• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

SHNJERGJI (SHËN GJERGJI) – FESTA TRADICIONALE E BLEGTORISË

May 5, 2025 by s p

Shkruar nga Avni Alcani/

Dita e Shën Gjergjit përjetohet si periudha e ndaljes nga dimri dhe i ardhjjes së , e cila është festuar që në lashtësi, kur besohej në shumë perëndi. Te gjithë popujt e Ballkanit, të cilët e festojnë më masë të gjërë këtë ditë, kjo festë fillon me 5 maj dhe vazhdon deri me 15 maj. Kjo feste duket se ka qenë një festë pagane, që lidhej me shtegtimin e bagëtive, më saktë me ardhen e tyre nga shtegtimi i gjatë dimëror.

Ardhja e krishterimit nuk e shkuli këtë traditë pagane. Përkundraxi, e pranoi dhe ia vunë emrin Shën Gjergj, duke bashkuar zakonet e vjetra pagane nën petkun e fesë së re monoteiste. Kush ishte shkaku i vënies së një emri të krishterë një feste pagane? Bazuar në kalendarët e hershëm bizantinë, dita e Shën Gjergjit është 23 prilli, që përkon me rikthimin e bagëtive në male. Dhe ishte pikërisht ky përkim i kalendarit me shtegtimin e bagëtive në vjeshtë (për Shmitër) në fusha dhe rikthimin e tyre në male në pranverë (Shnjergj). Sot ajo festohet si dikur, me lojëra dhe argëtime të shumta zbavitëse.

Edhe emri Gjergj (Kastrioti Skënderbeu) iu vendos Heroit tonë Kombëtar, pasi mendohet se ai lindi në Ditën e Shën Gjergjit, më 6 maj 1405.

FESTA E SHËNGJERGJIT TE SHQIPTARËT

Shëngjergji është një nga festat që ka më shumë afërsi me Ditën e Verës. Ndofta ngjashmëria është për shkak se të dyja festat janë ose përkojnë me stinën e pranverës dhe kanë në themel të tyre ringjalljen e natyrës, të jetës dhe punëve bujqësore. Lidhur me këtë prof. Eqerem Çabej do të shkruante: “Një ditë e kremte pranverore është, pas mendimit tim, edhe dita e Shëngjergjit,… e cila ka hyrë në të gjitha besimet Shqiptare dhe që kremtohet prej të gjithve pa përjashtim”. Në disa fshatra të Rekës e të Gostivarit dita para ditës së Shëngjergjit quhej “Dita e Luleve”, ose “Dita e Virgjilit”. Ajo është një festë shumë e ngjashme me Ditën e Verës. Sipas studiueses Edibe Selimi–Osmani (Tetovë), e cila ka studiuar festat pagane në disa fshatra shqiptare të Tetovës (Pollogut), ka shkruar se edhe disa prej riteve të Ditës së Luleve janë rite pagane dhe janë simotra me ritet e Ditës së Verës. Në Ditën e Luleve, shkruan E. Selimi-Osmani, nuk lejohet puna e dorës, si thurja apo qepja me gjilpërë, pasi “sipas paragjykimeve, kështu gratë nuk ka rrezik t’i hanë gjarpërinjtë”. Në atë ditë, shkruan studiuesja Selimi-Osmani, “të rinjtë e të rejat tubohen në vende të caktuara. Në fshatrat e Pollogut të rinjtë dhe të rejat me këngë e def, tubohen Ditën e Luleve dhe thurin kurora lulesh, thyejnë degë thanash, shelgu e degë të tjera të gjelbëruara me të cilat stolisin shtëpitë, ahuret, dyert e dhomave, shtëpitë e zjarrit etj. Rrugës për në vendin e caktuar këndojnë: “Lum ne të lumët, / xhi na erdh Shinxherxhi, / ka zbilue mali, / ka çelun xhethi”, ose “Do shkojna për lule nëpër ara / që t’i mbushim krejet me kolara”. Në qytetet e Gostivarit dhe Tetovës, si dhe në disa fshatra rreth tyre, shkruan Selimi-Osmani, zhvillohej ceremonia e larjes së fëmijëve në ditën e Shëngjergjit, pasi besohej se fëmijët që laheshin në atë ditë do të siguronin shendet të plotë gjatë gjithë vitit. Ashtu si në Ditën e Verës, në këto treva fëmijëve u japin si dhuratë vezë të ziera të ngjyrosura, kurse vajzat e reja stolisin dyert e shtëpive me lule dhe gjelbërime të ndryshme.

Në disa fshatra shqiptare të Tetovës Perëndimore, në Ditën e Shëngjergjit nuk punohej me parmendë. Në një Simpozium të mbajtur në Shkup në vitin 1991, me titull “Shqiptarët e Tetovës”, prof. dr. Spiro Shkurti do të referonte në kumtesën e tij, për karakterin bujqësor e blegtoral të kësaj feste.

Në Kosovë Dita e Shengjergjit kremtohet zakonisht më 6 maj, e cila përkon me kohën e mbjelljeve të bimëve pranverore, si të patates, misrit, fasules etj. Kremtimi fillonte herët në mëngjes, ku të rinjtë ndezin zjarre dhe vendosin shelgje nëpër ara. Edhe vajzat dalin herët në mëngjes dhe afrohen pranë një burimi uji dhe presin majat e flokëve, me dëshirën që floku i tyre të jetë i butë dhe të rritet si rrjedhja e ujit. Gjatë prerjes së flokëve, vajzat këndojnë: “Sallanxhak-sixhimi,/ këtu e te xhamia,/ aq mu rritshin flok’t e mia;/ Sallanxhak-sixhimi,/ këtu e të mejtepi,/ aq m’u rrit’ mua gërsheti…”. Në Brod të Gorës dhe në Shajne të Opojës, në Ditën e Shëngjergjit, bëhet tubimi i të rinjve, djem e vajza, në një vend tradicional. Këtu bëhen njohjet e të rinjve mes njëri-tjetrit dhe ka raste kur të rinjtë lidhin fejesa mes tyre.

Si përfundim mund të themi se Dita e Shëngjergjit është një festë me rite gati tërësisht pagane, e cila vetëm emrin e festës ka të ruajtur si të krishterë, ndërsa në brendësinë e saj ajo ka elemente të ritualit e të karakterit pagan. Siç e pamë, Dita e Shën Gjergjit në origjinën e saj ka pasur të bëjë me kultin e pjellorisë e të prodhimtarisë bujqësore, gjë që e afron me Ditën e Verës. Në Ditën e Shëngjergjit Shqiptarët zhvillonin rite të ndryshme pagane me gjarpërinj, ku, ashtu si në Ditën e Verës, ndizeshin zjarre nëpër male e kodra dhe banorët dilnin masivisht në mal për pelegrinazh.

SHNJERGJI (SHËN GJERGJI) – FESTA E BLEGTORËVE NË FSHATIN POLIS TË LIBRAZHDIT

Blegtoria ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të polisarëve. Çdo shtëpi polisare kishte tufën e saj të bagëtive dhe disa nga pjestarët e familjes, zakonisht burrat, i kushtoheshin ruajtjes së bagëtive dhe punimit të bulmetit. Jeta baritore ishte e organizuar me stane, që ishin formuar nga bashkimi i disa tufave të disa familjeve, të cilat, për rreth tre muajt e verës i kullosnin bagëtitë dhe përgatisnin bulmetin së bashku.

Gjatë periudhës së ftohtë të dimrit, barinjtë e Polisit i shtegtonin bagëtitë e tyre në fusha, në kullota dimërore, të cilat i quanin merà, të cilat i kishin në fushat e Elbasanit dhe në fushat e Myzeqesë, si në fshatrat Çermë, Dushk, Gramsh, Zhanë etj. e deri në Myzeqenë e Fierit. Nisja e bagëtive nëpër fusha niste bëhëj në Shndre (Shën Andrea), sapo fillonte bora e parë, rreth datës 15 nëntor. Para nisjes organizohej një festë e madhe popullore, me këngë e valle, në të cilat merrnoin pjesë të gjithë banorët, i madh e i vogël. Udhëtimi ishte i gjatë. Një familje mund ta bënte rrugën për 7 ditë. Ditën e parë ishte nisja dhe më 16 nëntor tufa mbërrinte në Shushicë, në vendin e quajtur Teftericë. Në ditën e dytë (datë 17 nëntor) tufa shkonte në Vidhas. Ditën e tretë (më 18 nëntor) mbërrinte në Papërr. Ditën e katërt tufa ishte në Peqin (më 19 nëntor). Ditën e pestë (më 20 nëntor) tufa shkonte në Bishtin e Zhurit, në Rrogozhinë. Ditën e gjashtë mbërrinte në Lekaj (më 21 nëntor) dhe ditën e shtatë, më 22 nëntor, tufa mbërrinte në Luzin e Vogël të Kavajës, ku ishin meratë.

Kthimi i bagëtive bëhej rreth mesit të prillit, në Shnjergj (Shën Gjergj), në datat 14-15-16 prill. Me këtë rast organizoheshin festa popullore. Festa të tilla ishin bërë edhe para nisjes për dimërim, por ato të kthimit ishin më të hareshme e më zbavitëse. Para se të ngjiteshin në mal, do të bëhej bashkimi i tufave dhe më pas fillonte nisja e tyre në stane. Përcjellja e tufave bëhej nga i gjithë fshati, me burra, gra dhe fëmijë, duke e kthyer atë ditë në një festë të madhe. Periudha e staneve zgjaste rreth dy muaj e tri javë.

Shënim: Datat janë dhënë sipas kalendarit të vjetër Julian (allaturka).

See insights and ads

Boost post

All reactions:

66

Filed Under: Fejton

TABLOJA NAIMJANE PËR NJË EPOKË TË LAVDISHME DHE NJË HERO KOMBËTAR

May 5, 2025 by s p

Kosta Nake/

Sipas parathënies së Prof. Rexhep Qoses për Veprën e Naimit, botuar në vitin 1978 në Prishtinë në katër vëllime, “Historia e Skënderbeut” shënon kulmin e përpjekjeve të vetëdijës patriotike të Naimit, ajo të mahnit nga patriotizmi dhe trimëria e burrave shqiptarë, nga qëndresa e një populli të vogël para një armiku të madh, është apoteozë e trimërisë, e nderit, e burrnisë, e krenarisë, apoteozë e lirisë dhe pavarësisë.

Sipas parathënies së Prof. Dhimitër Shuteriqit për Veprën e Naimit në dy vëllime, botuar në Tiranë në vitin 1980, “Historia e Skënderbeut” kishte si qëllim të ritregonte historinë e heroit kombëtar siç njihej nga Barleti, por në gjuhën shqipe. Ajo është poemë kushtruese, thesar i shqipes së shkruar, libri i shenjtë i shqiptarëve.

Portretizimi i Skënderbeut

Në këtë poemë epiko-lirike të përmasave të mëdha, portretizimi i heroit kombëtar është një ndërmarrje që fillon nga vargjet e para dhe vazhdon gjatë gjithë veprës duke kapur të dyja përmasat e figurës së tij: paraqitja fizike dhe vlerat njerëzore që e ngritën në piedestalin e heroit tonë kombëtar, ndërtuar sipas idealit të vet romantik dhe idealeve të humanizmit europian.

Fizikisht Skënderbeu ishte i gjallë, i gjatë, shpatullgjerë, i bardhë e faqezjarrtë, i lehtë e shtatmirë, jetëgjatë, kishte hijen e Perëndisë, fytyrën e kish të mirë, zërin të ëmbël si mjaltë, i hijshëm dhe i bukur, vetëtinte si dielli, posi yll i qeshur, i bukur si fajkua dhe si pallua, ndrinte posi hëna e plotë.

Përmasat e vlerave kapin një rrafsh më të gjerë njerëzor dhe fisnik: kordhëtar i vërtetë, engjëll i uruar i qiellit, trim si dragua, trim me fletë, shpirt i ndritshëm, e kishte zemrën plot mëshirë, vetëdijën të naltë, kishte mënt shumë e urtësi, në zemër kishte mirësitë, ndër mendje diturinë, në shpirt të madh e dritë, ishte së gjithash i zoti, dinte mirë të luftonte, kishte fuqi shumë, në çdo punë e çquan mirë mirësinë e ligësinë.

Karakterizimet nganjëherë i mbulojnë të dyja kuptimet njëherësh: i math, zot i naltë. Kur bën krahasimin mes vëllezërve, poeti nënvizon: “vij nga gjithë m’i çquar,/pej fytyre e pej mënyre” dhe rritet: “Kish shpirt e zemër e ndjenjë,/edhe mënt e njoh, e hije,/shtat edhe sjell’ e rrëfenjë,/dhe fuqi pej Perëndie” (f. 36) dhe kulmon: “s’kish shok mbi faqe të dheut.” (f. 44) Ka dhe aureolën e praruar fetare: “Hije e Perëndisë, dritë e Zotit, fill i arit.” (f. 297) Skënderbeu çmohej prej sulltanit që kur ishte ende në oborrin e tij, ndërsa sulltan Mehmeti, kur i ofron miqësi, e quan “mbret i mir’ e pa të metë,/trim i urt’ e i lëvduar” (f. 250); papa, pas ndihmës që i dha Ferdinanit, e quajti “mbret i gjithë njerëzisë.” (f. 232)

Më se një herë Naimi flet për ndarjen e armëve dhe plaçkën e luftës që i kapeshin armikut, pa mbajtur asgjë për vete. Më se një herë poeti tregon shpirtmadhësinë e Skënderbeut që jo vetëm u fal jetën tradhëtarëve si Andreu dhe Boklathani brenda radhëve, Moisiut dhe Hamzait që i fali dhe i riktheu në pozitat komanduese, ngushëllimin e Perllatit pas rënies së Sfetigradit, por edhe tregon respekt në trajtimin e robërve që nga komandantët ushtarakë të Turqisë deri te luftëtari i thjeshtë.

“Vallë ëngjëllë të jetë

me këtë zëmrë të mirë,

apo Zoti i vërtetë

i fali kaqe mëshirë?” (f.110)

Shumë domethënëse është fjala e Skënderbeut drejtuar Muzakës për fatin e komandantit turk, Myhtarit, të kapur rob:

“Merr kuaj,/ armë, florinj, sa të duash…/ edhe të tjera ç’të duash,/ po këtë ma lerë mua/ se dua t”i fal lirinë,/ka lënë mëmëz e grua,/më vjen keq t’i mbyll shtëpinë.” (f. 199)

Ky shpirt humanist i heroit shpaloset edhe në këshillat që u jep ushtarëve që kishte në varësi: “… të mos bëhi egërsirë,…gra e foshnjat t’i mburoni/ dhe pleqet t’u bëni nderë,/të falurit t’i lëshoni…” (f.45) Kjo sjellje ka shpërblesën e vet reciproke “ushtëtarët shum’ e duan.”

Në hapësirën kohore të ndërprerjes së luftës, Skënderbeu shfaqet si shtetar që udhëtonte në pjesë të ndryshme të mbretërisë “dha mësime urtësije… edhe gjyqet i pa vetë, s’la punë të papëlqyer a mëri gjëkund të mbahej,” (f.174) kujdesej edhe për punimet mbrojtëse në fortesat e dëmtuara. Organizimi i dasmës e shpërfaq Skënderbeut si prijës popullor:

“… e donin shumë mbrenë

vegjëlija dhe të parët

Mbreti bashkë me ta rrinte,

dhe vetë me ta kërcente.” (f.177)

Naimi nuk ishte historian, ai ishte poet, prandaj në poemë qëllimisht ka futur elementë të shumtë mitikë e legjendarë në portretizimin e Skënderbeut për t’u thënë bashkëkohësve se historia e lavdishme e së kaluarës mund të përsëritet, ata janë të bekuar nga Perëndia dhe kanë një mision të çmuar historik në Europë:

“Engjëll! xbrit e lëvdo mbrenë,

q’i dha aq nder Shqipërisë

trimin e madh të Perëndisë.” (f. 213)

Kur lindi Skënderbeu, në krahun e djathtë kishte një shenjë si shpatë. Pas një fitoreje mbi turqit dhe faljen e robërve, Skënderbeut iu shfaq e Bukura e Dheut, e uroi dhe mori pyllin. Pas dasmës, Skënderbeut i shfaqet engjëlli i urtësisë dhe zhvillohet një bisedë mes tyre, madje engjëlli e mori mbretin për dore dhe ky është çasti i përshtatshëm për të ritheksuar se njeriu duhet të lërë pas vetes një emër të mirë, të nderuar. Njëqind burra ta zinin nuk e vinin dot poshtë. E mposhti në duel tatarin nga Azija që ishte i madh sa dy buaj dhe kishte fuqi sa katër kuaj. Mposhti njëkohësisht dy vëllezërit persë, Jahja dhe Mustafai. Në një ditë preu tre a katër mijë armiq. Armët e tij nuk i ngrinin dot katër a pesë burra të fortë, ishte rrufe ajo, s’ishte shpatë. Kur i hipi kalit u trëndit dheu, kur shkrefëtiti kali u tund fusha e mali. Kali ishte i madh, i harbuar dhe i lartë si mali. E ndau me shpatë në dy copa gjer e gjatë Jakup pashën.

“Kalënë dhe luftëtarë,

siç ishin veshur në hekur,

si pjeprin duke çarë,

të dy i shtinte të vdekur!” (f. 291)

Po elementët legjendarë shpesh i afrohen reales si te rasti i arapit i cili i kërkoi sullanit t’i sillnin shpatën e Skënderbeut dhe ai do ta mposhtte duke i bërë magji, po heroi ua dha të dërguarve dhe u tha: “… nuk është shpata që bën luftën, është dora dhe zemra.” (f. 290) Përmasat legjendare të heroit i përforcon edhe armiku: “…nuk e zë as plump as shpatë,/as thik’ as usht’ as shigjetë.” (f. 244)

Edhe natyra bëhet pjesëmarrëse e skenave legjendare:

Karaxha plaku shpëtoi nga disfata se “… erdh’ e u ndihu reja… tri dit e tri net po binte, shi i shumë e i paprerë.”

Stilistikisht përmasat legjendare jepen përmes përdorimit të hiperbolave, veçanërisht në fushat e përgjakura të betejave:

“…ishte derdhur gjak i shumë,/ sa ishte bërë si lumë”, “u bënë stavë të vrarët/gjaku rrithte si rrëketë”, “gjaku më gjut kish arritur”, “gjaknë e bënte kënetë”, “…u bë gjaku si deti,/ me mijëra ishin vrarë.”

Vdekja e Skënderbeut merr nota elegjiake:

“Ti je një si Perëndija,/ më s’vjen si ti tjatrë burrë” (f. 298)

“Qajo, moj Shqipëri, qaje,/ atë njerin’ e vërtetë!” (f. 310)

Kurse mbyllja e poemës është jo vetëm shpresëdhënëse, por edhe largpamëse: “Skënderbeu ësht’ i gjallë,/rron e mbretëron për jetë.” (f. 323)

Historia e Skënderbeut është një histori e lavdishme betejash të pabarabarta për të mbrojtur lirinë dhe identitetin, duke shtyrë vazhdimit dimrin e pushtimit e robërisë. Po brenda atyre viteve sakrificash të panumurta, kishte edhe ditë plot dritë e gëzim, siç ishte dasma e Skënderbeut. Thuhet se nusja e tij ishte bija e Aranitit, nuk i përmendet asnjëherë emri, por jepet portreti i saj:

“… pa ish e bukur shumë,

mos s’kish fytyrën dhe shtanë,

a punën e bukurinë,

a mendjen e urtësinë… (176)

“…vetëtinte posi hëna,

kish leshra pej floriri,

trupin pej argjendi,

vetullatë hark i kishte,

qepallat shigjetë,

ish bardhush e symëshqerrë,

faq’ e gush’ e llër’ e dorë

dhe tërë shtatn’ të artë

e kraharor e kish dëborë,

vështrimin të zjarrtë.” (f. 178)

Me rastin e Donika Kastriotit është çasti të thuhet se nuk përmendet asnjëherë emri Gjergj Kastrioti, as i nënës së tij, as i vëllezërve, as i djalit të tij. Kurse një nga motrat që ne e njohim si Zoica, Naimi e quan Manushe. (f. 203)

Në antitezë me heroin tonë qëndron figura e sulltanit. Fillimisht portretizimin e sulltan Muratit e bën mbretëresha Kastrioti: “… dashuri s’ka për fëmijë…/ është prishës e shkretonjës,/është kafsh’ e egërsirë,/është vrasës e mundonjës,/shpirterrët e zemrëkëllirë.” (f. 26) Plotësimin e bën poeti: “Vraje! Vare!/ këto dy fjalë dij mbreti”. Pastaj portretizimi i sulltan Mehmetit kalon nëpër gojën e shtrigave: “Lufta, gjaku, vrasj’ e shkretë,/ gjëma, vdekja, ligësija,/ edhe tërë dhelpërija,/s’të bënë punë në jetë./ S’të ndihu ligësija,/e të gjitha shtrigëritë/ dhe djalli e djallëzia,/tani të prumë magjitë!” (f. 289)

Kurse e vërteta e godet pa mëshirë: “O errësirë!/ të ligat s’i mbarove?/ lakmimit mblidhja frenë,/ se teproj ligësia.” (f. 293)

Trimat e Shqipërisë dhe betejat e tyre:

Roli i Skënderbeut në qëndresën ndaj pushtuesve turq ishte vendimtar, pjekuria e tij në krijimin e aleancave ushtarake ishte prej mjeshtri të madh, taktikat e mbrojtjes dhe të sulmit ishin të një strategu të pashoq, por lufta e Skënderbeut dhe betejat e shumta të tij kërkonin edhe bashkëluftëtarë dhe bashkëpunëtorë të shumtë dhe të përhershëm, prandaj poema është edhe një pasqyrë e princëve dhe trimave shqiptarë që iu bashkuan Skënderbeut dhe e paguan lirinë edhe me çmimin e gjakut të tyre. Është një galeri e pasur kapedanësh historikë dhe të trilluar që fillon me paqen e Gjon Kastriotit me çmimin e rëndë të dhënies peng të djemve, për të vazhduar me Skënderbeun dhe pasuar edhe pas vdekjen së heroit. Përmenden dyzet emra luftëtarësh dhe për disa prej tyresh ka dhe penelata të shpejta portretizimesh:

Shumë i njohur është portreti i Kamanit, bashkëluftëtarit imagjinar të Gjon Kastriotit: “… i holl’ ish e pak i gjatë,/nuk kish shumë mustaqe,/ vij i zeshk e i thatë,/e s’kish fare mish mbi faqe;/ kishte gjithë urtësinë,/ me një zë të ëmblë fliste,/fjal’ e tij e bind njerinë,/dhe gjuha hekur i priste.” (f.15)

Araniti nga Vlora: fjalëmbël, zëbukur, mëndjegjerë, i hijshëm, i bukur, mëndjeshumti; Maneshi shpatullgjerë nga Berati, Moisi Dibrani, mjekërzi, trim me pallë, trim i vërtetë përmbi gjithë luftëtarët; Perllati nga Mati, kraharorgjeri, leshragjati, burrë i math, i trashë, i gjatë, burri trim; Muzaka, trim i vërtetë, që ra i vdekur me dyzet e tetë plagë, Tanush Topia syzi e këmishëzi, trim i lëvduar, kordhëlarë; Urani, kont i Matit, bukurosh, lule e trimërisë, s’i trembej kurrë syri.

Tetë prej këtyre trimave ranë në pritë nga ushtria e Ballabanit: Engjëll Muzaka, Blladini, Perllati, Maneshi, Nikë Breshi, Hukoja, Muzhakë Tini, tre të fundit u zunë të gjallë dhe u ekzekutuan barbarisht me urdhër të sulltanit.

Me siguri, i ndikuar nga libri i Marin Barletit, që në poemë përfaqësohet nga Bardhuli, edhe pse nuk përmend asnjë vit, Naimi numëron të gjitha fushatat luftarake të Turqisë për nënshtrimin e Shqipërisë, jep numrin e forcave të agresorëve dhe mbrojtësve, fushat e betejave në Dibër, Sfetigrad, Mat, Krujë, Durrës, Tiranë, Ysqyp, Belgrad, jep pasqyrë të skenave të luftës dhe humbjet nga të dy palët, madje edhe numrin e të plagosurve. Tablove të përgjithshme të betejave u shtohen detaje me duele ose bisedime, si dueli i turkut trim Karakush me Maneshin shqiptar, Sfetigardi dhe mbrojtja e tij, hedhja e qenit në pus që shkaktoi hyrjen pa luftë në kështjellë. Si refren, poeti do t’u ngulë në mendje të gjithëve:

“Shqipëtarë trim e burrë,

në xgjedhë nuk e ka vënë

njeri, dhe s’e vë dot kurrë…” (f. 98)

“Po të jemi të bashkuar,

kurrë s’pëson Shqipërija.” (f.100)

Interesant është qëndrimi tolerant i poetit ndaj Ballaban pashës, për shkak të origjinës së tij shqiptare, edhe pse u vu në shërbim të Turqisë dhe ndërmori pesë fushata ushtarake për ta nënshtruar Shqipërinë.

“Ballaban pasha ish burrë,

nuk kishte fis barbari…

…kish mall për mëmëdhenë,

…e donte dhe Skënderbenë,

miqësi duke rrëfyer

pshehtazi sulltan Mehmetit.” (f. 256 -57)

Vështrimi i herëpashershëm i gjendjes së Europës, i lëkundjeve të qëndrimeve dhe aleancave dhe diplomacia e Skënderbeut në raportet me të, tregon se poeti ka patur informacion të mjaftueshëm për të bërë analiza dhe për të nxjerrë përfundime.

“Evrop’ e shkret’ atëherë

ishte për djall e për lumë,

pritte Ruson’ e Volterë,

ta xgjuanin ng’ajy gjumë.” (f. 50)

“…e kish mbytur e padija,

ish ndarë në mijë copë.” (f. 252)

Aleanca europiane përballë rrezikut të pushtimit turk arriti të bëjë bashkë Papa Pio II, papë Evjenua, Hynjadhi, Filipi i Burgondisë, Vlladislla, kardinal Flloransa. Aleat i përhershëm, mik për kokë dhe vëllamë, mbeti Alfonsi, aleate e paqëndrueshme ishte Venetia. Skënderbeu u prish me Turqinë e Sërbinë, nuk kishte marrëdhënie miqësore me Luinin XI të Francës dhe Frederikun III të Gjermanisë, po nuk donte të prishej me Venetinë. Duke ruajtur miqësinë me Ferdinanë italian, iu shmang kurtheve të Pikininos francez. Vlladislla dhe Hynjadhi i bënë vizitë Skënderbeut që u kthye fitimtar në Krujë dhe qëndruan tetë ditë si mysafirë. Skënderbeu qëndroi në Itali dhjetë muaj e tri ditë në mbështetje të mbretit të ri Ferdinan.

Duke kaluar përtej epokës së Skënderbeut, Naimi ka theksuar edhe ndihmesën që kanë dhënë shqiptarët për të tjerët duke filluar me Turqinë e Greqinë dhe më tej me Italinë dhe Egjiptin.

“Të mos ishte Shqipërija,

gjith’ Evropën e verbuar

e kishte marrë Tyrqija.” (f. 213)

Kënga XII (f.180)

Ashtu si gjatë dollive në dasma e gëzime bëhet një ndalesë për t’i pasuruar urimet me këngë, edhe në këtë poemë Naimi befas ndryshon këndin e vështrimit të ngjarjeve dhe figurave historike duke e ngarkuar me kategori estetike dhe filozofike. Fillimisht ndalet te çifti i porsamartuar dhe kjo është pikënisja për të shtjelluar kategorinë estetike të së bukurës duke e parë atë si burim të mirësisë. Pastaj kalon në rrafshin filozofik kur engjëlli i urtësisë e merr Skënderbeun për dore dhe i tregon lumenjtë e marrëzisë dhe ligësisë, një shembëlltyrë tokësore e Virgjilit dhe Dantes në Purgator, e varkëtarit Karont dhe lumenjve të Hadit.

Parajsa është Shqipëria e idealizuar, shtrati i kategorive estetike pozitive: bukuria, e vërteta, mirësia, dashuria, urtësia, miqësia, shpëtimi, vëllazëria, gëzimi, dituria. Shqipëria është mishërim i kategorive filozofike, si: trimëria, sedra, nderi, turpi, fati, gazi, prehja, mbarësia, durimi, paqja, lirija, vetëdija, mëshira, dhembja, dhënia, ndjesa, besa, dëshira, shpresa, njohja, hiri, kuptimi, shpirtmadhësia, butësia, qetësia, dëgjimi.

Skëterra është Turqia pushtuese dhe vasalët e saj, antiteza e parajsës dhe bartëse e kategorive estetike negative: ligësia, djallëzia, makutëria, lakmia, babëzia, dëmi, vjedhja, kallëzimi, zënia, sharja, vrasja, prerja, ngrënia, rrahja, zemërimi, gënjeshtra, prishja, ndezja, brenga, nëma, mallkimi, thashethemet, mynxyra, shtrigëria, mëria, pabesia, paudhësia, nakari.

Me këtë këngë Naimi tregon vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e vet në pikëpamjet për botën dhe shoqërinë njerëzore. Poema, edhe pse e përmasave të mëdha, lexohet shpejt dhe me ëndje sepse ka një gjuhë të bukur, një rrëfim të rrjedhshëm, plot skena të gjalla të natyrës e cila duket sikur ndryshon paralelisht me rrjedhën e ngjarjeve, po dhe skena të betejave që kanë diçka nga fryma homerike si te qëndresa para ushtrisë së prirë nga vetë sulltan Murati (f.147-152). Ja dhe një detaj për moshën e Skënderbeut dhëndër:

“Nga lindja e Skënderbeut

gjer ditën që u martua,

rreth djellit lëmsh’ i dheut

dyzet her’ u rrotullua.” (f.179)

Në mbyllje do të sjell sërish vlerësimet e Prof. Rexhep Qoses: Skënderbeu është mishërim i të gjitha virtyteve që mund të sintetizojë një prijës dhe burrë shteti. Naimi e ngriti Skënderbeun në nivelin e simbolit kombëtar të luftës për liri e pavarësi, mit kolektiv i popullit shqiptar. Askush në letërsinë shqipe nuk pati shkruar një himn të tillë trimërisë, madhështisë historike të popullit të vet në një periudhë tragjike, askush para tij nuk e kishte ngritur aq lart Skënderbeun, jo si hero vetmitar kalorsiak por si prijës popullor.

Filed Under: Interviste

Mashtrimet telefonike…

May 5, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Nëse keni marrë një mesazh që duket i pafajshëm nga një numër që nuk e njihni, në të vërtetë nuk është i pafajshëm. Ka të ngjarë të jetë fillimi i një skeme mashtrimi me “numër telefoni të gabuar”, i cili po përdoret gjithnjë e më shumë për të vjedhur para dhe informacione nga viktimat. Personalisht, mua më janë dërguar variante të kësaj teme: “Përshëndetje! Shpresoj se keni pasur një ditë të mirë.” “A jeni në gjendje të punoni?” dhe thjesht “Përshëndetje”. Kjo ndodh ne Celular por edhe ne aplikacione si Ëhat’s up.

Hulumtimet nga firma e sigurisë McAfee, të raportuara nga CNBC, tregojnë se rreth 25% e amerikanëve kanë marrë mesazhe me numra të gabuar. Por ky nuk është i vetmi mashtrim i përhapur me mesazhe me tekst që qarkullon aktualisht.

Skemat e papaguara të taksave dhe tarifave të parkimit të papaguara janë përpjekje phishing që mund të duken të ligjshme në shikim të parë, por në fund të fundit ju bëjnë të dorëzoni informacionin e kartës suaj të kreditit te hajdutët. Por dhe e-mailet nga kompani dërgimesh si Amazon, Walmart, Temu apo Paypal, që kërkojnë në e-mail të konfirmoni marrjen e objektit, janë përpjekje për phishing. Si rregull kontrolloni e-mailin nga ju ka ardhur adresa nga vijnë duket si e parregullt si . Bllokoni atë e-mail adress dhe çojeni ne spam, dhe fshijeni e-mailin dhe bllokojeni adresën. Sipas Komisionit Federal të Tregtisë, konsumatorët humbën 470 milionë dollarë nga mashtrimet me mesazhe teksti në vitin 2024, një rritje pesëfish krahasuar me vitin 2020.

Si funksionon mashtrimi me numrin e gabuar

Mashtrimi me mesazhe teksti me numrin e gabuar fillon me një mesazh të rastësishëm dhe në dukje të padëmshëm nga një numër i panjohur, objektivi i parë i të cilit është të shkaktojë një përgjigje dhe të konfirmojë që numri juaj i telefonit është aktiv.

Përdorni këtë truk, hapeni telefonatën që thotë scam dhe mos ju përgjigjeni numrit që thotë scam, do të shihni se telefonata do të ndërpritet. Shpesh këto telefonata janë bërë nga një zë me AI, që të transferon tek një numër me një person real. Pas kësaj, mashtruesit përpiqen të ndërtojnë një marrëdhënie (shpesh romantike) dhe të fitojnë besimin tuaj gjatë ditëve dhe muajve duke shfrytëzuar vetminë dhe dëshirën për lidhje. Kjo mund të shndërrohet në një të ashtuquajtur mashtrim “kasaphanë derrash”, me mashtrues që kërkojnë investime ose ju bindin të dorëzoni kursimet e pensionit, një mashtrim i gjatë që potencialisht vjen me një pagë të madhe. Por edhe nëse viktimat nuk përfundojnë duke dërguar para, çdo informacion që ata japin (edhe nëse është i padëmshëm) mund të përdoret ose shitet në rrjetin e errët.

IA e ka mundësuar këtë mashtrim në disa mënyra: Mund të ndihmojë në përshtatjen e mesazheve më të besueshme sipas kodit të zonës, si dhe të mbledhë profile në mediat sociale për të identifikuar objektiva të mundshëm dhe për të gjetur numrat e tyre të telefonit, duke e bërë më efikas për mashtruesit. Gjithashtu mund të mbledhë informacion të mjaftueshëm që mashtruesit të fitojnë akses në llogaritë e mediave sociale, t’i bllokojnë ato dhe të kërkojnë shpërblim nga ju.

Çfarë të bëni nëse merrni një mesazh të panjohur

Nëse merrni një mesazh nga një numër që nuk e njihni, apo qe thotë Scam mos u përgjigjeni, pasi kjo vërteton numrin tuaj të telefonit. Edhe nëse nuk angazhoheni më në këtë shkëmbim, mund të bëheni përsëri shënjestër në të ardhmen (dhe nga numra të ndryshëm të panjohur).

Gjithashtu, nuk keni nevojë të përpiqeni të zbuloni se kush janë ata ose nëse i njihni – nëse dikush ka nevojë t’ju kontaktojë, ka të ngjarë të vazhdojë me mesazhe ose thirrje të shumta përtej një “Hej, si jeni?” Kaq.

Dhe si me çdo mashtrim, kini kujdes nga komunikimi që provokon një përgjigje emocionale ose një ndjenjë urgjence.

Çfarë mendoni që duhet të bëni?

Duhet të shënoni mesazhet me numër të gabuar si spam në aplikacionin tuaj të mesazheve. Në Mesazhe në iOS, prekni lidhjen Raporto të Padëshiruar që shfaqet në fund të mesazheve nga dërgues të panjohur, pastaj shtypni Fshij > Raporto të Padëshiruar. Nëse nuk e keni hapur ende mesazhin, gjithashtu mund të rrëshqitni majtas dhe të prekni ikonën e Koshit të Plehrave > Fshij dhe Raporto të Padëshiruar.

(Vini re se nuk mund të raportoni një mesazh nëse i jeni përgjigjur, gjë që është një arsye tjetër për të mos e bërë këtë.)

Në Android, mund të bllokoni dhe raportoni bisedat në Google Messages: shtypni dhe mbani shtypur, pastaj shtypni Blloko > Raporto spam > Në rregull.

Nëse e keni hapur tashmë bisedën, shtypni

Më shumë opsione > Detaje > Blloko dhe raporto spam > Në rregull.

Gjithashtu mund të përcillni mesazhet spam në numrin e tel 7726, gjë që i ndihmon kompanitë e celularëve të identifikojnë dhe bllokojnë mashtruesit.

Filed Under: Ekonomi

𝟓 𝐌𝐚𝐣𝐢, 𝐃𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐃𝐞̈𝐬𝐡𝐦𝐨𝐫𝐞̈𝐯𝐞

May 5, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Shumë gjak është derdhur e sakrifica të pafundme njerëzore janë kryer për të siguruar lirinë që gëzojmë sot!

Nderim dhe respekt të thellë për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët që dhuruan jetën e tyre për lirinë dhe mbrojtjen e integritetit njerëzor!

Sot, ne kemi një flamur të cilin e valëvitim lirisht, një gjuhë që e flasim pa robëri, mendojmë e jetojmë pa kafaze pushtimi, e fluturojmë lart me imagjinatë e ëndrra pa frikë, diktat e censurë, falë atyre që e paguan me gjak, përmes penës, pushkës, besimit dhe ideve, këtë privilegj që bartim sot.

Detyra dhe përgjegjësia jonë është të mos harrojmë, e mbi të gjitha TË DIMË. Të kemi njohuri për domethënien e sakrificës sublime të heronjve tanë pasi mos-dija i zhbën jetët e rëna.

Ndaj mësues edukojini fëmijët siç duhet mbi çmimin e lirisë të paguar prej të parëve. Profesorë frymëzojini studentët ta çojnë më tej stafetën e paqes dhe harmonisë. Prindër ushqejini fëmijët me dashuri për jetën dhe respektimin e të drejtave njerëzore. Politikanë silluni si patriotë e shtetarë duke e dashur popullin dhe atdheun. Intelektualë investoni në ngritjen e urave të bashkëpunimit dhe rrëzimin e mureve të ndasive. Bashkëatdhetarët e mi shqiptarë e bashkëqytetarët e mi të botës, jini vigjilent e qëndroni zgjuar në mbrojtje të lirive të njeriut, sepse, siç na mëson historia, mjafton një dremitje e vogël që t’i humbasim menjëherë liritë dhe vlerat që na bëjnë të jemi qenie njerëzore.

Dëshmorët e djeshëm janë ata që sakrifikuan jetën për lirinë tonë, heronjtë e sotëm janê ata që punojnë, mendojnê e kontribuojnë në mbrojtjen e kësaj lirie.

Nderim përjetë dëshmorëve të lirisë 🇦🇱

Filed Under: ESSE

KRYQTARI I FUNDIT – GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU

May 4, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Është gjithmonë kënaqësi të takohemi këtu në sallën “Nenë Tereza” dhe të përshëndes Dom Pjetrin – i cili si gjithmonë ashtu edhe sot i mban dyert e Kishës Zoja e Shkodrës hapur për të gjithë ne – pa dallim feje e krahine – në traditën më të mirë të klerikëve të mëdhej të Kombit Shqiptar, në shërbim të të gjithë shqiptarëve, duke shtyr përpara veprimtaritë kombëtare e fetare me moton “Për Fe, Atdhe e Përparim”. Falë Dom Pjetrit, në këtë kishë e në këtë qendër të Nenë Terezës, ashtu si sot, të gjithë shqiptarët pa dallim, këtu, gjithmonë kemi gjetur identitetin tonë të përbashkët fetar e kombëtar – ashtu siç na do Gjergj Kastrioti -Skenderbe dhe Nenë Tereza.

Falënderoj gjithashtu Federatën Pan-Shqiptare Vatra për bashkpunimin me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në promovimin e librit “Kryqtari i Fundit…”. Ju falnderoj për ftesën.

Zonja të nderueshme e Zotëri të ndershëm –

Përshëndetjet e mia të gjithë të pranishëmve – urime autorit të librit: “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – KRYQTARI I FUNDIT”, Z. Virgjil Kule për këtë vepër të rëndësishme historiko-diplomatike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Unë nuk jam historian, por kam nderin të jem këtu midis jush, të ndaj me ju disa fjalë — në lidhje me rëndësinë e këtij botimi voluminoz të Z. Kule – më shumë nga këndveshtrimi i një gazetari. Si i tillë, e konsideroj këtë promovim një ngjarje me rëndësi bashkohore, mediatike, jo vetëm këtu në Nju Jork, në Amerikën e largët, në Qëndrën e Nënë Terezës të Kisha Katolike Shqiptare – por edhe një ngjarje interesi historik për botën shqiptare në përgjithësi — përtej kësaj hapësire — m’atë anë të Atlantikut.

Në këtë promovim të veprës së tij, Z. Virgjil Kule — na bashkon këtu në frymën më kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe veprimtarinë e tij epike djplomatiko-ushtarake, të përgjithmonshmin e Kombit shqiptar – Gjergj Kastriotin-Skënderbe. Këtu para bustit të tij në këtë sallë që, njëherazi, mban edhe emrin e Shën Nënë Terezës, ndërsa disa metra prej këtu qëndron monumenti madhështor i Heroit Kombëtar, në oborrin e Kishës Zoja e Shkodrës.

Por siç ka thënë edhe Aleksandër, Kryepeshkopi orthodoks shqiptar për Argjentinën dhe Amerikën Latine, i cili për fat të keq ndërrroi jetë, papritmas, kohët e fundit, “Skënderbeu nuk është vetëm në bronz. Skënderbeu është pjesë e identitetit tonë dhe qenie Shqiptare, është pjesë e gjeneve tona”.

Po e përmend ketë se sikur këto dy figura të Kombit, për ne dhe për të huajt, janë të pandashme në historinë e shqiptarëve, megjithse kanë jetuar e vepruar pesë shekuj nga njëri tjetri. Janë, njëkohësisht, edhe shembuj të shkëlqyer si përfaqësues të diasporës. M’u kujtua një deklaratë e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright kur ishte pyetur se çka dinte ajo për shqiptarët: Albright është përgjigjur se ajo e njihte Shqipërinë dhe shqiptarët nepërmjet Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe Nenë Terezës. Prandaj, nuk besoj të ketë një vend më të përshtatshëm se — para bustit të Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, në Qëndrën Nenë Tereza – për të zhvilluar promovimin e librit: “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit”, të autorit Virgjil Kule. Në Kishën e parë Katolike Shqiptare në Amerikë, këtu ku 55-vjetë më parë, si shumë të tjerë, prej këtu edhe unë kam pas fatin të hedh hapat e parë drejtë një jete e karriere të lumtur në këtë vend të bekuar.

Natyrisht, se simbolikat e kanë rëndësinë e vet, por më të rëndësishme janë faktet historike – kur dokumentet flasin të vërtetën, shekuj më vonë, për Kryeheroin Kombëtar të shqiptarëve: “Për ta berë interpretimin mbi faktet në rrjedhshmërinë e tyre origjinale e ndërtova rrëfimin me kapituj vitesh dhe, brenda çdo viti, me referime ndaj dokumenteve sipas kalendarit të ditëve, javëve ose muajve kur ato janë prodhuar”, shkruan Z. Kule në librin e tij, duke shtuar se “u përftuar kështu për herë të parë një ditar analitik i veprimtarisë politike, diplomatike dhe ushtarake të Gjergj Kastriotit. Rrëfimi mbi bazën e ditarit” shton ai, “më siguroi pastaj narracionin e një historie koherente jo vetëm të veprimit, por kryesisht, të asaj që deri tani ka munguar – të mendimit të Skënderbeut”, pra, që autorit Virgjil Kule, e ka paraqitur me objektivitet të dokumentuar historik, shqiptarin e Madh Gjergj Kastriotin-Skenderbe.

Kjo vepër jo vetëm që e dokumenton me fakte rolin e Gjergj Kastriotit Skenderbe, “në përballjen evropiane të ofensivës osmane”, por, “ky studim e zgjëron hapësirën përtej kufijve të zotërimeve të tij”, duke arritur në përfundimin se Gjergj Kastrioti – Skenderbe, “Nga i pari në mes të barabartëve në Lidhjen lokale të Lezhës” — një akt kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij — dokumentet e interpretuara në këtë vepër, sipas radhës kronologjike — e “vetparaqitën Skenderbeun, natyrshëm, pa ndërhyrje të sforcuar të autorit, si të barabartë, mes më të parëve edhe në plejadën e liderëve kryqtarë më në zë të kohës”. Jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Autori e siguron lexuesin gjithashtu se vepra e tij mbi “projektin madhështor” të Skenderbeut, është një libër i arsyetimeve të tija, ndonëse duke mbetur “rob” i dokumentit, një rrëfim me pasion dhe objektivitet për shqiptarin e mençur Skënderbe”.

Historiografia shqiptare moderne kishte nevojë për një libër të tillë të mirë-dokumentuar – duke marrë parasyshë burimet e reja të vleshme, por të pazbuluara deri tani, e që kërkuesit shkencorë e historianët si Virgjil Kule kanë në dispozicion, për një vepër si kjo, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe. Për një vepër të shkruar nga një autor shqiptar, me objektivitet, qoftë edhe “rob” i dokumenteve të fakteve historike, siç shprehet autori — aq edhe më mirë, si një çeshtje me referencë faktologjinë historike.

Sepse historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, sidomos në periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skenderbe por edhe e periudhës së errët të pushtimit turko-osman 500-e sa vjeçar, ajo që është shkruar nga të huajt, mbetet deri në ditët e sotëme mjaft e kapërthyer dhe e koklavitur, në një pjesë të madhe të saj.

S’do mend, pra, që paraqitja e fakteve dhe e dokumentacionit historik nga autorë shqiptarë si Z. Kule, hedhin dritë mbi të vërtetat e luftërave shekullore të shqiptarëve, në përgjithësi, për liri ndër shekuj. Por, në këtë rast, ky libër, hedh dritë, veçanërisht, mbi veprimtarinë dhe përpjekjet e figurës më të madhe kombëtare, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, sidomos nga pikëpamja e veprimtarisë politike e diplomatike të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, një kontribut që nuk ishte trajtuar më parë, siç trajtohet nga pikëpamja e një autori shqiptar, siç është Virgjil Kule.

Për këtë, unë si lexues i thjesht, i interesuar në histori, por më shumë edhe si admirues i Heroit të Përgjithmonshëm të Kombit shqiptar, e uroj dhe e falënderoj Z. Virgjil për këtë vepër — si një kontribut të rëndësishëm historik. Me këtë libër ju e kini paraqitur, bazuar në dokumentacion dhe fakte historike, figurën madhështore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në “frymën më njerëzore, gjeniale, befasuese, tronditëse, kërshëruese, frymëzuese…por aspak tragjike e pasive sikundër është thënë jo rrallë”, në thonjëza.

At Zef Valentini, albanologu i njohur me origjinë italiane dhe autor i veprës së madhe Acta Albaniae Veneta ka shkruar në vitin 1968 se deri atëherë, mund të ishin shkruar rreth 600-libra dhe vepra të tjera, muzikore e drama, mbi Gjergj Kastriotin – Skenderbe. Sot, natyrisht, ky numër duhet të jetë shumë më i madh, ndërkohë që fqinjtë e shqiptarëve në Ballkan – dhe të huajt, në përgjithsi, shpesh kanë vazhduar të shkruajnë një histori aspak të vërtetë, qoftë për Gjergj Kastriotin – Skenderbe, qoftë për historinë e vërtetë të shqiptarëve. Pa fakte dhe dokumentacion historik të dorës së parë, historianë e studiues të huaj, janë pëpjekur shpesh të mohojnë – për interesat e veta gjeopolitike — jo vetëm veprimtarinë diplomatiko-politiko-historike të Heroit tonë Kombëtar, por deri në ditët e sotëme, jo vetëm që vazhdojnë të mohojnë origjinën arbëroro-shqiptare të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, por edhe vet ekzistencën e Kombit shqiptar si njërit prej kombeve më të vjetra në botë. Atje ku, “në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za, në histori të fiseve dhe të kombeve… por që sot ashtë bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i qjykuem në Europë…I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta”. (At Gjergj Fishta në fjalimin mbi të drejtat e shqiptarëve në Konferencën e Paqës, 1919).

Këtu, pra qëndron, ndër të tjera, rëndësia e kësaj monografie kronologjike e autorit Virgjil Kule,“Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit”. Si një vepër me vlerë, e një studiuesi shqiptar, përpiluar, në bazë të një metode shkencore faktesh historike dhe dokmentacioni parësor– një vepër që ndikon pozitivisht në historinë e shqiptarëve, por edhe në rritjen dhe afirmimin e ndërgjegjes kombëtare – aq shumë e nevojshme në këtë periudhë tranzitore të brishtë politike dhe historike, nepër të cilën po kalon sot Kombi shqiptar.

Është interesant fakti se si historia, përsëritet. Virgjil Kule, me librin “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit”, na sjell mbrapa në periudhën e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, tek marrëdhëniet e tija me Selinë Shejte – si qendra më e rëndësishme e botës perëndimore, atëherë dhe sot. Ai shkruan për përpjekjet e Gjergj Kastriotit për bashkimin e krerëve të principatave shqiptare në luftën kundër osmanlijve – por thekson gjithashtu diçka, për të cilënm ndoshta, shumë prej nesh nuk ishim të vetdijshëm. Për diplomacinë e Skenderbeut për të “ndërkombtarizuar” luftën kundër turqve dhe për të kërkuar ndihmë nga Perëndimi për mbrojtjen e Krujës dhe të trojeve arbërore. Gjergj Kastrioti-Skenderbe, pra, edhe si babai i ndërkombtarizimit të çeshtjes shqiptare në kohën e tij.

Më shumë se 5-shekuj më vonë — në vizitën e parë që Presidenti historik i Kosovës, Dr Ibrahim Rugova ka bërë në Washington në tetor, 1989 – më kujtohen fjalët e tija se gjëja më e rëndësishme në atë kohë — përballë shtypjeve dhe krimeve serbe në Kosovë — ishte siç e cilësonte ai: “Ndërkombtarizimi i çeshtjes së Kosovës”, që më vonë u bë edhe misioni i tij parësor që më në fund çoi në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Historianët mund të gjykojnë ndryshe, por përpjekjet e Rugovës për “ndërkombtarizmin e çeshtjes së Kosovës” në shekullin XX – që përfunduan në çlirimin dhe pavarsinë e Kosovës — mund të duken si një kopje e suksesshme e veprimtarisë diplomatike të Gjergj Kastriotit për ndërkombtarizimin e mbrojtjes së Krujës dhe krahinave të tjera arbërore nga otomanët. Nuk ka dyshim se Ibrahim Rugova e dinte historinë dhe jam i bindur që ai të ketë mësuar nga “gjenialiteti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe, si diplomat e politikan”, siç e cilëson atë autori Virgjil Kule, duke vlerësuar aftësitë diplomatike dhe lidhjet e Skenderbeut me Vatikanin dhe me botën e atëhershme “perëndimore”. A nuk është ky një paralelizëm historik midis dy periudhave dhe dy udhëheqësve të mëdhej të Kombit”?!

“Si formula e partneritetit për bashkeveprimin me zotërit e principatave shqiptare ashtu edhe ndërkombëtarizimi i problemit të mbrojtjes së Krujës janë dy risi politike për të cilat Gjergj Kastrioti ka autorësi të padiskutueshme. Nga ana tjetër, shpjegimi i hollësishem i këtyre risive është pasuri ekskluzive e studimit tim. Ato flasin për gjenialitetin e Kastriotit si politikan e diplomat, tipare këto shumë pak të theksuara në shkrimet e deritashme”, është shprehur autori i librit, “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit!

Gjergj Kastrioti Skenderbe, themelues i shtetit arbëror, bashkues i princave të Arbërit, ndërkombtarizues i çeshtjes shqiptare si bashkpunues me aleatët perëndimorë të kohës së tij dhe mbrojtës i vlerave iliro-arbërore, shpëtimtari i Evropës e pse jo edhe i qytetërimit evropian dhe krishtërimit, si Kryqtari i fundit!

“Çfarë shembulli për mbretër! Çfarë detyre për pasardhësin dhe histori-shkruesin e tij.” (Den Store Castriotto af Albanian kallad Skanderbeg, Stockholm), 1788.

Shtyllat e kalbura të çardakut nuk do t’i mbajnë mohuesit modernë – të mbrendshëm dhe të jashtëm — të figurës dhe veprës së madhe të Gjergj Kastriotit-Skenderbe! Të nderuar të pranishëm, ju falënderoj nga zemra për durimin ndërsa autorit suksese të mëtejshme!

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT