• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

“Scribi përballë medias së shkruar”

May 15, 2025 by s p

Luan Rama/

Nga libri me i ri “Scribi përballë medias së shkruar”, me jë përmbledhje intervistash, i cili mbaron me këtë intervistë që i bëj vetvetes:

Intervistë me vetveten

Tek shkruaj, mendoj se kjo s’do të jetë një intervistë e fundit por sidoqoftë, edhe pse nuk është botuar askund, po i marr leje Petro Markos që ti huazoj titullin e tij në intervistën e gjatë me titull “Invervistë me vetveten – retë dhe gurët”. E di që po ta kisha pranë ai do të gëzohej, pasi unë isha një mik i afërt i birit të tij poet, Jamarbër Marko dhe shumë kujtime më lidhnin me familjen e tij që në kohë të adoleshencës dhe të rinisë. Atëherë banoja me gjyshen time dhe në të njëjtin pallat me të: ata në kat të dytë dhe ne në kat të dytë por në një shkallë tjetër. Ishte Pallati nr. 64 në bulevardin “Stalin”, i cili vetëm pas viteve ’90 do të ndryshonte emrin dhe do të quhej Zogu i Parë. Kur Jamarbri doli nga burgu, si i dënuar për “agjitacion e propagandë” isha i pari që shkova në shtëpi ta takoja dhe Safo, e ëma, me sy të habitur dhe të shqetësuar më tha : “Nuk ke frikë që vjen në shtëpinë tonë? Unë qesha dhe shkova nga dhoma ku rrinte Madu, siç i thërrisnim ne. Petro dhe Safo e vuajtën shumë burgosjen e Madut. Atëkohë Petros ia ndaluan të drejtën e botimit. E shikoja tek dilte pasditeve në bulevard i vetmuar dhe tmerrësisht i trishtuar duke tymosur cigaren e tij. Shpesh takohej në bulevard me Skënder Luarasin dhe të dy vazhdonin të heshtur në ecejaken e tyre të zakonshme deri tek përmendorja e Stalinit në sheshin e Tiranës. Që të dy të dënuar edhe pse kishin qenë ndër vullnetarët shqiptarë në Luftën e Spanjës dhe kishin kontribuar për Shqipërinë e re. Nga mesi i viteve ’80 e shikoja përsëri tek shëtiste në bulevard me Fatos Arapin, Xhevahir Spahiun, madje dhe me Spiro Deden dhe Arshin Xhezon, edhe pse këta të dy drejtonin shtypin partiak. Por një erë e re frynte tashmë për ndryshime të mëdha. Më 1991 unë u nisa në Paris dhe nuk e pashë më Petro Markon, i cili tashmë ishte sëmurë. Pas vdekjes së tij lexova librin “Intervistë me vetveten” dhe aty mësova më shumë për kalvarin dhe jetën e tij revolucionare. Sigurisht në këtë intervistë timen, po e shkruaj si një mbyllje të këtij libri të thjeshtë për të thënë diçka si një përshëndetje për miqtë e mi, pasi çdo njeri për jetën e tij ka shumë ç’të thotë. Disa libra që kam botuar tregojnë aty-këtu për çaste të ndryshme të jetës time, siç është dhe libri “Fëmija e bulevardit Stalin”, meqë unë linda dhe u rrita në këtë bulevard. Atëherë le ta pyes vetveten për dy-tre gjëra të fundit:

– Çfarë të ka mësuar jeta?

– Të jem tepër i thjeshtë pasi shumë pak gjëra dimë nga kjo jetë efemere. Dikujt mund ti duket se dimë diçka apo se po themi diçka të re, por gabohet. Të gjitha janë thënë, vetëm se tashmë thuhen në një atmosferë dhe kohë tjetër. Kam parasysh një thënie të mikut tim të vjetër Jusuf Vrionit shumë vite më parë kur u takuam bashkë në Paris dhe unë po përktheja për herë të parë një libër poetik të poetit Alain Bosquet, “Nesër pa mua”. Një çast i thashë nëse mund të më thoshte apo mësonte diçka nga arti i përkthimit. Por tepër thjeshtë dhe duke qeshur, ai mu përgjigj me dashamirësi: “E ku mund ti di unë sekretet e përkthimit?!” Më bëri pështypje kjo përgjigje, e cila më pas mu kthye në një këshillë të vyer: Të jesh shumë i thjeshtë! Francezët kanë një fjalë të bukur për këtë: “Humble!”

– Nëse do ta vështroje botën me një shikim të shpejtë, si do ta përkufizoje?

– Një botë relative. Gjithçka është relative në këtë botë: luftrat, përpjekjet, humbjet dhe fitoret, revolucionet, katastrofat dhe vdekjet e mëdha. Gjithçka varet nga gjendja emocionale që je kur e shikon botën përreth. Gjithçka varet nga eksperiencat tona dhe shkalla e njohjes. Duke iu rikthyer mikut tim Vrioni, kur ishte në qeli dhe i varur nga duart në një çengel, vuajtja nuk i bënte përshtypje. Ai e kapërcente vuajtjen duke recituar me mendje vargje të poetit të madh Rembo. Dhe po ta shohësh botën nga brenda, ajo është relative pasi është gjithnjë në lëvizje dhe mes energjish që përplasen, siç ndodh në zemrën e një vullkani në prag erupsioni. Ajo çka vdes, bën të rilind diçka tjetër dhe ajo që lind nuk është asnjëherë e ngjashme me të mëparshmen, me atë çdo të ndodhë me njeriun, pemët. Teoria e relativitetit të Anjshtanjit është një mësim i madh jo vetëm për makrokozmosin por dhe mikrokozmosin.

– Çdo të pëlqente këtë çast?

– Të shoh botën nga lart, nga një stacion i NASA-s. Jo rrallë kur ngjarjet në botë bëhen të vështira, dramatike apo tragjike, ku barbaria njerëzore shfaqet në mënyrë mizore e të llahtarëshme e në mënyrë instinktive e shoh rruzullin tokësor nga shumë lart dhe them me vete se përse gjithë ky gjak, tërë këto luftra që s’mbarojnë, këto shfarosje e urrejtje brenda llojit njerëzor pyetje që e bëj në një poezi timen me titullin “Shekspiri nuk e gjeti dot enigmën e llojit njerëzor”. Jam munduar shpesh të depërtoj në shpirtin njerëzor por e pamundur ta gjej saktë dhe ti jap një përgjigje kësaj pyetje: Pse? Pasi asgjë nuk ka ndryshuar që nga prehistoria apo nga antikiteti deri në ditët tona. Po ata diktatorë, krime, pushtime dhe vrasje brenda familjes çka sollën dhe mitet e Edipit, Andromakës, Kasandrës, etj. Çfarë e ngacmon egon njerëzore për të asgjësuar dhe urryer tjetrin. Vallë cënimi i ekzistencës tënde? Lufta brenda llojit për ekzistencë? Po kur ekzistenca jote nuk kërcënohet, përse barbaria shfaqet sërish? Vallë utopia Thomas Moore, Erazmit, Campanela-s është një fjalë e kotë në ajër, një shpresë që s’do të realizohet kurrë?…

– Ç’është jeta për ty?

– Kur jemi të rinj jetën e jetojmë me vrullin e saj. Ndodh si ata fëmijët që hidhen ne rrjedhën e një lumi që zbret dhe i merr me vete për ti çuar diku. Dhe unë e kam jetuar një pjesë të mirë të jetës pa menduar për të ardhmen, pa menduar se jeta njerëzore ka një cak dhe në fund të fundit do të pyesësh veten: çfarë bëra në këtë jetë? Vetëm kur kalon moshën 50 vjeçare njeriu fillon të mendojë për fundin e tij, vitet që i kanë mbetur, vdekjen dhe se gjeneratat do ndjekin me rradhë njera-tjetrën. Kështu njeriu bëhet një lloj filozofi, i vetëdijshëm për rrugëtimin e tij dhe kjo është e kuptueshme. Para disa vitesh, po shkruaja një libër tjetër për mikun tim piktor Omer Kaleshi. Dhe ai më nxiste ta mbaroja shpejt. Por menjëherë e kuptova, pasi ai donte ti mbyllte projektet e tij, seritë pikturale, para se të ikte nga kjo botë. Njerëzit u ngjasojnë pemëve. Ashtu si pemët, edhe njerëzit kanë stinët e tyre, panverën, verën, vjeshtën dhe dimrin. Pas gjetheve që bien, një kohë tjetër vjen. Dalin sythet dhe lulet e reja. Por brenda trungut njerëzor jeta asnjëherë nuk ndalet, nuk shuhet.

– Si do kishe dëshirë ti jetoje vitet që vijnë?

– Të udhëtoja dhe të jetoja sa më thjeshtë. Është e kotë përpjekja e shumë njerëzve për të patur sa më shumë dhe kjo dëshirë e kamjes i shtyn drejt mashtrimit, shfrytëzimit të tjetrit. Nuk i shoh dot ata që në televizor tregojnë dhe demostrojnë kamjen e tyre. Kjo gjendje ndaj anës material është fatale. Sa më i thjeshtë mendoj, aq më i lumtur je. Nuk vuan nga ambicjet, mjafton të kesh minimumin e jetesës. Kam parasysh shtëpitë e japonezëve të cilat janë tepër të thjeshta dhe me shumë pak orendi, ndryshe nga ne që e mbushim me lloj – lloj orendish. Kam shkruar për një personazh historik amerikanin Rajmond Dunkan, i cili erdhi dhe në Sarandë gjatë luftrave ballkanike 1913-1914 dhe ngriti një tezgjah që të ndihmonte fshatarët dhe refugjatët e ardhur që po vdisnin nga uria. Madje ngriti dhe një furrë buke. Ishte një humanist i madh dhe qilimat që bënin gratë e Skelës (siç quhej atëherë Saranda) i shiste në Londër dhe me ato para sillte miser e grurë. Ky njeri në fillimet e shekullit XX u vendos në Paris dhe krijoi një akademi artistësh. Por ai jetonte shumë thjeshtë. Vishte një tunik të bardhë si grekët e lashtë dhe një palë sandale. Me ato dilte në Paris dhe me ato vdiq në fundin e viteve ’60. Modeli i tij ishte Sokrati dhe Platoni. Tashmë unë jam në pension, minimumin e jetesës e kam siguruar dhe nuk kam prona çka do të thotë se nuk kam shqetësime. Vazhdoj me pasionet e mia të shkrimit, si një lloj skribi. Gëzimi më i madh është paqja me veten dhe dashuria për njerëzit. Dëshiroj të jetoj në natyrë, në një fshat. Bota në fund të fundit është kthyer në një fshat global.

– A do të doje të ishte dhe tani gazetar?

– Sigurisht do të doja, madje jam, pasi vazhdimisht shkruaj. Gazetaria më pëlqen shumë. Në fakt gazetaria e shkruar është në orët e fundit të saj. Ja pse dhe unë anoj më shumë nga letërsia, poezia, romani, eseja apo libri historik.

– 30 vjet më parë ke botuar një libër për gazetarinë e re shqiptare pas viteve ’90: “Metamorfoza e fjalës – për një deontologji të shtypit në Shqipëri”. Si e shikon tani evolucionin e shtypit?

– Shtypi i shkruar ka luajtur një rol të veçantë në kohën e tranzicionit, veçanërisht në viteve e para, kohë kur dhe kam qenë korrespondent i gazetës “Koha Jnë” në Paris. Robert Menard, presidenti i “Reporterëve pa kufij” të Francës shkroi parathënien për këtë libër dhe ishte ky fondacion që dhe e sponsorizoi. Por me kalimin e viteve dhe kur biznesmenët u futën në politikë, pra të bëhen deputetë për të mbrojtur aferet e tyre, kur gazetarët filluan të mendojnë dhe ata për fitimin sa nga një krah politik në tjetrin, shtypi u cënua rëndë, madje dhe në gjuhë u bë banal. Në atë libër shkruaj gjatë për deontologjinë por mjerisht, deontologjia sot lë shumë për të dëshiruar. Madje janë dhe pesë portretesh gazetarësh të mëdhenj botërore që i janë përkushtuar të vërtetës, si George Orwell, Albert Londres, Albert Camus, apo Bertold Brecht.

– A do të pëlqente ti ktheheshe përsëri gazetarisë?

– Por unë s’jam shkëputur asnjëherë nga ajo. Unë gjithnjë kam shkruar për ngjarje, njerëz, figura historike, artistike. Madje kam botuar katër vëllime me publiçistikë dhe kam gati vëllimin e pestë: “Në udhëkryqet e historisë” ku gjithsejt mund të jenë 2500-3000 faqe libri. Kam shkruar ese për artin si librin “Përballë tablosë” si dhe libra për artistët.

– Çfarë çastesh interesante ruan nga kjo përvojë publiçistike?

– Kujtime kam shumë, ngjarje po ashtu dhe takime me personazhe të ndryshme. Por mund të them shkurt për dy takime apo intervista që kam realizuar në Paris. E para me Ernesto Sabato-n me të cilin u takuam në hotelin ku vinte gjithnjë në Saint-Germain des Près i quajtur “Madison”. U takuam dy here dhe biseduam gjatë, ku ishte dhe sekretarja e tij e re. Gruaja i kishte vdekur. Kohën e kalonte me pikturë edhe pse shikonte me vështirësi. Në fakt shkonte në Shqipëri për të marrë çmimin “Kadare”. Ishte thjesht një preteks pasi ai ishte shumë kureshtar të shikonte Shqipërinë, meqë gjyshja dhe nëna e tij kishin folur shqip. Ishin nga arbëreshët e Italisë së jugut. Por në atë kohë ishte kulmi i dhunës së Berishës kundër opozitës. Ne folëm për këtë dhe pasi u mendua një çast më tha se nuk ishte e udhës të shkonte dhe të pritej nga një njeri i tillë dhe se duhej të kthehej. Ai gjithë jetën kishte luftuar kundër diktaturave dhe autokratëve. Por unë ngula këmbë që të shkonte. Dhe ai shkoi. Me këtë rast botova dhe intervistën e tij të gjatë mbi historinë e tij familjare dhe letërsinë e tij. Një takim tjetër ishte me Paolo Cuelo-n, autorin e romanit të famshëm “Alkimisti”. Ishte Salloni Ndërkombëtar i Librit në Paris dhe Brazili ishte si vendi “i ftuar nderi” në panair. Edhe me të u takova dy herë, madje më ftoi dhe në festën e organizuar për të në “Carrousel du Louvre”. Disa romane i ishin botuar nga “Toena”. Ishte tepër I thjeshtë dhe shumë njerëzor. Shumë i dashuruar me gruan e tij. Kishte një simpati të veçantë për Shqipërinë. Më premtoi se do të vinte në Shqipëri. Të shpresojmë…

– Për çfarë ke mall këto çaste?

– Për fëmijërinë time, nënën, gjyshen që më tregonte përralla mistike…

– Po dhimbja jote më e madhe?

– Vdekja e motrës, Ilirianës. Ishte diçka shkatërruese nga ana emocionale, një humbje e jashtëzakonshme çka e kam ndjerë për një kohë të gjatë, kohë kur i kushtova dhe shumë poezi. Më kujtohet gjithnjë fëmijëria jonë, koha e adoleshencës, koha kur si student i tregoja për dashuritë e mia platonike, rinore. Një nga poezitë e shkrova kur ishim në shtëpinë e saj, vetëm, ajo gjithë dhimbje dhe unë me sytë e përlotur që nxorra një copë letër dhe shkrova një poezi: “Ti po shkoje!” Si mund ta ndihmoja?…

– Përse vazhdon të shkruash?

– Edhe unë e pyes veten për këtë. Në fakt gjithçka është thënë në këtë botë, madje shumë bukur, që nga skribët e lashtë. Ende shijojmë tekstet e vjetra të Homerit, Sofokliut, Sokratit e Platonit edhe pse format letrare kanë ndryshuar. Madje në romanin e fundit, “Murgu i malit të shenjtë” krijoj dhe një linjë paralele me kthimin e heroit në shtëpi pas shumë kohës dhe kthimi i Odiseut në Itakë. Por heroi im e gjen “Penelopën” e tij që ka filluar një jetë të re. Kohët, epokat, kanë ndryshuar. Dhe atëherë ai niset për në Malin Athos që të bëhet murg. Shkruaj pasi e kam të vështirë të shkëputem nga kjo lloj aventure dhe ta ndaloj këtë udhëtim letrar. Më është e pamundur të ndaloj imagjinatën time në krijimin e ngjarjeve, subjekteve, figurave, atyre imazheve dhe skenave dramatike. E atëherë i them vetes: kjo duhet shkruar, s’ka rëndësi se sa jam i aftë ta shkruaj por për mua është organike dhe pasionante. Dhe kështu nis të shkruaj.

– Nga gjithçka çfarë ke shkruar çka mbetur?

– Fryma! Jo frymëmarrja por fryma shpirtërore, ajo e krijimit. Secili ka frymën e tij dhe prandaj autorët, artistët janë të ndryshëm. Një ditë isha në atelierin e një mikut tim skulptor dhe e pyeta rreth ndjesisë që kishte ai për Auguste Rodin. – Çfarë të tërheq tek ai? – Fryma e tij! – mu përgjegj miku im.

– Çfarë pasioni të ka mbetur nga fëmijëria?

– Pullat dhe filmi. Kam shkruar për dashurinë time si koleksionist pullash që në moshën 10 vjeçare, për lidhjet e mia me filatelistë të botës gjer në Trinidat Tabaco apo në Ghana e Nigeria, pa folur për zarfat me pulla që më vinin nga Italia, Franca, vendet e Evropës Lindore etj. Por meqë banoja pranë kinema “17 nëntori”, në zemër të Tiranës, unë i lashë pullat dhe fillova koleksionin tim me kuadrot e filmit që i gjenim në koshat e projeksionistëve kur u këputej filmi. Kisha një koleksion të mrekullueshëm dhe ndoshta dashuria ime për imazhet kështu ka lindur. Është interesant fakti se Roman Polanski, adoleshent, kishte qenë gjithashtu koleksionist pullash. Por më pas e shiti koleksionin e tij që të blinte një apparat të vogël projeksioni të kuadrove të filmit. Madje dhe unë për disa vjet kisha një aparat të tillë në shtëpi. Ndikimi i filmit është tepër i madh tek adoleshentët. Nga kjo ndoshta kam dhe një kujtesë të jashtëzakonshme pamore, ndërkohë që asnjëherë nuk kam mbajtur mend të lexoj një poezi timen apo poezitë e autorëve të traditës që mësonim në shkollë. Ja pse dhe skenat e romaneve që shkruaj, unë i shoh dhe vetëm i përshkruaj… E megjithatë tek pullat u riktheva sërish. Madje dhe sot blej vazhdimisht pulla! Pulla shqiptare dhe franceze që nipi im Eliot, të njohë përmes pullave historinë shqiptare dhe trashëgiminë kulturore të saj.

Filed Under: Interviste

Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin

May 15, 2025 by s p

Në një reflektim krahasues, i ndritshëm për nga thellësia dhe sinteza, shkrimtari dhe kritiku amerikan John Updike ndalet te dy figura madhore të letërsisë botërore të shekullit XX: Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez. Ai i vendos këta dy gjigantë të letrave përballë njëri-tjetrit jo për të shpallur fitues, por për të ndriçuar dy mënyra të ndryshme të shkrimit nën pesha të ndryshme të historisë, kulturës dhe pushtetit.

“Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez; të dy tregojnë rreth qyteteve që lëshojnë vezullime magjepsëse dhe mbizotërohen nga klanizmi.”

Në këtë vëzhgim, Updike e dallon ngjashmërinë e dukshme mes veprave të tyre: të dy krijojnë botë që përkunden mes realitetit dhe fantazisë, ku qytetet janë më shumë simbole shpirtërore sesa koordinata gjeografike. Por ai dallon qartë edhe dallimet thelbësore:

“Qyteti prej guri i Kadares duket më pak jashtë botës reale, më pak i panjohur, më pak i paçuditshëm sesa qyteti Makondo i Márquezit, i tëri me ndërtesa të larta me mure pasqyrash…”

Këtu, Gjirokastra e Kadaresë është një vend i konkretësuar, i fortë, me rrënjë në kujtesën historike dhe të fëmijërisë. Ndërsa Makondoja e Márquezit është një laborator i realitetit magjik — vendi ku kohët përzihen dhe muret reflektojnë sa vetveten aq edhe fantazinë kolektive të një Amerike Latine të përmbysur.

Por pyetja më e rëndësishme që ngre Updike është:

“Si ishte në gjendje Ismail Kadare, nën një regjim famëkeq ksenofobik si ai i Enver Hoxhës, të krijonte një art kaq të hollë e të shprehej aq lirshëm?”

Kjo pyetje është thelbi i shqetësimit kritik perëndimor për shkrimtarin që vjen nga diktatura. Në sytë e Updike, Kadare nuk është thjesht një autor që mbijetoi censurën; ai është një krijues që e përdori atë si sfond për të ndërtuar një gjuhë aludimesh, të shtresëzuar e të rafinuar. Sipas tij, ekzistojnë disa mënyra që lejojnë një shkrimtar të mbijetojë dhe madje të lulëzojë nën totalitarizëm:

“Kujtimet nostalgjike të fëmijërisë, sigurisht, përbëjnë strehë mbrojtëse për një shkrimtar, i cili krijon nën regjim totalitar. Mënyra të tjera krijuese për një shkrimtar në kushte të tilla janë përkthimet, tregimet për fëmijë dhe romanet fantastiko-historike.”

Ky përfundim është një analizë e hollë e poetikës së mbijetesës. Kujtesa personale bëhet jo vetëm lëndë narrative, por edhe strategji për të mbrojtur veten nga përplasja direkte me pushtetin. Përkthimi, nga ana tjetër, shërben si një dritare drejt botës dhe si një mjet për të ushqyer gjuhën dhe stilin. Ndërsa zgjedhja e një zhanri si romani historik ose ai fantastik është, në të vërtetë, një mënyrë për të shmangur konfliktin frontal me realitetin politik, duke e zhvendosur mesazhin në të shkuarën, ose në një univers tjetër.

Në këtë dritë, Kadareja nuk është një shkrimtar i dorës së dytë që fati e nguli në një cep të errët të hartës letrare, por një mjeshtër i formës dhe përmbajtjes në kushte ekstreme. Ai nuk është më pak universal sesa Márquezi — vetëm se universaliteti i tij vjen jo nga shpërthimi i imagjinatës tropikale, por nga disiplina e nënkuptimit, simbolikës dhe arketipit ballkanik.

Updike e lexon Kadarenë me një ndjeshmëri të rrallë për lexuesin anglo-amerikan, duke na dhënë një mësim se si letërsia e madhe, edhe kur vjen nga një vend i vogël dhe i mbyllur, mund të jetë universale në ndjeshmëri dhe mjeshtërore në zbatim.

Albert Vataj

Filed Under: ESSE

ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET

May 15, 2025 by s p

Albanian TV of America

Nga Rafael Floqi, kryeredaktor i ALBTVUSA

Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës është hapur më datën 20 maj 2000, si rezultat i një boshllëku për median e shikuar që ekzistonte ne shtypin dhe mediat e  Diasporës Shqiptare të e Amerikës. Pra qëllimi i vetëm i hapjes të këtij Televizioni ka qenë dhe është që t’i shërbejë Diasporës shqiptare në të gjitha fushat e jetës së saj. 

Ndaj sot ne jemi krenarë se ALBTVUSA është Televizioni i parë dhe i vetmi në kohë dhe në hapësirë mbulimi në gjithë diasporën shqiptare, kudo në botë. Dhe ky është realitet dhe jo slogan. E tregon jetëgjatësia, dhe qëllimi e ndërtimi si një tel me platformë të plotë të strukturuar.

Albanian TV of America

Ky çerek shekulli e vërteton këtë pasi ALTVUSA nuk është një biznes përfitues, por është më shumë biznes i përkushtimit për komunitetin shqiptar për të tjerët. 

Atdhedashuria e pasioni janë të gërshetuara me punë të vazhdueshme dhe sakrifica të mëdha, për të arritur objektivin që ALBTVUSA t’ju shërbejë sa më profesionalisht bashkatdhetarëve në emigracion. Këto veçori i kanë dhënë ALBTVUSA një veçori të veçantë në përzgjedhjen, editimin dhe në formën e cilësinë e informacionit.

VEÇORITE E NJE TELEVIZIONI DINJTOZ NE DIASPORE

Ndërsa globalizimi vazhdon të lidhë njerëz nga pjesë të ndryshme të botës, ruajtja e identitetit kulturor dhe gjuhës po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Kjo është veçanërisht e vërtetë për komunitetet e diasporës që kanë lënë vendlindjen e tyre dhe janë vendosur në pjesë të tjera të botës, si për shembull shqiptarët që e kanë bërë Amerikën shtëpinë e tyre të re. Në këtë kontekst Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës ose ALBTVUSA, luan një rol vendimtar në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

ALBTVUSA natyrisht nuk ka shpikur rrotën por ofron një platformë për shqiptarët që jetojnë në Amerikë për të qëndruar të lidhur me vendlindjen dhe rrënjët e tyre kulturore, nëpërmjet një sërë programesh, duke përfshirë lajme, dokumentarë, muzikë dhe emisione argëtuese, ALBTVUSA ofron një dritare në mënyrën e jetesës shqiptare, duke shfaqur historinë, traditat dhe zhvillimet moderne të vendit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për brezat e rinj të shqiptarëve që mund të kenë lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara dhe mund të mos kenë pasur mundësinë të mësojnë në thellësi trashëgiminë dhe kulturën e tyre. Rëndësia e ALBTVUSA shkon përtej ruajtjes kulturore. Ai shërben gjithashtu si një burim informacioni për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke ofruar lajme dhe përditësime mbi çështjet shqiptare dhe amerikane që janë të rëndësishme për komunitetin. Kjo ndihmon për të mbajtur komunitetin të informuar dhe të angazhuar, duke i lejuar ata të marrin pjesë aktive në shoqërinë amerikane duke ruajtur identitetin tonë unik kulturor. 

Kjo është arritur edhe pse me një ekip të pakët por të talentuar që ka krijuar edhe në drejtimin e drejtorit Gani Vila dhe timen si kryeredaktor dhe të stafit një larmi emisionesh tipike mbi diasporën. Emisionet tona: “Thank You”, Argument, Dhimbje-Lotë-Shpresë, Horizont, Univers, Fjala e Specialistit, Hitparada, Hapësirë pa kufi, Kur bie fyelli çiftelia, Dëgjoni këngën time, ALBTVUSA në bizneset shqiptare, Kombi Ynë, Memo, S’ka Ndal , Kronika Informative e Lajmeve, Speciale, Emisioni për fëmijë “Shqiponjat Flasin Shqip”, etj. janë krijuar pa ndjekur formate të gatshme por si emisione me target diasporën.  

“Në studion e ALBTVUSA jemi si një familje të gjithë dhe e duan televizorin njëlloj si unë. Të gjithë punonjësit me kohë të plotë e kohë të pjesshme kanë shumë vite që punojnë në televizor, Rafael Floqi është kryeredaktor i ALBTVUSA që prej 20  vjetësh, ai ka dhënë dhe vazhdon të jap një kontribut të madh në televizor. Ai është krahu i djathtë imi. Valentina Vila bashkëshortja time redaktore ka punuar për 10 -të vjet në ALBTVUSA,. Ilir Myftari, manaxher i përgjithshëm për prodhimin e programeve që është larguar së fundi ka qenë motori televizorit, po ashtu dhe montazhieri Fatjon Boprati , kameramanë si Rafael Hajdini ,Kole Vasili,  p.sh. Astrit Kalibaqi ka 10 vjet që pasqyron me shumë profesionalizëm Rubrikën Sportive, po ashtu dhe kameramanët  drejtuesja e emisione rinore Jola Rexha e Lidia Baja korrespodenti në Shqipëri Agim Blloshmi, gazetarët  në Tuz të Malësisë, bashkëpunëtori i ALBTVUSA prej 10 vjetësh. Beqir Sina në New York  e shume tjerë korrespodentë e bashkëpunëtorë.“ , thotë drejtori Gani Vila

ALBTVUSA DHE STRUKTURIMI I VEÇANTE I INFORMACIONIT  

Në studimin e zhvillimit të lajmit të shikuar në mediat shqiptare, vërehet një ndarje konceptuale ndërmjet dy prirjeve themelore: fillimisht imitimi i sistemit global të informimit me referencë perëndimore, dhe më pas konsolidimi gradual i një seleksionimi të brendshëm që pasqyron orientimet dhe zhvillimet e realitetit shqiptar. Në këtë dinamikë, ALBTVUSA ka qenë novatore siç theksohet në reflektimin kritik mbi cilësinë e funksionit të lajmit, kur ndodhemi përballë një tensioni mes informacionit si produkt universal dhe lajmit si konstrukt shoqëror, i lidhur ngushtësisht me përkatësinë dhe nevojën për orientim komunitar.

Kjo qasje bëhet edhe më komplekse në kontekstin e diasporës shqiptare të Amerikës , ku funksioni i lajmit merr trajta të veçanta, të ndikuara njëkohësisht nga distanca gjeografike, ndjeshmëria identitare dhe presioni teknologjik global. 

Në diasporë, lajmi nuk është thjesht instrument informimi. Ai është mjet i mbajtjes së përkatësisë, i ruajtjes së lidhjes me rrënjët kulturore dhe historike.

ALBTVUSA nuk ndjek tërësisht logjikën e lajmit spektakolar që ka mbizotëruar në mediat shqiptare post-tranzicion, por përpiqet të krijojë një hapësirë përfaqësimi ku komuniteti shqiptar të gjejë veten — jo vetëm në pasqyrimin e ngjarjeve, por edhe në mënyrën se si këto ngjarje filtrohen dhe interpretohen. Kjo e zhvendos funksionin e lajmit nga ajo që “ndodh” drejt asaj që “ka rëndësi”.

Në këtë kuptim, editoriali në diasporë merr një funksion të ri: jo vetëm si strukturë selektive, por si akt përgjegjësie kolektive. Ndërkohë që rrjetet sociale kanë përmbysur rendin klasik të informimit, duke e zhveshur lajmin nga konteksti dhe përpunimi profesional, ALBTVUSA i qëndron besnike një modeli editorial të matur, që përpiqet të ndërtojë narrativën e një komuniteti në lëvizje.

Globalizimi teknologjik, që ka ushtruar presion mbi funksionin e informacionit në Shqipëri, është një realitet i përditshëm për median në diasporë. Përdorimi i teknologjive hibride nga ALBTVUSA — televizion, YouTube, rrjete sociale — nuk ka shërbyer për të imituar formatet ndërkombëtare, por për të krijuar forma të reja ndërveprimi komunitar. Lajmi i shikuar nuk është më një produkt pasiv, por një akt komunikimi që përfshin reagime, ndarje dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë nga publiku.

Kjo hapësirë interaktive bën të mundur që lajmi të mos shërbejë vetëm si pasqyrim i një realiteti të jashtëm, por të jetë ndërtues i një vetëdije kolektive, i ndjeshëm ndaj ndryshimeve kulturore, politike dhe shoqërore që ndodhin brenda dhe jashtë komunitetit.

Përgjatë dekadave të fundit, zhvillimi i medias shqiptare është ndjekur nga një lëvizje e publikut që ka kaluar nga marrësi pasiv i edicioneve të lajmeve drejt një aktori aktiv që konsumon, shpërndan dhe ndikon përmbajtjen. 

Kjo është veçanërisht e dukshme në diasporë, ku komuniteti nuk pret lajmin, por kërkon që ai të flasë për të, me të dhe përmes tij. Në këtë kuadër, roli i ALBTVUSA nuk është më vetëm transmetues lajmesh, por ndërtues i një realiteti të përbashkët narrativ, që ruan kujtesën e përbashkët dhe mbështet ndërtimin e një identiteti të qëndrueshëm.

Në ndryshim nga trajektorja e lajmit të shikuar në Shqipëri, që ka kaluar nga një kaos post-tranzicioni drejt një lloj stabiliteti të kontrolluar editorialisht, lajmi në diasporë, siç e ilustron rasti i ALBTVUSA, përfaqëson një akt emancipues. Ai nuk është më një mjet për të ndjekur rendin e ngjarjeve politike në vendlindje, por një instrument për të ndërtuar komunitet, për të ruajtur identitetin dhe për të orientuar një diasporë që është në kërkim të përkatësisë në një botë të shpërndarë.

Në këtë kuptim, funksioni i lajmit në diasporë nuk matet me klikime, por me ndikim: në forcimin e lidhjeve ndër personale, emisione te tilla si “Rubrika Informative”  apo “Memo” dhe rubrika satiriko- informative “S’Ka Ndal” ndihmojnë jo vetëm informimin, por edhe në ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore, si dhe në ndërtimin e një diskursi që është njëkohësisht shqiptar, amerikan dhe universal.

ALBTVUSA NË KOHËN E MEDIAVE SOCIALE: PERSPEKTIVA TË REJA 

Në një epokë të dominuar nga mediat sociale, roli i televizioneve kombëtare si ALBTVUSA mbetet thelbësor. Ndërsa platforma si Facebook, Instagram dhe YouTube ofrojnë lidhje të menjëhershme, ato shpesh mungojnë në thellësinë kulturore dhe programimin e përshtatur që ofrojnë kanalet etnike. Për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, ALBTVUSA shërben si një urë jetike për trashëgiminë e tyre, duke nxitur një ndjenjë përkatësie dhe vazhdimësie kulturore.

Platformat e mediave sociale janë shpesh të fragmentuara dhe të drejtuara nga algoritme, duke i dhënë përparësi përmbajtjeve sensacionale mbi narrativat e thelluara kulturore. Ndryshe nga televizione të tjera etnike kombëtare ne SHBA, që synojnë programe që festojnë traditat, gjuhën dhe trashëgiminë kulturore janë më tepër kronika të aktiviteteve të diasporës sesa emisione të krijuara në bazë të një Programacioni të menduar. Ndërsa ALBTVUSA ofron tregime autentike, duke sjellë lajme, argëtim dhe përmbajtje edukative që rezonojnë thellësisht me audiencën e saj jo vetëm një rekord të ngjarjeve por një programim të kuruar me kujdes mban gjallë rrënjët kulturore për emigrantët e gjeneratës së parë dhe u prezanton gjeneratave të reja trashëgiminë e tyre.

Ndërsa mediat sociale mundësojnë komunikim të gjerë, ato shpesh mungojnë në prekjen lokale dhe personale që ofrojnë televizione si ALBTVUSA lidh shqiptarët në diasporë përmes lajmeve lokale, sipas parimit, nga afër larg në mbulimin të ngjarjeve dhe programeve shoqërore dhe kulturore. Ky fokus i lokalizuar krijon një përvojë të përbashkët, duke forcuar lidhjet komunitare dhe duke nxitur krenarinë kulturore. Për më tepër, ofron një platformë për artistë, muzikantë dhe sipërmarrës që të shfaqin talentet dhe arritjet e tyre. 

Televizionet etnike janë gjithashtu thelbësore në kundërshtimin e dezinformimit. Mediat sociale janë të mbushura me lajme të pa verifikuara, që shpesh kontribuojnë në konfuzion dhe ndarje. ALBTVUSA siguron informacione të verifikuara dhe të rëndësishme, të dhëna nga zëra të besuar brenda komunitetit. Kjo besueshmëri e bën atë një burim të preferuar për lajme të sakta dhe diskutime të informuara mbi çështjet aktuale, si nga Shqipëria ashtu edhe nga diaspora.

ALBTVUSA DHE PËRQAFIMI I ZGJERIMIT DIXHITAL

Duke njohur nevojën për t’u përshtatur, ALBTVUSA ka përqafuar platformat dixhitale për të zgjeruar ndikimin e saj. Duke ofruar shërbime transmetimi on-line, aplikacione mobile dhe përmbajtje tërheqëse në rrjetet sociale, ajo ruan praninë e saj në sferën dixhitale duke mbetur besnike ndaj misionit të saj thelbësor. Ky model hibrid i lejon shikuesit të qëndrojnë të lidhur, qoftë nga dhomat e tyre të ndenjes apo nga telefonat e tyre të mençur.

Në të ardhmen, ALBTVUSA ka mundësinë të shfrytëzojë teknologjitë në zhvillim për të përmirësuar ofertat e saj. Përmbajtja interaktive, diskutimet e drejtpërdrejta të komunitetit dhe ngjarjet virtuale mund të angazhojnë më tej shikuesit. Bashkëpunimi me biznese lokale dhe organizata kulturore mund të rrisë gjithashtu dukshmërinë dhe mbështetjen për nismat komunitare. Për më tepër, paraqitja e tregimeve të suksesit dhe qëndresës nga diaspora mund të frymëzojë dhe bashkojë shqiptarët në mbarë botën.

Ne kemi zgjeruar audiencën dhe mbulimin dhe shërbimet tona. Të transmetimit në Comcast CableTV  lokalisht në Miçigan në kanalin 90 në Prime Time çdo ditë 8-10pm

• Në stream 24/7 në kanalet tona në platformat :TVAlb, (kanali 36) Shqip TV (kanali 15), Tibo (kanali 285)

• Live stream në websitin tonë www.Albtvusa.com, 

• Tani në sajë të angazhimi tonë Facebook, Youtube, Instagram, Twitter/X  Kemi rritur dhe arritur numra të paimagjinueshëm shikuesish dhe likes dhe vlerësuar nga agjencitë përkatëse me mbi 7 milionë shikues

Tani së fundi në bashkëpunim me kompaninë Lightcast TV ynë mund të shihet të gjithë botën 24/7 në aplikacione në Smart TV, në platformat OTT  Rroku Apple TV, dhe Fire TV, si dhe në aplikacionet brenda Smart TV: Si Samsung, LG dhe Vizio pa pagesë për të gjithë shikuesit. Si dhe ne çdo celular aplikacionet tona për celular Apple dhe Android. Si edhe në radion tonë Albtvusa që mund të ndiqet në çdo makinë.

Në një botë ku zërat autentikë shpesh mbulohen nga zhurma dixhitale, ALBTVUSA qëndron si një dritë kulturore dhe lidhëse. Duke vazhduar të rinovojë, duke mbetur e rrënjosur në misionin e saj, ajo do të mbetet një burim i paçmuar për komunitetin shqiptaro-amerikan në vitet që do të vijnë.

ALBTVUSA TELEVIZIONI GJUHA SHQIPE DHE KOMBI YNE 

 I gjithë programi tonë, në rrjetin kabllor l dhe programet 24 orë ka për qëllim dhe mision që t’i shërbejë komunitetit shqiptar për ruajtjen, forcimin dhe trashëgiminë të vlerave tona kombëtare, si gjuhën, artin, kulturën, traditat, etj. veçanërisht këto tek brezat e rinj dhe sidomos tek fëmijët të cilët janë vazhdimësia e kombit tonë.

Nga ana tjetër Stacioni televiziv krijon mundësi pune për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë producentë, shkrimtarë, redaktorë dhe prezantuesit, duke u ofruar atyre një platformë për të shfaqur talentet e tyre dhe për të kontribuar në komunitet. Kanali shërben gjithashtu si një mjet marketingu për bizneset dhe produktet shqiptare, duke ndihmuar në promovimin e tyre në një audiencë më të gjerë dhe nxitjen e ekonomisë shqiptare. ALBTVUSA e ka shndërruar auditorin tonë në pjesë të klientelës të bizneseve shqiptare dhe të huaja që i shërbejnë komunitetit shqiptar , duke ndihmuar në mënyrë të duke zgjeruar në mënyrë të dyanshme komunitetin dhe bizneset. 

Sipas teoricienit kulturor Stuart Hall, “identiteti kulturor është një çështje si e ‘bërjes’, ashtu edhe e ‘qenies’.” Kjo do të thotë se identiteti nuk është i fiksuar apo statik, por formohet përmes përvojave të përditshme, ndërveprimit me realitete të reja, dhe ruajtjes së simboleve të rrënjëve. Në diasporë, kjo “bërje” e identitetit është një akt i ndërgjegjshëm – një përpjekje për të ruajtur lidhjen me origjinën, ndërkohë që përfshihesh në një shoqëri të re.

Në këtë proces, roli i medias komunitare është jetik. ALBTVUSA, për më shumë se dy dekada, ka ndihmuar jo vetëm në informimin e diasporës, por dhe në ndërtimin dhe ruajtjen e një vetëdije kolektive shqiptare në një tokë të huaj. Kjo media nuk funksionon thjesht si një dritare që transmeton lajme nga vendlindja, por si një strukturë përfytyrimi komunitar, sipas konceptit të Benedict Anderson, i cili thotë: “Komunitetet dallohen jo nga faktësia ose autenticiteti i tyre, por nga mënyra se si imagjinohen.” 

Me fjalë të tjera, ALBTVUSA ndihmon shqiptarët e Amerikës të “imagjinojnë veten” si pjesë e një komuniteti që shtrihet përtej gjeografisë së Atdheut dhe përditshmërisë së re në SHBA.

Si përfundim, televizioni i Shqiptareve të Amerikës ALBTVUSA, luan një rol vendimtar në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ai ofron një platformë për komunitetin shqiptaro-amerikan që të qëndrojë i lidhur me trashëgiminë dhe kulturën e tyre, duke promovuar gjithashtu mirëkuptimin dhe ndërtimin e urave me shoqërinë e gjerë amerikane. Si e tillë, ALBTVUSA është një aset i rëndësishëm kulturor, social dhe ekonomik për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për Shtetet e Bashkuara në tërësi.

Në vend që të shkrihet në “tenxheren e përzierjes”, identiteti etnik shqiptar në SHBA ka treguar se mund të mbijetojë dhe të lulëzojë kur ka instrumente për ta mbajtur gjallë dhe të njohur. Media komunitare, si ALBTVUSA, nuk është thjesht një transmetues lajmesh – ajo është një urë që lidh kujtesën me të tashmen, një vend ku historia, përkatësia dhe gjuha nuk thjesht ruhen, por marrin jetë të re në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.

Bashkohuni me ne për të festuar 25 vjetorin e ALBTVUSA dhe bëhuni pjesë e komunitetit të gjallë shqiptaro-amerikan. Akordohuni në ALBTVUSA dhe qëndroni të lidhur me trashëgiminë dhe kulturën tuaj, duke qenë gjithashtu të informuar dhe të angazhuar me shoqërinë amerikane.

ME JU PER JU  është motoja e jonë
25 vjet në shërbim të komunitetit, 25 vjet në shërbim të shqiptarëve.

Filed Under: Komunitet

It’s a privilege to serve this community…

May 14, 2025 by s p

Gino Mulliqi/

I’m honored to share that I’ve been elected by my fellow councilmembers to serve as Mayor Pro Tem for the City of Wylie.

I want to sincerely thank my colleagues for their confidence in me and for the opportunity to take on this role. I also want to extend my deepest appreciation to former Mayor Pro Tem Jeff Forrester for his dedicated service and steady leadership. Jeff has set a strong example, and I’m grateful for the groundwork he’s laid.

It’s a privilege to serve this community, and I’m committed to leading with integrity, transparency, and collaboration as we continue working to keep Wylie a welcoming place for all.

Filed Under: Ekonomi

Shkodra Elektronike, “Prometeu” që çoi “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në finalen e madhe të Eurovision Song

May 14, 2025 by s p

Në një mbrëmje ku ankthi dhe magjia e garës ishin të prekshme në ajër, Shqipëria shpërtheu me gjithë fuqinë e saj artistike në skenën e Eurovision Song Contest 2025, që këtë vit zhvillohet në Bazel të Zvicrës. Grupi Shkodra Elektronike, me këngën “Zjerm”, elektrizoi atmosferën dhe rrëmbeu zemrat e publikut me një performancë që ishte më shumë se muzikë, ishte një manifest i identitetit dhe shpirtit shqiptar.

Shkodra e muzikës, e mjeshtrave të pentagramit, e poetëve dhe e këngës, rikthehet me një tjetër rizgjim të shpirtit të saj krijues, me një tjetër pretendim për të qenë në majë. Ajo i dëshmon botës se mekohet prej atij zjarri që ndez “Zjerm”: të bukurën, të madhërishmen, të magjishmen, artin e këngës, bekimin e zërit dhe harmonisë, vargjeve dhe performancës.

Ka qenë kjo magji që solli dyshja Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, themelues të grupit Shkodra Elektronike, dhe “Zjerm” që e ktheu mbrëmjen e Bazelit në një natë të paharrueshme për gjithë shqiptarët. Të etur për zjarrin e ndjenjës kombëtare, ata treguan se arti dhe e bukura janë ambasadorët më të denjë të aspiratave tona, dhe se këto duhet mbështetur me solidaritet e emocion. Falë kësaj përkrahjeje dhe një prezantimi të jashtëzakonshëm, Shqipëria siguroi vendin e saj në finalen e madhe të Eurovision Song Contest 2025.

E përflakur nga drita dhe ritmi, “Zjerm” solli në skenë jo vetëm një melodi, por një vizion artistik të guximshëm: një përplasje mes lashtësisë dhe modernes, ku ritmet etnike shqiptare u ndërthurën mjeshtërisht me pulsimin e muzikës elektronike bashkëkohore. Kjo simbiozë krijoi një univers të ri tingujsh që zgjoi emocion, habi dhe krenari.

Reagimi i publikut ishte i menjëhershëm dhe i zjarrtë. Arena shpërtheu në duartrokitje, ndërsa rrjetet sociale u mbushën me komente entuziaste nga të gjitha anët e Europës. Shumë e cilësuan këtë interpretim si një nga më origjinalet dhe më të paharrueshmet e mbrëmjes, duke e renditur Shqipërinë ndër favoritët për trofeun e këtij viti.

Ky sukses nuk është vetëm një arritje muzikore. Është një akt përfaqësimi i një kulture që di të ruajë rrënjët dhe, njëkohësisht, të guxojë me ritmet e kohës. “Zjerm” është pasqyrë e shpirtit shqiptar: e papërmbajtshme, e thellë dhe e patrembur.

Të shtunën, më 17 maj, Shqipëria do të ngjitet në finalen e madhe, mes 26 shteteve garuese, me një zë që nuk flet vetëm shqip, por edhe gjuhën universale të ndjenjës dhe artit.

“Zjerm” është një thirrje për ripërtëritje shpirtërore, një reflektim mbi identitetin dhe një apel për bashkim e solidaritet, sot dhe përgjithmonë, sepse ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, dhe përmes kësaj përmbushjeje krijojmë një të sotme të denjë për veten dhe për të tjerët. Ajo mbart një energji të fuqishme, duke kombinuar traditën shqiptare me mesazhe universale dhe tinguj modernë, një harmonizim që përshkon si një fill drite gjithë këtë shpalosje drithëruese.

Interpretimi mbetet i hapur për emocionet dhe përvojat e çdo dëgjuesi, çka e bën këtë këngë një vepër artistike komplekse dhe të ndjeshme, një nevojë për komunikim dhe një balsam për shërim.

Po, kjo këngë me të gjithë komponentët e saj rrëzoi paragjykimet dhe shkallmoi çdo logjikë të sëmurë që mohon intuitën dhe shijen e publikut. Kësaj here ishte një ballafaqim i guximshëm i artit me publikun, dhe fituan të gjithë: fitoi vlera, krijimtaria, fuqia vokale, muzika dhe aranzhimi; fitoi shija e rafinuar, bashkimi i traditës me modernen. Fitoi Shkodra Elektronike, fitoi “Zjerm”.

Ngrohtësi solli në çdo zemër, prush hodhi në çdo shpirt, dritë lëshoi në çdo mendje, dhe dalldisi çdo përjetim.

Albert Vataj

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT