• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH

May 16, 2025 by s p

Akad. Vasil S. Tole/

🎶Dua të them dy fjalë për të shprehur respektin për orkestrën simfonike të RTSH, në këtë përvjetor të themelimit të saj.

• Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962 si formacioni orkestral simfonik më i madh i kohës. Rrënjët e saj shkojnë më tej se kjo datë dhe lidhen me vitin e largët 1938, kohë kur u krijua Radio Tirana dhe pranë saj funksiononte edhe një formacion orkestral që quhej Orkestra e Radio-Tiranës nën dirizhimin e dirigjentit italian Umberto Rampi e pas viteve 1944 nga dirigjentët Mustafa Krantja, Bojan Adamiç etj.

Me riorganizimin e saj në vitin 1962, ajo u quajt “Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografise” duke shenjuar kështu një tjetër etapë të rëndësishme, si për të ashtu edhe për muzikën shqiptare mbarëkombëtare.

Krijimtaria muzikore shqiptare për orkestër dhe jo vetëm, prej fundit të viteve 1930 u interpretua prej saj.

– Krijues si Kristo Kono, Pjetër Dungu, Dhora Leka etj ishin ndër të parët që u interpretuan. Pas tyre orkestra simfonike e RTSH ka interpretuar krijimtarinë e pothuajse gjithë kompozitorëve shqiptarë prej At Martin Gjokës, At Fan S. Nolit, Murat Shehut, Çesk Zadejës, Tish Daisë, Tonin Harapit, Kozma Larës, Pjetër Gacit, Feim Ibrahimit, Limoz Dizdarit, Shpëtim Kushtës, Kujtim Laros, Thoma Gaqit, Hajg Zaharianit, Spartak Tilit, Gazmend Mullahit, Thomas Simakut, David Tukiqit, Josif Mingës, Zef Çobës, Aleksandër Peçit, Sokol Shupos, Ermir Dergjinit, Fatos Qerimit, Endri Sinës etj, e deri tek brezat më të rinj. Po ashtu krijimtarinë e krijuesve shqiptarë të Kosovës Rexho Mulliqi, Lorenc Antoni, Rauf Dhomi, Zeqirja Ballata, Fahri Beqiri etj.

🎵Nga vitit 1964 e deri në vitet 2000, dirigjenti Ferdinand Deda luajti një rol thelbësor në jetën e orkestrës dhe nga vitet 1978 e deri në vitet 1990 dirigjenti i mirënjohur Eno Koço, si drejtues i shumë koncerteve simfonike, vokale, regjistrime të muzikës së filmave, koncerteve jashtë vendit etj.

Veprat e mia simfonike janë kryesisht të interpretuara prej orkestrës simfonike të RTSH, më e fundit syresh edhe simfonia ALBANOI, premiera botërore e së cilës u bë më 9 maj 2025.

• Mirënjohje për mbështetjen e krijimtarisë sime në vijimësi! 🙏

🏆Orkestra Simfonike RTSH është nderuar me çmimet “Naim Frashëri Artë” në vitin 2007, “Çmimin e karrierës” në vitin 2009, si dhe “Nder i Kombit” në vitin 2017.

Shih https://www.vasiltole.com/?page_id=14

Filed Under: Kulture

Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”

May 16, 2025 by s p

rtsh.al/

Krerët e 47 shteteve dhe qeverive, si dhe të institucioneve të BE-së, mbajtën të premten seancën plenare të Samitit të Gjashtë të Komunitetit Politik Europian (KPE).

Në fjalët e para të rastit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, si mikpritës të takimit, e përqendruan diskutimin e tyre te siguria e Europës, mbështetja për Ukrainën, mbrojtja e demokracisë dhe nismat e përbashkëta ndaj kërcënimeve të ndryshme që përball kontinenti.

“Pse mos të imagjinojmë një KPE të arsimit, të shkencës, e të inteligjencës artificiale? Një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit,” theksoi z. Rama, ndërsa presidenti Costa ngriti pyetjen për rolin e Evropës në një “botë dhe rend të ri botëror”, mes agresionit rus në Evropë dhe tragjedisë në Gazë.

“Kjo luftë e Rusisë ndaj Ukrainës duhet të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Ukraina ka nevojë për paqe dhe paqja në Europë varet nga fakti nëse Ukraina do e marrë atë,” bëri thirrje kryeshtetari i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Tema e takimit në Tiranë, i cili mbahet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, ishte “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – aksion i përbashkët“. Përveç shteteve anëtare të BE-së, samitit iu drejtuan edhe zyrtarët më të lartë të shtetit nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Turqia.

Zhvillimet e fundit

Von der Leyen: Europa, më e bashkuar. Lufta në Ukrainë duhet të marrë fund!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka folur për një Europë më të bashkuar sot. Në fjalën e saj në seancën e parë plenare, Von der Leyen tha se “Europa është zgjuar” dhe se e ka të qartë rrugën për të ecur përpara. Sikurse edhe liderët europianë, ajo deklaroi se Europa qëndron në krah të Ukrainës dhe se nuk do të ndalojë përpjekjet për arritjen e një paqeje. Von der Leyen shtoi se po përgatitet edhe një paketë e re sanksionesh ndaj Rusisë.

“Ajo që perceptuam si rend botëror po kthehet në çrregullim botëror i nxitur nga ambiciet imperialiste të Putinit dhe betejat e tjera. Nevoja për një thirrje për Europën për t’u zgjuar është artikuluar një sërë herësh. Sot Europa është zgjuar, i ka sytë hapur dhe ne e dimë që duhet të ecim përpara, na duhet të ndërtojmë këtë qëndresë tonën dhe të thellojmë rrjedhjen e partneriteteve në të gjithë botën. Europa është bashkuar më shumë në këtë pikë kthese të historisë dhe Europa ka qëndruar e bashkuar në mbështetjen e saj të palëkundur ndaj Ukrainës. Fakti që jemi të ulur këtu së bashku me ju Volodymyr është provë e bashkimit tonë të palëkundur. Sanksionet kundër Rusisë po japi efekt dhe ne jemi gati të bëjmë më shumë për ta sjellë Putin në tryezën e negociatave. Kjo luftë duhet të përfundojë! Ne duam paqe, kështu që po punojmë për grupin tjetër të sanksioneve. Ka ardhur koha të angazhohemi seriozisht për paqe”, tha ajo.


Merz: SHBA nuk duhet ta humbasim si aleate, shpenzimet ushtarake të jenë më efektive

Kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se Evropa po përballet me një sfidë të paprecedentë që nga dekadat e fundit: luftën në Ukrainë. Nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, Merz shtoi se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm për paqen dhe lirinë në kontinentin evropian. Ai gjithashtu foli për nevojën që rritja e shpenzimeve ushtarake të mos jetë thjesht çështje fondesh, por e efikasitetit.

“Në kontinentin tonë kemi një sfidë që se kemi parë për disa dekada. Lufta në Ukrainë nuk është një luftë vetëm kundër këtij vendi, por është një gjë e drejtuar ndaj të gjithë rendit dhe Evropës. Përpjekjet tona kanë treguar një sukses shumë të vogël diplomatik. Fakti që ato po takohen, është një sinjal i vogël, por i fortë. Duhet të bëjmë edhe më shumë  në përpjekjet diplomatike, por edhe të forcojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën. Duhet të bëjmë çdo përpjeke që amerikanit t’i kemi në anët tonë. Nuk mund ta zëvendësojmë kurrsesi SHBA-në, për ato që bëjnë në kontinentin tonë, për paqen dhe lirinë tonë”, tha Merz.


Starmer: Nëse Rusia nuk ulet për bisedime me Ukrainën, Putin duhet të paguajë çmimin

“Nëse Rusia nuk ulet në tryezën e bisedimeve me Ukrainën, Putin duhet të paguajë çmimin”, kështu ka deklaruar kryeministri britanik Keir Starmer në fjalën e tij në seancën plenare të Samitit të 6 të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Tiranë. Starmer u shpreh se sfida më urgjente sot është sigurimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ai theksoi se armëpushimi është jashtëzakonisht i nevojshëm, ndërsa shtoi se nëse një gjë e tillë nuk arrihet, nevojitet vendosja e sanksione ndaj Rusisë.

“Të garantojmë argumentin e mbështetur nga Trump për një armëpushim të pakushtëzuar dhe se Putin duhet të vijë në tryezë për ta diskutuar këtë gjë. Tani që kemi nxjerrë këtë ultimatum, duhet të jemi të përgatitur për ta ndjekur deri në fund. Nëse Rusia nuk do të ulet në këtë tryezë bisedimesh, Putin duhet të paguajë çmimin. Ajo që ndodhi dje, provë e mëtejshme se Putin se ka seriozisht paqen. Rusia po luan lojëra, ndërkohë që Ukraina ka dëshmuar se është pala e paqes dhe udhëheqjes“, tha Starmer.


Meloni: Ballkani Perëndimor duhet të ketë një perspektivë të qartë për integrimin në BE

Nga seanca e parë plenare të Samtit të Komunitetit Politik Europian, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se Shqipëria është Europë. Ajo theksoi se nuk mund të ketë një Europë të rindërtuar pa Ballkanin Perëndimorë. Kryeministrja italiane shtoi se rajoni ka nevojë për një perspektivë të qartë për integrimin në bashkësinë europaine.  

“Identiteti europian i Shqipërisë është histori, edhe përpara gjeografisë. Shqipëria është Europë, pavarësisht nëse je pjesë e një organizate të caktuar apo jo. E megjithatë, BE është sot ajo që unë do të doja ta quaja dëshira e ribashkimit të familjes së bashkuar europiane, ku të gjithë janë pjesë e një të vetme, popuj që kanë luftuar njëri-tjetrin në shekuj, sot janë një popull i vetëm. Ne po ndërmarrim një hap përpara ribashkimit. Nëse duam të rindërtojmë një Europë të re në një botë të re, nuk mund ta bëjmë atë pa Ballkanin Perëndimorë. Italia është e angazhuar në Bruksel për qasjen strategjike të Brukselit në Ballkanin Perëndimorë. Këto vende duhet të kenë një perspektivë të qartë për integrimin në BE”, u shpreh ajo.


Erdogan: BE të bashkojë forcat me aleatët jashtë unionit për sigurinë dhe mbrojtjen

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë theksoi nevojën për një Evropë të bashkuar dhe gjithëpërfshirëse për mbrojtjen dhe sigurinë. Ai kërkoi që Bashkimi Evropian të forcojë bashkëpunimin edhe me vendet që nuk janë pjesë e unionit.

“Jemi mbledhur të diskutojmë një vizion të ri që do të ripërcaktojë kontinentin tonë dhe është e rëndësishme që ne të veprojmë të bashkuar. Për të tejkaluar krizën e besimit në arenën ndërkombëtare duhet krijuar në arkitekturë e drejtë dhe gjithëpërfshirëse globale. Duhet të nis fillimisht në shtëpinë tonë, në kontinentin evropian, ku ka një potenciale të jashtëzakonshëm për bashkëpunim në mbrojtje, energji, korridoret e transportit, tregjet digjitale dhe lëndët minerale kritike. Janë shumë fusha ku mund të bashkëpunojmë. Në këtë kohë kritike kur diskutojmë të ardhmen e sigurisë evropiane, përpjekjet e BE për të zhvilluar industrinë e saj të mbrojtjes janë të dobishme. Këto përpjekje duhet të përfshijnë edhe aleatët që nuk janë pjesë e BE-së. Me këtë lloj ideje do të ishte në interes më të mirë të sigurisë evropiane. Për çështje jetike si mbajtja dhe siguria nëse përçaheni bëheni më të dobët dhe bashke jemi më të fortë”, tha Erdogan.


Zelensky në Tiranë: Ukraina ka nevojë për paqe, Putini t’i japë fund luftës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte i qartë dhe i prerë teksa deklaroi para liderëve europianë se lufta e Rusisë në Ukrainë duhet të marrë fund. Në fjalën e tij në seancën plenare, ai u shpreh se dërgimi i delegacionit të nivelit të ulët nga ana e Rusisë në Stamboll për bisedimet me delegacionin ukrainas nuk tregoi tjetër veçse frikën e presidentit Vladimir Putin dhe mungesën e dëshirës e gatishmërisë për t’i dhënë fund luftës.

“Kjo luftë e Rusisë ndaj Ukrainës duhet të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Ukraina ka nevojë për paqe dhe paqja në Europë varet nga fakti nëse Ukrainë do e marrë atë. Këtë javë ne patëm mundësinë për të ndërmarrë nëse do ishte e mundur, disa hapa për të mbyllur luftën, nëse Putin s’do kishte frikë të vinte në Turqi. Isha i gatshëm për një takim të drejtpërdrejtë me Putin, dhe jo thjesht për një takim, por për të zgjidhur çështjet e rëndësishme. Delegacioni rus ishte i një niveli shumë të ulët dhe s’mund të merrnin vendime në Rusi,” tha Zelensky.


Macron: Të luftojmë së bashku të gjitha kërcënimet që na vijnë nga jashtë

Për më shumë bashkërendim ka bërë thirrje presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në fjalën e tij në seancën e parë plenare të Samitit të gjashtë të Komunitetit Europian. Presidenti francez tha se kontinenti europian rrezikohet nga kërcënime që vijnë nga jashtë, të cilat mund t’i luftojë nëse bëhen shtetet bëhen bashkë. Ai theksoi se duhet një bashkëpunim edhe në luftën kundër trafikimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

“Europa ka shumë më rëndësi sot sa i takon sigurisë sonë. Do të doja të ndërtonim një koalicion shtetesh, organizatash ndërkombëtare për të luftuar trafikun edhe në porte e lumenj, pastrimin e parave dhe korrupsionin dhe për të forcuar programet e parandalimit. I gjithë ky trafikim është i ndërlidhur, ndaj na duhet bashkëpunim konkret për këto çështje. Pika e tretë kemi të bëjmë me sigurinë tonë demokratike. Mund ta kuptojmë nga zgjedhjet, të fundit Rumania dhe Moldavia, ka kërcënime që po minojnë demokracitë tona, ka ndërhyrje të huaja konstante dhe këto po minojnë demokracitë tona. Ne kemi nisur një nismë dhe kemi vendosur pikë kontakti për të rritur bashkëpunimin tonë, por duhet të bëjmë më shumë që të mbrojmë infrastrukturën kritike nga sulmet kibernetike”, tha Macron.


Costa: Paqja po minohet çdo ditë, Evropa duhet të jetë e bashkuar në rendin e ri botëror

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në hapjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, me temën “Një Evropë e re, në një botë të re”, theksoi rëndësinë e unitetit evropian përballë sfidave globale që po cenojnë rendin dhe paqen ndërkombëtare. Costa tha se rendi ndërkombëtar po minohet çdo ditë, ndërsa theksoi se agresioni rus në Ukrainë dhe tragjedia në Gaza janë shembuj të dhunimit të parimeve të sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare.

“Cili është roli i Evropës në këtë botë të re? Ne ndërtuam një rend të ri botëror të bazuar tek e drejta ndërkombëtare dhe bashkëpunimi ndërkombëtar dhe tregtar. Ky rend botëror i bazuar te rregullat po minohet nga shumë palë. Agresioni rus solli luftën e madhe sërish në kontinentin evropian. Situata në Gaza është një tragjedi humanitare. Njerëzit po luftohen me forcë të zhdrejtë. Ne e dimë që siguria e Ukrainës është siguria jonë. Evropa duhet të investojë më shumë të mbrojtja pasi ne kemi mësuar se paqja pa mbrojte është iluzion. Të mbrojmë rendin shumëpalësh duke qenë një shtyllë e fortë e OKB.

BE është gati të luajë këtë rol të plotë në këtë Evropë të re në këtë botë të re. BE do të jetë një partner i besueshme për integrimin, sigurinë, energjinë, për mbrojtjen për klimën. Duhet përdorur ky motivim për të ardhmen e fëmijëve dhe të punojnë të gjithë së bashku si evropianë”, tha Costa.

Filed Under: Ekonomi

“Le të ulërijmë”

May 16, 2025 by s p

Agim Baçi/

Tetëdhjetë e tre për qind të votuesve për kryetarin e ri të bashkisë votojnë “pa shenjë” në një votim të përsëritur. Ata që kanë dorëzuar fletën e bardhë janë shtuar nga votimi i parë tek i dyti. Kaq mjafton që pushteti të mos ketë më qetësinë të përballet me qytetarët e tij që kanë gjetur një mënyrë për të refuzuar ata që janë tallur përmes pushtetit…Shkrimtari portugez, Jose Saramango, përmes rrëfimit në romanin “Le të Ulërijmë”, ka thurur metaforën e revoltës më ironike përballë një kulmi të komunikimit të gjithanshëm- revoltën përmes mungesës së fjalës në letrën ku politika kërkon konfirmim për vazhdimin e përditshmërisë së saj.

Autori nuk e fsheh aspak qëllimin e tij për të na sjellë një fakt nga ku nis shumica e devijimeve në një shoqëri ku flitet për demokraci- faktin se shumë politikanë nuk duan ta besojnë këtë refuzim popullor ndaj tyre, nuk duan ta pranojnë se ka një mosbesim ndaj tyre. Ndaj nisin të përhapin versionin më të parë dhe që i jep kohë të gjejnë zgjidhje- të përhapin lajmin se armiku duhet të jetë duke shfrytëzuar “të pa informuarit” dhe se nuk mund të refuzohet e gjithë klasa politike e një qyteti. Ndaj shumë prej atyre që dikur janë votuar apo duartrokitur e kanë të vështirë të besojnë se janë refuzuar, se u ka ardhur fundi i kohës së tyre politike. Të gjendur përballë këtij refuzimi ata nxitojnë të përhapin fjalën se, diku armiku ka mundur të gjejë këtë “armë” të refuzimit kundër tyre.

Historinë me gjetjen e “kundërshtarit të rafinuar politik”, më rrëfimin e Saramangos, e kërkon media, e cila jo pak herë është kthyer në zgjatim të politikës. Në librin e Saramangos media zbaton gjuetinë për emrin apo emrat që u duhen politikanëve për të shpallur “gabimin e votimit”. Dhe për të projektuar armikun piketohet pikërisht ajo, gruaja e mjekut – e vetmja që, disa vite më parë, (personazh i romanit “Verbëria”) pati fatin të shihte, të kishte sytë hapur, ndërkohë që i gjithë qyteti u mbush vetëm me persona të verbër. Ajo – pikërisht ajo që ka parë dhe ka ndihmuar të tjerët – është gjahu ideal për shtypin dhe qeverinë, është historia që mund të mbartë një të shkuar që nuk duam ta kujtojmë. Dhe nis të vendoset rregulli i vjetër i atyre që e shohin pushtetin si të vetmin qëllim – rregulli i pushtetit pa Njeriun- sidomos pa njeriun që di dhe që arrin të shohë qartë atë që ndodh.

“Një rregull i pandryshueshëm i pushtetit thotë se ia vlen më mirë t’i presësh kokat para se ata të fillojnë të mendojnë, sepse më pas ka mundësi të jetë shumë vonë”. (Jose Saramango, “Le të ulërijmë”, Dudaj, Përkthim nga Nasi Lera, f. 115)

Fillimisht është kryetari i bashkisë ai që refuzon të drejtojë një bashki të pavotuar, ndërkohë që një drejtuesi policie i duhet të kërkojë të vërtetën. Qeveritarët – Presidenti, kryeministri, ministrat – vihen në garë se kush do të gjejë zgjidhjen, se kush do zbulojë kurthin. Shtypi është në garë që të gjejë fajtorin. Ndërkohë, përballë, qëndron thuajse i vetëm, një shef policie. Ai ka qenë katër vite më parë mes të verbërve të qytetit, ndërkohë që ka fiksuar mire gruan që mundi të bënte diçka në atë qytet, në kohën kur nuk shihte askush. Dhe ai guxon të kundërshtojë, të kërkojë që të mos gjendet njeriu i gabuar për ndëshkim.

“Nëse kjo që tregon këtu është e vërtetë, në qoftë se ajo grua, le ta pranojmë se ekziston, nuk u bë e verbër dhe ndihmoi të tjerët në fatkeqësinë e tyre, nuk mund të përjashtohet që autori i letrës është gjallë vetëm falë asaj, kush e di edhe prindërit e mi do të ishin midis të gjallëve sikur të kishin patur fatin ta takonin atë grua, Letra thotë se ajo vrau dikë, Zoti President, askush nuk e di me saktësi se sa persona u vranë gjatë atyre ditëve, u përcaktua që të gjitha kufomat e gjetura ishin si rezultati aksidenteve apo i shkaqeve natyror edhe ne u vumë një gur përsipër. Edhe gurët më të rëndë mund të lëvizen, Është e vërtetë, zoti President, por unë jam i mendimit që ta lëmë grurin atje ku është, e marr me mend se nuk ka asnjë dëshmitar okular për këtë krim dhe, nëse ka patur në atë kohë, ata ishin që të gjithë të verbër midis të verbërve, do të ishte absurde, e pakuptimtë të nxirrnim këtë grua përpara gjykatës për një krim që askush nuk e pa ta kryente dhe për të cilin nuk ekziston trupi i krimit. Autori i letrës pohon se ajo ka vrarë. Po, por ai nuk thotë se ka qenë dëshmitar i krimit…” ( Po aty, f.189)

Përmes ironisë dhe një humori të zi autori arrin të ndërthurë anët e padukshme të pushtetit dhe historisë dëshpëruese të betejës në shoqërinë e sotme, ku më i rrezikuari nga të gjithë është ai që di dhe thotë të vërtetën. Janë fjali pa një ndërprerje, ku nuk dihet ku nis e mbaron komunikimi, si për ta pikturuar një shoqëri që ka hequr kufijtë e vlerave dhe është nën kurthin e një pushteti që nuk ka në qendër më Njeriun, por vetveten, që nuk ka qëllim të gjejë të vërtetën, por të ndërtojë një fabul për karrigen…

“Komisari, si mbylli telefonin, pyeti me vete se mos ishte marrëzi që kishte pohuar se linja telefonike, si t’i përkiste vetëm atij, ishte e sigurt dhe se në mbarë vendin asgjë nuk kishte që të ishte më e sigurtë se ajo. Ngriti supet dhe murmuriti, Pak rëndësi ka, asgjë nuk është e sigurt, askush nuk është i sigurt… Ai nuk fjeti mirë, pa në ëndërr një re me fjalë që i vidhej dhe i zhdukej kur ai i ndiqte me një rrjetë për flutura duke iu lutur, Ndaloni, ju lutem, mos lëvizni, më prisni…. Ai kapi një gazetë. Ishte një ëndërr e ligë, por do të ishte edhe më keq sikur albatrosi të shkonte të nxirrte sytë e gruas së mjekut”. (Po aty, f.280)…Saramango, duke thurur këtë revoltë kaq të pamenduar dhe të pamenaxhueshme nga politika – atë të refuzimit pa fjalë, pa forcë fizike, por përmes një letre të bardhë duke mohuar emrin dhe emrat që e shohin pushtetin si të pacënueshëm-, duket sikur na kërkon edhe ne të gjithëve që të “Ulërijmë” përpara se të kemi humbur fytyrën dhe zërin…

Filed Under: LETERSI

SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT

May 16, 2025 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

Willi Mernyi: Niemals wieder! Kurrë më!

Mauthuazeni i çliruar nga brigada amerikane tetëdhjetë vjet më parë, sot shënon ditën e lirisë nga barbaria fashiste. Vite me radhë Komiteti i Mauthausenit organizon ceremoni kujtimi dhe nderimi të viktimave me pjesëmarrje delegacionesh nga shumë vende. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë më shumë se 20 mijë veta nga shumë vende të botës, një rekord i shënuar. Vend nderi të veçantë iu rezervohet atyre që e përjetuan vuajtjet në kampin ku vuanin gra, burra e fëmijë. Mizoria e ushtruar nga puna e rëndë e dhunshme, uria dhe vrasjet masive mizore krematoriumeve, mbeten njolla më e zezë e njerëzimit. Të burgosurit u morën me dhunë nga e gjithë bota dhe përjetuan urrejtje çnjerëzore e racizëm të pa parë nga të cilat vdiqën dhe u torturuan mizorisht rreth 200 mijë njerëz, regjistër që nuk mbyllet asnjëherë. Këtë fat e përjetuan edhe shqiptarët si aleat kundër fashizmit. Me 5 maj 1945 forcat aleate dhe pikërisht brigada tankiste amerikane i lirojnë të burgosurit në Mauthausen duke shpëtuar mijëra jetë, mes tyre edhe shumë shqiptarë.

Kësaj radhe moto e shënimit ishte “Kurrë më ” – “Gemeinsam für ein Niemals wieder“. Në shënimin e 80 vjetorit të çlirimit të Mauthausenit, mori pjesë kryetari i Austris Alexander Van der Bellen, qeveritarë austriak. Ishin të pranishëm mysafir vendesh të ndryshme, mes tyre Vjosa Osmani, kryetare e Republikës së Kosovës e shoqëruar nga Albinot Bimbashi, Ambasador dhe stafi i ambasadës në Austri, Mbreti i Spanjes Felipe VI etj. Ishte hera e parë që Kosova nderon viktimat e përfaqësuar në nivel të lartë.

Kryetari i Komitetit të Mauthauseni Willi Mernyi në fjalën e tij rikujtoi: “ Krahasimit mes vitit 1938 dhe sot: Edhe pse shumë njerëz, përballë armiqësisë, tendencës për teori konspiracioni si dhe rritjes së ekstremit të djathtë, bëjnë krahasime me atë kohë, ka një diferencë të madhe – mund të jetë që shumë aderues në pushtetin e Hitlerit duke u shprehur se, “Nuk dinin ose nuk donin të dinin”, ku e çonte urrejtja dhe nënçmimi. Por, sot ne e dimë këtë. Niemals wieder!” – tha ai mes tjerash.

Pjesëmarrësit që shpëtuan nga Mauthauseni janë gjithnjë e më të rrallë. Përjetimet e tyre janë shumë preke që trishtojnë. Ja një bisedë nga manifestimin e vitit 2016 me Jan Wojciech Topolowsik me rrobat e tij burgu dhe numrin e tij majtas në gjoks mes tjerash tha: “Ishim bashkë me tim et në kamp. Një ditë derisa bartnim gurë Shkallëve të Vdekjes, ditë e fundit e takimit, ishte disa shkallë para meje, u ndal dhe më priti duke me parë nën gurin e rëndë në kurrizin e lodhur që mezi e mbante. ”Ndoshta nuk do të shihemi më, unë nuk kam forcë më tutje, takohemi para Pavilonit 24, aty ku takoheshim fshehurazi. Nuk u takuam më kurrë ai vdiq dhe unë vij këtu çdo maj të takohem ja aty para nesh si dikur”.

Në hapësirat e kampit tani ngrihen 52 monumente të vendeve viktima e aleate kundër fashizmit. Mes tyre edhe pllaka e shtetit më të ri në Evropë, Kosovës. Pllakat me 84.270 mijë emra të njohur deri sot, mes tyre dhe 133 nga trevat shqiptare që u mbyten aty në format më barbare. Mauthauseni shoqërohet me 49 kampe tjera jashtë tij, secili më i zi se tjetri.

Si anëtar i Komitetit të Mathausenit dhe bashkautori i dy librave kushtuar kujtimit dhe nderimit të viktimave, hulumtova dokumente, nga shtypi dhe dëshmitarë të burgosur nga disa vende. Nga Shqipëria takova Avdullah Krutanin në Tiranë në moshën e tij 94 vjeçare. Intervista e tij ishte emocionuese që nuk harrohet. Ishte projekt i sjelljes së tij në shënimin festiv përkujtues në Mauthausen, por mosha nuk e mundësoi të realizohet. Hulumtimet e mia rreth shqiptarëve në Mathausen dhe nënkampet afër tij janë pjesë e Komiteti dhe shënimet e mia të publikuara O-line në Muzeun përkujtues. Jam krenar që vite të tëra vullnetarisht punova në ndriçimin e atyre që përjetuan tmerrin nazist. Projekti nisi nga Ambasada e Repulikës së Kosovës në Austri i mbështetur, me ide nga Sabri Kiçmari, Ambasador. Shpresoj se do mbështet realizim i botimit të librit dhe dokumentarit. Viktimat e pafajshme e meritojnë kujtimin.

Shqiptarët

Aty gjetën vdekjen 133 shqiptarë nga trevat shqiptare, në mesin e tyre edhe Xhevdet Doda e Kozma Nushi, hero të popullit. Në shenjë përkujtimi ndaj tyre do japim emrat: Abaz Dine, Abaz Sullaj, Abdulla Tabaku, Adil Alushi, Ahmet Ramzoti, Alem Tafili, Ali Ashimi, Ali Biduli, Asti Gogoli, Azem Toska, Bedri Agalliu, Beg Nushi, Besim Liku, Buharedin Mitarja, Cane Çaçi, Cane Rapushi, Dalip Meminaj, Demir Bardhi, Dervish Hoxha, Dilaver Kamberi, Dhimiter Konduri, Dhimiter Kulla, Ejup Kondo, Emanuel Hasdurian, Enver Velja, Faik Haruni, Faslli Lelaj, Faslli Zoga, Feim Mustafaj, Fejzo Toska, Ferik Buzi, Fizo Spahiu, Gani Kokli, Gjysh Duraj, Hajdar Shameti, Hajredin Kerkova, Hakim Veliu, Halil Shyri, Hamit Roseni, Hamit Xhyheri, Hamza Laperi, Hasan Doci, Hekuran Novruzi, Hysen Shtufi, Ibrahim Skendaj, Ibrahim Xhatufa, Ilo Çomi, Isa Rapushi, Ismail Zyma, Isuf Berberi, Isuf Ibershimi, Izet Mema, Jani Kosta, Jani Nathanaili, Jani Popa, Jano Maska, Jorgji Ziu, Koro Çoni, Kostandin Simaku, Kozma Nushi ,Late Bregu, Mehmet Dauti, Mehmet Sulo, Mihal Koçi, Mihal Pema, Minella Gogo, Muhamed Velaj, Muhamet Bino, Muhamet Dine, Muhamet Kabashi, Musa Gorishti, Mustafa Kotherja, Mustafa Zahaj, Myslym Nelaj, Mystehat Malaj, Naun Thanasi, Neim Gjoni, Nexhip Hekurani, Nexhip Himçi, Novruz Abazi, Novruz Dine, Novruz Hajdini, Pandeil Dimo, Pavllo Papingji, Piro Papalilo, Qazim Çakerri, Ramadan Nebiu, Ramadan Ramo, Ramazan Myrto, Rapo Kapllani, Rapush Çarçani, Rasim Hamzaraj, Refat Ismajli, Rexhep Bani, Sabri Habibaj, Sadik Asnjoku, Sali Dibra, Sami Karriqi, Selim Çarçani, Senusi Nota, Sofokli Dhimitriadhi, Stavri Havale, Sulejman Cenoimeri, Sulejman Doko, Sulejman Rukja, Sulejman Zakja, Sulo Gorishti, Shefqet Leka, Shefqet Shyti, Sherif Nuredini, Shyqyri Buzi, Taqo Dino, Tefik Skilja, Telat Noga, Teme Alushi, Thimio Nathanaili, Thoma Kuqali, Vangjel Shkurti, Vangjel Vasili, Vangjel Xhani, Vasil Dushku, Vasil Gjata, Vasil Mojsiu, Vehbi Vrashtazi, Xhafer Kodra, Xhafer Skilja, Xhafer Zera, Xhemal Kasa, Xhemal Myhdari, Nuredin Memishaj, Xhemal Shasho, Xhevdet Doda.

Histori e zezë

Kampi i përqendrimit në Mathausen u ngrit nga njësia SS në vitin 1938. Reparte të tij ishin edhe Kampet në Gusen dhe Melk. Gjendet në Austrinë e Epërme afër qytetitLinz dhe ishte vend gurëthyese e cila i takonte Kampeve të kategorisë 3. Ky ishte lloji i vetëm i kësaj kategorie në hapësirat e Raichut, ku njerëzit mbyteshin nëpërmjet punës së rëndë. Deri më 5 maj të vitit 1945, kur u çlirua nga ushtria amerikane u mbyten në format më çnjerëzore rreth 120 mijë të burgosur, kurse kaluan nëpër tmerret e tij më shumë se 200 mijë njerëz nga 30 kombe të botës. Gratë e sjella aty nga Kampi tjetër Ravensbryk përbënin 2,5 për qind, u detyruan në prostitucion, ato shtatzëna u përdorën për eksperimente medicinave duke përdorur format shtazarake. Kishte po ashtu fëmijë e të rinj jeta e të cilëve nuk zgjate shumë brenda këtij ferri. Mesatarja e jetës në te 6 muaj deri në 15 muaj e jo më shumë. Në vitin 1944 kishte 128 komando të SS dhe 475 ushtarë mbikëqyrës.

Filed Under: Histori

EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…

May 16, 2025 by s p

Nga Frank ShkreliA person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Kush janë këta burra e burrnesha, ndër më të mëdhejt e Evropës që kanë zbritur në Sheshin e Gjergj Kastriotit të Madh të shqiptarëve, Skënderbeut!? Shyqyr që nuk e mbuluan me ndonjë çarçaf monumentin e të Madhit Gjergj me këtë rast! Kjo është një gjë pozitive.  Këta janë liderët e 47 shteteve evropiane deri tani – 20-anëtare të Bashkimit Evropian dhe të 27-vendeve jo-anëtare të (BE), vende-kandidat siç është Shqipëria – por që të gjitha bëjnë pjesë në atë që quhet, “European Political Community (EPC)”, një krijesë tjetër organizatash politike në kontinentin evropian — sikur Evropa nuk ka mjaft të tilla — propozuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tre vjet më parë, (2022). Si një “platformë për bashkrendim politik”.

Pak histori: EPC është krijuar për të shërbyer si një forum bisedash spontane midis liderëve pjesëmarrës — si “një hapësirë e re bashkpunimi politik dhe të sigurisë”, vetëm për “liderët politikë”, kryesisht, pa pjesëmarrjen e stafeve të tyre.  Është një krijesë politike shumë pak e njohur në Evropë dhe pothuaj aspak përtej Evropës. Por kjo organizatë bën zhurmë dy herë në vit me takimet e saj të “nivelit të lartë” politik, me takimet në rotacion midis vendesh anëtare: në pranverë takimi mbahet në njërin prej vendeve jo anëtare të BE, si Shqipëria dhe normalisht, në vjeshtë mbahet në njërin prej kryeqyteteve të Bashkimit Evropian. Sa për informacion, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama ishte ndër të parët, në mos i pari, që në tetor, 2022 kishte mbështetur idenë e Presidentit Macron për krjimin e entit të ri evropian, “European Political Community (EPC). Megjithse shumë vende të tjera e pritën idenë e një enti të ri në Evropë – veçanërisht kur propozimi bëhej nga Franca – si diçka tepër të dyshimtë. Por, Macroni përfitoi nga se vendi i tij ishte në atë kohë president i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe ashtu ia doli të bindte shumicën se ky ent ia vlente të krijohej për të bashkuar evropianët në një organizatë të tillë, për të diskutuar mbi problemet e përbashkëta, në një atmosferë, jo të struktuar, siç ndodh normalisht, me takime të tilla ndërkombëtare të nivelit të lartë. 

Pak histori se ia vlen të theksohet dhe të ndahet e vërteta e këtij takimi këtë javë (të zgjedhjeve parlamentare) në Tiranë — nga mjegulla e insinuatës së propagandës zyrtare se evropianët ranë në Sheshin Skenderbe për meritat e mëdha të qeverisë shqiptare ose për pëparimin e madh që Tirana zyrtare paska bërë drejtë antarësimit të saj për në BE. Takimi i parë i këtij enti politik (EPC) është mbajtur në Pragë të Çekisë në tetor të 2022 dhe mbledhja e dytë në Bulboaca të Moldavisë. Si në parentezë, për ata që presin gjëra të mëdha për Shqipërinë nga ky takim i nivelit të lartë në Tiranë, pas fitores së Partisë Socialiste në atë vend – unë sugjeroj që të shkojnë e të pyesin Moldavinë për të mirat që i solli atij vendi ky takim i lartë. Deri tani takime të këtij lloji janë mbajtur gjithashtu edhe në Spanjë dhe në Angli…sipas rotacionit, jo sipas ndonjë merite për regjimet vendase. Në të vërtetë, sipas disa eskpertëve, Presidenti Macron mund ta ketë propozuar tre vjet më parë, krijimin e një organizate të tillë, jo për të përshpejtuar antarësimin e këtyre vendeve në BE – përkundrazi, e ka propozuar dhe mbështetur me qëllim për të ngadalësuar zgjërimin e antarsimit të vendeve, deri tani jo-antare të BE. Sidoqoftë, kjo mbetet për tu parë.  Por në rastin e Shqipërisë, analistë evropianë janë shprehur këto ditë se një objektiv i këtij samiti në Tiranë, sa u përket miqëve evropianë të Kryeministrit shqiptar, është mbi të gjitha, për të “kurorëzuar fitoren” e Edi Ramës dhe Partisë së tij Socialiste në zgjedhjet e fundit.  Takimi evropian në kryeqytetin e shqiptarëve mund të konsiderohet nga disa si një “pikë politike” për Kryeministrin shqiptar, por nuk besoj se do të ketë ndonjë përfitim nga kjo mbledhje për jetën e përditëshme të shqiptarëve.

Sidoqoftë, ky ent i quajtur “European Political Community (EPC)”, ose Komuniteti Politik Evropian, është në një fazë eksperimentale dhe mbetet për tu parë se si do të zhvillohen punët. Në historinë e saj tre-vjeçare të EPC, nuk kemi parë ndonjë rezultat konkret që të ketë dalë nga këto takime që mbahen dy herë në vjet nga kjo organizatë– në rotacion midis vendeve anëtare – dhe në përputhje me të ashtuquajturën, “balancë gjeografike” evropaine dhe jo për merita të një qeverie ose një tjetre.  

Më në fund, sa i përket takimit të nivelit të lartë të EPC në Tiranë, pas shumë fjalë e deklarata bombastike, besoj se një ditë më vonë ,analistët do komentojnë se rezultati kryesor i takimit në Tiranë do jetë “kurorëzimi i fitores” nga liderët evropianë i zgjedhjeve të fundit nga kryeministri Rama, por jo vetëm. Për ndyshe ka të ngjarë që ai takim të përëfundojë, ndoshta, me ndonjë premtim jo zyrtar nga evropianët për hapjen e kapitujve të tjerë të hapjes së dyerve të antarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo në shkëmbim të ndonjë premtimi nga Zotit Rama se ai do hapë dyert e burgjeve të Shqipërisë për kriminelët evropianë, përfshir ata britanikë. N dërkohë që rinia shqiptare ua mësynë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për mërgim të përjetshëm. Por, më në fund, jam i bindur se momenti më i rëndësishëm, rezultat i takimit në Tiranë, do jetë e ashtuquajtura “fotografi familjare” e rasteve të tilla — të gjithë liderët evropianë të bashkuar duke u qeshur, duke ngrënë e duke pirë nga kuzhina shqiptare e famshme tani në radhët e diplomatëve të huaj në Shqipëri  – gjë që më kujtoi poezinë e Ali Asllanit: “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!” 

Në një atmosferë kjo për të bindur ata që nuk besojnë se me të vërtetë Evropa është e bashkuar e në paqe (siç e donte dikur Xhorxh Bush plaku) pas shembjes së Murit të Berlinit. Sot në një periudhë kur paqeja dhe stabiliteti në Evropë, e sidomos gjendja në Ballkanin Perëndimor, përveç rajoneve të tjera të kontinentit të vjetër,  nuk duket të kenë qenë aq të brishtë ndonjëherë sa vitet e fundit. Prandaj me takime të tilla të nivelit të lartë si ky në Tiranë, nuk ka se për çfarë të mburret Evropa, as arsye të festojë Shqipëria.

Frank Shkreli

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT