• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Polifonia labe, kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit

April 8, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo*/

Nuk është aq e lehtë që të mbash një kumtesë të tillë si Polifonia Labe këtë kryevepër të Trashegimisë gojore të njerëzimit. M’u desh një studim i gjatë i detajuar për të arritur në këto përfundime llogjike dhe për t’ja sjellë publikut në këtë tempull të dijes së njerëzimit. Çfarë binomi i mrekullueshem krijohet midis Harvardit ky tempull i dijes së njerëzimit dhe Polifonisë Labe kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit mbrojtur nga UNESCO, më 25 nëntor 2005.

Që të bëhesh një oratore e vërtetë, apo të shkruash me elegancë dhe art o duhet të mësosh tekstet e folklorit të këngëve labe, apo për më tepër t’i këndosh, ose duhet të mësosh përmendsh dhe të intepretosh Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës. E meqënse kam si temë polifoninë labe kumtoj se kënga labe sjelle histori të pashoqe të Kombit tonë, jo vetëm të viseve jugore, por në mbarë Shqipërinë, në mbarë trevat e lëna jashtë nga perandoritë dhe fuqitë e mëdha europiane.

Duhet të më kuptoni miq te dashur se nuk ka banor që lind në ato vise të mos rritet qysh në bark të nënës me këngën labe.

Të dëgjoje nënat e bebeve me ninullat më të bukura, më të ëmbla pranë veshit duke pirë sisë dhe duke u nanurisur për gjumë doemos do të pasuroheshe do të visheshe me dritë. Qysh fëmijë jam magjepsur me zërat e marrësit, kthyesit dhe hedhësit dhe isove të grupit. Dasmat labe, vajtojcat labe, darkat familjare kanë qenë një nga universitetet më prestigjioze shpirtërore, ndryshe do të këndonin të gjithë. Por jo kjo nuk më rezulton kurrë, po qe se nuk je lindur dhe rritur në viset jugore aty ku këndohet kënga labe.

Po si spjegohet kjo magjepsje, kjo jetesë qëkur ka lindur njerëzimi bashkë me këngën në buzë? Është fuqia e artit, metaforat e hatashme të pa mësuara në shkollat teknike, por nga folklori gojor, drithërues, gjetjet gjeniale brez pas brezi.

Si këngët erotike, burrërore, epike, luftarake, vajtuese janë shndritëse, verbuese, goditëse në zemër, në sy, në vesh dhe gjëmojnë sa tunden malet. Ç’i kanë punuar barbarët tokës sonë mëmë, por nëse nuk do të ishte kënga folklorike e Kombit si dhe e Labërisë shumë ngjarje historike do të zhdukeshin nga faqja e dheut. Ja le të kujtojme vuajtjet e tmerrshme, djegiet, vrasjet, kalbjet nga shovinistët e regjimit grek në vitin 1913 dhe si e kanë perjetësuar në kengen labe këto gjëma kënduar nga grupi i Tepelenës në festivalin folklorik të Gjirokastrës.

“Seç na erdhi greku me urë në dorë/ Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë/ Me djepe në krah, me foshnja në dorë/ Qaj, moj Shqipëri, ulëri e gjorë…”

Kënga është ulëritëse, e frikshme, e llahtarshme përjetimet që panë gratë e labërisë, kur pane fqinjin e marrosur duke ecur në këmbë dhe duke djegur e shkretosur çdo gjë që gjenin përpara s’të hiqet kurrë nga mendja. Nënat me djepe në krah u arratisën për në ullishtet e Vlorës, në vendin që të gjenin paqe pranë ullinjve. Degët e ullirit u binin mbi krye foshnjave që po gjenin paqe në qiell të hapur nga banditët grekë. Kjo është histori e shkruar letërsi gojore folklorike, është gjëmëmadhe dhe nuk ka nevojë fare të dëshmosh me historianë apo pseudohistorianë që mohojnë, por jo kënga labe në grup, në ecje, lëvizje dhe kudo tregon tmerret qe panë dhe hoqën me sytë e tyre në vinin 1913, një vit pas shpalljes së Pavarësisë. Nuk mund ta duronte dot fqinji Pavarësinë e Shqipërisë, por rrëmbeu urat e zjarrit për t’i vënë flakën Labërisë dhe viseve jugore.

Natyrisht jam me fat që jam rritur me artin e këngës labe magjepsëse, me historitë dhe e pamundur t’i përmbledhësh në këtë kumtesë, por po sjellë disa më pikantet në zemrën time dhe të popullit si “Bilbilenjtë ” që mjerisht brezi i ri sidomos i lindur dhe rritur ne Diasporë vështirë se mund t’i ketë dëgjuar. Ndaj na del detyrë ne edukimin historik dhe estetik.

Të mësosh për bilbilenjtë e Labërisë është si të kesh miq gjithë bilbilat e pemëve që këndojnë që deri më sot s’ka zog nga lloji që i arrin në zërat e tyre në kor.

Kur e dëgjoj këngën Trembedhjetë Bilbilenjtë apo e këndoj si një amatore gati “çmendem” në kuptimin metaforik, më vë në mendime si psh: Si është e mundur që këta Trembëdhjetë Bilbilenjtë vanë në litar vetë, jua kërkuan si dëshirë të fundit barbarëve.

Po ç’ishin këta Bilbilenjë, këta luftëtarë të paepur për Shqipëri?

Birbilenjtë kanë qenë një çetë kaçakësh shqiptarë të viteve 1850-60, qëkur u kapën nga autoritetet turke ishin 13 vetë, edhe pse grupi kur ishte aktiv shkonte deri në 50 vetë. Emërtimi u ngeli në kujtesën popullore nga emrat e komandantëve, Bilbil Shako e Bilbil Resuli. Ishin kryesisht të rinj të fshatrave Nivicë, Rexhin, Gusmar, Progonat, Lekdush, Smokthina e nga zona të tjera të Labërisë. Sulmonin karvanët ushtarakë turq, fama e tyre bëri që për shumë vite, autoritete turke t’i rrinin larg krahinës së Kurveleshit. U kapën me tradhti dhe u ekzekutuan me varje në Janinë.

Çfarë krenarie! Të mbrosh Labërinë, këtë zonë të jashtëzakonshme për Kombin për Jugun nga Bilbilenjtë dhe të mos lesh një Perandori turke më e madhja në botë të mos shkelë në trojet e Labërisë është më shumë se heroike, është gjithçka kombëtare dhe do kenë nderim në përjetësi! Ja si ju këndohet në këngët labe:

Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litare vetë/ -Ngreu Bilbil e hidh litarë, -Dale bej të dredh cigarë/ Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë…/Lanet paç Xhelal Voshtina/Vare trembëdhjetë trima…

Interesant shkencor mjekësor janë shumë fakte që mësohen nga këto këngë për trimat legjendarë. Me ka lindur pyetja se pse bilbilenjtë e Labërisë kërkuan cigare dhe këtë e mësova nga ata. Gjatë varjes ngaqë mungon oksigjeni, të varurit përpiqen të hapin gojën e të nxjerrin gjuhën jashtë, natyrisht nje transformim i fytyrës, ndjenjave e gjithçka. Nëse shtrëngon diçka në dhëmbë gjuha nuk del jashtë, dhe është kjo arsyeja për të cilën Bilbili kërkon cigare.

Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë.

A nuk jane 13 male më këmbë siç thotë dhe grupi i Rexhinit në festivalin e Gjirokastrës më1988? C’bën gurra popullore, me forcen e artit, me gjakun e zemrës arrin të sjellë këto mrekulli folklorike pranë nesh.

Të gjitha etapat nëpër të cilat ka kaluar historia e Kombit tonë nuk ka këngë labe që të mos i ketë përjetësuar sikur të jetë një akademi shkencore botërore, pse jo një Harvard. Ja le të hidhemi në betejën e famshme të grykës së Mezhgoranit ku fashistët italianë lanë kockat ne Mezhgoran, ne ato male aq të larta, ata erdhën të pushtonin trojet tona, me bomba dhe municione, por gjetën vetëm vdekjen…

Biri i Labërisë, Ylli i Lirisë Asim Zeneli ra heorikisht në betejë, atje ku vriten vetëm trimat. Mezhgoranasit i kënduan në këngën labe: Te Gorica në të dalë/ O Asim, o lule djalë/ Të mori plumbi në ballë/ O Asim, o biro djalë! Çfarë ligjërimi nënash duke e thirrur, bir, djalë, lule e rinisë!

Asim Zeneli ra si burrë në fushë të betejës në Mezhgoran kunder fashisteve italiane, me 2 korrik 1943.

Një nga grupet polifonike më autotkton dhe me unik në gjithë Kombin është Grupi i Arrëzës së Madhe Tepelenë. Kjo këngë ka lindur bashkë me arrëziotët kushedi në ç’shekull daton dhe këndohet në grup. Magjia e këngës është se po transmetohet ndër breza, por natyrisht duhet një studim i mirëfilltë nga historianët e artit dhe të kulturës për këtë pasuri kombëtare. Sa herë e dëgjoj këngën “Lule Fejzo Arrëza” magjepsem për forcën, timbrin, muzikalitetin, vibrimet e kthimit, të marrësit, të hedhësit dhe të isove. Çfarë larushi ngjyrash në zë dhe në forcën e përcjelljes! Askush s’mund ta këndoj këtë këngë. Kendohet per heroin Fejzo Arrëza që u vra në vitin 1878 nga andartet greke. Fejzo Arrëza legjendari i luftërave heroike, vuri nën komandë rreth 200 burra për të luftuar me trimëri kundër andartëve grekë.

Arrëza e Madhe ka marrë pjesë në 1981 në Festivalin e Gjirokastrës dhe ja vargjet:

Dielli majave seç ra, lule Fejzo Arrëza/ erdhi çobanka të tha: ik o Fejzo mos u vra/ se ata janë 40 e ca! U përgjigj trimi me pallë/ Fejzua nuk iken i gjallë/ pa e bërë kërmë dynjanë, leonillën me gjithë vëllanë/ lule Fejzo Arrëza/ në shpëtofsha këtë radhë, nuk e le hakun pa marrë, mos paca faqen e bardhë, vuvu-së po si vura zjarrë/ Lule Fejzo Arrëza.

Apo kënga për trimin për Hodo Nivicën i cili ishte një prijës popullor në Kryengritjen e vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit, krahas Tafil Buzit, Zenel Gjolekës, Çelo Picarit. Ata bien në betejë si heronj të vërtetë, si heronjtë e antikitetit, si heronjtë kudo.

Çfarë force, cfarë gjëmash iu kanë ndodhur pranë syve, por ata nuk pyesnin luftonin dhe populli me magjinë e fjalës duke i ngritur në qiell i këndon:

“Gjylja mbi kokë i ra/ Koka më dysh iu ça/ Ai bën sikur se pa…”

Është vërtetë epike, heroike, frymëzuese gati e paarritshme. Ai u vra gjatë sulmeve malazeze në Veri në Shpuzë të Podgoricës, më 1852.

Këto këngë autoktone kanë efekte tronditëse, çudibërëse dhe të sjellin si në film gjithë ato male, qiej dhe jehonën e Vjosës që s’do të ndalojë kurrë.

Apo kënga për Tafil Buz mustaqeziu që i vuri kufirin tek thana Perandorisë turke. Ai ishte udhëheqësi kryesor i kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847. A e kuptoni se çdo të thotë që një djalë buzjot nuk i pagoi taksat nuk u bë skllav, mbrojti trojet e veta dhe i dërgoi osmanet me bisht ndër shalë në Anadoll? Hajde ta kuptoj brezi i ri që me siguri se kanë idenë kush ishte ky trim i pashoq nga Buzi i Tepelenës? Ndë Stamboll karta dërgojnë/

Se raeja po lëftojnë/ Se e dinë me kë lëftojnë/ Me Gjon Lekë Kuçin thojnë/ Gjon Lek’ e Hodo Aliu/ Mbë dorë palla ç’ju ngriu/ Tafil Buz-mustaqeziu/ Nga Gryk’ e Kuçit arriu,

E meqënse na hodhën fatet në emigrim e pamundur mos të citoj disa vargje nga kënga perlë e Neço Mukos si:“Vajz’ e valëve” ku shumë vasha dhe djem në emigrim gjejnë vehten

Vajz’ e valëve/ zëmëra s’ia mban/ mbi një gur anës së detit/ qan, e zeza qan/ e mjera, qan e zeza qan/ Pret atë që pret/ dhe një dhëmbje ndjen/ Gjithë bota ven’ e vine/ po ai nuk vjen/ e mjera, po ai nuk vjen.

Historia shkruhet lirisht dhe plot art edhe në lidhjet shpirtërore midis Kosovës dhe Shqipërisë. Një këngë e tillë rrëmbeu zemrën time dhe të Qemalit nga “Thesaret Labe” me drejtor artistik Viktor Aliu të cilët për herë të parë u ftuan nga Alba Life në Diasporë. Pra nje grup lab vinte për herë të parë nga Shqipëria dhe tundi Nju Jorkun. Kënga si: Tungjatjeta moj Kosovë,

Vjen nga motër Labëria/ Na bekoi Zoti me gojë/ Të jemi një gjak të dyja.

Moj polifonia jonë/ Mbretëreshë në rruzullime/ Gju më gju fjalën e shtron/ Me lahut e çiftelinë.

Kur këndojnë “Thesaret Labe” nga Shqipëria magjepsem dhe nje Vjosë lumi të tërë derdh nga sytë e mi të lagur nga lotët e mallit. Në këtë këngë që ka fjalët më të bukura dhe më shpirtërore si dhe më të kërkuarat nga populli, larg nga politikanët, bashkohemi dhe bëhemi një.

Këta janë bandillët e këngës labe që e këndojnë aq në mënyrë të hatashme dhe mbollën në zemrat tona një Pemë Arbërore me rrënjë sa vetë lashtësia e njerëzimit.

E pamundur të mbledhësh gjithçka në këtë kumtesë për polifoninë labe. Një vend tejet artistike të veçantë zënë vajet labe, ja po sjelle nga legjendari i këngës labe Maliq Lila kushtuar nënës

Erdha të putha gjirin e tharë/ Por dot nuk t’a nxorra mallë/ Oh nënë/ Det i thellë e i pamatur dhëmbshurie/ Sa më prite atë natë…ti e dije/

Duke dëgjuar këngë vaji, duke marrë pjesë në shumë morte, unë nuk mbaj mend që në anët tona të labërisë apo toskërisë në përcjellje të njerëzve në botën tjetër te ndodh që gratë të mos i përcjellin me ligje, me vaje. Te jesh në këto ceremoni të shkulet zemra prej vendit, nga arti drithërues dhe fjalët që i thurren të vdekurit. Vajtimi është një pasuri tjetër e artit të polifonisë labe, jo më kot korifeu i letrave shqipe, një nga figurat me emblematike të Kombit, student i Harvardit ku jemi mbledhur sot, Fan Stilian Noli lë amanet: “Kur të vdes të më përcillni me këngë labe”

Le te permendim edhe këtë vaj ne Himarë se si motra qan të vëllanë:

Vëllai nurë; Korba ditë e korba natë; O biro, biri im; Derëzeza që në ballë; U e zeza për vëllanë; E zeza, o rrënjëdalë; O rrënjëdali vëlla, Hajmedet.

Vërtetë ngulçet e klithmave vajtore nga vajtojcat e Labërisë janë këngë të përvajshme, në shpërthime të dhimbjes për të vdekurin që s’kthehet më.

Në fakt këto janë rite mortore në gjithë vendin, psh në Eposin e kreshnikëve Kënga “Ajkuna kjan Omerin” është e jashtëzakonshme, afektuese, ku me të drejtë ne ishte një historian i lashtë grek shkrimet e Herodotit, i cili fliste për vajtimet kolektive të Ilirëve”.

Në veprat e Herodotit gjejmë të dhëna të shumta për pellazgët dhe ilirët.

Këngët labe të dashurisë janë një minierë e pasur me xhevaire metaforash, vitalitet krijues, që nga koha më e lashtë e deri në ditët tona. Ja le të sjellim një prej tyre që mban vulën e Bardit të poezisë labe Lefter Çipa si:

O duke tundur zbret nga mali/ Me shaminë lidhur te balli/ Tundu moj bejkë e bardhë, tundu/ Natën me hënë, duku! Bejkë e bardhë e borë e malit/ Ti je ilaçi i çobanit/ Kur mbush ujë te burimi/ Më dukesh si lule prilli.

Apo kënga aq e dashur si “Vito, më iku fiqiri”

Marrës: Nazif Çela, Vitori Balili

Vito¹, më iku fiqiri/ kur dole përpara tëndës/ Djalë, të gënjeu syri/ duket nga argjëndi Hënës/ -Shkoi Vita, shkoi/ mënt’ e mia vanë/-Një faqe behari, djalë ta këputa xhanë/ -Një faqe behari, vitëç’ma këpute xhanë/ -Shkoi vita, shkoi/ djalë? Mënt’ e tua vanë.

Çfarë bashkëbisedimi midis djalit që po i ikën fiqiri nga dashuria dhe pasioni për të, i iku mendja nëse Vito nuk i fal dashurinë.

Ndjesitë e ëmbla gjer në pejzat shpirtërore e bën këtë këngë shumë të njohur dhe të dashur për publikun kënduar mjeshtërisht nga grupi i Vranishtit.

Apo kur ju këndojne djemtë vashave si: O moj vashë e bukura/ ndaj të mora me Sevda/ Sevda kam sa përvëlohem/ por jam djalë e turpërohem…Të kesh mall per sevdanë time….

Apo: Fol e mos fol/ fol se kam Sevda/ belin e holle/ Hajde marshalla/ ose: O sevda ku më kulise/ me dy cica byrynxhyke (te holla)

Keto janë vargje me një muzikalitet të ëmbël si vetë dashuria, farfuritëse.

Këto këngë bëjnë që vashat të hedhin vellot e bardha si perëndeshat e bukurisë ndërsa djemtë me qylafet e bardha kanë magjepsur botën me larushi ngjyrash çka është një pasuri e rrallë e artit shqiptar në botë.

Këto këngë labe janë magjistare shumëzërëshe dhe bëhen hënë e praruar në botën e pafund. Zërat si gurgullimë krojesh nga gurët e zalleve të bardhë, janë shenjtëri, janë bekim i ruajtjes së trashëgimisë popullore të ruajtur në gjak, në zemra, është padyshim ADN-ja jonë.

Polifonia Labe është mbreteri arti, një pasuri botërore, ndaj e kemi detyrë ta ruajmë se është ndërgjegje dhe pasuri e Kombit, është kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit

Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

*Kumtesë e mbajtur në Harvard, më 6 prill, 2025.

Referencat:

1-Prof. Dr. Bardhosh Gace, Spiro Shituni “Polifonia Labe”

2-Prof. Dr. Rami Memushaj “Histori e Kurveleshit”

3-Herodoti Historiarum, libri IX edit. Henr. Rudolph.

Filed Under: ESSE

“Livia” …

April 8, 2025 by s p

Age Ivezaj/



Libri « Livia » i autorit Mark Pashkut trajton një temë të re sociale të kohës. Roman e nxit lexuesin në mendime të thella, e bën të reflektojë ndryshimet që po ndollin në shoqëri nga një ideologji e panjohur. Ky nuk është një roman i zakonshëm, ky ëshë krejt ndryshe nga librat që lexuesi mund të këtë lexuar. Personazhet janë të rëndomtë, por mënryra e jetës që kanë zgjellur është krejt ndryeshe, ata kanë dalë jashtë rregullave dhe normave shoqërore ashtu si i kemi njohur deri tash.”Livia” sjell një frymë të re progressive që i sfidon normat tradicionale dhe pasojat e saj brenda në shoqëri. Familja ështe paraqitur fleksibile dhe nuk përcaktohet në përputhje me modelet tradicionale. Livia, është një roman që pasqyron një lëvizje të re globale, larg vlerave konservatore, pa norma e paragjykime nga shoqëria . Në këtë frymë të re, individët jane të pavarur, duke u larguar nga rregullat e normat që ka një familje e mirëfilltë. Ky transformim ka sjellë edhe sfida për personazhet që duken të humbur me vetë mënyrën jetës që kanë zgjellur. Romani parqet një familje, që largohet nga jeta e zakonshme duke marr një rrugë të panjohur.

“Livia” është një roman që e nxit lexuesin të mendoj më thellë për të ardhmen e familjes në një botë që po ndryshon. Sjelljet dhe qëndrimet e personzheve të romanit lexuesit mund ti duken si
devijim nga binarët e zakonshëm shoqëror, duke i konsideruar këto elemente si një kërcënim ndaj vlerave tradicionale. Këtë ideologji të re autori e paraqet në mënyrë sombolike si një krijesë nga mitologjia apo nga një botë imagjinare, si një “demon,” ose si një “gjysëm-njeri,” që nuk i dihet origjina dhe nuk i ngjanë askujt. Kjo krijesë kërcnuese ka formë krejt ndrysh. Ajo simbolizon frymën e re që është paraqitur paparitur, pa e ditur si erdhi, kush e pruni dhe as kujt i shërben. Ky trend i ri paraqitet si model i kohës, që as vet protagonisti kryesor, Leke Bardh nuk e kupton dhe nuk dinë si të veproj, është i pa aftë përballë kësaj furune apo cunamin shoqëror që familja e tij është përfshirë. Ai jeton në agoni, është i tmerruar dhe nuk pajtohet me botën që ka ndryshuar.

Romani në qënder ka veprimet e paparitura dhe të pakontrolluar të Livisë , bashkshortes së Lekës dhe vajzës së tyre Hera. Që të dyja kanë zgjellur të jetojnë në vende të ndryshme duke kërkuar lumturinë tek kjo ideologji e kohës. Livia ka një horizont të gjerë kulturor, është e hapur ndaj ndikimeve të ndryshme të botës. Udhëtimet e shumë dhe kultura që ka absorbuar kanë ndikuar që ajo të përqafoj ideologjinë progresive të kohës.
Personazhet kryesore në roman janë paraqititur si një cift intelektualësh që janë të aftë të kuptojnë rëndësin e familes dhe detyrimin që kanë ndaj fëmijëve të tyre, e shoqja e Lekës, Livia refuzon parimet konservatore dhe rolin e saj si grua e nënë. Ajo në rend të parë e ka veten, është e apasionuar pas artit, ajo është një piktore e njohur me expozitat ndërkombëtare, që e sheh me skepticizëm familjen tradicionale. Pas një aventure të cfrenuar të njëjtën rrugë mori edhe e bija Hera, që e pëson keq dhe ne fund e zhgënyer i kthehet jetës normale dhe e kupton se kishte qënë e
përfshirë në ideologjinë e kohës nga individ që kishin manipulua me të.

Shpërndarja e familjës në vende të ndryshme ngrit tension që lindin natyrshëm. Lexuesi i romanit “Livia,” me të drejtë shprehë shqetësim për ndryshimet që paraqiten, siç janë çështjet që lidhen me barazinë gjinore, në mes të një grupi njerzish të margjinalizuar. Këto ide globale lexuesit mund ti duken se janë një kërcënim ndaj vlerave tradicionale, sidomos për ata që besojnë në fuqinë e familjes me vlera të mirëfillt morale të një shoqërie të shëndosh.
Familja bërthamore me shekuj ka qenë një institucion i paprekshëm dhe shtylla e suksesit të shoqërisë njerzore. Në romanin Livia, familja nuk është thjesht një grup i zakonshëm njerëzish që jetojnë së bashku me dashuri e mbështetje reciproke, por një mikrosistem ku ndryshimet rrënjësore të kohës janë pjesë e natyrshme e jetës.
Autori me mjeshtri ka pasqyruar personazhet te lëshuar në aventura personale që në siperfaqe të duken se janë pjes e natyrshme e jetës dhe në pajtim me cdo veprim që bëjnë, por në esencë janë të mashtruar nga ideologjia e kohës.

Romani ” Livia” e autorit Mark Pashkut është romani i parë, me sa di unë, që e trajton këtë temë të re në letërsin shqipe, por në esencë janë të mashtruar nga ideologjia e kohës. Ky është një roman krejt ndryshe nga ata që lexuesi mund të ketë lexuar me parë. Autori shfaq fuqinë e imagjinatës se vet për të zbuluar një të vërtetat më të thelle të jetës dhe shqetësimin që e ndien për këtë ideologji globale që po e kërcnon botën.Vuajtjet shpirtërore të personazhit kryesor janë të lidhura me ekzistencën dhe shqetësimet e thella te kohes. Romani përmban një rrëfim të ndërlikuar dhe të ngarkuar emocionalisht, personazhet përballen me realitetet e përditshëm të një ideologjie të
panjohur që është në fazën experimentale.

Ata ballafaqohen me sfidat që janë pasojë e këtij experimentimi të jetës që e kanë zgjedhur, pa përkrahje dhe lidhje të ngushta familjare. Nuk është e mundur të ketë mbështetje në mes anëtarëve të një familjeje kur secili ndjek individializmin dhe drejtimin e vet i shkeputur nga trungu familjar. Personazhet krijonë një ndjenjë intregrimi e kontradikte në marrëdhëniet brenda familjes edhepse ato në siperfaqe duket se janë në pajtim.
Livia” është një nga ato libra që pasi e lexon mund t’ju mbajë zgjuar natën, do t’ju bëjë të mendoni se si do te duket familja dhe shoqëria, cfarë do të ndollë në të ardhmen, sodomos me gjenerat që do të vijnë pas nesh. Kur e lexon këtë roman, të duket sikur bota ashtu si e kemi njohur është rrokullis dhe rolet kanë ndryshuar, ajo cka ishte e papranueshme me parë tani është krejt normale. Autori i ka paraqitur ndryshimet rrënjësor të familjes nga kjo dukuri si faktor destablizues të shoqërisë.

Filed Under: LETERSI

Bllaca 1999 – metaforë e dhimbjes, e shpërnguljes masive dhe e ndërgjegjes

April 8, 2025 by s p

Qendra Memoriale “Bllaca 1999”, që në përbërjen e saje ka Murin e Kujtesës dhe Trenin Muzeal, nuk janë thjesht objekte përkujtimore – ato janë dokumente të gjalla, dëshmi të një epoke që nuk guxon të harrohet. Ato janë pjesë e një diplomacie të ndërgjegjes ndërkombëtare, që e kujton botën për domosdoshmërinë e paqes, të drejtësisë dhe të ndërhyrjes kur dinjiteti njerëzor dhunohet.

Nga Prof. dr. Skender Asani

Prilli i vitit 1999 shënon një kapitull të paharruar dhe të dhimbshëm në historinë e shqiptarëve të Kosovës. Kjo nuk është thjesht një datë në kalendar, por një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive të një populli që përjetoi dhunë, dëbim dhe pasiguri, por që kurrë nuk hoqi dorë nga shpresa dhe dinjiteti. Episodet që pasuan përfundimin e fushatës së spastrimit etnik ishin dëshmi e gjallë e rezistencës njerëzore, por edhe e vonesës së ndërgjegjes ndërkombëtare për të vepruar.

Një ndër simbolet më domethënëse të kësaj periudhe është Bllaca – jo vetëm si një vend gjeografik, por si një metaforë e dhimbjes, e shpërnguljes masive dhe e ndërgjegjes që lindi nga vuajtja.

Bllaca u kthye në një hapësirë të mbushur me qindra mijëra shqiptarë të dëbuar, të cilët, përballë qiellit të hapur dhe baltës së pafund, kërkonin shpëtim. Ishte një prej krizave më të mëdha humanitare në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë vend, dy botë u përplasën: realiteti i ashpër i një populli në ikje dhe ndërgjegjja ndërkombëtare që ende nuk kishte vendosur të ndërhynte me vendosmëri.

Një ndër imazhet më tronditëse të atyre ditëve ishte ai i trenit të dëbimit – një tren i gjatë që bartte turma njerëzish nga Kosova drejt Bllacës, drejt një të panjohure që për shumëkënd ishte më e tmerrshme se vetë lufta. Çdo vagon i këtij treni ishte mbushur me jetë të shpërngulura, me zëra që luteshin, me fëmijë që qanin dhe me të moshuar që nuk dinin nëse do ta shihnin më shtëpinë. Ky tren simbolikisht sot është kthyer në Tren Muzeal, për të rrëfyer me heshtjen e tij zërat që historia nuk guxon t’i harrojë.

Në sfondin e kësaj tragjedie, zgjimi i ndërgjegjes ndërkombëtare ishte i vonuar, por jetik. Bota demokratike filloi të kuptojë se përballë një gjenocidi të përmasave të tilla, mosveprimi është bashkëpërgjegjësi. Filluan të shtohen zërat në kancelaritë perëndimore që kërkonin ndërprerjen e gjenocidit dhe ofrimin e mbrojtjes për civilët. Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte thjesht një vendim politik, por një domosdoshmëri morale, një reagim që e vuri drejtësinë mbi kalkulimet diplomatike.

Për të mos lejuar që kjo e vërtetë të zbehet, projekti për ngritjen e Qendrës Memoriale “Bllaca 1999” përfaqëson një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e kujtesës historike. Ai nuk është vetëm një ndërtesë fizike apo një përmbledhje dokumentesh, por është një akt ndërgjegjeje kombëtare dhe ndërkombëtare, një sfidë ndaj harresës dhe një urë për komunikim ndërbrezor.

Në kuadër të këtij projekti, një vend të veçantë zë edhe Muri i Kujtesës, ku çdo gur përfaqëson një jetë, një histori të ndalur dhunshëm, një thirrje që nuk do të shuhet. E skalitur aty është edhe kontributi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), si dhe emrat e ideatorëve dhe drejtuesve të projektit, që me përkushtim institucional e personal kanë shërbyer si mbrojtës të së vërtetës historike. Bllaca flet – jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën. Flet përmes dhimbjes, por edhe përmes dinjitetit dhe qëndresës. Flet për nevojën që krimet kundër njerëzimit të mos mbeten vetëm në raportet zyrtare, por të njihen, të dënohen dhe të shërbejnë si mësim që të mos përsëriten.

Qendra Memoriale “Bllaca 1999”, që në përbërjen e saje ka Murin e Kujtesës dhe Trenin Muzeal, nuk janë thjesht objekte përkujtimore – ato janë dokumente të gjalla, dëshmi të një epoke që nuk guxon të harrohet. Ato janë pjesë e një diplomacie të ndërgjegjes ndërkombëtare, që e kujton botën për domosdoshmërinë e paqes, të drejtësisë dhe të ndërhyrjes kur dinjiteti njerëzor dhunohet.

Projekti “Bllaca 1999”, me të gjitha përbërësit e tij – Murin e Kujtesës, Trenin Muzeal, dëshmitë e mbledhura dhe narrativën e drejtë – është një rrëfim i fuqishëm që tejkalon kufijtë e një komuniteti apo të një shteti. Ai është një amanet për të ardhmen, një mesazh i qartë për brezat që vijnë: historia nuk është vetëm për t’u shkruar – ajo është për t’u ndjerë, për t’u ruajtur dhe për t’u nderuar. Dhe për këtë, ne do të jemi gjithmonë aty – me zemrën në të kaluarën, me mendjen në të ardhmen dhe me përkushtimin për të mos harruar kurrë.

Filed Under: Politike

SHKOLLA “BIJTË E SHQIPES” NË TRIESTE, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI

April 8, 2025 by s p

Irena Alushani themeluesja e shkollës “Bijtë e Shqipes” në Trieste – Itali rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Trieste – Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me themeluesen e shkollës shqipe “Bijtë e Shqipes” në Trieste – Itali Irena Alushani bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHKOLLA SHQIPE NË TRIESTE TË ITALISË

Shkolla Shqipe “Bijtë e Shqipes” në Trieste të Italisë është hapur për herë të parë në vitin 2012, nga një ide personale imja e transformuar në projekt arsimor dhe e paraqitur organeve zyrtare të Drejtorisë Arsimore vëndase, si profesioniste dhe me eksperiencë shumë vjeçare në arsim, me dy objektiva kryesore: Së pari, për të ushtruar profesionin tim duke ju ardhur në ndihmë fëmijëve shqiptarë në mërgim dhe familjeve shqiptare që do të dëshironin të ruanin gjuhën shqipe, këtë gjuhë hyjnore të perëndisë siç shkruan Naim Frashëri. Me historinë e saj të vecantë që të parët tanë e kanë ruajtur me aq mund e sakrifica dhe si një nga treguesit kryesor të identitetit kombëtar por edhe ruajtjen dhe trashëgimin e historisë, kulturës shqiptare dhe së dyti për integrim sa më me dinjitet dhe civilitet në realitetin e shoqërisë mikëpritëse italiane sepse shkolla është ajo që jo vetëm të pajis me dituri por edhe edukon me vlerat më të larta humane njerëzore gjithë përfshirësëse evropjane që trasmeton. Në Trieste jetojnë mbi 1800 shqiptarë, një numër i konsiderueshëm por pak të intersuar e të dëshiruar në mësimin e trasmetimin e gjuhës shqipe. Kështu me bashkëpunimin e atyre familjeve kosovare të interesuara bëra të mundur hapjen zyrtare, për herë të parë në Trieste, në shkurt 2012, të shkollës së parë shqipe dhe me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore Trieste mu vu në dispozicion një klasë në shkollën shtetërore “Guido Corsi” ku numri i nxënësve të regjistruar arriti në 20 dhe me kalimin e kohës ky numër u rrit në 50 nxënës.

PËRPJEKJET INTENSIVE PËR TË RRITUR INTERESIN E FËMIJËVE PËR GJUHËN SHQIPE

Kurrikula mësimore është ajo e hartuar dhe e udhëzuar nga Ministria e Diasporës. Bashkëpunimi me familjet është i vazhdueshëm dhe sensibilizimi gjithashtu edhe shumë i vështirë sepse familjet shqiptare, në përgjithësi e kanë humbur interesimin për mësimin dhe trasmetimin e gjuhës shqipe fëmijëve të tyre sepse “Gjuha Shqipe nuk ka çu duhet fëmijëve ngaqë nuk jetojnë në Shqipëri apo Kosovë dhe ajo që ju jep një të ardhme, një rrogë, është ajo italiane prandaj nuk kanë pse ta mësojnë gjuhën shqipe. Ju mjafton ajo dialektale, që flasin në shtëpi, nuk ka nevojë të frekuentojnë shkollën shqipe për ta mësuar atë mirë e bukur e me gramatikë sepse nuk do ju duhet më në jetë, pra është pa vlerë” – sipas mentalitetit të disave prej tyre. E shikojnë mësimin e gjuhës shqipe si një bisnes si një interes ekonomik që nuk ju vlen më, tashmë në mërgim dhe jo më si trashëgimi kulturore, historike dhe ruajtje të origjinës, të indetitetit kombëtar, të dinjitetit, krenarisë dhe në respekt të prejardhjes së tyre shqiptare të pamohueshme që pasaporta italiane, faktin që janë shqiptarë, nuk mund t’jau eliminojë dhe mohojë, sigurisht.

GJUHA SHQIPE SI DËSHMI E IDENTITETIT KOMBËTAR

Shkolla Shqipe në mërgim, mësimi i Gjuhës Shqipe dhe ruajtja e saj, jo vetëm që është forma më e lartë e ruajtjes së identitetit kombëtar por njëkohësisht është pjesëmarrja aktive e tyre dhe e drejtëpërdrejtë në trashëgiminë tonë historike –kulturore. Gjuha është peshorja dhe treguesi kryesor se sa ata duan ta ruajnë dhe ta përcjellin brez pas brezi dhe me dinjitet identitetin, origjinën e tyre. Kjo tregon edhe dashurinë e krenarinë për atdheun e tyre. Po humbe gjuhën je i humbur në të gjitha kuptimet e drejtimet por fatëkeqsisht pak e kuptojnë këtë. Asnjë popull nuk e harron dhe nuk e nënëvleftëson gjuhën e tij në mërgim por e trasmeton me besnikëri dhe krenari atë. Italianët p.sh në mërgim kanë shkollat në gjuhën e tyre dhe i frekuentojnë ato rregullisht dhe çdo ditë kurse ne kemi vështirësi ti çojmë përpara ato edhe pse mësimi zhvillohet vetëm 2 orë në javë, çdo të shtunë.

ITALIANËT MBËSHTESIN MËSIMIN SHQIP

Shoqëria, institiucionet arsimore, komunale italiane përfshirë kishat kanë qënë gjithmonë dhe janë pozitive dhe të hapur në drejtim të mbështetjes së mësimi shqip. Italianët nuk pengojnë as krijimin e shoqatave shqiptare dhe as hapjen e shkollave shqipe, përkundrazi nga eksperienca personale, projektet arsimore, janë mirëpritur dhe instiucionet më kanë mbështetur gjithmonë në dhënien e hapsirave dhe klasës ku mund ta zhvilloja mësimin apo e zhvilloj akoma sot. Personalisht e kam zhvilluar mësimin në hapsira institucionale shtetërore/publike dhe jo private dhe jam ndjerë gjithmonë e respektuar dhe e vlerësuar, për punën, seriozitetin dhe rëndësinë e projektit tim nga istitucionet arsimore lokale e krahinore. Mund tu them me siguri të plotë edhe që në shkollën italiane vet mësuesit italianë au këshillojnë familjeve shqiptare rëndësinë e ruajtjes, trasmetimit dhe të folurit të gjuhës shqipe në ambjentet familjare shqiptare edhe për faktin që fëmijët dygjuhësh dhe sidomos kur flitet për gjuhën e nënës, kanë një zhvillim të trurit dhe të inteligjencës më të lartë se ata 1 gjuhësh. Kjo e bazuar dhe e verifikuar nga studime të bëra në këtë fushë nga Universiteti Bicoça-Milano.

TEKNOLOGJIA DHE TRADICIONALJA NË MËSIMDHËNIE

Vështirësi nuk kam pasur në mësimdhënie asnjëherë përmes teknologjisë. Personalisht preferoj dhe ushtroj metoden tradicionale në mësimdhenie por kur është vërtetë e nevojshme apo e domosdoshme patjetër që e përdor teknologjinë duke e ndërthur atë pa asnjë problem. Për mua kjo nuk është priotitet por as pengesë. Mundohem ta evitoj në klasë sa më shumë të jetë e mundur përdorimin e ekzagjeruar të tyre në punën time me nxënësit. I jap më shumë rëndësi punës së dorës, shkrimit të dorës, dërrasës së zezë ,shkumësit, leximit dhe shfletimit të librave për zgjerimin e njohurive të tyre dhe krijimit të biblotekës së shkollës shqipe.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE RRIT DHE KULTIVON PATRIOTIZMIN

Mësimi i gjuhës shqipe rrit dhe kultivon patriotizmin te fëmijët. Patjetër që gjuha është shumë e rëndësishme dhe esenziale e pazëvëndësushme e vetmja rrugë që jo vetëm ruan, zhvillon ndjenjën e krenarisë, idetitetin, dinjtetin kombëtar por rrit absolutisht ndjenjën patriotike nëpërmjet studimit të historisë dhe kulturës shqiptare.

KUSH ËSHTË MËSUESE IRENA ALUSHANI ?

Kam studiuar në Universitetin e Tiranës në specialitetin Histori. Mbas mbarimit të studimeve universitare kam punuar si mësuese në Shqipëri, në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme ku më është besuar edhe roli si drejtoreshë shkolle të cilin e kam përmbushur me sukses dhe rezultate të larta. Mbas tranzicionit që kaloi vendi ynë në vitin 1997 u larguam familjarisht, me vizë të rregullt, dhe u vendosëm në Itali, ku jetoj prej 26 vitesh. Këtu ndoqa në Universitetin e Studimeve në Trieste njohjen e diplomës time universitare shqiptare dhe mora “Laurea in Scenze Storiche”, mbas një viti plus studimesh. Gjithashtu kam ndjekur edhe shumë kurse në “Qendrat e Formimit Profesional të Qarkut në Trieste” si eksperte në çështjet e integrimit dhe emigracionit dhe si Mediatore Gjuhësore -Kulturore. Kam punuar si mediatore gjuhësore dhe kulturore në shkollat e Triestes me fëmijë shqiptare dhe në ndihmë të përfshirjes së tyre sa me më pak probleme në procesin mësimor dhe të integrimit shkollor dhe njëkohësisht të familjeve në atë shoqëror. Kam punuar edhe në disa Bibloteka, kam qenë dhe jam aktive në jetën social-politike të qytetit për të dhënë kontributin tim sadopak në mbarëvajtjen sa më të mirë të problemeve në fushën e emigrazionit dhe integrimit por edhe për ngritjen lart të imazhit të Shqipërisë duke u ndalur sidomos në zhvillimin e pamohushëm dhe të prekshëm, konkret që Shqipëria ka bërë sidomos në 10 vjeçarin e fundit, 10 vjeçar ky që na ka ngritur kokën lart si shqiptarë dhe i cili ka hequr frikën e të thënit “jam shqiptar” kudo në botë duke rizgjuar ndjenjën e krenarisë kombëtare ku shqiptari sot nuk shikohet më si një njeri me “bisht”por po ecën me dinjtet drejt rrugës së bashkimit me familjen e madhe evropjane ku gjeografikisht e ka vëndin por faktikisht akoma jo. Vendi ynë e ka treguar se e meriton të jetë e barabartë mes të barabartëve, shqipëtarë me pasaportë evropiane ku edhe gjuha shqipe dhe shkolla shqipe do të ketë vlerësimin dhe vëndin që vërtetë meriton.

Filed Under: Opinion

𝐈 𝐇𝐚𝐯𝐞 𝐚 𝐃𝐫𝐞𝐚𝐦 – 𝐢𝐧 𝐦𝐞𝐦𝐨𝐫𝐢𝐚𝐦, 𝐌𝐚𝐫𝐭𝐢𝐧 𝐋𝐮𝐭𝐡𝐞𝐫 𝐊𝐢𝐧𝐠 𝐉𝐫.

April 7, 2025 by s p

𝑴𝒆̈𝒔𝒊𝒎𝒆 𝒂𝒎𝒆𝒓𝒊𝒌𝒂𝒏𝒆 𝒏𝒈𝒂 𝑫𝒓. 𝑩𝒍𝒆𝒅𝒂𝒓 𝑲𝒖𝒓𝒕𝒊

(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)

Më 4 prill 1968 u vra Martin Luther King Jr, emblema e njeriut të përkushtuar në mbrojtje të drejtave civile në SHBA. King u qëllua me armë nga James Earl Ray por prej dekadash ai atentat u konsiderua si komplot, për këtë arsye më 23 janar 2025, Presidenti Donald Trump nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv që deklasifikon informacionin dhe të dhënat në lidhje me këte vrasje.

Përpos rolit të jashtëzakonshëm që King luajti në mbrotjen e të drejtave civile ai ka hyrë në histori edhe për fjalimin e tij sublim “Unë kam një ëndërr” (I Have a Dream) një fjalim publik që u mbajt prej tij gjatë marshimit në Washington D.C. Në fjalimin e tij King bëri thirrje për të drejtat civile dhe ekonomike dhe për t’i dhënë fund racizmit në Shtetet e Bashkuara. Fjalimi u mbajt përpara mbi 250,000 njerëzve nga shkallët e Memorialit të Lincoln-it në kryeqytetin amerikan. Fjalimi shënoi një nga momentet më të rëndësishme të lëvizjes për të drejtat civile dhe mbetet një ndër fjalimet më ikonike në historinë amerikane.

“Le të mos zhytemi në luginën e dëshpërimit. Edhe pse përballemi me vështirësitë e së sotmes dhe të së nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane. Unë kam një ëndërr që një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.

Unë kam një ëndërr që një ditë çdo luginë do të lartësohet, çdo kodër dhe mal do të sheshohet, vendet e thepisura do të bëhen të rrafshnalta dhe vendet e shtrembërta do të drejtohen dhe lavdia e Zotit do të shfaqet dhe çdo mish do ta shohë së bashku atë lavdi.

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi ynë. Me këtë besim, ne do të jemi në gjendje të nxjerrim nga mali i dëshpërimit një gur shprese. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje t’i shndërrojmë mosmarrëveshjet rrëqethëse të kombit tonë në një simfoni të bukur vëllazërie. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, të lutemi së bashku, të luftojmë së bashku, të vuajmë së bashku, të ngrihemi së bashku për lirinë, duke e ditur se një ditë ne do të jemi të lirë.”

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT