• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

SKËNDERBEU NË PIKTURAT EUROPIANE

April 16, 2025 by s p

SKËNDERBEU (6 MAJ 1405 – 6 MAJ 2025) – ( NË KUJTIM 620 VJETORI I LINDJES)  

Pjesë nga libri i autorit: Hysen S.Dizdari : “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pulla shqiptare 1913-2023”, Botim, Shqip-Anglisht, viti 2024. 

Posta Shqiptare, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes Skënderbeut, emetoi një emision të posaçëm me pulla postare të titulluar : “Skënderbeu në gravurat Europiane”. Ky emision u emetua me 6 nëntor 2018 dhe përmban dy pulla postare me vlera monetare 150 lekë dhe 250 lekë. 1. Pulla me vlerë 150 lekë, e shtypur me 135 000 copë, paraqet një portret të rrallë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i realizuar bukur nga ana artistike. Autor i këtij portreti është Domenik Kusto (Dominicus Custos 1560-1612), grafisti i njohur i shekullit XVII, i cili e realizoi me 2 janar 1600, sipas vizatimeve te Xhiovani Batista Fontana, që e kishte botuar në “Atrium Heroicum”. Në vitin 1670, e njejta litografi u riprodhua nga Joanot Martorell në Valencia, me diçiturën “Scanderbeg, trionfatore contro i turchi –(SHQIP)- Skënderbeu, triumfues kundër turqeve”. Portreti i Skënderbeut realizuar me mjeshtëri, është i vendosur brenda një elipsi, ku në pjesën rrethore ka të shkruar me germa të mëdha:

“GEORGIVS CASTRIOT SCANDERBEGVS – EPIRI ET ALBANIA PRINCEPS”

“GJERGJ KASTRIOTI SKËNDËRBEU – PRINCI I EPIRIT DHE I SHQIPËRISË”

2. Pulla me vlerë 250 lekë, me tirazh 105 000 copë, paraqet Gjergj Kastriotin Skënderbeun në këmbë, me shpatën në dorë dhe me perkrenaren te vendosur pranë këmbëve. Skenderbeu në këtë pullë është realizuar sipas litografisë “Le armi di Scanderbeg – Armët e Skënderbeut”, të Jiří Barthold Pontanus z Breitenberka (1550 – 1614), i cili e vendosi në veprën e tij të botuar në vitin 1609, duke theksuar: “Scanderbegus, hoc est vita et res strenue feliciterque gestae Georgii Castrioti, Epiri regis, ob magna facta Scanderbegi dicti, contra Turcarum immanitatem et perfidiam – (SHQIP) – Skënderbeut, kjo ështe jeta e shquar e lavdishme e veprave fitimtare kundër turqëve nga Gjergj Kastrioti, princi i Epirit i njohur si Skënderbeu ..” Kjo litografia është riprodhim i një vepre të koleksionit te Pauli Jovij, e botuar në “Elogiorum, Liber 3 & Bartholdo Lontano Concinnata”. Në këtë emision u emetua edhe Zarfi i ditës së parë (FDC): tirazhi: 300 copë. Zarfi i ditës parë u përdor vetëm për qëllime filatelike, prandaj janë shumë të  kërkuara nga filatelistët shqiptarë dhe të huaj.

Pullat dhe FDC , janë pjesë e koleksionit të autorit të këtij shkrimi.

Filed Under: Opinion

VATRA PROMOVON MË 3 MAJ 2025 LIBRIN “KRYQTARI I FUNDIT” TË DIPLOMATIT VIRGJIL KULE

April 15, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” do të promovojë librin “Kryqtari i Fundit” të diplomatit Virgjil Kule.

Promovimi zhvillohet ditën e Shtunë më 3 Maj 2025 ora 11 Am në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në adresën:

361 W Hartsdale Ave, Hartsdale, NY 10530.

Kumtuesit në promovim:

Dr. Elmi Berisha

Frank Shkreli

Gjekë Gjonlekaj

Dr.Paulin Marku

Dr. Afrim Shabani

Akri Cipa

Virgjil Kule

Moderimi: Sokol Paja

Ju mirëpresim.

Filed Under: Komunitet

Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj takim jo – formal me anëtarët e Vatrës Miami

April 15, 2025 by s p

Vatra Miami/

Takimi i fundit i zhvilluar nga Sekretari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Dr. Pashko Camaj, me anëtarët e degës së Vatrës në Miami, ishte një moment i bukur për të gjithë pjesëmarrësit. Duke shfrytëzuar një pushim familjar në Florida, Dr. Camaj vendosi të vizitojë komunitetin e Vatrës në Miami. Në një atmosferë miqësore dhe joformale, zonja Iris Halili, kryetare e Degës së Vatra Miami i prezantoi Dr.Camajt anëtarët e pranishëm të kësaj dege si dhe disa prindër të Klubit “Flas Shqip” gjithashtu pjesëmarrës në këtë takim. Dr. Camaj dëgjoi historitë personale të të pranishmëve si dhe rrëfeu një histori të shkurtër të emigrimit të tij në USA në një moshë fare të re. Sekretari Camaj më pas ofroi librin e tij “Porosia e Kullës” si dhe rrëfeu sinqerisht shtysën që e frymëzoi të shkruajë këtë libër kujtimor.

Një nga momentet më të rëndësishme të këtij takimi ishte falënderimi i Dr. Pashko Camajt për iniciativën e hapjes së Klubit “Flas Shqip” i cili një vit më parë hapi klasa falas për mësimin e gjuhës shqipe, dhe tashmë ka përfshirë më shumë se 70 nxënës të regjistruar nga Miami deri në West Palm Beach. “Ky model që ju sillni, është dhe duhet të bëhet një shembull i shkëlqyer për të gjitha degët e Vatrës dhe për komunitetet shqiptare kudo në botë”.

I surprizuar nga numri i konsiderueshëm i anëtareve femra në dëgën e Miami, Dr. Pashko, me shaka, shtoi: “Ai që thotë se Vatra ka vetëm anëtarë burra, le të shohë Vatrën e Miami-t”. Takimi i Dr. Pashko Camaj me Vatra Miami ishte një mundësi e shkëlqyer për të thelluar lidhjet dhe bashkëpunimin mes Vatrës së qendrës dhe degëve të saj. Në fakt takime të tilla e forcojnë rolin e Vatrës dhe mbajnë të gjallë komunikimin që është aq i rëndësishëm për suksesin e jetëgjatësinë e saj.

Filed Under: Vatra

VDES LAUREATI I ÇMIMIT “NOBEL” MARIO VARGAS LOSA

April 15, 2025 by s p

Mario Vargas Llosa in New York in 2010. (Seth Wenig / Associated Press)/

Shkrimtari peruan, laureat i çmimit “Nobel” Mario Vargas Losa ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare. Vdiq në mëmëdheun e vet, në Peru. Ishte personalitet i jashtëzakonshëm i letërsisë dhe të kulturës së Amerikës Latine, i cili rrallëherë përulej para kundërshtive. 

La pas vetes mbi pesëdhjetë vepra. Shumë prej tyre janë përkthyer në një numër të madh gjuhësh të huaja.  Vargas Losa e ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 2010. Me rastin e marrjes së çmimit, anëtarët  jurisë e quajtën “tregimtar me dhunti hyjnore ”. Në veprat e veta e paraqiti autoritarizmin, dhunën dhe maçizmin apo maskulizmin. Krijimet e tij shquhen për gjuhën e pasur dhe figurative. Kjo ndikoi që Vargas Losa të konsiderohet yll i Bumit letrar të Amerikës Latine, lëvizje kjo e cila në përmasa globale e tërhoqi vëmendjen e botës në këtë kontinent. 

Në fillim të veprimtarisë së vet, Losa anonte kah idetë majtiste. Më vonë u dëshpërua prej lëvizjeve revolucionare të Amerikës Latine, ndaj në vitin 1990 u kandidua për kryetra të Perusë, si përfaqësues i një partie të qendrës së djathtë, por nuk pati sukses.

Vargas Losa lindi në Arekip (Arequipa), në jug të Perusë, në vitin 1936. Është vit kur kanë lindur edhe Ismail Kadareja, Adem Demaçi, Bekim Fehmiu, Rexhep Qosja.. Losa i përket një familjeje të klasës së mesme. Prindërit iu shkurorëzuan qysh kur ishte foshnjë. Me stërgjyshin dhe me stërgjyshen u shpërngul në Koçabambë në Bolivi. Kur i mbushi dhjetë vjet, u kthye në Peru. Në moshën 16-vejeçare e shkroi dramën e parë “Ikja e inkëve”. Diplomoi në Universitetin e Limës. Studioi edhe në Spanjë. Më vonë u vendos në Paris.      

Romani i parë i tij “Kohë e heronjve” paraqet akuzë ndaj korrupsionit dhe keqtrajtimeve në shkollën ushtarake të Perusë. E shkroi në kohën kur ushtria kishte në vend ndikim të madh politik dhe shoqëror. Romani u botua në vitin 1962. 

Imazhet e fuqishme dhe demaskuese në roman u dënuan nga shumë gjeneralë të Perusë, saqë njëri prej tyre e fajësoi se ka “mendje të deformuar”.  

Losa e shkroi romanin i frymëzuar në ditët kur Losa ishte tinejxher në Akademinë Ushtarake në Leoncio Prado të cilën në vitin 1990 e përshkroi si një “përvojë tejet traumatike”. Atje i kaloi dy vjet. Kjo e shtyri që Perunë ta shohë si një vend me shoqëri të dhunshme, me plot trishtime, të përbërë prej fraksioneve sociale, kulturore dhe racore kryekëput kundërthënëse”.  Vargas Losa thotë se shkolla ushtarake dogji në oborrin e vet 1.000 kopje të romanit të tij.      

Ngjarja e romanit të tij të dytë, eksperimental “Shtëpia e gjelbër” (1966) është vendosur në një shkretëtirë dhe xhungël peruane. Aty autori flet për një lidhje rufjanësh, misionarësh dhe ushtarësh të tubuar pranë një shtëpie publike.

Këto dy romane ndihmuan në themelimin e Bumit letrar latinoamerikan gjatë viteve 1960… dhe 1970. Kjo lëvizje karakterizohej nga vepra eksperimentale dhe kryekëput  politike të cilat e pasqyronin kontinentin që përjetonte tronditje politike, sociale, ekonomike dhe morale.

Shënim: Mbartës të bumit letrar latinoamerikan ishin shkrimtari peruan Mario Vargas Losa, shkrimtari kolumbian Gabriel Grasia Markez, tregimtari dhe romancieri argjentinas Hulio  Kortasar (Julio Cortazar, 1914-1984) dhe prozatori meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1928 – 2012). Lëvizja lindi në gjysmën e viteve ’70 të shekullit XX. 

*   *   *  

Autorë kryesorë të asaj lëvizjeje ishin shkrimtari kolumbian, laureat i çmimit “Nobel”, Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márques, 1927-2014), i njohur për stilin e realizmit magjik.si dhe Mario Varga Losa.. Herë-herë, midis këtyre dyve shfaqej një rivalitet. Që të dy fituan famë botërore. Në një kinema në Meksikë në vitin 1976, Mario Varga Losa i ra me grusht Gabriel Garsia Markezit. Që atëherë ata nuk kanë folur me njëri-tjetrin. Për shkaqet e incidentit ka versione të ndryshme. Shokët e Markezit thonë se ata janë zënë për shkak të miqësisë së tij me gruan e atëhershme të Varga Losës – Patrisian, ndërsa në vitin 2017 Varga Losa u ka thënë studentëve të universitetit në Madrid se ata janë zënë për shkak të qëndrimeve të kundërta për Kubën dhe për udhëheqësin komunist të saj, Fidel Kastron (Fidel Alejandro Castro Ruz, 1926-2016) .    

Në vitin 2007 u pajtuan, kurse pas tre vjetëve, d.m.th. në vitin 2010, Varga Losa e fitoi çmimin “Nobel”. Ishte i dyti shkrimtar i Amerikës së Jugut që e mori atë shpërblim, pas Gabos (Markezit), i cili u vlerësua me këtë çmim në vitin 1982.  

Pjesa më e madhe e krijimtarisë së Varga Losës është e lidhur ngushtësisht me paqëndrueshmërinë dhe dhunën në pjesë të caktuara të Amerikës Latine gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur rajoni kalonte nëpër valët e revolucioneve dhe të regjimeve ushtarake.  

*   *   *

Emri i këtij krijuesi figuron edhe si Mario Vargas LLosa. Ky është tregimtar dhe eseist. Pothuajse nuk ka episod nga jeta e tij dhe nga mjedisi i tij i afërt që nuk e ka shfrytëzuar si bazë për shumë romane të tij. U shkollua në Piur dhe në Limë. Ishte i vendosur në internatin ushtarak. Përjetoi dashurinë që në moshë të mitur dhe pati një martesë me një grua të shkurorëzuar. Studioi dhe mori pjesë në qerthuj marksistësh, punoi në radio dhe në gazeta, udhëtoi në Amazoni, u martua me mbesën (vajzën e motrës), Patrician. Pas procesit ndaj poetit kuban Heberto Juan Padilla (1932-2000), u shkëput nga opsioni politik të Kubës. Prej fundit të viteve ’50 të shekullit XX jeton në Evropë – në Madrid, në Paris dhe në Londër. Atje ligjëron, shkruan, bashkëpunon në gazetat kryesore të botës dhe vlerësohet me mirënjohje letrare. Kah fundi i viteve ’80 të shekullit XX aktivisht përfshihet në politikë. Pas dështimit në zgjedhjet peruane për kryetar shteti të mbajtura në vitin 1990, u tërhoq i dëshpëruar. Në vitin 1993 mori shtetësinë spanjolle. Ishte përfaqësues “i realizmit të ri”. Ishte një prej nismëtarëve të boom-it hispanoamerikan që e paralajmëroi në romanin “Qyteti dhe kadetët” (La ciudad y los perros, 1963) të botuar në Barcelonë. Karakteristika themelore të prozës së tij janë synimi për polifoni, aftësia e thurjes dhe inovacioni. Çdo titull i tij pas përmbledhjes me tregime “Prijësit” (Los jefes, 1959) tregon se autori ndryshon vazhdimisht. Në romanin “Qyteti dhe kadetët” autori evokon qëndrimin e vet në internatin ushtarak. Njëherazi, është një rrëfim për ndërgjegjen fëmijërore dhe ushtarake si dhe për pastërtinë morale. Romani “Shtëpia e gjelbër” (La casa verde, 1965) e shkatërron fabulimin linear dhe me një teknikë filmike ndërthur disa fate të veçanta në hapësira dhe në kohë të ndryshme. Vepra vëllimore “Bisedë në tavernë” (La Catedral, 1969) ose (Conversación en la Catedral) është një pasqyrë komplekse e degradimit të shoqërisë peruane gjatë periudhës së diktaturës së Manuele Apolinario Odría Amoretti. 1897-1974). Kritika e konceptit ushtarak rigid, plot humor që në veprat e tij rrallë haset, paraqitet në romanin “Pantaleoni dhe batalioni i zbrazët” (Pantaleón y las visitadoras, 1973) ku “batalioni i zbrazët” është eufemizëm për prostitutat që i paguan ushtria për garnizonet e largëta në pyjet e pashkelura. Pasqyrimi verist i dashurisë është paraqitur në veprën “Halla Julia dhe shkarravitësi” (La tia Julia y el escribidor, 1977). Për këtë vepër u ballafaqua edhe me gjykatën. Episodi historik në Brazil kah fundi i shekullit XX, rebelimi i fanatikëve fetarë kundër Republikë së re, të cilën ata e quajnë si vepër të djallit, është orekstruar me mjeshtri në romanin-lumë me titull “Lufta në fund të botës” (La guerra del fin del mondo, 1981). Vepra “Historia e Majtit” (Historia de Mayta, 1984) flet për dështimin politik të koncepteve trockiste në rininë e autorit. Vepra “Kush e vrau Palomino Moleron” (Quién mató a Palomino Molero?, 1986) i përket zhanrit kriminalistik. Vepra “Elozhe njerkës” (Elogio de la madrastra, 1988) i përket zhanrit të romaneve erotike. Vazhdim i saj është vepra “Shënimet e Don Rigobertos” (Los cuadernos de Don Rigoberto, 1997). Proza “Lituma në Ande” (Lituma en los Andes, 1993), me ndërthurjen e zhdërvjelltë të rrëfimit sentimental dhe të skenave mizore të egërsisë guerile, ngjall atmosferën e Perusë në të cilën bën kërdi lëvizja Sendero Luminoso.

Shënim: Sendero Luminoso do të thotë Rruga e shndritshme. Zyrtarisht: Partia Komuniste e Perusë. Ka qenë parti peruane dhe lëvizje guerile e cila fuqishëm e tronditi Perunë dhe ekonominë e tij, në vitet ’80 të shekullit XX. U themelua në vitin 1970. Ideologjia e saj ka qenë marksizëm-leninizmi dhe maoizmi. Udhëheqës të lëvizjes kanë qenë Abimael Guzmán në vitet 1970-1992) dhe Óscar Ramirez në vitet 1992-1999.

*  *   *

Romanin “Festa e përçit” (La fiesta del chivo, 2000) autori ia kushtoi periudhës së përgjakshme të diktaturës të sundimtarit dominikan Rafael Leónidas Trujillo (1891-1961) i cili njihej me nofkën El Chivo (cjap, përç). Trujillo u vra në atentat.   

Pikëpamjet për letërsinë në mënyrë më të thuktë i ka paraqitur në studimet: “Garsia Markezi: historia e një vendimi” (García Márques: historia de un deicidio, 1971), “Orgjia e përhershme” (Orgia perpetua – Flaubert y Madame Bovary, 1975), “Hose Maria Arguedas dhe fiksionet e indigjenizmit” (José María Arguedas y las ficciones del indigenismo, 1997).

Prej veprave teatrore dallohen: “Zonjusha nga Tacna” (La senorita de Tacna,1981), “Kati dhe hipopotami” (Kathie y el hipopótamo, 1983), “La Chunga” (1986), “I marri i ballkonit” (El loco de los balcones, 1993) “Sytë e bukur, fotografitë e këqija” (Ojos bonitos, cuadros feos, 1996). 

Xhelal Zejneli                     

Filed Under: LETERSI

Neoshqiptarizmi, si harta identitare e një zgjimi kombëtar në kohën e stuhisë globale!

April 15, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Jetojmë në një epokë ku bota po riformulohet me shpejtësi që s’e ka njohur më parë. Kufijtë gjeopolitikë nuk po ndryshojnë më me tanke, por me teknologji, me rrjete mendimi, me ekonomi të reja dhe logjika që s’e pyesin më as për të shkuarën, as për gjuhën, as për kujtesën. Sistemet që dikur konsideroheshin të palëkundura, demokracia liberale, globalizmi i tregut të lirë, vetë ideja e rendit ndërkombëtar, po sfidohen, rishkruhen, relativizohen.

Ndërsa fuqitë e mëdha po kërkojnë pozicionime të reja në hartën e interesave, kombet e vegjël, si yjet në vorbullën e një galaktike, kanë vetëm dy zgjedhje: të projektojnë veten me vetëdije, ose të treten në fatin që t’u caktojnë të tjerët. Në këtë botë që ndryshon më shpejt se refleksi, shqiptarët nuk mund të jenë më spektatorë të historisë. Sepse historia, këtë herë, nuk do të na falë. Dhe këtu vjen Neoshqiptarizmi, jo thjesht si ide, por si hartë. Jo si nostalgji, por si strategji e thellë për mbijetesë dinjitoze dhe përparim të bashkërenduar kombëtar.

Pse shqiptarëve u duhet një zgjim i madh?

Të gjithë e ndjejmë se ka një plogështi të rrezikshme në shpirtin shqiptar. Një zhgënjim i përhapur, një përhumbje në ditën që vjen e në ditën që ikën, pa horizont, pa një “ne” që e ngre veten bashkë. Nga Gjirokastra në Preshevë, nga Malësia në Tetovë, nga Shkupi në Prishtinë, nga diaspora në lagjet e Tiranës, të gjithë jemi në një lëvizje të heshtur drejt individualizmit shpëtimtar, ku secili përpiqet të shpëtojë vetë dhe askush s’mendon më për të shpëtuar “ne-në”.

Por siç thoshte Martin Heidegger, “shkalla më e lartë e humbjes është të harrosh se ke qenë”. Dhe Neoshqiptarizmi na vjen si kujtesë filozofike e doktrinore se përkatësia nuk është vetëm koincidencë gjenetike, por rrënjë që duhet mbajtur gjallë me vetëdije morale dhe shoqërore.

Pse një Rinisje Kombëtare është emergjencë dhe domosdoshmëri?

Një komb, për të qenë i gjallë, nuk mjafton të ketë gjuhë, flamur dhe territor.

Duhet të ketë qëllim.

Duhet të ketë ideal.

Duhet të ketë drejtim të përbashkët.

Sot, shqiptarët janë më të shpërndarë se kurrë, por nuk kanë qenë kurrë kaq pa një qëllim të përbashkët kombëtar. Të ndarë në shtete, në sisteme arsimore të ndryshme, në ligjësi kushtetuese të papërbashkëta, të veçuara në interesa politike që shpesh i kundërvihen njëri-tjetrit. Andaj, Rinisja Kombëtare, siç e propozon Neoshqiptarizmi, nuk është një retorikë romantike, por një domosdoshmëri strategjike.

Pse na duhet një hartë identitare e unifikuar?

Sepse në një botë ku identitetet janë të lëkundura, ai që nuk e përkufizon vetveten, do të përkufizohet nga të tjerët. Në epokën e rrjeteve sociale, ku gjithkush është konsumator i përkatësive sipas trendit, shqiptaria duhet të jetë më shumë se një tifozeri stadiumesh apo “bio” në Instagram a Facebook. Duhet të jetë një formë përmbajtjeje personale dhe shoqërore.

Neoshqiptarizmi propozon një identitet shqiptar që është moral, kulturë, drejtësi dhe përpjekje për ndriçim.

Jo një shqiptari që e përkufizon veten vetëm me fjalë si “jemi të lashtë sa bota” e “jemi bijtë e Skënderbeut”, por një shqiptari që bëhet drita dhe vlera e botës sot e në vijim dhe që përkufizon veten me vlerat që Skënderbeu mishëroi. Sipas Charles Taylor, në librin The Malaise of Modernity, identiteti modern ka nevojë për një narrativë të brendshme që ngre individin në bashkësi morale. Neoshqiptarizmi është ajo narrativë për ne shqiptarët, që na lidh jo vetëm me njëri-tjetrin, por me vetveten e thellë, të harruar.

Pse na duhet unifikimi i mendimit, strategjisë dhe veprimit kombëtar?

Sepse një komb që mendon në mënyrë të fragmentuar, vepron në mënyrë të çorientuar dhe zhvillohet në mënyrë të pabarabartë. Dhe nuk mund të ketë qëndrueshmëri kombëtare pa simetri në përpjekje. Për këtë, Neoshqiptarizmi ofron një shtyllë të re bashkimi, jo mbi baza krahinore, politike apo mitike, por mbi përbashkësinë e qëllimit, të vlerës dhe të vetëdijes kombëtare.

Ukshin Hoti, në librin e tij Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, thekson se:

“Kombet që nuk projektojnë të ardhmen e tyre me mendim dhe vullnet, janë të destinuar të bëhen shërbëtorë të projekteve të të tjerëve.” Sot, jemi në një moment ku ose e ndërtojmë një strategji kombëtare të re, të përbashkët e të mençur, ose mbetemi si grimca në vorbullën e një bote që nuk ndalet për ne.

Bota sot dhe uria për vetëdije dinjitoze.

Në dhjetë vitet e fundit, filozofë si Yuval Noah Harari, Francis Fukuyama dhe Byung-Chul Han, kanë paralajmëruar se njerëzimi po hyn në një epokë post-identitare, ku individi zhvishet nga lidhjet me historinë, përkatësinë dhe bashkësinë.

Por pikërisht në këtë kontekst, ajo që e shpëton njeriun është përkatësia me kuptim, jo si barrë, por si ndërtim.

Neoshqiptarizmi është antidoti shqiptar i kësaj krize.

Ai nuk i kundërvihet globalizmit me izolim, por e përballon atë me vetëdije të qartë dhe me një shqiptari që është paqësore, dinjitoze, krijuese dhe bashkëkohore.

Neoshqiptarizmi si rrugë për të mos mbetur thjesht shqiptarë, por për t’u bërë komb. Sot, më shumë se kurrë, nuk mjafton thjesht të jesh shqiptar. Duhet të jesh me vetëdije, me vlerë, me ndershmëri dhe me mision. Kombi shqiptar ka nevojë jo për më shumë flamuj nëpër podiume, por për më shumë rrënjë në ndërgjegje, më shumë qartësi në vizion, më shumë bashkim në strategji, më shumë drejtësi në shpirt.

Neoshqiptarizmi është projekti i shekullit XXI për shqiptarinë.

Një projekt që nuk thërret për luftë, por për përmirësim.

Që nuk kërkon përjashtime, por bashkime të thella.

Që nuk ushqehet me frikë, por me besim.

Që nuk e ndërton kombin mbi armiq, por mbi virtyt.

Që nuk kërkon pushtet, por zgjim.

Kombet që duan të jetojnë, zgjedhin ti japin kuptim vetvetes përpara se të jetë vonë. Dhe ky është kuptimi i vërtetë i Neoshqiptarizmit. Një dritë që lind jo për të ndezur flakë, por për të mos na lejuar të flejmë më në errësirë.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT