• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

NË KOSOVË FILLOI ÇMONTIMI I JUGOSLLAVISË

April 1, 2025 by s p

Nga Prof.dr Skender ASANI/

(Me shkas: Demonstratat e 2 Prillit 1981 në Prishtinë)

Historia e një kombi është e mbushur me momente kyçe që e formësojnë të ardhmen e tij. Demonstratat e 2 prillit 1981 në Prishtinë ishin një prej atyre ngjarjeve që jo vetëm e tronditën regjimin e atëhershëm jugosllav, por edhe i dhanë hov lëvizjes për barazi dhe liri të shqiptarëve të Kosovës. Ato nuk ishin thjesht një revoltë studentore, por një protestë e organizuar që shpalosi kërkesën e kahershme për njohjen e Kosovës si njësi e barabartë shtetërore në federatën jugosllave. Edhe pse u shtypën brutalisht, këto demonstrata ishin një pikë kthese që ndikoi thellësisht në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë, por jo si një republikë e mirëfilltë, por si një Krahinë Autonome brenda Serbisë. Në vitin 1974, Kushtetuta e re e Jugosllavisë i dha Kosovës një autonomi të zgjeruar, duke i mundësuar njëfarë vetëqeverisjeje. Megjithatë, shqiptarët ende përballeshin me diskriminim politik, ekonomik dhe kulturor. Në fund të viteve ’70 dhe fillim të viteve ’80, Kosova mbeti rajoni më i pazhvilluar i Jugosllavisë. Papunësia ishte e lartë, varfëria e thellë, dhe të drejtat e shqiptarëve vazhdonin të kufizoheshin. Institucionet qendrore të Beogradit nuk i kushtonin vëmendje të mjaftueshme zhvillimit të Kosovës dhe shqiptarët, pavarësisht se përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë, ndiheshin të përjashtuar nga qendrat e vendimmarrjes. Në këtë klimë pakënaqësie, studentët e Universitetit të Prishtinës u bënë katalizatorët e një revolte më të gjerë.

Demonstratat nisën më 11 mars 1981, kur studentët protestuan për kushtet e këqija në konviktet dhe mensat studentore. Kërkesat e tyre fillimisht ishin të natyrës sociale, por shumë shpejt u shndërruan në një revoltë politike. Thirrjet për kushte më të mira në arsim u pasuan nga slogane si “Kosova Republikë” dhe “Ne jemi shqiptarë”, duke shprehur kërkesën për status të barabartë me republikat tjera jugosllave. Protestat u përhapën me shpejtësi në qytetet kryesore të Kosovës, si Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë, duke përfshirë jo vetëm studentët, por edhe punëtorët dhe qytetarët e thjeshtë. Situata eskaloi më 26 mars, kur policia jugosllave përdori dhunë për të shpërndarë protestuesit, duke shkaktuar zemërim të madh. Kulmi i revoltës u arrit më 2 prill 1981, kur demonstratat në Prishtinë u bënë masive. Në këtë ditë, mijëra protestues mbushën rrugët e kryeqytetit të Kosovës, duke kërkuar liri dhe barazi të plotë. Përballë kësaj vale të paprecedentë pakënaqësie, qeveria jugosllave reagoi me forcë të madhe. Policia dhe ushtria sulmuan demonstruesit, duke përdorur gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe armë zjarri. Shumë protestues u arrestuan, u plagosën ose humbën jetën.

Pas demonstratave të prillit 1981, autoritetet jugosllave shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Qeveria nisi një fushatë të ashpër represioni kundër shqiptarëve, duke arrestuar mijëra vetë dhe duke larguar nga institucionet profesorë, intelektualë dhe aktivistë politikë. Demonstratat u cilësuan si një akt “kundërrevolucionar” dhe regjimi u përpoq ta paraqiste revoltën si një rrezik për stabilitetin e federatës. Mirëpo, në vend që ta shuante pakënaqësinë, kjo shtypje brutale e përforcoi edhe më shumë ndjenjën e padrejtësisë tek shqiptarët dhe çoi në radikalizimin e kërkesave politike. Në vitet që pasuan, kërkesa për një Kosovë Republikë u bë më e fuqishme, duke përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë. Në planin më të gjerë, demonstratat e vitit 1981 ishin një nga shenjat e para të krizës së brendshme të Jugosllavisë. Pakënaqësitë kombëtare dhe ekonomike në të gjitha republikat përshpejtuan shpërbërjen e federatës në vitet ’90, duke sjellë konflikte të përgjakshme në Bosnje, Kroaci dhe përfundimisht në Kosovë.

Demonstratat e 2 prillit 1981 ishin më shumë sesa një revoltë studentore. Ato ishin një moment historik në luftën e shqiptarëve për liri dhe barazi. Edhe pse regjimi jugosllav u përpoq t’i shtypte me dhunë, ato shënuan fillimin e një procesi politik që, pas shumë vitesh sakrifice, çoi në pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Sot, këto demonstrata kujtohen si një dëshmi e guximit dhe vendosmërisë së popullit shqiptar për të luftuar për të drejtat e tij. Ato na kujtojnë se rruga drejt lirisë është e vështirë dhe e mbushur me sakrifica, por përfundimisht drejtësia triumfon. Për këtë arsye, 2 prilli 1981 mbetet një datë simbolike në historinë e Kosovës dhe një pikë referimi për brezat e ardhshëm.

Vitet e fundit, hulumtimet tona në Arkivin Qendror të Kroacisë kanë mundësuar sigurimin dhe shqyrtimin e dokumenteve të rëndësishme që ndriçojnë strategjitë dhe veprimet e Sigurimit Shtetëror jugosllav ndaj zhvillimeve historike të viteve ’80 dhe ’90. Përmes analizës së hollësishme të këtyre dokumenteve, kemi arritur të kuptojmë në të gjitha dimensionet masat represive të ndërmarra nga shteti jugosllav ndaj popullit shqiptar, duke përfshirë survejimin, ndëshkimet dhe përndjekjet sistematike që synonin të frenonin çdo përpjekje për emancipim dhe liri. Këto të dhëna historike dëshmojnë jo vetëm për mekanizmat e dhunës shtetërore, por edhe për përpjekjet e vazhdueshme për të mbajtur nën kontroll çdo lëvizje që sfidonte pushtetin e atëhershëm.

Një aspekt po aq i rëndësishëm i këtyre dokumenteve është analiza e detajuar që shërbimi sekret jugosllav ka hartuar ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Dokumentet zbulojnë strategjitë e ndjekura nga shteti për të përçarë, infiltruar dhe neutralizuar aktivitetet e veprimtarëve shqiptarë që angazhoheshin për të drejtat kombëtare. Përmes këtyre analizave, bëhet e qartë se lëvizja shqiptare shihej si një kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin e Jugosllavisë, ndaj dhe kundër saj u përdorën metoda të sofistikuara të përndjekjes dhe dezinformimit. Këto zbulime jo vetëm që ndihmojnë në dokumentimin e së kaluarës, por edhe në kuptimin më të thellë të mekanizmave të shtypjes dhe të rezistencës shqiptare në atë periudhë historike.

Sot, mbi katër dekada pas këtyre demonstratave historike, është e domosdoshme që elitat politike, intelektualët dhe studentët të mbajnë gjallë frymën e atyre që sakrifikuan për një Kosovë të lirë dhe sovrane. Politikanët duhet të punojnë për një shtet të drejtë, të zhvilluar dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Intelektualët duhet të jenë zëri kritik që mbron të vërtetën dhe vlerat kombëtare, ndërsa studentët duhet të jenë gjithnjë të vetëdijshëm për rolin e tyre si forca lëvizëse e ndryshimeve pozitive. Të mbrojmë dhe të kultivojmë lirinë që u fitua me sakrificë, duke ndërtuar një të ardhme më të ndritur për brezat që vijnë.

Filed Under: Ekonomi

Përkujtohet 80 vjetori i Masakrës së Filatit në Çamëri

April 1, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Alket Veliu: Akademia të hartojë një dosje e plotë studimore për Çamërinë.

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi, në mjediset e Hotel Tirana Internacional, një aktivitet në kujtim të 80-vjetorit të masakrës së Filatit. Në 6 Mars 1945 u krye, në pabesi, në Filat – Çamëri, një nga masakrat më të tmerrshme ndaj popullsisë së shqiptare. “Sot kemi mundësinë të dëgjojmë nga studiues të shquar, për të vërtetën e Masakrës së Filatit, me analiza dhe fakte konkrete, duke na ndihmuar të kuptojmë thellë, jo vetëm atë që ndodhi, por edhe ndikimin që kjo masakër ka pasur në kujtesën tonë kolektive”, tha në fillim të takimit moderatorja Sildi Koqini.

Historiani i njohur, Akademik, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, u shpreh se politikanët shqiptarë në 30 vitet e fundit kanë heshtur përballë propagandës greke për spastrimin etnik të Çamërisë, edhe kur ajo është bërë në mes të Tiranës. Në propagandën politike, por edhe në historiografinë moderne greke ekziston një interpretim i mirëkoordinuar për të justifikuar masakrimin e çamëve dhe spastrimin etnik të Çamërisë në çastet e fundit ët Luftës së Dytë Botërore (qershor 19440 mars 1945), tha më tej Prof. Xhufi. Të gjithë udhqëheqësit grekë e kanë mohuar ekzistencën e një problem çam, i kanë deklaruar shqiptarët e Çamërisë si kolaboratorë të pushtuesve italo-gjermanë të cilët, nga frika e ndëshkimit për krimet që paskëshin kryer në dëm të grekëve, në mbarim të luftës ikën vullnetarisht në Shqipëri.

Këto fjalë kanë shqiptuar mu në mes të Tiranës, pa ua bërë kush fjalën dysh nga ana e shtetarëve të Shqipërisë demokratike (nëse përjashtohet presidenti Alia që i përkiste Shqipërisë komuniste).Të njëjtin refren shqiptojnë edhe historianët dhe akademikët grekë. Një zë i ndryshëm ndër ta është ai i Lambro Baltsiotis, një studiues i ri, i cili më së shumti jeton e shkruan jashtë Greqisë. Sipas tij, kur Italia fashiste sulmoi Greqinë, në tetor 1940, krerët e komunitetit çam u arrestuan dhe u dëbuan, duke u dhënë kështu çamëve muslimanë një provë se ata i prisnin gjëma edhe më të mëdha. Baltsiotis ka kapur thelbin e problemit çam, kur del në konluzionin se: “dëbimi i çamëve muslimanë nga Epiri perëndimor ishte rezultat i një politike shtetërore, një politike të frymëzuar nga ideologjia nacionaliste, që mbizotëronte në Greqinë e periudhës mes dy luftërave. Dëbimi i çamëve, prqa, ishte pjesë e politikës së shtetit grek për të ushtruar kinse të drejtën e tij për të dëbuar “jo grekët” nga territori i vet”. Në fakt historia e Greqisë së re është histori e dëbimit të muslimanëve, që në treva të tëra përfaqësonin një pjesë të mirë të popullsisë (Thesali, Peloponez, Kretë), tha në vijim Prof. Pëllumb Xhufi. Kushtetuta e parë greke e vitit 1822 e konsideronte Greqinë vendin e grekëve (ku jogrekët ishin të padëshiruar). Një historiane re greke, e formuar në shkollën shkencore gjermane, Georgia Kretsi, nënvizon: “ndërsa shqiptarët muslimanë të Çamërisë duheshin dëbuar, si jo grekë e gjithashtu si muslimanë, shqiptarët e krishterë u konsideruan nga politika helene potencialisht si “grekë të një gjuhe tjetër” dhe si të tillë mund të integroheshin dhe të asimiloheshin në shoqërinë greke”.

Presioni politik i shtetit grek mbi minoritetin musliman të Çamërisë vazhdoi të ushtrohej edhe nga pushtuesit e saj, italianët dhe, pas tyre, edhe gjermanët, ndoqën një politikë të përçarjes mes elementit musliman dhe atij të krishterë, tha më tej zoti Xhufi. Ndërkohë një numër i madh çamësh, u bashkua me forcat e ELAS-it. Kështu, në prill 1944 raportet gjermane flasin për “bandën bolshevike të Rexhep Plakut”, një komandant i shquar i forcave partizane. Në verën e vitit 1944, me 500 banorë çamë, muslimanë e të krishterë, u krijua batalioni i IV i regjimentit XV të ELAS-it. Pasi bëri një përmbledhje të masakrave që forcat e EDES-it, të komanduara nga nën/koloneli Krania, kryen në Paramithi, dhe krimet e pashëmbullta të ushtrisë greke, të drejtuar nga Napoleon Zerva, Prof. Xhufi citoi një raport të komandantit të misionit britanik, Woodhouse, të 16 tetorit 1945, i cili raportonte lidhur me këto ngjarje: ”Zervas, i inkurajuar nga misioni aleat nën komandën time, i dëboi çamët nga vatrat e veta më 1944 për të lehtësuar veprimet luftarake kundër armikut….Puna e Zervas u çua deri në fund nga një njësi e mbetur e tij, e drejtuar nga një oficer me emrin Zoto…Çamët morën atë që merituan, edhe pse metodat e përdorura nga Zerva kundër tyre ishin tepër mizore. Rezultati ishte gjithsesi shpërngulja e një popullsie, e një minoriteti të padëshiruar, nga territori grek. Ndoshta është më mirë t’i lëmë gjërat kështu”.

“Për këtë masakër”- tha Hajredin Isufi, historian, personalitet i shquar i Çamërisë, “kanë shkruar shumë dhe asnjëherë nuk kanë thënë të vërtetën. Dhe misionarët anglezë kur vinte puna i mëshironin çamët, por në fund të fundit nuk thanë asnjë gjë”.

Ngjarja është zhvilluar në këto rrethana: më datën 6 mars 1945, Lt. Cristo Kaca zbarkoi nga Korfuzi në pjesën kontinentale dhe ky zbarkim i tij ishte parë nga barinjtë e zonës. Ndër banditët e tjerë drejtues, dëshmitarët e tjerë konstatuan edhe Major Ilio Kaca, i cili erdhi nga Palo Fshati, si edhe kolonel Zotto. Ata kishin deklaruar se i përkisnin Organizatës së Plastiras, kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake greke. Këtyre, më pas, iu bashkuan gangsterë të armatosur nga Korfuzi dhe nga popullsia lokale koloniste greke, diku rreth 50 deri 100 njerëz të armatosur. Masakra e Filatit shënoi nxjerrjen përfundimtare edhe të 5000 shqiptarëve të fundit të rikthyer pas marrëveshjes së dhjetorit 1944, në mes FNÇ dhe EAM.

Në fund të muajit mars 1945, një detashment i trupave britanike arriti në Filat, për të hetuar dhe raportuar në detaje mbi ngjarjet. Mirëpo, qeveria greke kishte marrë masat dhe udhëzuar Guvernatorin e Përgjithshëm të Epirit, për t’iu raportuar ushtarakëve britanike, se njësitë e Gardës Kombëtare Greke nuk sulmonin çamët dhe se ata kishin marrë veprime të përshtatshme kundër atyre që ishin përgjegjës për incidentet. Por toka çame në këtë kohë ishte e boshatisur nga popullsia. Asnjë dëshmi e vërtetë mbi atë çfarë kishte ndodhur në ato anë nuk mund të merrej në një territor të spastruar etnikisht nga banorët autoktonë.

“Mbaj mend dhjetëra rrëfime nga babai im dhe patriotë që vinin në familjen tonë. Unë jam “ushqyer” nga këto kujtime për dy masakrat, pasi vinin të gjalla rrëfimet për llahtarën që ndodhën në shtator të vitit 1944 dhe në mars 1945 në Spatar e Filat. Emrin Vanër e kam mësuar qysh në rininë time, pasi ishte rreth dy kilometar larg fashatit tonë Spatar. Dhe këtu u therën barbarisht 217 vetë, prej të cilëve 120 burra, 60 gra dhe 15 fëmijë. Vanra notoi në gjakun e pafajshëm të çamëve, duke u bërë pre e xhelatëve të pashpirt”, tha shkrimtari Enver Kushi. – Mbaj mend pyetjen që bënin në fund: C’kishim bërë që na vranë barabarisht? Kujt i kishim rënë në qafë? Ne kishim miqësi me të krishterët. Edhe me vllehët, edhe me grekët. Në shtëpinë tonë por edhe në familje të tjera të Spatarit, morëm në mbrojtje vëllezërit tanë nga Kastria. Po citoj një pjesë nga letra që Musa Demi i dërgoi Theodhori Vitos, njërit nga drejtuesit e EDES-it, publikuar nga hajredin Isufi: “kemi jetuar në miqësi dhe në paqe, si vëllezër. Kur të krishterët e fshatarve të Filatit ishin në rrezik nga propaganda e huaj, që nxiste vëllavrasje dhe për çarje, muslimanët morën në mbrojtje shumë të krishterë dhe u shpëtuan atyre jetën, nderin dhe pasurinë….Dhe tani ka ardhur koha që atë akt të lartë që kryen çamët muslimanë ndaj vëllezërve të tyre të krishterë, ta bëni dhe ju. Në fund të fundit jemi vëllezër të një gjaku. Ngritja e dorës dhe përgjakja e vëllait është turp i shëmtuar dhe historia do të shënojë si një njollë të zezë. Dorës së zezë ju duhet t’i vini fre, siç ia vumë ne…”. Nëse masakra e parë e Filatit, ajo e shtatorit 1944 ishte epilogu tragjik i Camërisë, ajo e marsit 1945 është epilogu i epilogut të tragjedisë çame, tha më tej Enver Kushi, duke përfunduar: Njerëzit ikin por në kokën e tyre mbetet shpirti, mbeten kujtimet, mbeten ëndërrat. E mbi të gjitha mbeten miqësitë. Ka plot dëshmi të kësaj miqësie, që u ndërpre kur familja ime u largua mes llahtarës së marsit 1945. Unë jap për rikthimin e këtyre miqësive, ato janë atje, përtej Qafës së Botës. Ato sfidojnë krimin, ngrihen mbi dasitë, urrejtjet, poltikat përçarëse mes popujve!

Drejtori i Institutit të Historisë, prof. Hamit Kaba, përmendi librin e historianit grek Jorgos Margaritis “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, i cili tregon një realitet tjetër për ngjarjet e ndodhitë tragjike në Çamëri.

Besnik i parimit të të vërtetave që jep historia, larg ndikimit të politikës dhe nacionalizmit ekstrem, autori konkludon se shteti i pavarur grek, që në fillimet e jetës së tij, nuk u mësua të jetojë me komunitetet dhe minoritetet e tjera, pra me fe tjetër dhe me origjinë tjetër kombëtare. Jorgos Margaritis, me fakte tronditëse, jep shkatërrimin gradual të komunitetit hebre në Greqi, i cili arriti kulmin gjatë luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në qytetin e Selanikut. Sipas autorit, në Selanik “antisemitizmi grek mori formën e tij më luftarake dhe njëkohësisht më politike e teorike, duke ofruar në këtë mënyrë materialin e parë për zhvillimin e organizatave me karakteristika nacionaliste, por edhe naziste”.

Në pjesën e dytë “Peripecitë e çamëve deri në dëbimin e tyre gjatë dhjetëvjeçarit të 40- ës”, Margaritis jep fatin tragjik të minoritetit tjetër historik në Greqi: të çamëve. Periudha së cilës i referohet autori, 1912- 1944, është e mbushur me tensione dhe urrejtje dhe “kur u kthye lufta në fillimet e dhjetëvjeçarit të 1940-së dhe bashkë me të u hapën në çdo vend kacekët e Eolit, retë e pasioneve dhe të kërcënimeve përfunduan në stuhi”.

Duke komentuar mbi gjendjen në Çamëri, koloneli anglez C.A.S.Palmer, në një raport pas vizitës së tij në Çameri, gjate 9-14 prill 1945, pasi përshkruen ndjenjat e urrejtjes se fortë greke kundër shqiptarëve që jetonin në zonat më të mira të Çamërise – Filati, Paramithia, Margëllici, Gumenica, thekson se : ”…ka qene gjithmonë një ndjenje urrejtje e fortë nga ana e grekëve të kësaj zone kundrejt çamëve”. “…Ushtarët e EDES-it gjeten mundësinë për hakmarrje. Përleshjet u hapën gjatë verës së vitit 1944 me provokime ndoshta nga të dy palët, një situatë që, pa dyshim, është inkurajuar nga gjermanët…. Sulme te reja u bënë në mars 1945, që ishin një vazhdim i ndjenjave ekstreme anti-shqiptare që ekzistojnë në Greqi për atë krahinë (Çamërinë) dhe jo të provokuara nga ana e vetë shqiptarëve. Si rrjedhim i këtyre sulmeve, tani nuk ka mbetur asnjë shqiptar mysliman në Greqi”…dhe “është e pamundur për shqiptarët të kthehen në vatrat e tyre sepse vendi kontrollohet nga Qeveria (nacionaliste) greke”.

Shtetet e Ballkanit u ngritën mbi bazën e ideologjive nacionaliste, tha më tej Prof. Kaba. Prandaj në Ballkan sundon historikisht një sherrnajë gjgande. Ajo që ndodhi me popullsinë çame në fund të Luftës së Dytë Botërore është rrjedhojë e kësaj ideologjie. Pra kemi të bëjmë me spastrim etnik ose më saktë “një shpërthim të dhunës, që synonte mbylljen e çështjeve të minoriteteve me metodën më radikale: metodën e zhdukjes së popullsive minoritare”. Çlirimi nga kompleksi i gjenocidit është afirmim dhe triumf i miqësisë mes popujve. Detyra jonë është të shërojmë plagët e genocidit dhe të ndërtojmë ura për të ardhmen, tha në përfundim Prof. Kaba.

Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, kërkoi nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave një studim zyrtar shtetëror të mirëfilltë për Çamërinë që të jetë busull për politikën dhe institucionet tona shtetërore. “Ajo që ndjej unë dhe besoj shumë të tjerë është fakti që ne duhet të themi të vërtetat tona. Të vërtetat e Çamërisë, të historisë sonë kombëtare.

Çështja çame është një dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëtare. Çamët akuzohen nga grekët për bashkëpunimin me fashistët. Ndërkohë që ka qindra partizanë, shqiptarë të Çamërisë, të vrarë në luftë kundër okupatorit dhe, nëse e kemi pak disi të vështirë të identifikojmë ata të gjithë që janë vrarë në Çamëri, e kemi pak më të thjeshtë që të identifikojmë shqiptarët e Çamërisë të vrarë në Shqipëri. Ndaj mendoj se duhet punuar për të ngritur një grup pune për të identifikuar këta shqiptarë të Çamërisë që kanë dhënë jetën për çlirimin e vendit.

Ajo që kemi nevojë sot është që të kemi një studim zyrtar shtetëror të mirëfilltë për Çamërinë. Do të ishte në nderin tonë kombëtar që Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave të ngrinte një grup pune për të pasur një dokument historik të plotë, studimor për çështjen Çame që të jetë një lloj busulle edhe për zyrtarët dhe të gjitha ata që duhet të merren me çështjen çame; Parlamentin shqiptar, qeverinë, ministrinë e Jashtme që të mos të kemi qëndrime të shkëputura që kurrsesi nuk kanë bazë historinë. Pra duhet të kemi bazë historike shtetërore. Unë e konsideroj të rëndësishme këtë gjë”, tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, zoti Alket Veliu.

Filed Under: Reportazh

Urrejtje dhe protesta anti Tesla

April 1, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Qindra protesta në dealershipet dhe ekspozitat e Tesla në të gjithë botën u zhvilluan të shtunën, duke shfaqur një rezistencë globale kundër CEO të kompanisë, Elon Musk, ndërsa ai vazhdon të përfshihet në çështjet politike. Kjo duket si një lëvizje ludite në një në kohët moderne, që ka mbërthyer demokratët me parrullat “Burn Tesla save democracy’ (Digj një Tesla të mbrosh demokracinë) në një marrëzi të majtë moderne po fermentojnë dhunë në të gjithë vendin. Organizatori i protestës, i njohur si “Tesla Takedosn”, synonte më shumë se 500 showrooms të Teslas në mbarë botën. Rreth gjysma e tyre ishin planifikuar të mbaheshin në ekspozitat e Tesla në SHBA, sipas mediave sociale të organizatorëve. Duke harruar si bëhet “Luftimi i ndryshimeve klimatike, duke shkatëruar një sallë ekspozite Tesla herë pas here.”

Protestuesit në shumë shtete, nga Blue Haven California në Red State Florida, u panë duke mbajtur tabela që u bënin thirrje kalimtarëve të “bojkotojnë Teslën” ose duke e quanin Musk një “fashist”.

Disa nga trazirat burojnë nga përfshirja e Musk me administratën Trump, e cila ka qenë në një rrugë të shpejtë për të zvogëluar madhësinë e qeverisë duke shkurtuar fuqinë punëtore federale ose duke eliminuar agjenci të tëra të panevojshme dhe abuzive.

Disa nga lëvizjet e bëra nga DOGE, zyra e Shtëpisë së Bardhë që udhëheq përpjekjet për uljen e kostove, po kundërshtohen në gjykata nga gjykatës të majtë.

Patty Hoyt, një banore e Marin County, Kaliforni, e cila po protestonte në një përfaqësi lokale Tesla,i tha se nuk ishte dakord me planin e administratës për të shkurtuar vendet e punës nga Departamenti i Çështjeve të Veteranëve. Edhe pse Hoyt nuk është veterane, ajo tha në një intervistë se kishte miq veteranë që mbështeten në burimet nga VA.

“Këta janë njerëz të cilëve u kemi premtuar,” tha Hoyt për veteranët.

Një protestues në demonstratën e Tesla Takedown në Michigan. Nic Antaya për Business Insider në Michigan., Të pranishmit në protestat në Ann Arbor dhe Troy u mbështetën kryesisht në të majtë në spektrin politik. Disa ishin mbi moshën 65 vjeç dhe e kishin parë vendin nëpër periudha të mëparshme trazirash, si Lufta e Vietnamit. Megjithatë, disa e përshkruan momentin aktual politik si të paprecedent.

Patricia Bragg, 76, proteston në demonstratën e Tesla Takedown në Michigan. “Unë nuk e njoh vendin në të cilin kam jetuar për më shumë se 65 vjet,” tha Debbie Rosenman, drejtuese e kapitullit Ferndale të Indivisible, një organizatë kombëtare bazë për kauza progresive që mobilizoi disa protesta. Një tjetër protestues në Trojë i tha BI-së: “E dini atë thënien, ‘mos hyni butësisht në natë?’ Ne nuk do të shkojmë butësisht gjatë natës.”

Protestuesit në Michigan ishin kryesisht mbi 65 vjeç dhe mbështeteshin majtas në spektrin politik. Por zhgënjimet nuk janë të drejtuara vetëm nga ndikimi në rritje i Musk në politikën amerikane. Protestat u panë në të gjithë Evropën në Francë, Skoci, Gjermani, Angli dhe Britani të Madhe.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të Trump në janar, Musk bëri një gjest për audiencën që u interpretua nga shumë si një përshëndetje naziste. Musk mohoi se ky ishte qëllimi i tij. Lidhja Anti-Shpifje gjithashtu mbrojti gjestin, duke thënë se ishte “i sikletshëm”, por jo një përshëndetje naziste. Gjesti në mënyrë të pashmangshme goditi nervin me disa në Evropë, duke përfshirë ligjvënësit, pasi kontinenti ka një histori të gjatë të errët për të qenë nën pushtimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një protestues në Francë mbajti një tabelë ku thuhej “Jo makina naziste”. Në Londër, demonstruesit ngritën një njeri me tub të fryrë që përshkruante ngjashmërinë e Musk dhe gjestin famëkeq.

Musk e ka bërë të qartë se interesat e tij politike shkojnë përtej SHBA-së. Vitin e kaluar, CEO hodhi mbështetjen e tij pas AfD, ose Alternativa për Gjermaninë, duke miratuar partinë politike gjermane të ekstremit të djathtë për miliona ndjekësit e tij në X. Në shkurt, AfD doli në vendin e dytë në zgjedhjet kombëtare të Gjermanisë, që përfaqëson performancën më të mirë të AfD në historinë e partisë.

Pasi pa një vlerësim maksimal prej 1.54 trilion dollarësh në dhjetor, stoku i Tesla-s ka rënë në javët e fundit mes shitjeve të dobëta globale dhe shqetësimeve në rritje nga investitorët dhe Wall Street se Musk është shumë i hutuar nga puna e tij.

Është e vështirë të matet shkalla në të cilën politika e Musk ka ndikuar në kompaninë e tij EV. Shitjet e Tesla në Evropë për muajt janar dhe shkurt ranë 42.6% krahasuar me shifrat nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automobilave, duke shitur nën 27,000 automjete. Një zëdhënës i Tesla nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Përtej protestave, shitësit dhe automjetet e Tesla-s janë bërë gjithashtu objektiva të fundit të incidenteve vandaliste dhe dhunës, sipas parrullës :

“Kush ka nevojë për inovacion kur ke një tulle në dorë?”

Më 24 mars, Departamenti i Policisë së Austin i tha BI-së se oficerët gjetën pajisje “ndezëse” në një shitës lokal të Tesla. Në fillim të atij muaji, policia në Oregon hetoi të shtënat me armë të drejtuara në një ndërtesë tjetër të Tesla-s. Disa pronarë të Tesla Cybertruck i thanë më parë BI se ata i janë nënshtruar talljeve dhe ngacmimeve për makinën që zotëronin.

“Cybertruck thjesht duket se i dërgon njerëzit paksa larg”, tha një pronar, i cili kërkoi të mbetet anonim. “Nuk ka kuptim, unë nuk jam Elon!”

Administrata Trump, duke përfshirë Departamentin e Drejtësisë, është zotuar se do të godasë sulmet kundër Teslës, duke e quajtur valën e fundit të incidenteve “terrorizëm në vendor”.

“Ditët e kryerjes së krimeve pa pasoja kanë përfunduar,” tha Prokurorja e Përgjithshme Pamela Bondi në një deklaratë më 20 mars. “Le të jetë ky një paralajmërim: Nëse i bashkoheni kësaj valë të terrorizmit vendas kundër pronave të Teslës, Departamenti i Drejtësisë do t’ju vendosë pas hekurave.”

Filed Under: Komente

Në përkujtim të masakrës së Belegut, 29 mars 1999 në Deçan

April 1, 2025 by s p

Endrit Binakaj – i mbijetuar i masakrës së Belegut dhe autor i dy librave për masakrën.

Deri kur është pyetja e përditshme që familjarët e të zhdukurve në Beleg të Deçanit ia bëjnë vetes për fatin e më të dashurve të tyre, të vrarë e masakruar më 29 mars 1999. Tashmë kur kanë kaluar 26 vjet nga krimi monstruoz i forcave policore e ushtarake serbe mbi popullatën civile në fshatin Beleg, ende sot e kësaj dite familjet e të zhdukurve presin të lind çdo ditë me ankth për kumtin e familjarëve të tyre. Ata presin një grusht eshtra, ngase varret kanë mbetur të hapura, varre me emra në epitafe, por ende bosh, dhimbje që depërton thellë në secilen qenie njerëzore.

Ky është realiteti i zymtë, që e ka topitur secilin që pret lajmin për djalin, babain, axhën apo gjyshin që mbetet i zhdukur nga masakra e Belegut. Le te kthehemi pak në Belegun e vitit 1999, ajo katrahurë e skenë krimi mbetet e freskët për secilin person që e pa me sytë e tij, tmerrin dhe torturën e asaj dite marsi. Të gjithë që ende e jetojnë sot kanë të njëjtin rrëfim e tregim, tmerrin, vrasjen e torturën, djegien e maltretimin. Këto skena të shiritit të kujtesës kolektive i kam edhe une të freskëta, mbase më të freskëta e autentike se secili i rritur që ishte aty.

E gjithë kjo mbase isha fëmijë, vetëm 9 vjeçar e fëmija regjistron, shikon e ndjen realitetin e dhimbshëm ashtu siç më të vërtetë kishte ndodhur. Pa dashur të kthehem e të ripërsëris kujtimet e mia të hidhura të cilat i kam dokumentuar në dy librat e mi, po duhet të them se tashmë si një i rritur që ka kaluar mbi tre dekadë jetë e kam obligim moral e njerëzor e mbi të gjitha kombëtar që këtë masakër dhe përgjegjësit e saj të marrin dënimin e merituar.

Natyrshëm shtrohet pyetja e nuk të lënë të qetë ndërgjegjja se deri kur këta kriminelë do të marrin dënimin kapital?

Deri kur drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare do të ngrisin akt-akuzë për kriminelët që tashmë dihet me emra dhe mbiemra?

Pavarësisht distancës kohore, krimet dhe kriminelët duhet ndjekur, akt-akuza dhe gjykimi qoftë në mungesë është sinjal që të pakten autorët e krimit që shetitin lirshëm në Serbi të marrin përgjegjësinë dhe “dënimin” të paktën nga distanca.

Personalisht ka dy vite që jam intervistuar nga njësia hetimore për krime lufte në Policinë e Kosovës, si dëshmitar kam deponuar materialin dhe dëshminë time (të argumentuar dhe dokumentuar katërcipërisht edhe në dy librat e mi për masakrën). Të njejtën e kanë bërë edhe shumë të mbijetuar të tjerë, por deri sot ende nuk ka ndonjë akt-akuzë për ndonjërin nga kriminelët që morrën pjesë në masakrën e Belegut. (përjashto akt-akuzën e ngritur për Muharrem Ibra për krimet në Osek Hylë, e që ishte pjesëmarrës edhe në Beleg së bashku më të vëllain Isuf Ibraj).

Çështja e të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë është padyshim rast që Serbia duhet të kushtëzohet në tavolinën e bisedimeve, secila qeveri që ka qenë deri më sot ndonëse me premtime të bollshme e ka trajtu si në margjina këtë situatë të mbi 1600 personave që ende nuk dihet asgjë për fatin e tyre e të 34 (mbesin akoma të zhdukur) nga 46 të ekzekutuarit në masakrën e Belegut.

Qeveria e Kosovës duhet që patjetër të shmang çdo negociatë pa e ditur fillimisht fatin e secilit të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Serbia ka kyer krime si shtet me organizim dhe hierarki të qartë komanduese, ajo duhet t’i hap arkivat e saj, e që për fat te keq nuk e ka bërë deri më tani dhe po vazhdon së sillet si viktimë e jo si agresori, vrasësi e terrorisuesi, ashtu siç është fytyra e saj e vërtetë.

Deri kur është pyetja e përditshme që familjarët e të zhdukurve në Beleg të Deçanit i’a bëjnë vetës për fatin e më të dashurve të tyre, të vrarë e masakruar më 29 mars 1999?!

Deri kur?!…

Do presim kumtin për:

Zymer (Miftar) Binakaj

Brahim (Adem) Zukaj

Hamid (Dervish) Zukaj

Rexhep (Lum) Neziraj

Faton (Hasan) Vishaj

Fatmir (Halil) Vishaj

Ramë (Shaban) Kilaj

Sadri (Hajdar) Vishaj

Mujë (Isuf) Vishaj

Malë (Isuf) Vishaj

Zenel (Ukë) Vishaj

Hazir (Himë) Zukaj

Shaban (Ramë) Nitaj

Nekë (Halil) Binakaj

Hajdar (Hamëz) Mazrekaj

Ali (Avdyl) Mazrekaj

Bashkim (Lush) Hadergjonaj

Afrim (Lush) Hadergjonaj

Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj

Muhamet (Bajram) Hadergjonaj

Mehmet (Halil) Tolaj

Xhevat (Ukë) Tolaj

Misin (Hajdin) Tolaj

Arif (Haxhi) Mazrekaj

Isa (Tahir) Tolaj

Sahit (Bekë) Mazrekaj

Hasan (Sahit) Mazrekaj

Sundim (Sahit) Mazrekaj

Naim (Hysen) Tolaj

Ragip (Osmon) Morina

Beqir (Idriz) Dervishaj

Tafë (Bekë) Dinaj

Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj

Haxhi (Shaban) Kadriaj

Ndërsa deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

Shaqë (Curr) Binakaj

Hysni (Curr) Binakaj

Nezir (Ibish)Vishaj

Naim (Daut) Vishaj

Daut (Murat) Aliçkaj

Gëzim (Selmon) Vishaj

Jetmir (Arif) Mazrekaj

Qazim (Osë) Hulaj

Sadri (Adem) Zukaj

Shefqet (Curr) Belegu

Shaban (Haxhi) Kadriaj

Ali (Haxhi) Kadriaj

Filed Under: Rajon

HEROI I POPULLIT BAJRAM CURRI NË FILATELINË E KOSOVËS

April 1, 2025 by s p

Nga Hysen S. Dizdari

Studiues i Filatelisë Shqiptare/

KUSHTUAR HEROIT TË POPULLIT BAJRAM CURRI

Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 27 Nëntor 2012, Posta e Kosovës emetoi një emision me pulla postare të emërtuar “100 VJET SHTET”.

Pulla postare e këtij emisioni paraqet tri nga figurat më të Ndritura të Kombit Shqiptar: të Bajram Currit, të Hasan Prishtinës e të Isa Boletinit, të cilët, jo rastësisht, e kanë origjinën e tyre nga trojet e lashta shqiptare të Dardanisë, pra nga Kosova e sotme heroike. Në vitet 1908 – 1912 këta tre atdhetarë bashkëpunuan ngushtë me patriotët e tjerë shqiptarë si: Ismail Qemali, Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Berati, Murat Toptani, Thanas Flloqi, Nebi Sefa e të tjerë. Ky bashkëpunim i këtyre mbi 40 Burrave Atdhetarë Shqiptarë, firmëtarë të dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, ishte si ai i kohës së Lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut më 2 Mars 1444, në Besëlidhjen e Lezhës, duke e Shpallur Pavarësinë e Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912.

Për të nderuar këtë ngjarje të madhe historike të Kombit Shqiptar, Posta e Kosovës me të drejtë e ka emërtuar këtë emision me pulla postare: “100 VJET SHTET”.

Ky emision dhe kjo pullë postare ka vlerën tarifore : 1 Euro, dhe është pasqyruar e kataloguar edhe në Katalogët e pullave postare më të njohura të Evropës dhe botës si në katalogun -Michel/MO:237 dhe në atë -Yvert et Tellier/MO:124. Prandaj ky emision me pulla postare ka rëndësi të madhe historike dhe kulturore, sepse pullat postare vendosin gurët kilometrikë në historinë e popujve dhe të kombeve të ndryshme. Në këtë emision pasqyrohen edhe vlera të mëdha ideore e artistike, sepse në një pullë postare në përmasa të vogla (në disa cm) paraqiten të bashkuar, tri nga figurat më të mëdha Patriotike të Kosovës dhe Kombit Shqiptar: Bajram Currit, Hasan Prishtinës e Isa Boletinit.

Kjo pullë postare shpreh edhe Idenë e Madhe për të cilën punuan dhe luftuan këta tre atdhetarë, na jep idenë e bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve kudo që ndodhen pa dallime ideje, krahine dhe feje, ashtu siç u bashkuan princat shqiptarë në kohën e Motit të madh të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në sfond kësaj pulle paraqitet Flamuri Kombëtar Shqiptar, me shqiponjën dykrerëshe dhe ngjitur me flamurin është Akti i Pavarësisë së nënshkruar nga mbi 40 patritotët shqiptarë, më 28 Nëntor 1912.

Ky emison me pulla postare është një nga emisionet më të bukura dhe të vlerësuara të pullës postare të Kosovës nga shqiptarët dhe të huaj kudo në botë, sepse shpreh vlerat më të larta kulturore, artistike dhe historike të popullit të lashtë shqiptar të Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë dhe përçon urat e miqësisë e bashkëpunimit midis popujve dhe kombeve të ndryshëm në mbarë botën.

Prandaj duhet t’i jemi mirënjohës edhe autores së kësaj pulle postare, znj. Hyrije Ademi për punën e saj profesionale në kompozimin artistik dhe për vlerat ideore dhe kombëtare që mbart kjo pullë.

Në kohën e sotme, kur zhvillimi i shkencës dhe i teknologjisë po ecën shumë përpara, pasioni i bukur i koleksionimit të pullave postare po venitet.

Prandaj është detyrë historike e Postës Shqiptare dhe e Postës së Kosovës që çdo vit të planifikojnë dhe të organizojnë më shumë promovime dhe ekspozita filatelike të përbashkëta, në shkallë kombëtare që të nxitin filatelistët (koleksionisët) për të koleksionuar, studiuar, shkruar e botuar më shumë libra mbi artin dhe shkencën e bukur të filatelisë shqiptare (në të dy shtetet) në Shqipëri dhe Kosovë. Por një rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojnë kujdesit për të ngjallur, rritur dhe forcuar tek brezi i ri i sotëm pasionin e bukur të studimit e koleksionimit të pullave postare duke filluar me organizimin e ekspozitave filatelike nëpër shkollat 9 vjeçare dhe ato të mesme si në Kosovë dhe në Shqipëri, sepse brezi i ri, te pullat postare do të gjejnë dhe do të mësojnë vlerat tona kulturore, artistike dhe historike Kombëtare, pavarësisht që sot jetojmë në dy shtete, por që i përkasim të njëjtit Komb.

PRA, NË KËTË VIT JUBILAR :

NË 620 VJETORIN E LINDJES SË HEROIT TONË KOMBËTAR SKËNDERBEUT,

NË 582 VJETORIN E NGRITJES SË FLAMURIT KOMBËTAR SHQIPTAR

NË KALANË E KRUJËS,

NË 113 VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË,

NË 100 VJETORIN E VRASJES SË HEROIT TË POPULLIT BAJRAM CURRI,

NË 92 VJETORIN E VRASJES SË HEROIT TË POPULLIT HASAN PRISHTINA,

NË 109 VJETORIN E VRASJES SË HEROIT TË POPULLIT ISA BOLETINI,

KËRKOHET QË TË DY SHTETET TONA TË PUNOJNË ME MOTON E VËLLEZËRVE FRASHËRI:

– NJË KOMB –NJË IDE –NJË FE–NJË QËNDRIM-

si në marrëdhëniet Kombëtare, ashtu edhe ato Ndërkombëtare.

Me këtë raste Ju Uroj të gjithë Shqiptarëve në të gjithë botën, me tekstin e një kënge kushtuar Heroit të Popullit Bajram Currit:

Pushkt e para që kan kris

N’Krumë të Hasit luftë është nis

Luftë e rrept me bajraktar

Luft e madhe me tradhtar.

Kush luftoi n’at majë t’gurit

Me shtat zemra Bajram Curri

Kush luftoi n’at majë t’kepit

O trimat tonë kundra mbretit.

O me vrap qeni kush po ik

Bajraktari më do zabit

Bajraktari ish kan i zi

Për do pare ik n’Serbi .

Kush luftoi për t’mirën tonë

Bajram Curri të tan thojnë

Ai luftoi për fukaranë

O për drejtësi e për vatanë.

O Bajram Curr mor trim, o burr

Emni yt s’harrohet kurrë

Populli i Hasit n’shenjë kujtimi

Lapidar i ngre ktij trimi

Se e pat lanë me gojë të tij

O n’Krumë të Hasit n’dhé me shti.

O bjeshkë e male rreth e qark

Se harrojnë atë bajrak

Se harrojnë at porosi!

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT