• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

VOTA E GJAKUT …

June 22, 2025 by s p

Alfons Grishaj*/

Mendoj se, në diktatura manipulimi i votave nuk ka të bëjë me preferencat partiake, por me strategjinë dhe interesat e grupeve të caktuara. Koncepti i votës është vetëm një vegël për të realizuar planet afatgjata. Popujt që nuk kanë arritur ende konceptin e votës civile, janë të predispozuar t’i përsërisin dhe t’i vuajnë në kurriz zgjidhjet e gabuara që viktimizohen nga propaganda. Historia na mëson se, karizmat që kanë pasur liderat autoritarë janë përdorur për të ndezur emocionet dhe frymëzuar pjesën e shumicës së pavendosur. Taktikat e përdorura mbeten sugjestive në kontekstin politik, dhe monetare në konceptin jetik. Mjeshtrat e këtyre maskaradave dhe farsave qenë: Stalini, Gebëlsi, Musolini, Enveri, Hitleri, Mao Tzedong, Ceausescu, Fidel Castro etj…Ndërsa tani militojnë : Putin, Kim Jong Un, Maduro, Khomeini, Vuçiq etj. Pra, siç shihet, bota e ka përjetuar dhe vazhdon t’a përjetojë keq skllavërinë e votës. Ndërsa prej 80 vitesh, këmbanat bien pa pushim në Shqipëri, nostalgjia e bolshevizmit dhe tzedongshizmit vazhdon t’i bëjë karshillëk demokracisë. Fatkeqësisht, po ngre krye dhe në Amerikë. Si dëshmitar dhe përjetues i praktikave diktatoriale, sjell momentet e përjetuara dhe ilustruara se sa e rëndësishme dhe e fuqishme është vota kur respektohet dhe nuk tjetërsohet në forma banale. John F.Kennedy, thoshte për votën: “The ignorance of one voter in a democracy impairs the security of all.”

VOTA E 31 MARS 1991

Me 31 Mars, të parat zgjedhje pluraliste, shqiptarët votuan mbi 90% , ku për PD, votuan 38% ndërsa për PP, votuan 56%, ndërsa partitë si, PR, PBDNJ, morën rreth 2 apo 3% të votave secila. Fillimi i votimeve të 31 Mars 1991 dukej i qetë. Por pas pak, repartet ushtarake të PP-së, të organizuar me ifa me nga një oficer në krye, shkonin për të votuar sa në një qendër votimi në tjetrën…Në Tophanë, vigjilenca e Ardian Hoxhës, zbuloi planin ogurëzi të PP-së për përpjekjet e vjedhjeve të para pluraliste. Ardiani denoncoi hapur një oficer me disa ushtarë që votonin sa në një qendër votimi në tjetrën. Ai kish pikasur këtë grup në qendrën Tophanë, ku dhe ai kish banesën. Grupi i ushtarëve (po sa grupe ishin si ai në të gjithë Shqipërinë?) udhëhiqej nga një oficer, i cili mundohej t’i kishte ushtarët nën kontroll, duke i vënë në rresht dhe dirigjuar në qendrat e votimit. Ardiani i nervozuar m’u drejtua: “Mos ja futni gjumë! Kjo Ifa me ushtarë që u nal tash ka votu dhe njiherë!” Unë drejtova shikimin nga ata. Atyre u printe një oficer me mustaqe të holla. Nga dialekti dukej se ishte nga Jugu i Shqipërisë. U afrova pa mëdyshje dhe e pyeta oficerin nëse ata kishin qenë dhe njëherë në qendrën Tophanë…Oficeri simpatik me mustaqe të holla e mohoi me arrogancë. Ulja e syve tij nuk justifikoi sjelljen e dyshimtë që mundohej t’a fshihte pas syve përdhe. Si vëzhgues i PD-së, protestova tek Sokol Shazi (Prokuror që përfaqësonte PP-në, kryetar i qendrës votimi, Tophanë). Sokoli m’u përgjigj, “Jo besa tek unë!” Sokoli sa i pa u tha: “More më kujtoheni…ju keni votuar dhe njëherë!” Oficeri këmbënguli në të vetën duke gënjyer. Atëherë Sokoli i nervozuar iu kthye: “Hypni Ifës sa nuk asht vonë…se për ideal…ju vuna hekurat!” Këta ishin bijtë e Shkodërloces që nuk pyesnin për parti, por vetëm për qytetin e tyre …Populli u mblodh si me bilbil dhe filluan t’i shanin …

Ata të friksuar i hypën Ifës dhe u larguan. Demokratët u hapën me biçikleta në të gjithë Shkodrën, duke lajmëruar rrezikun e vjelljes votës nga PP. Qendrat e votimit u “blinduan” nga njerëz të vuajtur e besnikë të lirisë.

Vota në Shkodër u ruajt! Shkodra fitoi, por humbi Shqipëria! Në të aguar të 1 Prill 1991, qyteti i Shkodrës u trondit nga breshëritë e automatikëve dhe pushkëve. Partia e Punës po festonte fitoren me breshëri armësh…Ky qe dhe fillimi i një tragjedie që nisi me, 1 Prill dhe u bitis më 2 Prill të vitit 1991. Shkodra u la në gjak nga tytat e automatikëve dhe pushkëve që u bënë ngjyrë vjollcë nga breshëritë e paprera. Unë nuk do hyj në detaje se si gjatë fushatës pabarabartë u ndeshëm me kërcënime e antimitingje: “Parti Enver jemi gati kurdoherë!” Nganjëherë kundërshtarët tanë deshën të na pakësonin…Na provokuan dhe me batare armësh, por, heronj si Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Mond Bushati, Arben Lika, Arben Broci, Eduard Grishaj, Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Ilirian Idrizi, Shenasi Rama, Ibrahim Bilali e shumë të tjerë, nuk pyetën për presionet dhe atentatet…sepse ishin luftëtarë lirie, dhe luftëtarët nuk fshihen prapa perdeve dhe hijeve, por dalin në log të burrave ku e kërkon detyra e shenjtë e lirisë.

Shkodra zbarkoi si vullkan në rrugët e qytetit për të protestuar vjedhjen e votave të shqiptarëve, të cilëve ua grabitën mjeshtrat e kastës vjetër që donin t’a mbanin pushtetin me çdo formë. Kur i treguan Sandër Rexhepit (i burgosur politik që shquhej për humorin e hollë) që, PD humbi në Shqipëri…dhe ia ilustruan historinë e Tophanës me, Sokol Shazi-n. Sandri tha: “Shkodranët, komunizmin e kanë pas gjithmonë për batuta me kalu netët e dimnit. Bile, batutat ma t’ mdhaja i kan qit vetë “komunistët” shkodran. Komunisti ma i madh në Shkodër asht demokrati ma i madh n’ Sarandë, pranaj mos i veni faj atyne (PP-së) se, “efharisto poli” ka ba punën e vet. Bash njaty…dhe andej i ka ra fyellit dhe ka kërcy valle dreqi i kuq duke u zgjanu lakuriq te na”.

VOTA E 22 MARS 1992

Viti 1992, qe një vit drithërues për PS-në (PP u konvertua në PS me 12 Qershor 1991). Pas 2 Prillit, vegjëlia shqiptare ishte zgjuar dhe PP ishte tkurrur në kënetën që kish bitisur. Ana refraktare komuniste u mundua të ndryshonte pamje, duke shitur katër policë, siç ishin: Gjekë Çelaj: kriminel i lindur dhe i ftoftë. Dilaver Papare: Polic-intelektual që jetonte midis dy botëve, por që me, 2 Prill dha urdhër të qëllonin. Çapajev Taçi: Bolshevik i pandreqshëm, injorant dhe gjakndjellës. Hajredin Shyti: Person i edukuar mirë, por besnik i PP-së. Pra, shitja e tyre nuk solli asgjë të re, nuk paqtoi shpirtërat dhe nuk vendosi drejtësi, por një “klering” turpshëm që mbeti gozhdë në ndërgjegjen kombëtare. U dënuan terrenistët gjakësorë, por jo sadistët! Jo kupola e krimit?! Me 22 Mars 1992, u bënë zgjedhjet e reja, ku verdikti i shpirtit civil fitoi mbi krimet e pushtetit dhe propagandës 48 vjeçare. Partia Demokratike fitoi 92, nga 140 vende në parlamet. Siç u vërejt dhe nga monitorët e huaj, shqiptarët pa presion dhe vjedhje vote, fituan lirinë e shumëpritur. PD mori 63% të votave , ndërsa PS mori 23% apo 24% të votave. Matematikisht demokratët morën mbi një milion vota, kurse PS, rreth katërqind e tridhjetepesëmijë vota. Partitë e tjera nga 2% apo 3%…

VOTA E 26 MAJ VITI 1996

Që në momentet e para të paraqitjes të draftit të ri kushtetues me, 6 Tetor të vitit 1994, OSBE dhe Monitorët e KE, qenë tejet të shqetësuar për draftin e ri, dhe me zë të lartë thonin: Këtij drafti i duhen vetëm dy nene për të zgjedhur “Mbretin e Ri” në Shqipëri. Ata përdorën të gjitha format për t’ua sjellur në vëmendje mbarë opinionit, institucioneve fetare se, drafti në treg qe shumë i rrezikshëm, ku përfundimisht do minonte republikën parlamentare dhe lirinë e fesë. Kushtetuta u rrëzua nga populli më 7 Nëndor 1994. Votat- kundra: 903, 630 =56.38%. Ndërsa- pro: 699,245= 43.62%.

ZGJEDHJET E VITIT 1996

Në këtë atmosferë u zhvilluan zgjedhjet e vitit 1996, kopje e shëmtuar e 31 Marsit 1991. Më 26 Maj (Raundi i dytë 2 Qershor) me një pjesëmarrje votuesish 89.1%. Fitorja e demokratëve qe “spektakolare”. PD fitoi, 122 deputetë nga 140 deputetë që kishte i gjithë parlamenti. Kjo ngjarje ndryshoi përgjithmonë raportet midis konceptit të lirisë dhe manifestit komunist. Demokratët në ekstazë të etur për lavdi u turrën për të konsoliduar pushtetin e tyre absolut pa pyetur për standartet ndërkombëtare, duke risjellë regresin e praktikës kaluar dhe rënë keqas në kurthin e specialistëve që braktisën qëndrat e votimit. Sikur kjo “fitore” të realizohej në kohën PP-së, Enveri-reformator do fantaksej me këtë arritje kozmike. PD nuk kishte nevojë për këtë luks vetëvrasës. Sepse dhe sikur të merrte vetëm përqindjet e 92-shit…ato vota ishin të mjaftueshme. Por, ja që politika nuk u bëka prej njerëzve me ndërgjegje dhe intelekt të cunguar. Kurthi i PS punoi perfekt. Ata kishin kohë që përgatiteshin në mënyrë shkencore për goditje vdekjeprurëse të demokracisë, duke përdorur piramidat. I pari që instaloi dhe frymëzoi piramidat në Shqipëri, qe Ajdin Sejdia, këshilltari ekonomik i Fatos Nanos. Fatkeqësisht, populli ynë nuk është një popull me memorje analitike si popujt perëndimorë. Sepse po të ishte…, do i hapnin sytë për të parë se kush ishte në sportelet e degëve të piramidave në qytete, kush ishin të punësuar? Por, tanimë shejtani kish dalur nga shishja. Oficerë dhe zyrtarë të mesëm të nomenklaturës komuniste u shfaqen me fytyra të çelura. Kaq…dhe komentet e tjera janë të tepërta!

Vëzhguesi i asaj kohe konstaton se, në zyrat e shtetit demokrat, 80% të punësuarve ishin funksionarët e nomenklaturës. Zyrtarët e PP-së që nuk kishin lëvizur nga zyrat që nga koha e Ramizit, të cilët me besnikëri rafinuese prisnin momentin e thirrjes! Pas bilbilit, ata braktisën pikat strategjike dhe zyrat e shtetit, duke bërë një bojkot total dhe futur shtetin në kolaps të plotë, rënien e qeverisë. Aleksandër Meksi (Kryeministër) ishte i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka (dhe jetën) për t’i dhënë një mësim revolucionit bolshevik, por Berisha, nuk ishte i gatshëm për një propozim të tillë, ose me saktë, ai nuk qe kurrë dakord që të bëhej luftë civile në Shqipëri. Siç do shpjegoj dhe më poshtë…

“GJENERALËT” E USHTRISË SË MAJTË

Disa të zhgënjyer të PD-së, ishin ndarë nga grupimi i madh, duke u bashkuar me PS, të cilët u bënë “gjeneralë” në një ushtri të majtë. Në anën tjetër, ca mjeranë të PD-së, që patën ndërruar xhaketat (duke u bërë “besnikë), propozuan planin për “mbrojtjen” e Shqipërisë. Pra, lufta ishte, ata me ato, jo “ato” me demokratët! Komunistët e PD-së, ndërtuan një superstrukturë kundërligjore ku përfshiheshin tanket, avionët dhe lëndët kimike. Nën armë u vendosën forcat civile të persekutuara dhe civilë (shumë miq të mi) që nuk kishin frikë nga vdekja. Idealistët mendonin se po mbronin lirinë e fituar me shumë sakrifica (që ngjasonte e tillë), por nuk qe ashtu. Organizatorët e majtë kishin manipuluar vegjëlinë e djathtë ?!…

Në qendër, Gjeneral Shehu (që dështoi në misionin e Vlorës, duke shkuar si policët anglezë në mitingje), një ushtarak i zoti dhe i përkushtuar që nuk bënte kompromis me askënd për ligjet e shtetit. Në komandë, “Gjeneral Gazidede”, njeri që nuk kishte asnjë lloj njohurie ushtarake në terren, por intelektual i mirëfilltë në profesionin e vet. Pa kuptuar, loja e luftës civile kish filluar me metastazat e një kohe të vdekur. Falë reflektimit të Berishës, që bëri matematikën e një ndeshje pa lavdi, ai urdhëroi tërheqjen e trupave duke shpëtuar një tragjedi kombëtare, vrasjen e demokracisë dhe instalimin e një junte laramane!!

VOTA E 29 QERSHOR 1997, “FITORE” ME 3700 VIKTIMA

Populli thotë, “Çdo mbjellësh do korrësh”. Nëse mbjell shi, do kesh përmbytje. Nëse mbjell breshër, s’do të kesh bereqet. Nëse mbjell urrejtje, do bëhet mbulesa jote. Qoftëse mbjell vdekje, prej saj do ndëshkohesh. Çmenduria kolektive e 97-tës i ngjante filmave të hollywood me skeletone të shprishura. Ky qe dhe turpi më i madh kombëtar. Vota u la në gjak sëri. E megjithatë, Vranicki i quajti, “zgjedhje të pranueshme”, dhe pse me 6 Korrik, u përsëritën 32 zona elektorale, ku neokomunistët e rinj “fituan” 101 vende. Vëzhguesit e huaj i quajtën të pranueshme për situatën, por “jo zgjedhje të lira.” Dhuna e ushtruar ndaj PD-së, qe mizore dhe e pamëshirshme. Sikur të mbahej mend, kjo mund të sillte një ndasi të rrezikshme midis shqiptarëve, sepse u vranë më shumë se 3700 vetë… pjesa dërmuese demokratë nga veriu i Shqipërisë.

UNIONI ANTIKOMUNIST SHQIPTAR

Në ato momente historike, u shfaq Unioni Antikomunist, që deri atëherë kishte heshtur, duke u marrë me ndonjë aktivitet datash historike për rrëzimin e komunizmit. Ky grupim i madh prej 8300 anëtarësh, përbëhej nga Jugu dhe Veriu, vëllezër të një gjaku dhe të një ideali për liri. Ndryshimi midis antikomunistëve dhe komunistëve ishte thelbësor: Antikomunistët kërkonin që të mos përsëritej e shkuara, kurse komunistët kishin dëshirë të ri-instalonin atë që kishin humbur. Unioni, falë anëtarëve të vet nga e gjithë Shqipëria kishte informacione të detajuara jetike çfarë po ndodhte në terren…Ata, me kujdes e zgjuarsi mblodhën ngjarjet dhe vrasjet në një dosje të detajuar, një akt-akuzë voluminoze që më vonë u pranua si fakt nga organizmat ndërkombëtare. Para se të vinim në pikën e besimit reciprok midis Unionit dhe Monitorëve të Europës, pati një boshllëk deri në armiqësi me OSCE dhe Monitorët e KE, të cilët kishin marrë informacione të gënjeshtra nga PS, duke krijuar një gjysmëbindje se, Unioni Antikomunist, ishte “krahu i armatosur i Sali Berishës”.

Për hir të vërtetës, një grup special heroik kish qenë për të mbrojtur Berishën dhe institucionet kur ra shteti. Ata patën raste përleshjeje me kriminelë dhe grupe paramilitare që deshën të vrisnin Berishën. Një nga rastet qe sulmi mbi Presidencë me, 7 Mars.Por nuk ishin vetëm grupet paramilitare që do vrisnin Berishën, por dhe të besuarit e tij…Ishin shumë dëshmitarë, kur një grup prej 20 antikomunistësh, bëri një vizitë në presidencë. Ndërsa Gazidede priste jashtë kur të mbaronte takimi midis antikomunistëve dhe Berishës. Berisha, pasi përcolli dhe përqafoi udhëheqësit antikomunistë, ftoi Gazideden. Ai dukej i ftoftë si një cope akulli. Fytyra e tij nuk tregonte asnjë lloj emocioni. Ndërsa antikomunistët linin paradhomën, patën një incident me “besnikun” e Berishës, i cili shfrynte vrerë kundër tij, duke e quajtur Berishën, të butë e inkompetent për t’u hakmarrë kundër Jugut. Ai shkoi më tutje, duke thënë se, “paqe vjen nëpërmjet luftës duke shporrur të parën pengesë, Sali Berishën, i cili gremisi Shqipërinë”. Luigj Curri, kish vënë duart në tëmtha, kurse Edmond Temali “Komandant i grupit të zjarrit” iu afrua Shefit te Unionit, duke i thënë në vesh: “Komandant, t’ia tresim trutë në erë këtij tradhëtari!” Ai e mohoi me kokë, duke iu drejtuar lajmëtarit mortor: “Ata që guxojnë t’ia prekin një qime floku Berishës (dëshmi e parë në shtyp), nuk do kenë mundësi të lënë trashigimtarë në brezni!” E tmerrshme! Më vonë, bash kjo fytyrë i bëri hjeksinë Azemit.

Paralajmërimi i ashpër nuk u bë për të mbrojtur Berishën si individ, por për të mbrojtur Presidentin në ato çaste historike ndërsa valvitej flamuri Grek në Sarandë. Në këto momente dramatike, antikomunistët ditën të bënin zgjidhjen e duhur, duke mbetur të pakonvertueshëm. Ata denoncuan çdo krah dhe luftuan edhe kundër kriminelëve e hajdutëve të bankave si Tiranë dhe Shkodër, duke u vënë pushkën në tëmtha. Zhgënjimi madh qe kur disa“udhëheqës” të PD-së shkuan në pazarin e kriminelëve të bankave për të marrë avdes. Kjo theu përgjithmonë besimin midis politikanëve mjeranë e dritëshkurtër të PD-së dhe Unionit.

Parimisht, lufta e antikomunistëve ishte përqendruar kundër qeverisë kriminale të instaluar mbi gjakun e shqiptarëve. Antikomunistë u ndeshën tri herë në Shkodër me “kryqëzatat e kallashnikovëve” që kishin bërë kërdinë në Jug. Ata, ua hoqën pantallonat bazhibozukëve të bandave Çaushe, Shytëve e Ruçëve e soj e sorollopit tyre, që qanin të frikësuar në sy të OSCE dhe Monitorve të KE, duke u lutur që të bëheshin interlekutorë për faljen e jetës, kur nuk u kanosej asgjë. Sigurisht ata frikësoheshin nga zullumi për krimet që kishin bërë në Jug. Mendonin se fundi i tyre për të larë mëkatet ndalej në Shkodër. Antikomunistët i çarmatosnin dhe i linin të lirë për t’u kthyer shëndosh e mirë në familjet e tyre, dhe jo siç ndodhi në Jug, ku bijtë e nënave i dogjën të gjallë tek kryenin detyrën e shtetit. Dhe më keq: çdo verior që kalonte andej, rrahej barbarisht ose nuk kthehej më i gjallë në familje. Kjo është e vërteta lakuriq! Ky qe një turp kombëtar që udhëhiqej verbërisht nga PS, ku vrastarët quheshin: “Florinj!”, grabitësit e bankave, “besnikë” dhe grabitësit e votave, “heronj!”.

Por le të kthehemi tek thelbi i ilustrimit të mësipërm. Antikomunistët posedonin një dosje të detajuar për vrasjet e keqtrajtimet nga të eturit për pushtet. Ata kërkuan t’ua dorëzonin OSBE dhe KE…Europianët e refuzuan dy apo tri herë takimin. Shefi i këtij UNIONI, Alfons Grishaj, kishte shkruajtur në shtypin e kohës dhe prononcuar në intervista se, qeveria e Nanos, ishte një qeveri kriminele kartoni e ardhur në pushtet me grykën e pushkës. Ai pat theksuar: “Çdo qeveri krimi që vjen me gjak i ndjek frika e shpagimit, mund t’i rrëzosh lehtë, më lehtë se ardhja e tyre në pushtet. Ndërsa qeverinë e Nanos, antikomunistët mund ta rrëzojnë për 50 minuta…”

VRASJA E AZEM HAJDARIT

Gjatë atyre momenteve, Azemi kish filluar të fitonte terrenin e humbur në Jug. PS nuk mund t’a pranonte këtë sfidë, prandaj pregadiste një alibi të sofistikuar për eleminimin e tij. Siç shihet, ata vuanin nga kompleksi i fajit dhe persekutimit, andaj frikësoheshin nga Azemi dhe persona si ai. Komunistët e rinj nuk u mjaftuan me vjedhjen e votës dhe vrasjet e 97-tës, por planifikuan vrasjen e shqiptarit të madh, Azem Hajdari,i cili u shpëtoi disa atentateve, por më 12 Shtator 1998, të pabesët e realizuan planin ogurëzi. Në takimin e parafundit me Azemin, ishin të pranishëm Vili Minarolli dhe Fahri Balliu. Azemi kur më pa, shpërtheu në ngazëllim me superlative. Gjatë bisedës, subkoshienca apo ora e tij foli: “Alfons, komunistët kanë me më vra…nëse gjaku im ka me i shërby Shqipnisë…ja kam ba hallall, nëse jo, do më vinte keq.” Të njëjtën gjë m’a tha në takimin e fundit në Shkodër, tek “Banja e Vogël” (që ishte kthyer në restorant) në sy të vëllaut tij Rasim (trim i urtë dhe pa fjalë). Ky qe dhe takimi im i fundit me Azemin. Azemi ishte anëtari i KRYESISE së UNIONIT ANTIKOMUNIST SHQIPTAR. Pas vrasjes Azemit nga tradhëtarët e kombit, detyra e Unionit ishte të zbarkonte në Tiranë. Me 13 dhe 14 Shtator 1998, antikomunistët u mblodhën në Tiranë, por jo me duar në xhepa si, Agim Shehu në Vlorë.

Në “Sheshin Skënderbej”, u mblodhën nga e gjithë Shqipëria. Sheshi gjëmonte: “O sot o kurrë!” Ishte dita ku ballafaqohej krimi komunist dhe ideali i lirisë. Populli demokrat shqiptar kishte mbushur sheshin me zjarrin e lirisë në gji: “O sot o kurrë!” Qeveria e kallashnikovëve ra si kuti kartoni.

Të gjitha institucionet ranë, përveç presidencës, institucion që pas Presidentit Berisha, kishte mbetur zyrë onorifike, prandaj e quajtën kohë të humbur marrjen me të. Në këtë hapësirë kohore ndodhi një gafë e pafalshme nga njerëzit që mbanin arkmortin, të cilët e kishin lëshuar arkivolin në tokë. Sakrilegj! O Zot! Dhuna e verbët gjymton fytyrën e vet. Megjithatë, antikomunistët e korigjuan shpejt. Marjan Gryka, Menduh Ullishta, Nard Gavoçi etj, e siguruan Berishën në mes (i cili kish mbetur pezull në zyrë), dhe u nisën për të përcjellur arkmortin e vëllaut tonë për në varreza, duke i dhënë lamtumirën e fundit heroit demokracisë, Azem Hajdari. “Grushti i shtetit klasik” kishte përmbyllur misionin, por Berisha, nga presioni i jashtëm nuk mundi t’a mbante pushtetin. Në përmbysje të tilla, minutat duken orë dhe orët një shekull, ndërsa vendimet duhen të merren me sekonda. Lajmi për mos mbajtjen e pushtetit detyroi antikomunistët dhe popullin liridashës t’i lëshonin institucionet, duke u lënë mundësi kundërshtarëve të dilnin nga vrimat ku ishin fshehur dhe të riorganizoheshin për t’u paqtuar me turpin e ngrënë me bukë.

Pas kësaj ngjarje, OSCE dhe Monitorët e KE, që ndiqnin me vëmendje situatat… kërkuan takim më udhëheqësit e UASH, por ky takim u refuzua dy herë nga antikomunistët. Ndërhyrja e Dr.Gerhard Pail (miku im), respektivisht Shef i OSCE për Rajonin e Veriut, bindi antikomunistët për takimin me Daan Everts, Ambasador i OSCE në Shqipëri. Antikomunistët vendosën një kusht që (për shumë arsye) takimi të bëhej në Shkodër. Shefi OSBE Daan Everts, u prit nga Shefi Unionit Antikomunist, Alfons Grishaj, dhe nga strukturat shtetërore të Shkodrës, me në krye Prefektin Ali Laçej (intelektual i mirëfilltë), Kryetari Këshillit Bashkiak Mark Krroqi, Kryetari i PD-së Astrit Bushati, legjendari Ahmet Bushati, Nard Ndoka, Eduard Grishaj, Fran Dashi, anëtarët e Kryesisë së Unionit, Frrok Gjini, Ibrahim Bilali, Mond Temali, Agim Daci, Menduh Ullishta etj…Këtë event e fotografoi demokratja Vjollca Tafili, ngaqë nuk u lejuan gazetarë dhe media.

MBASE ISHTE HERA E PARË QË MONITORËT E HUAJ E PRANUAN SE ÇFARË PO NDODHTE NË SHQIPËRI

Ata pranuan se vota qe përvetësuar dhe se PD nuk qe në gjendje të bënte fushatë në Jug të Shqipërisë. Mbase të vetmit që shkuan në Jug, ishin Jozefina dhe Azemi. Jozefina dhe të tjerë u kërcënuan për vdekje…,Azemi u vra! Pas takimit në Shkodër, antikomunistët u pritën në Tiranë, ku dorëzuan dosjen e përgatitur nga ata. Everts e pranoi dhe ia përcolli Vranicki (i dërguar i posacem i OSBE-së), i cili i kish thënë ca fjalë për pamundësinë e korrigjimit të gjërave që ishin bitisë. Pas kësaj, Everts, do i shkruante një letër shefit të antikomunistëve shqiptarë, ku dënonte arrestimet dhe keqtrajtimet nga neokomunistët (letër që u botua në shtypin e kohës). Largimi i Vranickit nga misioni i posacëm për Shqipërinë dhe ardhja në krye të OSBE e Ministrit të Jashtëm të Norvegjisë Volebek, e çliroi klimen e“nderë”, duke i lënë dorë më të lirë Daan Everts, t’i shikonte gjërat me optikë pragmatiste, i cili korrigjoi disa gabime që ishin bërë më parë. Greva e urisë e studentëve në Shkodër (me kryetar Alfred Pëllumbi), e cila u përhap dhe në Tiranë, qe frymëzim i OSBE.

Antikomunistët krijuan një besim reciprok me Monitorët e KE dhe OSBE, të cilët u përpoqën për t’a nxjerrë Berishën nga izolimi, por qe e pamundur. Amerika përmes Madlen Olbrajt, e kishte thënë fjalën e vet. PD u izolua plotësisht. Të vetmit që mund të merrnin pjesë në takimet me ndërkombëtarët ishin Genc Pollo, Mark Krroqi (demokrat i lirë dhe i mençur) dhe Alfons Grishaj (Shefi Unionit Antikomunist). Këmbëngulja për pranimin e Sali Berishës në takimet ndërkombëtare pati një përgjigje, që as në formën e amortizuar diplomatike nuk vjen e këndshme…Sidoqoftë, antikomunistët punuan me OSBE, që të zhvillohej një takim mes Kryeministrit Pandeli Majko dhe Sali Berisha, për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit, takim që u përshëndet nga zv/Sekretari Shtetit James Rubin. Ambasadorja Mariza Lino, në një takim në Rogner, midis ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ministrit të jashtëm të Norvegjisë, Volebek dhe qeverisë shqiptare, falenderoi shefin e Unionit, Alfons Grishaj dhe ambasadorin, Daan Everts.

*Analiza politike vijon në numrin e ardhshëm…

Filed Under: Interviste

“Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran

June 22, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbajti një konferencë për shtyp në orën 8 të mëngjesit sipas Orës Lindore të dielën në lidhje me bombardimin e objekteve bërthamore të Iranit. Hegseth u shoqërua nga Gjenerali i Forcave Ajrore Dan Caine, kryetari i Shtabit të Përbashkët.

Pentagoni thekson se ‘ndryshimi i regjimit’ nuk ishte qëllimi i sulmit iranian

Administrata Trump tha se sulmi i saj ndaj tre objekteve bërthamore iraniane nuk kishte për qëllim rrëzimin e qeverisë së vendit. “Ky mision nuk ishte dhe nuk ka qenë për ndryshimin e regjimit”, tha Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth në një konferencë për shtyp të dielën.

Gjenerali i Forcave Ajrore Dan Caine, kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, theksoi se qëllimi i “Operacionit Çekani i Mesnatës” kishte shkatërruar sitet  bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan.

“Dëmi përfundimtar i betejës do të zgjasë pak, por vlerësimet fillestare të dëmeve të betejës tregojnë se të tre vendet pësuan dëme dhe shkatërrime jashtëzakonisht të rënda”, tha Caine.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth tha të dielën se pavarësisht një sulmi të papritur gjatë natës në vendet bërthamore iraniane, Amerika “nuk kërkon luftë”. 

Hegseth tha se ishte e rëndësishme të theksohej se sulmet e SHBA-së nuk kishin në shënjestër trupat iraniane apo popullin iranian, një përpjekje e fshehur për t’i treguar Iranit se nuk dëshiron hakmarrje ndaj objektivave amerikane në rajon.

Hegseth tha se një zgjedhje për të zhvendosur një numër bombarduesish B-2 nga baza e tyre në Missouri më herët të shtunën kishte për qëllim të ishte një karrem për të larguar iranianët.

Ai shtoi se SHBA-të përdorën edhe metoda të tjera mashtrimi, duke vendosur luftëtarë për të mbrojtur bombarduesit B-2 që hodhën 14 bomba bunker-shkatërruese në vendin më të fuqishëm bërthamor të Iranit. Ai tha se të gjitha këto taktika ndihmuan SHBA-në të hidhte bombat pa paralajmëruar avionët luftarakë të Iranit apo sistemet e tij të raketave ajrore.

Në përfundim të informimit të tij, shefi i mbrojtjes i SHBA-së u përpoq të përsëriste edhe një herë mungesën e gatishmërisë që ndërhyrja e Amerikës në Iran të shndërrohet në një luftë të zgjatur dhe i etiketoi sulmet e natës si “të kufizuara qëllimisht”.

“Do të thoja vetëm, siç e ka udhëzuar dhe e ka bërë të qartë presidenti, kjo sigurisht nuk është e pafundme”, tha Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, duke shtuar se kjo nuk e kufizon aftësinë e SHBA-së për t’u përgjigjur dhe do ta bëjë këtë nëse është e nevojshme.

“Ushtria më e fuqishme në botë është e pozicionuar dhe e përgatitur për të mbrojtur popullin tonë”, tha Hegseth.

Orë pasi diplomati më i lartë i Iranit zbuloi se linja e komunikimit midis Uashingtonit dhe Teheranit mbetet e hapur, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth i bëri jehonë vërejtjeve të tij në një konferencë për shtyp. “Mund të konfirmoj vetëm se ka mesazhe publike dhe private që u dërgohen drejtpërdrejt iranianëve në kanale të shumta, duke u dhënë atyre çdo mundësi për t’u ulur në tryezë,” tha Hegseth.

Ndërsa SHBA-të dhe rajoni presin përgjigjen e Iranit ndaj sulmeve të natës, Hegseth tha se gjeneralët ushtarakë kanë rritur masat e mbrojtjes së forcave në të gjithë rajonin, veçanërisht në Irak, Siri dhe Gjirin Persik.

“Forcat tona mbeten në gatishmëri të lartë dhe janë plotësisht të pozicionuara për t’iu përgjigjur çdo hakmarrjeje iraniane ose sulmesh të ndërmjetme, gjë që do të ishte një zgjedhje tepër e dobët”, u tha Hegseth gazetarëve.

Kur Trump thotë se do të bëjë një gjë ai e bën,- tha Hegseth.

Filed Under: Komente

“Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams

June 22, 2025 by s p

Sokol Paja/

Kryetari i Bashkisë së New York Eric Adams mikpriti në “shtëpinë” e tij Gracie Mansion Conservancy në Manhattan shqiptarët e Amerikës, në një ceremoni madhështore, në respekt të kulturës shqiptare dhe arritjeve të komunitetit shqiptar, për të festuar Paradën Shqiptare në New York, organizuar nga “Rrënjët Shqiptare” e Marko Kepit dhe mbështetur nga Mark Gjonaj e shoqatat patriotike nga New York, New Jersey e më gjërë. Gjatë fjalës së tij kryebashkiaku Eric Adams vlerësoi shqiptarët për kontributin e tyre thelbësor në jetën e qytetit e shtetit të New York sidomos për sigurinë publike. Bekime dhe fjalime patriotike mjaft emocionuese mbajtën Imam Tahir Kukaj dhe Dom Pjetër Popaj. Të rinjtë e “Albanian Roots” përgatitur nga koreografe Angjelina Nika magjepsën të pranishmit me valle shqiptare duke ekspozuar vlerat tona më të çmuara të trashëgimisë kulturore e shpirtërore shqiptare.

Kryebashkiaku Eric Adams nderoi për merita e kontribute të veçanta për komunitetin shqiptar në New York Sal Rusin, familjen Duka dhe Martin J. Golden.

Filed Under: Opinion

Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare

June 22, 2025 by s p

Sokol Paja/

Në Paradën Shqiptare 2025 në New York, organizata “Rrënjët Shqiptare” nderoi personalitete të shquara të komunitetit shqiptar në New York për dedikimin, pasionin, përkushtimin, sukseset, arritjet dhe kontributin e jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Hasan Metuku, Jasmin Novaj, Arvid Hoxha, Age Gjokaj Ivezaj, Blerim Koçani, Dilaver Duka, Joseph Saljani (posthumously), Ahmet Hoti, Fadil Berisha, Dibra Community Center, Our Lady of Shkodra Church. Nderim të veçantë pati dhe për veprimtarin e shquar të komunitetit, marshallin e përgjithshëm të paradës Sal Rusi.

Angazhimi dhe modeli qytetar, patriotik e atdhetar i patriotëve që u nderuan sot, është frymëzues për çdo shqiptar.

Shqiptarët e Amerikës janë nder dhe krenari kombëtare.

Filed Under: Featured

Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor

June 22, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi, bazuar në agjencitë e lajmeve/

Ushtria amerikane goditi tre baza në Iran të dielën herët, duke u bashkuar drejtpërdrejt në luftën e Izraelit që synonte shkatërrimin e programit bërthamor të vendit në një hap të rrezikshëm për të dobësuar një armik të hershëm mes kërcënimit të Teheranit për hakmarrje që mund të nxisë një konflikt më të gjerë rajonal.

Presidenti Donald Trump ishte i pari që zbuloi sulmet. Nuk pati asnjë konfirmim të menjëhershëm nga qeveria iraniane. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA e Iranit raportoi se sulmet kishin në shënjestër bazat bërthamore të Fordo, Isfahan dhe Natanz të vendit. Presidenti i SHBA-së paralajmëroi gjatë fjalimit të tij se nuk do të hezitojë të godasë objektiva të tjera në Iran nëse paqja nuk vjen shpejt në Lindjen e Mesme.”

Ose do të ketë paqe ose do të ketë tragjedi për Iranin, shumë më të madhe se sa kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit,” tha ai. Trump tha se ndërsa objektet bërthamore të goditura nga SHBA-të të shtunën ishin më “vdekjeprurëset”, “kanë mbetur shumë objektiva”. “Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i ndjekim ato objektiva të tjera me precizion, shpejtësi dhe aftësi,” shtoi ai.

Konferencë për shtyp në Pentagon e planifikuar për të dielën Presidenti Donald Trump thotë se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 8 të mëngjesit sipas Orës Lindore të dielën në lidhje me bombardimin e objekteve bërthamore të Iranit. Hegseth u shoqërua nga Gjenerali i Forcave Ajrore Dan Caine, kryetari i Shtabit të Përbashkët.

Trump në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë e përgëzoi posaçërisht Caine për sulmin ajror. Trump tha se punoi “si një ekip” me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se bashkëpunimi ishte “ndoshta” si “asnjë ekip nuk ka punuar më parë”.

Por Trump gjithashtu vuri në dukje se asnjë ushtri në botë, përveç faktit se SHBA-të nuk mund ta kishin realizuar sulmin. Trump thotë se Irani do të përballet me më shumë sulme ushtarake nëse nuk bën paqe

Trump e quajti Iranin “ngacmuesin e Lindjes së Mesme” dhe paralajmëroi për sulme shtesë nëse nuk bën paqe. Nëse nuk e bëjnë këtë, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë pasi bombardimet e objekteve bërthamore të Iranit u njoftuan më parë.

Trump e portretizoi sulmin si një përgjigje ndaj një problemi të gjatë, edhe nëse objektivi ishte të ndalonte Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. “Për 40 vjet, Irani ka thënë vdekje Amerikës, vdekje Izraelit”, tha Trump. “Ata kanë vrarë njerëzit tanë, duke ua hedhur në erë krahët, duke ua hedhur në erë këmbët me bomba në rrugë.”

Agjencia bërthamore e Iranit konfirmon sulmet ndaj objekteve bërthamore të Fordos, Isfahanit dhe Natanzit, thotë se puna e saj nuk do të ndalet.

“Vendimi juaj i guximshëm për të synuar objektet bërthamore të Iranit, me fuqinë e mrekullueshme dhe të drejtë të Shteteve të Bashkuara, do të ndryshojë historinë”, tha ai. Netanyahu tha se SHBA-të “kanë bërë atë që asnjë vend tjetër në tokë nuk mund ta bënte”.

Sulmet janë një vendim i rrezikshëm, pasi Irani është zotuar të hakmerret nëse SHBA-të bashkohen me sulmin izraelit, dhe për Trumpin personalisht. Ai fitoi Shtëpinë e Bardhë me premtimin për ta mbajtur Amerikën larg konflikteve të kushtueshme të huaja dhe përqeshi vlerën e ndërhyrjes amerikane. Trump u tha gazetarëve të premten se nuk ishte i interesuar të dërgonte forca tokësore në Iran, duke thënë se është “gjëja e fundit që doni të bëni”. Ai më parë kishte lënë të kuptohet se do të bënte një zgjedhje përfundimtare gjatë dy javëve.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të mërkurën se sulmet që synojnë Republikën Islamike do të “rezultojnë në dëme të pariparueshme për ta”. Dhe zëdhënësi i Ministrit të Jashtëm iranian, Esmail Baghaei, deklaroi se “çdo ndërhyrje amerikane do të ishte një recetë për një luftë të përgjithshme në rajon”.

Trump është zotuar se nuk do ta lejonte Iranin të merrte një armë bërthamore dhe fillimisht kishte shpresuar se kërcënimi i forcës do t’i bënte udhëheqësit e vendit të hiqnin dorë nga programi i tij bërthamor në mënyrë paqësore.

Duket se Trump ka bërë llogaritjen – me nxitjen e zyrtarëve izraelitë dhe shumë ligjvënësve republikanë – se operacioni i Izraelit kishte zbutur situatën dhe kishte paraqitur një mundësi ndoshta të pashembullt për të penguar programin bërthamor të Iranit, ndoshta përgjithmonë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT