• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

PASQYRUESI I SITUATAVE SURREALISTE – KAFKA

June 6, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

E gjithë jeta ime është një histori e mbylljes së syve! – Kafka

Alber Kamy (Albert Camus) dhe Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre) i prijnë listës së shkrimtarëve mbi të cilët ka ndikuar vepra e Kafkës. Nën ndikimi e autorit të “Procesit” legjendar kanë shkruar shumë laureatë të çmimit “Nobel”. Termi kafkian ose kafkiane ka hyrë në teorinë e letërsisë për t’i përshkruar situatat surrealiste – mu si në veprat e tij. P.sh.: mjedis kafkian, atmosferë kafkiane… 

Franc Kafka (Pragë, 3 korrik 1883 – sanatoriumi Kierling afër Vjenës, më 3 qershor 1924) është një prej figurave më të pazakonshme të letërsisë së shekullit XX. Lindi në Pragë në familjen e një tregtari hebraik. Në atë kohë Çekia ishte pjesë e Austro-Hungarisë. Kafka ishte më i madhi i gjashtë fëmijëve. Dy vëllezër i vdiqën të rinj. Franci u rrit me tri motrat. Babai i tyre ishte një afarist i suksesshëm. Nëna punonte në tregtizën familjare. Fëmijët u rritën kryesisht vetë, nën kujdesin e dadove dhe të shërbëtorëve të ndryshëm. Pas mbarimit të shkollës fillore, Kafka ndoqi gjimnazin klasik. Pasi kreu maturën në vitin 1901, u regjistrua në studimin e kimisë. Pas dy jave kaloi në drejtësi. Gjatë studimeve u njoh me Maks Brodin (Max Brod, Pragë, 27.05.1884 – Tel Aviv-Yafo, Izrael, 20.12.1968) i cili deri në fund të jetës do të mbetet shoku më i afërt i tij. Kafka iu bashkua klubit letrar të studentëve gjermanë. Lexonte me pasion. Klasikët i lexonte në gjuhën greke dhe latine. Lexonte shkrimtarin gjerman Johan Volfgang  Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), tregimtarin dhe komediografin rus Nikolaj Vasileviç Gogol (1809-1852), romancierin dhe novelistin rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881), romancierin francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880) dhe shkrimtarët bashkëkohorë çekë. Studimet i kreu në vitin 1906. Pas punës së detyruar si praktikant, u punësua në shtëpinë e sigurimit “Generali”. Por, orari i punës që zgjaste dhjetë orë, prej 8 deri në orën 18, e ngarkonte së tepërmi, ia merrte kohën e të shkruarit gjë që e konsideronte si çështje më të rëndësishme. Nuk shkoi shumë dhe e la atë punë. Gjeti punë tjetër në Institutin e Sigurimit të Punëtorëve për Çekinë. Orari i punës këtu ishte më i shkurtër, ndaj i mbetej kohë për t’iu përkushtuar shkrimit. Në vitin 1912 u njoh me kushërirën e Maks Brodit – Felice Bauer (Prudnik, Poloni, 18.11.1887 – Rye, Nju-Jork, 15.10.1960). Maks Brodi ishte çifut i Çekisë, kurse Felice Bauer ishte çifute e Polonisë. Lidhja e Kafkës me të zgjati pesë vjet. Pjesa më e madhe e lidhjes së tyre u mbajt nëpërmjet letrave. Dy herë shpallën edhe fejesën, ndonëse kurrë nuk u kurorëzuan. Thuhet se Kafka njëherazi ka mbajtur lidhje edhe me një mike të tij. I dhënë pas femrave dhe seksit, Kafka shpesh i vizitonte bordelet. Pajisej edhe me revistat erotike të kohës së vet. Sipas pohimeve të miqve të tij, ka qenë edhe mjaft i turpshëm. Gjatë lidhjes me Felicen, Kafka ka shkruar disa tregime të shkurtra. Midis tyre edhe “Metamorfozën”. Lidhja midis Kafkës dhe Felices është ndërprerë në vitin 1917. Po atë vit Kafka është diagnostifikuar me tuberkulozë. Pas kësaj është fejuar edhe për së treti. E fejuara e radhës ka qenë Julie Voriçek (Julie Wohryzek, Pragë, 28.02.1891 – Oświęcim, Auschwitz, Poloni, 26.08.1944). Një kohë jetuan bashkë. Megjithëkëtë, as kjo martesë e Kafkës nuk u realizua. Ka që thonë se martesën e tyre mund ta ketë parandaluar babai i Kafkës i cili nuk është pajtuar që i biri t’i martohej me vajzë e cila nuk ka qenë çifute. 

Shënim: Në vitin 1921 Julie Wohryzek ishte martuar me një menaxher banke të quajtur Josef Werner. Jetuan bashkë disa vjet. Në fillim në Bukuresht e pastaj përsëri në Pragë. Në mars të vitit 1939 Republika Çeke u pushtua nga gjermanët. Forcat pushtuese gjermane e deportuan në Aushvic ku edhe e vranë më 26 gusht 1944.                         

*   *   *

Në atë kohë, d.m.th. në vitin 1919 Kafka filloi të shkruante prozën autobiografike “Letër babait”. Versioni përfundimtar i këtij shkrimi arrin mbi njëqind faqe. 

  Në “Letër babait“, midis tjerash shkruan: 

“Shumë i dashur baba,

para do kohe më ke pyetur përse them se kam frikë prej teje? Si zakonisht, nuk kam ditur t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për dy arsye: e para, për shkak të frikës që ndjej prej teje; e dyta, për ta arsyetuar këtë frikë do të më duhej të paraqitja hollësi të shumta. Gojarisht nuk do të mund të përfshija as gjysmën e tyre. Edhe tani kur po të shkruaj, përgjigjja nuk do të jetë e plotë ngase edhe në të shkruar më pengojnë frika dhe pasojat e saj që kanë të bëjnë me ty. Pastaj edhe madhësia e çështjes e tejkalon kujtesën dhe aftësinë time për të gjykuar”.           

“Letër babait” (1919) është një rrëfim tronditës dhe thellësisht njerëzor i mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve tragjike midis një babai të fortë e arrogant dhe djalit të dobët dhe të pavendosur, në të cilën djali e hap shpirtin e vet, i pasqyron të gjitha mëkatet e babait dhe tërë pafuqinë e vet për t’iu kundërvënë. I frustruar dhimbshëm nga kjo mosmarrëveshje gjatë gjithë jetës së tij, shkrimin “Letër babait” Kafka e shkroi kur ishte 36 vjeç, por edhe në atë moshë nuk pati guxim t’ia dorëzonte botuesit. 

*   *   *

Me burrin e motrës ai themeloi një kompani për prodhimin e azbestit. Në fillim merrte pjesë aktive, por me kalimin e kohës nuk iu duk e arsyeshme ta harxhonte kohën aty. Ky konflikt midis nevojës për një punë për të siguruar jetesën dhe nevojës për të shkruar, për të cilën jetonte, e përndoqi Kafkën deri në vitin 1918, kur prej institutit mori një pension invaliditeti. Kjo i mundësoi të kalonte ca kohë në fshat, në fermën ku punonte një nga motrat e tij. Këtë periudhë Kafka e përshkruan “ndoshta si më të lumturën” e jetës së tij. Atje shkroi një seri skicash që u botuan më vonë si “Aforizma nga Zürau”.

Në vitin 1920 e filloi një lidhje me gazetaren, shkrimtaren, botuesen dhe përkthyesen  çeke Milena Jasenska (Pragë, 10.08.1896 – Kampi i përqendrimit Ravensbrück, Gjermani, 17.05.1944) të cilës i shkroi një mori letrash që më vonë u botuan me titullin e përbashkët “Letra Milenës” (Briefe an Milena, 1952). Letrat flasin për dramën personale njerëzore por edhe për përmasat e thella shoqërore dhe metafizike të shpirtit të autorit. Është një dëshmi tronditëse për përjetimet shpirtërore të Kafkës në kohën kur shoqërohej me Milena Jasenskën në vitet 1920-1923.  

Milena vdiq në kamp më 17 maj 1944 prej pasojave të operacionit të veshkës “të kryer në mënyrë kriminale”. Mendimet e fundit i kishte tek e bija. Në vitin 1955, Institucioni zyrtar përkujtimor i Izraelit për viktimat e holokaustit Jad Vashem (Yad Vashem) ia dha medaljen “Të drejtët midis popujve”. Ky institucion ruan kujtimin për hebrenjtë e vrarë në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës II Botërore. 

Në vitin 1923 Kafka u lidh me Dora Diamant (Dwojra Diament apo Dymant; Pabianice, Poloni, 1900 – Londër, 15.08.1952), me të cilën një kohë kishte jetuar në Berlin. Lidhja midis tyre zgjati në vitet 1923-1924. Ajo posedonte disa nga shkrimet e fundit të Kafkës. Në vitin 1933 ato u konfiskuan nga Gestapoja gjermane. Ka që thonë se ajo i ka mbajtur ato shkrime kundër dëshirës së Kafkës i cili pak para vdekjes kishte kërkuar që shkrimet e tij të digjeshin.  

*   *   *

Motra të Kafkës ishin Gabriele (“Ellie”) Hermannova (Kafka), (Pragë, 22.09.1889 – Kampi i shfarosjes Chelmno, Poloni, 1942), Valerie (“Valli”) Kafka, (Pragë, 25.09.1890 – Kampi i shfarosjes Chelmno, Poloni, 1944) dhe Ottilie (“Ottla”) Kafka, (Pragë, 29.10.1892 – Kampi i përqendrimit, Aushvic, 07.10.1943). Që të tria u vranë në kampet naziste të përqendrimit.  

*   *   *

Pjesën e mbetur të jetës Kafka e kaloi kryesisht nëpër sanatoriumet për mjekimin e tuberkulozit. Vdiq në vitin 1924. U varros në Varrezat e reja hebraike në Pragë. Vlerësohet se 90% të shkrimeve të veta, para se të vdiste i asgjësoi, kryesisht i dogji.

Krijimin letrar e ka konsideruar si një çështje tejet të rëndësishme. Megjithëkëtë, botimit të veprave apo famës nuk i ka kushtuar rëndësi të veçantë. Në të gjallë, ka botuar shumë pak. Maks Brodit i ka lënë porosi me shkrim që krijimet letrare, ditarin dhe letrat – t’ia djeg, madje pa i lexuar fare. Maks Brodi nuk ia ka përmbushur porosinë. fatmirësisht, i ka shpëtuar zjarrit “Procesi” legjendar. Në vitet 1925-1935 Brodi boton përmbledhjen e veprave të Kafkës. 

Duke pasur parasysh mënyrën e parregullt të punës të Kafkës, Brodit i është dashur të ndërhyjë: Për shembull romani “Procesi” ka pasur disa kapituj të papërfunduar, ndërkaq faqet nuk kanë qenë të paginuara (të numërtuara). Romani tjetër i famshëm “Kështjella” (Das Schloß, 1922, i botuar në vitin 1926) ka pasur fjali të papërfunduara. Me fjalë të tjera, botimet që panë dritën kanë qenë produkt i punës redaktuese dhe plotësuese.            

Shumë më vonë, një grup ndërkombëtar ekspertësh, duke u bazuar në dorëshkrimet e ruajtura, i rikonstruktoi tekstet burimore të romaneve të Kafkës. 

*   *   *

Ndikimi i Kafkës mbi krijuesit tjerë – Për shkak të kombinimit të stilit të thjeshtë, në dukje objektiv dhe motiveve absurde të përshkuar nga makthi, Kafka ushtroi ndikim mbi shumë shkrimtarë të tjerë. Prej tij u ndikuan edhe bashkëkohësit e tij. Për nga përshtypja e lebetisë dhe pafuqia e protagonistëve shpesh i afrohej ekspresivitetit të ekspresionizmit, kurse për nga motivet, nuk ka qenë larg surrealistëve. Ka qenë edhe pararendës i shumë lëvizjeve që do të pasonin. 

Trashëgimisë së Kafkës i janë referuar sidomos ekzistencialistët si: romancieri, eseisti dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) dhe romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980). 

Trashëgimisë së Kafkës iu referuan edhe shkrimtarët e absurdit si: dramaturgu dhe romancieri irlandez, kryesisht i shprehjes granceze Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989) dhe dramaturgu francez me prejardhje rumune Ezhen Jonesko (Eugène Ionesco, 1912-1994).

Gjurmët e Kafkës i hasim edhe te realizmi magjik i tregimtarit, poetit dhe eseistit  argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986) dhe te prozatori kolumbian, autor i romanit legjendar “Njëqind vjet vetmi” (Cien años de soledad, 1967) Gabriel Garsia Markez (Gabriel José García Márquez, 1927/1928-2014). 

Ndikimi i Kafkës vërehet edhe te romanet filozofike bashkëkohore të prozatorit çek që jeton në Francë Milan Kundera (1929- 2023).

*   *   *

    Një prej veprave më të pazakonta të Kafkës është “Metamorfoza” (Die Verwandlung, 1915). Është vepër që ka hyrë në radhët e veprave të letërsisë klasike. Kuptimin plot makth mbi njeriun i cili papritmas shndërrohet në insekt e ndërlidh me pasqyrimin e hollësishëm të përditshmërisë banale, duke shtruar njëherazi pyetje të shumta për rëndësinë e identitetit, të familje dhe të asaj që është njerëzore.         

  Këtë histori të tjetërsimit të plotë disa kritikë e interpretojnë në mënyrë biografike. Në fund të fundit, Kafka si një hebre gjerman që jetonte në Pragë në kohën e përhapjes së antisemitizmit dhe si një shpirt krijues i tërhequr dhe artistik që kishte dalë nga hija e një babai jotolerant të  dhënë pas punëve, kishte arsye të mjaftueshme të ndjehej i tjetërsuar.     

  Kritikë të tjerë e theksojnë edhe fascinimin (magjepsjen) e Kafkës me filozofinë e filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçes (Friedrich Nietzche, 1844-1900) ose me idetë psikanalitike të neurologut austriak me prejardhje hebraike, themelues i psikanalizës – Sigmund Frojd (Sigmund Freud; Příbor, Çeki, 06.05.1856 – Londër, 23.09.1939). 

  Shumëkush e dinë tregimin “Metamorfoza”: Një mëngjes agjenti tregtar Gregor Zamza zgjohet i shndërruar në insekt. Sipas origjinalit në gjuhën gjermane, ai është shndërruar në kandër (insekt i ndyrë, krimb, parazit) (gjermanisht Ungeziefer). Derisa përpiqet t’i gjejë zgjidhje kësaj që e ka gjetur, i bien derës anëtarët e familjes: nëna, babai dhe e motra. Shfaqet edhe shefi i Gregorit. Të gjithë janë të tmerruar, ndërsa situata sa vjen e bëhet më e rëndë. Pasi tani e tutje nuk mund të kujdeset për familjen, me fjalë të tjera, nuk ka të ardhura, Gregori sakaq e humb statusin e djalit të admiruar. Babai e tremb nëpër shtëpi duke iu kanosur me gazeta të mbështjella. Në një moment e godet edhe me mollë gjë që Gregorit i shkakton paralizë. E vetmja që pranon të kujdeset për Gregorin është motra e tij Grete e cila kishte dëshirë të bëhej violiniste. Megjithëkëtë, gjendja e pazakonshme ka edhe pasoja pozitive. Familja e Gregorit, e  mbështetur vetëm te të ardhurat e djalit, ishte bërë pasive. Pas shndërrimit të tij në insekt, dalëngadalë ajo i ndryshon shprehitë. Babai përsëri gjen punë, nëna fillon të qepë, ndërsa Greta punësohet në dyqan dhe fillon të mësojë stenografinë dhe gjërat themelore të gjuhës franceze. Një natë Gregori u shfaq para qiramarrësve të rinj. Ata u tmerruan. Tani edhe Grete erdhi në përfundim se këtë përbindësh familja duhet ta heqë qafe. I pikëlluar dhe i uritur, Gregori kthehet në dhomën e vet, ku edhe vdes. E liruar nga barra, familje shkon në piknik jashtë qytetit.         

*   *   *

Shumë kritikë sot shohin te “Metamorfoza” hulumtimin e fatit të njeriut për të cilin puna dhe kujdesi financiar për familjen bëhen arsye e vetme e të jetuarit, kurse çështja e vetëmohimit dhe marrëdhënies komplekse midis familjes që varej nga Gregori dhe vetë Gregorit, pa dyshim është një nga çështjet kryesore të kësaj vepre.

Mirëpo, vepra mund të lexohet edhe si hulumtim i aspekteve të ndryshme të identitetit njerëzor, përkatësisht si një ekzaminim të asaj që në radhë të parë na bën qenie njerëzore: a është vallë kjo vetëm çështje e pamjes dhe e mundësisë për të komunikuar apo kemi të bëjmë me diçka të lindur dhe të patjetërsueshme te vetë koncepti i asaj që quhet njerëzore. 

Foto: www.wikipedia.org

Filed Under: ESSE

Diaspora si instrument për të përkthyer kujtesën kolektive në gjuhën e diplomacisë ndërkombëtare

June 6, 2025 by s p

Përfshirja e diasporës në të ardhmen e përbashkët nuk është çështje ndjeshmërie kulturore, por pjesë e arkitekturës sonë kombëtare në kuptimin më të gjerë. Ajo mund dhe duhet të jetë një urë e vazhdueshme ndërmjet vendlindjes dhe botës, ndërmjet së kaluarës së pashlyer dhe një të ardhmeje të projektuar me maturi.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Sot jemi mbledhur në këtë konferencë për të ndriçuar një dimension të shpeshanashkaluar të historisë sonë – atë të atij faktori që, ndonëse i pranishëm përtej kufijve gjeografikë, ka qenë vazhdimisht pjesë përbërëse e zhvillimeve të brendshme kombëtare. Ky faktor nuk është tjetër veçse komuniteti shqiptar jashtë atdheut – një komunitet që nuk e përjetoi largësinë si ndarje, por si angazhim; që nuk e kuptoi mërgimin si mospjesëmarrje, por si thirrje për ndërveprim.

Në harkun kohor 1912–2008, historia shqiptare është shoqëruar me tensione të pandërprera ndërmjet aspiratave të natyrshme dhe rrethanave të imponuara. Brenda këtij konteksti, komunitetet shqiptare në mërgim – të krijuara si pasojë e migrimeve të detyruara, zhvillimeve ekonomike, apo valëve të trysnisë politike – kanë mbajtur të gjallë një vetëdije që nuk u varros as nga distanca dhe as nga koha. Në vend që të shuheshin në kujtesën e qytetarisë globale, ato ndërtuan ura komunikimi që tejkalonin kufijtë administrativë dhe barrierat ideologjike.

Që nga përpjekjet e para në fillimshekullin XX për të afirmuar një prani shqiptare në qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare, e deri te angazhimet e organizuara në dekadat e vona të shekullit të kaluar, diaspora nuk ka vepruar thjesht si faktor mbështetës, por si pjesë e mekanizmave që ndikonin rrjedhat e brendshme.
Në periudhat kur rrëfimi i brendshëm rrezikonte të fshihej nga rrjeti i interesave gjeopolitike, diaspora shqiptare shërbeu si bartëse e rrëfimit alternativ. Duke përdorur mjetet e shtypit, platformave kulturore dhe kanaleve diplomatike, ajo krijoi një pasqyrë të realitetit të heshtur në hapësirat shqiptare – një realitet që shpesh nuk përkonte me përfaqësimin zyrtar.

Kjo energji, e kanalizuar përmes organizimeve shoqërore dhe politike në qendrat perëndimore, nuk përbënte vetëm një reagim emocional, por ishte ndërtuar mbi një vetëdije strategjike për nevojën e ndërkombëtarizimit të çështjeve që përndryshe mbeteshin të mbyllura në një rreth të ngushtë rajonal.
Në këtë kuptim, diaspora veproi si reflektim i një kujtese kolektive, por edhe si instrument për të përkthyer këtë kujtesë në gjuhën e diplomacisë dhe të interesit ndërkombëtar.

Nga fundi i shekullit XX, sidomos në dekadën e fundit para shpalljes së pavarësisë, veprimtaria e mërgatës shqiptare mori një trajtë gjithnjë e më të organizuar. Pavarësisht mungesës së një statusi zyrtar, ajo e krijoi një formë përfaqësimi të pashpallur, duke vepruar në hapësira që u qëlluan të mbeteshin bosh nga strukturat e ligjshme.

Mobilizimi i diasporës në atë periudhë nuk ishte vetëm reagim ndaj rrethanave, por pjesë e një filozofie që e konsideronte lirinë si projekt afatgjatë, të përbashkët dhe jo të përkufizuar nga një lokalizim gjeografik. Rrjedhimisht, çdo qytet ku u ngrit një zë për të drejtat e të pambrojturve në trojet shqiptare, u bë vazhdimësi e rezistencës që zhvillohej në mënyrë më të drejtpërdrejtë brenda vendit.

Në kohën kur konturet e shtetformimit filluan të bëhen më të dukshme, diaspora shqiptare në botë u shndërrua në një ndërmjetëse mes brendisë dhe jashtësisë. Ajo nuk e kërkoi vetëm përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, por më shumë se kaq – ndikoi që ky faktor të kuptonte natyrën e çështjes shqiptare si një kërkesë për përfshirje në arkitekturën e vlerave perëndimore, jo thjesht si problem rajonal.

Kjo arritje nuk ishte rastësi. Ajo ishte rezultat i një pune të gjatë, të heshtur, të organizuar dhe të përkushtuar, nëpër ambasada joformale, në zyre avokatësh, në universitete dhe salla konferencash. Në këtë mënyrë, zëri që doli nga zemra e diasporës shqiptare nuk u dëgjua vetëm si klithmë emocionale, por si arsyetim politik, i ndërtuar mbi parime të drejtësisë ndërkombëtare.
Nuk mund të anashkalohet një e vërtetë thelbësore: diaspora shqiptare nuk dha vetëm zë, por edhe kapital – kapital financiar, moral, kulturor dhe diplomatik – në funksion të çështjes së Kosovës. Ajo nuk ishte vetëm përkrahëse, por bashkëfinancuese e lirisë. Ndihmat ekonomike, organizimi i lobimeve ndërkombëtare, strukturimi i ndihmës humanitare dhe financimi i aktiviteteve politike e kombëtare në dekada të ndryshme, ishin pjesë e një investimi që nuk kërkoi kthim, por drejtësi. Tashmë është koha që ky kapital të transformohet në shtetformim.

Politikëbërja, që doli nga ky investim, ka për obligim të ndërtojë institucione që nuk harrojnë burimin e energjisë së tyre. Ndërsa diaspora ndihmoi në krijimin e shtetit, shteti ka për detyrë të rikthejë këtë borxh historik në formën më të dinjitetshme: me investim për institucionalizimin dhe përkujdesjen e qëndrueshme ndaj diasporës. Jo si dekor simbolik, por si pjesë aktive e strategjisë kombëtare për zhvillim, integrim dhe bashkëvendimmarrje në të gjitha nivelet e mundshme.

Të nderuar pjesëmarrës,
Ndërsa sot analizojmë me sy shkencor rrugëtimin e gjatë të diasporës shqiptare në raport me zhvillimet në Kosovë e më gjerë, ne nuk jemi thjesht përballë një kapitulli të mbyllur. Përkundrazi, jemi në prag të një kapitulli të ri që kërkon të ndërtohet mbi trashëgiminë e këtij kontributi.
Përfshirja e diasporës në të ardhmen e përbashkët nuk është çështje ndjeshmërie kulturore, por pjesë e arkitekturës sonë kombëtare në kuptimin më të gjerë. Ajo mund dhe duhet të jetë një urë e vazhdueshme ndërmjet vendlindjes dhe botës, ndërmjet së kaluarës së pashlyer dhe një të ardhmeje të projektuar me maturi.
Konferenca jonë sot nuk është vetëm një reflektim retrospektiv, por një ftesë për bashkërendim. Sepse në fund të fundit, kombi nuk matet me metra katrorë toke, por me thellësinë e lidhjes që mbijeton edhe kur gjithçka tjetër tenton të harrohet.

Le ta bëjmë këtë takim një nisje të re për të trajtuar diasporën jo si një trup të jashtëm, por si një pjesë të pandashme të vetes sonë.
(Fjalë përshëndetëse mbajtur në Institutin e historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në kuadër të Konferencës shkencore “Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës (1912–2008)”).

Filed Under: Rajon

Ullmar Qvick (Kvik) – albanolog suedez, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe

June 6, 2025 by s p

Takim me albanologun Ullmar Qvick (Kvik)

Vargje nga Viron KONA

Ullmar Qvick (Kvik) – albanolog suedez, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe, përkthyes i shquar nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas. Konsiderohet “Ambasador i kulturës shqiptare në Suedi”. Ullmari ka drejtuar si kryetar shoqatën suedeze – shqiptare, i ka kushtuar kombit shqiptar dhjetëra artikuj, intervista dhe studime me rëndësi të madhe historike, gjuhësore, letrare dhe kulturore, ka shkruar veprën madhore “Më shumë heroizma se sa grurë” – Një përshkrim dokumentar i historisë dhe jetës shoqërore të shqiptarëve gjatë shekullit XX, Prishtinë, 2013. Ai ka mbështetur fuqimisht Kosovën dhe luftën e saj për liri e pavarësi; është suedezi më i njohur për shqiptarët, u është gjendur atyre në çdo kohë dhe në çdo situatë, është quajtur “Mik i madh i shqiptarëve”. Ndër thëniet e famshme të Ullmarit është: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët.”

Suedezi Ullmar Kvik

Në gadishullin skandinav, 

Kemi shokë e miq fisnikë,

I përzgjedhuri midis tyre,

Suedezi Ullmar Kvik.

Në udhën e studiuesve,

Tunmann dhe Pedersen,

Si Ullmarin mikun tonë,

Një tjetër rrallë e gjen.

Në shkrime dhe krijime,

Në gjuhë shqipe ligjëron,

Pena e tij e larë me dritë,

Vezullon në çdo shkronjë.

Zë ëmbël  e i mirëpritur, 

Fjalëbukur e plot nektar,

Studiues mendjendritur,  

Mendje e tij sjell behar. 

Me studime e përkthime,

Kombin tonë përjetëson,

Mik i madh i shqiptarëve,

Miqësi përherë ofron. 

Në vatra ka vend nderi, 

Miku ynë me xhamadan, 

Sa lezet i ka shqiponja, 

Jeleku dhe plisi bardhë!

Për ilirët e Skënderbeun,

Me fjalë zemre kuvendon 

Për gjuhë shqipe dhe liri, 

Edhe shpirti i këndon.

Nëpër vite, nëpër shekuj, 

Do të ndriçojë vepra e tij,

Yll i ndritshëm i Veriut, 

Do bëj dritë në Shqipëri. 

Miqësinë me mikun tonë,

Do ta kemi sa t ‘jetë jeta,

Me fjalë zemre e urojmë,

Ullmar Kvik, tungjatjeta!

Filed Under: Kulture

VATRA URON BESIMTARËT MUSLIMANË: GËZUAR KURBAN BAJRAMIN

June 6, 2025 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Islam

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, të gazetës “Dielli” të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Kurban Bajramin. Paqja dhe mirësia Zotit qoftë përherë me ju.

Me bekimin e të madhit Zot, për të gjithë ju, familjet e miqtë tuaj qoftë kjo festë e madhërishme një çast hyjnor gëzimi, lutje, shprese e begatie.

Kjo festë e bujarisë që na afron më shumë me Zotin e njëri-tjetrin sjelltë paqe, dashuri, vëllazëri e sukses për çdo shqiptar.

Me fat Kurban Bajrami e me zemër të mirë ngahera.

Mirësia, bujaria, respekti e sakrificat në emër të Zotit, familjes, atdheut e kombit qofshin përherë të bekuara, të lëvduara e të shenjtëruara për çdo shqiptar.

Urimet më të përzemërta vëllezër e motra të dashur.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Dr.Elmi BERISHA

Filed Under: Komunitet

Lidershipi si shërbim ndaj kombit…

June 6, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

“Bërë shumë për mëmëdhenë,

Sikur shumë si Ty të qenë,

Të qenë shumë si Tyja,

Do qe bërë Shqipëria

Faqedritë e syshkëndija,

Ta kish zili gjitonia…”

  • Populli

Ka autor që gabimisht pretendojnë se, pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit më, 22 janar 1914, Ismail Qemal Vlora nuk u rikthye më në Shqipëri. Ndërkohë, kjo intervistë, e publikuar në librin e ri në anglisht “The Founder – Ismail Qemal Vlora on Leadership”, është një tjetër dëshmi e faktit që ai u rikthye sërish në Vlorë dhe Durrës, ku takoi edhe Princ Vidin.

Intervista është realizuar për gazetën italiane “IL PICCOLO DELLA SERA”, Trieste, më 19 qershor 1914. Ismail Qemali flet nga Brindisi, pak para rikthimit të tij në Shqipëri. Pas dorëheqjes nga drejtimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ai u largua për pak muaj jashtë Shqipërisë, për t’u rikthyer sërish në qershor 1914, për t’u përballur sërish me situatën jashtëzakonshme ku gjendej vendi. 

Në këtë intervistë Ismail Qemali flet për gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Shqipëria dhe në mënyrë figurative dhe kuptimplotë shprehet se: “Kush ndjell erën, nuk mund të pres veçse furtunën.” Ai thotë se, “unë që e kam përballuar rrezikun me shpirtin e qetë dhe jam urryer nga Turqia, si edhe për të mirën e atdheut, nuk pranova kryesimin e qeverisë, u akuzova si bashkëpunëtor i xhonturqve në Shqipëri. Akuzë më qesharake dhe më të pabazë nuk mund të gjesh.”

Ismail Qemali vijon më tej intervistën duke analizuar shkaqet e anarkisë në të cilën gjendej vendi, pas veprimeve të KNK-së, Princ Vidit, Esat Toptanit dhe zhvillimit të lëvizjes dumbabiste: “Shqipëria e kishte një qeveri. Nuk e deshën, por preferuan t’ia linin në dorë atyre që duan ta zhvasin dhe të kënaqin ambiciet e tyre të shfrenuara. Koha është mësuesi më i mirë dhe i tregon njerëzit. Rikthehem në Vlorën time me shpirtin e qetë, sepse kam punuar përherë për të mirën e vendit tim. Shpifjet që më kanë prekur, nuk e kanë dëmtuar dot nderin tim, të cilin do ta ruaj të paprekur deri në vdekje.”

Një Karakter i Pathyeshëm

Ismail Qemali ishte i njohur për integritetin e tij të lartë dhe qëndrimin e tij të palëkundur ndaj parimeve të tij. Ai nuk u lëkund kurrë nga presioni apo tundimet, duke qëndruar besnik ndaj vizionit të tij për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Kjo u dëshmua në shumë raste, duke filluar nga refuzimi i tij për të marrë pjesë në vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911, e deri te refuzimi i tij për t’i ofruar territorin shqiptar si bazë logjistike aleatëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Për Ismail Qemal Vlorën, lidershipi nuk ishte një mjet për të arritur përfitime personale, por mënyra më sublime për t’i shërbyer kombit.

Në saj të karakterit të tij të fortë, integriteti i Ismail Qemalit mbeti kurdoherë i pacenueshëm. Ismail Qemali me gjithë fuqinë e shpirtit të tij fisnik, nuk rreshti asnjë ditë së punuari për Shqipërinë. Ai ishte shpëtimtari i Shqipërisë. Ai ishte lloji i liderit, që atë që thoshte e kishte gjithmonë të bashkërenduara me atë që bënte. 

Bashkëpunimi me Liderë të Tjerë

Ismail Qemali ishte i aftë të bashkëpunonte me liderë të tjerë të shquar, si Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Aqif Biçakçiu, Preng Bib Doda, Bajram Curri, Nikolla Lako, Mid’hat Frashëri, Hasan Prishtina etj., për të arritur qëllimet e përbashkëta. Ai e vlerësonte kontributin e secilit dhe ishte i hapur ndaj ideve të reja. Kjo u dëshmua edhe në bashkëpunimin e tij me Isa Boletinin, i cili e vlerësonte Ismail Qemalin, si një faktor kyç në shpëtimin e Shqipërisë.

Në kujtimet e tij Tafil Boletinit, nipi i Isa Boletinit dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë, shkruan: “Ismail Qemali axhën Isa e ka dashtë shumë dhe ia kishte besimin, por edhe ky i ka qendrue besnik deri në fund duke e vlerësuar si faktorin kryesor që e shpëtoi Shqipninë në momentin ma kritik. Kurse të tjerëve, që ma vonë byrykateshin për pozita, në atë kohë nuk iu ra ndërmend nji gja e tillë si ngritja e flamurit…

Ismail Qemali, me falenderime e lavdëroi axhën Isa për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të Luftës. Po axha Isa tha: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra” dhe ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën…”

Tafil Boletini vijon më tej: “Ismail Qemali ishte jo vetëm diplomat, po edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte, “kushdo që të na sulmojë na në kala të Kaninës do të vdesim”.”

Isa Boletini, Bajram Curri etj., ishin emisarët e fshehtë të Qeverisë së Vlorës, sepse në ato momente nuk ishte e volitshme angazhimi zyrtar i shtetit të ri shqiptar në organizimin e kryengritjes. Prandaj në fshehtësi ata së bashku me muhaxhirët kosovarë që ishin mbledhur në Vlorë,  ishin duke organizuar lëvizjen çlirimtare në krahinat shqiptare të pushtuara nga serbët e malazezët.

Një tjetër moment domethënës, i cili shpalos udhëheqjen dhe karakterin burrëror të këtyre shqiptarëve të mëdhenj, është mënyra sesi Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e pritën vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911. Kjo vizite synonte paqtimin e shqiptarëve pas reprezaljeve të dhunshme që turqit kishin kryer ndaj shqiptarëve kryengritës.

Xhonturqit menduan të ndryshonin taktikë me shqiptarët dhe të shfrytëzonin rastin e realizimit të vizitës së sulltanit plak Mehmet Reshatit V në Shqipëri. Në delegacionin që do të shoqëronte sulltanin, ata menduan të përfshinin Ismail Qemalin dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë. Por, Ismail Qemali e refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në një delegacion të tillë dhe e denoncoi këtë udhëtim në opinionin publik si qesharak dhe të padobishëm.

Tafil Boletini shkruan se, “në verën e 1911, Sulltani do mbërrinte në Kosovë në tyrben e Sulltan Muratit. Ceremonia ishte edhe një propagandë e madhe për të gjithë ata që ende besonin në Perandorinë Osmane. Isa Boletini ishte ndër të parët në listën e atyre që do prisnin “Hazretin”, porse ai refuzoi.” Si pasojë e qëndrimit të palëkundur të këtyre dy burrave, vizita e Sulltanit në qershor të vitit 1911, u shoqërua me ftohtësi dhe nuk i përmbushi synimet demagogjike të xhonturqve.

Porta e Lartë ndiqte taktikën e shkopit dhe karotës, duke tentuar hera-herës që t’i joshte me poste dhe privilegje shqiptarët e shquar. Megjithatë zonat malore të Shqipërisë nuk iu nënshtruan kurrë ligjit islamik (sharia) dhe vijuan të zbatonin kodin e tyre zakonor. Tafili Boletini kujton se, “Hasan Prishtina në qershorin e vitit 1909, mbërrin në Mitrovicë, si i dërguar i posaçëm i Hysen Hilmi Pashës, Kryeministër i kohës. Hasan Prishtina, në emër të Stambollit, i premtoi Isës shpërblime dhe paqe nëse ky do të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të herëpashershme. Baca refuzoi.” Ismail Qemali dhe Isa Boletini do ta vazhdonin betejën e tyre për Shqipërinë deri ditën që mbyllën sytë…

Ismail Qemali gjatë qëndroi në Paris dhe Nicë, Francë, ku u vendos pas largimit nga Italia në prill të 1915. Në 1916, ai refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë, si mbështetje logjistike për një aksioni të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore. 

Në vijim, Ismail Qemali u detyrua të largohej nga Franca, së bashku me familjen e tij. Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar aty. Prandaj, ai shkoi në Spanjë, për të komunikuar më me lehtësi nëpërmjet ambasadës amerikane në Madrid, me shqiptarët e Amerikës, që e kishin caktuar ndërkohë si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris. 

Më 20 dhjetor 1918, ai vjen nga Barcelona në Xhenova, me ftesë të qeverisë italiane, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit. Por në vend që të pritej në Romë, e izolojnë në hotel “Brufani” në Peruxhia. Rrugëtimi i tij përfundon aty. Ismail Qemal Vlora do të mbyllte sytë me brengën e madhe për fatin e Shqipërisë…

Trashëgimia e Lidershipit

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte. 

Ismail Qemal Vlora është profeti ynë kombëtar. Siç Moisiu u dërgua nga Zoti për t’i dhënë popullit të tij lirinë, ashtu edhe Ismail Qemal Vlora u dërgua nga Zoti për t’ju dhënë shqiptarëve lirinë e shumëpritur prej shekujsh. Ndryshe nga shumë lider të tjerë përgjatë historisë, që kanë sakrifikuar jetët e njerëzve të tyre për të realizuar synimet e tyre, Ismail Qemal Vlora i shpëtoi jetët e njerëzve të tij, pa harruar kurrë synimet e përbashkëta. Ismail Qemali ishte i frymëzuar nga mirësia, jo nga ambicia. Ai ishte gjeniu i paqes, i cili fliste për lirinë duke kërkuar barazinë. Sumë lider kanë parë arritjet e tyre që t’ju shkrihen para syve, si një kështjellë e ndërtuar në rërë, duke lënë pas një vijë gjakderdhje. Ndërsa, Ismail Qemal Vlora arriti që ta realizonte veprën e tij, duke lënë pas një vijë drite të shkëlqyeshme.

Epitetet dhe adhurimi i popullit ndaj tij merr hera-herës përmasa hyjnore. Sepse ka kategorizime të ndryshme për udhëheqësinë. Ka njerëz që mbahen mend si udhëheqës të mëdhenj, si burrështetas. Por, ka edhe të tjerë që shkojnë përtej këtyre kategorizimeve dhe populli iu hedh mbi krye petkun e profetit. Kjo për shkak të trashëgimisë së tyre sublime. Ismail Qemal Vlora është profeti ynë kombëtar, i cili i dha kuptim trashëgimisë së Skënderbeut. Pa veprën e Ismail Qemal Vlorës, do të humbte edhe trashëgimia skënderbejane. Këtë përcaktim e ka shprehur madhërishëm në vargjet e tij, liriku ynë i madh Ali Asllani: 

                                             “Ish Profit dhe mbet Profit;

                                              Dhe qëndron ashtu si ishë;

                                              Do mbaj emrin si e kishë;

                                              Emr’i tija i vërtetë;

                                              Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”

*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

C:\Users\user\Desktop\ISMAIL QEMAL VLORA\ISMAIL QEMALI FOTO ARTIKUJ\IL PICCOLO DELLA SERA TRIESTE 19 QERSHOR 1914.jpg

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT