• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2025

JD Vance thyen barazimin. Senati miraton ligjin e madh të Trumpit

July 2, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Pas një maratone votimesh që zgjati gjithë natën në Uashington, Senati amerikan miratoi me shumicë të ngushtë projektligjin voluminoz të Presidentit Donald Trump, i cili parashikon ulje masive taksash dhe shkurtime të thella shpenzimesh, veçanërisht në programe sociale si Medicaid dhe ndihmat ushqimore. Në fund, rezultati ishte 50-50, ku Zëvendëspresidenti JD Vance, me rolin e tij kushtetues si president i Senatit, hodhi votën vendimtare për ta kaluar ligjin.

Tre senatorë republikanë – Thom Tillis nga Karolina e Veriut, Susan Collins nga Maine dhe Rand Paul nga Kentucky – iu bashkuan demokratëve në votën kundër, duke reflektuar ndarjet e thella brenda vetë Partisë Republikane. Tillis paralajmëroi se reduktimet do t’u mohojnë kujdesin shëndetësor miliona amerikanëve që mbështeten tek Medicaid, ndërsa Paul kundërshtoi rritjen e kufirit të borxhit me 5 trilionë dollarë.

Taksa, ulje taksash dhe fituesit më të mëdhenj

Në zemër të ligjit qëndron një reduktim i madh i taksave me një faturë prej rreth 4.5 trilionë dollarësh. Republikanët argumentojnë se ky hap është i domosdoshëm për të shmangur rritjen automatike të taksave pas dhjetorit, kur skadojnë uljet e periudhës së parë të Trump. Ligji i ri i bën të përhershme normat aktuale të taksave dhe shton përkohësisht disa lehtësime të tjera si: përjashtimi nga tatimi për bakshishet, orët shtesë, interesat e disa kredive për makina dhe një zbritje prej $6,000 për të moshuarit me të ardhura nën $75,000.

Gjithashtu, kredia për fëmijët rritet nga $2,000 në $2,200, ndonëse miliona familje me të ardhura më të ulëta nuk do ta marrin të plotë. Kufiri për zbritjet e taksave shtetërore dhe lokale (SALT) katërfishohet në $40,000 për 5 vjet, një lëshim ky për shtetet me taksa të larta si Nju Jorku. Për bizneset, ka dhjetëra ulje taksash, përfshirë të drejtën për të zbritur menjëherë 100% të kostos së pajisjeve dhe kërkimeve.

Por kush përfiton realisht? Sipas analizës së Zyrës Jo-partiake të Buxhetit të Kongresit (CBO), familjet më të pasura do të marrin mesatarisht $12,000 në vit, ndërsa më të varfrit do të humbasin rreth $1,600. Shtresa e mesme do të shohë një ulje të taksave nga $500 në $1,500.

Deportime masive dhe miliarda për murin e sigurinë

Një pjesë e madhe e ligjit — rreth $350 miliardë — i shkon axhendës së Trump për kufirin dhe sigurinë kombëtare. Përfshihen $46 miliardë për murin SHBA-Meksikë dhe $45 miliardë për të ndërtuar kapacitete që strehojnë deri në 100,000 emigrantë në pritje të deportimit, me synimin për të larguar rreth 1 milion njerëz në vit.

Parashikohet gjithashtu punësimi i 10,000 agjentëve të rinj të ICE me shpërblim fillestar $10,000 dhe një valë e re rekrutimesh në Border Patrol. Sekretari i Sigurisë së Brendshme do të ketë një fond të ri $10 miliardë për t’u dhënë grante shteteve që ndihmojnë në ekzekutimin e deportimeve federale.

Për të financuar këtë, parashikohen tarifa të reja për emigrantët, madje edhe kur aplikojnë për azil. Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes do të marrë miliarda për ndërtimin e anijeve, raketave, përmirësimin e jetës së ushtarëve dhe $25 miliardë për sistemin e mbrojtjes “Golden Dome”.

Kush do ta paguajë faturën? Medicaid dhe SNAP në shënjestër

Për të kompensuar një pjesë të të ardhurave të humbura nga taksat, republikanët synojnë të shkurtojnë Medicaid-in (kujdesi shëndetësor për të varfrit) që nuk punojnë dhe ndihmën ushqimore SNAP. Ligji vendos kërkesën që shumë përfitues të këtyre programeve të punojnë të paktën 80 orë në muaj, deri në moshën 65 vjeç, madje edhe prindërit e fëmijëve mbi 14 vjeç.

Gjithashtu parashikohet një bashkëpagesë prej $35 për vizitat e mbuluara nga Medicaid. Sipas CBO, mbi 71 milionë amerikanë mbështeten te Medicaid, i zgjeruar nga Obamacare, dhe 40 milionë marrin SNAP. Ligji do të rezultojë që deri në vitin 2034, 11.8 milionë më shumë amerikanë të mbeten pa sigurim shëndetësor dhe 3 milionë të tjerë të humbin SNAP. Për më tepër, shtetet do të detyrohen të ndajnë koston e programit me qeverinë nëse shkalla e gabimeve të pagesave tejkalon 6%.

Një kufizim për energjinë e pastër?

Ligji synon të shkurtojë në mënyrë drastike kreditë tatimore për projektet e energjisë së rinovueshme të mbështetura nga ligji i Biden për klimën dhe shëndetësinë e vitit 2022. Senatori demokrat Ron Wyden e quajti këtë “një dënim me vdekje për industrinë e erës dhe diellit në Amerikë dhe një rritje të pashmangshme të faturave të energjisë.” Po ashtu, uljet e taksave për blerësit e automjeteve elektrike do të skadojnë më 30 shtator 2025.

Në një plan tjetër, projektligji është një kthesë e qartë kundër energjisë së pastër dhe pro kompanive të naftës, gazit dhe qymyrit. Ai anulon tarifa për ndotjen me metan, heq rregullat për emetimet e automjeteve të vendosura gjatë administratës Biden dhe i hap rrugë projekteve të reja të karburanteve fosile. Përkundrazi, kompanitë e energjisë së rinovueshme paralajmërojnë se heqja e subvencioneve dhe vendosja e penaliteteve të reja mbi projektet e erës dhe diellit pas 2027 mund të rrëzojë miliarda dollarë investime dhe mijëra vende pune, madje edhe në shtete republikane si Georgia dhe Karolina e Jugut.

Projektet e Trump, monumente dhe shumë të tjera

Në ligj janë futur edhe projekte të tjera të çuditshme ose simbolike: llogaritë e kursimit për fëmijët “Trump Accounts” me $1,000 depozitë fillestare nga Thesari; $40 milionë për të ngritur “Kopshtin Kombëtar të Herojve Amerikanë” të shumëkërkuar nga Trump; heqja e taksës $200 për silenciatorët dhe armët e shkurtëra; bllokimi i fondeve për Planned Parenthood dhe $88 milionë për komisionin e përgjegjësisë ndaj pandemisë.

Po ashtu zgjerohen kompensimet për viktimat e testimeve bërthamore dhe ndahen miliarda për misionin Artemis në Hënë dhe eksplorimin e Marsit. Ligji rrit kufirin e borxhit me $5 trilion për të lejuar qeverinë të vazhdojë pagesat e detyrimeve të marra.

Kostoja reale dhe “magjia e matematikës”

Senatori John Thune, lideri i shumicës republikane, pas votimit tha: “Në fund e realizuam punën tonë.” Por rruga nuk duket aspak e qetë. Paketa ligjore kthehet tani në Dhomën e Përfaqësuesve, ku Kryetari Mike Johnson kishte paralajmëruar senatorët të mos bënin ndryshime, megjithatë Senati përfshiu disa amendamente – sidomos për Medicaid – që mund të krijojnë telashe të reja në miratimin përfundimtar. Johnson synon ta votojë të mërkurën për ta dorëzuar në tryezën e Trump para 4 Korrikut.

Ndërkohë, vetë Trump, duke u larguar drejt Floridës, pranoi se kjo është “punë shumë e ndërlikuar” dhe shtoi: “Nuk dua të shkoj shumë larg me shkurtime, nuk i dua shkurtimet.”

Një votim i dhimbshëm dhe protestat jashtë Senatit

Në Senat, procesi i njohur si “vote-a-rama” (maratonë amendamentesh) u shndërrua në një betejë të gjatë e të lodhshme, me skena të tensionuara brenda dhe jashtë sallës. Ndërkohë, aktivistët protestonin para Kapitolit duke mbajtur arkivolë prej kartoni për të simbolizuar rrezikun që sjellin shkurtime të tilla në jetën e njerëzve.

Senatorja Susan Collins, ndonëse arriti të fuste në ligj një fond prej 50 miliardë dollarësh për spitalet rurale, sërish votoi kundër, duke thënë se “shqetësimet e mia me këtë ligj shkojnë shumë më thellë se kaq.” Lisa Murkowski votoi pro pas sigurimeve për Alaska-n dhe disa lehtësime të përkohshme për kuponët ushqimorë, por e quajti procesin “të agonizueshëm”.

Demokratët, të udhëhequr nga Chuck Schumer, e denoncuan ligjin si të padrejtë dhe “plot magji të rreme kontabël” që sipas tyre mashtron publikun për kostot e vërteta.

Një bast i madh politik

Për republikanët, kjo është një provë e madhe force dhe një investim i thellë politik për të treguar se po e përdorin shumicën e tyre në Uashington për të përmbushur premtimet. Por mbetet për t’u parë si do të reagojnë amerikanët për një ligj që në të njëjtën kohë ul taksat, rrit borxhin federal, dhe godet me shkurtime miliona përfitues të Medicaid dhe ndihmave ushqimore.

Në fund të ditës, ky ligj është një fotografi e qartë e prioriteteve të republikanëve dhe vetë Trump: më pak taksa për të pasurit e korporatat, më shumë kosto e rrezik për të varfrit, një shtet më i fortë në polici e ushtri, dhe më pak mbështetje për energjinë e pastër dhe të ardhmen shëndetësore të planetit.

Ndërkohë, figura të mëdha si Elon Musk dolën hapur kundër: “Kushdo që votoi për këtë paketë duhet të ulë kokën nga turpi,” tha ai, duke kërcënuar se do të financojë fushata kundër tyre.

Në fund, siç u shpreh me ironi senatori Rand Paul: “Ligji i madh, por jo aq i bukur, sapo kaloi.”

Filed Under: Politike

Departamenti i Drejtësisë njofton se i jep përparësi heqjes së nënshtetësisë amerikane për disa shtetas të natyralizuar

July 2, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Një qarkore e brendshme për avokatët e Departamentit të Drejtësisë e datës 11 qershor udhëzon se ata lejohen ta ndjekin këtë taktikë që vë në shënjestër nënshtetasit të cilët nuk janë lindur në Amerikë. Në thelb është heqja e nënshtetësisë për ata që mund të kenë gënjyer në formular për dënimet ligjore ose nuk kanë deklaruar anëtarësinë në grupime si partia naziste apo komuniste si gjatë makarthizmit. Sipas të dhënave të vitit 2023, rreth 25 milionë emigrantë janë nënshtetas të natyralizuar, raportojnë agjencitë e lajmeve.

Denatyralizimi është taktikë e përdorur në masë gjatë periudhës së Makarthit në fund të viteve ’40 dhe fillimi i ’50. Gjatë presidencës së Obamës u zgjerua në kontekstin e terrorizmit dhe shkoi edhe më tej në mandatin e parë të Trumpit.

Fokusi në denatyralizim është një hap tjetër i administratës Tramp për ta riformuluar sistemin e emigracionit në të gjitha nivelet dhe për ta vendosur atë në qendër të vëmendjes për shumë agjenci federale, duke filluar me përkufizimin se kush lejohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara dhe kush ka të drejtë të jetë amerikan. Qëkur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, presidenti po kërkon ta eliminojë marrjen e nënshtetësisë vetëm se ke lindur në Amerikë si edhe të shkurtojë shumë nga programet për refugjatët.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, procesi do ndjekë rrugën ligjore të çështjeve civile. Por në proceset civile, personit, që është subjekt i denatyralizimit, nuk i njihet e drejta e përfaqësimit d.m.th. duhet ta paguajë vetë avokatin dhe së dyti, nuk kërkohet shumë nga ana e prokurorisë për të arritur përfundimin e çështjes. Sipas disa ekspertëve, kjo përbën shkelje të procesit ligjor dhe garancive të njohura nga Amendamenti 14. Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë koment.

Kriteret e caktuara nga Qarkorja

Qarkorja zgjeron kriteret për individët që janë në rrezik të humbjes së nënshtetësisë, duke përfshirë akte që rrezikojnë sigurinë kombëtare, edhe mosdeklarime si psh në programe huaje të pagesave, dhe/ose programe asistence si Medicaid dhe Medicare. Tendenca e administratës për ta shtrirë aktivitetin në sfera të pacekura më parë është për tu shqetësuar, vënë në dukje ekspertët e organizatës Qendra e Burimeve Ligjore për Emigrantët. Veç kësaj, qarkorja nuk i cakton limite Divizionit Civil edhe për raste që i referohen zyrës dhe të cilat ky Divizion mund të vendosë t’i procedojë. Faktikisht, gjuha e përdorur është e tillë që i jep dorë të lirë krahut të qeverisë të ndjekë penalisht personat që do t’i ketë në shënjestër.

Revokimi i nënshtetësisë

Për fëmijët që janë lindur nga prindër të natyralizuar, ky akt mund të ketë pasoja afatgjata. Amerikanët që deri tani mendonin se ishin të sigurtë tashmë mund të jenë në rrezik të humbasin nënshtetësinë. Dhe pastaj çfarë ndodh me një individ që mbetet pa nënshtetësi, pasi i është mohuar ajo, pyesin ekspertët e të drejtave civile. Sipas ligjit, individi kthehet në statusin e mëparshëm të banorit rezident të përhershëm (Green Card) dhe si i tillë, personi mund të jetë subjekt deportimi.

Në javët e fundit, njoftohet se të paktën një personi i është hequr nënshtetësia – Elliot Duke, i cili vjen nga Mbretëria e Bashkuar, ka kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë amerikane dhe ka qenë i dënuar për shpërndarje materialesh që kanë të bëjnë me abuzim seksual të fëmijëve, gjë që personi e ka pranuar se ishte akt i kryer përpara se të merrte nënshtetësinë.

Denatyralizimi ishte mekanizëm politik shumë i preferuar në periudhën e Mekarthit. Në kulmin e vet arriti të kishte 22 mijë raste për denatyralizimin në një kohë kur popullsia ishte më e vogël. Në vitin 1967 vendimi i Gjykatës së Lartë vërente se “denatyralizimi nuk është konsistent me formën e demokracisë amerikane sepse krijon dy kasta të nënshtetësisë.” Prej atëherë, rastet e revokimit ranë në 10 a 15 , sipas ekspertëve. Por kjo ndryshoi gjatë administratës së Obamës, kur u vunë në përdorim metoda digjitale për rastet e shkeljeve financiare të kryera shumë vite më parë, me arsyetimin se paraqisnin rrezikshmëri ndaj interesave të sigurisë kombëtare, meqë kishin lidhje potenciale me akte terrorizmi. Administrata e mandatit të parë të Trump-it bëri përpjekje për ta zgjeruar përdorimin e denatyralizimit nga ana e qeverisë duke e aplikuar atë në gjykatën civile në vend të asaj të krimeve penale.

Pyetja është sa raste të tilla mund të ketë që plotësojnë kriteret e denatyralizimit dhe sa burime do ketë në dispozicion administrata për të ndjekur çdo rast. Në përfundim, subjektet mund të jenë individë për të cilët nuk ekzistojnë prova por mundësia për të bërë shkelje, që mund të merret si bazë për heqjen e nënshtetësisë. Sipas analistëve, është tregues fakti që gjykatat kanë prapësuar deportime të ndërmarra nga zelli i administratës në praktikimin e masave të emigracionit.

Hapja e çështjes penale për ata që e kanë fituar nënshtetësinë sjell shumë probleme të tjera si edhe krijimin e mundësisë së dallimeve në rastet kur për disa “hapen dosjet e për disa jo.” Një masë e ngjashme ka përfshirë një numër të shteteve evropiane që kanë aktivizuar akte të revokimit të nënshtetësisë për çështje të sigurisë së vendit, figurës morale të individit e të tjera.

Filed Under: Analiza

2 korrik 1990…

July 2, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

35 vite më parë, në 2 korrik 1990, qytetarët shqiptarë sfiduan masivisht diktaturën, duke hyrë në ambasadat e “vendeve kapitaliste” për të rrëzuar mitin e rremë të “Shqipërisë së lumtur socialiste” duke sfiduar regjimin më të egër komunist, i cili atë verë të nxehtë do të ndiente acarin e dimrit të vetmisë së madhe.

2 korriku ishte një akt guximi qytetar, i cili vinte si vazhdimësi e gjithë disidencës antikomuniste nga viti 1944 e deri në 1990 dhe që do të ishte pararendëse e Lëvizjes Studentore Shqiptare në Dhjetor ’90, e cila do të sillte demokracinë e mohuar e të shkelur për 45 vite.

Sot, 35 vite më pas, përsëri sytë e mendja e shqiptarëve janë larg Shqipërisë, drejt vendeve të lira e demokratike perëndimore, vendeve ku sundon ligji e drejtësia, vendeve ku vlerat dhe meritokracia shpërblehen; vendeve në të cilat do të ketë shpresë për një jetesë më të mirë për ta e familjet e tyre.

Sot, pas 12 vite të qeverisjes së sektit Rama, shqiptarët janë përsëri me sytë, shpresën e ëndrrat larg Shqipërisë. Rreth 900.000 shqiptarë janë larguar e po largohen përsëri pa e menduar dy herë në kërkim të mundësive, shpresës, jetës më të mirë!

Ikin, sepse në Shqipëri ata vidhen, keqqeverisen, tallen e nëpërkëmben nga regjimi i sektit Rama, i cili u ka vrarë shpresën, u ka vrarë të tashmen dhe u zymtëson të ardhmen; u grabit votën dhe vullnetin e lirë.

Ikin, sepse ky sekt në pushtet i ka varfëruar, i ka grabitur e vazhdon t’i grabisë përditë, nëpërmjet krimit e korrupsionit, i ka poshtëruar dhe dënuar të jenë për shumë kohë jashtë Europës, megjithëse aspirata e shqiptarëve ka qenë gjithmonë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

2 korriku 1990 duhet të jetë një datë reflektimi sot, kur rreziku kombëtar mban emrin e sektit Rama!

Filed Under: Interviste

MUSINE, MUZË E LIRISË…

July 2, 2025 by s p

Zef Pergega

Detroit USA/

Ҫdo ditё qё kalonte e pёrvjetoret afroheshin, kalonin e riktheheshin, ai, miku i heshtur poeti Gjokё e ndjente shpirtin e tij njё arrё gungёse, pa thalb brёnda, nё mes tё dy nofullave tё njё dare qё me forcё kёrkonte t’a thyente. Ndiente njё kёrcitje tingulli shqetёsues se nё bllokun e shenimёve, ku shpesh e nёnvleftesonte venien e datёs, kur i shkruante, se nuk po e gjente njё shkrim tё pabotuar pёr poeten nga Gjirokastra, Musinё, dёrgjur burgjeve tё diktaturёs. Mirditori me kёtё emёr kishte punuar pak kohё nё shtёpinё e kulturёs nё Gjirokastёr! Mё pat thёnё vetё nё Rreshёn se e kishte veshtirё t’a botonte, sa edhe unё kisha hedhur nё njё bllok qё e mbaja nёn jestek, disa kujtime pёr Musinё, kur punoja si teknik nё ndёrtim nё kёtё qytet…nё moshёn e hallakatur tё andrrave. Nё atё kohё poetin Gjokё Beci e kishin dёnuar nё betonjerёn e poligonit tё pёrziente çimento dhe njerёzit mё tё afёrt, nuk denjonin nga frika, pothuajse çdo mbas dite qёndronim bashkё. Nuk binte nё sy se unё isha nga Lezha…madje njё pjesё tё frymёs sё poezisё e kam prej tij….

Nё korrik tё vitit 1943, nё editorin e numёrit tё parё tё revistёs “Gruja shqiptare”, e cila e lidhur ngusht me rezistencёn antifashiste, mes tё tjerash ajo shkruante: “…malet janё plot me djemt tanё. Ca luftojnё sot e ca do tё luftojnё nesёr. Tё gjithё pёr Shqipёrinё!”

Ky artikull, nuk i kishte pelqyer komondantit, qё mё vonё do tё bёhej diktatori mё i egёr nё Europё, i afёrt me poeten.

…shkrimtarja e parë grua shqiptare, disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeltare e një partie opozitare, e burgosura politike, që pas 20 vitёsh burg, do të mbyllte sytë në internim, ndërkaq 10 vjet më vonë, më 1993, kur diktatura komuniste kishte rënë, do të dekorohej nga Presidendi me medaljen “Martire e Demokracisë” dhe së fundmi “Nderi i Kombit”

…Së bashku dhe me disa shokë të tjerë, më 1943 formon Partinë Social – Demokrate dhe nxjerr gazetën “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë me tregime “Si u tund bota” 348 faqe, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti pushkatohen pa gjyq vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim. Fitimitarët e ardhshëm, po futeshin në kryeqytet me terror të llahtarshëm. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe shkrimtaren e parë shqiptare, e mbajtën 16 vite në burg.

Ajo boton librin i tretë pas një viti “Rreth vatrës” duke u bërë shkrimtare e vërtetë me autoritet, por më më 23 janar të vitit 1946, e arrestojnë për së dyti dhe gjyqi terrorist i “fitimtarëve” e dënoi me 20 vjet burg.

“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindje!”.

Në vitin 1961 lirohet dhe e internojnë në Rrёshen, bën punë të rënda fizike, llaç dhe mur. Vetmia, si dënim dhe libra, libra, këta ishin miqtë e saj. Ajo sillet e interrnuar në Rrëshen, po në kёtё vit, pasi kishte vuajtur 16 vite burg politik në Burrel. Erdhi të jetonte me te dhe nëna e saj, e cila pas dy vitesh u sëmurё dhe vdiq. Është e njohur se si u soll regjimi me këtë kategori intelektualesh, ku secili i interrnuar ishte e shtrënguar të kalonte para sportelit të Degës së Brendёshme, dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, 24 orë nën vëzhgim, me spiunë e spiune nga pas. Aq më tepër, që Musineja ishte një e interrnuar e klasit tё parё. Komiteti i Partisë dhe Sigurimi i Shtetit ishin vigjilentë ndaj çdo lëvizje të saj, kontrollonin gjёrё e gjatё ç’libra lexonte dhe ç’filma shihte, sidomos në vitёt e para të internimit.

Por mё qenё se autori nuk po e gjente dorёshkrtimin pёr poeten e pёrsekutuar vendosi t’i thёrrasё kujtesёs e mbushur me pluhurin e harresёs, si rrugёt e qyetit verior. Atё botё ishta i ri. Teknik mё kishin caktuar ne ndёrmarrjen e ndёrtimit. Rruga e shkurtёr nga qyteti deri nё ndёrmarrje ishte e pjerret e asfaltuar, por fytyra e zezё e saj vazhdimisht ishte e mbuluar me baltё tё njomё nё dimёr e me baltё tё thatё nё verё. Tё ngjante si gojё e shqyer. Aty nё mes tek kthesa rrugёs, tek fusha e druve tё komunalёs ishte njё shtёpi pёrdhese, themelet e tё cilёs ishin gjithmonё nёn ujё. Aty jetonte nё njё dhomё poetja e dёnuar Musinё Kokalari. Rruga dhe shputat e saj mbi baltё pёrditё pёrseritnin njё rit. Ata plazmonin me njёra – tjetrёn e njё kurrni uji i fshinte. Kёshtu niste mёngjesi e ngrysej mbasditja. Kur ecte mbante krahun e djathё, por edhe kur kthehej, nuk e ndryshonte krahun. Krahu i djathtё i rrugёs kishte njё mur e ai i majti njё pjerrinё, ku rrokulliseshin gur si andrra femijёsh. Zёra qё humbnin nёpёr rrёnjё tё lumit tё Zmesё.

Nё sytё e mi ende nuk ishin shqitur ato pamjet e para, kur e njoha. Nё kimenanё e qytetit shfaqej njё film me temё nga lufta partizane. Ajo zuri vend nё njё qoshe, pak e veçuar nga publiku. Dolёn bashkё me shoqen dhe nёn shoqёrinё e vetmisё dhe syve dyshues tё njerёzve morёn rrugёn pёr nё atё shtёpi, çerdhe lagёshtire e myku.

Shkonte nё punё me çizme dimёr verё dhe me kombinoshe. Punonte tek pllakat para fabrikate. Ҫdo ditё i hidhte njё sy betonjerёs, ku punonte poeti Gjokё Beci, i dёnuar me punё korrektonjёse. Dikur Gjoka kishte punuar nё shtёpinё e pionerit nё Gjirokastёr dhe e njihte mirё Musinё, por sytё e tyre vetёm sa kryqezoheshin nga larg. Ishta i vetmi qё shoqerohesha me Gjokёn, mbasi si qytet i vogёl ai nuk donte tё implikonte shokёt. Prenga dhe Zefi, poetё tё qytetit e shikonin me sytё e dhimbjёs…

Llaç betoni kishte rёnё mbi vargjet, duke bllokuar frymёmarrjen. Nuk ishta nga ky qytet, por kisha njerёzit mё tё afrёt tё gjakut…, por qё mbanin mbiemёr tjetёr dhe kjo nё opinion pёr ta nuk isha asgjё. Njё ditё e pyeta Gjokёn nё konfidencё:

“Kush ёshtё ajo grua?!”

“Eshte njё poete e mrekullueshme. Njё grua qё ka themeluar pas Luftёs sё Dytё Botёrore pluralizmin politik nё Shqipёri dhe pёr kёtё e dёnuan dhe e sollёn kёtu tё pёrzije trutё e saj!”

“Ҫdo thotё tё pёrziesh trutё!”- e pyeta. E doja shumё poezinё dhe kishta provuar tё shkruaja pak pa guxuar tё ia tregoj Gjokёs, i cili rastesisht e kishte hapur njё ditё bllokun tim. Kisha botuar poezi qё nё klasen e shtatё nё shkollёn e Rubikut dhe njё reportazh nё revisten e fёmijёve “Pionieri” tё Tiranёs, por ma ndaluan vazhdimin mbasi nё njё pёrjetim pёr minjeren kisha thёnё: “Mushkёritё e metalurgёve i ngjanё furrave tё metalinёs!”, mbasi Marku, djali i halles time punonte nё kёto furra dhe vuante nga sёmundja e silikozёs sё mushkёrive.

Gjoka pa njёherё rreth e rrotull se mos i pёrgjonte njёri dhe sqaroi me zё tё ulet:

“Njё ditё e caktuan tё punonte me mua nё betonjere. Ajo mbushte nga poshtё kovat me zhavor e çimeto dhe unё me mekanizmin e betonjerёs i ngrija lart dhe i hidhja nё kazanin e pёrzierjes. Ajo gjeti momentin dhe pa mё pa nё sy e mё tha: “Kёshtu i pёrziejnё trutё e intelektualёve kёta tё pushtetit tё popullit, siç pёrziejmё ne kёtё zhavor me çimento!”

Nje ditё, drejtori i ndёrmarrjёs, Ali Osmani, gollobordas, po bёhej merak se duhej t’i raportonte partisё se e kishin mbaruar pallatin pёr punonjёsit e komitetit, por disa punёtorё, nuk ishin paraqitur nё punё. Mё thirri qё tё shkoja nё shtёpinё e Musinёs, pёr tё kuptuar arsyen e mos paraqitjes nё punё. Dhe u nisa. Mora njё palё çizme tek betonierja pёr tё mos u lagur rrugёs dhe tё kapёrceja bulimin e ujit nё themelet e shtёpisё sё poetёs. Trokita nё fillim me njё ndrojtje. Fjala “pёrzierzje trush!” mё solli njё pёshtjellim deri nё neveri. Mёgjithatё duhej tё zbatoja urdhёrin. Trokita dhe njё herё. Dera u çel ngadalё dhe njё fytyrё e vrazhdё thua se ke lёshuar mbi tё njё deng me thinja bagёtish, u shfaq para meje. Djersё qё i shkonin nga temperaturё e lartё, pashё nё balin e saj. Rronte në një banesë, që notonte mes ujërave të ndenjura dhe mizerjes. Nuk kishte mundur tё shkonte nё doktor dhe as tё merrte ndonjё paracetomol. Njё erё myku doli nga dera si njё rrymё shtegu e bllokuar prej kohёsh. Njё raft librash qё pikonte “djersё” lagёshtirё. Gazeta dhe njё krevat dёrrase me ca enё pёr tokё. Njё sobё e vogёl e fikur.

Drejtori mё tha…. dhe nuk vazhdova mё. U larguava dhe drejt e nё farmaci. Mora njё pako paracetomol, pak çaj mali nё dyqan. I mbёshtolla nё gazetёn e ditёs ”Zёri i Popullit” pa kuptuar se nё ato fletё flitej pёr partinё dhe fitoret e saj ndaj “amrikut tё popullit” dhe u nisa drejt shtёpisё sё lagёshtirёs dhe mykut. Hodha shikimin njёherё nga rruga, por punёtoret e sharrёs prisnin dru pёr banorёt e qytetit. Trokita pёrsёri nё derё. Ajo u hap si herёn e parё. “Tё solla pak çaj dhe paracetomol!” – i thashё. Asaj i qeshen sytё, siç qesh vargu nё njё poezi dashurie. Mbetem tё dy pa zё. U ktheva nё punё…

Kur Musine pati pёrvjetorin, pas shumё e shumё vitesh, kёrkova nёpёr blloqet e shёnimeve, por nuk gjeta gjё. Mё dukej se njё dorё e keqe i kishte shqyer ato fletё, por kjo nuk kishte qenё e vertetё. Kur ndёrron venbanim ndodhin gjёra tё tilla, tё humbin gjёra tё vlefshme. E shkrova edhe njё herё dhe ia nisa gazetёs sё shqiptarёve ne Amerikё t’a botone. Nё mёnyrё tё habitshme mora njё zarf tё verdhё. “Pёrsёri zarf tё verdhё?! “U shoftё gjuha e gjarpёrit dhe zarfit tё verdhё!”

Dhe lexoi tekstin qё i shkruante njё ish oficer i lartё, ish sigurimas nё redaksinё e buletinit tё shqiptarёve tё Amerikёs. “…unё jam nga qyteti i saj. Shkrimi pёr te ka shumё tё pavёrteta. Ajo nuk ka qenё e madhe dhe e talentuar siç e pёrshktuani ju, por si tё gjithё armiqtё e popullit, ndaj nuk do t’a botojmё!”

“Armiqtё e populli!” – mё theri si njё gozhё e ndryshkur nё sy. Kёta morra tё kuq qё nuk mund tё ngrihen nga lёkura kanё fuqi mbi popullin dhe tё flasin edhe sot nё emёr tё tij?!

Kujtoj Gjokёn, kur nё qoshen e kafes nё tё dalё tё qytetit, ku vёshtirё tё vrojtonte syri i sekretarit tё partisё apo tё ndonjё operativi nga jugu. Gjoka nxori njё letёr tё zhubrosur. E hapi mbi prehёr si njё dhuratё e fshehur, qё mund tё binte prej qiellit. Mausinё, kishte mundur nё besim tё ia jepte tek betonjerja, kur kazani kishte dalё nga shinat dhe ato pas kullёs se saj ishin gjendur shumё afёr e jashtё mundёsisё sё vrojtimit tё punonjёsve tё tjerё tё pllakave. Tё gjithё ishin me hije, por edhe nga hija vinte frika mё e madhe. Ajo kishte shkruar dy apo tri poezi. Mbaj mend njё varg, kur e lexoi Gjoka.

“Llaçin qё e bёjmё pёr fytyrёn e murit, baltosin sytё tanё…!

“Hije tё zeza na lidhin fjalёn, si shall i kuq pioneri!”

Kur pinim kafe nё kёtё lokal punёtorёsh gjithmonё Gjoka preferonte tavolinёn afёr derёs, ku nga dritarja shikonte rrugёn. Atje larg dalloi njё fuks tё degёs qё shpesh e survejonte. Pёrnjёherёsh nxori nga xhepi njё kuti tё vogёl duhani dhe me letrёn e Musinё dredhi njё cigare. Shpejt e ndezi dhe rrufiti kafen e zezё turke. Sapo hyri e pa dhe pёr t’u treguar mik i tha: “He, qenkan mbaruar letrat? Po tё jap unё njё pako!”

Gjoka nuk foli, por mё vonё tha: “Janё tё rrezikshёm. Nё litar tё çojnё pёr njё fjalё!”

“Po sikur t’a zinin letrёn! – i thashё

“Direkt e nё burg mua dhe Musinё! Nuk do tё dilnim mё prej aty!”

Vargjet e saj u bёn tym duhani, por nё shpirtin e Gjokёs e diç nё kujtesen time mbeten. Nёpёr mend pёrsёri i shikoj atё rrugё, ku ecnin njerёzit dhe nё mёnyrё tё veçantё poetja e dёnuar me krye nё baltё. Ecte drejt si trug i pemёs sё krenarisё. Drobitja ndjehej nё eshtra nё thellёsi tё ashtit tё gjymtyrёve. E donte diellin, por ai ishte rrёzuar nё baltё dhe njerёzit e shkelinin si njё shkarpё. Kishin njё diell tjetёr qё u ngjante, sikur i ngrohtё e teshat me arna. Ecte po nuk shtrinte dorёn. Lypёse krenare e lirisё brenda vetёs. Ashtu e sfidonte baltёn, qё sa herё kalonte vinte shtresё nё gjurmёt e saj. Lypte bukёn e vargjёve e lypte diell pёr jetё, por fytyra e bukёs dhe fytyra e diellit ishin gjithё harta plagёsh. Pёrsonalitetin e saj e kishin shtydhur si njё limon i prish. Musinё shihte si regjimi kafshonte të vetët dhe një ditë pranë saj do të punonte punëtore dhe e bija e ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballaku me të shoqin, një profesor i nderuar universiteti. Kjo ishte paraditja e mundimshme sizifiane saj, kurse pasditja ishte “mondane”. Vishej me shije të hollë si ato zonjat e rënda, shkonte në kinema, bibliotekë dhe sidomos, nuk harronte kurrë atë xhiron e saj të famshme, nga qyteti deri në periferi tek Ura e Fanit, sa shpesh identifikohej me atë xhiro. Me krahёt e saj u rrit qyteti, qё kishte njё moshё 15 vjeçare…

Musine Kokalari, shkrimtarja e parë grua shqiptare, disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeltare e një partie opozitare, e burgosura politike, që pas 20 vitesh burg, do të mbyllte sytë në internim, ndërkaq 10 vjet më vonë, më 1993, kur diktatura komuniste kishte rënë, do të dekorohej nga Presidendi me medaljen “Martir i Demokracisë” dhe së fundmi “Nderi i Kombit”, kishte datëlindjen. 95 vjetori i saj.

Gjirokastritja e mrekullueshme Musine Kokalari, pasi kryen shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, më 1937, shkon për studime në Universitetin e Romës, në Itali, del me rezultatet më të larta. Qysh studente boton librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë”, me rrëfime magjepsëse. Njihet dhe do të kёtë dhe vlerësimet e një nga shkrimtarëve më të mëdhenj italianë, Alberto Moravia.

Qё nga viti 1961 internohet ne Rreshen, qyteti ku ajo qëndroi në internim për 22 vite, e kishin një gjuhë të fshehtë mes tyre, sado memece në dukje. ”Rrëshen, që u rrite në krahët e mi…” Njё nga vargjet e saj. Kishte qendisur vargje, por edhe njё koleksion pёr mё shumё se 60 tё tilla, ku nё njёren binte nё sy njё shqiponjё e bardhё dykrenare. Jo pajen e saj tё nusёrisё, se e dinte se kjo nuk do tё ndodhte.

Makina e druve e tipit “Skodё” vetёshkarkuese e komunales e hodhi në gropën, ku e mbuluan atë dhe veprën, që nuk e lanë ta shkruante. Vdiq si bijё e heshtjёs dhe e vetmisё, mbuluar me ca lopata dhe nga varrmihёsit e qytetit. Kur e zhvarrosen u pa se nё duart e saj tё kryqezuara kishte tela me gjёmba. Shfytyrimi njerёzor kishte mbёrritur deri aty qё t’a thyente traditёn e shqiptarit nё vdekje. Ato tela thonin sipas se edhe nё varr kishin frikё se ajo do tё shkruante dhe do tё dёshmonte. Dikush e ka muhuar e dikush e ka pohuar kёtё fakt. Musineja vdiq me 13 gusht 1983 në këtë qytet.

Në fundin e jetës, në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musinё shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli… nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore!”

Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrёs. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër, le të hyjë në fondin e shtypit, që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.

Nënë Tereza Shenjtore, thoshte: “Më mirë ndiz një qiri, se sa të mallkosh errësirën. Që harresa të mos bëhet errësirë!”

Filed Under: Histori

NATA QË SHKODRA E MBAN NË ZEMËR…

July 2, 2025 by s p

Ramazan Çeka/

Një himn për qytetin me zërin e Bujar Qamilit.

Një rrëfim për një koncert që u shndërrua në një dëshmi artistike që u bë si një amzë shpirtërore, një përqafim i kënduar për Shkodrën. Në një natë ku emocionet nuk mund të përshkruheshin me fjalë, Shkodra jetoi një koncert madhështor që tejkaloi kufijtë e spektaklit. Ishte një përqafim shpirtëror mes një qyteti dhe një artisti që e ka përfaqësuar me zërin e tij ndër vite: Bujar Qamili. Panorama e sheshit tregoi emocionin e natës me Bujar Qamilin që preku zemrat e publikut me zërin e tij të bukur. Emocioni i sinqertë i publikut është pasuria më e madhe.

Nën moton “Për ty Shkodër”, me pjesëmarrje masive dhe një atmosferë magjike, qyteti nuk ishte më një hapësirë e zakonshme vendbanimi, por një skenë gjigante, që këndonte bashkë me artistin. Në zemër të qytetit, një zë që s’ka nevojë për prezantim dhe një repertor që prek shpirtin sollën një recital të paharrueshëm. Në skenë, Bujar Qamili , “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, fali një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve. Sheshi para Bashkisë u kthye në tempull emocionesh si kurrë më parë, Shkodra në festë. Ishte një natë ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e këngës qytetare bashkëjetuan në harmoni.

Bujar Qamili, një zë që sfidon kohën, nuk interpretoi vetëm këngë, ai zbuloi rrënjët tona të përbashkëta, na solli para syve Shkodrën e brezave të kaluar, me nuanca kujtimesh dhe një përkushtim artistik që vetëm mjeshtrit e vërtetë dinë ta mbajnë gjallë. Ai nuk është vetëm një këngëtar, është kujtesa e gjallë e një qyteti që ka ditur gjithnjë ta kthejë mallin në këngë dhe gëzimin në art.

Në skenë u ngjitën emra të njohur si Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi – Xeni dhe Mateus Frroku, që e shoqëruan Bujarin si anëtarë të një familjeje të madhe muzikore. Ata sollën me zërin e tyre mallin, dashurinë dhe nostalgjinë, duke i dhënë ngjyrë një mbrëmjeje që do të mbetet në kujtesën e qytetit. Nga bejtaxhiu Tonin Pervjela në publik, tek humori plot buzëqeshje në skenë i Dana Xhaj “Mjeshtre e Madhe”, Muhamet Çekini dhe Akili, e deri te emocionet e sinqerta të këngëtarëve të ftuar, gjithçka në këtë natë ishte frymë.

Artiola Toska e quajti Bujarin “vëlla i madh”, ndërsa Mateus Frroku u shpreh me emocion: “Sonte ishte nata e Bujarit. Kam një ndjesi fantastike dhe një dëshirë të thellë për t’u rikthyer sërish në Shkodër.”

Edhe Shkëlzen Jetishi – Xeni, miku i pandarë i Bujarit përmendi lidhjen e tij të thellë shpirtërore me këngët shkodrane, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një privilegj.

Çdo këngë u këndua live, e mbështetur nga mjeshtëria e orkestrës së drejtuar nga Vis Shkodrani, ku iu bashkua edhe Ilir Zoga, maestro i fizarmonikës, me një interpretim të gjallë, elegant dhe plot jetë.

E ndërsa tingujt përqafonin njëri-tjetrin, në sfond jehonte një qytet që lundronte mbi një det emocionesh.

Kjo mbrëmje si një rilindje artistike e përndritur dhe me aromë pranvere, u ndriçua nga eleganca dhe ndjeshmëria e moderimit të Dana Xhaj, “Mjeshtre e Madhe”, dhe Linda Kavajës.

Ato sollën në skenë atë që shpesh mungon: finesë, hijeshi dhe atë thellësi të heshtur që s’mund të shihet, por vetëm të ndjehet, si një dorë e padukshme që prek zemrën.

Shkodra nuk ishte vetëm qyteti pritës, por vetë skena, fryma dhe drita e asaj nate.

Qindra qytetarë, artistë e dashamirës të muzikës popullore, vizitorët e huaj, turistë nga Izraeli, Spanja e shumë vende të tjera, u përfshinë natyrshëm në atmosferën që krijon vetëm kënga popullore shqiptare.

Nuk munguan as miqtë e largët që ndihen të afërt përmes këngës qytetare shkodrane, nga Ulqini, Tuzi, Tetova, etj. Të gjithë njëzëri, me sy të ndritur e duar që nuk pushonin së duartrokituri.

Nuk kishte dallim mes atyre që këndonin në skenë dhe atyre që këndonin poshtë saj, ishte një kor i gjallë i dashurisë për Shkodrën dhe për një artist që ka ngritur zërin e këtij qyteti në qiellin e artit shqiptar.

Mes dritave, duartrokitjeve dhe emocioneve, publiku dëshmoi se Shkodra di të festojë, por mbi të gjitha, di të nderojë ata që i kanë kënduar Shkodrës, siç është Bujar Qamili. Ky koncert recital nuk ishte një performancë, por një rit i gjallë, një përulje ndaj shpirtit të qytetit.

Në fund të mbrëmjes, mes duartrokitjeve dhe emocioneve që nuk donin të ndaleshin, Bujar Qamili e mbylli me fjalë që vinin nga thellësia e një zemre mirënjohëse, një reflektim i thellë për një karrierë që e ka lidhur ngushtë me Shkodrën: “Këtë Shkodër s’e kam parë, as përjetuar ndonjëherë kaq të mbushur me dashuri.”

Dhe nuk kishte nevojë për më shumë. Publiku e kishte thënë fjalën e tij, në çdo këngë të kënduar bashkë me të.

Më shumë se koncert: një shpirt i përbashkët. Kjo nuk ishte vetëm një natë muzikore, ishte një akt mirënjohjeje ndaj qytetit, një falënderim i ndërsjellë midis një artisti dhe publikut të tij. Një përjetim që do të mbahet mend, siç mbahen të gjalla legjendat e këtij qyteti.

Jam thellësisht i nderuar që, përtej emocioneve si libretist i këtij koncerti dhe autor i disa prej këngëve të interpretuara, pata privilegjin të jem dëshmitar i kësaj nate që do të shkruhet me germa të arta në kujtesën artistike të qytetit tim.

Ky aktivitet madhështor u realizua me përkushtimin e thellë dhe vizionin e pakrahasueshëm të Bashkisë Shkodër dhe Kryetarit z. Benet Beci, një mbrojtës i flakët i trashëgimisë kulturore. Ai, për të disatën herë, dëshmon se mbështetja e palëkundur ndaj artit është themeli i lulëzimit të shpirtit qytetar, ku kultura ngrihet në piedestalin e saj më të shenjtë dhe bëhet një festë e përjetshme e identitetit tonë.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT