• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

Ambasadori William G. Walker letër mirënjohjeje Federatës Vatra

May 7, 2025 by s p

TO : Dr. Elmi Berisha

President

VATRA

In appreciation, and awe, for VATRA’s contributions and successes since 1912 in the propagation throughout America and the world of a vibrant and positive image of the Albanian peoples, their homelands and the Albanian cause. Let me express the admiration of one who shares VATRA’s goal of increased recognition and understanding of the history, the culture, the struggles of the Albanian people in their collective quest for lasting peace and prosperity in the Balkans and beyond.

In my capacity as Head of the Kosovo Verification Mission (KVM), supervising fourteen hundred international verifiers scattered throughout Kosova, I witnessed firsthand the struggles, the courage and commitment to democracy of that Albanian population. Since the liberation of Kosova in 1999 and it’s Declaration of Independence and the creation of a new, sovereign nation in 2008, I have been privy to many of VATRA’s efforts to promote peace, democracy and economic prosperity for Albanians wherever they live, I applaud your many past successes and promise of more to come.

With total respect,

Ambassador

William G. Walker

Filed Under: Politike

Të gjitha historitë e bukura lindin nga e vërteta…

May 7, 2025 by s p

Anila Kadija/

Në Shqipëri thonë:Rinia po largohet…Rinia nuk e pëlqen të jetojë dhe të punojë në fshat…

Nuk mund ta shijosh bukën po nuk ia njohe duart thonë ata që punën e kanë jetë si personazhet më poshtë.

Diku atje në zonat ku mali i Kreshtës lëshohet bukur për t’u lidhur me malin e Skënderbeut, në Fishtë apo fshatin Krajen, Troshanë apo Blinisht, me histori të pabesueshme pasioni të treguara nga afër nga personazhë interesantë vendas, ku udhëtari në këto vise përmbushet me energji toke, duhet të kesh një guidë edhe një shoqërues vendali që ta konceptosh mirë natyrën e të tregojë rrugën!

Unë njoha një vajzë të re, e cila quhet Ornela Preci, që kur e pyeta si e mendon të ardhmen ajo m’u përgjigj: “ Askund nuk e gjej veten sa këtu mes kësaj lugine të Fishtës ku nuk më mungon asgjë…” Ëndrra e saj është që të hapi agjencinë e parë turistike vendase në Fishtë.

Por le ta nisim nga fillimi si mbërrita unë deri këtu.

Mrizi i Zanave, Fishtë, me shef dhe administrator Altin Prengën është shembulli më i mirë se si mund ta duash konkretisht tokën tënde, duke mbështetur rininë në projekte të reja, që të gjithë kur ti i përmend emrin e tij të thonë kjo begati që kemi përreth është falë tij në fshatin tonë!

Ai ka shumë vite dhe njihet tashmë kudo me agroturizmin e tij ku mbizotëron vetëm prodhimi vendas. Kur flet me Altinin të hapet një portë e madhe, e gjelbërt, me formulën që tashmë bota e ka të preferuar, ajo e shfrytëzimit të çdo burimi bujqësor kilometër zero. Duke filluar nga prodhimet e bulmetit, mishit, perimeve, frutave dhe deri tek vera. Një vend, agriturizmi i tij apo ferma, ku prodhohet me maksimumin e përkujdesjes ndaj origjinës bujqësore.

Altini nuk përton të vijë me ty dhe të të shoqërojë me shumë dashamirësi sikur të njeh prej kohësh siç bëri edhe me ne. Në mëngjes herët me motoçikletën e tij të përshëndet buzagaz, të pyet si po i kalon ditët aty dhe pastaj të fut në botën e kësaj përralle me personazhe mali dhe fushe, që ai vet e ka krijuar dikur një burg, sot një minierë floriri agrar në Fishtë.

Ai fillon të tregojë sa shumë janë rritur kërkesat këto vitet e fundit dhe ai nuk ka ndalur, përkundrazi ka fuqizuar edhe familjet fshatare përreth duke vlerësuar dhe ngritur ekonomikisht zonën e Fishtës në çdo cep. Çdo gjë aty ka një rregullator të konceptuar drejtë për konsumatorin turist. Vendosja në tavolinë dhe prodhimi i proshutës së Mrizit një sfidë ambicioze inovative. Kantina e verës gjithashtu një vend që të ofron aromën e vreshtave shqiptare me cilësi të lartë, verë që aspak nuk lakmon verën e huaj. Kur i zbret shkallët të futesh aty do të shohësh me dhjetra fotografi të atyre njerëzve që ai i konsideron krahu i djathtë, me arkat e rrushit duke vjelur bistakët vjeshtor, të varura në korniza si në një muzeum jetësor. Ata janë shembujt më të rëndësishëm për Altinin, njerëzit e punës. Të trashëguar edhe nga i jati, kuzhina ka rëndësi parësore, ai ka ndërthurrur gatimin jo si nevojë ushqimore, por si një domosdoshmëri autoktone. Nuk e gjen një tjetër vend me atë unikalitet dhe me atë shije. Çdo zonë në Shqipëri ka tradita gatimi të ndryshme. Kjo është e lidhur edhe me menunë. Nuk ke një listë, por një kamerier, i cili kur vjen pranë tavolines të tregon me hollësi çdo specialitet dhe gatim.

Mirzi i Zanave njihet tashmë, sepse 15 vjet nuk janë pak punë dhe dedikimi nga e gjithë familja Prenga. “ Krahu i djathtë i imi është ime shoqe” – tregon ai me një lloj emocioni që nuk ia step as profili burrëror i bujkur në gen.

Me largpamësi edhe se thjeshtësisht ai vetë thotë nuk është i interesuar për shumë letra e reklama, por për të punuar dhe krijuar mundësi të reja fuqizimi thotë:

“ Ne nuk mundëm ta pranonim emrin fshatarë me bindje. Nuk na lejuan, nuk na e dhanë mundësinë, sepse nuk ka patur dhe as nuk ka ende fshatarë të pasur nga toka. Por asnjëherë nuk është vonë. Investojmë për të ardhmen edhe të fëmijëve tanë që të ndihen ata një ditë fshatarë me mirëqënie të lartë, ashtu sikurse bota i ka prej kohësh. Investimi në tokën tënde të sjell pasuri. Po mendojmë p.sh të mbjellim fidanët e pemës nga e cila prodhohet tapa e shisheve të verës. Këto janë detaje lidhur me kantinën e verës tonë, shumë të rëndësishme edhe se nuk mund të shfrytëzohen tani. Duhet kohë të rriten këto fidanë, por do t’i trashëgojnë fëmijët e familjes time dhe një ditë do të kemi shishen e verës me tapën e prodhuar këtu në tokën shqiptare. Kështu duhet menduar që të hedhim bazën, e asaj që bota e ka, fshatit me nivel të lartë. Ose idea e përfshirjes. Atë që kam nevojë unë në agriturizëm e marrë edhe nga kopshti i shtëpive të tjera, duke e shndërruar në aleancë bujqësore këtë raport, të cilat kanë produkte bujqësore nga toka e tyre. Keshtu e kemi konceptuar me tim vëlla në Mrizin e Zanave. “

Po ashtu kur kërkesa u rrit për fuqizim edhe të hotelit ai mendoi jo në Mriz të shtohen dhomat, por shtëpitë e fshatarëve të zonës ua dha mundësinë atyre të hapnin dyert si miniagriturizma familjarë, për t’u fuqizuar ekonomikisht, nën çadrën e Mrizit.

Në Mriz nuk mungon natyra, kujdesi, cilësia e shërbimit, gatimi, rehatlliku, kontakti me kafshët, muzika në sfond nga një djalë shkodran që vjen aty çdo ditë dhe luan edhe Beethoven, kuti bamirësije ku mblidhen ndihma të ndryshme, dashamirësija njerëzore e personalit që shërben ku unë njoha edhe Ornelën,e cila është edhe kamariere aty. Ajo na ofroi një vizion të veçantë të zonës si guidë turistike pasi unë kisha vizituar edhe dyqanin e prodhimeve tipike. Në dyqanin e Mrizit përveç prodhimeve të vet agriturizmit ( konserva, reçel, verë, esencë shegë, boronicë, proshutë dhe djathra, etj) gjen disa prodhime artizanati, të cilat prodhohen apo punohen nga fshatarët e zonës.

Këtu nis rrugëtimi im i jashtëzakonshme me Ornelën. Shkollimi i saj në Shkodër si guidë turistike dhe dashuria për ta promovuar tokën ku ka lindur dhe jeton i ka ndezur idenë e një veprimtarie turistike si shoqëruese personale e turistëve. Ndalesën e parë e bëmë tek :

Në ndalesën e parë.

Poçeria Vasili

Kjo poçeri ndodhet në Krajen fshat në kufi me atë të Fishtës.

Vasili është një artist i punës me argjilë, i cili sa nis të tregojë thotë: “ Të gjitha historitë e bukura lindin nga e vërteta. Nga një çoban në 1994 pasi njohu rastësisht një profesor italian, i cili e mbajti gati pesë vjet në shtëpinë e tij dhe i dha çdo njohuri mbi skulpturën dhe teknikën e artizanatit në këtë fushë në Peruxhia”.

Ai e njeh shumë mirë përpunimin e argjilës, si lëndë të parë të marrë aty pranë pa patur nevojë ta blejnë diku tjetër. Së bashku me vëllain përgatisin lëndën e parë të poçerisë, në vaskat e mëdha që kanë në pjesën e oborrit, një proçes i gjatë natural nga qershori që përfundon në shtator në filtrim – tharje. Ndërsa përgjatë gjithë periudhës vjeshtë – dimër- pranverë, ai krijon modele të ndryshme poçerie me dorë me këtë argjilë të përpunuar vetë. Pyetjes a është e interesuar rinia apo a tregohet nëpër shkolla puna me argjilë dhe krijimi i këtyre orendive të bukura artizanale ai i përgjigjet me trishtim. Nuk ka interesim, nuk kultivohet, përveç se në familje, me fëmijët tanë, që u lindën dhe u rritën të edukuar me artizanatin familjar. Ime shoqe, vazhdon ai, është piktore dhe krijon edhe ajo mbi argjilen e punuar piktura të bukura. Ndërsa, djali studion skulpturë në Akademinë e Arteve. Atje nuk ka një pjataformë rrotulluese poçerie që ta shohin e ta mësojnë këtë teknikë. Kjo lë për të dëshiruar. Por të kthehemi tek kërkesa e tregut, të krijosh një pjatë me një vizatim punimi tezgjahu nuk është e thjeshtë pasi tezgjahu ka kode punime, na tregon ai tek mban një pjatë të tillë në duar, këtë ma ka shpjeguar nëna ime. Ndaj unë bëj kujdes edhe në këto detaje mbi sendin zbukurues prej argjili.. Vasil Kukaj tregon me pasion, ka shpirt luftarak, nuk tërhiqet nga vështërsitë dhe ka një mirënjohje të thellë për profesor Romeo Rolin, i cili besoi i pari në talentin e tij duke investuar në studimet e tij në Peruxhia dhe më vonë edhe duke e inkurajuar që të rikthehej në atdhe e të hapte studion që ta ndiqte këtë pasion të poçerisë në tokën e tij. Puna shkon shumë mirë u bë gati 30 vjet, tregon Vasili, ka qënë largpamës profesori italian, por duhet më shumë mbështetje për ne që po e çojmë përpara këtë degë arti, përfundon ai.

Në studion e Vasilit gjeni nga punime me motive popullore deri tek ato me motive natyre. Nuk di çfarë të zgjedhësh më parë nga larmia dhe origjinaliteti.

Ndalesën e dytë.

Çifti 85 vjeçar, Tazja dhe Nikolla Lazri, të cilët gjithë jetën e tyre, rreth 60 vjet, ua kanë dedikuar tezgjahut dhe punimeve me thupra. Kur je me ta nuk e përmban dot instiktin që t’i përqafosh fort.

⁠Kur e pyet Tazen nëse lodhet me punën që bën, sepse mosha bën të veten ajo të përgjigjet po aq bukur sa edhe punon në vegjën e tezgjahut, buzagaz, këtë vegjë druri e ka gdhendur me duart e tij Nikolla, sepse unë qysh e re e kam dashur shumë këtë artin e thurrjes me motive zadrimore. Turistët që munden ta vizitojnë këtë familje artizanësh mahniten me entuziazmin që kanë dhe forcën e vullnetit në atë moshë. Tazja e kalon kohën në makinën prej druri të tezgjahut dhe është e vetmja në këtë zonë në moshën e saj që e vazhdon traditën. Ia ka mësuar edhe nuses së djalit që do ta trashëgojë këtë art në të ardhmen.

Ndersa Nikolla thurr me thupër kanistra të forta dhe të bukura që përdoren për fruta edhe kjo një traditë në zhdukje që ai e mban gjallë. Duart e tyre janë në lëvizje gjithmonë duke krijuar art.

Ndalesën e tretë.

Në Blinisht me përpunimin e sapunit dhe krem bimor tek Laureta Lemezhi.

⁠Prej 16 vjetësh përpunon sapun biologjik. Kjo është një histori femërore e lidhur me forcimin e gruas, erdhi nga një prift italian kjo ide, që bëhen zakonisht për të krijuar mundësi në këto fshatra të thella të vlerës profesionale në shërbim të saj. Ishim 5 gra thotë Laureta vetëm unë pasi përfundova këtë trajnim si një risi, me përpunimin e sapunit, e vazhdova vet si një mundësi për të krijuar një punishte timen. E gjeni edhe tek dhomat në Mrizin e Zanave dhe ua garantoj cilësinë e shërbimit pastrues maksimal.

“ Përdor një kthinë të qetë ku shfrytëzoj enë të thjeshta dhe vajin e ullirit të zonës. Sapuni me vaj ulliri ose ai i rosmarinës është një produkt i veçantë dhe me vlera të mëdha. Qëndroj tek e thjeshta edhe në formën që ua japë dhe nuk përdor ngjyra edhe se kërkesa është për ta modifikuar, por nuk pranoj vetëm shtoj bimë mjekësore të copëzuara brenda si dafina, etj.”- na tregon ajo

Së bashku me të na priti edhe djali i saj, i cili kishte dëshirë të bëhej veteriner e të kontribonte në fshatin e lindjes.

Kjo ishte një guidë turistike nga Ornela, e cila na njohu me luginën e Fishtës, me fëmijërinë e Gjergj Fishtës, poet, edukator, rilindas, politikan, përkthyes dhe shkrimtar, të veçantat e asaj zone që të mbush me energji të mirë ku rinia kërkon ta promovojë dhe jo ta braktisi.

Filed Under: Ekonomi

Shënime rreth romanit “Gjurmë jete” të shkrimtarit Ndue Gjika

May 7, 2025 by s p

Ndue Dedaj/

Historia e Lleshit të Zi vjen përmes rrëfimit në vetën e parë të farkëtarit të zot Qorr Gjoci, që është gjithashtu personazh kryesor i këtij romani, ku nuk mungon dhe figura e Ali Pashë Tepelenës, pasi romani është një histori mirditase e fillimeve të shekullit XIX nga Oroshi në Janinë etj. Edhe pse ka dy shekuj, Lleshi i Zi vazhdon të bëhet i “gjallë”, kryesisht për vrasjen prej tij të Marko Boçarit, mbase pa u shkoqitur sa duhet rrethanat e asaj vrasjeje të pazakontë mes dy strategëve të një gjaku, po që nuk është objekt i romanit të Ndue Gjikës, që vjen pas një rrugëtimi të gjatë në letërsi të këtij autori. Ai sikur ka dashur të na thotë se një figurë historike, komplekse, si Lleshi i Zi nuk mund të mbahet “peng” i një ngjarjeje, aq më pak i një episodi, sado dramatik e historik të ketë qenë ai. Romani “Gjurmë jete” (shtëpia botuese “Muzgu”, Tiranë 2025) na rrëfen se Lleshi i Zi nuk ka qenë vetëm një kryeluftëtar i “çartur” në rajonin ballkanik kundër pushtuesit të huaj, por në radhë të parë një prijës, kapidan i krahinës së tij, që përpiqej për zhvillimin e saj, siç ishte rasti i ndërtimit të kanalit vaditës të Ndërfanës, që ruhet dhe sot si monument kulture, etj.

Ndue Gjika është një prozator i njohur, edhe pse i pabujë, që ka botuar tregime herët në gazetën “Drita” e “Zëri i Rinisë”, që në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, kurse librin e parë me prozë të shkurtër, me titullin “Dilema të pabraktisura”, e ka botuar “Eurorilindja” Tiranë më 1995, me ç’rast i është bërë dhe një promovim dinjitoz në Rrëshen, me shkrimtarë të ardhur nga kryeqyteti etj.

Dritëro Agolli shkruante se “vlerat dhe cilësitë e këtij libri zbulohen shkallë – shkallë”, se “filli që i përshkon tregimet e Ndue Gjikës është humanizmi”, pasi “në çdo tregim do ta takosh këtë ndjenjë, aq të domosdoshme për një shkrimtar të vërtetë”. Kurse Vath Koreshi do të shënonte: “Me një vrojtim të vëmendshëm dhe me një ritëm plot lëvizje të brendshme të botës së personazheve, tregimet e Ndue Gjikës dallohen për vizatime të shkathëta të karaktereve”. Këto tipare krijuese shprehën dhe në librat e tjerë artistikë të botuar më pas, në prozë të shkurtër e të gjatë, si romani “Zambakë në erë”, që kohë më parë është promovuar në Saint Louis të Amerikës, ku autori rron prej vitesh.

Nuk është çudi që Ndue Gjika i qaset në dy subjekte Oroshit, porse ky vend (kryeqendra historike e Mirditës) ka prodhuar histori dhe shkrimtari duket se është i prirur nga ndriçimi përmes letërsisë të ngjarjeve historike. Kështu romani i tij “Prapësi” (2008) trajton ngjarje jete në të quajturën “Republikë të Mirditës” të vitit 1921, që ishte një rebelim trazues i krerëve të kësaj krahine ndaj qeverisë qendrore, me gjithë disa paudhësi të kësaj të fundit ndaj krahinës. Kurse romani “Gjurmë jete” trajton figurën e Lleshit të Zi dhe të mirditorëve ndërmjet dy pashalleqeve shqiptare, të Veriut e të Jugut, të Shkodrës dhe të Janinës.

Mirditorët ishin në shërbim të Ali Pashë Tepelenës dhe romani mbase nuk do të shkruhej, nëse ata nuk do të kishin dëshmuar para botës shqiptare dhe asaj të huaj një virtyt të lartë, atë të mos luftimit të tjetrit, kur ai nuk ishte i armatosur si ata. Pra është ngjarja e famshme Kardhiqit të Gjirokastrës e vitit 1812, e përcjellë në disa kronika e botime. Aliu kishte vendosur t’i shfaroste kardhqiotët, por mirditasit nuk pranuan të qëllonin mbi ta. U kthyen në proverbiale fjalët e tyre: “Ne nuk shtiem mbi njerëz të lidhur. Jepuni atyre armët dhe ne jemi gati të luftojmë me ta”. Kjo ishte deviza historike e mirditasve atë fillim shekulli XIX, që ishte vazhdë e qendresës së tyre shekuj më parë. Merita e autorit nuk qendron se i është qasur një ngjarje të tillë unikale, porse e ka trajtuar atë me mjeshtri artistike. Ky mospranim sigurisht që kishte një çmim dhe ky ishte “tërbimi” i heshtur i pasha Aliut, që nuk ia kthente kush fjalën. Ka përjetim, tension, pasiguri, por asnjë dilemë nga mirditasit dhe vetë prijësi i tyre Lleshi i Zi, që lë peng djalin fëmijë tek Aliu, kur reparti i tij do të largohej.

Nëse lexuesi përqendrohet në frazat e para të romanit për të kapur çelësin e zbërthimit të veprës, do të gjëjë aty sintezën e asaj që shtjellohet më pas, ku Qorr Gjoci, me urtësinë e një burri malesh, thotë: “Në Janinë shkova si Pal Gjoci e u ktheva në Orosh si Qorr Gjoci. Edhe Llesh Lleshi i Derës së Gjomarkut, që tash së fundi i drejtoi trupat mirditore tek Ali Pashë Tepelena, u kthye me emrin Lleshi i Zi. Unë nuk e doja ketë emër, besoj se as Kapidani nuk e donte, por ja që i kemi, dhe kështu na thërrasin ngado”. Lufta të tjetërson, por nuk të zhbën.

Lleshi i Zi nuk glorifikohet nga autori, edhe pse një figurë legjendare, por jepet me natyrshmëri, duke shmangur një stil të tejkaluar “rapsodik” e patetik në dhënien e figurave të tilla, veti kjo e letërsisë moderne. Përkundrazi, romacieri hyn bindshëm në dramën që përshkon asokohe tragjikisht Gjomarkajt si derë, si familje princërore. Lexuesi nuk mund të mos pyesë me trishtim, si është e mundur që krerë të tillë që nuk përzihen në një gjakderdhje si ajo e Kardhiqit, që luftojnë për lirinë kombëtare, që shmangin konfliktet e ndryshme ndërkrahinore për kufij etj., nuk ndalojnë dot vëllavrasjen në shtëpinë e tyre? Por dinastitë me gjasë asnjëherë nuk u kanë shpëtuar tragjedive të veta të brendshme për prije e parí. Dhe çudia është se hakmarrjen e realizojnë gratë e Derës. Gruaja e Kapidan Nikoll Lleshit hakmerret për vrasjen e të shoqit dhe të tre djemve, duke vrarë me hjekësi Lleshin e Zi, kurse gruaja e këtij të fundit kryen në saraje një gjëmë të paparë, vrasjen e shumë prej meshkujve të familjes së madhe kapidanore, një hata, siç e quan autori. Mara, një nga gratë e Oroshit, i thotë Qorr Gjocit: “Lleshin e hoqi gruaja e Nikollës, këtë gjëmën e madhe e bëri gruaja e Lleshit”.

Pal Gjoci ishte farkëtar dhe armëtar, por dhe prerës parash false. Lufta i mori një sy, duke e lënë qorr, kurse prodhimi i parave në fshehtësi i mori jetën. Është një perzonazh që e pasuron prozën shqiptare me një tip dhe karakter interesant. Qëllimisht autori e ka dhënë si një figurë dinamike, në lëvizje, jo vetëm në Orosh e Ndërfanë, Shkodër e Janinë, Kosovë etj., por dhe bujtës në një han malesh, ku përflitën punët e pashalleqeve dhe në njëfarë mënyre të botës. Ai, ashtu si dhe sivëllau i tij i zejes armëbërëse Kol Skana, nuk është as mik e as armik me Lleshin e Zi, por në marrëdhënie reciprociteti, nëse mund të thuhet kështu, ashtu siç ishte vetë krahina e tij me dy pashalleqet e mëdha të kohës. Autori na ka treguar se pricnia kapidanore nuk ishte diçka e izoluar në “ishullin” e vet malor, por në marrëdhnënie politike, ushtarake dhe diplomatike me të tjerët.

Ndue Gjika është një përshkrues origjinal i mjediseve, rrethanave, karaktereve dhe psikologjisë së personazheve, të cilët mishërojnë tipologjinë autentike të malësorit mirditas. Falë gjuhës autoriale dhe mjeteve artistike të përdorura mjeshtërisht është krijuar një narrativë shprehëse, ku lexuesi bëhet “bashkështegtar” i personazheve, në fatin e tyre të pamëshirshëm.

Por këto pak radhë, më shumë se analizën e romanit, kanë për qëllim ta ftojnë lexuesin ta marrë në dorë këtë vepër.

Filed Under: Komente

Statuja e një gruaje në Times Square

May 7, 2025 by s p

Nga Merlin Tushe/

Times Square Arts pati kënaqësinë të prezantojë projektin “Grounded in the Stars”, “Me këmbë në yje”. Një skulpturë figurative 12 metra e lartë, që paraqitet si meditim introspektiv mbi njerëzimin. “Statuja e një Gruaje të Re” punuar në bronx nga artisti i arteve figurative Thomas J. Price, u instalua në një nga sheshet kryesore të Times Square, ku përveç qytetarëve amerikanë edhe turistët kanë rast të shikojnë nga afër këtë vepër arti, që simbolizon vajzat dhe gratë e guximshme, inteligjente dhe kurajoze të të gjithë kohërave.

Kjo vepër arti derdhur në bronx është pjesë e një serie të quajtur “Grounded in the Stars” e cila përballet me nocione të paracaktuara të identitetit dhe përfaqësimit me dinjitet të gruas amerikane dhe në respekt të grave dhe vajzave në të gjithë rruzullin tokësor. Nëse kemi pasur ndonjëherë arsye për të ecur në Times Square, tani është edhe kjo.

Skulptura masive me tiparet dhe karakteristikat e një gruaje është vendosur në zonën veriore të Sheshit “Duffy” në Broadway midis rrugëve 46 dhe 47 në Manhattan dhe do të shfaqet aty deri më datë 17 qershor 2025. Vetë Times Square qëndron si një simbol ikonë dhe vend konvergjence duke bashkuar njerëz nga të gjitha sferat e jetës, histori individuale dhe përvoja që ndërthurren në një platformë globale.

Edhe në Washington, D.C., ndodhet Statuja e Gruas Qëndrestare, të guximshme dhe antikomuniste, që përballoi torturat më të tmerrshme në jetë nga diktatorët e vendeve përkatëse, e cila është përuar nga Fondacioni Amerikan “Kundër Krimeve të Komunizmit në Botë”. Shpesh edhe ne shqiptarët e vizitojmë dhe në raste përkujtimesh vendosim kurora me lule të freskëta.

Vazhdimisht e vite më parë edhe në Shqipëri kemi kërkuar nga Shoqata e “Grave ish të Persekutuara Politike” drejtuar nga ish e burgosura politike Marie Dvorani, por edhe me vajza e gra që jetojnë në SHBA, që në Kryeqytetin e Shqipërisë të vendoset “Statuja e Gruas së Guximshme”. Monument ky i munguar për nder të vajzave dhe grave të guximshme, inteligjente dhe me kurajo që sfiduan diktaturën më të egër në Evropë. Përpjekjet e zërat tona deri më sot kanë shkuar në “vesh të shurdhër”.

Kërkesat i janë paraqitur respektivisht qeverive të ndryshme, pasi i takon shtetit shqiptar që të vendosë një Instalacion të tillë në qendër të Tiranës. Sigurisht diktatura ra, por të tjera qeveri janë ngritur e me shpërfillje kanë anashkaluar kërkesat tona.

Arsyeja që kërkesat i’a kemi drejtuar qeverive shqiptare ishte pasi, ishte qeveria shqiptare komuniste ajo, që në periudhën më të errët të saj persekutoi e përndoqi padrejtësisht një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë shqiptare, vajzat e gratë, nënat e motrat e pafajshme duke u mohuar çdo të drejtë lirie, vote e studimi në vend dhe jashtë tij. Pra ishte si një krim shtetëror, dhe si i tillë mendojmë se duhet kompensuar nga shteti.

Filed Under: Reportazh

SKËNDERBEU DHE DRAMA E NDALUAR E PETRO MARKOS

May 7, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Shkrimtari Petro Marko bënë pjesë në plejaden e shkrimtarve moderne të prozës shqiptare dhe është cilesue nga studjuesit e letërsisë si shkrimtari i parë i cili hapi rrugën e modernizmit në letërsinë shqipe. Ai filloi të shkruajë në moshën 20 vjeçare. Tregimet e tij të para u publikuan në gazeta të ndryshme te kohës.

Në vitin 1974 ,veprat e tij censurohen dhe Ministria e Arsimit e përjashton nga Lidhja e Shkrimtarve, i heqin edhe të drejtën e botimit. Në vitin 1973 shkroi një dramë kushtuar Heroit tonë Kombëtar – Gjergj Kastrioti Skënderbeut ,me titull: “Niku i Martin Gjinit”. Ja çfarë shkruan vetë shkrimtari Petro Marko ne kujtimet e tij:

”Punova gjithë muajin dhe e mbarova dramën. Titullin ia vura “Niku i Martin Gjinit”. U nisa për në Tiranë dhe ia shpura Ramiz Alisë, i cili më kishte dhënë këtë ide. Pas dhjetë ditësh, ai më thirri dhe më përqafoi: “I ke rënë në të! Ke bërë një vepër të arrirë…”!

Patjetër që unë u gëzova, por iu luta që për ta vënë në skenë këtë dramë, duhej të vinte regjisori Piro Mani nga Korça. Pirro Mani erdhi. Bashkë me Pjetër Gjokën, si ndihmës regjisor, u mblodhëm për të ndarë rolet, sipas aktorëve. Aktori i madh i teatrit, Naim Frashëri, kërkonte me insistim të merrte rolin e Nikut…!

E kisha paraqitur dhe në konkursin e Ushtrisë, ku fitoi çmimin e parë. Me paratë që mora, shtrova një darkë në shtëpi, me shumë shokë krijues. U dha për botim dhe në revistën “Nëntori” dhe u botua.

Të gjithë aktorët, i kishin marrë me shumë dëshirë rolet, aq sa Naim Frashëri, thoshte se; me këtë dramë, teatri ynë mund të nderohej edhe në Evropë…! Por në kohën kur po ndaheshin rolet, dhe kur filloi punën për dekorin edhe piktori Agim Zajmi, erdhi urdhri nga Komiteti i Partisë i Tiranës, që drama të mos vihej në skenë, se ishte liberale…! Duhej të pezulloheshin të gjitha përgatitjet. Qarkullonte në rrethet tona letrare, mendimi se, nuk mund të vihej në skenë, një dramë e cila, vinte theksin te njëfarë degjenerimi të fëmijëve të udhëheqjes (bëhej fjalë për kohën e Skënderbeut), sepse do të tingëllonte, si një analogji me bijtë e udhëheqësve aktualë. Në fakt, urdhri kishte ardhur nga lart. Ky ishte një helm tjetër, që m’u dha ta pija në heshtje, pa zhurmë.”1 Drama “Niku i Martin Gjinit” e Petro Markos sot është pjesë e Bibliografisë: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorve shqiptarë(1480-2023)”, Tiranë, 2023, faqe-75, si më poshtë:

“PETRO, MARKO – 1973 (Skeda në bibliografin e Skënderbeut,f-75)

Niku i Martin Gjinit [Dramë]

Botuar në revistën “Nëntori”, 1973.

Kjo dramë i kushtohet Skënderbeut.

Por historia e krijimit dhe e botimit të saj është tragjike.

Petro Marko, si shkrimtar atdhetar që ishte, u persekutua dhe u dënua nga regjimi zogist, regjimi fashist dhe diktatura komuniste. Por puna e tij në shërbim të atdheut dhe vepra e tij letrare mrekullisht i mbijetoi regjimeve diktatoriale dhe kohërave ku shkrimtari dhe poeti persekutohej për mangësi ideore të veprave të tij artistike.

Drama:”Niku i Martin Gjinit “ u krijua me porosi të Ramiz Alise dhe u botua në revistën “Nëntori” të vitit 1973. Por, pasi kjo dramë u botua te revista “Nëntori”, ne vitin 1973, në muajin dhjetor 1973 u censurua menjëherë nga regjimi komunist i kohës, për gjoja mangësi ideore të dramës, dhe u hoq menjëherë nga qarkullimi. Të njëjtin fat të kësaj drame pësoi edhe gjithë redaksia e revistës “Nëntori” e vitit 1973. U shkarkuan nga detyra: “për mungesën e vigjilencës revolucionare dhe mprehtësisë së punonjësit të shtypit të partise”, kryeredaktori Fatmir Gjata, sekretari i kolegjiumit Andon Kuqali dhe redaktori i dramës Gjergj Zheji.”3

NË KUJTIM TË 620 -VJETORIT TË LINDJES TË GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT PËRSHENDETI VLLEZËRIT SHQIPTARË KUDO NËPËR BOTË ME NJË FRAGMENT TË POEMËS: “SKËNDERBEU”, TË POETIT TONË KOMBËTARË, NAIM FRASHËRI:

A e shihni Skënderbenë

Mbret i mirë, trim e burrë

U përpoq për Mëmëdhenë,

Po s’i vdes emëri kurrë

Skënderbeu është i gjallë

Rron e mbretëron për jetë.

Kjo fjalë s’është përrallë

Ndaj t’urtit është e vërtetë.

Naim Frashëri: Pjesë nga poema: “Skënderbeu” botim i vitit 1898.

Literatura:

1.www.memorie.al

2.Odhise Grillo :

Lexikon: Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872- 1995), f.149

3.Hysen Dizdari:

Bibliografi: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorve shqiptarë(1480-2023)”, Tiranë, 2023, faqe-75

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT