• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

Gjyqi i njëqind vjetëve më parë ndezi debatin për evolucionin që vazhdon edhe sot

May 29, 2025 by s p

Përgatiti Rafaela Prifti/

Njëqind vjet më parë në verën e vitit 1925 qyteti i vogël Dayton, në shtetin juglindor të Amerikës, Tenesi, mbante të mbërthyer sytë e mbarë botës. Aty kishte nisur gjykimi mbase më i famshëm i shekullit 20. I etiketuar “gjyqi i majmunëve”, ai ishte vetëm në dukje për mësimdhënien e evolucionit në shkollë. Faktikisht, lidhej me debatin midis shkencës dhe fesë, dhe më tej, me lirinë e fjalës, shkruan Smithsonian Magazine. Sa për kureshtje, pikërisht në atë sallë gjyqi do të jepet gjykimi në formë të dramatizuar për publikun në dy fundjavë të muajit korrik 2025. Duke dëgjuar shumë të flitet për projektligje që miratohen ose hidhen poshtë të referuara në klauzolën e Amandamentit të Parë të Kushtetutës (the Establishment Clause) që është në thelb, ndarja e shtetit nga feja, gjeta të dhëna me interes të përmbledhura këtu.

Mësuesi i diturisë së natyrës, 24 vjeçari, John Scopes (Xhon Skoups) akuzohej se kishte shkelur ligjin shtetëror që ndalonte mësimin e evolucionit në shkollën publike. Si avokati i prokurorisë Uilliam Xhenings Brian, edhe ai i mbrojtjes Clarence Darrow ishin figura shumë të respektuara dhe të njohura të kohës. Banorë e vizitorë nga të tëra anët ishin dyndur në sallën e gjyqit bashkë me 200 gazetarë të ardhur nga jugu dhe verilindja deri tek agjencitë e lajmeve evropiane, ruse, kineze dhe japoneze. Ndonëse nga ana e jashtme diskutohej nëse mësuesi e shkeli ligjin (Batler Act 1925) në thelb ishin ndryshimet e kohës dhe reagimet e shoqërisë ndaj tyre. Ishin vitet kur gratë sapo e kishin fituar të drejtën e votës, zezakët kishin ardhur nga jugu në shtetet e veriut, punëtorët ishin hedhur në greva për rritjen e pagesës, radioja, telefoni dhe filmat kishin ndikuar në mënyrën e jetesës së njerëzve të thjeshtë dhe një luftë brutale në rang botëror sapo kishte përfunduar. Natyrisht, teoria e Darvinit (1859) nuk kishte të bënte fare me asnjë nga këto, por ajo u bë “emblema” e të gjitha ndryshimeve që tanimë ishin të pranishme në shoqëri. Sindikata amerikane e Lirive Civile (ACLU) që e kishte ngritur zërin për shkak se ligji nuk respektonte Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane, me këtë rast gjeti njeriun e përshtatshëm për t’i dhënë jehonë çështjes, dhe ashtu ndodhi.

Feja dhe Shkenca – Gjykimi i çështjes nuk vinte fenë përballë shkencës, sepse ky do ishte thjeshtëzim i tejkaluar. Një grupim i Kristianizmit e merr Biblën si të mirëqenë jo vetëm nga ana morale dhe etike, por edhe nga ana historike e natyrore. Megjithëse Origjina e Specieve kishte ngjallur debate të forta për krijimin e gjallesave, për disa mendimtarë teologë, teoria darviniane nuk e eliminonte Krijuesin, aty vetëm se tregohej sesi ImadhiZot arriti synimet e tij nëpërmjet evolucionit si proces natyror.

Për tradicionalistët, evolucioni ishte “i fëlliqur” madje i rrezikshëm. Në fjalorin e tyre kishte përshkrime të zjarrta si “duel për jetë a vdekje midis evolucionit dhe Kristianizmit” si edhe mallkime për Darvinin si “infidel”. Edhe për konservatorët që nuk ishin kaq ekstremistë, ishte megjithatë e papranueshme ideja se njerëzit kanë ardhur nga paraardhës si majmuni, duke qenë se teoria është keqinterpretuar atëherë ashtu si edhe sot. Njeriu nuk ka ardhur “nga majmuni” por ka rrjedhur nga një lloj i mëparshëm i përbashkët me ta. Në të vërtetë gjyqi nuk u mor fare me teorinë e Darvinit. Çështja nuk ishte çfarë u mësoi mësuesi Scopes nxënësve, por a kishte të drejtë tu jepte mësim për këtë dhe rrjedhimisht nëse nxënësit kanë lirinë të mësojnë apo lexojnë diçka që nuk diktohet nga shteti.

“Liria e një njeriu nuk mbrohet pa mbrojtur lirinë e të gjithë njerëzve…Amerika është krijuar mbi konceptin e lirisë, dhe jo mbi paragjykime të ngurta, jotoleruese dhe të palogjikshme të maniakëve të fesë,” tha prokurori Darrow gjatë gjykimit.

Pasojat – Teoria e Darvinit për paraardhës të përbashkët sugjeron se ndarjet racore janë në të vërtetë fiktive, dhe superioriteti i “Nordikëve’ të bardhë ishte thjesht fantazi. Veç kësaj, gjyqi vinte në pah edhe dasitë midis qytetit dhe fshatit dhe çka është më me rëndësi mendësitë përkatëse. Gjatë seancës së marrjes në pyetje në gjyq u shpalosën njohuritë dhe përgatitja e dy avokatëve të famshëm në një duel intelektual që la gjurmë në jurisprudencë, frymëzoi vepra artistike dhe madje ridimensionoi gazetarinë shkencore, (si për shembull mund të klasifikohet ky shkrim.) Trupit gjykues iu deshën vetëm 10 minuta që të shpallte fajësinë dhe gjykatësi e dënoi mësuesin me 100 dollarë gjobë. Gjykata supreme e Tenesisë e quajti të mirëqenë dënimin, por duke u kapur pas një detaji teknik nuk lejoi që çështja të apelohej më tej. Megjithatë ligji në fjalë u eliminua në 1967 duke e bërë të ligjshëm mësimin e evolucionit në shkollat publike.

Gjyqi ishte ngjarja më e popullarizuar e anti-evolucionistëve kundra teorisë së Darvinit, por nuk ishte e fundit. Gjatë viteve 1970 ithtarët e “kreacionit” tentuan të ofronin origjinën biblike në shkolla krahas me evolucionin. Përballja vajti deri në gjyq në Arkansa në fillim të viteve 1980.

Gjykatësi deklaroi se ideja e krijimit i takon fesë dhe jo shkencës dhe se nuk mund të hynte në programin shkollor ngaqë kjo cënonte klauzolën e Amandamentit të Parë të Kushtetutës, sipas së cilës shtetit nuk i lejohet të krijojë ose favorizojë një besim të caktuar, pra në thelb, klauzola e ndarjes së shtetit nga feja. Në vitet 1990 dhe fillim të 2000 kundërshtarët e evolucionit u përpoqën të sillnin në shkolla “dezajnin inteligjent” që çoi në një gjyq tjetër në Pensilvani. Gjykatësi edhe aty tha se kjo qasje nuk kishte baza shkencore dhe Kushtetuta nuk e lejonte që mësuesit të detyrohen ta japin atë si alternativë të teorisë së Darvinit në klasë. Të tilla tentativa në formën e projekt-ligjeve për “pikat e forta dhe dobësitë” e teorive shkencore janë shumë të përhapura sot.

Rezistenca ndaj evolucionit nuk është dukuri që ndodh vetëm në Amerikë, por ndërlidhja e fesë, shtetit dhe shkollës, që shpesh nxjerrin në dritë teorinë e Darvinit, konsiderohet një fenomen tipik amerikan. Një pjesë e popullsisë e perceptojnë Biblën në formë mekanike, pra fjalë për fjalë, dhe një në tre amerikanë nuk e pranojnë idenë se njeriu ka rrjedhur nga qenie paranjerëzore. Në kohën e sotme kundërvënia ndaj evolucionit është më e fortë në Amerikë sesa në Evropë dhe Japoni. Gjithsesi duhet pranuar se evolucioni ka bërë përparime edhe në Amerikë. Përpara njëqind vjetëve gjyqi ishte tregues i ndasive të thella shoqërore dhe politike. Edhe pas një shekulli, ai ilustron kontrastet e forta shoqërore dhe politike, të cilat i përjetojmë sot.

Në artin e dramës dhe në kinematografi, kjo ngjarje i dha shkas dramës dhe më pas filmit “Inherit the Wind” (Trashëgimtari i Erës) – shprehje nga Bibla – ku jepet ideja se ai që shkakton trazira apo prish konakun e vet nuk trashëgon asgjë.

*Proverbs 11:29. The verse states, “He that troubles his own house shall inherit the wind.”

Filed Under: Mergata

Rreziku që i kanoset Kosovës nga bllokada politike dhe jofunksionaliteti institucional

May 29, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Ngërçi politik që ka mbërthyer Kosovën pas zgjedhjeve parlamentare, me pamundësinë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk është thjesht një krizë kalimtare. Ai është manifestim i një sindrome më të thellë: mendësisë moniste të pushtetit, ku vullneti politik i një grupi të vogël, i centralizuar rreth liderëve të caktuar, vihet mbi ligjin, mbi institucionet dhe mbi interesin kombëtar.

Ky bllokim institucional nuk është vetëm pasojë e arrogancës politike, por, sipas burimeve të shumta brenda dhe jashtë vendit, lidhet me frikën nga humbja e imunitetit dhe ndjekja penale e figurave kyçe, përfshirë Kryeministrin në detyrë dhe ministra të rëndësishëm që përballen me akuza të mëhershme për fshehje pasurie apo menaxhim të dyshimtë të fondeve, dhe korrupsion i niveleve të larta si ai në rezervat e shtetit, energjetikë, etj. Për çka po hetohen zyrtarë, ministra dhe vet Kryeministri në detyrë.

Kjo frikë ka prodhuar një strategji të qëllimshme të mbajtjes peng të institucioneve, për të shmangur transparencën, për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbajtur të mbyllura kanalet e përgjegjësisë.

Ndërkohë, raportet e vazhdueshme për keqpërdorim të fondeve të dedikuara për projekte të sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë, mungesa e sqarimeve rreth fondeve të Diasporës, si dhe rënia e ndjeshme e lirisë së mediave – e konfirmuar nga raportet ndërkombëtare – vetëm sa e thellojnë krizën.

E gjithë kjo ndodh në një moment kur rendi ndërkombëtar është në tronditje, dhe Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për institucione legjitime, për partneritet me SHBA-të dhe për stabilitet të brendshëm. Por, me një qeverisje që nuk ka pasur asnjëherë certifikim sigurie për të hyrë në komunikim të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë, dhe me një Kuvend të paralizuar nga kalkulimet e frikës dhe kontrollit politik, vendi është në prag të rrëshqitjes në një vakuum institucional dhe një terren të rrezikshëm për sigurinë nacionale.

Në këtë rrethanë, rreziku real nuk është vetëm zgjedhja e vonuar e institucioneve, por degradimi i konceptit të shtetit funksional. Sepse aty ku nuk ka ndarje të pushteteve, nuk ka më demokraci. Dhe aty ku nuk ka demokraci funksionale, nuk ka më garanci për asnjë aleancë strategjike.

Është momenti për reflektim kombëtar dhe veprim institucional, për të ndalur rrëshqitjen drejt një autokracie të brendshme me pasoja gjeopolitike.

Filed Under: Fejton

𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐜𝐚 𝐞 𝐩𝐚𝐡𝐚𝐫𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐞 𝐉𝐨𝐡𝐧. 𝐅. 𝐊𝐞𝐧𝐧𝐞𝐝𝐲

May 29, 2025 by s p

(𝘔𝘦̈𝘴𝘪𝘮𝘦 𝘴𝘩𝘵𝘦𝘵𝘢𝘳𝘪𝘦 𝘥𝘩𝘦 𝘬𝘦̈𝘴𝘩𝘪𝘭𝘭𝘢 𝘱𝘦̈𝘳 𝘢𝘵𝘢 𝘲𝘦̈ 𝘢𝘴𝘱𝘪𝘳𝘰𝘫𝘯𝘦̈ 𝘵𝘦̈ 𝘨𝘢𝘳𝘰𝘫𝘯𝘦̈ 𝘯𝘦̈ 𝘱𝘰𝘭𝘪𝘵𝘪𝘬𝘦̈)

Nga Dr. Bledar Kurti

John F. Kennedy, Presidenti i 35-të i SHBA, lindi në këtë ditë, më 29 maj, 1917 dhe u nda nga jeta prej një atentati, në mënyrë tragjike, më 22 nëntor, 1963.

Kennedy, Presidenti i 35-të i SHBA, njihet edhe si Presidenti i një mijë ditëve, për shkak se qëndroi në detyrë vetëm tri vite. Një prej figurave më të dashura të popullit amerikan. President Kennedy, solli risi jo vetëm në krijimin e imazhit publik, në drejtimin e SHBA, por edhe ka frymëzuar deri në ditët tona çdo politikan apo individ me aspirata për poste të larta drejtuese. Dhe përveç imazhit të ri që shpalosi, ai tregoi edhe esencën e tij prej lideri në momentet më kyçe e vendimtare të historisë së Amerikës dhe mbarë botës.

Shpeshherë shtrohet pyetja se, përtej performancës dhe imazhit, cila është esenca e një shtetari? Padyshim, përgjigja është zgjidhja e krizave. Vetëm duke menaxhuar situatat dhe duke zgjidhur konfliktet brenda apo jashtë vendit një njeri meriton të quhet shtetar dhe lider.

Revolucioni që bëri Kennedy në marrëdhëniet me publikun (Public Relations) nisi që me rrugëtimin e tij për t’u bërë President por edhe me menaxhimin e situatave teksa drejtonte vendin i ulur në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Një njeri me plot disavantazhe fizike e personale, Kennedy arriti ti kthejë ato në pikat e tij më të forta. Kennedy ishte i pari ndër kandidatët presidencial të vetë-zgjedhur. Ai nuk priti për rradhën e tij sepse ndoshta ajo kurrë nuk do vinte. Konventat tradicionale kombëtare, dhe pëlqimi nga figurat e vjetra partiake nuk mund të arriheshin lehtë, për shkak të moshës së tij të re. E përveç moshës, një disavantazh tjetër ishte besimi fetar të cilit ai i përkiste. Kennedy ishte katolik dhe Amerika nuk kishte patur president katolik më parë. Ai ishte i ri, vetëm 43 vjeç, beqar, pa jetëshkrim të shquar, por vetëm me dëshirën për t’u bërë President. Prandaj, Kennedy institucionalizoi sharmin e tij dhe e shpalli veten si zgjedhja e duhur për popullin dhe fitoi postin e drejtuesit të shtetit më të fuqishëm në botë.

Edhe më sot, opinioni publik amerikan e konsideron Kennedy-n si shpëtimtar dhe si hero, sepse ishte ai që shmangu Luftën e Tretë Botërore gjatë Krizës së Raketave në Kubë, në vitin 1962, dhe se ishte ai që i dha një prestigj dhe imazh të ri ofiqit të Presidentit të SHBA.

John Kennedy tashmë është shndërruar në “mit”. Ai ka hyrë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe madje në historinë botërore, si një nga presidentët më të shquar të Amerikës dhe një udhëheqës i madh.

Përpara se të bëhej president, Kennedy kreu një fushatë presedenciale moderne e cila prej më shumë se gjashtëdhjetë vitesh la precedentë në fushatat e presidentëve dhe lidërve të ardhshëm. Sekreti i fushatës ishte “imazhi.” Dhe si mund të përcillej ky imazh në zemrat amerikane? Televizioni.

Në fushatën presidenciale të vitit 1960, Kennedy (demokrat) kandidonte për postin e Presidentit kundër Zv/Presidentit të kohës Richard Nixon (republikan). Edhe Nixon kishte moshë të re, 47 vjeç, veteran lufte, megjithatë Kennedy arriti fitoren më të ngushtë në historinë e zgjedhjeve presidenciale Amerikane. Debati televiziv midis dy kandidatëve, i pari i këtij lloji, u fitua nga Kennedy i cili i veshur me kostum të zi dallonte prej kundërshtarit të tij. Ai dukej i qetë dhe në kontroll. Nixon refuzoi të bënte grimin, ai dukej i tensionuar dhe kostumi i tij gri nuk dallonte nga sfondi, Zv/President prej tetë vitesh, Nixon dukej më pak presidencial sesa Kennedy. Rëndësia e imazhit u vërtetua kur sondazhet treguan se ata që e kishin ndjekur debatin Kennedy-Nixon në televizon shpallnin Kennedy-n fitues ndërsa ata që e kishin ndjekur në radio vlerësonin Nixon.

Gjatë kësaj fushate, Kennedy revolucionoi konceptin e fushatës presidenciale. Fushata e tij siguron edhe sot një formulë suksesi për këdo që kërkon të ngjisë shkallët e pushtetit. Pjesë e kësaj formule ishte demonstrimi i madhështisë së tij duke e përfshirë veten në rankun e George Washington, Abraham Lincoln, dhe F.D. Roosevelt. Si edhe imitoi gjestet e Winston Churchill dhe Evangjelistit Billy Graham.

Kennedy e kuptoi se për të fituar nuk ishte e nevojshme të merrej me politika kontroverse. Ai nisi të reflektonte te populli atë imazh që i nevojitej popullit. Qëllimi i Kennedy ishte pragmatic dhe siguronte vota. Ai kuptoi se votuesi kërkonte një lider me personalitet të frotë dhe jo politika abstrakte. Këtë shembull ndoqën edhe shumë politikanë të tjerë të së ardhmes.

Kennedy bëri më shumë takime dhe shtrëngoi më shumë duar sesa oponenti i tij. Shtrëngoi me mijëra duar dhe buzëqeshte çdo sekond. Fjalimet e tij e mahnisnin turmën pasi ishin kryesisht fjalime me karakter frymëzues. Simpatia për të shtohej dhe shpresa që ai ofronte i jepte zemër rinisë amerikane.

Në vitet 60-të, Televizioni ishte kulmimi i teknologjisë. Kennedy e shfrytëzoi këtë mundësi dhe arriti të depërtonte në miliona familje. Ai e kuptoi që publiku kërkonte një hero, ndaj ai preku zemrat e tyre me fjalime madhështore, shtrëngimet e ngrohta të duarve, buzëqeshjet e tij të ëmbla dhe sharmin e tij.

Në vitin 1956 Kennedy shkruajti një libër me titullin “Profiles in Courage” (Profile të Kurajos) për të shpalosur aftësinë e tij intelektuale. Libri u bë bestseller dhe fitoi çmimin Pulitzer.

Kujtimet e Luftës së Dytë Botërore dhe ato të Luftës së Koresë ishte akoma të freskëta në mendjet e amerikanëve, ndaj vendi kërkonte edhe një hero lufte. Kennedy kishte shërbyer në marinë gjatë lufës e në një moment beteje me një anije japoneze, më 1 gusht të vitit 1943, ai shpëtoi jetën e shokëve të tij, dhe sigurisht, kjo i shtoi pikë në garën e tij presidenciale, dhe anija në të cilën ai shërbeu, PT 109, u bë lodër për fëmijët, të cilët luanin me to dhe këndonin “Kennedy Është Hero”.

Gjatë fushatave të sotme, shihet se si këngëtarë të njohur mbështesin kandidatë ose parti politike. Kjo nisi me Kennedy, i cili mori më të mirin e të gjithë kohërave, Frank Sinatra, që me zërin e tij të magjishëm këndonte “Vote for Kennedy’ (voto për Kennedy.)

Kennedy shfaqej me pamjen e një atleti, por përtej imazhit të një njeriu sportiv, energjik, vigoroz, fshihej një njeri me një shëndet të dobët. Ai vuante nga sëmundja Adison. Ai gjithashtu kishte probleme me shpinën të cilën e justifikonte si pasojë e lëndimit gjatë viteve në luftë. Ai nuk i shfaqte në publik patericat dhe operacionet që bënte për shkak të përkeqësimit të sëmundjes së tij. Regjimi i tij ditor përfshinte 11 ilaçe të ndryshme dhe shpeshherë kalonte me javë të tëra në regjim shtrati. Megjithatë, vendosmëria e Kennedy për Shtëpinë e Bardhë rezultoi me sukses. Imazhi i tij i merituar u mirëprit prej publikut dhe John F. Kennedy u bë Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenca e tij ishte e shkurtër por ajo ndodhi gjatë një atmosfere të ashpër të Luftës së Ftohtë. Kennedy do i duhej të përballej ushtarakisht dhe politikisht me kundërshtarët e botës së lirë, me diktatorët komunistë. Përplasja e tij e parë ushtarake ishte me liderin komunist kubanez, Fidel Kastro.

Vetëm tre muaj në detyrë, më 14 prill 1961, pa mbaruar ende muaji i mjaltit presidencial, Kennedy dha urdhër e tetë avionë luftarak B-26 bombarduan bazat ajrore kubaneze. Tri ditë pas sulmeve ajrore, më 17 Prill, 1961, një brigadë prej 1400 emigrantësh kubanezë të stërvitur nga CIA, u nisën për zbarkim në Plazhin e Derrave, në Kubë. Operacioni rezultoi në probleme madhore ndaj Kennedy kërkoi dorëheqjen e Drejtorit të CIA-s, Allan Dulles.

Një nga tensionet e tjera ishte Berlini. Më 13 gusht 1961, Bashkimi Sovietik nisi të ndërtojë një mur ndarës në Berlin, për të ndalur influencën perëndimore dhe për të kontrolluar rreptësisht gjermano-Lindorët. Ky veprim i menjëhershëm i sovietikëve tronditi mbarë botën. Më 26 qershor 1963, President Kennedy vizitoi Berlinin. I prekur dhe i mallëngjyer prej mikpritjes së berlinasve ai e flaku tutje fjalimin e parapërgatitur dhe nisi të improvizonte duke dhënë një fjalim të sinqertë dhe të paharrueshëm për berlinasit e mbarë botën.

“𝐾𝑎 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑛𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧 𝑠𝑜𝑡 𝑛𝑒̈ 𝑏𝑜𝑡𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑣𝑒̈𝑟𝑡𝑒𝑡 𝑛𝑢𝑘 𝑒 𝑘𝑢𝑝𝑡𝑜𝑗𝑛𝑒̈, 𝑜𝑠𝑒 𝑡ℎ𝑜𝑛𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑠’𝑒 𝑘𝑢𝑝𝑡𝑜𝑗𝑛𝑒̈, 𝑠𝑒 𝑐𝑖𝑙𝑖 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑛𝑑𝑟𝑦𝑠ℎ𝑖𝑚𝑖 𝑚𝑖𝑑𝑖𝑠 𝑏𝑜𝑡𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝑙𝑖𝑟𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑏𝑜𝑡𝑒̈𝑠 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑠𝑡𝑒.

𝐿𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛!

𝐾𝑎 𝑑𝑖𝑠𝑎 𝑞𝑒̈ 𝑡ℎ𝑜𝑛𝑒̈ 𝑠𝑒 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑧𝑚𝑖 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑑𝑎𝑙𝑙𝑔𝑎 𝑒 𝑠𝑒̈ 𝑎𝑟𝑑ℎ𝑚𝑒𝑠.

𝐿𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛!

𝐾𝑎 𝑑𝑖𝑠𝑎 𝑛𝑒̈ 𝐸𝑢𝑟𝑜𝑝𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑘𝑢𝑑𝑜 𝑞𝑒̈ 𝑡ℎ𝑜𝑛𝑒̈ 𝑠𝑒 𝑛𝑒 𝑚𝑢𝑛𝑑 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑎𝑠ℎ𝑘𝑒̈𝑝𝑢𝑛𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑚𝑒 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑠𝑡𝑒̈𝑡.

𝐿𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛!

𝑀𝑎𝑑𝑗𝑒 𝑘𝑎 𝑒𝑑ℎ𝑒 𝑑𝑖𝑠𝑎 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑗𝑒𝑟𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑡ℎ𝑜𝑛𝑒̈ 𝑠𝑒 𝑒 𝑑𝑖𝑚𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑧𝑚𝑖 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑠𝑖𝑠𝑡𝑒𝑚 𝑖 𝑙𝑖𝑔𝑒̈ 𝑝𝑜𝑟 𝑞𝑒̈ 𝑛𝑎 𝑙𝑒𝑗𝑜𝑛 𝑡𝑒̈ 𝑎𝑟𝑟𝑖𝑗𝑚𝑒̈ 𝑝𝑟𝑜𝑔𝑟𝑒𝑠 𝑒𝑘𝑜𝑛𝑜𝑚𝑖𝑘.

𝐿𝑎𝑠𝑠 𝑠𝑖𝑒 𝑛𝑎𝑐ℎ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛 𝑘𝑜𝑚𝑚𝑒𝑛!

𝐿𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑟𝑙𝑖𝑛!”

Në ato momente berlinasit e ekzaltuar ishin gati ta shembnin murin me duar nëse Kennedy do ia kishte kërkuar ta bënin atë gjë. U deshën dekada që ai mur të rrëzohej dhe që Berlini lindor dhe ai perëndimor të bashkoheshin.

Për gjysëm shekulli, fill pas Luftës së Dytë Botërore, bota jetoi në ankthin e Luftës së Ftohtë. Ajo luftë pati shumë momente shqetësuese për paqen në botë. Gara nukleare, sfera e influencës, dhe beteja e spiunazhit ishin qëllimet parësore të kësaj periudhe, megjithatë pati një moment kur frika e të gjithë frikave pothuajse u bë realitet. Në tetor të vitit 1962, foto të bëra prej avionëve spiunë amerikanë treguan baza ushtarake ruse në Kubë, të pajisura me raketa nukleare të afta për të sulmuar territorin e Shteteve të Bashkuara.

Liderët e ushtrisë kërkonin të sulmonin menjëherë, por Kennedy qëndroi i qetë dhe gjakftohtë. Ai urdhëroi një bllokadë detare për të ndaluar raketat e tjera ruse që mund të hynin në Kubë dhe deklaroi se SHBA do i çarmatoste me forcë raketat ruse në Kubë.

Situata dukej e rëndë. Bota mbajti frymës e saj. Avionët ameritan B-52 të armatosur me raketa nukleare u ngritën në ajër në gatishmëri të plotë. 250 000 trupa ushtarake u vendosën në Florida gati për të pushtuar Kubën. Krushçovi i dërgoi telegram Kennedy-t se do i tërhiqte raketat nëse Shtetet e Bashkuara nuk do e pushtonin Kubën. Ndërsa presidenti Amerikan po i përgjigjej pozitivisht, mbërrin një telegram tjetër nga Krushçovi duke kërkuar se Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqnin raketat e tyre nga bazat amerikane në Turqi.

Disa orë më pas këtij komunikimi. Një avion amerikan U-2, u qëllua dhe u rrëzua në Kubë. Ato ishin orët më të errta të krizës. Konflikte të tilla të ashpra e forcojnë apo e shkatërrojnë një administratë. Administrata Kennedy u forcua dhe aftësitë e lidershipit të tij u vunë më në pah gjatë asaj krize.

Diplomacia dhe vendosmëria e Kennedy shpëtoi Amerikën dhe të gjithë botën nga shkatërrimi nuklear. Pas asaj krize, miti Kennedy nisi të rritej, megjithatë një ngjarje tjetër, kësaj here tejet e dhimbshme për kombin amerikan, do e bënte atë mit të përjetshëm.

Më 22 nëntor, 1963, gjatë një vizite në Dallas, Texas, Presidenti Kennedy u qëllua për vdekje. Ai ishte ulur në sendiljen e pasme të një limuzine të hapur. Në krah kishte Zonjën e Parë, ndërsa para tij Guvernatorin e Texas-it.

Ajo ngjarje pikëlluese tronditi Amerikën e mbarë opinionin publik botëror. Presidenti u vra. Amerika ishte në lot. I dyshuari për atë atentat ishte Lee Harvey Oswald por vrasja e Kennedy-t ka mbetur enigmë. Sa më shumë është shtuar kjo enigmë aq më shumë “miti Kennedy” është rritur.

Vitet 60-të ishin të vështira e të mbushura plot sfida, por SHBA doli triumfuese dhe shoqëria amerikane mbrojti denjësisht vlerat e saj, dhe lidershipi i Kennedy ishte simbol i një Amerike progresiste e të përkushtuar ndaj demokracisë dhe lirisë.

Nga një senator i ri me plot vizion, John F. Kennedy revolucionoi marrëdhëniet me publikun, modernizoi fushatën presidenciale, dhe në çaste kritike nxorri Amerikën dhe botën nga një katastrofë shkatërruese të pakthyeshme. Sot, Kennedy mbetet një “mit” dhe ata pak shtetarë që e meritojnë këtë vlerësim kanë kaluar përmes shumë sprovash të jashtëzakonshme, për këtë arsye John F. Kennedy e meriton të gdhendet në histori, jo vetëm si një prej presidentëve më të shquar amerikanë, por si një shtetar i vërtetë në mbarë botën.

“Mos pyet se çfarë mund të bëjë atdheu yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për atdheun tënd,” ishin fjalët e Kennedy, të cilat iu adresuan popullit amerikan, por mbeten një frymëzim e thirrje për çdo qytetar të botës.

Filed Under: Reportazh

“JETËSHKRIM I NJERËZVE TË SHQUAR-SKËNDERBEU” NË GJUHËT: SHQIP-ANGLISHT-GJERMANISHT- ITALISHT

May 29, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Pjesë nga libri: “JETËSHKRIM I NJERËZVE TË SHQUAR-SKËNDERBEU ”, i cili pa dritën e botimit pas 104 viteve në 620 vjetorin e Lindjes të Heroit të Kombit Shqiptarë , Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Duke ditur se sa mungojnë librat në Shqipëri, dhe sa të madhe nevojë kemi për dituri në gjuhën amëtare, e quajta të mirë që të përkthej disa nga biografitë e njerëzve të shquar (celebre), të cilët i sollën ato më të mëdha shërbime kombeve të tyre, si edhe mbarë njerëzimit. Se e dimë mirë, se më e madhja pjesë e qytetërimit u detyrohet këtyre njerëzve të shquar. Prandaj neve, Shqiptarëve na lipset t’i marrim si për shembull, dhe t’i këndojmë dendur veprat e tyre, se në jetëshkrimin e tyre gjejmë shumë gjëra të dobishme, qysh njeriu me dashjen e tij mund të bëhet njeri i madh dhe t’i shërbejë atdheut se, sikundër i shohim në jetëshkrimin e tyre, me gjithë vuajtjet që ata kanë duruar, kurrë s’kanë hequr dorë nga veprat që kishin nisur.

Me Nder: Petro Qirias //Constance, 1921

SKËNDERBEU

“Kohën e djalërisë e të burrërisë, në periudhën 1413-1443, Skënderbeu e shkoi në oborrin sulltanor të Turqisë, në Andrianopojë. Këtu u stërvit e u arsimua duke marrë njohuritë e duhura prej mësuesve shqiptarë, por edhe atyre më të mirë mësues të Turqisë. Këtu u thellua në mësimet e mënyrës së luftimit. U stërvit shumë mirë me kuaj dhe, edhe më mirë për përdorimin e shpatës. Mësimet e gjeografisë, ato të matematikës e të historisë u bënë për të ushqimi mendor i përditshëm dhe, me ndihmën e këtyre, arrin në atë shkallë aq të lartë në artin e luftës, kudo që të ndodhej as që nuk mundej ta mendonte kurrë humbjen, por vetëm fitimin e luftës. Midis mësimeve të tjera, si dhe ai i gjuhës i merrte vëmendjen e një shkallë tepër të lartë. Heroi shqiptar fliste bukur veç gjuhës amëtare, edhe Turqishten, Arabishten, Greqishten, Sllavishten, Italishten dhe Latinishten. Oratoria (të folurit e bukur) ishte mjeti më i fortë për të zbutur dhe për të ndezur zemrën e gjithkujt.

Fjalimi i tij në Kuvendin e përgjithshëm në Lezhë, më 2 Mars 1444 dhe, ai në Romë, më 1465 para Kollegut Kardinal të Papës Palit II, si dhe gjithë të tjerat para fillimit të çdo beteje, janë monumente të pavdekshme të kësaj mjeshtërie e dhurate natyrore të paçmuar. Në fjalimet që u mbante luftëtarëve u shtronte përpara vleftën e lirisë së atdheut, poshtërimin dhe robërinë nën zgjedhën e huaj, popullin e ngratë të shkelur nën këmbët e ndyra të armikut vuajtjet, rënkimet e pësimet e popullit, si dhe burrëritë e prindërve të tyre.

Fjalët e tij ishin si një shkëndijë zjarri që hidhet në barut dhe i ndizte luftëtarët e tij aq sa nuk dëshironin tjetër gjë përveç se luftë, zjarr, gjak e vdekje.

Nuk ishte vetëm oratoria, me të cilën Skënderbeu rrëmbente zemrën e gjithkujt; virtytet e tjera të tij të larta si nderi, zemra e butë e gjerë, urtësia, mëshira, shpirtmadhësia, dashuria si dhe goja e ëmbël, altruizmi e lidhnin cilindo me dashurinë e tij. Egoizmi dhe mendjemadhësia nuk kishin vend në shpirtin e tij.

Me karakterin e tij të pastër e vullnetin e paepur i ktheu kraharorët e shqiptarëve kundër armikut, ashtu si një shkëmb i fortë në buzë të detit që u qëndron i patundur valëve më të rrepta të shtrëngatës më të keqe të ujërave që goditnin mbi të. …”

Filed Under: Kronike

Paradoksi i inteligjencës pa mençuri…

May 29, 2025 by s p

Artan Nati/

Napoleoni nuk lindi fisnik dhe as francez, megjithatë ai u ngjit në krye të Republikës dhe u kurorëzua perandor. Disa do ta quanin atë një despot maniak, ndërsa të tjerë ia atribuojnë përhapjen e idealeve liberale revolucionare franceze në të gjithë Evropën. E vërteta qëndron në mes. Napoleon Bonaparti është padyshim një anomali historike dhe ndihmoi në frymëzimin e teorisë së “Burrave të Mëdhenj” në studimet historike. Një perandor korsikan i Francës, një revolucionar i shndërruar në monark absolut, ishte po aq i talentuar si burrë shteti dhe si strateg. Të njëjtat tipare që e panë të ngrihej në pushtet lehtësuan rënien e tij. Ai dëshironte pafundësisht pushtet, famë, status, influencë dhe natyrisht fitore ushtarake. Kjo ambicie e lejoi atë të bëhej perandor dhe të dominonte Evropën, megjithatë e çoi gjithashtu në pushtimin katastrofik të Rusisë. Në përgjithësi, luftërat në të cilat ai luftoi, gjysmën e të cilave ai i nxiti, vranë midis 3 dhe 6 milionë njerëz. Megjithatë, ai gjithashtu e nxori pjesën më të madhe të Evropës nga feudalizmi dhe e çoi në epokën moderne pafundësisht.

Si përfundim ndoshta mund të themi se ai ishte shumë intelegjent dhe strateg brilant. Si ka mundësi atëhere që Bonaparte kishte një fund pa lavdi për vete si edhe për Francën. A mund ta quajmë të mënçur Bonapartin? Kjo është një pyetje që është shtruar shumë herë në historinë e njerëzimit, sidomos në momentet e transformimeve të mëdha shoqërore. Ky fenomen është përsëritur disa herë në historinë e kombit tonë dhe duket se ne nuk kemi nxjerrë mësime, ndoshta edhe për faktin se: ne mësojmë nga historia se ne nuk mësojmë asgjë prej saj. Drejtuesit e Shqipërisë demokratike të pas viteve 90, mund t’i akuzojmë për shumë çështje, por jo për mungesë intelegjence. Në fakt, shumë nga gabimet më të mëdha në historinë e njerëzimit, ashtu si edhe të vendit tonë, u kryen nga njerëz shumë inteligjentë që lejuan veten të konsumoheshin nga ideologji boshe, interesa egoiste ose arrogancë e pastër. Në fakt ekziston një ndryshim midis inteligjencës dhe mençurisë. Inteligjenca mund të përdoret për çdo gjë, përfshirë mashtrimin manipulimin dhe madje edhe justifikimin e ideve absurde. Megjithatë, mençuria kërkon diçka më shumë reflektim të thellë, përvojë dhe më e rëndësishmja, mendim kritik. E vërteta është se vetëm zgjuarsia nuk mbron askënd nga rrënimi.

Ajo që ne e quajmë inteligjencë është si të kesh në dispozicion kompjuterin më të fundit dhe më të fuqishëm, duke përpunuar informacionin me shpejtësi rrufeje, duke kujtuar çdo detaj të vogël dhe duke zgjidhur ekuacione komplekse në çast, që të lejon të thithësh informacione të reja, të mësosh aftësi të reja dhe të kuptosh botën përreth teje, është si të kesh një bibliotekë me libra në kokën tënde. Por çfarë mund të themi për mençurinë? Mençuria është aftësia jote për të përdorur përvojën dhe njohuritë e tua për të marrë vendime të mira. Bëhet fjalë për të kuptuar pamjen e përgjithshme, duke parë pyllin dhe jo vetëm pemët. Inteligjenca dhe mençuria, megjithëse të ndryshme, janë dy anët e së njëjtës monedhë, ato funksionojnë së bashku, duke plotësuar njëra-tjetrën. Pra me pak fjalë inteligjenca është fuqia e trurit tuaj, ndërsa mençuria është sistemi juaj i navigimit.

Studiuesit kanë arritur në përfundimin se mënçuria është e pavarur nga çdo karakteristikë tjetër, nuk ka të bëjë fare me arsimin, klasën shoqërore ose profesionin. Ka njerëz të shkëlqyer me arsim të lartë dhe tituj shkencor, që veprojnë në mënyrë krejt irracionale dhe kundërproduktive, ashtu siç ka njerëz të përulur, pa arsim të lartë dhe të mesëm që demonstrojnë mençuri të madhe dhe janë tepër racional dhe me mendim kritik. Zgjedhjet e fundit treguan se ne nuk kemi mësuar asgjë nga e kaluara, ndërsa drejtuesit e qeverisë dhe partive politike vazhdojnë duke fajësuar njeri tjetrin për këtë situatë absurde. Retorika vazhdon si më parë dhe politikanët duken të kënaqur me situatën, pavarësisht teatrit që luajnë. Duket si një teatër absurd ku vendi, të rinjtë, shtresa e varfër e pensionistët janë duke pritur shpëtimtarin që nuk duket askund. Rama deklaron se vetëm ai e vendos se kur do të largohet, ndërsa Berisha thotë se vetëm Zoti mund ta largojë atë nga pozicioni i tij. Po të ndalojmë një moment dhe të shikojmë përreth, duket sikur gjithçka po bëhet më iracionale, që vendimet e rëndësishme po merren pa asnjë ndjesi logjike, që absurditeti është bërë normë, Kjo duket si në jetën e partive politike ashtu edhe në qeverisjen e vendit dhe jetën parlamentare.

Indiferenca, por shpesh edhe reagimi ynë njerëzor nuk është vetëm një tipar qesharak ose i padëmshëm, por është një forcë shkatërruese që vepron në heshtje duke formësuar botën në të cilën jetojmë. Në mediat sociale, informacioni i rremë përhapet më shpejt se sa verifikohet, faktet në politikë, udhëheqësit e paaftë ngrihen në pushtet dhe marrin vendime që ndikojnë jetën tonë të përditshme. Të gjitha sa thamë më lart na bën të mendojmë se papërgjegjshmëria dhe indifernca nuk është vetëm një e metë individuale, por një forcë kolektive që po e gërryen shoqërinë nga brenda. Nëse nuk e kuptojmë se si funksionon, jemi të dënuar të përsërisim të njëjtat gabime brez pas brezi. Pra si mund ta identifikojmë dhe luftojmë këtë papërgjegshmëri që na çon në zgjedhjen e politikanëve inteligjent, të papërgjegjshëm dhe aspak të mënçur.

Pyetja e vërtetë është nëse jemi të gatshëm të rezistojmë apo do të vazhdojmë të jemi thjesht një tjetër figurë në këtë teatër të madh të mediokritetit. A do të vazhdojmë t’i gjejmë gabimet te politikanët e zgjedhur prej nesh, apo te vetja jonë? A do t’i gjejnë partitë politike armiqtë te kundështarët apo tek vetja e tyre? Ai që i gjen armiqtë te të tjerët thjesht ëndërron. Ai që i gjen armiqtë te vetja zgjohet dhe transformohet.

Në nivel kolektiv, dizajni institucional është çelësi. Ne mund të ndërtojmë sisteme që shpërblejnë të vërtetën, kompetencën dhe llogaridhënien. Mendoj se duhet t’i ulim perënditë tona në tokë përpara se ata të na shkatërrojnë tokën nën këmbët tona. Më mirë t’i shohim liderët tanë si njerëz përpara se ata të na shohin ne si numra. Besimi ynë për mënyrën se si e shohim botën kalon përmes të kuptuarit tonë dhe jo përmes asaj që ata na tregojnë se si të mendojmë dhe besojmë. Ne të gjithë jemi të barabartë dhe jo disa më të barabartë se të tjerët. Është koha të fajësojmë veten nëse ata shkaktojnë një ferr në tokë. Arësyeja nuk është se po na tradhëtojnë, por jemi ne që po tradhtojmë veten, që po ua dorëzojmë mendimin dhe fuqitë tona atyre. Dhe kush janë ata?, Njerëz si ne dhe në shumicën e rasteve janë më të këqij, sepse kanë luajtur lojëra me besimin tonë, kanë manipuluar dëshirat tona.

Duke i trajtuar ata si perëndi ose njerëz me inteligjencë të veçantë, ne i dorëzojmë fuqitë tona, forcën e të menduarit kritik. Pyetja është se kujt ia dorëzojmë? Njerëzve që e vetmja gjë që dinë më mirë se ne, është se si të na manipulojnë. Ne mendojmë dhe veprojmë në të njëjtën mënyrë dhe shpresojmë të kemi një rezultat shumë më të mirë. Në realitet, ne presim që ujqërit të bëhen vegjetarianë. Të jesh një udhëheqës efektiv nuk qëndron në përjashtimin e inteligjencës ose mençurisë për të favorizuar tjetrën. Përkundrazi, kërkon integrimin harmonik të të dyjave. Gjithmonë duhet të synojmë të zgjedhim udhëheqës të mençur që mund të përdorin strategjikisht aftësitë e tyre

njohëse, duke futur në vendimmarrje empatinë, përulësinë dhe një qasje të orientuar drejt së ardhmes.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT