shërua, përvoja i ishte ngulitur përgjithmonë mendjen e tij me një vetëdije të re. Ashtu si të gjitha penelatat tona të papritura me vdekshmërinë, goditja kishte futur në prehrin e tij një libër dhe kërkoi që ai të jepte llogari për jetën e tij – për atë se kush është, çfarë përfaqëson, çfarë ka bërë për botën dhe si dëshiron të mbahet mend prej saj. Ndërsa natyra e ushqeu atë me përqafimin e saj në jetë, Whitman e gjeti veten duke reflektuar mbi çështjet më elementare të ekzistencës – çfarë e bën një jetë me vlerë, të vlefshme për t’u kujtuar? Ai i regjistroi këto reflektime në Ditët e Shembullit (biblioteka publike) – me njё koleksioni sublim të fragmenteve të prozës, letrave dhe shënimeve në ditar që na dhanë emocionet e Whitman-it mbi urtësinë e pemëve dhe muzikën si shprehja më e thellë e natyrës.

Duke i shkruar një miku gjerman në ditëlindjen e tij të gjashtëdhjetë e katërt, dhjetë vjet pas infarktit paralitik, Whitmani reflektoi se çfarë i kanë mësuar kufizimet e të jetuarit në një trup me aftësi të kufizuara për kuptimin e një jete të plotë:

“Nga sot hyj në vitin tim të 64-të. Paraliza që më preku për herë të parë gati dhjetë vjet më parë, ka mbetur qysh atëherë, po me ecuri të ndryshme – duket se është qetësuar në heshtje dhe ndoshta do të vazhdojë. Lodhem lehtë, jam shumë i ngathët, nuk mund të eci larg; por shpirtrat e mi janë të klasit të parë. Unë shkoj në publik pothuajse çdo ditë – herë pas here bëj udhëtime të gjata, me hekurudhë ose varkë, qindra milje – jetoj kryesisht në ajër të hapur – jam i pjekur nga dielli dhe i fortë, (peshoj 190 paund) – por vazhdoj aktivitetin dhe interesin tim për jetën, njerëzit, përparimin dhe pyetjet e ditës. Rreth dy të tretat e rasteve jam mjaft rehat. Mentaliteti që kam pasur njëherë mbetet krejtësisht i paprekur; ndonëse fizikisht jam gjysmë paralitik, dhe ka të ngjarë të mbetem i tillë, sa të jem gjallë. Por qëllimi kryesor i jetës sime duket se është arritur – unë kam miqtë më të përkushtuar dhe më të zjarrtë, dhe të afërm të dashur ndërsa armiqtë nuk i llogarit fare.

Mbi të gjitha, megjithatë, Whitman-i gjeti vitalitet në botën natyrore – në atë që ai e quajti në mënyrë poetike “ekuilibri forcues dhe gjallërues i natyrës konkrete, e vetmja mbështetje e përhershme për mendjen e librit ose të jetës njerëzore”. Duke parë atë që më së shumti e ndihmoi të kthehej në jetë pas goditjes në tru, Whitman i bëri jehonë urtësisë së Senekës për kalibrimin e pritjeve tona për kënaqësi dhe shkroi:

“Është mashtrim, sipas mendimit tim, që të zvogëloni dëshirat dhe shijet tuaja, dhe të krijoni më shumë nga ato negativet, nga drita e ditës dhe qielli.

Pasi të keni shteruar atë që ka në biznes, politikë, kënaqësi, dashuri, e kështu me radhë keni zbuluar se asnjë nga këto nuk ju kënaq përfundimisht, apo nuk ju vesh përgjithmonë, atëherë çfarë mbetet? Natyra mbetet; për të nxjerrë nga skutat e rrepta të tyre, afinitetet e një burri ose gruaje me ajrin e hapur, pemët, fushat, ndryshimet e stinëve – diellin e ditës dhe yjet e qiellit natën.

Mostrat e ditës mbeten një lloj bible laike për qenien njerëzore që mendon dhe ndjen. Plotësojeni këtë fragment të veçantë me ëndrrën e Dostojevskit për kuptimin e jetës, të Tolstoit për gjetjen e kuptimit kur jeta duket e pakuptimtë dhe gjeniun e harruar të Alice James motrës së shkëlqyer e William dhe Henry James – se si të jetosh plotësisht ndërsa vdes, pastaj rivizitoje Whitman-in dhe pse letërsia është thelbësore për demokracinë dhe këshillat e tij të përjetshme për të jetuar një jetë plot gjallëri.

Filed Under: ESSE

LUFTËRAT PËR PUSHTET VDESIN BASHKË ME LIDERËT E TYRE

April 16, 2025 by s p

Nëse duam të shmangim përsëritjen e krizave që paralizojnë të ardhmen tonë, duhet të fillojmë të ndërtojmë një politikë me rrënjë të thella kulturore e morale. Sepse ndryshe nga luftërat për pushtet që vdesin me liderët e tyre, vizionet politike të bazuara në vlera që mbijetojnë, rriten dhe bëhen themele të epokave të reja.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Kosova sot ndodhet në një pikë kritike të rrugëtimit të saj shtetformues, ku kriza politike dhe institucionale është bërë simptomë e një sëmundjeje më të thellë që rrezikon strukturat bazë të funksionimit demokratik. Në këtë situatë delikate, analiza e kontekstit përmes një lenteje historike—në këtë rast, dikursi i të menduarit dhe vepruarit përmes kombinimit të rezistencës aktive dhe politikës institucionale —mund të na ofrojë jo vetëm kuptim, por edhe frymëzim për një rrugëdalje. Ky kombinim, me të gjitha sfidat që pati, ishte një filozofi komplekse politike që për një dekatë prodhoi mençurinë e vendimarrjes dhe vendosmërinë e refuzimit të okupimit serb, duke i sjellë Kosovës larine e shumëpritur. Për rrjedhojë u krijuan parakushtet për krijimi e klimës politike e shoëqrore që garantonte balancën e pushteteve dhe mbijetesës përmes transformimeve të vazhdueshme. Nga kjo trashëgimi mund të mësojmë si të ruajmë stabilitetin përmes bashkëpunimit, mençurisë politike dhe prioritizimit të interesit të përbashkët.

Në thelb të mençurisë dhe vendosmërisë ështe ideja e unitetit në diversitet dhe shtetit si arkitekturë morale. Kjo filozofi mund të jetë një busull për politikën kosovare, e cila sot vuan nga antagonizmi ekstrem dhe mungesa e vullnetit për bashkëpunim. Dështimi i seancës konstituive të Kuvendit nuk është thjesht një incident teknik, por një manifestim i qartë i paaftësisë për të ndërtuar konsensus dhe për të vënë interesin shtetëror mbi atë partiak.

Në këtë dritë, fjala “politikë” duhet rikthyer në kuptimin e saj antik: art i qeverisjes në shërbim të qytetarit dhe për të mirën publike, jo arenë për hakmarrje, inate dhe interesa afatshkurtra. Kjo mënyrë e politkbërjes mbijetoi jo përmes dogmës, por përmes pragmatizmit diplomatik. Në vend që të binte në grackën e ndarjes, kjo politikë kërkoi mënyra për të bashkuar palët e ndryshme përmes interesit të përbashkët. Edhe në momente krize, ajo kishte në qendër komunikimin, fleksibilitetin dhe ruajtjen e rendit.

Në këtë frymë, thirrja për një klasë të re politike—të bazuar jo në inat, por në ide, jo në përçarje, por në bashkëpunim—është më shumë se një reflektim politik: është një akt diplomatik në vetvete. Është një përpjekje për të rivendosur moralin e politikës si mjet shërbimi, dhe jo pushteti.

Një nga pikat më të forta të politikës së unitetit ështe aftësia për të inkorporuar mendimin ndryshe pa e përjashtuar. Në këtë drejtim, Kosova ka nevojë për një hapje të re në skenën e saj politike: për një dialog të sinqertë dhe të thellë, ku çdo zë që vjen nga qytetari të trajtohet si pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe jo si rrezik për rendin.

Retorika e zakonshme e partive, e mbushur me përçmim, mllef dhe premtime boshe, është shenja më e dukshme e një zbrazëtie të vizionit, e cila vetëm sa e thellon hendekun mes qeverisësve dhe qytetarëve. Në këtë pikë, Kosova duhet të ndjekë një rrugë bizantine, jo në kuptimin negativ të fjalës (si intrigë apo manipulim), por si mençuri e përbashkët që ruan themelet e shtetit duke i adaptuar ato në kohë.

“Kosova e para, asgjë tjetër!” — kjo thirrje nuk është vetëm një slogan patriotik, por mund të jetë parimi udhëheqës i një filozofie të re politike, që vendos shtetin dhe qytetarin në qendër, e jo pushtetin dhe privilegjet. Ajo përbën një lloj symponia, siç do ta quanin bizantinët: një harmoni mes politikës dhe shoqërisë, ku secili aktor luan rolin e vet në ndërtimin e një realiteti të përbashkët.

Në përfundim, nëse duam të shmangim përsëritjen e krizave që paralizojnë të ardhmen tonë, duhet të fillojmë të ndërtojmë një politikë me rrënjë të thella kulturore e morale. Vetëm kështu, mund të rifitojmë besimin e qytetarëve, të rikthejmë shpresën, dhe të krijojmë një shtet funksional, të drejtë dhe përfaqësues.

Sepse ndryshe nga luftërat për pushtet që vdesin me liderët e tyre, vizionet politike të bazuara në vlera që mbijetojnë, rriten dhe bëhen themele të epokave të reja.

Shkup, 16 prill 2025

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT