• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Vatra promovoi veprën “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese” të diplomatit Imer Lladrovci

June 7, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 7 Qershor 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi librin publicistik “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”, të diplomatit Imer Lladrovci. Libri përmbledh në mënyrë të shkëlqyer paraqitjet publike dhe qëndrimet e dokumentuara në: kumtesa, trajtesa, intervista, opinione, shkrime autoriale, fjalime, analiza, komente etj., të cilat trajtojnë elementë themelore të shoqërisë, diplomacisë, shtetit, politikës e mërgatës shqiptare. Vepra e Lladrovcit është një kontribut i vyer publicistik që përmbledh një rrugëtim sa politik dhe diplomatik të autorit dhe institucioneve që ka shërbyer e përfaqësuar.

Veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Shpend Gjocaj diskutoi rreth rëndësisë së kombit shqiptar si faktor i unitetit kombëtar dhe dënoi ndasitë mes shqiptarëve me përdorimin e termit “kombi kosovar”. Ambasador Bujar Skendo theksoi rëndësinë dhe nevojën e botimeve publike mbi përvojën diplomatike të diplomatëve shqiptarë që kanë shërbyer në trupin diplomatik.

Shkrimtari Mhill Velaj vlerësoi veprimtarinë e Imer Lladrovcit dhe theksoi se kombi ka nevojë për diplomatë aktivë e përfaqësues dinjitozë. Gazetari Bekim Adili nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup theksoi se na nevojitet unitet dhe platformë të përbashkët kombëtare me qëllim shtetndërtimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Ai e cilësoi librin e Imer Lladrovcit si një udhërrëfyes për diplomacinë dhe politkbërjen në Kosovë. “Vatra e Nolit na fton e na kujton për detyrimet që kemi ndaj kombit tonë e ndaj atdheut të përbashkët. Mirënjohje vatranëve e patriotëve shqiptarë të mërgatës së Amerikës që mbajnë gjallë frymën e Fan Nolit në mënyrë që ta duam atdheun pa kushte e pa interes” tha ndër të tjera gazetari Adili. Artisti i komunitetit Shaban Lajçi u shpreh se vepra publicistike e Lladrovcit është një shkëndijë drite në veprat publicistike e kombëtare.

Diplomati Imer Lladrovci fjalën e mirënjohjes dhe falenderimit për Vatrën e filloi me mbështetjen ndaj luftës së UÇK dhe duke denoncuar padrejtësinë ndaj saj. “Shpreh indinjatën e thellë për padrejtësinë që po iu bëhet në Hagë themeltarëve, luftëtarëve dhe çlirimtarëve të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e bashkëluftëtarëve të tyre. Kjo është një padrejtësi historike” tha në fjalën e tij diplomati Lladrovci. Përgjatë fjalës së tij, ai solli në vëmëndje shembullin e kontributin e Skënderbeut, Fan Nolit, Pashko Vasës e rilindasve shqiptarë për shembullin dhe kontributin historik për kombin.

Imer Lladrovci si diplomat, publicist, veprimtar politik veprimtar, kontribuues dhe bashkëpunëtor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë përfaqësues i shtetit të Kosovës në Stuttgart në Gjermani( 2009-2013), Konsull dhe shef i seksonit konsullor në Vjenë të Austrisë ( 2013-2018), Konsull dhe shef i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtuttgart të Gjermanisë (2018-2022).

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

“XHAMIA SULEJMANIE NË KËSHTJELLËN E LEZHËS”

June 7, 2025 by s p

Pas pushtimit të Lezhës më 5 shtator 1478 (1), Perandoria Osmane vendosi një garnizon të qëndrueshëm në Kështjellën e qytetit, duke i dhënë fill një procesi të gjerë transformimi urban dhe shpirtëror. Si në qytetet e tjera arbëre/shqiptare, edhe në Lezhë pushtimi osman ndikoi ndjeshëm në strukturën institucionale, fetare dhe arkitekturore, duke e shndërruar atë në një qendër me karakter të ri islamik. Ndikimi osman në Lezhë u materializua në mënyrë të shumëfishtë: nga rikthimi në funksion i Kështjellës në fillim të shekullit XVI, deri në formësimin e një Shehri të ri në lindje të saj. Burimet osmane të kohës, si dhe përshkrimet e udhëtarit Evlia Çelebiu (2), dëshmojnë për ekzistencën e komuniteteve të hershme myslimane në Kështjellën e Lezhës. Deri në vitin 1553 aty banonin 83 familje myslimane, ndërsa më 1614, numri i shtëpive myslimane në Shehrin pranë Kështjellës kishte arritur në rreth 500 (3), një tregues i qartë i rritjes së qëndrueshme të popullsisë islame dhe i nevojës për zhvillimin e infrastrukturës fetare dhe urbane (4). Xhamia Sulejmanie në Kështjellën e Lezhës u ndërtua në vitet 1521-1522, gjatë sundimit të sulltan Sulejmanit të Madhërishëm (Ligjvënësi), siç dëshmohet nga një mbishkrim epigrafik i gjetur në hyrje të kështjellës. Ekziston një tezë jashtëzakonisht interesante, e ngritur dhe e mbështetur nga autorë shumë seriozë, duke nisur nga E.Lear (5), A.Degrand (6), Th.Ippen (7), M.Šufflay (😎, E.Armao (9) dhe deri te S.Adhami (10) dhe K.Frashëri (11), sipas së cilës: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është varrosur pikërisht në Kishën e Kështjellës së Lezhës, mbi të cilën më vonë është ndërtuar Xhamia.” Kjo tezë është kundërshtuar vazhdimisht nga një varg i gjatë autorësh të ndryshëm dhe gjatë një ekspedite arkeologjike të zhvilluar në Kështjellën e Lezhës në muajin gusht të vitit 1986, ku u zbuluan pjesë të themeleve të xhamisë dhe u kryen sondazhe e hulumtime në pika të ndryshme të mundëshme, L.Gjeçi dhe N.Përleka arritën në përfundimin se kjo xhami nuk ka qenë kurrë kishë, por ajo është ndërtuar nga themelet (12). Për të verifikuar hipotezën se xhamia ishte ndërtuar mbi themele origjinale, pa adaptime nga struktura të mëparshme kishtare, në gusht të vitit 1990 u organizua një ekspeditë e dytë arkeologjike me fokus në gërmime dhe hulumtime stratigrafike në truallin e xhamisë (13). Gjatë ndërhyrjes u hoqën shtresat e depozituara të dheut, të akumuluara ndër shekuj, derisa u arrit në nivelin e dyshemesë së plotë të ndërtesës. Gjetjet arkeologjike nuk dëshmuan për praninë e ndonjë strukture kishtare pararendëse në këtë vend, pasi nuk u identifikua asnjë fragment muri apo objekt tjetër material që të sugjeronte ekzistencën e kishës së Kështjellës në këtë truall. L.Gjeçi këmbëngul se këto të dhëna konfirmojnë se xhamia është ndërtuar si objekt i ri dhe i pavarur, mbi themelet e veta origjinale, pa përshtatje arkitektonike nga ndërtesa paraardhëse (14). Mirëpo, rezultatet e dy ekspeditave të fundit arkeologjike të zhvilluara në vitet 2013 (15) dhe 2014 (16), nën udhëheqjen e E.Nallbanit, nxorën në dritë dy fazat e ndërtimit të xhamisë dhe një potencial të jashtëzakonshëm arkeologjik në këtë zonë, deri tani mezi i dyshuar dhe ndër mbetjet më të vjetra përfshihet veçanërisht një ndërtesë që i paraprin periudhës osmane. Me pak fjalë, kjo xhami nuk përfaqëson një ndërtim tërësisht të ri, por është ngritur mbi struktura ekzistuese më të hershme, duke përbërë një shembull tipik të ripërdorimit arkitektonik (spolia) në kontekstin fetar dhe politik të periudhës osmane. Themelet dhe muret e saj janë ndërtuar pjesërisht mbi gjurmë ndërtimore më të vjetra, të cilat, në mungesë të të dhënave të plota arkeologjike, supozohet se i përkisnin një ndërtese kishtare ose një strukture ushtarake të periudhave paraosmane, të integruara brenda sistemit mbrojtës të Kështjellës. Ky akt i transformimit të hapësirës monumentale për qëllime fetare islame reflekton shumë qartë strategjitë e osmanizimit të qendrave urbane në Shqipërinë Veriore gjatë shek. XVI. Xhamia u ndërtua sipas tipologjisë klasike të arkitekturës fetare osmane të periudhës së hershme. Ambienti kryesor ka një planimetri të thjeshtë drejtkëndore, me përmasa modeste prej 11.40 x 9.77 m (17), i përshtatur për një komunitet të vogël besimtarësh brenda Kështjellës. Objekti është i orientuar veriperëndim-juglindje, në drejtim të Kiblës, pra Qabesë së Madhe në Mekë, sipas normave të arkitekturës islamike. Kjo dëshmon jo vetëm për funksionin fetar, por edhe për respektimin e kanoneve liturgjike në projektimin dhe realizimin e saj. Muret janë ndërtuar kryesisht me gurë gëlqerorë dhe kanë një trashësi që mesatarisht varion nga 0.75 deri në 0.90 m (18), në ambientin kryesor deri në 1.10 m, duke ofruar izolim termik dhe qëndrueshmëri. Ndërtimi me teknikën e gurit mesatar, pa përdorim të gjerë të tullës, është në përputhje të plotë me traditën ushtarake të ndërtimit në vendbanimet fortifikuese. Në formën e saj origjinale, xhamia ka qenë një ndërtim dy katësh. me mafil, me çardak, dhe kati i dytë ka shërbyer si vend ku qëndronin gratë. Hyrja e xhamisë ndodhet në murin veriperëndimor dhe ndërsa hapësira e brendshme ndriçohet nga 6 dritare të mëdha të mbuluara me qemer guri: 2 në murin juglindor (Kibla), 2 në murin perëndimor dhe 2 të tjerat në atë lindor. Përmasat e dritareve janë: 1.95 m lartësi x 0.95 m gjerësi. Në pjesët anësorë të hyrjes së xhamisë ruhen gjurmët e 2 dritareve të tjera të mëdha dhe po ashtu, gjurmët e dy dritareve me përmasa mesatare, ruhen në pjesën e sipërme të mureve, njëra në pjesën lindore të murit të Kiblës dhe tjera në murin perëndimor, pranë minares. Pozicionimi i tyre mbi dritaret e mëdha lë për të kuptuar se xhamija ka qenë e pajisur me 8 dritare mesatare të vendosura mbi ato të mëdhatë poshtë tyre. Në murin e saj juglindor, Xhamia është e pajisur me një kamare gjysmë rrethore, që në fjalorin terminologjik të arkitekturës islamike njihet si mihrab, i cili tregon drejtimin e Mekës. Mihrabi ngrihet 50 cm nga dyshemeja dhe është i lartë 3.30 m. Ky element arkitektonik, i cili përputhet plotësisht me stilin osman të periudhës së hershme, në pjesën e sipërme është e punuar me tulla dhe mjeshtrit e kohës e kanë realizuar mjaft bukur në aspektin estetik. Një minare e vogël dhe pjesërisht e rrënuar, është e vendosur në anën e djathtë të hyrjes (në pjesën perëndimore të xhamisë), e cila komunikon me ambientin kryesor të xhamisë nëpërmjet një hyrje me përmasa: 1.88 m lartësi x 0.60 m gjerësi. Minarja ka një bazament katror dhe trup cilindrik prej guri të pajisur nga brenda me shkallë në formë spirale, tipike për xhamitë e thjeshta të garnizoneve të periudhës së hershme osmane. Lartësia aktuale e minares e matur nga brenda është 5.93 m dhe nga jashtë është 6.65 m. Në pjesën e saj veriperëndimore, xhamia është e pajisur me një ambient ndihmës me përmasa: 9.76 m gjatësi dhe 7.02 m gjerësi, i cili përfaqëson një zgjerim të pjesës ballore të saj (19). Ky ambient lidhet drejtpërdrejt me hapësirën e brendshme të xhamisë përmes një hyrjeje të pozicionuar në të njëjtin aks me hyrjen kryesore të saj. Dyshemeja ndahet në dy pjesë nga një korridor me thellësi 0.60 m, i cili përshkon qendrën e ambientit. Të dy muret anësore të kësaj hapësire janë të pajisur me nga një dritare, që sigurojnë ndriçimin natyror të saj. Ambienti i tretë i kompleksit të xhamisë zë të gjithë krahun verilindor të ndërtesës dhe është i ndarë në tri pjesë të njëpasnjëshme. Në dallim nga dy ambientet e para, të cilat janë ruajtur në gjendje të ngritur dhe me strukturë të dallueshme arkitektonike, ambienti i tretë rezultonte i rafshuar dhe i dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme, duke e bërë mjaft të vështirë rikonstruktimin e plotë të planimetrisë së tij origjinale. Pavarësisht kësaj, struktura e përgjithshme e kompleksit dhe ruajtja e elementeve origjinale në ambientet e tjera, e bëjnë Xhaminë Sulejmanie një nga objektet më të hershme dhe më autentike të arkitekturës islamike në Shqipëri. Ndërtimi i saj u shoqërua me krijimin e një lagjeje të re urbane në lindje të kështjellës – Shehri i Lezhës – i banuar ekskluzivisht nga popullsi myslimane. Kjo lagje përfshinte banesa me oborre të brendshme, hane, tregje dhe objekte të tjera publike e fetare, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme të jetës qytetare osmane për më shumë se tre shekuj. Së bashku me lagjen e Pazarit (Bregu i Drinit), Shehri përfaqësonte një strukturë të plotë urbane në përputhje me modelin osman të organizimit të qyteteve. Ndërsa, Xhamia Sulejmanie nuk ishte vetëm një objekt kulti, por pjesë e një kompleksi të gjerë fortifikues dhe administrativ që përfshinte saraje, sheshe ceremoniale, ambiente për lutje dhe zona ushtarake. Ajo shënon një pikë të rëndësishme kthese në historinë urbane dhe fetare të Lezhës, duke dëshmuar për përpjekjet e Perandorisë Osmane për të ndërthurur arkitekturën fetare me funksionet politike dhe ushtarake të qytetit. Integrimi i xhamisë brenda strukturës mbrojtëse të Kështjellës është një shembull i harmonizimit të autoritetit politik me dimensionin shpirtëror të jetës urbane. Pra në thelb, ajo përfaqëson një dëshmi të pastër arkitektonike, historike dhe shpirtërore të trashëgimisë osmane në qytet. Po ashtu, duhet theksuar se Xhamia Sulejmanie në Kështjellën e Lezhës paraqet interes të veçantë jo vetëm për arkitekturën e saj të hershme osmane, por edhe për funksionin e saj simbiotik me strukturën e një kështjelle mesjetare. Ky lloj integrimi tregon për qasje të sofistikuar osmane ndaj hapësirës urbane dhe simbolikës politike-religjioze, ku objekti fetar ndërthuret me hapësirën e pushtetit dhe mbrojtjes. Tërmeti i fuqishëm i vitit 1728 (20), braktisja e kështjellës nga banorët dhe përdorimi prej tyre i xhamive të tjera, i dha fund funksionalitetit fetar të Xhamisë Sulejmanie, por strukturat e saj murale që i kanë mbijetuar kohës dhe burimet dokumentare mbeten dëshmi mjaft të rëndësishme për identitetin historik dhe kulturor të qytetit. Edhe pse i ruajtur pjesërisht, ky monument përfaqëson një pikë kyçe për analizën e proceseve të islamizimit dhe osmanizimit në qytetet shqiptare, duke ofruar të dhëna të vlefshme për transformimet urbane, fetare dhe institucionale të periudhës osmane. Xhamia Sulejmanie në Kështjellën e Lezhës, duke qenë një prej objekteve më të hershme të kultit islam në vendin tonë, ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në shndërrimin e peizazhit fetar dhe urban të qytetit të lashtë të Lisit.

BIBLIOGRAFIA:

1) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 51; S.Daci, Lezha nën sundimin e Venedikut, në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 174; S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530, Burime osmane, f. 125, 162-163; M.Uci, Lezha: tempulli i historisë kombëtare, f. 135.

2) Evlia Çelebi, Shqipëria 350 vjet më parë, (Përkth. Sali Vuçiterni; Përgat. për botim Filip Rrumbullaku), Botimi i dytë, Tiranë: Horinzont, 2000, f. 131.

3) I.Zamputi, Relacione dhe dokumente për historinë e Shqipërisë (1610-1650) / Relazioni e documenti per la storia dell’Albania (1610-1650), (Transkriptuar e perkthyer nga – Trascritti e tradotti da Injac Zamputti), (Ribotim i perpunuar nga – riedizione elaborata da Jozef Zamputti), St. Gallen: Alarische Institut; Prishtinë: Faik Konica, 2018, f. 242.

4) L.Gjeçi, Në Kalanë e Lezhës ruhet një nga xhamitë më të vjetra në Shqipëri, në: Zëri Islam, 25 Prill 2014.

5) E.Lear, Journals of a Landscape Painter in Albania, Illyria & c., Second Edition, London: Richard Bentley, M.D.CCC.LII (1852), f. 123.

6) A.Degrand, Souvenirs de la Haute-Albanie, f. 176.

7) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 210.

8)M.Shuflaj, Situata të Kishës në Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike, Botimi II, f. 99.

9) E.Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimivarii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l’Europa Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f. 31-32.

10) S.Adhami, Monumente të Kulturës në Shqipëri, f. 68.

11) K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra (1405-1468), f. 470-479.

12) L.Gjeçi-N.Përleka, Përpjekje për të rënë në gjurmët e varrit fizik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, “Dorëshkrim”, Lezhë: Shkurt 1988, f. 2.

13) L.Gjeçi, Në Kalanë e Lezhës ruhet një nga xhamitë më të vjetra në Shqipëri, në: Zëri Islam, 25 Prill 2014.

14) Ibidem.

15) E.Nallbani, L.Buchet, V.Gallien, M.Julien & J.-Y.Langlois, Gërmimet e vitit 2013 në qytetin e sipërm të Lezhës (Kala dhe varrezë lindore), në: Iliria, vol. 38, 2014, f. 357-386.

16) E.Nallbani, V.Gallien, M.Julien, L.Buchet & E.Metalla, Gërmimet e vitit 2014 në qytetin e sipërm të Lezhës (Kala dhe varrezë lindore), në: Iliria, vol. 38, 2014, f. 387-410.

17) E.Nallbani, L.Buchet, V.Gallien, M.Julien & J.-Y.Langlois, Gërmimet e vitit 2013 në qytetin e sipërm të Lezhës (Kala dhe varrezë lindore), në: Iliria, vol. 38, 2014, f. 360.

18) L.Gjeçi, Në Kalanë e Lezhës ruhet një nga xhamitë më të vjetra në Shqipëri, në: Zëri Islam, 25 Prill 2014.

19) E.Nallbani, L.Buchet, V.Gallien, M.Julien & J.-Y.Langlois, Gërmimet e vitit 2013 në qytetin e sipërm të Lezhës (Kala dhe varrezë lindore), në: Iliria, vol. 38, 2014, f. 362.

20) Ibidem, f. 364.

Nga: Paulin Zefi.

Lezhë: 06.06.2025.

Filed Under: Reportazh

Dukuri të artit ushtarak të shfaqura në Luftën e Dibrës

June 7, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Pjesa I

Lufta e Dibrës në sfondin historik

105-vjetori i Luftës së Dibrës shënon një ngjarje të madhe përkujtimi, por dhe zhvillim të vlerave të historisë e të traditës tonë kombëtare. Festimi i këtij jubileu nuk është thjesht një cermonial, apo një borxh nderimi për paraardhësit tanë dhe veprën e tyre. Është më tepër se kaq. Lufta e Dibrës e cila u zhvillua për liri, pavarësi dhe sovranitet, u jetësua në betejat popullore të luftëtarëve në nëntë malet e Dibrës, kundër një ushtrie të huaj e të organizuar me ambicje të njohura pushtuese ndaj Dibrës dhe Buqizës që ndodhej në “vijën strategjike”, dhe në saj të vendimmarrjes së burrave të shquar dibran, bëri të mundur dhe ja zbardhi faqen Shqipërisë, duke mundur një mbretëri dhe Fuqi të Mëdha që qëndronin pas saj. Në Luftën e Dibrës morën pjesë pothuajse të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta mori karakterin e një lufte ballore, që dëshmonte për ndryshime në përmasa, në organizim të veprimeve luftarake, si dhe të disa dukurive të shfaqura të artit ushtarak shqiptar. U krijua kështu një front i gjerë lufte kundër ushtrisë serbe, që përbënte dhe tiparin kryesor të saj.

Në udhëheqje të Luftës së Dibrës dolën përfaqësues të patriotizmit, njerëz fisnikë, të kamur në pasuri, drejtues të organizimeve ushtarake, si dhe atdhetar të qytetit dhe të fshatit. Kjo dukuri në udhëheqje, organizim, drejtim dhe plotësime të tjera detyrave luftarake çlirimtare përbënte një tipar të ri, që dëshmonte për ndryshimet cilësore të ndodhura në zhvillimin e luftës së armatosur. Për vet nismën, si dhe të shtrirjes në hapësirë të kufizuar gjeografike të saj, lufta ngeli e karakterit lokal, kundër armikut të Shqipërinë, Serbisë pushtuese. Gatishmëria e bashkëpunimi ndërmjet zonave të pushtuara të krahinës, gradualisht solidariteti ndërmjet popullsisë të gjithë treveve, tregoi se procesi i bashkimit të popullit shqiptar kishte hedhur rrënjë të qëndrueshme. Ndryshime u vunë re dhe në aspektin organizativ të kësaj lufte. Dolën në skenë forma organizative demokratike. U organizuan kuvende, mbledhje, pleqësi dhe kuvendime me luftëtarët, disa prej këtyre formave kishin qenë dhe më parë, por morën një përmbajtje të re. Shpejt lëvizja e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe mori karakter përbashkues ndërkrahinor. Qarqet patriotike shqiptare vlerësuan qëndresën e popullsisë së krahinave të pushtuara ndaj kësaj politike shoviniste e armiqësore, si një përpjekje e armatosur patriotike me rëndësi kombëtare.

Çetat ishin bashkime të luftëtarëve

Në Luftën e Dibrës u manifestua shpirti luftarak i luftëtarëve, por dhe i popullit patriot të saj. Zgjimi i masave popullore të fshatit dhe të qytetit në vitet 1918-1920 ishte një nga dukuritë kryesore që i dhanë Luftës së Dibrës karakter luftarak dhe rritje të frymës patriotike. Nga pikpamja e organizimit ushtarak, formacionet luftarake, çetat ishin bashkime të luftëtarëve të fshatrave dhe të krahinave me lidhje të përkohshme dhe me përbërje të thjeshtë. Një fshat ose lagje qyteti formoi një çetë prej disa dhjetra luftëtarësh deri në ndonjë rast edhe mbi njëqind. Në vartësi të numrit të shtëpive (familjeve), një krahinë formoi disa çeta, të cilat bënë një forcë të madhe me luftëtarë.

Lufta e Dibrës për vet kushtet në të cilat lindi dhe u zhvillua në pushtimin e një pjesë të territorit të gjithë vendit, lëvizje e nisur në bazë dhe e mbështetur nga qeveria e Sulejman Delvinës, shënoi një shkallë të lartë të lëvizjes çlirimtare kundër ushtrisë serbe, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në mbushjen e radhëve të luftëtarëve, e sidomos në drejtim operativ e luftarak të saj. Qeveria e Sulejman Delvinës e vlerësoi armikun që vinte nga kjo anë, por në kushtet konkrete mendoi të mos hynte në konflikt të hapur me shtetin serb, ajo shpresonte që të arrihej një zgjidhje e dëshiruar me ndërhyrjen e diplomacisë europiane.

Lufta e Dibrës edhe pse me një brumë njerëzor, jo ushtarak, por vullnetarë (luftëtarë) dhe ka zënë një vend në studimin e Artit Ushtarak Shqiptar. Dukuritë lidhen me njëri-tjetrin. Ato janë sa ushtarake aq dhe politike, të brendshme dhe ndërkombëtare. Në këto kushte para popullsisë dibrane dilte nevoja që të organizonte rezistencën e armatosura. Deri tani gjithë veprimtaria qe kufizuar në kundërshtimin me armë të armikut në fshatrat Arras, Vajkal e Steblevë si rezultat i së cilës u konkretizua një Vijë fronti në Dibër të Poshtme që nga Ura e Dodës e deri te Ura e Topojanit për së gjati lumit Drin i Zi, në Bulqizë për së gjati Zallit të Murës e deri te Kulla e Shabës, kurse në Gollobondë për së gjati Zallit të Okshtunit e në Shkallë bë Borovës, në pritje të çastit të përshtatshëm për t’u hedhur në sulm.

Tiparet që u manifestuan gjatë organizimit

Më poshtë po japim disa nga tiparet që kjo luftë manifestoi gjatë gjithë organizimit dhe zhvillimit të saj, deri në fitore: Lëvizja patriotike e kohës e kuptoi shpejt ndërgjegjen e popullit dhe përcaktoi si të vetmin shpëtim, fuqitë e veta. Shoqëritë patriotike të ngritura në krahinë, të analizuara më parë, pati besim në mundësitë dhe forcat e tyre, duke u mbështetur në supet e bijëve të vet, u ngritën në luftë kundër një ushtrie të armatosur, siç ishte ushtria italiane. Në këtë luftë spikatën dhe u manifestua vullneti, qëndrueshmëria dhe rezistenca e një krahine të pushtuar.

Tipar dallues i Luftës së Dibrës ishte masiviteti dhe vullnetarizmi. Fshatarët u organizuan në çeta siç ishte çeta e katundit Vajkal e komanduar nga Mehmet Duriçi, që ruanin territorin ditë e natë dhe kundërshtonin përpjekjet e armikut për të kapërcyer kufirin strategjik. Përpjekjet e bëra prej serbëve në zonën e Gollobordës për të zënë Qafën e Dërstilles, mbi fshatin Zabzum, pësuan disfatë të plotë përballë qëndresës së forcave shqiptare.

Parimi i pjesëmarrjes ose i mobilizimit për luftë ishte vullnetarizmi që mbështetej në zakonet dhe traditat popullore, sipas të cilëve “çdo derë” (shtëpi) nxirrte nga një luftëtar. Çdo njësi e banuar, fshat, lagje qyteti, krahinë etj., do të nxirrte çetën e grupit të vet me një numër përafërsisht të përcaktuar luftëtarësh. Zakoni po merrte formën e detyrimit të pakundërshtueshëm. Mobilizimi i forcave kryengritëse u bë mbi baza vullnetare. Patriotët dibranë, me qëndrim në Tiranë, sidomos deputeti Ramiz Daci, patrioti Ramiz Dibra etj., iu drejtuan qeverisë së Tiranës e kërkuan që të bëhej organizimi i administratës civile të prefekturës së Dibrës. Kështu nga fundi i muajit korrik 1920 në fshatin Arras të Peshkopisë u vendos administrata e krahinës me prefekt Ramiz Dibrën. Administrata e vendosur mbante lidhje me krahinat e pushtuara dhe bënte pregatitje për luftën e armatosur. U arrit të lidhej një “besë e përgjithshme” në të gjithë krahinën që gjithë vëmendja të drejtohej kundër pushtuesit.

Si rregull para nisjes së luftës mblidhej një kuvend krahinor ose ndërkrahinor i cili shpallte vendimet dhe përcaktonte qëllimin dhe etapat përkatëse të luftës, masat organizative, detyrat, numrin e forcave dhe detyrimin për çdo fshat e krahinë, zgjidhte prijësat apo drejtuesit e luftës. Autoriteti i Këshillit të Prefekturës u rrit shumë. Krahas tij u krijua dhe komanda ushtarake nën drejtimin e Elez Isufit. Kjo komandë mori në shqyrtim dislokimin e forcave armike dhe caktoi zonën e luftimeve për çdo repart fshatarësh në sulm ose në prapavijë të armikut. Ushtria serbë që vendosur në pikat më dominuese të krahinës. Të gjashtë batalionet e vendosura në Dibrën e Poshtme, shtabin kryesor e kishin në Kodrat e Llasenit, në jug të Peshkopisë. Forcat ushtarake ishin shpërndarë në këto vende: në Majë të Llogorit, te Lisat e Tnenës, në Smollaviç, në Kodër të Bullgarit, në Qafë të Kërnelit, që të gjitha në territorin e fshati Dohoshishtë. Më nga veriu e nga verilindja ishin vendosur në Gjarica të Brezhdanit, në Kodër të Kabe, në Pasma të Kishavecit, në Ostësh të Laçes, në Kodër të Kshtejës të katundit Kastriot, në Salbatër të Fushalies, në Shkeka të Shumbatit dhe në Kala të Dodës.

Strategjia ushtarake dhe organizimi ushtarak

Strategjia ushtarake e kësaj lufte e mbështeti dhe e përshtati organizimin ushtarak në traditën popullore luftarake të trashëguar duke i dhënë përmbajtje bashkëkohore krijimit të çetave të fshatrave dhe të krahinave, si dhe të Komiteteve të “Mbrojtjes Kombëtare”. Këto dukuri të thjeshta, mbështetur në frymën atdhetare të popullit ju përgjigjën forcave, mjeteve e mundësive në plotësimin e detyrave të rëndësishme luftarake. Ato siguruan shpejtësi në mobilizimin, lehtësi në veprimet taktike dhe mundësi për të përdorur metoda të luftës tradicionale dhe të luftës me front të rregullt, që kushtëzonte karakteri deri i fortifikuar i garnizoneve armike.

Forcat kryengritëse nga fshati Arras më 13 gusht 1920 i dërguan një ultimatum komandës së ushtrive serbe ku kërkohej që brenda 24 orëve të tërhiqeshin në kufirin e 1913, por serbët nuk pranuan. Atëherë sipas planit të përpunuar që më parë, u vendos të sulmohej ushtria armike e përqëndruar në “Shkeka të Shumbatit” e pastaj në të gjitha vendet e tjera. Sulmi do të kryhej nga forcat e Ujë e m’ujës dhe të Reç e Dardhës nën komandën e Suf Xhelilit, nipit të Elez Isufit, të cilëve do t’u shkonin në ndihmë forcat e Arrasit. Pozita natyrale favorizuese e Kodrinës së Shkekës ishte e tillë që paraqiste vështirësi shumë të madhe për ta sulmuan malësorët nga çdo anë që të ndërmerrnin veprimin do të gjendeshin të zbuluar nën zjarrin e armëve serbe.

Ndërsa ushtria serbe ishte e fortifikuar në transhe të thella, pozicionet (nozullimet) ishin futur në tokë dhe pozicionet kryesore ruheshin nga disa prita të avancuara në pararojë dhe praparojë të tyre. Në këtë pikë dominuese ishin vendosur dhe katër topa me rreze veprimi të gjatë. Marrja e kësaj pozite ishte vendimtare për kryengritjen, prandaj edhe sulmi i saj u studiua dhe u përgatit me shumë kujdes. Në radhë të parë u vendos që të sulmoheshin natën pikat e avancuara që kështu t’i afroheshin fshehurazi sa më shumë objektivit. Forcat e Ujë e M’ujës, nën komandën e vetë Suf Xhelilit zunë postën serbe në katundin Shumbat duke i sulmuar në befasi; ata dollën kështu pa as më të voglën zhurmë Shkekës në verilindje. Forcat e Reç Dardhës likuiduan postën në krah të Zall Kalisit dhe iu afruan në heshtje Shkekës nga veriperëndimi. Ndërsa në mëngjez u dha sinjali i sulmit. Luftëtarët duke i mashtruar serbët me sulme fiktive, me britma të fuqishme “o besa besë” e me të shtëna me armë iu afruan shumë pozicioneve armike. Zjarri i armikut ishte shumë i dëndur, si dhe terreni mjaft i disfavorshëm, megjithatë sulmuesit, nuk e ndalën përparimin e tyre drejt llogoreve armike.

Fill pas sulmit në Shkeka filloi edhe sulmi në Arras, Fshatarët e Çidhnës e një pjesë të Dardhës i udhëhiqte Elez Isufi. Sipas planit të vendosur të luftimeve, luftëtarët të veshur, kaluan lumin Drini i Zi dhe, nën goditjen e artilerisë serbe, përshkuan me vrap Fushalien dhe u ndanë në dy drejtime: një pjesë mësynë Salbatrën, nën Shkeka të Shumbatit dhe një pjesë u drejtuan kah Ostushi në jug. Forcat që mësynë Salbatrën me shpejtësi i detyruan forcat armike të tërhiqen dhe pastaj u drejtuan për në Shkeka.

Ushtria serbe në Shkeka të Shumbatit bëri një qëndresëtë dëshpëruar, por sulmi i fshatarëve dibranë qe i rrufeshëm. Në shumë pika u kalua në luftim trup me trup me armikun brenda llogoreve të tij. Ushtrinë serbe e zu paniku dhe u vu në ikje pasi la mbi 1.000 vetë rob e të vrarë. Trimëri të jashtëzakonshme tregoi luftëtari Osman Tahir Paci, i cili ra dëshmor. Aktet heroike të luftëtarëve ngjallnin kurajo e mobilizim në radhët e fshatarëve.

Me sukses përfundoi edhe sulmi i forcave të Muhërrit dhe të fshatrave rreth Kastriotit kundër “Çapit të Brezhdanit” pas të cilit u pushtua “Gjanica”. Armiku nuk u la i qetë dhe në prapavijat e tij. Forcat serbe në Kodër të Kabe u detyruan të tërhiqen në drejtim të Zimurit, ku u likuiduan plotësisht. Në këtë pritë u shqua luftëtari Melaim Kulemam, i cili vrau disa ushtarë dhe më në fund ra edhe vetë dëshmor i Atdheut.

Faktori moral, si faktori tradicional i popullit shqiptar në të shkuarën, u shpreh në një shkallë më të lartë dhe u materializua në gatishmërinë e popullit kryengritës, në forcën shpirtërore për të duruar të gjitha privacionet e luftës, në vendosmërinë për të luftuar me një armik mjaft të madh në forca e mjete e në heroizmin masiv u bë faktori themelor i fitores. Epërsia e faktorit moral të forcave kryengritëse ndikoi edhe në thellimin e mëtejshëm të krizës morale të forcave pushtuese. Ky faktor i rëndësishëm kompesoi në një shkallë të caktuar edhe inferioritetin në forca e mjete të forcave kryengritëse dhe u siguroi atyre fitoren në fushën e luftës së armatosur. Lufta e Dibrës dëshmoi edhe një herë vlerën morale se luftën nuk e fitojnë ata që kanë shumë armë, topa dhe vegla të luftës, Ushtria serbe, që ishte përqëndruar në Kodër të Pollozhanit, nën goditjen e fshatarëve, u detyrua të ikë drejt malit Skërtec, por u likuidua gati e tëra nga prita që i bëri fshati Rabdisht. Goditje e fortë ju bë ushtrisë serbe të dislokuar në afërsi të qytetit të Peshkopisë dhe veçanërisht shtabit serb në Kodrinat e Llasenit. Sulmin e filluan fshatarët e Dohoshishtit dhe të Grevës, dhe e vendosën armikun midis ry zjarresh. Në ndihmë të tyre shkuan edhe fshatarë të tjerë. Pas një lufte, që zgjati disa orë, serbët u tërhoqën në panik dhe lanë në duart e shqiptarëve topat, mitralozët dhe mjaft të vrarë e robër. Mësymja e armikut në Dibër të Poshtme u pasua nga sulmet kundër Vajkalit e Steblevës. Në fund të datës 15 gusht 1920 serbët u zbuan përtej kufirit të 1913-s duke lënë disa qindra të vrarë, shumë robër, mjaft armë e municione, të gjitha topat, disa dhjetëra mitralozë, etj. Edhe pse armiku kishte ushtri e armatime të panumërta, forcat kryengritëse mundën të arrinë suksese, në radhë të parë, në saje të vendosmërisë së tyre. Nga ana taktike kryengritësit zbatuan me sukses sulmet e rrufeshme, goditjen natën, tërhoqën vëmëndjen e armikut me sulme fiktive dhe vepruan njëkohësisht edhe në prapavijat e armikut, si brenda kufirit të 1913-s edhe jashtë këtij kufiri për qëllime zbulimi. Kryengritësit shqiptarë vendosën lidhje me forcat e armatosura maqedone, të cilët kundërshtonin politikën serbomadhe.

Përqëndrimi i forcave dhe mjeteve kryesore në drejtimet kryesore mbeti një tipar karakteristik, në kushtet konkrete duke ju përgjigjur forcave dhe mjeteve të armikut, me mundësit dhe aftësitë e tyre në shfrytëzimin e terrenit në përballimin dhe mposhtjen e kundërshtarit. Ndaj strategjia ushtarake duke vlerësuar drejt armikun dhe forcat e tij, i përqëndroi forcat kryesore Pjesëmarrja masive e popullit në luftë ishte faktor vendimtar e më shumë rëndësi për suksesin në lëmin ushtarak. Menjëherë në qytetin e Peshkopisë u vendos administrata e prefekturës me Ramiz Dibrën në krye. Forca mbështetej në një ushtri shumë të kufizuar dhe në gatishmërinë e fshatarëve kryengritës për të vazhduar luftën në mbrojtje të kufirit të 1913-s. Ndër detyrat më urgjente që i doli administratës ishte ruajtja e kufirit. Këtë detyrë e morën përsipër vullnetarisht fshatarët duke u vendosur në pika të ndryshme. Administrata e prefekturës, për mungesë organizative, u gjend në vështirësi të mëdha për të përballuar situatën e re. Gjithashtu edhe Qeveria e Tiranës nuk kishte mundësi që të dërgonte forca ushtarake për sigurimin e kufirit.

Qarqet shovinisbe serbe përgatitën forca të shumta ushtarake dhe nga fundi i muajit gusht 1920 sulmuan gjatë gjithë vijës së kufirit me mbi 40 batalione me ushtarë, të pajisura me armë nga më të rëndat që dispononin. Ushtritë serbe ndeshën me qëndresën e fshatarëve dhe sulmi armik u praps për tri ditë rresht. Disa qindra fshatarë, me pak fishekë, të vendosur që ta mbronin me çdo kusht kufirin e Atdheut, u bënë ballë heroikisht ushtrive të panumërta serbe.

Filed Under: Histori

NJË YLL SHNDRITËS NË YLLËSINË E KOLOSËVE BOTËRORË…

June 7, 2025 by s p

Kosta Nake/

Ky libër është një etalon se si mund të bëhet një studim shterues për një autor dhe veprën e tij. Është vendosja e një guri kilometrazhi në rrjetin e udhëve të antikitetit që Kadare jo thjesht i shkeli si adhurues, por u ndal gjatë si studiues duke i vëzhguar vëmendshëm, duke bërë zbulime interesante dhe duke hedhur hipoteza befasuese. Siç e dëshmon vetë Kadare tek “Ftesë në studio”, “Kur kam shkruar librin për Eskilin, kam dashur, veç të tjerash, të vë në provë ndërgjegjen time: a mund të shkruaja diçka për një popull tjetër (për një popull tjetër ballkanas), me të njëjtin përkushtim siç do të bëja për popullin tim?” (botim i vitit 1990, f.273)

Nuk mund të mos ndjehesh mirë kur që në faqen e parë lexon “… rileximi i Eskilit përbën vetvetiu një akt të zgjedhur”. Fillon me një inventar fizik të tragjedive të Eskilit: humbën 83 nga 90 vepra, një katastrofë artistike që shekujt e kanë mbuluar me koren e tyre, por sapo ta gërvishtësh pak, e ndjen zgafellën e krijuar. Interesante është hipoteza se zhdukja e tyre mund të ketë qenë e qëllimshme nga korrentet fetare.
Koncepti i së drejtës është një prej ideve gjeniale të Eskilit, ndaj së cilës Kadare pati një ndjesi të veçantë dhe e ilustroi me artefakte shqiptare.
Shtatë tragjeditë e mbetura kaluan në sitën e analizës së autorit: “Prometeu” – drama titanike me ndeshje hyjnish që përcaktojnë fatin e species njerëzore, që sjell figurën e rebelit dhe martirit të përjetshëm, simbol i përparimit dhe mendimit të lirë; “Të shtatët kundër Tebës” – paralajmërim i bashkatdhetarëve kundër përçarjes politike; “Oresti” – drama e krimit dhe e gjakmarrjes, e anktheve të luftës për pushtet; “Koeforet” me pëlhurën-rrjetë që Klitemnestra ia hodhi Agamemnonit para se ta godiste dhe njollat e thara të së cilës na kujtojnë menjëherë këmishën e përgjakur te romani “Prilli i thyer”.

Duke iu rikthyer luftës greko-trojane, Kadare e konsideronte si pretekst rrëmbimin e Helenës dhe i mëshonte “shkeljes së zakonit të mikut” dhe “tryezës së dhunuar” që përbën një gur themeli në kanunin shqiptar. Një ndërkallje e neneve nga Kanuni i Lekë Dukagjinit është një këmbëngulje për të thënë se nuk ka një ishull grek të lulëzimit të letërsisë, por një shtrat ballkanik që e ushqeu atë dhe këtu shpërthen pezmi i Kadaresë sepse pas Perandorisë Romake edhe studiuesit e tjerë të metropoleve botërore janë treguar shpërfillës ndaj këtij trualli që ka pjellë kryevepra të mahnitshme.

Rrezatimi i letërsisë antike në botën moderne, themelimi i një arti dhe një ndërgjegjeje të dytë të njerëzimit, përmbyllin këtë ese të gjerë analitike. Dhe atëherë, kur kthen dyshen e fundit të faqeve të librit, sheh se surprizat nuk kanë të mbaruar. Te raportet e Eskilit me konkurrimin dhe të Eskilit me Greqinë, ne mund të lexojmë raportin e Kadaresë me Çmimin Nobel dhe me Shqipërinë: “Kishte kohë që në trurin e tij shkumëzonte pakënaqësia. Vendimi i jurisë ishte pika e fundit e derdhur në një gotë të mbushur prej kohësh. Nuk i mbetej veçse të shfrynte me vete: në djall të vinin të gjitha… Në djall çdo gjë, në djall të vente Greqia bashkë me grekët. Vend zemërngushtë, mosmirënjohës, kujtesëshkurtër. Ai qe përpjekur ta bënte të pavdekshme, por ajo s’e meritonte.” (f.152)

“ESKILI KY HUMBËS I MADH” (1990)

Filed Under: LETERSI

DUKE KUJTUAR HAFIZ ALI KRAJA – NDERI I FESË DHE KRENARIA E KOMBIT SHQIPTAR

June 7, 2025 by s p

Hafiz Ali Kraja- Nderi i Fesë dhe Krenaria e Kombit.

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

AI-generated content may be incorrect.

                                              

Ndonëse kisha dëgjuar për Hafiz Ali Krajën – si një personalitet i madh i Fesë Islame në Shqipëri dhe njëri prej të dalluarve të Kombit shqiptar të shekullit të kakuar – nuk dija shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij.  Si përfundim fillova të lexoj ndonjë gjë më shumë nga jeta e tij dhe sa më shumë lexoja aq më i interesuar bëhesha për të kaluarën e tij.  Duke lexuar për Hafiz Ali Krajën – një bashkvendas i imi nga Kraja, afër vendlindjes time – mësova se, ashtu si shumë bashkohas të tij, ai jetoi dhe veproi në tallazet më të vështira të historisë kombëtare të shqiptarëve, të shekullit të kaluar.  Sa më shumë të lexojë njeriu për Hafiz Ali Krajën — hoxhë, publicist dhe atdhetar i mirënjohur, opozitar i Zogut, i italianëve dhe i persekutuar deri në ditët e fundit të jetë së tij nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës — aq më i bindur bëhesh se ai i përkiste një brezi atdhetarësh më të spikatur, por që, fatkeqësisht, nuk janë më.  I përkiste atij brezi që mbi të gjitha — ndonëse jetuan në kohëra shumë më të vështira se sot, qoftë rrethanat politike të diktaturës komuniste ashtu edhe ekonomike — ata ishin mbrojtës të patundur të idealeve dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Hafiz Ali Kraja ishte një personalitet i cili gjatë gjithë jetës promovoi ideale dhe vlerat e përbashkëta, të të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Për fat të keq, si shumë të tjerë patriotë si ai, të asaj kohe, edhe Hafiz Ali Kraja ishte i ndjekur e i përbuzur nga disa regjime, qoftë nga Zogu, qoftë nga fashizmi, qoftë nga komunizmi.  Duke lexuar për jetën e Hafiz Ali Krajës, nuk mund të mos bëjmë pyetjen se si do ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e atdhetarëve dhe pro-perëndimorëve, patriotë si Hafiz Ali Kraja?  Është vështirë të merret me mend se si një brez patriotësh — ajka e Kombit mund të themi e shekullit të kaluar, e deri në ditët e sotëme — pjesë e të cilës ishte, pa dyshim, edhe Hafiz Ali Kraja — e humbi luftën me një ideologji sllavo-aziatike që shkatërroi çdo vlerë të shenjtë fetare e kombëtare ndër shqiptarët, vlera që mbroheshin deri atëherë nga Haziz Ali Kraja dhe bashk-kombasit e tij, si At Gjergj Fishta, në kohën që jetuan dhe dhe vepruan ata. 

35 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit shpresonim, më kot — se përballë ideve sllavo-aziatike komuniste të pas Luftës së II Botërore – shtypja dhe lufta komuniste kundër vlerave fetare e patriotike të këtyre burrave, si hafiz Ali Kraja, do kishte qenë e përkohëshme, megjithse komunizmi zgjati për pothuaj 50-vjet. 

E kam thenë edhe herë të tjera, por po e përsëris se pa një bazë udhëheqjeje shpirtërore, morale dhe ideore të këtyre shembujve patriotësh të vërtetë shqiptarë, si Hafiz Ali Kraja, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica e shumë të tjerë si ata — por të harruar e të përjashtuar nga historia – do të jetë vështirë të ndërtohet një Shqipëri dhe një Kosovë tjetër dhe ndryshe nga ç’kemi sot – një Shqipëri dhe Kosovë të dijes dhe të përparimit, me qëllim që shqiptarët si ndër kombet më të vkjetra të kontinentit evropian dhe botës, të zenë vendin e vet aty ku u takon, në rendin e kombeve të përparuara të shekullit XXI. 

Në këtë ditë të Festës së Bajramit, urojmë që idetë, mendimet dhe ideologjia patriotike e fetarëve të mëdhej të shekullit të kaluar ndër shqiptarët, si Hafiz Ali Kraja dhe At Gjergj Fishta, ndër shumë të tjerë, të rikthehen përsëri ndër shqipptarët, në dobi të Atdheut dhe të Kombit. 

Frank Shkreli 

PS — Për ata që dëshirojnë të dinë më shumë për Hafiz Ali Krajën, për jetën, veprat dhe atdhetarizmin e tij dhe për kontributin fetar me rastin e Festës së Bajramit, ju sugjeroj që të lexoni një shkrim të hollësishëm dhe shumë interesant, kushtuar njërit prej personaliteteve më të shquara të fesë islame në Shqipëri dhe më gjërë, Hoxhës Hafiz Ali Kraja, (1900-1973). Artikulli është shkruar nga studiuesja Ardita Repishti    Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)1944÷1991.  

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT