• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

Ekrem Bardha has been a leader of the Albanian-American community in the United States for more than 60 years

May 25, 2025 by s p

Harry Bajraktari/

I nderuar Ekrem Bardha, të nderuar klerikë, të nderuar bashkatdhetarë,

Ekrem Bardha has been a leader of the Albanian-American community in the United States for more than 60 years. He came to this country with nothing – after escaping communism in Albania. He worked hard and became a successful businessman in America. Ekrem never forgot where he came from and used his success to champion the Albanian cause here in America and throughout the world. He helped Albanian democracy. He contributed to the freedom and independence of Kosova. And he worked very hard to support the human rights and political rights for Albanians in Macedonia, Montenegro, Presheva Valley and Chameria.

Ekrem is a true Albanian patriot. I had the pleasure of working together with him to help the Albanian nation for over 40 years. We worked very closely with the U.S. Congress, the U.S. Senate, the State Department, and the White House in Washington for the Albanian cause. In 1991, I founded Illyria newspaper, which became an important voice for us, the Albanian-American community here in the United States – for the Albanian cause. In 1998, Ekrem took over Illyria and continued our work through the war in Kosova in 1998-1999 and beyond. Our work paid off.

Today Kosova is free and independent. Albania, Montenegro, and Macedonia are members of NATO.

Life is better for the Albanians in the Balkans today because of of the work and the efforts of the Albanian-American community in the United States.

I commend him for writing this book so that future generations will know what our community has done in those important years for the Albanian nation.

My dear friend, congratulations on your wonderful life journey – a great example of the American Dream!

God bless you and your family! God bless America and God bless the Albanian nation!

Filed Under: Komunitet

“E VËRTETA”…Kujtime nga Ekrem Bardha

May 24, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli*

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Titulli i plotë i librit është: “E VËRTETA: PAVARËSIA E KOSOVËS, AMERIKA DHE DIASPORA”, e autorit Ekrem Bardha, njërit prej eksponentëve dhe aktivistëve më të njohur të diasporës shqiptare në 60-vitet e kaluara — emigracionit të vjetër dhe të re – gjithnjë aktiv në mbrojtje të çeshtjes kombëtare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Në botën shqiptare, poredhe ataë amerikane, Ekrem Bardha njihet si biznismen i suksesshëm, filantrop, aktivist i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikan. Mbi të gjitha, gjatë dekadave, ai e ka dalluar veten si promovues dhe mbështetës i palodhur i të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Por, njihet, sidomos, dedikimi i tij ndaj “çeshtjes së Kosovës”, siç i referoheshim në atë kohë dramës njerëzore nepër të cilën po kalonte Kosova, veçanërisht gjatë 1980-1990-ave, por jo vetëm Kosova.  

Lista është e gjatë e presidentëve, senatorëve, e kongresmenëve amerikanë dhe Sekretarëve Amerikanë të Shtetit, me të cilët ka bashkpunuar Z. Bardha në mbrojtje të interesave kombëtare këtu në Amerikë — përfshir edhe disa udhëheqës evropianë dhe personalitete të tjera amerikane dhe botërore, një listë që autori Bardha e boton në librin e tij. Ai i falënderon të gjithë në emër të diasporës shqiptare në Amerikë dhe në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-amerikan (NAAC) – për ndihmën që i kanë dhënë çështjes shqiptare në përgjithësi gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit XXI. 

Në librin e tij më të fundit, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, Ekrem Bardha thekson se ai e botoi këtë libër pasi “Me keqardhje ka konstatuar se roli i diasporës për çlirimin e Kosovës, ose është lenë në hije ose është harruar”, shkruan ai. “Prandaj, e shoh detyrim ndaj çdo përfaqsuesi të Diasporës të hedhë dritë mbi të vërtetat e këtij kontributi, sipas rolit që ka luajtur, për ta berë të plotë, sa më të vërtetë fitoren dhe pavarësinë e Kosovës”, nënvijon autori Ekrem Bardha.

Rolin që ka luajtuar dhe influencën që ka ushtruar komuniteti shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, për pothuaj një gjysëm shekulli në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve dhe çeshtjes kombëtare, në përgjithësi, Zoti Bardha e krahason me periudhën e artë të Skenderbeut kur Kryetrimi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti-Skenderbe ka bashkuar principatat shqiptare për të mundur hordhitë otomane në tokën shqiptare – dhe bën një krahasim edhe me kohën e Nolit e të Konicës, në fillim shekullin e kaluar, kur të bashkuar në Vatrën shqiptare, diaspora shqiptare në Amerikë ndihmoi në shpëtimin e Shqipërisë nga coptimi i saj.

I kishte ardhur radha brezit të shqiptarëve si Ekrem Bardha me shokë – burri i mirë me shokë shumë – për të bindur “Aleatin e madh të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se gjysma e Kombit shqiptar ishte në rrezik të zhdkukjes – spastrimit etnik nga Serbia terroriste. Se “shqiptarët e Kosovës duhej të shpëtonin nga gjencoidi i egër serb”, një objektiv që “komuniteti ia arrijti këtij qëllimi”, me ndihmën e madhe të aleatës së vjetër të shqiptarëve, Amerikës, shkruan Bardha.  

Ai ven në dukje se rreth emërave në listën e gjatë të politikanëve më të lartë amerikanë — nga të dy partitë kryesore politike të Amerikës, republikanë dhe demokratë – aktivistët e komunitetit shqitaro-amerikan ishin të bashkuar me një mendim e me një qëllim, dhe me shumicë dërmuese, pa dallim, në këtë kauzë mbarë kombëtare, me miqët dhe mbështetsit tanaë tanë amerikanë. Kësaj kauze, thekson Bardha, iu bashkuan shqiptarë nga të gjitha trojet arbëroro-shqiptare. “Mund të ishim kolonjarë apo çamë, rugovas, shkodranë apo malësorë…Mund të kishim kundërshti për shumë gjëra, por e ndjenim veten shqiptarë-kosovarë”, shkruan Bardha në librin e tij më të ri.

Në të vërtetë, ashtu siç jam shprehur në një intervistë, që Z. Bardha më ka nderuar duke e botuar pjesërisht në librin e tij, komuniteti shqiptaro-amerikan, sado i vogël dhe pa ndonjë influencë të madhe në jetën politike amerikane deri atëherë, ishte përballë një armiku të fortë. Ish-Jugosllavia e asaj kohe gëzonte një status të veçant në Washington dhe ndonëse kishte një regjim komunist, konsideorhej si një “komunizëm me fytyrë njerëzore”, nga një pjesë e amdhe e botës perëndimore të asaj kohe.  Por këtij vlerësimi i doli boja shumë shpejt dhe ishte pikërisht komuniteti shqiptaro- amerikan ai i cili, eventualisht, bindi Washingtonin se të drejtat e njeriut, e sidomos të drejtat e shqiptarëve po shkeleshin pa asnjë ndëshkim nga regjimi jugosllav, në kundërshtim me çdo marrveshje ndërkombëtare dhe dokumentash për të drejtat e njeriut, të nënshkruara nga ish-Jugosllavia komuniste. Ndoshta shembulli më flagrant i shkeljes së të drejtave të njeriut që u “hapi sytë” amerikanëve, të pakën fillimisht, ishte “rasti i Pjetër Ivezaj”, një malësor nga Malësia e Madhe nën Mal të Zi i cili, gjatë një vizite në vendlindje, qe dënuar me shtatë vjetë burg nga ish-Jugosllavia komuniste, i akuzuar për pjesëmarrje në demonstrata anti-jugosllave në Detroit, por i cili u lirua pastaj me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara. 

“Rasti Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve qeveritare të Washington nga Z. Ekrem Bardha nepërmjet mikut të tij, njërit prej përfaqsuesve të shtetit Michigan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Z. William Broomfield. Kongresisti Broomfield kishte organizuar me kolegët e tij sesion-dëgjimi për këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Më kujtohet si të kishte ndodhur dje, pasi isha duke raportua për Zërin e Amerikës, zhvillimet e punës së Komisionit për Punët e Jashtme të Kongresit, ku komuniteti shqiptar i Detroitit me në krye Z. Ekrem Bardha, i kishte kërkuar Kongresistit William Broomfield nga zona e tij elektorale që Kongresi amerikan të shqyrtonte rastin e arrestimit të Pjetër Ivezajt. Besoj se për herë të parë në Washington u pa fillimi i rolit dhe influencës së komunitetit shqiptaro-amerikan, në ekspozimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.  Ishte gjatë atij sesioni-dëshmi të Kongresit që miku i Z. Bardha, kongresisti William Broomfield u ngrit nga karriga dhe vajti për t’i telefonuar “live” nga salla e Kongresit, ambasadorit amerikan në Beograd për t’i kërkuar atij shpjegime nga autoritetet jugosllave për burgosjen dhe lirimin e menjëhershëm të Pjetër Ivezajt, shqiptaro-amerikanit me shtetësi amerikane.   Ashtu edhe ndodhi. Ai u lirua pothuaj menjëherë nga burgjet jugosllave dhe “rasti Ivezaj” shënoi fillimin e venitjes së statusit të Jugosllavisë si shtet i favorizuar në Washington, fal komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit dhe mikut të Z. Ekrem Bardha, kongresistit William Broomfield. Si asnjë herë më parë, arrestimi i Pjetër Ivezajt nga jugosllavët dhe ndërhyrja e kongresistit Broomfield për lirimin e tij, bëri që Kongresi amerikan të këthente sytë dhe të fokusohej, më seriozisht se kurrrë më parë, drejt çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi. 

Ky rast, ndoshta, do të përbënte provën më të mirë të rolit dhe fillimit të influencës që do të ushtronte, për dekada më vonë, komuniteti shqiptaro-amerikan në qarqet më të larta të politikës së Shteteve të Bashkuara në favor të çeshtjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta shekullore.

Ashtu siç sugjeron edhe titulli i librit të Zotit Bardha, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, një vepër prej 525 faqesh, i kushtohet kryesisht Kosovës, por edhe periudhës së rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në Mars, 1991 — shumë kujtimeve personale të tija me udhëheqsit më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të veprimtarive të shumta që Z. Bardha ka ndërmarrë — në bashkrendim dhe bashkpunim me shumë bashkatdhetarë të tjerë këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kontribuar gjithashtu masivisht, duke e berë lobimin shqiptar ndër më të fuqishmit në atë atë kohë, në Washington. 

Libr i Z. Bardha është një vepër që dokumenton me burime dhe dokumenta të dorës së parë, përfshirë fotografi, rrugëtimin e vështirë drejtë luftës për liri e pavarësi të Kosovës dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare. Dokumenton të Vërtetën, siç sugjeron edhe titulli i librit, rolin personal të autorit me zyrtarë të lartë amerikanë dhe bashkpunimin e tij për lirinë e Kosovës dhe për të drejtat e njeriut për të gjithë shqiptarët, me protagonistë të tjerë shqiptaro-amerikanë. Z. Bardha i ofron lexuesit fakte dhe raste që publiku i gjerë nuk besoj se i di, ndërsa ai paraqet dokumentacion, fotografi, komunikime, letër shkëmbime, përshkruan takime, lobime dhe qasje të guximshme sfiduese për të gjitha palët, qoftë edhe në radhët e komunitetit, po edhe me bashkbisedues të ndryshëm, të interesuar për çështjen shqiptare në Ballkan.  

Vepra e Z. Bardha është një libër i pasur me kujtime, që dëshmon rrugëtimin e vështirë drejt pavarësisë së Kosovës dhe rolin e protagonistëve kryesorë të Diasporës shqiptare në Amerikë, siç është Z. Bardha. Libri është i pasur me fakte që shumë nuk i dinë, përfshir takime, lobime, qasje shpeshëherë të guximshme dhe sfiduese, tensione të lloj-llojshme, përgjegjësi dhe emocione intensive – shpesh edhe me përfaqësues të niveleve më të larta të vendim-marrjes qevritare amerikane, qoftë nga dega legjislative, qoftë nga një pjesë e medias, qoftë nga diplomacia amerikane që besonte në stabilitetin e Ballkanit – shpesh në kurriz të të drejtave të njeriut — dhe nuk dëshironte t’i turbullonte moçalet politike të Ballkanit. Një libër që teksa rrëfen lirisht, e zhvendos lexuesin emocionalisht dhe shpirtërisht në përjetimin e një prej ngjarjeve tragjike por më thelbësore të shqiptarëve në historinë e fund shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit të ri, jo vetëm të historisë kombëtare të shqiptarëve, por edhe të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në terësi.

Çështja e Kosovës – liria dhe pavarësia e saj si shtet – shembja e Murit të Berlinit dhe tranzicioni post-komunist në Shqipëri, ishin kauza historike kombëtare që kumbonin vazhdimisht, natë e ditë, në veshët tonë gjatë periudhës për të cilën shkruan z. Bardha në librin e tij: “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”.  Liria dhe demokracia e vërtetë për Shqipërinë dhe për Kosovën ishin kauza dhe ide që në rininë tonë, na entuziazmonin të gjithëve sepse kishin të njëjtin kuptim dhe rendësi për mbijetesën e Kombit shqiptar në pavarësi, liri e demokraci, për një shumicë dërmuese të shqiptarëve, të pakën këtu në Shtetet e Bashkuara, për rolibn e të cilit shkruan autori Bardha. 

Libri i Z. Bardha është një dokument që tregon se komuniteti shqiptaro-amerikan luajti rolin dhe kreu misionin që u kishte ngarkuar historia shqiptarëve të Amerikës – për të dytën herë në historinë e këtij komuniteti në SHBA – në fillim dhe në mbarim të shekullit të kaluar. Libri, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora” është një dokument i të vërtetës ashtu si mund t’a pasqyrojë një protagonist kryesor i komunitetit shqiptaro-amerikan, si Z. Ekrem Bardha, një pjesëmarrës patriot shqiptaro-amerikan me ndërgjegje të shëndoshë njerëzore dhe me dashuri të sinqert për Kosovën dhe Shqipërinë.  Por edhe me mirënjohje të thellë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – këtij vendi të bekuar për të gjithë ne, për ndihmën e pakursyer të Amerikës gjatë historisë, në mbështetje të ekzistencës së racës shqiptare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Përfshir historinë moderne të angazhimit të përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, për të cilën lexojmë në kujtimet e bashkatdhetarit Ekrem Bardha, të cilin e përgëzoj për punën e vlefshme dhe për ndërmarrjen bujare për të qitur në dritë të Vërtetën, siç e ka përjetuar ai vet.  

Duke marrë parasyshë situatën politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë – por edhe marrëdhëniet midis tyre – uroj që përpjekjet, mundi dhe investimet e komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë gjysëm shekullit të kaluar të mos kenë shkuar më kot. Të gjithë e dijmë se gjëndja është serioze, sidomos, largimi në masë i shqiptarëve të dëshpëruar sidomos nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, drejt Evropës Perëndimore, për një jetë më të mirë, më të lirë dhe më të drejtë për të gjithë e pa dallim – kauza këto për të cilat luftoi komuniteti shqiptaro-amerikan për dekada, për t’ua siguruar bashkvëllëzërve tanë në trojet shqiptare. Le të shpresojmë se ndonëse situata aktuale politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe në Kosovë është tepër serioze — lutemi që mos jetë e pa shpresë!

Frank Shkreli

 .

Kopertina e librit të autorit, Z. Ekrem Bardha

Në një nga aktivitetet tona të përbashkëta me Z. Ekrem Bardha, në Kongresin Amerikan, në fillim të viteve 1990-ta — duke u përshëndetur me ish-Ambasadorin amerikan në Shqipëri, Z. William Ryerson.

*Ribotim.   

Filed Under: Komente

Revolta e Spaçit dhe sistemi që nuk mposhti dot shpirtin e lirë

May 24, 2025 by s p

Agim Baçi/

52 vite më parë, më 21 maj 1973, në një nga burgjet më famëkeqe shqiptare, Spaç, nisi një nga revoltat e rralla nën atë sistem – të burgosurit, duke kundërshtuar rregullat dhe kushtet çnjerëzore, nxorën në pah gjithë revoltën ndaj atij sistemi çnjerëzor dhe valëvitën flamurin e Skënderbeut, pa yll. Ky flamur në valëvitje, bashkë me thirrjet “Ja vdekje ja liri”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Rroftë Europa e Lirë”, “Ju jeni katila” – që zgjatën 3 ditë – ishte një ngjarje që tregonte se rezistenca nuk kishte vdekur, se sistemi nuk e kishte mposhtur tërësisht shpirtin e lirë.

Vlen të kujtojmë se në 45 vite diktaturë u ekzekutuan me dhe pa gjyq mbi 6 mijë burra dhe gra, djem dhe vajza. Po kështu, ka pasur mbi 34 mijë të burgosur dhe dënuar për arsye politike, mbi 59 mijë të internuar në kampe përqendrimi, ku mbi 7 mijë prej tyre vdiqën prej trajtimit shtazarak në këto kampe. Po kështu, prej dhunës në burgjet politike numërohen 984 të vdekur gjatë kohës së dënimit. Ndërkohë që mijëra e mijëra të tjerë u survejuan në përditshmërinë e tyre. Aq i fortë ishte ky survejim, sa mjafton të kujtojmë atë që deklaronte ish-kreu i Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani në librin e tij “Mëkatarët” se, në fund të vitit 1990, një Tiranë me 300 mijë banorë, kishim 30 mijë spiunë dhe bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit famëkeq.

Por çfarë ndodhi me ne që nuk e zbardhëm dot të shkuarën?

Në vitet e para pas marsit 1992, entuziazmi i përmbysjes së diktaturës ishte aq i madh sa shumë nga shqiptarët që kishin vuajtur u mjaftuan vetëm me frymëmarrjen në liri dhe me mundësinë e jashtëzakonshme për të thënë gjithçka që në 45 vite nuk e thoshin dot me zë të lartë. Por, ky ndoshta ishte edhe gabimi që më pas nisi e u bë gati i pandreqshëm – sepse rënia nga pushteti e një elite emrash që kishin drejtuar nomeklaturën komuniste ishte veçse maja e ajsbergut për të keqen që kish ndodhur, ndërkohë shpirti ideologjik që kish mbajtur gjallë atë sistem ishte kudo. Ironikisht, ish-elitat e diktaturës vijuan të drejtonin jetën publike.

Mjaft pret tyre ndërruan “lëkurë politike”, por vijuan të dirigjonin rishikimin e së shkuarës dhe prognozën e së ardhmes. Kështu, akademikët e emëruar në kohën e diktaturës nga partia, arkitektët, shkrimtarët, regjisorët, profesorët e përzgjedhur me aq kujdes nga partia për të edukuar brezin e ri, të cilët në vend të dijeve kishin vetëm devotshmërinë dhe bindjen, vijuan të kishin sërish në dorë të leximin e së shkuarës, duke e bërë të pamundur dekomunistizimin. Lënia në fuqi e një pjese të madhe të elitës së emëruar në diktaturë, e cila në vend të dijes kishte brumosjen me ideologji, si dhe sjelljen me frikë dhe servilizëm, solli kotësinë e shumë debateve publike, duke kontribuar hapur në rrënimin moral të shoqërisë së sotme. Por cilat janë pasojat më fatale të mungesës së dekomunistizimit dhe çfarë paraqiste lënia në fuqi të elitës së emëruar në kohën e diktaturës? Shkollat dhe institucionet e dijes mbetën peng i mentalitetit dhe historigrafisë së ideologjisë komuniste.

Ndërkaq, ish-të përndjekurit mbetën klasa më pak e integruar në shoqërinë shqiptare. Spaçi – simboli i ligësisë së atij sistemi – bashkë me Qafë Barin dhe vendinternimet e shumta mbetën shumë larg syve të qytetarëve dhe larg debateve për atë që kishin përfaqësuar nën diktaturë. Madje, nuk janë të paktë ish-të përndjekurit që nuk arritën dot të ktheheshin në shtëpitë që kishin pasur, duke mbetur edhe sot e kësaj dite në vendinternimet e asaj kohe. Po kështu, ish-pronarët u përballën me moskthim, mosnjohje dhe madje rrëmbim të pronës, duke sjellë një katrahurë që ende nuk sheh një dritë legalizimi dhe qartësimi. Prona është ende një çështje aq e mprehtë sa beteja bëhet thuajse në të gjitha gjykatat. Ndërsa ironikisht, ish-Sigurimi u duk i fortë në lidhjet e tyre, duke hyrë në lojë, i ndihmuar nga neglizhenca e qeverive të pas vitit 1992 për të bërë dekomunistizimin.

Nga mungesa e leximit të së djeshmes, thuajse e gjithë shoqëria u vu nën presion të dyshimit, ku një numër i madh spiunësh e bashkëpunëtorësh u munduan të bëjnë pis këdo që dinte të vërtetat e tyre. Pasojë e kësaj pafuqie politike janë sot faktet që ish-pronarët kanë mbetur po ish-pronarë, ish-të përndjekurit kanë mbetur ende të papranuar.

Filmat e kohës së diktaturës janë ende fjalori i vetëm mbi të cilin ndërtohen batutat politike, ku “beu” vazhdon të jetë “negativi”. Ngaqë nuk mundëm të bënim atë që duhet, sidomos në rishkrimin e së shkuarës në tekstet shkollore, shumica e fëmijëve të sotëm dinë më shumë se ç’ka ndodhur në ish-Bllok, se sa në Spaç, në Burrel, apo në të gjitha vendet e ish-internimit. Librat e At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Lek Pervizit, Fatos Lubonjës, Visa Zhitit, Daut Gumenit, Lekë Tasit, Agim Mustës, Uran Butkës, apo dëshmi rrënqethëse të ish-të dënuarve politikë apo të familjarëve të tyre, të botuara nga ISKK, nuk janë ende në asnjë antologji shkollore. Këto pasoja të mosleximit si duhet të ngrehinës që na la diktatura komuniste kanë vulën e tyre në krizën e përgjithshme, sidomos në atë të krizës tonë morale si shoqëri. Një krizë që ka nevojë urgjente të lexohet, nëse kemi ende dëshirën t’u themi fëmijëve se këtu mund të jetohet.

Filed Under: ESSE

FALEMINDERIT DHE MIRËNJOHJE EKREM BARDHA…

May 24, 2025 by s p

Sokol Paja/

Michigan, 23 Maj 2025 – Ekrem Bardha, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një ceremoni speciale mbajtur në Kishën e Shën Palit, u nderua, vlerësua e respektua prej patriotëve, miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve, gazetarëve, studiuesve, drejtuesve të shoqatave atdhetare, diplomatëve e shumë të ftuarve të ardhur nga Amerika, Kanadaja, Europa, Shqipëria, Kosova e viset etnike. Nën prezantimin e shkëlqyer të Brikena Hoxhallit dhe Kjara Gjergjit e organizatorit Fran Gjoka, mbrëmja e nderimit ishte një falënderim i përzemërt dhe mirënjohje e përjetshme për shqiptarin e madh Ekrem Bardha për veprën, jetën, trashëgiminë dhe shërbimin e tij çmuar ndaj kombit, atdheut e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mbrëmja e nderimit pas himneve kombëtare u hap me këngën “Kushtrimi” të interpretuar nga Fran Gjoka dhe Alberie Hadergjonaj. Ceremonia e nderimit vazhdoi me fjalën e artistit dhe organizatorit Fran Gjoka i cili recitoi një poezi kushtuar veprimtarisë së Ekrem Bardhës në Amerikë. Rreth librit të z.Ekrem Bardha “E vërteta – Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, artisti Gjoka deklaroi se Ekrem Bardha në historinë moderne shqiptare shkroi një hymn përkushtimi ndaj Atdheut. Përurimi i nuk është thjeshtë një ngjarje letrare, por një akt nderimi ndaj një figure që jetoi përtej vetes. Ky libër është dëshmi e rrallë, jo vetëm e kujtimeve të një individi, por e një fanari që shkëlqen në historinë e kombit tonë – një trashëgimi e gjallë për brezat që do vijnë, tha ndër të tjera z.Gjoka.

Ambasador Flamur Gashi theksoi se libri i Ekrem Bardhës është një dokument historik, një përvojë personale që lidhet me fatin kolektiv të një kombi. Vepra e Bardhës si përbashkues e strateg, është testament shpirtëror për fatet e një populli. Ekrem Bardha ishte ambasador i shqiptarëve që kërkoi e luftoi për të drejtat e një populli të shtypur. Kosova ishte mision personal i Ekrem Bardhës në përkushtimin e tij ndaj kombit. Në fjalën e tij Ambasador Gashi veçoi Gazetën Iliria e drejtuar nga Harry Bajraktari, Ekrem Bardha dhe Vehbi Bajrami të cilët sensibilizuan institucionet amerikane për çështjen e Kosovës. Mërgata e Amerikës ishte palca kurrizore e rezistencës sonë kombëtare, tha ndër të tjera në fjalën e tij Ambasador Flamur Gashi.

Një poezi kushtuar emigrimit të familjes Bardha në Amerikë dhe aktivitetit patriotik e diplomatik në shërbim të çështjes kombëtare interpretuar nga Brikena Hoxhalli, emocionoi të gjithë të pranishmit.

Prof. Anton Lajçaj në fjalën e tij theksoi se libri i Ekrem Bardhës “E vërteta – Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, është përpjekje e sinqertë për të ndriçuar një periudhë të rëndësishme të historisë kombëtare. Patrioti Ekrem Bardha ndërtoi ura të fuqishme bashkëpunimi, krijoi aleanca politike me Presidentë Amerikanë, suksesin personal e investoi në çështjen e përbashkët kombëtare. Vepra e Bardhës tha Prof.Lajçaj është letër dashurie për kombin.

Dokumentari mbi jetën e Ekrem Bardhës dhe përkushtimin e tij për Kosovën me regji dhe skenar nga Gani Vila, paraqiti dëshmi historike dhe të dhëna të një pune të jashtëzakonshme që mërgata shqiptare e Amerikës me në krye Ekrem Bardhën bënë në favor të çështjes kombëtare. Alberie Hadergjonaj interpretoi një këngë kushtuar Ibrahim Rugovës duke përkujtuar e nderuar dhe bashkëveprimtarët që gjendeshin të pranishëm.në promovim.

Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në fjalën përshëndetëse deklaroi se Ekrem Bardha është legjendë e gjallë e shqiptarizmës, patriot i pavdekshëm, ishte një mbrojtës i shenjtë i të drejtave të shqiptarëve, atdhetar e diplomat i shquar që investua në çdo kohë për kombin shqiptar dhe sidomos për Kosovën. Ekrem Bardha përgjatë gjithë jetës së tij ishte kontributor i palodhur i çështjes kombëtare, atdhetar i flaktë, patriot i zjarrtë, aktivist frymëzues e lobist vizionar, tha Dr. Berisha. Ai shprehu mirënjohje e vlerësim ndaj Ekrem Bardhës edhe për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë gjithmonë Federatës Vatra dhe gazetës Dielli si institucionet kombëtare më të fuqishme në mërgatën e Amerikës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama e nderoi jetën, veprën e përkushtimin për kombin e Kosovën të Ekrem Bardhës duke e nderuar me “Çelësin e Prishtinës”. Ky çelës është simbol i një mirënjohjeje që nuk matet me përmasa, por me peshën e gjithçkaje që keni bërë për Kosovën tonë të lirë. Ky çelës çel dyer që ju tashmë i keni hapur, me guximin, përkushtimin dhe atdhedashurinë tuaj. Dhe sot, ky çelës ju thotë një gjë të thjeshtë por të thellë: Prishtina është dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia juaj.

Dua po ashtu ta ndaj me ju një të vërtetë të bukur:

Ideja për këtë çelës ka ardhur nga një tjetër patriot i palodhur i çështjes kombëtare, Dr. Elmi Berisha i Vatrës– të cilin e falënderoj nga zemra për këtë propozim që lindi nga zemra dhe arriti drejt në vendin e duhur.

Dhe për ta përjetësuar këtë lidhje të paharrueshme mes jush dhe qytetit tonë, në zemër të lagjes Kalabria, ne do të emërtojmë një park të ri: “Parku Bardha”. Një hapësirë publike që do të mbajë emrin tuaj —

që fëmijët të luajnë nën hijen e kujtimit tuaj, që brezat të kujtojnë jo vetëm figurën, por veprën tuaj, tha kryetari i Prishtinës Përparim Rama. Vendlindja e tij, Bashkia e Kolonjës e nderoi gjithashtu kontributin diplomatik, patriotik e filantropik të Ekrem Bardhës me “Qytetar Nderi”. Regjisorja Kjara Gjergji interpretoi një poezi të Mitrush Kutelit kushtuar Atdheut që emocionoi të gjithë pjesëmarrësit.

Atdhetari i shquar Harry Bajraktari në fjalën e tij u fokusua te veprimtaria 60 vjeçare e Ekrem Bardhës në Amerikë për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike. Harry Bajraktari kujtoi punën e përbashkët

40 vjeçare me Ekrem Bardhën në Senat, Kongres, Shtëpinë e Bardhë e institucionet amerikane për të ndihmuar kauzën shqiptare.

Besa Tafilaj në fjalën e saj renditi punën e shkëlqyer të Ekrem Bardhës që nga Presidenti Nikson, Ford, Bush e deri ditët e sotme. Donika Bardha, vajza e Ekrem Bardhës dëshmoi kujtime familjare të mikpritjes të personaliteteve kombëtare që lobonin për çështjen kombëtare dhe detaje të takimeve me Presidentë Amerikanë për çështjen kombëtare e deri te protestat, tubimet, demonstratat e diasporës shqiptare për kombin shqiptar në Amerikë ku Ekrem Bardha ishte në krye të veprimtarive atdhetare.

Në përfundim të ceremonisë së nderimit, Ekrem Bardha në fjalën e mirënjohjes e falënderimit modestisht tha se “Nuk jam unë, jemi të gjithë ne”. Z.Bardha u ndal te puna diplomatike për kauzën kombëtare e NAAC, Ligës Shqiptaro-Amerikanë dhe Federatës Vatra që kanë dhënë një kontribut të madh kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai apeloi që të mos harrohet asnjëherë puna që mërgata e Amerikës ka dhënë për shqiptarinë e sidomos për pavarësinë e Kosovës.

Grupi artistik i Elvana dhe Anton Dedvukaj përformuan disa valle tradicionale kombëtare duke ngjallur mall dhe emocione te të gjithë të pranishmit. Kisha e Shën Palit dhe Teqeja Bektashiane Shqiptare në Michigan e nderuan me certifikatë mirënjohjeje kontributin e Ekrem Bardhës.

E veçantë në mbrëmjen e nderimit të Ekrem Bardhës ishte pjesëmarrja e personaliteteve të Vatrës ku krahas kryetarit Dr. Berisha ishin të pranishëm nënkryetari z.Alfons Grishaj, sekretari Dr. Pashko Camaj, drejtori i degëve z.Mondi Rakaj, anëtari i kryesisë z.Anton Raja, vatrani Ben Pllumaj, editori i Diellit e vatranë të shumtë që nderuan ikonën dhe nderin e kombit shqiptar Ekrem Bardha.

Filed Under: Featured

Ekrem Bardha, mbrojtës i shenjtë i kauzës kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

May 24, 2025 by s p

Dr. Elmi Berisha*/

Me një emocion të thellë dhe me një respekt të pafund, i përulemi me respekt figurës së shquar të njërit prej bijve më të ndritur të kombit tonë – Ekrem Bardhës, veprimtarit të palodhur, humanistit të përkushtuar, patriotit vizionar dhe shqiptaro-amerikanit të epokës sonë, i cili në këtë përvjetor kremton plot 94 pranvera jete të ndritur. Ekrem Bardha është një emër që ndriçon si fanar mbi historinë tonë kombëtare, një figurë që ka mishëruar më së miri shpirtin e mërgatës sonë në Amerikë – një shpirt i pathyeshëm, krenar, i organizuar, frymëzues dhe gjithmonë i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka në shërbim të kombit dhe atdheut. Ai ka qenë dhe mbetet një arkitekt i paepur i lobimit diplomatik në Uashington, një zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në çdo institucion amerikan, një njeri që ka ditur t’i flasë Amerikës në gjuhën e vlerave, demokracisë dhe të drejtës historike të një populli që meriton lirinë.

Në secilën betejë për lirinë dhe afirmimin e trojeve tona etnike, emri i Ekrem Bardhës është i gdhendur si një mbrojtës i shenjtë i kauzës kombëtare, një ambasador i palodhur i dinjitetit shqiptar dhe një strateg i urtë i përfaqësimit të drejtë të interesit tonë në diasporë.

Me humanizmin e tij të rrallë, me ndihmën e pakursyer për çdo iniciativë kulturore, shoqërore e kombëtare, me mbështetjen financiare dhe morale për çdo projekt që kishte në thelb identitetin tonë, Ekrem Bardha ka lënë një trashëgimi të pasur që do të jetojë përjetë në kujtesën tonë kolektive.

I lindur në Radanj të Leskovikut, por i lidhur me shpirtë e zemër me të gjitha trojet etnike shqiptare, Ekrem Bardha nuk e ndau kurrë Kosovën nga zemra, ashtu siç nuk ndau asnjëherë asnjë cep të atdheut të tij. Ai punoi, veproi dhe loboi për Kosovën me po aq dashuri, pasion dhe vendosmëri sikurse për vendlindjen e tij të dashur. Për të, kombi ishte i shenjtë, dhe çështja shqiptare – amanet brezash. Në zemrën e tij, Kosova ka pasur vend të veçantë, të shenjtë, dhe kjo dëshmohet fuqishëm në veprën e tij publicistike madhore – “E VËRTETA: PAVARËSIA E KOSOVËS, AMERIKA DHE DIASPORA” – një testament historik dhe një gur themeli në arkivat e historisë dhe lavdisë sonë kombëtare.

I dashur Ekrem, për më shumë se tre dekada, më ke nderuar me miqësinë tënde dhe më ke frymëzuar me veprën tënde. Sot, në këtë ditë të bekuar të ditëlindjes tënde të 94-të, unë të falënderoj nga zemra për çdo kontribut, për çdo veprim, për çdo fjalë, për çdo përkrahje që i ke dhënë Vatrës dhe gazetës Dielli – këtyre dy shtyllave të forta të kombit në mërgatë.

Dhe sot, kur Vatra ecën krenare në mileniumin e ri, me hapa të sigurtë, me mendje të hapur dhe me mision të pandalshëm, është e pamundur të mos përmendim rolin dhe frymën që ti, Ekrem, i ke dhënë kësaj Federate. Nën dritën e kontributit tënd dhe të brezit tuaj, Vatra ka rilindur, është forcuar, është modernizuar dhe ka mbetur shtylla kurrizore e organizimit kombëtar në SHBA.

Sot, Vatra është porta e shpirtit kombëtar që nuk mbyllet kurrë, platforma e vetëdijes historike, forca e unifikimit të shqiptarisë në Amerikë. Me gazetën Dielli – këtë tribunë të vërtetës dhe të drejtës, e cila mbetet zë i fuqishëm i shqiptarit krenar dhe dinjitoz në SHBA – ne vijojmë misionin që ti e bëre të pavdekshëm.

Prandaj, në këtë përvjetor të 94-të të lindjes tënde, me emocion të thellë dhe respekt të pakufishëm, unë, në emër të Federatës Panshqiptare VATRA, të shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimin më të përzemërt për gjithçka që je, për gjithçka që ke bërë dhe për gjithçka që simbolizon për kombin tonë.

Gëzuar ditëlindjen e 94-të, legjendë e gjallë e mërgatës shqiptare, patriot i pavdekshëm dhe krenari kombëtare – Ekrem Bardha! Zoti të bekoftë Ty, familjen dhe veprën tënde!

*Fjala e mbajtur në Michigan në ceremoninë e nderimit të Ekrem Bardhës, 23 Maj 2025.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT