• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Transfigurime mitike e gojëdhanore në poetikën e Martin Camajt

April 28, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Viola Isufaj/

Ky libër lëkure i përket një populli,

i cili nuk qet asgja në harresë.

Të gjithë shkrimtarët e diasporës shqiptare kanë dhënë ndihmesë për t’ia zgjeruar horizontet kulturës; megjithatë, kontributi i tyre herë-herë mund të duket disi i zbehtë para atij shqiptimi aq të fuqishëm poetik, që përfton shëmbëlltyrën tërësore dhe subjektive të qenies dhe qenësisë shqiptare në veprën poetike të Martin Camajt. Kjo shëmbëlltyrë rivjen si “eksplorim i një kulture mijëvjeçare, si zgjim lënde primitiviteti”, si histori, si njësim i së shkuarës dhe i së ardhmes, si tejkohë për të përcjellë tablonë poetike të botës shqiptare, të vendlindjes së largët alpine, ku poeti nuk do të mund të kthehej më. Mendohet se ndoshta nuk është e rastit që Camaj zgjodhi për të banuar një vend të shkëlqyer, me atmosferë të paqme e të virgjine, si alpet e Bavarisë, që çdo çast i kujtonin malet e thepisura të vendlindjes.

Objekti i këtij punimi do të përfshijë studimin e rifunksionalizimin e figurave dhe motiveve mitike, antiheroizmin, transfigurimet që krijojnë përhershmërinë e kohës a të vendit-duke ngulitur në kujtesën kombëtare jetën e psikologjinë, shpirtin e një shqiptari të kulluar.

1. Rimodelim i invarianteve

Transformimi i një skenari:

Camaj ruan një skenar dhe e transformon atë. Sipas studiuesit Levi-Strauss-it, rrëfimet mitike funksionojnë në mënyrë të përsëritur, duke u shfuqizuar, duke u transformuar dhe në forma alegorike.

a. Legjenda e Shotës është një meditim mbi fazat e ndryshme të qytetërimit me një ndjenjë nostalgjie ndaj së kaluarës-për qytetërimin e humbur organik, ku njerëzisë i lejohej të merrte nga „uji i jetës“. Qytetërimi shkencor dhe indistrial e ka privuar njeriun nga ekuilibri i tij natyral-kjo temë mund të ilustrojë tezat mbi atë moment të veçantë të zhvillimit të një qytetërimi në të cilin shterrën forcat jetësore të vetë qytetërimit. (Czeslaw Milosz, Mendime për T.S. Eliot-in, Tomas Eliot, Toka e shkretë, Aleph 2009, f 115)

Zemra ime asht e ndame dyshë

dyshë mes dy dhenash

dyshë mes dy kohnash

dyshë mes dy shijeve:

të ujit e të venës së kuqe.

Pa qenë trimneshë, kam dy zemra

në parzëm, plot me dëshira binjoke

dhe kur avitet nata, nuk kam asnji

dhe bie mbi shtrojen e bartit të njomë

dhe vdes bashkë me kohën e territ.

Në mëngjes, kur zgjohem,

shoh bujqit e natës të ndrydhun

prej peshës së korpit tim e më dhimben

sa bimët ujce në gjiun e Drinit.

Mirëpo, nga ana tjetër të gjitha sistemet njerëzore duket se kërkojnë përtëritje të vazhdueshme. Forca kundër kësaj janë nostalgjia dhe thirrja për t’i patur gjërat si dikur- një evokim i një të shkuare që supozohej të ishte e lumtur.

Përmes shfrytëzimit të “invarianteve” të legjendës së Shotës, Camaj e ristrukturon legjendën në bazë të modelit dramatik. Poezia Legjenda e Shotes arrin laminë e të folurit të personazheve, dhe intensitetin e shprehjes përmes mjetit më të përshtatshëm për shprehjen e kundërthënieve midis karaktereve, tipar karakteristik i veprës dramatike: dialogu-në të shprehet luhatja e brendshme e individit (Shotës) në mes të dëshirës dhe mendimit, duke shkaktuar gjendje të shtypur, situatë pa zgjidhje. Pikërisht ky konflikt të cilit i nënshtrohet një strukturë e posaçme dramatike ngërthen, në fakt tri ndeshje forcash në tri nivele leximi të mbivendosura:

-nga mëdyshja më e rëndomtë e individit mes dy dashurive

-tek qëndrimi mëdyzash i poetit mes dy botëve (poeti i një populli të privuar shumë dhe të mbajtur nën trysni e ngushticë, e ka më të madhe hapësirën poetike dhe rravgimin e mallit)

-e deri tek tundimi i gjithhershëm i njerëzimit midis joshjes nga bota e dëlirë primitive dhe nga zhvillimi i vrullshëm i qytetërimit. ​​

b. Rrëfenja mitike përmes përthyerjes tmesike: Robert Scholes-i (Sholsi), duke folur për shumësinë e kuptimit të strukturës gjuhësore, por edhe të kontekstit shoqëror e kulturor, thotë:

“Kuptimi asnjëherë nuk është i mbyllur thjesht në vepër (implicit), prandaj mund të zbërthehet (eksplikohet) nga studiuesi i dukurive të gjuhës. Kuptimi është lëvizje e përhershme para dhe mbrapa midis gjuhës dhe tekstit dhe rrjetës së nëntekstit, që nuk janë në vepër, po janë thelbësorë për ta kuptuar atë.

Para tekstit të poezisë Mospërfillja, rezulton të qëndrojë një element i rrëfenjës mitike të Qokut-ky element është figura e djalit të mbetur jetim, të keqtrajtuar nga njerka, që pas përpjekjesh të dhimbshme, për t’i shpëtuar zhdukjes metamorfozohet në qokth. Midis thurimës së rebusit-gjuha e së cilit ndërton këtë poezi hetohen: braktisja, mospërfillja dhe nata-(të cilat ruhen nga modeli i legjendës dhe kanë organizuar lëndën e e kësaj poezie) të rifunksionalizuara në këndvështrimin tmesik-leksikor, tmesik-morfologjik, tmesik-sintaksor dhe tmesik-fonetik në poezinë Mospërfillja.

Leksema Mjesnatë- shpreh një thyerje të dyfishtë të natës e cila dëshmohet jo vetëm në bërthamën semantike të leksemës, por edhe në thyerjen fonetike-vendosjen e tingullit nj-në mes të fjalës. Vargu këndon qokthi ndër rreze- shënon një thyerje sintaksore përmes inversionit. Kjo është thyerja e rregullit natyror-ngritja e zërit të poetit, i cili kërkon të këndojë nën rrezet e hënës (rrezet e diellit janë të mohuara).

Thyerja asindetike: sytë, dy pika uji, ndrisnin dhe kanga/ pikon në luginë, në terr konoton ndërprerjen e mendimit të lirë, mospërfilljen ndaj poezisë.

Kështu kur intonacioni mbetet i ngritur në fund të vargut:

Dikush buzë lumit n’agim gjeti/sqepin e thyem të qokthit e tha:

dam

Përftohet një politmesë-tmesi figurativ-stilistikor ndërthuret me tmesin konvencional në sintagmën sqepin e thyem:

dam! Kqyre këtë tingull që ra/ e plasi në gurë.

Tmesi foljor përshkallëzues klimakstik i referohet jo vetëm kadencës, po edhe plasjes së tingullit (duke u përplasur me gurin, në një përpjekje që është e destinuar të mbarojë vetëm kështu); së dyti është një tingull i çuar kot që humbet në terrin e natës, shënjuar me “dam”- një thyerje tingullore përmes një figure eufonike. Të gjitha fijet kuptimore që realizojnë tmesin nisin nga titulli dhe përfundojnë tek titulli:- përfillja thyhet. Mesazhe të ngjashme duken se përçohen edhe tek poezia tjetër e këtij poeti Qokthi eci mbi sende.​

2. Ndërthurje të invarianteve greke dhe shqiptare në shprehjen e ekuacionit

Papërkryerja, papërsosja, mosplotësimi jepen përmes një rifunksionalizimi të invarianteve të mitit grek të Uliksit me elementin e brirëve të dhisë, një kafshe me atribute kulti. Kjo realizohet me anë të gjuhës së rebusit, me densitet logjik dhe sugjestion, dhënë në një tip tepër specifik të rregullsisë:

Uliksi e Itaka pa grue – dy krena binjokë dhie/ Me nji bri të thyem: punë e pakryeme

-parashtrimi i të cilit, i përngjet parashtrimit të një ekuacioni matematikor: pohon barazvlefshmërinë e dy shprehjeve, të shkruara si një varg simbolesh, të ndara në anën e majtë dhe të djathtë me një shenjë (në këtë rast, të nënkuptuar) barazimi. Është një ekuacion i kushtëzuar, në të cilin variabla, mund të marrë një vlerë (rrënjë) që përmbush ekuacionin. Kjo rrënjë, që duhet të “kënaqë” ekuacionin, si për paradoks, është pikërisht: papërkryerja, mosplotësimi.

3. Ridimesionim dhe zhvendosje e kuptimeve të miteve

Poezia Formulë mëngjie strukturohet mbi bazën e antinomisë së dy skenarëve të magjive–një skenar magjiko-ritual keqbërës dhe një mbrojtës –një metaforë kjo, që shenjon përjetimet e kundërta të pasionit: prirja për ta lënduar objektin që dashuron dhe prirja për ta mbrojtur atë. Midis këtyre dy skenarëve, vendoset rrëfimi në trajtë ankimi e lutjeje duke shpallur kështu konfliktin e brendshëm tek qenia njerëzore: i lumi unë për ty/më le shteg me folë. Në një ritual magjie vallëzon e rrotullohet dhe përfytyrimi mbi gjarpijt e zes plot figura eufonike e krijime imazhesh verbuese gjatë rimarrjes së një motivi arbëresh me qëllim, me sa duket, zbutjen e gjarpërinjve-një eufemizëm që organizon krijimin e një gjendjeje hipnotike tejpërshkuar nga tingulli dhe drita. Një eufemizëm –cilësori “i bardhë”, nënkupton marrjen me të mirë, përkedheljen, marrëveshjen a mosguximin (për shkak të zemërimit a tërbimit që mund të zgjojë përdorimi i cilësorit “i zi” që i atribuohet realisht gjarprit, ose jetës së gjarprit). Gjendja hipnotike realizohet jo vetëm përmes përsëritjes së vazhdueshme të epitetit i bardhë, por edhe zanoreve dominante të hapura a dhe e që janë zanore që gjenerojnë dritë e të ftojnë në përfytyrime të diellta, të qarta e të kthjellta plot hapësirë e frymëmarrje, në imazhe të bardha e të shndritshme:

Ne driza jane gjarpijt e zez

e ti je e zhveshun nen diell.

e jeta e tyne asht e bardhe,

e bardhe e bardhe nen diell,

e jeta e bardhe e bardhe,

nen diell e bardhe, e bardhe.

Në vitin 1845, Bredi i Mançesterit e kishte kodifikuar hipnozën me anë të provokimit të lodhjes nervore, nëpërmjet soditjes (kontemplacionit) të objektit ndriçues…(Krasniqi, Nysret, Teori dhe Kritike moderne; (zgjedhur dhe përkthyer), Rozafa, Prishtinë 2008, f. 2003)

Kjo poezi gjeneron dritë verbuese dhe melodia e veçantë hipnotike me qëllim qetësimin e gjarpërinjve a lidhjen e besës me to, realizohet përmes një organizimi të veçantë ritmik dhe vendosjeje fjalësh në një pozicion tepër preciz. Muzikaliteti krijohet nga lartësia e toneve, kohëzgjatja e tingëllimit, theksi, dhe shpeshtësia e përsëritjeve – ku më e madhe ku më e vogël. Gjithashtu, bashkëtingëllorja r e vendosur pas zanores a, ndryshon kohëzgjatjen e shqiptimit të kësaj të fundit, duke provokuar marramendje a lodhje nervore gjatë krijimit të fushës magnetike-çka realizon gjumin hipnotik. Pazua e shprehur edhe grafikisht realizon (njofton) përfundimisht krijimin e fushës magnetike (a gjendjes së magjepsur) me qellimin kumtimin e një marrëveshjeje. Pranëvenia

Mjaltezat lagin me mjalte/ gurzit e projeve te thata

thellon eufemizmin (zbutjen me mjaltë) a gjumin e krijuar, kumton synimin për të mos ta kapërcyer kurrë këtë gjendje. Ka të ngjarë që “i gjithë ky program” të jetë një përkëdhelje në mbrojtje të objektit dashuror të pambrojtur mes marrëveshjesh me gjarpërinjtë. Në qoftë kështu gjarpri është simboli mitik seksual:

Ne driza jane gjarpijt e zez

e ti je e zhveshun nen diell.

Duke qenë se dielli adhurohej si burim jetese, burim shëndeti, burim pjellorie dhe si objekt mbrojtës dobiprurës, shumë veprime me karakter bujqësor e blektoral duhej të fillonin me të lindur të diellit e jo më parë. Prandaj, po kaq, duket se lutja në këtë poezi mund të nënkuptojë ritualet dukagjinase a mbarëshqiptare të lidhjes së besës me gjarpërinjtë në verë në funksion të tokës.– Këtij kuptimi mesa duket i referohet dhe sintagma e veçantë gjuha e gjarpnit (latinishtja s’asht punë për ne/mëso gjuhën e gjarpnit ma parë) në poezinë tjetër të këtij poeti Tregim i thjeshtë. Kundërvënia latinisht-gjuhë e gjarpnit, ngërthen në vetvete disa kundërvënie kuptimore nga më të thjeshtat e më sipërfaqësoret deri tek më thellat e më të ndërlikuarat. Kjo poezi mbështjell një thelb të qenësisë autoktone dhe të vetëdijës iliro-shqiptare. Titulli i kësaj poezie Tregim i thjeshtë-dhe ndërthurja në dukje prozaike, të ndërmendin lojën poetike të Camajt e pashmangshmëmrisht poezinë “Kush i bani mëngji qytetit”e cila tradhëton pritjen e lexuesit: në vend të shqiptohet ndonjë aspekt mistik i jetës, shqiptohet realiteti nën diktaturë me gjithë tmerrin që mbart. Në poezinë “Kush i bani mëngji qytetit” kemi një zhvendosje të ritualeve magjike, një zhvlerësim e një rivlerësim të tyre përmes ridimensionimit dhe simbolit.

Në tekstin poetik të M.Camajt gjejmë një informacion të kondensuar, që është në gjendje të na përcaktojë një seri mesazhesh përmes një estetike të ngritur mbi shtresëzimin e kodeve. Në poezinë Natura morta bëhet fjalë për një botë të mitit, një botë abstrakte ose të pastër, të paprekur dhe të paprekshme nga kanonet e prëshatjes së mundshme ndaj përvojës së njohur. Zotat vetëm sa vëzhgojnë nga lartësia e lirisë së tyre të pavdekshme si nga një vend a fushë e veprimit.

Zotat ende pushojnë n’Olimp/N’qepllat e tyne rrah çdo minutë-/Pemve t’gazit rrite e tha për nji natë

Rrahja e qepallave të zotave është matëse e kohës; koha rrjedh në dy kahe-ritmi dhe drejtimi i rrjedhjes së kohës përcakton relativitetin e saj. Nga njëra anë një kohë olimpike, e përjetshme perëndish, që i referohet fushës së tyre të veprimit: Olimpit- nga ana tjetër, shpirti njerëzor i paqëndrueshëm e i panjohshëm, i përkohshëm, e i papërkryer, përjashton çdo prekje hyjnore. Poshtë fijet e telefonit/Gjatsinë e rrugave masin/E koha ec e ec n’për ta./E flokët e dëborës digjen në takim me sende Titulli Natura morta- ngërthen një koncept të artit të pikturës, ku paraqitja e realitetit vjen me përpikmëri e pa vitalitetin e eksistencës metafizike, po thjesht fizike. ​​​​​​​​ ​​

4. Reminishenca dhe riaktivizime figurash mitike Reminishencën e mëkatit biblik e shohim te vjersha Grueja dhe mjellma si një medium rrëfimi që këtu i bëhet jo njeriut, por një qënieje, që besohet se mishëron rikthimin, metamorfizmin e gruas në mjellmë. Dhe mëkatarja e legjendës, kur kjo mjellmë

“Ulet për Dri e ndalet/pendlat me terë te këmisha e nuses” i rrëfehet:

Mjellmë ….kam hy në mekat… (Petriti, K., Në poetikën e Martin Camajt, Tiranë, 1997)

Poezia Bleta në veri i kundërvihet “thanies së Herodotit si mbas të cilit andej Istrit nuk gjallnuekëshin bletë”. (Ka mjaft legjenda që tregojnë se bleta paska qenë dikur paska qenë njeri. Thuhet “vdiq”-për të, se ajo ka cilësi të njerëzve, jo të insekteve. Është e ndaluar që ajo të namet, se një veprim të tillë e quanin gjynah dhe me pasoja të padëshirueshme në bereqet. Nopça mendon se ky adhurim i veçantë i bletës ka të bëjë me kultin e mitrës me burim nga mitologjia e lashtë persiane. (Ilirët bënin verë prej mjaltit të bletës). Mark Tirta, Mitologji nder Shqiptare, Tirane 2004, f. 66 .

Por Pipa duke depërtuar në shtresëzimet e poezisë na jep transfigurimin e kësaj figure:

Bleta në Veri” përmban një epigraf: “Kundër thanjes së Herodotit simbas të cilit andej Istrit nuk gjallnuekëshin bletë (libri V, 1)”:

Doli agimi e avulli

zbuloi trajta të ajthta

para derës së Veriut.

Sytë e errët mbas një nate

pa gjumë

u prirën andej Istrit e panë

si me qenë në Jug

bletë përpara zgjonit me krahë ari

gati me u lëshue fluturim

kah rrezet për net të mungëta.

Çfarë nxjerr lexuesi nga ky tekst? Metafora e rëndomtë e “krahëve të artë”, që zbukuron një përshkrim prozaik të një përvoje personale, e cila përgënjeshtron thënien e Herodotit rreth bletëve nuk është e mjaftueshme që ky tekst të quhet poezi, sikur edhe po të jetë rreth poezisë, këtu e simbolizuar nga bletët. As edhe një term gjeografik i tillë si Ister-i, emri grek për Danubin, apo fraza gjeografike “dera e Veriut” për Munihun, nuk i shton shumë poezisë. Pjesa duket se lidhet me një përvojë personale, largimi i autorit nga Roma për në Munih, emri gjerman i të cilit, München, të vjen ndër mend nga mbiemri “i mungët”, që rrjedh nga mung (ar) apo murg – gjerm. Mönch, angl. monk, ital. monaco. Poezia përçon vendosmërinë e poetit për të mos e braktisur poezinë, madje edhe në një qytet “veri(or)”, të tillë si Munihu, klima kulturore e të cilit nuk është e përshtatshme për të, një mesdhetar. Poezia është një enigmë, çelësi për zgjidhjen e saj mbështetet në mbylljen e saj, “net të mungëta”, net të kaluara në Munih, duke përgatitur disertacionin e vet gjermanisht, të ngjashme me netët e kaluara në manastire nga murgjit që kopjojnë libra të rrallë.

E interpretuar kështu, poezia konfirmon shpjegimin në kopertinën e librit, që çdo poezi fsheh një përvojë disi të pakëndshme, e cila, kur ndahet me të tjerët, bëhet e këndshme, kujtimet e lumturisë kapërcejnë çastet e vështira në jetën e çdokujt, duke qenë një burim kënaqësie. Çështja qëndron nëse kjo kënaqësi ndahet me lexuesin. Që të ndodhë një komunikim ndjenjash ndërmjet autorit dhe lexuesit, ky i fundit duhet të dijë jo vetëm se Ister-i është emri grek i Danubit dhe se “e mungëta” i referohet Munihut, por gjithashtu se autori iku nga Roma pa dëshirë, i vendosur të shkruajë poezi. Këto gjëra lexuesi mund t’i dijë vetëm nëse ai i përket një elite intelektuale. (ARSHI PIPA – POEZIA DHE POETIKA E MARTIN CAMAJT në Fjala, 02/09/2020)

5. Pamje aktuale mitologjike përmes “vjetërimit të kohës”

Temat më të zakonshme në veprën e Camajt janë humbja e traditës, vetmia në një botë në ndryshim e sipër dhe kërkimi i prejardhjes. Malësori Camaj ishte rob i mungesave,…ai tërë jetën ngjalli poetikisht nga kujtesa e gjakut, krijoi e jetësoi mungesën e tij: Dukagjinin e përjetshëm (Fenomeni i avangardës në letërsinë shqiptare, Sadik Bejko, f. 61)- Kulti i të parëve modelohet në trajtën e një rrëfimi të ngjashëm me rrëfimin mitik në poezinë Dy brezni. Pranëvënia e figurës së babait me drunin e ullinit pa fletë gjakon të përftojë pamje të përjetshme të madhështisë, pa mburrje a lavdi, pa deklarime e vetëshpallje. Në këtë poezi thotë se vëllai i tij “i fryn zjarrmit në vjeshtë me plot bulshinj e gjithë shkëdijat i bahen djelm”. Pavarësisht bjerrjes ndër shekuj, shfaqet nevoja jetike për riprodhim-si ligj i përgjithshëm i natyrës, por me specifikat për “fisin” e autorit-kjo është kërkesë dhe dëshirë- e po aq, startegji natyrore për riprodhim si një nga mënyrat për t’i mbijetuar harresës. Përkundrejt harresës dhe hijes shekullore që kanë rënë mbi këta breza, shfaqet ripërtëritja. Brezat jo vetëm përtëriten, rivitalizohen, por mbi të gjitha ekzistenca e njeriut dhe vazhdimësia shfaqet e rishfaqet në pafundësi në figurën e pasardhësit “këmbëzdathë –murrla i kuq n’orizont”. Ky është vëllai që zuri vendin e babait; shekujt e mijëvjeçarët përthyhen në kohën e sotme dhe e bëjnë poetin pjesëmarrës në një përmasë kohore tepër komplekse. Këtu arkaizmi estetik lidhet me arsyetimin, përforcimin, kodifimin e besimeve dhe praktikave brenda kompleksit kulturor të traditës në një areal të caktuar. Është një prerje diakronike dhe sinkronike e botës së shqiptarit të veriut dhe e botës shqiptare në përgjithësi. Ka një marrëdhënie të ndërligjshme midis të gjitha rrafsheve kuptimore, një zhbirim vertikal nga lart-poshtë në përputhje dhe me mbishtresimet sipas parimit të palimsestit: nga babai, tek djali, nga djali, tek shkëndijat që i bahen djelm-ky zhbirim vertikal nga lart poshtë, shfaqet edhe në poezinë Bukëvala e re përmes pranëvënies se dy breznive: plakës e vajzave.

Tek Bukëvala e re duke turbulluar primatin e kohës historike, energjitë dhe forcat e organizimit social, fatet e njeriut dhe të natyrës, në përgjithësi, esencializohen « nguliten e shkrihen » në vizatime paleolite të gjithkohshme. Një vendosje e objektit në një kohë që duket se nis më herët nga fëmijëria e njerëzimit, zbulon metaforën e zhvillimit të bukurisë trupore të femrës, fryrjen e gjoksit. Një melodi idilike që i ka rrënjët në folklor duket se endet në ato vende të hapura e në atë kohë të pakohë.

6. Tharmëtime e sublimime mitike në ciklet Nema e Buelli

Prerjet diakronike dhe sinkronike të botës shqiptare sendërtohen artistikisht në sistemin e shenjave, shenjëzimeve dhe parabolave kuptimore veçanërisht kur teksti poetik strukturohet si dialog dhe monolog me vetëdijen historike dhe vetëdijen mitike. E gjeti bërthamë nën gjuhë /Tue folun /Me të bijën jehonë. “Rrëshqitja” në rrafshin vertikal, pra diakronik, është në fakt rrëshqitja në thellësi të shekujve, në vetëdijën historike e cila rizbulon shpirtin e njeriut shqiptar (dhe qënies dhe qenësisë shqiptare) si të qetë, fatkeq e tragjik.

Rrodhi nëpër zemra ashtu/Si rrjedh uji teposhtë/Dhe u shkri në vetminë dhe/ U ngjall kur ra prap shi.

Rrugëtimi i kësaj qënieje ngjet e funksionon në rrafshin thellësor-ai tipizohet nga polivalenca semantike:

U ble, u shit/ Nga populli në popull/Për lëkura shpata e heshta/Për helm, voj ullinjsh e guri/E për një dele të ngrime/Në rem, argjend e ar/E u vorrue gjallë n’uratë.

Krishtërimi ka zhvilluar kultin e deles e të qengjit, kult me burim të lashtë biblik nga fiset e lashtësisë që banonin në brgjet lindore të detit Mesdhe-por këtu delja e ngrime në rem, argjendi e ari, lëkurat, heshtat e shpatat, voji i ullinjve dhe i gurit cilësohen nga mundësi të shumëta konotuese që na ndërmendin fjalët e poetit:

Në historinë tonë si nacion ndihet konsekuenca e humbjes së udhës së drejtë.

Thyerjet e pazakonta në tekst (fjala përbërëse e vargut paraardhës kalon në vargun pasardhës) krijonë shumëkuptimësinë. U vorrue gjallë n’uratë –është një përplasje e skajshme gjatë ballafaqimit të dukurive kontrastike. ​ ​

Buelli ka lidhje totemike me njeriun (kjo shfaqet qartë në emrat e përveçëm si Mekshi e Buë). Kur flasim për buej/Kemi ndërmend dhe njerëz (Camaj, M., Vepra letrare 3, Apollonia, f. 153) Humbja e identitetit njerëzor jepet nëpërmjet dukurisë së theriomorphosis (bashkimi i tipareve njerëzore me ato të kafshëve).

Dolën shëndoshë e mirë në verë/Burra e gra/Fëmijë me flokë të preme në njërën anë e në tjetrën/Lopë e buej përzie bashkë(Camaj, M., Vepra letrare 3, Apollonia, f. 149)

Njeriu dhe kafsha janë kaq pranë njëri-tjetrit, sa lehtësisht mund të ngatërrohen. Ata janë kthyer në një qënie të vetme, e cila paraqet herë tipare të njërës e herë të tjetrës krijesë. Buelli- lidhet qoftë me fatin a fakeqësinë individuale ose kolektive, qoftë me kundërveprimin. Impulsit të shkatërrimit i kundërvihet fuqia naturale e fizike e kafshës, e cila doli prej elementeve të mirfilltë të tokës dhe të ujit.

Doli nga kneta ashtu si lindi /Për çdo shekull një o dy herë/ Kur zbehet hana/ Bualli gur e dhé çohet lugat/ Përkulet deri në Lumë e pi ujë/ Dhe hurp gur të shkrimë e mazën e tokës/Në vlim.

Vlimet dhe reaksionet e brendshme, por edhe çuditërisht, përballimi i tyre sublimohen artistikisht në vargjet: i vjen me vjellë prej barkut/zorrë të dredhuna/mbi krande të kalbuna e lëmashk.

Falë madhështisë e forcës mund të ngadhnjehet mbi forcat demoniake. Buellit i vjen “me vjellë” të keqen që ka gjalluar brenda vetes së tij (dhe qenies sonë)-atëherë kjo qenie mitike mediterrane nuk lidhet vetëm me dhunën dhe pësimin. Simboli mitik i buellit shtrihet në disa rrafshe.

***

Matrica brenda matricash, shtresëzime brenda shtresëzimesh-me cilësi të njëjta por në dimensione të ndryshme-ato u ngjajnë matrioshave-ndonëse botëkuptimi dhe botëformimi i Camajt pak lidhje a ndikime ndodh këtë me kulturën që ato tipizojnë. Kudo në konfigurimet dhe transfigurimet mitike, ndihet retrospektiva, intraspektiva dhe prospektiva; ndihet parimi krijues i palimsestit në pëputhje me thelbin e kuptimit të jetës së njeriut, historinë tonë si nacion dhe me historinë dhe pështjellimin e rruzullit:

Ky libër lëkure i përket një populli,

i cili nuk qet asgja në harresë,

andaj me vend i thirrën palimsest,

me shtresa i shkruem dy apo tri herë.

Filed Under: LETERSI

SHQIPTARËT NË MAQEDONINË E VERIUT, NGA BASHKËHARTUES NË TABELË PROJEKTIMESH TË PADREJTA

April 28, 2025 by s p

Sot, Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq ku shumëçka duket e qetë në sipërfaqe, por shumëçka lëviz nën të. Në këto rrethana, vetëm ata që dinë ta lexojnë këtë qetësi jo si paqe, por si sfidë, mund të ndërtojnë politika që qëndrojnë përtej të përditshmes. Shqiptarët janë ndër ata që mund ta bëjnë këtë – nëse zgjedhin të jenë faktor i qëndrueshmërisë dhe jo thjesht pjesë e ekuilibrave të përkohshëm

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Koha, si gjithmonë, është një aktor i heshtur, por thellësisht i drejtë. Ajo nuk mbështet asnjë agjendë dhe nuk jep paralajmërime për vendimet që dikush duhet t’i marrë sot për të mos paguar çmime nesër. Në shoqëri të ndjeshme si Maqedonia e Veriut, ku pluralizmi etnik është pasuri por edhe provë e vazhdueshme pjekurie, kjo heshtje e kohës mund të bëhet gjykim i ashpër për ata që nuk arrijnë të kuptojnë drejt drejtimin e saj. Në një sfond ku zhvillimet globale kërkojnë pozicionime të qarta, dhe rajoni më shumë se kurrë ka nevojë për vlera të përbashkëta, fragmentimi politik i brendshëm mbetet një luks i padurueshëm. Për vendet që nuk e kanë ende të konsoliduar arkitekturën e tyre të brendshme demokratike, mungesa e një vizioni gjithëpërfshirës nuk është vetëm dobësi taktike – është një rrezik strategjik.

Në këtë mozaik politik, shqiptarët nuk janë më thjesht një “pjesë integrale e sistemit”. Ata janë një shtyllë që ndihmon në ekuilibrimin e gjithë ndërtesës. Por kjo shtyllë nuk mund të qëndrojë fort nëse e përbëjnë pjesë që lëvizin në drejtime të ndryshme. Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët nuk kanë luksin të jenë spektatorë të një loje politike që shpesh zhvillohet pa ta, por në emër të tyre.

Fatkeqësisht, në vend që të vlerësohet investimi historik i shqiptarëve në ndërtimin e një shoqërie stabile dhe funksionale, në disa raste, kjo pjesëmarrje po devalvohet përmes një narrative të rrezikshme që tenton t’i paraqesë ata si faktor destabiliteti. Po abuzohet me deatomizimin e politikës shqiptare – një dukuri që mund të jetë pjesë e një pluralizmi të brendshëm, por që sot po përdoret për të fragmentuar imazhin e përfaqësimit dhe për të delegjitimuar kontributin e shqiptarëve në procese shtetformuese.

Kjo qasje është jo vetëm e padrejtë, por edhe kontraproduktive për vetë shtetin.

Në vend që të shfrytëzohej angazhimi i kahershëm i shqiptarëve për stabilitet, për respektimin e identitetit shtetëror të Maqedonisë së Veriut dhe për mbështetjen e proceseve integruese evropiane, po tentohet të ndërtohet një skemë e re faji politik që nuk i ndihmon askujt. Shqiptarët e kanë dëshmuar për dekada se janë faktor lojal dhe shtetformues, dhe në këto momente historike, duhej të vlerësohej ky kontribut – jo të zëvendësohej me aludime që shtrembërojnë të vërtetën.

Ka një moment kur politika ndalon së qeni garë për pozicione dhe fillon të bëhet përgjegjësi për drejtimin. Ky moment ka ardhur. Dallimi midis një përfaqësimi simbolik dhe një bashkëhartimi real të së ardhmes qëndron në thellësinë e reflektimit dhe guximin për të thënë të vërtetën – edhe kur ajo nuk është e lehtë për t’u dëgjuar. Të jesh pjesë e një qeverisjeje nuk është njëherësh të jesh pjesë e një zgjidhjeje. Zgjidhja fillon kur ajo përfaqësim politik arrin të krijojë platforma të përbashkëta, që nuk mbyllen brenda cikleve zgjedhore, por ndërtojnë urë për vizion kombëtar dhe shtetformues. Përndryshe, roli shndërrohet në statist, ndërkohë që vendimmarrja e vërtetë kalon diku tjetër – e padukshme, por shumë reale.

Nëse Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 do të ishte trajtuar me seriozitetin dhe përkushtimin që meritonte, sot, pas më shumë se dy dekadash, diskutimi ynë do të duhej të përqendrohej në avancimin e saj përmes mekanizmave të diskriminimit pozitiv dhe thellimit të barazisë substanciale. Fatkeqësisht, mospërmbushja e afateve të parapara, mungesa e vizionit politik dhe neglizhimi i natyrës së saj si një bazë identitare dhe shtyllë e stabilitetit shtetëror, krijuan hapësirë që kjo marrëveshje të degradojë në një mjet të instrumentalizuar për interesa të përkohshme politike. Në vend që të shërbente si një platformë për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror, ajo u banalizua dhe shpeshherë u keqpërdor për arritje të pushtetit, duke e zhveshur gradualisht nga përmbajtja e saj themelore. Përgjegjësia për këtë devijim i takon të gjitha hallkave të politikbërjes që nga viti 2001 e deri më sot, të cilët, me veprime ose mosveprime, kontribuuan në një rrjedhë të pasigurtë, të shoqëruar me tensione ndëretnike dhe ndërfetare që, në vend të kapërcimit, janë thelluar.

Shembujt më të fundit, si shfuqizimi i mekanizmave të balancimit dhe ndërhyrjet në arkitekturën e gjuhës, nuk janë veçse sinjale shqetësuese të një trajektore që, nëse nuk reflektohet me mençuri, rrezikon të godasë vetë themelet e stabilitetit shtetëror dhe të mbyllë horizontet e perspektivës së përbashkët. Është imperative që Marrëveshja e Ohrit të trajtohet jo si një kapitull i mbyllur, por si një proces i gjallë dhe i domosdoshëm për bashkëjetesën, përndryshe pasojat e kësaj moskujdesjeje do të rëndojnë mbi të ardhmen e përbashkët të shtetit.

Nëse politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdon të operojë në logjikën e ndarjes së të njëjtit segment, ajo rrezikon të humbasë mundësinë për të ndikuar në ndërtimin e një shteti ku barazia nuk vjen si kompromis, por si parim. Bashkëhartimi i së ardhmes, në këtë kuptim, nuk është thjesht një ideal – është një përgjegjësi që matet në aftësinë për të bashkërenduar zëra, për të qartësuar qëllime dhe për të mos harruar se koha ecën, por nuk kthehet.

Sot, Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq ku shumëçka duket e qetë në sipërfaqe, por shumëçka lëviz nën të. Në këto rrethana, vetëm ata që dinë ta lexojnë këtë qetësi jo si paqe, por si sfidë, mund të ndërtojnë politika që qëndrojnë përtej të përditshmes. Shqiptarët janë ndër ata që mund ta bëjnë këtë – nëse zgjedhin të jenë faktor i qëndrueshmërisë dhe jo thjesht pjesë e ekuilibrave të përkohshëm.

Sepse historia nuk e ka zakon të presë ata që vonohen.

Shkup, 28 prill 2025

Filed Under: Komente

Qoftë i përjetshëm kujtimi i martirëve të lirisë!

April 28, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Në pranverën e përgjakur të vitit 1999, kur Kosova digjej në zjarrin e lirisë dhe dhimbjes, Meja e Gjakovës u bë dëshmi e njërit prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit në historinë tonë. Më 27 dhe 28 prill, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme, duke ndalur dhe ekzekutuar mbi 350 qytetarë shqiptarë të pafajshëm – nga fëmij, të rinjë adoleshentë, burra e deri te pleq që mezi mbanin veten.

U pushkatuan mizorisht, vetëm pse ishin shqiptarë.

Meja u kthye në një kodër varresh të hapura, në një fushë dëshmie të gjenocidit, një tokë e gjakosur e bijve më të mirë të Gjakovës dhe rrethinës.

Të mbledhur me forcë, të dhunuar në dinjitet dhe në jetë, këta martirë sot jetojnë përjetësisht në kujtesën tonë kombëtare.

Ne sot përkulemi me respekt para emrave të tyre, para dhimbjes së familjeve të lënduara, dhe para plagës së hapur të nënave që presin me vite për një varr.

Meja është zëri i përjetshëm i kërkesës për drejtësi, thirrja që nuk shuhet kurrë për të vërtetën e Kosovës.

Sot, si komb, ne jo vetëm që i nderojmë, por jemi të përbetuar të mos harrojmë kurrë se liria jonë i ka rrënjët në gjakun atyre që u flijuan për të, që po i përkujtojmë sot në Mejë, Skivjan e anëkënd Kosovës, mbi kurajon e një populli që vendosi të mos zhduket, por të ngadhënjejë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i martirëve të lirisë!

Lavdi jetës së tyre, që e flijuan për lirinë tonë!

Filed Under: Histori

SIMPOZIUMI NË NDER TË 113 VJETORIT TË THEMELIMIT TË FEDERATËS VATRA NË BOSTON

April 28, 2025 by s p

Të dashur bashkëkombës,

Me ndjenjat më të larta të respektit dhe krenarisë kombëtare, me cilësin e kryetarit të VATRËS në Boston falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në simpoziumin për 113-vjetorin e themelimit të Federatës Panshqiptare VATRA të Amerikës, zhvilluar në ambientet e Katedrales Ortodokse Shqiptare “Shën Gjergji”, Kisha e Fan S. Nolit.

Në këtë ditë të shënuar, përveç kujtimit të veprës së lavdishme të të parëve tanë, ndamë edhe 10 bursa për studentët e shkëlyer shqiptarë të Massachusetts, falë mbështetjes së anëtarëve dhe donatorëve të VATRËS.

Me mirënjohje të veçantë falënderojmë administratorin e kryepeshkopates Ortodokse Shqiptare në SHBA z.David Kosta, kryetarin e bordit të Kishës së “Shë Gjergjit” z.Dhimitraq Demiri, dhe anëtarët e Kishës për bashkëpunimin dhe mikpritjen.

Një falënderim të përzemërt për përfaqësuesit e organizatave me të cilat VATRA ruan marrëdhënie të shkëlqyera, të pranishme:

• Z.Endri Kume nga Albanians Boston Community Center (Çunat e Bostonit),

• Z.Eduard Lazri nga organizata MaasBesa,

• Zv/presidentin e Albanians Fighting Cancer Dr.Ivi Kasimati.

Gjithashtu falënderojmë:

• Kryetarin Elmi Berisha për mesazhin në këtë ditë feste,

• Sekretarin e VATRES Z.Pashko Camaj,

• Editorin e Gazetës “Dielli” Z.Sokol Paja,

• Gazetarin e njohur z.Ilir Ikonomi,

• Kryetaren e degës së VATRES në Miami znj.Iris Halili,

• Editoren e gjuhës anglese në gazetën “Dielli” znj.Rafaela Prifti,

• Kujdestaren e bibliotekës së Nolit znj.Neka Doko,

• Themeluesin e organizatës MaasBesa Z.Mark Kosmo.

Mirënjohje të veçantë edhe për:

• Kryetarin e degës së VATRES në Long Island Z.Paulin Marku,

• z.Faton Limani nga Universitei Harvard

• Bashkryetarin e Shoqatës së Studentëve të Harvardit z.Joni Syla,

• Pedagogen e universitetit Stonehill College znj.Oltiana Muharremi,

• Z.Evans Liolini, ish-bursant dhe djali At.Liolinit (i ndrittë shpirti)

• Pedagogen e universitetit Bridgwater znj.Albulena Kastrati,

• Anëtarin e kryesisë Z.Andrea Pani,

• Arkëtarin Jorid Çelaj,

• Vatranët Z.Aristotel Mici, Z.Kastriot Fetahu, z.Kaljdi Haruni dhe z.Artian Rreza.

• z.Adem Balliu nga Albanian Culture TV që erdhi nga Nju Jorku!

Regjisorin dhe anëtarin e komunitetit tonë z.Artan Malaj për fiksimin e momenteve të rëndësishme gjatë këtij eventi me aparatin e tij fotografik.

Studentet fitues të bursës:

1. Alexander Kushta / Bentley University Massachusetts,

2. Ancelin Halo / University of Massachusetts Amherst

3. Ashley Bishqemi / Suffolk University Boston

4. Bleona Paloja / University of Massachusetts Boston

5. Dario Mankollari / Boston Architectural College

6. Erjon Hoxha / Salem State University

7. Johana Papa / Stonehill College

8. Jovan Jason Green / Hellenic College Holy Cross

9. Rilind Bytyqi / University of Maryville

10. Xhesina Sirika / Salem State University

Një falënderim i veçantë për një nga organizatorët dhe moderatorin e këtij aktiviteti, z.Flamur Vezaj.

Ndërsa, dhuruesit për këtë aktivitet do t’i falenderoj me emra në ditët në vazhdim!

Në këtë përvjetor të shenjtë, me ndjenjë të thellë atdhedashurie, ne riafirmojmë misionin e VATRËS për të mbrojtur gjuhën, kulturën dhe vlerat shqiptare në diasporë, dhe për t’i përcjellë ato brezave që vijnë.

Të bashkuar nën idealet e VATRËS, me besim te kombi, gjuha dhe kultura jonë, ne vazhdojmë misionin fisnik të ruajtjes dhe përparimit të shqiptarizmës kudo ku jemi!

Lavdi të shkuarve, nderim të gjallëve dhe suksese brezave që vijnë!

Me respekt,

Mentor Maksutaj

Kryetari i VATRËS në Boston

Filed Under: Featured

VEPRA NAIMIANE NË PANTEONIN LETRAR SHQIPTAR

April 28, 2025 by s p

Prof. Ymer Çiraku

Dikur, një shkrimtar i njohur europian pati shkruar se kufijtë e një vendi, d.m.th. integriteti dhe egzistenca/siguria e tij, mund të ruhen me ushtarë – ose me statujat e poetëve. Atëhere, ashtu si për çdo popull e çdo komb tjetër, pa mëdyshje mund të thuhet se poetë shqiptarë të përmasave si Naim Frashëri, janë dhe mbeten shtyllat vertebrale e të sigurta të shqiptarisë. Dhe do t`ia vlente që popujt t`ia mbërrinin asaj dite, që përfundimisht ata të mund të mbrohen me “armët” më të sigurta e më paqësore, pra, me shpirtin dhe dritën e kulturës e të artit të tyre identitar, të përcjellë përmes magjisë së letërsisë. Këtë vlerësim do ta formulonte edhe gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej, kur shkruante qyshse ishte fare i ri për N. Frashërin se ai: “është frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë”.

Vepra letrare dhe kontributi i gjithanshëm prej misionari i Naim Frashërit, tashmë ka fituar një status të lartë nderimi. Me plot të drejtë, me emrin e tij janë pagëzuar në tërë hapësirat shqiptare një mori shkollash, rrugësh, institucionesh dhe aktivitetesh të ndryshme. Njëri prej tyre, është edhe Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili, vazhdon që të organizohet suksesshëm prej një çerek shekulli në qytetin e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut. Vet pjesëmarrësit në të, poetë të ardhur nga tërë kontinentet e botës, çmimet e përvitshme, që mbajnë emrin e poetit tonë kombëtar, botimet e shumta antologjike me krijimtarinë poetike të tyre, si dhe me kumtesat e mbajtura në konferencat shkencore të organizuara, doemos që përcjellin një vërshim arti të pasur poetik dhe të mendimit kritik letrar. Por ndërkaq, përmes këtij aktiviteti tashmë me emër të njohur, shenjohet njëherazi, në mënyrën më të plotë nderimi dhe vlerësimi për këtë bard të shquar të poezisë shqipe e përmes tij, bëhet i njohur kudo në botë, universi i pasur i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Asdreni, autori i Himnit të Flamurit kuq e zi shqiptar, po ashtu autor i lirikave të shumta atdhetare dhe filozofike – do t`i drejtohej kujtimit të poetit me mirënjohje të thellë, si atit të vet shpirtëror: “…t`adhuronj me mall e besë, se bashk` me zërin t`ënd hyjnor jam rritur…”

NDIKIMI I NAIMIT TE POETËT DHE SHKRIMTARËT

Dhe ndikimi i Naimit do të ishte vërtet fort i ndjeshëm te tërë poetët dhe shkrimtarët e mëpasëm, të cilët, siç do të shkruante nga të parat shkrimtare femra shqiptare, Musine Kokalari, ata shihnin qartazi tek ai Apostullin e Kombit. Ky përcaktim aq sublim për të, nuk do të vinte prej ndonjë autoriteti të jashtëm ndikues apo imponues, por veçse natyrshëm – prej pengut për të dëshmuar nderimin e një misionari, i cili, e shkriu tërë jetën e vet për kauzën e Atdheut. Dhe kjo sakrificë e tij prej shenjti vinte sepse, siç shkruante për të Lasgush Poradeci: Se guxove të na thuash me kalem të zi në kartë, Mall` e Math që të pat djegur. Fjalët e Gjuhës së Zjarrtë… (“Naim Frashërit”)

L. Poradeci do ta cilësonte atë një figurë qendrore të kulturës shqiptare. Madje, që ishte fort i dalluar mes asaj plejade patriotësh, të cilët derdhën pa u kursyer në asnjë çast e në asnjë rrethanë sado të vështirë për ta, gjithë energjitë e tyre – për ta ndriçuar e drejtuar popullin drejt horizonteve të përparimit dhe të çlirimit kombëtar. Dhe Naimi, i jep kësaj lëvizjeje historike “…mistikën e udhëheqësit të madh, zemrën e profetit, pa të cilën, s`është e mundur ndjekja e asnjë ideali”. (L. Poradeci, Vepra II, Onufri, 1999). Lasgushi e vlerëson Naimin si poetin kombëtar të shqiptarëve, simbol të bashkimit. Në Shoqërinë e Stambollit, që do të ishte një vatër e përgatitjes së Rilindjes Kombëtare, Naimi mbetej figura vendimtare, që vokacionin e tij poetik do ta kthente edhe në një bosht ideologjik, pikërisht në orientimin drejt Perëndimit. Do të ishte një boshllëk i madh për kohën do të shkruante Lasgushi “…pa Poetin e atij shkrimi [në fushë të letërsisë e më gjerë], pa prijësin e atij qëllimi, pa Misionarin e atij bashkimi, pa Apostullin e asaj dogme, pa profetin e asaj Feje. Naimi ndërhyn dhe i jep Shoqërisë shpirtin për të cilin [ajo] kish nevojë, i dhuron shenjën e yllit që duhej të jetë ajo për Lëvizjen. Ay bëhet simboli i saj me vjershën e tij të zhuritur atdhesore, e cila, sikundër ish vet e zhuritur, zhuritte dhe rrëmbente me vete gjithë sa e këndonin, sa e dëgjonin, dyke i tretur dhe purifikuar në zjarrin e madh të bashkimit fetar dhe kombëtar të të gjithë Shqiptarëve…”

NAIM FRASHËRI, POETI QË E LËVROI MJESHTËRISHT SHQIPEN

Naim Frashëri mbetet poeti, që e lëvroi mjeshtërisht shqipen. Ai arriti të derdhë nëpër krijimet e veta tërë stolitë e saj të çmuara, qëmtoi dhe gjallëroi fjalët e “fjetura”, apo të strukura në të folmet e krahinave, e pastroi nga “ferrat” e fjalëve të panevojshme të huaja dhe  e pasuroi si rrallë kush me fjalë të reja të krijuara prej atij vet – të kulluara dhe të selitura prej  thesareve të gjuhës amtare. Por mbi të gjitha, ai solli në botën shqiptare, ide të fuqishme mbi historinë dhe fatet e Atdheut. Sikundër do të shprehej Ernest Koliqi, në fjalën e tij në ceremoninë jubilare me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së poetit (1940), organizuar gjatë pelegrinazhit në vendin, ku do të preheshin eshtrat e tij, do të theksonte zjarrminë atdhetare që kishte në shpirt ky njeri, si një ndër apostujt më të fuqishëm të “vllaznimit” të shqiptarëve. Dhe tërë vepra dhe jeta e Naimit, dëshmoi fuqishëm lidhjet e thella dhe misterioze të gjakut e të gjuhës mbi ndasitë fetare dhe krahinore. (“Bota e re”, nr. 12/1940) Ai do të mbetej vizionar i pagabueshëm në përcaktimin e padiskutueshëm të shqiptarëve në qarkun perëndimor, prandaj do të jenë kuptimplote ato vargje, ku poeti e dëshmon qartazi dhe pa ekuivok këtë përkatësi natyrale të shqiptarëve. Por e shqipton në mënyrë apelonjëse edhe thirrjen për ta rigjetur sa më shpejt atë vend të pëtjetërsueshëm, por tragjikisht të tronditur e të përhumbur, nëpër rrugët e vështira të historisë sonë:

Jak` o ditë e uruar

Që lind nga perëndon,

Atë anë e ke ndrituar

E ne, pse na harron?…

Siç do të vrente një studiues i apasionuar dhe i ngulët i veprës naimiane (Jorgo Bulo), N. Frashëri është poeti që e pasuroi me një frymëzim të ri traditën poetike të shqipes, duke nyjëtuar zëra të tjerë të panjohur më parë prej saj të shpirtit njerëzor, edhe atëhere kur i këndoi mallit të mërgimtarit, edhe atëhere kur venitet nga malli i dashurisë, edhe kur kridhet në mjergullën e misticizmës bektashiane dhe kur shkëputet prej saj, edhe kur ngrihet në qiejt e meditacioneve metafizike, edhe kur zbret në tokë… Duke ndjekur përcaktimin metaforik të këtij studiuesi, kjo krijimtari e begatë bën pjesë në atë nivel të lartë arti poetik, që është magji dhe vet poeti, si një ndër ata “magjistarët” e endjes virtuoze të fjalës shqipe.

LIRIKA POETIKE E NAIMIT

Pra, lirika poetike e Naimit dëshmoi mundësitë e pakufizuara të gjuhës shqipe për të shprehur e për ta derdhur artistikisht tërë pasurinë e ndjenjave njerëzore dhe idealeve patriotike (libri: J. Bulo, Tiplogjia e lirikës së Naim Frashërit, 1999, ASHSH). Përmes krijimtarisë së tij, poeti arriti të krijojë një tipologji të pasur stilistike e tematike, duke nisur që nga poema epike narrative, lirika përsiatëse meditative, e peizazhit, e dashurisë. Këto krijime u endën mjeshtërisht përmes një frymëzimi spontan, fryt i talentit të begatë dhe i kulturës së pasur, të fituar prej atyre të lindjes e të perëndimit. Këto dije të gjera e të thella, nuk mbetën stoli të jashtme dhe as një amalgamë informacioni eklektik apo enciklopedik, por u shkrinë organikisht me epërsinë dhe finesën artistike,  në hapësirat e vargjeve të këtij opusi të gjerë letrar.

Për vet përmasat e pazakonta të këtij personaliteti, veprës së tij i janë drejtuar studiues të kohëve e të disiplinave të ndryshme. Nuk kanë munguar shkrimtarët me vlerësimet dhe përkushtimet letrare ndaj figurës së tij: Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Ernest Koliqi, Nonda Bulka, Dritëro Agolli, Ali Podrime, Murat Isaku, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Zija Çela…

Në një nga poezitë kushtuar Naimit, D. Agolli do të shkruante mes të tjerash:

Vargjet e tua me thërrimet e dheut janë përzierë

Dhe na duket se me qënien tonë janë shkrirë,

Se i kemi thithir mes qumështit, frutave, erës

Dhe në burime me ujin i kemi pirë…

Ti si bujk i mirë lërove arën e fjalëve,

Arën e fjalëve të stërgjyshërve mbetur djerrë,

Mbuluar nga barëra të liga të maleve,

E lërove që djerrë mos të mbetej asnjëherë… (“Naim Frashëri”)

GJUHËTARË, HISTORIANË E ANTROPOLOGË MBI VEPRËN E NAIMIT

Po ashtu nuk kanë munguar gjuhëtarë, historianë e antropologë, të cilët, kanë depërtuar në përmasat komplekse të kësaj vepre e të këtij kontributi në tërësi, ku vlerat letrare estetike, transmetojnë e gërshetohen edhe me nyjëtime idesh e trajektore të gjerë epokash historike, kulturologjike, religjioze, gjithnjë në funksion të një depërtimi sa më të thellë të mesazhit të transmetuar. Mes tyre mund të përmenden: Eqrem Çabej, Namik Ressuli, Rexhep Qosja, Dhimitër. S. Shuteriqi, Alfred Uçi, Ali Xhiku, Jorgo Bulo, Sabri Hamiti, Engjëll Sedaj, Idriz Ajeti, Norbert Jokli, Androkli Kostallari, Adriatik Kallulli, Jani Thomaj, Gjovalin Shkurtaj, Kristo Frashëri, Mahmud Hysa, Qemal Haxhihasani, Zija Xholi, Gazmend Shpuza etj.

Studiuesi i njohur Rexhep Qosja ka realizuar mbase studimin më të plotë gjer më sot rreth figurës së Naim Frashërit, duke e sinjalizuar metaforikisht veprën e tij si një Porosi të Madhe, e cila, vazhdon që të përcillet sot e kësaj dite dhe do të përcillet ndër breza edhe në të ardhmen. Brenda këtij titulli të veprës së tij të gjerë monografike (“Porosia e madhe”), studiuesi dëshmon epërsinë e një personaliteti, që i kapërxen epokat. Dhe në mbështetje të kësaj teze, kujton atë që theksonte filozofi i njohur i antikitetit Platoni se Homeri e ka edukuar krejt Greqinë. E po ashtu, sipas këtij studiuesi mund të thuhet edhe për Naim Frashërin, pasi vepra e tij ka ndikuar në popullin shqiptar më shumë se një sërë institucionesh kulturore e politike. Është fjala se figura të tilla arrijnë që të kthehen vet në institucione të autoritetshme. Studiuesi shkruan se: “Naim Frashëri është bërë mësuesi i popullit shqiptar, kurse vepra e tij, pjesë e pandarë e vetqënies së tij shpirtërore dhe morale, sepse për shumë kohë të pastajme, ia ka ndriçuar rrugën…” Dhe pikërisht ky dimension i pazakontë i këtij personaliteti, e ka kthyer Naimin në një përmendore nderimi për çdo shqiptar. Prandaj dhe vjen natyrshëm ajo që shkruante dikur Ernest Koliqi plot nderim: “Naim, emni i Yt, ka me u përmendun ndër urime e ndër bekime!”

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT