• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Krenari kombëtare!

April 2, 2025 by s p

Shkruan: Robert NUHA/

Prezantimi i shfaqjes “Pas Luftës, Kush jemi Ne?!”, në Théâtre du Gymnase Marie Bell, në Paris, më, 24.03.2025, dhe në Claridge Events në Bruksel, më, 26.03.2025. Një eksperiencë e paharrueshme me një Shfaqje artistike, dedikuar historisë sonë të lavdishme dhe të dhimbshme, në shenjë falënderimi për miqtë tanë ndërkombëtarë, e në veçanti për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ju bënë krah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, na e bënë lirinë realitet, pas më shumë se Një Shekull robërie.

Një ndërmarrje e tillë artistike do të duhej të përkrahej nga shteti, sepse, përveç temës që shfaqja mbartë, ajo gjithashtu prezanton kualitetet më të larta artistike, figurat e artistët ndër më të rëndësishmit në vend. Format skenik jo i shpeshtë dhe sigurisht lojë artistike që po lë mbresa të jashtëzakonshme kudo që po shfaqet. Një iniciativë e tillë, krejt personale e Prof. Nusret Pllanës, do të duhej të merrte vëmendjen e duhur institucionale dhe, jo ti mbetej kohës, e pesha edhe financiare, ta rëndoj një person të vetëm.

Gjithsesi, ne, me gjithë vështirësitë që kishim, kaluam çaste të paharrueshme dhe u prezantuam në formën më të dinjitetshme artistike.

Sigurisht, kjo është meritë e ekipës së punës, dhe një trupë prej 35 personash, të cilët u bëmë bashkë, që të prezantohemi në dy qendrat Europiane të Artit.

Krenari kombëtare, sepse dëshmia më e fuqishme e zhanrit dans teatër, e cila komunikon shqip dhe thërret me gjuhën universale, duke komunikuar nëpërmjet gërshetimit të arteve në modalitietet më origjinale, të ardhura në skenë nga puna e palodhshme, nga eksplorimi në laboratoret artistike e të gjithë artistëve pjesëmarrës, u paraqit dinjitetshëm para Europës, për ti hapur rrugë udhëtimeve tjera, si në; Gjermani, New York, Detroit e Dallas, për të cilat kësaj radhe shpresoj që institucionet kompetente të Republikës së Kosovës ta marrin seriozisht detyrën që ato kanë përballë nesh!

Të prezantosh një shfaqje të tillë, dans teatër, me komponim muzikor të interpretuar ‘live’, e cila është ndërtuar në formë të tillë sa ka depërtuar në çdo qelizë të interpretëve duke u bërë kështu Njësh, me konceptin total të shfaqjes, është mburrje për një punë kolosale të mjeshtrit Trimor Dhomi.

Ndaj, shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin dhe secilën, që bënë të mundur këtë udhëtim dhe prezantim me karakter kombëtar e në veçanti z.Hazis Vardar , Nexhmedin Demiri dhe Muzafer Demiri, për mbështetjen që na keni ofruar, pa kushte, por me deshirën që ne të dalim sa më të suksesshëm, edhe në Paris e Bruksel, siç edhe dolëm, duke u duartrokitur një kohë të gjatë nga të pranishmit, në mesin e të cilëve, përveç kurbetçarëve tanë të shumtë, miqëve tanë francez e belgë, ishin prezent edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Paris, z. Mehdi Halimi, ndërkaq në Bruksel, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Ferit Hoxha dhe Konsulli i Republikës së Kosovës, z. Miftar Kryeziu. Artistë dhe Artiste të shfaqjes , që tashmë është mburrja ime më e madhe, ju Faleminderit për çdo gjë, për cdo ditë, për çdo pjesë shpirtërore që e mishëruat në rolet dhe punët tuaja!

Jam krenar me të gjithë Ju!

Filed Under: ESSE

Taktika e luftimeve të kryengritjeve shqiptare

April 2, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Taktika si nga forma dhe përmbajtja ishte orgjinale e mbështetur kryesisht në tabanin kombëtar dhe në përvojën luftarake shekullore. Taktika e kryengritjeve arriti zhvillimin më të madh në krahasim me të gjtiha format e përdorura më parë në luftën e armatosur të popullit shqiptar kundër sundimit otoman. Në kompleksitetin e veprimtarisë luftarake në këto kryengritje u shfaqën forma të larmishme luftimi mësymës dhe mbrojtës. Luftimi mësymës u zhvillua në vitet 1910-1911 dhe thujase gjatë gjithë periudhës së kryengritjes së përgjithshme në vitin 1912. Tipari i përgjithshëm i mësymjes ishte se ato fillonin nga rajone fshatare e zona malore dhe drejtoheshin mbi forcat turke në qytete dhe zona të ulta. Si rregull, pas dhënies së sinjalit ose lajmërimit disa çeta dhe grupe niseshin për luftë. Në rrugë e sipër ato bashkoheshin, ndanin e përcaktonin detyrat, i afroheshin objektivit dhe pastaj në kordinim me njera-tjetrën hidheshin në sulm. Pas kësaj në ndihmë të tyre shkonin dhe vullnetarë të tjerë të rrethinës së qytetit ose çeta e grupe krahinash të afërta. Si rrjedhojë e shpejtësisë, befasisë, shtimit gradual të forcave dhe sulmeve të shpeshta ato në shumë raste i detyruan forcat turke të tërhiqen.

Në prill të vitit 1910 grupet luftarake të kryengritësve kosovarë, fillimisht të përbëra nga disa qindra luftëtarë u nisën nga rajonet rreth qyteteve të Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës dhe brenda pak ditësh me rreth 30.000 luftëtarë krijuan epërsi numerike ndaj forcave turke. Në saj të manovrës, shfrytëzimit të terrenit dhe epërsisë në raportin e forcave u çliruan disa nga qytetet dhe u rrethuan plotësisht forcat e mëdha turke brenda qyteteve të tjerë.

Në vitin 1911 mësymja dhe sulmet e kryengritësve të Malësisë së Madhe patën zhvillime tepër të shpejtë, ishin të befasishëm, lëvizja e forcave u bë natën dhe fillimisht në më pak forca se ato të armikut që ishte objekt i mësymjes së tyre. Sulmet filluan natën në 24 mars nga një çetë prej 10 luftëtarë që kishte shtatë pushkë kundër postës turke që kishte 30 ushtarë. Në këtë ditë u hodh në sulm dhe një çetë tjetër po kaq e vogël, ndërsa deri në mbrëmje, numëri i luftëtarëve të këtyre çetave arriti në rreth 100 luftëtarë. Në mëngjezin e 26 marsit ishin formuar shumë çeta me rreth 800 luftëtarë, të cilët sulmuan të gjitha postat kufitare dhe repartet turke. Në kuadrin e këtyre sulmeve pak malësorë sulmuan natën afërsisht 350 ushtarë turq në fortifikatat e Malit të Deçiçit dhe u shkaktuan dëme të rënda e i detyruan të tërhiqen prej andej. Mbi bazën e sukseseve të sulmeve të para dhe të epërsisë numerike që arritën kryengritësit e Malësisë së Madhe formuan dy grupe të mëdha më 1.000 luftëtarë secili dhe zhvilluan mësymje prej Hotit e Grudës në drejtim të Tuzit e Krajës dhe prej Kastratit të Sipërm e Shkrelit drejt Koplikut. Ndërkaq në drejtimin e Vermosh-Selcë u kalua në mbrojtje ndaj forcave të shumta turke, afërsisht një divizion, të ardhura prej Rrafshit të Dukagjinit. Pasi çliruan rajonet e mësipërme u planëzua mësymja në drejtim të qytetit të Shkodrës.

Në vitin 1912 kryengritja e përgjithshme në pikëpamje të vijimësisë, të përmasave dhe të përgatitjes e organizimit të luftimeve u shndërrua në mësymje të përgjithshme. Ndonëse u zhvillua jo si një proces i pandërprerë dhe jo me një front të vetëm, por me rajone pak a shumë larg njeri-tjetrit, ajo përfshiu gjithë Shqipërinë, prej Kosovës deri në Çamëri. Qëllimi i saj ishte të dëmtonte rëndë dhe të thyente përfundimisht forcat turke. Në Kosovë mësymja filloi në maj me dy grupe prej 5.000 luftëtarë, rreth qyteteve të Gjakovës dhe të Pejës, kurse në korrik ajo u zhvillua nga tre grupime të mëdha. Grupimi nën drejtimin e Bajram Currit që mësynte në drejtimin Tropojë-Gjakovë-Drenicë-Prishtinë; grupimi nën drejtimin e Isa Buletinit në drejtimin Novipazar-Mitrovicë-Prishtinë, si dhe grupimi nën drejtimin e Idriz Seferit i cili pasi mbuloi e siguroi me në pjesë forcash mbrojtjen e Grykave të Kaçanikut e Caralevës, Bujanovës etj., me pjesën tjetër të forcave vijoi mësymjen drejt Prishtinës dhe Shkupit. Gjatë mësymjes u arrit bashkëveprim i mirë.

Për çlirimin e qyteteve kryesore të Kosovës (Prishtinë, Prizren, Mitrovic, Shkup etj) mësymja u zhvillua bashkëqendrore me manovra të shumta. Kjo ndikoi dhe në Shqipërinë e Mesme sidomos në luftën kundër forcave turke në rajonet e Lezhës, Krujës, Durrësit e Elbasanit, në Shqipërinë e Jugut, sidomos në rajonin e Korçës, të Vlorës e Fierit. Kryengritësit zhvilluan pa ndonjë mbështetje të rëndësishme me artileri lëvizjet për afrim dhe manovrat bëheshin në kolona e natën. Formacioni i luftimit në mësymje përbëhej nga çetat dhe grupet të vendosura në një vijë dhe kur forcat ishin të shumta, u krijuan dhe rezerva taktike.

Zhvillimi i luftimeve mbrojtëse

Luftimet mbrojtëse patën karakter të qëndrueshëm dhe aktivitet të madh. Mbrojtja në këto kryengritje synoi të ndalonte përparimin e armikut, ta dëmtonte rëndë atë, madje dhe ta azgjësonte. Në përshtatje me qëllim, ajo u organizua me forca të mëdha, u shfrytëzua me mjeshtëri terreni, u përdor mashtrimi i armikut, futja e tij në kurth etj. Kështu në vitin 1910 për të penguar futjen e grupimit kryesor turk nën komandën e gjeneralit turk Shefqet Turgut Pashës, u angazhuan në mbrojtje afërsisht 10.000 kryengritës, prej tyre 5.000-6.000 të grupimit të drejtuar nga Idriz Seferi, 2.000 kryengrites nga Isa Buletini dhe 2.000 të tjerë nga Hasan Budakovës. Duke filluar nga 24 prilli grupet e mësipërme zunë përkatësisht grykën e Kaçanikut, Caralevës dhe të Jezercës. Ideja e luftimit mbrojtës të tyre ishte që të dëmtonin rëndë dhe të detyronin të tërhiqej grupimi turk i Shefqet Turgut Pashës prej 16.000 vetë që u vendos në Ferizaj, ose dhe ta azgjësonin. Për azgjësimin e tij kryengritësit planëzuan dhe ardhjen e mëse 10.000 luftëtarë të tjerë nga Dibra, Luma dhe Rrafshi i Dukagjinit. 6.000 dibranë dhe lumjanë të mashtruar nga një tradhëtar u kthyen pa arritur në rajonin e mësipërm, ndërsa nga Rrafshi i Dukagjinit u grumbulluan forca, por dhe ato nuk shkuan në kohë, kështu kryengritësit që ishin organizuar për luftim rreth Ferizaj, zhvilluan fillimisht luftime mbrojtëse aktive dhe më pas luftime mbrojtëse manovrues. Në tërësi organizimi i mbrojtjes dhe manovrat e kryengritësve iu përmbajtën idesë për të futur armikun në kurth. Grupimi më i madh i kryengritësve, ai i Moravës që drejtohej nga Idriz Seferi i filloi luftimet i pari.

Një mashtrim i goditur me anë të zjarreve të shumtë që ndizeshin natën në malet në veri të Ferizajt, bëri që komanda turke të besojë se forcat shqiptare ishin në atë krah, ndërkohë që ato u hodhën në mësymje e kapën grykën e Kaçanikut, ku organizuan mbrojtjen. Ky grupim përballoi mësymjen e dyanshme të forcave turke: 16.000 prej Ferizaj dhe rreth 3.000 prej Shkupit dhe zhvilloi shumë luftime të përgjakshme në formë prita, sulme e goditje të pandërprera ditën dhe natën. Më pas u përhap në Malësinë e Moravës e Kaçanikut me grupe të vogla prej 150-200 luftëtarë dhe zhvilloi shumë luftime mbrojtëse e manovruese. Luftime mbrojtëse aktive zhvilluan dhe dy grupimet e tjerë, i Isa Buletinit dhe Hasan Budakovës kundër mëse 20.000 trupave turke. Pas thyerjes së forcave kryesore qëndresa e kryengritësve vazhdoi e shkëputur me grupe të vogla, por e ashpër në dy drejtimet e mësymjes së forcave turke, atij të Rrafshit të Dukagjinit-Malësia e Tropojës-Nikaj Mërtur dhe atij Prizëren-Lumë-Dibër. Luftime të ashpra u zhvilluan në Qafën e Morinës, në Qafën e Kolçit, në Reç e Dradh, në Qafën e Agrit, ku 250-300 malësorë të Nikaj-Mërturit, Shalës e Shoshit mbajtën për mëse dy javë të gozhduar një njësi turke prej 3.000 ushtarë deri sa i detyruan ata të kthehen prapa e të tërhiqen për në Gjakovë. Në tërësi në vitin 1910, kryengritësit e organizuan mbrojtjen në vija përballë frontit të mësymjes së forcave turke. Duke u tërhequr ata zinin vija më prapa duke i dhënë asaj thellësi.

Në vitin 1911 luftimet mbrojtëse të Malësisë së Madhe patën karakter të qëndrueshëm dhe veprues. Si rregull kryengritësit mbronin të gjitha drejtimet e kalueshme që çonin thellë në malësi duke i dhënë mbrojtjes formë rrethore. Vija e parë e mbrojtjes së tyre kalonte prej Tuzit, në Helm, gjatë bregut lindor të liqenit të Shkodrës, gjatë përroit të Thatë-Koplik dhe përpara Vermoshit. Në pamundësi që të zinin të gjithë këtë vijë, kryengritësit u mbështetën në përqëndrimin me grupe secili prej disa qindra luftëtarë në pika të caktuara si Deçiç, Dinosh-Millesh, Brizha, Bajzë, Vukëpalaj, Koplik, Selcë etj. Me dukjen e armikut në një drejtim, një ose disa grupe së bashku zinin një vijë mbrojtjeje të caktuar ose hidheshin menjëherë në kundërsulm dhe i vinin përpara forcat armike. Luftimet më të përgjakshme u bënë sidomos për malin e Deçiçit, ku zakonisht 200 luftëtarë dhe vetëm në raste të rralla arritën në 500-600, përballonin dhe thyenin sulmet e njëpasnjëshme të disa batalioneve turke. Gjatë luftimeve në vijën e parë të mbrojtjes, kryengritësit thyen disa herë dhe përpjekjet për zbarkim të reparteve të veçuara turke të ardhura nëpërmjet liqenit.

Kundërsulmet e goditjet e befasishme ditën e veçanërisht natën, kryengritësit dhanë pasi forcat turke u futën në rajonin e Hotit të Sipërm, thellë në Kastrat Shkrel e Selcë. Gjatë organizimit të luftimeve mbrojtëse, kryengritësit shfrytëzuan mirë terrenin si në pikëpamje të ruajtjes së forcave të veta, por edhe për të dëmtuar sa më rëndë e për të thyer armikun. Në Kaçanik-Caralevë dhe Jezercë, pozicionet e mbrojtjes së kryengritësve ishin në lartësi zotëruese ndaj rajoneve të mësymjes së forcave turke. Pozicionet e tyre ishin në pyje të fshehta e të maskuara. Kështu në Qafën e Morinës, Qafën e Kaloshit e të Kolosianit, kryengritësit ishin në pika më dominuese se armiku. Në Qafën e Agrit, në Selcë, Kastrat të Sipërm ata zunë shtigjet e vetme në kreshtat malore e shkëmbore ku ishin të detyruara të kalonin forcat turke.

Në saj të shfrytëzimit me mjeshtëri të vetive të terrenit malor të thyer, të maskuar, të pyllëzuar etj., kryengritësit e vunë armikun thuajse gjithnjë përpara të papriturave. Oficerë turq, pjesëmarrës në shtypjen e kryengritjes të vitit 1910 pohonin: “… ajo që ngjau atje ishte e tmerrshme. Trupat luftojnë kundër një armiku të padukshëm, të pakapshëm, ata shtinin nga prapa pemëve, prapa shkëmbinjëve, ushtarët tanë binin të vrarë. Ushtria jonë qëllon në tym. Kryengritësit nuk i shohim, numërin e tyre nuk e dimë… kishim të bënim me një armik që duket në një pikë, sulmon, pastaj zhduket për të dalë në një pikë tjetër…”. Në saj të qëndrueshmërisë dhe aktivitetit të madh që arriti luftimi mbrojtës në vitet 1910 e 1911, kryengritësit mjaft nga luftimet i përfunduan me ndeshje trup me trup. Kështu gjatë betejës së Kaçanikut më 1910 u zhvilluan luftime trup me trup në disa pika e secili prej tyre vazhdoi për disa orë rresht.

Formacioni i luftimit të kryengritësve për mbrojtje i përmbahej idesë për ta bërë mbrojtjen sa më të qëndrueshme dhe sa më dëmtuese për armikun. Forcat përgjithësisht vendoseshin në një vijë e mbanin rezervë. Në krahë dhe më përpara tyre vepronin çeta në formën e nënreparteve të sigurimit. Gjatë zhvillimit të luftimit, formacioni bëhej shumë elastik dhe pranonte ndryshime. Njësitë e dedashmentet e ndryshme manovronin sa në një krah në tjetrin nga thellësia në front e anasjelltas, zëvendësonin njeri tjetrin etj. Pasi thyheshin në një vijë kryengritësit në tërësi përhapeshin ose shpërndaheshin, tërhiqeshin me urdhër e të organizuar me grupe, duke e bërë kështu të pamundur ndjekjen nga ana e armikut. Në një dokument thuhet: “duke parë këmbënguljen me të cilën mbronin pozicionet kryengritësit, trupat turke u detyruan të përdornin artilerinë. Atëherë mbi kryengritësit ra një shi i vërtetë predhash. Këta, dhe kjo është një hollësi e çuditshme, nuk iknin në mënyrë të çrregullt, por u tërhoqën progresivisht, duke u mbrojtur me të shtëna pushkësh”. Gjatë kryengritjeve pati përpjekje dhe për koordinimin e veprimeve mësymëse të malësorëve me forcat popullore të qyteteve që mbaheshin nga forcat turke. Lufta e armatosur e popullit tonë gjatë kryengritjeve të mëdha 1910-1912, për nga fuqia dhe mjeshtëria shënoi shkallën më të lartë në krahasim me etapa e mëparshme. Këto përmbajnë vlera të artit ushtarak orgjinal shqiptar, dukuri dhe karakteristika që herë pas here ja vlen që t’u shkohet në thellësi të elementeve cilësorë të tyre.

Filed Under: Histori

PËRPJEKJET E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI PËR ARSIM KOMBËTAR NË FUND TË SHEKULLIT XIX DHE NË FILLIM TË SHEKULLIT XX

April 2, 2025 by s p

Avzi MUSTAFA

Pjesa I

Perandoria Osmane me reformat e Tanzimatit kishte deklaruar se të gjitha kombësive do t’u lejohet lirisht të ushtronin gjuhët e tyre në institucionet arsimore dhe fetare  me përjashtim të shqiptarëve. Banorët e truallit shqiptar thirreshin  turq, arnautë, kaurrë, latinë; por kurrë me emrin e tyre të vërtetë. Këtu gjithsesi duhet të shtohet se shqiptarët nuk patën edhe një administratë të përbashkët, por qenë të shpërndarë nëpër vilajete të ndryshme. I vetmi faktor pa dallim feje e krahine, që i bashkonte shqiptarët, ishte vetëm gjuha shqipe. 

Sulltanati, edhe pse proklamonte reforma, ajo mbështeste parimin teokratik, ku fesë i jepte përparësi ndaj kombit. Ajo me reformat që bënte vazhdimisht kërkonte që në të gjitha vendet e pushtuara të hapte shkolla  fetare, që të përgatisin kuadër fetar, gjegjësisht hoxhallarë. Këtë e vërejmë në bazë të statistikave ku vetëm në Vilajetin e Manastirit funksionon 29  medrese e tre gjimnaze turke.

Nga ana tjetër, Porta u lejonte shteteve fqinje që të hapnin edhe në tokën arbërore shkolla të huaja, si ato greke, bullgare, serbe. Ashtu siç do të shkruajë gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit se: ”Me anë të atyre gjuhëzave nuk do të mundim kurrë ndonjëherë të mësojmë të vërtetën, kurrë ndonjëherë nuk do të mundim të mësojmë historinë e vendit tonë edhe të stërgjyshave tanë. Edhe kur ndonjëherë do të mundim të mendohemi shqiptarisht për punërat tona.”

Me urdhër të Gjylhanes në Stamboll, u formua një Komision i përkohshëm për arsim, që më vonë u kthye në Këshill për arsim politik, i cili kishte për qëllim që të hartojë plan e programe për shkollat laike. Ata   parapanë të hapnin shkolla në çdo mëhallë apo fshat që do të ketë një shkollë fillore mejtep, kurse  në qytet ku ka 500 shtëpi duhet të ketë një shkollë të lartë fillore, të quajtur ruzhdije. Aty ku ka mbi 1000 frymë të hapnin shkollë idadije, ndërsa  në qytetet e  mëdha – medrese. Shkolla të larta dhe fakultete mund të hapeshin vetëm në Stamboll.

Në bazë të Sallmanes së vitit 1874, medrese ka pasur në Shkup – 8, në Kumanovë – 8, në Tetovë – 5, në Gostivar – 2, në Prilep 1, Idadije ka pasur dy: në Shkup dhe Manastir që datojnë që viti 1885. Ruzhdije ka pasur në Ohër dhe Strugë.  

Në tokat shqiptare nuk kishte vetëm shkolla që hapeshin nga perandoria Osmane, po hapeshin edhe shkolla greke, serbe dhe bullgare,  sepse dekreti perandorak Osman i quajtur HATTI-HUMAIUN ua lejonte.

Vice konsulli rus në Manastir njofton se në Manastir dhe në disa fshatra, si në: Tërnovë, Magarevë, Gopesh, Mallovishtë e Bukovë kanë funkcionuar  6 shkolla greke.  Në vitet 70- të shekullit XIX shkolla greke u hapën edhe në Ohër dhe Veles.

Me lejen e sulltanatit u formua ekzarkia Bullgare. Kjo ekzarki iu kundërvu politikës agresive të priftërinjve grekë. Ajo hapi shumë shkolla  e kisha ortodokse dhe pa marrë parasysh kombësinë e popullatës, ata të gjithë i quanin bullgarë. Këta Në kishat filloi që Meshën e mbanin në gjuhën bullgare, ndërsa më vonë hapën edhe shkolla publike në bullgarisht. Veprimtarinë e saj e përhapi edhe në vendbanimet ku shumica e banorëve ishin shqiptarë. Shkolla të tilla u hapën në Shkup, Kumanovë, Veles, Manastir, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Rekë e Epërme ku popullata ishte kryesisht shqipfolëse.

    Po të njëjtën politikë asimiluese udhëhiqte edhe Serbia. Aktivitetin e saj në territorin e Maqedonisë e ushtronte me formimin e organizatës vëllazërore serbe “Sveti Sava”. Gjithsej u hapën 49 shkolla, së pari në Ohër, Veles, Dibër, Gostivar, Tetovë, Kërçovë dhe më vonë edhe në disa fshatra shqiptare, si në: Premkë, Shutovë, Zajaz, duke dërguar mësues të cilët dinë të flasin mirë gjuhën arnaute.

Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar se pa emancipim kulturor nuk ka as vetëdije kombëtare, kështu që ata morën një sërë aktivitetesh, ku si synim kryesor kishin që karakteri politik të jetë i drejtuar në zhvillimin e arsimit dhe të shkollës kombëtare.

Ky zgjim kombëtar, edhe pse me vështirësi depërtonte në masat e gjëra, por ajo që i bashkonte të gjithë pa dallim feje e krahine ishte gjuha shqipe.

Rol të rëndësishëm luajtën shoqëritë e shumta që vepronin nëpër vende të ndryshme të botës. Këta nuk kursyen as djersën as edhe jetën për t’i drejtuar shqiptarët në rrugë të drejtë. Ata ishin të bindur se vetëm nëpërmjet arsimit dhe shkollës në gjuhën amtare do të mund të dilet nga skëterra e injorancës.

Sulltanati mohonte kombësinë shqiptare dhe me këmbëngulje dhe në çdo mënyrë përpiqej të fuste po përçarje fetare e krahinore te shqiptarët. Duke u mbështetur në ideologjinë fetare islame,  nuk çante kokën për shkollat në gjuhën amtare shqipe, por vazhdonte që të hapte edhe më tej shkolla turko-arabe.

Për zhvillimit e arsimit dhe të shkollës shqipe ndihmesë të madhe kanë dhënë klerikët shqiptarë të besimit katolik. Njëri që dha kontribut të madh është Matej Krasniqi, që në fillim të shekullit XIX në Shkup hapi një shkollë,  ku mësimet fetare së pari i shpjegonte në gjuhën shqipe e pastaj në gjuhën latine. Arsyetimi i këtij mësuesi të fesë ishte se nxënësit   që e ndjekin shkollën nuk e kuptojnë gjuhën latine dhe se së pari ua shpjegojmë në gjuhën amtare e pastaj edhe në gjuhën latine. Ky ishte edhe arsyetimi para autoriteteve të kishës e të pushtetit. Në këtë shkollë më 1835 për mësues vjen monarku unijat, Pavle Horvat. Ky monark nuk vjen nga Manastiri i Hilendarit, por nga Manastiri i Jovanit Mbigur. Me hapjen e kësaj shkolle për herë të parë kemi ndarjen e shkollave kishtare greke dhe hapjen e një shkolle kishtare në gjuhët amtare, ku për nxënësit shqiptar kishte përpjekje në kishë të përdoret  edhe  gjuha shqipe, sepse e njihte mirë të folmen e Dibrës. 

Në Maqedoni përveç popullatës së besimit mysliman, apo siç i quanin të huajit muhamedanët, jetonin edhe një pjesë e popullatës shqiptare të besimit ortodoks , që përfshin një rajon bukur të madh që quhet Reka e Epërme që i takonte sanxhakut të Dibrës.

Rol të rëndësishëm luajtën kishat që u ndërtuan me vetëkontribut të fshatarëve dhe me ndihmën e komunave kishtare, e sidomos me kontributin e madh të qehasë Gjorgje Kokale.

Brenda 10-15 vitesh, gjegjësisht prej vitit 1831-1845 do të ndërtohen 7 kisha në Rekën e Epërme ku sipas dëshmive në të gjitha kishat liturgjia deri në vitin 1840 zhvillohej në gjuhën shqipe.

Çështja e arsimit dhe shkollës shqipe hovin më të madh e mori pas Lidhjes së Prizrenit. Sipas një enciklopedie serbo-kroate-sllovene, libri II, në faqen 650  thuhet: “Lufta e Shqiptarëve  ishte pikërisht rezultat i asaj që kur Turqia dëshironte që shqiptarëve t’ju imponojë alfabetin turk, dhe për të penguar këtë ai  ngriti shumë kazerma xhandarmerie në vendet me popullatë shqiptare, hapte  shkolla turke dhe në fund bëri edhe çarmatimin e tyre”.

Pas shtypjes me dhunë të Lidhjes së Prizrenit, Osmanët shtuan edhe më tej brutalitetin e dhunën ushtarake. Organizuan një numër  hoxhallarësh që të ndikojnë në vetëdijen e popullatës që ta lidhnin ngushtë fatin e shqiptarëve myslimanë me Perandorinë Osmane.

Për një kohë të shkurtër, në emër të reformave shtetërore që bënte hapi shkolla anembanë shqiptarisë me karakter ideologjik fetar.

 Nga ana tjetër, patriotët shqiptarë nuk u ndalën edhe përkundër represioneve që bënte pushteti i atëhershëm, duke u  organizuar në klube e shoqata  dhe me idenë dhe besimin e madh do të ndikojë që shqiptarët ta kuptojnë ideologjinë e Perandorisë Osmane.

Në zgjimin e ndjenjave kombëtare në masat e gjera nga të gjithë patriotët  u përdor motoja se ky zgjim nuk arrihet me pushkë e luftë, por me dituri, shkolla, me libra në gjuhën amtare.

  Në këtë kuptim,  në nëntor të vitit 1898 në Bukuresht u mbajt një Kongres Kombëtar kushtuar problemit të shkollës shqipe, ku i madhi Faik Konica me një fjalim patetik do të deklarojë se  “Shqiptarët si një komb i vjetër plot fuqi e gjallim, të kenë shkollat e tyre, të shkruajnë e të këndojnë e të ndriçohen me gjuhën e vet.”

Patriotët shqiptarë, e sidomos atdhetarët që punonin në përhapjen e shkollave dhe arsimit kombëtar, u shpërndanë në çdo krahinë të vendit për të vepruar sa më mirë dhe bindshëm në masat e gjera popullore shqiptare, siç ishte Konstantin Kristoforidhi e Hasan Ceka për Elbasanin, Dervish Hima, Said Najdeni e Hamdi Ohëri për Shqipërinë e Mesme dhe Lindore, duke vepruar edhe në  rajonet e tjera, si në Ohër, Strugë, Dibër e Rekë, Tetovë,  Kërçovë e gjetiu për të hapur shkolla shqipe e për të shpërndarë libra mësimorë.  

Ndihmesë të madhe në këtë drejtim dhanë përfaqësuesit e “Shoqërisë Biblike Britanike” që ishte e vendosur në Manastir.

Patriotët shqiptarë e dinin fare mirë se çdo të thotë të hapësh shkollë në gjuhë shqipe, se vetëm me to mund të çrrënjosen propagandat e shumta asimiluese ndër shqiptarët. Patriotët shqiptarë shkonin qytet më qytet, bile edhe në fshatrat më të thellë për përhapjen e shkrim- leximit në gjuhën shqipe. 

Kërkesat për shkollë shqipe autoritet osmane i dëgjonin çdo ditë nga të gjitha vilajetet shqiptare, pa dallim besimi fetar. Kështu, në vitet  1897 shqiptarët nga Vilajeti i Manastirit i kishin kërkuar valiut të Manastirit për të lejuar bile të paktën që gjuha shqipe të mësohej në shkollat turke-arabe.  Kërkesat e shqiptarëve nuk i përmbusheshin, bile kur shihnin ndonjë kërkesë për shkollë në gjuhën shqipe nënshkruar nga ndonjë që mbante emër myslimanë, ata i quante shejtanë, të pafe, kaurrë.

Mësimi i gjuhës shqipe filloi të organizohej fshehurazi. Njëri që ndërmori një hap të tillë, diku aty kah viti 1885 ishte Gjerasim Qiriazi, që  kishte hapur një shkollë private shqipe në Manastir për djem dhe vajza. 

Më 1895 një shkollë shqipe u hap në Ohër nga Hamdi bej Ohëri. Pas një kohe të shkurtër këtë pishtar të arsimit shqip osmanët e burgosin në burgun e Manastirit. Po ky nuk ndenji rehat as edhe në burg: të burgosurve ua mësonte shkrim-leximin shqip. Pas daljes nga burgu ai bashkë me të shoqen Zejnepe Qokun, më 1899 hapin në shtëpinë e tyre përsëri shkollën për djem dhe vajza në Ohër. Më 1903 përsëri e burgosin, me akuzën se “merret me punë të ndyta”, por tani e dërgojnë në vuajtje dënimi në Anadoll, në Diar Baker. 

Aktiviteti për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe u përhap edhe në Dibër dhe në Rekën e Epërme. Një shkollë të tillë e hapi Said Najdeni (Hoxhë Voka), më vitin 1888 në Dibër, që llogaritet si shkolla e parë laike në gjuhën shqipe. Kur e diktojnë organet e pushtetit atë e mbyllin, por rihapet  më 1893 dhe më 1900. Kjo shkollë punonte me abetare të adaptuar në gegërisht nga vetë mësuesi.

Vullneti i atdhetarëve çdo ditë e më tepër po fitonte elanin për të vazhduar misionin. Tani haptazi do të ngrenë zërin për gjuhën dhe shkollën shqipe. Hapja e shkollës së Korçës ishte arritje shumë e madhe arsimore, kulturore e kombëtare për gjithë shqiptarët, duke dhënë edhe porosinë se me bashkëpunim dhe me besë e me shqiptari nuk ka kush mund t’i ndalojë në realizimin e planave për të mbrojtur shqiptarët dhe për t’i ndërgjegjësuar e për të ruajtur kombësinë, të cilës pa shkollë dhe arsim i kanosej asimilimi.

Më 6 janar 1899 patriotët dibranë hartuan një “Kërkesë për hapjen e shkollave shqipe dhe iu drejtuan sulltanit duke treguar se “…Në Dibër flitet vetëm shqip dhe fëmijët e vendit nuk kanë pasur mundësi të marrin mësim legalisht dhe të ushtrojnë gjuhën amtare, zemrat tona janë mbushur me hidhërim të thellë. Por në qoftë se lejohet hapja e një shkolle me shqipen si gjuhë mësimi dmth, në gjuhën tonë amtare.” 

Në këtë hulli, shqiptarët e Bukureshtit ishin angazhuar që të hapnin shkolla shqipe dhe t’u siguronin abetare që edhe priftërinjtë shqiptarë që shërbenin në kishat greke, bullgare e serbe të hapnin edhe klasa të veçanta për mësimin e gjuhës shqipe. Një numër i madh i Rekasve që punonin në Ruamani kishin bindur priftin Olimbia Savo që në kishën e Vërbenit më 1899 të hapë një shkollë ku do të mësoheshin shkronjat shqipe. Për këtë shkollë, Peter Elezi do të sigurojë një mendim të vlefshëm nga një rekas ku thotë: “Katundi i ynë dhe e tanë Reka e Epërme ka qenë mendue shumë që të bëhesh ky vend Albani. Ka qenë edhe një mësues nga ky katund, që ka qenë mundue  me e përhap mësimin e gjuhës Shqipe, por asht largue nga katundi i ynë… ka pas marrëveshje me Xheladin Seferin që të hapeshin shkolla Shqipe...”

Filed Under: Opinion

Simboli i luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, Indrit CARA – “Ushtar Kavaja”

April 1, 2025 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Nga sot, sheshi në qendër të qyteti të Kavajës bëhet më i bukur, më domethënës dhe më simbolik, tashmë aty qëndron krenare shtatorja e Indrit CARËS – “Ushtar Kavaja”, birit hero të Kavajës!

Luftëtar i UÇK-së, “Hero i Kosovës”, bir i Kavajës, Shqipërisë dhe Dardanisë, ai dha jetën për liri dhe bashkim kombëtar dhe do të mbetet përjetësishtë simbol i krenarisë së Kavajës qyteti të tij të lindjes, simbol i atdhedashurisë dhe krenarisë kobëtare!

Faleminderit z. Fisnik Qosja, kryetar i Bashkisë së Kavajës, për këtë aktivitet të veçantë dhe më vlera të mëdha kombëtare!

Nder e Lavdi – “Ushtar Kavaja”🙏

Filed Under: Kronike

31 Mars 1999 – Mobilizimi i përgjithshëm i UÇK-së për çlirimin e Kosovës

April 1, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Më 31 mars 1999, në kulmin e ofensivës së egër serbe dhe në prag të ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori një nga vendimet më të rëndësishme të luftës: mobilizimin e përgjithshëm. Ky urdhër ishte akti që shndërroi betejën e organizuar në një luftë gjithëpopullore për liri, duke thirrur në radhët e UÇK-së çdo shqiptar të aftë për të mbajtur armë, brenda dhe jashtë Kosovës.

Ky mobilizim shënoi një pikë kthese në luftën për liri, duke krijuar struktura më të fuqishme dhe duke përfshirë në radhët e UÇK-së mijëra luftëtarë të rinj, të gatshëm të përballeshin me forcat serbe në të gjitha frontet e Kosovës. Ishte një vendim i domosdoshëm në një moment kritik, kur forcat serbe po kryenin sulme masive, masakra dhe spastrime etnike kundër popullsisë shqiptare.

Në zbatim të Urdhrit Nr. 151, datë 31.03.1999, u shpall mobilizimi i përgjithshëm për të gjithë shqiptarët e moshës 18 deri në 50 vjeç. Të gjithë kuadrot ushtarake u urdhëruan të merrnin detyrat në strukturat e UÇK-së, ndërsa për trupat e rinj u ngritën qendra të reja stërvitore për përgatitje intensive para futjes në beteja. Ky urdhër nuk ishte thjesht një akt administrativ ushtarak, por një thirrje për përgjegjësi kombëtare. Ishte një mesazh i qartë se lufta kishte hyrë në fazën përfundimtare dhe se përballja me okupatorin kërkonte sakrificën e të gjithëve.

Mobilizimi i përgjithshëm shënoi shndërrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një forcë ushtarake me përmasa kombëtare, duke forcuar strukturat e saj dhe duke rritur kapacitetet për organizimin e operacioneve të mëdha luftarake. Në të gjitha zonat e luftës, njësitë e UÇK-së pranuan qindra luftëtarë të rinj, ndërsa shqiptarët në diasporë mobilizuan resurset për mbështetje logjistike dhe financiare. Ky akt shfaqi vendosmërinë e popullit shqiptar për të mos lejuar një tjetër spastrim etnik dhe për të marrë fatin e Kosovës në duart e veta. Ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj dhunës serbe dhe një sinjal për aleatët ndërkombëtarë se shqiptarët ishin të vendosur të luftonin deri në fund për lirinë e tyre.

Si rezultat i mobilizimit të përgjithshëm, forcat e UÇK-së jo vetëm që u rritën në numër dhe organizim, por gjithashtu krijuan kushte për qëndresën e gjatë që çoi në kapitullimin e Serbisë. Përballja e organizuar në frontet e luftës dhe sakrifica e mijëra dëshmorëve u kurorëzua me lirinë e Kosovës, e cila u realizua pas 78 ditësh sulmesh ajrore të NATO-s kundër forcave serbe.

31 marsi 1999 mbetet një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ishte dita kur UÇK-ja dhe populli shqiptar dëshmuan se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë dhe vendosmëri. Në këtë përvjetor, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes së kombit dhe kontribuuan në fitoren e madhe për Kosovën e lirë.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT