• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2025

Shoqëria e dobët…

July 31, 2025 by s p

Fitim Zekthi/

Jemi në një kohë kur njerëzit janë tmerrësisht të dobët, karakteret e tyre shumë të dobëta, ata nuk kanë kapacitet të durojnë gati asgjë, ankohen vazhdimisht dhe për gjithçka. Sot është një ditë shumë e bukur, e freskët. Në rrugë dëgjova dy djem që po thonin: “shyqyr ra shi por ç’e do e nezi ma keq, po na përcëllon…”. Pra për atë pak diell apo atë fare pak nxehtë ata ankohen. Nuk është se po digjen por jetojnë në kulturën e të ankuarit, në kulturën e mospranimit të asgjëje që i prek sadopak. Njerëzit ankohen gjithë ditën jo nuk ka punë, jo nuk ka drejtësi, jo nuk ka pastërti, jo ka trafik, jo ka rrëmujë, jo ka varfëri, jo nuk ka meritokraci, jo nuk ka ndershmëri, jo vlon miku këtu e atje, jo nuk rrihet, jo nuk durohet, jo nuk rriten kalamajtë këtu, jo nuk ka shkollë, jo nuk jam mirë, jo më dhemb kjo e më dhemb ajo etj. Të rinjtë ankohen edhe për kohën, mungesën e internetit, plazhin (duan Rio në vend të Durrës), llojin e gjellëve, shfryjnë për çdo gjë.

Të duruarit është një nga vetitë më të nalta dhe domodoshme që duhet të ketë njeriu. Pa durim njeriu rrënohet, shkatërrohet, nuk bën dot asgjë, reduktohet në një qënie të lodhur, të plogësht, të dëshpëruar. Njeriu sido që të jetë do të sprovohet. Dikush do sprovohet me punë të rëndë, dikush me varfëri, dikush me sëmundje dhe dhimbje, dikush me luftë, dikush me rrahje, dikush me padrejtësi, dikush me pasuri, dikush me mungesën e dorës apo syrit etj. Gjatë gjithë historisë njerëzit kanë ditur të durojnë, kanë ditur të kuptojnë që gjërat, jeta, bota kanë një mister, që nuk ndodh gjë rastësisht, që gjithçka ndodh me vullnetin e Zotit, që të duruarit dhe të luftuarit (kundër të keqes dhe padrejtës) janë pjesë themelore e natyrës së qënies që e kupton qëllimin e të jetuarit. Byung Chul Han e quan shoqërinë e sotme si shoqëri paliative, shoqëri që nuk duron as dhimbjen më të vogël dhe që vazhdimisht ka fokus vetëm se si të shmangë dhimbjen. Nuk udhëhiqet nga asgjë tjetër, asnjë parim apo vlerë tjetër. Kështu vjen rrënimi.

Filed Under: ESSE

Republika teknologjike – e ardhmja e perëndimit

July 31, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Inteligjenca Artificiale e kuptuar në formë të thjeshtësuar si aftësia e makinerive për të asimiluar shprehitë njerëzore në një gamë shumë të gjerë qe nga te mësuarit tek të menduarit logjik dhe analitik me shpejtësi te rrufeshme si edhe shume e shume aplikime të tjera teknologjike nuk ka dyshim se e ka kapërcyer tashmë sferën e imagjinatës shkencore dhe është në kohën e shpërthimit të saj të pandalshëm dhe të pafrenuar. Zërat kritikë të daljes nga kontrolli të Inteligjencës Artificiale i kanë ngritur shqetësimet për rreziqet me abuzime dhe ju kanë rënë zileve të alarmit në seanca të posaçme në Kongres dhe në shumë forume të tjera të industrisë në vitet e fundit. Libri Republika Teknologjike (The Technological Republic – Hard Power, Soft Belief and the Future of the West) konsiderohet të jetë kritika më e fortë ndaj industrisë e cila ka braktisur idealet e dikurshme dhe është zhveshur nga parimet morale.

Kritikët e Inteligjencës Artificiale kane një veçanti të cilën mund ta vëresh lehtë. Ata nuk janë individë “të jashtëm” por vetë krijuesit dhe bashkë-krijuesit e programeve kompjuterike që përfshihen në fushën e IA. Një prej tyre Alexander Karp, Shef Ekzekutiv i gjigandit Palantir Technologies dhe Nicholas Zamiska, një nga Drejtuesit kryesor të korporatës janë autorët e librit Republika Teknologjike – një pamflet kritikues ndaj Silicon Valley, epiqendra e kompanive kompjuterike dhe teknologjisë kibernetike, ku “sektori privat derdh kaq shumë gjeni krijuese në produkte konsumi për lehtësimin e jetës së atyre që kanë të ardhura me tepricë.”

Karp dhe Zamiska kërkojnë nga industria e programeve kompjuterike “të rindërtojë raportet me qeverinë dhe ta drejtojë vëmendjen dhe fuqinë tek ndërtimi i teknologjisë që do ndihmonte me sfidat imediate të shoqërisë.” Në realitet, kompania Palantir është e angazhuar nga administrata e Trumpit për të krijuar ‘super-database” ku do mblidhen të dhënat nga të gjitha agjencitë federale dhe ngritjen e një platforme për ICE për të ndjekur emigrantët, që kanë shkaktuar kundërshtime të forta në shumë sfera.

Palantir ka punuar për 14 vjet me administrata amerikane si republikane ashtu edhe demokratike. Gjatë këtyre viteve është kritikuar për survejime të sofistikuara dhe mospërfilljen e të drejtave të fshehtësisë private të nënshtetasve amerikanë.

Bashkë me Peter Thiel, donator i Presidentit Trump në fushatën e parë dhe JD Vance në fushatën për senat, Karp krijoi Palantir, duke pasur një lloj “orientimi kombëtar”. Pikëpamjet e filozofisë libertariane të Thiel për lirinë e individit dhe ndërhyrje minimale nga shteti janë antiteza e projekteve si Palantir, i përkushtuar për projekte të interesit kombëtar. Palantir-i ka fituar kontratat nga DOGE për “sigurinë kombëtare” dhe sipas gjasave po krijon një republik survejimi në emër të sundimit të ligjit dhe rendit civil.

Në super kompanitë e sotme teknologjike kombinohen tri elementë: krahu i qeverisë, forca ushtarake dhe fuqia e biznesit. Autorët e librit mendojnë se Silicon Valley se bashku me kompanitë e tjera “e kanë për detyrë të artikulojnë një platformë ku përcaktohet se çfarë është e shenjtë për ne? çfarë janë idealet tona?” Dhe kryesorja thonë ata, “elita e sotme nuk e ka të qartë nëse vërtet beson tek diçka”.

Në vështrimin e tyre historik, atrofia mendore e Amerikës filloi në vitet ‘60 me lëvizjet për të drejtat e grave dhe homoseksualëve. Më tej, në dhjetëvjeçarin tjetër shpërthimi ekonomik i hapi derën tregtisë së lirë, dorëlëshimeve në rregullatorë, emigrimeve në masë, që ndodhën paralelisht me dobësimin e strukturës së organizuar fetare. Sipas kritikëve, “zotërit e universit në Silicon Valley tolerojnë çdo gjë dhe nuk besojnë në asgjë por në përgjithësi i rrinë larg politikës. Prania e miliarderëve të kompanive të mëdha teknologjike në inagurimin e dytë të Trumpit nuk shihet si pjesë e rolit aktiv në politikë por më shumë si përshtatje me ndërrimin e pushteteve.” Autorët kërkojnë nga ‘prijësit me virtyte” të firmave të pyesin së pari veten se kush janë sot dhe cilët duan të jenë nesër duhet qenë së pari të prirur drejt asaj se çfarë i nevojitet shoqërisë dhe jo vetëm ndaj asaj që mund të realizohet sot në sajë të arritjeve shkencore. “Me drejtues të virtytshëm,” autorët paraqesin idenë e “nacionalizmit të përkufizuar brenda një kombi-shtet që ka vetëm një mision të përbashkët.” Republika teknologjike do jetë e ngritur mbi avancimet e shkencës, partneriteti i sektorit privat publik dhe një sens i përbashkët identiteti.

Libri është kritikues ndaj prioriteteve aktuale të Silicon Valley dhe me idealizëm beson se milionerët mund ta vetë-instalojnë busullën e virtyteve të moralit, prej nga do vendosin të veprojnë në emër të interesit të përbashkët. Dhe thirrja për prijës të virtytshëm është e kuptueshme në kohën e sotme. Por është gjithmonë më e lehtë të identifikosh një çështje apo dobësi dhe shumë më e vështirë të gjesh rrugëzgjidhjen. Propozimi se konkurrenca në garën e armëve nëpërmjet IA do ruaj avantazhin që ka arritur Perëndimi deri më sot është problematik sado i mbështetur të jetë nga partneriteti me qeverinë dhe “platforma kombëtare” ngaqë aty, veç të tjerave, ekzistojnë tundimet e abuzimeve dhe rreziqe të tjera të fuqisë komerciale jashtë çdo kontrolli.

Filed Under: ESSE

Momenti i botimit të epistularit*

July 31, 2025 by s p

Fondacioni “Jup Kastrati” (FJK), me sjelljen para lexuesve e studiuesve të ndryshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të epistularit midis prof. Jup Kastratit dhe At Justin Rrotës, O.F.M., që shtrihet në periudhën 12 tetor 1951 deri me 2 shkurt 1964, hap serinë e botimit të disa vëllimeve të tilla, si pjesë përbërëse e një kolane të veçantë me titull “Jup Kastrati – nga epistulari, letra të zgjedhura” (titulli i sugjeruar po prej tij), brenda kolanës “Opera Omnia” të prof. Jup Kastratit, e parashikuar të botohet nga familja.

Ky botim i sotëm vjen në respektim të vullnetit dhe të kërkesave të babait tonë, lënë si në testamentin e datës 02.10.1996, mbartur dhe paraqitur në vendimin e lëshimit të dëshmisë së trashëgimisë testamentare ashtu dhe të porosive testamentare të tij, të lëna me shkrim dhe të regjistruara me video, me 27 dhjetor 1998.

Në porositë testamentare të datës 27 dhjetor 1998, shkruhet e thuhet që hapja e arkivit personal do të bëhej vetëm nga ne, vajzat e tij, “… me rastin e 100-vjetorit të lindjes sime, (d.m.th. më 15 prill 2024)…”. Më poshtë ai shkruan që: “Posedoj një epistular shumë të pasur, me rreth 5,000 (pesë mijë) letra… Pasi të keni rregulluar në këtë mënyrë shkencore gjithë epistularin tim të begatë, atëherë, zgjidhni, ju vetë, letrat më të bukura, më interesante dhe me vlerë.”

Nëpërmjet botimit të këtij letërkëmbimi dhe të atyre që do ta pasojnë, del qartë që te prof. Jup Kastrati spikasin, përveç të tjerave, saktësia, skrupuloziteti në punë dhe, mbi të gjitha, karakteristika e tij themelore: ithtar i kulturës të të shkruarit, gjë e cila bëri të mundur krijimin jo vetëm të një arkivi personal tejet të pasur, që zë fill që në fëmijëri e vazhdoi deri në ditën e fundit të jetës së tij, por edhe të një arkivi të dokumentimit të kulturës kombëtare e shkodrane, duke u bërë kësodore kujtesë e thellë e historisë së qytetërimit shqiptar.

Fatmira Kastrati (Sykja)

Diana J. Kastrati

*Pjesë nga hyrja e veprës “Epistular”.

Filed Under: LETERSI

NJË DOMOSDOSHMËRI STRATEGJIKE PËR STABILITETIN, SOVRANITETIN DHE ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË BALLKANIT ME THEKS TË VEÇANTË TEK KOSOVA

July 30, 2025 by s p

Analizë me qasje juridike, diplomatike dhe akademike – Prof. Dr. Fejzulla Berisha

I. HYRJE: KONCEPTUALIZIMI I UNIONIT AMERIKANO-BALLKANIK NË KONTEKSTIN GJEOPOLITIK TË SHEKULLIT XXI

Në arkitekturën aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku ripozicionimi i fuqive të mëdha, rikthimi i realpolitikës dhe sfidimi i rendit liberal ndërkombëtar janë shndërruar në faktorë dominues, rajone si Ballkani marrin rëndësi të dyfishtë: si zona vulnerabël ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe si hapësira kritike për ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Pikërisht në këtë kontekst, Unioni Amerikano-Ballkanik duhet të konceptohet si një partneritet strategjik i përhershëm, që tejkalon kornizat bilaterale dhe operon si një bosht gjeopolitik me bazë juridike, vlerore, institucionale dhe zhvillimore.

Ky union nuk është ende formalizuar si një entitet juridik ndërkombëtar, por funksionon si një realitet i konsoliduar politik, diplomatik dhe strategjik, i cili artikulohet nëpërmjet bashkëpunimeve dypalëshe, marrëveshjeve ndërqeveritare, ndërhyrjeve për ruajtje paqeje (peacekeeping), asistencës për shtet-ndërtim dhe promovimit të një sistemi të përbashkët të vlerave demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare.

II. BAZAMENTI JURIDIK DHE DIPLOMATIK I UNIONIT

1. E Drejta Ndërkombëtare dhe Parimi i Paktës së Paqes së Qëndrueshme

SHBA-ja ka qenë promotore dhe garantuese e disa marrëveshjeve ndërkombëtare të natyrës paqësore në Ballkan: nga Marrëveshja e Dejtonit (1995), e cila krijoi arkitekturën institucionale të Bosnjë-Hercegovinës, deri te Marrëveshja e Rambujesë (1999) dhe deklarata ndërkombëtare e Grupit të Kontaktit për Kosovën. Për më tepër, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, një qëndrim i mbështetur dhe përfaqësuar fuqishëm nga SHBA.

Unioni bazohet edhe në:

-Parimin e vetëvendosjes (neni 1(2) i Kartës së OKB-së),

-Parimin e mosndërhyrjes dhe sovranitetit të barabartë,

/Parimet e Marrëveshjes së Helsinkit (1975) mbi kufijtë, paprekshmërinë territoriale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

2. Dokumentet dypalëshe dhe strategjitë transatlantike

SHBA ka nënshkruar dhjetëra marrëveshje strategjike me shtetet ballkanike për bashkëpunim në fushat e sigurisë, drejtësisë, tregtisë, energjisë dhe diplomacisë. Këto janë të kodifikuara në memorandume mirëkuptimi, marrëveshje për ndihmë teknike (p.sh. për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe Kosovë), si dhe në deklarata politike dypalëshe për partneritet strategjik (p.sh. me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, dhe veçanërisht me Kosovën).

III. ELEMENTËT QË E NJËSOJNË UNIONIN AMERIKANO-BALLKANIK

1. Kohezioni në vlera demokratike dhe normat e të drejtës ndërkombëtare

SHBA promovon një sistem global të vlerave të përbashkëta, përfshirë:

-Sundimi i ligjit

-Të drejtat e njeriut

-Liria e medias

-Pluralizmi politik

/Zgjedhje të lira dhe të ndershme

Në këtë aspekt, unionin e njëson një bashkësi normash dhe vlerash, jo vetëm interesash të ngushta gjeopolitike. Për këtë arsye, modeli amerikan i aleancave nuk është imperialist apo paternalist, por transformues dhe partnerizues, duke respektuar sovranitetin e shteteve partnere.

2. Aleanca për sigurinë kolektive (përmes NATO-s)

SHBA është forca dominuese brenda NATO-s, ndërsa Ballkani ka shënuar përparime të mëdha drejt integrimit të plotë. Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova ka partneritet të strukturuar me SHBA për integrimin eventual. Kjo e bën unionin një sistem të sigurisë kolektive dhe parandalimi gjeopolitik ndaj kërcënimeve hibride, dezinformimit, radikalizmit dhe nacionalizmit agresiv.

3. Ekonomia dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Përmes instrumenteve si MCC (Millennium Challenge Corporation), USAID, DFC (Development Finance Corporation) dhe partneriteteve të tjera investive, SHBA ka kontribuar në:

-Modernizimin energjetik të rajonit

-Digjitalizimin e qeverisjes

-Rritjen e transparencës fiskale

-Fuqizimin e sektorit privat

Në këtë aspekt, unioni përfaqëson një model alternativ të zhvillimit përkundër ofertave jodemokratike të Kinës dhe Rusisë.

4. Koordinimi strategjik kundër ndikimeve malinje

Ballkani është në qendër të ndikimeve të jashtme autokratike, sidomos nga:

-Rusia (përmes Serbisë, strukturave të sigurisë dhe përçarjes në Bosnje)

-Kina (përmes borxheve dhe infrastrukturës)

-Turqia (përmes ndikimeve kulturore dhe fetare)

SHBA, së bashku me vendet ballkanike që ndajnë të njëjtat vlera, përbën bllokun e vetëm efikas mbrojtës ndaj këtyre ndërhyrjeve.

IV. NEVOJA E DOMOSDOSHME PËR BALLKANIN NË TËRËSI

Unioni nuk është një zgjedhje politike e thjeshtë por:

-Mekanizëm mbijetese institucionale

-Instrument parandalues ndaj rikthimit të konflikteve

-Mjet për përshpejtimin e integrimit evropian

-Katalizator për tranzicion demokratik dhe kapërcim të mentaliteteve post-konfliktuale

Nëse Ballkani braktiset nga SHBA ose BE, rreziku është rikthimi i polarizimit etnik, autoritarizmit rajonal dhe destabilizimit strategjik me pasoja ndërkombëtare.

V. PSE KY UNION ËSHTË I PAALTERNATIVË PËR KOSOVËN

1. SHBA është arkitekt dhe garant i shtetësisë së Kosovës

Pa ndërhyrjen e SHBA-së në vitin 1999, pa rolin e saj në procesin e statusit përfundimtar dhe pa njohjen e hershme të pavarësisë (2008), Kosova nuk do të kishte as njohje ndërkombëtare, as sovranitet funksional.

2. Prania ushtarake amerikane është pengesë ndaj revanshizmit serb

Kampi Bondsteel dhe angazhimi i SHBA në NATO-KFOR përbëjnë shtyllën kryesore të mbrojtjes de facto të Kosovës, sidomos në kohë tensioni. Në mungesë të kësaj garancie, rreziku për përshkallëzim të dhunës do të ishte real.

3. Mbështetje në forumet ndërkombëtare dhe për dialogun

SHBA ka qenë promotor i fuqishëm i Kosovës në:

-Proceset në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

-Lobimin për njohje ndërkombëtare

-Dialogun me Serbinë, ku SHBA është garanti i balancës dhe ndërmjetësues më neutral dhe më aktiv se BE-ja

4. Zhvillim ekonomik dhe stabilitet institucional

Kosova përfiton nga projekte të mëdha zhvillimore të SHBA-së, përfshirë:

-Investimet në rrjetin energjetik (Projekti MCC)

-Përkrahje për sundimin e ligjit dhe kundër korrupsionit

-Mbështetje për procesin e vettingut dhe pavarësinë e drejtësisë

5. Lidhje strategjike me diasporën dhe opinionin publik amerika

Komuniteti shqiptar në SHBA është një aktor politik dhe diplomatik që forcon marrëdhëniet e Kosovës me Uashingtonin. Kjo lidhje është kapital gjeopolitik që Kosova nuk e ka me asnjë vend tjetër në botë.

VI.NJË LIDHJE STRATEGJIKE QË DUHET THELLUAR DHE INSTITUCIONALIZUAR

Unioni Amerikano-Ballkanik është një aleancë jo vetëm e nevojshme, por e pazëvendësueshme, veçanërisht për Kosovën. Nëse ky union thellohet, institucionalizohet dhe merr një formë më të qartë juridike-strategjike (p.sh. marrëveshje të përbashkëta rajonale me SHBA-në si garantues i sigurisë dhe reformave), atëherë Ballkani do të fitojë jo vetëm stabilitet, por edhe dinjitet gjeopolitik dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Filed Under: Ekonomi

NË KUJTIM TË KOL KUQALIT DHE LONI ADAMIT RANË PËR IDEALET E LIRISË DHE DEMOKRACISË   

July 30, 2025 by s p

Në kuadër të 103-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.     

Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect.Disa ditë më parë kujtova shqiptaro-amerikanin e herëshëm Anthony Stevens dhe familjen e tij si kontribues të zhvillimeve fillestare në marrëdhëniet ddiplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara fillim shekullin e kaluar. Frank Shkreli: Profili i një shqiptaro-amerikani të hershëm, Anthony Stevens – ndihmës dhe këshilltar i Harry Fultz | Gazeta Telegraf. Sot, në kuadër të 103-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane dua të risjell në kujtesë dy ish-zyrtarë shqiptarë të viteve të para të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Loni Adamin sekretar dhe Kol Kuqali përkthyes, të cilët punuan për ambasadën amerikane në kryeqytetin shqiptar deri në mbylljen e kësaj ambasade në vitin 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Por të cilët, më vonë u torturuan dhe u pushkatuan – si ish-zyrtarë të ambasadës amerikane — nga regjimi i Enver Hoxhes, vetëm e vetëm se besonin në vlerat e demokracise dhe të paqës midis dy popujve.  Në të vërtetë, Ambasada amerikane në Tiranë, në vitin 2010, brenda hapësirës së saj, u ka ndërtuar memorialin kushtuar dy ish-zyrtarëve të saj shqiptarë.  Me atë rast kam përshëndetur, me një shkrim modest, gjestin human të ambasadës kushtuar dy shqiptarëve, nëpunës të ambasadës amerikane, por më vonë të torturuar dhe pushkatuar nga regjimi diktatorial sllavo-komunist i Enver Hoxhës, si rrjedhim i lidhjeve të tyre të punës me Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Për fatin e tyre të zi, mësuam gjatë vizitës së parë të Delegacionit të Departamentit të Shtetit në mars/prill të vitit 1991, menjëherë pas nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marërëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Njëra prej objektivave të misionit të këtij delegacioni diplomatik amerikan ishte ri-hapja e ambasadës amerikane në kryeqytetin shqiptar, e mbyllur për pothuaj 50 vjetë nga regjimi komunist. Për mua, si shqiptaro-amerikan, pjesëtar i atij delegacioni, nuk kishte gëzim më të madh, që lidhjet e miqesisë midis dy vendeve tona u rivendosën, më në fund. Në ditët e para të qendrimit tonë në Tiranë dëgjuam tregime rrënqethëse mbi krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndak kundërshtarëve të regjimit, që në siperfaqe dukeshin të pa besueshme dhe të pakrahasueshme me ndonjë vend tjetër, për nga brutaliteti i tyre. Në këtë grup përfshihej edhe tregimi për torturimin dhe pushkatimin e Loni Adamit e Kol Kuqalit.

Fatkeqsisht, askush nuk dinte shumë hollësi mbi fatin e këyre dy burrave, përveç informatave bazë se ata ishin vrarë, vetëm e vetëm, se kishin punuar për ambasadën amerikane dhe si të tillë konsideroheshin agjentë amerikanë dhe armiq të regjimit te ri komunist, si “spiunë” të “imperializmit amerikan”. As sot, për fat të keq, shoqëria shqiptare nuk di shumë për ta, ashtu siç është edhe rasti i mijëra kundërshtarëve të tjerë të regjmit, të vrarë, e të cilëve as sot nuk u dihet fati as varri.

Por 15 vjet më parë ka qenë Ambasadori John Withers dhe stafi i ambasades së Shteteve te Bashkuara në Tiranë që me fisnikërinë e tyre – në përkujtim të përjetëshëm për ta — vendosën me atë rast pllakën përkujtimore për nder të Loni Adamit dhe Kol Kuqalit në oborrin e ambasadës me mbishkrimin: “Ranë për idealet e lirisë dhe demokracisë”.  Me atë rast, Ambasadori Withers ka thenë se dy gurët e memorialit, njëri i vogël dhe tjetri më i madh, simbolizojnë jetën e re të tyre, shkurtuar nga diktatura komuniste, ndërsa guri i madh simbolizon kontributin dhe respektin e përherëshëm karshi këtyre dy ish-zyrtarëve shqiptarë të Ambasadës amerikane në Tiranë. Ky gjest human, në të njëjtën kohë simbolizon, njëkohësisht, edhe natyrën e shoqërisë amerikane për të mos harruar kurrë ata që jane flijuar për një kauzë të drejtë dhe njerëzore, sic ishte kauza e këtyre dy ish-zyrtarve të ambasadës amerikane në Shqipëri – miqësia midis dy popujve tanë.  Gjithashtu, ndjejë se kjo pllakë përkujtimore, simbolizon gjithashtu edhe punën e sakrificat e të gjithë atyre — shqiptarë dhe amerikanë – të cilët për dekada të tëra kanë punuar për të sjellur marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan, në nivelin që këto marrëdhënie meritojnë të jenë, në këtë 103-vjetor të vendosjes së tyre.

Kol Kuqali dhe Loni Adami besonin së të qenet besnik ndaj traditave të shëndoshta shqiptare dhe ndaj vlerave perëndimore të lirisë e demokracissë, nuk pengonte aspak harmoninë dhe paqën midis kombeve të botës, në këte rast kombit amerikan dhe kombit shqiptar. Unë, si shqiptaro-amerikan, që gjithmonë kam besuar dhe besoj në përforcimin e mëtejshëm dhe në përjetësimin e miqësisë shqiptaro-amerikane, jam munduar të vendosë edhe unë një gur sado të vogël në monumentin e miqësisë dhe marrëdhënieve të ngushta midis kombit shqiptar dhe atij amerikan. Prandaj, në këtë 103-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, në besim të plotë për mbarërvajtjen e këtyre marrëdhënieve, midis dy vendeve tona, nderoj kujtimin e sakrificës së Kol Kuqalit dhe Loni Adamit. Por edhe në emër të të gjithë atyre që nuk mund të flasin më e që janë zhdukur e mbytur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, vetëm e vetëm, se besonin në vlerat e demokracisë e të lirisë për kombin shqiptar si dhe në miqësinë mbi 103-vjeçare midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan.

Frank Shkreli 

                     

A person in a suit and tie

AI-generated content may be incorrect.

             Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers

“Ky vend në të cilin jemi sot këtu është një vend që na bën krenarë. Ne nderojmë dy pjesëtarë të misionit tonë që u dënuan nga regjimi i Hoxhës pasi besonin tek vlerat e demokracisë. Ata u torturuan deri në vdekje nga regjimi i Hoxhës sepse besonin në vlerat e paqës e demokracisë. Nuk dëshiroj që ky memorial të shihet si një nderim që ne i bëjmë së shkuarës, por dua që ky memorial të shërbejë si një monument i një fryme të gjallë. Shpresoj të shërbejë si monument vlerësimi për stafin tonë që ka punuar prej vitesh duke luajtur një rol kyç për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë. Unë shpresoj që ajo që ne të marrim teksa zbulojmë këtë memorial të jetë frymëzim për ne, të marrim në jetën tonë forcën dedikimin dhe idealizmin e tyre”, ka thënë Ambasadori John Uidhers me rastin e inaugurimit të pllakës pëkujtimore kushtuar Loni Adamasit dhe Kol Kuqalit, 2010.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT