
Hysen S.Dizdari/
Shkrimtari Petro Marko bënë pjesë në plejaden e shkrimtarve moderne të prozës shqiptare dhe është cilesue nga studjuesit e letërsisë si shkrimtari i parë i cili hapi rrugën e modernizmit në letërsinë shqipe. Ai filloi të shkruajë në moshën 20 vjeçare. Tregimet e tij të para u publikuan në gazeta të ndryshme te kohës.
Në vitin 1974 ,veprat e tij censurohen dhe Ministria e Arsimit e përjashton nga Lidhja e Shkrimtarve, i heqin edhe të drejtën e botimit. Në vitin 1973 shkroi një dramë kushtuar Heroit tonë Kombëtar – Gjergj Kastrioti Skënderbeut ,me titull: “Niku i Martin Gjinit”. Ja çfarë shkruan vetë shkrimtari Petro Marko ne kujtimet e tij:
”Punova gjithë muajin dhe e mbarova dramën. Titullin ia vura “Niku i Martin Gjinit”. U nisa për në Tiranë dhe ia shpura Ramiz Alisë, i cili më kishte dhënë këtë ide. Pas dhjetë ditësh, ai më thirri dhe më përqafoi: “I ke rënë në të! Ke bërë një vepër të arrirë…”!
Patjetër që unë u gëzova, por iu luta që për ta vënë në skenë këtë dramë, duhej të vinte regjisori Piro Mani nga Korça. Pirro Mani erdhi. Bashkë me Pjetër Gjokën, si ndihmës regjisor, u mblodhëm për të ndarë rolet, sipas aktorëve. Aktori i madh i teatrit, Naim Frashëri, kërkonte me insistim të merrte rolin e Nikut…!
E kisha paraqitur dhe në konkursin e Ushtrisë, ku fitoi çmimin e parë. Me paratë që mora, shtrova një darkë në shtëpi, me shumë shokë krijues. U dha për botim dhe në revistën “Nëntori” dhe u botua.
Të gjithë aktorët, i kishin marrë me shumë dëshirë rolet, aq sa Naim Frashëri, thoshte se; me këtë dramë, teatri ynë mund të nderohej edhe në Evropë…! Por në kohën kur po ndaheshin rolet, dhe kur filloi punën për dekorin edhe piktori Agim Zajmi, erdhi urdhri nga Komiteti i Partisë i Tiranës, që drama të mos vihej në skenë, se ishte liberale…! Duhej të pezulloheshin të gjitha përgatitjet. Qarkullonte në rrethet tona letrare, mendimi se, nuk mund të vihej në skenë, një dramë e cila, vinte theksin te njëfarë degjenerimi të fëmijëve të udhëheqjes (bëhej fjalë për kohën e Skënderbeut), sepse do të tingëllonte, si një analogji me bijtë e udhëheqësve aktualë. Në fakt, urdhri kishte ardhur nga lart. Ky ishte një helm tjetër, që m’u dha ta pija në heshtje, pa zhurmë.”1 Drama “Niku i Martin Gjinit” e Petro Markos sot është pjesë e Bibliografisë: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorve shqiptarë(1480-2023)”, Tiranë, 2023, faqe-75, si më poshtë:
“PETRO, MARKO – 1973 (Skeda në bibliografin e Skënderbeut,f-75)
Niku i Martin Gjinit [Dramë]
Botuar në revistën “Nëntori”, 1973.
Kjo dramë i kushtohet Skënderbeut.
Por historia e krijimit dhe e botimit të saj është tragjike.
Petro Marko, si shkrimtar atdhetar që ishte, u persekutua dhe u dënua nga regjimi zogist, regjimi fashist dhe diktatura komuniste. Por puna e tij në shërbim të atdheut dhe vepra e tij letrare mrekullisht i mbijetoi regjimeve diktatoriale dhe kohërave ku shkrimtari dhe poeti persekutohej për mangësi ideore të veprave të tij artistike.
Drama:”Niku i Martin Gjinit “ u krijua me porosi të Ramiz Alise dhe u botua në revistën “Nëntori” të vitit 1973. Por, pasi kjo dramë u botua te revista “Nëntori”, ne vitin 1973, në muajin dhjetor 1973 u censurua menjëherë nga regjimi komunist i kohës, për gjoja mangësi ideore të dramës, dhe u hoq menjëherë nga qarkullimi. Të njëjtin fat të kësaj drame pësoi edhe gjithë redaksia e revistës “Nëntori” e vitit 1973. U shkarkuan nga detyra: “për mungesën e vigjilencës revolucionare dhe mprehtësisë së punonjësit të shtypit të partise”, kryeredaktori Fatmir Gjata, sekretari i kolegjiumit Andon Kuqali dhe redaktori i dramës Gjergj Zheji.”3
NË KUJTIM TË 620 -VJETORIT TË LINDJES TË GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT PËRSHENDETI VLLEZËRIT SHQIPTARË KUDO NËPËR BOTË ME NJË FRAGMENT TË POEMËS: “SKËNDERBEU”, TË POETIT TONË KOMBËTARË, NAIM FRASHËRI:
A e shihni Skënderbenë
Mbret i mirë, trim e burrë
U përpoq për Mëmëdhenë,
Po s’i vdes emëri kurrë
Skënderbeu është i gjallë
Rron e mbretëron për jetë.
Kjo fjalë s’është përrallë
Ndaj t’urtit është e vërtetë.
Naim Frashëri: Pjesë nga poema: “Skënderbeu” botim i vitit 1898.
Literatura:
2.Odhise Grillo :
Lexikon: Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872- 1995), f.149
3.Hysen Dizdari:
Bibliografi: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorve shqiptarë(1480-2023)”, Tiranë, 2023, faqe-75